Kosova
Diaspora kërkon të votojë në ambasada dhe konsullata
Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit ankohen për vështirësitë që u dalin për të votuar në Kosovë. Me këtë pajtohen të gjithë, por cila është zgjidhja? Albinfo.ch ua ka shtruar këtë pyetje tre njerëz kompetentë të fushës

Shumë qytetarë nga diaspora pritet të votojnë në zgjedhjet e parakohshme që mbahen më 6 tetor në Kosovë. Pormundësia e tyre e vetme për të votuar është ajo përmes postës. Për këtë arsye, KQZ ua kishte mundësuar bashkatdhetarëve jashtë vendit që nga data 30 gusht deri më 10 shtator t`i mbushin formularët e tyre në regjistrin e votuesve nga diaspora për zgjedhjet parlamentare. Të drejtën për t’u regjistruar si votues, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e kishin edhe ata qytetarë që nuk kanë shtetësinë e Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës sipas Ligjit për Shtetësi.
Liza Gashi: Mungon vullneti i politikës, pasi që vota e mërgatës nuk është votë klienteliste
Sipas organizatës joqeveritare ‘Germin’ që merret me organizmin e diasporës, janë rreth 350 mijë votues nga diaspora me të drejtë vote. Megjithatë sipas Liza Gashit nga kjo organizatë, mërgatës duhet t`i mundësohet që të votojë në misionet diplomatike të vendit, por një gjë të tillë ia pamundëson ligji aktual për zgjedhjet. Garmin konsideron që procedurat burokratike e zbehin interesimin për pjesëmarrje te bashkatdhetarëve në votime
“Po, ky do të ishte avancim i të drejtës së votës. Me sistemin aktual, në fakt mërgatës tonë i mohohet praktikisht e drejta e votës për shkak të procedurave burokratike dhe kohës së shkurtë. Me propozimet që kemi bërë për ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, është edhe ky amendament, që t`u lejohet shtetasve të Republikës së Kosovës të votojnë në misionet diplomatike, si një alternativë tjetër. Nuk ka vullnet politik për votën e mërgatës, ka shumë premtime e pak realizime. Unë mendoj se ndodh kështu pasi që vota e mërgatës nuk është votë klienteliste dhe për këtë arsye mungon vullneti politik në këtë drejtim”, thotë Liza për Albinfo.ch.
“Mendoj që në mungesë të vullnetit politik, buxheti përdoret si arsyetim. Mos të harrojmë që vota e diasporës e ka potencialin të ndërrojë komplet skenën politike. Flitet që janë diku 400,000 votues potencialë me të drejtë vote jashtë vendit. Po ashtu, mendoj që komuniteti jashtë vendit duhet ta unifikojë zërin në kërkim të të drejtave të veta. Fillimisht, përmes diskutimeve virtuale dhe më pas përmes fokus grupeve, ne kemi marrë feedback nga komuniteti për format më të mira të cilat do ta avancojnë këtë proces. Në këtë drejtim, para periudhës së zgjedhjeve dhe gjatë saj kemi kaluar rekomandime tek zyrtarët përgjegjës duke ofruar kohën dhe profesionizmin tonë në këtë drejtim. Gjatë periudhës së zgjedhjeve, përmes fushatave informuese kemi zhvilluar aktivitete të shumta për të informuar votuesin e diasporës për procesin zgjedhor”, thotë Gashi.
“Ne po ashtu kemi ngritur zërin dhe kemi kërkuar edhe ndryshimin e ligjit për zgjedhje. Si pjesë e grupit punues kemi propozuar që votimi jashtë vendit të avancohet dhe mes tjerash të mundësohet votimi nëpër misionet diplomatike. Ndryshimet kanë kaluar nga komisioni, dhe urojmë që ky plotësim-ndryshim të jetë prioritet në legjislaturën e ardhshme. Ky problem duhet te zgjidhet një herë e përgjithmonë”, ka shtuar Gashi për albinfo.ch.
Florian Dushi: Për gjithçka, kompetent është Kuvendi
Ndërkaq sipas ish-anëtarit të KQZ-së, Florian Dushi, është obligim i institucioneve të Kosovës që të gjejnë mënyrën më të mirë e cila do t’ua mundësonte mërgimtarëve të votojnë në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. E për ta lehtësuar këtë proces, edhe Dushi thotë se duhet t`u mundësohet votimi në përfaqësitë diplomatike.
“Organizimi i procesit të votimit në misionet diplomatike të Kosovës, do të lehtësonte shumë këtë proces për mërgimtarët dhe do të mundësonte pjesëmarrje më të madhe të tyre në zgjedhje. Sipas një parallogarie, kjo formë e organizimit të procesit të votimit nuk do të kushtonte shumë, Republika e Kosovës do të duhej që me urgjencë të bëjë ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme në legjislacionin zgjedhor dhe të mundësojë organizimin e procesit zgjedhor në përfaqësitë diplomatike. Kjo formë votimi do të ndikonte edhe në rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe do të mundësonte që të dëgjohet edhe zëri i mërgimtarëve tanë sepse deri më tani, përmes mënyrës aktuale të votimit, kemi vetëm disa qindra vota të cilat vijnë përmes postës nga diaspora në proceset tona zgjedhore”, thekson Dushi.
Dushi thotë se kjo problematikë është diskutuar edhe në mbledhjet e KQZ-së, por, sipas tij, për ndryshimin e ligjeve kompetent është Kuvendi i Kosovës.
“KQZ ka qenë në favor të këtij ndryshimi, por është Kuvendi i Kosovës, organi më i lartë përfaqësues e legjislativ ai që është kompetent për t’i bërë këto ndryshime. KQZ nuk ka mundur dhe nuk mund të ndryshojë asgjë pa ndryshimin e ligjit nga ana e Kuvendit të Kosovës. Siç e dini, ligji aktual është ligj që e ka dërguar nga Pakoja e Ahtisarit. Si i tillë, është hartuar kur Kosova nuk kishte përfaqësitë e veta diplomatike prandaj është përvetësuar votimi përmes postës. Tash së fundmi kishim një iniciativë që kjo të ndryshohet por për shkak të dorëheqjes së Kryeministrit dhe shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kjo iniciativë ka mbetur në gjysmë prandaj edhe në këto zgjedhje KQZ-së i është dashur të aplikojë mënyrën e vjetër të votimit që është mënyrë shumë e komplikuar por edhe me afate tejet të shkurtëra”, thotë Dushi.
Valon Murati: Kemi bërë përpjekje për lehtësimin e votimit të diasporës, por nuk ia kemi dalë!
Për t’ia mundësuar diasporës që të votojë nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës thotë të ketë punuar intensivisht edhe ish-ministri i Diasporës, Valon Murati.
“Realisht, zgjidhja më e mirë do të ishte nëse diaspora do të kishte vendet e rezervuara, dhe të votonte për përfaqësuesit e vet në Kuvendin e Kosovës. Por për të ndodhur kjo, duhet ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës dhe kjo për momentin është gati se e pamundur. Por në të ardhmen, me ndryshimin e rrethanave politike, do të duhej të trajtohej shumë seriozisht ky variant. Në anën tjetër deri sa kjo të ndodhë, do të duhej të trajtohej edhe varianti i votimit në konsullata dhe ambasada. Sa i përket mos ndryshimit të ligjit për zgjedhje në mënyrë që të krijohet mundësia e votimit në konsullata dhe ambasada duhet të ketë vullnet politik nga të gjitha forcat politike në Kosovë. Vështirë është të fajësohet dikush në mënyrë specifike”, thekson Murati.
“Në kohën kur unë kam qenë ministër, e kemi trajtuar çështjen e votimit dhe kemi pas dalë me një propozim së bashku edhe me D4D, një organizatë joqeveritare, ku kemi propozuar tri opsione. I pari ka qenë përmirësimi e thjeshtëzimi i procedurave aktuale të votimit me postë. I dyti ka qenë ndryshimi i ligjit në mënyrë që të votohet përmes misioneve diplomatike. Dhe i treti, ndryshimet kushtetuese në mënyrë që diaspora të ketë vendet e rezervuara. Rrethanat politike të qeverisë në të cilën kam bërë pjesë e kanë pamundësuar që në mënyrë më konsistente të trajtoheshin këto opsione”, përfundon Murati për albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Gjermani: Shoqatat shqiptare prezantojnë kulturën dhe traditat Qendra e qytetit të Augsburgut u shndërrua në një mozaik ngjyrash dhe kulturash të shteteve të...
-
Britani: Bie pema mbi pesë fëmijë, humb jetën 7 vjeçarja shqiptare
-
Arti diplomon në fushën e Financave në Universitetin NOVA në Portugali
-
FDP kandidon Përparim Avdilin për kryebashkiak të Cyrihut
-
Pagat marramendëse në startup-i e ri të Mira Muratit
Jeta në Austri
-
Austria pritet të përballet me një valë të nxehti Pasi pjesa më e madhe e Evropës ka qenë në vapë të madhe, Austria është gati...
-
Austri: Prej 1 korrikut, kosto më të larta për këto shërbime
-
Austria do dyfishojë fondet për shëndetin mendor në shkolla pas tragjedisë në Graz
-
Rritje e interesimit për studimet mjekësore në Austri
-
Zjarr i madh në impiantin e riciklimit në Tirolin Lindor