Lajme

Diaspora ka shtrënguar dorën

Dërgesat e emigrantëve në Kosovë po shënojnë trend ngadalësimi të rritjes në gjysmën e parë të këtij viti, në raport me vitin e kaluar

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, dërgesat e emigrantëve shënuan rritje vjetore prej 1.2 për qind në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, një trend i ngadalësuar i rritjes kur kemi parasysh rritjen prej 3.9 për qind në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, raporton Zëri.

Nga 234.2 milionë euro, sa kanë arritur dërgesat në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, pjesa më e madhe e tyre kanë ardhur nga Gjermania(32.8%), Zvicra(23%), Italia(7%) dhe Austria (5%).

Nga ana tjetër, sipas një studimi për remitancat të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), remitencat që transferohen në kesh janë zakonisht në shuma të vogla, të cilat për shkak të kostove të larta për transfere, kryesisht transferohen përmes kanaleve joformale, gjë që vështirëson vlerësimin e remitencave. Por, studimi ka treguar që në mënyrë të shtuar remitencat janë duke u transferuar përmes kanaleve formale siç janë bankat, në një vlerë e cila është 39%.

Por përkundër kësaj, transferet direkte përmes personit ende janë mënyra më e popullarizuar e transferit dhe atë me një përqindje prej 43%. Gjithashtu është vërejtur që shumica e grave preferojnë që dërgesat e remitencave t’i bëjnë personalisht (57%), ndërsa burrat preferojnë transferet bankare (40%).

Studimi për remitencat në Kosovë 2011, po ashtu ka gjetur që afro 25% të amvisërive në Kosovë, pranojnë remitenca. Mesatarisht, amvisëritë pranojnë 2.136 euro para kesh dhe remitenca tjera në të mira materiale për çdo vit. Përqindja e pranuesve të remitencave është më e lartë në mesin e grave kryefamiljare, 31%, krahasuar me amvisëritë që udhëhiqen nga meshkujt- 24%.

Përqindja e pranuesve të remitencave për komunitetet etnike në Kosovë, edhe këtë herë ka shfaqur ekzistimin e dallimeve të mëdha. Përqindja e amvisërive shqiptare në Kosovë, që marrin remitenca është rritur prej 21% (2010) në 27% (2011), ndërsa për komunitetin serb të Kosovës, kjo rritje është më e ulët, përkatësisht prej 6% (2010) në 7% (2011).

Studimi tregon që përqindja e amvisërive që pranojnë remitanca është paksa më e lartë për amvisëritë që banojnë në zona rurale sesa për ato që banojnë në zona urbane. Përqindja e amvisërive që banojnë në zona rurale dhe që pranojnë remitenca është 26%, ndërsa për amvisëritë në zonat urbane ky numër është 24%.

Remitencat kryesisht shfrytëzohen për konsum direkt-të menjëhershëm: Ushqim, shërbime dhe shërbimet tjera komunale. Përqindja e konsumit aktual është rritur dukshëm, nga 33% (2010) në 52% (2011). Konsumi aktual përcillet edhe me kategori të tjera të konsumit, siç janë sendet e qëndrueshme të amvisërisë (p.sh. frigorifer, lavatriçe etj.), automjetet, martesat apo shpenzimet tjera për ngjarje familjare dhe investimet kapitale njerëzore.

Gjatë krahasimit të të gjeturave me Studimin e Remitancave në Kosovë 2010, është vërejtur një rënie e dukshme e shfrytëzimit të remitencave në përqindjen e investimeve për biznes dhe kursimet, nga 20.2% në 9%. Studimi, përveç këtyre, ka treguar edhe që gratë orientojnë remitencat më shumë në aktivitetet e konsumit aktual krahasuar me burrat. (Albinfo&Zeri)

Dërgesat në vite:2005=418 milionë euro2006= 467.1 milionë euro2007= 515.6 milionë euro2008=535.4 milionë euro2009=505.6 milionë euro2010= 511.6 milionë euro

Prej nga vijnë paratë?Gjermania 32.8%Zvicra 23%Italia 7%Austria 5%