Jeta në Austri

Destan Gashi, njeriu që i njeh ‘damarët’ e gurit

Guri flet me gjuhën e artit nga shpirti i madh i njeriut tonë të thjeshtë e me kulturë. Destan e Barbara Gashi, vlerë në imazhin tonë gjithandej botës

Një ditë të bukur vjeshte udhëtojmë deri në Himberg, jo larg Vjenës, aty ku është atelieu i Destan Gashit. Oborri me skulptura dhe koloriti i gjetheve mbi qilimin e gjelbër krijonin ambient të bukur vjeshte. Destani na priti me bujarinë e tij të çiltër, veçori e tij, njeriut bujar me shpirt artisti. Një gotë raki nga dora e parë mes skulpturave që flasin thellë nga shpirti e tij. “Mirë se vini! Na nderuat”, tha i gëzuar, duke na shikuar me radhë. Një ambient ku shkruan maja e daltës në gur; mes tyre gra e burra muskulor pozitash që flasin, aty flamuri i trevave etnike shqiptare; aty rruga e tij mes dragonjve, kuçedrave, engjëjve, idhujve, ushtarit të rënë buzë gurit kufitar; aty legjendat, hasjanët, i sapolinduri i Rozafës, Portret Skënderbeu, Kali i Doruntinës e shumë të tjera, të cilat mund t’i numërojë vetëm dora e Destanit. “Vetëm Kali i Doruntinës m’i theu shtatë dalta”, rrëfen me emocione artisti ynë, Destan Gashi.

Destan dhe Barbara Gashi

Të rrethuar me skulptura mermeri biseda bëhet më reale, e natyrshme në ambientin e punës, aty ku kënaqësia artistike ndihet lehtë, fillon biseda jonë e shoqëruar me mall atdheu. Dashuria e malli të jep forcë, i them në shaka. Keni punuar shumë vepra arti të vlerësuara lart nga kritika, a mund të veçoni veprën tuaj më të dashur për ju?

Po, vepra ime më e dashur është i sapolinduri i Rozafës, e cila tani është në lokalitetin e njohur në Baden, periferi e Vjenës.

Ju keni pasur shumë momente promovimi, ekspozita. A mund të veçoni ndonjë moment gëzimi nga fryti i punës suaj?

Po, unë jam mahnitur nga krahina e Hasit me ato traditat karakteristike të ruajtura nga hasjanët dhe ky ishte burim frymëzimi për mua në realizimin e gjashtë hasjanëve në gurë, aty e kam ndier veten jashtëzakonisht të lumtur. Ato punime i kam në Kosovë.

Pas shumë ekspozitash në disa vende, a keni ekspozuar në atdhe dhe si ju ka pritur publiku?

Kam ekspozuar para disa vitesh, ishte hera e parë pas pritjes sime të gjatë. Në transportimin e skulpturave pata mbështetjen e Ministrisë së Diasporës. Ekspozita u mbajt në mesoren e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Ishte një ndjenjë gëzimi e lumturie e papërshkrueshme. Pas Prishtinës ishte Shkodra, qyteti shqiptar i kulturës, ku hapa ekspozitën e radhës.

Ju jeni artist, bashkëshort që keni krijuar një imazh pozitiv në Austri dhe më gjerë. Barbara piktore, cila është afërsia juaj jo vetëm si bashkëshort, por edhe si artist?

Me Barbarën kemi studiuar së bashku në Akademinë e Arteve të Bukura në Bruksel. Barbarën e kam jo vetë bashkëshorte, por edhe shoqe e gjithçka tjetër. Ajo e flet rrjedhshëm shqipen, i do shumë shqiptarët dhe i respekton. Është shumë e sjellshme në jetën e përditshme. Ajo pikturon dhe karakteristika e pikturave të saj është uji, uji në lëvizje.

Keni fëmijë dhe si quhen, a mund ta dinë lexuesit?

Po, djali ynë emrin e ka Guri. Guri Gashi. Pas lindjes e biseduam me Barbaren rreth emrit. “Me çka punoj unë?”, e pyeta Barbaren. “Me gur”, më tha ajo duke qeshur sikur ta zbulonte enigmën tonë për të cilën nuk kishim folur. Doli shumë i thjeshtë nga brumi i veprave artistike që flisnin gjithandej hapësirave të pallateve, kështjellave, bankave, parqeve, fabrikave e shtëpive. Ia vëmë emrin Guri. (E trashëgoftë, i them i emocionuar). Barbara ndjeu lehtësim dhe krenari me emrin aq të bukur e domethënës në jetën e tyre. Sot Guri, krenar me prindërit e tij, është i rritur me koloritin shpirtëror të brushës dhe madhështisë e skalitur në gur.

Box1

Rreth Destanit

Kritikja e njohur e artit, Sandra Sagmeister, rreth Destanit thotë: “Dashuria e Destanit është guri, nëse ia dhurojmë një bjeshkë, nuk do t`i mjaftojë”.

Destani është vetë legjendë, e ushqeu Rozafa me gjirin e saj, i dha forcë e kurajë deri në Brukselin e njohur, ia hapi dyert e shpirtit krijues mbi tabanin mijëvjeçar pellazg-ilir. I shkëlqyeshëm në skulpturë, i shkëlqyeshëm në pikturë. Brukseli hapi zemrën, e donte ligjërues Destanin, “Këtu të duam profesor, urdhëro skenën e mësimdhënies, urdhëroni besimin tonë!” Dekorimi: “Medaljoni i Qytetit të Brukselit” ku kontinenti flet. Destani falënderoi i heshtur hipur në Kalin Pullali drejt shtigjeve ku prehej mermeri: Itali, Spanjë, Austri e gjithë andej ku troku nuk ndalej. Në qytetin ku udhëtohet vetëm me barka e priti Zana e tij Borëbardhë me pikturat e jetës për nesër. Brusha e dalta u bënë jetë e art, art e jetë.

Box 2

Skulpturat e tij, gjithandej globit

Skulpturat e Destanit e pikturat e Barbarës sot dhurojnë kënaqësi arti në Parlamentin Evropian, Parlamentin Austriak, bankat e njohura në Austri, hapësirave të oborreve mbretërore, kopshteve të qendrave kulturore, parqeve madhështore të metropoleve dhe shumë dashamirëve të artit gjithandej globit. Ai është pjesë e aktiviteteve artistike të organizuara nga Bashkia, Landi i Vjenës, Austrisë së Ulët dhe pjesë e katalogëve më në zë në vend. Për të folën shumë pozitivisht kritikët e artit, sot flasin dekoratat e shumta ndër më të dashurat “Medaljoni i Qytetit të Brukselit”.

 

P.s: Artikulli fillimisht është botuar në revistën albinfo.at