Lajme

Deri më tani, s’ka kosovarë të lënduar në Nice

Deri më tani nuk ka informacione për kosovarë të prekur, por ende po vazhdon procesi i analizimit të sulmit dhe verifikimit të identitetit të viktimave. Numri i telefonit të MPJ-së për informata është (+33 6 03 33 03 18)

Deri më tani nuk është raportuar për asnjë kosovar i vdekur apo i lënduar në sulmin e së enjtes mbrëma në Nice të Francës. Kështu ka njoftuar Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës, e cika ka shprehur ngushëllime, solidarizimin dhe përkrahjen për qeverinë franceze, për popullin e saj dhe për familjet e viktimave.

“Jam thellësisht i tronditur nga sulmet që janë kundër njerëzimit, lirisë dhe vlerave të demokracisë. Shpreh solidarizimin tim me familjet e viktimave. Republika e Kosovës ashtu si edhe më parë, do të qëndrojë përkrah Francës në këto ditë të vështira sikurse kjo”, ka ngushëlluar ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Sipas një njoftimi për media, që nga momenti i sulmit terrorist në Nice, Ambasada e Kosovës në Paris ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet franceze të sigurisë për t’u informuar në detaje nëse nga ky shpërthim ka të prekur shtetas kosovarë. Për këtë qëllim Ambasada në Paris ka vënë në dispozicion një numër emergjent për shtetasit kosovarë për të adresuar çfarëdo pyetje dhe nevoje.

“Deri më tani nuk ka informacione për kosovarë të prekur, por ende po vazhdon procesi i analizimit të sulmit dhe verifikimit të identitetit të viktimave. Zyra për Komunikim e MPJ-së do t’ju mbajë të informuar për të gjitha zhvillimet. Numri i telefonit është:  (+33 6 03 33 03 18)”, thuhet në njoftimin për media.

Me këtë rast, Ministra e Punëve të Jashtme gjithashtu u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i informojnë familjet e tyre për gjendjen e tyre aktuale, “ndërsa shërbimi diplomatik dhe konsullor i Republikës së Kosovës në Paris do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës”.