Shkurt.ch

Dënohet ish politikani për dhunim të shumëfishtë

Politikani qe akuzuar nga një ish asistente e tij se ishte ngacmuar dhe mandej edhe përdhunuar nga ai. Njësoj atë e ka akuzuar edhe një grua tjetër

Jürg Gehrig, një ish kandidat i St. Gallenit për deputet në Parlamentin e Zvicrës nga partia BDP, është dënuar për përdhunim të shumëfishtë, detyrim dhe ngacmim seksual të dy femrave. Gjykata Penale e kantonit Schwyz i ka shqiptuar politikanit 30 muaj heqje lirie, prej të cilave 6 muaj me burg efektiv. Veç kësaj ai dënohet që njërës nga viktimat t`ia paguajë një dëmshpërblim prej 15 mijë frangash dhe po ashtu të paguajë një gjobë prej 1000 frangash. Vendimi gjyqësor ende nuk është bërë i plotfuqishëm.

Politikani qe akuzuar nga një ish asistente e tij se në vitin 2011 qe ngacmuar disa herë seksualisht nga ai. Ndërsa në shtëpinë e pushimit të politikanit kishte ndodhur edhe përdhunimi i saj.

Gruaja tjetër, të cilën e kishte njohur përmes një shërbimi për ndërmjetësim partnerësh, e ka akuzuar atë se me rastin e një takimi në barkën e tij e kishte përdhunuar. Por, pas kësaj, ata janë takuar edhe disa herë të tjera.

Prokurori ka kërkuar tre vjet heqje lirie për përdhunuesin, nga të cilat një vit burg efektiv.

Nga ana tjetër, i akuzuari ka hedhur poshtë në vazhdimësi akuzat që i bëheshin, duke thënë se ka vepruar me pajtim të dyanshëm. Kështu, avokatët e tij kane kërkuar lirim të tij të plotë nga akuza.

Por, trupi gjykues i ka konsideruar të besueshme deklarimet e dy viktimave. Si në bazë të rezistencës verbale ashtu dhe asaj fizike, të dyja gratë ia kanë bërë të kuptueshme të akuzuarit se nuk duan marrëdhënie seksuale me të, thuhet në arsyetimin e shkurtë të vendimit gjyqësor.

I dënuari 60 vjeçar është ndërmarrës ndërsa në vitin 2011 ka qenë kandidat kryesor i BDP-së nga St. Galleni për zgjedhjet parlamentare. Më herët ka qenë anëtar i SVP-së. Pas bërjes publike gjatë fushatës zgjedhore të akuzave dhe të hetimeve që po breheshin ndaj tij ai kishte tërhequr kandidaturën.