Lajme

Dalja e shqiptarëve e vogël në krahasim me maqedonasit

Sipas rezultateve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor deri në orën 17.00 kanë votuar 53, 86 për qind në Maqedoni

18:00: Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) publikoi rezultatet e votimeve deri në orën 17.00, ku kanë votuar 53, 86 për qind.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë ka publikuar sot  edhe rezultatet nga votimet në diasporë në tre njësitë zgjedhore.

Në njësinë e 7 Evropë kanë votuar 53 për qind, në njësinë e 8 Amerikë-Kanada 68 për qind si dhe Australi-Azi 77 për qind. Zyrtarët zgjedhor kanë refuzuar të bëjnë publike emrat e kandidatëve që më së shumti kanë marrë vota në Diasporë

Kryetari i KSHZ-së në Shkup, Boris Kondarko deklaroi se nuk ka njoftime serioze për probleme dhe parregullësi eventuale gjatë procesit të votimit. Sipas tij, procesi po zhvillohet në mënyrë të qetë, korrekte dhe qytetarët po shprehin në mënyrë të lirshme të drejtën e votimit.

 

14:00: Procesi zgjedhor në Maqedoni sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve po zhvillohet në atmosferë të qetë dhe demokratike ndërsa deri në orës 13 në votime kanë dal 35.8% nga numri i përgjithshëm i votuesve, raportojnë agjensitë e lajmeve në Shkup. Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko tha se në përgjithësi zgjedhjet janë korrekte dhe se nuk janë regjistruar parregullsi që do të prishnin procesin zgjedhor. Sipas KSHZ-së, dalje më e madhe e votuesve është regjistruar në njësinë  e tretë zgjedhore, gjithsej, 40. 82 %. Ndërkohë një njësinë e gjashtë zgjedhore me popullatë shqiptare në votime kanë dalë, 27.60 %. Pas votimit në një qendër votimi në Shkup, Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov tha se zgjedhjet janë dita kur festohet demokracia andaj shprehu bindjen se procesi i sot do të jetë i qetë dhe demokratik: “ Vota e tyre vendos se kush do t’i miratojë vendimet që njëherësh janë thelbësore për vendin dhe ndihmojnë realizimin e qëllimeve tona strategjike. Pikërisht për këtë shkas dëshirojmë që dita e sotme të kalojë ashtu siç duhet, ashtu sikur i ngjan një vendi që tani e 20 vite frymon në demokraci, vend që plotëson të gjitha standardet demokratike dhe qëndron krah për krah me të gjitha demokracitë në botë”, ka deklauar  Ivanov.

Nga ana tjetër nga organizata joqeveritare maqedonase MOST që po monitoron zgjedhjet është raportuar se janë evidentuar parregullësi si: fotografimi i votave, prania e materialit propagandistik, si dhe leximi publik i emrave të votuesve, janë disa nga parregullsitë e evidentuara deri në mesditë.

11:00: Qytetarët e Maqedonisë sot po votojnë për përbërjen e re parlamentare. Rreth 1 milion e 820 mijë qytetarë të regjistruar në listën e përgjithshme zgjedhore, duhet të zgjedhin 123 deputetët e Kuvendit republikan nga gjithsej 679 kandidatë të 18 subjekteve politike që garojnë në zgjedhje.

Në të gjitha komunat dhe zonat e tjera të vendit procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme dhe pa ndonjë parregullësi, njoftojnë nga komisionet komunale, njoftojnë agjensitë e lajmeve.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor bëri të ditur se jehona e votuesve deri në orën 10 është 14, 02 për qind

Procesi i votimit zhvillohet në 2 mijë e 976 vendvotime, të shpërndara në gjashtë njësi zgjedhore. Për herë të parë tre deputetë do të zgjidhen nga diaspora, një nga Evropa, një nga Amerika dhe Kanadaja dhe deputeti i tretë nga Australia. Votimi në diasporë është realizuar gjatë ditës së shtunë.

Në garën zgjedhore konkurrojnë shtatë parti shqiptare: BDI, PDSH, RDK, DR, BDSH, PPD dhe BDK, ndërsa, në kampin politik maqedonas janë dy koalicionet e mëdha, ai i udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni i partive opozitare me LSDM, të cilat përfshijnë të gjitha partitë e tjera të pakicave.

Procesi zgjedhor organizohet nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, i cili për herë të parë rezultatet do t’i publikojë drejtpërdrejtë në faqen e internetit. Rezultatet do të publikohen ashtu siç do të arrijnë nga komisionet komunale zgjedhore. Kjo, sipas KSHZ-së, do t’u mundësojë qytetarëve që nga afër të përcjellin grumbullimin e votave.

Ndryshe, zgjedhjet e sotme të parakohshme parlamentare në Maqedoni po monitorohen nga më shumë 3500 vëzhgues vendorë, kryesisht të asociacionit qytetar “Most”, dhe 300 të misionit vëzhgues të OSBE/ODHIR-it.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhore, Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë masa të posaçme duke angazhuar 7 mijë forca policore.

Ministrja e Brenshme, Gordana Jankullovska, ka thënë se policia do të jenë e pamëshirshme ndaj çdo personi që tenton të prishë procesin e sotëm zgjedhor, ndërkohë me ndryshimet e reja në Kodin Penal, personat që pengojnë qytetarët të realizojnë të drejtën në votimit në çfarëdo qoftë mënyre apo që dëmtojnë këtë proces, dënohen deri me 5 vjet burg.