Kosovë: Miliona për studentët, derisa pacientët presin në spitale pa pajisje dhe staf

Në spitalin rajonal të Ferizajt, shtretërit janë plot dhe pacientët presin radhën për një ekzaminim që shpesh nuk mund të bëhet aty.

Rreth 35 kilometra larg, në Prishtinë, Qeveria në detyrë ndan 26 milionë euro ndihmë studentëve – vetëm pesë ditë para zgjedhjeve lokale.

Për disa, kjo ndihmë mund të jetë e mirëpritur; për kritikët është dëshmi se shteti shpërndan para aty ku ka më shumë vota, e jo aty ku nevojat janë më urgjente.

“Vërtet nuk është e kuptueshme që një qeveri, në prag të zgjedhjeve, të shpërndajë mjete pa bërë një analizë apo llogaritje të saktë të ndikimit të tyre”, thotë për Radion Evropa e Lirë Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP në Prishtinë.

Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj është njëri prej shtatë spitaleve rajonale të Kosovës, të cilat funksionojnë nën ombrellën e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Në nëntor të vitit të kaluar, ekipi i REL-it vizitoi këtë spital dhe pa një realitet të zymtë: rrëmujë, papastërti, pajisje të prishura dhe mure të mbuluara nga lagështia.

Izolimi i mureve ose zëvendësimi i orendive, si lavamanët pa rubinete, kërkon disa mijëra euro.

Megjithatë, gjendja vazhdon të jetë thuajse e pandryshuar edhe pas një viti.

Drejtori Fikret Arifi thotë se situatën e përkeqëson edhe mungesa e hapësirave në disa reparte.

“Në repartin e internës i kemi 15 shtretër dhe janë plot, nuk mund të pranojmë raste të reja”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Me mungesë të kapaciteteve të ngjashme thotë se përballet edhe reparti i pediatrisë, ndërsa spitali nuk ka fare hematologë dhe numri i radiologëve është i kufizuar.

“Si pasojë e mungesës së këtyre shërbimeve, pacientët duhet të referohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës [QKUK] në Prishtinë”, thotë Arifi.

Në këtë qendër referohen edhe pacientë që adresë do të duhej të kishin Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës.

Ky spital nuk ka rezonancë magnetike, thotë drejtori i tij, Gëzim Berisha, për Radion Evropa e Lirë.

Pajisja me një të tillë “do ta shkarkonte shumë edhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, thotë ai.

Rezonanca magnetike shërben për të parë strukturat e brendshme të trupit në detaje.

Çmimet e saj në ueb-faqe të ndryshme në internet variojnë – nga disa qindra mijëra euro deri në mbi një milion.

Berisha thotë se spitali në Mitrovicë përballet edhe me mungesë stafi.

“Për shembull, kur një pacient përfshihet në një aksident rrugor dhe ka nevojë për konsultën e një kirurgu torakal, ne duhet ta referojmë në Prishtinë, sepse nuk kemi mjek torakal”, thotë ai.

Problemet me mungesë stafi, barnash apo aparaturash nuk janë të kufizuara vetëm në këto dy spitale – ato prekin të gjitha institucionet shëndetësore në Kosovë.

Vitin e kaluar, mbi 100 mjekë e braktisën vendin, duke u ankuar për kushtet e punës dhe pagat e ulëta.

Në 2023-ën, ky numër arriti në 167, ndërsa në periudhën 2018-2022, sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, u larguan mbi 650 mjekë.

Për pasojë, pritjet për shërbime të caktuara në QKUK zgjasin me muaj apo edhe vite.

Zyra e Auditorit Kombëtar raportoi vitin e kaluar se pritja mesatare e pacientëve në këtë institucion arrinte në gati tre vjet.

Pavarësisht ndërrimit të qeverive dhe premtimeve për reforma, qoftë nga SHSKUK-ja apo Ministria e Shëndetësisë, problemet e tilla e kanë përcjellë sektorin e shëndetësisë që nga paslufta, më 1999.

Investimet nuk kanë munguar – për shembull, vitin e kaluar, janë përuruar renovimet e Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, por në shumë hapësira ato nuk janë të dukshme.

Për kimioterapinë që përdorin pacientët e sëmurë me kancer, ata duhet të drejtohen vetëm në QKUK – në asnjë spital tjetër të Kosovës ajo nuk ofrohet.

Dhe, në QKUK, ka pasur raste kur mbingarkesa i ka detyruar ata të marrin kimioterapi në salla të improvizuara.

Hasaj thotë se ndarja e miliona eurove nga Qeveria nuk duhet të ketë vetëm efekt afatshkurtër, por të sjellë ndryshim të qëndrueshëm, pavarësisht sektorit se ku shfrytëzohen.

“Për shembull, të mbulohet shpenzimi për pushimin e lehonisë, jo nga sektori privat apo nga punëdhënësit, por të bëhet përgjegjësi e Qeverisë. Sepse, sipas meje, kjo do të kishte efekt të dukshëm, do të ndikonte në ndryshimin e qasjes dhe strukturës së punësimit”, thotë Hasaj.

Sipas vendimit të Qeverisë në detyrë, të datës 7 tetor, 20 milionë euro janë ndarë për mbështetjen e studentëve bazuar në distancën që e kanë nga vendi i banimit tek ai ku studiojnë.

E, 6 milionë euro të tjera janë ndarë për një shtesë prej 100 eurosh për të gjithë studentët, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.

Partitë ish-opozitare e cilësuan këtë vendim si “blerje votash” në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, por jo edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Ata [studentët] dhe familjet e tyre do ta kenë më lehtë përballimin e kostove”, tha ai./REL

Zvicra do të zgjasë përfitimet e papunësisë së pjesshme për të zbutur tronditjen tarifore

Zvicra të mërkurën zgjati përfitimet e pjesshme të papunësisë për të kufizuar pushimet nga puna nga kompanitë e goditura nga rritja e tarifave të SHBA-së, të cilat kanë dëmtuar veçanërisht prodhuesit e orëve dhe eksportuesit e vegjël industrialë.

Shtëpia e Bardhë vendosi tarifa prej 39 përqind për mallrat zvicerane në gusht, një normë shumë më e lartë se ajo e zbatuar në Bashkimin Evropian.

Në një njoftim për shtyp, Këshilli Federal i Zvicrës njoftoi se po e zgjatte kohëzgjatjen maksimale të kompensimit të pjesshëm të papunësisë në 24 muaj, krahasuar me 18 muaj më parë, shkruan AFP, transmeton albinfo.ch.

Zgjatja duhet t’u lejojë atyre “të përshtaten me një situatë ekonomike ende të vështirë” përballë “pasigurisë së lidhur me tarifat doganore” dhe “të shmangin pushimet nga puna”, tha qeveria.

“Industritë e makinerive, pajisjeve elektrike dhe metaleve, si dhe industria e orëve, janë ndër më të prekurat”, shtoi deklarata.

Papunësia e pjesshme në Zvicër i referohet punëtorëve të detyruar të zvogëlojnë orët e tyre ose të mos punojnë fare, ndërsa ende mbeten zyrtarisht në staf – me qeverinë që paguan një pjesë të pagës së tyre.

Zgjatja do të hyjë në fuqi në fillim të nëntorit. Përfitimet e pjesshme të papunësisë u zgjatën nga 12 në 18 muaj në mesin e vitit 2024 pas një rritjeje të kostove të energjisë.

Sipas shifrave nga Ministria e Ekonomisë, shkalla e papunësisë në Zvicër ishte vetëm 2.8 përqind në gusht dhe shtator, por statistikat për punën me kohë të shkurtër gjatë këtyre dy muajve nuk janë ende të disponueshme.

Në një studim mbi industrinë e prodhimit të orëve të publikuar të mërkurën, firma e auditimit dhe konsulencës Deloitte vuri në dukje se 65 përqind e furnizuesve të pjesëve të orëve, zakonisht të parët që preken në rast të një ngadalësimi, raportuan në korrik se kishin përdorur masa të përkohshme për uljen e orëve të punës.

A mund të bashkohen banorët e huaj me forcat policore të Zvicrës?

Qyteti zviceran i Lozanës tha se mund të fillojë të punësojë shtetas të huaj për forcën e tij policore. Por cilat janë rregullat e përgjithshme në Zvicër kur bëhet fjalë për atë se kush mund të bëhet oficer policie?

Deri më tani, vetëm shtetasit zviceranë mund të bëheshin oficerë policie në Lozanë – si në shumicën e qyteteve dhe kantoneve të tjera.

Por kjo mund të ndryshojë së shpejti.

Komuna tani po shqyrton rekrutimin e disa banorëve të huaj për të rritur radhët e policisë së saj sepse, sipas gazetës lokale, 24 Heures, “përqindja e të huajve në popullsinë e Lozanës arrin në 42 përqind, por forca policore në këtë rajon mbetet relativisht e padiversifikuar”.

Ky veprim vjen menjëherë pasi disa nga oficerët e policisë së Lozanës u akuzuan për racizëm pas trazirave të dhunshme që shpërthyen në kryeqytetin e Vaud në gusht.

A do të thotë kjo se çdo banor i huaj i Lozanës mund të aplikojë dhe të pranohet?

Rekrutimi do të jetë i hapur vetëm për mbajtësit e lejes C – me fjalë të tjera, për shtetasit e huaj që kanë jetuar në vend midis pesë dhe 10 vjetësh, e njohin gjuhën dhe janë plotësisht të integruar.

Po në vende të tjera në Zvicër?

Si shumë sektorë të tjerë të ekonomisë, edhe zbatimi i ligjit vuan nga mungesa e personelit të kualifikuar.

Megjithatë, shumica e kantoneve dhe komunave pranojnë vetëm shtetas zviceranë në radhët e forcave të tyre policore.

Në fakt, vetëm një numër i vogël kantonesh – Graubünden, Jura, Neuchâtel, Schwyz dhe Basel-City – deri më sot i kanë hapur forcat e tyre policore për të huajt me leje C.

Por a është e ligjshme të pengosh të huajt të bashkohen me zbatimin e ligjit?

Marrëveshja e Lëvizjes së Lirë të Njerëzve (AFMP) midis Bernës dhe Brukselit përcakton që punëtorët e BE-së duhet të kenë “të drejtën për trajtim të barabartë me shtetasit [zviceranë] në lidhje me aksesin në aktivitetin ekonomik, si dhe kushtet e jetesës, punësimit dhe punës”.

Për më tepër, një ligj zviceran, Akti i Shtetasve të Huaj dhe Integrimit (FNIA), gjithashtu përcakton këtë përparësi, shkruan thelocal.
Në fakt, kjo do të thotë që qytetarët e BE-së (së bashku me ata nga shtetet e EFTA-s – Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni), kanë të njëjtin akses në punë si shtetasit zviceranë, transmeton albinfo.ch.

Pse pra nuk punësohen më shumë shtetas të BE-së/EFTA-s për punë në polici?

Kjo për shkak se Këshilli Federal vendosi që shtetasit zviceranë mund të favorizohen për punë që lidhen me sigurinë, drejtësinë, mbrojtjen, inteligjencën, kontrollin kufitar ose përfaqësimin e Zvicrës jashtë vendit.

Gjithashtu shtoi se aktualisht 95 përqind e pozicioneve në administratën federale janë të zëna nga zviceranët, dhe në 5 përqind të tjerë, 80 përqind janë shtetas të BE-së ose EFTA-s.

Xhaka: Suedia ka cilësi

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka ka folur para ndeshjes me Suedinë, e vlefshme për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Xhaka tha se Suedia, nuk e nisi ashtu siç e prisnin të gjithë, pasi në dy ndeshjet e para, ka një barazim dhe një humbje, ndaj Kosovës.

Kapiteni paralajmëron ekipin e tij, pasi beson se Suedia ka cilësi, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

“Suedia nuk e nisi ashtu siç të gjithë e prisnin. Por, nëse e studion ekipin, ata kanë cilësi. Kemi një ndeshje të vështirë”, u shpreh Xhaka.

Suedia dhe Zvicra takohen të premten nga ora 20:45.

Kosovë: Nesër vazhdimi i seancës konstituive

Të premten, 10 tetor, do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Seanca do ta ketë një pikë të vetme, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.

Ajo do të fillojë nga ora 10:00, njoftohet në faqen zyrtare të Kuvendit. 

Prej 8 tetorit ka nisur afati 12-ditor pë konstituim të Kuvendit, sipas aktgjykimit që lëshoi Gjykata Kushtetuese. Por, gjykata nuk ka treguar edhe se cilat janë pasojat nëse këtë nuk e bëjnë deputetët brenda afatit.

Në aktgjykimin e plotë në rastin e ngritur nga Lista Serbe, Kushtetuesja ka konstatuar se është kushtetues edhe votimi i ndarë për nënkryetarët, e cila ishte kontestuar edhe nga një numër i partive në Kuvend që ose abstenuan në procesin e votimit për nënkryetarin serb, ose nuk votuan fare. Kësisoj, gjykata ka konstatuar se zgjedhja e Emilja Rexhepit për nënkryetare është në përputhje me Kushtetutën.

Gjykata në arsyetim ka theksuar se e drejta për të propozuar nuk nënkupton edhe të drejtën për ta mbajtur të bllokuar konstituimin. Ajo ka elaboruar rrethanën kur Kuvendi mund të funksionojë edhe pa të gjithë nënkryetarët.

Megjithatë Kushtetuesja ka theksuar se në rastin konkret dështimi për konstituim i atribuohet mosvotimit të shumicës së deputetëve të zgjedhur të Kuvendit për deputetët e propozuar. Në rastet e deritashme nuk kanë votuar deputetët e Lidhjes Demokratike, por edhe ata të Listës Serbe. Në disa raste nuk kanë marrë pjesë në votim as deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Edhe në këtë aktgjykim, Kushtetuesja ua ka rikujtuar deputetëve obligimin për të marrë pjesë në seancë dhe për të votuar, qoftë për, kundër apo duke abstenuar.

Fillon zbatimi i sanksioneve të SHBA-së kundër industrisë serbe të naftës

Zbatimi i sanksioneve të SHBA-së kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) filloi të enjten, më 9 tetor, përcjell albinfo.ch.

NIS lëshoi një deklaratë në lidhje me situatën e re, duke theksuar se “prioritetet, si më parë, mbeten furnizimi i rregullt i tregut vendas me produkte nafte, si dhe ruajtja e stabilitetit shoqëror të punonjësve”.

“NIS ka siguruar furnizime të mjaftueshme me naftë për përpunim në këtë kohë, ndërsa stacionet e benzinës furnizohen rregullisht me të gjitha llojet e produkteve të naftës”, u njoftua.

Ata paralajmëruan se në rast të ndërprerjes së funksionimit të kartave të pagesave të huaja, pagesa në stacionet e benzinës do të jetë e mundur me karta vendase dhe të tjera, me para në dorë, si dhe me metodën “IPS show”.

Sa i përket shitjes me shumicë, kompania deklaron se është gati të përmbushë “të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj partnerëve të biznesit, duke përfshirë klientët e korporatave dhe klientët e mëdhenj”.

“Kartat e pagesave të klientëve të korporatave po funksionojnë pa probleme”, shtoi ajo.

lg.php.gif

NIS, siç u njoftua, në bashkëpunim me partnerët, Qeverinë Serbe dhe aksionarët, po punon për të kapërcyer këtë situatë.

Që nga janari, kur NIS u vendos në listën e kompanive të sanksionuara, Shtetet e Bashkuara (SHBA) e kanë shtyrë zbatimin e sanksioneve tetë herë, herën e fundit deri më 8 tetor.

NIS u vendos në listën e sanksioneve të SHBA-së më 10 janar për shkak të të ashtuquajturit “rrezik dytësor”, pra pronësisë me shumicë ruse. Sanksionet e SHBA-së synojnë, ndër të tjera, parandalimin e financimit të luftës në Ukrainë, përmes parave që vijnë nga kompanitë ruse të energjisë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi më 7 tetor se Beogradi do të bisedonte me Rusinë për zgjidhjen e problemit të sanksioneve mbi Industrinë Serbe të Naftës.

lg.php.gif

“Nuk kemi më asgjë për të folur me amerikanët. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë pjesën e tyre dhe Evropa do të mbështesë sanksionet e SHBA-së”, tha Vuçiç.

Serbia nuk ka më asgjë për të diskutuar me SHBA-në në lidhje me sanksionet mbi NIS, tha Vuçiç.

lg.php.gif

Në shtator, NIS paraqiti një kërkesë të ndryshuar te autoritetet amerikane për heqjen nga lista SDN (Shtetas të Caktuar Specialisht), e cila, siç deklaruan ata, është një proces i gjatë dhe kompleks, dhe kërkesa fillestare u dërgua më 14 mars të këtij viti.

Ndërkohë, struktura e pronësisë së NIS ka ndryshuar disa herë, por ajo është ende kryesisht në duart e kompanive ruse.

Gazprom doli nga NIS në shtator, dhe një kompani tjetër e menaxhuar nga Gazprom – kompania Intelligence me seli në Shën Petersburg – u bë një nga pronarët e rëndësishëm. Intelligence Joint Stock Company u bë pronare e 11.3 përqind të kompanisë, sipas të dhënave të publikuara në faqen e internetit të Bursës së Beogradit më 21 shtator.

Pjesa më e madhe në NIS mbahet ende nga Gazprom Neft, një degë e Gazprom (44.9 përqind), ndërsa shteti i Serbisë ka 29.9 përqind. Aksionet e mbetura përbëhen nga aksionarë të vegjël.

lg.php.gif

Në janar, Vuçiç hodhi poshtë mundësinë e shtetëzimit të NIS, duke shtuar se Serbia “nuk do të marrë pjesë në sekuestrimin e pronës ruse”.

Vështirësitë në furnizimin e naftës bruto në Serbi dhe eksportet e karburanteve, çmimet më të larta për derivatet e naftës, mungesat dhe problemet në transaksionet e pagesave janë pasoja të mundshme negative që do të sillte zbatimi i sanksioneve amerikane kundër NIS, siç kishin treguar më parë ekspertët për Radio Free Europe (RSE).

Izraeli dhe Hamasi dakordohen për fazën e parë të planit të paqes

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se “Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar Fazën e parë të Planit tonë të Paqes”, përcjell albinfo.ch.

Kjo fazë përfshin lirimin e pengjeve dhe tërheqjen e trupave izraelite sipas dakordimit. 

“Kjo do të thotë që TË GJITHË pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të rënë dakord si hapat e parë drejt një Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përjetshme. Të gjitha palët do të trajtohen në mënyrë të drejtë.


“Kjo është një DITË E MADHE për Botën Arabe dhe Muslimane, Izraelin, të gjitha kombet përreth dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ne falënderojmë ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, të cilët punuan me ne për ta bërë të mundur këtë Ngjarje Historike dhe të Paparë”, ka shkruar Trump në X.

Një zyrtar i Katarit ka thënë se marrëveshja do të “çojë në përfundimin e luftës, lirimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, si dhe hyrjen e ndihmave”.

Hamasi i ka bërë thirrje Trumpit dhe shteteve garantuese që të sigurohen që Izraeli të zbatojë marrëveshjen e armëpushimit në Gaza, raporton CNN.

Palestinezët e rraskapitur e mirëpresin marrëveshjen e paqes mes shpresës dhe skepticizmit

Të rraskapitur prej muajsh të tërë bombardimesh brutale, disa palestinezë ishin skeptikë por të paduruar për të parë fazën e parë të planit të paqes së Trumpit të hynte në fuqi, vetëm disa orë pasi u njoftua marrëveshja midis Izraelit dhe Hamasit.

Paramediku Saeed Awad tha se fillimisht ishte skeptik në lidhje me mundësinë e një armëpushimi për shkak të përpjekjeve të mëparshme të dështuara për t’i dhënë fund luftës.

“Të gjitha përfunduan me dështim. Kështu që ne nuk i kushtuam vëmendje këtij raundi”, tha  ai.

Kur dëgjoi për herë të parë lajmin, tha Awad, iu desh të pyeste të tjerët, duke kërkuar konfirmim.

“Kemi qenë në këtë luftë dhe në këtë vuajtje për dy vjet”, tha Awad.

Alaa Abd Rabbo, i zhvendosur nga Gaza veriore në Deir al-Balah, tha se marrëveshja e armëpushimit është “një ditë lehtësimi e dërguar nga Zoti”.

Ai tha se është zhvendosur nga shtëpia e tij disa herë, në pjesë të ndryshme të Gazës.

“Jemi të lodhur. Jemi zhvendosur dhe kjo është dita që kemi pritur”, tha Abd Rabbo. “Duam të shkojmë në shtëpi, të merremi me punët tona, të kontrollojmë shtëpitë tona. Edhe pse nuk ka më shtëpi, ne prapë duam të shkojmë në shtëpi. Duam të punojmë. Kemi fjetur dhe kemi qëndruar në rrugë”.

Gazetarët në qytetin e Gazës festojnë marrëveshjen e paqes

Në Gazë, ku bombardimet ishin dëgjuar në orët e para të së enjtes para lajmit për marrëveshjen, disa gazetarë endeshin nëpër rrugët e errëta të qytetit, duke bërtitur me gëzim se “lufta ka mbaruar”, sipas një videoje që ata postuan në mediat sociale.

Gazetarët, duke qeshur dhe duke kërcyer, bërtitën se shumica e njerëzve që mbetën në qytet nuk kanë internet dhe duhej të zgjoheshin për të dëgjuar lajmin.

Në jug të Gazës, një grup të rinjsh ngritën një gazetar tjetër mbi supet e tyre ndërsa ai transmetonte lajmet në kanalin e tij, duke festuar armëpushimin.

Profesionet më të rrezikshme në Zvicër

Një studim i ri nga Suva tregon se disa profesione në Zvicër kanë një rrezik shumë më të lartë për aksidente në vendin e punës.

Sipas të dhënave të vitit 2023, janë regjistruar 286 mijë aksidente pune, me sektorin e ndërtimit në krye të listës. Më shumë se një në katër punonjës në këtë sektor kanë pësuar një aksident. Rrezik i lartë është vërejtur edhe në pylltari, bujqësi dhe në sektorin e artit, argëtimit dhe rekreacionit.

Top 10 profesionet me rrezik më të madh aksidenti:

1. Punëtor pyjor

2. Trajner fitnesi

3. Punëtor ndërtimi

4. Konstruktor teknik

5. Zdrukthtar

6. Këshilltar karriere

7. Vizatues ndërtimi civil

8. Bujk / gjuetar

9. Punëtor riciklimi

10. Punëtor mirëmbajtjeje rrugësh dhe kopshtar

Rreth 25% e aksidenteve ndodhin për shkak të rrëshqitjeve dhe rënieve, ndërsa 24% lidhen me goditjen nga objekte të ndryshme. Prerjet dhe lëndimet me mjete dore përbëjnë një pjesë tjetër të konsiderueshme të rasteve.

Ekspertët theksojnë se rreziku ndryshon edhe me moshën dhe përvojën e punonjësve — aksidentet fizike rriten me kalimin e viteve për shkak të rënies së aftësisë fizike

Qyteti gjerman që u shpall kryeqyteti i gjelbër i Evropës për vitin 2027

Qyteti gjerman i Heilbronn-it është shpallur “Kryeqyteti i Gjelbër i Evropës” për vitin 2027, pas një procesi të gjatë vlerësimi nga ekspertë. Lajmi u dha gjatë ceremonisë në Vilnius, Lituani, qyteti aktual me këtë titull. Ky çmim njihet për promovimin e ajrit të pastër, energjisë së gjelbër dhe zhvillimit urban të qëndrueshëm.

Heilbronn, i njohur për arkitekturën dhe vreshtat e tij, u vlerësua për strategjitë e qëndrueshme, si planet “Landschaftsplan 2030” dhe “Mobilitätskonzept” që synojnë përmirësimin e ajrit dhe reduktimin e ndotjes së zhurmës.

Komisioni Evropian theksoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në këto iniciativa, duke ofruar platforma për pjesëmarrje dhe fushata ndërgjegjësimi. Qyteti përfitoi 600,000 euro për investime në projekte mjedisore dhe përfshirje qytetare gjatë dy viteve të ardhshme.

Përveç Heilbronn-it, dy qytete të tjera morën Çmimin Evropian të Gjetheve të Gjelbra: Assen në Holandë, për politikat e menaxhimit të mbeturinave dhe nismat komunitare, dhe Siena në Itali, për riciklimin dhe krijimin e hapësirave të gjelbra. Secili prej tyre u shpërblye me 200,000 euro për projektet e tyre.

Ky çmim, i krijuar në 2010 me Stokholmin si fituesin e parë, nderon qytetet që përparojnë drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe të qëndrueshme.

 

BE investon 1 miliard euro në inteligjencën artificiale për të konkurruar me SHBA-në dhe Kinën

Komisioni Evropian ka shpallur një investim prej rreth 1 miliard euro për të rritur përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) në ekonomi, me qëllim që të fuqizojë konkurrencën e BE-së ndaj SHBA-së dhe Kinës.

Fondet do të përdoren për zhvillimin e teknologjive si automjetet autonome në qytete dhe qendrat shëndetësore të mbështetura nga IA-ja. Gjithashtu, BE do të financojë qendra kërkimore që do t’u ofrojnë studiuesve akses në teknologjitë më të avancuara të IA-së.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se inteligjenca artificiale mund të sjellë zgjidhje më të shpejta, më të zgjuara dhe më të përballueshme në të gjithë sektorët ekonomikë.

“Do të promovojmë përdorimin e IA-së në fusha si robotika, kujdesi shëndetësor, energjia dhe transporti”, theksoi ajo.

Sistemet shëndetësore janë një nga prioritetet kryesore. Teknologjia pritet të ndihmojë në diagnostikim më të saktë përmes analizave të imazheve mjekësore dhe të përmirësojë trajtimet për pacientët.

BE planifikon gjithashtu të investojë në IA në sektorë si:

Transporti dhe industria e makinave

Prodhimi, ndërtimi dhe inxhinieri

Energjia, klima dhe mjedisi

Bujqësia dhe ushqimi

Mbrojtja dhe siguria

Mediat dhe industritë krijuese

Sektorë si financa dhe turizmi nuk janë përfshirë për momentin, por mund të shqyrtohen më vonë.

Kjo strategji është ndërtuar mbi rekomandimet e Mario Draghit, ish-kryeministër i Italisë dhe ish-president i Bankës Qendrore Evropiane, i cili sugjeroi që IA të shihet si një zgjidhje kryesore për sfidat e sotme.

Megjithatë, industria e teknologjisë ka shprehur shqetësime se rregullat burokratike të BE-së po pengojnë risitë dhe zhvillimin në këtë fushë.

 

Parlamenti Evropian kundër termit “hamburger vegjetarian”

Parlamenti Evropian ka vendosur që termat që lidhen me mishin, si “hamburger”, “salçiçe” apo “biftek”, të mos përdoren më për produktet me bazë bimore.

Ky vendim është pjesë e ndryshimeve në rregulloren për tregjet bujqësore në BE (CMO), dhe u mbështet nga 532 eurodeputetë, ndërsa 78 ishin kundër dhe 25 abstenuan. Amendamenti u propozua nga eurodeputetja franceze e PPE-së, Céline Imart.

Në dokument thuhet se termat si “hamburger”, “salçiçe” apo “eskallop” duhet të rezervohen vetëm për produkte që përmbajnë mish, duke përjashtuar emërtime si “hamburger vegjetarian” apo “salçiçe tofu”.

Megjithatë, për zbatimin e plotë të kësaj mase do të duhet dakordësia me vendet anëtare të BE-së gjatë negociatave.

Sipas përkufizimit të ri, mish konsiderohen vetëm pjesët e ngrënshme të kafshëve. Ky ndryshim synon të sqarojë etiketimin e produkteve dhe të parandalojë keqkuptimet te konsumatorët.

Ndërkohë, Manfred Weber, kreu i grupit PPE, theksoi se brenda grupit ka ndasi për këtë çështje dhe nuk e konsideroi si një përparësi.

Kjo iniciativë është pjesë e një rishikimi më të gjerë të rregullores së tregjeve bujqësore, e cila nisi si përgjigje ndaj protestave të bujqve në vitin 2024, për të forcuar pozicionin e tyre në zinxhirin e furnizimit ushqimor.

 

Këshilli Federal zgjat periudhën maksimale të punës me orar të shkurtuar në 24 muaj

Këshilli Federal ka vendosur të zgjasë periudhën maksimale për marrjen e pagesave për punën me orar të shkurtuar në 24 muaj, gjashtë muaj më shumë se aktualisht. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 nëntor dhe do të jetë i vlefshëm deri më 31 korrik 2026.

Në seancën e fundit, Parlamenti miratoi një draft ligjor që i jep mundësi Këshillit Federal të zgjatë periudhën maksimale të marrjes së këtyre përfitimeve nga 18 në 24 muaj.

Industria e makinerive, pajisjeve elektrike, metaleve dhe industria e orëve janë ndër sektorët më të prekur nga situata aktuale ekonomike, thekson qeveria. Zgjatja e kësaj periudhe u jep kompanive “siguri të vlefshme për planifikim”.

Shtatë muajt shtesë do t’i ndihmojnë ato të përshtaten me sfidat ekonomike, për shembull duke gjetur mundësi dhe tregje të reja për biznes. Po ashtu, kjo masë synon të parandalojë largimet nga puna dhe t’u mundësojë bizneseve të mbajnë stafin gjatë periudhave të ndërprerjes së përkohshme të punës, shpjegon Këshilli Federal.

 

Ronaldo, futbollisti i parë miliarder

Cristiano Ronaldo, ish-sulmuesi i Real Madrid, Manchester United, Juventus dhe tani lojtar i Al Nassr, është bërë futbollisti i parë miliarder, sipas “Bloomberg”, që e vlerëson pasurinë e tij në 1.4 miliardë dollarë (rreth 1.2 miliardë euro).

Për një kohë të gjatë, ai dhe Lionel Messi, me të cilin Ronaldo garoi për titullin e lojtarit më të mirë, morën afërsisht të njëjtat paga.

Por në vitin 2023, të ardhurat e tyre ndryshuan ndjeshëm me transferimin e Ronaldos në Gjirin Persik dhe të Messit në klubin e MLS Inter Miami, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, argjentinasi synon të blejë një aksion në klubin amerikan pas përfundimit të karrierës së tij, gjë që mund ta vendosë përsëri në të njëjtin nivel me rivalin e tij të hershëm.

Rritja e pasurisë së 40-vjeçarit lidhet me kontratën e re me Al Nassr, firmosur në qershor 2025, që i ka sjellë mbi 400 milionë dollarë. Nga viti 2002 deri më 2023, Ronaldo ka fituar mbi 550 milionë dollarë vetëm nga pagat. Ai ka gjithashtu marrëveshje fitimprurëse me Nike, Armani dhe Castrol, që i shtojnë rreth 175 milionë dollarë të tjera në pasuri. Kontrata me Nike i garanton 18 milionë dollarë në vit, ndërsa transferimi tek Al Nassr më 2023 i solli 200 milionë dollarë në vit, plus një bonus 30 milionësh.

Qeveria e Kosovës nënshkruan marrëveshje mbështetëse me 198 biznese

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka organizuar sot ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve me ndërmarrjet përfituese të programeve mbështetëse.

Në këtë ngjarje mori pjesë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari, përcjell albinfo.ch.

Kjo marrëveshje do te zgjasë 1 vitë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha së kjo është një hap shume i rëndësishëm per ekonomin e Kosovës.

“Ne po bëjmë mbështetje direkte për bizneset për të kontribuar më shumë ne vendin tonë, 198 biznese kanë përfituar nga kjo marrëveshje, do të këtë ndikim në rritjen e punësimit dhe rritjen e të ardhurave kombëtare, kjo marrëveshje është shtyllë kryesore për zhvillimin kryesor te vendit tonë, kemi stabilitet ne rritje te vazhdueshme, me politikat e tona po mbështesim si asnjëherë më parë qytetarët, nënshkrimi i këtyre marrëveshje është shembull konkurrues ne Kosovë” , u shpreh Kurti.

Tutje ai tha se zgjerimi i bizneseve neve na leverdisë si shtet.

“ Sa më shumë të rriten bizneset e Kosovës, aq me shumë rriten të ardhurat e Kosovës”, tha Kurti.

Ministrja në detyrë e MINT-it, Rozeta Hajdari tha se më parë nuk është investuar në këtë sektor.

“Me punë dhe përkushtim, pra më punën tuaj dhe përkushtimin tonë, do të kemi mundësi më të mira për një zhvillim të duhur për ecurinë e bizneseve të Kosovës, kemi rritur besueshmërinë e përkrahjeve ndërkombëtare, kemi rritur dhe transparencën e aplikimit, tha Hajdari.

Po ashtu ajo shtoj se jo të gjitha komunat kanë bashkëpunuar më Qeverinë tonë.

“Bashkë me ju do të ndryshojmë dhe më shume ecurinë e industrisë prodhuese, nesër do të lansojm thirrjen për aplikim për energji të pastruar për mbështetjen e bizneseve, ne synojmë rritjen ekonomike të barabartë ne ekosistem” , tha në fund Hajdari.

Kjo ngjarje ka për qëllim fuqizimin e bizneseve vendore përmes projekteve që nxisin zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe konkurrueshmërinë në treg

Zhegrova me postim të veçantë për Kosovën

Ylli i ri i Juventusit, Edon Zhegrova ka publikuar një foto në rrjetin social “Instagram”, ku ‘paralajmëron’ për ndeshjet me Kosovën, përcjell albinfo.ch.

Anësori i kombëtares dardane ka postuar një foto të tij me fanellën e Juventusit, me flamurin e Kosovës në sfond.

“Është koha për kombëtaren”, ka shkruar Zhegrova.

Gjermani: Zgjatet përjashtimi i taksës për makinat elektrike

Qeveria gjermane planifikon të shtyjë deri në vitin 2035 taksën që favorizon automjetet elektrike, duke synuar zhvillimin e ekonomisë, përcjell albinfo.ch.

Ministri gjerman i Financave Lars Klingbeil i tha agjencisë së lajmeve dpa se qeveria gjermane planifikon të zgjasë taksën përjashtuese për automjetet elektrike. Sipas projektligjit, përjashtimi do të mbulonte automjetet elektrike të regjistruara deri në fund të vitit 2030. Sipas ligjit në fuqi, përjashtimi nga taksat për automjetet elektrike skadon më 1 janar 2026. “Megjithatë, përjashtimi maksimal 10-vjeçar nga taksat do të vlejë vetëm deri më 31 dhjetor 2035, me qëllim nxitjen e blerjeve të hershme” – tha ministria e Financave. 

Klingbeil tha se përjashtimi nga taksa e makinave ishte një nga detajet e një pakete më të gjerë masash për të nxitur sektorin e automobilëve në Gjermani, të cilat do të diskutohen në Berlin të enjten gjatë samitit të industrisë automobilistike me Kancelarin Friedrich Merz.

“Tani na duhet një paketë e fortë për të udhëhequr industrinë automobilistike të Gjermanisë drejt së ardhmes dhe për të siguruar vende pune” – tha Klingbeil. “Ne duam që në Gjermani të vazhdojnë të prodhohen makinat më të mira.” 

“Të gjithë e dinë që e ardhmja është elektrike” – deklaroi ministri gjerman i Financave. /DW

Osmani takoi komandantin e ri të KFOR-it, Ulutaş

Pas marrjes së detyrës së komandantit të KFOR-it, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim gjeneralmajor Özkan Ulutaş, përcjell albinfo.ch.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës, Osmani e uroi për marrjen e detyrës së komandantit të KFOR-it dhe për rikthimin e tij në Kosovë duke shprehur besimin e plotë për vazhdim të bashkëpunim të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon.

“Në këtë frymë, ajo ritheksoi mirënjohjen e saj për angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë ushtarakëve që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

Duke diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë, si dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia, përfshirë kërcënimet me fokus të veçantë te përdorimi i dronëve, Presidentja potencoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të KFOR-it me institucionet tona të sigurisë me qëllim të parandalimit të taktikave destabilizuese të Serbisë.”, thuhet në njoftim.

Shaqiri: Nuk pendohem që jam tërheque nga Zvicra, nuk më mungon

Fitues i Ligës së Kampionëve, legjendë e kombëtares zvicerane dhe hero i Baselit – megjithatë, mbi të gjitha, Xherdan Shaqiri mbetet një njeri i thjeshtë, i lidhur ngushtë me rrënjët dhe familjen e tij. Pas 12 vitesh jashtë vendit, ai është rikthyer në qytetin e lindjes, Basel, ku karriera e tij mori jetë dhe ku, siç thotë vetë, “zemra rreh më fort”, transmeton albinfo.ch.

Kthimi në qytetin e ëndrrave

Në gusht të vitit 2024, Shaqiri nënshkroi me klubin e fëmijërisë FC Basel, duke e rikthyer entuziazmin në qytet. Euforia ishte e jashtëzakonshme – dhe me të drejtë: në sezonin e parë pas rikthimit, ai udhëhoqi ekipin drejt titullit të parë pas tetë vjetësh dhe më pas drejt Kupës së Zvicrës.

“Ishte një ëndërr e madhe për mua të fitoja përsëri trofe me FCB,” thotë ai. “Fakti që ndodhi që në vitin e parë e bën gjithçka edhe më të bukur.”

Shaqiri e pranoi se refuzoi oferta të majme nga klubet e Lindjes së Mesme. “Nuk doja të shkoja në Arabinë Saudite dhe ta shijoj jetën thjesht si luks. Desha të bëja një kthim të sinqertë, aty ku filloi gjithçka,” thekson ai.

Një yll me shpirt modest

Në Basel, Shaqiri është më shumë se një futbollist. Një figurë publike që nuk kalon pa u vënë re, por që mbetet i afrueshëm me të gjithë.

Në Munsterplatz, një djalë i vogël me fanellën e Baselit i afrohet me hezitim. “A mund të bëjmë një foto?”, pyet ai. Shaqiri buzëqesh dhe përgjigjet: “Po, por shpejt, të lutem.”

Më pas ngrihet, i vë dorën në shpatull dhe bën fotografinë – një skenë e zakonshme për kapitenin 169 centimetra të gjatë, i njohur për modestinë dhe energjinë e tij të pashtershme.

“Në fakt, nuk them kurrë ‘jo’ kur dikush kërkon një foto,” rrëfen ai me të qeshur. “Vetëm ndonjëherë është e papërshtatshme – si kur je në darkë ose, më keq akoma, në tualet,” shton me humor.

Një jetë mes lavdisë dhe thjeshtësisë

Nga Liverpool te Bayern Munich, Shaqiri ka prekur majat e futbollit europian, duke fituar dy herë Ligën e Kampionëve – një arritje që pak futbollistë zviceranë mund ta pretendojnë.

Megjithatë, në shtëpi në Kaiseraugst, ai nuk është ylli i fushave, por “Xherdi” – djali i prindërve Fatime dhe Isen Shaqiri, me të cilët jeton në të njëjtin pallat.

“I shoh pothuajse çdo ditë,” thotë ai. “Që nga kontrata ime e parë, dëshira ime më e madhe ka qenë që ata të mos kenë më nevojë të punojnë. Çdo gjë pas asaj, ishte thjesht ëmbëlsirë.”

Në shtëpinë e prindërve, trofetë, fanellat dhe medaljet janë të ekspozuara si në një muze personal. “Sa herë që vijnë miq, nuk e besojnë sa shumë kujtime janë aty,” tregon Shaqiri me krenari.

Nga fëmijëria në varfëri te mësimet e jetës

I lindur në vitin 1991 në Kosovë, Shaqiri erdhi në Zvicër me familjen si fëmijë. U rrit në kushte modeste në një fermë të vjetër në Augst, ku mësoi vlerat që e kanë udhëhequr deri sot: respektin, mirënjohjen dhe punën e ndershme.

“Mendoj se është e rëndësishme të njohësh të dyja anët e jetës – kur ke pak dhe kur ke shumë,” thotë ai me sinqeritet.

Pas karrierës: përkushtim ndaj familjes dhe të ardhmes

Në korrik 2024, Shaqiri vendosi të tërhiqet nga ekipi kombëtar i Zvicrës, pas më shumë se një dekade në majat e futbollit ndërkombëtar.

“Nuk më mungon për momentin,” pranon ai. “Mendoj se u ndala në kohën e duhur. Kisha nevojë për më shumë qetësi, larg vëmendjes së tepruar të mediave.”

Megjithatë, ai nuk përjashton një rikthim: “Kurrë mos thuaj kurrë,” thotë duke buzëqeshur.

Sot, përveç futbollit, Shaqiri është aksionar në FC Rapperswil-Jona, po ndjek licencën e trajnerit dhe planifikon ndërtimin e shtëpisë së tij në Rheinfelden.

Në plan personal, dëshiron të krijojë një familje. “Është një qëllim i madh për mua,” pranon ai. “Por çdo gjë ka kohën e vet.”

Ndërsa trageti i Munsterit e çon drejt bregut tjetër të Rajnit, fëmijët e thërrasin emrin e tij dhe turistët i kërkojnë fotografi. Ai buzëqesh, përshëndet dhe vazhdon rrugën.

Në Basel, ai nuk është më thjesht futbollist. Ai është Xherdan Shaqiri – legjenda që kthehet në shtëpi si biri i qytetit.

Përdorimi i parave të gatshme në Evropë: Në cilat vende janë më të popullarizuara?

Edhe pse pagesat me kartë po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në Evropë, mbi gjysma e transaksioneve vazhdojnë të kryhen me para të gatshme. Megjithatë, kur merret parasysh vlera e pagesave, pjesa e tyre bie ndjeshëm.

Një anketë e Bankës Qendrore Evropiane e vitit 2024, ku morën pjesë 40,000 qytetarë, tregon se 52% e transaksioneve në zonën e euros kryhen me para të gatshme, por vetëm 39% e vlerës totale të pagesave bëhen në këtë mënyrë.

Në 14 nga 20 vendet e eurozonës, paratë e gatshme janë metoda kryesore e pagesës, me përdorim mes 45% dhe 55%. Sipas të dhënave, përdorimi varion nga 22% në Holandë deri në 67% në Maltë. Evropa Jugore dhe Lindore kanë nivelet më të larta të përdorimit: Italia (61%), Spanja (57%), Sllovenia (64%).

Në pjesën veriore dhe perëndimore të kontinentit, vendet janë më të orientuara drejt pagesave dixhitale: Holanda (22%), Finlanda (27%), Luksemburgu (37%), Belgjika (39%) dhe Franca (43%). Nga katër ekonomitë më të mëdha të BE-së, Franca ka përdorim më të ulët se mesatarja e eurozonës, ndërsa Gjermania është pak mbi të (53%).

Në Holandë, konsumatorët preferojnë pagesat pa kontakt përmes kartës ose telefonit, ndërsa tregtarët ofrojnë mundësi të kombinuara për shkak të tarifave më të ulëta dhe nxitjeve për pagesat dixhitale.

Paratë e gatshme sipas vlerës

Në nivel vlerësor, 39% e transaksioneve në eurozonë kryhen me para të gatshme, por kjo ndryshon shumë nga vendi në vend: nga 17% në Holandë deri në 59% në Lituani. Vendet me më shumë se 50% të shpenzimeve totale në para të gatshme janë: Lituania (59%), Sllovakia (56%), Sllovenia (56%), Austria (56%), Malta (54%) dhe Kroacia (51%). Në mesatare gjenden Italia (49%), Portugalia (47%), Spanja (45%) dhe Greqia (42%). Vetëm gjashtë vende kanë përdorim 35% ose më pak: Holanda, Finlanda, Luksemburgu, Gjermania, Franca dhe Belgjika.

Përdorimi sipas shumës së pagesës

Paratë e gatshme përdoren më shumë për shuma të vogla, ndërsa kartat dominojnë për pagesa mbi 50 euro. Në Austri ato mbeten të zakonshme, ndërsa Gjermania po kalon gradualisht në pagesa dixhitale.

Arsyet pse njerëzit përdorin para të gatshme

Sipas anketës:

41% e përdorin për privatësi dhe anonimitet;

35% për të menaxhuar më mirë shpenzimet;

30% sepse transaksionet kryhen menjëherë.

Për 28%, paraja e gatshme pranohet gjerësisht, ndërsa rreth 20% e konsiderojnë më të lehtë ose më të shpejtë. Vetëm 18% e shohin si më të sigurt.

Dallimet midis brezave

Të rinjtë nën 40 vjeç përdorin para të gatshme për më pak se gjysmën e transaksioneve, ndërsa personat mbi 65 vjeç bëjnë 57% të pagesave me para në dorë.

Zbulohen detaje të reja të vrasjes së gjyqtarit në Shqipëri

Janë bërë publike detaje të reja lidhur me ngjarjen tragjike që ndodhi këtë të hënë, ku brenda gjykatës u vra gjyqtari Astrit Kalaja, nga autori Elvis Shkambi.

Sipas raportimeve të Euronews Albania, Shkambi ka tentuar gjithashtu të qëllojë sekretaren, por nuk ia doli pasi arma e tij ishte bosh.

“Autori tentoi të vriste sekretaren, por plumbat nuk e kapën. Më pas nuk kishte më fishekë dhe u largua. E habitshme ishte qetësia e tij gjatë gjithë ngjarjes. Komisariati nr. 1 ndodhet shumë pranë gjykatës dhe ai e ftoi policinë, duke deklaruar se ishte vetë autori. Ishte një vetëdorëzim i organizuar mirë. Gjyqtari u qëllua tre herë në gjoks,” tha një gazetare e Euronews.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe autoritetet po vazhdojnë hetimet për rrethanat dhe motivet pas sulmit.

 

Çmimet e naftës rriten pas vendimit të OPEC+ për prodhimin

Çmimet e naftës u rritën sot rreth 1%, pasi rritja e planifikuar e prodhimit nga OPEC+ për nëntor ishte më e vogël se sa pritej. Kjo ul shqetësimet për furnizim të tepërt, sipas “Reuters”.

Megjithatë, pritshmëritë e dobëta për kërkesën pritet të kufizojnë fitimet afatshkurtra.

Nafta “Brent” u rrit me 94 cent (1,46%) në 65,47 dollarë për fuçi.

Nafta amerikane “West Texas Intermediate (WTI)” u rrit me 81 cent (1,33%) në 61,69 dollarë për fuçi.

Andrew Lipow, president i “Lipow Oil Associates”, tha: “Tregu ndien se sasia reale e naftës që do të hyjë në treg është më e vogël se ajo që u njoftua, pasi disa anëtarë të OPEC+ po prodhojnë tashmë në kapacitet të plotë.”

OPEC, së bashku me Rusinë dhe disa prodhues të tjerë, njoftuan të dielën se do të rrisin prodhimin nga nëntori me 137,000 fuçi në ditë, duke e mbajtur të njëjtin nivel si tetori, për shkak të shqetësimeve për një tepricë të mundshme furnizimi.

Burimet treguan se, edhe pse Rusia mbështeti një rritje prej 137,000 fuçi në ditë për të shmangur presionin mbi çmimet, Arabia Saudite do të preferonte një rritje dyfish, trefish ose katërfish për të rimarrë pjesën e saj të tregut më shpejt.

Shtesa e kufizuar e prodhimit ndodh në kohën kur:

Eksportet venezuelane po rriten,

Rrjedhat e naftës kurde përmes Turqisë janë rifilluar,

Ka fuçi të pashitura nga Lindja e Mesme për ngarkesat e nëntorit, tha analisti Tamas Varga nga “PVM Oil Associates”.

Arabia Saudite e la të pandryshuar çmimin zyrtar për naftën “Arab Light” që shet në Azi. Rafineritë aziatike kishin pritur një rritje të lehtë të çmimeve, por kjo nuk ndodhi pasi çmimet e naftës së Lindjes së Mesme ranë në nivelin më të ulët në 22 muaj.

Në afat të shkurtër, disa analistë presin që sezoni i mirëmbajtjes së rafinerive në Lindjen e Mesme të ndihmojë në kufizimin e çmimeve.

Ndërkohë, rafineria Kirishi në Rusi, një nga më të mëdhatë, ndaloi njësinë më prodhuese pas një sulmi me dron dhe zjarri më 4 tetor. Rikuperimi pritet të zgjasë rreth një muaj, sipas burimeve industriale.

Pritshmëritë për kërkesë të dobët në tremujorin e katërt kufizojnë gjithashtu rritjen e tregut. Javën e kaluar, Administrata Amerikane e Informacionit për Energjinë (EIA) raportoi se rezervat e naftës, benzinës dhe distilateve në SHBA u rritën më shumë se sa pritej, për shkak të aktivitetit të dobët të rafinerive dhe kërkesës së ulët.

Chris Beauchamp, analist kryesor i tregut në “IG Group”, tha: “Nëse prodhimi rritet në mënyrë të qëndrueshme, rënia e çmimeve mund të ndalet. Tani gjithçka varet nga zhvillimi i ekonomisë amerikane në pjesën tjetër të 2025 dhe 2026, që do të ndihmonte kërkesën.”

 

Pulat braziliane po shkatërrojnë Amazonën dhe gjysma e tyre përfundon në Zvicër

Një hetim i organizatës Greenpeace ka zbuluar se industria e pulave në Brazil po nxit shpyllëzimin e Amazonës dhe Cerrados, përmes kultivimit të sojës që përdoret si ushqim për shpendët. Kjo ndodh ndërkohë që pothuajse gjysma e pulave të importuara në Zvicër vijnë pikërisht nga Brazili.

Në vitin 2024, zviceranët konsumuan rreth 140 mijë tonë mish pule, nga të cilat 40% ishin të importuara. Brazili është furnizuesi kryesor, shumë përpara Hungarisë, Gjermanisë dhe Francës.

Ekspertët theksojnë se, përveç ndikimit mjedisor, transporti dhe ruajtja e mishit të importuar rrisin ndjeshëm gjurmën ekologjike. Ndërsa pulat zvicerane, megjithëse më të shtrenjta, ushqehen me sojë të certifikuar dhe pa GMO nga Evropa, duke pasur ndikim shumë më të ulët në mjedis, transmeton albinfo.ch.

Greenpeace kërkon ndalimin e importeve nga Brazili, por kjo mbetet e vështirë për shkak të marrëveshjes së tregtisë së lirë me Mercosur. Ekspertët rekomandojnë që konsumatorët të zgjedhin më pak mish, por me cilësi më të mirë dhe prodhim vendas