Formacionet e mundshme për finalen Kosovë-Turqi: Foda dhe Montella pa befasi

Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Turqisë do të përballen sonte, e martë, në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, me nisje nga ora 20:45, në një duel historik për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Të dy trajnerët, Franco Foda për Kosovën dhe Vincenzo Montella për Turqinë, kanë bërë zgjedhjet e tyre, pa surpriza të mëdha në formacionet që pritet të hedhin në fushë, përcjell albinfo.ch.

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, mbështetet te një formacion i balancuar, identik me atë që solli fitoren e rëndësishme ndaj Sllovakisë jashtë fushe. Në portë, Arijanet Muric do të qëndrojë në vend, ndërsa mbrojtja me tre lojtarë, Lumbardh Dellova, Kreshnik Hajrizi dhe Albian Hajdari, synon stabilitet dhe disiplinë përballë sulmit të shpejtë turk. Në krahë, Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni Hoxha do të kenë role të dyfishta, duke mbrojtur dhe duke ndihmuar fazën sulmuese.

Mesfusha kosovare përbëhet nga Elvis Rexhbecaj, Veldin Hoxha dhe Florent Muslija, duke sjellë energji dhe kreativitet në ndërtimin e lojës, ndërsa sulmi mbështetet tek dyshja Fisnik Asllani dhe Vedat Muriqi, me këtë të fundit si pika kryesore referuese e skuadrës.

Nga ana tjetër, trajneri i Turqisë, Vincenzo Montella, ka zgjedhur një formacion me lojtarë teknikisht të aftë. Në portë është Ugurcan Cakir, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Ferdi Kadioglu, Abdulkerim Bardakci, Samet Akaydin dhe Mert Muldur. Mesfusha drejtohet nga përvoja e Hakan Calhanogludhe balanca taktike e Ismail Yuksek, ndërsa sulmi i Turqisë mbështetet tek talentet Kenan Yildiz dhe Arda Guler, të cilët do të asistojnë sulmuesit me përvojë Baris Alper dhe Kerem Akturkoglu.

Të dy trajnerët kanë treguar qartësi në zgjedhje, duke lënë pak hapësira për befasi dhe duke e bërë këtë finalen një sfidë që do të vendoset nga detajet dhe momentet kyçe në fushë.

Formacionet e mundshme:

Kosova: Arijanet Muric; Lumbardh Dellova, Kreshnik Hajrizi, Albian Hajdari; Mërgim Vojvoda, Veldin Hoxha, Elvis Rexhbecaj, Florent Muslija, Dion Gallapeni; Fisnik Asllani, Vedat Muriqi

Turqia: Ugurcan; Ferdi Kadioglu, Abdulkerim Bardakci, Samet Akaydin, Mert Muldur; Hakan Calhanoglu, Ismail Yuksek; Kenan Yildiz, Arda Guler, Baris Alper; Kerem Akturkoglu./Albinfo.ch 

Komuna e Prishtinës shton linjat e autobusëve drejt Aeroportit për shkak të ndeshjes Kosovë – Turqi

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se, me rastin e zhvillimit të ndeshjes Kosovë – Turqi dhe rritjes së ndjeshme të kërkesës për qarkullim, do të shtohen nisjet në transportin publik drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, në bashkëpunim me Trafikun Urban, më 31 mars dhe 1 prill do të ketë më shumë nisje në linjën 1A Aeroport – Prishtinë dhe anasjelltas.

Komuna ka bërë të ditur se autobusët do të qarkullojnë çdo një orë, nga ora 06:00 deri në 24:00, duke u nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” dhe nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Ky vendim është marrë me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe të përballimit të fluksit të shtuar të qytetarëve gjatë këtyre dy ditëve, i cili pritet të rritet për shkak të ndeshjes Kosovë – Turqi./Albinfo.ch

FFK mobilizon tifozët para finales me Turqinë: Bëhuni zëri i historisë sonte në Fadil Vokrri

Federata e Futbollit të Kosovës kërkon mobilizim maksimal në “Fadil Vokrri”, duke i ftuar tifozët të jenë lojtari i 12-të në hapin historik drejt Botërorit 2026, përcjell albinfo.ch.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) u ka bërë thirrje tifozëve që sonte, në ndeshjen vendimtare ndaj Turqisë në finalen e plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026, të mos qëndrojnë ulur në tribuna, por të krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme që mund ta shtyjë ekipin drejt historisë.

Përmes një postimi në Facebook, FFK-ja ka theksuar se kjo është një natë e rrallë dhe e papërsëritshme për Kosovën, ku secili tifoz duhet të jetë pjesë aktive e ndeshjes, me zë dhe zemër për kombëtaren.

“Sot nuk është ditë për të qëndruar ulur në tribunat e stadiumit. Nuk është mbrëmje për ta parë ndeshjen si spektatorë të qetë. Sot është momenti kur secili prej nesh duhet të jetë në këmbë, me zërin në maksimum, me zemrën që rreh për një emër të vetëm: Kosovë”, thuhet në thirrjen e Federatës.

FFK-ja ka theksuar se Kosova është vetëm një hap larg realizimit të një ëndrre të madhe – kualifikimit në Botëror – një mundësi që, sipas tyre, mund të vijë vetëm një herë në jetë.

“Jemi vetëm një hap larg Botërorit. Një hap që për shumëkënd ka qenë ëndërr e largët për dekada. Dhe kur historia të troket në derë, nuk hapet me heshtje, hapet me zhurmë, me pasion, me shpirt”, vijon deklarata.

Federata ka bërë të ditur se stadiumi nuk duhet të jetë një vend ku ndeshja përcillet në heshtje, por një arenë ku tifozët shndërrohen në forcën shtytëse të skuadrës.

“Stadiumi nuk është teatër. Nuk ka audiencë pasive. Ka vetëm një rol për të gjithë: të jemi lojtari i dymbëdhjetë. Dardanët në fushë kanë nevojë për atë shtysë që nuk matet me statistika”, thuhet më tej.

FFK-ja ka kërkuar gjithashtu respekt ndaj kundërshtarit, sidomos gjatë intonimit të himnit të Turqisë, por ka bërë thirrje që sapo të nisë loja, stadiumi “Fadil Vokrri” të shndërrohet në një fortesë të vërtetë.

“Por sapo topi të nisë të rrokulliset, stadiumi duhet të shndërrohet në një arenë ku edhe kundërshtari e ndjen peshën e një kombi të tërë”, thuhet në reagim.

Në fund, FFK-ja ka nënvizuar se kualifikimi në Botëror nuk do të ishte vetëm sukses sportiv, por edhe një mundësi e madhe për ta prezantuar Kosovën para botës, duke promovuar identitetin dhe krenarinë kombëtare në skenën më të madhe të futbollit.

“Bileta për në Botëror nuk është vetëm një arritje sportive. Është një mundësi për të treguar Kosovën para botës. Sonte nuk luan vetëm një ekip. Sonte luan një komb i tërë. Beso. Këndo. Brohorit. Sepse sonte, historia mund të shkruhet me zërin tënd”, përfundon thirrja e FFK-së./Albinfo.ch.

Finalja sonte, Kosova synon kualifikimin historik

Kosova dhe Turqia do të përballen sonte në ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në finalen e “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës 2026, në një duel që pritet të vendosë historinë për “Dardanët”, përcjell albinfo.ch.

Kosova do të luajë sonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit, teksa pret Turqinë në finalen e “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Takimi zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku pritet një atmosferë e jashtëzakonshme me përkrahje masive të tifozëve vendas. Për Kombëtaren e Kosovës, kjo sfidë përfaqëson një mundësi historike për të siguruar kualifikimin e parë ndonjëherë në një Kampionat Botëror.

“Dardanët” vijnë në këtë përballje me moral të lartë pas fitores dramatike ndaj Sllovakisë, ku treguan karakter dhe vendosmëri në një ndeshje vendimtare. Forma e mirë dhe rezultatet pozitive në shtëpi nën drejtimin e trajnerit Franco Foda kanë rritur besimin se Kosova mund ta arrijë objektivin e madh.

Në anën tjetër, Turqia paraqitet si një kundërshtar i fortë, me një skuadër cilësore dhe përvojë ndërkombëtare, ku shumë nga lojtarët e saj aktivizohen në ligat më të forta evropiane.

Përballja pritet të jetë e tensionuar dhe me intensitet të lartë, ndërsa Kosova do të synojë të shfrytëzojë avantazhin e fushës dhe mbështetjen e publikut për të shkruar një kapitull historik në futbollin kosovar./Albinfo.ch

Orkestra “Amadeus” triumfon në Spanjë, fiton çmimin kryesor “Grand Prix”

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” nga Kosova është nderuar me çmimin më të lartë “Grand Prix” në kuadër të festivalit prestigjioz ndërkombëtar “Spring Symphonies” 2026, i cili u mbajt në Spanjë, transmeton albinfo.ch.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Orkestra “Amadeus” përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku është theksuar se ky vlerësim vjen pas një paraqitjeje të shkëlqyer në një konkurrencë të fortë me dhjetëra orkestra nga vende të ndryshme.

Në këtë skenë ndërkombëtare, nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit, të rinjtë kosovarë përfaqësuan denjësisht vendin, duke dëshmuar edhe njëherë talentin, përkushtimin dhe pasionin e tyre të veçantë për muzikën.

Sipas orkestrës, ky sukses nuk përfaqëson vetëm një çmim, por është një dëshmi e qartë e punës së palodhshme dhe sakrificës së vazhdueshme të gjithë ekipës. Një rol të rëndësishëm në këtë arritje është theksuar se ka edhe drejtuesja e orkestrës, Hana Petrovci, e cila me vizion dhe përkushtim po vazhdon të udhëheqë orkestrën drejt rezultateve të mëdha.

Orkestra “Amadeus” ka falënderuar të gjithë anëtarët dhe mbështetësit për përkrahjen e vazhdueshme, duke e konsideruar këtë fitore një moment krenarie për gjithë Kosovën.

Ky triumf në Spanjë konfirmon edhe njëherë potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve kosovarë dhe rëndësinë e investimit në kulturë e art./Albinfo.ch

 

https://www.facebook.com/share/p/1CPL8uv3bH/?mibextid=wwXIfr

Hapet shkolla e dytë shqipe në Manchester

Në Manchester, më 29 mars, u shënua hapja e shkollës së dytë shqipe, një moment i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në këtë qytet dhe për përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare në diasporë, transmeton albinfo.ch.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe Zëvendës Konsulli i Ambasadës së Kosovës në Londër, Ilir Bytyqi, i cili përgëzoi organizatorët dhe komunitetin për këtë iniciativë të qëlluar.

Gjatë fjalës së tij, Bytyqi shprehu mirënjohje të veçantë për prindërit që po angazhohen në edukimin e fëmijëve të tyre në gjuhën shqipe, duke theksuar se ky angazhim është kyç për ruajtjen e identitetit kulturor të brezave të rinj. Ai njëkohësisht inkurajoi komunitetin që të jetë edhe më aktiv në mbështetjen e nismave të tilla.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkisë së Manchester-it, përfshirë këshilltarët lokalë Jawad Amin, Fiaz Riasat, Nasrin Ali, Naeem ul Hassan, Shazia Butt dhe Shaukat Ali, të cilët shprehën mbështetje për iniciativën dhe vlerësuan angazhimin e komunitetit shqiptar në fushën e edukimit, transmeton tutje albinfo.ch.

Ambasada e Kosovës në Londër bëri të ditur se do të vazhdojë të mbështesë projekte që promovojnë mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, si përmes pjesëmarrjes institucionale, ashtu edhe përmes kontributit me tekste dhe materiale mësimore.

Ndërkohë, organizatorja e eventit, Erisa Isufaj, falënderoi prindërit dhe të gjithë pjesëmarrësit për përkushtimin dhe bashkëpunimin në realizimin e kësaj nisme, e cila synon të zgjerojë mundësitë për mësimin e gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar në Manchester.

Hapja e kësaj shkolle shihet si një hap i rëndësishëm në forcimin e edukimit në gjuhën amtare dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë./Albinfo.ch

Presidentja Osmani dekoron nesër Kombëtaren e Futbollit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i ndajë nesër dekorata ekipit kombëtar të futbollit, duke njohur kontributin e tyre për sportin dhe shpresën që po i japin popullit të Kosovës. Ky nderim vjen pavarësisht rezultatit të ndeshjes së nesërme të ekipit kundër Turqisë për kualifikimet e Kampionatit Botëror.

Në fjalimin e saj, Osmani tha se dekoratat përveç mirënjohjes simbolizojnë sakrificën dhe guximin e qytetarëve që nuk u dorëzuan për liri dhe pavarësi. Ajo theksoi se kombëtarja ka bërë histori dhe meritojnë të nderohen për kontributin e pamatshëm dhe shpresën që po japin për qytetarët e Kosovës.

Ceremonia e ndarjes së dekoratave po mbahet këtë muaj, ku janë nderuar mbi 200 personalitete nga sporti, arsimi, shëndetësia, arti, kultura dhe shërbimet publike.

Presidentja Osmani i ndan mirënjohje gazetarit veteran, Rexhep Rifati

Gazetari veteran shumë aktiv edhe në moshë të shtyrë në diasporë, Rexhep Rifati ka marrë së fundi një mirënjohje të rëndësishme për punën  etij shumëvjeçare në gazetari. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka ndarë atij një dekoratë dhe mirënjohje për merita në fushën e gazetarisë, shkruan albinfo.ch.
Me këtë rast Shoqata “Hora e Skënderbeut”, me seli në Zvicër i shpreh urimet z. Rifati për dekoratën dhe mirënjohjen e ndarë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Jemi krenarë që z. Rexhep Rifati, njëherësh nënkryetar i shoqatës sonë, vlerësohet për kontributin e tij të çmuar dhe shumëvjeçar në gazetari. Për dekada me radhë, ai ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në informimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare.
Z. Rifati njihet në mënyrë të veçantë edhe për lidhjet e tij të ngushta me arbëreshët, të cilët i ka vizituar me përkushtim në çdo vendbanim të tyre, duke forcuar urat shpirtërore, kulturore dhe kombëtare mes nesh.
Në emër të Shoqatës “Hora e Skënderbeut”, urojmë nga zemra z. Rexhep Rifati për këtë nderim të merituar. Njëkohësisht, këtë gëzim e ndajmë me të gjithë anëtarët e shoqatës sonë, me familjarët dhe me miqtë e shumtë të z. Rifati”, thuhet në  fund të letrës së shoqatës së përmendur.

A po rikthehet kriza globale e naftës? Paralajmërime nga zhvillimet e fundit

Tregu global i naftës sot paraqitet dukshëm më i larmishëm dhe më kompleks krahasuar me periudhën e viteve 1970. Ndryshe nga viti 1973, kur vendet e OPEC-ut dominonin furnizimin duke mbuluar më shumë se gjysmën e prodhimit botëror, sot pjesa e tyre ka rënë në rreth 36 për qind.

Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara kanë konsoliduar pozicionin e tyre si një ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë. Gjatë dekadës së fundit, prodhimi amerikan i naftës është rritur ndjeshëm, duke ndikuar në balancimin e tregut global dhe në uljen e varësisë nga furnizuesit tradicionalë.

Megjithatë, tensionet e fundit në Lindjen e Mesme dhe rritja e shpejtë e çmimeve të naftës kanë rikthyer shqetësimet për një skenar të ngjashëm me krizat energjetike të viteve 1973 dhe 1979. Në atë kohë, vendet arabe reduktuan ndjeshëm eksportet e naftës, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të çmimeve dhe një tronditje të fortë ekonomike në vendet perëndimore.

Si pasojë, shumë shtete u detyruan të ndërmarrin masa drastike kursimi. Një nga shembujt më të njohur ishte Gjermania, e cila vendosi ndalimin e qarkullimit të automjeteve për katër javë, në përpjekje për të përballuar krizën energjetike.

Edhe pse rrethanat aktuale janë të ndryshme dhe tregu është më i shpërndarë, ekspertët paralajmërojnë se zhvillimet gjeopolitike mund të kenë ndikim të menjëhershëm në çmimet e energjisë, duke mbajtur të hapur mundësinë e një krize të re globale të naftës.

 

Montella: Krenar me Turqinë, pa marrë parasysh rezultatin ndaj Kosovës

Selektori i Turqisë, Vincenzo Montella, ka vlerësuar lart performancën e ekipit të tij, duke theksuar se ndihet i privilegjuar që drejton këtë përfaqësuese dhe se gëzon mbështetje të plotë nga drejtuesit.

Ai nënvizoi se sukseset e deritanishme janë meritë e lojtarëve, të cilët kanë dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Para sfidës me Kosovën, Montella u shpreh i bindur se, pavarësisht rezultatit, do të vazhdojë të jetë krenar për skuadrën e tij.

Afër Pashkëve, 8,300 lepuj ngordhin në trafikun rrugor në Austrinë e Poshtme

Në total, rreth 17,000 lepuj bien viktima të trafikut rrugor në Austri çdo vit, sipas të dhënave nga Statistik Austria – pothuajse gjysma e tyre me 8,341 lepuj të vrarë së fundmi në Austrinë e Poshtme. E ndjekur nga Austria e Epërme me 3,048 dhe Burgenland me 2,636 kafshë të vrara.

Megjithatë, numri aktual ka të ngjarë të jetë dukshëm më i lartë, pasi supozohet një numër i lartë rastesh të pa raportuara, siç theksojnë WWF dhe VCÖ në një transmetim.

Peizazhi tradicional bujqësor i Austrisë së Poshtme është një habitat i rëndësishëm për lepujt dhe lepujt e egër. Por ky habitat është gjithnjë e më nën presion, kritikohet – veçanërisht rreth Vjenës, ku vendosja dhe trafiku rrugor po rriten veçanërisht fuqishëm. Rrugët shpesh presin fushat dhe livadhet, të cilat i përdorin lepujt si strehë, raporton ORF, transmeton albinfo.ch.

Rimendimi në planifikimin e trafikut kërkohet

Sidomos në sezonin aktiv të çiftëzimit, kafshët përshkojnë distanca të gjata dhe kalojnë rrugë të ngarkuara gjithnjë e më shpesh. Në të gjithë Austrinë, ka rreth 130,000 kilometra rrugë që do të përbënin rrezik për kafshët. Sipas organizatave, është i nevojshëm një rimendim themelor në planifikimin e trafikut dhe hapësinor, si dhe një përparësi e qartë e formave të lëvizshmërisë miqësore me mjedisin.

Pse 250 milionerë shpërngulen në Zvicër çdo muaj

Zvicra ka qenë prej kohësh një magnet për të huajt që kërkojnë një jetë më të mirë – duke përfshirë një numër në rritje të “emigrantëve” të pasur.

Në vitin 2025, afërsisht 3,000 multimilionerë u vendosën në vend, sipas raportit “Flukset e Pasurisë së Vendit” nga firma konsulente Henley & Partners.

Kjo korrespondon me një mesatare prej 250 individësh në muaj.

Këta njerëz super të pasur kanë sjellë rreth 16.8 miliardë dollarë (13.4 miliardë franga) në asete me vete për të pasuruar më tej arkën e Zvicrës.

Me miliona në dispozicion të tyre, këta miliarderë mund të jetojnë jashtëzakonisht mirë pothuajse kudo në botë.

Pra, pse po zgjedhin Zvicrën?

Mbarimi i fundit i tillë, miliarderi italian Lapo Elkann, 48 vjeç, tha se arsyeja për këtë fluks të vazhdueshëm pasurie është se “Po jetojmë në kohë të ndërlikuara, të shënuara nga pasiguria. Zvicra mishëron sigurinë, cilësinë e jetës dhe ndodhet në zemër të Evropës.”

“Dhe është shumë më e këndshme se Nju Jorku”, shtoi ai.

Elkann nuk është i vetmi “emigrant” me pasuri të lartë që është vendosur në Zvicër.

Në fakt, miliarderët në vendet e para dhe të dyta në Zvicër janë të dy të huaj.

Shtetasi gjerman, 86-vjeçari Klaus-Michael Kühne, është aksionari kryesor i gjigantit të logjistikës së transportit Kuehne + Nagel me seli në Schwyz. Pasuria e tij vlerësohet në 41 miliardë franga.

Më pas është shtetasi italian Gianluigi Aponte, 83 vjeç, themeluesi, pronari dhe kryetari i kompanisë së transportit Mesdhetar. Ai dhe gruaja e tij, Rafaela Aponte-Diamant, 78 vjeç, kanë një pasuri prej 30 miliardë frangash.

Por shumë miliarderë të huaj po e quajnë Zvicrën “shtëpi”:

“Sveits-bølg”

Dhe pastaj ka norvegjezë të pasur (dhe skandinavë në përgjithësi), një numër i të cilëve janë vendosur në Zvicër, duke fituar nofkën “Sveits-bølg” (“Vala Zvicerane”).

Pse ndodh kjo?

Të thuash që norma e taksave të Zvicrës është më e ulët se ajo e Norvegjisë është një nënvlerësim.

Norma federale e taksave këtu arrin në 11.5 përqind, me një normë maksimale të kombinuar kantonale dhe komunale prej afërsisht 36 përqind.

Në Norvegji, nga ana tjetër, norma e taksës mbi të ardhurat është 22 përqind, me normat për ata që fitojnë më shumë që tejkalojnë 50 përqind.

Dhjetëra norvegjezë të pasur janë zhvendosur në Zvicër vitet e fundit, përfshirë miliarderët Kjell Inge Rökke, Caroline Hagen Kjos, Svein Stöle dhe Jörgen Dahl, ndër të tjerë.

Ky mund të mos duket si një numër i madh (dhe vështirë se një valë), por është një rritje e madhe në krahasim me vetëm dy norvegjezë që u vendosën në Zvicër në vitin 2020.

Pse lejohen këta të huaj të pasur të vendosen në Zvicër?

“I pasur” është fjala kyçe këtu.

Të huajt (madje edhe ata nga Bashkimi Evropian ose EFTA (Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni) lejohen të vendosen në Zvicër pa një punësim fitimprurës vetëm nëse janë shumë të pasur – me para të mjaftueshme për të jetuar këtu pa kërkuar ndihmë sociale (gjë që individët e lartpërmendur janë qartësisht), raporton thelocal, përcjell albinfo.ch.

Për raste të tilla, Neni 30 i Aktit Federal për të Huajt përcakton përjashtime nga kërkesat e rregullta dhe të rrepta të pranimit – por vetëm nëse kandidatët janë mjaftueshëm të pasur.

Ligji thotë se në rastet e “interesave të rëndësishme publike” – domethënë, shumë para në të ardhura tatimore – kantonet mund t’u japin qytetarëve të huaj leje për t’u vendosur në territoret e tyre me një leje qëndrimi B.

Këto janë të ashtuquajturat “viza të arta”, një term i përdorur për të përshkruar qëndrimin bazuar në investimet në ekonominë lokale.

Prokuroria bastis shtëpinë e Shkëlzen Gashit, hetohet për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përkatësisht Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka bastisur shtëpinë e Shkëlzen Gashit me arsyetimin se ka kryer veprën “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Veprimi vjen pas ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila pasqyroi informata të pasakta mbi masakrat në Kosovë dhe e cila ishte e bazuar në librin, autor i së cilit është Shkëlzen Gashi.

“Sipas provave materiale dhe raportimeve të publikuara në media nga ana e të dëmtuarve në masakrën e Dubravës, dhe masakrat tjera të ndodhura në Kosovë, e po ashtu edhe nga raportimet e qytetarëve, të cilët kanë qenë të dëmtuar dhe viktima të këtyre masakrave, Prokuroria Speciale ka hapur rast penal ndaj të dyshuarit Shkëlzen Gashi, i cili me veprimet e tij publike dyshohet se ka shkaktuar përçarje dhe mos durim me qytetarët tanë dhe duke dëmtuar dhe ndryshuar të vërtetën e luftës çlirimtare në Kosovë, e që konsiderohet se me këto veprime i dyshuari ka përmbushur elementet e veprën penale ‘Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’ nga neni 141 të KPK-së”, thuhet në autorizimin e Prokurorit të Shtetit, transmeton albinfo.ch.

Në autorizim thuhet se Gashi do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit  “duke sqaruar veprimet e tij, dhe nga i ka siguruar burimet e informatave të cilat edhe i ka publikuar e të cilat duket të jenë të pavërteta”

Foto FB: Rron Gjinovci

Perspektiva ekonomike zvicerane përkeqësohet ndjeshëm

Pritjet për ekonominë zvicerane u përkeqësuan ndjeshëm në mars, sipas Barometrit Ekonomik KOF. Treguesi kryesor ka rënë shumë poshtë mesatares afatgjatë.

Barometri ra me 7.7 pikë në 96.1 pikë, tha të hënën Instituti KOF në institutin federal të teknologjisë ETH Zurich. Vlera mesatare afatgjatë prej 100 pikësh ishte nën nivelin e fundit pas shokut tarifor në gusht dhe shtator 2025.

Rënia e fundit nën nivelin 100 pikësh vjen si një surprizë. Sipas një ankete nga agjencia e lajmeve AWP, ekonomistët kishin pritur vlera prej 100 deri në 104 pikë paraprakisht, shkruan albinfo.ch.

Sipas Institutit KOF, ngadalësimi ekonomik po ndodh në një front të gjerë. Si paketat e treguesve të anës së prodhimit ashtu edhe ato të anës së kërkesës të përfshira në barometrin ekonomik pasqyruan perspektivën e zymtë. Në veçanti, paketat e treguesve për industrinë prodhuese dhe kërkesën e huaj duhej të liheshin në plan të dytë.

Barometri Ekonomik KOF është një i ashtuquajtur tregues kryesor i përbërë. Ai bazohet në një numër të madh treguesish dhe synon të tregojë se si do të zhvillohet ekonomia zvicerane në të ardhmen e afërt.

SNB: Karta e debitit mbetet mjeti më i popullarizuar i pagesës

Pagesat pa para në dorë mbeten opsioni i preferuar për shumicën e zviceranëve në jetën e përditshme. Megjithatë, shumica e njerëzve nuk duan të bëjnë pa para në dorë, sipas anketës së fundit mbi metodat e pagesës të kryer nga Banka Kombëtare Zvicerane (SNB).

“Karta e debitit mbetet mjeti më i përdorur i pagesës, i ndjekur nga paratë në dorë dhe aplikacionet e pagesave”, shkroi SNB në raportin e saj të publikuar të hënën. “Një pjesë e madhe e popullsisë që mban para në dorë ka si karta debiti ashtu edhe karta krediti dhe përdor aplikacione pagesash.”

Këto metoda pagese përdoren ndryshe në varësi të situatës dhe qëllimit të pagesës. “Pavarësisht shumëllojshmërisë së metodave të pagesës pa para në dorë, paratë në dorë vazhdojnë të përdoren rregullisht.”

Mund të vërehet se personat me të ardhura të larta dhe të rinjtë kanë shumë më pak gjasa të paguajnë me para në dorë. Në fakt, sipas SNB, zgjedhja e metodës së pagesës ndryshon shumë në varësi të karakteristikave “socio-demografike”, shkruan swissinfo. Paratë në dorë përdoren kryesisht kur njerëzit shkojnë për pazar në shitës me pakicë më të vegjël, transmeton albinfo.ch.

Shumica duan të vazhdojnë të përdorin para në dorë

Siç tregon anketa, përqindja e të anketuarve që duan të vazhdojnë të përdorin para në dorë është rritur vazhdimisht që nga viti 2022. 2% e të anketuarve që ishin në favor të heqjes së parave në dorë e justifikuan këtë duke deklaruar se nuk shohin asnjë vlerë të shtuar krahasuar me metodat e pagesës pa para në dorë.

Ndërkohë, njerëzit përdorin kryesisht aplikacione pagesash për pagesa në dyqane dhe aplikacione online, për shembull. Faturat, nga ana tjetër, paguhen përmes bankave online. Kjo përfshin edhe aplikacionet e bankave mobile.

SNB ka kryer anketën mbi metodat e pagesës midis individëve privatë në Zvicër çdo vit që nga viti 2024. Shkurtimi i intervaleve të anketës duhet të merret parasysh gjatë interpretimit të rezultateve, pasi priten ndryshime më të vogla kur anketa kryhet çdo vit sesa kur kryhet në intervale më të gjata. Për anketën aktuale, rreth 2,000 persona u pyetën për sjelljen e tyre të pagesave me anë të telefonit ose pyetësorit online.

Linjat ajrore zvicerane rrisin çmimet e biletave përpara sezonit të pikut të udhëtimit veror

Lufta në Lindjen e Mesme po rrit çmimet e karburantit, duke prekur jo vetëm shoferët që duhet të paguajnë më shumë në pompë, por edhe industrinë e aviacionit.

Meqenëse vajguri tani është më i shtrenjtë, SWISS dhe Edelweiss, si shumë linja ajrore të tjera, ia kalojnë këto kosto më të larta konsumatorëve, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Të dyja kompanitë konfirmuan se kanë rritur mbishpagesat në biletat e avionit si rezultat i rritjes së çmimeve të karburantit të avionëve.

“Për shkak të situatës aktuale të paqëndrueshme dhe ndikimit të saj në çmimet e naftës, ‘Mbushja Ndërkombëtare’ është përshtatur në përputhje me rrethanat,” tha një zëdhënës i SWISS për mediat.

‘Mbushja Ndërkombëtare’ është një tarifë shtesë e shtuar nga linjat ajrore për të mbuluar kostot operative në rritje – siç është karburanti.

Shuma e saktë e kësaj rritjeje varet nga itinerari specifik.

Edhe linjat ajrore të tjera

Nëse mendoni se mund të kurseni para duke fluturuar nga aeroportet e Zvicrës me kompani të tjera përveç SWISS ose Edelweiss – nuk do ta bëni.

Jo vetëm që linjat ajrore të tjera brenda grupit Lufthansa – të cilit i përkasin si SWISS ashtu edhe Edelweiss – po rrisin çmimet e tyre, por edhe shumë kompani të tjera po e bëjnë këtë.

Sipas IATA-s, shoqatës kryesore të linjave ajrore në botë, “një rritje e çmimeve të biletave të avionit është e pashmangshme duke pasur parasysh rritjen e kostos së hidrokarbureve për shkak të luftës në Lindjen e Mesme”.

Për shembull, Air France dhe KLM planifikojnë të rrisin çmimet e biletave të gjata me 50 euro (46 franga) për udhëtim vajtje-ardhje.

Dhe United, e cila fluturon pa ndalesa nga Cyrihu dhe Gjeneva në qytetet amerikane, mund të rrisë çmimet e biletave të avionit me 20 përqind.

Sa i përket EasyJet, CEO i saj Kenton Jarvis tha se udhëtarët duhet të presin çmime më të larta të biletave drejt fundit të verës, kur rezervat ekzistuese të karburantit mbarojnë.

FSK në Gaza? Vendimi i takon Kuvendit

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gazë, duke i hapur rrugë procedimit të vendimit për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Sipas legjislacionit në fuqi, pas vendimit të ekzekutivit, çështja i kalon ligjvënësve për shqyrtim dhe votim, ndërsa në fund kërkohet edhe miratimi i presidentit të vendit, transmeton albinfo.ch.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, tha se “jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe të ndihmojmë popullin e Gazës, sepse edhe vetë kemi qenë dhe jemi përfitues të forcave ndërkombëtare që nga viti 1999”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se përmes këtij angazhimi Kosova synon të dëshmojë se është një partnere e besueshme dhe e gatshme të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes dhe sigurisë.

Vendimi për dërgimin e trupave u miratua pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.

Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese.

 

1.2 milion persona fituan shtetësinë e BE-së në 2024, Gjermania dhe Spanja në krye të listës

Në vitin 2024, rreth 1.2 milion njerëz fituan shtetësinë e një vendi të Bashkimit Evropian ku jetojnë, duke shënuar një rritje prej 11.6% krahasuar me vitin 2023, njoftoi Eurostat.

Krahasuar me vitin 2014, numri i shtetësive të fituara është rritur me 54.5%, nga 762,100 në 1.2 milion. Gjermania kryeson me numrin më të madh të qytetarëve të rinj – 288,700, e ndjekur nga Spanja me 252,500 dhe Italia me 217,400.

Nga personat që morën shtetësi, 88% vinin nga vende jashtë BE-së, ndërsa 10.6% ishin qytetarë të tjerë të BE-së. Vende si Siria (110,000), Maroku (97,100) dhe Shqipëria (48,000) janë burimet kryesore të natyralizimeve.

Sa i përket shkallës së natyralizimit, Suedia udhëheq me 7.5% të shtetasve të huaj që fituan shtetësinë, e ndjekur nga Italia me 4.1%, Spanja dhe Holanda me 3.9%. Në anën tjetër, Lituania ka normën më të ulët me vetëm 0.1%, ndërsa Bullgaria dhe Estonia regjistrojnë 0.3%.

Mbi 25 mijë udhëtime të anuluara në Turqi, udhëtarët bllokohen

Turqia po përballet këtë fundjavë me një seri anulimesh fluturimesh, duke shkaktuar vështirësi për qindra pasagjerë në disa nga aeroportet më të rëndësishme të vendit.

Rreth 25 fluturime janë anuluar, duke përfshirë destinacione brenda Turqisë si Stambolli (Aeroporti Sabiha Gokcen), Antalia dhe Trabzon, si dhe disa fluturime ndërkombëtare, përfshirë drejt Bahreinit.

Shkaku i anulimeve lidhet me ndërprerje operative dhe kushte të motit, sipas raporteve nga linjat ajrore.

Pegasus Airlines ka anuluar disa nisje gjatë ditës së diel drejt Sabiha Gokcen, me orare që shtrihen nga paraditja deri në mbrëmje.
Autoritetet e aeroportit dhe linjat ajrore u bëjnë thirrje pasagjerëve të kontrollojnë statusin e fluturimeve përpara nisjes drejt aeroportit dhe të kërkojnë rimbursime ose riorientime në rast anulimi.

Kjo situatë pasqyron tensionin e vazhdueshëm në trafikun ajror turk, ku linjat ajrore përballen me sfida operative që shkaktojnë vonesa dhe anulime në itineraret e brendshme dhe ato të kufizuara ndërkombëtare.

Turqia nuk do të stërvitet në “Fadil Vokrri” përpara ndeshjes me Kosovën

Kombëtarja e Turqisë ka vendosur të mos zhvillojë stërvitje të plota në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë para takimit të rëndësishëm me Kosovën.

Sipas planit të tyre, të hënën skuadra do të stërvitet vetëm në mëngjes në qendrën e trajnimit në vendin e tyre, pas së cilës do të udhëtojnë drejt Prishtinës. Në mbrëmje, lojtarët do të bëjnë një ecje simbolike në fushë, ndërsa më pas do të mbahet konferenca për shtyp me trajnerin dhe një futbollist të ekipit turk.

Nga ana e Kosovës, skuadra gjithashtu nuk do të zhvillojë stërvitje të plotë në stadium përpara ndeshjes, por do të kryejë vetëm një ecje të shkurtër në fushë, një praktikë e përdorur edhe në udhëtimet e mëparshme jashtë vendit.

Takimi mes Kosovës dhe Turqisë do të luhet të martën në mbrëmje dhe do të vendosë se cila skuadër do të sigurojë një vend në Botërorin 2026, që mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Pse Zvicra po përballet me rrezik për mungesë të energjisë elektrike

Zvicra mund të përballet me mungesë të energjisë elektrike në dekadat e ardhshme, veçanërisht gjatë dimrit, ndërsa konsumi pritet të rritet deri në 40% deri në vitin 2050.

Aktualisht, vendi mbetet i varur nga importet sezonale, pasi prodhimi i brendshëm nuk mjafton për të përmbushur kërkesën gjatë muajve të ftohtë. Situata pritet të përkeqësohet me mbylljen graduale të centraleve bërthamore ekzistuese, të cilat sot sigurojnë rreth 30% të energjisë dhe deri në 40% gjatë dimrit.

Për këtë arsye, Këshilli Federal po shqyrton heqjen e ndalimit të vitit 2017 për ndërtimin e centraleve të reja bërthamore, duke synuar të mbajë të hapura të gjitha opsionet për furnizim të qëndrueshëm në të ardhmen.

Megjithatë, kjo çështje mbetet e debatueshme në opinionin publik. Ndërkohë, zhvillimi i energjive të rinovueshme po ecën më ngadalë se sa ishte planifikuar, për shkak të pengesave administrative dhe kundërshtimeve lokale.

Ekspertët paralajmërojnë se, pa masa shtesë, një “boshllëk energjetik dimëror” mund të shfaqet nga viti 2045, duke e detyruar Zvicrën të zgjedhë mes rritjes së importeve, përdorimit të gazit apo rikthimit të energjisë bërthamore.

Parashikimi i motit për Pashkë në Zvicër: priten reshje bore dhe breshër

Pashkët janë vetëm një javë larg dhe parashikimet e para për motin tashmë kanë dalë. Ja çfarë pritet dhe ku mund të kaloni pushimet me temperatura më të këndshme.

Fillim jave me kushte dimërore

Java e Madhe nis me mot të paqëndrueshëm dhe kushte tipike dimërore. Në zonat e ulëta pritet mot kryesisht me vranësira, ndërsa reshjet e shiut do të jenë të shpeshta dhe herë pas here intensive, sidomos në shpatet veriore të Alpeve dhe në rajonet veriore e qendrore të Graubündenit.

Vija e borës do të zbresë në lartësi prej 400 deri në 800 metra, çka do të thotë se edhe zonat më të ulëta mund të preken nga reshjet e borës. Pasdite mund të ketë rrebeshe breshëri dhe stuhi të shkurtra. Temperaturat do të jenë rreth 0°C në mëngjes dhe do të arrijnë nga 5 deri në 9°C gjatë ditës.

Deri të martën në mëngjes, në zonat mbi 800 metra në Alpet veriore priten 30 deri në 50 centimetra borë e re, ndërsa në rajonet e brendshme alpine 15 deri në 30 centimetra.

Përmirësim gradual i motit

Të martën moti do të mbetet pjesërisht i vranët me reshje të herëpashershme, veçanërisht në veri të Alpeve. Në zonat e ulëta priten edhe intervale të shkurtra me diell, por vranësirat do të rikthehen shpejt.

Nga e mërkura e tutje, moti do të fillojë të përmirësohet gradualisht dhe temperaturat do të rriten dita-ditës. Të mërkurën priten rreth 7°C, ndërsa të enjten rreth 9°C, me mundësi që në disa zona të arrijnë deri në 10–12°C.

Për ata që kërkojnë më shumë diell dhe temperatura më të larta, jugu i vendit – veçanërisht Ticino – paraqitet si zgjedhja më e mirë. Në Bellinzona priten deri në 17°C dhe në Lugano rreth 16°C.

Parashikimi për fundjavën e Pashkëve

Sipas meteorologëve, parashikimi për fundjavën e Pashkëve mbetet ende disi i pasigurt, por në përgjithësi pozitiv.

E enjtja dhe e premtja e madhe: pjesërisht me diell dhe pa reshje, me temperatura 10–13°C

E shtuna e madhe: fillimisht me diell, por më vonë mund të shtohen vranësirat

E diela e Pashkëve dhe e hëna: intervale me diell, por mundësi për reshje shiu nga pasditja e së dielës deri në mëngjesin e së hënës

Të hënën pritet përmirësim i motit dhe temperatura më të buta, deri në rreth 15°C.

Në jug të vendit, moti pritet të jetë më i favorshëm, me më shumë diell dhe temperatura mbi 15°C. Megjithatë, meteorologët theksojnë se këto parashikime mbeten ende një trend i pasigurt.