Bernë: Me flamuj të Iranit dhe Izraelit, dhjetëra kundërshtarë të regjimit festuan para ambasadës iraniane

Dhjetëra persona janë paraqitur sot para ambasadës iraniane në Bernë, për të festuar sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër regjimit iranian.

Paraqitja e tyre u pa me flamuj të Iranit dhe Izraelit, teksa ata demonstronin për çlirimin e vendit, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe, paraditen e sotme, Izraeli në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë sulmuar së bashku Iranin për të përmbysur regjimin islamik.

Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi me apel për qytetarët e Kosovës

Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi ka dalë me njoftim, në bazë të së cilit u tha se për shkak të rritjes së tensioneve në rajon, ekziston rrezik i shtuar për përshkallëzim të situatës, i cili mund të sjellë ndërprerje të udhëtimeve dhe ndikime të tjera të paparashikuara.

Në njoftim, ambasada u bën thirrje shtetasve të Republikës së Kosovës që jetojnë dhe punojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe të informohen rregullisht përmes burimeve zyrtare dhe mediave, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të shmangin zonat pranë objekteve të sigurisë dhe atyre ushtarake, transmeton albinfo.ch.

“Ambasada do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe do të njoftojë për çdo zhvillim të ri. Për raste urgjente, ju lutem kontakoni numrin urgjent të ambasadës tonë në Abu Dhabi: +971 547092109”, thuhet në njoftim.

15 persona ekstradohen nga Dubai drejt Shqipërisë

Prej vitesh, Dubai konsiderohej si një strehë e sigurt për persona të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Mungesa e një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe kishte krijuar bindjen se të shumëkërkuarit mund t’i shmangeshin lehtësisht ndjekjes penale duke u vendosur atje, përcjell albinfo.ch. 

Megjithatë, ky perceptim ka nisur të zbehet ndjeshëm. Nga marsi 2024 deri në shkurt 2026, autoritetet shqiptare kanë realizuar 15 ekstradime nga Dubai, duke shënuar një kthesë të dukshme në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe në çmontimin e idesë së paprekshmërisë.

Ekstradimi i parë që sinjalizoi këtë ndryshim ishte ai i Bruno Çobos, më 13 mars 2024, i akuzuar për mashtrim kompjuterik. Një muaj më pas u ekstradua edhe Panol At Nikoll për të njëjtën vepër penale. Më 14 gusht 2024 u realizua një nga operacionet më të bujshme, me kthimin në Shqipëri të Plarent Dervishajt dhe Julian Meçajt, të akuzuar për vrasje.

Gjatë vitit 2025, lista e të ekstraduarve u zgjerua me emra të njohur të botës së krimit, përfshirë Florenc Çapjan, Armis Stafën dhe Dashnor Dumanin. Më 19 qershor 2025, brenda një dite, u realizuan tre ekstradime të tjera, ndërsa në vijim u dorëzuan edhe Denis Bajri, Kleviol Ahmeti dhe Amar alias Dritan Shkëmbi.

Ekstradimi më i fundit dhe ndër më të përfolurit ishte ai i Durim Bamit, më 26 shkurt 2026.

Aktualisht, pritet që edhe pesë persona të tjerë të kthehen në Shqipëri, ndërsa autoritetet vijojnë koordinimin me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe. Zhvillimet e fundit tregojnë se Dubai nuk konsiderohet më një strehë e garantuar për t’i shpëtuar drejtësisë shqiptare, duke sinjalizuar një fazë të re në bashkëpunimin ndërkombëtar kundër krimit të organizuar.

Në Konsullatën e Kosovës në Mynih u shënua 18 vjetori i Pavarësisë

Më 26 shkurt 2026, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republika e Kosovës, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Mynih “hapi dyert e saj për një mbrëmje festive, të mbushur me emocion, krenari dhe dashuri për atdheun”, thuhet në një postim të Konsullatës së përmendur, të publikuar në mediat sociale.

Shumë bashkatdhetarë, nga breza dhe fusha të ndryshme, u mblodhën për të festuar së bashku një datë që na lidh zemrat kudo që jemi. Nën tingujt e Himnit të Republikës së Kosovës dhe atij Kombëtar, u ndje fuqishëm fryma e unitetit dhe mirënjohjes për rrugëtimin e shtetit tonë.

Në fjalën e rastit, Konsulli i Përgjithshëm, z. Afrim Nura, kujtoi domethënien e 17 Shkurtit si simbol lirie, sakrifice dhe shprese për të ardhmen. Atmosfera u bë edhe më e ngrohtë përmes pjesës artistike nga kitaristja Tringa Sadiku, duke i dhënë mbrëmjes ndjeshmëri dhe elegancë, vazhdon njoftimi.

Shijet tradicionale dhe verërat “Made in Kosova” sollën aromën e vendlindjes në zemër të Bavarisë, duke e kthyer këtë pritje në një moment të paharrueshëm bashkimi, thuhet në fund të njoftimit të publikur nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Mynih.

Glrus: Një shqiptar dhe një rumune arrestohen për trafikim droge

Të mërkurën, më 18 shkurt 2026, një burrë 44-vjeçar u ndalua nga Policia e Kantonit të Glarusit me rstin e  një kontrolli rutinë identiteti. U zbulua se ndaj tij ishte në fuqi një ndalim hyrjeje në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Një kontroll i mëvonshëm trupor zbuloi tek ai afërsisht 60 gramë heroinë.

Kontrollimi i mëvonshëm i banesës së tij  zbuloi narkotikë të tjerë dhe një sasi të madhe parash, shkrun polizei-glarus.ch. Me ndihmën e një qeni nuhatës, u sekuestruan afërsisht gjysmë kilogrami heroinë dhe disa mijëra franga zvicerane në para të gatshme.

Për shkak të dyshimeve të forta për përfshirjen e saj në krim, u arrestua edhe një grua 52-vjeçare, shtetase rumune.

Të dyshuarit janë aktualisht në paraburgim. Shtetasi 44-vjeçar shqiptar dhe shtetasja 52-vjeçare rumune përballen me disa vite burg.

Hetime të mëtejshme nga Policia Kriminale e Glarus janë duke vazhduar, përcjell albinfo.ch. Rasti po trajtohet nga Prokuroria Publike dhe Zyra e Prokurorit për të Mitur të Kantonit të Glarus.

(Foto: KAPO Glarus)

Politika është i vetmi vend ku unë delegoj përgjegjësinë time!

Politika është i vetmi vend ku unë delegoj përgjegjësinë time.

Si sipërmarrës, e mbaj vetë atë përgjegjësi. Për vendet e punës. Për rritjen. Për mirëqenien. Për stabilitetin.

Në politikë zgjedh njerëz të cilëve ua besoj këtë përgjegjësi. Unë vetë nuk kam të drejtë vote në qytetin e Cyrihut. Por po ta kisha, do ta votoja Perparim Avdilin.

Me Perparimin ndajmë më shumë se një miqësi të gjatë. Vijmë nga i njëjti rajon, kemi lindur në të njëjtën ditë dhe të dy e njohim ndjenjën e të rriturit në kushte të thjeshta, me dëshirën për të ndërtuar diçka më të madhe se vetja.

Rrugët tona kanë qenë të ndryshme. Ai zgjodhi politikën. Unë zgjodha sipërmarrjen. Ajo që na lidh është bindja se puna dhe merita kanë rëndësi. Se forca ekonomike është baza e kohezionit shoqëror. Se vendet e punës, inovacioni dhe përgjegjësia nuk janë kundër përparimit shoqëror, por themeli i tij. Në mbarë botën shohim se njerëzit me histori jo klasike mund të sjellin vlerë të jashtëzakonshme, kur u jepet mundësia.

Cyrihu jeton pikërisht nga kjo hapje. Për disa, një kryetar bashkie me historinë e tij mund të duket i pamundur. Ndoshta edhe i paarritshëm. Por përparimi rrallë lind nga ajo që është e zakonshme. Nuk duhet të jesh dakord për çdo gjë. Por duhet të dallosh kush është gati të mbajë përgjegjësi. Unë besoj se ai e meriton një mundësi të drejtë. Vendimi është i juaji.

 

Beograd: Gjykata dënon ish-pjesëtarin e UÇK-së në mungesë me 15 vjet burgim

Një gjykatë në Beograd e ka dënuar në mungesë ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Gjelosh Krasniqi me 15 vjet burgim nën akuzat për krime gjatë luftës në Kosovë.

Më 26 shkurt, Krasniqi është shpallur fajtor për vrasjen e tre personave dhe plagosjen e një civili serb në qershor të vitit 1999 në fshatin Bellopojë afër Pejës.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka thënë se aktakuza kundër Krasniqit bazohet kryesisht në deklarata të dëshmitarëve dhe prova të kufizuara forenzike dhe mjeko-ligjore dhe se avokati mbrojtës, sipas detyrës zyrtare, nuk kishte kontakt me të pandehurin.

Kjo organizatë joqeveritare ka thënë se bashkëpunimi me institucionet gjyqësore të Kosovës është i domosdoshëm për ndjekjen penale të krimeve kundër serbëve në Kosovë.

“Sidomos për faktin se Krasniqi është dënuar për krime kundër civilëve nga Gjykata e Qarkut e Pejës në vitin 2009”, është thënë në deklaratë.

Aty përmendet edhe se gjykimet në mungesë në rastet e krimeve të luftës në Kosovë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe se “krijohet përshtypja se motivet për fillimin e procedurave të tilla rrjedhin pjesërisht nga hakmarrja ligjore dhe jo ekskluzivisht nga dëshira për të arritur drejtësi për viktimat”.

Fondi ka rikujtuar se Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi deri më tani ka ngritur shtatë padi kundër personave që nuk janë në dispozicion të gjyqësorit serb dhe se pesë prej tyre janë kundër qytetarëve të Kosovës, për krime të kryera kundër popullsisë joshqiptare.

Që nga viti 2014, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës nuk ka ngritur asnjë padi të re për krime në Kosovë kundër personave që janë shtetas të Serbisë.

Në përgjigje të këtyre kritikave, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se “ata fillojnë dhe zhvillojnë procedurat në përputhje me provat dhe ligjin”.

Serbia, përveç ngritjes së padive dhe gjykimeve në mungesë, ka vazhduar të ndalojë qytetarët e Kosovës në pikat kufitare.

Arrestimi i fundit ndodhi më 5 shkurt, kur një ish-anëtar i UÇK-së u arrestua në pikën kufitare midis Serbisë dhe Kroacisë. Komisioni Evropian paralajmëroi në atë kohë se arrestimi dhe ndjekja penale e një shtetasi të Kosovës nga autoritetet serbe përfaqësonte një tjetër shkelje të detyrimeve të Serbisë sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me Kosovën, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel.

“Serbia është zotuar të mos fillojë hetime penale ose ndjekje penale për krime të dyshuara të kryera në Kosovë, përveç nëse kërkohet nga autoritetet e Kosovës”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se akuzat për krime lufte dhe krime të tjera të rënda janë brenda juridiksionit të institucioneve të Kosovës dhe i bëri thirrje Serbisë të përmbushë detyrimet e saj./REL

Supremja vërteton dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës

Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme ka marrë vendim lidhur me ankesën e paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit Dardan Krivaqa për veprën penale vrasje e rëndë.

Në njoftim thuhet se në seancën e mbajtur më 22 dhjetor 2025, kolegji i shkallës së tretë, pas shqyrtimit të shkresave të çështjes, pretendimeve të paraqitura në ankesë, propozimit të Prokurorisë së Shtetit dhe përgjigjes së përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, me shumicë votash ka marrë aktgjykim me të cilin refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, ndërsa vërtetohen aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit.

“Me aktgjykimin e shkallës së parë, i akuzuari Dardan Krivaqa ishte shpallur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Aktgjykimi ishte vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Duke shqyrtuar pretendimet e paraqitura nga mbrojtja e të akuzuarit, Kolegji i Gjykatës Supreme konstaton se aktgjykimet e gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë, nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se janë dhënë arsye të qarta për vendimmarrjen.

Kolegji gjyqësor vlerëson se gjykatat më të ulëta kanë analizuar në mënyrë të detajuar të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizave dhe provat materiale, duke përfshirë edhe video-incizimet e administruara nga banesa ku kanë qëndruar i akuzuari dhe viktima.

“Nga këto prova është konstatuar se viktima, Marigona Osmani ka qenë në gjendje të rënduar fizike gjatë periudhës kritike dhe se lëndimet e saj janë shkaktuar si rezultat i veprimeve të dhunshme të të akuzuarit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Kolegji Gjyqësor i Gjykatës Supreme ka vlerësuar raportin e autopsisë dhe deklarimet e ekspertëve mjeko-ligjorë, sipas të cilëve vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore (politraumë) të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë. Ndaj, është konstatuar se viktima ka përjetuar dhimbje të rënda fizike gjatë kohës kur janë shkaktuar lëndimet, gjë që mbështetë kualifikimin juridik të veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

Kolegji gjyqësor ka shqyrtuar gjithashtu pretendimet e mbrojtjes lidhur me procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike të të akuzuarit dhe pretendimet për ndikim të substancave narkotike, duke konstatuar se këto pretendime nuk janë mbështetur me prova që do ta vinin në dyshim ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave më të ulëta. Nga raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike është konstatuar se tek i akuzuari nuk është gjetur ndonjë çrregullim mendor i karakterit psikotik dhe se ai ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij.

Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme konstaton se dënimi me burgim të përjetshëm i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë dhe i vërtetuar nga gjykata e shkallës së dytë është në përputhje me ligjin dhe me rrethanat e çështjes, duke marrë parasysh natyrën e rëndë të veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale dhe pasojat e saj.

Çfarë duhet të dini për zhvillimet kryesore në Zvicër gjatë muajit mars

Nga referendumet kombëtare dhe kantonale te afatet tatimore dhe linjat e reja ajrore – ja ngjarjet kryesore të muajit

Muaji mars 2026 sjell një sërë ndryshimesh dhe zhvillimesh të rëndësishme në Zvicra, që prekin shëndetësinë, politikën, taksat dhe transportin ajror.

1 mars: vaksinat dhe antibiotikët nuk konsiderohen më në mungesë kritike

Sipas Federal Office for National Economic Supply, rezervat e detyrueshme për disa antibiotikë (të përdorura që nga viti 2019) dhe vaksina (që nga viti 2023) janë rimbushur pothuajse plotësisht. Kjo do të thotë se këto produkte nuk konsiderohen më në mungesë serioze.

2–20 mars: Seanca pranverore e Parlamentit

Të dy dhomat e parlamentit – National Council dhe Council of States – rikthehen në seancë, me dhjetëra çështje për diskutim.
Mes temave kryesore janë: iniciativa e SVP për ruajtjen e neutralitetit zviceran; kërkesa sistematike për certifikatë penale për qytetarët e BE-së që aplikojnë për leje qëndrimi; lejimi i mbiemrave të dyfishtë për çiftet e martuara; ndalimi i importit të foie-gras; nxitja e rikthimit të pensionistëve në tregun e punës; si dhe taksa e transitit për turistët e huaj.

8 mars: Zvicra voton

Në raundin e parë të referendumeve kombëtare të vitit 2026, qytetarët do të votojnë për katër iniciativa:

Uljen e tarifës vjetore të transmetimit publik nga 330 në 200 franga

Futjen e taksimit individual, duke hequr tatimin e përbashkët për çiftet e martuara

Politika të drejta për energjinë dhe klimën

“Paraja e gatshme është liri”, që synon garantimin kushtetues të parasë cash

Në të njëjtën ditë mbahen edhe referendume rajonale, përfshirë uljen e ndihmës sociale në Aargau, kufizimin e shpejtësisë 30 km/h në Basel-Country, dhe pagën minimale për punët verore në Gjeneva.

20 mars: Fillon pranvera

Ekuinoksi i pranverës ndodh më 20 mars, në orën 04:00 të mëngjesit, kur dita dhe nata janë pothuajse të barabarta.

29 mars: Ora verore

Ora verore fillon më 29 mars në orën 03:00, kur akrepat zhvendosen një orë përpara, duke sjellë më shumë dritë në mbrëmje.

31 mars: Afati për deklarimin e taksave

Në shumicën e kantoneve, afati për dorëzimin e deklaratave tatimore është 31 mars. Në disa, si Bern dhe Vaud, afati është 15 mars. Zgjatjet janë të mundshme me kërkesë pranë autoriteteve tatimore.

Fluturime të reja

Kompania ajrore SWISS hap një linjë të re evropiane nga Zurich drejt qytetit polak Poznań. Fluturimet nisin më 29 mars dhe do të operohen të hënave, të enjteve dhe të dielave./Albinfo.ch

Hapet shkolla shqipe në Lubjanë për fëmijët e diasporës

Në Lubjanë është hapur zyrtarisht shkolla shqipe për fëmijët e komunitetit shqiptar në Slloveni, falë angazhimit të Shoqata Shqiptare “Migjeni” dhe nën kujdesin e Ambasada e Shqipërisë në Slloveni si dhe Ambasada e Kosovës në Slloveni, shkruan albinfo.ch.

Organizatorët ftojnë të gjithë prindërit shqiptarë që dëshirojnë t’u mësojnë fëmijëve të tyre gjuhën shqipe, të paraqiten çdo të shtunë në orën 10:00, në ambientet e Shoqatës “Migjeni”, në adresën Celovška 177, Lubjanë.

Mësimi i gjuhës shqipe do të jetë falas për të gjithë nxënësit. Për informata shtesë dhe regjistrim, të interesuarit mund të kontaktojnë në numrin e telefonit: 041 550 944.

Hapja e kësaj shkolle synon ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe identitetit kombëtar në diasporë. “Gjuha është vlera dhe rrënja më e rëndësishme e kombit tonë”, theksojnë organizatorët, duke ftuar komunitetin shqiptar të bëhet pjesë e kësaj nisme arsimore./Albinfo.ch

 

Në Zvicër pritet rritje e temperaturave, moti i ngrohtë rrit rrezikun për alergjitë

Moti i ngrohtë dhe periudhat e thata po sjellin vështirësi për personat që vuajnë nga alergjitë sezonale në Zvicra. Sipas specialistëve, temperaturat mbi 5 gradë Celsius, siç po regjistrohen aktualisht në vend, favorizojnë lirimin e sasive të mëdha të polenit në ajër, përcjell albinfo.ch.

Parashikimi i polenit nga shërbimi meteorologjik MeteoSchweiz tregon se pemët e lajthisë dhe të verrit janë duke përjetuar një lulëzim veçanërisht të fortë, çka rrit ndjeshëm rrezikun për reaksione alergjike.

Në këtë kontekst, Roxane Guillod, shefe e shërbimeve specialistike në Qendra Zvicerane për Alergji, u bën thirrje personave të prekur që të veprojnë me kohë.

“Ata që reagojnë në mënyrë alergjike ndaj këtyre llojeve të polenit duhet tashmë të fillojnë marrjen e antihistaminikëve”, ka theksuar Guillod.

Ekspertët këshillojnë gjithashtu kujdes të shtuar gjatë aktiviteteve në natyrë dhe ndjekjen e rregullt të parashikimeve të polenit për të shmangur përkeqësimin e simptomave.

Derisa priten faturat e reja të rrymës, Kosova paguan edhe për bllokadën serbe

Kur Kosova paguan deri në 800 euro për të transportuar një megavat-orë (MWh) energji, qytetarët nuk paguajnë vetëm për rrymën që u shkon në prizë.

Ata paguajnë edhe për pasojat e një bllokade politike, për tensionet me fqinjët dhe për dobësitë e një sistemi energjetik që nuk arrin t’i mbulojë nevojat bazë të vendit.

Që nga viti 2020, kur Serbia bllokoi linjën e transmisionit me Kosovën, u kufizuan rrugët më të shkurtra dhe më të lira për importimin e energjisë, duke e detyruar vendin të përdorë alternativa më të kushtueshme.

Si rezultat, kostot shtesë u reflektuan drejtpërdrejt edhe në faturat e energjisë për qytetarët dhe bizneset.

Me shpalljen e tarifave të reja vjetore, që pritet të bëhet deri në fund të muajit të ardhshëm, pasiguria vazhdon të mbetet e lartë, pasi nuk përjashtohet mundësia e një tjetër rritjeje të çmimit të energjisë elektrike.

Shpresë për ndryshim ka, pasi Serbia është obliguar që deri më 1 korrik të lejojë tregtimin e energjisë me Kosovën, por mbetet e paqartë nëse ky vendim do të zbatohet në praktikë.

Pse Kosova importon energji?

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk mjafton për të përballuar kërkesën e konsumatorëve për energji elektrike, sidomos gjatë dimrit.

Termocentralet me qymyr janë të vjetra dhe shpesh ndalojnë së punuari, për shkak të prishjeve dhe mirëmbajtjes, ndërsa prodhimi nga burimet e ripërtëritshme mbetet i vogël.

Vetëm nga janari deri në nëntor të vitit të kaluar, Kosova shpenzoi rreth 250 milionë euro për blerje të energjisë nga jashtë.

Çmimet e transportit arritën në nivele astronomike – deri në 800 euro për MWh në ditë të caktuara gjatë vitit të kaluar, sipas Ministrisë së Ekonomisë.

Autoritetet e konsiderojnë bllokimin e linjës së transmisionit nga Serbia si faktorin kryesor që rrit kostot e importit dhe të transportit.

Për një vend me rreth 1.5 milion banorë dhe një ekonomi në zhvillim, këto kosto përbëjnë një barrë të konsiderueshme financiare, pasi rritja e shpenzimeve për energji ndikon jo vetëm në buxhetin e shtetit, por edhe në konkurrueshmërinë e bizneseve dhe në rritjen e çmimeve për konsumatorët.

“Si pasojë e bllokadës nga ana e Serbisë, deri në 600 MW kapacitet transmisioni në kufirin Kosovë-Serbi nuk shfrytëzohet për shkëmbime komerciale – çfarë ushtron presion të vazhdueshëm mbi linjat e tjera ndërkufitare”, thonë nga Ministria e Ekonomisë e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.

Origjina e bllokadës

Problemi filloi në dhjetor të vitit 2020, kur Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) filloi të operojë në mënyrë të pavarur.

Kosova doli nga blloku rregullues me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe u bashkua me Shqipërinë, duke aktivizuar linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, e njohur si “Autostrada energjetike Kosovë-Shqipëri”.

Që nga ajo kohë, Serbia bllokoi linjat e transmisionit të energjisë në Kosovë, dhe vendi u detyrua të tregtonte përmes kufijve me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, ky devijim “politik” i ka kushtuar Kosovës miliona euro në vit – konkretisht rreth 150 milionë vetëm në vitin 2024.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kundërshton pjesëmarrjen e saj të plotë në mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë sektorin energjetik.

Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, dy vendet arritën Marrëveshje për Energjinë në vitet 2013 dhe 2015, ndërsa në qershor 2022 miratuan edhe Udhërrëfyesin për zbatimin e tyre. Por, si shumë të tjera, as ato nuk u zbatuan kurrë plotësisht.

KOSTT-i konfirmon se Elektro-ekonomia e Serbisë (EMS) nuk ka nënshkruar ndonjë marrëveshje për tregtim të kapaciteteve me Kosovën.

“Që nga ajo periudhë [2020] e deri më sot nuk ka pasur dhe vazhdon të mos ketë tregti komerciale të energjisë elektrike në kufirin me Serbinë”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it për Radion Evropa e Lirë.

REL-i kërkoi qëndrim nga operatori serb, EMS, lidhur me këtë çështje, por nuk mori përgjigje.

Pasojat në tregun energjetik

Mosalokimi i kapaciteteve në kufirin Kosovë-Serbi ka kufizuar konkurrencën, ka zvogëluar rrugët alternative për import dhe ka rritur kërkesën dhe çmimet në kufijtë e tjerë.

Ministria e Ekonomisë thotë se ky është një faktor që ka ndikuar pjesërisht në rritjen e tarifave për konsumatorët, të cilat vitin e kaluar u shtrenjtuan për rreth 16%.

Muajin e kaluar, tre operatorët energjetikë në Kosovë kërkuan rritjen e tarifave të energjisë elektrike edhe për këtë vit.

Sa kushton aktualisht energjia elektrike?

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovat-orë (kWh) në muaj, paguajnë 9.05 centë për kilovat-orë.

Konsumatorët që e tejkalojnë këtë prag, paguajnë 15.43 centë për kilovat-orë për energjinë e shpenzuar mbi këtë nivel.

Ndërkohë, gjatë tarifave të ulëta – që zbatohen nga ora 23:00 deri në 08:00 – çmimet janë më të favorshme: konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh paguajnë 3.88 centë për kilovat-orë, ndërsa ata që e tejkalojnë këtë prag, paguajnë 7.28 centë për kilovat-orë.

Eksperti i çështjeve energjetike, Nebih Zariqi, shpjegon për Radion Evropa e Lirë:

“Është si me rrugët tokësore – kur rruga më e shkurtër është e bllokuar, duhet përdorur rrugë më të gjata – gjë që rrit automatikisht koston e transportit. Tregtarët mund të manipulojnë edhe me çmimet për MWh”.

Megjithatë, as KOSTT-i dhe as Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) nuk kanë publikuar shifra për vlerën totale të paguar për këto linja transmetimi gjatë pesë vjetëve të fundit.

Përpjekjet për zgjidhje

KOSTT e ka ngritur këtë problem në nivel rajonal dhe evropian, duke hapur rast në Komunitetin e Energjisë.

Dhjetorin e kaluar, Kosova mori kryesimin e kësaj organizate ndërkombëtare, qëllim i së cilës është ta mbështesë rrugën e vendeve anëtare të saj drejt anëtarësimit në BE, përmes zbatimit të ligjeve energjetike të BE-së.

Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë vendosi atëkohë që Serbia duhet të lejojë tregtimin e energjisë me Kosovën më së largu deri më 1 korrik 2026.

“Ky bllokim, i cili ka vazhduar për më shumë se pesë vjet, ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta negative në funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës, duke rritur ngarkesën e rrjetit dhe kostot e transmisionit përmes linjave alternative me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Republikën e Shqipërisë”, tha ministrja e Energjisë, Artane Rizvanolli, dhjetorin e kaluar.

Ministria e saj zotohet se do të monitorojë nga afër zbatimin e këtij vendimi.

Përkundër përpjekjeve, Radio Evropa e Lirë nuk mori përgjigje nga operatori serb, EMS, ose nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë lidhur me masat që do të ndërmerren nëse linjat nuk hapen në afatin e caktuar.

Nëse bllokada vazhdon, Kosova do të mbetet e detyruar të importojë energji përmes rrugëve më të gjata dhe më të shtrenjta, duke rritur më tej kostot për qytetarët dhe ekonominë.

Në afat të gjatë, kjo situatë mund të ndikojë edhe në sigurinë energjetike të vendit dhe në aftësinë e tij për të tërhequr investime./REL

Zvicër: Muaj i ri, ligje të reja: ja ndryshimet që do të hyjnë në fuqi në mars

Një komision i kryesuar nga ish-Këshilltarja Federale Simonetta Sommaruga tani do të këshillojë Konfederatën mbi menaxhimin e trashëgimisë kulturore historikisht problematike.

Operatorët e telefonisë celulare do të kenë gjithashtu detyrime të reja në rast të ndërprerjeve të energjisë elektrike, transmeton albinfo.ch.

Këto janë dy nga masat e reja që do të hyjnë në fuqi të dielën, dhe ne ofrojmë një përmbledhje të tyre

Arsimi

Një urdhëresë e re mbi Diplomën Profesionale Federale do të hyjë në fuqi më 1 mars. Ajo rregullon në mënyrë specifike strukturën e mësimdhënies brenda sistemit të zgjeruar të arsimit të përgjithshëm, kërkesat për programet e trajnimit, promovimin, provimin e Diplomës Profesionale Federale dhe njohjen e programeve të trajnimit nga Konfederata. Diploma Profesionale Federale duhet t’u mundësojë praktikantëve të studiojnë në një universitet të shkencave të aplikuara dhe t’i përgatisë ata për role sfiduese në biznes dhe shoqëri.

Telekomunikacioni

Konfederata ka nxjerrë masa të reja në rast të ndërprerjes së energjisë elektrike për komunikimet mobile, të cilat hyjnë në fuqi më 1 mars. Në rast të ndërprerjes së energjisë elektrike, operatorët e telefonisë celulare mund të kufizojnë trafikun mobil vetëm në masën e nevojshme. Në mënyrë specifike, shërbimet e emergjencës, shërbimi publik telefonik, shërbimet bazë për personat me dëgjim të dëmtuar ose transmetimet radiofonike nuk mund të kufizohen. Ata gjithashtu duhet të garantojnë aksesin në internet dhe të sigurojnë që 99% e klientëve në secilën komunë të kenë akses në shërbimet e telekomunikacionit mobil.

Mbrojtja nga Zhurma

Një regjim i ri mbrojtjeje nga zhurma do të zbatohet në Zvicër duke filluar nga 1 Marsi. Rishikimi i Ordinancës për Mbrojtjen nga Zhurma synon posaçërisht të lehtësojë lëshimin e lejeve të ndërtimit në zonat e prirura ndaj zhurmës, duke i kushtuar vëmendje më të madhe zhvillimit të brendshëm, duke siguruar gjithashtu cilësinë e jetës përmes masave të izolimit nga zhurma. Ky rishikim është pjesë e ndryshimit të Aktit Federal për Mbrojtjen e Mjedisit të miratuar një vit më parë.

Mbrojtja nga Rrezatimi

Ordinanca e rishikuar plotësisht mbi Dozimetrinë hyn në fuqi më 1 Mars. Dozimetria përfshin llogaritjen dhe vlerësimin e rrezatimit jonizues për të përcaktuar dozën e absorbuar në materie ose ind biologjik. Me këtë rishikim, Zvicra synon të përafrojë kornizën e saj ligjore me zhvillimet shkencore dhe rekomandimet ndërkombëtare për të siguruar mbrojtjen nga rrezatimi në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Trashëgimia Kulturore

Komisioni për Trashëgiminë Kulturore me një të Kaluar Problematike, i emëruar nga Këshilli Federal dhe i kryesuar nga ish-Këshilltarja Federale Simonetta Sommaruga, fillon punën e tij më 1 mars. Komisioni do të këshillojë qeverinë dhe administratën federale për çështje që lidhen me trashëgiminë kulturore me një të kaluar problematike. Mund të konsultohet në rast mosmarrëveshjesh dhe mund të lëshojë rekomandime jo-detyruese në lidhje me veprat e artit nga epoka naziste dhe asetet kulturore nga koha koloniale.

Puna

Rritja e pagave e negociuar nga partnerët socialë në sektorin e zdrukthëtarisë hyn në fuqi më 1 mars. Ajo përfshin një rritje të përgjithshme prej 20 frangash për të gjithë punonjësit e mbuluar nga marrëveshja kolektive e negociatave, si dhe bonuse shtesë që do të shpërndahen individualisht në shumën prej 30 frangash për punonjës. Konfederata i ka shpallur këto rritje pagash të zbatueshme universalisht.

Prona Kulturore

Më 5 mars, Zvicra dhe qeveria e Bregut të Fildishtë nënshkruan një marrëveshje mbi importin, eksportin dhe kthimin e pronës kulturore. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është të parandalojë transferimin e paligjshëm të pronës së tillë kulturore në vendet përkatëse. Palët kontraktuese kanë gjithashtu mundësinë të ndërmarrin veprime ligjore për të marrë kthimin e pronës kulturore të importuar ilegalisht në vendin tjetër. Prona kulturore përfshin, ndër të tjera, skulptura, qeramikë, murale, armë dhe bizhuteri.

Martesat dhe divorcet shënuan rënie në Austri gjatë vitit 2025

Vitin e kaluar, në zyrat e gjendjes civile austriake u regjistruan më pak martesa sesa në vitin 2024, sipas shifrave të publikuara të mërkurën nga Statistik Austria. Në të njëjtën kohë, numri i divorceve gjithashtu ra krahasuar me vitin e kaluar. Në total, në vitin 2025 u regjistruan 44,502 martesa (2024: 45,810) dhe u krijuan 1,938 partneritete të regjistruara, pak më shumë se një vit më parë (2024: 1,884). Vitin e kaluar pati 14,895 divorce.

Në vitin 2024, pati 14,963 divorce. Në vitin 2025, pati gjithashtu 227 shpërbërje të partneriteteve të regjistruara (2024: 167). Sipas shifrave të publikuara, rënia e martesave arriti në 2.9 përqind. Që kur martesa e të njëjtit seks u bë e mundur më 1 janar 2019, një total prej 806 çiftesh e përdorën këtë mundësi në vitin 2025, duke përfshirë 401 çifte meshkujsh dhe 405 çifte femrash. Kjo përfaqëson një rritje prej 2.8 përqind krahasuar me vitin e kaluar, shkruan theinternational. Të dhënat paraprake për vitin 2025 përfshijnë gjithashtu 17 konvertime të partneriteteve të regjistruara në martesa, transmeton albinfo.at.

Sipas rezultateve paraprake, më pak çifte thanë “Po” në shtatë nga nëntë provincat e Austrisë në vitin 2025 krahasuar me vitin e kaluar. Rëniet më të forta u regjistruan në Steiermark (minus 6.7 përqind) dhe Salzburg (minus 6.5 përqind). Në Burgenland (plus 5.9 përqind) dhe Vjenë (plus 0.5 përqind), më shumë çifte u paraqitën para zyrave të gjendjes civile në vitin 2025 sesa në vitin 2024.

Vitin e kaluar, 1,832 çifte të seksit të kundërt (plus 3.9 përqind) dhe 106 çifte të të njëjtit seks (minus 12.4 përqind) hynë në partneritete të regjistruara. Sipas provincave, gjashtë regjistruan një rritje në partneritetet e regjistruara, me rritjet më të forta në Salzburg (plus 28.4 përqind) dhe Tirol (plus 15.5 përqind). Në mënyrë të konsiderueshme më pak çifte hynë në partneritete të regjistruara, veçanërisht në Burgenland (minus 17.2 përqind) dhe Styria (minus 14.7 përqind).

Numri i divorceve ra në katër provinca. Uljet më të rëndësishme u regjistruan në Vjenë (minus 5.8 përqind), Karinthia (minus 5.4 përqind) dhe Salzburg (minus 5.1 përqind). Në Steiermark (plus 8.6 përqind), Burgenland (plus 8.2 përqind) dhe Tirol (plus 6.6 përqind), dukshëm më shumë çifte e përmbysën ligjërisht deklaratën e tyre të mëparshme “Po” në vitin 2025.

Sanija Ameti apelon dënimin për shkelje të lirisë së besimit dhe adhurimit

Këshilltarja e qytetit të Cyrihut, Sanija Ameti (jo-partiake, ish-anëtare e PVL-së) ka apeluar në Gjykatën Kantonale kundër dënimit të saj për shkelje të lirisë së besimit dhe adhurimit, të dhënë nga Gjykata e Qarkut të Cyrihut në fund të janarit. Kjo është sipas një postimi të publikuar në X nga Niels Fiechter, president i Partisë së Popullit të Rinj Zviceran (SVP) dhe anëtar i Këshillit të Madh të Bernës, transmeton albinfo.ch.

Pasi të paraqitet apeli, palët marrin vendimin e arsyetuar me shkrim. Më pas ato vendosin se si të veprojnë. Avokati i Ametit e paraqiti apelin brenda afatit të kërkuar, siç dëshmohet nga dokumenti i publikuar sot.

Nicolas Rimoldi, president i Mass-Voll dhe një nga shumë ata që e raportuan Ametin në polici, gjithashtu refuzon ta pranojë dënimin dhe ka njoftuar se ka paraqitur apel. Dënimi i dhënë ndaj Ametit është shumë i butë; “ne po kërkojmë dënimin maksimal”, tha Mass-Voll në një deklaratë.

Më 6 shtator 2024, ndërsa ishte anëtare e parlamentit të qytetit si përfaqësuese e Liberalëve të Gjelbër (PVL), Ameti ndau në Instagram një fotografi të Madonës me Fëmijën, të dyja me fytyra të mbuluara nga plumbat, dhe një të sajën në pozicion qitjeje. Nën fotografinë e saj me pistoletën ajrore të drejtuar ishte fjala “abschalten”, që në italisht përkthehet si “shkëputu, ndalo”. Imazhi i shenjtë me vrima plumbash në fytyrat e Marisë dhe foshnjës Jezus ishte hequr nga katalogu i një shtëpie ankandi. Ameti e fshiu shpejt postimin nga Instagram dhe kërkoi falje, por fotot tashmë kishin nxitur bujë në mediat sociale.

Më 28 janar, Gjykata e Qarkut të Cyrihut e dënoi Ametin me një gjobë me kusht prej 60 gjobash ditore prej 50 frangash secila dhe një gjobë prej 500 frangash. Fiechter dhe paditës të tjerë privatë kishin kërkuar dëmshpërblim, duke argumentuar se Ameti kishte përdhosur rëndë simbolet fetare. Gjykata i shtyu kërkesat e tyre në një padi civile.

Mbi 100 shahistë në turneun tradicional humanitar të shahut në Lucern

Misioni Katolik Shqiptar në Lucern do të organizojë më 21 mars 2026 turneun tradicional humanitar të shahut, Blitz, një aktivitet që tashmë është kthyer në ngjarje të rëndësishme për komunitetin shqiptar në Zvicër, shkruan albinfo.ch.

Turneu do të mbahet në adresën Rodteggstrasse 6, 6005 Lucern, me fillim nga ora 19:00, ndërsa regjistrimi i pjesëmarrësve do të bëhet në vend nga ora 18:00 deri në 19:00.

Sipas organizatorëve, në këtë turne pritet të marrin pjesë mbi 100 shahistë nga e gjithë Zvicra dhe më gjerë, kryesisht shqiptarë, por edhe pjesëmarrës nga komunitete të tjera.

Aktiviteti do të hapet me një program artistik me këngë dhe valle, ndërsa pagesa e pjesëmarrjes është 20 franga. Tre vendet e para do të shpërblehen me çmime simbolike.

Organizatorët ftojnë të gjithë dashamirët e shahut të bëhen pjesë e këtij turneu humanitar. Për informata shtesë, të interesuarit mund të kontaktojnë në numrin: +41 79 664 69 21./Albinfo.ch

Edhe Bekim Jashari mohon se mund të jetë kandidat për President

Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë që të gjendet dhe votohet në Kuvend presidenti i ardhshëm i Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Deri më tani, kandidaturën haptazi e ka bërë vetëm presidentja aktuale, Vjosa Osmani, por që duket se nuk ka mbështetje të gjerë nga deputetët.

Në opinion u përfolën edhe emra nga familja Jashari.

Ishte madje ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ai që tha sot pas takimit me homologen e tij shqiptare, Elisa Spiropali, se mes partive politike deri tani ka konsensus vetëm për një president që do të vinte nga familja Jashari.

Por, nga vetë familja Jashari kanë mohuar se kanë ambicie të tilla.

Ishte fillimisht Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit, që tha për VOX Kosova se nuk ka interesim apo qëllim për t’u bërë president i Kosovës, dhe se “ua kam bërë të qartë partive politike se cilat janë arsyet pse unë nuk e bëj, sepse mbi supet e mia rëndon një barrë e madhe”.

Më vonë, ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, djali i Hamzë Jasharit, vëllai tjetër i Adem Jasharit, i tha Radios Evropa e Lirë se ai mban qëndrimin e djalit të xhaxhait, duke shtuar “nuk kam çka t’i shtoj kësaj, asnjë pikë apo presje”.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Prekaz të Skenderajt te familja Jashari. Ai ka konfirmuar për mediat se ka biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”.

Mbyllet “Radio Evropa e Lirë” në këtë shtet

Vendimi për mbylljen e redaksive të Radio Free Europe (RFE) në Hungari dhe Bullgari vjen si pjesë e fushatës së administratës Trump për reduktimin e shpenzimeve shtetërore, por prapaskenat sugjerojnë edhe ndikime politike, përcjell albinfo.ch.

Rasti i Hungarisë: Redaksia hungareze u mbyll pas një kërkese direkte të kryeministrit Viktor Orbán gjatë vizitës së tij në Uashington.

Situata në Bullgari: Redaksia numëron rreth 15 gazetarë profesionistë, të cilët prodhojnë video dhe materiale që arrijnë dhjetëra mijëra shikime, duke qenë një burim kyç për informim të pavarur.

Reagimet:

Organizata Reporterët pa Kufij (RSF) ka shprehur keqardhje të thellë për këtë mbyllje, duke paralajmëruar pasoja të rënda për lirinë e medias:

Mungesa e alternativës: Bullgaria njihet si vend ku mediat e pavarura janë të pakta, dhe zhdukja e RFE do të lërë një vakum informativ të madh.

E drejta për informacion: RSF thekson se vendimi cenon të drejtën e qytetarëve për lajme të besueshme dhe të paanshme.

“Ky është një lajm i keq, jo vetëm për ne si kolegë, por për mbarë opinionin publik,” u shpreh Elena Vizulie Tanase, drejtoreshë e redaksisë në Rumani, e cila po ashtu do të mbyllet më 31 mars.

Edhe pse ekipi në Sofje po përpiqet të gjejë zgjidhje alternative për të mbajtur gjallë shërbimin ndaj audiencës, pa mbështetjen financiare të Agjencisë Amerikane për Mediat Globale, mbijetesa e tyre duket pothuajse e pamundur.

Komisioni për Integrime Evropiane shqyrton dy marrëveshje me BE-në

Sot, Komisioni për Integrime Evropiane do të mbajë një mbledhje ku do të shqyrtojë amendamentet e dy marrëveshjeve financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përcjell albinfo.ch.

Në fokus të diskutimit do të jetë Projektligji nr. 10/L-010, që parasheh ratifikimin e “Amendamentit nr. 2 të Marrëveshjes Financiare për Programin IPA 2017, pjesa e parë”.

Po ashtu, Komisioni do të shqyrtojë Projektligjin nr. 10/L-009, i cili ka të bëjë me ratifikimin e “Amendamentit nr. 3 të Marrëveshjes Financiare për Programin IPA 2018”.

Këto amendamente janë pjesë e përpjekjeve të Kosovës për të forcuar bashkëpunimin financiar me Bashkimin Evropian dhe për të siguruar zbatimin e projekteve të programit IPA në vend.

Zvicra ndalon plotësisht blerjen dhe importin e gazit rus

Qeveria e Zvicrës njoftoi të mërkurën se blerja dhe importi i gazit natyror të lëngshëm rus (LNG) do të ndalohet plotësisht duke filluar nga 25 prilli. Ky vendim përputhet me paketën e 19-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, të miratuara nga blloku në fund të vitit të kaluar, transmeton albinfo.ch.

Sipas qeverisë, në rastin e kontratave të furnizimit afatgjatë të lidhura më parë, do të aplikohet një periudhë tranzicioni deri në fund të vitit, për të lehtësuar kalimin.

“Masa synon të redukojë të ardhurat e Rusisë nga shitja e lëndëve djegëse fosile, të cilat financojnë luftën kundër Ukrainës,” thuhet në deklaratën zyrtare të Berna-s.

Zvicra, e cila nuk është anëtare e BE-së, që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Moska ka ndjekur rregullisht sanksionet ekonomike të bllokut ndaj Rusisë.

Përveç ndalimit të gazit, qeveria zvicerane ka vendosur masa shtesë në sektorin financiar, që do të hyjnë në fuqi këtë javë, përfshirë:

Ndalimin e ofrimit të shërbimeve të kriptomonedhave për qytetarët dhe kompanitë ruse.

Bllokimin e transaksioneve me disa kriptomonedha të mbështetura nga rubla, si stablecoin A7A5.

Zgjerimin e ndalimit të përdorimit të shërbimeve të mesazheve të specializuara për pagesa financiare.

Ndër masat e tjera është edhe shtrëngimi i kufizimeve për diplomatët rusë të akredituar në BE, të cilët tani duhet të njoftojnë paraprakisht për çdo tranzit ose hyrje në Zvicër.

Ky paketë masash thekson angazhimin e Zvicrës për të mbështetur politikat e BE-së dhe për të kufizuar ndikimin financiar të Rusisë në konfliktin në Ukrainë./Albinfo.ch

Mbështetja për tatimin individual në Zvicër po bie

Sondazhi i dytë i SRG-së tregon se mbështetja për tatimin individual po ulet. Nëse referendumi do të mbahej më 14 shkurt, 52% e votuesve të kualifikuar do të votonin “po”, ndërsa 44% “jo”. Krahasuar me sondazhin e parë më 18 janar, vota “po” ka rënë me 12 pikë përqindjeje.

Dyshimet ndaj propozimit po rriten, kryesisht për shkak të frikës se familjet me të ardhura mesatare dhe prindërit e vetëm mund të paguajnë më shumë taksa, ndërsa çiftet me dy të ardhura të larta përfitojnë. Kritikat fillestare mbi burokracinë po shtohen me shqetësime mbi fitimet dhe humbjet individuale.

Sondazhi tregon ndryshime sipas partive: mbështetja bie tek qendra-djathta dhe baza e SVP-së, ndërsa votuesit e pavarur mbeten kryesisht pro. Në nivel shoqëror, mbështetja po bie tek burrat dhe në Zvicrën gjermanofolëse, ndërsa gratë dhe Zvicra frankofolëse mbajnë mbështetje më të qëndrueshme.

Referendumi mbi tatimin individual do të zhvillohet më 8 mars 2026. Rezultatet e sondazhit tregojnë një opinion publik të paqëndrueshëm, ku votuesit ende mund të ndryshojnë mendje.

Jon Fejzullahu triumfon në turneun ndërkombëtar “Vardaris 2026”

Më 23 shkurt 2026, në Selanik u zhvillua Turneu Ndërkombëtar i Shahut “Vardaris 2026”, ku talenti 12 vjeçar Jon Fejzullahu nga Shkupi (Maqedonia e Veriut) u rendit i pari në kategorinë C, për lojtarë me rejting deri në 1600 pikë.

Fejzullahu e përmbylli garën me 6 pikë nga 7 ndeshje, duke mbetur i pamposhtur gjatë gjithë turneut. Paraqitja e tij u karakterizua nga stabiliteti në lojë, disiplinë e theksuar taktike dhe qartësi në vendimmarrje, veçanërisht në momentet kyçe të partive, ku arriti të ndërtojë dhe të ruajë epërsi ndaj kundërshtarëve.

Ky sukses u reflektua edhe në rritjen e rejtingut me 76 pikë, një avancim domethënës që konfirmon progresin e tij të qëndrueshëm dhe e afron me nivele më të larta konkurrimi në arenën ndërkombëtare.

Zhvillimi i tij sportiv mbështetet në një qasje të strukturuar  me përgatitje sistematike, analizë të detajuar të partive dhe përkushtim të vazhdueshëm në stërvitje. Ekipi i tij tashmë është i angazhuar në analizën e ndeshjeve të zhvilluara në Selanik, me fokus identifikimin e elementeve për përmirësim të mëtejshëm teknik.

Sipas trajnerit të tij, Orce Dançevski, kjo paraqitje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt niveleve më të larta të shahut për të rinj, duke theksuar se loja e Jonit në këtë turne dëshmon potencial të qartë për avancim të mëtejshëm.

Sfida e radhës për Fejzullahun do të jetë turneu “Berger Kalorësi i Vogël 2026” për grupmoshat deri në 12 vjeç, ku ai pritet të renditet ndër pretendentët kryesorë.

Një rol të rëndësishëm në këtë rrugëtim luan edhe mbështetja e vazhdueshme e nënës së tij, Adriana Lloga Fejzullahu, e cila e shoqëron dhe e përkrah në çdo fazë të zhvillimit të tij sportiv.

Rezultati i arritur në Selanik përbën një moment kyç në karrierën e hershme të Jon Fejzullahut dhe konfirmon pozicionimin e tij si një nga talentet premtuese në skenën ndërkombëtare të shahut për të rinj. Ai ka nisur të luajë shah që në moshën katërvjeçare, ndërsa zhvillimin profesional e ka vazhduar me klubin “Gambit” dhe nën drejtimin e trajnerit Orce Dançevski që nga klasa e dytë.