Ibrahim Zahiri zgjidhet kryetar i Asamblesë Komunale të Opfikonit

Në Komunën e Opfikonit, një komunë në Kantonin e Cyrihut (dhe në afërsi të Aeroportit të Cyrihut) jeton një komunitet mjaft i mdh dhe shumë aktiv i shqiptarëve. Në përputhje me këtë, edhe përfaqësimi i tyre në institucionet komunale ka qenë prej vitesh dhe vazhdon të jetë i konsiderueshëm.

Kjo traditë vazhdon: Në mbledhjen e mbajtur të hënën, në krye të Asamblesë u zgjodh aktivisti tashmë shumëvjeçar shqiptar, Ibrahim Zahiri nga GV.

Të kujtojmë: Deri pak vite më parë kryetare e Asamblesë Komunale ishte Qëndresa Sadriu nga Partia Socialdemokrate.

Në mbledhjen e parë të së hënës, këshilli i sapozgjedhur bashkiak i Opfikonit (Asambleja Komunale) emëroi kryesinë e vet dhe u dha lamtumirën anëtarëve që po largohen.

Mbledhja filloi me zgjedhjen e presidentit të ri të këshillit, i cili do të kryesojë mbledhjet deri në prill 2027, transmeton albinfo.ch. Procedurat u drejtuan nga Patrick Rouiller (në qendër), anëtari i këshillit me përvojën më të gjatë, me 27 vjet shërbim. Ibrahim Zahiri nga Gemeindeverein (Shoqata e Komunës) mori 27 nga 32 votat dhe me këtë u zgjodh kryetar për një vit. Një fletë votimi ishte bosh dhe asnjë nuk ishte e pavlefshme, shkruan stadt-anzeiger.ch.

Myrta Hey (Die Mitte) do të shërbejë si nënkryetare për 12 muajt e ardhshëm. Ajo mori 29 vota (2 bosh). Luc Sierro (Partia Liberale e Gjelbër) u zgjodh nënkryetar i dytë; ai mori votat e të gjithë anëtarëve të parlamentit të pranishëm, përcjell albinfo.ch. Këta të tre, së bashku me sekretaren e këshillit Sara Schöni, formojnë komitetin ekzekutiv të këshillit bashkiak.

Në fjalimin e tij inaugurues, Ibrahim Zahiri kujtoi fillimet e karrierës së tij politike në Opfikon: “Gjithçka filloi pikërisht këtu: U bëra president i këshillit të prindërve për shkollën Lättenwiesen”, u shpreh ai.

Në vitin 2014, Ibrahim Zahiri u zgjodh në këshillin bashkiak të Opfikonit dhe në komitetin e auditimit. Vitin e kaluar, ai pasoi kolegen e tij të partisë Rebeca Meier si nënkryetare e parë, pasi ajo ishte larguar.

Hëna Sadriu, e para nga e majta

Në Asamblenë Komunale të Opfikonit është zgjedhur si anëtare e re edhe Hëna Sadriu nga Partia e Gjelbër ndërsa anëtari i deritashëm, Fatmir Zahiri është rizgjedhur në Komisionin e Auditimit.

(Fotot: Roger Suter, stadt-anzeiger.ch)

 

Zermatt ka më shumë të huaj se zviceranë

Zermatt, qyteti i njohur turistik në Alpet zvicerane, i vendosur në këmbët e malit Matterhorn, konsiderohet në mbarë botën si një simbol i Zvicrës tradicionale, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, sipas të dhënave të fundit, ai është më ndërkombëtar se shumica e komunave të tjera në vend. Në Zermatt jetojnë 2,883 shtetas të huaj, një numër që tejkalon banorët zviceranë, të cilët janë 2,748.

Kjo situatë shpjegohet kryesisht me faktin se shumica e punonjësve në sektorin e shërbimeve turistike në resort vijnë nga jashtë vendit.

Rritja e punësimit të huaj ka bërë që Zermatt të kthehet në një qendër shumëkulturore, duke reflektuar natyrën ndërkombëtare të turizmit në Zvicër./Albinfo.ch

Zvicra me “parajsë të re tatimore” për kompanitë

Zvicra vazhdon të mbetet një nga vendet më atraktive në Evropë për kompanitë, falë taksave të ulëta. Sipas një krahasimi të ri tatimor nga kompania PwC, kantoni i Luzernit është bërë vendi më i lirë për biznes në Zvicër për vitin 2026, përcjell albinfo.ch.

Luzerni ka ulur normën e tatimit për kompanitë në 11.66%, duke kaluar kantonin e Zugut, i cili tani qëndron në 11.71%. Edhe pse diferenca është e vogël, ndryshimi e vendos Luzernin në krye të listës së kantoneve më konkurruese në Zvicër.

Në total, tetë kantone kanë ulur taksat për bizneset, përfshirë Cyrihun, Aargau, Schwyz dhe Basel-Landschaft. Ndërkohë, katër kantone i kanë rritur lehtë normat tatimore, mes tyre Basel-Stadt, Schaffhausen, Solothurn dhe Jura.

Në anën tjetër, kantoni i Bernës mbetet më i shtrenjti në Zvicër për kompanitë, me një normë prej 20.54%, pothuajse dyfish më e lartë se në Luzern. Edhe Cyrihu vazhdon të jetë në grupin e kantoneve me taksa më të larta, pavarësisht një uljeje të lehtë në 19.47%.

Ky zhvillim e forcon edhe më shumë konkurrencën tatimore brenda Zvicrës, duke e bërë vendin një prej destinacioneve më tërheqëse në Evropë për investime dhe kompani ndërkombëtare./Albinfo.ch

Zyrtarisht: Zvicra vendos kontrolle kufitare gjatë samitit të G7 në Francë

Qeveria e Zvicrës ka njoftuar vendosjen e kontrolleve të përkohshme në kufi gjatë samitit të G7, i cili do të mbahet nga 15 deri më 17 qershor në qytetin Évian të Francës, përcjell albinfo.ch.

Duke qenë se Évian ndodhet vetëm rreth 45 kilometra larg Gjenevës, Këshilli Federal ka vendosur që kontrollet kufitare mes Zvicrës dhe Francës të zbatohen nga 10 deri më 19 qershor.

Autoritetet zvicerane theksojnë se, edhe pse samiti zhvillohet në territorin francez, rajoni i Gjenevës dhe Lozanës, si dhe i gjithë zona e Liqenit të Gjenevës, mund të përballet me rreziqe sigurie.

Sipas Këshillit Federal, masat janë të domosdoshme duke marrë parasysh përvojat e mëparshme, ku samitet e G7 janë shoqëruar me përleshje të dhunshme, sabotime dhe dëmtime të pronës.

Kontrollet synojnë të rrisin sigurinë në rajon gjatë periudhës së samitit dhe të parandalojnë çdo incident të mundshëm./Albinfo.ch

Zvicër: Gjenden 14 kilogramë kokainë të fshehura në parakolpin e veturës

Në Zvicër, gjatë një kontrolli rutinë në autostradë, autoritetet kanë zbuluar një rast të madh të trafikut të drogës. Të shtunën, në zonën e pushimit në Pratteln, në kantonin Basel-Landschaft, zyrtarët e Drejtorisë Federale të Doganës dhe Sigurisë së Kufirit (BAZG) kanë ndalur një veturë me targa gjermane, përcjell albinfo.ch.

Në timon ndodhej një shtetas kroat 39-vjeçar. Pas intervistimit fillestar, autoritetet vendosën ta kontrollojnë automjetin në mënyrë më të detajuar në Arlesheim.

Gjatë kontrollit teknik, specialistët zbuluan në pjesën e pasme të parakolpit (stossstange) 14 pako me nga një kilogram kokainë secila – gjithsej 14 kilogramë drogë.

Substanca u sekuestrua menjëherë dhe iu dorëzua Prokurorisë së Basel-Landschaft, ndërsa shoferi u arrestua dhe ndodhet në paraburgim. Ndaj tij është hapur edhe një procedurë penale, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Autoritetet zvicerane kanë theksuar se kontrollet e tilla do të vazhdojnë në mënyrë të intensifikuar, sidomos në zonat kufitare dhe në autostradat kryesore./Albinfo.ch

9-vjeçari nga Gjeneva: Dua të bëhem kampioni i parë zviceran në Formula 1

Vetëm 9 vjeç, por me një ambicie të qartë: të bëhet kampioni i parë zviceran në Formula 1. Aiden Moreira nga Gjeneva po konsiderohet një nga talentet më premtuese në botën e kartingut dhe tashmë garon në nivelin elitar ndërkombëtar në kategorinë Mini U10, transmeton albinfo.ch.

I riu zviceran stërvitet katër herë në javë dhe merr pjesë në rreth 26 gara çdo vit. Synimi i tij është i madh: të arrijë në Formula 1 dhe një ditë të garojë për ekipin McLaren.

Gjatë një fundjave garash në pistën “South Garda Karting” në Itali, ku mblidhen talentet më të mira të botës në karting, Aiden ishte mes pjesëmarrësve në turneun prestigjioz Trofeo Andrea Margutti. Ai garon për ekipin e njohur CRG Racing Team.

I shoqëruar nga babai i tij, Duarte Moreira, Aiden kaloi disa ditë intensive me stërvitje dhe gara, duke treguar pasionin e tij për shpejtësinë dhe disiplinën në pistë, shkruan Blick.

Në paddock, mes zhurmës së motorëve dhe erës së gomave të djegura, i riu nga Gjeneva vazhdon të ndjekë ëndrrën e tij të madhe – një rrugë e gjatë që mund ta çojë një ditë në majën e motorsportit botëror./Albinfo.ch

Çfarë i ndodh trupit gjatë një fluturimi me avion?

Udhëtimi me avion për shumë njerëz është një përvojë e këndshme, por gjatë fluturimeve të gjata organizmi mund të përjetojë disa ndryshime fizike dhe psikologjike. Sipas ekspertëve, presioni, ajri i thatë dhe qëndrimi i gjatë ulur ndikojnë në mënyrën se si ndihemi gjatë udhëtimit, përcjell albinfo.ch.

Fryrje dhe mpirje të këmbëve
Qëndrimi ulur për një kohë të gjatë dhe mungesa e lëvizjes mund të shkaktojnë fryrje ose mpirje të këmbëve. Për këtë arsye rekomandohet që pasagjerët të lëvizin herë pas here në kabinë dhe të bëjnë ushtrime të lehta për këmbët.

Ndryshon perceptimi i shijes
Studimet tregojnë se gjatë fluturimit mënyra se si funksionojnë shqisat e shijes ndryshon. Për këtë arsye ushqimet dhe pijet mund të kenë një shije tjetër nga ajo që jemi mësuar të ndiejmë në tokë.

Probleme me lëkurën
Ajri i thatë brenda avionit mund të shkaktojë dehidratim, duke çuar në tharje të lëkurës apo edhe irritime. Ekspertët rekomandojnë konsumimin e ujit dhe përdorimin e kremrave hidratues gjatë fluturimit.

Dhimbje apo bllokim të veshëve
Ndryshimet e presionit gjatë ngritjes dhe uljes së avionit shpesh shkaktojnë dhimbje ose bllokim të veshëve. Përdorimi i kufjeve ose përtypja e çamçakëzit mund të ndihmojë në lehtësimin e këtij problemi.

Rritje e nervozizmit
Edhe personat që nuk kanë frikë nga fluturimi mund të ndihen më nervozë gjatë udhëtimit. Kjo shpesh lidhet me lodhjen, mungesën e kontrollit mbi situatën dhe ambientin e mbyllur. Shikimi i një filmi, leximi i një libri apo gjumi mund të ndihmojnë në uljen e stresit gjatë fluturimit./Albinfo.ch

Dy autorë shqiptarë vlerësohen në një konkurs ndërkombëtar letrar në Itali

Dy autorë shqiptarë janë vlerësuar me çmime në edicionin e shtatë të Konkursit Ndërkombëtar të Letërsisë dhe Arteve Pamore “Çfarë nuk di Kaini”, të organizuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari, transmeton albinfo.ch.

Shkrimtari nga Kosova Lan Qyqalla fitoi Çmimin e Dytë në kategorinë e prozës së shkurtër për autorët që jetojnë jashtë Italisë, me tregimin “Femra që refuzoi të hesht”.

Ndërkohë, poeti nga Shqipëria Nikollë Loka u nderua me çmimin “Eccellenza Internazionale” në kategorinë e poezisë për autorët jashtë Italisë, për poezinë “Non osate!” (“Mos guxoni!”).

Sipas organizatorëve, veprat janë vlerësuar në mënyrë anonime, vetëm mbi bazën e titullit dhe përmbajtjes, duke garantuar një proces të drejtë dhe profesional të vlerësimit. Ky sukses konsiderohet një tjetër dëshmi e prezencës së vazhdueshme të letërsisë shqiptare në arenën ndërkombëtare. /Albinfo.ch

Mund të jetë një imazh i teksti

Mund të jetë një imazh i teksti

Kosovë: Sot afati i fundit për partitë për të konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme

Sot është dita e fundit që partitë politike të regjistruara në Kosovë të njoftojnë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës lidhur me pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, si dhe për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se ky proces ka nisur më 1 maj dhe përfundon sot, më 7 maj.

Sipas tij, deri të mërkurën në orën 12:00, KQZ-ja ka pranuar njoftim për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike, ndërsa katër parti të tjera kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë.

“KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike; mospjesëmarrjen nga katër të tjera dhe formimin e një koalicioni të përbërë nga dy parti politike”, ka deklaruar Elezi.

Deri më tani është regjistruar vetëm një koalicion parazgjedhor, i formuar nga dy parti boshnjake: Demokratska Stranka Boshnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, të cilat kanë regjistruar koalicionin me emrin Koalicija VAKAT.

Sipas KQZ-së, ky proces vlen vetëm për partitë politike që aktualisht janë të regjistruara në regjistrin zyrtar të partive politike në Kosovë.

“Këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Elezi.

Nga ana tjetër, KQZ-ja ka bërë të ditur se njoftimi për pjesëmarrje në zgjedhje dhe regjistrimi i koalicioneve është një proces i ndarë nga aplikimi për certifikimin e subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë.

Sipas Elezit, afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike ka filluar më 2 maj dhe do të zgjasë deri më 10 maj.

Gjatë kësaj periudhe, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur duhet të dorëzojnë aplikimin për certifikim në KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar, në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, dorëzimi i listave me emrat e kandidatëve për deputetë ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026.

Sipas KQZ-së, subjektet politike – përfshirë partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – kanë një afat 11-ditor për të dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor 2026. Procesi i dorëzimit të listave bëhet përmes platformës elektronike dhe është i ngjashëm me procedurat e zgjedhjeve të fundit të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar./Albinfo.ch

Granit Maqedonci, arbitri profesionist me origjinë nga Kosova në elitën e futbollit suedez

Bëhet fjalë pë arbitrin ndërkombëtar të futbollit, Granit Maqedonci, i cili ka arritur një karrierë të shquar në futbollin profesionist suedez dhe ndërkombëtar, trandmeton albinfo.ch.

Granit Maqedonci ka lindur më 25 mars 1989 në Prishtinë, por familja e tij u zhvendos në Suedi në moshë të vogël, ku ai nisi karrierën si arbitër futbolli. Maqedonci është një prej arbitrit profesionistë në kampionatin e elitës suedeze, Allsvenskan, ku ka gjykuar mbi 100 ndeshje deri më sot.

Ai është ndër arbitrat profesionalë në Suedi dhe ka debutuar në ligë të parë më 4 gusht 2018. Në vitet e fundit, Maqedonci ka gjykuar ndeshje në nivele të ndryshme, përfshirë Allsvenskan, Kupën suedeze (Svenska Cupen) dhe kompeticione evropiane si fazat kualifikuese të UEFA Europa League dhe Conference League.

Përveç aktiviteteve në ligat kombëtare, ai ka shërbyer edhe si zyrtar në ndeshje ndërkombëtare, duke përfshirë role si zyrtar i katërt në kompeticionet e UEFA-s.

Edhe Ambasada e Kosovës në Stockholm vlerëson lart sukseset e Granit Maqedoncit dhe përfaqësimin dinjitoz që ai i bën profesionistëve me origjinë nga Kosova, duke shërbyer si shembull inspirimi për gjeneratat e reja të arbitrit shqiptarë në diaspora./Albinfo.ch

Shpërthimi i hantavirusit në anijen MV Hondius: 3 të evakuuar, rreziku global i ulët

Tre persona janë evakuuar nga anija turistike holandeze MV Hondius, e cila është bërë epiqendra e një shpërthimi të hantavirusit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), dy prej të evakuuarve janë anëtarë të ekuipazhit të sëmurë, ndërsa personi i tretë ka qenë në kontakt me një rast të konfirmuar.

Të tre personat u transportuan fillimisht nga Praia, kryeqyteti i Kepit të Gjelbër, me dy fluturime mjekësore drejt Evropës. Njëri avion u ul në aeroportin e Amsterdamit, ku pacienti u përgatit për trajtim në Qendrën Mjekësore Universitare të Leidenit (LUMC). Avioni tjetër u ul në Gran Canaria, por dy pacientët u detyruan të ndryshojnë avion për shkak të një problemi teknik.

Anija drejt Ishujve Kanarie

Autoritetet spanjolle kanë njoftuar se anija do të ankorohet brenda tre ditësh në portin e Granadillës në Tenerife, pavarësisht kundërshtimeve të autoriteteve rajonale. Sipas planit të autoriteteve spanjolle, në mungesë të rasteve kritike, pasagjerët e huaj do të riatdhesohen pas mbërritjes në Kanarie.

Që nga fillimi i lundrimit, tre persona kanë humbur jetën – një çift nga Holanda dhe një grua gjermane. Anija po udhëtonte nga Ushuaia (Argjentinë) drejt Kepit të Gjelbër, kur u shfaqën rastet e para të infeksionit.

Aktualisht, një pacient ndodhet i shtruar në Johanesburg, ndërsa një tjetër po trajtohet në Zvicër.

Dyshohet transmetim nga njeriu te njeriu

Sipas OBSH-së, ekziston dyshimi se disa nga rastet fillestare janë infektuar jashtë anijes, ndërsa më pas ka ndodhur transmetim mes njerëzve. Një variant i virusit të zbuluar, i njohur si “Andes”, është i vetmi që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu, kanë konfirmuar autoritetet shëndetësore.

Hantaviruset zakonisht transmetohen nga brejtësit dhe mund të shkaktojnë sëmundje të rënda respiratore, ndaj kërkojnë monitorim të kujdesshëm.

OBSH: rreziku global mbetet i ulët

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka deklaruar se rreziku për shëndetin publik global “mbetet i ulët” dhe se situata nuk është e krahasueshme me fillimin e pandemisë së COVID-19.

Ekspertët theksojnë se transmetimi mes njerëzve ndodh vetëm në kushte kontakti të afërt dhe të zgjatur, si në rastin e një anijeje kroçiere.

Autoritetet shëndetësore në disa vende po vazhdojnë gjurmimin e personave që mund të kenë qenë në kontakt me të infektuarit, për masa paraprake.

Qeveria federale zvicerane kërkon dënime më të rënda për vjedhjen e biçikletave

Qeveria federale e Zvicrës ka mbështetur një propozim për ashpërsimin e dënimeve ndaj vjedhjes së biçikletave dhe e-bikave. Masa lidhet me rastet e ashtuquajtura “vjedhje për përdorim”, kur mjeti merret vetëm për t’u përdorur përkohësisht pa qëllim mbajtjeje.

Sipas propozimit të deputetit Lukas Reimann (SVP/SG), vjedhjet e biçikletave me vlerë të konsiderueshme nuk duhet të trajtohen më si vepra të lehta penale, pasi aktualisht shpesh ndëshkohen vetëm me gjoba të vogla, transmeton albinfo.ch.

Në Zvicër raportohen mbi 50,000 vjedhje biçikletash çdo vit. Autoritetet theksojnë se lehtësime në ndëshkim mund të aplikohen vetëm në raste të veçanta, si marrëdhënie familjare ose kur ekziston leje për përdorimin e mjetit që është abuzuar. Në të gjitha rastet e tjera kërkohen sanksione më të ashpra penale.

Dalin detaje të reja për iniciativën kundër emigracionit në Zvicër

Gjithnjë e më shumë detaje po bëhen publike rreth iniciativës kontroverse “No to 10 million”, për të cilën qytetarët zviceranë do të votojnë më 14 qershor.

Propozimi i promovuar nga Swiss People’s Party (SVP) synon të kufizojë emigracionin në mënyrë që popullsia e Zvicrës të mos kalojë shifrën prej 10 milionë banorësh. Sipas partisë, rritja e popullsisë po ushtron presion të madh mbi banesat, transportin publik, sistemin shëndetësor dhe shkollat, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Sipas detajeve të reja, SVP po planifikon rikthimin e sistemit të kuotave për emigracionin, të ngjashëm me modelin që Zvicra kishte para marrëveshjes për lëvizjen e lirë me Bashkimin Evropian në vitin 2001.

Partia po diskuton që numri i shtetasve nga BE-ja dhe EFTA që do të lejohen të vijnë për punë në Zvicër të kufizohet mes 40 mijë dhe 60 mijë personave në vit.

Aktualisht, në vitet e fundit, emigracioni nga këto vende ka lëvizur mes 50 mijë dhe 70 mijë personave në vit.

Megjithatë, shumë pyetje vazhdojnë të mbeten pa përgjigje:

a do të duhet që qytetarët e BE-së të aplikojnë paraprakisht për leje pune?

a do të jenë kontratat e tyre të kufizuara në kohë?

çfarë do të ndodhë me emigrantët nga vendet jashtë BE-së?

Edhe vetë SVP ka pranuar se shumë detaje do të duhet të përcaktohen më vonë nga qeveria dhe parlamenti zviceran.

Ndërkohë, iniciativa po vazhdon të fitojë mbështetje. Sipas një sondazhi të fundit të publikuar nga Tamedia, rreth 52% e votuesve janë aktualisht në favor të propozimit, ndërsa 46% kundër. Shqetësimet kryesore të mbështetësve lidhen me sigurinë, mungesën e banesave dhe presionin mbi infrastrukturën publike.

Nga ana tjetër, qeveria zvicerane, bizneset, universitetet, sindikatat dhe organizatat e policisë kanë paralajmëruar se miratimi i iniciativës mund të dëmtojë ekonominë dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Pse shumë amerikanë në Zvicër po heqin dorë nga pasaporta amerikane

Numri i amerikanëve që jetojnë në Zvicër dhe po heqin dorë nga shtetësia amerikane po vazhdon të rritet, por këtë herë arsyet nuk lidhen vetëm me taksat dhe rregullat financiare.

Sipas raportimeve të fundit, gjithnjë e më shumë shtetas amerikanë në Zvicër po marrin këtë vendim për shkak të klimës politike në SHBA dhe rikthimit të Donald Trump në skenën politike.

Fenomeni nuk është i ri. Amerikanët që jetojnë jashtë vendit, përfshirë në Zvicër, prej vitesh ankohen për barrën e rëndë administrative dhe fiskale që SHBA u imponon qytetarëve të saj, edhe kur jetojnë jashtë territorit amerikan, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Një nga problemet kryesore mbetet sistemi amerikan i taksimit mbi bazën e shtetësisë, që detyron qytetarët amerikanë të deklarojnë dhe në disa raste të paguajnë taksa në SHBA edhe nëse jetojnë përgjithmonë jashtë vendit. Kjo ka krijuar vështirësi të mëdha edhe me bankat zvicerane, të cilat shpesh shmangin klientët amerikanë për shkak të rregullave të komplikuara të FATCA.

Sipas mediave zvicerane, ambasada amerikane në Bern po përballet me rritje të kërkesave për heqje dorë nga shtetësia, ndërsa terminet për këtë procedurë janë shtuar ndjeshëm.

Një faktor tjetër që ka nxitur interesimin është edhe ulja drastike e tarifës për heqjen dorë nga shtetësia amerikane. SHBA ka reduktuar së fundmi tarifën prej 2,350 dollarësh me rreth 80%, duke e bërë procesin shumë më të përballueshëm për qytetarët jashtë vendit.

Sipas vlerësimeve, më shumë se 30 mijë amerikanë kanë hequr dorë nga shtetësia amerikane në dekadën e fundit në nivel global.

SHBA kërcënon BE-në

Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë presion ndaj Bashkimit Evropian për të lejuar qasje në databaza të ndjeshme policore dhe biometrike, duke paralajmëruar se në të kundërt mund të pezullohet udhëtimi pa vizë për qytetarët evropianë.

Bëhet fjalë për një marrëveshje të re të quajtur “Enhanced Border Security Partnership” (EBSP), përmes së cilës Washingtoni kërkon qasje në të dhëna si:

gjurmë gishtash

fotografi biometrike

informacione policore dhe të emigracionit.

Administrata amerikane ka vendosur si afat fundin e vitit 2026 për arritjen e marrëveshjes, duke paralajmëruar se vendet që nuk pranojnë kushtet mund të humbin aksesin në programin ESTA, që aktualisht u lejon qytetarëve të BE-së të udhëtojnë në SHBA pa vizë për deri në 90 ditë.

Propozimi ka shkaktuar reagime të forta në Evropë. Disa eurodeputetë e kanë quajtur kërkesën amerikane “shantazh”, ndërsa organizatat për mbrojtjen e privatësisë paralajmërojnë për rrezik të madh ndaj të drejtave të qytetarëve evropianë, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Sipas kritikëve, marrëveshja do t’i lejonte autoritetet amerikane të përdorin të dhënat për kontroll kufitar, profilizim dhe madje për ndalim hyrjeje ndaj personave që kanë shprehur publikisht kundërshtim ndaj politikave amerikane.

Ekspertët e privatësisë paralajmërojnë gjithashtu se kjo do të ishte hera e parë që Bashkimi Evropian do të pranonte ndarje masive të të dhënave personale me një shtet jo-anëtar për qëllime kufitare dhe emigracioni.

Debati po zhvillohet në një moment tensioni në marrëdhëniet transatlantike, ndërsa BE-ja përballet me dilemë mes ruajtjes së udhëtimit pa vizë dhe mbrojtjes së standardeve të privatësisë dhe të drejtave themelore të qytetarëve.

Pse gjithnjë e më shumë zviceranë po punojnë me orar të reduktuar?

Puna me kohë të pjesshme po vazhdon të rritet në Zvicër, ndërsa gjithnjë e më shumë punonjës po zgjedhin të reduktojnë orarin e punës për arsye personale, familjare dhe të mirëqenies.

Sipas analizave të fundit mbi tregun e punës, rreth 4 në 10 persona të punësuar në Zvicër punojnë më pak se 37 orë në javë, duke e bërë vendin një nga shtetet me përhapjen më të madhe të punës part-time në Evropë, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe nga perceptimi se të rinjtë janë grupi që preferon më shumë punën me orar të reduktuar, një analizë e Shoqatës Zvicerane të Punëdhënësve tregon se pikërisht personat mbi 50 vjeç janë ata që më shpesh zgjedhin të mos punojnë me orar të plotë.

Sipas ekonomistit Patrick Chuard-Keller, arsyeja kryesore është financiare: personat më të moshuar kanë të ardhura dhe kursime më të larta, prandaj mund ta përballojnë më lehtë reduktimin e orarit të punës.

Tek grupmoshat e reja, arsyeja kryesore mbetet arsimimi dhe studimet, ndërsa në moshën 30-44 vjeç një rol të madh luan kujdesi për fëmijët. Gratë vazhdojnë ta përmendin shumë më shpesh përgjegjësinë familjare si arsye për të punuar part-time.

Ekspertët theksojnë gjithashtu se puna me kohë të pjesshme nuk është gjithmonë zgjedhje e lirë. Në disa sektorë, sidomos pastrimi dhe kujdesi për të moshuarit apo fëmijët, shumë punonjës marrin vetëm orë të pjesshme pune dhe nuk arrijnë të sigurojnë një punë me orar të plotë.

Një faktor tjetër është edhe stresi në rritje në vendin e punës. Sipas debatit të fundit në Zvicër, intensiteti dhe ngarkesa e lartë e punës po shtyjnë shumë njerëz të ulin përqindjen e punës për të ruajtur balancën mes jetës private dhe asaj profesionale.

Megjithatë, fenomeni po shkakton debat politik dhe ekonomik. Disa qarqe ekonomike paralajmërojnë se rritja e punës part-time po zvogëlon potencialin e fuqisë punëtore në një kohë kur vendi përballet me mungesë punonjësish në disa sektorë.

 

 

Më 9 maj finalja e Superkupës së Diasporës

Finalja e madhe e Superkupës së Diasporës për vitin 2026 do të zhvillohet ndërmjet FC Kosova Genève dhe FC Prishtina.

Data: E shtunë, 9 maj 2026

Ora: 16:30

Vendi: Stade des Arbères, Meyrin (Gjenevë, Zvicër)

Kjo ndeshje konsiderohet një moment historik për komunitetin shqiptar në Gjenevë dhe si një urë lidhëse ndërmjet futbollit të diasporës dhe atij të Kosovës.

FC Kosova Gjenevë arriti në finale pasi fitoi Kupën e Diasporës kundër FC Kosova Düsseldorf, transmeton albinfo.ch.

Biletat:https://infomaniak.events/fr-ch/sport/supercoupe-de-la-diaspora-fc-kosova-geneve-fc-prishtina/b6f10619-1265-4f5a-b910-8cac651ddbb8/event/1624641?fbclid=IwY2xjawRoDeBleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFENWRZS29jbnp5ZXFxSWtXc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHnu9lguX1ac1KG_KpgE7vNr-6l98EmTiQoLrVNupFW3stbliERIZFHwQ4JzE_aem_fipSSP10L-_Ws8lgZG06Uw

Libri me poezi ‘‘I dashtuni im zdrukthtar’’ do të promovohet edhe në Vjenë

Njëri ndër librat më kërkuar në panairin e fundit të librit në Tiranë vjen edhe në Vjenë. Autorja e kësaj përmbledhje me poezi, që mban një titull me simbolikë shumëdimensionale, Gabriela Mujaj, e cila edhe vetë, tash e sa vite, jeton dhe studion në kryeqytetin e Austrisë, do të prezantohet para publikut artdashës shqiptar të premten, me 8 maj 2026 duke nisur nga ora 19:00.

Ky libër u editua nga shtëpia botuese Onufri, njëra ndër më prestigjiozet në Shqipëri, botuese e veprave të Kadaresë. Ky fakt i bën nder jo vetëm autores por edhe Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Mosiu’’, anëtare e së cilës ajo është. Redaktimin e librit e ka bërë shkrimtari shkodran Stefan Çapaliku, i cili ka shkruar edhe parathënien. Libri ka 99 poezi të shkruara në dialektin gegë.

Në një bashkëbisedim me Anton Markun autorja do të shpalosë gamën e saj krijuese duke filluar nga fëmijëria deri në ditët e sotme. Për të interpretuar disa poezi të përzgjedhura nga ky vëllim enkas nga Shqipëria do të vijnë shkrimtaret Fatmira Loci dhe Jonida Çuko. Për pjesën muzikore do të përkujdeset sopranoja Gesu Zefi, përcjellë në piano nga Vlora Melchard.

Aktiviteti do të zhvillohet në Musikquartier në adresën: Mariahilfer Straße 51, 1060 Wien.

Me këtë eveniment kulturor Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Mosiu’’ vazhdon serinë e ngjarjeve të ngjashme, të cilat ajo ka filluar t’i organizojë kohëve të fundit, që janë prezantime dhe bashkëbisedime me krijuesit qoftë nga Austria, Shqipëria, Kosova apo vendet tjera. Në shtator të vitit të kaluar mysafirë ishte përkthyesja dhe shkrimtarja austriake Andrea Grill, në nëntor krijuesit Primo Shllaku dhe Vlora Ademi, ndërsa në shkurt të këtij viti poetja Blerina Rogova-Gaxha dhe dramaturgu Emin Emini./Albinfo.at

 

FSK pjesë e panairit më të madh të mbrojtjes në Stamboll

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po merr pjesë në panairin ndërkombëtar të industrisë së mbrojtjes “SAHA Expo 2026”, i cili po mbahet në Stamboll të Turqisë, përcjell albinfo.ch.

I shoqëruar nga një delegacion i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Jashari ka marrë pjesë fillimisht në ceremoninë zyrtare të hapjes së këtij eventi, i cili konsiderohet një nga më të rëndësishmit në industrinë globale të mbrojtjes.

Gjatë vizitës, ai ka zhvilluar takime me përfaqësues dhe drejtues të institucioneve të mbrojtjes dhe forcave të armatosura të Turqisë. Në këto takime, Jashari ka prezantuar objektivat e FSK-së për zhvillim dhe modernizim, si dhe ka diskutuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha si trajnimet, stërvitjet dhe pajisjet ushtarake.

Delegacioni i FSK-së ka pasur gjithashtu mundësinë të njihet nga afër me zhvillimet më të fundit teknologjike në industrinë e mbrojtjes dhe të zhvillojë takime me prodhues të ndryshëm, me synim forcimin e kapaciteteve ushtarake.

Pjesëmarrja në “SAHA Expo 2026” vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e aftësive moderne të FSK-së në përballimin e sfidave të sigurisë./Albinfo.ch.

Aeroporti i Tiranës: Fluturimet vijojnë normalisht, furnizimi me karburant i garantuar

Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës po zhvillohen pa probleme dhe sipas planit të parashikuar, pavarësisht ndikimeve të fundit në trafikun ajror ndërkombëtar si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme.

Nga autoritetet e aeroportit bëhet e ditur se të gjitha operacionet po kryhen rregullisht, pa vonesa apo ndryshime në itinerare. Po ashtu, furnizimi me karburant është i garantuar, duke siguruar vazhdimësi të plotë të shërbimeve për të gjitha linjat ajrore që operojnë drejt dhe nga Tirana.

Autoritetet theksojnë se siguria dhe besueshmëria e shërbimit për pasagjerët mbeten prioritet kryesor, ndërsa çdo fluturim po realizohet në përputhje me standardet dhe protokollet ndërkombëtare.

Rritet inflacioni në Zvicër

Inflacioni në Zvicër ka shënuar një rritje të dukshme gjatë muajit prill 2026, duke reflektuar presionet e reja nga tregjet globale të energjisë.

Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni vjetor u rrit në 0.6% në prill, nga 0.3% që ishte në mars, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me 0.3% krahasuar me muajin paraprak, transmeton albinfo.ch.

Rritja është nxitur kryesisht nga çmimet më të larta të karburanteve dhe energjisë, përfshirë benzinën, dizelin dhe naftën për ngrohje, të cilat janë ndikuar nga zhvillimet ndërkombëtare dhe tensionet në Lindjen e Mesme.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, rritja e çmimeve është më e theksuar tek produktet e importuara, ku kostot janë rritur ndjeshëm, ndërsa edhe disa produkte ushqimore kanë shënuar rritje.

Megjithatë, inflacioni bazë – që përjashton energjinë – ka mbetur relativisht i ulët, rreth 0.3%, duke treguar se rritja e përgjithshme e çmimeve nuk është përhapur gjerësisht në të gjitha sektorët e ekonomisë.

Ekspertët kishin parashikuar një rritje të tillë, duke e lidhur atë me situatën globale dhe kostot në rritje të energjisë, ndërsa inflacioni në Zvicër vazhdon të mbetet i ulët krahasuar me vendet e tjera evropiane.

Këto zhvillime tregojnë se edhe një ekonomi e qëndrueshme si ajo zvicerane po ndikohet nga faktorët ndërkombëtarë, sidomos në sektorin e energjisë dhe importit.