Austri: Arrihet koalicioni i ri qeveritar, pa partinë populiste të djathtë

Në Austri, ÖVP konservatore, SPÖ socialdemokrate dhe Neos liberale duan të formojnë qeverinë e re. Për këtë, të shtunën pasdite, të tri partitë e kanë njoftuar presidentin federal, siç raporton ORF.

Presidenti Federal tha të shtunën pas një takimi me liderët e partive në Hofburg të Vjenës se ai kishte ndjenjën se diçka kishte përparuar vërtet dhe se negociatat për koalicionin ishin në rrugën e duhur, transmeton albinfo.at. Të tri palët janë më të gatshme për kompromis.

Koalicioni i ÖVP, SPÖ dhe Neos është aleanca e parë e tri partive në nivel federal, në Austri.

Pas zgjedhjeve parlamentare në shtator, bisedimet e para të koalicionit midis ÖVP dhe SPÖ dhe me Neos dështuan në janar, raportojnë mediat austriale. Kjo u pasua nga negociatat mes FPÖ-së së djathtë dhe ÖVP-së, por edhe këto u rrëzuan.

Partia populiste e djathtë FPÖ me liderin e saj Herbert Kickl fitoi më shumë vota në zgjedhje me pothuajse 29 për qind, përpara ÖVP me 26.3 për qind dhe SPÖ me 21 për qind.

Liberalët e partisë Neos përbënin 9.1 për qind dhe të Gjelbrit 8.2 për qind. ÖVP dhe SPÖ do të kishin një shumicë prej vetëm me një votë në Këshillin Kombëtar. Ndërsa tani, së bashku me Neos-in, ata do të kenë 110 nga 183 vende parlamentare.

Francë: Një person i vdekur e dy oficerë të plagosur, dyshohet për sulm terrorist

Një person ka vdekur dhe dy oficerë janë plagosur në një sulm me thikë që ka ndodhur sot në Francë.

Policia po mbledh provat në Mulhouse, e cila ndodhet vetëm disa kilometra larg kufirit me Gjermaninë.

Sipas njoftimit nga autoritetet, i dyshuari ka plagosur rëndë dy policë, një në qafë dhe një në gjoks. Një kalimtar ka tentuar të ndërhyjë dhe është vrarë, transmeton albinfo.ch.

I dyshuari është një algjerian 37-vjeçar, i cili kishte marrë një urdhër deportimi për shkak se ishte në listën e vëzhgimit të terrorizmit, sipas prokurorit vendas.

Prokurori ka hapur një hetim terrorist sepse i dyshuari thuhet se ka bërtitur “Allahu Akbar”.

Gjykatësi federal miraton planin e Trumpit për të shpërbërë USAID-in

Gjykatësi federal, Carl Nichols ka marrë vendimin që hapi rrugën për një nga hapat e fundit të administratës së presidentit, Donald Trump në shpërbërjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Në fakt, ky vendim i jep administratës së presidentit të fillojë tërheqjen e mijëra punonjësve të USAID-it nga e gjithë vendi dhe bota. Gjykatësi nuk pranoi t’i mbajë ata përkohësisht në detyrë, që do të thotë se tani fillon afati 30-ditor për kthimin e punonjësve të USAID-it nga jashtë, me shpenzimet e qeverisë amerikane, transmeton albinfo.ch.

Vendimi pason një padi të paraqitur nga sindikatat në emër të punonjësve të Agjencisë, duke përfshirë ata që rrezikojnë të mbeten jashtë vendit.

Në padi pretendohet se administrata e Trumpit ka vonuar kthimin e punonjësve dhe bashkëshortëve të tyre nga jashtë, duke rrezikuar ata që tashmë janë në arrati nga dhuna politike në Kongo, pa asnjë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Padia gjithashtu sfidon kushtetutshmërinë e shpërbërjes së USAID-it, duke argumentuar se një veprim i tillë do të kërkonte miratimin e Kongresit. Megjithatë, gjykatësi Nichols vlerësoi se kjo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet në përputhje me ligjin federal të punësimit dhe jo në një gjykatë rrethi, raporton Politico.

Kosovë: Qindra çifte në listë të pritjes për IVF në QKUK

Mes kushteve të vështira spitalore, mungesës së barnave dhe ikjes së mjekëve, një çështje që prej kohësh dominon diskutimet rreth sistemit të kujdesit shëndetësor të Kosovës, është edhe funksionalizimi i vonuar i repartit për IVF, apo fertilizim të asistuar mjekësor.

Nëntorin e kaluar, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se reparti brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) do të funksionalizohet në mes të dhjetorit.

Të martën e 18 shkurtit, REL-i u informua nga burimet e veta në QKUK se barnat dhe materialet shpenzuese për IVF, nuk janë siguruar ende në repartin e QKUK-së.

Merret vesh se tenderi për zgjedhjen e ofertuesit është hapur, por nuk dihet se deri ku ka arritur procedura.

Në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku ndodhet reparti i IVF-së, thonë se në dy muajt e fundit janë bërë konsultime të shumta me çiftet që duan të bëhen prindër përmes IVF-së.

REL-i pa se lista e pritjes për konsultime të tilla ka shkuar në rreth 1.000 raste dhe se disa prej tyre duhet të presin përtej muajit të katërt të vitit.

“Jam duke pritur me padurim, sepse nuk i kemi kushtet të provojmë në institucione private”, i tha Radios Evropa e Lirë Valoni, i cili bashkë me bashkëshorten kanë termin për konsultime në prill.

“Kjo do të jetë një mundësi ideale”, tha çifti, i cili ka tetë vjet martesë dhe nuk ka fëmijë.

Punonjësit në Gjinekologji thonë se për shkak të interesimit të lartë, kjo klinikë ka shtuar ditët e pranimit të kërkesave për kontrolle dhe konsultime – nga tri sa ishte më herët në pesë.

Shefi i repartit të IVF-së, Leandrit Bejtullahu, shpreh bindjen se punët janë duke shkuar në drejtimin e duhur.

“Jemi në fazën përgatitore, kur pacientët vijnë me analiza dhe vlerësohet nëse i plotësojnë kriteret ose jo… Pas përgatitjes së tyre, vjen faza e stimulimit”, thotë Bejtullahu.

Bejtullahu thotë se mosha deri në 42 vjeçe për gratë që duan t’i nënshtrohen IVF-së, është caktuar në bazë të standardeve ndërkombëtare.

Por, kjo nuk është pritur mirë nga një 45-vjeçare, që i është drejtuar QKUK-së për këtë procedurë.

“Më thanë se rastet i pranojnë vetëm deri në moshën 42-vjeçare. Unë nuk e di se çka është kjo, përse të përcaktohet mosha? Nuk është në rregull kjo punë”, tha ajo për REL-in, teksa dilte nga ndërtesa e QKUK-së, javën e kaluar.

“Unë kam provuar IVF edhe në spitalet private. Mjekët nuk më kanë thënë kurrë se nuk bën”, u shpreh ajo.

Si është aplikuar IVF në Kosovë?

Kosova ka ligj për shëndetin riprodhues, ku bën pjesë edhe IVF-ja, qysh në vitin 2007.

Por, në mungesë të repartit të IVF-së në QKUK, procedura ka mundur të bëhet vetëm në spitale private, ku kushton deri në 3.000 euro.

Procedura, nëse nuk është e suksesshme herën e parë, mund të përsëritet së paku edhe dy herë të tjera, sipas rekomandimeve.

Në QKUK, ky shërbim do të ofrohet falas dy herët e para, ndërsa më pas çmimi për procedurë do të jetë rreth 670 euro.

Ndërtimi i repartit për IVF në QKUK ka nisur në vitin 2020 dhe drejtuesit e atëhershëm të QKUK-së janë zotuar se procedura do të nisë të aplikohet në vitin 2021.

Vonesat që janë shfaqur ndërkohë, janë lidhur me pandeminë COVID-19, e cila e ka zhvendosur fokusin tek emergjenca e shëndetit publik.

Përndryshe, investimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të SHSKUK-së në ngritjen e repartit të IVF-së kanë arritur vlerën e 1.9 milion eurove.

Pa marrë parasysh se kur do të nisë së aplikuari, diskutimet për këtë procedurë pritet të vazhdojnë edhe për një kohë, pasi një projektligj për shëndetin prodhues ka mbetur pezull.

Ai ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës qysh në vitin 2023, por nuk ka shkuar më tej, për shkak se disa deputetë i kanë kundërshtuar dispozitat, sipas të cilave qasje në IVF mund të kenë të gjitha gratë, pa marrë parasysh statusin e tyre – qofshin beqare, qofshin në një çift homoseksual apo heteroseksual.

Arsyetimet e këtyre deputetëve kanë qenë se “duan të mbrojnë institucionin e familjes” – gjë që është kundërshtuar nga përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut.

Fertilizimi i asistuar, i njohur si IVF, është një procedurë mjekësore përmes së cilës një grua mund të mbetet shtatzënë, nëse një gjë të tillë nuk mund ta arrijë në mënyrë natyrale.

Për IVF duhen qelizat riprodhuese – qelizat vezë dhe spermatozoidet – dhe embrionet, të cilat ruhen në banka të qelizave riprodhuese./REL

Shqiptarët në vendin e dytë për kthim nga vendet e BE-së gjatë vitit 2024

Në vendin e dytë pas gjeorgjianëve për numrin e lartë të kthimeve vullnetare apo të detyruara nga një vend evropian në një vend të tretë gjatë vitit 2024, qëndrojnë qytetarët shqiptarë.

Sipas të dhënave të Agjencisë evropiane për statistikat, Eurostat dhe Agjencisë së Ruajtjes së Kufijve, FRONTEX, 8202 shtetas shqiptarë me qëndrim jo të rregullt u detyruan nga autoritetet policore të lënë një vend të Bashkimit Europian gjatë vitit 2024.

Në vitin 2023, 17425 shtetas shqiptarë u urdhëruan të largoheshin nga BE-ja, dhe 7870 prej tyre u kthyen efektivisht. Në vitin 2021, FRONTEX raportoi se 5398 migrantë shqiptarë të paligjshëm janë kthyer me forcë, duke shënuar një rritje krahasuar me vitin paraardhës 2020 ku ishin kthyer 4801 shtetas shqiptarë, transmeton albinfo.ch.

Ritmet e larta të emigrimit të shqiptarëve vijojnë të prodhojnë tregues të lartë të kthimeve të detyruara dhe refuzimit të qëndrimit nga vendet e Bashkimit Evropian.

Shtetasit shqiptarë me urdhra largimi edhe gjatë vitit 2024 janë zbuluar se jetonin në mënyrë të paligjshme në një nga vendet e Bashkimit Evropian, shkruan VOA.

Shtetasit shqiptarë udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian prej Dhjetorit të vitit 2010 por në rastet e zbulimit “si të paligjshëm” nga autoritetet e një vendi të Bashkimit Evropian ata kanë shkelur afatin e qëndrimit tremujor në vendet e zonës SHENGEN apo kanë kryer veprime jashtë programit të vizës për qëllime turistike.

Sipas raporteve për migrimin në vendet e Bashkimit Evropian aktivitetet e personave nga Shqipëria, janë të lidhura kryesisht me punësimin në një kohë kur kushtet e vizitave afatshkurtra nuk e lejojnë një gjë të tillë apo me kryerjen e veprave penale ku mund të përfshihen vizitorët afatshkurtër.

Në vitin 2024, organizata europiane e ruajtjes së kufijve FRONTEX tha përmes një raporti se ndihmoi shtetet anëtare të Bashkimit Europian në kthimin e 56,262 individëve me qëndrim jo të rregullt në këto vende, duke shënuar një rritje prej 43% krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas FRONTEX-it gjeorgjianët, shqiptarët, turqit, kolumbianët dhe moldavët përbënin pesë kombësitë kryesore me kthimet më të larta të detyruara apo vullnetare nga vendet europiane gjatë vitit 2024.

Ndërkohë, sipas të dhënave paraprake nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, 1120 shtetas të tjerë shqiptarë me qëndrim të parregullt dhe dënime penale u riatdhesuan nga Britania e Madhe në Shqipëri gjatë vitit 2024 në 25 operacione riatdhesimi të realizuara përmes transportit ajror.

Më pak të huaj vijnë në Zvicër por rritet popullata me sfond migracioni

Imigrimi në Zvicër ra paksa vitin e kaluar, por popullsia e huaj rezidente vazhdoi të rritet.

Statistikat e publikuara nga Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM), tregojnë se imigrimi neto në popullsinë e huaj rezidente të përhershme ka rënë me 15.6 për qind nga një vit më parë në 83,392 persona.

Ato gjithashtu tregojnë se në fund të vitit 2024, 1,578,629 qytetarë të Bashkimit Evropian dhe EFTA (Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajni) jetonin përgjithmonë në Zvicër, së bashku me 789,735 shtetas të vendeve të treat, transmeton albinfo.ch.

Grupi më i madh i popullsisë së huaj janë italianët (346,981 persona), të ndjekur nga gjermanët (332,132), portugezët (263,028) dhe francezët (173,353).

Ja çfarë tjetër tregojnë numrat e rinj:

Më pak ardhje të reja

Migrimi neto ishte 83,392 persona deri në dhjetor 2024, nga 98,851 të regjistruara në 2023.

Konkretisht, imigrimi i “personave aktivë”, pra atyre që vijnë për të punuar në Zvicër dhe jo, të themi, për bashkim familjar, ra me 8.7 për qind (9003 persona) krahasuar me vitin 2023.

SEM e shpjegoi këtë rënie me një rënie (me 8.7 për qind) të emigrantëve që kërkojnë punësim në Zvicër, e cila, nga ana tjetër, ishte për shkak të një ngadalësimi të lehtë në tregun e punës, shkruan thelocal.

“Pas dy vitesh rritje të fuqishme ekonomike, konsolidimi i pritshëm në tregun e punës u ndje nga pranvera e 2024-ës e në vazhdim”, thuhet në njoftimin për shtyp të SEM. “Megjithatë, mungesa e fuqisë punëtore mbetet në një nivel të lartë në shumicën e sektorëve ekonomikë.”

Numri i të huajve rezidentë është në rritje

Nga ana tjetër, popullsia e huaj rezidente – ato që qëndrojnë në vend afatgjatë – vazhdoi të rritet, duke arritur në 2,368,364 persona në fund të vitit 2024, me shtetasit e BE-së dhe shteteve të EFTA-s që përbëjnë shumicën (67 për qind).

Qytetarët francezë (+7,669), afganët (+6,413) dhe gjermanët (+6,099) dominojnë renditjen, ndërsa britanikët dhe serbët panë që numri i tyre të zvogëlohet, përkatësisht me 1,179 dhe 985 persona.

Për sa i përket lejeve që i nënshtrohen kuotave për personat nga vendet e treta, 69 për qind e autorizimeve afatshkurtra L (2,779) dhe 79 për qind e lejeve B (3,543) ishin përdorur deri në fund të dhjetorit 2024.

Në lidhje me njerëzit që vijnë nga jashtë BE/EFTA, bashkimi familjar mbetet arsyeja kryesore për emigracionin, sipas SEM.

Po natyralizimi?

Rreth 40,291 persona morën shtetësinë zvicerane në vitin 2024, një rënie prej 2.4 për qind krahasuar me një vit më parë.

Tryezë me kandidatët shqiptarë të zgjedhjeve komunale në Gjenevë

Më 23 mars banorët e dyzetepesë komunave të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre të Këshillit Lokal (asambleve komunale) dhe kryetarët e komunave përkatëse.

Në prag të këtyre zgjedhjeve do të organizohet një tryezë e rrumbullakët me të gjithë kandidatët me origjinë shqiptare. Qëllimi i kësaj tryeze është ndërgjegjësimi i popullatës shqiptare me të drejtë vote në komunën në të cilën ata jetojnë. Pos kësaj, kjo tryezë ka për qëllim edhe afirmimin e kandidatëve shqiptarë në raport me popullatën shqiptare të kantonit të Gjenevës, përcjell albinfo.ch njoftimin e bërë nga zonja Limani Hiler, organizatore e tryezës.

Gjatë kësaj tryeze, kandidatët zyrtarë do të kenë mundësinë të shpalosin qëllimet e tyre të inkuadrimit në politikë dhe synimet për të ardhmen. Tryeza e rrumbullakët më tutje synon edhe frymëzimin e gjeneratave më të reja për rëndësinë e rolit qytetar në vendimet politike që prekin përditshmërinë e tyre.

Gjithashtu, zonja Limani Hiler në cilësinë e organizatores së kësaj ngjarjeje, bashkë me mediumin informativ Albswiss synon afirmimin e kandidatëve shqiptarë tek një publik më i gjerë me qëllim që ata, në këto zgjedhje lokale të jenë sa më shumë të votuar e të jenë në vendin e merituar. Kjo ngjarje do të mbahet të mërkurën më 5 mars, thuhet më tutje në njoftim.

Pritja organizohet nga ora 18:30. Në ora 19:00 fillimi i Tryezës deri në ora 20:00.

Të gjithë pjesëmarrësit luten që të konfirmojnë praninë e tyre përmes sms në këtë numër: 079 607 46 74. Na shkruani emrin, mbiemrin dhe formacionin politik në të cilin jeni të angazhuar.

Për arsye organizative konfirmimin mund ta bëni më së largu deri të martën në ora 16:00. Pasi të marrim sms-in nga ana juaj, ne iu dërgojmë adresën e vendit ku mbahet Tryeza e rrumbullakët. Për të mbuluar shpenzimet organizative pjesëmarrja juaj është e mirëseardhur. Në pritje, ne iu dëshirojmë shumë suksese dhe iu falënderojmë për pjesëmarrjen e juaj.

Sukseset iu takojnë atyre që nuk dorëzohen para sfidave të jetës”, thuhet në fund të njoftimit nga organizatorja, Mirishahe Limani Hiler.

Firmat kryesore zvicerane janë afër arritjes së kuotës gjinore në borde

Përqindja e grave në bordet e drejtorëve të pesëdhjetë kompanive më të mëdha të listuara në Zvicër aktualisht është 28%, sipas një analize të agjencisë së lajmeve AWP.

Kjo i afron kompanitë me objektivin e shpallur nga qeveria zvicerane, e cila kërkon një kuotë 30% të grave në bordet e drejtorëve të kompanive të mëdha nga viti 2026.

Këshilli Federal qeverisës prezantoi të ashtuquajturën ‘drita e kuotës së grave’ në vitin 2021. Kjo lidhet me një detyrim raportimi: nëse një kompani punëson shumë pak gra në bordin e saj të drejtorëve, ajo është e detyruar të tregojë arsyet për këtë në raportin e shpërblimit, transmeton albinfo.ch. Gjithashtu, ajo duhet të paraqesë masa për përmirësim.

Kuota e grave quhet “e lehtë”, sepse ligjet e krahasueshme jashtë vendit shpesh imponojnë kërkesa më të rrepta. Franca, Holanda dhe Austria, ndër të tjera, futën ligje të ngjashme përpara Zvicrës.

Sa kohë duhet aktualisht për të marrë nënshtetësinë austriake?

Austria njihet për një nga ligjet më të ashpra të shtetësisë në Evropë, me kërkesa strikte për qëndrim dhe procedura të gjata burokratike.

Por sa kohë duhet në të vërtetë për të natyralizuar dhe për të marrë nënshtetësinë tuaj austriake?

Përgjigja varet nga disa faktorë, duke përfshirë vendin ku jetoni, rrethanat tuaja personale dhe sa me efikasitet përpunohet aplikimi juaj.

Ndërsa disa njerëz marrin nënshtetësinë e tyre brenda një viti nga aplikimi, të tjerët përballen me vonesa shumë më të gjata, veçanërisht në Vjenë, e cila trajton shumicën e aplikimeve dhe ka disa nga kohët më të gjata të pritjes në Austri.

Sa kohë ju duhet të jetoni në Austri përpara se të aplikoni?

Para se të paraqisni një aplikim, duhet të plotësoni kërkesat strikte të qëndrimit të Austrisë.

Në shumicën e rasteve, aplikantët duhet të kenë jetuar ligjërisht në Austri për të paktën dhjetë vjet përpara se të kenë të drejtë të aplikojnë.

Megjithatë, disa individë kualifikohen pas vetëm gjashtë vjetësh nëse plotësojnë kritere specifike. Këtu përfshihen personat që kanë qenë të martuar me një shtetas austriak për pesë vjet ndërsa jetojnë së bashku, shtetas të BE-së ose ZEE-së, ata të lindur në Austri dhe individë që mund të demonstrojnë integrim të fortë personal, si arritja e nivelit B2 në gjermanisht ose puna në fusha si kujdesi shëndetësor, arsimi ose shërbimet sociale, transmeton albinfo.at.

Ekzistojnë gjithashtu përjashtime për individët që kanë bërë arritje të jashtëzakonshme në fusha të tilla si shkenca, sporti ose artet. Ata që u është dhënë shtetësia e shpejtë për këto arsye nuk kanë nevojë të plotësojnë kërkesat e qëndrimit. Përveç kësaj, pasardhësit e viktimave të persekutimit nazist mund të marrin nënshtetësinë austriake pa pasur nevojë të plotësojnë asnjë kusht qëndrimi.

Çfarë ndodh pasi të aplikoni?

Pasi të dorëzohet aplikacioni, koha e përpunimit mund të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme në varësi të vendndodhjes së kërkesës dhe nëse i gjithë dokumentacioni është në rregullin e duhur.

Vjena ka pritjet më të gjata për shkak të numrit të lartë të aplikacioneve që përpunon, shkruan thelocal. Në vitin 2024, aplikantët në Vjenë pritën mesatarisht 323 ditë vetëm për të marrë një takim për të dorëzuar aplikimin e tyre, tha për The Local departamenti i shtetësisë së qytetit, MA 35.

Pas kësaj, vetë procesi mund të zgjasë një vit ose më shumë, në varësi të kompleksitetit të çështjes dhe nëse kërkohen dokumente shtesë.

Jashtë Vjenës gjërat ecin më shpejt.

Në Graz, për shembull, autoritetet i thanë The Local se koha mesatare e përpunimit është rreth 5.5 muaj. Kryeqyteti Styrian përpunon të gjitha kërkesat nga shteti prej 1.2 milionë banorësh. Autoritetet shtuan se aplikantët nuk kanë nevojë për një takim për të aplikuar.

Në vend të kësaj, ata mund të dorëzojnë dokumentet e tyre në çdo kohë pas një shqyrtimi fillestar.

Pse procesi zgjat kaq shumë?

Disa faktorë kontribuojnë në vonesat në aplikimet për shtetësi, tha MA 35 e Vjenës.

Ligjet e shtetësisë së Austrisë janë komplekse dhe kërkojnë kontrolle të gjera, duke përfshirë verifikimin e historisë së vendbanimit, stabilitetin financiar dhe të dhënat ligjore. Autoritetet duhet të sigurojnë që aplikantët të kenë shpenzuar jo më shumë se 20 për qind të periudhës së kërkuar të qëndrimit jashtë Austrisë.

Edhe çështjet e vogla burokratike ose boshllëqet e shkurtra në punësim mund të çojnë në një shqyrtim shtesë dhe të ngadalësojnë procesin.

MA 35 thotë se verifikimi i të ardhurave është një tjetër arsye e madhe për vonesa. Aplikantët duhet të dëshmojnë se kanë qenë të pavarur financiarisht për gjashtë vitet e fundit, gjë që nuk është gjithmonë e drejtpërdrejtë. Nëse dikush ka ndërruar punë, ka marrë përfitime sociale ose ka fituar të ardhura nga jashtë, dokumentet mund të ndërlikohen dhe të kërkojnë më shumë kohë për t’u rishikuar.

Kontrollet e sigurisë zgjasin gjithashtu kohën e përpunimit. Autoritetet e shtetësisë duhet të rishikojnë të gjithë historinë ligjore të një aplikanti, duke përfshirë çdo gjobë administrative ose dosje penale, për të përcaktuar nëse ato plotësojnë kërkesat e Austrisë për të qenë një qytetar “pozitivisht”.

Këto kontrolle përfshijnë koordinimin ndërmjet agjencive të shumta qeveritare, duke shtuar vonesa të tjera.

A mund ta shpejtoni procesin?

Nuk ka asnjë mënyrë zyrtare për të përshpejtuar një kërkesë natyralizimi, por disa hapa mund të ndihmojnë në shmangien e vonesave të panevojshme.

Sigurimi që të gjitha dokumentet janë të plota dhe aktuale përpara se të aplikoni mund të parandalojë pengesat. Kontrollimi paraprak i kërkesave të përshtatshmërisë gjithashtu mund të kursejë kohë duke shmangur aplikimet që nuk ka gjasa të miratohen.

Aplikantët duhet gjithashtu të marrin në konsideratë historinë e tyre të qëndrimit dhe të shmangin periudhat e gjata jashtë Austrisë përpara se të aplikojnë. Udhëtimet e shpeshta ose të zgjatura jashtë vendit mund ta komplikojnë procesin dhe ndonjëherë të rezultojnë në refuzime të aplikimit.

Sa kohë do të prisni?

Afati kohor për marrjen e shtetësisë austriake varet kryesisht nga vendi ku përpunohet aplikimi.

Ndërsa banorët e qyteteve si Graci mund ta përfundojnë procesin në më pak se gjashtë muaj, aplikantët në Vjenë mund të presin më shumë se dy vjet nga emërimi i tyre i parë deri në miratimin përfundimtar. Ata që planifikojnë të aplikojnë duhet të përgatiten për një proces të gjatë dhe të sigurojnë që i gjithë dokumentacioni të shmangë vonesat e mëtejshme.

Zgjedhje në Gjermani: Si votojnë ata me origjinë të huaj?

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Gjermani të dielën (23.02.) rreth 60 milionë vetë do t’i drejtohen kutive të votimit. Në vitet e fundit është rritur edhe numri i atyre që kanë sfond migracioni dhe të drejtë vote. Rreth 7 milionë votues kanë origjinë të huaj. Kujt do t’ia japin ata votën të dielën? Për shkak të turbulencave ekonomike të Gjermanisë dy vitet e fundit, një gjë dihet: pavarësisht nëse janë gjermanë “të rinj” apo gjermanë brez pas brezi, telashet e Gjermanisë sot i prekin të gjithë njësoj: Ngecja ekonomike, inflacioni dhe çmimet e larta të energjisë, ushqimeve dhe qirave, siguria në vend, perspektiva për të ardhmen.

Studimi i fundit i Qendrës Gjermane për Studimet e Migracionit dhe Integrimit (DeZIM) konstaton, se si gjermanët pa sfond migracioni edhe ata me rrënjë të huaja ndajnë të njëjtat shqetësime. Problemi kryesor mbetet ekonomia dhe inflacioni. Por një dallim kanë nga gjermanët, personat me sfond migracioni kanë më shpesh frikë se bëhen viktima të dhunës. Nga ana tjetër ata janë më të shqetësuar se gjermanët me rrënjë për çështjet financiare, për tema si pensionet apo banimi. Edhe konflikti në Lindjen e Mesme luan rol në shqetësimet e këtij grupi, me 43% ky shqetësim është më i madh, se gjermanët pa sfond migrimi. Aspekt që konstatohet në studim është, se qytetarët gjermanë me sfond migracioni shkojnë më rrallë drejt kutive të votimit, se sa gjermanët pa rrënjë të huaja.

Studimi i fundit i Qendrës Gjermane për Studimet e Migracionit dhe Integrimit (DeZIM) konstaton, se si gjermanët pa sfond migracioni edhe ata me rrënjë të huaja ndajnë të njëjtat shqetësime. Problemi kryesor mbetet ekonomia dhe inflacioni. Por një dallim kanë nga gjermanët, personat me sfond migracioni kanë më shpesh frikë se bëhen viktima të dhunës. Nga ana tjetër ata janë më të shqetësuar se gjermanët me rrënjë për çështjet financiare, për tema si pensionet apo banimi. Edhe konflikti në Lindjen e Mesme luan rol në shqetësimet e këtij grupi, me 43% ky shqetësim është më i madh, se gjermanët pa sfond migrimi. Aspekt që konstatohet në studim është, se qytetarët gjermanë me sfond migracioni shkojnë më rrallë drejt kutive të votimit, se sa gjermanët pa rrënjë të huaja.

Sipas studimit të Qendrës Gjermane për Studimet e Migracionit dhe Integrimit (DeZIM) Partia Socialdemokrate, SPD është në pararojë tek preferencat e këtij grupi votuesish. Sipas studimit rreth 76% e të anketuarve do ta jepnin votën për SPD. Pastaj renditet CDU dhe CSU me rreth 71%. Për Të Gjelbrit do e jepnin rreth 57% e personave votues me sfond migrimi. Për liberalët, FDP, 53%. Partia AfD arrin 21% të preferencës, më e ulta ndër partitë kryesore gjermane.

Qendra DeZIM ka analizuar të dhënat e 2689 gjermanëve me të drejtë vote, për një periudhë nga dhjetori 2023 deri në mars 2024. Sipas tyre tradicionalisht gjermano-turqit e japin votën për SPD, gjë ka lidhje edhe me “socializimin politik” të tyre, thekson DeZIM. Nga ana tjetër gjermano-turqit janë ndër ata qytetarë me sfond migracioni që shkojnë më pak të votojnë.Brezat e parë të gjermanëve me origjinë turke erdhën si “Gastarbeiter” në Gjermani në vitet 50-60-të. Shpesh kanë qenë edhe anëtarë të sindikatave.

Dallime në bazë të vendit të origjinës

Studimi konstaton dallime brenda grupit të gjermanëve me sfond migracioni, nëse do të merreshin në konsideratë zonat nga ata vijnë. Për shembull tek votuesit, që nuk i kanë rrënjët në vendet e BE, gjen më pak mbështetje për Të Gjelbrit krahasuar me gjermanët pa sfond migracioni. Interesante është edhe konstatimi, se E Majta dhe Aleanca Sahra Wagenknecht janë më të preferuara tek shumë grupe votuesish me sfond migracioni se sa tek votuesit gjermanë pa këtë sfond. Kurse tek qytetarët gjermanë me rrënjë në vendet e BE, në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore apo Turqinë AfD nuk është partia e preferuar. AfD është partia më e preferuar tek ruso-gjermanët.

Rritje e interesit të partive gjermane

Rritja e elektoratit me origjinë të huaj ka kohë që ka zgjuar interesin e partive gjermane. Megjithëse ky nuk është elektorat i njësuar, partitë gjermane duan të bëjnë për vete gjermanët e rinj. Shpesh aktivistët e partive kërkojnë drejtpërdrejt dialogun me qytetarët me origjinë të huaj, në shoqatat e tyre, xhami apo aktivitete të tjera. Partitë kanë krijuar edhe rrjetet e tyre për të kontaktuar qytetarët me sfond migracioni. Nganjëherë ato përdorin edhe gjuhën e migrantëve për t’i bindur për votën.

Mesazhi kryesor është: Ju jeni pjesë e Gjermanisë. Sepse shumë qytetarë me origjinë të huaj, megjithëse janë gjermanë, ndjehen të përjashtuar. Mes tyre edhe të rinj, që kanë lindur këtu. “Ka një grup të madh të rinjsh që në jetën e përditshme u jepet ndjesia se nuk i përkasin plotësisht Gjermanisë për shkak të përvojave të diskriminimit dhe përjashtimit. Kjo ndjenjë çon në lëndime dhe këto lëndime mund të bëjnë që të rinjtë të largohen nga politika dhe të mos votojnë fare”, thotë Yunus Ulusoy nga Qendra për Studime Turke dhe Integrim (ZfTI) në Essen.

Megjithëse duket paradoksale, po AfD-ja që përdor gjuhë nxitëse kundër migrantëve, kërkon votën e tyre, jo pa sukses. Sipas bashkëdrejtueses të Komunitetit Turk në Gjermani (TGD), Aslihan Yesilkaya-Yurtbay, kjo parti ka mbështetje ndërkohë edhe mes gjermanëve me origjinë turke. “Për fat të keq ka edhe qytetarë me origjinë turke që simpatizojnë me AfD”, tha Yesilkaya-Yurtbay për agjencinë e lajmeve AfP së fundmi. Sipas saj, AfD përpiqet të bëjë për vete të rinjtë me origjinë turke sidomos në platformën TikTok./DW

Refuzohen mbi tre mijë pako me vota të mërgatës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se 3269 pako me vota nga diaspora janë refuzuar në procesin e deritashëm të vlerësimit të pakove me fletëvotime nga jashtë Kosovës.

Sipas njoftimit, ky numër ka dalë nga vlerësimi i 54 mijë e 409 pakove. 51 mijë e 140 janë aprovuar, ndërsa për vlerësim janë edhe 14 mijë e 306 pako.

“Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje për KOHËN.

Përveç 84 mijë e 600 shtetasve të regjistruar për votim me postë, 20 mijë e 324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike, e prej tyre votuan 15 mijë e 532 mijë persona.

Numri i zarfeve me fletëvotime nga vendvotimet me kusht është 12,801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2,597, transmeton albinfo.ch.

Elezi ka bërë të ditur se numërimi i këtyre votave do të nisë gjatë javës së ardhshme.

Zelensky telefonatë me Ramën: Thelbësore që Evropa të jetë pjesë e bisedimeve për paqe

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të shtunën ka pasur telefonatë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku ka falënderuar qeverinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës.

Në fokus të bisedës, sipas postimit të presidentit ukrainas në “X”, ishin projektet e përbashkëta, perspektivat e bashkëpunimit dhe iniciativat diplomatike evropiane. Zelensky theksoi rëndësinë e pranisë së Evropës në çdo vendim që lidhet me kontinentin dhe me Ukrainën.

“Është thelbësore që Evropa të jetë në tryezën e bisedimeve. Gjithçka për Evropën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Evropës dhe gjithçka për Ukrainën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Ukrainës. Kemi një vizion të përbashkët dhe po ndërmarrim hapa të koordinuar për të arritur paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Po punojmë së bashku për të forcuar sigurinë në gjithë Evropën”, u shpreh ai.

Presidenti ukrainas vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë dhe theksoi domosdoshmërinë e unitetit evropian në përballjen me sfidat aktuale të sigurisë.

Të martën, përfaqësuesit e SHBA-së dhe Rusisë mbajtën bisedimet e para në lidhje me luftën, e cila ishte gati trivjeçare në Ukrainë, në takim në Riad të Arabisë Saudite, me qëllim të normalizimit të raporteve dhe për pajtimin mbi hapat e radhës për t’i dhënë fund luftës. Por, në takim, nuk u ftua as Zelensky, as ndonjë përfaqësues i Bashkimit Evropian. Kjo nxiti reagime të shumta.

Shqiptarët nuk duhet të ndihen të kërcënuar nëse AfD-ja merr pushtetin në Gjermani

Ish-diplomati Sylë Ukshini ka komentuar zhvillimet politike në Gjermani dhe rritjen e partisë së djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD), duke theksuar se shqiptarët nuk duhet të ndihen të kërcënuar nga kjo parti, edhe nëse ajo fiton pushtetin kur mbahen zgjedhjet më 23 shkurt.

Ukshini vuri në dukje se Gjermania mbetet motori kryesor i Bashkimit Evropian, por gjithmonë ka pasur hezitim për të marrë një rol udhëheqës për shkak të së kaluarës historike

Duke analizuar ngritjen e AfD-së, Ukshini ka thënë se politikat e kancelares së dikurshme Angela Merkel për pranimin e refugjatëve pa kritere, sidomos atyre nga Lindja e Mesme, kanë krijuar shqetësime në shoqërinë gjermane, duke i dhënë AfD-së shtysë të madhe në elektorat. Megjithatë, ai nuk beson se Gjermania do të rrëshqasë në ekstrem, pasi kjo do të ishte e dëmshme për vendin.

“Shqiptarët e Kosovës nuk duhet të ndihen të kërcënuar. Ata janë të integruar në shoqërinë gjermane dhe shumë sektorë varen nga emigrantët. Prandaj, deklaratat e AfD-së për dëbimin e të gjithë emigrantëve nëse vijnë në pushtet janë kryesisht për konsum elektoral”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Në nivel ndërkombëtar, Ukshini paralajmëroi se BE-së i mungon një zë i unifikuar, veçanërisht pas daljes së Britanisë së Madhe, e cila e ka dobësuar fuqinë diplomatike dhe ushtarake të unionit. Ai sugjeroi që BE-ja duhet të fokusohet në rritjen e kapaciteteve të saj ushtarake, ashtu siç po bën SHBA-ja.

Duke komentuar mbi marrëdhëniet SHBA-Gjermani, Ukshini u shpreh se SHBA-ja ka qenë gjithmonë aleat kyç i Berlinit për çështjet e sigurisë, por tensionet filluan që në kohën e Merkelit për shkak të projekteve si Nord Stream 2. Ai gjithashtu theksoi se administrata Trump është atipike, por nuk beson se është në interesin e amerikanëve të rrezikojnë aleancën tradicionale me Evropën.

Sipas sondazheve, CDU/CSU pritet të dalë e para me rreth 30%. AfD-ja pritet të jetë e dyta me 20% e partia e kancelarit Olaf Scholz, SPD, do të jetë e treta.

Dalin në shitje biletat për ndeshjen Kosova – Islanda

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar të shtunën se kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen Kosova – Islanda.

Kosova e Islanda më 20 mars e luajnë ndeshjen e parë të plejofit për inkuadrim në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Dueli kthyes luhet pas tre ditësh, në Murcia të Spanjës, pasi stadiumi në Reykjavik është duke u rinovuar.

Biletat në jug e veri kushtojnë 5 euro. Ato në tribunën lindore kanë çmim prej 10 eurosh, ndërsa në perëndim, 20 euro.

Bileta VIP kushton 80 euro.

Eurodeputeti austriak: Kosova ka strukturën më të mirë të demokracisë në Ballkanin Perëndimor

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, vlerëson organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë. Ai thotë se Kosova  ka strukturën më të mirë të demokracisë në rajon dhe se është shembull për tërë Ballkanin Perëndimor. Mandl thekson nevojën e formimit të qeverisë së re, derisa kërkon bashkëpunim të partive politike për të ardhmen e vendit. Krahas këtyre, Mandl është optimist se në krye me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë të BE-së, Kaja Kallas do të ketë lëvizje përpara në dialogun Kosovë-Serbi.

Eurodeputeti austriak për KosovaPress flet edhe për situatën e sigurisë në Kosovë.

Mandl thotë se zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë ishin demokratike. Sipas tij, kjo është një shenjë e mirë për rajonin që Kosova po vazhdon të realizojë zgjedhje demokratike.

Ai është optimist se edhe raporti zyrtar i Misionit të Vëzhguesve të Zgjedhjeve të BE-së, do të jetë pozitiv dhe me rekomandime të mira.

Napoli: Albulen Neziri me ekspozitë personale

Sonte do të bëhet hapja solemne e ekspozitës personale të Albulen Nezirit, i cili me ekspozitën “Ritmi i Energjisë” do të prezantohet në hapësirën e Cam Museum në Napoli të Italisë, përcjell albinfo.ch.

Kjo ekspozitë me kuratore Alma Idrizit ka përfshirë gjashtë vepra të autorit të cilat janë punuar me akril në pëlhurë, kurse rreth ekspozitës kritikja e artit Graziella Melania Geraci ka veçuar se energjia shpërthyese, motori i mendimit dhe veprimeve universale, na shfaqet përmes shenjës mistike të artit, të ngarkuar me vlera dhe kuptime, në një manifestim të vazhdueshme të forcës centripetale dhe centrifugale.

“Ndjesia komunikuese e veprës, midis dëshirës hedoniste dhe ofertës ndaj shikuesit potencial, merr forma dhe rrugë të ndryshme, bëhet ëndërr ose realitet virtual, metaforë introspektive dhe imazh i pastër dukjeje”, thuhet mes të tjerash në kritikën e Graziella Melania Geraci.

Kurse për pikturën e artistit Albulen Neziri, ajo potencon se shtrohet në këtë kontekst poetik dhe shprehet në një gjuhë shumëformëshe, përmes një përpunimi ritmik, duke manifestuar një ndjenjë të thellë të dimensionit krijues në zhvillim.

“Duket sikur është një qenie e gjallë ajo që depërton në kanavecat me përmasa të mëdha, në hapësirën e mbushur me energji pulsuese ku ndiqen elemente narrative të huajshme, të perceptueshme si lojëra abstrakte vizuale”, thuhet mes të tjerash e cila krejt punën e Albulenit e vlerëson si një tronditje që shpërfaqin vijat që përhapen në të gjitha drejtimet e krijuara nga artisti.

Ceremonia hapëse e ekspozitës do të bëhet sonte prej orës 21:00, kurse veprat e Albulenit do të vijnë në dimensione 300X200. /kultplus

Adis Selimi kandidon për deputet në Bundestagun gjerman

Adis Selimi do të garoj për deputet në Bundestagun gjerman nga partia SPD, transmeton albinfo.ch.

Adis Selimi, babain e ka nga Mitrovica dhe nëna nga Bosnje e Hercegovina dhe është një figurë premtuese në politikën gjermane dhe kandidat për deputet në njësinë zgjedhore 106 (Düsseldorf II)

I lindur në vitin 1994 në Unterbilk, Adisi vjen nga një familje e përzier – babain nga Mitrovica dhe nënën nga Bosnja dhe Hercegovina. Përmes një angazhimi të vazhdueshëm në politikë, ai tashmë ka filluar të lërë gjurmë të rëndësishme në partinë SPD, nën siglën e të cilën kandidon për deputet”.

Platforma Albinfo.ch festoi 17-Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një mbrëmje gala në Gjenevë

Në një ambient festiv dhe elegant, platforma albinfo.ch organizoi një mbrëmje gala në Gjenevë për të shënuar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ky event i veçantë mblodhi personalitete të shquara nga fusha të ndryshme, përfshirë diplomatë, politikanë, afaristë, artistë dhe mbështetës të çështjes kombëtare. Pjesë e këtij solemniteti ishte edhe Konsullja e Kosovës në Gjenevë, zonja Floreta Kabashi së bashku me përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë në Bernë.

Ngjarja u shoqërua nga interpretimi artistik i grupit të njohur nga Prishtina, Strings.Strings, i cili dha një dimension të veçantë emocional atmosferës festive.

Gjeneva, qendër e lobimit për Pavarësinë e Kosovës

Bashkimi Iseni, themelues i platformës Albinfo, shpjegoi arsyet pse kjo ngjarje u mbajt në Gjenevë, duke theksuar rëndësinë historike të këtij qyteti në procesin e pavarësimit të Kosovës.

“Në një bisedë me Sevdail Tahirin, drejtorin e Albinfo, vendosëm që duhet ta shënojmë këtë ditë të rëndësishme. Fillimisht menduam për Cyrihun, por unë insistova për Gjenevën. Ky qytet ka qenë një nga qendrat kryesore ku është zhvilluar aktiviteti diplomatik për pavarësinë e Kosovës. Në vitet e vështira, këtu u lobua fuqishëm për çështjen tonë kombëtare, përmes zyrës së informimit për Kosovën të drejtuar nga Xhafer Shatri dhe shumë të tjerë që sakrifikuan për këtë kauzë. Sot, shumë prej tyre mbajnë pozita të rëndësishme në vendimmarrje. Gjeneva, si qendër e diplomacisë ndërkombëtare, ishte vendi i duhur për të festuar këtë moment historik”.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Iseni shprehu dëshirën që kjo nismë të kthehet në një traditë dhe që pavarësia e Kosovës dhe Shqipërisë të festohet gjithnjë me dinjitet.

Kosova dhe rruga e saj drejt konsolidimit shtetëror

Konsullja e Kosovës në Gjenevë, zonja Floreta Kabashi, në fjalimin e saj përshëndetës, shprehu mirënjohjen për këtë organizim dhe theksoi rrugëtimin e Kosovës drejt shtetësisë së konsoliduar.

“Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, Kosova shpalli pavarësinë, duke realizuar ëndrrën dhe sakrificën e brezave të tërë. Ky akt historik ishte kulmimi i një rezistence të gjatë dhe për këtë, sot përulemi me respekt për të gjithë ata që dhanë gjithçka për lirinë tonë. Një falënderim i veçantë shkon për aleatët tanë, të cilët qëndruan në krahun tonë, si dhe për diasporën shqiptare, e cila me punën dhe përkushtimin e saj vazhdon të jetë një shtyllë jetike për zhvillimin e vendit”.

Konsullja vlerësoi gjithashtu rolin e platformës Albinfo si një urë e rëndësishme lidhëse mes diasporës dhe atdheut, duke promovuar kulturën, gjuhën dhe vlerat kombëtare.

“Gëzuar Pavarësinë e Kosovës! Le të jetojë përjetësisht e lirë, krenare dhe e fortë Republika jonë!”

Me fjalë përshëndetëse të pranishmëve iu drejtua edhe përfaqësuesi i Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, z. Valon Gashi.

Albinfo.ch – Një urë  mes diasporës  dhe atdheut

Platforma Albinfo.ch, përmes organizimeve të tilla, synon të krijojë hapësira rrjetëzimi për shqiptarët e mërgatës dhe të sigurojë që datat më të rëndësishme për kombin të përkujtohen me dinjitet.

Kjo mbrëmje në Gjenevë jo vetëm që riktheu në kujtesë rrugën e vështirë drejt pavarësisë, por gjithashtu përçoi një mesazh të fuqishëm uniteti dhe krenarie kombëtare. Ajo dëshmoi edhe një herë se shqiptarët, kudo që ndodhen, mbeten të lidhur shpirtërisht me atdheun e tyre.

albinfo.ch

Zgjedhjet Federale, qytetarët gjermanë do të votojnë nesër

Mësohet se qytetarët gjermanë do të votojnë nesër në zgjedhjet federale, të cilat vlerësohen shumë të rëndësishme jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për mbarë Evropën, përcjell albinfo.ch

Favoriti për t’u bërë kancelari i ardhshëm gjerman është Friedrich Merz, lideri i partisë së qendrës së djathtë, Unioni Kristian Demokrat.

Sondazhet e fundit tregojnë se koalicioni CDU/CSU gëzon një epërsi me rreth 30% mbështetje. Në vendin e dytë është partia ekstremiste e djathtë AfD, pastaj vijnë SPD, Të gjelbërit dhe e Majta. Sipas sondazheve, Liberalët (FDP) dhe Lëvizja e Sahra Wagenknecht nuk janë të sigurta se do të futen në Bundestag.

Rritja e partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AFD) ka tërhequr vëmendjen e shumë analistëve para këtyre zgjedhjeve. AfD është rritur në popullaritet dhe aktualisht po renditet e dyta dhe pritet të marrë rreth 21% të votave.

Siç vlerësohet, është gati e sigurt se asnjë parti nuk do të fitojë aq vota për të krijuar shumicën në parlament, kështu që do të ketë nevojë të krijohet një koalicion qeverisës mes partive.

Është e rëndësishme se të gjitha partitë kryesore gjermane, përfshirë CDU-në e Merz-it, kanë përjashtuar kategorikisht formimin e një koalicioni me AfD-në. Ky përjashtim do të thotë se është praktikisht e sigurt që AfD nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.

Arrestohet 39-vjeçari shqiptar me dy mbiemra nga Spanja

Policia ka vendosur në pranga një 39-vjeçar, i cili akuzohet për vrasje nga autoritetet spanjolle.

Elion Vathi alias Kaci, banues në Kamëz, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore në Spanjë për veprën penale ‘Vrasje”.

39-vjeçari u arrestua nga policia me qëllim ekstradimin e tij drejt Spanjës, përcjell albinfo.ch.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.

Njoftimi i policisë:

DVP Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Lacking” nga Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë.

Lokalizohet dhe kapet një 39-vjeçar, i akuzuar për “Vrasje” nga autoritetet spanjolle.

Forca e Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Lacking”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja me qëllim ekstradimin drejt Spanjës të shtetasit: E. V(K)., 39 vjeç, banues në Kamëz.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore në Spanjë, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale ‘Vrasje” parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.

Dr. Cristiana Lucchetti: Shqipja, ndër gjuhët më të folura në Zvicër por ende “e padukshme”

Më 21 shkurt 2025, që është shpallur si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, festohet diversiteti gjuhësor në mbarë botën. Albinfo.ch shfrytëzon rastin për të veçuar punën e Dr. Cristiana Lucchetti – një shkencëtare që hulumton gjendjen e gjuhëve të Ballkanit në Zvicër dhe u bën thirrje folësve shqiptarë dhe ballkanas të marrin pjesë në studimin e saj.

Në Zvicër, shqipja është një nga gjuhët jozvicerane më të folura, por ajo mbetet kryesisht e padukshme në peizazhin arsimor. Dr. Cristiana Lucchetti, gjuhëtare dhe studiuese, është duke studiuar këtë mospërputhje në projektin e saj aktual të habilitimit.

Projekti i saj hulumtues “Prestigji i gjuhës në Zvicër: Një rast studimor mbi diasporën zvicerane post-jugosllave” analizon shprehitë gjuhësore të brezit të dytë të shqipfolësve në Zvicër. Ajo hulumton statusin dhe prestigjin që ka shqipja në krahasim me gjuhët e tjera dhe shtron pyetje për faktorët socialë dhe strukturorë që çojnë në margjinalizimin e kësaj gjuhe. Përveç shqipes, ajo fokusohet edhe në BCMS (gjuhët: boshnjake, kroate, malazeze, serbe) si gjuhë amtare në Zvicër.

Gjuhët e trashëgimisë dhe mësimet e HSK: Një mundësi e lënë pas dore?

Edhe pse shqipja flitet gjerësisht në Zvicër, pothuajse nuk ka ndonjë ofertë për mbështetje institucionale. Ndërsa anglishtja vlerësohet shumë në shkolla, nuk ka programe të strukturuara arsimore për shqipen. Një nga opsionet e pakta ekzistuese janë mësimet HSK (gjuhë dhe kulturë amtare). Lucchetti shqyrton se si ky mësim mund të përmirësohet për të siguruar ekzistencën e vazhdueshme të gjuhës.

Kërkohen pjesëmarrës për intervista

Si pjesë e studimit të saj pilot, Dr. Cristiana Lucchetti ka zhvilluar intervista me persona që flasin shqip. Ajo është ende në kërkim të pjesëmarrësve – veçanërisht prindërve, si dhe njerëz pa prejardhje shqiptare – për të hulumtuar hierarkitë shoqërore të gjuhëve. Ftohen gjithashtu folësit e BCMS të marrin pjesë në studim.

Nëse dëshironi të merrni pjesë vetë në një intervistë ose të rekomandoni pjesëmarrësit e mundshëm, mund të kontaktoni drejtpërdrejt Dr. Kontaktoni Cristiana Lucchetti. Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare është një rast i përshtatshëm për të menduar për të ardhmen e shqipes në Zvicër.

Kontakt: [email protected]

https://www.slav.uzh.ch/de/forschung/sprachwissprojekte/Laufende-Qualifikationsarbeiten/Language-prestige-in-Switzerland.html

 

Bisedimet diplomatike midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë vazhduar prej muajsh në Zvicër

Bisedimet diplomatike midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë vazhduar prej muajsh në Zvicër, shkruan Reuters, përcjell albinfo.ch.

Kontakti i fundit thuhet se ishte javën e kaluar, në të njëjtën kohë me Konferencën e Sigurisë së Mynihut, e cila shënoi një përçarje midis Uashingtonit dhe Evropës. Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i konfirmoi SSR-së se në Zvicër, jashtë kanaleve zyrtare, “takimet ndërmjet aktorëve të përfshirë në konfliktin në Ukrainë mbahen rregullisht, si pjesë e të ashtuquajturës diplomaci Track-2.

Këto janë takime të promovuara nga organizata joshtetërore dhe që ofrojnë një platformë shkëmbimi dhe dialogu, pa përfshirë qeveritë dhe me synimin për të mbështetur diplomacinë zyrtare”.

“EDA është e informuar për këto aktivitete”, thuhet në deklaratën me shkrim. Nuk jepen detaje për pjesëmarrësit e takimeve apo përmbajtjen e tyre, të cilat ishin të panjohura edhe për agjencinë e shtypit që dha lajmin. Nuk dihet, për shembull, nëse ishte përfaqësuar edhe Kievi.

Situata ka evoluar ndërkohë: javët e fundit, administrata Trump ka imponuar një përshpejtim, dhe këtë javë, në Riad, delegacioni i kryesuar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe ai i Ministrit të Jashtëm të Kremlinit, Sergei Lavrov, u gjendën ballë për ballë, me synimin për të diskutuar jo vetëm fundin e luftës në Ukrainë, por edhe rivendosjen e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Moskës pas ftohjes nën administratën Biden. Një samit midis Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit mund të jetë në horizont.