Zviceranët frëngjishtfolës duan të shpërngulen në Francë

Zakonisht, janë francezët ata që emigrojnë në Zvicër, jo anasjelltas.

Megjithatë, sipas një sondazhi të ri të publikuar nga platforma e konsumatorëve Comparis, rreth 51,000 familje dhe individë frëngjishtfolës do të përgatiteshin të largoheshin nga Zvicra për në Francë, për shkak të kostos së lartë të jetesës dhe strehimit këtu, përcjell albinfo.ch.

Qiratë më të ulëta dhe çmimet më të përballueshme të pronave janë një nxitje kryesore për këtë lëvizje për gati 34 për qind të të anketuarve frankofonë.

 

 

Zvicra me plane të reja për ndërtimin e spitaleve në rast lufte

Këshilli miratoi të enjten një mocion që kërkon një strategji për të garantuar kujdes shëndetësor cilësor në rast të një krize të madhe, si lufta.

Kjo është urgjente, sipas deputetes Franziska Roth, sepse spitalet në të gjithë Zvicrën aktualisht nuk janë të pajisura për të trajtuar pasojat e konflikteve të tilla, përcjell albinfo.ch.

Prandaj, Këshilli Federal dhe kantonet duhet të qartësojnë rolet dhe përgjegjësitë e secilës palë, të bëjnë rregullimet e nevojshme ligjore dhe të kenë gati buxhetin për të trajtuar kujdesin mjekësor.

Këshilli Kombëtar do të peshojë për këtë çështje në ditët në vijim.

Një tjetër zinxhir amerikan i ushqimit të shpejtë në Zvicër

Mediat zvicerane raportuan të enjten se restoranti Wendy’s dëshiron të rikthehet në tregun zviceran, përcjell albinfo.ch.

Rrjeti amerikan i burgerëve dëshiron të provojë sërish fatin në Zvicër, pas një dështimi fillestar në vitet 1980, duke imituar suksesin që kanë pasur këtu konkurrentët e tij: McDonald’s, Burger King, Carl’s Jr dhe Five Guys.

Orari i ri-lansimit të Wendy’s në tregun zviceran ende nuk është shpallur.

Pluhuri nga shkretëtira e Saharasë edhe në Zvicër

Me origjinë nga Afrika e Veriut, pluhuri i quajtur saharian po godet aktualisht Spanjën dhe Francën, si dhe Zvicrën, përcjell albinfo.ch.

Sipas parashikimeve të shërbimit të motit MeteoNews, dje ai arriti edhe në Zvicër.

Përqendrimet e pluhurit pritet të rriten gjatë gjithë ditës, duke arritur kulmin në mbrëmje, dhe do të dobësohen sërish gjatë natës së së shtunës.

Thaçi kthehet në Hagë

Para pak minutash, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është larguar nga EULEX-i në drejtim të Aeroportit të Prishtinës, për të vazhduar drejt Hagës, ku po vazhdon paraburgimin në Gjykatën Speciale, përcjell albinfo.ch.

Thaçi u largua nga ambientet e EULEX-it nën duartrokitjet dhe brohoritjet e mbështetësve të tij që ishin mbledhur aty si shenjë proteste.

Ai po dërgohet nën mbikëqyrjen e madhe të njësisë speciale dhe mbrojtjes së Speciales.

Thaçi gjatë ditës është takuar në EULEX me bashkëshorten dhe vëllezërit e tij, të cilët thanë se është mirë me shëndet, derisa bënë të ditur që e kanë të ndaluar të flasin më gjatë. Kjo është hera e parë që Thaçi qëndron kaq gjatë në Kosovë që nga paraburgimi i tij në vitin 2020.

Thaçi dje ka qëndruar në vendlindje, në Burojë të Skenderajt, ku ka bërë homazhe te varri i babait të tij, si dhe ka qëndruar për disa orë në shtëpinë e tij, ku është takuar me nënën dhe bashkëshorten e tij. Ai më pas është dërguar në zyrat e EULEX-it në Prishtinë.

Gjykata Speciale nuk i dha leje Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait të martën, më 18 mars.

Ndaj ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Specialja ka ngritur dy aktakuza: për krime lufte dhe për ndikim te dëshmitarët.

Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Hashim Thaçi takon familjarët në zyrën e EULEX në Prishtinë, para se të niset për në Hagë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qëndruar gjatë natës në selinë e EULEX-it në Prishtinë dhe ka pasur mundësi të takojë disa prej familjarëve të tij, përcjell albinfo.ch.

Mediat e Kosovës raportojnë se dy nga vëllezërit e Thaçit dhe një tjetër familjar kanë qenë të parët që e vizituan gjatë ditës. Po ashtu, ai pritet të takojë edhe djalin e tij, Endritin, gjatë ditës së sotme.

Thaçi erdhi dje në Kosovë, fillimisht për të nderuar kujtimin e babait të tij te varri i tij dhe më pas vizitoi shtëpinë e tij në Burojë, ku takoi nënën, motrën dhe gruan. Pas takimeve të sotme me familjen, ai pritet të qëndrojë deri në pasdite dhe më pas të niset drejt Hagës për të vijuar procesin e tij ligjor.

Aktori i famshëm: Jam shqiptar, erdha në Greqi kur isha 5 vjeç

Aktori i njohur shqiptar në Greqi, Nikos Gelias, ka folur për “Mega” në lidhje me rolin e tij të ri, si dhe për jetën private, përcjell albinfo.ch.

Aktori, që tani është pjesë e serialit të ri “Mavo Rodo”, “hapi” zemrën dhe foli për rolin e tij dhe për racizmin që ka përjetuar, pasi është me origjinë nga Shqipëria.

Ai ka treguar se në moshën 5-vjeçare, së bashku me familjen, kishin emigruar në Greqi, por që ka përjetuar racizëm dhe se, për shkak të origjinës, mësuesit nuk i jepnin as fjalën në klasë.

“Origjina ime është nga Shqipëria. Kam ardhur në Greqi në moshën 5-vjeçare si emigrant ekonomik. Kemi ndërruar shpesh lagje kur kemi ardhur në Greqi, sepse, duke qenë shqiptarë, na kanë nxjerrë nga shtëpitë tona.

Kishte racizëm, nga më të thjeshtat: fëmijët e tjerë nuk luanin me ne se ishim nga Shqipëria, ose mësuesit nuk na jepnin fjalën në klasë”, ka thënë ai.

Draft-statuti i BE-së për Asociacionin “nuk ka gjasa të anulohet”

Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por “ai nuk mund të anulohet”, thotë Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.

Me këtë vlerësim pajtohet edhe politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, i cili thotë se mund të lindin probleme sa i përket formimit të Asociacionit, nëse “një draft-statut jokushtetues i dërgohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për shqyrtim”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 21 mars se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga Bashkimi Evropian, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Deklaratat e shpeshta për këtë temë, Osmani ka filluar t’i bëjë pas takimit me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, më 17 mars.

Ajo ka thënë se ia ka shprehur Sorensenit kundërshtimet e saj për këtë draft-statut, i cili i është ofruar Kosovës dhe Serbisë në tetor të vitit 2023 nga të dërguarit e atëhershëm të BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Në atë kohë, BE-ja e ka përshkruar atë si një “model modern” për mbrojtjen e komuniteteve pakicë, ndërsa dokumenti është pranuar në parim si nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ashtu edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, ndërkohë, Kurti ka ndryshuar qëndrimin për këtë draft-statut dhe ka refuzuar ta dërgojë atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës – veprim që do të shënonte hapin e parë drejt krijimit të Asociacionit.

Radio Evropa e Lirë pyeti Bashkimin Evropian se a ka ndryshuar qëndrimi i tij për formimin e Asociacionit dhe nëse ka ndonjë zgjidhje tjetër në horizont për komunitetin serb në Kosovë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk mori përgjigje.

As Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se a pajtohet me vlerësimin e presidentes Osmani se draft-statuti për formimin e Asociacionit është jokushtetues dhe a planifikon ajo ndonjë draft-statut të ri apo po kërkon zgjidhje alternative.

Lidhur me këtë temë, Radio Evropa e Lirë nuk mori përgjigje as nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Osmani: Vërejtjet e mia për statutin janë substanciale

Osmani tha se vërejtjet e saj ndaj draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe janë të natyrës substanciale dhe se qëndrimin e saj ia ka përcjellë edhe të dërguarit të ri të BE-së për dialogun, Sorensen.

“Ato nuk janë vërejtje teknike. Një president vendi nuk bën vërejtje teknike. Pra, bën vërejtje substanciale për sa i përket mospërputhshmërisë me Kushtetutën e Kosovës dhe rrezikut që ai draft-statut mund të bartë për funksionalitetin e brendshëm të Kosovës”, tha Osmani për gazetarët më 21 mars.

Ajo shtoi se vërejtjet e saj janë mendim i saj personal dhe se vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës mund ta vlerësojë draft-statutin e ofruar nga BE-ja, apo ndonjë draft tjetër që mund të ofrohet nga institucionet e Kosovës – “kurdo që të vijë një moment i tillë”.

Profesori Hasani thotë se kjo deklaratë e presidentes së Kosovës është e vonuar dhe se ajo po e përdor atë për politikë të brendshme.

“Unë besoj që e bën për t’i hyrë në hatër pushtetit aktual. Mendon dhe shpreson se do të bëhet rizgjedhja e tij edhe për një mandat për presidente në vitin e ardhshëm. Ndërkohë, nëse dikush mendon se dialogu mund të ndryshojë në përmbajtje dhe se mund të anulohen apo zhvlerësohen ato që janë arritur në Bruksel, është naivi më i madh”, thotë Hasani.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikon një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës.

Marrëveshja e parë për themelimin e tij është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja, ndërsa për parimet e tij është rënë dakord më 2015.

Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se disa nga këto parime nuk janë në përputhje me Kushtetutën e vendit, edhe pse ato do të mund të harmonizoheshin.

Hasani: Draft-statuti është zbatim i Marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit

Hasani pajtohet me konstatimin se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga Bashkimi Evropian, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Por, sipas tij, ky draft-statut “është derivat i Marrëveshjes Bazë për rrugën drejt normalizimit të raporteve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë marrëveshje, Kurti dhe Vuçiq kanë rënë dakord në shkurt të vitit 2023 në Bruksel, ndërsa në mars të po atij viti, në Ohër, janë pajtuar për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Hasani thotë se draft-statuti i Asociacionit përmban zbatimin e të dyja këtyre marrëveshjeve, të cilat, siç thotë ai, janë në funksion të një autonomie politiko-territoriale për serbët e Kosovës.

“Të gjitha këto janë në kundërshtim brutal me Kushtetutën e Kosovës. Por, draft-statuti [i Asociacionit] nuk mund të anulohet pa u anuluar dy marrëveshjet tjera [të Brukselit dhe Ohrit]. Kjo nuk mund të ndodhë”, thekson Hasani.

Ai shton se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi për zbatimin e saj nuk mund të anulohen, sepse janë bërë pjesë e rendit juridik evropian, që kushtëzon përparimin e Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

Gogiq: Osmani nuk duhej t’i bënte publike vërejtjet e saj

Edhe politologu nga Beogradi, Gogiq, thotë se draft-statuti i BE-së për formimin e Asociacionit nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Megjithatë, ai thekson se deklaratat e presidentes Osmani mund të shihen nga dy këndvështrime: se ajo e refuzon draft-statutin, ose “i thekson me kohë problemet që mund të lindin”.

“Mbase këtu është e kontestueshme përse ajo doli publikisht. Ndoshta do të duhej t’u drejtohej atyre [BE-së], marrë parasysh se draft-statuti nuk është publikuar asnjëherë zyrtarisht. Por, nëse versioni që kemi parë në media është i saktë, unë ndaj vlerësimin e saj se nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe se është befasi që ka ardhur nga BE-ja”, thotë Gogiq.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në draft-statutin e përgatitur nga BE-ja, i cili specifikon se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të kërcënojë pavarësinë dhe integritetin e Kosovës.

Theksohet gjithashtu se dokumenti do t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Ky draft-statut, mes tjerash, parasheh qartë mundësinë e mbështetjes financiare të Asociacionit nga Serbia dhe “një kanal efikas të drejtpërdrejtë të komunikimit ndërmjet komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës, përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal”.

Pjesa e statutit që u referohet kompetencave të Asociacionit të komunave me shumicë serbe saktëson se ky organ ka të drejtë të marrë vendime, të miratojë rregullore, udhëzime dhe deklarata.

Ai, po ashtu, do të kishte autoritet të plotë në nivel lokal në fushat e zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes së identitetit kulturor dhe fetar.

Asociacioni parashihet të ketë të drejtë të iniciojë ose të jetë palë edhe në proceset në gjykata, përfshirë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nëse vendimet ose veprimet e ndonjë institucioni ndikojnë në ushtrimin e kompetencave të tij në përputhje me statutin.

A mund të ndryshojë BE-ja qëndrimin e saj ndaj Asociacionit?

Hasani dhe Gogiq pajtohen se Bashkimi Evropian nuk do të ndryshojë qasjen e tij lidhur me formimin e Asociacionit apo marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër.

Hasani nuk beson se Gjykata Kushtetuese mund “të rrëzojë ose anulojë” draft-statutin e BE-së për Asociacionin.

“Për rrjedhojë, draft-statuti mund të ndryshojë vetëm në pjesë të caktuara. Për mendimin tim, mund të pësojë vetëm ndryshime kozmetike”, thotë ai.

Ai, po ashtu, shpreh besimin se BE-ja nuk e ka ndryshuar qasjen lidhur me draft-statutin e Asociacionit, si dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër.

Gogiq, në anën tjetër, konsideron se BE-ja mund ta shohë vetë se draft-statuti nuk është “më i përshtatshmi” dhe mund të ofrojë një dokument të ri.

“Nuk mund të shtysh një statut që nuk mund të kalojë [vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese] dhe t’u japë edhe më shumë material atyre që e kundërshtojnë Asociacionin në Kosovë”, thotë Gogiq.

Në fund të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai, si kryeministër i vendit, nuk mund ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse Marrëveshja Bazë nuk është nënshkruar.

Kurti konsideron se nënshkrimi i Marrëveshjes do të ishte garanci se edhe Serbia do t’i përmbushte obligimet e saj ndaj Kosovës.

Kosova, aktualisht, është në proces të formimit të qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit ka fituar më së shumti vota.

Deklarata e plotë që u nënshkrua mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes

Para pak ditësh, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë arritur marrëveshje për aleancë ushtarake, e cila u nënshkrua nga ministrat e Mbrojtjes të tri shteteve më 18 mars në Tiranë, përcjell albinfo.ch.

Teksti i plotë, që përmban katër pika, u publikua për shkak të “interesit të madh publik”. Ka pasur reagime të shumta nga Serbia për këtë marrëveshje. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kjo është shkelje e marrëveshjes nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996. Por zyrtarët e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kanë mohuar se kjo marrëveshje është e natyrës armiqësore për fqinjët.

Në një postim në Facebook sot nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës thuhet se këto tri shtete synojnë riafirmimin për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore dhe në rajonin Adriatiko-Jonian.

Teksti i plotë i marrëveshjes për aleancë ushtarake Kosovë – Shqipëri – Kroaci:

1. Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse duke:

  • Eksploruar zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse nëpërmjet zgjidhjeve të bashkëpunimit shumëkombësh për të rritur gatishmërinë e forcave tona ushtarake;

  • Identifikuar hapësira për bashkëpunimin industrial të mbrojtjes, duke nxitur aksesin në burime dhe zinxhirë furnizimi për të krijuar një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes;

  • Rritur përpjekjet për të investuar në teknologji dhe inovacione të reja për të përshpejtuar dhe siguruar një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes.

2. Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve duke:

  • Ndarë ekspertizën dhe praktikat më të mira në rekrutimin, zhvillimin dhe mbajtjen e personelit të kualifikuar, duke përfshirë shkëmbimin e koncepteve të forcave rezerviste, për të rritur kapacitetet tona parandaluese dhe mbrojtëse;

  • Rritur mundësitë e edukimit dhe trajnimit individual dhe kolektiv përmes akademive dhe kolegjeve ushtarake përkatëse, me qëllim që të ketë kuptueshmëri më të mirë nga ana strategjike të kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta;

  • Forcuar stërvitjet dypalëshe dhe/ose trepalëshe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë, në përputhje me politikat e NATO-s dhe BE-së për trajnimet dhe stërvitjet, për t’u siguruar që forcat të jenë të përgatitura në mënyrë adekuate.

3. Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë duke:

  • Forcuar hapat e përbashkët për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve hibride, duke përfshirë kërcënimet kibernetike, fushatat e dezinformimit, si dhe ndikimin dashakeq të huaj që mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale;

  • Shkëmbyer informacione dhe shërbime të inteligjencës për ndërgjegjësimin dhe koordinimin strategjik dhe operacional të situatës ndërmjet institucioneve të mbrojtjes për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive kundër sfidave që hasin vendet tona përkatëse;

  • Eksploruar opsione të reagimit që adresojnë një gamë të gjerë kërcënimesh të mundshme për infrastrukturën tonë kritike dhe rrjetet e komunikimit, dhe që mbështesin kohezionin dhe ndihmën e ndërsjellë.

4. Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik duke:

  • Përafruar politikat dhe pozicionet me institucionet dhe strukturat shumëpalëshe euroatlantike për sigurinë dhe mbrojtjen, për të çuar përpara interesat dhe objektivat tona kombëtare dhe të përbashkëta rajonale;

  • Treguar angazhim për bashkëpunim dhe koordinim më të ngushtë për integrimin e plotë të Kosovës në iniciativat rajonale për sigurinë dhe mbrojtjen;

  • Mbështetur perspektivën euroatlantike të Kosovës duke ofruar mbështetje për statusin e saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Kjo Deklaratë e Përbashkët është bërë në frymën e miqësisë, solidaritetit dhe besimit të ndërsjellë. Ajo pasqyron vizionet e përbashkëta strategjike të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës. Ajo nuk krijon asnjë detyrim të ri ligjor ndërkombëtar ose ndërqeveritar ndërmjet shteteve, as nuk ndikon në detyrimet ekzistuese me shtetet e tjera.

Austri: Rriten incidentet raciste, mbi 1.600 raste të regjistruara në 2024

Referuar një raporti, 61 për qind e incidenteve raciste kanë ndodhur në platforma digjitale, të ndjekura nga 13 për qind në hapësira publike, 11 për qind në ambiente argëtimi dhe shërbimi, dhe 8 për qind në institucione publike, përcjell albinfo.at.

Kjo statistikë e publikuar këtë të enjte tregoi se 1.647 raste ishin të regjistruara.

Raporti nga “ZARA – Guximi Civil & Puna Kundër Racizmit” zbuloi se interneti ishte mjedisi më i zakonshëm për sulme raciste.

Konkretisht, 61 për qind e incidenteve raciste kanë ndodhur në platforma digjitale, të ndjekura nga 13 për qind në hapësira publike, 11 për qind në ambiente argëtimi dhe shërbimi, dhe 8 për qind në institucione publike.

Nga rastet e raportuara, 79 për qind janë dorëzuar nga dëshmitarë, ndërsa 21 për qind kanë ardhur nga viktima.

Raporti sugjeron se kjo prirje mund të pasqyrojë mungesën e besimit në zbatimin e ligjit, me shumë njerëz që besojnë se raportimi i incidenteve raciste në polici nuk çon në veprime kuptimplota.

Racizmi në kujdesin shëndetësor, “rrezik kërcënues për jetën”

Duke paraqitur raportin, drejtoresha e ZARA-s, Rita Isiba, ka theksuar se gjetjet e këtij viti vendosën një fokus të veçantë te racizmi në kujdesin shëndetësor.

Ajo ka thënë se migrantët dhe njerëzit me prejardhje migrante shpesh përballen me diskriminim në institucionet mjekësore, me ankesat dhe dhimbjet e tyre të shpërfillura.

“Kur racizmi përcakton cilësinë e kujdesit mjekësor që merr një person, ai mund të përbëjë një rrezik kërcënues për jetën. Puna jonë tregon se viktimave u mungojnë mekanizmat efektivë të ankesës dhe masat mbrojtëse”, ka thënë Isiba.

Duke theksuar se rastet e dokumentuara zbulojnë një problem strukturor dhe jo incidente të izoluara, ajo ka bërë thirrje për veprim të vazhdueshëm nga politikëbërësit dhe ka nënvizuar rolin e shoqërisë civile në luftimin e racizmit.

Revista “Allas” shkruan për suedezen që organizoi një kamp unik eko-turizmi në malet shqiptare

Revista suedeze Allas rrëfen në një artikull të gjatë dhe të detajuar historinë e Astrid Lindberg, e cila la karrierën e saj në industrinë e reklamave në Suedi për të filluar një kamp unik eko-turizmi në malet shqiptare, transmeton albinfo.ch.

Pasi vizitoi për herë të parë Shqipërinë në vitin 2016, ajo ra në dashuri me peizazhet e saj të paprekura dhe kulturën mikpritëse. Në vitin 2020, Lindberg filloi të ndërtonte “Camp Nivica”, një kamping të largët luksoz me tenda safari dhe kuzhinë.

Pavarësisht sfidave si dimrat e ashpër dhe dallimet kulturore, Astrid është integruar në komunitetin lokal dhe drejton me sukses kampin me një ekip të vogël. Ajo parashikon zgjerimin e përpjekjeve të turizmit të qëndrueshëm dhe forcimin e lidhjeve me vendasit, ndërkohë që vazhdon të ndajë bukurinë e fshehur të Shqipërisë me vizitorët.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu: https://www.allas.se/livsoden/astrid-lindberg-bytte-liv-och-flyttade-till-albanien/10698068?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTEAAR0XLBXKzODyB1AuIqwfB-aqObNTkGMnYCtO9ford97eh7tHcHaQ81WIQrE_aem_cFOPaJBLkG8G9E8Hb5vr-A

Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Shërbimi Konsullor në Vjenë zhvendosen në objekte të reja

Mësohet se Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Shërbimi Konsullor në Vjenë janë zhvendosur në objekte të reja, transmeton albinfo.at.

Vlen të theksohet se adresa e re e Ambasadës së Republikës së Kosovës është në Prinz Eugen Straße 8-10, 1040 Vjenë, ndërsa adresa e re e Shërbimit Konsullor është në Wohllebengasse 4/3, 1040 Vjenë.

Postimi i plotë i Ambasadës:

Të dashur bashkatdhetarë,

Me kënaqësi ju njoftojmë se Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Shërbimi Konsullor në Vjenë do të zhvendosen në objekte të reja që nga fillimi i muajit prill!

Adresa e re e Ambasadës së Republikës së Kosovës:

Prinz Eugen Straße 8-10, 1040 Vjenë

Adresa e re e Shërbimit Konsullor:

Wohllebengasse 4/3, 1040 Vjenë

Nga data 01 deri më 04 prill 2025, Shërbimi Konsullor do të jetë i mbyllur për shërbime të rregullta dhe do të funksionojë vetëm për raste emergjente.

Nga data 07 prill 2025, të gjitha shërbimet konsullore do të ofrohen në objektin e ri në Wohllebengasse 4/3, 1040 Vjenë.

Për çdo pyetje rreth shërbimeve konsullore, ju lutemi na kontaktoni përmes emailit: [email protected]

Stokholm: Në kuadër të muajit të Frankofonisë, shfaqet filmi i regjisorit shqiptar “A Short Trip”

Bëhet e ditur se Ambasada e Shqipërisë në Suedi, në bashkëpunim me Institutin Francez në Suedi, në kuadër të muajit të Frankofonisë, sjellin në Stokholm filmin e mirënjohur të regjisorit shqiptar Erenik Beqiri, “A Short Trip”, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se ky film ishte fitues në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër në Festivalin e Venecias 2023.

Filmi paraqet historinë e Klodit dhe Mirës, një çift i ri shqiptar në emigracion dhe sfidat e tyre.

Për të gjithë të interesuarit për ta parë filmin në kinema Zita Folkets Bio, biletat mund ti gjeni këtu: https://bio.se/bokning/cinemaId/2124/sessionId/17782

Aeroporti Heathrow planifikon rikthimin e plotë të shtunën

Aeroporti Heathrow, një nga më të ngarkuarit në botë, u detyrua të mbyllej plotësisht pas një zjarri në një nënstacion elektrik që shkaktoi ndërprerje të energjisë. National Grid arriti të rivendosë energjinë në mënyrë të përkohshme, ndërsa aeroporti njoftoi se po rifillonte disa fluturime dhe shpreson të kthehet në shërbim të plotë të shtunën, shkruan DW.

Pavarësisht rikuperimit të pjesshëm, ndikimi i mbylljes pritet të zgjasë disa ditë, pasi linjat ajrore duhet të riplanifikojnë fluturimet dhe të ripozicionojnë avionët dhe ekuipazhet. Aeroporti u ka bërë thirrje pasagjerëve të mos shkojnë aty pa udhëzime nga linjat ajrore.

Autoritetet britanike po hetojnë shkakun e zjarrit, ndërsa nuk ka indikacione për ndonjë veprim kriminal. Ndërkohë, zyrtarët dhe ekspertët e aviacionit kanë kritikuar mungesën e një alternative energjie për një infrastrukturë kaq kritike. Sipas të dhënave, më shumë se 1,350 fluturime u prekën nga ndërprerja, duke shkaktuar kaos për pasagjerët, përcjell albinfo.ch.

Gjermani: Si do shpenzohet huaja prej një trilionë eurosh?

Gjermania ka miratuar një paketë huash prej 1 trilion eurosh, e cila do të shpenzohet në dymbëdhjetë vitet e ardhshme për mbrojtjen, infrastrukturën dhe mbrojtjen e klimës. Nga kjo shumë, 500 miliardë euro do të përdoren për projekte klimatike, ndërsa pjesa tjetër do të destinohet për modernizimin e Bundeswehr-it dhe infrastrukturës kombëtare, duke përfshirë ndërtimin e rrugëve dhe rinovimin e sistemit hekurudhor.

Eksperiencat e mëparshme me projektet e mëdha ndërtimore në Gjermani, si Aeroporti i Berlinit, salla e koncerteve Elbphilharmonie në Hamburg dhe stacioni hekurudhor Shtutgart 21, ngjallin shqetësime mbi menaxhimin e këtij investimi gjigant. Procedurat e ndërlikuara të miratimit, gabimet e planifikimit dhe mungesa e materialeve shpesh i kanë kthyer projektet e mëdha në katastrofa financiare, shkruan DW.

Qeveria e ardhshme e mundshme e CDU/CSU dhe SPD ka miratuar ndryshime kushtetuese që mundësojnë këto shpenzime të paprecedenta. Shoqata Gjermane e Tatimpaguesve (BdSt) e ka quajtur këtë vendim një gabim, duke theksuar se problemi kryesor nuk është mungesa e financimeve, por burokracia e tepruar dhe strukturat joefikase. Ekonomistja Veronika Grimm ka paralajmëruar se paratë mund të mos shpenzohen shpejt, për shkak të vonesave në miratime dhe planifikim.

Industria e ndërtimit në Gjermani ka hasur vështirësi në vitet e fundit, me rënie të konsiderueshme të porosive. Shumë kompani janë ankuar për procedurat e gjata të miratimit, ndërsa instituti ifo ka vlerësuar se burokracia i kushton ekonomisë gjermane deri në 146 miliardë euro në vit. Një shqetësim shtesë është edhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. Një studim i Fondacionit Bertelsmann sugjeron se Gjermania do të ketë nevojë për rreth 288,000 punëtorë të huaj çdo vit deri në vitin 2040.

Për modernizimin e Bundeswehr-it, armatimi dhe pajisjet ushtarake do të blihen me shpejtësi të lartë, duke sjellë përfitime të konsiderueshme për kompani si Rheinmetall dhe Airbus. Ndërkohë, Deutsche Bahn ka nisur projektin më të madh të rinovimit në historinë e saj, me plane për të investuar 290 miliardë euro deri në vitin 2034. Po ashtu, Ministria Federale e Transportit vlerëson se 140 miliardë euro do të nevojiten vetëm për të mirëmbajtur rrugët kryesore të vendit, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa Gjermania miraton këto investime të jashtëzakonshme, borxhi publik ka arritur në 1.7 trilion euro. Pagesat e interesit janë aktualisht 34 miliardë euro në vit, por sipas Zyrës Federale të Auditimit, shpenzimet do të rriten me 37 miliardë euro në vit pas vitit 2035. Kjo ka ngritur shqetësime mbi qëndrueshmërinë financiare të vendit në afatgjatë.

Përderisa investimi synon të rigjallërojë ekonominë dhe të përforcojë infrastrukturën, mbetet për t’u parë se si do të menaxhohet ky fond gjigant dhe cilat do të jenë efektet e tij reale në zhvillimin ekonomik të Gjermanisë, shkruan DW.

Vdekjet e emigrantëve arrijnë rekord në vitin 2024

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) raportoi se në vitin 2024, të paktën 8,938 emigrantë humbën jetën në udhëtimet e tyre, duke e bërë këtë vitin më vdekjeprurës që nga fillimi i statistikave në vitin 2014. Kjo shifër është rritur me gati 200 viktima krahasuar me vitin 2023 dhe është dyfishuar që nga viti 2020.

Azia pati numrin më të lartë të vdekjeve, me 2,778 viktima, e ndjekur nga Mesdheu me 2,452 dhe Afrika me 2,242. Në Amerikë, shifrat paraprake tregojnë të paktën 1,233 vdekje, duke përfshirë një rekord prej 174 vdekjesh në xhunglën Darien mes Kolumbisë dhe Panamasë, transmeton albinfo.ch.

IOM thekson se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë shumë më i lartë për shkak të mungesës së të dhënave zyrtare. shkruan DW. Organizata gjithashtu paralajmëron për dhunën, zhvatjen nga bandat dhe kushtet çnjerëzore në kampet e ndalimit të emigrantëve, veçanërisht në Libi.

Që nga viti 2014, mbi 74,000 emigrantë janë raportuar të vdekur ose të zhdukur, me një rritje të vazhdueshme të numrit të viktimave në pesë vitet e fundit,

Shqipëria mposhtet nga Anglia, Gjimshiti thotë se patën gabime

Shqipëria është mposhtur 2-0 nga Anglia të premten në ndeshjen për kualifikueset e Botërorit.

Pas ndeshjes, kapiteni i kombëtares, Berat Gjimshiti, ka pranuar se kombëtarja kishte gabime.

“Nuk ishim të frikësuar. Në futboll nuk ka frikësim. Anglia është e fortë, jo vetëm ndaj nesh. 1:0 ishte në rregull. Me hyrjen e Brojës kishim disa raste, por na mungoi pasimi i fundit. Më pas pësuam edhe golin e dytë dhe përfundoi ndeshja. Anglia ka lojtarë që mund ta dërgojnë topin prapa shpinës dhe është e vështirë të ndalen me shpejtësinë që kanë. Kemi gabuar pak që jemi kthyer shumë prapa”, ka thënë kapiteni.

Myles Lewis-Skelly realizoi për 1:0 në minutën e 20-të dhe Harry Kane shënoi golin e dytë për anglezët në minutën e 77-të.

Partnerët socialë mbështesin paketën e mbrojtjes së pagave me rezerva

Partnerët socialë në Zvicër kanë mbështetur paketën e mbrojtjes së pagave të miratuar nga Këshilli Federal, por me disa shqetësime. Sindikatat, përfshirë Federatën Zvicerane të Sindikatave (SGB) dhe Unia, e shohin këtë si një hap të rëndësishëm për të mbrojtur punëtorët nga praktikat e padrejta të pagave nga kompanitë e huaja. Megjithatë, ata paralajmërojnë se marrëveshja me BE-në mund të rrezikojë standardet e mbrojtjes së punonjësve, përcjell albinfo.ch.

Shoqata e Punëdhënësve dhe Federata Zvicerane e Tregtisë mbështesin kompromisin, por shprehin rezerva për disa masa, si mbrojtja nga largimi nga puna për përfaqësuesit e punonjësve. Nga ana tjetër, Swissmem, shoqata e industrisë së teknologjisë, e konsideron paketën si një zgjidhje të ekuilibruar.

Partitë politike kanë reaguar ndryshe. PS dhe të Gjelbërit e mirëpresin vendimin dhe e shohin si hap kyç për marrëdhëniet me BE-në, duke paralajmëruar kundër çdo dobësimi të tij në Parlament. Qendra vlerëson kompromisin si një element vendimtar për pranimin e marrëveshjes së re me BE-në. FDP mbetet e rezervuar, duke pritur përfundimin e negociatave me BE-në, ndërsa SVP refuzon marrëveshjet dhe nuk ka komentuar për kompromisin,shkruan SRF.

Këshilli Federal kundërshton nismën e SVP kundër emigracionit

Këshilli Federal zviceran ka refuzuar iniciativën “Jo Zvicër me 10 milionë” të propozuar nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), duke argumentuar se ajo rrezikon prosperitetin dhe sigurinë e vendit. Ministri i Drejtësisë, Beat Jans, deklaroi se kjo nismë mund të izolojë Zvicrën ndërkombëtarisht dhe të ndërpresë marrëveshjet dypalëshe me BE-në, të cilat sigurojnë akses në tregun evropian, shkruan RTS.

Qeveria theksoi se emigracioni është i domosdoshëm për ekonominë, veçanërisht në sektorë si shëndetësia, bujqësia dhe turizmi. Gjithashtu, paralajmëroi se ndalimi i tij mund të shkaktojë mungesë të fuqisë punëtore dhe të dëmtojë sistemin shëndetësor.

Këshilli Federal ka planifikuar masa për të menaxhuar më mirë imigracionin, për të përshpejtuar procedurat e azilit dhe për të kontrolluar statusin e pranimeve të përkohshme, duke ruajtur një balancë mes nevojave ekonomike dhe angazhimeve ndërkombëtare të Zvicrës, transmeton albinfo.ch.

Propozimi i ri në Zvicër: Të burgosurit e pasur të paguajnë vetë shpenzimet e burgut

Këshilltari Kombëtar i Gjenevës, Daniel Sormanni, ka paraqitur një mocion që kërkon që të burgosurit me të ardhura të larta të mbulojnë vetë shpenzimet e qëndrimit në burg. Aktualisht, shteti shpenzon nga 300 deri në 400 franga zvicerane në ditë për çdo të burgosur, duke e çuar koston mujore mbi 10,000 franga, shkruan 20minuten.

Propozimi i Sormannit parashikon që individët me të ardhura vjetore mbi 150,000 franga të paguajnë për akomodimin dhe shërbimet mjekësore gjatë dënimit ose me këste pas lirimit. Ai argumenton se nuk është e drejtë që personat e pasur të financohen plotësisht nga shteti, ndërkohë që qytetarët e ndershëm mbajnë barrën e taksave.

Mocioni synon të lehtësojë barrën e taksapaguesve dhe të promovojë përgjegjësinë personale të të dënuarve. Këshilli Federal do të vlerësojë fizibilitetin e kësaj mase dhe pritet të japë një përgjigje gjatë seancës verore në qershor, përcjell albinfo.ch.

Përfundon pjesa e parë, Anglia në epërsi ndaj Shqipërisë

Me golin e debutuesit Lewis-Skelly, Anglia është në epërsi ndaj Shqipërisë që nga minuta e 20-të e ndeshjes kualifikuese për Botërorin 2026.

Anglia ka dominuar në shumicën e kohës në pjesën e parë. Ndërkohë, vetëm në minutën e 27-të, Shqipëria pati një rast ku u godit shtylla, përcjell albinfo.ch.

Në këtë ndeshje, shënuesi i golit për Anglinë ka marrë një rekord interesant. “Me 18 vjet e 176 ditë, Lewis-Skelly është lojtari më i ri në histori që ka shënuar gol në debutimin për Anglinë”, shkruan BBC.