Bora artificiale “shpëton” sezonin e skive në Alpet austriake

Me temperaturat mbi mesataren sezonale dhe mungesën e reshjeve të borës, shpatet në Kitzbuhel të Alpeve austriake po mirëpresin vizitorët me borë artificiale, përcjell albinfo.ch.

Në Kitzbuhel të Alpeve austriake, një ndër vendpushimet më të mira të skive në Austri, viteve të fundit shtresa e borës është ulur për shkak të ngrohjes globale.

Kitzbuhel, i dominuar nga tre vargmale madhështore malore zakonisht të mbështjellë me një mbulesë dëbore, krenohet me terrenin e rrjedhshëm, që gërshetohet pa probleme midis pyjeve të mbushura me borë, peizazheve të ndritura nga dielli dhe fshatrave tradicionale malore.

Me shpatet e rregulluara në mënyrë perfekte dhe pista me një gjatësi prej 233 kilometrash, që argëtojnë skiatorët fillestarë dhe profesionistë, ky vendpushim dimëror ka një famë botërore edhe me garën ndërkombëtare “Hahnenkamm Streif”.

Pavarësisht fillimit të zhvilluar të sezonit të skive, pasojat e ndryshimeve klimatike shihen qartë në Alpet austriake. Rritja e temperaturave shkakton që akullnajat të shkrihen dhe kjo sjell më pak borë, duke e bërë turizmin e skive gjithnjë e më të paparashikueshëm.

Në kushte normale të reshjeve të borës, zakonisht sezoni i dimrit në Kitzbuhel fillon në fund të nëntorit ndërsa sporti i skive sigurohet deri në muajin prill.

Kosovari Nikola Tunici fiton ulëse në Parlamentin e Hamburgut

Kosovari Nikola Tunici ka arritur të sigurojë ulëse në Parlamentin e Hamburgut të Gjermanisë, përcjell albinfo.ch.

Tunic, që është Binça e Vitisë e jeton në Hamburg, ka garuar me partinë CDU.

Përveç tij, kanë qenë edhe katër kandidatë tjerë me prejardhje nga Kosova në zgjedhjet e landit të Hamburgut.


Me CDU’në kanë garuar edhe Kushtrim Lulaj e Muhamet Idrizi, derisa Dafina Berisha ka garuar me SPD’në, e Sami Musa me FDP.

Ndryshe, Unioni CDU/CSU doli fitues i zgjedhjeve në Gjermani. Friedrich Merz pritet të jetë kancelari i ardhshëm. /Albinfo.ch

Mërgimtari shqiptar fiton loto, kap shumën prej 500 mijë euro

Jeta e Albin Kryeziut, 26-vjeçarit nga Kosova me banim në Itali, mori një kthesë të papritur këtë javë kur pas një ditë pune, bleu një biletë lotarie me të cilën fitoi 500 mijë euro, transmeton albinfo.ch.

Referuar medias italiane Il Messaggero, i riu i cili punon në një kompani ndërtimi në San Polo di Piave, kishte mbaruar ditën e tij të punës dhe u ndal në një dyqan me vëllain e tij dhe disa bashkëpunëtorë për të blerë një biletë lotarie të Gratta e Vinci – Gërvish dhe Fito – për 5 euro.

Ajo që nisi si një hobi i thjeshtë gjatë pirjes së një kafeje përfundoi duke i dhënë një lehtësi ekonomike të riut dhe familjes së tij.

Fituesi u shpreh për mediat se nuk e kishte imagjinuar se diçka e tillë mund t’i ndodhte.

“Sigurisht që nuk e prisja. Sapo isha kthyer nga puna dhe po kthehesha në shtëpi, kur, vetëm për të kaluar kohën dhe për të pirë një kafe, bleva një biletë , vetëm për të luajtur”, tha për mediat Kryeziu.

Pasi gërvishti biletën dhe pa numrin fitues, Kryeziu shkoi te stafi i recepsionit për të konfirmuar çmimin: “Kur pashë numrin në faturë, pyeta në biletari dhe më konfirmuan: kisha fituar”.

E para që e mori vesh lajmin ishte gruaja e tij, të cilën e telefonoi menjëherë.

Ndonëse nuk kanë marrë ende ndonjë vendim përfundimtar se si do t’i përdorin paratë, i riu përmendi se po mendojnë të blejnë një shtëpi të re ose një makinë.

“Gjithçka mbetet për t’u parë. Thjesht ndodhi dhe unë gjithashtu duhet të fokusohem në të”, tha ai.

Përkundër të ardhurave të papritura, Kryeziu ka thënë se nuk ka në plan të lë punën e tij në ndërtim.

“Puna do të vazhdojë si zakonisht, sigurisht”, tha ai.

Shuma e marrë nga fituesi do t’i nënshtrohet një tatimi prej 20% , siç pritet me këtë lloj çmimi. Pra i riu do të duhet të paguajë 100 mijë euro taksa. /Albinfo.ch

Sa është metri katror i banesave në Shqipëri

Në vitet e fundit, tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri ka përjetuar ndryshime të rëndësishme, duke reflektuar zhvillimet ekonomike dhe urbanistike të vendit. Çmimi mesatar i shitjeve në treg varion ndjeshëm sipas zonave, por “Scan Intel” ka zgjedhur të vijë me një llogaritje ndryshe, pra bazuar mbi një mesatare të thjeshtë nisur nga shifrat zyrtare mbi lejet e ndërtimit.

Janë marrë në konsideratë vetëm treguesit e vlerës dhe sipërfaqes në metra katrorë për ndërtimet për banim, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave zyrtare të analizuara nga “Scan Intel”, në vitin 2024, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për banim vlerësohet në rreth 72 miliardë lekë, ose 727 milionë euro. Ndërkohë, po të njëjtat të dhëna tregojnë se sipërfaqja e lejeve për ndërtesat për banim për vitin 2024 regjistrohet në afërsisht 2 milionë katrorë. Kështu, nga këto dy tregues mund të themi se një metër katror në Shqipëri kushton rreth 36,257 mijë lekë ose rreth 360 euro.

Referuar të dhënave për pesë vitet e fundit shohim se kjo vlerë ka arritur një nivel më të lartë në 2023-shin dhe në vitin 2024. Në vitin 2020, një metër katror kushtonte rreth 35 mijë lekë.

Por si paraqitet kjo panoramë sipas qarqeve?

Nëse analizojmë të dhënat e INSTAT për vitin 2024 sipas qarqeve, ku përfshihen të gjitha llojet e ndërtimeve, del se qarqet që kanë patur kostot më të larta për metër katror janë Gjirokastra, Dibra, Lezha dhe Elbasani.

Theksojmë edhe njëherë se këto shifra nuk i referohen vlerave që kanë pasuritë e paluajtshme në treg, por janë shifra që i referohen një mesatareje nisur nga sipërfaqja dhe vlera e miratuar sipas shifrave zyrtare.

Tare drejt Milanit si drejtor sportiv

Igli Tare është gjithnjë e më afër marrjes së rolit të drejtorit të ri sportiv të Milanit.

Sipas rrjedhjeve, pas takimeve të zhvilluara të premten në Londër me Cardinale dhe Ibrahimovic, ish-drejtori i Lazios është tashmë në “pole-position” për të qenë drejtori i ri sportiv i kuqezinjve.

Nëse zgjedhja e Tares do të konfirmohet përfundimisht në orët në vijim, duke pasur parasysh marrëdhëniet e shkëlqyera mes të dyve, edhe Moncada do të qëndrojë te kuqezinjtë bashkë me menaxherin shqiptar, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Pasi u takuan me Andrea Bertën dhe Fabio Paraticin dhe dëgjoi pozicionet dhe idetë e tyre, drejtuesit e Milanit kanë vendosur të fokusohen më shumë tek ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare për t’i dhënë skuadrës një pikë referimi eksperte dhe të përgatitur, shkruan Sportmediaset.

Nëse Tare do të zgjidhet drejtori i ardhshëm sportiv, atëherë Cardinale dhe Ibrahimovic do t’i lënë në dorë ekipin në verë, duke nisur që nga zgjedhja e trajnerit, nëse do të vazhdojë të jetë Conceiçoo, ose do të tërheqë një mes Sarrit, Fabregas ose De Zerbit.

Rama në Panairin e Turizmit të Berlinit ju bën thirrje gjermanëve të vizitojnë Shqipërinë

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama mbajti fjalën e tij në ceremonia e hapjes ITB Berlin 2025, ku Shqipëria turistike i flet sot botës nga Gjermania.

Kryeministri Rama bëri një panoramë të numrit të turistëve vite më parë dhe tani, teksa tha se Shqipëria ka pritur një vit më parë 12 milionë turistë, transmeton albinfo.ch.

“Pse duhet gjermanët ta vizitojnë Shqipërinë. Nëse nuk doni t’i besoni fjalën time besojini Der Spiegel që është gati të drejtohet e padrejtë me mua por e përshkon Shqipërinë si një vend që duhet vizituat qoftë për plazhin si Bora Bora apo Butrinit. Bild, Shqipëria distanacion që duhet vizituar. Shqipëria është destinacioni më rritjen më të shpejtë të turizmit”, deklaroi Rama, duke shtuar:

“Unë bie dakord me Bild nuk jemi më perlë e fshehur po shndërrohemi në një fuqi turistike. Shqipëria është një Yll në ngritje. Me një kombinim të përsosur peizazhet është ndërruar një nga destinacionet më të nxehta turistike. Presim një të ardhshme më të shndritshme ekonomike. Të kemi këtë vend në ITB Berlin, askush nuk do e imagjinonte. Është përvojë e një njohje kaq frymëzuese, dua të falënderoj vërtetë ITB që na ka lejuar të shijojnë këtë shpërblim. Na ka dhënë mundësinë për t’i treguar botës që jemi krejt ndryshme nga stigma e kaq shumë viteve në Gjermani e vendeve të tjera të botës”, shtoi kryeministri shqiptar.

“Nuk kërkojmë ndere, vetëm lojë të ndershme. Udhëtari i parë në Shqipëri vizitoi vendin tonë në shekullin e 15, dokumentoi dhjetëra fjalë tipike shqiptare. Në gjuhën time po them faleminderit, ka dhe një arsye tjetër për të ardhur në Shqipëri nëse je gjerman, Shqipëria nuk është kurrë e mërzitshme”, u shpreh Rama.

Vetëdorëzohet edhe motra e Besar Nimanit, mohon akuzat

Ditën e sotme është vetëdorëzuar në policinë gjermane, Azize Nimani, motra e boksierit shqiptar Besar Nimani, i cili u vra në 9 mars të vitit të kaluar.

Një javë më parë ndërsa po zhvillohej gjyqi ndaj njërit prej autorëve të dyshuar për vrasjen e Besar Nimanit, pas seancës pati të shtëna me armë në afërsi të gjykatës, ku mbetën të plagosur vëllai dhe babai i autorit të dyshuar.

Për atentatin para gjykatës policia nxori disa urdhërarreste, mes tyre edhe për vëllain e Besarit, Berat Nimanin si dhe motrën e tyre, transmeton albinfo.ch.

Berat Nimani u arrestua pak ditë më parë, ndërsa mohoi të kishte lidhje me sulmin. Gjithashtu edhe motra e boksierit u vetëdorëzua ditën e sotme por mohoi çdo akuzë në lidhje me atentatin pranë gjykatës në Bielefeld.

“Një grua 33-vjeçare nga Bielefeld, e kërkuar nga policia dhe prokuroria publike në bazë të një urdhër-arresti, është vetëdorëzuar në policinë e Bielefeldit mbrëmjen e 28 shkurtit 2025, e shoqëruar nga avokati i saj. Gruaja është motra e vëllait të ish-boksierit të vrarë. Përfshirja e saj e saktë në krim është ende nën hetim”, thuhet në deklaratën e policisë.

Mediat gjermane raportuan se autorët e sulmit, ku mbetën të plagosur disa persona, mes të cilëve babai dhe vëllai i vrasësit të Besar Nimanit, ishin motra dhe vëllai i këtij të fundit.

Vëllai i boksierit Besar Nimani, Berati, ka mohuar çdo përfshirje në ngjarjen pranë gjykatës së Bielefeldit. Në një prononcim për gazetën gjermane “Bild”, ai theksoi se familja e tij ka jetuar në ankth të vazhdueshëm që nga marsi i vitit të kaluar, kur Besari u ekzekutua me 16 plumba.

Sipas policisë, ai është deklaruar i pafajshëm dhe tashmë është dërguar në qendrën e paraburgimit.

Gjithashtu, sipas dëshmive të disa personave në vendngjarje, dyshja janë parë duke u larguar me një makinë të zezë menjëherë pas ngjarjes.

Dyfishohen votuesit nga jashtë Shqipërisë

Në Shqipëri, regjistrimi i votuesve nga jashtë vendit, një proces që kryhet për herë të parë, ka shkuar sa dyfishi i parashikimeve, ndërsa KQZ-ja i kërkoi qeverisë shqiptare që të shtojë buxhetin mbi shërbimet postare për shpërndarjen e fletëve të votimit.

Për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit janë regjistruar deri tani 51 subjekte politike, që duhet të dorëzojnë brenda 10 ditësh listat e kandidatëve për deputetë. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u ka kërkuar mirëkuptim partive politike, që KQZ-ja të ndihmojë për disa ditë gjatë ri-aplikimit edhe 42 mijë shqiptarë, që u është refuzuar kërkesa e parë për votim, raporton Zëri i Amerikës, transmeton albinfo.ch.

Në Shqipëri dyfishohen votuesit nga jashtë, Celibashi: Vota e tyre do të ndikojë rezultatin

Deri sot, një ditë para skadimit të afatit mbi kërkesat nga diaspora, që shqiptarët të votojnë nga jashtë vendit në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, numri i refuzimeve prej mungesave në dokumente është sa një e pesta e pranimeve.

Megjithatë kërkesat e miratuara deri tani janë më shumë se sa dyfishi i parashikimit më optimist të fillimit, dhe nevojitet tashmë edhe dyfishimi i buxhetit për të postuar fletët e votimit drejt çdo adrese votuesi, një shtesë që shpresohet se do të dalë brenda kësaj jave.

“Nuk ka asnjë hezitim nga ministria e Financës, nga qeveria, për ta mbështetur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për sa i përket këtij aspekti. Besoj që do të qëndrojmë tek një llogari, që merr në konsideratë nurmin prej 250 mijë votuesish nga jashtë”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Duke filluar nga 11 janari, kur nisi procesi, kërkesat për regjistrim nga jashtë vendit janë mbi 273 mijë, nga këto janë miratuar mbi 220 mijë, dhe janë refuzuar mbi 42 mijë.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, thotë se më 9 mars del lista e votuesve nga jashtë vendit, ndërsa ka kërkuar mirëkuptimin e partive politike që gjatë kësaj kohe të bëhet gjithçka nga KQZ-ja që të ulet sa më shumë numri i kërkesave të refuzuara, duke i ndihmuar qytetarët nga jashtë në procesin e riaplikimit.

“Nëse ne ia dalim që këtë numër prej 42 mijë zgjedhësish t’i trajtojmë, nëse do të kenë interes për të aplikuar, në mënyrë individuale, sikurse kemi disa ditë që po e bëjmë këtë, besoj se do të ishte me dobi. Por edhe për këtë duhet konsensusi i forcave politike, sidomos i dy partive kryesore politike”, tha zoti Celibashi.

As këtë radhë votimi dhe numërimi elektronik nuk do të ketë ndonjë përhapje të gjerë, përveç dy qendrave për qëllime studimi, si njësia 10 e bashkisë së Tiranës dhe në bashkinë e Vorës.

Sot skadon afati për regjistrimin e koalicioneve politike, ndërsa në zgjedhje janë regjistruar të garojnë 51 subjekte politike, dhe po shqyrtohen edhe dy kërkesa të tjera, ndërsa për listat me emrat e kandidatëve afati i fundit është 12 marsi. Zoti Celibashi thotë se votat nga jashtë mund të ndikojnë mbi një numër të konsiderueshëm, deri në një të pestën e mandateve në Kuvend.

“Janë numrat shumë të mëdhenj ato të votuesve nga jashtë dhe si të tillë besoj që do të kenë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve me siguri. Matematikisht janë 23- 25 mandate që mund të ndikohen prej votave nga jashtë”, thotë zoti Celibashi.

Operatorë të njohur ndërkombëtarë të postave kanë përfaqësi në Shqipëri dhe do të ftohen për të shqyrtuar ofertat, ndërsa Posta Shqiptare është përjashtuar me ligj nga këto procedura. Atyre do t’u kërkohet që fleta e votimit të mbërrijë sa më shpejt dhe personalisht në dorën e çdo votuesi të regjistruar, me një çmim sa më të ulët.

Ndërkohë, subjektet kryesore politike kanë nisur tubime me mbështetësit e tyre brenda dhe jashtë vendit për të zgjedhur më 11 maj nëse socialistët do të kenë një mandat të katërt në qeverisje dhe nëse demokratët do të arrijnë rotacionin pas më shumë se një dekade në opozitë.

Pse diaspora është me Kurtin?

Për Hilmi Gashin, 55 vjeç, Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja parti në Kosovë, që, krahas elementeve të forta shtetformuese dhe të mbrojtjes së sovranitetit, ka në agjendë edhe çështje sociale.

Për t’i ofruar mbështetje kësaj partie, të udhëhequr nga kryeministri aktual, Albin Kurti, ai udhëtoi nga Zvicra në Kosovë dhe votoi në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“Lëvizja Vetëvendosje ka një agjendë sociale për mbrojtjen e nënave, grave, të rinjve dhe pensionistëve. E mbështet një ekonomi tregu me elemente sociale dhe e lufton korrupsionin”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

Gashi, i cili tash e 33 vjet jeton në një qytezë në Kantonin e Bernit, thotë se e ka gjetur veten te programi i kësaj partie, edhe për faktin se ai vetë udhëheq një sindikatë që avokon për të drejtat e të rinjve, grave dhe imigrantëve.

Te synimet e Vetëvendosjes thotë se sheh “një shtet që ofron shërbime cilësore për qytetarët e tij – qoftë në shëndetësi, arsim apo administratë”. “Vetëvendosje e ka ngritur Kosovën në agjendën politike jo si një shtet që pranon urdhra nga lart, por si një partner i barabartë në tryezë”, thotë Gashi.

“Për mua është e rëndësishme që kur vij në Kosovë, të pritem në kufi si njeri, e jo të plaçkitem. Këto gjëra më bëjnë të ndihem mirë, sepse vërehet përmirësim”, thotë mbështetësi i kamotshëm i Vetëvendosjes.

Për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, në diasporë u regjistruan afro 105 mijë votues kosovarë, prej të cilëve votuan rreth 80.000 – disa në përfaqësi diplomatike, disa me postë.

Nga numërimi i shumicës së votave nga diaspora, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin bindshëm, kundrejt Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ngjashëm edhe në zgjedhjet e para katër vjetëve, Vetëvendosje siguroi mbi 80 për qind të votave të diasporës.

Votues i kësaj partie, edhe atëherë, edhe tash, ishte Izet Dushi, i cili prej vitesh jeton në Halmstad të Suedisë. Pensionisti 80-vjeçar thotë se ka votuar me postë, i nxitur nga “qeverisja e pakorruptuar e Kurtit” dhe “politikat e tij”.

Ai përmend “mbështetjen e Qeverisë së Kurtit për studentët, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe shtesat për fëmijë”, por thotë se në mënyrë të veçantë vlerëson përpjekjet për shtrirjen e autoritetit në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

“A ka më mirë se të lëvizësh lirshëm në atë pjesë”, thotë Dushi, i cili aktualisht gjendet për pushime në Kosovë.

“Lëvizja Vetëvendosje më e organizuar”

Lirim Krasniqi, nga organizata Germin në Kosovë, e cila merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë më e angazhuar me mërgatën, gjatë fushatës parazgjedhore.

Sipas tij, ajo ka mbajtur më shumë takime me të, krahasuar me partitë tjera, dhe ka më shumë përfaqësues në shtetet ku është e përqendruar diaspora.

“Diaspora voton zakonisht për tema me rëndësi kombëtare, si politika e jashtme, dialogu me Serbinë, siguria dhe ushtria. Në këto çështje, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë shumë më e zëshme se partitë e tjera”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Ai kujton se kjo parti, verën e kaluar, ka lansuar edhe një projekt për investime nga diaspora, që, siç thotë, mund të ketë shërbyer si shtysë për rreshtimin e saj pas Vetëvendosjes.

Për më tepër, votimi i diasporës në ambasadat apo konsullatat e vendeve ku jetojnë, u mundësua për herë të parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, kujton ai.

Por, sociologu Artan Muhaxhiri është në mesin e zërave më kritikë sa i përket votimit të diasporës. Ai thekson se në aspektin ekonomik dhe zhvillimor të Kosovës, ajo ka rëndësi të madhe, por shton se jo të gjithë pjesëtarët e saj mund të jenë mirë të informuar për zhvillimet e brendshme në vend.

“Dikush që ka shkuar në pesë apo dhjetë vjetët e fundit mund të votojë, sepse ka potencial për t’u rikthyer në Kosovë. Por, nëse dikush ka shkuar që 20-30 vjet dhe është integruar atje, mendoj se nuk është krejtësisht e drejtë që të votojë për një sistem politik nga i cili nuk ndikohet”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Gashit, i cili pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar në Zvicër, kjo i duket absurde. Sipas tij, diaspora e Kosovës ka lidhje të ngushta me vendin e origjinës dhe ka të drejtë të shprehë mendimin e saj për zhvillimet politike në Kosovë.

“Se cila parti e udhëheq shtetin, është e dorës së dytë. Unë nuk ia jap votën se më pëlqen partia, por se punon”, thotë ai. Si shumë të tjerë, Gashi thotë se prej vitesh dërgon para për familjarët në Kosovë, që për disa qytetarë përbëjnë të ardhurat kryesore.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se në periudhën janar – shtator të vitit të kaluar, Kosova ka pranuar remitenca në vlerë prej mbi një miliard eurosh, ndërsa në vitin 2023 kjo shumë ishte mbi 1.2 miliard euro.

Për shtatë vjet ndërkaq – nga 2017-ta deri më 2023 – vlera e remitencave ka arritur në mbi 6.9 miliardë euro.

Shumë udhëheqës biznesesh i cilësojnë këto të ardhura si “infuzion” për ekonominë e Kosovës.

Përveç tyre, diaspora investon edhe në patundshmëri në Kosovë, ndërsa shpenzon shuma të konsiderueshme parash edhe gjatë pushimeve.

Sipas BQK-së, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte, ku përfshihen edhe ato të diasporës në patundshmëri, ka arritur në rreth 700 milionë euro në periudhën janar-shtator të vitit 2024, ndërsa në vitin 2023 ka qenë 732 milionë euro.

Gjatë regjistrimit të popullsisë, vitin e kaluar, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se mbi 550 mijë kosovarë janë regjistruar në shtete të ndryshme të botës. Numri më i madh i tyre është i përqendruar në Gjermani.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të bëjë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit në mes të këtij muaji.

Nga rezultatet preliminare, asnjë parti nuk ka siguruar mjaftueshëm vota sa për të formuar e vetme qeverinë. Vetëvendosje prin me rreth 40%, PDK-ja me rreth 22%, LDK-ja me rreth 17% dhe koalicioni AAK-Nisma me rreth 7%.

Kur do të mund të formohet Qeveria e re e Kosovës?

Analistët nuk e përjashtojnë mundësinë që Vetëvendosja të sigurojë së paku një deputet nga votat e diasporës.

Qeveria e udhëhequr nga kjo parti në katër vjetët e fundit është përballur edhe me kritika, sidomos nga bashkësia ndërkombëtare, për shkak të disa veprimeve që ajo i ka konsideruar si të pakoordinuara në veri të Kosovës.

Qeveria e Kurtit e ka gjetur veten, po ashtu, në raporte të Departamentit amerikan të Shtetit për korrupsion qeveritar, apo të Reporterëve pa Kufij për kufizimin e lirisë së mediave.

Zvicra mbetet ‘e fortë’ në krahun e Ukrainës

Qeveria zvicerane është çdo gjë tjetër veçse neutrale në lidhje me një grindje që ndodhi të premten midis Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky, e cila përfundoi me dëbimin e presidentit ukrainas nga Shtëpia e Bardhë.

Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter shkroi në X (ish-Twitter) për të riafirmuar solidaritetin e vendit me kombin e shkatërruar nga lufta, transmeton albinfo.ch.

“Zvicra mbetet e vendosur për të mbështetur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, ndërsa dënon agresionin e Rusisë kundër një shteti sovran”, shkruan ajo.

Hapet sezoni i peshkimit në Zvicër

Sezoni i peshkimit u hap në shumicën e zonave frëngjishtfolëse gjatë fundjavës.

Një garë festive u organizua nga Pont de la Coulouvrenière nga Komisioni Kantonal i Peshkimit të Gjenevës, transmeton albinfo.ch.

Kantoni po punon gjithashtu për të përmirësuar migrimin e peshkut, i cili ndonjëherë pengohet nga digat hidroelektrike, si dhe për krijimin e habitateve të reja për peshqit dhe kafshë të tjera të egra.

Në Gjenevë sezoni i peshkimit zgjat deri në fund të shtatorit – pak më gjatë në disa zona të Rhone dhe Aarve.

Edhe pse sezoni i peshkimit është i hapur – nuk është falas për të gjithë. Do t’ju duhet një licencë.

 

Zvicër: Epidemia e gripit po ulet

Vala e gripit që ka mbërthyer vendin gjatë javëve të fundit ka filluar të tregojë shenja të zbutjes.

Shifrat e fundit nga Zyra Federale e Shëndetësisë po pasqyrojnë një rënie të numrit të njerëzve që vizitojnë mjekun e tyre me infeksione të frymëmarrjes.

Por analizat e ujërave të zeza tregojnë se nivelet e gripit mbeten të larta, transmeton albinfo.ch.

Ky sezon aktual ka qenë veçanërisht i keq pasi qarkullojnë dy lloje të viruseve të gripit, gjë që është e pazakontë.

Zvicër: A po mbaron puna në shtëpi?

Më shumë kompani në Zvicër po kërkojnë përsëri punën e stafit të tyre nga zyra – duke zhgënjyer shumë punëtorë.

Vetëm kohët e fundit, firmat e mëdha zvicerane si Swisscom, Schindler, Swatch dhe Novartis po godasin punën në shtëpi. E fundit është banka Raiffeisen.

Shumë anëtarë të stafit janë të pakënaqur pasi janë mësuar me jetën e punës në shtëpi – disa po kërcënojnë të largohen. Por me trendin e ri, gjetja e një firme që mirëpret punën në shtëpi mund të jetë një sfidë.

Një shef i paidentifikuar i tha revistës së biznesit, Handelszeitung, “Besimi është i mirë, kontrolli është më i mirë”.

Si mund të përfitojnë qiramarrësit në Zvicër nga normat e reja, më të ulëta të interesit?

Më 3 mars, Administrata Federale e Strehimit (BWO) ka ulur normën e saj të interesit referencë. Çfarë do të thotë kjo për qiramarrësit e Zvicrës?

“Norma referencë e interesit e vlefshme për vendosjen e qirave në të gjithë Zvicrën ka rënë me 0.25 për qind dhe tani është 1.5 për qind,” tha BWO në një njoftim për shtyp.

Shumica e qirave në Zvicër përcaktohen nga norma e interesit referencë – një mesatare e të gjithë interesit të paguar për hipotekat zvicerane. Këto, nga ana tjetër, bazohen në normën bazë të interesit të Bankës Kombëtare të Zvicrës, e cila tani qëndron në një shumë të ulët prej 0.5 për qind.

Çfarë do të thotë kjo shkurtim i fundit për qiramarrësit?

Për shumicën prej tyre, është padyshim një lajm i mirë.

Sipas BWO, “meqenëse norma e interesit referencë ka rënë me 0,25 për qind në krahasim me tremujorin e mëparshëm, qiramarrësit kanë të drejtë në parim të kërkojnë ulje të qirasë prej 2,91 për qind nëse qiraja e tyre bazohet në një normë interesi referencë prej 1,75 për qind; nëse bazohet në një normë më të lartë se 1.75 për qind, ulja e qirasë e pagueshme do të jetë më e lartë.”

Megjithatë, një ulje prej 2.91 për qind është skenari më i mirë – disa qiramarrës mund të shohin një ulje më të ulët të qirave të tyre, transmeton albinfo.ch.

Kjo sepse “faktorë të tjerë të kostos, si ndryshimi në indeksin e çmimeve të konsumit (inflacioni) mund të luajnë një rol në përcaktimin e qirave,” shpjegoi BWO.

“Inflacioni mund të merret parasysh deri në 40 për qind Përveç kësaj, një ndryshim në kostot e mirëmbajtjes dhe funksionimit mund të çojë në një rregullim të qirasë. Nëse është e aplikueshme, kjo duhet të merret parasysh në llogaritje.”

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, nëse kostot e pronarit tuaj, të tilla si për menaxhimin e pronës, taksat ose sigurimin, rriten, ato mund t’i përfshijnë këto kosto të shtuara në qiranë tuaj, që do të thotë se ulja juaj aktuale nuk do të rritet deri në 2,91 për qind, shkruan thelocal.

Kur do të hyjnë në fuqi këto shkurtime?

Fatkeqësisht, kjo nuk ndodh brenda natës, por, më shumë gjasa, brenda disa muajve të ardhshëm

Kur kjo të ndodhë, qiramarrësit do të kenë të drejtën e reduktimit të qirasë, me kusht që qiradhënësi të ketë rritur qiratë e tyre kur normat e referencës janë rritur në të kaluarën.

Megjithatë, ndërkohë, mund të jeni proaktiv. Në mënyrë ideale, kur tarifat bien dhe qiramarrësit kanë të drejtë të ulin qiratë e tyre, qiradhënësi duhet ta bëjë këtë automatikisht.

Por nuk është gjithmonë kështu. Kjo është arsyeja pse qiramarrësit i takon ta marrin këtë çështje në duart e tyre.

Në total, rreth 2.2 milionë familje në Zvicër mund të aplikojnë për ulje të qirasë.

Për ta bërë më të lehtë këtë proces, Shoqata Zvicerane e Qiramarrësve ka përgatitur një formular mostër që mund të plotësohet dhe t’i dërgohet qiradhënësit ose kompanisë administruese.

Zyra federale zvicerane nuk sheh asnjë arsye për t’i dhënë fund dëbimeve të azilkërkuesve

Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Migracionin (SEM) vazhdon të deportojë azilkërkuesit në Kroaci. Kështu, po refuzon një kërkesë nga Këshilli Zviceran i Refugjatëve në mes të shkurtit, i cili bëri thirrje për ndalimin e dëbimeve.

Sipas informacionit të fundit nga SEM, problemet e përshkruara në rajonin kufitar kroat nuk mund të lidhen me dëbimet në Kroaci sipas procedurës së azilit të Dublinit të Evropës. SEM e bëri këtë deklaratë të hënën në përgjigje të një hetimi nga agjencia e lajmeve Keystone-SDA. Kthimet janë kryer ligjërisht dhe pa përjashtim në kryeqytetin Zagreb, tha ai.

Për më tepër, nuk kishte asnjë lidhje midis riatdhesimeve dhe shtyrjeve në kufi, të përmendura në një deklaratë për shtyp nga Këshilli Zviceran për Refugjatët. Këto ndodhin kur refugjatët dhe migrantët detyrohen të largohen nga zona Shengen menjëherë pas kalimit të kufirit dhe të pengohen të aplikojnë për azil, transmeton albinfo.ch.

Hetimet e gjera nuk kanë zbuluar asnjë provë se të kthyerit nga Dublini janë në rrezik të shtyrjes në Bosnje dhe Hercegovinë ose të dhunës sistematike nga autoritetet e policisë kroate, tha SEM. Sjellja e keqe e forcave kroate të sigurisë nuk tregon një përdorim sistematik të dhunës kundër migrantëve, shtoi ai.

Kritikat dhe kërkesat e këshillit bazohen në një raport të ri mbi sistemin e azilit në Kroaci. Punonjësit e organizatës vizituan qendrat kroate të azilit në tetor dhe folën me përfaqësues të organizatave joqeveritare lokale. Ata gjetën prova të incidenteve sistematike të trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues të azilkërkuesve nga policia kroate.

Pesë çështjet kryesore që do të trajtohen në sesionin pranveror të Parlamentit Zviceran

Në sesionin e pranverës të këtij viti, Parlamenti i Zvicrës, gjegjësisht Dhoma Nacionale dhe Dhoma e Kantoneve do të diskutojnë një sërë propozimesh të rëndësishme.

Këto janë pesë çështjet kryesore që pritet të trajtohen gjatë kësaj periudhe.

Receta për parandalimin e kolapsit të bankave të mëdha: “Vitet e keqmenaxhimit” të Credit Suisse ishin kryesisht përgjegjës për rënien e bankës. Kështu ka arritur në raportin përfundimtar komisioni hetimor parlamentar i PUK-së. Ai sheh nevojën për veprim nga autoriteti mbikëqyrës i tregut financiar Finma dhe rregulloren “shumë e madhe për të dështuar”, e cila “nuk është krijuar për një krizë besimi”. Këshilli Kombëtar dhe Këshilli i Shteteve po diskutojnë se cilat përfundime duhet të nxirren nga raporti. Në Këshillin e Shteteve, Komiteti Ekonomik kërkon që vendimet kyçe të shtyhen.

Iniciativat në një paketë me tre: Këshilli Kombëtar duhet të mbajë qëndrim për tre nisma popullore në të njëjtën kohë. Nisma “Cash is Freedom” synon të sigurojë që gjithmonë të ketë mjaftueshëm monedha ose kartëmonedha në dispozicion. Nisma “Për një të ardhme” kërkon që trashëgimitë dhe dhuratat mbi 50 milionë franga të taksohen me 50 për qind. Dhe nisma “Service-citoyen” synon të detyrojë të gjithë të rinjtë të ofrojnë një shërbim në dobi të publikut të gjerë dhe mjedisit, shkruan SRF.

Të gjithë paguajnë taksat veçmas: Të gjithë duhet të plotësojnë deklaratën e tyre tatimore. Kështu kërkon nisma “për taksimin individual të pavarur nga statusi martesor”. Këshilli Federal është i përgatitur të zbatojë kërkesën në një ligj federal dhe të pranojë rreth një miliard franga në të ardhurat e humbura nga taksat. Por ligji është shumë i diskutueshëm. Këshilli Kombëtar e miratoi vetëm me 98 vota kundër 93. Tani është radha e Këshillit të Shteteve. Komisioni përgjegjës Ekonomik ka propozuar miratimin e tij me një diferencë shumë të ngushtë prej 6 votash 6 kundër, me votën vendimtare të Presidentit.

Më shumë kontrolle në kufi: Edhe një herë, Këshilli Kombëtar dhe Këshilli i Shteteve po mbajnë një “sesion të jashtëzakonshëm” për “azilin dhe sovranitetin” me kërkesë të SVP. Ka të ngjarë të miratohen propozime individuale që synojnë shtrëngimin e rregullave. Komiteti i Politikës Shtetërore i Këshillit të Shteteve kërkon njëzëri – me një abstenim – që kontrollet kufitare të “intensifikohen” dhe migrantët që nuk aplikojnë për azil të largohen. Një propozim i SVP-së që do të lejonte marrjen e masave kundër “sans-papiers” gjithashtu ka një shans për t’u pranuar, transmeton albinfo.ch.

Investitorët me rreze X: A nuk është një ide e mirë që shteti të shqyrtojë paraprakisht investimet e huaja në kompanitë zvicerane? Megjithëse të dy këshillat kanë thënë tashmë po në parim për një “rishikim investimi”, Komiteti Ekonomik përgjegjës tani po i kërkon Këshillit të Shteteve të mos miratojë ligjin përkatës. Sipas mendimit të shumicës, Këshilli Kombëtar e kapërceu kufirin duke e shtrirë “rishikimin e investimeve” në shumë më shumë kompani sesa kërkohej nga Këshilli Federal. Këshilli Federal dëshiron të kufizohet në “investitorët e kontrolluar nga shteti” dhe kompanitë në një “fushë veçanërisht kritike”.

Pas sulmit në Mannheim, reagon konsullata e Kosovës në Shtutgart

Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart ka reaguar pas sulmit që ndodhi sot në qytetin Mannheim të Gjermanisë.

Përmes njoftimit bëhet e ditur se janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe me pjesëtarët e mërgatës kosovare në këtë qytet.

“Lusim të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, që kanë nevojë për ndihmë, të na kontaktojnë në numrin emergjent të Konsullatës: +49 152 37337814. Ju lutemi të qëndroni të sigurt dhe të ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Ekonomistët thirrje për t’i dhënë fund lejes prindërore me pagesë në Gjermani

Kreu i Institutit të Kërkimeve Ekonomike me bazë në Mynih (ifo), Clemens Fuest ka bërë thirrje që leja prindërore e paguar të hiqet si pjesë e shkurtimeve të mundshme të buxhetit në Gjermani.

“Unë do të heq ndihmën prindërore krejtësisht. Është një rast klasik i të mirave për t’u pasur, por jo një prioritet.”

Shumë përfitues të ndihmës janë financiarisht të mirë, argumentoi ekonomisti, duke shtuar se shkurtimet mund të jenë të shkallëzuara gjatë disa viteve.

Ndërsa CDU e qendrës së djathtë dhe SPD e qendrës së majtë vazhdojnë bisedimet për një koalicion të ardhshëm, partitë po përballen me vrima të rëndësishme në buxhetin federal, i cili do të duhet të mbyllet përmes rritjes së taksave ose shkurtimeve të shpenzimeve.

CDU, e cila fitoi zgjedhjet e 23 shkurtit me 28 për qind të votave, i ka rezistuar idesë së rritjes së taksave dhe është zotuar të ofrojë lehtësim taksash si për familjet me të ardhura të mesme ashtu edhe për ato më të larta, transmeton albinfo.ch.

“Të gjitha përfitimet shtetërore duhet të shqyrtohen për të parë nëse ato synohen saktësisht,” tha Fuest, duke iu drejtuar partnerëve të mundshëm të koalicionit.

Fuest ngriti gjithashtu idenë e përdorimit të të ashtuquajturës “metodë e makinës së barit” për të bërë shkurtime gjithëpërfshirëse duke shmangur debatet mbi përfitimet individuale shtetërore.

“Nëse nuk doni të përfshiheni në mosmarrëveshje të hollësishme, mund të përdorni metodën e kositjes së barit”, tha ai. “Për shembull, shkurtime të përgjithshme prej 50 për qind”.

Deri në 1800 € në muaj për prindërit e rinj

Shtesa prindërore – e njohur në gjermanisht si Elterngeld – u lejon prindërve të marrin deri në 14 muaj pushim të paguar për t’u kujdesur për një foshnjë të porsalindur pa pasur frikë nga vështirësitë ekonomike, shkruan thelocal.

Nënat marrin gjithashtu një periudhë pushimi me pagesë të njohur si Mutterschutz (mbrojtja e lehonisë), e cila është e detyrueshme nga gjashtë javë para lindjes deri në tetë javë më pas.

Shtesa prindërore aktualisht është vendosur në 70 për qind të të ardhurave të prindit, e kufizuar në maksimum prej 1,800 € në muaj.

Shifrat aktuale nga Enti i Statistikave të Gjermanisë tregojnë se 1.8 milionë njerëz në Gjermani aplikuan për ndihmë prindërore në vitin 2023. Kjo shkon në kosto prej rreth 8 miliardë euro në vit.

Vitin e kaluar, ish koalicioni i semaforëve i Social Demokratëve (SPD), Të Gjelbrit dhe Demokratëve të Lirë (FDP) lëvizi për të shtrënguar kufijtë e të ardhurave për çiftet që pretendojnë leje prindërore.

Ndërsa më parë, prindërit kishin mundur të pretendonin deri në një të ardhur të përbashkët prej 300,000 € në vit, kjo u reduktua në 200,000 € në prill 2024. Në prill 2025, kufiri është caktuar të reduktohet edhe një herë në 175,000 € në vit.

Rreth 7000 familje pritet të preken nga ndryshimi.

SNB konfirmon fitimin e 81 miliardë CHF në 2024

Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB) ka konfirmuar se ka regjistruar një fitim prej 80.7 miliardë CHF (89.5 miliardë dollarë) për vitin 2024. Siç ishte paralajmëruar më parë, ajo do të rifillojë shpërndarjen për qeverinë federale dhe kantonet, në shumën 3 miliardë CHF.

Fitimi përfundimtar i SNB-së për vitin 2024 është pak më i lartë se sa raportohej në fillim të vitit. Në detaje, banka qendrore zvicerane realizoi një fitim prej 67.3 miliardë CHF në pozicionet e saj në valutë të huaj dhe 21.2 miliardë CHF në zotërimet e saj të arit, por një humbje prej 7.4 miliardë CHF në pozicionet e saj në franga zvicerane. Ndërkohë, shpenzimet operative arritën në 400 milionë CHF, transmeton albinfo.ch.

Pas alokimit të 11.6 miliardë CHF në provizionet për rezervat valutore dhe duke marrë parasysh rezervën negative të shpërndarjes prej 53.2 miliardë CHF, kjo rezulton në një fitim bilanci prej 15.9 miliardë CHF, shkruan swissinfo.

Kjo mundëson pagesën e dividentit prej 15 CHF për aksion dhe një shpërndarje fitimi për qeverinë federale dhe kantonet që arrijnë në 3 miliardë CHF. Pas këtyre pagesave, rezerva e shpërndarjes do të arrijë në 12.9 miliardë CHF.

Agron Tufa vjen në Gjenevë me librin “Njeriu buzë lumit”

Në sallonin tradicional të librit që mbahet në Gjenevë nga 19 deri më 23 mars do të prezantohen edhe një numër autorësh shqiptarë. Aktualisht autorët shqiptarë që prezantohen në stendën e Lise’s Bookstore janë: Ag Apolloni, Enver Dugolli, Agron Tufa, Elvana Zaimi-Tufa, Rita Petro, Shemsi Makolli, Tom Kuka, Edlira Dedja, Argjira Kastrati.

Albinfo.ch ua prezanton kësaj radhe autorin Agron Tufa. Në ditët në vijim do të prezantojmë edhe autorë të tjerë.

Kush është Agron Tufa ?

Agron Tufa u lind në Dibër. Ka studiuar për letërsi dhe shkenca letrare në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Institutin e Letërsisë Botërore “A.M. Gorki” dhe në Institutin e Kulturave Europiane – IEK (Moskë). Ka qenë për shumë vite pedagog i Letërsisë së Huaj të shekullit XX-XXI në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës.

Cilat janë veprat e Agron Tufës ?

Është autor i mbi 20 librave me poezi, romane, tregime, ese dhe studime. Gjithashtu Tufa është një përkthyes i spikatur i një numri të madh poetësh, romancierësh dhe veprash filologjike, ndër të cilët veprat e Pushkinit, Dostojevskit, Tolstoit, Leskovit, Zamjatinit, Bullgakovit, Majakovskit, Mandelshtamit, Josif Brodskit, etj. Është fitues i shumëfishtë i çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Cili është libri i Tufës që  prezantohet sivjet në Gjenevë ?

Të shtunën më 22 mars nga ora 14h – 16h Agron Tufa jep dedikase (prezanton dhe jep autografe) të librit “Njeriu buzë lumit”.

“Njeriu buzë lumit” është vëllimi i tetë poetik i Agron Tufës. Në këtë vëllim mbizotëron një pasuri e larmishme metrash e formash poetike, një gjuhë e mbrujtur metaforike që gjakon të shprehë imazhet dhe gjendjet efemere, që i rrëshqasin verbalizimit. Spikat lirika filozofike dhe zhanri i elegjisë. Vëllimin e përshkon rravgimi i vazhdueshëm i njeriut të kredhur në vorbullën e Kohës, njeriu në rrjedhën e Kohës, sikundërse dhe fuqia rrënuese e tranformuese e Kohës, ajo se çfarë është në gjendje të bëjë Koha me Njeriun. Lumi është një imazh heraklitian mbi rrjedhën e kohës, historisë, moshës së njeriut nga fëmijëria drejt mbarimit dhe gjurma e tij e pashlyeshme në kujtesë. Kategoritë metafizike që e përshkojnë vëllimin janë kapërthimi i Gjuhës, Kohës, Kujtesës, Dashurisë dhe Vdekjes.

Mos e harroni këtë ngjarje! Nga 19 deri më 23 mars, ju presin dyert e hapura të Sallonit të librit në Palexpo të Gjenevës. Agron Tufa ju pret me veprën e tij jo vetëm sa për të pasuruar bibliotekat e juaja, por ai do të jetë aty edhe për dedikim të librit dhe për tu njohur dhe shkëmbyer së bashku.

Papunësia në Austri rritet në 8.1%

Zhvillimi i dobët i biznesit në industri dhe tregti po bën që shifrat e papunësisë të rriten më tej. Deri në fund të shkurtit, 429,940 persona u regjistruan si të papunë ose në trajnim në Shërbimin Publik Austriak të Punësimit (AMS), duke përfshirë 347,424 individë të papunë dhe 82,516 pjesëmarrës në programet e trajnimit AMS. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, numri i të papunëve dhe pjesëmarrësve në trajnim është rritur me 6.9%, ose 27643 individë.

Shkalla e papunësisë u rrit me 0,5 pikë përqindje në 8,1%. “Nuk është një fillim i lehtë për një qeveri të re federale,” komentoi anëtari i bordit të AMS, Johannes Kopf mbi shifrat aktuale të papunësisë në një deklaratë. Austria është në recesion prej rreth 2.5 vitesh, gjë që reflektohet qartë në tregun e punës. Kopf vlerësoi pozitivisht programin e qeverisë së re, duke thënë: “Qeveria e re ka njoftuar se do të pajisë AMS-në me shumë më shumë buxhet për të luftuar papunësinë. Ky është një hap i parë i rëndësishëm”, tha kreu i AMS-së, transmeton albinfo.at.

Rritja më e madhe në përqindje e të papunëve dhe pjesëmarrësve në programet e trajnimit AMS në fund të shkurtit, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ka ndodhur në prodhim/industri të mallrave (+14.9%) dhe në shëndetësi dhe shërbime sociale (+12.2%), shkruan The International. Rritja ishte disi më e ulët në tregti (+8.3%), mikpritje dhe akomodim (+5.7%) dhe transport dhe magazinim (+5.2%). Rritje e lehtë e papunësisë është vërejtur në ndërtim (+2.5%) dhe qiradhënie të punës (+0.1%).

Aktualisht, sipas Ministrisë së Punës, në kompanitë austriake janë 97,424 praktikantë, me 28,796 prej tyre në vitin e parë. Aktualisht ka më shumë të rinj që kërkojnë praktikë se sa pozicione të disponueshme: 7,891 të rinj janë regjistruar si kërkues për praktikë në AMS, ndërsa janë 7,616 pozicione të hapura praktike.

Nesër përfundon numërimi i votave me postë

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i numërimit të votave me postë.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi sot në një konferencë ka njoftuar se nesër pritet të përfundojnë numërimi i të gjitha fletëvotimeve që i takojnë votimit me postë.

“Deri ditën e martë do të arrijmë të përmbyllim numërimin e gjitha fletëvotimeve që i takojnë votimit me postë dhe pas kësaj do të fillojmë numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht i cili është zhvilluar në 56 vendvotime me datën 9 shkurt si dhe pastaj numërimin e votave të personave me nevoja të veçanta. Pasi të mbyllen gjitha këto procese si dhe pasi të marrim konfirmimin nga ana e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme se nuk ka ndonjë çështje që është duke u shqyrtuar në këto institucione atë herë KQZ do të mund të shpall rezultatin përfundimtar për subjektet politike dhe kandidatët e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë ai, transmeton albinfo.ch.

Elezi shtoi se çdo numërim që bëhet në QNR është i ankimueshëm dhe kjo do të thotë që vëzhguesit, subjektet politike mund të paraqesin ankesat e tyre për çdo administrim dhe për çdo numërim që zhvillohet në QNR.

“Të gjitha statistikat e një procesi zgjedhor sa i përket votave të pavlefshme, ne do t’i kemi me kohën kur KQZ do t’i shpallë rezultatet përfundimtare. Pjesë e statistikave që ka një proces zgjedhor natyrisht që do të jenë edhe fletëvotimet e pavlefshme. Në rastet kur ka paqartësi nëse një fletëvotim duhet të llogaritet i vlefshëm apo ndryshe, është PZAP ku palët mund të paraqesin ankesat e tyre”, tha ai