Vuçiqi e djali i Trumpit diskutojnë për sfidat globale

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se është takuar me djalin presidentit amerikan, Donald Trump Jr, përcjell albinfo.ch.

Ai ka shkruar në Facebook se kanë biseduar mbi marrëdhëniet mes Serbisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe temat aktuale “që formësojnë skenën politike dhe ekonomike globale”.

“Theksova rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike dhe politike ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve dhe projekteve të përbashkëta në vitet e ardhshme”, është shprehur Vuçiq.

Ai ka shtuar se takimi me djalin e Trumpit simbolizon angazhimin për forcim të raporteve dhe punën në adresimin e sfidave globale.

Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, arrin në Presidencë, pritet nga Osmani

Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, ka arritur në presidencën e Kosovës ku është pritur nga shefja e shtetit, Vjosa Osmani, përcjell albinfo.ch.

Pas takimit, Sekretari Rutte dhe presidentja Osmani do të mbajnë edhe konfrencë për media para gazetarëve.

Rutte ka ardhur në Prishtinë pas një vizite që ka realizuar fillimisht në Bosnje e Hercegovinë, ku ka takuar liderët politikë të Bosnjës në një kohë kur stabiliteti i këtij shteti po cënohet nga Millorad Dodik.

Zvicra në prag të një sistemi të ri tatimor për çiftet e martuara

Të hënën, Zvicra iu afrua një sistemi të ri tatimor për çiftet e martuara, pasi shumica e ngushtë e deputetëve në Këshillin e Shteteve miratuan një reformë të legjislacionit të kahershëm duke lejuar taksimin e ndarë dhe jo të përbashkët të bashkëshortëve, përcjell albinfo.ch.

Sot, çiftet e martuara tatohen së bashku, që do të thotë se nëse të dy partnerët janë të punësuar, ata shpesh duhet të paguajnë taksa më të larta sesa çiftet e pamartuara që paraqesin kërkesë veç e veç.

Të ardhurat e tyre shtohen (dhe tatohen) së bashku, pavarësisht se kush ka bërë çfarë.

Por sipas projektligjit, të ardhurat dhe pasuritë e çifteve të martuara do të tatohen veçmas.

Megjithatë, do të duhet ende pak kohë përpara se regjimi i ri i taksave të fillojë, pasi ai ende duhet të rregullohet nga Këshilli Kombëtar.

Panairi i Librit në Gjenevë, promovimi i letërsisë shqipe

Bëhet e ditur se nga data 20 deri më 24 mars 2025, Gjeneva do të mirëpresë Panairin e Librit, një prej aktiviteteve më të rëndësishme kulturore në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Në këtë edicion, një vend të veçantë do të zërë “Lizes Bookstore”, e cila do të promovojë letërsinë dhe autorët shqiptarë.

Takimet me autorët shqiptarë do të mbahen nga 21 deri më 23 mars, ku lexuesit do të kenë mundësinë të njihen me krijimtarinë e tyre dhe të diskutojnë mbi letërsinë shqipe.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë mbështet këtë nismë të rëndësishme që synon të promovojë kulturën dhe gjuhën shqipe në diasporë.

albinfo.ch
albinfo.ch

Lexoni po ashtu:

Mbrëmje përmbyllëse e Panairit Ndërkombëtar të Librit në Gjenevë

 

Kosovarët s’do të regjistrohen më si shtetas serbë në Gjermani

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar se mërgimtarët që deri më tani janë regjistruar në vendet gjermane si shtetas të Serbisë, mund ta ndërrojnë tani këtë.

Ai ka njoftuar të martën në Facebook se mërgimtarët duhet t’iu drejtohen organeve kompetente gjermane dhe të kërkojnë që në kategorinë e shtetësisë “të largohet një herë e përgjithmonë shtetësia e Serbisë”.

Ajeti njoftoi se ky ndryshim vjen nga një qarkore nga ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë.

“Më shumë se 17 vjet, qindra e mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës janë regjistruar me automatizëm në komunat e ndryshme, në mënyrë të padrejtë dhe të gabuar dhe si shtetas të Serbisë. Tani e kam kënaqësinë e veçantë që se si rezultat i punës sonë, ky problem i pazgjidhur dhe i trashëguar do të marrë fund. Në vazhdën e përpjekjeve tona të pandërprera dhe komunikimeve të shumta me institucionet gjermane, përkatësisht me kancelarin federale, ministrinë Federale të Punëve të Jashtme, ministrinë Federale të Punëve të Brendshme dhe ministrinë Federale të Drejtësisë, kemi kërkuar që shtetasit e Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të saj dhe assesi të mos evidentohen edhe si shtetas serbë. Jo vetëm 16 lëndë gjermane, por edhe mbi 5 mijë e 200 qendra të regjistrimit civil në krejt Gjermaninë e kanë pranuar tashmë një qarkore nga ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë ku janë njoftuar për këtë ndryshim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës”, ka thënë ai nëpërmjet një videomesazhi.

Ambasadori i ka ftuar shtetasit e Kosovës që kanë kësi probleme të drejtohen te institucionet gjermane ose t’i drejtohen ambasadës së Kosovës në Gjermani.

“Ata tash e tutje do të regjistrohen vetëm si shtetas të Kosovës. U bëjmë thirrje qytetarëve me vendbanim në Gjermani dhe që janë të prekur nga ky fenomen, t’u drejtohen organeve kompetente gjermane për të bërë korrigjimin e dokumentacionit. Duhet të kërkoni që në kategorinë e shtetësisë të largohet një herë e përgjithmonë shtetësia e Serbisë”, u shpreh ai.

Zvicër: autoXpérience do të kthehet vitin e ardhshëm

Shfaqja autoXpérience që u zhvillua në Palexpo gjatë fundjavës është përshëndetur një sukses dhe organizatorët thonë se do të rikthehet vitin e ardhshëm.

Ai zë vendin e panairit ndërkombëtar të makinave, që tashmë ka përfunduar.

Shfaqja nuk është krijuar për të zëvendësuar. Është shumë më i vogël dhe pritshmëritë e turmës janë shumë më të ulëta – edhe kështu, mbi 13,000 të pranishëm.

Shfaqja është krijuar nga shitësit vendas dhe i jep publikut mundësinë të shikojë modelet e reja të disponueshme.

“Angazhohem për cilësi të jetës duke e ndier afër kulturën time të origjinës”

Më 23 mars, mbahen zgjedhjet komunale në kantonin e Gjenevës. Këtë vit kemi shumë garues me origjinë shqiptare në të gjitha formacionet politike. Kësaj radhe përmes Albinfo.ch po ju njohim me Ilir Kurtin nga Partia Liberale Radikale (PLR) kandidat në komunën e Qytetit të Gjenevës.

Ilir Kurti është 29 vjeç dhe kandidat për Këshillin Komunal të Qytetit të Gjenevës. Iliri është i lindur nga një baba shqiptar dhe një nënë zvicerane me origjinë italiane dhe aktualisht jeton në Qytetin e Gjenevës. Të gjithë rrugëtimin shkollor dhe studimet e larta Iliri i ka përfunduar në Gjenevë, ku ka marrë diplomën Master në Fakultetin e Ekonomisë dhe Menaxhmentit në Universitetin e Gjenevës. Aktualisht, punon mësues në shkollën e nivelit të mesëm (Cycle d’Orientation) në komunën Onex.

Angazhimi i Ilirit në me PLR ka filluar që nga viti 2021. Ja se si na përgjigjet ai rreth vlerave të partisë në të cilën angazhohet, motivit për tu bërë pjesë në politikën lokale, rreth angazhimit konkret, vizionit të tij dhe lidhjes së afërt me origjinën e tij shqiptare.

PLR mbron një politikë liberale-radikale dhe të orientuar drejt reformave. Vlerat themelore të PLR janë: liria, përgjegjësia dhe solidariteti, thotë tutje ai. Ndërsa rreth asaj se çfarë e ka motivuar për tu angazhuar në politikë ai thotë s motivimi i tij kryesor është dëshira për të realizuar projekte konkrete në shërbim të shoqërisë së Gjenevës, në të gjithë diversitetin e saj, si dhe angazhimi në aspektet kulturore.

“Shpirti im sipërmarrës ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendimin tim për t’u angazhuar në politikë, duke punuar për mirëqenien e banorëve të qytetit tonë. Për mua, politika është një mjet i rëndësishëm për të përmirësuar mjedisin tonë jetësor dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve të popullsisë. Kjo dëshirë për të vepruar në mënyrë konkrete është ajo që më ka motivuar të përfshihem”, thotë ai veç tjerash.

Më tutje, kandidati për zgjedhjet lokale të 23 marsit flet edhe për rëndësinë që ai i jep angazhimit në të mirë të komunitetit shqiptar dhe komuniteteve tjera, të huaja në Gjenevë.

“Angazhimi im politik bazohet në dëshirën për të qenë pranë të gjitha komuniteteve që përbëjnë komunën tonë, përfshirë natyrisht komunitetin shqiptar, i cili luan një rol thelbësor në strukturën sociale dhe ekonomike të Gjenevës. Lidhjet dhe traditat e mia kulturore me origjinën time shqiptare janë shumë të rëndësishme për mua, dhe e ndiej mbështetjen e fortë që më jepet nga ky komunitet. Qëllimi im është të ndjek një politikë që promovon pjesëmarrjen qytetare dhe bashkëjetesën harmonike. Dua që çdo banor të ndihet i përfaqësuar dhe i dëgjuar plotësisht. Prandaj, angazhohem të mbroj masa konkrete për të përmirësuar cilësinë e jetës për të gjithë. Në fakt, politika sot duhet të jetë më e afërt me qytetarët dhe më pjesëmarrëse. Qasja ime bazohet në dialog dhe veprim në terren për të komunikuar drejtpërdrejt me banorët dhe për të ndërtuar zgjidhje së bashku me ta”.

Ndërsa, duke folur për zotimet që partia e tij dhe vetë ai ka marrë lidhur me këto zgjedhje, Ilir Kurti, thotë se “PLR paraqitet në zgjedhje me një listë prej 10 angazhimesh të hartuara së bashku me kandidatët. Për sa më përket mua, dua të përqendrohem në çështjet e strehimit, mbështetjen për të moshuarit dhe uljen e barrës administrative për bizneset”.

Kandidati me rrënjë shqiptare për Asamblenë e Qytetit të Gjenevës ka një vizion interesant për qytetin e tij të lindjes. “Gjeneva është një qytet dinamik dhe i pasur me diversitetin e vet. Megjithatë, ajo përballet me sfida të mëdha si strehimi, mobiliteti dhe tranzicioni energjetik. Vizioni im për Gjenevën është një qytet ku çdo banor mund të gjejë vendin e tij dhe të zhvillohet. Në nivel komunal, angazhimi im është i qartë: përmirësimi i cilësisë së jetës së banorëve duke iu përgjigjur në mënyrë konkrete nevojave të tyre. Dua një komunë më të qasshme, ku infrastruktura të jetë e përshtatur për të gjitha gjeneratat. Është thelbësore të zhvillohen hapësira të gjelbra, të mbështeten bizneset lokale dhe të rritet atraktiviteti i Qytetit të Gjenevës për ndërmarrjet, familjet, të rinjtë dhe të moshuarit”.

Kurti është aktiv edhe në komunitetin shqiptar të Gjenevës. Ai thotë se angazhohet aktivisht me UPA-në (UPSH) përmes misionit të saj për popullsinë e Gjenevës, përveç aktiviteteve të tij politike dhe profesionale. Dhe shton se synon të bashkohet me komitetin e saj në mbledhjen e ardhshme.

Mesazhi i tij për fund është: “Vazhdoni të angazhoheni aktivisht në shoqërinë e Gjenevës, duke kontribuar në prosperitetin dhe zhvillimin ekonomik, intelektual dhe kulturor të saj, ndërkohë që ruani lidhjet e forta me rrënjët tona të çmuara!”.

Fillojnë bisedimet SHBA-Ukrainë

Ministra e Punëve të Jashtme e Ukrainës, ka konfirmuar se delegacionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës kanë filluar bisedimet në Jeddah të Arabisë Saudite, përcjell albinfo.ch.

Bisedimet në Arabinë Saudite kanë për qëllim relaksimin e raporteve në mes të SHBA-së dhe Ukrainës, pas takimit të tensionuar të datës 28 shkurt në Shtëpinë e Bardhë midis Zelenskyt dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Temë qendrore e bisedimeve pritet të jetë propozimi i një armëpushimi në ajër dhe në det nga Kievi zyrtar, si dhe nënshkrimi i marrëveshjes për mineralet e rralla nga të dy palët, citojnë burime të afërta me AP-në.

Milano: Shqiptari përplaset nga treni

Një ngjarje tragjike u regjistrua mbrëmjen e së hënës në Itali. Një 37-vjeçar shqiptar u përplas nga treni në Milano, përcjell albinfo.ch.

Aksidenti ndodhi në shinat e trenit mes rrugës Imbonati dhe Valeggio. Në vendin e ngjarjes ndërhynë menjëherë ekipet e emergjencës, por nuk mund të bënin asgjë.

Atyre iu desh që të prinin elektricitetin në mënyrë që të ndërhynin mbi shina.

Referuar policisë, shqiptari ka qenë shumë afër një treni në lëvizje sepse ka qenë duke ecur shumë pranë shinave. Identiteti i tij nuk është bërë publik.

Astronomja shqiptare vendosi Kosovën në hartën e shkencës planetare 

Pranvera Hyseni, astronomja shqiptare nga Kosova, po përfaqëson vendin në njërën nga konferencat më të mëdha të shkencës planetare në Houston, Teksas, ku mbi 2 mijë shkencëtarë dhe studentë nga e gjithë bota ndajnë kërkimet e tyre më të fundit, përcjell albinfo.ch.

Pas muajsh analizash të familjeve të asteroideve nga të dhënat e mbledhura përmes teleskopit të NASA-s Infrared Telescope Facility, ajo do të prezantojë studimin e saj të enjten në mëngjes me temën:


“Investigating The Distribution of Soluble Organic Matter Among Hydrated Asteroid Families”.

Përveç prezantimit të hulumtimit të saj, Hyseni do të ketë një vizitë private në NASA’s Johnson Space Center, duke përjetuar nga afër vendin ku zhvillohen misionet e fluturimeve njerëzore në hapësirë.

Si e vetmja përfaqësuese nga Kosova, ajo e konsideron këtë një moment të rëndësishëm për vendin, duke e vendosur Kosovën në hartën e shkencës planetare.

Postimi i plotë:

Sapo zbrita në Houston, Teksas, ku do të marr pjesë në njërën nga konferencat më të mëdha të shkencës planetare, e cila mbledh mbi 2,000 shkencëtarë dhe studentë nga e gjithë bota për të ndarë kërkimet e reja shkencore. Pas muajsh analizimi të familjeve të asteroideve nga të dhënat e mbledhura nëpërmjet teleskopit të NASA-s Infrared Telescope Facility, jam e lumtur që më në fund do t’i sjell hulumtimet e mia nga maja e Mauna Keas në skenë globale. Prezantimi im është të enjten në mëngjes, me titull: “Investigating The Distribution of Soluble Organic Matter Among Hydrated Asteroid Families.” 🥹💫

E për ta bërë këtë përvojë akoma më të veçantë, të mërkurën do të kem një vizitë private në NASA’s Johnson Space Center, sepse të përjetosh nga afër vendin ku zhvillohen misionet e fluturimeve njerëzore në hapësirë është gjithmonë një emocion i jashtëzakonshëm!

Si e vetmja përfaqësuese nga Republika e Kosovës, është një nder i madh të kontribuoj në vendosjen e vendit tonë në hartën e shkencës planetare. Thellësisht mirënjohëse ndaj mentorëve të mi, familjes dhe secilit nga ju për mbështetjen tuaj në këtë rrugëtim. 🇽🇰🇺🇸✨

#LPSC2025 #NASA #Asteroids #KosovoInScience #MaunaKea #IRTF

Granit Xhaka sot përball Bayern Munchen

Prej orës 21:00 do të zhvillohet ndeshja Bayer Leverkusen – Bayern Munchen.

Derbi gjerman pritet të jetë i zjarrtë. Bayerni e ka fituar 3:0 ndeshjen në shtëpi, por te Leverkuseni janë të përkushtuar të luftojnë deri në fund për ta përmbysur rezultatin.

Skuadra ku paraqitet Granit Xhaka pret përkrahje të madhe edhe nga shikuesit. Të hënën kampioni në fuqi i Gjermanisë mori lajm të keq. Njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm, Florian Wirtz ka pësuar lëndim  serioz dhe do të mungojë disa javë.

“Më vjen keq për Wirtzin, që ishte në moment shumë të mirë. Por tani është momenti i duhur për të dëshmuar që jemi ekip i kompletuar dhe që mund të fitojmë pa të. Për të është e rëndësishme të vazhdojmë në Ligën e Kampionëve, që të mund të luajë sërish në këtë garë”, ka thënë trajneri i Leverkusenit, Xabi Alonso, përcjell albinfo.ch.

“Hapi i  parë është të besojmë. Ne dhe tifozët në stadium. Ata duhet të besojnë nga sekondi i parë që jemi në gjendje të kualifikohemi. Nëse luajmë me zemër, pasion, agresivitet, intensitet dhe me kokë të ftohtë, atëherë kemi gjasa. E dimë se sa e vështirë është, por ndonjëherë një situatë e vështirë krijon diçka epike”, ka shtuar Alonso.

Te Bayerni synojnë tjetër fitore, ndonëse kanë përparësi të madhe nga ndeshja e parë.

“Kur je te Bayerni është më e lehtë në aspektin mental. Gjithnjë dëshiron të fitosh këtu. Duam të marrim rezultatin që na dërgon tutje. Kur luajmë ndeshje futemi në të me synim për të fituar”, ka thënë trajneri i Bayernit, Vincent Kompany.

Dalin në shitje biletat për ndeshjen Kosova – Islanda

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar të martën se kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen Kosova – Islanda, përcjell albinfo.ch.

Ndeshja zhvillohet më 20 mars nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndeshja i takon plejofit të Ligës së Kombeve. Më 23 mars është ndeshja e kthimit, që zhvillohet në Spanjë.

Përfaqësuesja më e suksesshme pas dy ndeshjeve paraqitet në Ligën B në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

Biletat kushtojnë prej 5 euro deri në 80 euro, sa është çmimi i biletave në zonën VIP.

Ndeshje futbollistike SHBA – Zvicër

Klubi futbollistik zviceran do të zhvilloj një ndeshje ndaj SHBA-së e cila konsiderohet miqësore e fundit para ndeshjes kualifikuese me Kosovën, përcjell albinfo.ch.

Federata e Futbollit e Zvicrës ka njoftuar të martën se është aranzhuar miqësorja SHBA – Zvicër, që do të zhvillohet më 11 qershor në Tennessee. Më 7 qershor po në SHBA, Zvicra luan me Meksikën.

Meksika e SHBA-ja janë dy prej vendeve organizatore të Botërorit të vitit të ardhshëm, ku “helvetikët” synojnë të paraqiten.

“Do të luajmë ndaj dy nikoqirëve të Botërorit. Do të jetë inspiruese të shohim për herë të parë kushtet që janë atje. E shohim udhëtimin në SHBA dhe dy ndeshjet si motivim që të jemi në formën më të mirë për kualifikimet në vjeshtë”, ka thënë selektori i Zvicrës, Murat Yakin.

Më 5 shtator është ndeshja kualifikuese për Botërorin 2026 mes Zvicrës dhe Kosovës. Federata zvicerane ende nuk ka vendosur në cilin qytet do ta organizojë këtë ndeshje.

Kanadaja hakmerret ndaj SHBA-së, kërcënon se mund ta lë Nju-Jorkun pa rrymë

Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, tha se do të bllokonte eksportet e energjisë në Shtetet e Bashkuara nëse presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, vazhdonte me planet për një tarifë doganore prej 25 për qind për mallrat kanadeze.

Ford theksoi se nuk do të hezitonte ta rrisë këtë normë nëse është e nevojshme, duke thënë: “Nëse SHBA-ja vazhdon kështu, unë nuk do të hezitoj të ndërpres plotësisht energjinë. Më vjen shumë keq për popullin amerikan, sepse ata nuk e filluan këtë luftë tregtare. Është vetëm një person përgjegjës dhe ai është Presidenti Trump”, tha ai, përcjell albinfo.ch.

Rutte në Kosovë, sot takohet me Kurtin e Osmanin

Mësohet se sot, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe një delegacion do të qëndrojnë të martën në Kosovë ku do të priten nga liderët e shtetit.

Në orën 13:45 Rutten do ta presë presidentja Vjosa Osmani, e pas takimit do të mbajnë konferencë për media, derisa me kryeministrin Albin Kurti do të takohet në orën 14:50.

Për mbërritjen e Ruttes në Prishtinë, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe të qëndrimit të delegacionit të lartë të NATO-s.

 Në njoftimin e Policisë thuhet se për të pasur qarkullim të lirë, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa rrugë.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

Veç liderëve të institucioneve të Kosovës, Rutte, i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve anëtare të kësaj aleance, do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, ambasadorin e BE-së, Aivo Orav, shefin e EULEX-it, Giovanni Barbano e shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.

Pas kërcënimeve të entitetit të Republikës Serbe për shkëputje, Rutte e bëri të qartë se NATO-ja mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit.

 

A keni dëgjuar ndonjëherë për fshatin Château-d’Oex

I vendosur në 1.000 metra mbi nivelin e detit, Château-d’Oex është një fshat simpatik ku qielli transformohet në një spektakël shumëngjyrësh.

Falë mikroklimës së saj unike, konsiderohet  si “kryeqyteti” botëror i balonave me ajër të nxehtë në Alpe, duke pritur Festivalin Ndërkombëtar të Balonave çdo janar.

7 shqiptarë janë arrestuar në Francë, grabisnin rezidencat e figurave publike

Raportohet se forcat policore franceze kanë vënë në pranga shtatë persona të dyshuar për një seri grabitjesh në banesa të personaliteteve të njohura në Francë dhe Belgjikë, përcjell albinfo.ch.

Banda përbëhej nga shtetas shqiptarë dhe kishte si objektiv futbollistë, pilotë të Formula 1 dhe këngëtarë të famshëm.

Dy nga të dyshuarit u arrestuan më 20 janar në Luksemburg, ndërsa pesë të tjerët më 4 mars pranë Reims. Gjashtë prej tyre tashmë janë paditur, mes tyre edhe drejtuesi i dyshuar i grupit, Edison Pula, një shqiptar rreth të tridhjetave.

Policia franceze e kishte koduar grupin me emrin “Nikla”. Sipas autoriteteve, ata kanë vjedhur bizhuteri dhe aksesorë luksozë me vlerë rreth 1 milion euro, të cilat më pas janë shitur në Shqipëri.

Edison Pula ishte në kërkim nga Interpoli dhe njihet për disa arratisje, përfshirë një nga një burg italian në qershor të vitit 2022.

BE-ja mendon shtrëngimin e rregullave të kompensimit të vonesave të fluturimit për pasagjerët 

Sipas rregulloreve aktuale të Bashkimit Evropian, çdo pasagjer i linjës ajrore, fluturimi i të cilit është vonuar me tre orë ose më shumë, ka të drejtë për kompensim – por kjo mund të ndryshojë.

Polonia, e cila aktualisht mban presidencën e përhershme gjashtëmujore të Këshillit të Bashkimit Evropian, ka zbuluar planet për të rritur pragun e kompensimit nga një vonesë tre orë në pesë orë, duke shqetësuar grupet e konsumatorëve, transmeton albinfo.ch.

Sipas rregullave aktuale, të cilat janë në fuqi që nga viti 2005, pasagjerët kanë të drejtë për kompensim nga 250 deri në 600 euro, në varësi të distancës së fluturimit të tyre dhe sa kohë janë vonuar ose nëse fluturimi është anuluar fare. Që nga hyrja në fuqi e këtyre rregullave, linjat ajrore kanë parë që faturat e kompensimit të rriten në rreth 3 miliardë euro në vit, kryesisht për shkak të rritjes së numrit të fluturimeve gjatë 20 viteve të fundit.

Vetëm vitin e kaluar, më shumë se 287 milionë pasagjerë u prekën nga anulimet dhe vonesat e fluturimeve në Evropë. Plani i rishikuar synon të rrisë pragun e vonesës në pesë orë dhe të prezantojë kllapa të reja kompensimi bazuar në distancat e zgjatura të fluturimit dhe kohën e vonesës.

Linjat ajrore për Evropën (A4E), një shoqatë e linjave ajrore duke përfshirë Air France-KLM dhe Lufthansa, Ryanair, easyJet dhe Volotea, që përbëjnë 70 për qind të trafikut ajror në qiellin evropian – argumenton se rregullorja aktuale “është shumë e detajuar dhe urdhëruese në fusha të caktuara dhe, në të njëjtën kohë, shumë e paqartë në pikat thelbësore”. Kjo, thotë ai, çon nga ana tjetër “në shumë raste ligjore në të gjithë BE-në, me gjyqtarë që interpretojnë rregulloren në mënyra të ndryshme”.

Si rezultat, kompensimi është një shpenzim i madh dhe në rritje të vazhdueshme për linjat ajrore çdo vit. Pasagjerët e prekur nga ndërprerjet po i drejtohen gjithnjë e më shumë agjencive të specializuara për të ndihmuar në përpjekjet e tyre për të marrë rimbursimin.

AirHelp, e cila ka ndihmuar më shumë se 2.7 milionë pasagjerë të fitojnë kompensim që nga viti 2013, megjithatë, argumenton se ndryshimet “do të shërbenin vetëm për të maksimizuar fitimet e linjës ajrore, pa marrë parasysh mirëqenien e konsumatorëve”.

Linjat ajrore, tha firma, “do të kenë edhe më shumë mundësi për të vonuar dhe anuluar fluturimet pa asnjë pasojë”. Ai pretendoi se ndryshimet do të nënkuptonin se 80 për qind e fluturimeve të vonuara nuk do të rezultonin në asnjë kompensim për pasagjerët.

Nuk ka asnjë afat kohor se kur, apo edhe nëse, ndonjë ndryshim i propozuar mund të hyjë në fuqi. Qëndrimi i Këshillit nuk konfirmohet, përkundër qëndrimit të bartësve aktualë të presidencës. Dhe çështja më pas do të duhet të diskutohet dhe miratohet në Parlamentin Evropian përpara se të miratohet.

 

 

 

Gjeneva kërkon që qeveria të mbrojë agjencitë që përballen me shkurtimin e ndihmës nga SHBA 

Qeveria zvicerane nuk po bën sa duhet për të mbrojtur organizatat ndërkombëtare me bazë në Gjenevë dhe OJQ-të, operacionet e të cilave kërcënohen nga vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të shkurtuar ndihmën e huaj, tha të hënën lideri i rajonit.

Nathalie Fontanet, presidente e kantonit të Gjenevës të Zvicrës, i tha gazetës Le Temps se imazhi i vendit ishte në rrezik nëse institucionet ndërkombëtare në qytet dhe vlerat që ato mbështesin do të dobësoheshin nga shkurtimet dhe tërheqjet e financimit të Trump. Gjeneva pret rreth 40 organizata ndërkombëtare dhe më shumë se 400 organizata joqeveritare.

Është shtëpia e disa degëve kryesore të Kombeve të Bashkuara, si shëndetësia, refugjatët, të drejtat e njeriut, puna, telekomi, pronësia intelektuale dhe agjencitë e motit, plus institucione të tjera të mëdha si Organizata Botërore e Tregtisë, Kryqi i Kuq dhe Fondi Global, dhe OJQ si Mjekët pa Kufij. Sekretari i Shtetit i SHBA Marco Rubio tha të hënën se Shtetet e Bashkuara po anulonin 83 përqind të programeve në Agjencinë e SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). “Duke pasur parasysh sulmin ndaj vlerave që përcaktojnë organizatat ndërkombëtare dhe OJQ-të që ne i mirëpresim në tokën tonë, reagimet e pakta nga Këshilli Federal të premten e kaluar nuk më duken të përballen me sfidën,” tha Fontanet, duke iu referuar qeverisë kombëtare, transmeton albinfo.ch.

“Nuk kam dëgjuar asnjë reagim apo angazhim për kërcënimet ndaj multilateralizmit. Imazhi i Zvicrës ka të ngjarë të dobësohet ose rishikohet nëse përfundimisht lejojmë që gjithçka që është ndërtuar të dobësohet. “Pjesa tjetër e vendit tonë nuk duhet të imagjinojë se kjo situatë dhe pasojat e saj do të shqetësonin vetëm Gjenevën.”

Kantoni ka propozuar sigurimin e fondeve për OJQ-të për të shmangur tepricat ekonomike. Kjo ka funksionuar drejt gjërave thelbësore për identitetin ndërkombëtar të Gjenevës, siç janë ligjet e luftës, trajtimi i të burgosurve dhe ndalimi i torturës 25 për qind e financimit të organizatave ndërkombëtare të Gjenevës.” Fontanet tha se Gjeneva ndërkombëtare përfaqësonte 36,000 vende pune, ishte pjesë e ekonomisë së kantonit dhe mbante hotele, restorante dhe dyqane në biznes.

Çdo organizatë që largohet nga Gjeneva “do të ketë një efekt në të gjithë ekonominë”, tha ajo. “Kriza në Gjenevë ndërkombëtare do të ketë pasoja të pashmangshme për të gjithë vendin dhe sigurisht për botën”, shtoi ajo.

 

 

BBC me reportazh për kuzhinën shqiptare:: Si gjyshet shqiptare shpëtuan kuzhinën tradicionale

Media prestigjioze britanike BBC i ka dedikuar një reportazh kuzhinës tradicionale shqiptare, në të cilin theksohet se si gjyshet dhe traditat e tyre ruajtën sekretet e gatimit duke ua përcjellë brezave të rinj

Shkrimi i BBC:

Pas shumë dekadash të mbyllur nga bota e jashtme dhe një eksodi masiv, Shqipëria po kthehet te rrënjët e saj kulinarike me ndihmën e kuzhinës të gjysheve.

Tefta Pajenga, 76 vjeçe, është një nga shumë kuzhinierët pensioniste që prezantojnë emisione gatimi në televizionin shqiptar. Në shfaqjen e saj të gatimit, Zonja Tefta i tregon një gruaje të re si të gatuajë japrakë, një pjatë tradicionale me gjethet e rrushit të mbushura me oriz dhe erëza.

Japraku ka një vend të veçantë në zemrat e shqiptarëve. Zakonisht gatuhet nga familjet së bashku dhe më pas shpërndahet në ditët e festave të krishtera dhe myslimane në këtë komb me shumë fe. Si shumë pjata të tjera në këtë ndërthurje kulinarike, receta vjen nga jashtë (emri buron nga fjala turke për “gjethe”, falë më shumë se 500 viteve nën sundimin osman). Megjithatë, përbërësit janë krejt lokalë: kopër, speca dhe mente nga Shqipëria veriore

Sot, gjyshet shqiptare si Pajenga po mësojnë breza të ndryshëm në një nga shtetet më të reja të Europës si të gatuajnë pjata të vjetra. Kjo për shkak se kombi ballkanik ka kaluar jo një, por dy periudha amnezie kulinarie gjatë 80 viteve të fundit.

Së pari, nga 1946 deri në 1991, Shqipëria u sundua nga komunistët që në mënyrë efektive e mbyllën këtë komb të vogël malor nga bota e jashtme, duke bërë që Edi Rama, kryeministri i tanishëm, të thoshte se dikur Shqipëria ishte “Koreja e Veriut e Europës”. Gjatë kësaj periudhe, librat e gatimit u dogjën, importet u ndaluan, udhëtimet e huaja u bënë të paligjshme, ushqimi u kolektivizua dhe mungesat ishin të përhapura.

Së dyti, gjatë periudhës së dhunshme të shpërbërjes së komunizmit në vitet 1990, 710,000 qytetarë – 20% e popullsisë – ikën nga Shqipëria nga 1989 deri në 2001 për të kërkuar punë në shtete të tjera. Me kalimin e kohës, Pajenga thotë se shumë nga këta emigrantë harruan recetat e gjysheve të tyre teksa u adaptuan në vende dhe kultura të reja. Midis mungesave të ushqimit gjatë komunizmit dhe emigrimit të mëvonshëm, në fillim të shekullit të 21, shumë shqiptarë si në vend ashtu edhe jashtë tij harruan si të përgatisnin kuzhinën tradicionale shqiptare – përveç grave të një moshe të caktuar.

Ironikisht, Pajenga thotë se kalimi i Shqipërisë në demokraci e thelloi problemin. “Gjatë komunizmit, njerëzit kishin një punë të fiksuar nga ora 07:00 deri në 15:00,” kujton ajo. “Kur erdhi demokracia, duhej të kishim më shumë se një punë për të ushqyer familjen.” Prandaj, shumë nga ata që e mbanin mend si të përgatisnin ushqimet tradicionale shqiptare tani nuk kishin më kohë për t’i gatuar ato.

Kështu, kur Pajenga filloi shfaqjen e saj në televizion në 2004, “audienca ime nuk ishte për kuzhinierët, por për amvisat” dhe gjithashtu për të rinjtë, “të cilët kishin mungesë njohurie ose kishin harruar si të përgatisnin kuzhinën tradicionale”.

Kultura kulinarike e Shqipërisë ka reflektuar gjithmonë statusin e saj si një kalim përmes Lindjes dhe Perëndimit. Romakët sollën rrushin, ullinjtë dhe ushqime të tjera moderne të Shqipërisë kur morën këtë rajon në shekullin e 2-të para erës sonë. Që nga shekulli i 16-të, pjata të tilla si Arnavut ciğeri (mëlçi shqiptare) u përhapën nga Shqipëria në të gjithë Perandorinë Osmane, ndërsa sutlijaš (puding orizi) mund të ketë ardhur në Shqipëri falë osmanëve. Pas Luftës së Dytë Botërore, pjata të importuara si ajvaret (një salcë e bërë nga speca të pjekura, auberginë dhe erëza) migruan nga Ballkani i Veriut në jug.

Disa ushqime indigjene, si mishavina (një lloj djathi i bardhë dhe i grirë), nuk mund të gjenden askund tjetër. Metoda e saj e përgatitjes, ku kosi ngjeshet ngushtë për tre muaj në yndyrë shtazore deri sa të fermentohet në një djathë me shije të fortë, është trashëguar nga brezat e bariut transhuminant në Alpet shqiptare. Ushqime të tjera tradicionale shqiptare përfshijnë flinë, një petë me shtresa të ngjashme me krepa të lyera me krem dhe byrek me mish, një byrek në stilin turk.

Gjyste Bici, 67 vjeçe, mësoi receta shekullore nga gjyshja saj në Alpet veriore të Shqipërisë, ku dimrat me borë mund të izolojnë ende banorët për muaj të tërë. “Edhe para komunizmit kishte pak material të publikuar, prandaj recetat kalonin gjithmonë nga gjyshet tek brezat më të rinj,” thotë ajo.

Shumë receta shqiptare kanë një rrënjë fetare. Kjo ishte e papëlqyer gjatë komunizmit, sidomos pas vitit 1967, kur udhëheqësi autoritar Enver Hoxha ndaloi të gjitha praktikat fetare.

“Diktatura u mundua të shkatërrojë të gjitha fetë,” kujton Dallendyshe Xhahysa, një kuzhiniere amatore 91 vjeçare që mësoi recetat shqiptare nga paraardhësit e saj dhe i përgatiti ato gjatë gjysmë shekulli të sundimit komunist. Sipas Xhahysës, “recetat që përdoren në festat myslimane dhe të krishtera nuk do të kishin mbijetuar nëse nuk do të ishte për përpjekjet e gjysheve si unë”.

“Ne duhej të gatuanim pjata speciale fshehurazi gjatë Pashkëve ose Ramazanit,” vazhdon Xhahysa. Një nga këto pjata ishte hallva, një ëmbëlsirë e dendur si karameli që ndahet në ditën më të shenjtë të Ramazanit, Lailat al Qadr.

“Nëse gatuaje hallva gjatë Ramazanit, fqinjët të spiunonin që të merrnin një shpërblim nga shteti,” kujton Xhahysa. Për të mos tërhequr vëmendje, përbërësit bliheshin javë përpara. “Ne gatuanim hallva me dritaret e mbyllura ose perdet mbyyllur për të ndaluar aromën e sheqerit, arrave dhe ujit të trëndafilit.”

Dënimi nëse kapeshin duke përgatitur një festë fetare ishte i ashpër. “Mund të na merrnin dhe na çonin në një kamp ri-edukimi për shumë muaj, ku do të punonim një punë të keqe, si të pastronim një burg në një zonë të largët,” kujton Xhahysa, duke u dridhur.

Mungesat ekstreme të ushqimit çuan në humbjen e recetave të tjera. “Për shumë pak njerëz ishte e mundur të mbanin kafshë ose të punonin tokën,” shpjegon Bici. Vetëm ata që jetonin në zona rurale mund të punonin një tokë 50 metra katrorë dhe të mbanin disa pula. “Ishte e ndaluar të mbaje një derr ose dhi.”

Gjithçka ishte me racione, vazhdon Bici. “Çdo muaj lejohej 10 kg patate dhe 2 kg djathë për çdo familje.”

Pa mundësi për t’u furnizuar lehtësisht me përbërësit ose librat e gatimit, receta shekullore si tavë krapi u harruan kryesisht për shkak të ndalimit të peshkimit të privatizuar.

Pas rënies së komunizmit, shumë fermerë emigruan në qytetet shqiptare, duke lënë pas vetëm të moshuarit.

Kur kufijtë e Shqipërisë u hapën përfundimisht në vitet 1990 dhe rrjetet televizive kombëtare nuk ishin më të kontrolluara nga shteti, shumë gjyshe filluan të përdorin televizionin për të ringjallur trashëgiminë e humbur kulinare të kombit.

Bici filloi të gatuajë në shfaqjen “E Diela shqiptare” në 2007, duke treguar receta që ajo thotë se janë gatuar “për mijëra vjet”.

Por ndonëse shfaqjet e gatimit të Bicit dhe Pajengës po ndihmonin për ringjalljen e recetave tradicionale, ato po luftonin kundër një vale tjetër: fermerët nga Shqipëria rurale po emigronin në Tiranë në kërkim të punës dhe shumë fshatra rurale u bënë qytete fantazmë. “Bujqësia ende nuk është shëruar plotësisht nga ajo që ndodhi [pas komunizmit],” thotë Pajenga.

Bici e ka bërë misionin e saj të sigurojë që recetat tradicionale të Shqipërisë të mos harrohen për herë të tretë. Ajo ka mbledhur metodat e gatimit të vjetra në një libër, “Kuzhina e shqiptarëve të Alpeve”. Ajo gjithashtu gatuan receta malore në shfaqjen “Histori shqiptare” në televizion.

“Kam shumë kërkesa nga Instagrami për receta të vjetra,” thotë Bici. “Nëse të rinjtë ndjekin recetën time për lakror në TikTok, kjo është mirë gjithashtu.”

Xhahysa, tani një gjyshe e madhe, gjithashtu vazhdon të ndajë njohuritë e saj. Ajo filloi të gatuajë me gjyshen e saj në vitet 1930 dhe kontribuoi me receta për restorantin e parë farm-to-fork në Shqipëri, Uka Farm, një biznes agroturizëm që ka frymëzuar 100 biznese agroturizëm në gjithë Shqipërinë.

Receta e Xhahysës e fërgesës (një pjatë perimesh të pjekura me djathë) është një antipastë e njohur në Uka Farm. Specat e skuqura në gjalpë të shërbyer me një grusht gjize (djathë i stilit ricotta) janë një shije e së kaluarës së harruar të Shqipërisë.

I frymëzuar nga Pajenga, Bici dhe gjyshe të tjera të televizionit, një event në Tiranë në vitin 2018 që bashkoi 12 gjyshe me 12 kuzhinierë të njohur u bë një sensacion i menjëhershëm shqiptar, duke sjellë shfaqje televizive si Gjyshet Milionere (“Gjyshe Milionere”).

Kjo ngjarje u organizua nga një nga kuzhinierët më të famshëm të Shqipërisë, Bledar Kola, i cili ka dedikuar një pjesë të madhe të karrierës së tij për të mbështetur kuzhinën tradicionale shqiptare. “Nëse brezi i ri nuk e di se si të gatuajë një gjellë tradicionale shqiptare, është për shkak se ata nuk e dinë nga erdhën,” thotë Kola.

Për ata që janë të interesuar të mbajnë traditat e kuzhinës shqiptare gjallë, të rinjtë janë të inkurajuar të “hapin një restorant të vogël të kuzhinës tradicionale shqiptare,” shton ai. “Kjo është një mundësi e shkëlqyer.”

Pas një karriere në restorantet më të njohura të Europës, përfshirë eksperienca në Le Gavroche në Londër dhe noma në Kopenhagë, Kola u kthye në Tiranë një dekadë më parë për të prezantuar recetat e lashta shqiptare në një mënyrë më moderne në restorantin më të njohur të kryeqytetit, Mullixhiu. Në mungesë të librave kuzhine, ai gjithashtu mori mësime nga një gjyshe shqiptare.

Tani Kola po bën një hap më tej duke hapur një restorant tradicional në Gjirokastër, një qytet të regjistruar në UNESCO në jug të Shqipërisë. Në restorantin e ardhshëm rural Mullixhiu (i cili pritet të hapet në fund të vitit 2025), fokusimi është krejtësisht te pjatat tradicionale shqiptare. “Kuzhina do të inspirohet nga kopshti, gjithçka do të gatuhet mbi zjarr të hapur, në një kuzhinë të hapur,” thotë Kola.

Recetat e restorantit janë një homazh për gjyshet shqiptare. “Kemi takuar gjyshe për kafe për të krijuar një koncept të shkëlqyer,” thotë Kola. “Do të shërbejmë ushqime tradicionale nga jugu i Shqipërisë, të influencuara nga gjyshet e këtij rajoni.”

Një udhëzues i ri për ushqimin që përmban 7,000 përbërës, pjata dhe metoda gatimi – shumë prej të cilave janë marrë nga gjyshet – është gjithashtu në proces dhe po shkruhet nga vëllai i Kolës, Nikolini, së bashku me nëntë akademikë.

Nikolini beson se libri “do të rrisë ndërgjegjësimin për ushqimin shqiptar, ashtu siç bëri René [Redzepi] për kuzhinën daneze”.

Falë gjysheve, kuzhina shqiptare po rilind përfundimisht/ Living

 

 

Në Britani shtrohet iftar për herë të parë në Parlament

Për herë të parë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, kryeministri Keir Starmer iu bashkua myslimanëve britanikë për një iftar në Westminster Hall.

Ai tha se ky ishte viti më i keq i regjistruar ndonjëherë për krimet e urrejtjes ndaj myslimanëve, duke fajësuar retorikën e ekstremit të djathtë dhe dezinformimin për nxitjen e përçarjes.

Lideri britanik gjithashtu riafirmoi se palestinezëve duhet t’u lejohet të rindërtojnë dhe e cilësoi zgjidhjen me dy shtete si rrugën e vetme drejt paqes së qëndrueshme.

Kjo ngjarje e organizuar nga Grupi Ndërpartiak Parlamentar për Myslimanët Britanikë, shënoi një moment historik në politikën britanike, pasi asnjë kryeministër në detyrë nuk kishte marrë pjesë më parë në një iftar të Ramazanit me komunitetin mysliman, shkruajnë mediat.

Rreth katër milionë mysliman llogaritet se jetojnë në shtetin britanik.

A është e sigurtë të investoni në kriptomonedha? 

Në vitet e fundit, kriptomonedhat kanë tërhequr vëmendjen e investitorëve dhe individëve të thjeshtë, duke u shndërruar në një mundësi tërheqëse për të arritur fitime të shpejta. Monedhat si Bitcoin, Ethereum dhe shumë të tjera janë bërë një fenomen global, me një rritje të konsiderueshme të vlerës dhe përdorimit të tyre. Por, a duhet të investojmë në kriptomonedha?

Në këtë artikull, do të shqyrtojmë disa faktorë të rëndësishëm që mund t’ju ndihmojnë të merrni një vendim të informuar.

Paqëndrueshmëria dhe Rreziku i Lartë

Një nga karakteristikat më të dukshme të kriptomonedhave është paqartësia dhe paqëndrueshmëria e tyre. Çmimi i kriptomonedhës mund të rritet shumë shpejt, por gjithashtu mund të bjerë me një ritëm të ngjashëm. Për shembull, Bitcoin ka pësuar rënie dhe rritje drastike në çmimin e tij gjatë disa muajve, duke shkaktuar shqetësime për investitorët që nuk janë të përgatitur për këtë luhatje. Kjo mund të shkaktojë humbje të mëdha financiare për ata që nuk janë të kujdesshëm.

Diversifikimi i Portofolit

Një nga avantazhet e kriptomonedhave është mundësia për të diversifikuar portofolin tuaj të investimeve. Për shumë investitorë, kriptomonedhat ofrojnë një mundësi për të shpërndarë rrezikun dhe për të përfituar nga një kategori tjetër e pasurive që nuk është e ndikuar drejtpërdrejt nga tregjet tradicionale. Nëse keni të ardhura në pasuri të paluajtshme, aksione ose obligacione, investimi në kriptomonedha mund të ofrojë mundësinë për të rritur fitimin.

Pasiguria Ligjore

Një tjetër faktor që duhet të merrni parasysh është pasiguria ligjore. Në shumë vende, kriptomonedhat ende janë një hapësirë e pasigurt dhe mund të përballen me ndryshime të papritura në rregulloret ligjore. Për shembull, disa shtete mund të ndalojnë përdorimin e kriptomonedhave ose të vendosin taksa të reja për to. Kjo mund të ndikojë negativisht në çmimin e kriptomonedhave dhe mund të krijojë pasiguri për investitorët.

Për këtë arsye, është e rëndësishme të kuptoni ligjet dhe rregulloret që lidhen me kriptomonedhat në vendin tuaj para se të bëni një investim.

Potenciali i Rritjes afatgjatë

Kriptomonedhat kanë një potencial të madh rritjeje në të ardhmen. Teknologjia blockchain, që mbështet shumicën e kriptomonedhave, po bëhet gjithnjë e më e njohur dhe po përdoret për shumë qëllime të tjera përtej kriptomonedhave, si kontratat inteligjente dhe sigurimi. Si rezultat, ka mundësi që kriptomonedhat të bëhen pjesë e sistemit financiar global dhe të rriten në vlerë me kalimin e kohës.

Megjithatë, është e rëndësishme të kuptoni se kriptomonedhat janë ende një treg relativisht i ri, dhe kjo do të thotë që ato mund të përballen me sfida të mëdha dhe ndryshime të papritura. Kur bëhet fjalë për investime, nuk është gjithmonë e lehtë të parashikohet se si do të zhvillohet tregu.

Edukimi dhe Hulumtimi

Përpara se të investoni në kriptomonedha, është thelbësore të bëni një hulumtim të thellë dhe të kuptoni mirë si funksionon ky treg. Kriptomonedhat mund të jenë të komplikuara dhe të vështira për t’u kuptuar për ata që janë të rinj në këtë fushë. Informimi dhe edukimi janë kyçe për të shmangur rreziqet dhe për të marrë vendime të arsyeshme investimi.

Ka shumë burime online që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni bazat e kriptomonedhave, përfshirë bloge, video, dhe kurse online.

Po ashtu, kur bëhet fjalë për kriptomonedhat është e rëndësishme të mbani mend se duhet të investoni vetëm atë që mund të përballoni të humbni.