Manifestimi i 30-vjetorit të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Lozanës

Është bërë manifestimi i 30-vjetorit të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Universiteteve të Lozanës (AEAUL), ditën e shtunë, më 15 mars, një moment i veçantë për të bashkuar komunitetin shqiptar dhe për të festuar këtë ngjarje të rëndësishme, përcjell albinfo.ch.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë pati kënaqësinë të marrë pjesë në manifestimin e 30-vjetorit të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë (AEAUL).

“Në këtë aktivitet mori pjesë këshilltarja e ambasadës, znj. Monika Zguro, e cila përshëndeti dhe uroi organizatorët dhe studentët për arritjet dhe sukseset e tyre të vazhdueshme, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tyre në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Zvicrës. Po ashtu, e pranishme ishte edhe konsullja nga Konsullata e Kosovës në Gjenevë, znj. Diana Cakolli. Gjithashtu, në aktivitet ishin të pranishëm drejtues të shoqatave, studentë, përfaqësues kantonalë të Lozanës, si dhe aktivistë të tjerë”, thuhet në postimin e ambasadës.

Itali: Boksieri shqiptar shpallet kampion i Italisë

Bëhet e ditur se boksieri shqiptar, Aleksander Ramo, ka fituar titullin e kampionit italian në peshën gjysmë të rëndë, përcjell albinfo.ch.

34-vjeçari, i lindur në Shqipëri dhe i rritur në Recanati, triumfoi në një përballje spektakolare në PalaMacchia të Livornos, ku mposhti boksierin vendas, Federico Gassani, me vendim unanim të gjyqtarëve.

Falë teknikës së tij, qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë, Ramo arriti të neutralizojë sulmet e kundërshtarit dhe të mbante nën kontroll duelin, duke dëshmuar pjekuri dhe klas të lartë në ring. Trajneri i tij, Massimiliano “Momo” Duran, e vlerësoi paraqitjen e Ramës si një fitore të merituar dhe rezultat i punës së palodhur.

Ky triumf nuk është vetëm një arritje personale për Ramën, por edhe një sukses për ekipin e tij, Accademia Pugilistica Padana, që po e ndihmon të zhvillohet më tej si boksier. Tashmë, ai po përgatitet për sfidën e radhës në Memorialin “Carlo Duran”, një turne prestigjioz që do të mbahet më 22 mars, ku do të ketë mundësinë të përballet me kundërshtarë të nivelit ndërkombëtar.

“Ky është vetëm fillimi. Jam i lumtur për këtë fitore, por tani e gjithë vëmendja ime është te sfida e ardhshme”, deklaroi Ramo pas fitores.

Hidhen dyshime se Jashari ka luajtur me injeksione te Zvicra

Media “bluewin.ch” ka shkruar një artikull, sipas të cilit Ardon Jashari ka luajtur me injeksione te Kombëtarja e Zvicrës, përcjell albinfo.ch.

Në fakt, kjo deklaratë erdhi nga drejtori i përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami, i cili zbuloi se Ardon Jashari është paraqitur me injeksione qetësuese te skuadra e Club Brugge.

“Ardoni dhe Murat Yakin kanë pasur një bisedë të mirë. Nuk kam dyshim se Ardoni është shumë i motivuar që është pjesë e kombëtares. Nuk kishte kuptim të rrezikonim asgjë në këto ndeshje miqësore”, ka thënë Tami.

Ndërkohë, edhe përzgjedhësi Yakin tha se Jashari kërkoi të shfrytëzonte pushimin për t’u rikuperuar nga lëndimi.

Në nëntor të vitit 2023 bëri bujë kur Jashari refuzoi të paraqitej për Zvicrën U21. Por pas një bisede me Yakin, Jashari u ftua te Zvicra. Megjithatë, ylli i Club Brugge ndeshjen e fundit me fanellën e Zvicrës e zhvilloi më shumë se dy vjet më parë.

Astronomja nga Kosova ndan përvojen e saj në Konferencën e Shkancave Hënore dhe Planetare në Houston

Tashmë dihet se Pranvera Hyseni është astronomja shqiptare e Kosovës, e cila për vite të tëra kryen studime dhe hulumtime në fushën e saj në SHBA, transmeton albinfo.ch.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa ta fillosh prezantimin me ‘Jam nga Republika e Kosovës.’ Sot pata nderin të ndaj punën time me komunitetin global të astronomëve planetarë në Konferencën e Shkencave Hënore dhe Planetare në Houston, Texas, SHBA”, tregon ajo.

Ajo shprehet: “Të gjitha ato netë duke e drejtuar teleskopin, duke ndjekur asteroidët një nga një, duke mbledhur të dhëna e duke analizuar dritën e tyre – çdo përpjekje ia ka vlejtur. Këta trupa qiellorë janë mbetje të mbijetuara nga ditët e para të formimit të Sistemit Diellor. Disa prej tyre mbajnë dëshmi të proceseve ujore që kanë ndodhur miliarda vite më parë. Studimi i tyre na ndihmon të kuptojmë më mirë se si uji dhe përbërjet organike mund të jenë shpërndarë në Sistemin Diellor dhe ndoshta edhe të kenë luajtur rol në fillimin e jetës.”

Ajo solli këtë hulumtim nga maja e Mauna Kea-s në skenën globale, duke ndarë çdo moment sfide, përkushtimi dhe zbulimi.

“Shpreh mirënjohje të jashtëzakonshme për këshilltarët e mi, Dr. Myriam Telus dhe Dr. Andrew Rivkin, për mbështetjen dhe udhëzimin e tyre të palëkundur”, përfundon ajo. /Albinfo.ch

OBSH: Çdo dy minuta një grua në botë vdes gjatë lindjes

Çdo dy minuta, një grua shtatzënë ose gjatë lindjes humb jetën në botë.

Të dhënat e publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se hemorragjia, e cila ndodh kryesisht gjatë ose pas lindjes, është përgjegjëse për gati një të tretën (27%) e vdekshmërisë së nënave.

Më pas vijnë vdekjet për shkak të çrregullimeve hipertensive, me 16%.

Raporti i OBSH-së gjithashtu thekson se rreth një e treta e grave – kryesisht në vendet me të ardhura më të ulëta – ende nuk marrin kontrolle thelbësore pas lindjes në ditët e para pas lindjes.

Granit Xhaka është bërë baba për herë të tretë

Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, është bërë baba për herë të tretë të hënën në mëngjes.

“Lumturi e madhe në familjen e Granit Xhakës dhe bashkëshortes së tij, Leonita.” Kështu raporton Blick, duke njoftuar se vajza e tyre, Neyana Xhaka, ka ardhur në jetë të hënën në mëngjes, transmeton albinfo.ch. Kjo është vajza e tretë për çiftin Xhaka, pas Ayanas (lindur në vitin 2019) dhe Laneyas (në vitin 2021).

Pikërisht lindja e Neyanës është arsyeja pse Xhaka ka rënë dakord me trajnerin Murat Yakin që të mos grumbullohet me ekipin kombëtar për ndeshjet miqësore kundër Irlandës së Veriut (më 21 mars) dhe Luksemburgut (më 25 mars).

 

2 shtete të BE-së nuk janë gati të mbështesin planin e BE-së për të rritur ndihmën për Ukrainën

Italia dhe Spanja e bënë të qartë sot se nuk janë të gatshme të mbështesin propozimin e Bashkimit Evropian për të premtuar deri në 40 miliardë euro (43,67 miliardë dollarë) ndihmë ushtarake për Ukrainën këtë vit, me secilin vend që të kontribuojë sipas madhësisë së ekonomisë së tij, raporton “Reuters”.

Ky pozicionim vjen pasi zyrtarët e BE-së thanë se është jetike të vazhdohet ndihma për Ukrainën mes pasigurisë mbi të ardhmen e mbështetjes së SHBA-së nën administratën e Donald Trumpit, që i ka dhënë fund izolimit diplomatik të Rusisë dhe po u bën presion të dyja palëve për të negociuar, transmeton albinfo.ch.

Italia, Sllovenia, Spanja, Portugalia, Greqia dhe Qiproja janë ndër ato vende që kanë dhënë më pak, pasi kanë siguruar më pak se 0,5% të PBB-së së tyre.

Hungaria, e cila është më miqësore me Rusinë, është në fund të listës së BE-së.

Rama reagon për ndalimin që iu bë Thaçit: Poshtërim i ri nga një tribunal i turpshëm

Vargut të reagimeve ndaj ndalimit të Hashim Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij i është bashkuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Vendimin e Gjykatës Speciale, Rama e ka quajtur të turpshëm dhe poshtërues, raporton albinfo.ch.

“Një poshtërim i ri nga një tribunal i turpshëm dhe i paturpshëm, i cili e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Parlamentit të Kosovës në bumerangun më brutal!”, shkroi Rama në rrjetin social X.

Haxhiu thotë se do t’i shkruajë kryetares së Speciales pas refuzimit për pjesëmarrjen e Thaçit në varrimin e babait të tij

Raportimet se ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është refuzuar leja për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij kanë nxitur reagime në Kosovë.

Pas organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raporton albinfo.ch.

Ajo ka shkruar se proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta dhe të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore.

“Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, është krejt absurde ajo që kuptuam nga mediat, se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait. Lidhur me këtë vendim të padrejtë, do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara”, ka shkruar Haxhiu.

Rritet numri i shqiptarëve që heqin dorë nga nënshtetësia në këmbim të një pasaporte evropiane

Rreth 900 persona kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare gjatë vitit 2024 në këmbim të një pasaporte evropiane.

Krahasuar me vitin 2023, numri i atyre që braktisën Shqipërinë u rrit me 52 raste, ose 6.1 për qind, transmeton albinfo.ch.

“Të paktë janë shtetet që të lejojnë dy shtetësi. Normalisht, shteti që të pret pretendon që të lini shtetësinë tuaj dhe të përfitoni atë të vendit ku jetoni. Marrja e nënshtetësisë është një procedurë e tejzgjatur dhe personat e kualifikuar kanë përparësi. Ky proces mund të zgjasë deri në 7-8 vjet”, tha për A2 CNN Rafael Todhe, jurist në Gjermani.

Të dhënat nga Ministria e Brendshme tregojnë se, në dekadën e fundit, mbi 6,600 shqiptarë kanë hequr dorë nga pasaporta shqiptare. Kjo për shkak se shumë vende të BE-së nuk e lejojnë dyshtetësinë, mes tyre Austria, Holanda dhe Spanja.

Ndërsa të dhënat nga INSTAT tregojnë se rreth 52 për qind e të larguarve nga Shqipëria janë të rinj të grupmoshës 15-35 vjeç.

Më shumë udhëtarë pa biletë se kurrë më parë në Zvicër, a ka më shumë kontrolle tani?

Numri i udhëtarëve pa biletë në Zvicër po rritet vazhdimisht, me mbi një milion raste të regjistruara në regjistrin përkatës.

Çdo vit, sektori i transportit publik humb 200 milionë franga për shkak të udhëtarëve pa biletë, sipas Alliance SwissPass. Dhe duket se situata po përkeqësohet. Regjistri kombëtar i udhëtarëve pa biletë nuk kishte pasur kurrë kaq shumë raste të regjistruara sa në fund të vitit të kaluar, transmeton albinfo.ch. Tani ka mbi një milion raste të regjistruara. Në vitin 2023, numri ishte 918,643. Natyrisht, këto janë vetëm rastet e zbuluara.

“Numri i rasteve të pazbuluara është i lartë,” tha për gazetën Tages-Anzeiger zëdhënësja e mediave e Alliance SwissPass, Michaela Ruoss.

Si mund të shpjegohet rritja e rasteve të udhëtarëve pa biletë?

Ruoss përmend tre arsye kryesore. Dy të parat janë thjesht statistike:

  • Së pari, numri i personave që përdorin transportin publik është në rritje.
  • Së dyti, kontrollet janë bërë më të shpeshta, çka rrit mundësinë e kapjes së personave që udhëtojnë pa biletë.

Arsyeja e tretë, sipas Ruoss, është “një ndryshim i përgjithshëm shoqëror drejt një prirjeje më të madhe për të rrezikuar.”

Regjistri i udhëtarëve pa biletë

Regjistri i udhëtarëve pa biletë u krijua nga Alliance SwissPass në vitin 2019. Ai synon të ndihmojë në identifikimin e shkelësve të përsëritur. Regjistri përfshin rastet kur pasagjerët udhëtojnë pa një biletë të vlefshme ose me një biletë të pjesshme.

Nëse brenda dy vitesh nga regjistrimi i parë nuk ka një shkelje të re, personi hiqet nga regjistri.

Sipas Tages-Anzeiger, 35% e rasteve të regjistruara i përkasin të rinjve nën 26 vjeç. Kjo mund të tregojë një prirje më të lartë për të rrezikuar tek brezi i ri. Gjithashtu, vlen të përmendet rritja e çmimeve në transportin publik. Për shembull, SBB (Hekurudhat Federale Zvicerane) rriti çmimet e shumë ofertave të biletave në vitin 2023, siç raportoi SRF vitin e kaluar.

Humbje prej 200 milionë frangash

Alliance SwissPass vlerëson se evazioni i biletave shkakton humbje prej 200 milionë frangash në vit për sektorin e transportit publik. Ndërsa SBB nuk jep detaje për aktivitetet e saj të kontrollit, PostBus raporton se shpenzon rreth 8 milionë franga në masat e kontrollit. Kjo sjell të ardhura prej 4 milionë frangash në formën e gjobave. Në shikim të parë, kjo mund të mos duket e leverdishme, por pa këto masa, numri i udhëtarëve pa biletë do të ishte edhe më i lartë, dhe shitjet e biletave do të binin ndjeshëm.

 

 

Zvicër: Nga 1 Korriku do të duhet të dini edhe më shumë në testin e vozitjes

Nga data 1 korrik, njohuria mbi sistemet ndihmëse dhe automatizimin e automjeteve do të testohet si në provimin teorik ashtu edhe në atë praktik të drejtimit të automjetit.

Testi teorik do të përfshijë tani edhe pyetje mbi ndryshimet mes sistemeve ndihmëse dhe atyre të automatizuara.

Ndërsa në testin praktik, kandidatët duhet të demonstrojnë aplikimin e saktë dhe të kuptojnë funksionimin e sistemeve të makinës.

Automjetet plotësisht të automatizuara nuk kanë arritur ende në Zvicër, por makinat moderne tashmë kanë sisteme që ndihmojnë shoferin, transmeton albinfo.ch.

Edhe pse këto sisteme janë të dizajnuara për të ndihmuar, është e rëndësishme të dihet si përdoren dhe cilat janë kufizimet e tyre. Prandaj, duke filluar nga 1 korriku, kandidatët për patentë do të testohen edhe për këto sisteme, siç raporton Blick.

Çfarë ndryshon në testin teorik?

Në të ardhmen, kandidatët për patentë do të duhet të demonstrojnë në testin teorik se dinë të bëjnë dallimin mes sistemeve ndihmëse të drejtimit dhe drejtimit të automatizuar. Konkretisht, ata duhet të kuptojnë tre funksione kryesore:

“Informimi dhe paralajmërimi”

“Ndihma e vazhdueshme”

“Ndërhyrja e përkohshme”

Çfarë ndryshon në testin praktik?

Gjatë ditës së testit praktik, kandidatët do të testohen mbi njohuritë e tyre për sistemet ndihmëse të makinës së tyre. Ata duhet të demonstrojnë përdorimin e saktë të këtyre sistemeve para ekzaminuesit dhe të shpjegojnë kufizimet dhe rreziqet e tyre.

Çfarë ndryshon në mësimet e vozitjes?

Ndryshimet në testet e patentës do të ndikojnë edhe në mënyrën se si zhvillohen mësimet e vozitjes. Instruktorët tani duhet të përgatisin studentët për përdorimin e sistemeve ndihmëse dhe të theksojnë rëndësinë e përgjegjësisë personale gjatë drejtimit të automjetit.

Testet për makina dhe motoçikleta

Nga 1 korriku 2025, njohuritë mbi sistemet ndihmëse dhe automatizimin do të përfshihen në testet e drejtimit. Kjo do të vlejë si për testet e makinave (kategoritë B, BE, B1) ashtu edhe për motoçikletat (kategoritë A, A1).

 

 

Osmani dekoron me Medaljen Presidenciale të Meritave, politikanin gjerman Michael Roth

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sonte në Berlin Michael Roth me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Kjo medalje iu dha kryetarit aktual të Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman dhe ish-ministrit me motivacionin “si një mbrojtës i palëkundur i së ardhmes së Kosovës në BE dhe një zë që ka pasqyruar vazhdimisht aspiratat e saj në skenën ndërkombëtare”, transmeton albinfo.ch.

“Sonte në Berlin dekorova Michael Roth me Medaljen Presidenciale të Meritave—një simbol mirënjohjeje nga populli i Kosovës.

Suksesi i Kosovës ka qenë gjithmonë më i fortë falë miqve që qëndrojnë pranë nesh—atyre që besojnë në demokraci, liri dhe në vendin tonë të merituar në familjen evropiane. Për mbrojtje të këtyre vlerave, Michael Roth ka punuar përgjatë 27 viteve të angazhimit të tij politik”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes Osmani.

 

Sa vende pune në Gjenevë mund të humbasin për shkak të shkurtimeve të ndihmës nga SHBA?

Që nga marrja e detyrës në janar, presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar shkurtime buxhetore për agjencitë e OKB-së si dhe OJQ-të me bazë në Gjenevë – të cilat tashmë kanë rrezikuar mijëra vende pune.

“Organizatat në Gjenevë kanë filluar të marrin emailin e frikshëm që konfirmon tërheqjen e menjëhershme të mbështetjes, duke detyruar projektet të mbyllen në mes të rrugës dhe duke çuar në pushime të gjera nga puna,” shkruan Geneva Solutions, një platformë lajmesh për organizatat ndërkombëtare të qytetit, transmeton albinfo.ch.

Nuk është për t’u habitur, “njoftimet e kanë zhytur sektorin në trazira”. ‘Trazirat’ filluan me tërheqjen e SHBA nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) me bazë në Gjenevë dhe Këshilli i të Drejtave të Njeriut (UNHRC).

Trump thuhet se po shikon tërheqjen e mbështetjes edhe për një numër organizatash të tjera ndërkombëtare, të cilat nuk përmbushin miratimin e tij dhe të Elon Musk (i cili është përgjegjës për Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë).

Humbje masive për IOM-in

Ndërsa nuk është ende e sigurt se sa punonjës të OBSH-së dhe UNHRC-së do të humbasin përfundimisht punën e tyre për shkak të shkurtimeve të buxhetit të Trump – ose sa nga mbi 30,000 vende pune në sektorin ndërkombëtar të Gjenevës do të shkurtohen – shkalla e humbjeve është e njohur për Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Agjencia, e cila mbështetet shumë në Shtetet e Bashkuara për buxhetin e saj vjetor, po detyrohet të shkurtojë të paktën 20 për qind të stafit të saj në Gjenevë – 2000 gjithsej.

Sipas Geneva Solutions, “këto shkurtime të reja të vendeve të punës vijnë vetëm disa javë pasi IOM pushoi nga puna rreth 3,000 punonjës që punonin për programin amerikan të rivendosjes së refugjatëve, i cili u mbyll nga administrata e Trump”.

Duke pasur parasysh këto zhvillime, “ne duhet të marrim vendime vërtet të vështira për personelin sepse thjesht nuk mund të përballojmë të paguajmë njerëzit kur në fakt nuk paguhemi për punën tonë,” tha zëdhënësja e IOM, Amy Pope.

Për sa u përket agjencive të tjera, “ne jemi ende duke vlerësuar ndikimin e shkurtimeve të buxhetit”, tha një zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), “Por të gjithë presin përçarje të konsiderueshme, me të paktën disa qindra vende pune të humbura.”

Por kjo nuk është e gjitha

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë të shkurtojnë vendet e tjera të punës dhe procesi i saj i pazakontë i verifikimit përfshin një pyetësor të vjetëruar të shpërndarë tek organizatat ndërkombëtare – me pyetje që duket se janë modeluar sipas formularëve të kohës së Luftës së Ftohtë që udhëtarët ajror duhej të plotësonin pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara.

Supozohet se, bazuar në përgjigjet, Trump ose do të vendosë të tërheqë SHBA-në nga agjencitë e tjera ndërkombëtare, ose do të mbajë fondet e duhura. Megjithatë, administrata Trump refuzon të financojë çdo aktivitet që plotëson diversitetin, barazinë dhe programet e përfshirjes.

BE evakuon të lënduarit pas zjarrit vdekjeprurës në Maqedoninë e Veriut, trajtohen në shtete të ndryshme

Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent të BE-së ka vendosur kontakte me autoritetet e mbrojtjes civile në Maqedoninë e Veriut për të ofruar solidaritet dhe mbështetje pas tragjedisë së Koçanit. Menjëherë pas ngjarjes, Maqedonia e Veriut aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, duke kërkuar ndihmë për të evakuuar 15 pacientë që vuanin nga djegie të rënda, transmeton albinfo.ch.

Si përgjigje e menjëhershme, nëntë vende evropiane – Kroacia, Greqia, Rumania, Sllovenia, Suedia, Lituania, Hungaria, Luksemburgu dhe Norvegjia – ofruan ndihmë përmes këtij mekanizmi.

Disa pacientë tashmë janë evakuuar në Hungari nga Luksemburgu, ndërsa Rumania po transporton pacientë në Lituani. BE-ja po koordinon tani transportimin e pacientëve të tjerë në vendet që kanë ofruar trajtim. BE-ja mbetet në kontakt të ngushtë me autoritetet kombëtare në Maqedoninë e Veriut dhe është e gatshme të mobilizojë ndihmë të mëtejshme, nëse është e nevojshme.

Komisionerja për Gatishmëri, Menaxhim të Krizave dhe Barazi, Hadja Lahbib, tha: “Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e viktimave dhe të gjithë ata të prekur. BE-ja qëndron në solidaritet me popullin e Maqedonisë së Veriut në këtë kohë të vështirë. Falënderoj vendet evropiane për ofrimin e shpejtë të trajtimit dhe ndihmës për viktimat përmes Mekanizmit tonë të Mbrojtjes Civile.”

http://europa.eu/!KQBm7w

 

 

 

 

Specialja ia pamundëson Thaçit pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit të babait të tij 

Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë raportohet se nuk i ka dhënë leje ish-presidentit Hashim Thaçi që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait.

Lajmin e kanë bërë të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një reagimi publik, ata u shprehën të indinjuar me këtë vendim.

“Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë. Të ndalosh një bir që t’i japë nderimin e fundit babait të tij është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore”, thuhet në reagim, transmeton albinfo.ch.

Tutje, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, e cila, sipas tyre, synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish-luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrjeje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së.

“I bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave të të drejtave të njeriut, institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe Shqipërisë që të reagojnë fuqishëm ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten, sepse të drejtat themelore nuk duhet të jenë objekt i abuzimit apo i hakmarrjeve. Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do ta tolerojë heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj shkeljeve, abuzimeve dhe trajtimit përçmues që po iu bëhet bashkëluftëtarëve tanë nga Gjykata Speciale në Hagë!”, përfundon reagimi.

 

 

 

 

 

 

Shqiptarja 55 vjeçare gjendet e vdekur në banjë – arrestohet bashkëshorti

Në mbrëmje vonë, një burrë thërret fqinjët e tij për ndihmë. Gruaja e tij ishte e shtrirë e palëvizur në banjën e banesës së tyre të përbashkët. Menjëherë pas kësaj, qendra e thirrjeve kantonale emergjente merr një telefonatë, transmeton albinfo.ch. Është e mërkurë, 12 mars. Dy ditë më parë kishte ndodhur vrasja.

Ndërsa punonjësit e shpëtimit shkojnë në Obermumpf, bëhen përpjekje për të ringjallur gruan, por asgjë nuk funksionoi. Kështu shkruhet në një deklaratë të Prokurorisë Publike në kantonin Aargau. Punonjësit e shpëtimit tentojnë ta ringjallin gruan, por nuk kanë sukses. Gruaja 55-vjeçare ka ndërruar jetë mbrëmjen e së mërkurës, shkruan gazeta Aargauer Zeitung.

“Për shkak të situatës, autoritetet e zbatimit të ligjit kanë urdhëruar hetime të detajuara në vend dhe ekzaminime mjekoligjore të të ndjerës”, thotë Adrian Schuler, zëdhënës për media në Zyrën e Prokurorit Publik.

60-vjeçari tashmë është në paraburgim

Deklarata e Prokurorisë Publike vazhdon se rezultatet fillestare të këtyre hetimeve tashmë flasin për një krim. Nga këto konstatime u bë arrestimi i bashkëshortit 60-vjeçar. Ai është shtetas zviceran me prejardhje padyshim kosovare, përcjell albinfo.ch. Prokuroria Publike ka kërkuar tre muaj paraburgim, kërkesë e cila është miratuar.

I pyetur nga gazeta Aargauer Zeitung, Schuler tha: “Nuk mund të themi asgjë më shumë për momentin.”

“Ti ishe shtëpia jonë, ngushëllimi ynë, lumturia jonë më e madhe…”: kështu shkruan vajza e të ndjerës në Facebook – një postim që e ka shpërndarë tashmë i arrestuari (!). Teksti është shkruar në gjuhën shqipe, me sa duket familja vjen nga Kosova, shkruan gazeta.

Rrethanat e sakta janë ende të paqarta dhe janë objekt i hetimeve në vazhdim, thuhet në deklaratë. Zyra e Prokurorit Publik Rheinfelden-Laufenburg dhe Policia Kantonale po kryejnë hetimin së bashku.

Deri në marrjen e vendimit përfundimtar, i akuzuari prezumohet i pafajshëm.

(Foto: Screenshot nga fb)

Mbështetësit e Isis-it në Winterthur përballen me Gjykatën Penale Federale 

Dy burra nga Winterthur janë në gjyq nën dyshimin se kanë mbështetur Shtetin Islamik (ISIS).

Zyra e Prokurorisë Federale i akuzon ata për veprimtari në platformën Telegram, përhapje të propagandës së ISIS-it, mbledhje të mijëra frangave zvicerane në donacione dhe dërgimin e tyre tek ISIS përmes kriptomonedhave. Po ashtu, ata dyshohet se kanë themeluar një agjenci mediatike për prodhimin e materialeve në gjuhën gjermane.

Dy burrat dyshohet se ishin plotësisht të integruar në strukturat e ISIS-it, me njërin prej tyre që thuhet se kishte marrë rolin e “emirit”.

Sipas aktakuzës, ata paraqitën mosmarrëveshje mes anëtarëve tek kuadrot e ISIS-it për ndërmjetësim, gjë që sugjeron se kishin kontakte të rëndësishme brenda organizatës. Ata gjithashtu thuhet se kanë pasur kontakte me një anëtar të ISIS-it në Gjermani dhe kanë planifikuar udhëtimin e tyre për në Siri me ndihmën e rekrutuesve të Shtetit Islamik.

Hulumtimet tregojnë se individët bëhen më të rrezikshëm kur integrohen në rrjete ekstremiste, duke u izoluar dhe duke krijuar një komunitet të ngushtë, shpesh hapi i fundit para kryerjes së një akti të dhunshëm. Sipas aktakuzës, njëri nga të pandehurit kishte si qëllim të vdiste si dëshmor në Siri.

Anëtarë si këta të pandehur janë të dobishëm për ISIS, pasi mund të përhapin propagandën e tij në gjuhën gjermane dhe të mbledhin fonde në Evropë për të mbështetur aktivitetet terroriste, përfshirë lirimin e luftëtarëve të burgosur të ISIS-it.

Prokuroria Federale do të shpallë dënimin e kërkuar për dy personat në seancë, ndërsa vendimi përfundimtar do të shpallet më 24 mars.

PostFinance, “Klientët tanë po shpenzojnë më shumë se në janar”

Trendi i fundit i shpenzimeve zvicerane ka vazhduar edhe muajin e kaluar. Kjo zbulohet nga treguesi i konsumit i llogaritur nga PostFinance, bazuar në pagesat me karta të klientëve të saj, i cili u rrit me 1.1% krahasuar me shkurtin e vitit 2024, transmeton albinfo.ch.

Në janar tashmë ishte shënuar një rritje e ndjeshme prej 1.2% me bazë vjetore. Duke e zgjeruar perspektivën, rritja e muajit shkurt është e gjashta radhazi. Sipas autorëve të studimit, rritja e pasigurisë ekonomike, e shkaktuar nga politika tregtare dhe doganore e SHBA-së, nuk ka pasur ende një ndikim të dukshëm në sjelljen e konsumatorëve zviceranë. Në veçanti, gatishmëria për të shpenzuar për pushime dhe udhëtime ka mbetur e lartë.

Një rritje e lehtë është vërejtur edhe në sektorin e bukurisë dhe mirëqenies, ndërsa shpenzimet për mallrat e përditshme kanë mbetur të qëndrueshme.

Çdo muaj, PostFinance analizon në mënyrë anonime transaksionet e pagesave të 2.4 milionë klientëve të saj. Treguesi i konsumit i llogaritur në këtë mënyrë tregon ndryshimin e shpenzimeve të konsumatorëve në baza vjetore, i përshtatur për të marrë në konsideratë efektet e ditëve të ndryshme të shitjeve dhe festave.

Shqipëri: Rritet numri i turistëve në hotele në janar, prijnë italianët

Shqipëria vazhdon të jetë një destinacion i preferuar për turistët nga vende të ndryshme evropiane, edhe jashtë sezonit veror. Shifrat tregojnë një rritje të numrit të vizitorëve të huaj gjatë muajit janar të këtij viti, transmeton albinfo.ch.

Në raportin e publikuar nga Instituti i Statistikave bëhet e ditur se numri i vizitorëve ka shënuar një rritje prej 26.9%, ku vizitorët jo-rezidentë kanë shënuar një rritje prej 41.0%, ndërsa ata rezidentë 12.1%.

Rritja më e madhe e vizitorëve jo-rezidentë është regjistruar në zonat jo-bregdetare me 46.5% dhe në hotelet apo akomodimet e ngjashme me 38.4%.

Raporti konstaton se italianët kryesojnë për sa i përket netëqëndrimeve në strukturat akomoduese, duke lënë pas edhe vizitorët nga Kosova.

“Shumica e vizitorëve jo-rezidentë, të cilët u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri, vijnë nga Italia (21%), Kosova (18%) dhe Gjermania (6%). Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kontribuan përkatësisht me 6% dhe 5% të vizitorëve”, bën të ditur INSTAT.

15 vjeçarja me prejardhje nga Kosova u raportua e zhdukur në Francë, ambasada e Shqipërisë njofton rikthimin në familje

Ambasada e Shqipërisë në Francë, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se 15-vjeçarja me origjinë nga Kosova, M. Syla, e cila ditë më parë u raportua e zhdukur, është rikthyer pranë familjes së saj, transmeton albinfo.ch.

“Ambasada e Shqipërisë në Francë sqaron se sot në mëngjes, menjëherë sapo është informuar nga të afërm të personit, është mobilizuar dhe angazhuar për rastin e shtetases franceze me origjinë nga Republika e Kosovës, me banim në Strasburg të Francës, M. Syla (15 vjeç), e cila kishte humbur kontaktet me familjen që prej datës 14 mars. Pas bashkëpunimit të Ambasadës me autoritetet e policisë franceze dhe familjen e vajzës, si dhe pas verifikimeve dhe ndjekjes në terren, njoftojmë se M. Syla është rikthyer në shtëpi pranë familjarëve të saj dhe gëzon shëndet të mirë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

“Në emër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ambasada e Shqipërisë në Francë falënderon autoritetet franceze, familjarët dhe të afërmit e vajzës për gatishmërinë dhe bashkëpunimin”, përfundon njoftimi.

Kosovë: Tentim-grabitje e armatosur në një qendër tregtare, 2 të plagosur

Një tentim grabitjeje e armatosur ka ndodhur sot në Prishtinë, në një qendër tregtare, duke lënë dy persona të plagosur. Cak i grabitjes besohet të ketë qenë një furgon që po transportonte para, ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

Mediat raportojnë se të plagosur kanë mbetur një pjesëtar i sigurimit, i cili ishte në mbrojtje të furgonit, dhe grabitësi.

Raportohet se personi që tentoi të kryente grabitjen është M. Vukojeviq, i nacionalitetit serb, nga Leshaku i Leposaviqit.

“Sot, rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Veternik, në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para. Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorinë, janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit,” ka konfirmuar Ahmeti.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore kanë deklaruar gjatë ditës se gjendja e të plagosurve është kritike.