Trump me Zelenskyn në Vatikan negociojnë pa “tavolinë” del fotografia nga “takimi produktiv”

Bëhet e ditur se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kanë zhvilluar një takim në Vatikan, në prag të ceremonisë së varrimit të Papa Françesku­t, përcjell albinfo.ch.

Këtë takim e kanë përshkruar si mjaft produktiv dhe kanë thënë se detaje të reja do të publikohen në vazhdim.

Ndërkohë, në media tashmë është publikuar edhe fotografia e momentit të takimit mes dy presidentëve.

Trump, që nga ardhja e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, është duke bërë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje midis Rusisë dhe Ukrainës.

Të premten, në Rusi ka qëndruar em­­issari amerikan Steve Witkoff, i cili është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, e që, sipas raportimeve, ka qenë takim i frytshëm.

Në këtë takim është diskutuar edhe mundësia e aranzhimit të një takimi direkt midis Rusisë dhe Ukrainës.

Nga Presidenti Begaj te Vjosa Osmani, cilët janë shqiptarët që po marrin pjesë në ceremoninë mortore të Papa Françeskut

Në meshë janë të pranishëm delegacione nga e gjithë bota, me në krye presidentë si ai i SHBA-së, Donald Trump. Nga Shqipëria ka ardhur presidenti Bajram Begaj, ndërsa nga Kosova, presidentja Vjosa Osmani. Të pranishëm janë krerët fetarë të shumë feve botërore: myslimanë, budistë, hinduistë, sikhë, zoroastrianë e jainistë.

Nga Shqipëria, që dje kanë bërë homazhe në Bazilikën e Shën Pjetrit së bashku me delegacionet shtetërore, sot janë të pranishëm në meshë: kardinali Ernest Simoni, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj, kreu i Bashkësisë Myslimane Sunite të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, dhe kreu i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Ergest Biti.

Edhe emigrantët shqiptarë në Itali janë organizuar, nën drejtimin e koordinatorit kombëtar të Kishës Katolike për ta, don Anton Kodrari, për të marrë pjesë në përshëndetjen e fundit për Papën Françesku, i cili — kujtojmë — zgjodhi Shqipërinë si vendin e parë evropian për ta vizituar më 21 shtator 2014; shpalli shenjte Nënë Terezën më 4 shtator 2016; dhe nënshkroi dekretin për lumnimin e 38 martirëve të parë shqiptarë të komunizmit më 5 nëntor të po atij viti, duke shtuar edhe dy të tjerë më 16 nëntor 2024, të cilët u ngritën në nderimet e altarit në Shkodër.

Sot, qeveria e Tiranës ka shpallur ditë zie kombëtare, duke e ulur në gjysmështizë flamurin në të gjitha institucionet shtetërore e publike “në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje,” siç shkruhet në vendimin e datës 24 prill. Të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private, transmetojnë muzikë funebër, e shumë nga impenjimet politike, në këtë kohë fushate zgjedhore, janë shtyrë ose zhvillohen pa muzikë.

Kori “Siparantum” do të ngjitet në skenën e institucionit prestigjioz të Filarmonisë së Berlinit

Bëhet e ditur se kori “Siparantum” do të ngjitet në skenën e institucionit prestigjioz të Filarmonisë së Berlinit, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja u hap të mërkurën dhe do të mbyllet më 27 prill. Në hapje, “Siparantum” ishte njëri nga 12 korët që interpretuan në “koncertin mirëseardhës”.

Sot, më 26 prill, në orën 20:00, “Siparantum” do të performojë në koncertin me titull “Around the World” në Kishën “Matthäuskirche” në Berlin.

Koristët nga Kosova do të ngjiten në skenë bashkë me korin “Polychromon” nga Greqia, “B-Tenors” nga Spanja dhe “ARTyn” nga Lituania.

Ushtria zvicerane ka mungesë të këtij produkti thelbësor

Jo… nuk janë armë, tanke, municione apo edhe thika ushtarake.

Përkundrazi, Departamenti i Mbrojtjes është në kërkim të ravioleve të konservuara që mund të ushqejnë trupat për dy vitet e ardhshme.

Një thirrje për tender, e publikuar në platformën e prokurimit qeveritar zviceran, kërkon një furnizues për të furnizuar më shumë se 54 000 kuti raviole të gatshme për t’u ngrënë, të cilat do të konsumohen midis viteve 2026 dhe 2027.

Kjo sepse raviolet e konservuara janë një klasik ushtarak zviceran.

Vetëm vitin e kaluar trupat zvicerane konsumuan 64 tonë raviole, ose 175 kg në ditë, sipas agjencisë së prokurimit ushtarak Armasuisse.

“Raviolet janë një pjesë e rëndësishme e strategjisë së magazinimit,” theksoi Armasuisse.

Afati i gjatë i ruajtjes dhe lehtësia e përgatitjes i bëjnë ato një ushqim ideal në fushëbetejë, dhe janë gjithashtu ushqyese: përmbajnë 22 % proteina, 16 % karbohidrate dhe 9 % yndyrë — përbërës që “kontribuojnë në mënyrë efektive në nevojat e energjisë së ushtarëve.”

Zvicër: Skuteri po ecte me shpejtësi mbi 125 km/orë, arrestohet shoferi

Brenda një jave, policia në kantonin Valais ndaloi dy skuterë elektrikë, të aftë për shpejtësi mbi 100 km/orë. Skuterët u konfiskuan dhe pronarët e tyre u raportuan, përcjell albinfo.ch.

Skuterët u ndaluan në Martigny dhe Zermatt. I pari, në duart e një ukrainasi 24-vjeçar, po udhëtonte me 113 km/orë, ndërsa i dyti, në duart e një lituanezi 42-vjeçar, arriti 126 km/orë, bëri të ditur policia e Valais të premten.

Në Martigny, skuteri u ndalua gjatë një kontrolli të trafikut pak para orës 6:30 të mëngjesit, më 5 prill. Duke qenë se nuk plotësonte kërkesat teknike ligjore, ai u testua në një rrotë matëse.

Policia theksoi se kufiri i shpejtësisë për skuterët elektrikë është 20 km/orë. Shoferët duhet të ndjekin të njëjtat rregulla si për mopedët e lehtë, duke përfshirë mbajtjen e kaskës.

Panairi i bizneseve shqiptare ka hapur sot dyert në Vjenë

Mësohet se për të pestën herë në Vjenë , sot organizohet panairi i bizneseve të themeluara nga komuniteti shqiptar në Austri, shkruan albinfo.at.

Panairi i bizneseve shqiptare në Austri, po mbahet në Arena 21, MQ. Museumplatz 1, 1070 në Vjenë

Hapja ka filluar nga ora 10:00 dhe do të vazhdoj deri në 18:00.

Vlen të theksohet se hyrja është falas.

Lexo më shumë:👇

Vjenë: Më 26 prill mbahet panairi i bizneseve shqiptare në Austri

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

 

Ditë zie kombëtare në Shqipëri në nderim të Papa Françeskut

Sot, Shqipëria ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta të hënën, në moshën 88-vjeçare, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, bota ka zhvilluar homazhe për gjashtë ditë me radhë. Krerë shtetesh, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe miliona njerëz nga e gjithë bota janë lutur për Papa Françeskun.

Në Shqipëri, flamuri do të ulet në gjysmështizë në nderim të Papës.

Pjesë e ceremonisë së lamtumirës do të jenë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri, si dhe kreu i Shtetit, Bajram Begaj.

Detajet e traktateve të reja të Zvicrës me BE-në mbahen sekret

Edhe pse skica e përgjithshme e marrëveshjeve të arritura midis Bernës dhe Brukselit në dhjetor 2024 është bërë publike, detajet e sakta mbeten të fshehta, me asnjërën palë që nuk është e gatshme t’i zbulojë përmbajtjen e tyre. Përcjell albinfo.ch.

Deri më tani, si Këshilli Federal, ashtu edhe Bashkimi Evropian kanë refuzuar t’i hapin këto dokumente për shqyrtim publik.

Arsyeja për këtë sekret, sipas Bashkimit Evropian, është nevoja që secila palë të “verifikojë ligjërisht përmbajtjen e marrëveshjeve” dhe, më pas, t’i përkthejë ato në 23 gjuhët e BE-së (tre prej të cilave janë gjithashtu gjuhët zyrtare të Zvicrës), përpara se t’i bëjë publike—në një kohë ende të papërcaktuar.

Sot i jepet lamtumira e fundit Papa Françeskut

Mësohet se sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan do të zhvillohet ceremonia mortore e Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë më 22 prill, në moshën 88-vjeçare, përcjell albinfo.ch.

Mijëra pelegrinë, besimtarë dhe figura të njohura nga mbarë bota janë mbledhur për të përshëndetur për herë të fundit një nga papët më të dashur të shekullit.

Ceremonia nis në orën 10:00 të mëngjesit me orën lokale dhe drejtohet nga Kardinali Giovanni Battista Re, dekani i Kolegjit të Kardinalëve.

Pritet që rreth 200,000 persona të marrin pjesë në sheshin historik të Vatikanit për të nderuar jetën dhe veprën e Papës, i cili shërbeu për më shumë se një dekadë si udhëheqës i Kishës Katolike.

Pjesëmarrja ndërkombëtare dhe delegacionet zyrtare

Në ceremoni janë të pranishëm mbi 130 delegacione ndërkombëtare, përfshirë rreth 50 kryetarë shtetesh dhe 12 monarkë.

Ndër figurat kryesore janë Presidenti amerikan Donald Trump, Princi William i Mbretërisë së Bashkuar, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe përfaqësues të lartë nga Franca, Gjermania, Argjentina dhe Filipinet.

Ky pritet të jetë një nga eventet më të rëndësishme diplomatike të vitit, duke reflektuar ndikimin e gjerë të Papa Françeskut në çështje sociale, ndërfetare dhe globale.

Një varrim jashtë traditës

Në përputhje me karakterin e tij modest, Papa Françesku ka zgjedhur një arkivol të thjeshtë prej druri, të mbushur me zink, duke shmangur përdorimin e tre arkivoleve tradicionale që përdoren zakonisht për papët.

Ai do të prehet në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë – një vend i shenjtë për të, ku është lutur shpesh gjatë viteve të papatit. Ky është një vendim historik, pasi është hera e parë që një papë varroset jashtë Vatikanit që nga viti 1903.

Papa Françesku do të mbahet mend për përulësinë, përkushtimin ndaj të varfërve dhe për thirrjet e tij të vazhdueshme për paqe, drejtësi sociale dhe ruajtjen e mjedisit. Lamtumira që po i jepet sot në Vatikan është një dëshmi e dashurisë dhe respektit të madh që ai fitoi në mbarë botën.

Mungesa e banimit në Cyrih: Të rinjtë me të ardhura të larta po “zhvendosin” qiramarrësit e varfër dhe të moshuar

Një studim i kryer nga Instituti Politeknik Federal (ETH) në Cyrih tregon se kush ka aksesin më të mirë dhe kush më të keqin në tregun e banesave të qytetit, i njohur për ngjeshjen e tij, përcjell albinfo.ch.

Zbulimi i studimit: kur një apartament bëhet i disponueshëm për qira, të moshuarit, beqarët dhe azilkërkuesit nuk kanë pothuajse asnjë shans, pasi pronarët u japin përparësi familjeve të reja me të ardhura të dyfishta, pa fëmijë, si zviceranë, ashtu edhe emigrantë.

“‘Viktimat’ e këtij trendi janë njerëzit që tashmë kanë pak mundësi në shoqëri,” tha profesori i ETH, David Kaufmann, përgjegjës për studimin.

FBI arreston gjyqtaren për ‘pengim’ të procesit në një rast të emigracionit

Një gjyqtare në Milwaukee, Wisconsin, u arrestua të premten nga FBI, në atë që po shihet si një përplasje e re mes administratës së Presidentit Donald Trump dhe gjyqësorit amerikan mbi politikat e ashpra të imigracionit, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas një deklarate nga drejtori i FBI-së, Kash Patel, gjyqtarja Hannah Dugan u arrestua me akuzën e “pengimit të drejtësisë”, pasi dyshohet se ka ndërhyrë në një operacion arrestimi të imigrantëve javën e kaluar në sallën e saj të gjyqit. “Ne besojmë se gjyqtarja Dugan qëllimisht i çorientoi agjentët federalë, duke i larguar ata nga individi që duhej arrestuar,” tha Patel në një postim në X (ish-Twitter), duke shtuar se “veprimet e saj rritën rrezikun për publikun.”

Patel, i emëruar në detyrë nga Presidenti Trump, më vonë fshiu deklaratën e tij fillestare për ta ripostuar me të njëjtin mesazh, gjë që ka ngjallur më shumë polemika në opinionin publik dhe ligjor.

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, e konfirmoi arrestimin, duke thënë se Dugan dyshohet se ndihmoi një të huaj të paligjshëm për të shmangur arrestimin nga agjentët e Imigracionit dhe Doganave (ICE). “Askush nuk është mbi ligjin,” deklaroi Bondi në një postim të saj, transmeton albinfo.ch.

WFP: Gaza drejt urisë ekstreme

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i Kombeve të Bashkuara njoftoi të premten se ka dorëzuar rezervat e fundit të ushqimit në kuzhinat e vakteve të ngrohta në Rripin e Gazës, pasi furnizimet nuk janë rimbushur për shkak të një bllokade shtatë-javore të vendosur nga Izraeli. Sipas WFP-së, këto kuzhina do të mbeten pa ushqim në ditët në vijim, duke shtuar ndjeshëm rrezikun për urinë masive në enklavë, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Agjencia për Koordinimin e Çështjeve Humanitare e OKB-së (OCHA) e përshkroi situatën si “ndoshta më të rëndën” që nga fillimi i ofensivës izraelite pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, që lanë rreth 1,200 të vdekur dhe çuan në marrjen peng të afro 250 personave.

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, numri i viktimave palestineze ka arritur në 51,439 që nga fillimi i luftës. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar të paktën 78 të vrarë. Prej rifillimit të bombardimeve më 18 mars dhe nisjes së një ofensive të re tokësore, më shumë se 2,000 palestinezë janë vrarë dhe shumica e popullsisë prej 2.3 milionësh është zhvendosur.

WFP paralajmëron se uria është bërë një kërcënim i prekshëm për banorët e Gazës, me çmimet e ushqimeve që janë rritur me 1,400%. Organizata thotë se 25 furrat e bukës që furnizon nuk kanë funksionuar që nga 31 marsi për shkak të mungesës së plotë të miellit dhe vajit, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, më shumë se 116,000 tonë ushqim, të mjaftueshme për të ushqyer 1 milion njerëz për katër muaj, janë bllokuar në kufi si pasojë e ndalimit të hyrjes nga Izraeli. Hamasi njoftoi se 52 persona – 50 prej tyre fëmijë – kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja, ndërsa qindra mijëra fëmijë përballen me uri ekstreme çdo ditë.

Reagimet ndërkombëtare kanë qenë të ashpra. Ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe kërkuan fundin e bllokadës, duke e cilësuar situatën si “të patolerueshme” dhe paralajmëruan për rrezikun e “urisë, epidemive dhe vdekjes”. Edhe 12 agjenci të mëdha humanitare paralajmëruan për përhapjen e shpejtë të urisë në të gjithë Gazën.

Izraeli, nga ana e tij, mohon ekzistencën e një krize ushqimore dhe thotë se gjatë armëpushimit 42-ditor janë futur 25,000 automjete me ndihma. Sipas autoriteteve izraelite, ndihmat po përdoren nga Hamasi për të forcuar kontrollin mbi popullsinë. Ministri i Mbrojtjes Israel Katz tha se bllokada do të vazhdojë derisa Hamasi të lirojë 58 pengjet që ende mban, nga të cilët 24 mendohet se janë gjallë, transmeton albinfo.ch.

Vjenë: Biletat e vjetra të parkimit do vlejnë deri në qershor

Që në ndërrimin e vitit, Qyteti i Vjenës ka rritur tarifat e parkimit: tarifa e re është 2,60 € për orë. Biletat e blera para 1 janarit 2025 mbeten të vlefshme deri më 30 qershor, pas së cilës nuk do të pranohen më, shkruan “Krone”; përcjell albinfo.ch.

Prandaj, qytetarët që disponojnë ende bileta me tarifat e vjetra duhet t’i shfrytëzojnë para datës 30 qershor, përndryshe do të përballen me një gjobë parkimi prej 36 €.

Sipas Matthias Nagler, eksperti i ÖAMTC-së, nuk ka mundësi shkëmbimi apo rimbursimi të biletave të vjetra. Po ashtu, përdoruesit e shërbimit për parkim me telefon do të tarifohen me çmimet e reja që hyjnë në fuqi, transmeton albinfo.ch.

Debat për taksën kombëtare mbi pasurinë në Zvicër

Propozimi për një taksë kombëtare mbi pasurinë, i bërë nga Këshilltarja Kombëtare e GLP-së, Barbara Schaffner, ka nxitur një debat të gjerë politik në Zvicër. E lindur në Cyrih, Schaffner argumenton se sfidat e mëdha financiare të vendit kërkojnë jo vetëm optimizim të shpenzimeve federale, por edhe identifikimin e burimeve të reja të të ardhurave – dhe një taksë kombëtare mbi pasurinë, sipas saj, do të ishte më e përshtatshme se një taksë trashëgimie, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, Këshilli Federal e ka hedhur poshtë idenë, duke iu referuar një raporti të mëparshëm që theksonte se ekzistojnë shumë arsye për të mos vendosur një taksë të tillë, përfshirë efektin negativ ndaj ekonomisë dhe largimin potencial të të pasurve nga Zvicra.

Kritika të forta kanë ardhur nga partitë e qendrës dhe të djathtës. Philipp Matthias Bregy, kreu i grupit parlamentar të Qendrës, shprehu skepticizëm për futjen e taksave të reja si zgjidhje për problemet buxhetore; ai paralajmëroi gjithashtu për rreziqet që do të sillte një largim nga federalizmi, pasi taksat mbi pasurinë vendosen aktualisht nga kantonet dhe jo nga qeveria federale.

Edhe kryetari i grupit parlamentar të SVP-së, Thomas Aeschi, e refuzoi ashpër këtë propozim. Ai sugjeroi, në vend të kësaj, reduktimin e burokracisë, rishikimin e pagave në administratën federale dhe kursime në fusha si ndihma për zhvillim dhe azili, transmeton albinfo.ch.

Nga ana tjetër, propozimi ka gjetur përkrahje në krahun e majtë. Bashkëkryetari i grupit SP, Samuel Bendahan, tha se një taksë e moderuar mbi pasurinë do të sillte më shumë drejtësi fiskale dhe nuk do të prekte ndërmarrjet e vogla dhe të mesme: “Edhe me një taksë të ulët mbi pasurinë, Zvicra do të mbetej parajsë tatimore për miliarderët,” theksoi ai.

Pavarësisht mbështetjes së kufizuar në parlament, çështja mbetet një temë e nxehtë në debatin publik, ndërkohë që vendi përballet me presione financiare gjithnjë e më të mëdha dhe kërkon mënyra të qëndrueshme për të ruajtur balancën buxhetore.

Bardhyl Coli emërohet drejtor i ri i hotelit prestigjioz në Zvicër

Bardhyl Coli, hotelieri shqiptarozviceran, do të marrë përsipër detyrën e drejtorit të hotelit superior me katër yje në Engadinin e Epërm. 41-vjeçari do të zëvendësojë Markus Tauss, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, Annika Sosnizka-Tauss, ka udhëhequr hotelin që nga viti 2020, shkruan HRT, transmeton albinfo.ch.

Me nisjen e sezonit më 27 qershor, Coli, një hotelier me përvojë të gjerë si në zinxhirë hotelesh ndërkombëtarë, ashtu edhe në prona private prestigjioze, do të marrë drejtimin e hotelit të njohur në Engadin. Më parë, ai ka shërbyer si drejtor i hotelit luksoz Arosa Kulm me pesë yje.

“Jam i kënaqur që po marr përsipër menaxhimin e Cresta Palace Celerina tradicionale dhe që po filloj një sezon veror emocionues së bashku me ekipin,” deklaroi Coli, transmeton albinfo.ch.

Emërimi i tij është pritur me entuziazëm edhe nga bordi drejtues i hotelit. Riet Klainguti, zv/president i Bordit të Drejtorëve të Cresta Palace Celerina AG, theksoi: “Me Bardhyl Colin, po fitojmë një udhëheqës me përvojë, i cili do ta zhvillojë më tej hotelin me kompetencë, pasion dhe ide të freskëta. Falënderojmë ngrohtësisht Markus dhe Annika Tauss për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm dhe të besueshëm gjatë pesë viteve të fundit.”

Sipas njoftimit të hotelit, Cresta Palace Celerina ka përmbyllur një vit rekord, duke arritur rezultatin më të mirë financiar në historinë e tij. Kjo performancë e shkëlqyer do t’u mundësojë pronarëve të vazhdojnë investimet në cilësi dhe luks, përfshirë rinovimin e 20 dhomave dhe të Restaurantit Grand në kohë për sezonin e verës, transmeton albinfo.ch.

Përfundon funerali për Papa Françeskun, 250 mijë njerëz i dhanë lamtumirën në Vatikan

Pas tri ditësh nderimesh publike, ceremonia për Papa Françeskun në Vatikan përfundoi të premten mbrëmë, duke shënuar një nga ngjarjet më të mëdha fetare në dekadat e fundit. Bazilika e Shën Pjetrit mbylli dyert për vizitorët pak para orës 19:00, pas një fluksi të madh pelegrinësh dhe personalitetesh të njohura që i bënë homazhe Papës së ndjerë, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas vlerësimit zyrtar të Selisë së Shenjtë, rreth 250 000 njerëz vizituan bazilikën që nga hapja e ceremonisë ditën e mërkurë. Arkivoli i Papa Françeskut, i vendosur para altarit kryesor, qëndroi i hapur për publikun gjatë gjithë kësaj kohe, ndërsa radhët e njerëzve shpesh shtriheshin për kilometra.

Për të përballuar fluksin e jashtëzakonshëm të vizitorëve, autoritetet në Vatikan mbajtën Bazilikën të hapur gjatë gjithë natës, duke devijuar nga plani fillestar që parashikonte kufizime kohore për vizitat, transmeton albinfo.ch.

Zvicër: A do të vazhdojë rënia e çmimit të karburanteve?

Çmimet e benzinës kanë shënuar rënien më të madhe që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, duke sjellë një lehtësim të ndjeshëm për shoferët në Evropë. Vetëm që nga prilli i vitit 2024, çmimi mesatar i një litri karburant ka rënë me 18 cent, dhe ekspertët paralajmërojnë se kjo tendencë mund të vazhdojë, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

“Kur e mbush rezervuarin dy ose edhe tre herë në muaj për të shkuar në punë, mund ta ndjesh vërtet ndryshimin,” u shpreh një shofer për RTS, ndërsa një tjetër shtoi: “Ne ndiejmë një rënie të caktuar dhe nuk po ankohemi. Le të shpresojmë që të zgjasë!”

Sipas të dhënave aktuale, çmimi i një litri naftë ka rënë nga 1.97 franga në 1.84 franga brenda një viti, ndërsa benzina pa plumb 95 ka rënë nga 1.93 franga në 1.73 franga.

Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, çmimet tejkaluan kufirin simbolik prej 2 frangash për litër. Sot, disa indikatorë sinjalizojnë rënie të mëtejshme. “Çmimi i naftës është faktor kyç, por ndikon edhe niveli i lumit Rein. Kur niveli është i lartë, më shumë karburant mund të transportohet me anije, duke ulur koston e transportit,” tha Marco Wölfli nga TCS.

Megjithatë, rënia e çmimeve nuk është domosdoshmërisht tregues i stabilitetit ekonomik. Sipas profesorit të ekonomisë në Universitetin Paris-Dauphine, Patrice Geoffron, ulja e çmimeve është rezultat i tre zhvillimeve: rritjes së prodhimit global të naftës, frikës nga rënia e konsumit për shkak të tensioneve tregtare dhe dobësimit të dollarit.

“Është një lajm i mirë, por me një efekt të papritur: mund të importojmë energji më lirë, por kjo vjen në një kontekst të stresit ekonomik, ngadalësimit të rritjes, papunësisë dhe borxhit në Evropë,” paralajmëron Geoffron.

Sipas tij, çmimi i benzinës mund të bjerë deri në 1.50 franga për litër, por zhvillimet politike, veçanërisht në SHBA, mund ta ndryshojnë sërish drejtimin e tregjeve, transmeton albinfo.ch.

Rriten raportimet për shkelje etike në sportin zviceran, 412 raste të raportuara në vitin 2024

Swiss Sport Integrity, zyra kombëtare dhe e pavarur për raportimin e shkeljeve etike në sport, ka pranuar 412 raportime gjatë vitit të kaluar – një rekord që tregon rritje të vazhdueshme të ndërgjegjësimit dhe besimit në këtë institucion, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Shifra e publikuar në konferencën vjetore për media përfaqëson një rritje prej 10 përqind krahasuar me vitin paraprak (374 raste) dhe mbi 50 përqind më shumë se në vitin e parë të funksionimit, kur u raportuan 264 raste.

Sipas Markus Pfisterer, drejtues i Zyrës së Raportimit të Etikës, kjo rritje i atribuohet ndikimit të vendimeve të mëparshme dhe rritjes së njohjes për ekzistencën e institucionit. “Vendimet kanë një ndikim. Ata që preken shohin se diçka po ndodh,” deklaroi ai.

Megjithatë, sfidat mbeten. Zgjatja e procedurave është një ndër kritikat kryesore nga personat e prekur. “Nuk e kemi arritur plotësisht qëllimin tonë për të shkurtuar kohëzgjatjen e procedurave,” pranoi Swiss Sport Integrity, duke shtuar se aktualisht janë 265 raste ende të hapura.

Pfisterer shpjegoi se kohëzgjatja e procedurave ndryshon shumë: disa mund të zgjidhen brenda disa telefonatave, ndërsa të tjerat mund të zgjasin një vit ose më shumë. Nga 412 raportimet e pranuara në vitin 2024, pak më pak se 100 u përkthyen në procedura ligjore.

Në fushën e antidopingut, Swiss Sport Integrity konfirmoi se të gjithë sportistët zviceranë që morën pjesë në Lojërat Olimpike dhe Paralimpike iu nënshtruan të paktën një testi – shumica prej tyre jashtë garës. Në vitin 2024 u morën 13 vendime për shkelje të rregullave antidoping: në 12 raste u shqiptuan ndalime nga tre muaj deri në 14 vjet, ndërsa një rast u konfirmua nga Gjykata e Arbitrazhit për Sportin (CAS) me një ndalim njëvjeçar.

Swiss Sport Integrity thekson nevojën për rritje të mëtejshme të burimeve dhe efikasitetit në trajtimin e rasteve, për të garantuar një sport të pastër dhe me standarde të larta etike, transmeton albinfo.ch.

Veteranët e UҪK-së kërkojnë ndalimin e koncertit në Dragash: “Provokim në Ditën e Dëshmorëve”

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës ndalimin e një koncerti të paralajmëruar për 5 maj në Komunën e Dragashit, për shkak të pjesëmarrjes së këngëtarëve nga Serbia, transmeton albinfo.ch.

Sipas reagimit të përbashkët të këtyre organizatave, mbajtja e këtij koncerti pikërisht në Ditën e Dëshmorëve të Kombit përbën “cenim të rëndë të ndjenjave të qytetarëve dhe të dinjitetit shtetëror”.

“Data 5 maj është e shenjtë për popullin shqiptar… Çdo përpjekje për të relativizuar dhimbjen dhe sakrificën tonë përbën cenim të rëndë të ndërgjegjes kombëtare,” thuhet në reagim, ku organizimi i koncertit është cilësuar “provokim i qëllimshëm, fyes e i papranueshëm”.

Veteranët kanë paralajmëruar se, nëse autoritetet nuk marrin masa për ndalimin e ngjarjes, do ta ndërpresin vetë koncertin.

Koncerti është pjesë e një festivali të quajtur “Arog Fest”, i cili, sipas paralajmërimeve zyrtare, synon të festojë kulturën, traditën dhe muzikën e rajoneve të Gorës, Zhupës dhe Podgurës. Për mbrëmjen e 5 majit janë ftuar të performojnë të paktën pesë këngëtarë, mes tyre edhe artistë nga Serbia, transmeton albinfo.ch.

Bazel: Më 18 maj votohet se si do shpenzohen milionat e siguruara nga taksat

Më 18 maj, qytetarët e kantonit Bazel-Stadt do të vendosin në një referendum për një paketë të re financimi që synon të ruajë atraktivitetin e kantonit si vendndodhje për korporatat ndërkombëtare, përballë ndikimeve të reformës globale të taksimit të iniciuar nga OECD-ja, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Paketa e propozuar nga qeveria kantonale parashikon krijimin e dy fondeve të veçanta, të cilat do të financohen nga të ardhurat shtesë të pritshme — të vlerësuara ndërmjet 270 dhe 310 milionë frangash zvicerane në vit — që do të mblidhen përmes një takse plotësuese ndaj fitimeve të korporatave të mëdha, për t’i përmbushur standardit të ri minimal prej 15% taksimi.

Sipas planit, deri në 500 milionë franga do të ndahen çdo vit në dy fonde: 80% e shumës do të shkojë për Fondin e Inovacionit, i cili synon të mbështesë kërkimin, zhvillimin dhe funksione të tjera menaxheriale në kompani; pjesa e mbetur, 20%, do të përdoret për projekte sociale e mjedisore, përfshirë përkrahjen e lejes prindërore.

Qeveria e Bazelit, mbështetur nga shumica parlamentare, argumenton se ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konkurrueshmërinë ndërkombëtare të kantonit. “Kompromisi që kemi arritur është në të mirë të biznesit dhe të shoqërisë,” thuhet në deklaratën e Partisë Socialdemokrate (SP), e cila mbështet paketën së bashku me FDP, GLP dhe partitë konservatore, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur. Një komitet nga qarqet e majta ka iniciuar referendumin, duke akuzuar qeverinë se po kthen paratë e taksapaguesve në duart e korporatave. Socialistët e Rinj (Juso) kanë kritikuar hapur vendimin e partisë së tyre mëmë (SP) për ta mbështetur këtë paketë, duke e cilësuar atë “rishpërndarje të zbardhur për bizneset e mëdha”.

Partia e majtë radikale Basta ka shkuar edhe më tej, duke e përshkruar planin si një “dyqan vetëshërbimi për korporatat shumëkombëshe”. Sipas tyre, paketa i nënshtrohet logjikës së konkurrencës globale të subvencioneve, e cila zëvendëson konkurrencën tatimore dhe minon vetë parimin e taksës minimale të OECD-së, transmeton albinfo.ch.

Serbia jep para për të arrestuarit në Kosovë nën dyshimin për krime lufte

Qeveria e Serbisë ka vendosur të ndajë një asistencë financiare të njëhershme prej 300 000 dinarësh (rreth 2 550 euro) për qytetarët serbë të arrestuar në Kosovë nën dyshimin për përfshirje në krime lufte gjatë viteve 1998–1999, shkruan gazeta serbe “Danas”, transmeton albinfo.ch.

Në njoftimin zyrtar të qeverisë serbe thuhet se kjo ndihmë ka për qëllim mbështetjen e të ndaluarve në përballjen me procedurat ligjore, të cilat autoritetet serbe i konsiderojnë si “persekutim politik”.

“Ndihma është e dedikuar për ata ndaj të cilëve janë duke u zhvilluar procese të inskenuara penale për krimet që pretendohet se janë kryer gjatë konflikteve të armatosura të viteve 1998–1999 kundër shqiptarëve në Kosovë, si dhe në procese të tjera të inskenuara penale që janë iniciuar me qëllim të persekutimit politik,” thuhet në deklaratë.

Autoritetet serbe nuk kanë bërë të ditur se për sa persona do të aplikohet kjo pagesë, por është paralajmëruar se shpërndarja e saj do të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, transmeton albinfo.ch.

Zvicra tërheq shumë emigrantë, por edhe humb: 60% largohen sërish nga vendi

Rreth 150 000 njerëz emigrojnë në Zvicër çdo vit, por gati 90 000 prej tyre e lënë sërish vendin, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (FSO). Këto shifra tregojnë se pavarësisht jetesës cilësore dhe stabilitetit që ofron, Zvicra përballet me një shkallë të lartë të migrimit të kthimit (transmeton albinfo.ch).

Sipas të dhënave të OKB-së, emigrantët përbëjnë 31 % të popullsisë në Zvicër, duke e renditur atë mes vendeve me përqindjen më të lartë të emigracionit në botë. Por, siç raporton platforma “Swissinfo”, Zvicra shënon edhe një nga shkallët më të larta të emigrimit krahasuar me vendet e BE-së: 54 persona largohen për çdo 100 që emigrojnë, krahasuar me mesataren evropiane prej 34 %.

Arsyet më të zakonshme për largim lidhen me faktorë familjarë, pensionimin jashtë vendit ose vështirësitë profesionale. Mungesa e integrimit, njohja e pamjaftueshme e gjuhëve zyrtare dhe problemet me njohjen e kualifikimeve janë ndër pengesat kryesore për ata që synojnë të vendosen në Zvicër (transmeton albinfo.ch).

Një pjesë e madhe e emigrantëve vijnë nga vendet e BE-së dhe janë shumica e atyre që largohen. Sipas FSO-së, shumica e gjermanëve, francezëve, italianëve dhe portugezëve që emigrojnë nga Zvicra kthehen në vendet e tyre të origjinës. Vetëm gjatë vitit 2023, rreth 75 % e shtetasve nga Gjermania, Franca dhe Italia që u larguan nga Zvicra ishin kthyer në shtëpi, ndërsa kjo përqindje për portugezët ishte edhe më e lartë — afërsisht 87 %.

Swissinfo thekson se mosha luan gjithashtu një rol të rëndësishëm: personat në moshë pensioni kanë më shumë gjasa të kthehen në vendlindje, ndërsa të rinjtë janë më të prirë për lëvizje të vazhdueshme midis vendeve, transmeton albinfo.ch.