Vritet një polic në Kosovë para banesës së tij

Një polic është vrarë mbrëmë në Kaçanik. Ai u gjet i plagosur rëndë në hyrje të ndërtesës së tij.

Polici M. L. më pas u transportua në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik, por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, tha se rasti ka ndodhur rreth orës 23:00.

Rrethanat tjera të vdekjes janë ende të paqarta.

“Më 01.04.2025, rreth orës 23:00, kemi pranuar një informacion se një person është plagosur dhe gjendet në gjendje të rëndë në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën ‘Idriz Seferi’ në Kaçanik. Viktima është një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Në vendngjarje, përveç njësive policore, ka dalë edhe ekipi i emergjencës së Kaçanikut, të cilët e kanë transportuar në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik. Si pasojë e plagëve të marra, pjesëtari i Policisë ka ndërruar jetë, gjë që është konstatuar nga mjekët në këtë qendër,” ka deklaruar Veseli.

Ai tha se për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe IPK-ja.

“Hetuesit dhe krimteknikët rajonalë kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme. Nuk dihen ende shkaqet se si ka ardhur deri te kjo ngjarje. Për informacione të tjera do të njoftoheni me kohë,” ka deklaruar Veseli.

Xhaka i nervozuar pas eliminimit, kapet me një tifoz të Leverkusenit

Granit Xhaka është përplasur keq me një tifoz të Bayer Leverkusen mbrëmë, përcjell albinfo.ch.

Skuadra e mesfushorit shqiptar u eliminua dhe nuk arriti të siguronte finalen e DFB Pokal, gjë e cila ka nervozuar tifozët e kësaj skuadre.

Xhaka ka shkuar të bisedonte me ta pas ndeshjes dhe për një moment ka shpërthyer ndaj një tifozi, të cilit shihet duka ia drejtuar gishtin dhe duke i thënë disa gjëra me tone të larta.

Ja pamjet – VIDEO.

https://x.com/SkySportDE/status/1907193004709789776?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1907193004709789776%7Ctwgr%5E3ea71348959ed59e29c817e0ad3e23a91d28ebef%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Findeksonline.net%2Fxhaka-i-nervozuar-pas-eliminimit-kapet-me-nje-tifoz-te-leverkusenit%2F

Leverkusen eleminohet nga Kupa e Gjermanisë

Bayer Leverkusen është ndalur në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë, duke pësuar një humbje befasuese ndaj skuadrës së kategorisë së tretë, Arminia Bielefeld, me këta të fundit që triumfuan 2-1, përcjell albinfo.ch.

Bayer Leverkusen u eliminua si kampionin në fuqi i këtij kompeticioni dhe duke shkaktuar një nga surprizat më të mëdha të edicionit. 

Në pjesën e dytë Leverkusen u përpoq që të reagonte por e pati gati të pamundur. Pas kësaj humbje, Xhakës me shokë nuk u mbetet gjë tjetër veçse të fokusohen në kampionat.

https://x.com/footballnus/status/1907148677308621111?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1907148677308621111%7Ctwgr%5E604beec304d4f253099b068cc18357a678aea502%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb.com%2Fvideo-leverkusen-eleminohet-nga-kupa-e-gjermanise-e-permbys-arminia-bielefeld%2F

“Sunny Hill Festival” po vazhdon traditën e organizimit madhështor edhe sivjet

Pa dyshim se “Sunny Hill Festival”, një nga festivalet më të mëdha në Ballkan, po vazhdon traditën e organizimit madhështor edhe sivjet, përcjell albinfo.ch.

Festivali do të mbahet për tri ditë radhazi, më 1, 2 dhe 3 gusht, dhe në skenë do të sjellë artistët më në zë në botën e muzikës.

Pas organizimit të suksesshëm të vitit që lamë pas, duke u mbajtur për herë të parë në parkun e rezervuar në Bernicë, edhe këtë vit “Sunny Hill” premton një spektakël të vërtetë.

E ajo që iu intereson më së shumti pjesëmarrësve janë biletat e lira.

Së shpejti, organizatorët e festivalit do të hedhin në shitje biletat “Believer”, të cilat do të kenë çmim më të lirë dhe më të leverdishëm.

Por duhet mbajtur mend se numri i këtyre biletave është i limituar.

Altin Azemi shënon supergol dhe shkruan histori në Zvicër

Altin Azemi, gati në fund të minutave para mbylljes, hyri në lojë në vend të Liridon Mulajt, përcjell albinfo.ch.

Për 15-vjeçarin, ky ishte një sukses i madh. Po debutonte në moshë shumë të re në ekipin e kategorisë së dytë zvicerane.

Por talenti i madh la gjurmë të pashlyera në ndeshjen e së hënës mbrëma. Në minutën e 94-t, Neuchâtel Xamax fitoi një goditje dënimi.

Përgjegjësinë për të gjuajtur e mori pikërisht 15-vjeçari shqiptar. Ai shënoi një gol të bukur për fitoren 6:2 ndaj Schaffhausenit dhe për të shkruar histori në Challenge League e rrjedhimisht edhe në futbollin zviceran.

“Altin Azemi është tregimi i ndeshjes së së hënës. 15-vjeçari u aktivizua në minutën e 88-të dhe bëri debutimin profesional. Lojtari i Zvicrës U16 nuk pati nevojë për shumë kohë për ngrohje. Vetëm gjashtë minuta pas futjes në lojë, ai mori topin për goditjen e dënimit. E dërgoi topin mbi murin e gjallë për rezultatin 6:2. Festa ishte e zjarrtë. Pasi Azemi e hoqi fanellën e tij dhe e mbajti lart si Lionel Messi, ai mori kartonin e parë në debutim. Me 15 vjet, 11 muaj e 2 ditë, Azemi tani është golashënuesi më i ri në histori të Challenge League. Ai theu rekordin që e mbante Valon Duzhmani për gati 19 vjet. Duzhmani, tani 35-vjeçar, kishte shënuar për Kriensin në korrik të vitit 2006, kur ishte 16 vjeç, 5 muaj e 2 ditë,” shkruan mediumi zviceran “bluewin.ch”, përcjell albinfo.ch.

Azemi ka dy paraqitje për Zvicrën U15 dhe nëntë të tjera për Zvicrën U16, për të cilën ka realizuar dy gola.

Në ligën e 17-vjeçarëve ka katër gola në 13 paraqitje këtë edicion. Ka gjithashtu dy paraqitje edhe në ligën e 19-vjeçarëve në Zvicër. Por me këtë debutim përballor, ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierë.

Azemi është vetëm një nga talentet e radhës shqiptare që po rriten në futbollin zviceran. Në mënyrë të vazhdueshme, në klubet zvicerane dalin futbollistë të talentuar shqiptarë.

“Mbrëmja ishte e përkryer. Dhe u bë e mahnitshme. Azemi bëri debutimin duke fituar pak minuta në fushë. Bashkëlojtarët e tij ia lejuan goditjen e fundit të dënimit në kohën shtesë. Gjuajtja e tij ishte si e një lojtari me përvojë dhe gjeti këndin e portës. Ndeshja e parë, goli i parë dhe kartoni i parë për djaloshin që nuk ka mundur të përmbahet dhe hoqi fanellën e tij,” ka shkruar sajti zyrtar i Xamaxit.

Për golin dhe rekordin e Azemit kanë shkruar edhe media të tjera zvicerane. Pjesë e Xamaxit janë shumë futbollistë shqiptarë, si Lavdrim Hajrullahu, Shkëlqim Demhasaj, Liridon Mulaj dhe Samir Ramizi. Kështu që talenti i madh do ta ketë ambientin e duhur për zhvillim të mëtejshëm.

https://x.com/FutbolliShqipFR/status/1906991129150562611?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1906991129150562611%7Ctwgr%5E0ebb25e36ac99bd5a94d244ddadad4d79e78e97c%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.koha.net%2Ffutboll%2F15-vjecari-shqiptar-shenon-supergol-dhe-shkruan-histori-ne-zvicer

Ekspertët tregojnë se si të kursehet në faturat e ujit

Uji është një burim i domosdoshëm për jetën e përditshme, por konsumi i tepërt mund të çojë në fatura të larta. Nga larja e rrobave dhe dushi deri te gatimi dhe ujitja e kopshtit, përdorimi i kujdesshëm i ujit mund të ndihmojë në kursime të ndjeshme. Ekspertët ndajnë disa këshilla praktike për të reduktuar harxhimin e panevojshëm të ujit dhe për të ulur kostot mujore.

1. Kontrolloni për rrjedhje
Rrjedhjet nga rubinetat, tubat ose pajisjet shtëpiake mund të shkaktojnë humbje të mëdha uji. Kontrolloni rregullisht për rrjedhje dhe riparoni menjëherë çdo defekt. Edhe një pikim i vazhdueshëm mund të çojë në një rritje të konsiderueshme të faturës mujore.

2. Përdorni koka dushi me efikasitet të lartë
Kokat moderne të dushit me rregullues të rrjedhës ose ajrosës zvogëlojnë ndjeshëm sasinë e ujit të përdorur, duke ruajtur një presion optimal. Këto pajisje mund të reduktojnë konsumin e ujit deri në 50%.

3. Shkurtoni kohën e dushit
Dushet e gjata shpenzojnë sasi të mëdha uji. Kufizimi i kohës së dushit me disa minuta çdo ditë mund të sjellë kursime të konsiderueshme në fund të muajit.

4. Instaloni një tualet me dy nivele të shpëlarjes
Tualetet moderne me sistemin e dyfishtë të shpëlarjes ju lejojnë të përdorni më pak ujë kur është e nevojshme. Ky ndryshim i vogël mund të ulë ndjeshëm harxhimin e ujit në shtëpi.

5. Mblidhni dhe ripërdorni ujin e shiut
Uji i shiut mund të shfrytëzohet për ujitjen e bimëve, larjen e makinave apo pastrimin e sipërfaqeve të jashtme. Vendosja e një sistemi të thjeshtë për mbledhjen e ujit të shiut mund të ndihmojë në reduktimin e përdorimit të ujit të rrjetit.

6. Përdorni makinat larëse dhe pjatalarëse në kapacitet të plotë
Larja e rrobave dhe enëve vetëm kur pajisjet janë plotësisht të mbushura ndihmon në reduktimin e cikleve të larjes dhe, rrjedhimisht, të konsumit të ujit.

7. Shmangni shpërdorimin e panevojshëm të ujit
Mos e lini ujin të rrjedhë gjatë larjes së dhëmbëve ose enëve dhe mos mbushni vaskën më shumë se sa është e nevojshme. Kujdesi ndaj këtyre detajeve të vogla mund të sjellë ndryshime të mëdha në faturën tuaj mujore.

Duke ndjekur këto këshilla të thjeshta, jo vetëm që do të kurseni para, por edhe do të kontribuoni në ruajtjen e një burimi kaq të vlefshëm si uji. Zbatimi i këtyre ndryshimeve të vogla mund të ketë një ndikim pozitiv si për ekonominë familjare, ashtu edhe për mjedisin, transmeton albinfo.ch.

Aplikacioni që “shpëton” shoferët nga Policia, miliona persona e kanë shkarkuar

Aplikacioni Waze, i njohur si një nga platformat më të përdorura nga shoferët, ofron informacion në kohë reale mbi trafikun, aksidentet dhe vendndodhjen e policisë rrugore. Ky shërbim bazohet në raportimet e vetë përdoruesve, duke i ndihmuar ata të planifikojnë rrugët e tyre dhe të shmangin bllokadat.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, thekson se aplikacionet e tilla mund të kontribuojnë në uljen e aksidenteve dhe kontrollin e shpejtësisë. Megjithëse në shumicën e vendeve Waze është i ligjshëm, disa autoritete përdorin radarë sinjalizues për të kufizuar raportimet në kohë reale, përcjell albinfo.ch.

Ky aplikacion, pjesë e kompanisë Google dhe i integruar me Google Maps, numëron mbi 500 milionë përdorues globalisht dhe vazhdimisht përditësohet për një eksperiencë më të mirë të navigimit.

 

Zvicër: Shkalla e kancerit kolorektal rritet në moshën nën 50 vjeç

Mjekët po ngrenë alarmin e rritjes së shkallës së kancerit kolorektal tek të rinjtë – dhe kërkimet janë duke u zhvilluar në Spitalin Universitar të Gjenevës për të zbuluar pse dhe kantoni ka ndarë 7 milionë CHF për të rritur kontrollin.

Është kanceri i tretë më i zakonshëm në vend dhe prek kryesisht ata mbi 69 vjeç – por po rritet tek të rinjtë, ata nën 50 vjeç, transmeton albinfo.ch.

Olivier Michielin, përgjegjës i departamentit të onkologjisë në Spitalin e Gjenevës, thotë se ndërsa numri i pacientëve më të rinj mbetet i ulët, ata janë mjaft të shumtë për të qenë shqetësues.

Gjithashtu, rezultati për një pacient më të ri është më i dobët – pasi diagnoza bëhet më vonë.

Ka thirrje për uljen e moshës së ekzaminimit në 45 vjeç – nga 50 vjeç aktual.

Frika nga lufta, shteti evropian që po investon në modernizimin e bunkerëve

Suedia, ku autoritetet kanë paralajmëruar se vendi duhet të përgatitet për rrezikun e luftës, ka njoftuar një investim prej 100 milionë kronash (rreth 10 milionë euro) për kontrollin dhe rinovimin e strehimoreve të mbrojtjes civile.

Pas pushtimit rus të Ukrainës dhe pasigurisë që ka lindur nga angazhimi i pasigurt i presidentit amerikan Donald Trump ndaj NATO-s, Suedia dhe shumë shtete të tjera evropiane kanë rritur shpenzimet për mbrojtjen kombëtare, sipas mediave të huaja.

Sipas të dhënave, Suedia ka 64.000 bunkerë të mbrojtjes civile – më shumë se pothuajse çdo shtet tjetër në botë – me kapacitet për të akomoduar rreth shtatë milionë njerëz, përcjell albinfo.ch.

Që nga bashkimi i Suedisë me NATO-n në mars 2024, Agjencia e Kontingjenteve Civile (MSB) ka rritur inspektimet e strehimoreve, disa prej të cilave janë mjaft të mëdha për të strehuar mijëra njerëz në të njëjtën kohë.

Revista amerikane ‘Forbes’ e përfshin për herë të parë në listën e miliarderëve një shqiptar

Biznesmeni shqiptar Samir Mane është përfshirë për herë të parë në listën e miliarderëve të botës, sipas revistës prestigjioze amerikane “Forbes”.

Në artikullin e saj, “Forbes” ka bërë të ditur se Mane renditet si miliarderi i 2.356-të në botë, duke u bërë kështu shqiptari i parë që arrin këtë status.

Samir Mane është themeluesi dhe presidenti i Grupit “BALFIN”, një nga konglomeratet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor. Sipas revistës, “BALFIN” zotëron qendra tregtare, dyqane elektronike, biznese lodrash dhe një bankë në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Historia e suksesit të Samir Manes

“Forbes” gjithashtu ka ndarë detaje mbi rrugëtimin e Manes drejt suksesit. Ai u largua nga Shqipëria në vitin 1991, gjatë rënies së regjimit komunist, dhe u vendos në Austri si refugjat. Në vitin 1993, ai filloi të merrej me tregtinë e pajisjeve shtëpiake në Shqipëri, duke hedhur themelet e një perandorie biznesi.

Më vonë, Mane themeloi kompaninë “Neptun”, një zinxhir të njohur dyqanesh elektronike. Në vitin 2005, ai u rikthye në Shqipëri për të hapur qendrën e parë tregtare në vend, duke vijuar më tej me zgjerimin e bizneseve të tij në sektorë të ndryshëm.

Sipas “Forbes”, “BALFIN” sot zotëron pasuri të paluajtshme në SHBA, Kanada dhe Austri, si dhe parqe logjistike dhe një universitet privat në Shqipëri.

Pse një vonesë prej 3 minutash është një problem në Zvicër?

Në shumicën e vendeve, një vonesë prej pak minutash mund të kalojë pa u vënë re. Por në Zvicër, edhe një devijim i vogël nga orari mund të shkaktojë shqetësim të madh. Arsyeja? Një kombinim i përpikmërisë ekstreme dhe një sistemi transporti që funksionon si një orë zvicerane – fjalë për fjalë.

Një efekt domino në sistemin hekurudhor

Rrjeti i trenave në Zvicër është i ndërtuar me një saktësi të jashtëzakonshme. Orari është i sinkronizuar deri në sekondën e fundit, duke siguruar që pasagjerët të mund të ndërlidhin trenat pa humbur kohë. Kur një tren vonohet me tre minuta, kjo mund të thotë që dhjetëra pasagjerë humbasin lidhjet e tyre, duke krijuar një zinxhir vonesash që përhapet si një efekt domino në të gjithë sistemin, përcjell albinfo.ch.

Përpikmëria si pjesë e kulturës

Zvicra është ndoshta vendi ku përpikmëria nuk është thjesht një virtyt, por një mënyrë jetese. Vonesat, sado të vogla, perceptohen si një shenjë e papranueshme e çrregullsisë. Për një zviceran, një tren që arrin në stacion në 07:00:03, kur orari thotë 07:00, është tashmë vonë.

Në këtë kontekst, një vonesë prej tre minutash nuk është thjesht një bezdi – është një çështje serioze që prek si sistemin, ashtu edhe kulturën e vendit. Në fund të fundit, kur gjithçka funksionon me precizionin e një ore zvicerane, edhe sekondat kanë rëndësi.

 

Zvicër: 25% rrezikojnë varfërinë

Pavarësisht se Zvicra është një vend i pasur, shifrat nga Zyra Federale e Statistikave tregojnë se deri në 25% e njerëzve janë në rrezik të varfërisë, transmeton albinfo.ch.

Tashmë, rreth 8% jetojnë nën kufirin e varfërisë – i përcaktuar si të ardhura mujore nën 2.315 CHF për person ose 4.000 CHF për një familje me katër anëtarë.

Edhe ata që mund të jenë mbi atë kufi, gati 20% nuk do të ishin në gjendje të paguanin një faturë të papritur prej 2.500 CHF.

Shumë të tjerë thonë se nuk mund të dilnin as për një vakt në muaj.

Më të prekurit janë të rinjtë – 14% e atyre në shkollë thonë se ndjehen shumë të dekurajuar nga e ardhmja.

Pavarësisht këtyre shifrave, ky vend ka ende një nga nivelet më të larta të jetesës në Evropë – i tejkaluar vetëm nga Luksemburgu, Norvegjia dhe Austria.

Vendi që ka më shumë karikues për vetura elektrike se sa pika karburanti

Kalifornia, një nga tregjet kryesore për automjetet elektrike, ka instaluar 178.549 karikues për vetura elektrike, një numër që e kalon me 48% numrin e pikave të karburantit në shtet (rreth 120.000). Megjithatë, shumica e karikuesve (162.178) janë të nivelit 2, që kërkojnë orë për karikim, ndërsa vetëm 9.5% janë karikues të shpejtë DC.

Investimet në infrastrukturën e karikimit janë të konsiderueshme, me 1.4 miliardë dollarë të dedikuar për rrjetin e stacioneve të karikimit dhe 55 milionë dollarë për karikues të shpejtë në biznese dhe vende publike. Shteti vazhdon të investojë për të përmirësuar përvojën e shoferëve dhe për të bërë automjetet elektrike më të lehta për përdorim, përcjell albinfo.ch.

Ky zhvillim është një hap i rëndësishëm për Kaliforninë, ku 25% e makinave të reja janë automjete me emetim zero.

Një milion përdorues të rinj në vetëm një orë – opsioni i ri i OpenAI që po bën bujë 

OpenAI ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm me veglën e re të gjenerimit të imazheve, e cila ka sjellë një rritje masive të përdoruesve brenda një kohe rekord. Vetëm brenda një ore nga lansimi, platforma ka regjistruar mbi një milion përdorues të rinj, duke e vënë në vështirësi sistemin e krijimit të llogarive të reja, përcjell albinfo.ch.

CEO i OpenAI, Sam Altman, e ka quajtur kërkesën për këtë shërbim si “biblike”, duke reflektuar mbi popullaritetin e jashtëzakonshëm të chatbot-it ChatGPT dhe veçorisë së tij të re për krijimin e imazheve. Fillimisht, OpenAI synonte ta ofronte këtë shërbim për të gjithë përdoruesit, pavarësisht nga niveli i abonimit, por interesi i lartë ka sjellë vonesa në aksesimin e versionit falas.

Tani, kompania ka raportuar vështirësi me regjistrimin e llogarive të reja, pasi serverët e saj po përballen me një fluks të paprecedentë përdoruesish. Kjo tregon për interesin e jashtëzakonshëm që ka ky inovacion, duke e kthyer ChatGPT në një nga veglat më të përdorura të inteligjencës artificiale në botë.

Linjat e trenave të cilët vonohen më shumë në Zvicër

Trenat zviceranë janë të njohur për përpikmërinë e tyre, një reputacion që në shumicën e rasteve është i justifikuar. Megjithatë, disa linja pësojnë vonesa të rregullta, veçanërisht trenat ndërkombëtarë.

Një analizë e CH Media mbi të gjitha linjat e trenave në Zvicër gjatë vitit 2024 tregoi se 5.307 nga 5.584 linjat e studiuara nuk kishin vonesa më të mëdha se tre minuta. Kjo përkthehet në një normë përpikmërie prej rreth 95 për qind. Në destinacionin përfundimtar, gati 98 për qind e trenave arritën në kohë ose më herët, transmeton albinfo.ch.

Pavarësisht përpikmërisë së përgjithshme, disa linja vonohen rregullisht, duke shkaktuar çrregullime në sistemin e koordinuar të transportit.

Trenat ndërkombëtarë

Trenat që vijnë nga jashtë shpesh mbërrijnë në Zvicër me vonesë, duke ndikuar në pjesën zvicerane të udhëtimit.

Treni i natës nga Vjena për në Cyrih arrinte mesatarisht 45 minuta me vonesë në vitin 2024, me rekordin më të madh prej mbi tre orë e gjysmë.

Trenat nga Amsterdami, Hamburgu dhe Graz kishin gjithashtu vonesa kronike.

EuroCity nga Venecia për në Gjenevë, që duhet të mbërrijë në orën 23:21, kishte një vonesë mesatare prej 20 minutash në mbi 75 për qind të rasteve.

Railjet nga Bratislava për në Cyrih dhe EuroCity nga Mynihu shfaqën gjithashtu modele të ngjashme vonesash.

Në total, 277 lidhje hekurudhore kishin vonesa mbi tre minuta në një ose më shumë stacione. Kjo përfshin:

  • 36 trena EuroCity

  • 13 trena TGV dhe ICE

  • 9 trena Railjet – të gjithë nga jashtë Zvicrës

SBB (Hekurudhat Federale Zvicerane) i atribuon këto vonesa kompanive të huaja hekurudhore, veçanërisht për trenat nga Italia që mbërrijnë në Cadenazzo me vonesë.

Trenat zviceranë me vonesa

Edhe pse 95 për qind e trenave janë në kohë, ekziston një 5 për qind që nuk janë.

Linja S9, që nis nga Rafz (ZH) në orën 22:45 dhe mbërrin në Uster (ZH) rreth mesnatës, ka një vonesë mesatare prej 8 minutash që nga nisja.

Treni InterCity nga Bazeli për në Brig (VS), që niset në orën 20:29, kishte një vonesë mesatare prej gati 5 minutash në Spiez (BE).

IC5, që niset nga Rorschach (SG) për në Zvicrën Perëndimore, arriti në Neuchâtel me një vonesë mesatare prej mbi 4 minutash në vitin 2024.

Linja S24 mes Zug dhe Cyrihut zakonisht vonohet në Wollishofen, por arrin në kohë në destinacionin përfundimtar.

Njeriu më i pasur në planet

Lista e re e njerëzve më të pasur nga Forbes për vitin 2025 regjistron 3,028 miliarderë, numri më i madh në 39 vitet e publikimit të renditjes dhe një vlerë totale neto që arrin në 16.1 trilion dollarë.

Lista e re, e miliarderëve të botës e publikuar nga Forbes shënon një rritje të shpejtë të pasurisë globale, e cila këtë vit përmban 3028 emra, një numër rekord që nga publikimi i parë i listës në 1987.

Pasuria e tyre totale arrin në 16.1 trilion dollarë, shuma më e lartë e të gjitha kohërave, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

Elon Musk rimerr vendin e parë, duke rrëzuar nga froni manjatin francez të mallrave luksoze Bernard Arnault, pasi pasuria e tij u rrit me 75%, duke arritur në 342 miliardë dollarë. Rritja e vlerës së tij neto është për shkak të vlerësimit të AI, SpaceX, si dhe prirjes rritëse të aksioneve të Tesla gjatë 12 muajve të fundit, pavarësisht rënies së fundit.

Musk bëhet personi i parë që ka kaluar ndonjëherë 300 miliardë dollarë pasuri personale.

Trump dyfishoi pasurinë e tij

Presidenti amerikan Donald Trump ka dyfishuar pasurinë e tij, duke arritur tashmë në 5.1 miliardë dollarë, falë aksioneve të tij në Trump Media & Technology Group dhe të ardhurave të mëdha nga investimet e tij të fundit në kriptomonedha.

“Është një tjetër vit rekord për më të pasurit në botë, pavarësisht pasigurisë ekonomike dhe tensioneve gjeopolitike në rritje”, tha Chase Peterson-Whitehorn, redaktori i pasurisë në Forbes. “Dhe nga Elon Musk te Howard Latnick dhe miliarderët e tjerë që po depërtojnë gjithnjë e më shumë në qeverinë amerikane, ndikimi i tyre po zgjerohet vazhdimisht”.

Zuckerberg, Bezos dhe Ellison në top-listë

Në vendin e dytë pas Musk është Mark Zuckerberg me një pasuri të vlerësuar prej 216 miliardë dollarësh, ndërsa Jeff Bezos pason në vendin e tretë me 215 miliardë dollarë. Në vendin e katërt është themeluesi i Oracle, Larry Ellison me 192 miliardë dollarë dhe në vendin e pestë është Bernard Arnault dhe familja e tij me 178 miliardë dollarë.

Dhjetëshja e parë plotësohet nga:

6: Warren Buffett, një nga investitorët më të suksesshëm të të gjitha kohërave me 154 miliardë,

7: Larry Page, i cili dha dorëheqjen si CEO i Alphabet, kompania mëmë e Google, në 2019, mbetet anëtar i bordit të drejtorëve me 144 miliardë,

8: Sergey Brin, i cili dha dorëheqjen si kryetar i Alphabet, kompania mëmë e Google, në dhjetor 2019, por mbetet anëtar i bordit të drejtorëve me 138 miliardë,

9: Amancio Ortega, themelues dhe pronar i kompanisë shumëkombëshe Inditex, e cila, ndër të tjera, zotëron Zara-n, me 104 miliardë, CE kompania nga viti 2000 deri në vitin 2014 me 118 miliardë lekë

Hyrjet e reja: Nga Springsteen në Schwarzenegger

Lista e 2025 përmban 288 miliarderë të rinj që shfaqen për herë të parë, duke përfshirë muzikantin Bruce Springsteen, themeluesin e Chipotle Steve Ells, CEO i Alphabet/Google, Sundar Pichai, aktorin dhe ish-guvernatorin e Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger dhe 28-vjeçarin, bashkëthemeluesin e Scale AI, Alexander Wang, më i riu i miliardarëve në botë.

Vendet me më shumë miliarderë

Shtetet e Bashkuara ruajnë epërsinë me 902 miliarderë, një numër rekord ky, me një vlerë totale prej 6.75 trilionë dollarë. Kina pason në vendin e dytë me 450 dhe India në të tretën me 205.

“Klubi 100 miliardë” dhe rënia nga lista

Numri i njerëzve me një pasuri prej më shumë se 100 miliardë dollarë arriti gjithashtu një nivel rekord, me 15 persona në mbarë botën – nga 14 që ishin vitin e kaluar dhe asnjë në 2017. Ky “klub” i mbyllur i super të pasurve zotëron një total prej 2.4 trilionë dollarësh ose rreth 15% e pasurisë totale të të gjithë miliarderëve, edhe pse ajo përfaqëson vetëm 0.5% të totalit.

Në të njëjtën kohë, 107 persona ranë nga lista këtë vit, duke përfshirë trashëgimtarin e Hermès, Nicolas Pess dhe pronarin e Hobby Lobby, David Green, ndërsa 32 miliarderë vdiqën gjatë vitit.

Kisha Katolike në Zvicër përballet me krizë besimi – a po largohen besimtarët?

Një sondazh i realizuar nga Instituti Sotomo midis 19 shtatorit dhe 29 tetorit 2024 në Zvicrën gjermanofolëse, me porosi të Kishës Katolike në Cyrih, ka konfirmuar një realitet të hidhur: imazhi i Kishës Katolike është i dobët. Sipas udhëheqësve të saj në Cyrih, kjo nuk është aspak befasuese, pasi rastet e abuzimit seksual brenda Kishës mbeten arsyeja kryesore për këtë perceptim negativ, transmeton albinfo.ch.

Një reputacion në rënie

Sipas sondazhit, 47% e katolikëve në Cyrih dhe 35% e katolikëve të tjerë gjermanofolës e konsiderojnë imazhin e Kishës Katolike si negativ. Në nivelin e përgjithshëm të popullsisë, ky perceptim negativ arrin në 69% në Cyrih dhe 62% në pjesën tjetër të Zvicrës gjermanofolëse. Në të kundërt, Kisha Protestante ka një imazh negativ vetëm për 20% të popullsisë dhe për 5% të protestantëve përtej Sarinës.

Një atmosferë e tensionuar

Vetëm 38% e katolikëve gjermanofolës kanë një imazh pozitiv për Kishën e tyre, një rezultat që politologu Michael Hermann e përshkruan si një “përfundim i qartë”. Ai theksoi gjithashtu se atmosfera është “e ndezur” edhe mes besimtarëve aktivë. Në krahasim, 64% e protestantëve kanë një imazh pozitiv për Kishën e tyre, ndërsa ky perceptim pozitiv qëndron në 37% për popullsinë e përgjithshme.

Kritika ndaj konservatorizmit

Presidenti i Këshillit Sinodal Katolik të Cyrihut, Raphael Meyer, pranoi se këto rezultate nuk janë aspak të këndshme dhe theksoi nevojën për të bashkëpunuar me shtetin për të adresuar skandalet e abuzimeve seksuale. Përveç kësaj, qëndrimet konservatore të Kishës mbi çështjet fetare dhe shoqërore kanë ndikuar negativisht në perceptimin e saj nga jo-katolikët.

Rreth 90% e të anketuarve kritikuan refuzimin e Kishës Katolike për të shuguruar gratë. Po ashtu, një pjesë e madhe e opinioneve negative lidhen me qëndrimet e saj kufizuese mbi abortin dhe homoseksualitetin.

Angazhimi social, një pikë e fortë

Megjithatë, jo gjithçka është negative. Sondazhi tregon se 71% e katolikëve vlerësojnë angazhimin social të Kishës, ndërsa 95% e tyre e konsiderojnë këtë një pjesë të rëndësishme të misionit të saj. Besimtarët vlerësojnë gjithashtu liturgjinë dhe aktivitetet si korin apo shërbimet për të moshuarit.

Për komunitetin e emigrantëve, Kisha ka një rëndësi të veçantë: 80% e tyre e shohin atë si një hapësirë të rëndësishme për jetën e tyre fetare, ndërsa vetëm 35% e katolikëve vendas ndajnë të njëjtin mendim. Po ashtu, 61% e emigrantëve e vlerësojnë miqësinë mes besimtarëve, një ndjenjë që ndajnë vetëm 23% e katolikëve të tjerë.

Ky sondazh pasqyron sfidat e mëdha me të cilat përballet Kisha Katolike në Zvicër dhe nevojën për ndryshime të mëdha për të rikthyer besimin e komunitetit të saj.

Një hormon 500 milionë-vjeçar mund të ndihmojë kundër obezitetit

Një hormon që kontrollon urinën, i quajtur “bombesin”, mund të hapë rrugën për ilaçe të reja kundër obezitetit. Studimi nga Universiteti “Queen Mary” i Londrës, i botuar në revistën e Akademisë Amerikane të Shkencave, tregon se ky hormon është aktiv në sistemin tretës dhe ka një histori evolucionare prej mbi 500 milionë vjetësh, përcjell albinfo.ch.

Bombesina u zbulua në vitin 1970 nga farmakologu italian Vittorio Erspamer. Kur u injektua te gjitarët, ajo tregoi aftësinë për të zvogëluar oreksin. Hulumtimi i fundit analizoi edhe yjet e detit, duke zbuluar se një variant i bombesinës ndikon në tkurrjen e stomakut të tyre, duke sugjeruar se funksioni i këtij hormoni është shumë i vjetër në evolucion.

Ky studim mund të ndihmojë në zhvillimin e trajtimeve të reja kundër obezitetit, duke shfrytëzuar mekanizmat natyrorë të kontrollit të oreksit.

Transporti Publik i Cyrihut kërkon personel (edhe) në gjuhën shqipe

Dita e Informacionit e Ndërmarrjes së Transportit Publik të Cyrihut (VBZ), e cila mbahet dy herë në vit, shërben për të forcuar imazhin e kompanisë si një punëdhënës tërheqës. Për të promovuar këtë ngjarje, agjencia Ads&Figures zbatoi një fushatë në njëmbëdhjetë gjuhë të ndryshme, duke përfshirë, përveç gjuhëve të vendit edhe gjuhët si: shqip, maqedonisht, ukrainisht, serbisht dhe polonisht, transmeton albinfo.ch.

Fokusi i kësaj iniciative ishte sfida e adresimit të një target grupi të larmishëm dhe në të njëjtën kohë drejtimi i personelit të kualifikuar drejt faqes së karrierës të VBZ. Nëpërmjet shënjestrimit të saktë në meta platformat dhe faqet specifike për gjuhën, aplikantët e mundshëm duhet të arrihen drejtpërdrejt në gjuhën e tyre amtare, shkruan persönlich.ch.

Një faqe e veçantë me informacion të personalizuar për Ditën e Informacionit është krijuar për secilën nga njëmbëdhjetë gjuhët.

Me një normë klikimesh prej 4.56 për qind dhe më shumë se 11,000 shikime të faqes, iniciativa i tejkaloi ndjeshëm pritjet origjinale, thuhet më tej. Ajo që u dallua veçanërisht ishte shkalla e lartë e angazhimit, e cila reflektonte interesin e grupeve të synuara të adresuara.

Suksesi dixhital mund të matet edhe në botën reale, përcjell albinfo.ch. “Vizitorët në ditën e informacionit ishin shumë mirë të informuar për punët në VBZ në shërbimet e vozitjes dhe ishin shumë të motivuar të fillonin të punonin me ne menjëherë,” citohet të ketë thënë Tobias Gees, Shefi i Rekrutimit dhe Markimit të Punëdhënësve në VBZ. (pd/spo)

Kartoni i gjelbër për qytetarët e Shqipërisë në Maqedoni do të kushtojë 50 Euro

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bën të ditur se duke filluar nga sot, 1 prill 2025, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të lëvizin drejt Maqedonisë së Veriut me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me afat 1-vjeçar, me çmim të reduktuar prej 50 eurosh.

“Kjo është masa e dytë që ndërmerret në një hark të shkurtër kohor, për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë  drejt vendeve kufitare, pas hyrjes në fuqi më 1 shkurt 2025 të policës së sigurimit “Karton i Gjelbër” 1-vjeçar me Malin e Zi”, thuhet në njoftimin e AMF-së, transmeton albinfo.ch.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) për lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare, ka bashkëpunuar ngushtë me Byronë Shqiptare të Sigurimit (BSHS), për të lehtësuar lëvizjen e autoveturave me targa shqiptare drejt vendeve kufitare.

Sipas AMF-së, bazuar në vendimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve (BSHS), qytetarët shqiptarë mund të pajisen tashmë në të gjitha pikat e shitjes së shoqërive të sigurimit me policën e sigurimit “Karton i Gjelbër” për autovetura me vlefshmëri 12-mujore, me çmim 50 euro, e cila mbulon territorin e Maqedonisë së Veriut. Ky vendim mbështet lëvizjen e qytetarëve duke ulur kostot dhe nxitur shkëmbimet ekonomike me fqinjin juglindor.

Shoqëritë e sigurimit do të ofrojnë në të gjitha pikat e shitjes policën e sigurimit “Karton i Gjelbër” për autovetura me afat vlefshmërie 1-vjeçar për Maqedoninë e Veriut, për Malin e Zi, si dhe do të vijojnë të ofrojnë edhe “Kartonin Jeshil” me afat vlefshmërie 15-ditor me çmim 15 euro.

“Kartoni i Gjelbër” është një dokument sigurimi ndërkombëtar, që mbulon përgjegjësinë e drejtuesve të mjeteve me targa shqiptare në rast aksidenti gjatë qarkullimit jashtë territorit të vendit.

NATO forcon praninë e saj në Kosovë me trupa shtesë

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka dislokuar rreth 270 paqeruajtës shtesë nga Shqipëria, Bullgaria, Greqia dhe Rumania, si pjesë e rezervave operacionale.

Sipas njoftimit të KFOR-it, trupat e dislokuara do të operojnë në bazë të përkohshme, së bashku me 200 forca rezervë nga brigada italiane “Sassari”, të cilat tashmë janë vendosur në Kosovë.

“Këto përforcime, së bashku me trupat ekzistuese të KFOR-it, forcojnë aftësinë e misionit për të reaguar ndaj çdo ndryshimi të situatës së sigurisë, në përputhje me mandatin e OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit,” theksohet në deklaratën e KFOR-it, transmeton albinfo.ch.

Misioni i NATO-s ka ripërsëritur përkushtimin e tij për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve në Kosovë, duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Zvicra synon zbutjen e rregullave për eksportin e armëve

Komisioni për Politikën e Sigurisë e Këshillit të Shteteve të Zvicrës (SIK-S) ka propozuar një amendament për Ligjin mbi Materialin e Luftës, duke kërkuar lehtësimin e rregullave për eksportin e armëve. Në bazë të këtij ndryshimi, eksportet drejt vendeve të NATO-s dhe disa shteteve të tjera, si Australia, Japonia dhe Austria, do të lejohen automatikisht, përveç rasteve kur ka arsye të jashtëzakonshme të lidhura me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Zvicrës, transmeton albinfo.ch.

Vendimi i Këshillit të Shteteve dhe ndryshimi i propozuar

Këshilli i Shteteve pritet të vendosë mbi këtë amendament, i cili do të ndryshojë praktikën e deritanishme ku eksportet në këto vende kërkonin licenca individuale. Me ndryshimin e propozuar, eksportet e materialeve luftarake do të lejohen automatikisht, përveç rasteve ku Këshilli Federal gjen arsye të forta për refuzim.

Qëndrimi i Këshillit Federal dhe debatet politike

Këshilli Federal gjithashtu synon të zbusë rregulloret, por ka propozuar një mekanizëm të posaçëm për përjashtime, duke ruajtur një nivel më të lartë kontrolli mbi eksportet në raste të caktuara. Propozimi i komisionit shkon një hap më tej, duke e bërë procesin e eksportit më të lirë për vendet me sisteme të ngjashme kushtetuese me atë zviceran.

Ky ndryshim është pritur me reagime të kundërta. Industria zvicerane e sigurisë dhe mbrojtjes e ka mirëpritur propozimin, duke argumentuar se pa këto lehtësime, industria ushtarake zvicerane do të përballet me vështirësi serioze. Nga ana tjetër, organizata kundër armëve, si Grupi për një Zvicër pa Ushtri (GSoA), e kanë kritikuar këtë iniciativë, duke e cilësuar si një “çek të bardhë” për eksportet e armëve dhe duke paralajmëruar mundësinë e një referendumi për ta kundërshtuar atë.

Pasojat e mundshme

Nëse propozimi i komisionit miratohet, ai mund të sjellë një rritje të eksporteve të armëve zvicerane dhe një pozicionim më fleksibël të Zvicrës në tregun ndërkombëtar të mbrojtjes. Megjithatë, debati mbi ndikimin etik dhe politik të këtij vendimi mbetet i hapur.

Këshilli i Shteteve do të marrë vendimin përfundimtar në seancën e ardhshme parlamentare.