Bien çmimet e derivateve në Kosovë, nafta mund të zbresë deri në 1 euro për litër

Ditë më parë, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, Rozeta Hajdari, nënshkroi një vendim të ri që rregullon çmimet e naftës.

Përmes këtij vendimi u caktua edhe marzha e fitimit. Për shitjen me shumicë të naftës do të jetë 2 eurocentë për litër, ndërsa për shitjen me pakicë, marzha maksimale do të jetë 12 eurocentë për litër.

Çmimet e derivateve në tregun kosovar janë dukshëm më të lira.

Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve ka thënë për Telegrafin se çmimet e derivateve sot në tregun kosovar sillen përafërsisht: nafta 1.18 cent deri në 1.28 cent dhe benzina 1.19 cent deri në 1.29 cent.

Berjani ka thënë se kësi çmime të lira nuk kemi pasur që tri vite.

“Nga dje ka zbritje prej 4 cent. Me tarifat e Trumpit dhe rënien e derivateve në bursa, ka gjasa që në Kosovë 1 litër naftë të jetë 1 euro. Çmimin e përcakton bursa dhe organizata prodhuese OPEC. Po kjo ulje që po ndodh është nga tarifat globale të Presidentit Donald Trump”, ka deklaruar Berjani, transmeton albinfo.ch.

Ai ka shtuar se nuk mund të paragjykojmë se si do të jenë çmimet në ditët në vijim.

Berjani ka theksuar se çmimet e derivateve në Shqipëri janë: nafta 1.89 cent dhe benzina 1.88 cent, ndërkaq në Serbi nafta 1.78 cent dhe benzina 1.79 cent. Sa i përket vendimit të MINT për marzhën, Berjani ka thënë se është vendim në kohën e gabuar.

“Kemi lëvizje globale të çmimeve të derivateve të naftës dhe ky vendim i dëmton bizneset. Ndërsa ky vendim kompanitë e mesme dhe të vogla i shkatërron, i falimenton. MINT është dashur të nxjerrë vendim për shportën e qytetarit, sepse nafta ka qenë gjithëherë më e lira në rajon, ndërsa shporta e qytetarit më e shtrenjta në Kosovë se në Gjermani”, ka thënë Berjani.

BE i kundërpërgjigjet SHBA-së me tarifa

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë hapur rrugën për vendosjen e tarifave të para hakmarrëse, që do të variojnë nga 10 deri në 25 për qind, si përgjigje ndaj tarifave të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump. Sipas Komisionit Evropian, tarifat speciale për produkte si xhinset dhe motoçikletat nga SHBA, ndër të tjera, do të hyjnë në fuqi javën e ardhshme, shkruan albinfo.ch.

Kundërtarifa të tjera janë të planifikuara të vendosen në mes të majit dhe në fund të vitit, duke përfshirë gjithashtu produkte ushqimore si mishi i viçit, shpendët dhe agrumet, si portokallet dhe grejpfrutët. Për më tepër, tarifat shtesë për arrat dhe sojën pritet të hyjnë në fuqi në fillim të dhjetorit, shkruan Blick.

Shqipëria heq vizat për pesë shtete për arsye turistike

Këshilli i Ministrave në Shqipëri vendosi sot heqjen e vizave për qytetarët e pesë shteteve, që do të vizitojnë Shqipërinë për arsye turistike.

Sipas vendimit të qeverisë, qytetarët e shteteve që do të lejohen të hyjnë pa vizë në Shqipëri janë nga Arabia Saudite, Katari, Oman, Tajlanda dhe Indonezia.

Këta shtetas do të mund të hyjnë në Shqipëri pa vizë, për qëllime turistike dhe me dokumentin “pasaportë”, për një periudhë të kufizuar nga data 15 prill deri më 31 dhjetor 2025, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe Ministria e Brendshme.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Niseni drejt Italisë? Kujdes me gomat e veturës

Është koha për ndërrimin e gomave – autoritetet paralajmërojnë për udhëtimet në Itali

Shumë drejtues mjetesh po planifikojnë të ndërrojnë gomat e dimrit me ato verore, por autoritetet po paralajmërojnë se nëse planifikoni të vizitoni Italinë, këtë duhet ta keni bërë deri në muajin tjetër.

Vozitja me goma dimri gjatë verës në Itali është e paligjshme, ndërsa gomat për të gjitha stinët janë të lejuara.

Arsyetimi është se gomat verore performojnë më mirë kur moti është i ngrohtë, kryesisht për shkak të përbërjes së gomës që përdoret për to.

Nëse kapeni me gomat e gabuara në Itali, mund të gjobiteni me disa qindra euro, transmeton albinfo.ch.

Austri: Ekspozitë e piktorit shqiptar Haxhi Fejzullahi

Në qendrën kulturore Gang-Galerie St. Josef në Voitsberg, rreth 28 piktura të Haxhi Fejzullahit janë ekspozuar nën organizimin dhe mbështetjen e gazetarit të njohur austriak, Franz Taucher.

Në hapjen e ekspozitës, Taucher mbajti një fjalim ku shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen e shumtë të artdashësve dhe theksoi mesazhin kryesor të ekspozitës, që është prezantimi i një arti të bukur dhe i një realiteti të ndryshëm nga ai i rajonit Weststeiermark, përmes teknikës së veçantë të autorit Haxhi Fejzullahi, i cili përdor edhe qymyr për të shprehur kontributin kulturor dhe artistik të shqiptarëve, përcjell albinfo.ch.

“Jam shumë mirënjohës që Haxhi Fejzullahi është pjesë e komunitetit tonë,” u shpreh ai.

Ekspozita përfshin punime që pasqyrojnë jetën e autorit në vendlindjen e tij, Kosovë, si dhe përditshmërinë në Austri. Fejzullahi theksoi se ekspozita është një pasqyrim i jetës së mërgimtarëve, duke bashkuar motive dhe ngjyra që shpesh nuk janë të zakonshme në asnjë prej dy vendeve.

“Qëllimi i kësaj ekspozite është të paraqes jetën e një mërgimtari – që gjithmonë e ka vendlindjen në mendje – në përballje me përditshmërinë në mërgim. Kjo shprehet përmes një bashkëdyzimi të ngjyrave dhe motiveve që shpesh nuk janë të zakonshme as në Kosovë, as në Austri,” është shprehur Fejzullahi.

Ekspozita u ndoq nga figura të shquara të politikës, artit dhe komunitetit, përcjell albinfo.ch.

Presidentja e Zvicrës zhvillon bisedë telefonike me Donald Trump, flasin për tregtinë

Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Keller-Sutter theksoi rëndësinë e tregtisë dypalëshe dhe diskutoi mënyrat për të adresuar ambiciet e përbashkëta midis dy shteteve. Ajo theksoi se të dy liderët ranë dakord për të vazhduar bisedimet në interes të forcimit të marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike mes vendeve të tyre.

“Në bisedën telefonike të sotme me Presidentin Donald Trump, unë përcolla të dyja, qëndrimin për tregtinë dypalëshe dhe mënyrat për të adresuar ambiciet 🇺🇸. Ne ramë dakord të vazhdojmë bisedimet në interes të të dy vendeve tona. Mezi presim të gjejmë zgjidhje në të ardhmen shumë të afërt”, ka shkruar presidentja zvicerane në rrjetin social X.

Përplasja tregtare SHBA-Kinë mund të ndikojë edhe në tregun e Kosovës

Tregu i Kosovës, i cili mbështetet ndjeshëm në produktet me origjinë nga Kina – që variojnë nga telefonat e mençur e deri te veshmbathjet – mund të ndjejë ndikimet e përplasjeve tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Pas vendimit të SHBA-së për të vendosur një tarifë të lartë prej 104% ndaj produkteve kineze, ekspertët paralajmërojnë pasoja të mundshme edhe për vendet si Kosova, që janë të varura nga importi, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

Profesori i ekonomisë, Mejdi Bektashi, thekson se këto tarifa mund të nxisin një valë të re inflacioni dhe të detyrojnë kompanitë kosovare të kërkojnë alternativa në tregjet evropiane. “Nga zbatimi i tarifave, barra do të bjerë në fund të zinxhirit, te konsumatorët. Konsumatorët në të gjithë botën, përfshirë ata në Kosovë, do të blejnë produkte kineze deri në 40 për qind më shtrenjtë sesa paguajnë aktualisht”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, pronari i kompanisë Elkos Group, Ramiz Kelmendi, thotë se do të vazhdojë importin nga Kina, madje pret që çmimet të bien për shkak të tepricave të prodhimit që nuk do të shiten në SHBA.

“Pasi Kina eksporton shumë në tregun e SHBA-së, pas ndikimit të tarifës do të zvogëlohet sasia e produkteve për këtë treg dhe ato do të orientohen në tregje të tjera. Kina nuk do ta ndalë prodhimin, por do të rritet konkurrenca dhe kjo do të sjellë ulje të çmimeve për tregjet e tjera”, shprehet Kelmendi, transmeton albinfo.ch.

Kina është ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës, duke zënë vendin e tretë për nga importet, me vlerë mbi 748 milionë euro gjatë vitit 2023. Megjithëse dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga Kina, bashkëpunimi ekonomik ka mbetur i qëndrueshëm. Eksportet nga Kosova në Kinë mbeten të papërfillshme në krahasim me importin.

Gjermani: CDU/CSU dhe SPD arrijnë marrëveshje për koalicion qeverisës

Liderët e partive kryesore gjermane, Unioni Kristian Demokrat/Unioni Kristian Social (CDU/CSU) dhe Socialdemokratët (SPD), thuhet se kanë arritur një marrëveshje për formimin e qeverisë së ardhshme federale, sipas raportimeve të mediave gjermane.

Marrëveshja e arritur duhet të kalojë në një proces votimi nga rreth 357,000 anëtarë të SPD-së, çka pritet të zgjasë të paktën dhjetë ditë. Kjo nënkupton se Friedrich Merz, kreu i CDU-së, nuk pritet të konfirmohet zyrtarisht si kancelari i ardhshëm i Gjermanisë përpara muajit maj, transmeton albinfo.ch.

Në bazë të marrëveshjes, CDU/CSU do të marrë drejtimin e ministrisë së Brendshme dhe asaj të Jashtme, duke u përballur me sfida kyçe si kriza e migracionit dhe përcaktimi i rolit të Gjermanisë në arenën ndërkombëtare, në një kohë pasigurie globale të ndikuar nga zhvillimet në SHBA.

Nga ana tjetër, SPD do të mbajë nën kontroll ministrinë e Financave dhe atë të Mbrojtjes. Kjo e fundit do të vazhdojë të drejtohet nga Boris Pistorius, një figurë e njohur dhe e popullarizuar në skenën politike gjermane, duke garantuar vazhdimësi në politikën e mbrojtjes, shkruan dpa.

Marrëveshja për koalicion vjen në një moment delikat për politikën gjermane, pasi partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka kryesuar për herë të parë në histori në një sondazh kombëtar, duke rritur shqetësimet për polarizimin në vend, transmeton albinfo.ch.

 

Doktori nga Kosova emërohet shef klinike në landin e Thuringenit në Gjermani

Quhet Ali Hajdari dhe është mjeku shqiptar që nga muaji prill i këtij viti është emëruar shef i Klinikës së Kardiologjisë dhe Angiologjisë në Spitalin “Krankenhaus Waltershausen-Friedrichroda”, në landin e Thüringenit, transmeton albinfo.ch.

Këtë histori suksesi e ka prezantuar ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Vlen të theksohet se Hajdari është drejtuesi i parë shqiptar i një klinike të këtij lloji në këtë land.

Pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Prishtinës, ai ka ndjekur një rrugë të suksesshme profesionale, duke fituar ekspertizë dhe përvojë në disa nga klinikat më të njohura universitare të Gjermanisë, si ato në Mannheim, Jena, St. Georg Klinikum Eisenach dhe Elisabeth-Klinikum Schmalkalden.

Dr. Hajdari është specialist i Mjekësisë Interne dhe subspecialist i Kardiologjisë, të cilën e ka përfunduar në Qendrën Klinike Universitare të Jenës, si dhe subspecializant i Angiologjisë (sëmundjet e enëve të gjakut).

Ndërkohë, fushëveprimtaria profesionale e dr. Hajdarit është shumë e gjerë, e përqendruar te intervenimet në zemër, implantimi i pajisjeve speciale të zemrës, si dhe trajtimi i sëmundjeve të arterieve periferike me procedura endovaskulare.

Mjeku shqiptar vazhdon të punojë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shëndetësore të Gjermanisë dhe Kosovës.

Presidentja Osmani zhvilloi një takim me delegacionin britanik

Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion nga Mbretëria e Bashkuar, të udhëhequr nga deputeti Alex Sobel dhe anëtarja e “City Leaders”, Cllr Helen Hayden, përcjell albinfo.ch.

Gjatë takimit, u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me fokus në sektorët që kanë interes të ndërsjellë dhe për mundësitë konkrete të avancimit të projekteve të përbashkëta.

“Në këtë kontekst, u diskutua edhe për hapat që po ndërmerren pas iniciativës së Presidentes për një marrëveshje bashkëpunimi strategjik në fushat e mbrojtjes dhe ekonomisë, e cila është mirëpritur nga Sekretari i Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në njoftim.

Sipas saj  përmes kësaj marrëveshjeje synohet forcimi i mëtejshëm i lidhjeve mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe sektorë të tjerë strategjikë, për të kontribuuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të gjithanshëm të dy shteteve.

Kryeministri Kurti zhvillon një takim me deputetët francez

Kryeministri në detyrë Kosovës, Albin Kurti mbrëmë pati një darkë pune me deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë Parlamentare të Francës, Marine Hamelet, Frédéric Petit, Pierre Pribetich, Jean-dhe Louis Roumégas, të shtruar nga Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit për media thuhet se në këtë darkë pune u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës dhe për rëndësinë e diplomacisë parlamentare për thellimin e mëtejmë të tyre dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.

“Diskutuan edhe për raportet me Serbinë, procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli dhe Marrëveshjen Bazike të arritur atje dhe aneksin e saj të zbatimit”, thuhet në njoftim.

Kurti falënderoi deputetët për vizitën që po i bëjnë vendit tonë dhe shtetin francez për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme.
“Ai i njoftoi me zhvillimet e fundit në vend dhe me rezultatet e qeverisjes e përparimin e arritur në katër vitet e fundit si në rrafshin ekonomik ashtu edhe në atë demokratik dhe të të drejtave të njeriut”, thuhet tutje në njoftim.

Gjatë darkës që u zhvillua në rezidencën e ambasadorit francez në Kosovë, gjithashtu u diskutua edhe për hapat dhe rrugën përpara drejt formimit të institucioneve të legjislaturës së nëntë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe seancës së thirrur nga presidentja e vendit për datën 15 prill.

Janë rritur rastet e falimentimit në Zvicër

Numri total i procedurave zyrtare të hapura ndaj bizneseve dhe individëve në bazë të Ligjit për Zbatimin e Borxhit dhe Falimentimit u rrit për të katërtin vit radhazi, duke arritur në 17,036 raste rekord në vitin 2024, përcjell albinfo.ch.

Ky është përfundimi i Statistikave të Mbledhjes së Borxhit dhe Falimentimit, të publikuara të martën nga Zyra Federale e Statistikave (FSO).

Megjithëse u regjistrua një numër rekord rastesh, pati një rënie të dukshme të humbjeve financiare si rezultat i procedurave të borxhit dhe falimentimit – 26.5% më pak se në vitin 2023.

Një nga arsyet e rritjes, sipas ekspertëve, është mentaliteti i përhapur “bli tani dhe paguaj më vonë”, i cili ua lehtëson njerëzve mundësinë për të bërë blerje edhe pa pasur para për t’i paguar ato në momentin e blerjes, tha Pascal Pfister, Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Këshillimit për Borxhet.

Puna me kohë të pjesshme: Si të shmangni boshllëqet e pensioneve

Shumë prindër, në Zvicër, punojnë me kohë të pjesshme. Kjo mund të ketë një ndikim të dukshëm sa i përket sigurimit të pensioneve profesionale, i njohur edhe si shtylla e dytë. Por çfarë opsionesh ekzistojnë për të mbyllur boshllëqet e pensioneve? Në vazhdim, këshillat e ekspertit.

Puna me kohë të pjesshme është rritur ndjeshëm në Zvicër gjatë 30 viteve të fundit. Ndërsa në vitin 1995 pothuajse një e katërta e popullsisë në moshë të punës punonte me kohë të pjesshme, sot është tashmë një e treta – një trend ky, i konfirmuar nga shifrat e Zyrës Federale të Statistikave (BFS).

Në vitin 2023, rreth 1.8 milionë punëtorë zviceranë punonin me kohë të pjesshme, duke përfshirë këtu  507,000 burra. Sipas BFS-së, arsyeja më e zakonshme për punë me kohë të pjesshme është harmonizimi më i mirë i punës dhe jetës familjare. Por punëtorët me kohë të pjesshme përballen gjithashtu me sfida: studimet tregojnë se ata kanë më pak gjasa të promovohen dhe se mund të shfaqen boshllëqe në fondet e tyre të pensioneve.

Këto boshllëqe lindin në shtyllën e dytë, me të ashtuquajturat kredi për pension, të cilat së bashku me interesat dhe blerjet vullnetare përbëjnë kapitalin për pensionin e mëvonshëm. “Faktori vendimtar është paga e siguruar, e cila rezulton nga paga vjetore e AHV minus zbritja e koordinimit”, thotë Granit Kabashi (31), ekspert i pensioneve dhe BVG në Tellco.

Zbritja e koordinimit arrin në 26,460 CHF në vitin 2025. Kjo do të thotë: Me një pagë bruto prej 60,000 frangash, paga e siguruar është 33,540 franga. Punëdhënësi juaj është i detyruar ligjërisht të mbulojë të paktën gjysmën e kontributeve të fondit të pensionit, të cilat ju mund t’i kontrolloni rregullisht në fletëpagesën tuaj dhe certifikatën e pensionit.

Nëse punoni me kohë të pjesshme ose paralelisht, në disa vende pune, do të ju dalin sfida shtesë për planifikimin e daljes në pension:

1. Zbritjet e shumëfishta të koordinimit

Nëse jeni i punësuar me kohë të pjesshme nga disa punëdhënës, zbritja e koordinimit llogaritet veçmas për çdo punësim. “Kjo mund të rezultojë që paga totale e të siguruarve të jetë më e ulët se nëse do të ishit të punësuar vetëm nga një punëdhënës”, thotë Kabashi.

Nëse jeni i siguruar me dy fonde pensioni, mund të jeni në gjendje të regjistroheni vetëm me një në mënyrë që të aplikoni zbritjen e koordinimit vetëm një herë. “Megjithatë, vetëm disa fonde pensionale e ofrojnë këtë mundësi,” thotë eksperti.

Sidoqoftë, ekziston një zgjidhje tjetër: punëdhënësit mund të përshtatin zbritjen e koordinimit në shkallën e punës me kohë të pjesshme. Kjo do të thotë që nëse punoni 50 për qind, do t’ju ngarkohet vetëm gjysma e zbritjes së rregullt. “Kjo nënkupton se një pjesë më e madhe e pagës është e siguruar, e cila është veçanërisht e dobishme për punëtorët me kohë të pjesshme”, thotë Kabashi.

2. Paga për orë pune dhe shkalla e punës së pjesëshme

Për t’u siguruar në një fond pensioni, duhet të fitoni të paktën 22,680 CHF në vit për punë. Nëse kjo shumë nuk arrihet, nuk ka sigurim pensional të detyrueshëm, edhe nëse të ardhurat tuaja totale janë më të larta.

Ata që marrin pagën për orë pune gjithashtu shpesh kanë mbulim më të ulët të BVG sepse ata rrallë arrijnë një ngarkesë pune 100 për qind.

“Në punësimin e përkohshëm, paga mujore e siguruar llogaritet drejtpërdrejt nga paga e orës, pra automatikisht merret parasysh niveli me kohë të pjesshme”, sqaron Kabashi. “Në këtë rast, i siguruari duhet vetëm të sigurojë që punëdhënësi të transferojë shumën minimale të kërkuar me ligj në fondin e pensioneve”.

3. Mangësitë në marrëdhëniet afatshkurtra të punës

Detyrimi i BVG, pra pagesa e detyrueshme në shtyllën e dytë, zbatohet për një kontratë pune me afat të caktuar më shumë se 3 muaj, si dhe për një kontratë pune me afat të hapur. Nëse keni disa kontrata pune afatshkurtra, secila prej të cilave zgjat vetëm deri në tre muaj, nuk ekziston asnjë detyrim për të paguar BVG. “Kjo do të thotë gjithashtu se këtu mund të lindin boshllëqe në kontribut”, shpjegon Kabashi. “Këto boshllëqe mund të mbyllen përmes blerjeve vullnetare ose kalimit në shtyllën e tretë.

“Shtylla e tretë është gjithmonë një ide e mirë,” thotë eksperti. Megjithatë, Shtylla vullnetare 3a është gjithashtu e përshtatshme për punëtorët me kohë të pjesshme për të shmangur boshllëqet e pensioneve. Ju mund të paguani deri në një shumë të përcaktuar me ligj çdo vit (7,258 franga në 2025) dhe t’i zbritni këto kontribute nga taksat tuaja. Ju lutemi vini re: Ju mund të tërhiqni kontributet në Shtyllën 3a vetëm në kushte të caktuara.

Së fundi, Kabashi kërkon përgjegjësi edhe nga vetë të siguruarit. Fondi pensional është i detyruar të informojë të siguruarit për gjendjen e tyre vetëm një herë në vit. Kjo bëhet në formën e një certifikate pensioni, e cila përfshin të gjitha përfitimet dhe gjithashtu tregon potencialin aktual blerës. Për të gjitha informacionet e mëtejshme, zbatohet detyrimi për të mbledhur.

(Nga Olivia Ruffiner)
Burimi: https://www.schweizer-illustrierte.ch/family/teilzeitarbeit-so-vermeidet-man-sorgelucken-804417?srsltid=AfmBOooJkoc6_VAeVPijVP5nlwrRE-5VcWguvUCBWKJr7eQ6

Gjithnjë e më shumë zviceranë duan të blejnë prona

Trazirat e mëdha të shkaktuara nga tarifat e SHBA-së po rritin kërkesën për banesa në Zvicër, e cila shihet si një investim i sigurt, përcjell albinfo.ch.

“Në kohë pasigurie ekonomike, kërkesa për prona rritet”, sipas indeksit Immoscout24.

Për rrjedhojë, çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur me një mesatare prej 1.3 për qind në përgjithësi; në Zvicrën qendrore, rritja madje arriti në 5.2 për qind.

Deputetët kërkojnë të privojnë Lozanën nga statusi i saj si “kryeqyteti i Vaud-it”

Në një lëvizje krejtësisht të çuditshme, 23 deputetë të Vaud-it kanë nënshkruar një mocion të dorëzuar në parlamentin kantonal, duke kërkuar ndryshimin e një neni në kushtetutën e Vaud-it, i cili thotë: “Lausana është kryeqyteti i kantonit”, përcjell albinfo.ch.

Në vend të kësaj, ata propozojnë që bashkia kryesore e secilit prej 10 rretheve të kantonit të marrë me radhë statusin e kryeqytetit të Vaud-it për një vit, sipas rendit alfabetik.

Ideja pas këtij propozimi është të “frymëzohet” kantoni “duke afruar pushtetin me të gjitha rajonet”, thuhet në mocion.

Nëse parlamenti e miraton këtë ide, fjalën e fundit do ta kenë votuesit e Vaud-it.

Qafat malore zvicerane do të rihapen së shpejti për trafikun e makinave

Gotthard Pass pritet të rihapet për trafik në mes të majit. Puna për pastrimin e kalimeve alpine do të nisë në ditët në vijim; në Qafën Oberalp, ajo ka filluar që nga e hëna.

Edhe pse kanë qenë të mbyllura gjatë dimrit, kalimet në Alpet zvicerane janë planifikuar të rihapen për qarkullimin e automjeteve brenda javëve të ardhshme, pasi nuk parashikohet më rrezik i shtuar nga ortekët, transmeton albinfo.ch.

Mbyllja dimërore në Oberalp pritet të hiqet në fund të prillit, njoftoi të martën Zyra e Ndërtimit e kantonit Uri.

Datat e planifikuara për hapjen e kalimeve të tjera alpine janë si më poshtë: Qafa e Gotthardit dhe ajo e Klausenit në mes të majit, Qafa e Furkës në fund të majit dhe Qafa e Sustenit në mes të qershorit.

Në përgatitje për rihapjet, po zhvillohen punime për pastrimin e borës, vendosjen e parmakëve dhe kangjellave mbrojtëse, si dhe pastrimin e gurëve dhe shkëmbinjve nga rruga.

https://www.blick.ch/schweiz/alpenpaesse-gotthardpass-soll-mitte-mai-wieder-oeffnen-id20761564.html

Gjenevë: U promovua libri “Shekulli i parë” në një festë të kujtesës historike

Më 4 prill 2025, në UniMail, Gjenevë u mbajt një eveniment, i cili bashkoi shqiptarët e Gjenevës rreth një vepre të veçantë. U promovua libri “Shekulli i Parë” nga Sejmen Gjokoli, një Mjeshtër i Madh, studiues dhe mbrojtës i trashëgimisë sonë shpirtërore. Nën kujdesin e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Gjenevës dhe Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, kjo ngjarje u shndërrua në një festë të kujtesës dhe përkatësisë, duke krijuar një atmosferë të rrallë ku fjala, muzika dhe emocionet u bashkuan në një përvojë të paharrueshme.

Të pranishëm në këtë ngjarje të veçantë ishin figura të shquara të diasporës dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar, si Znj. Floreta Kabashi, Konsulle e Republikës së Kosovës në Gjenevë, Znj. Monika Zguro, diplomate nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë, Musa Jupolli kryetar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë, Veli Genc Berisha – Hora e Skënderbeut- Zvicër si dhe aktivistë të shoqërisë civile, miq të librit, dhe dashamirës të kulturës shqiptare.

Programi i mbrëmjes përfshiu një gamë të pasur aktivitetesh, përfshirë fjalime frymëzuese nga të rinjtë e diasporës dhe përfaqësues të komunitetit. Një dokumentar i veçantë për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë solli emocion të thellë dhe krenari kombëtare, ndërsa një homazh i ndjerë u bë për profesor Astrit Lekën, themelues shpirtëror i shumë nismave kulturore në Gjenevë.

Këngët e grupit “Hareja” ngjallën mall e gëzim në zemrat e të pranishmëve, duke përforcuar lidhjen me rrënjët dhe kulturën shqiptare.

Libri “Shekulli i Parë” është një përpjekje për të dokumentuar të papërshkrueshmen, duke sjellë një pasqyrë të thellë dhe të ndjerë të ngjarjeve që shënuan një moment të madh në historinë e Shqipërisë. Ai na tregon emocionet dhe ndjesitë që përhapen në ajër, nga rrugët e Vlorës deri në kodrat dhe lagjet ku mijëra zemra rrihnin në një ritëm të vetëm – me dashuri për atdheun. Momente të tilla si parada e Mitrovicës dhe performanca unike e Strugës, ku u rikrijuan figura të mëdha historike si Skënderbeu, Ismail Qemali dhe Adem Jashari, treguan fuqinë krijuese dhe shpirtin patriotik që karakterizon shqiptarët.

Sejmen Gjokoli, autori i librit, ndau emocionet e tij gjatë ngjarjes, duke theksuar rëndësinë e këtij aktiviteti dhe të veprës që promovon unitetin dhe bashkimin kombëtar. “Të jesh pjesë e një aktiviteti përtej kufijve amë, ku ndjehet fuqishëm shqiptaria dhe shpirti kombëtar, është një privilegj i veçantë”, tha ai.

Gjokoli falënderoi organizatorët dhe komunitetin shqiptar të Gjenevës për përkushtimin dhe bashkëpunimin e treguar. Ky libër është më shumë se një promovim letrar. Ai është një reflektim mbi fuqinë e bashkimit dhe organizimit. Shembulli i Komunitetit Shqiptar të Gjenevës në bashkëpunim me studentët shqiptarë është dëshmi e qartë se historia jonë nuk është vetëm një kujtim, por një thesar që duhet të kalojë me krenari nga brezi në brez. Të tilla ngjarje na rikujtojnë jo vetëm se kush kemi qenë, por edhe kush duam të jemi. Na ndihmojnë të kuptojmë se pa rrënjë, nuk ka drejtim. Dhe pikërisht, ajo ditë në Vlorë mbetet një rrënjë e fortë në ndërgjegjen tonë kolektive – një kujtim i përbashkët, një dëshmi se, po, shqiptarët dinë të organizohen, të bashkohen, dhe mbi të gjitha, të duan e të nderojnë Shqipërinë siç e meriton.

Znj. Floreta Kabashi, Konsulle e Republikës së Kosovës në Gjenevë, theksoi rëndësinë e këtij botimi për kujtesën dhe trashëgiminë kombëtare, duke i falënderuar të gjithë ata që kontribuuan për ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë. “Ky botim është një kontribut i çmuar për kujtesën dhe trashëgiminë tonë kombëtare,” tha ajo, duke shprehur mirënjohjen për Shoqatën e Studentëve Shqiptarë dhe grupet artistike për përkushtimin e tyre në mbajtjen gjallë të vlerave kulturore shqiptare.

Afërdita Krasniqi, përfaqësuese e grupit “Hareja” në fjalën e saj nderoi profesor Astrit Lekën dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndër breza për ruajtjen e kulturës shqiptare. “Si shoqatë, kemi realizuar shumë aktivitete, por bashkëpunimi me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Gjenevës është i veçantë,” tha ajo, duke shtuar se ky aktivitet krijoi një lidhje të fortë emocionale me rrënjët shqiptare.

Vanesa Likaj, Kryetare e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Gjenevë, ndau emocionet e saj si studente që është rritur në mërgatë. Ajo e theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare, sidomos në një ambient ku identiteti sfidohet çdo ditë. “Ky libër është një dëshmi e përpjekjeve tona për të mos harruar kush jemi dhe nga vijmë,” tha ajo.

Ky aktivitet ishte një mbrëmje e paharrueshme, që shërbeu si një kujtesë e fortë për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore shqiptare, si dhe një dëshmi të forcës së bashkimit dhe angazhimit të komunitetit shqiptar në Gjenevë për të mbajtur gjallë shpirti kombëtar, kudo që ndodhen.

 

 

Miratohet draftrezoluta për Kosovën, kërkohet heqja e masave të BE-së

Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar draftrezolutën për Kosovën, në të cilën, mes të tjerash, kërkohet heqja e menjëhershme e masave të BE-së, përcjell albinfo.ch.

Autor i raportit është Riho Terras, raportues i këtij institucioni për Kosovën, i cili tashmë i ka porositur se vendi i Kosovës është në BE.

Në këtë dokument mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE dhe ftohen vendet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë pa vonesa të tjera.

Parlamenti Evropian mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për t’iu bashkuar Programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Nënvizohet gjithashtu progresi domethënës në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe lirive, të luftës kundër krimit të organizuar dhe të funksionimit të ekonomisë së tregut, por shpreh keqardhje për përparimin e limituar në sundimin e ligjit.

Shqetësim serioz shprehet edhe për dobësitë sistematike të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sidomos sa i përket pavarësisë dhe respektimit të ndarjeve të pushteteve.

Shqetësim shprehet, gjithashtu, për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, posaçërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe atë në Ibër-Lepenc. Kërkohet sjellja para drejtësisë e autorëve të këtyre sulmeve.

Keqardhje e veçantë shprehet përse Serbia nuk i ka nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmit terrorist në Banjskë, duke përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Dokumenti shpreh, gjithashtu, mbështetje për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përshëndet emërimin e Peter Sorensenit në postin e emisarit për këtë dialog.

Pas aprovimit në Komitetin për Politikë të Jashtme ky dokument gjatë muajve të verës do të votohet në seancë plenare kur do e merr edhe versionin e Rezolutës së Parlamentit Evropian. 

Qyteti më i pasur në planet

Sipas raportit të vitit 2025 të Qyteteve më të Pasura në Botë, New York ka ruajtur titullin si qyteti më i pasur në planet.

Raporti i publikuar nga Henley & Partners në bashkëpunim me New World Wealth, me 384.500 milionerë, 818 centi-milionerë dhe 66 miliarderë, qyteti amerikan i njohur si “Molla e Madhe” mbetet një magnet për pasurinë globale.

Raporti renditi qytetet sipas numrit të individëve me vlerë të lartë neto, centi-milionerëve dhe miliarderëve që banojnë në ato vende.

E flaktë në thembrat e New York-ut është ‘Bay Area’, që përfshin qytetin San Francisco të rajonit Silicon Valley, e renditur e dyta me 342.400 milionerë.

Rajoni tani është shtëpia e 82 miliarderëve, duke ia kaluar New York-ut në atë kategori. Popullsia milionere e Bay Area është rritur me 98 për qind në dekadën e fundit, duke reflektuar pozicionin e saj si një qendër për krijimin e pasurisë teknologjike, shkruan Anadolu Agency.

E nxitur nga një rimëkëmbje e fortë në Nikkei 225 gjatë dy viteve të fundit, Tokio u rendit i treti me 292.300 milionerë, ndërsa Singapori u rendit i katërti me 242.400 milionerë, transmeton albinfo.ch.

Dubai u ngjit në vendin e 18-të me 81.200 milionerë, duke shënuar një rritje prej 102 për qind në dekadën e fundit. Shenzheni, i renditur në vendin e 28-të, shënoi rritjen më të shpejtë në nivel global, me një rritje prej 142 për qind të popullsisë së saj milionere.

Londra dhe Moska ishin dy qytetet e vetme në mesin e 50 më të mirëve që shënuan një rënie në popullsinë e tyre milionere gjatë dekadës së fundit, me një rënie përkatësisht prej 12 për qind dhe 25 për qind.

Los Angeles-i, shtëpia e 220.600 milionerëve, përfshirë 516 centi-milionerë dhe 45 miliarderë, ka kaluar Londrën për të siguruar vendin e pestë, duke e zbritur kryeqytetin britanik në vendin e gjashtë me 215.700 milionerë, përfshirë 352 centi-milionerë dhe 33 miliarderë.

Moska, e renditur tani e 40-ta, ka shënuar një rënie prej 25 për qind të popullsisë së saj milionere.

Shenzheni, Hangzhou dhe Dubai kryesojnë qendrat e pasurisë me rritjen më të shpejtë globale. Bengaluru, New Delhi dhe Varshava po ashtu u shfaqën në mesin e qyteteve që pritet të shohin rritje të konsiderueshme në popullsinë e milionerëve, të nxitur nga zgjerimi i ekosistemeve të teknologjisë dhe iniciativave strategjike ekonomike

Prindërit e Iliria Sulës kërkojnë burgim të përjetshëm për autorët e vrasjes së vajzës së tyre

Prindërit e Ilaria Sulës, Flamur dhe Gëzime Sula, kanë folur për mediat italiane pas vrasjes makabre ndaj vajzës së tyre, nga ana e të dashurit të saj, Mark Antony Samson.

“Ai duhet të kalbet në burg përjetë. Atë që ai i bëri asaj, nuk ua bëjnë kafshëve. Vajza jonë nuk ishte objekt dhe ai e hodhi si të ishte një e tillë. Nuk ishte një triko, nuk ishte një palë këpucë, ishte njeri”, tha babai i saj, pasi filipinasi e hodhi trupin e pajetë të Ilarias në një shkëmb pasi e vrau dhe e futi në një valixhe.

Gjatë intervistës, ata nuk i mbajtën dot lotët, duke e kujtuar Ilarian si një vajzë të mrekullueshme e cila kishte shumë ëndrra, shkruan La Repubblica.

“Jeta jonë, zemra jonë, engjëlli ynë. Ajo kishte aq shumë ëndrra, nuk u ndal kurrë. Ajo studionte për Statistikat Financiare, do diplomoje në tetor”, kanë rrëfyer prindërit e saj, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

“E prisnim atë fundjavë. Vëllai i saj shkoi ta merrte në stacion, treni mbërriti dhe u largua përsëri dhe Ilaria nuk ishte aty. Ne u përpoqëm ta telefononim, por telefoni i saj ishte i fikur. Aty kuptuam se diçka kishte ndodhur”, u shpreh nëna e Ilarias, Gëzime Sula.

“Ata na hoqën një pjesë të zemrës, gjithçka. Vajza jonë është e mbyllur në një vend që nuk mund ta lërë më, nuk mund të kthehet në shtëpi, nuk do ta shohim më kurrë të hyjë në derë, të qëndrojë në dhomën e saj. Ajo na jepte forcë. Ne kemi për detyrë të sigurojmë që drejtësia të vihet në vend”, thanë prindërit e 22-vjeçares.

Më pas ata u ndalën dhe te nëna e Mark Antony Samson, e cila kishte pranuar se kishte ndihmuar të birin që të fshihte gjurmët e gjakut në shtëpi.

“Si mund ta bësh një gjë të tillë? Ajo duhet të kishte thirrur për ndihmë, një ambulancë, policinë. Mos ta ndihmonte të pastrojë të gjitha, të mbulojë krimin. Ajo nuk është nënë”, u shpreh Flamur Sula.

Ndërkohë, vëllai i saj Leon Sula është shprehur se do donte të dinte nëse e motra ka pasur mundësinë për të thënë fjalët e fundit.

“Doja të dija nëse Iliarja ka pasur mundësinë për të thënë fjalët e fundit… Kush kanë qenë fjalët e fundit…”, tha ai.

Nga sot hyjnë në fuqi tarifat nga Trump

Tarifat e reja ndaj mallrave të importuara nga Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në fuqi më 9 prill. Masat tregtare janë në kuadër të politikës së re tregtare të presidentit amerikan, Donald Trump, e cila, sipas tij, synon të ringjallë industrinë prodhuese amerikane.

Normat më të larta të taksave të importit për dhjetëra shtete dhe territore përfshijnë një tarifë masive prej 104 për qind ndaj mallrave kineze dhe 20 për qind për produktet nga Bashkimi Evropian, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

Ky rund i ri tarifash hyn në fuqi të mërkurën, pasi më 5 prill nisën së zbatuari tarifat bazë prej 10 për qind për importet e shumë shteteve të botës.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Trumpi nuk e ka shqyrtuar mundësinë e hyrjes me vonesë në fuqi të këtyre tarifave.

“Ai pret që këto tarifa të hyjnë në fuqi”, tha ajo më 8 prill, disa orë para mesnatës, kur ishte afati për hyrjen në fuqi të tarifave. Vetë Trump dha sinjale të përziera lidhur me atë nëse tarifat do të mbeten në fuqi. Ndërsa i përshkroi ato si “të përhershme”, ai tha se përfaqësues të shteteve të prekura ishin rrugës për në Uashington për të negociuar marrëveshje dypalëshe tregtare.

“Kemi shumë vende që po vijnë për të bërë marrëveshje”, tha ai në një ngjarje të organizuar në Shtëpinë e Bardhë më 8 prill. Më vonë, Trump shtoi se priste që edhe Kina të kërkonte një marrëveshje tregtare me SHBA-në.

Administrata e Trumpit ka planifikuar bisedime me përfaqësues të Koresë së Jugut dhe Japonisë, dy aleatë të afërt dhe partnerë të mëdhenj tregtarë të SHBA-së. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, pritet të vizitojë javën e ardhshme Uashingtonin.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është ndër zyrtarët që kanë ofruar një ulje të ndërsjellë të tarifave, por gjithashtu ka paralajmëruar se kundërmasat mbeten ende opsion.

Trump i shpalli tarifat më 2 prill, duke e quajtur atë “dita e çlirimit të Amerikës” dhe tha se ajo do të mbahet mend “si dita kur industria amerikane rilindi, dita kur u rimor fati i Amerikës dhe dita kur nisëm ta bëjmë Amerikën përsëri të pasur”.

Gjatë shpalljes së tarifave, Trump u ankua se për dekada me radhë shteti i tij ishte trajtuar padrejtësisht nga “miqtë dhe armiqtë njësoj” sa i përket çështjeve tregtare, duke krijuar një disbalancë të madhe tregtare.

Bursat në mbarë botën kanë rënë ndërsa tarifat po zbatohen, dhe ekonomistët paralajmërojnë se ato do të rrisin çmimet e mallrave që konsumatorët amerikanë blejnë çdo ditë, veçanërisht duke qenë se tarifat e reja ndërtohen mbi masa tregtare të mëparshme. Vendet e prekura pritet gjithashtu të kundërpërgjigjen.

Kina ka reaguar tashmë, duke vendosur një tarifë prej 34 për qind për të gjitha mallrat amerikane. Kjo përqindje përputhet me nivelin që ishte në fuqi përpara se Trump të njoftonte se SHBA-ja do të vendosë një tarifë prej 104 për qind ndaj Kinës duke filluar nga 9 prilli.

Ministria e Tregtisë e Kinës e quajti kërcënimin e Trumpit për të përshkallëzuar tarifat “një gabim mbi një gabim” që “përsëri ekspozon natyrën shantazhuese të SHBA-së”.

Përveç tarifave ndaj Kinës, Trump ka vendosur një tarifë të lartë prej 25 për qind për importet e automjeteve, duke nisur nga 3 prilli, e cila kryesisht është e drejtuar ndaj makinave të prodhuara në Meksikë dhe Kanada, me qëllim që t’i shtyjë këto dy shtete të ndërmarrin hapa për të kontrolluar migrimin dhe trafikimin e drogës. Këto tarifa janë për makinat e importuara, por tarifat pritet të zgjerohen javët në vijim, duke prekur edhe importet për pjesët e automjeteve.

Kanada është kundërpërgjigjur me një taksë prej 25 për qind për importet e automjeteve nga Shtetet e Bashkuara që nuk përputhen me Marrëveshjen e SHBA-së-Meksikë-Kanada. Këto tarifa pritet të hyjnë në fuqi më 9 prill.

Edhe çeliku dhe alumini janë cak i tarifave. Për dy metalet është vendosur një tarifë prej 25 për qind, vendim që hyri në fuqi muajin e kaluar.

Osmani pritet të udhëtojë drejt Finlandës

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Mati Nissinen, përcjell albinfo.ch.

Në takim, u diskutuan mundësitë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, me fokus të veçantë në fushat e sigurisë, arsimit dhe zhvillimit ekonomik.

Në njoftim tutje bëhet e ditur se Osmani e vlerësoi Finlandën si një partner të rëndësishëm të Kosovës. Në këtë kontekst, Presidentja riafirmoi përkushtimin e Kosovës për ta thelluar bashkëpunimin me Finlandën dhe për ta mbështetur rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.

Gjatë takimit, u diskutua gjithashtu për vizitën e Osmanit në Finlandë, e cila do të realizohet nga fundi i këtij muaji. Kjo vizitë pritet të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe të thellojë bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët.