Krasniqi: Për Kurtin, Haxhiu është më e rëndësishme se qytetarët

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po e mban peng Kuvendin e Kosovës, teksa tha se “deputeti Albin Kurti po e sheh më të rëndësishme Albulena Haxhiun sesa qytetarët e Kosovës”, përcjell albinfo.ch.

Krasniqi, pas seancës, tha se Kosova duhet t’i ketë institucionet e konsoliduara sa më parë, duke shtuar se VV-ja duhet ta ndryshojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

“Ky është degradim që asnjë s’e ka paramenduar se do të ndodhë ndonjëherë. Është dhunim i verdiktit të qytetarëve. Pasnesër bëhen tri muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.

Ky Kuvend ka obligim të konstituojë organizmin përfaqësues të secilit qytetar, por tendenca e VV-së, mospajtimi se s’kanë shumicë, po e mban peng këtë proces”, ka thënë Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka shtuar se kandidatja e VV-së për kryeparlamentare “do të dështojë sa herë që vjen në Kuvend”.

“Ftoj deputetin Albin Kurti që të na tregojë se a e ka më të rëndësishme Albulena Haxhiun, apo qytetarët. Për deputetin Kurti, Haxhiu është më e rëndësishme se qytetarët”, u shpreh ai.

Problematikat me votën e diasporës, më shumë regjistrime, më pak zarfe të mbërritura

Tashmë dihet se në zgjedhjet e 11 majit diaspora voton për herë të parë, duke i bërë këto zgjedhje historike për vendin dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë, të cilët do të shprehin vullnetin e tyre me votë, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë në faqen e KQZ-së dedikuar zgjedhësve nga jashtë shihet se votat e diasporës të mbërritura në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbeten ende në nivele të ulëta krahasuar me regjistrimet e emigrantëve.

Referuar KQZ-së, lista e zgjedhësve nga jashtë vendit është  245.935 persona, 224.628 zarfe janë marrë nga zgjedhësit dhe 144.783 zarfe kanë mbërritur në KQZ.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në një deklaratë të martën ka renditur disa nga problematikat që janë hasur në procesin e votimit në diasporë. 21 mijë fletë votimi nuk janë shpërndarë tha ai, ndërsa 11 mijë prej tyre rrezikojnë të mos shpërndahen deri ditën e fundit pasi zgjedhësit kanë pasaktësi në të dhënat e regjistruara.

21 mijë zarfe kompania nuk i ka shpërndarë akoma. 11 mijë janë për shkak të problematikave për saktësi adrese, e-mail, kontakti apo numër telefoni, pra nuk janë mundur të gjenden zgjedhësit dhe janë në zyrat e tyre. I kemi bërë thirrje para disa ditësh këtyre votuesve që të shkonin te shërbimi DHL i vendit përkatës dhe të interesoheshin. Pjesa tjetër janë që DHL i ka telefonuar apo njoftuar dhe nuk u janë përgjigjur thirrjeve dhe deri në datën 8 maj kanë kohë për të shkuar. Kompania pret që vetë zgjedhësit të shkojnë vetë”, tha Celibashi.

Numri më i madh i të regjistruarve në diasporë që nuk kanë votuar ende vijon të jetë në Greqi, aty ku pjesëmarrja është 9.6%, ndërsa përqindja e të regjistruarve është 27.8%. Konkretisht janë 68.380 emigrantë të regjistruar në Greqi, por i kanë kthyer mbrapsht këto zarfe 23.640 qytetarë që jetojnë e punojnë në shtetin helen.

Partia Demokratike i është drejtuar me një shkresë KQZ ku kërkon “vënien në dispozicion të të gjitha komunikimeve, provave dhe dokumentacionit me të cilin operatori postar vërteton dorëzimin e zarfit dhe materialit zgjedhor te çdo zgjedhës”. Ndërkaq, drejtuesja politike për diasporën, Jozefina Topalli tha në një dalje për mediat se persona të caktuar në shkelje të ligjit po manipulojnë vullnetin e emigrantëve dhe se zarfet po tërhiqen nga persona të tjerë, ndërsa ngriti gishtin e akuzës ndaj socialistëve.

Kemi raste si në Itali, që një zonjë që punon në ambasadën në Romë, shkon e mbledh zarfet dhe i dorëzon zarfet në mënyrë antiligjore. Quhet Marjeta Mikeli dhe kjo është e pabesueshme, jo se nuk e kanë bërë gjatë regjistrimit, por tani kanë kaluar çdo masë. Por nëse Itali është më e kufizuar, por zonja do të merret nën hetim, ajo që po ndodh në Greqi është në të gjithë territorin e shtetit grek dhe shqetësimi është jashtëzakonisht i madh. Kemi informacione që marrin makina me qira dhe i çojnë në Greqi për të mbledhur votat”, tha Topalli.

Kryeministri Edi Rama iu ka bërë thirrje emigrantëve në Greqi që mos të humbasin mundësinë për të shprehur vullnetin e tyre. Rama përgënjeshtroi akuzat e opozitës se vota e emigrantëve në Greqi po manipulohet.

Ju lutem shumë të gjithëve dhe në mënyrë të veçantë atyre që janë regjistruar për të më mbështetur mua dhe PS të mos lënë pa votuar. Salamandra blu kishte nxjerrë ca zarfa në rrugë dhe pretendonte që ishin zarfa të kapur, nuk e di se si. Mund t’i fotografosh në rrugë dhe të thuash që këto po t’i bën narkoregjimi, por këto nuk i ha njeri”, tha Rama.

Ndërsa, Celibashi ka theksuar se KQZ trajton çdo ankesë bazuar në prova konkrete dhe jo në deklarata politike të partive. KQZ u ka bërë apel qytetarëve që të raportojnë në sistemin PER (Platformën Elektronike për Regjistrimin e votuesve nga jashtë) çdo problem në lidhje me marrjen e dokumentacionit zgjedhor. Theksohet se vetëm në këtë mënyrë KQZ merr njoftim për problemin në fjalë dhe mund ta adresojë atë. Ndërkaq fleta e votimit mund të dërgohet mbrapsht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duke llogaritur kohën që ajo të mbërrijë në këtë institucion, jo më vonë se ora 19:00 e datës 11 maj.

Dështon edhe përpjekja e 12-të për konstituimin e Kuvendit

Për të 12-tën herë ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill, dhe që nga atëherë kanë kaluar vetëm dy pika të rendit të ditës. Ngërçi është krijuar te pika e tretë, që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Edhe në seancën e sotme, sikurse në tri të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar të ndërrojë formën e votimit, nga i hapur në të fshehtë, por komisioni që duhet të mbikëqyrte këtë proces nuk ka marrë votat e mjaftueshme.

Komisioni Evropian: Është në interes të Kosovës t’i formojë sa më shpejt institucionet

Së fundmi, Komisioni Evropian, përmes komisioneres për zgjerim, Marta Kos, është shprehur se është në interes të Kosovës që sa më parë t’i formojë institucionet e saja, përcjell albinfo.ch.

Këtë Kos e ka thënë të martën mbrëma në një debat në Parlamentin Evropian, kushtuar raportit për Kosovën.

Ky raport, i përgatitur nga raportuesi Riho Terras, pritet të votohet sot gjatë ditës në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

“Është në interesin e Kosovës që t’i formojë sa më parë institucionet e saja për t’i çuar përpara reformat urgjente evropiane”, ka thënë Kos, duke veçuar edhe nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve që lidhen me Planin për Rritje, i cili, sipas saj, duhet të trajtohet me prioritet nga Qeveria dhe Kuvendi i ri.

“Kjo do të mundësonte lirimin e fondeve nga ky instrument, me kusht që të përmbushen të gjitha kriteret e tjera”, ka shtuar ajo.

Ajo ka përsëritur edhe nevojën që Kosova të përmbushë, pa vonesa, obligimet e saja nga Marrëveshja e Ohrit, në kuadër të dialogut me Serbinë.

Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, komisionerja Kos është shprehur se Komisioni është i gatshëm që ta nisë punën për përpilimin e mendimit për kërkesën e Kosovës sapo ta marrë një mandat për një gjë të tillë nga Këshilli i BE-së.

Ndërkaq, raporti i Parlamentit Evropian, i cili ishte miratuar më herët nga Komisioni i Politikës së Jashtme, përshëndet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe i bën thirrje vendeve anëtare që të nisin punën për ta shqyrtuar këtë kërkesë. Po ashtu, Parlamenti Evropian, edhe me këtë raport, kërkon nga pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si në raportin për njërin ashtu edhe për tjetrin shtet, Parlamenti Evropian kërkon që të angazhohen sinqerisht për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve, “përmes një marrëveshjeje ligjërisht obliguese të bazuar në njohje të ndërsjellët”.

Pritja e gjatë e Ajetit për shpërthimin te Baseli

Albian Ajeti shkëlqeu të dielën në fitoren 5:1 të Baselit ndaj Servettes. Me këtë fitore Baseli është afruar shumë pranë titullit të kampionit të Zvicrës në futboll, transmeton albinfo.ch.

Sulmuesi 28-vjeçar realizoi dy gola, ndërsa e kishte edhe një asistim. Për një ndeshje e një paraqitje si kjo, Ajeti ka pritur gjatë.

Ai është dashur të presë plot 183 ditë për golat e radhës në kampionat.

Në fillim të edicionit ai luante rregullisht për Baselin, por mbeti shpesh në stol kur u transferua Kevin Carlos.

Golin e kaluar e kishte shënuar më 2 nëntor në fitoren 5:0 ndaj Winterthurit. Tani i ka shtatë gola e gjashtë asistime në 27 paraqitje.

“Isha pranë në disa nga ndeshjet e kaluara dhe e kam ditur se goli do të vijë herët apo vonë”, ka thënë Ajeti, shkruan “Blick”, përcjell albinfo.ch.

Javën e kaluar, Xherdan Shaqiri ishte futbollisti i javës, ndërsa këtë javë është shpallur Albian Ajeti, i cili po ashtu luan për Baselin.

Ai nuk ka dyshuar se do të kthehet te goli. Thotë se gjithnjë është në shërbim të skuadrës. Ajeti bëri një festë të veçantë pas golit të shënuar. Lidhi duart, ndërsa mes këmbëve të tij u shtri bashkëlojtari Dominik Schmid. Ajeti ka treguar se ideja për një festë të tillë ishte e fotografit të Baselit.

“Ai na propozoi dhe ne e bëmë. Është argëtuese, pse jo?”, ka thënë Ajeti.

Baseli po e pret titullin që nga viti 2017. Dhe është shumë pranë që ta fitojë atë. 

“Vetëm kur të vijë koha do t’i pranoj urimet. Por nuk është ende koha. Natyrisht, e kemi në dorën tonë.

Nëse paraqitemi si në javët e fundit, asgjë e pazakontë nuk mund të ndodhë”, ka theksuar Ajeti.

Ndeshja e ardhshme e Baselit është me Luganon. Dhe në atë ndeshje mund të sigurohet titulli.

“Nuk ka rëndësi se si e fitojmë titullin. Gjëja kryesore është ta fitojmë. Tani kemi një tjetër ndeshje të vështirë në Lugano. Duam ta përfundojmë punën atje”.

Pas 34 ndeshjeve, Baseli udhëheq me 64 pikë, nëntë më shumë se Servette e vendit të dytë. Deri në fund janë edhe katër xhiro. Më 1 qershor, Baseli luan edhe në finale të Kupës së Zvicrës. Përballë do ta ketë skuadrën e kategorisë së tretë, Biel.

 

Përpjekje tjetër për konstituim, VV insiston në emrin e Haxhiut

Nga ora 10:00 do të bëhet përpjekja e të 12-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Seanca do të fillojë në orën 10:00.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë dhënë sinjale se do të vazhdohet me propozimin për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61. LDK ka dalë dje me një propozim për zgjidhjen e ngërçit.

Përpjekja tjetër për konstituimin e Kuvendit do të ketë sërish sot. Seanca konstituive do të vazhdojë në orën 10:00.

Në tri seancat e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar ta ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë.

lg.php.gif

Secilën herë kjo është kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat kanë refuzuar të propozojnë anëtarë të Komisionit.

Edhe sot pritet të ndodhë e njëjta gjë. Për këtë ka dhënë sinjale deputeti Hekuran Murati.

Ai e ka lidhur me votimin në Bundestag për kancelarin e Gjermanisë, ku Friedrich Merz u zgjodh sot me votim të fshehtë.

Sipas Muratit, e njëjta formë votimi do të duhej të ishte edhe në Kosovë, për të mundësuar zgjidhjen e ngërçit.

“Votimi i fshehtë është formë demokratike për shprehje të vullnetit të lirë të deputetëve, dhe do të mundësonte zgjidhjen e ngërçit për konstituimin e Kuvendit edhe tek ne. Bllokada që opozita po vazhdon t’ia bëjë konstituimit të Kuvendit është jashtë çdo arsyeje. Është për t’u marrë shembull sjellja e partive gjermane, që, megjithëse votimi për kancelar në herën e parë dështoi të prodhonte rezultat, askush nuk e bëri temë ndërrimin e kandidatit dhe askush nuk kërkoi qeveri tranzicioni”, ka shkruar Murati.

Historike: Tre shqiptarë janë zgjedhur në Këshillin Bashkiak të këtij qyteti në Itali

Bëhet e ditur se, për herë të parë në historinë e qytetit të Trentos në Itali, tre qytetarë me origjinë shqiptare janë zgjedhur anëtarë të Këshillit Bashkiak, duke shënuar një moment historik për integrimin dhe përfaqësimin e komunitetit shqiptar në Itali, përcjell albinfo.ch.

Ata janë: Xheik Shero, Spartak Malaj dhe Kristofor Ceko.

Këta emra shqiptarë do të jenë zërat e rinj që do të përfaqësojnë jo vetëm qytetarët e Trentos, por edhe mijëra shqiptarë që prej vitesh kontribuojnë në jetën sociale, ekonomike dhe kulturore të këtij qyteti verior italian.

Zgjedhjet lokale u zhvilluan ditën e djeshme. Kryetari aktual i bashkisë, Franco Ianeselli, siguroi një tjetër mandat dhe, menjëherë pas fitores, shprehu falënderimet për të gjithë qytetarët dhe mbështetjen e gjerë që reflektoi një dëshirë të qartë për vazhdimësi dhe përfaqësim të drejtë.

Mjeku nga Kosova bëhet shqiptari i parë që publikon punim shkencor në Harvard

Doktori shqiptar Kujtim Thaçi ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u bërë shqiptari i parë që publikon një punim shkencor në Universitetin e Harvardit  një nga institucionet më prestigjioze në botë, shkruan albinfo.ch.

“Kam nderin dhe kënaqësinë të ndaj me ju suksesin tim të jashtëzakonshëm: publikimin e punimit shkencor si autor i parë me Harvard Medical School. Ky punim është botuar në revistën Glycoscience & Therapy të Chinese Academy of Sciences,” ka shkruar Dr. Thaçi.

Punimi i tij trajton një temë me ndikim të madh në mjekësinë moderne: rëndësinë e glikozilimit të immunglobulinës IgG në zhvillimin e metodave të reja për zbulimin dhe trajtimin e hershëm të hemokromatozës neonatale   një sëmundje e rrallë që prek foshnjat e porsalindura.

Ky zbulim shkencor hap horizonte të reja për diagnostikim dhe menaxhim më të mirë prenatal dhe postnatal të kësaj sëmundjeje, duke e bërë këtë arritje një kontribut të çmuar për shëndetin global.

“Ky punim thekson, për herë të parë, rëndësinë e glikozilimit të immunglobulinës IgG për zhvillimin e qasjeve të reja diagnostikuese dhe terapeutike për zbulimin e hershëm, si dhe për menaxhimin pre  dhe postnatal të hemokromatozës neonatale. Koncepti shkencor i thellë, si dhe stili i shquar akademik, bënë që ky punim të pranohet për botim nga Chinese Academy of Sciences. Sugjeroj që të gjithë profesionistët shëndetësorë dhe shkencëtarët tanë, sidomos specialistët e imunologjisë, pediatrisë dhe reumatologjisë, ta lexojnë me vëmendje këtë studim,” u shpreh Dr. Thaçi.

https://www.facebook.com/share/1Bq4wcbfdu/?mibextid=wwXIfr

Fundi i ‘pasaportave të arta’, BE ndalon përfundimisht shitjen e shtetësisë

Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian ka ndaluar përfundimisht dhënien e të ashtuquajturave “pasaporta të arta”, duke i dhënë fund një praktike që lejonte investitorët e huaj të blinin shtetësinë në vendet anëtare të BE-së.

Vendimi i gjykatës i jep fund programit të fundit aktiv të këtij lloji, atij të Maltës, e cila deri tani ishte shteti i vetëm në BE që vijonte me një skemë të tillë. Programe të ngjashme në Qipro dhe Bullgari ishin ndërprerë më herët.

Sipas gjykatës, këto praktika e shndërrojnë shtetësinë në një transaksion tregtar dhe cenojnë lidhjen ligjore e morale mes qytetarit dhe shtetit. Gjykata theksoi se një marrëdhënie e tillë duhet të bazohet në solidaritet, vullnet të mirë dhe lidhje reale me vendin përkatës – jo vetëm në investime financiare.

Aktivistë të shoqërisë civile në Maltë, përfshirë blogerin antikorrupsion Manuel Delia, e kanë mirëpritur vendimin, duke e cilësuar si një fitore për vlerat evropiane. Delia, bashkëpunëtor i ngushtë i gazetares së ndjerë Daphne Caruana Galizia, kishte luftuar prej më shumë se një dekade kundër këtij programi, duke vënë në dukje mungesën e transparencës dhe rreziqet e përfshirjes së individëve të dyshimtë në listat e shtetasve të rinj, përcjell albinfo.ch.

Komisioni Evropian kishte nisur procedura ligjore ndaj Maltës që në vitin 2022, duke argumentuar se shtetësia e BE-së nuk mund të jepet thjesht në këmbim të investimeve. Sipas të dhënave, shumë nga aplikantët nuk plotësonin kushtin e qëndrimit real në territorin maltez.

Ky vendim pritet të shërbejë si precedent për ndalimin e çdo përpjekjeje të ardhshme nga vendet anëtare për të ringjallur praktika të ngjashme, duke mbrojtur kështu integritetin e shtetësisë evropiane.

Vendi që ndalon prodhimin e kriptomonedhave pêr shkak të krizës energjetike

Kuvajti ka marrë një hap të prerë kundër gërmimit të kriptomonedhave, duke e shpallur atë të jashtëligjshëm dhe të rrezikshëm për sigurinë publike. Vendimi vjen si përgjigje ndaj krizës në rrjetin elektrik të vendit, i cili po përballet me mbingarkesë për shkak të temperaturave ekstreme dhe kërkesës së lartë për energji gjatë muajve të verës.

Ministria e Brendshme ka nisur një operacion të gjerë sigurie, duke bastisur shtëpi të dyshuara për aktivitet ilegal të minierave digjitale, veçanërisht në zonën e Al-Wafra-s, ku janë identifikuar mbi 100 shtëpi që konsumonin shumëfish më shumë energji se zakonisht. Sipas autoriteteve, konsumi në këtë rajon ra me 55% pas ndërhyrjeve.

Kuvajti, ku çmimi i energjisë është ndër më të ulëtit në botë për shkak të subvencioneve shtetërore, është bërë një destinacion i preferuar për operatorët e minierave. Megjithatë, rritja e popullsisë, zgjerimi urban dhe ndryshimet klimatike kanë ushtruar presion të konsiderueshëm mbi rrjetin energjetik, çka ka nxitur këtë ndërhyrje drastike nga autoritetet.

Edhe pse tregtimi i kriptomonedhave është ndaluar që nga viti 2023, minierat deri tani kanë ekzistuar në një zonë të paqartë ligjore. Tashmë, me ndërhyrjen e Ministrisë së Brendshme dhe të Energjisë, ky aktivitet është shpallur tërësisht i paligjshëm dhe subjekt i ndëshkimeve ligjore.

Kryeministri Sheikh Fahad al-Youssef dhe Ministri i Energjisë Dr. Subaih al-Muhaizim po mbikëqyrin personalisht fushatën. Më shumë se 60 persona janë vënë nën hetim, ndërsa mbi 1,000 lokacione janë shënjestruar për konsum të pazakontë të energjisë.

Ekspertët paralajmërojnë se minierat nuk janë shkaku i vetëm i krizës energjetike, por ndikimi i tyre është disproporcional. Sipas Universitetit të Kembrixhit, në vitin 2022 Kuvajti përfaqësonte vetëm 0.05% të fuqisë globale të minierave të Bitcoin. Megjithatë, edhe kjo pjesë e vogël, thonë analistët, është e mjaftueshme për të rrezikuar një sistem tashmë të brishtë energjetik.

Maqedoni: Në 5 vitet e fundit nga vendi ikën 60 mijë të rinj

Trendit të vazhdueshëm të shpërnguljes së të rinjve nga Maqedonia e Veriut i shtohet edhe shqetësimi për përfshirjen e tyre të kufizuar në jetën shoqërore dhe institucionale.

Sipas Aleksandar Nikollovskit, kryetar i Kuvendit Studentor Universitar, mungesa e përfaqësimit të të rinjve në vendimmarrje është një faktor kyç në vendimin e tyre për të emigruar. Ai thekson nevojën për forcimin e strukturave rinore dhe për zbatimin efektiv të Ligjit për Pjesëmarrjen Rinore, i cili parashikon ngritjen e këshillave lokale dhe të Kuvendit Kombëtar Rinor, transmeton Alsat, përcjell albinfo.ch.

“Nëse të rinjtë vazhdojnë të injorohen dhe interesat partiake vendosen mbi ato shoqërore, numri i të larguarve mund të dyfishohet në vitet e ardhshme”, deklaroi Nikollovski.

Nga ana tjetër, Ivan Peshevski, nënkryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, thekson faktorët ekonomikë si arsye kryesore për emigrimin. Ai përmend pagat e ulëta, kushtet e këqija të punës, mungesën e kontratave të rregullta dhe cilësinë e dobët të shërbimeve publike, veçanërisht në shëndetësi dhe arsim.

“Pagat e ulëta dhe punësimi joformal janë ndër shkaqet kryesore që i shtyjnë të rinjtë — dhe tërë familjet — të largohen”, tha Peshevski.

Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë pesë viteve të fundit nga vendi janë larguar rreth 60 000 të rinj, ndërsa hulumtimet sugjerojnë se çdo vit 10% e studentëve zgjedhin të ndjekin studimet jashtë vendit, kryesisht në shtetet e Bashkimit Evropian

2 shtete ia ndalojnë Vuçiqit fluturimin drejt Moskës

Pas Lituanisë, edhe Letonia ka ndaluar fluturimin e aeroplanit serb që transportonte presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, drejt Moskës. Autoritetet letoneze e arsyetuan vendimin me “ndjeshmërinë politike të qëllimit të fluturimit”.

Më herët, Lituania kishte refuzuar kalimin e të njëjtit avion për arsye të “ndjeshmërisë teknike dhe diplomatike”, duke ngritur shqetësime për qëllimet dhe ndikimin e udhëtimit të Vuçiqit në kontekstin aktual gjeopolitik.

Sipas ndihmësit të presidentit rus, Yuri Ushakov, Vuçiq pritet të takohet me homologun Vladimir Putin më 9 maj, në kuadër të një vizite që do të trajtojë tema dypalëshe mes dy vendeve.

Ky zhvillim vjen në një moment të tensionuar për rajonin, ndërsa Serbia ruan lidhje të ngushta me Rusinë, në kundërshtim me linjën politike të shumë vendeve të BE-së dhe NATO-s.

Shqipëria tejkalon mesataren e vendeve të BE-së me rritje të ndjeshme të trafikut ajror

Në tremujorin e parë të vitit 2025, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit ka regjistruar mbi 2 milionë pasagjerë, një shifër që tregon jo vetëm rritjen e interesit për Shqipërinë si destinacion turistik, por edhe fuqizimin e saj në tregun ajror rajonal.

Të dhënat e fundit të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI Europe) tregojnë se Shqipëria ka shënuar një rritje prej 9,1 % të trafikut ajror krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky ritëm e vendos vendin mes atyre që kanë performuar më mirë në Evropë, veçanërisht në krahasim me vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Raporti thekson se aeroportet jashtë tregut të BE-së kanë përjetuar një rritje mesatare prej 5,7 % të trafikut të pasagjerëve. Brenda këtij grupi, përveç Shqipërisë, rritje të larta janë shënuar në Moldavi (56 %), Bosnjë e Hercegovinë (41,7 %), Kosovë (15,6 %) dhe Gjeorgji (85 %). Ndërkohë, Turqia ka mbetur në nivele të qëndrueshme, ndërsa Rusia ka shënuar rënie të mëtejshme të trafikut ajror.

Këto zhvillime vijnë në një kohë kur Shqipëria po promovon gjithnjë e më shumë turizmin dhe lidhjet ndërkombëtare, duke reflektuar një ndikim të drejtpërdrejtë në fluksin e udhëtarëve që përdorin aeroportin kryesor të vendit.

Parlamenti Evropian heq imunitetin e eurodeputetit gjerman të ekstremit të djathtë

Parlamenti Evropian ka votuar për heqjen e imunitetit të ligjvënësit gjerman Petr Bystron, anëtar i partisë së djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD). Vendimi lidhet me hetimet për pastrim parash, marrje ryshfeti, mashtrim dhe evazion fiskal.

Autoritetet dyshojnë se Bystron ka marrë pagesa nga media pro-ruse “Zëri i Evropës” për të mbështetur interesat ruse në Bundestagun gjerman. Kjo platformë është ndaluar së fundmi në Bashkimin Evropian për përhapje propagande pro-Kremlinit dhe financim të politikanëve në disa shtete.

Sipas një raporti të Komitetit për Çështjet Ligjore të PE-së, hetimet ndaj Bystron janë në zhvillim edhe për shkak të një postimi në rrjetet sociale, ku ai shfaq politikanë gjermanë duke bërë gjeste që mund të interpretohen si përshëndetje naziste. Prokuroria e Mynihut është duke shqyrtuar rastin, transmeton albinfo.ch.

Bystron i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i quajtur hetimet të motivuara politikisht. Ai ishte hetuar më parë edhe nga Bundestagu, i cili në maj të vitit të kaluar i hoqi përkohësisht imunitetin, para se ai të zgjidhej si eurodeputet në qershor.

Fondet më të mira të pensionit në Zvicër

VZ Vermögenszentrum ka analizuar mbi 30 fonde pensionale në Zvicër, të cilat sigurojnë afërsisht dy milionë persona. Rezultatet tregojnë ndryshime të mëdha midis tyre.

Çfarë janë fondet pensionale?

Fondi pensional paguan një pension mujor pas daljes në pension, ndërsa pjesa tjetër e kursimeve mbetet e investuar në tregjet financiare. Norma teknike e interesit është kthimi i supozuar mbi kursimet – sa më i lartë interesi, aq më e lartë është norma e konvertimit dhe pensioni mujor, transmeton albinfo.ch.

Vlerësimi i fondeve pensionale

VZ analizoi më shumë se 30 fonde të përbashkëta pensionale në Zvicër, duke u fokusuar te:

Shkalla e mbulueshmërisë

Norma e konvertimit

Interesi mbi kursimet pensionale

Kostot administrative dhe totale

Aftësia për ristrukturim

Në vitin 2024 u rritën normat e interesit dhe mbulueshmëria, por normat e konvertimit ranë për shkak të zgjatjes së jetëgjatësisë dhe normave të ulëta teknike të interesit.

Të dhëna kyçe nga analiza

Asnjë fond nuk ishte në deficit në fund të vitit 2024.

Fondi më i mirë ka një shkallë mbulueshmërie prej 119%, ndërsa më i dobëti paguan 30% më pak pension se i pari.

Interesi i paguar nga fondi më i dobët është 78% më i ulët se ai i më të mirit.

Ndryshime të mëdha në kosto

Kostot administrative për person variojnë nga 132 CHF deri në 715 CHF. Duke përfshirë edhe menaxhimin e aseteve, kostot totale shkojnë nga 206 CHF deri në 1,579 CHF për person.

Fondet më të mira në renditje

Top 3 fondet sipas analizës:

1. La CIEPP – Norma teknike e interesit: 2.5%, shkalla e mbulueshmërisë: 119%

2. Symova Sammelstiftung BVG

3. ASGA Pensionskasse

Efekti i interesit të përbërë

Diferencat në normat e interesit kanë ndikim të madh në kursimet pensionale – jo vetëm për personat afër pensionit, por edhe për të rinjtë, për shkak të efektit të përbërë. Për shembull, interesi i tretë më i lartë është 31% më i ulët se ai më i larti.

Si ndikon interesi minimal?

Për pjesën e detyrueshme të kursimeve, Këshilli Federal përcakton një normë minimale interesi – aktualisht është 1.25%. Kjo normë ndikohet nga tregjet financiare dhe kthimet mbi obligacionet federale.

 

Turizmi masiv e çon qytetin italian buzë kolapsit

Qyteti i vogël turistik Sirmione në brigjet e Liqenit Garda në Itali po përballet me një krizë për shkak të turizmit masiv. Fundjava e gjatë e 1 Majit solli rreth 75,000 turistë në këtë qytet që ka vetëm 8,000 banorë, duke krijuar kaos në trafik, pritje të gjata dhe shqetësime për sigurinë publike.

Një parajsë që po mbytet nga popullariteti

Dikur një vend i qetë dhe romantik që tërhiqte figura të njohura si Sigmund Freud, James Joyce dhe Maria Callas, sot Sirmione po përjeton mbingarkesë ekstreme të vizitorëve – ngjashëm me situatën në Capri apo Cinque Terre.

Në qendër historike, në hyrje të kalasë mesjetare Castello Scaligero, vizitorët pritën deri në 40 minuta për të hyrë. Automjetet dhe autobusët elektrikë mbetën të bllokuar në rrugicat e ngushta të qytetit.

Banorët dhe bizneset kërkojnë masa urgjente

Marco Merlo, kryetar i Shoqatës së Hoteleve dhe Restoranteve, paralajmëroi: “Jemi të shqetësuar për sigurinë publike dhe cilësinë e jetës. Bashkia duhet të bashkëpunojë me ne për zgjidhje konkrete.”

Iniciativa qytetare “Siamo Sirmione” e cilësoi këtë si periudha më e mbipopulluar ndër vite, duke paralajmëruar dëmtime afatgjata në imazhin e qytetit, transmeton albinfo.ch.

A do të vendosen kufizime si në Venecia?

Aktualisht nuk ka plane për kufizime të drejtpërdrejta, por autoritetet po konsiderojnë masa si ndalimi i hyrjeve në raste të fluksit ekstrem, përmes barrierave kontrolli në hyrje të kalasë.

Sipas një zyrtari të trafikut: “Kurrë më parë nuk kemi pasur kaq shumë njerëz në Sirmione dhe qytetet përreth.”

 

Futbollisti shqiptar në formacionin e javës në Itali

Kristjan Asllani ishte lojtari kryesor i Interit në fitoren 1:0 ndaj Veronës, pasi realizoi golin e vetëm të sfidës, që e mban ekipin e tij në garën për titullin kampion.

Mesfushori shqiptar për këtë u bë pjesë e formacionit më të mirë nga SofaScore për javën e 35-të të Serie A.

Asllani mori notën 8 dhe ishte i vetmi futbollist i Interit në skuadrën ideale, të dominuar nga lojtarët e Atalantës. 23-vjeçari ishte saktë edhe në pasimet e tij, ku 93 % e tyre rezultuan të suksesshme, transmeton albinfo.ch.

Asllani, edhe pse është nën kontratë deri më 30 qershor 2028, përflitet në media për një largim të mundshëm në verë.

Këshilli Kombëtar i Zvicrës miraton masa për të përmirësuar situatën e trafikut në Gotthard

Ngërçi i trafikut në kalimin e Gotthardit ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha, sidomos gjatë festave si Pashkët. Për të adresuar këtë problem, Këshilli Kombëtar i Zvicrës ka diskutuar disa propozime për përmirësimin e situatës, duke përfshirë masa për të ndaluar kalimin e automjeteve në rrugët paralele, si dhe mundësinë e mbylljes përkohshme të rrugëve kantonale.

Një iniciativë e propozuar nga kantoni i Uri, e cila kërkonte vendosjen e një takse për përdorimin e kalimit të Gotthardit, u refuzua nga Këshilli Kombëtar. Megjithatë, dy propozime të tjera u miratuan për të reduktuar trafikun kalues, duke përfshirë ndalimin e sistemeve të navigimit që rekomandojnë rrugët kantonale alternative dhe mundësinë që kantoni i Uri të mbyllë përkohësisht rrugët e tij kantonale gjatë periudhave të ngarkuara të trafikut, transmeton albinfo.ch.

Përfaqësuesi i Uri, Simon Stadler, i kërkoi Këshillit Kombëtar masa urgjente për të trajtuar ngërçin e trafikut, duke theksuar se situata ishte bërë e papranueshme për banorët e kantonit. Ai gjithashtu propozoi përdorimin e semaforëve dhe rezervimin paraprak të udhëtimeve përmes kalimit të Gotthardit.

Në një tjetër zhvillim, Këshilli Kombëtar miratoi një propozim që i kërkon prodhuesve të sistemeve të navigimit të mos rekomandojnë rrugët kantonale të mbyllura kur autostrada është e mbushur. Megjithatë, disa anëtarë të këshillit shprehën skepticizëm ndaj efektivitetit të këtij masimi, duke argumentuar se përdoruesit do të kërkojnë rrugë alternative pa pasur nevojë për navigim elektronik.

Propozimet tani do të dërgohen për miratim në Këshillin e Shtetit, i cili do të vendosë përfundimisht në lidhje me masat e mëtejshme për reduktimin e trafikut në Gotthard dhe zonat përreth. Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme, qëllimi mbetet i qartë: përmirësimi i fluksit të trafikut dhe zvogëlimi i shqetësimeve për banorët dhe udhëtarët.

Ku mund të udhëtoni me tren nate nga Zvicra me çmimet më të mira këtë verë?

Një numër i madh njerëzish në Zvicër mbështeten te trenat e gjumit për t’u nisur drejt destinacioneve të ndryshme evropiane. Ne kemi shqyrtuar mundësitë për të udhëtuar natën këtë verë dhe çmimet që mund të presësh për biletat.

Platforma Night Ride, e cila fokusohet në udhëtimet me tren natë në të gjithë Evropën, ka shqyrtuar mundësitë për Zvicrën gjatë 56 ditëve, mes 22 qershorit dhe 16 gushtit — periudhë që përfshin pushimet shkollore verore në shumicën e kantoneve, transmeton albinfo.ch.

Këtu janë disa nga destinacionet që mund të vizitoni me tren natë (në klasën e dytë me kartën gjysmëçmimi):

Buchs (SG) – Vjenë: Nga 117 franga për person

Zyrih – Graz: Nga 129 franga për person

Zyrih – Zagreb: Nga 131 franga për person

Basel/Zyrih – Leipzig: 137 franga për person

Basel/Zyrih – Pragë: 137 franga për person

Basel/Zyrih – Riesa: 137 franga për person

Basel – Dresden: 138 franga për person

Zyrih – Budapest: 148 franga për person

Zyrih – Linz: 148 franga për person

Basel/Zyrih – Bremen: 195 franga për person

Basel/Zyrih – Hamburg: 195 franga për person

Basel/Zyrih – Halle: 186 franga për person

Basel/Zyrih – Berlin: 185 franga për person

Zyrih – Amsterdam: 161 franga për person

Zyrih – Utrecht: 161 franga për person

Basel – Amsterdam: 160 franga për person

Basel – Utrecht: 160 franga për person

Basel – Bonn: 160 franga për person

Këto çmime janë për biletat më të lira ose mesatare për udhëtimet natën gjatë verës 2025.

Trenat operohen nga kompania hekurudhore austriake ÖBB (treni NightJet) si dhe trenat EuroNight nga hekurudhat partnere, të cilët transportojnë pasagjerë nga Zvicra në destinacione të Evropës Lindore, si Budapest dhe Zagreb.

(Ljubljana do të shtohet në itinerarin EuroNight në gjysmën e dytë të vitit 2025.)

Drejt jugut

Gjithashtu, mund të udhëtoni natën për në Itali — për shembull, nga Gjeneva/Lausanne në Verona (çmimi më i lirë: 130 franga për person); Bologna (165 franga), dhe Romë (260).

Trenat e natës në drejtim të Francës

Mund të udhëtoni nga Gjeneva për në Marsel për rreth 180 franga përmes TGV Lyria, dhe për të njëjtin çmim në Aix-en-Provence.

Destinacione më afër si Lyon, Dijon dhe Paris zakonisht arrihen me TGV gjatë ditës.

Kjo është ajo që duhet të dini para se të merrni tren natë

Për shkak të punimeve të mirëmbajtjes në disa lokacione, planet tuaja të udhëtimit mund të shpërqendrohen.

Për shembull, nga 26 korriku deri më 5 shtator, trenat IC nga Zyrih në Stuttgart do të përfundojnë në Stuttgart Vaihingen.

Pasagjerët mund të kalojnë në S-Bahn në Vaihingen.

Pastaj, nga 26 gushti deri më 5 shtator, linja midis Buchenau dhe Fürstenfeldbruck (linja Buchloe–Mynih) do të jetë e mbyllur për trafikun hekurudhor për shkak të punimeve të shtrirjes së binarëve. Trenat EC nga Zyrih për në Mynih nuk do të operojnë vazhdimisht. Një strategji zëvendësuese e transportit është duke u zhvilluar.

Po ashtu, për shkak të modernizimit të Tunelit Tauern në Austri, trenat natë për dhe nga Zagreb do të vazhdojnë të ridrejtohen deri më 13 korrik, duke shkaktuar udhëtime më të gjata dhe orare të ndryshuara mbërritjeje dhe nisjeje.

Portret profesional në Linkedin dhe CV – fotosesion me Rromir Imamin

A dëshiron që portreti yt të bëhet më shumë se një foto e zakonshme? Të transformohet në një pamje që reflekton profesionalizmin dhe karakterin tënd? Mini-seancë profesionale portreti është mundësia që të krijosh një imazh të përkryer, duke pasqyruar çdo hap të rëndësishëm të karrierës tënde dhe duke të ndihmuar të shkëlqesh në platforma si Linkedin.

Detajet e eventit:

  • Vendi: Bernë
  • Adresa: Atelier Artelier Contrast, Cäcilienstrasse 21, 3007 Bern
  • Data: 10 maj 2025 (e shtunë)
  • Ora13:00- 17:00

Çfarë përfshin pakoja?

  • 20 minuta seancë fotografike për të kapur esencën e personalitetit dhe energjisë tënde profesionale.
  • Mundësi për të zgjedhur një veshje dhe sfond që pasqyrojnë më së miri imazhin tënd.
  • 1 foto e përpunuar profesionalisht, që do të dallohet për cilësinë dhe detajet.
  • Dorëzim i fotos brenda 7 ditëve, që do të të mundësojë ta përdorësh në aplikime dhe profile profesionale.

Çmim special: Vetëm 50 Fr. (Çmimi i zakonshëm:  99 Fr.)

Opsione shtesë për retushimin e fotove:

  • 2 foto të retushuara – 90 Fr.
  • 3 foto të retushuara – 120 Fr.
  • Çdo foto shtesë mbi 3 foto –  35 Fr.

Shërbime plotësuese për një pamje të plotë:
Për ata që dëshirojnë të shfaqen në formën më të mirë, mund të zgjedhin stilim flokësh dhe make-up për vetëm 75 Fr. (Nëse zgjidhni këtë opsion, ju lutemi në paraqituni 30 minuta më herët në vendin ku do të zhvillohet foto-sesioni)

Për Rromir Imamin – Një profesionist i dëshmuar në fushën e portretit:
Rromir Imami është njëri ndër fotografët më profesionistë në Zvicër në fushën e portreteve profesionale. Me një përvojë të pasur dhe një sy të mprehtë për detajet, ai do të krijojë një foto që do të pasqyrojë më së miri personalitetin dhe energjinë tuaj profesionale. Rromir ka ndihmuar shumë profesionistë të krijojnë imazhe që i kanë ndihmuar të dallohet në tregun e punës dhe është i njohur për punën e tij të jashtëzakonshme.

Gati për të bërë ndryshimin që kërkon karriera jote?
Ky është momenti ideal për të bërë hapin tjetër në karrierën tënde. Një foto portreti mund të bëjë një diferencë të madhe dhe të hapë mundësi të reja për ty.

Rezervo tani seancën tënde dhe lejo që ne të kujdesemi për gjithçka:

Rezervo seancën tani – Mini-Seancë Profesionale Portreti

Për çdo pyetje, mund të kontaktoni në numrin: +41 78 634 76 77 (Rromiri)

Mos e humb këtë mundësi për të krijuar portretin që do të të ndihmojë të hapësh rrugët e suksesit!

 

 

Shaqiri, Mbreti i Zvicrës: 15 gola e 20 asistime

Ylli shqiptar Xherdan Shaqiri po kalon në formë jetësore me Baselin. Rikthimi i tij nga SHBA në Basel solli shumë reagime, por ai po i hesht kritikët, shkruan albinfo.ch.

Shaqiri është ylli i Baselit, por edhe i Superligës zvicerane këtë edicion. Ai ka shënuar 15 gola dhe ka bërë 20 asistime pas 34 ndeshjeve.

Prin në listën e shënuesve dhe asistuesve, si dhe është kandidati kryesor për t’u shpallur “Futbollisti i Vitit” i Superligës Zvicerane.

Baseli tani ka nëntë pikë më shumë se vendi i dytë, Servette, dhe është pranë fitimit të titullit, që e kishte fituar për herë të fundit në vitin 2017.

Meritat më të mëdha shkojnë për kapitenin e Baselit, i cili ka udhëhequr skuadrën në momentet më të vështira, ndërsa po ashtu është në finale të Kupës së Zvicrës.

1300 franga më pak për çdo pacient: Zvicra teston modelin e ri shëndetësor

Në Biel, spitali i qytetit, kantoni i Bernës dhe tre sigurues të mëdhenj shëndetësorë kanë nisur së bashku një projekt pilot për të promovuar trajtimet ambulatore. Qëllimi: të ulen kostot dhe të shmangen qëndrimet e panevojshme në spital.

Projekti po zbatohet në qendrën kirurgjikale ambulatore “Medin au Lac”, që është pjesë e Spitalit të Biel-it. Tridhjetë ndërhyrje të përzgjedhura, të cilat më parë kryheshin me shtrim në spital, tani do të realizohen në mënyrë ambulatore—kryesisht në fushat e gjinekologjisë, ortopedisë dhe ORL-së (vesh, hundë, fyt).

Kristian Schneider, drejtori i Spitalit të Biel-it, jep si shembull operacionin për hallux valgus (gjemba e kockës në gishtin e madh të këmbës): “Nuk ka nevojë për trajtim me shtrim. Pas operacionit, pacientët marrin informacion dhe ilaçet përkatëse, dhe mund të rikuperohen në shtëpi.” Kjo kursen punë në spital dhe shmang faturimin e shërbimeve të panevojshme, transmeton albinfo.ch.

1 300 franga kursim për çdo rast

Trajtimi ambulator është më i rehatshëm për pacientët dhe më ekonomik. Në Francë, për shembull, rreth 50 % e trajtimeve janë ambulatore. Në Zvicër, kjo përqindje është ende nën 20 %, për shkak të mënyrës së financimit.

Nga viti 2028, kjo ndarje do të hiqet me futjen e sistemit të unifikuar të financimit (EFAS), ku të gjitha shërbimet—ambulatore, spitalore apo në shtëpi—do të financohen sipas të njëjtave rregulla.

Deri atëherë, projekti pilot në Biel do të tregojë se si më shumë trajtime mund të kryhen jashtë spitalit, pa shkaktuar humbje financiare për institucionet shëndetësore. Spitali i Biel-it do të marrë kompensim për çdo trajtim të suksesshëm ambulant: sa më shumë procedura të zhvendosen jashtë spitalit, aq më shumë mbështetje financiare do të marrë. Objektivi është kursimi i rreth 1 300 frangave për çdo rast.

Kantoni i Bernës dhe kompanitë e sigurimeve Helsana, Sanitas dhe KPT po e mbështesin financiarisht këtë projekt, i cili do të zgjasë tre vjet.