Qeveria zvicerane: Disa marrëveshje të BE-së mund të refuzohen nga parlamenti ose elektorati

Ndërsa marrëveshjet mes Zvicrës dhe Bashkimit Evropian janë në prag të diskutimeve parlamentare në Bernë, qëndrimet mbi natyrën e tyre mbeten të ndryshme. Komisioni Evropian ka ritheksuar se të gjitha marrëveshjet e negociuara me Zvicrën janë pjesë e një pakete të vetme, ndërkohë që kryenegociatori i BE-së, Richard Szostak, sugjeron se ekziston mundësia që disa elementë të trajtohen ndaras, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Javën e kaluar, qeveria zvicerane prezantoi planin për t’i paraqitur parlamentit katër rezoluta të ndara gjatë vitit 2024: një për stabilizimin e marrëdhënieve me BE-në dhe tri të tjera për bashkëpunim në fushat e sigurisë ushqimore, energjisë elektrike dhe shëndetit publik.

Megjithatë, Këshilli Federal paralajmëroi se një apo më shumë nga këto marrëveshje mund të refuzohen nga parlamenti apo elektorati përmes referendumit, gjë që do të ndalonte hyrjen e tyre në fuqi. Kjo është e mundur vetëm nëse më parë zbatohet marrëveshja e stabilizimit të marrëdhënieve.

Në një reagim për agjencinë Keystone-SDA, një zëdhënës i Komisionit Evropian theksoi të martën se “të gjitha marrëveshjet dhe protokollet u negociuan si një paketë dhe u përfunduan si të tilla në dhjetor 2024.” Sipas tij, këto dokumente do të hyjnë në fuqi vetëm pas ratifikimit nga të dyja palët, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, Szostak, i cili paraqiti marrëveshjet e reja para një komisioni të Parlamentit Evropian në shkurt, mbështeti qasjen zvicerane në parim. Ai tha se paketa e stabilizimit është kushti fillestar për hyrjen në fuqi të çdo marrëveshjeje tjetër. Kjo do të thotë se elementët e tjerë mund të qëndrojnë pezull në rast se stabiliteti i përgjithshëm i marrëdhënieve nuk sigurohet më parë.

Kjo qasje pasqyron edhe mënyrën sesi BE-ja ka përfshirë kërkesat e saj thelbësore  si lëvizja e lirë e njerëzve dhe kontributi i kohezionit  në marrëveshjen e stabilizimit. Ndërkohë që Zvicra synon të ruajë hapësirë për fleksibilitet politik të brendshëm, BE-ja vazhdon të mbajë qëndrimin e një pakete të pandashme për të siguruar konsistencë në marrëdhëniet dypalëshe, transmeton albinfo.ch.

Kardinalët mblidhen për zgjedhjen e Papës së ri

Në një atmosferë solemniteti dhe pritjeje të thellë shpirtërore, Kolegji i Kardinalëve është mbledhur sot në Vatikan për të nisur procesin historik të zgjedhjes së papës së 267-të të Kishës Katolike, pas vdekjes së Papa Françeskut më 21 prill, në Ditën e Pashkëve, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Lutjet e mëngjesit nisën në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku kambanat kumbuan dhe besimtarë të shumtë u mblodhën në sheshin përpara kishës për të ndjekur nga afër këtë moment historik. Kardinalët, 133 në total, do të marrin pjesë në konklavën papnore, e cila mbahet në Kapelën Sistine, ku votimi zhvillohet me procedurë të fshehtë.

Procesi nisi me Meshën e Shenjtë për Zgjedhjen e Papës (“Pro Eligendo Romano Pontefice”) në orën 10:00 të mëngjesit, për të vijuar me lutjen e Litanisë së Shenjtorëve në Kapelën Pauline dhe më pas izolimin në Kapelën Sistine, ku ata do të qëndrojnë derisa të zgjedhin udhëheqësin e ri të Kishës, transmeton albinfo.ch.

Kjo konklavë është historike jo vetëm për shkak të rrethanave, por edhe për përbërjen e saj. Për herë të parë në historinë e Kishës Katolike, më pak se gjysma e zgjedhësve janë evropianë. Papa Françesku, i pari papë latino-amerikan, emëroi rreth 80% të kardinalëve që votojnë sot, duke sjellë një shumëllojshmëri të paparë gjeografike dhe racore në Kolegjin e Kardinalëve. Italia ka numrin më të madh të përfaqësuesve (17), e ndjekur nga SHBA (10) dhe Brazili (7), por Françesku shtoi emërime të reja nga më shumë se 70 vende, përfshirë rajone të nënpërfaqësuara më parë në Afrikë dhe Azi.

Pas betimit për përmbushjen e misionit të Shën Pjetrit  i njohur si “Munus Petrinium”  dhe pas largimit të personelit jo-votues nga Kapela Sistine me shpalljen e fjalëve latine “extra omnes”, kardinalët nisin diskutimet dhe votimin. Predikuesi Emeritus i Familjes Papale, Kardinali Raniero Cantalamessa, mbajti një meditim të fundit përpara fillimit të raundit të parë të votimit.

Rezultatet e votimit bëhen të ditura përmes një simboli të lashtë: tymi që ngrihet nga një oxhak i posaçëm i Kapelës Sistine. Tymi i zi tregon se nuk është arritur ende një konsensus për papën e ri, ndërsa tymi i bardhë sinjalizon se Kisha Katolike ka zgjedhur udhëheqësin e saj të ardhshëm.

Votimet do të vijojnë me katër raunde në ditë  dy në mëngjes dhe dy në mbrëmje  derisa njëri prej kardinalëve të sigurojë dy të tretat e votave dhe të shpallet papa i ri, transmeton albinfo.ch.

Zvicër: A mund të kthehen normat negative të interesit?

Zvicra mund të shohë kthimin e normave negative të interesit pasi shifrat e inflacionit të prillit tregojnë një normë zero.

Normat e interesit janë aktualisht 0.25%,  gjë që i lë pak hapësirë ​​Bankës Kombëtare të Zvicrës për manovrim, transmeton albinfo.ch.

Normat e ulëta të interesit janë një problem pasi nxit çmimet e pronave dhe mbështet kompanitë të cilat ndoshta duhet të mbyllen.

Analistët presin që normat të ulen në zero në mbledhjen e ardhshme të bankës  dhe norma negative mund të jetë e radhës.

Normat e ulëta të interesit po ndikojnë pak në fuqinë e frangut, i cili po nxitet nga ngjarjet globale.

Futbollistja Kosovare Asllani nuk do të largohet nga London City

Futbollistja Kosovare Asllani nuk do të largohet nga London City Lionesses, ka thënë presidentja e klubit anglez, Michele Kang.

Sipas saj, Asllani do të jetë pjesë e skuadrës edhe në elitën e futbollit anglez. London City siguroi të dielën kalimin në Superligën e Anglisë. Mbylli edicionin në vendin e parë, falë pikës së fituar ndaj Birminghamit.

Ndeshja përfundoi 2:2. London Cityt i mjaftoi një pikë për t’u bërë kampion në Championship.

“Ajo nuk do të shkojë askund”, ka thënë Kang për “STV”. Asllani gjatë verës me Suedinë do ta zhvillojë Evropianin e fundit.

Primet e sigurimit shëndetësor nuk do të bazohen në të ardhura

Gjatë seancës së jashtëzakonshme të martën, deputetët e Këshillit Kombëtar zgjidhën një çështje të gjatë nëse primet e sigurimit shëndetësor duhet të bazohen në të ardhurat e një personi, përcjell albinfo.ch.

Shumica e hodhi poshtë këtë ide, duke preferuar të mbanin sistemin aktual, ku të gjithë paguajnë të njëjtat tarifa, pavarësisht nga situata e tyre financiare.

Deputetët u pajtuan me argumentet e Ministres së Shëndetësisë Elisabeth Baume-Schneider, e cila ndoqi qëndrimin e Këshillit Federal: sistemi aktual është “tashmë i bazuar në të ardhura”, sepse personat me të ardhura të ulëta kanë të drejtë për subvencione qeveritare nëse primet e sigurimit shëndetësor tejkalojnë 8 përqind të të ardhurave të tyre.

PE-ja miraton rezolutën për Kosovën, kërkohet përmbyllje e dialogut me njohje të ndërsjellë dhe heqje e masave të BE-së

Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën për Kosovën, përcjell albinfo.ch.

Në këtë dokument kërkohet që dialogu me Serbinë të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Një marrëveshje ligjërisht obliguese  e bazuar në njohjen e ndërsjellë.

Në të njëjtin dokument, kërkohet edhe heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Thuhet se Kosova i ka përmbushur kriteret për këtë.

Autori i draftit, eurodeputeti Riho Terras, i ka quajtur këto masa të padrejta dhe të panevojshme që nga fillimi.

“Ne kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Ato kanë qenë të padrejta dhe të panevojshme që nga fillimi. BE-ja financon shumë projekte dhe programe të dizajnuara për të mbështetur agjendën evropiane në Kosovë. Kjo është arsyeja pse duhet t’i shfuqizojmë masat dhe ta lëmë Kosovën të përparojë me fondet që ofrojmë”, tha Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Rezoluta përshëndet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mbështet anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe të NATO-s. U bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën  që ta njohin pavarësinë e saj.

Këta janë dy emrat më të popullarizuar për foshnje në Cyrih

Dy emrat më të popullarizuar për foshnje në qytetin e Cyrihut në vitin 2024 ishin Emma dhe Matteo, transmeton albinfo.ch.

Këta dy emra u radhitën më të përdorurit për të porsalindurit në Cyrih, njoftoi Zyra e Statistikave e qytetit në një komunikatë për shtyp.

Nga 4 345 foshnje të lindura nga banorë të Cyrihut, Emma dhe Matteo mbajtën kryesinë.

Për vajzat, emra të tjerë të popullarizuar ishin Sofia, Olivia, Ella dhe Anna.

Midis djemve, Matteo u rendit i pari, i ndjekur nga Felix, Leonardo dhe Liam.

Murati: Zgjedhjet janë opsioni i fundit

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë opsioni i fundit, pasi u shpreh se opsioni më i mirë për daljen nga kriza është votimi i fshehtë në Kuvend, përcjell albinfo.ch.

Ai ka thënë para mediave të mërkurën se kundërshtuesit e votimit të fshehtë nuk po japin zgjidhje.

“Duam që zgjedhjet të jenë opsioni i fundit. Opsioni më i mirë që kemi është votimi në mënyrë të fshehtë për kryetare të Kuvendit. Ata që po e kundërshtojnë këtë, s’po ofrojnë zgjidhje”, ka deklaruar Murati.

Ai tha se është e çuditshme kërkesa e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për qeveri transicionale, duke theksuar se ekziston mundësia e një qeverie stabile.

Cyrihu është qyteti i dytë më i lumtur në botë

Nuk kanë fund lëvdatat e mëdha që i janë bërë qytetit më të madh të Zvicrës në disa javët e fundit, transmeton albinfo.ch.

Në prill, Cyrihu fitoi titullin e qytetit “më të zgjuar” në botë.

Sot ai u rendit i dyti në Indeksin e Qytetit të Lumtur, të publikuar nga Instituti për Cilësinë e Jetës me seli në Londër, i cili vlerëson 200 qytete për sa i përket lumturisë së banorëve të tyre.

Rezultatet bazohen në 82 tregues në gjashtë kategori të gjera, duke përfshirë qeverisjen, mjedisin, ekonominë, lëvizshmërinë, si dhe shëndetin fizik dhe mendor, ndër të tjera.

Vetëm Kopenhageni mori një rezultat më të lartë. /Albinfo.ch

https://www.thelocal.ch/20250507/why-zurich-is-almost-the-worlds-happiest-city

Për një ditë, 13 kosovarë nga Kantoni Valis morën pasaporten zvicerane

Kantoni Valis natyralizon qindra të huaj në një ditë, transmeton albinfo.ch.

Dje. më datë 06 maj, në Valis u natyralizuan 13 shtats të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në këtë kanton.

Më shumë se një e katërta (27 përqind / 114 individë) ishin francezë – grupi më i madh kombëtar midis atyre që u natyralizuan.

Shtetas të tjerë të Bashkimit Evropian – portugezë (79), italianë (41) dhe gjermanë (39) – përfunduan katër vendet e para.

Të pestët për sa i përket numrit të natyralizimeve, ishin shtetas të Mbretërisë së Bashkuar – 17 britanikë u bënë zviceranë – grupi më i madh midis kandidatëve jo-anëtarë të BE-së.

Vlen të theksohet se nga shtetet Ballkanike, nga Maqedonia e Veriut ishin 14, ndërkohë 13 aplikantë nga Kosova morën passaportën zvicerane dhe 11 nga Serbia.

Një gjë interesante në lidhje me natyralizimet në Valis është se ato bëhen në dy grupe çdo vit: një në maj dhe një në tetor.

 

Kantoni zviceran natyralizon më shumë se 400 shtetas të huaj brenda një dite

Parlamenti i Kantobit Valis miratoi natyralizimin e 423 shtetasve të huaj nga 39 vende të martën, përcjell albinfo.ch.

Më shumë se një e katërta (27 përqind) e shtetasve të rinj ishin shtetas francezë, 114 persona   duke formuar grupin më të madh midis atyre që u natyralizuan të martën.

Shtetas të tjerë të Bashkimit Evropian – portugezë (79), italianë (41) dhe gjermanë (39)  përfunduan në katër vendet e para.

I pesti, për sa i përket numrit të natyralizimeve, ishin shtetas të Mbretërisë së Bashkuar  17 britanikë u bënë zviceranë.

Njerëzit nga Maqedonia e Veriut (14), Kosova (13) dhe Serbia (11) përfaqësonin numrin më të lartë të shtetasve jo-BE që morën shtetësinë zvicerane më 6 maj.

Mbi 150 mijë zarfe kanë arritur nga diaspora

Procesi i votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit vijon, ndërsa deri sot në orën 11:00, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur 151 192 zarfe me fletëvotimi.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ janë 225 701 zarfe të marra nga zgjedhësit, ndërsa në total janë 245 935 zarfe të dërguara. Janë 20 234 zarfe me fletë votimi ende të patërhequra nga votuesit, transmeton albinfo.ch.

Numrin më të lartë të kthimeve e mban Italia me 65 361, ndjekur më pas nga Greqia më pas Gjermania. Sipas qarqeve, kryeson Tirana me 35 389 zarfe, Fier 19 414, Durrës 17 409.

Sipas KQZ-së posta DHL ka detyrimin që të mbajë në zyra zarfet që nuk ka mundur t’ua dorëzojë votuesve dhe që votuesit nuk kanë mundur që t’i tërheqin deri më datën 8 maj.

Çdo votë që mbërrin në Shqipëri në datën 11 maj, pas orës 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.

Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë.

Dënohet 7 mijë franga, pasi pështyu në ambasadën ruse

Një vrapues në Bernë është gjobitur me gati 7 000 CHF, pasi ka pështyrë në tabelën jashtë ambasadës ruse. Personeli i sigurisë që monitoronte zonën u përpoq ta ndalonte, dhe ai u ndalua përfundimisht aty pranë.

Prokurori federal i Zvicrës e shpalli fajtor për fyerje të një embleme të një shteti të huaj — një vepër sipas ligjit zviceran. Ai u gjobit me 6 900 franga, plus 500 franga shpenzime ligjore.

Për shkak se çështja prekte marrëdhëniet e jashtme, procedurat kërkuan miratimin e Ministrit të Drejtësisë, Beat Jans, përpara se të vazhdohej me procesin ligjor.

Zvicër: Ndalonin udhëtarët si policë, tani janë në kërkim nga policia e vërtetë

Dy burra të paraqitur si oficerë policie kryen ndalesa të rreme të trafikut në Ramsen, Kanton Schaffhausen, herët në mëngjes të së premtes.

Sipas policisë së Schaffhausen, dyshja përdorën një Tesla të bardhë dhe po ndalonin automjetet pranë kryqëzimit Petersburg/Faselroo rreth orës 2 të mëngjesit.

Një grua 19-vjeçare i pa ata duke ndaluar të tjerët, përpara se ta ndalonin, transmeton albinfo.ch.

Ata kërkuan të shihnin patentën e saj, duke i kërkuar që të dilte dhe të hapte krahun.

Ajo u bë e dyshimtë dhe u largua kur burrat nuk arritën të tregonin asnjë identifikim.

Policia apelon për dëshmitarë dhe çdo informacion për Teslën e bardhë me targa zvicerane.

U kthye në politikë pas 12 vitesh, kush është Friedrich Merz, Kancelari i ri i Gjermanisë?

Dje Friedrich Merz u zgjodh kancelar i Gjermanisë. Kryetari i CDU-së mori 325 vota  ndërsa për shumicën e nevojshme për kancelar nevojiteshin 316 vota. Në raundin e parë, Merz kishte dështuar, përcjell albinfo.ch.

Kryetari i partisë konservatore gjermane Unioni Kristian-Demokrat (CDU), Friedrich Merz, nuk e pati të lehtë fillimin në detyrën e re. Në raundin e parë të votimit në Bundestag më 6 maj 2025, Merz nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme prej 316 votash. Por në raundin e dytë ai mori 9 vota më shumë se ç’i nevojiteshin për t’u zgjedhur kancelar. Ishte hera e parë në historinë e Gjermanisë që një kandidat për kancelar refuzohet në votimin e parë  një tjetër pengesë në një karrierë politike me ulje-ngritje.

Kthim pas 12 vitesh në politikë

Merz, ish-kryetar i grupit parlamentar të Unionit, u rikthye në Bundestag në vitin 2021, pas një mungese 12-vjeçare nga politika. Në moshën 69-vjeçare ai bëhet kancelari më i moshuar i Gjermanisë që nga Konrad Adenauer, i cili mori detyrën në moshën 73-vjeçare.

Karriera politike e Merz-it ndahet në dy faza: përpara dhe pas epokës Merkel. Në vitin 2002, kur Angela Merkel mori drejtimin e grupit parlamentar të CDU-së dhe më vonë u bë kancelare, Merz u tërhoq nga skena politike. Ai kishte ambicie për postin e kancelarit që herët, por CDU/CSU zgjodhi si kandidat Edmund Stoiberin, i cili humbi përballë Gerhard Schröderit. Më pas Merz u përqendrua në karrierën si jurist dhe nuk kandidoi më për Bundestagun në 2009.

Jurist, menaxher, orator

Me origjinë nga rajoni Sauerland në perëndim të Gjermanisë, Merz është katolik dhe jurist, si babai i tij. Në vitin 1989 u zgjodh deputet në Parlamentin Europian, ndërsa në vitin 1994 kaloi në Bundestag. Dallohej për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe oratorinë e fuqishme.

Gjatë periudhës larg politikës Merz u bë figurë qendrore në sektorin financiar. Nga 2016 deri më 2020, ai ishte kryetar i bordit mbikëqyrës të BlackRock në Gjermani  një fakt që për disa është avantazh, por për kritikët mbetet pikë e dobët për shkak të mungesës së përvojës qeveritare.

Angela Merkel,dhe Friedrich Merz, kryetar i grupit parlamentar të CDU/CSU, duke biseduar dhe qeshurAngela Merkel,dhe Friedrich Merz, kryetar i grupit parlamentar të CDU/CSU, duke biseduar dhe qeshur

Kurs më konservator

Merz përfaqëson një krah më konservator brenda CDU-së. Ai nuk e mbështeti kriminalizimin e përdhunimit brenda martesës në vitin 1997 dhe ka qenë mbrojtës i fortë i energjisë bërthamore. Po ashtu, ai bën thirrje për më pak burokraci dhe më shumë përgjegjësi individuale.

Në vitin 2023 ai shkaktoi debat me kritikat ndaj integrimit të refugjatëve: “Ka njerëz që nuk kanë ç’kërkojnë në Gjermani… që i tolerojmë prej kohësh duke mos i deportuar, dhe pastaj habitemi kur shohim se si baballarët u mohojnë mësuesve, sidomos mësueseve, çdo autoritet mbi fëmijët e tyre, që sillen sikur të ishin ‘pashallarë të vegjël’.”

Rënie e besueshmërisë

Edhe pse fitoi zgjedhjet në shkurt 2025, popullariteti personal i Merz-it ka rënë. Vetëm 21% e gjermanëve e konsiderojnë të besueshëm, sipas një sondazhi të muajit prill. Vetëm 40% e shohin si lider të fortë dhe 27% mendojnë se ai “e kupton çfarë i shqetëson njerëzit”.

Rënia e besueshmërisë lidhet edhe me manovrat e tij politike: në janar 2025 CDU miratoi një mocion në Bundestag me votat e ekstremit të djathtë AfD  diçka që Merz e kishte përjashtuar më parë. “Ne nuk do të bashkëpunojmë me partinë që e quan veten Alternativa për Gjermaninë,” deklaroi ai më 3 shkurt. Po ashtu, në mars ra dakord me SPD dhe Të Gjelbrit për të zbutur frenën e borxhit, duke hapur rrugë për 1 trilion euro kredi  një kthesë që i zemëroi votuesit konservatorë.

Mesazh për Donald Trump

Në politikën e jashtme Merz është pro dërgimit të raketave Taurus në Ukrainë  duke kaluar vijën e kuqe të paraardhësit Olaf Scholz. “Nuk jemi palë në këtë luftë dhe nuk duam të bëhemi të tillë. Por as nuk jemi spektatorë të painteresuar,” tha ai në një intervistë për ARD më 28 prill.

Merz kërkon që Gjermania të marrë rol udhëheqës në Evropë dhe NATO. “Mesazhi im për Donald Trump është: Gjermania është kthyer në rrugën e duhur,” deklaroi ai më 9 prill. “Ne do të përmbushim detyrimet për mbrojtjen dhe do të forcojmë aftësinë tonë konkurruese  jo vetëm për Gjermaninë, por për gjithë BE-në.”

Udhëtimet e tij të para si kancelar janë simbolike: Paris, Varshavë. Dhe, shumë shpejt, ndoshta edhe Tirana, ku më 16 maj mbahet takimi i radhës i Komunitetit Politik Evropian./DW

LDK-ja: Qeveria tranzicionale, e vetmja zgjidhje për ta zhbllokuar situatën

Së fundmi, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se formimi i një qeverie tranzicionale është e vetmja zgjidhje për zhbllokimin e situatës dhe për konstituimin e institucioneve për një afat të caktuar, përcjell albinfo.ch.

Ajo shtoi se partitë duhet të bashkohen e të adresojnë problemet e shumta të qytetarëve, veçanërisht ato në sektorin e energjisë:

“Po shihet kush po bllokon. Kur nuk i kanë numrat, si rasti i Vetëvendosjes, nuk mund të diktosh mënyrën e të tjerëve se si propozojnë të zhbllokohet formimi i institucioneve. Qeveria tranzicionale kish me zhblloku situatën komplet dhe do të konstituoheshin institucionet. Do të kishte agjendë të qartë dhe afat të caktuar kohor.  Po presim përgjigje zyrtare nga liderët e partive për propozimin. Besojmë se, për momentin, e vetmja zgjidhje për të zhbllokuar institucionet. Nga 1 qershori, 1270 kompani dalin në tregun e hapur të energjisë, me vendim të ZRRE-së dhe kjo është fatale. Ky është anashkalim i problemeve të qytetarëve që po bëjmë nga kjo sallë, veçanërisht me vetëvendosjen e cila po insiston ta bëjë Haxhiun kryeparlamentare”, ka thënë ajo.

Ajo i është përgjigjur edhe deputetes të PDK-së, Ganimete Musliu, që e akuzoi LDK-në se po frikësohet të hyjë në pushtet qoftë me VV-në apo me opozitën.

“Nuk e di çfarë mendojnë të tjerët për definicionin e frikës. Nëse do të ishim të interesuar për pushtet, do të hynim në koalicion me VV-në. Nuk është frikë, është premtim që i kemi dhënë qytetarët. VV-ja e ka krijuar këtë hendek, që për momentin është i pakalueshëm”, ka shtuar Bajrami.

Krasniqi: Për Kurtin, Haxhiu është më e rëndësishme se qytetarët

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po e mban peng Kuvendin e Kosovës, teksa tha se “deputeti Albin Kurti po e sheh më të rëndësishme Albulena Haxhiun sesa qytetarët e Kosovës”, përcjell albinfo.ch.

Krasniqi, pas seancës, tha se Kosova duhet t’i ketë institucionet e konsoliduara sa më parë, duke shtuar se VV-ja duhet ta ndryshojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

“Ky është degradim që asnjë s’e ka paramenduar se do të ndodhë ndonjëherë. Është dhunim i verdiktit të qytetarëve. Pasnesër bëhen tri muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.

Ky Kuvend ka obligim të konstituojë organizmin përfaqësues të secilit qytetar, por tendenca e VV-së, mospajtimi se s’kanë shumicë, po e mban peng këtë proces”, ka thënë Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka shtuar se kandidatja e VV-së për kryeparlamentare “do të dështojë sa herë që vjen në Kuvend”.

“Ftoj deputetin Albin Kurti që të na tregojë se a e ka më të rëndësishme Albulena Haxhiun, apo qytetarët. Për deputetin Kurti, Haxhiu është më e rëndësishme se qytetarët”, u shpreh ai.

Problematikat me votën e diasporës, më shumë regjistrime, më pak zarfe të mbërritura

Tashmë dihet se në zgjedhjet e 11 majit diaspora voton për herë të parë, duke i bërë këto zgjedhje historike për vendin dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë, të cilët do të shprehin vullnetin e tyre me votë, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë në faqen e KQZ-së dedikuar zgjedhësve nga jashtë shihet se votat e diasporës të mbërritura në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbeten ende në nivele të ulëta krahasuar me regjistrimet e emigrantëve.

Referuar KQZ-së, lista e zgjedhësve nga jashtë vendit është  245.935 persona, 224.628 zarfe janë marrë nga zgjedhësit dhe 144.783 zarfe kanë mbërritur në KQZ.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në një deklaratë të martën ka renditur disa nga problematikat që janë hasur në procesin e votimit në diasporë. 21 mijë fletë votimi nuk janë shpërndarë tha ai, ndërsa 11 mijë prej tyre rrezikojnë të mos shpërndahen deri ditën e fundit pasi zgjedhësit kanë pasaktësi në të dhënat e regjistruara.

21 mijë zarfe kompania nuk i ka shpërndarë akoma. 11 mijë janë për shkak të problematikave për saktësi adrese, e-mail, kontakti apo numër telefoni, pra nuk janë mundur të gjenden zgjedhësit dhe janë në zyrat e tyre. I kemi bërë thirrje para disa ditësh këtyre votuesve që të shkonin te shërbimi DHL i vendit përkatës dhe të interesoheshin. Pjesa tjetër janë që DHL i ka telefonuar apo njoftuar dhe nuk u janë përgjigjur thirrjeve dhe deri në datën 8 maj kanë kohë për të shkuar. Kompania pret që vetë zgjedhësit të shkojnë vetë”, tha Celibashi.

Numri më i madh i të regjistruarve në diasporë që nuk kanë votuar ende vijon të jetë në Greqi, aty ku pjesëmarrja është 9.6%, ndërsa përqindja e të regjistruarve është 27.8%. Konkretisht janë 68.380 emigrantë të regjistruar në Greqi, por i kanë kthyer mbrapsht këto zarfe 23.640 qytetarë që jetojnë e punojnë në shtetin helen.

Partia Demokratike i është drejtuar me një shkresë KQZ ku kërkon “vënien në dispozicion të të gjitha komunikimeve, provave dhe dokumentacionit me të cilin operatori postar vërteton dorëzimin e zarfit dhe materialit zgjedhor te çdo zgjedhës”. Ndërkaq, drejtuesja politike për diasporën, Jozefina Topalli tha në një dalje për mediat se persona të caktuar në shkelje të ligjit po manipulojnë vullnetin e emigrantëve dhe se zarfet po tërhiqen nga persona të tjerë, ndërsa ngriti gishtin e akuzës ndaj socialistëve.

Kemi raste si në Itali, që një zonjë që punon në ambasadën në Romë, shkon e mbledh zarfet dhe i dorëzon zarfet në mënyrë antiligjore. Quhet Marjeta Mikeli dhe kjo është e pabesueshme, jo se nuk e kanë bërë gjatë regjistrimit, por tani kanë kaluar çdo masë. Por nëse Itali është më e kufizuar, por zonja do të merret nën hetim, ajo që po ndodh në Greqi është në të gjithë territorin e shtetit grek dhe shqetësimi është jashtëzakonisht i madh. Kemi informacione që marrin makina me qira dhe i çojnë në Greqi për të mbledhur votat”, tha Topalli.

Kryeministri Edi Rama iu ka bërë thirrje emigrantëve në Greqi që mos të humbasin mundësinë për të shprehur vullnetin e tyre. Rama përgënjeshtroi akuzat e opozitës se vota e emigrantëve në Greqi po manipulohet.

Ju lutem shumë të gjithëve dhe në mënyrë të veçantë atyre që janë regjistruar për të më mbështetur mua dhe PS të mos lënë pa votuar. Salamandra blu kishte nxjerrë ca zarfa në rrugë dhe pretendonte që ishin zarfa të kapur, nuk e di se si. Mund t’i fotografosh në rrugë dhe të thuash që këto po t’i bën narkoregjimi, por këto nuk i ha njeri”, tha Rama.

Ndërsa, Celibashi ka theksuar se KQZ trajton çdo ankesë bazuar në prova konkrete dhe jo në deklarata politike të partive. KQZ u ka bërë apel qytetarëve që të raportojnë në sistemin PER (Platformën Elektronike për Regjistrimin e votuesve nga jashtë) çdo problem në lidhje me marrjen e dokumentacionit zgjedhor. Theksohet se vetëm në këtë mënyrë KQZ merr njoftim për problemin në fjalë dhe mund ta adresojë atë. Ndërkaq fleta e votimit mund të dërgohet mbrapsht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duke llogaritur kohën që ajo të mbërrijë në këtë institucion, jo më vonë se ora 19:00 e datës 11 maj.

Dështon edhe përpjekja e 12-të për konstituimin e Kuvendit

Për të 12-tën herë ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill, dhe që nga atëherë kanë kaluar vetëm dy pika të rendit të ditës. Ngërçi është krijuar te pika e tretë, që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Edhe në seancën e sotme, sikurse në tri të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar të ndërrojë formën e votimit, nga i hapur në të fshehtë, por komisioni që duhet të mbikëqyrte këtë proces nuk ka marrë votat e mjaftueshme.

Komisioni Evropian: Është në interes të Kosovës t’i formojë sa më shpejt institucionet

Së fundmi, Komisioni Evropian, përmes komisioneres për zgjerim, Marta Kos, është shprehur se është në interes të Kosovës që sa më parë t’i formojë institucionet e saja, përcjell albinfo.ch.

Këtë Kos e ka thënë të martën mbrëma në një debat në Parlamentin Evropian, kushtuar raportit për Kosovën.

Ky raport, i përgatitur nga raportuesi Riho Terras, pritet të votohet sot gjatë ditës në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

“Është në interesin e Kosovës që t’i formojë sa më parë institucionet e saja për t’i çuar përpara reformat urgjente evropiane”, ka thënë Kos, duke veçuar edhe nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve që lidhen me Planin për Rritje, i cili, sipas saj, duhet të trajtohet me prioritet nga Qeveria dhe Kuvendi i ri.

“Kjo do të mundësonte lirimin e fondeve nga ky instrument, me kusht që të përmbushen të gjitha kriteret e tjera”, ka shtuar ajo.

Ajo ka përsëritur edhe nevojën që Kosova të përmbushë, pa vonesa, obligimet e saja nga Marrëveshja e Ohrit, në kuadër të dialogut me Serbinë.

Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, komisionerja Kos është shprehur se Komisioni është i gatshëm që ta nisë punën për përpilimin e mendimit për kërkesën e Kosovës sapo ta marrë një mandat për një gjë të tillë nga Këshilli i BE-së.

Ndërkaq, raporti i Parlamentit Evropian, i cili ishte miratuar më herët nga Komisioni i Politikës së Jashtme, përshëndet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe i bën thirrje vendeve anëtare që të nisin punën për ta shqyrtuar këtë kërkesë. Po ashtu, Parlamenti Evropian, edhe me këtë raport, kërkon nga pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si në raportin për njërin ashtu edhe për tjetrin shtet, Parlamenti Evropian kërkon që të angazhohen sinqerisht për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve, “përmes një marrëveshjeje ligjërisht obliguese të bazuar në njohje të ndërsjellët”.

Pritja e gjatë e Ajetit për shpërthimin te Baseli

Albian Ajeti shkëlqeu të dielën në fitoren 5:1 të Baselit ndaj Servettes. Me këtë fitore Baseli është afruar shumë pranë titullit të kampionit të Zvicrës në futboll, transmeton albinfo.ch.

Sulmuesi 28-vjeçar realizoi dy gola, ndërsa e kishte edhe një asistim. Për një ndeshje e një paraqitje si kjo, Ajeti ka pritur gjatë.

Ai është dashur të presë plot 183 ditë për golat e radhës në kampionat.

Në fillim të edicionit ai luante rregullisht për Baselin, por mbeti shpesh në stol kur u transferua Kevin Carlos.

Golin e kaluar e kishte shënuar më 2 nëntor në fitoren 5:0 ndaj Winterthurit. Tani i ka shtatë gola e gjashtë asistime në 27 paraqitje.

“Isha pranë në disa nga ndeshjet e kaluara dhe e kam ditur se goli do të vijë herët apo vonë”, ka thënë Ajeti, shkruan “Blick”, përcjell albinfo.ch.

Javën e kaluar, Xherdan Shaqiri ishte futbollisti i javës, ndërsa këtë javë është shpallur Albian Ajeti, i cili po ashtu luan për Baselin.

Ai nuk ka dyshuar se do të kthehet te goli. Thotë se gjithnjë është në shërbim të skuadrës. Ajeti bëri një festë të veçantë pas golit të shënuar. Lidhi duart, ndërsa mes këmbëve të tij u shtri bashkëlojtari Dominik Schmid. Ajeti ka treguar se ideja për një festë të tillë ishte e fotografit të Baselit.

“Ai na propozoi dhe ne e bëmë. Është argëtuese, pse jo?”, ka thënë Ajeti.

Baseli po e pret titullin që nga viti 2017. Dhe është shumë pranë që ta fitojë atë. 

“Vetëm kur të vijë koha do t’i pranoj urimet. Por nuk është ende koha. Natyrisht, e kemi në dorën tonë.

Nëse paraqitemi si në javët e fundit, asgjë e pazakontë nuk mund të ndodhë”, ka theksuar Ajeti.

Ndeshja e ardhshme e Baselit është me Luganon. Dhe në atë ndeshje mund të sigurohet titulli.

“Nuk ka rëndësi se si e fitojmë titullin. Gjëja kryesore është ta fitojmë. Tani kemi një tjetër ndeshje të vështirë në Lugano. Duam ta përfundojmë punën atje”.

Pas 34 ndeshjeve, Baseli udhëheq me 64 pikë, nëntë më shumë se Servette e vendit të dytë. Deri në fund janë edhe katër xhiro. Më 1 qershor, Baseli luan edhe në finale të Kupës së Zvicrës. Përballë do ta ketë skuadrën e kategorisë së tretë, Biel.

 

Përpjekje tjetër për konstituim, VV insiston në emrin e Haxhiut

Nga ora 10:00 do të bëhet përpjekja e të 12-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Seanca do të fillojë në orën 10:00.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë dhënë sinjale se do të vazhdohet me propozimin për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61. LDK ka dalë dje me një propozim për zgjidhjen e ngërçit.

Përpjekja tjetër për konstituimin e Kuvendit do të ketë sërish sot. Seanca konstituive do të vazhdojë në orën 10:00.

Në tri seancat e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar ta ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë.

lg.php.gif

Secilën herë kjo është kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat kanë refuzuar të propozojnë anëtarë të Komisionit.

Edhe sot pritet të ndodhë e njëjta gjë. Për këtë ka dhënë sinjale deputeti Hekuran Murati.

Ai e ka lidhur me votimin në Bundestag për kancelarin e Gjermanisë, ku Friedrich Merz u zgjodh sot me votim të fshehtë.

Sipas Muratit, e njëjta formë votimi do të duhej të ishte edhe në Kosovë, për të mundësuar zgjidhjen e ngërçit.

“Votimi i fshehtë është formë demokratike për shprehje të vullnetit të lirë të deputetëve, dhe do të mundësonte zgjidhjen e ngërçit për konstituimin e Kuvendit edhe tek ne. Bllokada që opozita po vazhdon t’ia bëjë konstituimit të Kuvendit është jashtë çdo arsyeje. Është për t’u marrë shembull sjellja e partive gjermane, që, megjithëse votimi për kancelar në herën e parë dështoi të prodhonte rezultat, askush nuk e bëri temë ndërrimin e kandidatit dhe askush nuk kërkoi qeveri tranzicioni”, ka shkruar Murati.