Kosova e SHBA-ja me marrëveshje për bashkëpunim në siguri e komunikim

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për ndërveprueshmëri dhe siguri në komunikim, përcjell albinfo.ch.

Marrëveshja u nënshkrua të martën ndërmjet komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, dhe gjeneralit amerikan, John Philips, ku u tha se kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë që mundëson shkëmbimin e informacioneve të sigurta.

Gjithashtu, marrëveshja përfshin edhe shkëmbimin e informacioneve kriptografike dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar të mbrojtjes nga FSK-ja.

Jashari dhe Philips diskutuan edhe për rreziqet nga sulmet kibernetike dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë së informacionit dhe komunikimit.

“Marrëdhëniet e FSK-së me aleatët e saj strategjikë janë të rëndësishme në fuqizimin dhe zhvillimin e saj, e në linjë me këtë, Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM) do të vazhdojë të luajë një rol kyç në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Kosova lihet jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave në KiE

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është lënë jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave, përcjell albinfo.ch.

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës mblidhet të martën dhe të mërkurën në Luksemburg.

Para nisjes së mbledhjes së parë të Komitetit të Ministrave, pa përfshirjen e çështjes së anëtarësimit të Kosovës, zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, tha se “Kosova nuk figuron si pjesë e agjendës”.

Në një reagim në Facebook, zv/ministri Ahmeti tha se Kosovës i janë vendosur padrejtësisht “kërkesa jozyrtare” për anëtarësim.

“Megjithëse të gjitha standardet janë përmbushur dhe secili kriter është plotësuar, anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk është përfshirë në agjendën e ministerialit të Këshillit të Evropës, i cili mbahet sot dhe nesër në Luksemburg”, tha Ahmeti.

Ai tha se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, e cila vitin e kaluar ia dha dritën e gjelbër kërkesës së Kosovës për anëtarësim, është mekanizmi i fundit që adreson nëse janë plotësuar kriteret. “Komiteti i Ministrave nuk ka vepruar asnjëherë në kundërshtim me opinionet e Asamblesë Parlamentare dhe vonesa aktuale në adresimin e opinionit të saj për Kosovën është e paarsyeshme. Është pikërisht Asambleja Parlamentare ajo që përcakton kriteret e anëtarësimit, siç tregojnë rastet e anëtarësimit të Monakos dhe Armenisë. Askund nuk parashihen ‘kritere jozyrtare’, të cilat po i kërkohen Kosovës në mënyrë të padrejtë”, tha zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme.

Sipas Ahmetit, ky trajtim nga Komiteti i Ministrave të KiE-së “është një sinjal shqetësues për rajonin”, veçanërisht në kontekstin e ri pas takimeve të liderëve politikë dhe fetarë të Serbisë me presidentin Putin.

Në prill të vitit 2024, raportuesja për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, paraqiti raportin e saj në Asamblenë Parlamentare, duke theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e anëtarësimit. Ky raport u miratua me mbi 80% të votave në favor.

Nga 15 maji, Osmani nis përpjekjet për zhbllokim të Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të fillojë konsultimet me partitë politike në përpjekje për të konstituuar Kuvendin e Kosovës. Këtë e konfirmoi këshilltari për media i presidencës, Bekim Kupina. “Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, tha Kupina. Më 11 maj, për të katërmbëdhjetën herë më radhë, deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Derisa partitë e tjera politike nuk përkrahin zgjedhjen e Albulena Haxhiut në pozitën e kryetares së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje që fitoi zgjedhjet, vazhdon të insistojë se nuk do të propozojë emër tjetër për kryeparlamentar.

Sa herë që emri i Haxhiut u hodh në votim, nuk mori votat e nevojshme për tu zgjedhur në këtë pozitë. Ditë më parë kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi që për kryeparlamentarin të votohet përmes votës së fshehtë. Por as për këtë proces, në seancat e kaluara nuk u siguruan votat e nevojshme dhe procesi ka ngecur.

Më 11 maj, pas dështimit të fundit për konstituimin e Kuvendit, Donika Gërvalla, deputete e Vetëvendosjes dhe ministre e Jashtme në detyrë, nuk tregoi qartë nëse do t’i përgjigjeshin ftesës së presidentes. Gërvalla deklaroi se “duhet ta marrim ftesën dhe të shohim se çfarë përmban ajo dhe për çfarë na thërret ajo”.Partitë e tjera përfshirë, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në kanë thënë se janë të hapura për të marrë pjesë në një takim me presidenten. Dr. Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë javën e kaluar se “ndërhyrja e presidentes është e nevojshme në këtë fazë, qoftë për të lehtësuar një dialog ndërpartiak, apo për të kërkuar sqarime nga Gjykata Kushtetuese për të dalë nga kriza aktuale”.

Ndërkohë, më 12 maj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dërguar të hënën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit. Time Kadrijaj nga ky subjekt politik tha se kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim ndryshimin e votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Kërkesa është mbështetur edhe nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Derisa Vetëvendosje, si partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, insiston se votimi i fshehtë është ligjor dhe kushtetues, partitë e tjera, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, kanë kundërshtuar një gjë të tillë. Liderët e tri partive kryesore shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës  pak kohë pasi pranuan ftesat, njoftuan për pjesëmarrjen e tyre në takimet me presidenten Osmani.

Të gjitha fluturimet pezullohen në Aeroportin e Brukselit pas kërcënimit me bombë

Të gjitha fluturimet për në dhe nga Aeroporti i Charleroi Jugor i Brukselit janë pezulluar pas një kërcënimi me bombë të raportuar, raportuan mediat belge të martën, përcjell albinfo.ch.

Sipas mediave të huaja, u tha se një bombë ndodhej në bordin e një fluturimi të Ryanair që po i afrohej aeroportit nga Portugalia pak para orës 11:00.

Aeroplani u devijua në një zonë të veçantë të aeroportit dhe u krijua një perimetër sigurie, tha një zëdhënës i aeroportit për mediat lokale.

Autoritetet e aeroportit ndaluan të gjitha fluturimet, por thanë se terminali nuk po evakuohej pasi është jashtë perimetrit 500 metra.

Policia thuhet se po kryen kontrolle sigurie dhe do të përcaktojë se kur mund të rifillojë trafiku ajror.

“Kurti pranoi ftesën e presidentes Osmani”

Në një deklaratë për media, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti ka pranuar ftesën e presidentes Vjosa Osmani për pjesëmarrje në takimin me partitë politike, përcjell albinfo.ch.

“Besoj që përgjigja është pozitive për pjesëmarrje në takim,” tha Kusari-Lila.

Ajo theksoi se takimi ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit, duke shtuar se zyra e presidentes nuk duhet të përdoret për marrëveshje politike, por për të diskutuar krizën aktuale dhe mundësitë për zhbllokim institucional.

“Kryetari Kurti ka marrë ftesën dhe besoj që përgjigja është pozitive për pjesëmarrje në takim. Rikujtojmë që takimi ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit, për arsye se nuk mundet që zyra e presidentes të përdoret për marrëveshje politike, por do të diskutohet ky proces që po dështon për shkak të mungesës së pjesëmarrjes në votim dhe për hapat e mëtejshëm,” u shpreh ajo.

“Po shihet që, përderisa po vazhdon kjo përpjekje, në anën tjetër po zhvillohet një përpjekje jashtë kësaj ndërtese, e pasuksesshme për proceset, siç e pamë tek ndikimi në tërheqjen e vendimit të ZRrE-së. Kjo është për fat të keq jo vetëm për formën se si po ndodh jashtë Kuvendit, por edhe për mungesën e pjesëmarrjes në votim,” shtoi Kusari-Lila.

Eurovision: Finalistët do të shpallen me metodën e re

Së fundmi, Eurovision 2025 ka prezantuar një metodë të re dhe, siç pretendojnë ata, më tensionuese për shpalljen e finalistëve, përcjell albinfo.ch.

Në natën e parë gjysmëfinale, finalistët nuk do të shpallen më thjesht duke lexuar emrat e vendeve, por tre vende do të shfaqen në ekran njëkohësisht dhe prezantuesit do të shpallin më pas njërin prej tyre që do të kalojë tutje.

U bë një përpjekje për ta futur ndryshimin në fuqi në vitin 2023.

Dy vendet e mbetura nuk do të eliminohen në atë pikë, por statusi i tyre do të zbulohet më vonë.

Në fund fare, kur të shpallet finalisti i dhjetë i fundit, gjashtë vendet e mbetura do të shfaqen në ekran.

Një shembull i mënyrës së re të njoftimit: Suedia, Kroacia dhe Portugalia shfaqen në ekran dhe pas pak çastesh prezantuesit lexojnë se Suedia po kalon në finale.

Statusi i Kroacisë dhe Portugalisë mbetet i panjohur deri në njoftim të mëtejshëm.

Në vitet e fundit, organizatorët kanë provuar modele të ndryshme për ta bërë shpalljen më interesante.

Si kujtesë, nata e parë gjysmëfinale fillon në orën 21:00. Nga 15 interpretues, 10 do të kalojnë në finale dhe shikuesit do të kenë gjithashtu mundësinë të shohin performanca nga përfaqësues nga Italia, Zvicra dhe Spanja, të cilët do të kalojnë direkt në finalen e madhe.

Votat e diasporës: Ja kush kryeson deri më tani

Numërimi i votave nga diaspora po vijon në Parkun Olimpik në Shqipëri, ku deri tani janë numëruar 45.470 zarfe nga një total prej 194.889 që kanë mbërritur nga shqiptarët jashtë vendit.

Për momentin, Partia Socialiste kryeson me një rezultat domethënës prej 54.57% të votave të diasporës, duke marrë gjithsej 24.629 vota.

Pas saj, renditet Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) me 28.44% të votave, ose 12.837 vota të marra nga shqiptarët jashtë vendit, transmeton albinfo.ch.

Po ashtu, Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë 8.44% të votave, duke siguruar gjithsej 3.810 vota. Ndërkohë, Partia Mundësia ka marrë 3.26% të votave, ose 1.471 vota. Lëvizja Bashkë ka mbështetje nga 2.60% e votuesve, ose 1.174 vota.

Partitë më të vogla si Partia Socialdemokrate (0.98%), Partia Koalicioni Euroatlantik (0.67%), Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare (0.58%) dhe Koalicioni Djathtas për Zhvillim (0.28%) kanë siguruar një numër më të vogël votash, por ende janë pjesë e procesit të numërimit. Lëvizja Atdheu dhe Partia Aleanca Demokracia e Re kanë siguruar gjithsej 0.14% dhe 0.04% të votave, respektivisht.

Shaqiri, Futbollisti i Javës në Zvicër

Xherdan Shaqiri vazhdon të shkëlqejë në futbollin zviceran.

Në ndeshjen e fundit, ishte hero për Baselin, duke shënuar tre gola ndaj Luganos në udhëtim, përcjell albinfo.ch.

Edhe pse skuadra e tij ishte me dhjetë futbollistë në fushë, ai shënoi tre gola në pjesën e dytë, në fitoren prej 2:5.

Kjo fitore ndihmoi Baselin të fitojë titullin në Zvicër, tri xhiro para fundit të kampionatit.

Më meritori padyshim ishte Xherdan Shaqiri, me 18 gola e 20 asistime.

Ai është i pari në listën e shënuesve dhe i pari sa i përket asistimeve.

Pas protestave, Trendafilova anulon konferencën

Bëhet e ditur se është anuluar takimi dhe konferenca e kryetares së Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.

“Për shkak të sigurisë publike është anuluar takimi i sotëm. Nuk dihet nëse do të ketë takim tjetër në ditët në vijim,” konfirmoi Angela Griep.

Ndryshe, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kundërshtuar vizitën e kryetares së Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Ata po protestojnë kundër vizitës së Trendafilovës, ndërsa një numër i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë të pranishëm.

Njësia Speciale ka blinduar hyrjen ku është paralajmëruar takimi i Trendafilovës, ndërsa protestuesit po brohorasin “UÇK, UÇK”.

Protestuesit hodhën edhe tymuese.

Më së shumti fëmijë në Zvicër lindin të premteve

Fëmijët në Zvicër lindin gjatë javës, veçanërisht të premteve. Këtë e tregon raporti i fundit i publikuar nga Enti Federal i Statistikave, transmeton albinfo.ch.

Në vitin 2023, shpjegohet se “në spitalet zvicerane lindnin mesatarisht 237 të porsalindur çdo ditë jave, krahasuar me një mesatare prej 181 në një ditë fundjave. E premtja ishte dita me numrin më të madh të lindjeve (16% e totalit) dhe e diela dita me numrin më të ulët (11%). Kjo ndarje thekson praktikat e veçanta që ju lejojnë të ndikoni në kohëzgjatjen e lindjeve.”

94% e lindjeve ishin planifikuar gjatë javës, dhe induksionet e lindjes, sipas Zyrës Federale të Statistikave (FSO), në vitin 2023 përfshinin 14,626 lindje të indukuara dhe 21,342 lindje me prerje cezariane nga gjithsej 79,200 lindje. Për më tepër, “spitalet regjistrojnë më shumë pranime të grave që lindin gjatë ditëve të javës sesa të shtunave dhe të dielave.” Situata është e ndryshme në shtëpitë e lindjes, ku 1600 lindjet e regjistruara në vitin 2023 u shpërndanë në mënyrë të barabartë gjatë gjithë javës, me një diferencë prej më pak se 11% midis ditës me numrin më të madh të lindjeve dhe ditës me më pak lindje, që ishte e mërkura.

Prerjet cezariane parësore të planifikuara ia kalonin në numër atyre sekondare (55%) krahasuar me rastet urgjente (45%). Shkalla e përgjithshme e seksioneve cezariane është rritur pak që nga viti 2019, duke arritur në 34%, më shumë se përqindja në Itali. Vendet evropiane me shkallën më të lartë të prerjeve cezariane kanë shifra të ngjashme. Por ka edhe dallime të rëndësishme midis kantoneve, me aksione prej 41% për Schaffhausen dhe 40% për Cyrihun dhe Zug. Në fund të listës janë Thurgau dhe Appenzell Ausserrhoden, si dhe të gjitha kantonet e Zvicrës frëngjisht-folëse, me aksione prej më pak se 29%. Gjatë viteve, këto përqindje janë ulur me 6.1 dhe 4.2 pikë përqindje respektivisht, për t’u vendosur në 27 dhe 29% në vitin 2023.

Nga 64,573 lindje të paplanifikuara me prerje cezariane, 33% e grave që kishin lindur në mënyrë natyrale kanë lindur pa ndihmë instrumentale (71%), më shpesh sesa gratë që kishin lindur pas stimulimit artificial (62%). Gjatë ditëve të javës, numri i lindjeve të shkaktuara ishte 30% më i lartë se në fundjavë. Shkalla e lindjeve të stimuluara ishte 30% në spitalet e kujdesit parësor, 32% në spitalet me kujdes të centralizuar dhe 42% në spitalet universitare.

 

 

Zvicra, vendi ideal mikpritës për marrëveshjet tregtare të SHBA-së

Duket se takimi mes zyrtarëve të tregtisë amerikane dhe kineze në Gjenevë i ka dhënë rezultat Zvicrës.

Dy ekonomitë më të mëdha në botë dukej se kishin gjetur një marrëveshje mbi tarifat që duhet të nxisin tregtinë.

Por përdorimi i Zvicrës si vend pritës ka shkuar mirë edhe në Uashington, transmeton albinfo.ch.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, po sugjeron se ky vend do të jetë i radhës për një marrëveshje pas Kinës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Zvicra është një investitor i madh në SHBA, gjë që Bessent e pranon se është e pabesueshme për një vend me vetëm 9 milionë banorë.

Ai thotë se pret midis 100 dhe 150 miliardë CHF investime të reja zvicerane në SHBA.

Më pak borë bie në akullnajat zvicerane këtë sezon

Akullnajat zvicerane panë 13% më pak borë dimri se mesatarja 2010–2020, sipas Rrjetit Zviceran të Monitorimit të Akullnajave.

Në 21 akullnaja të matura, nivelet e borës ishin deri në 52% nën normale; akullnaja Silvretta në Graubünden arriti një rekord të ulët, përcjell albinfo.ch.

Një mot i kthjellët veri-jug është shfaqur. Akullnajat verilindore patën reshje dëbore veçanërisht të dobëta, ndërsa Ticino dhe Valais jugor ishin më afër mesatares, falë borës së mesit të prillit.

Edhe pse më mirë se dimrat e thatë të 2022 dhe 2023, ekspertët paralajmërojnë se shkrirja e hershme e borës mund të shkaktojë humbje të konsiderueshme të akullnajave këtë verë.

Nga Suedia, Rina Januzi nominohet në “Netët e Klipit Shqiptar 2025”

Këngëtarja Rina Januzi, me prejardhje nga Kosova, që jeton në Finlandë ku punon si pedagoge e muzikës, është në garë në “Netët e Klipeve Shqiptare 2025” me këngën e saj “Ten Thousand Miles”  një videoklip i bukur dhe plot emocion, transmeton albinfo.ch.

“Jam e nominuar me videoklipin tim (Berat Hasani) ‘Ten Thousand Miles’ në ‘Netët e Klipit Shqiptar 2025’, në mesin e 45 videoklipeve të tjera në të gjithë shqiptarinë. Kam nevojë për votën tuaj, që mund ta jepni përmes këtij linku”, është shprehur ajo.

Le ta mbështesim Rinën duke votuar për të në këtë link.👇

https://www.neteteklipitshqiptar.com/main/KlipeNeKonkurim/RinaJanuzi/TenTousandMiles

🎧 Vota juaj ka vlerë  le ta përkrahim artin dhe zërin e ri shqiptar që po përfaqëson denjësisht diasporën tonë!

Prishtinë: Të shtënat me kallash dhe pistoletë, gjenden mbi 20 gëzhoja

Mbrëmë, pak para mesnatës, në rrugën “Bardhyl Qaushi” në rrugën B në Prishtinë është raportuar për të shtëna intensive me armë zjarri.

Sipas burimeve brenda Policisë, Sinjali raporton se në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja që dyshohet të jenë të armës AK-47 dhe 6 të tjera të kalibrit 9×19 mm, që dyshohet se janë shkrepur nga pistoletë, përcjell albinfo.ch.

Si pasojë e gjuajtjes janë dëmtuar dy vetura, një Mercedes dhe një BMW, të cilat ishin të parkuara në afërsi të vendit ku ka ndodhur incidenti.

Njësitet e hetimeve dhe forenzikës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë sekuestruar provat. Pronarët e veturave të dëmtuara pritet të paraqiten për të dhënë deklaratat lidhur me dëmet materiale.

Rasti është cilësuar nga autoritetet si: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar dhe mbetet nën hetim intensiv nga ana e Policisë së Kosovës.

Sinjali do të sjellë detaje të reja sapo ato të konfirmohen nga institucionet kompetente.

Sonte nis Eurovision 2025 – Shqipëria performon në gjysmëfinalen e parë

Bëhet e ditur se gjysmëfinalja e parë e edicionit të 69-të të Festivalit të Këngës në Eurovision do të mbahet sonte, duke filluar nga ora 21:00, në Bazel të Zvicrës, përcjell albinfo.ch.

Zvicra u bë mikpritëse e konkursit pasi vitin e kaluar, në Malmo, Nemo fitoi me këngën “The Code”.

Eurovisioni mbahet në St. Jakobshalle dhe prezantueset e ceremonisë janë Hazel Brugger, Michelle Hunziker dhe Sandra Studer.

Vlen të theksohet se në garë janë 37 vende.

Zvicra dhe Pesëshja e Madhe (Big 5), e përbërë nga Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe Britania e Madhe, tashmë janë të kualifikuara për finalen e 17 majit.

Vendet e mbetura janë planifikuar për gjysmëfinalet e parë dhe të dytë, të cilat zhvillohen sonte, më 13 maj, dhe të enjten, më 15 maj.

Dështon për të 15-tën herë konstituimi i Kuvendit

Sot, për të 15-në herë, deputetët e Kosovës do të mblidhen për konstituimin e Kuvendit, përcjell albinfo.ch.

I njëjti version nga LVV-ja është paraqitur në shumicën e seancave, derisa procesi ka ngelur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Në seancat e fundit, LVV nuk e ka paraqitur fare për votim emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, derisa kryesuesi Avni Dehari ka kërkuar nga partitë politike vetëm emrat e anëtarëve për Komision, që do të mundësonte votimin e fshehtë.

Qytetarët më 9 shkurt i janë drejtuar kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare, ndërsa vendi ka hyrë në muajin e katërt pa konstituimin e institucioneve.

Trendafilova në Kosovë, sot mban konferencën për media

Dje ka nisur vizitën në shtetin e Kosovës kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa gjatë ditës së sotme ajo pritet të mbajë konferencë për media.

Për herë të fundit, Trendafilova qëndroi në vendin tonë në tetor të vitit të kaluar.

Por për vizitën e saj në Kosovë ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke thënë se kjo vizitë është provokim i qëllimshëm dhe fyerje ndaj luftës së tyre çlirimtare.

“Vizita e Kryetares së Gjykatës Speciale më 13 maj në Prishtinë është provokim i qëllimshëm dhe fyerje ndaj luftës sonë çlirimtare!” kanë shkruar nga OVL-ja e UÇK-së.

“13 maji është datë e zezë në historinë tonë, themelimi i UDB-së, përndjekësi më i egër i shqiptarëve, dhe dita e rënies heroike të Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz. Të vish në këtë datë, në këtë tokë, me agjendë të njëanshme e pa ndjeshmëri historike është ofendim për çdo luftëtar dhe për çdo familje dëshmori.”

“Gjykata Speciale është padrejtësi e institucionalizuar. E themeluar për të ndjekur vetëm një palë, vetëm UÇK-në, duke anashkaluar krimet e tmerrshme serbe, ajo nuk sjell drejtësi, por hakmarrje politike. Krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim të zgjatur dhe të padrejtë, po përballen me pengesa të rënda në mbrojtje, trajtim të pabarabartë dhe qëllim të qartë për t’i dënuar që më parë se të mbarojë procesi. Kosova nuk ka për çka të turpërohet! Lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, e drejtë dhe e domosdoshme. Ne nuk do të heshtim! Liri për luftëtarët tanë!” thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.

Numërohen mbi 93 për qind e kutive në Shqipëri, Rama bën i vetëm qeverinë

Bëhet e ditur se Partia Socialiste e Edi Ramës ka marrë mbi 52 për qind të votave nga zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, pas numërimit të më shumë se 93 për qind të kutive të votimit, përcjell albinfo.ch.

Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PS-ja ka siguruar 82 ulëse në Kuvendin me 140 deputetë.

Rezultatin më të mirë kjo parti e ka marrë në Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan.

Koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike ka rënë në 51 mandate, ndërsa Partia Mundësia e Agron Shehajt ka marrë një mandat në Qarkun e Tiranës.

PSD-ja e Tom Doshit ka marrë tri ulëse, ndërsa koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet” dhe Lëvizja Bashkë kanë marrë nga një mandat.

Edi Rama dhe Partia Socialiste janë në pushtet që nga viti 2013.

Sot përpjekja e pesëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit

Ani pse kërkesa e Vetëvendosjes për votim të fshehtë tashmë i ka shkuar Kushtetueses, Kuvendi ka njoftuar edhe zyrtarisht se sot do të vazhdojë seanca konstituive në orën 10:00, përcjell albinfo.ch.

Kjo vjen pasi ka dështuar edhe seanca e 14-të, ku nuk u arrit të zgjidhej kryeparlamentarja.

Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk po arrin të marrë votat e mjaftueshme.

Të dielën, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, sërish kërkoi që votimi të bëhej i fshehtë, por prapë nuk funksionoi.

Në fund, rezultati i votimit ishte 54 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Dega e LDK-së në Zvicër shënoi 35-vjetorin e saj

Dega e LDK-së në Zvicër shënoi 35-vjetorin e saj me një tubim për historinë dhe rolin që ka pasur mërgata jonë në rrugën drejt lirisë dhe shtetformimit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“Ky përvjetor na rikujton kontributin e palodhur të shumë veprimtarëve që, edhe larg atdheut, punuan pa u ndalur për të ndërtuar ura lidhëse mes Kosovës dhe diasporës. Përkushtimi i tyre mbetet frymëzim për brezat që vijnë. Angazhimi vazhdon përherë. Sot, me përvojën e së kaluarës dhe energjinë e brezit të ri, jemi më të vendosur se kurrë ta forcojmë lidhjen mes mërgatës dhe Kosovës. Bashkë për të ardhmen”, thuhet në postimin e Lidhjes me Mërgatën. /Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/18ZpzGpeNu/?mibextid=wwXIfr

Turizmi në Kosovë: Zviceranët dhe gjermanët në krye të listës

Bëhet e ditur se në mars të këtij viti, Kosova regjistroi një rritje të dukshme të numrit të vizitorëve në hotele, me 40.239 vizitorë, një rritje prej 2.2% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), prej këtyre vizitorëve, 37.4% ishin vendorë, ndërsa 62.5% ishin të huaj, duke theksuar një prirje të vazhdueshme të rritjes së turizmit ndërkombëtar në vend, përcjell albinfo.ch.

Në total, numri i net-qëndrimeve në hotele ka arritur në 84.462, me 39.7% të këtyre qëndrimeve nga vizitorët vendorë dhe 60.2% nga të huajt. Kjo ndihmon në formimin e një panorame më të qartë për sektorin e turizmit në vend, duke demonstruar një preferencë të fortë të vizitorëve ndërkombëtarë për destinacionet kosovare.

Për sa i përket rajoneve, Prishtina është përfaqësuar më së shumti nga vizitorët e brendshëm, me 4.931 vizitorë, ndërkohë që rajoni i Pejës është përparuar më shumë në numrin e net-qëndrimeve, duke arritur në 14.562 net-qëndrime. Ky fenomen reflekton një ndarje të qartë mes preferencave të brendshme dhe atyre të huaja për hotelet e Kosovës.

Vizitorët e jashtëm: Shqipëria, Turqia, Gjermania dhe Zvicra në krye të listës

Vizitorët ndërkombëtarë kanë pasur një rritje të ndjeshme prej 4.7% krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Në këtë grup, Kosova ka tërhequr 25.173 vizitorë të huaj, me numrin më të madh të ardhur nga Shqipëria, Turqia, Gjermania dhe Zvicra, duke theksuar lidhjet e ngushta kulturore dhe ekonomike me këto shtete.

Raporti i ASK-së vë theksin në një periudhë të suksesshme për turizmin kosovar, duke treguar një zhvillim të qëndrueshëm në sektorin e mikpritjes dhe një rritje të interesit ndërkombëtar për destinacionet e Kosovës. /Albinfo.ch

Gjenevë: Anjeza Maqani diplomon me dy tituj në Universitetin Webster

Anjeza Maqani nga Prishtina ka arritur një sukses akademik duke u diplomuar me rezultate të larta në Universitetin WEBSTER në Gjenevë, një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Ajo ka përfunduar me sukses dy drejtime studimi paralelisht dhe ka marrë dy tituj akademikë në drejtimin “Science in Business Administration” dhe “Arts in Business Management”.

Universiteti Webster Geneva, i themeluar në vitin 1978, përfaqëson një model unik të arsimit amerikan në zemër të Evropës, duke kombinuar qasjen ndërdisiplinare dhe globale me cilësinë dhe standardin e lartë që ofron Zvicra si një nga vendet më të përparuara në arsim.

Kjo arritje e Anjezës është jo vetëm dëshmi e përkushtimit të saj akademik, por edhe frymëzim për të rinjtë shqiptarë që synojnë edukimin ndërkombëtar dhe suksesin profesional në arenën globale. /Albinfo.ch