Noti në Rhône është i ndaluar deri në qershor

Nuk ka not ende në Rhône.

Pavarësisht motit të ngrohtë, lumi është i ndaluar nga nesër deri më 6 qershor.

Noti, peshkimi, shëtitja me varkë dhe sportet janë të ndaluara përgjatë lumenjve Rhône dhe Arve ndërsa diga Verbois është zbrazur pjesërisht, transmeton albinfo.ch.

Operacioni, i udhëhequr nga Shërbimet Industriale të Gjenevës, pastron grumbullimin e sedimenteve që është thelbësore për parandalimin e përmbytjeve për zona si La Jonction.

Lumi do të rihapet sapo të përfundojë pastrimi, në varësi të motit.

 

 

Sa shqiptarë jetojnë në BE sipas shifrave

Në fillim të vitit 2023, në Bashkimin Evropian (BE) jetonin 27.4 milionë persona që nuk ishin qytetarë të Bashkimit Evropian, sipas të dhënave të Eurostat.

Këta përbënin 6.1% të popullsisë së BE-së. Në vitin 2023, u regjistruan 25 shtetësi jo-BE, që secila përbënte të paktën 1.0% të gjithë rezidentëve jo-BE në Bashkimin Evropian; së bashku, këto grupe përfaqësonin 74.7% të totalit, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Komunitetet më të mëdha që jetonin në BE pa pasur shtetësi të një vendi anëtar ishin shtetasit ukrainas (11.9%), turq (7.7%), marokenë (7.1%) dhe sirianë (5.3%). Ndërkohë, shtetasit kinezë (përfshirë Hong-Kongun) dhe rusët zinin përkatësisht 3.9% dhe 3.3% të numrit të përgjithshëm. Shqiptarët renditen në vendin e nëntë me rreth 2.3% të totalit të të huajve që jetojnë në BE, pas Indisë (3.2%) dhe Mbretërisë së Bashkuar (2.6%).

Shqipëria, e para në raport me popullsinë përkatëse

Në vendet e BE-së jetojnë rreth 3.2 milionë ukrainas dhe 2.1 milionë turq, sipas të dhënave të Eurostat, duke u renditur të parët në numër.

Por emigrantët nga të dy këto shtete vijnë nga vende me popullsi të mëdha, ku Turqia ka 87 milionë banorë dhe Ukraina 39 milionë banorë, duke bërë që emigrantët në raport me popullsitë e tyre përkatëse të jenë vetëm 2.4% dhe 8.4%.

Në BE, sipas Eurostat, jetojnë rreth 630 mijë shqiptarë (të dhënat nuk përfshijnë Greqinë). Kjo është e barabartë me 26% të popullsisë që jeton në Shqipëri, duke na renditur të parët në BE në raport me popullsinë, sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor. Nëse shtohen edhe ata që jetojnë në Greqi, që janë të paktën 400 mijë persona, shifra e kalon 40%.

Në nivele të larta është edhe Kosova, që renditet e dyta për shtetasit që jetojnë në BE në raport me popullsinë përkatëse, me 25.7%.

Ballkani Perëndimor vijon kryesimin, me Maqedoninë e Veriut me 19.6% dhe Bosnjë e Hercegovinën me 17.3%.

Lejet e qëndrimit, 73 mijë vetëm në 2023

Të dhëna të tjera të Eurostat bënë të ditur se në vitin 2023 u dhanë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së.

Në vitet 2022–2023 janë dhënë gjithsej 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë.

Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat, kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 920 mijë shtetas shqiptarë.

Ikja në vendet e BE-së është një nga arsyet kryesore të rënies së ndjeshme të popullsisë. INSTAT gjeti në Censin e fundit se popullsia e vendit është reduktuar me 420 mijë persona në raport me Censin e mëparshëm të vitit 2011. Në vend, sipas INSTAT, tashmë jetojnë vetëm 2.4 milionë persona.

26 deputetë britanikë kërkojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Vuçiqit

Bëhet e ditur se 26 deputetë britanikë i kanë dërguar një letër zyrtare Sekretarit të Jashtëm David Lammy, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, ligjvënësit e Mbretërisë së Bashkuar, i kanë kërkuar kryediplomatit një ndryshim rrënujësor në politikën e jashtme ndaj Serbisë.

Kjo letër është nënshkruar nga përfaqësuesit e të gjitha partive politike, në krye me Emma Lewell-Buck, e cila është kryetare e grupit parlamentar “Labour Friends of Kosovo&Western Ballkans”.

Arsye për këtë iniciativë, ishte pjesëmarrja e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në paradën ushtarake në Moskë më 9 maj, e cila shihet si demonstrim i forcës nga regjimi i Vladimir Putinit.

“Nën Presidentin Vuçiq, Serbia ka forcuar marrëdhëniet me Rusinë, duke qenë vendi i vetëm evropian që nuk ka vendosur sanksione ndaj saj që nga viti 2014,” thuhet në letër.

Deputetët britanikë shprehin shqetësimin për përpjekjet e Vuçiqit për të destabilizuar rajonin e Ballkanit dhe për lidhjet e tij me strukturat paramilitare dhe kriminale në veri të Kosovës.

Po ashtu, letra në fjalë thekson përfshirjen e drejtpërdrejtë të Milan Radoiçiqit në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, një akt që autorët e letrës e cilësojnë si “terrorizëm i mbështetur nga shteti serb”.

Ligjvënësit britanikë, theksojnë se Serbia ka përdorur një retorikë të rrezikshme nacionaliste dhe ka vazhduar të refuzojë realitetin e pavarësisë së Kosovës.

Në dokumentin zyrtar, ata i bëjnë thirrje Qeverisë britanike të ndërmarrë një sërë hapash:

  • Të dënojë publikisht retorikën përçarëse dhe veprimet e destabilizuese të Presidentit Vuçiq.
  • Të miratojë sanksione të synuara ndaj Vuçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
  • Të mbështesë më fuqishëm integrimin euroatlantik të Ballkanit dhe reformën demokratike në rajon.

Deputetët britanikë nënvizojnë se kjo letër nuk është një sulm ndaj popullit serb, por një përpjekje për të ndarë shpresat e qytetarëve për një të ardhme evropiane nga veprimet e një regjimi që “po rrëshqet drejt autokracisë”.

Publikohet agjenda, në Tiranë bëhen bashkë të premten liderët evropianë

Mësohet se takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian do të bëjë bashkë në Tiranë udhëheqës nga i gjithë kontinenti, të premten, më 16 maj, përcjell albinfo.ch.

Udhëheqësit do të takohen fillimisht në një seancë plenare kushtuar sigurisë dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Evropës.

Tema e takimit që mbahet në kryeqendrën shqiptare është “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.

47 krerë shtetesh dhe qeverish janë ftuar të marrin pjesë në këtë takim të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian.

Siç bëhet e ditur në agjendën e publikuar në faqen e Këshillit Evropian, tri tryeza të rrumbullakëta të nivelit të lartë do të zhvillohen më pas rreth temave si: siguria dhe qëndrueshmëria demokratike e Evropës, përfshirë luftën agresionale të Rusisë kundër Ukrainës, konkurrueshmëria dhe siguria ekonomike si dhe sfidat e lëvizshmërisë dhe fuqizimi i të rinjve.

BE-ja do të përfaqësohet në takim nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili do të bashkëkryesojë takimin së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Gjermani: Arrestohet mërgimtari në trenin Euro-City, kishte dokumente false

Gjatë një kontrolli rutinë në një tren Euro-City që udhëtonte përmes Gjermanisë, oficerët e Policisë Federale Gjermane arrestuan një 39-vjeçar me shtetësi shqiptare, i cili udhëtonte me një identitet italian të rremë dhe disa dokumente të tjera të falsifikuara, transmeton albinfo.ch.

Mërgimtari që prej vitit 2020 ishte regjistruar në Vorarlberg të Austrisë me të dhëna personale italiane dhe u ndalua gjatë një kontrolli të rregullt.

Fillimisht, ai paraqiti një kartë identiteti dhe një leje drejtimi italiane, të cilat rezultuan të jenë të falsifikuara pas verifikimeve të kryera nga Inspektorati i Policisë Federale në Kempten. E vetmja pjesë legjitime e dokumentacionit të tij ishte një kartë austriake sigurimi shëndetësor.

Hetimet zbuluan edhe më shumë: në pasaportën shqiptare që mbante me vete ishte fshirë viza ngjitëse dhe ishte falsifikuar vula e daljes nga vendi. Brenda kopertinës së pasaportës, policia zbuloi një tjetër identitet të fabrikuar – një kartë identiteti dhe një patentë shoferi me të dhëna krejtësisht të ndryshme.

Prokurorët publikë në Ravensburg dhe Ellwangen kishin shpallur kërkim për të në emër të vërtetë të tij, lidhur me një çështje të hapur për “vjedhje veçanërisht të rëndë”. Emri i tij nuk është bërë publik, por autoritetet sqarojnë se individi është i njohur për një histori të gjatë vjedhjesh në territorin gjerman.

Policia konfirmon se ai do të përballet me akuza për tentativë për hyrje të paligjshme, falsifikim dokumentesh, mashtrim të autoriteteve përmes identifikimit të rremë, deklarime të pavërteta dhe manipulim të dokumenteve zyrtare. Përkohësisht, ndaj tij është vendosur një depozitë sigurie prej 300 frangash zvicerane dhe ai është dëbuar drejt Tiranës, me ndalim rihyrjeje në Gjermani për një periudhë katërvjeçare.

Rasti është një ilustrim tjetër i përpjekjeve të vazhdueshme të autoriteteve gjermane për të adresuar sfidat e migracionit të parregullt dhe manipulimin e dokumenteve në hapësirën Schengen, teksa kufijtë mbeten të hapur por nën vëzhgim të rreptë.

Kryeministri britanik e uron Edi Ramën, e quan historike fitoren e tij në zgjedhje

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka uruar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për fitoren e tij në zgjedhjet e fundit, të cilën e ka cilësuar si “historike”, përcjell albinfo.ch.

Starmer përmes një postimi në rrjetin social X tha se pret me padurim që të vazhdojnë bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Urime @ediramaal për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Pres me padurim të vazhdojmë punën tonë të përbashkët për të sjellë përfitime për qytetarët punëtorë në të dy vendet tona”, shkroi Starmer.

Theksojmë se Partia Socialiste në krye me Edi Ramën renditet e para me mbi 250 mijë vota në avancë.

Kryeministri Rama mban sot fjalimin e fitores

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar se ditën e sotme në sheshin “Skënderbej” do të mbahet takimi i fitores, përcjell albinfo.ch.

“MIRËMËNGJES dhe duke ju rrëfyer se s’po i gjej dot fjalët për të shqiptuar sonte në 7 në Sheshin Skënderbej, ju falenderoj përgjunjësisht për besimin e patregueshëm e ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Zvicra-Kosova do të luajnë në Bazel

Federata Zvicerane e Futbollit ka njoftuar se në Bazel do të zhvillohen dy ndeshjet e Zvicrës, shkruan albinfo.ch.

Zvicra – Kosova do të zhvillohet më 5 shtator në stadiumin “St. Jakob Park”, Bazel, ndërsa më 8 shtator Zvicra e pret Slloveninë.

Të dy ndeshjet zhvillohen nga ora 20:45.

Takimet zhvillohen në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.

https://www.football.ch/sfv/nationalteams/a-team/news/maenner-nationalteam-heimspiele-der-wm-qualifikation-in-basel-und-genf.aspx?fbclid=IwY2xjawKRLhxleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFHR3BOWDFqUTY4MmlPV1prAR788BlHGVvBpwJGe-OymLgmiyeV5EEB2w1d0JNKedrmGBzDrAJn6Lf2fB9Nuw_aem_zjDSJru9mO4uGbb0eTVKig

Kamberi shënon gol në fitoren e Cyrihut

Klubi futbollistik Cyrihu shënoi katër gola gjatë 15 minutave të fundit të ndeshjes, të cilën e fitoi 4:1 kundër Winterthurit të martën, përcjell albinfo.ch.

Lindrit Kamberi shënoi golin për 2:1 në minutën e 78-të.

Dy minuta më parë u shënua goli i barazimit, kurse dy golat e tjerë Cyrihu i realizoi në minutat e 87-të dhe 91-të.

Dy xhiro para fundit, Cyrihu zë vendin e shtatë me 53 pikë. Winterthuri është në vendin e dhjetë me 36 pikë.

Lindrit Kamberi dhe Bledian Kransiqi kompletuan takimin.

Ledjan Sahitaj luajti deri në minutën e 60-të te Winterthuri, kurse në fushë nga minuta e 81-të u paraqit Labinot Bajrami.

55 mijë vota të pavlefshme në Shqipëri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka bërë të ditur se ka përfunduar procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave për votimin brenda territorit të Shqipërisë, në përputhje me afatet e parashikuara në Kodin Zgjedhor.

Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së:

Numri i zgjedhësve në listën brenda vendit ishte 3.467.962. Kanë votuar 1.458.251 zgjedhës, duke shënuar një pjesëmarrje prej 42.21 %. Janë konsideruar të vlefshme 1.402.820 vota, ndërsa 55.334 vota janë shpallur të pavlefshme.

Procesi i votave nga jashtë vendit vijon.

Në vijim të përpunimit të rezultateve, KQZ njofton se procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave të zgjedhësve nga jashtë vendit është ende në vijim. Deri më tani janë numëruar dhe vlerësuar 75.414 fletë votimi nga gjithsej 194.889, që përbën rreth 39 % të totalit të votave nga jashtë.

Numërohet rreth 40% e votave nga Diaspora, kryeson PS

Ende po vijon procesi për numërimin e votës së diasporës, përcjell albinfo.ch.

Referuar të dhënave më të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në këtë moment janë numëruar 79,409 zarfe nga gjithsej 194,889 që janë dorëzuar.

Rezultatet paraprake tregojnë një avantazh të ndjeshëm të Partisë Socialiste, e cila kryeson me 42,492 vota, që përbëjnë 53.97% të totalit të votave të numëruara deri tani.

lg.php.gif

lg.php.gif

Në vendin e dytë renditet Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) me 22,481 vota ose 28.55%.

Të dhënat e detajuara të rezultateve paraprake nga KQZ janë si më poshtë:

Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) – 42,492 vota

Koalicioni PD-ASHM – 22,481 vota

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet (NISMA-SHB) – 6,670 vota

Partia Mundësia – 2,781 vota

Lëvizja Bashkë – 2,067 vota

Partia Socialdemokrate (PSD) – 880 vota

Partia Koalicioni Euroatlantik (KEA) – 546 vota

Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare (AKSH) – 457 vota

Koalicioni Djathtas për Zhvillim (DZH) – 207 vota

Lëvizja Atdheu (LA) – 108 vota

Partia Aleanca Demokracia e Re (ADR) – 40 vota

Presidenti i Këshillit Evropian sot në Prishtinë

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, sot do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, ku do të ketë takime me krerët e shtetit, përcjell albinfo.ch.

Ai do të takohet me presidenten Osmani në orën 16:30 dhe pas takimit do të mbajnë konferencë të përbashkët.

Në një agjendë të publikuar më herët nuk ishte paralajmëruar një takim i Costas me Kurtin, mirëpo kjo u konfirmua sot.

Takimi mes tyre do të nisë në orën 18:40.

Costa në Kosovë vjen pas vizitës në Beograd, ditën e djeshme.

Ai atje ia tha qartë Vuçiqit se dënimi i qartë i pushtimit rus të Ukrainës dhe dialogu me Kosovën janë kyç për integrimin e mëtejshëm të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kjo është pjesë e një vizite disaditore në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Costa do të shkojë edhe në Sarajevë e Podgoricë, ndërsa më 15 maj do të vizitojë Shkupin dhe Tiranën, ku më 16 maj do të mbahet Samiti i Bashkësisë Politike Evropiane.

A e dini se Zvicra mbajti konkursin e parë të këngës në Eurovizion

Eurovizion mbrëmë u kthye në shtëpi, pikërisht aty ku nisi për herë të parë, në Zvicër, shkruan albinfo.ch.

Shteti zviceran mbajti Konkursin e parë të Këngës në Eurovizion në Lugano në vitin 1956.

Që atëherë ka marrë pjesë në 65 edicione dhe ka fituar tri herë:

1956 – Lys Assia triumfoi në edicionin e parë në Lugano.
1988 – Një e re me emrin Céline Dion përfaqësoi Zvicrën dhe fitoi konkursin.
2024 – Nemo siguroi një fitore të tretë për Zvicrën.

Gjykimet që ndryshuan Zvicrën në historinë 150 vjeçare të Gjykatës Federale

Gjykata Federale feston përvjetorin – dhe duket të jetë befasueshëm jashtë kohës. Nga të drejtat e votës për gratë deri te kartelat e birrës: gjashtë gjykime që kaluan në histori.

Për 150 vjet, Gjykata Federale në Lozanë ka formësuar ngjarjet politike në Zvicër. Edhe pse koha në Mon-Repos të Lozanës ndonjëherë duket të ndalojë, Gjykata Federale e sotme funksionon si një makinë efikase. Rreth 7,500 vendime, përfshirë pothuajse 200 vendime të rëndësishme, shqyrtohen çdo vit nga 40 gjykatësit. Në mesatare, një rast kërkon rreth 200 ditë për t’u përfunduar, transmeton albinfo.ch.

Herë pas here, ndodhin vendime që ndryshojnë jetën politike në Zvicër përgjithmonë. Ja gjashtë prej këtyre gjykimeve.

1990: Një kthesë për burrat e Appenzell-it

Më 29 prill 1990, Landsgemeinde i Appenzell-it hodhi votën për të parë nëse gratë e kantonit mund të merrnin përfundimisht të drejtat e votës. Kjo ishte hera e tretë që kjo çështje vihej në votim, dhe për të tretën herë, burrat e Appenzell-it thanë “Jo”.

Por, gjykata Federale e rishikoi vendimin pas gjashtë muajsh dhe në 27 nëntor 1990, vendosi që gratë në Appenzell Innerrhoden duhet të kenë të drejtat politike të barabarta me burrat. Ky vendim u konsiderua një hap i madh për barazinë në Zvicër.

2019: Një referendum anulohet

Për herë të parë, në 10 prill 2019, Gjykata Federale shpalli një referendum të pavlefshëm. Ky ishte një akt i rëndësishëm që lidhej me një ankesë të paraqitur nga CVP lidhur me referendumin e vitit 2016 për iniciativën “Për martesën dhe familjen – kundër taksës së martesës”, ku ishin dhënë informacione të pasakta nga Këshilli Federal.

1988: Lufte për kantonin e Bernës

Më 12 nëntor 1989, populli i Laufen-it festoi kalimin në kantonin e Basel-Landschaft. Por pas një skandali të financave në Bernë, ku u zbuluan pagesa të fshehta për të ndikuar votimet, Gjykata Federale shpalli nul për referendumin e mëparshëm dhe urdhëroi një rivotim. Pas një vendimi të dytë, rezultati u miratua dhe Laufen-i u nda nga Bernë.

1986: Fundi i kartelit të birrës në Zvicër

Në vitin 1985, konflikti midis Discounter Denner dhe Shoqatës së Prodhuesve të Birrës në Zvicër u intensifikua. Ky debat për çmimet e birrës çoi në një vendim të Gjykatës Federale në 1986 që shpalli kundër kartelit të birrës, duke e bërë të mundur që Denner të konkurronte në tregun e birrës me çmime të ulëta.

1973: Praktika Schubert

Në vitin 1973, Gjykata Federale vendosi që një ligj i ri federal mund të anulojë një marrëveshje ndërkombëtare, edhe nëse ajo është në kundërshtim me të. Ky vendim ka pasur një ndikim të madh në ligjin ndërkombëtar dhe ka krijuar një praktikë që është përdorur për shumë vite.

2007: Ndikimi i Strasburgut

Rasti i Dou Perinek, një politikan turk, është një shembull për vendimet që janë rishikuar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai u dënua për mohimin e gjenocidit të armenëve, por Strasburgu e shpalli Zvicrën në shkelje të të drejtave të njeriut, duke i detyruar autoritetet zvicerane të rishqyrtojnë vendimin.

Vendime të rëndësishme të fundit të Gjykatës Federale

Përveç këtyre vendimeve historike, Gjykata Federale ka vazhduar të japë vendime të rëndësishme që formësojnë politikën dhe shoqërinë zvicerane, si dhe të adresojë çështje të ndjeshme si reforma në pensione dhe rregullime në përdorimin e termave të mishit për produkte vegjetariane.

 

 

Bujqësia organike në Zvicër në ngërç: Stagnon për herë të parë që nga viti 2010

Për herë të parë që nga viti 2010, bujqësia organike në Zvicër nuk ka njohur rritje. Sipas raportit të fundit të publikuar nga Zyra Federale e Statistikave (BFS), sipërfaqja e tokës së punuar në mënyrë organike në vitin 2024 mbeti e pandryshuar në 190’950 hektarë, që përbën 18.4 për qind të gjithë tokës bujqësore në vend.

Gjithashtu, numri i fermave që operojnë sipas standardeve organike ka mbetur i njëjtë krahasuar me vitin e kaluar, duke treguar një ndalim të zgjerimit të sektorit. Kjo ndalesë është vlerësuar si një moment kyç për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë së qëndrueshme në vend.

Në të njëjtën kohë, statistikat tregojnë se numri total i fermave në Zvicër ka rënë me 1.3 për qind, duke u ulur në rreth 47,000 njësi aktive. Ky trend i rënies është vazhdim i një ndryshimi strukturor që ka vite që ndodh në sektorin bujqësor zviceran, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, një zhvillim pozitiv është evidentuar në aspektin e barazisë gjinore: përqindja e grave që menaxhojnë ferma është rritur nga 5.2% në vitin 2014 në 7.7% në vitin 2024, duke reflektuar një përfshirje më të madhe të grave në sektorin rural.

Burimi i të dhënave: Zyra Federale e Statistikave e Zvicrës (BFS), publikimi vjetor 2025.

 

 

10 finalistët e parë për finalen e Eurovizionit

Eurovizion 2025 ka hyrë në fazën e saj më emocionuese, me 10 finalistët e parë që janë shpallur për natën finale. Ky vit është i mbushur me konkurencë të fortë dhe performanca të paharrueshme nga të gjithë pjesëmarrësit. Ja cilat janë 10 vendet që kanë siguruar vendin në natën finale të Eurovizionit:

1. Norvegjia

2. Shqipëria

3. Suedia

4. Islanda

5. Holanda

6. Polonia

7. San Marino

8. Estonia

9. Portugalia

10. Ukraina

Të gjithë këta finalistë kanë ofruar performanca të fuqishme dhe emocionuese, duke tërhequr vëmendjen e publikut

 

 

 

Shqipëria kualifikohet për finalen e Eurovizionit 2025

Pas një performance të fuqishme dhe të paharrueshme, Shkodra Elektronike ka siguruar vendin në finalen e Eurovizionit 2025, që do të mbahet më 17 maj në Bazel, Zvicër.

Kënga e tyre “Zjerm” u interpretua sonte së bashku me 14 shtete të tjera dhe Shqipëria arriti të kalonte në finale, duke e bërë këtë një arritje historike për muzikën shqiptare në këtë garë

Birra kudo që shkon: Si po i befason të huajt kultura e pirjes në Gjermani

Në Gjermani, pirja e alkoolit është pjesë e kulturës së përditshme, kudo dhe gjatë gjithë vitit. Nga birra në mëngjes deri te pirja e alkoolit në tren, zakonet e pirjes mund të jenë të pazakonta për ata që nuk janë mësuar me to.

Më shumë se 70% e të anketuarve në një sondazh thanë se e duan kulturën e pirjes në Gjermani. Ata që e kritikojnë këtë kulturë shpesh thonë se është e vështirë për ata që nuk pinë. Në Gjermani, pirja është e pranishme në shumë aktivitete sociale, qoftë në festa lokale, tregje Krishtlindjesh, apo edhe në parqe dhe trenat e qytetit.

Një nga surprizat më të mëdha për të huajt është se gjermanët pinë në shumë orë të ditës, përfshirë mëngjesin dhe drekën. Edhe pse alkooli është kudo dhe i lirë, shumica e gjermanëve nuk e teprojnë me pirjen, siç ndodh në disa vende të tjera, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, disa të huaj gjithashtu shprehin shqetësime për atë se si kultura e pirjes është shumë e pranishme dhe se nuk ka shumë mundësi për aktivitete sociale që nuk përfshijnë alkool. Për ata që nuk pinë, është më e vështirë të gjesh mundësi argëtimi.

Disa sugjerojnë që të rregullohen më shumë rregullat për reklamat e alkoolit dhe të krijohen më shumë mundësi për të kaluar kohë pa pirë, si kafenetë që mbeten hapur pas orës 8 të mbrëmjes.

 

Ushtria zvicerane po mendon të hapë përsëri disa bunkerë të vjetër

Zvicra po shqyrton mundësinë për të vënë përsëri në funksion disa bunkerë të vjetër ushtarakë që janë ndërtuar gjatë Luftës së Ftohtë. Këto fortifikime ishin shkatërruar në vitin 2018, por tani, për shkak të situatës së pasigurt në Europë, ushtria po mendon t’i përdorë përsëri, sipas kreut të ushtrisë, Thomas Sossli.

Pas nisjes së luftës në Ukrainë në vitin 2022, ushtria zvicerane ka ndryshuar mendim për këto vendndodhje. Ajo i ka rikthyer ato në listën e objekteve që mund të përdoren në të ardhmen. Sipas Sosslit, shumë prej tyre janë në gjendje të mirë dhe mund të riparohen shpejt, nëse parlamenti e miraton. Ai shton se në disa zona malore këto bunkerë janë të vetmet struktura ushtarake dhe janë shumë të mbrojtura, transmeton albinfo.ch.

Më parë, rreth 100 bunkerë të tillë ndodheshin në kufijtë veriorë, jugorë dhe në Alpe. Disa prej tyre janë shitur, dhe disa janë kthyer në muze. Një prej tyre, në zonën e Sapinhaut mbi Saxon, është mirëmbajtur nga vullnetarët dhe mund të vihet në përdorim brenda pak ditësh.

Megjithatë, ka një problem: ushtarët e sotëm nuk janë të trajnuar për të përdorur këto armë të vjetra. Një zgjidhje mund të jetë që trupat e trajnuara për armët moderne të mësojnë edhe përdorimin e këtyre fortifikimeve.

Këto struktura u ndërtuan për të mbrojtur Zvicrën nga pushtimi dhe ndodheshin zakonisht në zonat malore si Valais, Ticino, Grisons dhe Bernë. Vendndodhjet e sakta ishin të fshehta për arsye sigurie dhe ishin pjesë e strategjisë mbrojtëse të quajtur “Strategjia Kombëtare e Reduktuar”.

Sheqeri në ushqim: Zvicra vendos objektiva të reja për jogurtet dhe ëmbëlsirat

Popullsia e Zvicrës konsumon më shumë sheqer se sa rekomandohet, një problem që ka nxitur autoritetet federale të vendosin masa më të rrepta për uljen e niveleve të sheqerit dhe kripës në ushqime të përditshme si jogurti dhe ëmbëlsirat.

Sipas dokumenteve ekskluzive, qeveria zvicerane është në proces negociatash me industrinë ushqimore për të arritur objektiva të reja për uljen e sheqerit deri në vitin 2028. Ky vendim ka shkaktuar një reagim të fortë nga sektori industrial, i cili e sheh si një kërkesë të tepruar.

Për më shumë se një dekadë, konsumi i sheqerit ka qenë në qendër të debateve shëndetësore. Sipas të dhënave, shumë zviceranë konsumojnë sasi sheqeri që tejkalojnë normat e rekomanduara nga ekspertët e shëndetit, një praktikë që lidhet ngushtë me rritjen e rasteve të diabetit, problemeve me mëlçinë dhe sëmundjeve të zemrës.

Mjekët dhe ekspertët e shëndetit kanë paralajmëruar për rreziqet e konsumit të tepërt të sheqerit. Ata theksojnë se konsumimi i lartë i sheqerit, veçanërisht në pijet e ëmbëlsuara dhe ushqimet e procesuar, mund të kontribuoni në zhvillimin e sëmundjeve kronike. Kjo ka shtuar kërkesën për masa të reja nga qeveria, duke përfshirë edhe strategjitë për uljen e sheqerit dhe kripës në produkte të tilla si jogurti dhe pijet e gazuara, transmeton albinfo.ch.

Sipas dokumenteve të fundit, autoritetet federale synojnë të arrihen objektiva të reja për uljen e niveleve të sheqerit në këto produkte deri në vitin 2028. Këto objektiva janë të parashikuara të jenë të detyrueshme për prodhuesit, të cilët duhet të ndjekin udhëzimet për reduktimin gradual të përmbajtjes së sheqerit në produktet e tyre. Megjithatë, sektori i industrisë ka shprehur shqetësime në lidhje me këto objektiva, duke argumentuar se mund të ndikojnë në kostot e prodhimit dhe të vështirësojnë procesin e inovacionit.

Konsumi i sheqerit është lidhur ngushtë me shumë probleme shëndetësore, duke përfshirë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2, sëmundjeve të zemrës, dhe problemeve të tjera metabolike. Një nga pasojat më të rënda është rritja e peshës trupore dhe ndërlikimet që lidhen me të, siç janë sëmundjet e mëlçisë dhe presioni i lartë i gjakut. Për këtë arsye, ekspertët e shëndetit kërkojnë që masa të tilla si ulja e sheqerit të bëhen një përparësi kombëtare.

Në një kohë kur diskutimet mbi shëndetin dhe ushqimin bëhen gjithnjë e më të nxehta në politikë, këto masa për uljen e sheqerit dhe kripës do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në industrinë e ushqimit dhe jetën e përditshme të qytetarëve zviceranë. Pavarësisht nga kundërshtimet nga sektori industrial, shumë e shohin këtë si një hap të nevojshëm për të përmirësuar shëndetin e popullsisë dhe për të luftuar pasojat e konsumi të tepërt të sheqerit.

 

Zvicra interpreton në Eurovizion me këngën “Voyage”

Zvicra ka performuar sonte në Eurovizion në Basel me këngëtaren Zoë Më, e cila përfaqëson vendin me këngën “Voyage”.

Ajo interpretoi në gjuhën frënge një këngë që flet për mirëkuptim dhe respekt në marrëdhëniet mes njerëzve, duke dhënë një mesazh pozitiv për kohën që jetojmë, sidomos në epokën e mediave sociale, shkruan albinfo.ch.

Zoë Më, që vjen pikërisht nga Bazeli, u prit ngrohtësisht nga publiku. Performanca e saj ishte e thjeshtë, por prekëse dhe e sinqertë. Me zërin e saj të qetë dhe skenën elegante, ajo arriti të përcjellë emocionin e këngës te shikuesit.

 

Shqipëria ndez skenën e Eurovizionit me këngën “Zjerm”

Shqipëria u ngjit në skenën e gjysmëfinales së parë të Eurovizionit në Zvicër me një performancë mbresëlënëse nga dueti Shkodra Elektronike. Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca kënduan këngën “Zjerm”, një kombinim i muzikës elektronike me tinguj tradicionalë shqiptarë, shkruan albinfo.ch.

Kënga, e interpretuar në dialektin gegë, flet për forcën, pastrimin shpirtëror dhe rilindjen, duke përdorur simbolin e zjarrit.

Me zërin, energjinë dhe stilin unik, Shkodra Elektronike u prit mirë nga publiku dhe mediat, duke e mbajtur Shqipërinë në mesin e vendeve më të përfolura për të kaluar në finale.

Ndërsa nuk munguan as shqiptarët nga shumë vende që u mblodhën për të mbështetur përfaqësuesen e Shqipërisë në Eurovision. Ata valëvitën flamujt kuqezi dhe brohoritën me shumë entuziazëm. Me praninë e tyre të madhe dhe zërin e fortë, treguan sa krenarë janë për vendin e tyre dhe sa shumë e duan muzikën shqiptare.