“Ksamili, Karaibet e Evropës”

Me rritjen e temperaturave në Evropën Jugore dhe rifillimin e fluturimeve sezonale drejt destinacioneve me diell, ndoshta po kërkoni një alternativë për pushimet tuaja të ardhshme verore, shkruan Vinicius Costa në një artikull të botuar në revistën amerikane të udhëtimeve “Travel off Path”.

Amalfi dhe vargu i fshatrave të tij shkëmborë të përqafuar nga detet e kaltra, Riviera Franceze dhe Kroacia me udhëtimet e saj piktoreske bregdetare dhe pushimet në ishuj mbeten destinacionet klasike më të frekuentuara nga turistët, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Por, ndoshta po kërkoni diçka pak më ndryshe këtë herë, jashtë të zakonshmes, ku të ndërthuren si sharmi historik ashtu edhe shërbime moderne turistike, dhe ndoshta plazhe të bukura me rërë të bardhë të ngjashme me Karaibet!

Zbuloni Sarandën, Perlën e Rivierës Shqiptare

Një qytet turistik në zhvillim e sipër që zë një gji në formë patkoi, Saranda është e vendosur midis kodrave të gjelbra të Shqipërisë, një zemër të Evropës, dhe Detit Jon me ngjyrë të kaltër.

Ka shumë për të zbuluar në të gjithë Shqipërinë, por nëse është hera juaj e parë që eksploroni destinacionin me rritjen më të shpejtë në Evropën Juglindore, Saranda është ndoshta vendi ideal për të nisur itinerarin.

Destinacioni turistik më i zhvilluar i Shqipërisë, është shtëpia e një shëtitoreje moderne me palma, një varg hotelesh buzë detit  me çmime të përballueshme krahasuar me vendet e tjera të Mesdheut  dhe një numër monumentesh të lashta që do t’ju kthejnë pas në kohë  në Botën e Lashtë.

Hotelet në plazh kushtojnë vetëm 28 dollarë nata

Pikërisht në qendër të Sarandës, shumë pranë plazhit kryesor, mund të rezervoni një apartament në muajin qershor, muajin më të nxehtë në Shqipëri, për vetëm 52 dollarë nata  ose edhe më lirë 28 dollarë nëse udhëtoni çift.

Kur bëhet fjalë për përvojën tradicionale të hotelit, “Hotel Havana” me katër yje ofron dhoma për 57 dollarë nata.

Resorti luksoz me pesë yje, “San Angelo Resort & Spa” ka një plazh privat, të qetë me rërë dhe zhavorr, me shërbime të klasit botëror, duke përfshirë një pishinë të bukur, restorante të njohura dhe një qendër Wellness  211 dollarë nata.

Në përgjithësi, Saranda ofron një vend pushimi veror evropian krejtësisht të përballueshëm.

Kostoja mesatare e një vakti në një restorant të lirë është rreth 11 dollarë, kostot e transportit mesatarisht 8 dollarë në ditë, duke përfshirë autobusët dhe taksitë lokale, dhe nëse jeni të kujdesshëm me buxhetin tuaj, mund t’ia dilni mbanë fare mirë me 350 dollarë për javën.

Mirë se vini në “Karaibet e Evropës”

Vizitoni Ksamilin,  një fshat bregdetar i krahasuar me Maldivet  që po shndërrohet ngadalë në një destinacion turistik  vetëm 25 minuta larg me makinë nga Saranda.

Ndryshe nga shumica e plazheve në bregdetin Jon, Ksamili është i mbushur me rërë të butë dhe të bardhë, dhe i kombinuar me ujërat kristalore, vilat luksoze dhe skelat piktoreske prej druri që shtrihen drejt ishujve të gjelbër në distancë  duke ofruar një pamje “tropikale”.

Vlen të përmendet se Ksamili është ndoshta zona më e vizituar e Sarandës.

Sharmi i Lashtë i pamohueshëm

Përveç vijës bregdetare të mrekullueshme, Saranda është e njohur për rolin e saj si një portë hyrëse në një nga rajonet më të ngarkuara, historikisht,  të pellgut të Mesdheut.

Rreth gjysmë ore me makinë në jug të qytetit, Parku Kombëtar i Butrintit është një zonë e madhe arkeologjike  që përfshin një qytet të rrënuar greko-romak, me një teatër antik, tempuj të panumërt dhe një fortesë në majë të kodrës me pamje nga ligatinat piktoreske.

Kalaja mesjetare e Lëkurësit ofron një panoramë marramendëse të qytetit, dhe është vendi perfekt ku mund të shijoni perëndimin e diellit.

Brenda ka një restorant, kështu që mund të shijoni një vakt tradicional shqiptar dhe verën vendase ndërsa shikoni perëndimin e diellit mbi detin Jon.

Jashari, më i miri në Belgjikë

Mesfushori shqiptar Ardon Jashari është shpallur lojtari më i mirë i edicionit në kampionatin e Belgjikës.

Ky çmim vjen si shpërblim për paraqitjet fantastike që Jashari ka pasur për klubin e tij, Klub Brugge, në mënyrë konsistente gjatë tërë sezonit.

Jashari këtë edicion ka bërë 35 paraqitje në kampionat, ku 31 prej tyre kanë ardhur nga minuta e parë.

22-vjeçari ka kontribuar në këtë proces me tre gola dhe katër asistime.

Gjithsesi, Brugge nuk ia doli që të triumfojë në fund. Ata përfunduan me 53 pikë të grumbulluara në vendin e dytë, me Union Saint-Gilloise që u shpall kampion me 56 pikë.

Shumë skuadra janë vënë pas tij, në mesin e tyre top klube evropiane, ndërsa pritet të shitet gjatë verës për një shumë rekord për futbollin belg.

MESH, agjencia e teknologjisë digjitale që po bën dallimin në Austri dhe Kosovë

Kur Meriton Shurdhani u shpërngul nga Kosova në Austri në moshën trevjeçare, askush nuk mund ta parashikonte se pas 33 vjetësh do të kthehej në vendlindje për të ndërtuar një prej agjencive më premtuese digjitale në rajon. I rritur me vlera të forta pune dhe me një pasion të trashëguar për teknologjinë nga babai i tij, ai nisi të eksperimentonte me kompjuterë që në fëmijëri. Ecuria e tij profesionale kaloi përmes sfidave të shumta në Austri, nga dështimet financiare në biznesin e parë, te certifikimi si konsulent digjital dhe ndërtimi i një klientele të gjerë ndërkombëtare.

MESH, agjencia e themeluar fillimisht në Austri, gjeti terren të përshtatshëm për rritje në Kosovë, ku sot punëson një ekip të ri, energjik dhe tërësisht shqiptar. Meritoni, e ndërtoi kompaninë mbi parimin e zhvillimit të brendshëm dhe refuzimit të “outsourcing”-ut, duke u fokusuar në edukim praktik, cilësi të lartë dhe shërbime të përshtatura për klientët në Austri, Gjermani, Zvicër e më gjerë. Ai, është shembulli i një suksesi që lidhet ngushtë me kthimin në vendlindje  jo nga romantizmi, por nga vendime të menduara mirë, që tashme po japin rezultate konkrete.

Si nisi për Meritonin karriera në teknologjinë digjitale

Meriton Shurdhani pasionin për teknologjinë e mori nga babai i tij, i cili rregullonte satelitë dhe televizorë. Si i vogël, ishte i apasionuar pas faktit se si me gjuhë programuese mund të përmirësoheshin shumë procese.

“Mbaj mend si sot: kemi blerë një kompjuter me “Windows 95” nga një koleg i babait  dhe ai kompjuter ishte gjithçka për ne. Ishte vendosur në dhomën e prindërve dhe unë me babain nuk ndaleshim së punuari aty net të tëra  në kurriz të gjumit të nënës sime, që nuk kishte qetësi me javë të tëra. Më ka mahnitur gjithmonë ideja që proceset mund të përmirësohen përmes zgjidhjeve digjitale. Kam parë shumë kompani që kishin faqe interneti apo mjete softuerike që nuk u sillnin asnjë vlerë reale. Unë doja ta bëja ndryshe  të ndërtoja një agjenci që nuk “programon për sy e faqe”, por që i kupton realisht nevojat e klientëve dhe ndërton zgjidhje që funksionojnë në praktikë”, për albinfo.at, flet Meritoni me pasion për punën që e bën.

Kur ishte vetëm tre vjeç, Meritoni u shpërngul me familjen në Austri, ku edhe u shkollua dhe nisi karrierën e tij profesionale. Në vitin 2016, Meritoni vendosi të ndalojë së punuari për kompani të tjera, dhe doli si i vetëpunësuar. Kjo i mësoi si të udhëheqë projekte, të kujdeset për klientët, e t´i kushtojë rëndësi të madhe cilësisë. Meritoni thotë se, duke bashkëpunuar me biznese të vogla, ka mësuar për strukturën, disiplinën dhe qasjen sistematike  që i ka sjellë edhe në MESH.

“Në moshën 18-vjeçare hapa biznesin tim të parë  si shumë të rinj në Austri, në fushën e financave. Financiarisht, ishte dështim total: komisionet që i merrje sot, duhej t’i ktheje nesër nëse klienti anulonte kontratën. Por ishte “shkollë” e mirë. Pas kësaj, shërbeva në ushtri dhe punova në disa vende, përfshirë një trajnim profesional në “Austrian Research Center”, punë në OVB, Leiner dhe Kremsmüller”, tregon ai për albinfo.at, sfidat e para në fillimet e karrierës.

Pas 33 vjetësh në Austri, ai u kthye në Kosovë, tashmë me gruan dhe tre fëmijët. Në vitin 2020, Meritoni hapi një degë të MESH në Kosovë. Fillimisht kishte vetëm një punonjës, Endrit Kryeziun, i cili sot është edhe partneri i tij në kompani.

Çka ofron MESH, dhe si funksionon mes Kosovës dhe Austrisë?

MESH fillimisht u themelua në Austri në vitin 2016,  atëherë vetëm nga Meritoni. Kur projektet filluan të shtoheshin, në vitin 2020, ai nisi ndërtimin e një ekipi. Sot kompania ka 15 të punësuar në Kosovë, më kushte optimale të punës dhe pagë shumë të mirë për tregun e Kosovës, ndërsa në Austri aktualisht punon vetëm ai. Qendra operative është plotësisht në Kosovë, gjë që ia lehtëson menaxhimin Meritonit.

Kur flet për shërbimet e MESH, Meritoni thotë se kompania funksionon në dy drejtime:

  1. https://www.web-austria.at – ofrohen shërbime për biznese të vogla dhe të mesme që kanë nevojë për një prezencë të fortë dhe profesionale në internet: krijim faqesh web të personalizuara, optimizim për motorë kërkimi (SEO), menaxhim të fushatave në Google Ads dhe strategji të plota marketingu digjital.
  2. https://mesh-web.com – fokusi teknik: zhvillim softueri, digjitalizim dhe automatizim i proceseve të brendshme të kompanive. Qoftë aplikacione mobile, module ERP të personalizuara apo integrime të sistemeve ekzistuese,  MESH i zhvillon të gjitha nga zero, në mënyrë të përshtatur sipas kërkesave të çdo klienti.

Meritoni tregon se ai është i certifikuar si Digital Consultant dhe Online Marketing & E-Commerce Consultant  dhe kjo i jep të drejtën të këshillojë dhe të udhëheqë aplikimet për subvencione zyrtare shtetërore në Austri, që mund të arrijnë deri në 9.000 € për projekte digjitalizimi, dhe në disa raste të veçanta edhe deri në 18.000 €.

“Këto janë subvencione direkte  nuk janë kredi dhe nuk ka kthim. Janë para që kompania i merr për të përmirësuar proceset dhe prezencën digjitale  dhe ky është një shans real që nuk duhet humbur, veçanërisht nga kompanitë që udhëhiqen nga shqiptarë në Austri.  Përveç kësaj, ekziston edhe një formë tjetër subvencioni për marketing ndërkombëtar, ku bizneset që janë të regjistruara në Austri, por që duan të depërtojnë në tregje të huaja përmes marketingut online, mund të përfitojnë deri në 50 % të kostove të reklamimit si subvencion. Edhe kjo është një mbështetje financiare pa kthim, që mund të shfrytëzohet për Google Ads, fushata në rrjete sociale dhe forma të tjera marketingu digjital për eksportin e shërbimeve ose produkteve“, sqaron tutje ai.

Dallimi mes MESH dhe agjencive tjera digjitale

Fokusi i MESH në Kosovë  është në edukim dhe zhvillim.

“Besoj se në këtë fushë më së shumti mësohet në praktikë“, thotë Meritoni, teksa sqaron se MESH nuk bën out-soarcing, por produktet zhvillohen nga zero. Kjo gjë mirëpritet nga klientët austriakë, për të cilët e vlerësojnë stilin e kompanisë si shumë praktik dhe të drejtpërdrejtë.

 

MESH bashkëpunon me kompani nga Austria, Gjermania dhe Zvicra nga bizneset e vogla deri te ndërmarrjet industriale.

“Dy projekte më bëjnë veçanërisht krenar: E para është Mesh App, që e kemi zhvilluar brenda kompanisë. U mundëson bizneseve të menaxhojnë procese të brendshme si oraret e punës dhe kontabilitetin në mënyrë të centralizuar. Kjo do të lansohet së shpejti  veçanërisht për tregun gjermanofolës. E dyta është një sistem për Mobile Device Management (MDM). Ka shumë pak kompani në botë që ofrojnë zgjidhje të tilla  dhe zakonisht janë korporata shumëkombëshe. Por, edhe Mesh WEB nga Kosova ka ndërtuar një sistem funksional, që tashmë përdoret nga disa ndërmarrje në Austri.E kemi zhvilluar së bashku me partnerin tonë, Cardseven (https://www.cardseven.at)  Në maj, do ta prezantojmë këtë projekt në Aeroportin e Vjenës, përballë disa prej kompanive më të mëdha logjistike në Evropë“, thotë Meritoni.

Mesazh për investitorët e huaj dhe diasporën

Meritoni ka dy mesazhe, një për investitorët e huaj, dhe tjetrën për diasporën.

“Për investitorët ndërkombëtarë që nuk kanë ndonjë lidhje personale me Kosovën: ju them shkurt  ejani dhe shikoni me sytë tuaj. Kosova ka një gjeneratë të re, të motivuar, të gatshme për të mësuar dhe punuar. Mjafton një shtytje, pak mbështetje  dhe këta të rinj bëjnë mrekulli. Klima ekonomike është atraktive, dhe njerëzit janë të hapur për ide të reja. Ka potencial të vërtetë  nëse investimi bëhet me vizion dhe seriozitet.

Për diasporën kam një mesazh tjetër: sjellni projekte, sjellni ide! Është koha të bëjmë dallimin mes investimeve që kanë vlerë për vendin dhe atyre që janë vetëm për përdorim personal. Të ndërtosh një shtëpi për vete është e kuptueshme  por nuk krijon zhvillim për askënd tjetër. Ajo që na duhet janë kompani që krijojnë vende pune, që i trajtojnë njerëzit me dinjitet dhe që paguajnë sipas standardeve evropiane. Aty fillon ndryshimi i vërtetë“, thotë Meritoni në një bisedë për albinfo.at.

MESH nuk ofron vetëm shërbime për klientë, por krijon edhe produkte të veta digjitale. Qëllimi i kompanisë është të ndërtojnë lokalisht, të ndikojnë globalisht  dhe t’i tregojnë botës se Kosova nuk është vetëm “potencial”, por realisht ka njerëz që munden.

Vajzat tona futbolliste, në fokus të numrit më të ri të revistës Albinfo.ch

Numri më i ri, i muajit maj, i revistës sonë vjen me një prezantim meritor të vajzave shqiptare që pasionin e tyre për lojën e futbollit e kanë shndërruar në pasion. Janë të shumta vajzat që janë përcaktuar për këtë sport që shpesh paragjykohet si “sport meshkujsh”. Për të thyer paragjykimet dhe tabutë, atyre u është dashur të luftojnë më me ngulm dhe të japin energji të dyfishtë derisa kanë arritur në vendin e synuar: disa në kombëtaren e Kosovës dhe disa të tjera, në atë të Zvicrës, Suedisë etj.

Riola Xhemaili dhe Kosovare Asllani, njëra në kombëtaren zvicerane dhe tjetra në atë suedeze, me lojën e tyre në fushën e gjelbër, në mes të dy portave janë shembuj frymëzimi për mijëra vajza shqiptare se si me ambicie dhe këmbëngulje, mund të pushtojnë majat e këtij sporti, edhe në nivel ndërkombëtar. Dhe, kur jemi te niveli ndërkombëtar, nga 2 deri më 27 korrik 2025, në Zvicër mbahet Kampionati Evropian i Futbollit për femra, një rast ky i veçantë për të bërë karrierën e vajzave tona edhe më të shkëlqyer.

Riola Xhemaili, 22-vjeçarja shqiptaro-zvicerane, shpreson të jetë pjesë e listës së përfaqësueses së Zvicrës për EURO 2025. E rritur në një familje sportistësh, Riola është një talente me të ardhme të ndritur  dhe një ftesë në këtë turne do të ishte realizimi i një ëndrre të madhe për të.

Ndërkohë, Kosovare Asllani, një nga lojtaret kryesore të Suedisë, vjen me përvojë të jashtëzakonshme në Lojëra Olimpike dhe Kampionate Botërore. Euro 2025 në Zvicër do të ishte një tjetër kapitull i paharrueshëm për të. Me një shqiponjë  tatuazh në trup, ajo kurrë nuk e ka harruar prejardhjen e saj shqiptare.

Përveç Kosovares dhe Riolës, ky numër i revistës sonë u ka dhënë hapësirë edhe shumë vajzave, kryesisht nga mërgata që kanë zgjedhur të luajnë për kombëtaren e futbollit të Kosovës ose janë angazhuar në klube të mëdha, jashtë vendit. Aty bën pjesë patjetër Alketa Rama, lojtare e Kombëtares së Kosovës dhe e klubit elitar zviceran FC Zürich. Vajza e Milaim Ramës, futbollistit të parë shqiptar që ka luajtur për Nati-n e Zvicrës, duke u përcaktuar për Kosovën, ka përmbushur edhe një dëshirë të babait të saj.

Vijnë pastaj intervistat me futbollistet, si: Eliza Kadriu, Eriona Elezi, Monika Ibishaj, Viola Avdyli etj. Të gjitha këto, bashkë me shumë të tjera, kanë një gjë të përbashkët: Talentin për futboll dhe vullnetin për ta ngritur në kulm pasionin që kanë, duke na bërë kështu krenarë me suksesin e tyre.

Dështon edhe tentimi i 22-të për konstituimin e Kuvendit

Për herë të 22-të, deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Që nga 15 prilli, deputetët janë bllokuar në pikën e tretë të seancës konstituive – atë të zgjedhjes së kryeparlamentarit.

Teksa fillimisht nuk mund të bëhej shumica për ta votuar emrin e Albulena Haxhiut të Lëvizjes Vetëvendosje, tash partia fituese e zgjedhjeve po kërkon votimin e një komisioni për të mbajtur votim të fshehtë.

Edhe kjo nuk po merr shumicën dhe seancat po mbahen çdo 48 orë, sipas Rregullores.

Seanca e ardhshme do të mbahet më 29 maj, në orën 11:00.

Bastisje në Ministrinë e Bujqësisë

Raportohet se Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion në Ministrinë e Bujqësisë, përcjell albinfo.ch.

Forcat policore janë duke kryer bastisje në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, në kuadër të kësaj ministrie.

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se bastisjet po kryhen me urdhër të saj.

“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për Fabrikën për mbetje shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës,” ka thënë zëdhënësja Arbnora Luta.

Një ditë më parë, Partia Demokratike akuzoi ministrin në detyrë, Faton Peci, se e ka shkelur Ligjin për Pronën Publike në rastin e dhënies me qira të pronës për impiantin e mbetjeve shtazore.

70 shqiptarë nga Kosova e Shqipëria dëbohen nga Gjermania

Raportohet se 70 persona (shtetas shqiptar) janë transportuar me aeroplan për në Shqipëri dhe Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Thuhet se të dëbuarit ishin azilkërkues në Gjermani, raportoi gazeta gjermane Die Welt.

Deputeti i Unionit Demokristian (CDU), Gunter Krings tha për Die Welt se Gjermania ka nevojë për më shumë dëbime të tilla.

“Ne duhet t’i intensifikojmë këto fluturime”, tha ai.

E drejta për azil ka dy anë, sipas anëtarit të partisë që i fitoi zgjedhjet parlamentare këtë vit.

“Ne duam t’u japim mbrojtje atyre që kanë nevojë për atë  por edhe të deportojmë ata që nuk kanë nevojë për këtë mbrojtje ose që e kanë humbur të drejtën duke kryer akte dhune”. /Albinfo.ch

https://regionalheute.de/unionsfraktionsvize-krings-fordert-zunahme-von-abschiebefluegen-1748260922/

Sot përpjekja e 22-të për konstituim të Kuvendit

Sot, për herë të 22-të do të mblidhen deputetët e zgjedhur më 9 shkurt në përpjekje për të konstituuar legjislaturën e nëntë, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se seanca do të mbahet prej orës 11:00.

Që nga 15 prilli, deputetët janë bllokuar në pikën e tretë të seancës konstituive, atë të zgjedhjes së kryeparlamentarit. Teksa fillimisht nuk mund të bëhej shumica për ta votuar emrin e Albulena Haxhiut të Lëvizjes Vetëvendosje, tash partia fituese e zgjedhjeve po kërkon votimin e një komisioni për të mbajtur votim të fshehtë. Edhe kjo nuk po merr shumicën dhe seancat po mbahen çdo 48 orë, sipas Rregullores.

Në 48 orët e fundit nuk është vënë re ndryshim qëndrimesh. Madje kryetari i LVV-së, Albin Kurti, fajësoi partitë që deri tash ishin në opozitë për ngërçin politik. Ai ka thënë se zgjidhja është votimi i fshehtë, teksa për emrin e Haxhiut u shpreh se “nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje”.

Dua Lipa më e kilikuara në Mbretërinë e Bashkuar

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, është shpallur si artistja më e klikuar në Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2024.

Raporti i “Phonographic Performance Limited” e renditi Dua Lipën si artisten më të klikuar, transmeton albinfo.ch.

Për Dua Lipën kjo është hera e dytë që ajo merr këtë titull. Në vitin 2020 ajo u rendit po ashtu si artistja më e dëgjuar nga britanikët.

“Është një nder i vërtetë të emërohem artistja më e klikuar në Mbretërinë e Bashkuar për herë të dytë. Viti 2024 ishte një vit i jashtëzakonshëm dhe jam shumë mirënjohëse për të gjithë ata që kanë mbështetur muzikën time në radio, televizion dhe në vende të ndryshme në të gjithë vendin,” tha e emocionuar Dua Lipa.

Sipas raportit, këngët e Dua Lipës klikohen mesatarisht 400 herë në ditë dhe më e preferuara në gjithë repertorin e saj është “Houdini”.

Lipa zbriti nga froni Ed Sheeran, i cili për tre vjet mbajti titullin si këngëtari më i preferuar në Britani. Raporti e renditi Ed Sheeran në vendin e tretë, kurse në vend të dytë Taylor Swift. Në vendin e katërt u rendit David Guetta, kurse në vendin e pestë Coldplay.

Shqiptari nga Kosova diplomoi në Akademinë Ushtarake West Point të SHBA

Pas një shkollimi akademik katërvjeçar në Akademinë Ushtarake West Point në Shtetet e Bashkuara, diplomoi kadeti nga Kosova, Arlind Shefiku, shkruan albinfo.ch.

Vlen të theksohet se Arlindi është pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërkohë që në ceremoninë e diplomimit, për t’i uruar të diplomuarit, ishte i pranishëm edhe Presidenti amerikan Donald Trump, i cili mbajti një fjalim mbi rëndësinë e kësaj akademie dhe detyrat që i presin liderët e rinj.

Kadeti Shefiku do të vazhdojë punën e tij në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të kontribuar në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së, me standardet më të larta të vendeve partnere dhe duke shpërndarë njohuritë e fituara tek pjesëtarët e FSK-së. /albinfo.ch

Uta Ibrahimi pas suksesit të saj, pritet me nderime në Kosovë

Alpinistja nga Kosova, Uta Ibrahimi, është shqiptarja e parë dhe personi i parë nga Ballkani që ka përfunduar ngjitjen e të gjitha 14 majave mbi 8 mijë metra të vargmalit të Himalajeve, ndryshe të njohura edhe si “çatia e Tokës”, transmeton albinfo.ch.

Pas këtij suksesi, ajo ka udhëtuar për në Kosovë dhe është pritur ngrohtë nga shumë njerëz me të zbritur në aeroport.

Uta kthehet në shtëpi pas përmbylljes së një prej rrugëtimeve më të jashtëzakonshme të saj,  realizimin e projektit të ngjitjes së 14 majave më të larta në botë.

Vlen të theksohet se ajo u kthye me një arritje historike që e vendos atë mes alpinistëve më të mëdhenj botërorë.

“Faleminderit, Uta, që lartësove shtetin tonë”, shprehet Hajrulla Çeku, ministri i Sportit. /albinfo.ch

 

Rinesa diplomon në Zvicër, shpallet ndër studentet më të dalluar të gjeneratës

Quhet Rinesa, është shqiptare nga Kosova, pikërisht nga qyteti i Gjilanit, ku së fundmi ka arritur një sukses akademik duke u diplomuar me rezultate të larta në Universitetin Webster në Gjenevë, një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Por jo vetëm kaq!

Rinesa u shqua për arritjet dhe inteligjencën e saj gjatë viteve të studimeve, andaj përfaqësuesit e Universitetit Webster e kanë shpallur atë ndër gjashtë studentet më të dalluara të gjeneratës, transmeton tutje albinfo.ch.

Këtë vlerësim të lartë e kanë dhënë vetë profesorët e këtij universiteti, pasi që Rinesa ka treguar performancë të mirë dhe ka diplomuar në dy drejtime paralelisht, duke dëshmuar përkushtimin dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm akademik.

Ky është një tjetër shembull frymëzues i të rinjve nga diaspora që po tregojnë nivel të lartë profesional dhe intelektual në arenën ndërkombëtare. /albinfo.ch

Beteja e Trumpit me Apple mund të rrisë ndjeshëm çmimet edhe për telefonat Samsung

Presidenti Donald Trump kërkoi që Apple të zhvendosë prodhimin e telefonave jashtë Kinës, një kërkesë që kompania përmbushi duke kaluar prodhimin në Indi. Megjithatë, Trump nuk është ende i kënaqur dhe kërkon që iPhone-t të prodhohen në SHBA.

Ky qëndrim ka implikime të gjera, duke kërcënuar edhe telefonat e Samsung-ut. Së fundmi, Trump paralajmëroi vendosjen e tarifave prej 25 për qind për çdo iPhone të importuar në SHBA nëse nuk prodhohet brenda vendit. Por ekspertët paralajmërojnë se nëse një tarifë e tillë aplikohet ndaj Apple, ajo do të duhet të aplikohet për të gjitha telefonat inteligjentë të importuar, përfshirë edhe telefonat Samsung që prodhohen kryesisht në Vietnam dhe Indi.

Mediat koreane raportojnë se kjo mund të çojë në një rritje çmimi prej deri në 40 për qind për telefonat Samsung në tregun amerikan. Nga ana e saj, kompania nuk pritet të përballojë vetë këtë kosto, por do ta transferojë atë te konsumatorët, të cilët do të jenë të vetëdijshëm për arsyet e rritjes së çmimeve.

NASA zbulon sasi të mëdha ari në oqean

Një ekip shkencëtarësh nga NASA ka zbuluar se oqeanet e Tokës përmbajnë rreth 20 milionë ton ar. Kjo është sasi shumë më e madhe se ajo që është nxjerrë ndonjëherë në historinë njerëzore.

Por, edhe pse kjo duket si një pasuri e madhe, nxjerrja e këtij ari nuk është e lehtë. Ari është i tretur në ujin e detit dhe ndodhet në përqindje shumë të vogla, gjë që e bën të vështirë dhe shumë të kushtueshëm ndarjen e tij nga uji.

Përveç arit, oqeanet përmbajnë edhe minerale të tjera të vlefshme, si depozitat e sulfurit hidrotermal, të cilat janë më të lehta për t’u nxjerrë dhe tashmë janë në vëmendjen e disa vendeve, përcjell albinfo.ch.

Disa shtete, si Papua Guinea e Re, kanë filluar të përdorin miniera nënujore. Por kjo sjell rreziqe për mjedisin detar, duke dëmtuar habitate të rëndësishme dhe duke ndikuar te mijëra specie.

Megjithatë, shkencëtarët besojnë se në të ardhmen, me ndihmën e teknologjisë, mund të bëhet e mundur nxjerrja e arit dhe mineraleve të tjera pa dëmtuar oqeanet.

Deri atëherë, kjo pasuri do të qëndrojë e fshehur në thellësitë e detit.

 

3 shtete të fuqishme drejt njohjes së Palestinës

Franca, Britania e Madhe dhe Kanadaja po sinjalizojnë një hap të mundshëm të rëndësishëm diplomatik: njohjen e shtetit palestinez. Në një deklaratë të përbashkët, tre vendet theksuan se kjo njohje mund të ndihmojë për arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez.

Deklarata u publikua në prag të një konference të madhe ndërkombëtare që do të mbahet më 18 qershor, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, të organizuar nga Franca dhe Arabia Saudite. Kjo konferencë synon të ringjallë bisedimet për paqe dhe të shtyjë përpara zgjidhjen me dy shtete, përcjell albinfo.ch.

Arabia Saudite ka bërë thirrje që vendet të njohin Palestinën si një shtet të pavarur, duke thënë se kjo duhet të jetë një parakusht për paqen, jo një rezultat i saj.

Deri më tani, 147 vende në botë e kanë njohur Palestinën. Franca ka deklaruar se është e gatshme ta bëjë këtë, por dëshiron që njohja të ndodhë në një kuadër të organizuar ndërkombëtarisht. Edhe Britania e Madhe, e cila më parë ka qenë më e rezervuar, tani po sinjalizon një qëndrim më të hapur ndaj këtij hapi.

Njohja zyrtare nga vende të fuqishme perëndimore do të përbënte një moment të rëndësishëm politik dhe diplomatik në përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.

Maqedoni: 20 mijë punëtorë sezonalë hyjnë në sistem, çfarë ndryshon nga janari?

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, një kapitull i ri hapet për punëtorët sezonalë në Maqedoninë e Veriut. Një ligj i ri, që pritet të përfshijë rreth 20 mijë persona, është hartuar për të formalizuar dhe mbrojtur këtë kategori të rëndësishme të fuqisë punëtore.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, thekson se ligji synon të godasë ekonominë gri dhe të sjellë përfitime për të gjithë  punëtorët, punëdhënësit dhe vetë shtetin. “Përmes këtij rregullimi, jo vetëm që do të formalizojmë mijëra punësime, por do të rrisim edhe të ardhurat nga kontributet dhe taksat. Kjo është një çështje që e kemi zvarritur për 34 vjet”, u shpreh ai, transmeton alsat përcjell albinfo.ch.

Nga ana tjetër, David Oberhuber nga Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, organizatë që mbështet financiarisht projektin, vlerëson se ky hap do të sjellë më shumë transparencë dhe stabilitet ekonomik. “Të gjithë përfitojnë: punëtorët fitojnë të drejta, punëdhënësit operojnë më lehtë, dhe shteti fiton në të ardhura”, tha ai.

Një pjesë kyçe e reformës do të jetë digjitalizimi i procesit. Marija Risteska nga Qendra për Kërkime dhe Krijim Politikash tregon se regjistrimi i punëtorëve do të bëhet përmes një aplikacioni të thjeshtë online, i përdorshëm nga çdo vend  nga shtëpia, puna, apo edhe nga pushimet në plazh.

Ligji do të lejojë që edhe studentët, pensionistët dhe personat e papunë të angazhohen në punë sezonale pa humbur përfitimet e tyre aktuale. Në një kohë kur informaliteti ekonomik është ende i përhapur, ky hap shihet si një zgjidhje e shumëpritur për mijëra qytetarë dhe një mundësi për rritje të të ardhurave kombëtare.

 

Zvicra drejt digjitalizimit të shëndetësisë, 3 organizata bashkohen për dosjen elektronike të pacientit

Në përpjekje për të përshpejtuar digjitalizimin e sistemit shëndetësor, tre nga ofruesit kryesorë të Dosjes Elektronike të Pacientit (DEP) në Zvicër  eHealth Aargau, eSanita dhe Cara  do të bashkojnë forcat duke nisur nga viti 2026. Qëllimi i bashkimit është krijimi i një platforme të vetme dhe funksionale në nivel kombëtar, nën markën Cara, e cila do të ofrojë akses të sigurt dhe të shpejtë në të dhënat mjekësore për pacientët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor.

Edhe pse strategjia federale për shëndetësinë digjitale është aktive që nga viti 2007, adoptimi ka qenë i ngadaltë: deri në vitin 2024, vetëm 40,000 qytetarë kishin krijuar një DEP, ndërsa sot janë mbi 100,000. Me bashkimin e këtyre tre organizatave dhe zhvillimin e një aplikacioni të ri për smartphone, synohet rritja e pjesëmarrjes dhe lehtësimi i qasjes, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët shpresojnë që ky hap të shërbejë si model për një platformë të vetme kombëtare, duke rritur efikasitetin, sigurinë dhe cilësinë e trajtimit shëndetësor në Zvicër.

 

Si do të përdorë Meta përmbajtjet tuaja për të trajnuar inteligjencën e saj artificiale dhe si të kundërshtoni këtë?

Nga sot, Meta do të përdorë përmbajtjet publike të publikuara nga përdoruesit në Facebook dhe Instagram për të përmirësuar inteligjencën e saj artificiale. Megjithatë, është e mundur të ndaloni këtë proces duke plotësuar një formular kundërshtimi.

Meta ka ndërmarrë një hap të ri në përdorimin e të dhënave të klientëve të saj. Kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, nga e marta do të fillojë të shfrytëzojë përmbajtjet publike për të trajnuar inteligjencën e saj artificiale (IA).

Ky vendim përfaqëson një kthesë në strategjinë e kompanisë. Deri tani, Meta përdorte të dhënat e përdoruesve kryesisht për qëllime marketingu dhe reklame të targetuara. Me këtë qasje të re, përdorimi i të dhënave zgjerohet ndjeshëm, transmeton albinfo.ch.

Stories, foto dhe komente

IA e Metës do të ketë qasje në një gamë të gjerë përmbajtjesh publike, përfshirë stories, fotografi, selfie dhe komente. Përjashtimi i vetëm janë mesazhet private në WhatsApp, të cilat mbeten të enkriptuara.

Të gjitha përmbajtjet e tjera mund të përdoren nga Meta për të ushqyer algoritmet e saj të inteligjencës artificiale.

Si mund të mbroheni?

Përballë kësaj praktike të re, përdoruesit kanë të drejtën të kundërshtojnë përdorimin e të dhënave të tyre. Meta ofron afat deri më 27 maj për të shprehur këtë kundërshtim. Duhet të plotësoni një formular të disponueshëm në cilësimet e llogarisë tuaj. Meta do të dërgojë më pas një email konfirmimi dhe mund të kërkojë sqarime mbi motivet tuaja.

 

Tare zyrtarizohet nga Milan, fillon epokën në skuadrën kuqezi

Klubi i Milanit ka zyrtarizuar emërimin e Igli Tares si drejtor sportiv i klubit.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate zyrtare të klubit kuqezi, ku thuhet se Tare do të raportojë drejtpërdrejt te administratori i deleguar, Giorgio Furlani, transmeton albinfo.ch.

I lindur në Vlorë, Shqipëri, Tare ka pasur një karrierë të gjatë në futbollin italian si lojtar, ndërsa si drejtues ka ndërtuar një profil të fortë për më shumë se 15 vite te Lazio, ku kontribuoi në fitimin e tre Kupave të Italisë dhe tre Superkupave Italiane.

:Të bëhesh pjesë e një klubi si Milan është një burim krenarie dhe përgjegjësie. Falënderoj klubin për besimin dhe jam i vendosur të jap maksimumin për ta rikthyer Milanin në majat e futbollit italian dhe evropian,” u shpreh Tare.

Administratori i deleguar i Milanit, Furlani, theksoi rëndësinë e këtij emërimi: “Tare është figura ideale për të kontribuar në rilindjen e klubit përmes një projekti sportiv ambicioz. Ai sjell kompetencë, përvojë dhe një vizion ndërkombëtar që përputhet me objektivat tanë afatgjatë.”

Ky është një hap i madh për klubin kuqezi dhe një moment historik për futbollin shqiptar.

Zvicër: Rritje shqetësuese e dhunës fizike ndaj fëmijëve

Në vitin 2024, në Zvicër u raportuan 705 raste të dhunës fizike ndaj fëmijëve – 153 më shumë se një vit më parë. Katër fëmijë humbën jetën si pasojë e abuzimit, tre prej tyre në vitin e parë të jetës.

Sipas statistikave kombëtare të mbrojtjes së fëmijëve, mbi 2 000 fëmijë u trajtuan për dyshime mbi abuzim. Më shumë se 40 për qind ishin nën moshën gjashtë vjeç. Shumica e rasteve ndodhën brenda familjes, ndërsa numri i autorëve të mitur është në rritje, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët theksojnë vështirësitë në diagnostikim, veçanërisht në rastet e abuzimit psikologjik dhe sindromës Munchausen.

Shaqiri, me notën më të lartë në Zvicër

Xherdan Shaqiri e mbylli këtë edicion me Baselin si kampion në Superligën e Zvicrës.

Ylli shqiptar zhvilloi edicionin e tij më të mirë në karrierë, duke shënuar 18 gola dhe duke dhënë 21 asistime.

Kjo e arritur e bën atë lojtarin më të vlerësuar në formacionin e vitit të krijuar nga SofaScore, transmeton albinfo.ch.

Kapiteni i Baselit vlerësohet me notën 8.0, ndërsa asnjë lojtar nuk ka arritur ta rivalizojë.

Ai po ashtu ka krijuar 31 shanse të arta për gol, ndërsa ka 3.4 pasime kyçe për ndeshje.

Një tjetër statistikë e jashtëzakonshme është se ai ka arritur së paku 2.2 gjuajtje për ndeshje.

 

Save a Life mbledh 50 mijë euro për nënat dhe fëmijët

Një mbrëmje e mbushur me emocion, solidaritet dhe shpresë: Save a Life, gala tradicionale për mbledhje fondesh, këtë vit mblodhi bashkë për herë të shtatë radhazi diasporën shqiptare në zemër të Cyrihut. Kompani, individë dhe miq të AMC-së u bashkuan me një qëllim të përbashkët  të shpëtojnë jetë.

Mysafire nderi e kësaj nate ishte znj. Ylfete Fanaj, Anëtare e Këshillit Ekzekutiv të Kantonit të Lucernit, ndërsa mbrëmja u moderua me shumë dashuri nga Arigona Bunjaku, blogere dhe nënë e tre fëmijëve, që jeton në Zvicër, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch

Pjesë e veçantë e programit ishte rrëfimi prekës i znj. Mirnie, infermiere në QKMF Fushë Kosovë, e cila solli dëshmi të gjalla për ndikimin e trajnimeve të AMC-së në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për nënat dhe fëmijët – më të brishtit ndër ne.

Art, ndjenja dhe ngjyra: Këndi i pikturave nga Kaltrina, Dorina dhe Zhaklina i dha mbrëmjes një shpirt të veçantë artistik, duke sjellë emocione dhe kuriozitet përmes veprave të tyre që ishin në shitje për kauzën.

Atmosfera u mbush me muzikë dhe argëtim falë performancës së mrekullueshme të String String, që sollën tingujt më të bukur të muzikës shqipe.

Një falënderim nga zemra për të gjithë ata që ishin pjesë e këtij edicioni  individë, kompani dhe miq që besojnë në fuqinë e bashkimit dhe në ndryshimin që mund të sjellim së bashku.

Në veçanti falënderojmë Multinet Communications, SpitexDona, Rotary Club Gjakova – Dr. Agron Abrashi, dhe Biasca, Anrotec. Falënderim i veçantë për sponsorin tonë medial Albinfo për mbështetjen e vazhdueshme.

📸 @fiona.murtaj_photography