Prej sot edhe një pikë e përbashkët kufitare mes Kosovës dhe RMV-së

Mësohet se nga sot (28 maj) edhe pika kufitare me Maqedoninë e Veriut, Glloboçicë-Jazhincë, do të kalohet me vetëm një kontroll, përcjell albinfo.ch.

Në orën 14:00 do të bëhet inaugurimi i pikës së përbashkët kufitare, që është e dyta pas asaj të Hanit të Elezit-Bllacë, që u inaugurua në prill.

Siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në ceremoninë inauguruese do të marrin pjesë ministrat e brendshëm të të dyja shteteve dhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.

“Ky pikëkalim i përbashkët është njëri nga dy pikat e kalimit të përbashkët kufitarë të paraparë sipas Protokollit të Implementimit të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar Hani i Elezit-Bllacë dhe Glloboqicë-Jazhincë, nënshkruar në nëntor 2024 në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive”, ka njoftuar MPB.

Zvicra po trajnon 160 mjekë nga Shqipëria për reagim ndaj urgjencave

Zvicra po trajnon 160 mjekë nga Shqipëria për reagim ndaj urgjencave.

Bëhet fjalë për shpëtimin e jetëve; aftësitë e urgjencës mjekësore janë të nevojshme për mjekët e familjes dhe infermierët në Shqipëri, transmeton albinfo.ch.

Mbështetja e Zvicrës për shërbimet e urgjencës shëndetësore synon po ashtu profesionistët e kujdesit parësor.

Fondacioni Zviceran për Inovacion dhe Emergency Response Albania (ERA) ofron kapacitete dhe protokolle të avancuara për reagim ndaj urgjencave për 160 mjekë dhe infermierë nga 16 bashki të ndryshme në Shqipëri.

“Është thelbësore që njerëzit të marrin ndihmë dhe përgjigje ndaj urgjencave sa më shpejt të jetë e mundur dhe sa më afër vendit ku është e nevojshme”, shkruan ambasadorja zvicerane Ruth Huber.

Universiteti i Prishtinës: Thirrje e hapur për diasporën ekselente akademike

Së fundmi është bërë një thirrje e hapur për diasporën ekselente akademike me moton “Bashkohuni me Universitetin e Prishtinës: Dija dhe përvoja juaj bëjnë ndryshimin”, përcjell albinfo.ch.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar kolegë e kolege që keni studiuar dhe jeni të punësuar në universitetet më të njohura botërore.

Universiteti i Prishtinës, si institucioni më i vjetër, më i madhi dhe i rendituri më së larti ndër universitetet mbarëshqiptare në platformat ndërkombëtare, shpall thirrje të hapur për angazhimin e personelit akademik që punon dhe ka studiuar në 400 universitetet më të ranguara globale, që dëshirojnë të angazhohen dhe kontribuojnë në ngritjen cilësore të arsimit, kërkimit dhe shoqërisë tonë.

Senati i Universitetit të Prishtinës, më 30 prill 2025, miratoi Rregulloren për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik. Qëllimi i kësaj rregulloreje për rekrutim të personelit akademik është rritja e qasjes në kuadër të talentuar dhe ndërkombëtarisht konkurrues, që është i punësuar apo që ka përfunduar së paku një apo më tepër nivele studimi jashtë vendit, në një universitet që është në mesin e katërqind (400) universiteteve më të mira në botë sipas renditjes së bërë  nga “Times Higher Education” ose “QS World University Rankings”.

Personeli akademik, që është në marrëdhënie të rregullt pune në një universitet që është në mesin e katërqind (400) universiteteve më të mira në botë sipas renditjes së bërë nga “Times Higher Education” ose “QS World University Rankings”, kanë të drejtë transferimi në Universitetin e Prishtinës pa iu nënshtruar procedurave të konkursit publik. Nëse e plotësoni këtë kusht dhe dëshironi të jeni pjesë e personelit akademik të Universitetit të Prishtinës, transferimi juaj do të mund të bëhet me procedurë të veçantë dhe pa iu nënshtruar rregullave të përcaktuara të konkurseve.

Po ashtu, me Rregulloren për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik mundësohet rekrutimi i personelit në kuadër të programit të ,,kthimit të trurit” (“brain gain”). Të drejtë për të përfituar nga programi i ,,kthimit të trurit” (“brain gain”) kanë personat që kanë mbaruar së paku një nivel të studimeve në njërin nga katërqind (400) universitetet më të mira në botë. Personeli akademik që rekrutohet përmes konkursit publik, në kuadër të zbatimit të programit për kthimin e trurit “brain gain”, duhet t’i plotësojë kriteret formale për emërimin dhe avancimin e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës, të përcaktuara me statut dhe rregullore përkatëse.

Mundësia për të aplikuar për t’u bërë pjesë e Universitetit të Prishtinës do të jetë e hapur gjatë tërë vitit.

Aktualisht, Universiteti i Prishtinës gjendet në një fazë të rëndësishme zhvillimi dhe hapjeje ndërkombëtare. Në këtë rrugëtim për përmirësimin e cilësisë akademike dhe kërkimore, dijet dhe përvoja juaj profesionale janë tejet të çmuara. Kjo thirrje synon të krijojë ura bashkëpunimi me profesionistët tanë në diasporë, qofshin ata të interesuar për angazhim të drejtpërdrejtë në Kosovë apo për kontribut nga distanca, përmes formave të ndryshme të përfshirjes akademike.

Në një kohë kur inteligjenca artificiale po vendos me shpejtësi rregullat e saj edhe në fushën e arsimit të lartë dhe prania fizike në një vend të caktuar nuk është e domosdoshme, ju mund të jepni kontributin tuaj të çmuar për universitetin numër një të atdheut e përtej, edhe nga atje ku jeni, punoni e jetoni, nëpërmjet lidhjes me platformat që mundësojnë mësimin në distancë.

Ne besojmë në fuqinë e lidhjeve virtuale, por edhe në fuqinë e lidhjeve të zemrës dhe mendjes me atdheun.

E ardhmja e Kosovës ndërtohet me dije, integritet dhe bashkëpunim. Me bindjen se asnjëherë nuk ju ka munguar vullneti për ta parë e bërë Kosovën të zhvilluar si vendet ku ju çoi jeta, besoj se do t’i përgjigjeni thirrjes së Universitetit të Prishtinës për rrugëtim të përbashkët drejt një institucioni të arsimit të lartë të kohës në të cilën jetojmë, atë të shekullit XXI.      

Ju presim me duar e zemër të hapur për një angazhim e punë të përbashkët për zhvillimin e Universitetit të Prishtinës.

Prishtinë: Ermonela Jaho do të ngjitet në skenë si soliste, bashkë me Filharmonin e Kosovës

Në Prishtinë do të mbahet një mbrëmje spektakolare më datë 8 qershor, transmeton albinfo.ch.

Opera e Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës sjellin një nga yjet më të mëdhenj të skenës operistike botërore, Ermonela Jaho.

E vlerësuar për zërin e saj magjepsës dhe interpretimet që prekin zemrat në çdo cep të botës, Ermonela Jaho do të ngjitet në skenë si soliste, e shoqëruar nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe ajo e Operës së Kosovës. /Albinfo.ch

Benjamin Kololli: Të gjithë më thoshin pse nuk qëndrove te Baseli, do të isha kampion

Një deklaratë e fortë ka ardhur nga Benjamin Kololli, pas komenteve për largimin e tij nga Bazeli dhe se po të ishte pjesë e kësaj skuadre do të ishte kampion, përcjell albinfo.ch.

“Të gjithë më kanë thënë pse nuk qëndrove te Bazeli, do të isha kampion. Por, unë nuk e llogaris veten si kampion nëse nuk luaj, nëse nuk jap kontributin tim”, është shprehur ai.

Mbrojtësi kosovar u largua në janar nga Bazeli dhe nënshkroi me Sionin. Krejt kjo ndodhi për shkak se 33-vjeçari s’kishte minutazh te Bazeli.

10 filmat me fitimet më të mëdha në histori

Sipas një liste të përditësuar nga faqja e internetit cinema.everyeye.it 10 filmat më të mirë, kanë arritur të mbledhin miliarda dollarë duke shitur bileta në të gjithë globin.

Duhet ta dini se, pas disa vitesh, pesë vendet e para kanë ndryshuar pikërisht këto ditë: në vendin e parë kemi ende “Avatar” nga James Cameron, i ndjekur nga” Avengers: Endgame” nga Russo Brothers dhe më pas “Avatar: The Way of the Water dhe Titanic”, gjithashtu nga James Cameron, por tani për herë të parë në pesë pozicionet e para është një film i animuar, filmi kinez “Ne Zha 2”.

Filmi i animuar e tejkaloi ”J.J. Star Wars: The Force Awakens” i Abrams, i cili kishte qenë në pesë më të mirët që nga viti 2015, duke e ngritur atë në vendin e 6-të në listë.

Pozicionet e mbetura zihen më pas nga “Avengers: Infinity War” nga Russo Brothers, “Spider-Man: No Way Home” nga Jon Watts, “Inside Out 2” nga Kelsey Mann dhe “Jurassic World” nga Colin Trevorrow.

Renditja e plotë:

“Avatar” – 2,9 miliardë

“Avengers: Endgame” – 2,7 miliardë

“Avatar: The Way of Water” – 2,3 miliardë

“Titanik” – 2,2 miliardë

“Ne Zha 2” – 2,08 miliardë

“Star Wars: The Force Awakens” – 2,07 miliardë dollarë

“Avengers: Infinity War” – 2,05 miliardë

“Spider-Man: No Way Home” – 1,9 miliardë

“Inside Out 2″ – 1,69 miliardë

‘Jurasik Park” – 1,67 miliardë

“Fire and Ashes” i James Cameron: a do të jetë në gjendje filmi i tretë në sagë të barazohet me dy të tjerët dhe të tejkalojë ‘Ne Zha 2″.

 

 

Shqipëri: Korça përgatitet për Festivalin Ndërkombëtar të Karnavalit

Korça po bëhet gati për çeljen e sezonit turistik me një festë të madhe, Festivalin Ndërkombëtar të Karnavalit.

“Më 7 qershor, qyteti ynë shndërrohet në një skenë të madhe ngjyrash, krijimtarie dhe gëzimi”, u shpreh kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.

Karnavalet janë një traditë e dashur për korçarët dhe jo vetëm. Ato janë një festë që bën bashkë komunitetin dhe shpirtin artistik të qytetit. Çdo vit, me dhjetëra kostume mbresëlënëse tregojnë jo vetëm fantazinë, por edhe identitetin dhe mesazhet personale të pjesëmarrësve, transmeton ATSh përcjell albinfo.ch.

Pritet që rrugët e Korçës të mbushen së shpejti me superheronj, figura teatrore, personazhe mitologjike apo mesazhe të forta përmes veshjes.

Trafikim droge në Gjermani, Belgjikë dhe Itali, Europol arreston 14 persona

Një operacion i gjerë ndërkombëtar, i udhëhequr nga Europol, ka çuar në shkatërrimin e një bande të fuqishme të trafikut të drogës, e cila vepronte përmes një rrjeti të ndërlikuar në disa vende të Evropës.

Sipas njoftimit të bërë nga selia e Europol-it në Hagë, 14 persona janë arrestuar gjatë aksioneve të zhvilluara në Belgjikë, Gjermani dhe Itali. Gjatë operacionit janë kontrolluar njëmbëdhjetë prona dhe janë sekuestruar 780 kilogramë kokainë, një sasi që tregon shkallën industriale të aktivitetit kriminal, përcjell albinfo.ch.

Hetimet kanë zbuluar se rrjeti kriminal drejtohej nga një familje italiane, me lidhje të drejtpërdrejta me furnizues në Kolumbi. Në Belgjikë ata kishin ngritur laboratorë të sofistikuar për përpunimin e drogës, të fshehur brenda depove që shërbenin si pikë kyçe e shpërndarjes.

Rruga e trafikut kalonte përmes porteve evropiane, ku kokaina hynte e maskuar në dërgesa të ligjshme, përpara se të përpunohej dhe të shpërndahej më tej në tregun evropian.

Autoritetet zvicerane kanë bashkëpunuar gjithashtu në këtë operacion të ndërlikuar ndërkufitar, ndërsa hetimet zbulojnë se banda ishte e përfshirë jo vetëm në trafikun e kokainës dhe heroinës, por edhe në aktivitete të pastrimit të parave në shkallë të gjerë.

Shteti që paralajmëron gjoba për këmbësorët që përdorin telefonin gjatë ecjes

Autoritetet spanjolle kanë njoftuar masa të reja për të përmirësuar sigurinë rrugore, duke përfshirë gjoba për këmbësorët që ecin duke përdorur telefonin celular. Kjo masë vjen si përgjigje ndaj një rritjeje të aksidenteve që përfshijnë persona të shpërqendruar nga pajisjet elektronike.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Trafikut (DGT), këmbësorët që përdorin celularin gjatë kalimit të rrugëve apo në zona të trafikut të dendur do të përballen me gjobë deri në 200 euro. Zyrtarët kanë theksuar se qëllimi nuk është ndëshkimi, por rritja e ndërgjegjësimit për rreziqet që lidhen me shpërqendrimin në rrugë, përcjell albinfo.ch.

Fushata e re për sigurinë rrugore synon të zvogëlojë numrin e aksidenteve dhe të promovojë sjellje më të kujdesshme, si nga këmbësorët ashtu edhe nga drejtuesit e automjeteve. Ky vendim vjen në kuadër të përpjekjeve kombëtare për të ulur numrin e viktimave në rrugët spanjolle.

Trump akuzon Putinin për rrezikim global: Po luan me zjarrin

Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer kritikat e tij të forta ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke e akuzuar se veprimet e tij ushtarake në Ukrainë dhe qëndrimi i tij agresiv në arenën ndërkombëtare janë shumë të rrezikshme dhe të papërgjegjshme.

Në një postim të fundit në rrjetin social Truth Social, Trump theksoi se udhëheqja e tij ka qenë thelbësore për të parandaluar një përshkallëzim më të madh të konfliktit në rajon.

“Putini nuk ka kuptuar ende se nëse unë nuk do të isha, Rusia do të ishte përfshirë në probleme shumë serioze. Kjo nuk është thjesht një pohim, por një realitet i hidhur,” deklaroi Trump, duke nënkuptuar se prania e tij në skenën ndërkombëtare ka ndalur zhvillime katastrofike.

Gjatë fundjavës, ai përshkroi Putinin si një lider të “çmendur”, duke iu referuar sulmeve të reja ajrore të forcave ruse në Ukrainë, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha dhe viktima njerëzore, përcjell albinfo.ch.

Trump gjithashtu paralajmëroi se po konsideron vendosjen e sanksioneve të reja ekonomike kundër Moskës, si një mënyrë për të ndaluar agresionin rus dhe për të shtuar presionin ndërkombëtar ndaj Kremlinit.

Nga ana e saj, Rusia ka reaguar me ashpërsi ndaj këtyre deklaratave, duke akuzuar Trumpin për “reaksione emocionale” dhe për qasje të papërgjegjshme ndaj sigurisë globale. Zëdhënësit e Putinit theksuan se vendimet e Kremlinit janë të nevojshme për mbrojtjen e interesave të Rusisë dhe kritikët amerikanë synojnë të ndikojnë në opinionin ndërkombëtar dhe të rrisin presionin politik mbi Moskën.

Këto fjalë shtojnë tensionet mes dy fuqive botërore dhe ngrejnë shqetësime për stabilitetin global, sidomos për shkak të situatës së vazhdueshme në Ukrainë dhe përkeqësimit të marrëdhënieve midis Perëndimit dhe Rusisë.

Shoferët francezë, ndër më të këqijtë në Europë për sjellje rrugore

Një studim i fundit i Ipsos dhe Vinci Autoroutes dalin të dhëna se shoferët francezë kanë një nga sjelljet më problematike në Europë. Ata përdorin shpesh fjalë të pista ndaj shoferëve të tjerë, abuzojnë me kambanat dhe vozisin shumë afër makinave para tyre, transmeton albinfo.ch.

87% e tyre pranojnë se kanë frikë nga agresiviteti në rrugë, ndërsa 63% përdorin fjalë të pista dhe 54% i ndezin kambanat për të paralajmëruar shoferë të tjerë. Gjithashtu, 30% kanë praktikuar tailgating (vozitje shumë afër), ndërsa 29% përdorin telefonin gjatë vozitjes.

Shoferët e Parisit dhe rajoneve përreth vlerësohen më negativisht për sjelljen në rrugë. Krahasuar me vendet e tjera evropiane, Franca renditet lartë në përdorimin e fjalëve të pista dhe kambanave, si dhe në harrimin e sinjalit gjatë parakalimeve.

Megjithatë, përdorimi i rripit të sigurimit dhe shmangia e telefonatave për punë gjatë vozitjes janë më të mirë sesa në shumë vende të tjera.

Ndryshime të reja në shtetësinë italiane: Çfarë duhet të dini?

Qeveria italiane ka miratuar një ligj të ri që kufizon ndjeshëm mundësinë për të përfituar shtetësi përmes prejardhjes italiane, ndërsa vendi po përgatitet për një referendum që mund të lehtësojë procedurën për marrjen e shtetësisë përmes qëndrimit të ligjshëm.

Ligji i ri, i miratuar me dekret urgjent nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, kërkon që fëmijët e lindur jashtë Italisë të kenë prindër ose gjyshër me vetëm shtetësi italiane për të qenë të drejtë për shtetësi. Personat me shtetësi të dyfishtë nuk mund ta transmetojnë shtetësinë italiane, përveç rasteve kur heqin dorë nga kombësia tjetër.

Ka gjithashtu përjashtime për prindërit që kanë jetuar të paktën dy vite në Itali pas marrjes së shtetësisë dhe para lindjes së fëmijës, si dhe për personat që e kanë marrë shtetësinë sipas ligjit të vjetër. Këta të fundit mund ta transmetojnë shtetësinë te fëmijët nën 18 vjeç, nëse paraqesin kërkesë deri më 31 maj 2026.

Ligji gjithashtu u jep mundësi ish-shtetasve italianë, që e kanë humbur nënshtetësinë për shkak të natyralizimit në vende të tjera para vitit 1992, ta rikthejnë atë midis 1 korrikut 2025 dhe 31 dhjetorit 2027, duke paguar një tarifë prej 250 eurosh.

Ndërkohë, më 8 dhe 9 qershor, qytetarët italianë do të votojnë në një referendum për të vendosur nëse periudha e nevojshme për të aplikuar për shtetësi përmes qëndrimit të ligjshëm duhet të ulet nga 10 në 5 vjet. Qeveria aktuale e djathtë është kundër kësaj mase dhe ka bërë thirrje për bojkot, por opozita shpreson në një pjesëmarrje të lartë për ta bërë referendumin të vlefshëm.

Nëse miratohet, reforma do të përfitonte veçanërisht të huajt që jetojnë prej kohësh në Itali dhe të rinjtë e lindur në vend nga prindër joitalianë.

Gjermania do ta bëjë më të lehtë blerjen e biletave të trenave ndërkombëtarë

Nga vjeshta 2025, Deutsche Bahn (DB) do të integrohet në një sistem të ri rezervimesh evropian që do t’i lejojë pasagjerët të blejnë bileta ndërkombëtare përmes një platforme të vetme, si faqja bahn.de apo aplikacioni DB Navigator.

Aktualisht, për shumë udhëtime ndërkufitare, pasagjerët duhet të blejnë bileta nga kompani të ndryshme, shpesh me çmime më të larta. Me sistemin e ri, synohet që deri në fund të vitit 2026 të gjitha linjat kryesore evropiane të jenë të mbuluara me bileta të unifikuara dhe çmime të qarta, transmeton albinfo.ch.

Ky ndryshim është pjesë e një nisme të Bashkimit Evropian për të thjeshtuar udhëtimet me tren nëpër Evropë, ndërsa DB ka shënuar rritje të fortë në udhëtimet ndërkombëtare që nga viti 2019.

Në cilat linja metroje dhe autobusi në Vjenë mund të prisni vonesat më të mëdha?

Nga operacionet e shpëtimit deri te defektet teknike, disa linja të transportit publik në Vjenë kanë më shumë gjasa të shkaktojnë vonesa se të tjerat.

Linja U6 mund t’ju çojë më shpejt përmes Vjenës krahasuar me shumicën e autobusëve apo tramvajeve, por ajo gjithashtu kryeson listën për problemet më të mëdha në transport. Gjatë vitit të kaluar, ajo regjistroi më shumë ndërprerje se çdo linjë tjetër transporti publik në qytet.

Ndërmjet datave 1 maj 2024 dhe 30 prill 2025, U6 shënoi 674 ndërprerje, duke e bërë atë linjën më problematike ndër të gjitha linjat e metrosë, tramvajeve dhe autobusëve, sipas një analize të të dhënave nga Martin Piskernig, matematicien dhe shkencëtar kompjuterash në Universitetin e Vjenës. Shifrat u ndanë në një raport nga Campus a, transmeton albinfo.ch.

Pas U6 renditen linjat e tjera të metrosë: U3 në vend të dytë, ndjekur nga U4, U1 dhe U2. Linjat e autobusëve dhe tramvajeve renditen më poshtë në listë.

Pse U6 ka më shumë probleme se të tjerat?

Ka disa arsye pse U6 konsiderohet vazhdimisht problematike. Është një nga linjat më të ngarkuara në Vjenë, që lidh Floridsdorf-in në veri me Siebenhirten-in në jug.

Ndryshe nga linjat e tjera të metrosë, ajo nuk funksionon tërësisht në nëntokë dhe përdor trena të vjetër të stilit të trenave të lehtë. Kjo përzierje e përdorimit të lartë, infrastrukturës së përzier dhe pajisjeve të vjetra e bën më të ndjeshme ndaj vonesave.

Shkaku më i zakonshëm i ndërprerjeve? Operacionet e shpëtimit – zakonisht urgjenca mjekësore që ndalojnë qarkullimin derisa shërbimet emergjente të reagojnë. Më pas vijnë defektet teknike dhe incidente të jashtme.

Linjat e tjera që duhen pasur parasysh: 13A dhe tramvaji 2

Ndërsa linjat e metrosë zënë pesë vendet e para për ndërprerjet e përgjithshme, një linjë autobusi dhe një tramvaj bien në sy veçanërisht.

Autobusi 13A kishte më shumë ndërprerje mes të gjitha linjave të autobusëve në Vjenë, ndërsa tramvaji numër 2 kryeson në kategorinë e vet. 13A është një nga linjat më të përdorura që kalon nëpër lagje qendrore dhe shpesh ndikohet nga bllokimet e trafikut. Tramvaji 2, që lëviz në rrugën rreth qendrës së qytetit, shpesh përballet me vonesa për shkak të punimeve rrugore dhe eventeve.

Piskernig, i cili mbledh këto të dhëna për punën e tij akademike në infrastrukturën urbane, thekson se ndërprerjet janë pjesë e çdo sistemi të madh transporti publik, por ndjekja e tyre ndihmon në identifikimin e pikave me presion më të madh dhe mënyrat si mund të shpërndahen më mirë burimet.

Çfarë duhet të mbani mend si pasagjer? Nëse udhëtoni rregullisht me U6 ose 13A, mbani aplikacionin tuaj të transportit gati dhe lini pak minuta shtesë. Nuk janë linjat më të këqija në botë, por statistikisht janë ato që ka më shumë gjasa t’ju vonojnë.

Zvicër: Rinovimi i banesës po përdoret për dëbime

Shoqata e qiramarrësve ASLOCA thotë se pronarët e pronave po përdorin pretekstin e rinovimeve për të dëbuar qiramarrësit afatgjatë, të cilët zakonisht paguajnë tarifa nën nivelin e tregut.

Një avokat i shoqatës thotë se kjo po bëhet më e zakonshme në zonat frëngjishtfolëse dhe e përshkruan praktikën si “një kancer” që është përhapur nga zonat gjermanishtfolëse, transmeton albinfo.ch.

Në Cyrih janë anuluar 13.000 qira për rinovim në pesë vitet e fundit.

Në teori, pronarët e pronave supozohet të gjejnë strehim alternativ për qiramarrësin, por shpesh nuk e bëjnë këtë.

Shkupi nis aplikimin e makinave elektrike me qera

Duke filluar nga sot, në Shkup mund të merrni me qira makinë elektrike për 22 denarë për kilometër gjatë vozitjes dhe 5 denarë për minutë gjatë qëndrimit. Kompania sllovene “Avant Car” e solli shërbimin në Shkup dhe fillimisht vuri në dispozicion 100 makina elektrike, për të cilat siguroi vende parkimi të posaçme, transmeton Alsat, përcjell albinfo.ch.

Vozitja e parë u promovua sot nga ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti. Ata mbërritën përpara Qeverisë me makina elektrike të ndara dhe u pritën nga pronari i kompanisë Avant Car, Matej Cher.

“Shpresoj dhe jam i sigurt se sot kemi bërë një hap të vogël drejt një të ardhmeje të qëndrueshme. Do të ketë më pak vende parkimi të zëna, do të ketë më pak zhurmë në Shkup dhe sigurisht asnjë ndotje. Ajo që është më e rëndësishme për të gjithë qytetarët është që kjo lëvizshmëri e qëndrueshme të sjellë përfitime, pra transport më të lirë dhe sigurisht një mjedis më të mirë për brezat e ardhshëm. Tarifohet për kilometër dhe për minutë. Shërbimi është gjithashtu i disponueshëm për të gjitha kompanitë, institucionet publike dhe të ngjashme”, tha Cher, pritjet e të cilit janë që projekti të pranohet, të zgjerohet në qytete të tjera të Maqedonisë dhe brenda dy ose tre vjetësh, nga 100 makinat aktuale në vend të arrijë në 1.000 makina elektrike me qira.

 

Nga nesër One Stop Shop në Jazhnicë

Më 28 maj, nesër do të përurohet sistemi One Stop Shop në Jazhnicë të Maqedonisë së Veriut, e cila ndan pikën kufitare mes Maqedonisë së Veriut me Kosovën.

Ky sistem është një model modern i kontrollit të integruar kufitar, i cili lehtëson qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve me kontroll vetëm një herë nga shteti pritës, transmeton albinfo.ch.

Zëdhënësja e Qeverisë në Maqedoninë e Veriut, Venera Azizi, ka thënë në një deklaratë për KosovaPress se ky sistem, përveç lehtësimit të qarkullimit, nënkupton edhe siguri të shtuar dhe zhvillim ekonomik.

“Ky sistem që e vendosëm në Bllacë dhe Jazhnicë nënkupton urë lidhëse, lehtësim të qarkullimit të qytetarëve, të mallrave dhe nënkupton edhe siguri të shtuar dhe zhvillim ekonomik. Ndërkaq, do të vazhdojmë menjëherë me futjen në sistem të One Stop Shop-it edhe në Tabanovcë dhe Qafë Thanë, dhe me këtë do ta përmbyllim edhe më tej me vendkalimet e tjera kufitare sistemin One Stop Shop mes Maqedonisë së Veriut dhe shteteve me të cilat kufizohet vendi ynë”, ka thënë Azizi.

Tutje, Azizi ka shtuar se sipas të dhënave të muajit prill dhe maj të vitit të kaluar dhe të këtij viti, në 2024 kishte 550 mijë kalime, ndërsa në 2025 mbi 776 mijë kalime.

Ky sistem, muaj më parë, është vendosur edhe në pikën kufitare Bllacë – Han i Elezit.

Përveç përfaqësuesve institucionalë nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, i pranishëm në këtë ngjarje do të jetë edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Kantinat e verës në Valais hapin dyert këtë fundjavë për edicionin e 19-të

Kantinat e verës në Valais do të hapin dyert këtë fundjavë, nga e enjtja deri të shtunën, për edicionin e 19-të të ngjarjes tradicionale “Open Cellars”. Ngjarja zhvillohet si zakonisht gjatë fundjavës së festës së Ngjitjes dhe përfshin pjesëmarrjen e rreth 238 kantinave, të cilat do të jenë të hapura nga ora 11:00 deri në 18:00.

Përgjatë gjithë rajonit të Valais, nga Vouvry (Chablais) deri në Naters (Valais-i i Epërm), vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë verërat lokale dhe të zbulojnë larminë e varieteteve të rrushit dhe tokave të këtij rajoni unik. Sipas Shoqatës Ndërprofesionale të Vreshtarisë dhe Verës, kjo është gjithashtu një mundësi për të blerë produkte vendase direkt nga prodhuesit dhe për të mbështetur zinxhirët e shkurtër të furnizimit, transmeton albinfo.ch.

“Për kantinat, kjo ngjarje vjetore përbën një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe një mundësi për të krijuar besnikëri te klientët,” sqaroi organizata ombrellë.

Zbritje në bileta treni dhe aktivitete të tjera

Përveç degustimeve, në disa rajone do të ofrohen aktivitete shtesë, si një vizitë e shpejtë në Muzeun e Verës në Salquenen apo eksplorimi i zogjve të vreshtave në Saillon.

Gjatë fundjavës priten mijëra vizitorë nga e gjithë Zvicra. Janë planifikuar zgjidhje të përshtatshme për transportin lokal, ndërkohë që udhëtarët me tren do të përfitojnë nga tarifa të reduktuara në linjën RegionAlps Brig deri në Saint Gingolph.

Rritje e të lënduarve rëndë në aksidentet me tramvaje dhe autobusë në Zvicër

Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Transportit (ZFT), në vitin 2024 në Zvicër janë regjistruar 105 pasagjerë të lënduar rëndë në aksidente me tramvaje dhe autobusë, numri më i lartë në pesë vitet e fundit. Gjithashtu, 39 persona kanë humbur jetën në aksidente që përfshijnë transportin publik.

Shumica e aksidenteve ndodhin për shkak të gabimeve të përdoruesve të tjerë të rrugës, si këmbësorë, çiklistë dhe shoferë, të cilët shpesh shkelin rregullat e qarkullimit. Nga 39 viktimat, 34 ishin persona të tretë, jo pasagjerë apo punonjës të transportit, transmeton albinfo.ch.

Zyra Federale e Transportit po analizon shkaqet dhe po mbështet fushata për rritjen e sigurisë në transportin publik, me fokus në ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës dhe përmirësimin e masave parandaluese.

Në krahasim ndërkombëtar, Zvicra renditet ndër vendet më të sigurta në hekurudha, por ka ende sfida në sigurinë në kantieret e punës së transportit hekurudhor.

Video: Si evakuohen lopët në Zvicër

Ditë më parë, një numër i madh lopësh janë evakuuar për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e dheut dhe shembjet e shkëmbinjve në fshatin malor të Zvicrës, Blatten.

Madje, lopët janë evakuuar edhe me helikopter, transmeton albinfo.ch.

Gjithashtu edhe 300 banorë janë larguar, pasi fshati ndodhet në rrezik për ortek të mundshëm shkëmbor, gjë për të cilën janë shprehur të shqetësuar gjeologët.

Rrëshqitja masive mund të godasë fshatin dhe ta shkatërrojë atë plotësisht.

Blatten ndodhet në një lartësi prej 1,540 metrash. Fshati është tërësisht i zbrazët prej disa ditësh dhe nuk ka më turistë.

 

Posted in Fun

Austria shënon rritje të ekstremizmit dhe dhunës

Austria ka përjetuar një rritje shqetësuese të incidenteve ekstremiste gjatë vitit të kaluar, me një gatishmëri të shtuar për përdorimin e dhunës nga grupet e krahut të djathtë, islamistë dhe të krahut të majtë. Këto janë disa nga përfundimet kryesore të raportit vjetor për mbrojtjen e kushtetutës Verfassungsschutzbericht 2024, i prezantuar të hënën nga Ministri i Brendshëm Gerhard Karner, Sekretari i Shtetit Jörg Leichtfried dhe shefi i Drejtorisë së Sigurisë Kombëtare (DSN), Omar Haijawi-Pirchner, sipas raportimit të ORF, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportit, veprat penale me motive të ekstremizmit të djathtë u rritën me 23 për qind, duke arritur në 1,486 raste. Autoritetet kanë vënë në dukje një radikalizim të shtuar përmes platformave online, mbledhjen e armëve dhe formimin e rrjeteve që përgatiten për të ashtuquajturën “Dita X” një skenar apokaliptik i propaganduar nga ekstremistët.

Në të njëjtën kohë, krimet e lidhura me islamistët ekstremë u rritën me mbi 40 për qind, një pjesë e konsiderueshme si reagim ndaj sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. Autoritetet austriake arritën të parandalojnë tetë sulme të planifikuara gjatë vitit 2023.

Edhe veprimet ekstremiste të krahut të majtë u rritën, sidomos në kontekstin e protestave që pasuan luftimet në Rripin e Gazës. Zyrtarët theksuan se prirja për dhunë nga të gjitha anët e spektrit ideologjik përbën një kërcënim real për rendin dhe sigurinë publike, transmeton albinfo.ch.

Raporti nënvizon gjithashtu kërcënimet në rritje nga propaganda e gjeneruar përmes inteligjencës artificiale, sulmet kibernetike dhe spiunazhi  veçanërisht përmes infiltrimeve të huaja në infrastrukturat kritike dhe institucionet shtetërore.

Ministri Karner theksoi nevojën për një qasje të koordinuar midis agjencive të sigurisë dhe bashkëpunim ndërkombëtar për të adresuar këto sfida gjithnjë e më të ndërlikuara. Ai vuri në dukje se “siguria nuk është një gjendje e qëndrueshme, por një proces që kërkon vigjilencë të vazhdueshme”.

Austria ka shtuar përpjekjet për të forcuar kapacitetet e saj në fushën e sigurisë së brendshme, me investime në teknologji të reja për monitorim dhe mbrojtje, si dhe me trajnime të specializuara për hetuesit e ekstremizmit dhe krimeve të motivuara ideologjikisht, transmeton albinfo.ch.

Zvicër: Rritje më e moderuar e primeve të sigurimit shëndetësor në vitin 2026

Popullsia zvicerane do të përballet sërish me një rritje të primeve të sigurimit shëndetësor në vitin 2026, por autoritetet federale presin që kjo rritje të jetë më e butë sesa ajo prej 6 për qind në vitin 2025 dhe 8.7 për qind në vitin 2024, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (FOPH), kostot e kujdesit shëndetësor, faktor kyç në përcaktimin e primeve, vazhdojnë të rriten për shkak të plakjes së popullsisë dhe ilaçeve gjithnjë e më të shtrenjta. Në tremujorin e parë të vitit 2025, përfitimet për person u rritën me 4.9 për qind, një nivel pak më i lartë krahasuar me vitin e kaluar.

“Është ende herët për një parashikim konkret, por indikacionet flasin për një rritje më të moderuar”, tha Philipp Muri nga FOPH. Një tjetër faktor që mund të ndihmojë në stabilizimin e situatës është ndalja e trendit rënës të rezervave të siguruesve, të cilat për vitin 2024 pritet të arrijnë në 7.8 miliardë franga.

Megjithatë, autoritetet theksojnë se do të ketë dallime mes kantoneve dhe kompanive të sigurimit. Një panoramë më e qartë pritet në verë, kur siguruesit do të publikojnë parashikimet e tyre. Instituti Comparis parashikon për momentin një rritje rreth 4 për qind për vitin 2026, transmeton albinfo.ch.