“Duhet ta mposhtësh Serbinë”, kryetari i Bujanocit i jep porosi kapitenit të Shqipërisë

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka pritur të mërkurën në kabinetin e tij kapitenin e Kombëtares Shqiptare në futboll, Berat Gjimshiti. Gjatë takimit të përzemërt, Pajaziti shprehu mirënjohje për angazhimin dhe përfaqësimin dinjitoz që Gjimshiti i bën flamurit kuqezi, duke e cilësuar atë si shembull frymëzimi për të rinjtë shqiptarë në Luginën e Preshevës dhe më gjerë, raporton albinfo.ch.

Në një moment të veçantë të takimit, Pajaziti dha edhe një porosi të qartë për mbrojtësin e Shqipërisë dhe Atalantas:

“Duhet ta mposhtësh Serbinë,” – i tha kryetari.

Gjimshiti reagoi menjëherë, duke u përgjigjur shkurt: “Me kësmet.”

Kërkesa e kryetarit u përsërit edhe një herë pas insistimit të një prej të pranishmëve në sallë, ndërsa kapiteni kuqezi shtoi: “Do Zoti.”

Takimi vjen vetëm pak ditë para përballjes së shumëpritur Shqipëri – Serbi, e cila do të zhvillohet më 7 qershor në “Arenën Kombëtare” në Tiranë, si pjesë e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Kjo ndeshje pritet me interes të jashtëzakonshëm në të gjithë hapësirat shqiptare dhe konsiderohet një nga sfidat më të ndjeshme dhe me peshë të veçantë për Kombëtaren.

Pajaziti e vlerësoi praninë e Gjimshitit në Bujanoc si një mesazh të fuqishëm bashkimi dhe motivimi, duke theksuar se sporti mbetet një urë e rëndësishme për forcimin e identitetit dhe krenarisë kombëtare, transmeton albinfo.ch.

 

Ambasadori francez: Kosova vetizolohet nëse injoron miqtë ndërkombëtarë

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka paralajmëruar se Kosova mund të vetizolohet nëse nuk i dëgjon miqtë ndërkombëtarë dhe nuk i përmbush angazhimet që ka marrë përsipër në proceset ndërkombëtare, raporton albinfo.ch.

Në fjalimin e tij gjatë konferencës “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike, ambasadori Guerot theksoi se Kosova aktualisht nuk është e izoluar, por ekziston rreziku që të izolohet përmes veprimeve të veta.

“Mesazhi i parë është: Kosova nuk është e izoluar, përveç nëse izolohet vetë. Ju nuk jeni të izoluar. Ne, pesëshja (QUINT), vendet e tjera të BE-së kemi qenë duke e mbështetur Kosovën për vite me radhë,” tha Guerot, duke rikujtuar mbështetjen e vazhdueshme të Francës, përfshirë përkrahjen për pavarësinë në vitin 2008 dhe opinionin ligjor të vitit 2009 për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Sipas tij, vetëizolimi ndodh kur Kosova nuk i dëgjon miqtë e saj ndërkombëtarë, kultivon një vetëmjaftueshmëri morale dhe shmang zbatimin e marrëveshjeve dhe zotimeve të mëparshme.

“Kosova nuk është një ishull. Ajo ndodhet në mes të një rajoni që vetë është pjesë e kontinentit. Prandaj, dëgjoni miqtë tuaj,” u shpreh ambasadori francez, raporton albinfo.ch.

Zvicër: Shembja e dheut shkatërron një pjesë të fshatit Blatten

Një ortek i fuqishëm akulli, dheu dhe mbeturinash ka goditur mëngjesin e sotëm fshatin Blatten në luginën Lötschental të kantonit Valais në Zvicër, duke shkatërruar një pjesë të madhe të tij. Sipas autoriteteve lokale, sasia e rrëshqitur ishte më e madhja e regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i monitorimeve në këtë zone, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja ndodhi rreth orës 4:00 të mëngjesit, kur një masë gjigante e akullnajës Birch u shkëput dhe u rrokullis në luginë, duke përfshirë pemë, gurë dhe baltë. Edhe pse orteku ishte paralajmëruar nga autoritetet ditë më parë, përmasat e ngjarjes i kaluan pritshmëritë.

Sipas njoftimeve të para nga Komanda Rajonale dhe nga gazetarët në terren, shumë shtëpi janë shkatërruar, por për fat të mirë nuk raportohet për të lënduar. Autoritetet kishin ndërmarrë evakuime paraprake, duke shmangur një tragjedi më të madhe.

“Basenet anësore të digës mbrojtëse janë tashmë të mbushura dhe ekziston rreziku që mbeturinat të vazhdojnë të rrëshqasin drejt lumit Lonza,”  deklaroi Fernando Lehner nga Komanda Rajonale. Ai shtoi se kjo ishte një ngjarje e parashikuar, ndaj banorët u evakuuan me kohë.

Këshilli i Shtetit i Valais ka shpallur një “situatë të veçantë” për të mundësuar një reagim më të shpejtë dhe mobilizim të burimeve shtesë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos hyjnë në zonën e prekur dhe t’u përmbahen udhëzimeve zyrtare.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë rrëshqitje masive dhe bubullima të fuqishme që dëgjoheshin në luginë. Sipas raportimeve të SRF-së, energjia elektrike u ndërpre për pak sekonda para shembjes, ndërsa një re gjigante pluhuri dhe mbeturinash mbuloi zonën, transmeton albinfo.ch.

Dy ekskavatorë janë vendosur në gatishmëri, por përdorimi i tyre në kushtet aktuale do të ishte tepër i rrezikshëm. Prandaj, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të mjeteve me telekomandë për të menaxhuar situatën në terren.

Në një njoftim të dërguar përmes aplikacionit të komunitetit, autoritetet lokale konfirmuan se “e paimagjinueshmja ka ndodhur” dhe se një pjesë e konsiderueshme e fshatit është goditur.

Shtabi i Komandës së Lötschental ka njoftuar një konferencë për media në orën 19:00, ku pritet të jepen të dhëna të detajuara për dëmet, gjendjen aktuale dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren për përballimin e krizës, transmeton albinfo.ch.

Lojtari i Baselit për Shaqirin: “Ka një aurë të pakrahasueshme”

Në një intervistë për emisionin e futbollit Heimspiel në blue Sport, mbrojtësi i majtë i FC Basel, Dominik Schmid, ka folur me superlativa për ndikimin e Xherdan Shaqirit brenda dhe jashtë fushës, duke e quajtur atë një figurë me “aurë të jashtëzakonshme” që i motivon të gjithë në skuadër, transmeton albinfo.ch.

Shaqiri, i cili magjepsi Superligën zvicerane këtë sezon me 39 gola në 34 ndeshje, duke e udhëhequr Bazelin drejt titullit kampion, vazhdon të jetë figura qendrore e skuadrës jo vetëm me paraqitjet e tij në fushë, por edhe me ndikimin në dhomën e zhveshjes.

“Është normale që kur ke cilësi nga Shaqiri dhe ai jep rezultate në një mënyrë të tillë që askush të mos turpërohet të bëjë më shumë për të. Edhe pse ai punon edhe në fazën mbrojtëse, të gjithë të tjerët japin një ose dy përqind më shumë”, tha Schmid, duke vënë në pah respektin dhe përkushtimin që ylli shqiptar ngjall tek bashkëlojtarët, transmeton albinfo.ch.

Ai shtoi se Shaqiri nuk është vetëm lider teknik, por edhe emocional. “Ai ka një prani të jashtëzakonshme, një aurë që është e pakrahasueshme. Kjo na shtyn të gjithëve të japim edhe më shumë. Ai kërkon shumë, jo vetëm nga skuadra, por edhe nga trajneri dhe stafi. Dhe mendoj se edhe ne kishim nevojë për këtë”.

Ndikimi i Shaqirit shkon përtej fushës së blertë. I pyetur për jetën e Shaqirit jashtë fushës, Schmid zbuloi se “Personaliteti i Shaqit në Zvicër është aq i madh, sa nuk mund të shkojë kudo pa vënë kapuçin dhe kapelen”.

Megjithatë, ylli i Bazelit mbetet shumë i qasshëm dhe i përulur. “Ai është gjithmonë shumë i shoqërueshëm dhe komunikues. Gjithmonë ke ndjesinë se ai vërtet gjen kohë për ty, s’ka rëndësi nëse je lojtar, anëtar i stafit, trajner, kuzhinier apo pastrues. Ai është gjithmonë shumë i këndshëm”.

Shaqiri, që u rikthye në futbollin zviceran pas një karriere të pasur ndërkombëtare, duket se po e jeton një prej fazave më të fuqishme të karrierës së tij, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë njerëzor, transmeton albinfo.ch.

Kosovë: Të enjten protestojnë bizneset, do bllokojnë hyrjet e Prishtinës

Të enjten, më 29 maj, nga ora 10:00 deri në 12:00, hyrjet kryesore të Prishtinës do të bllokohen për dy orë nga automjetet e bizneseve, si shenjë proteste ndaj liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor, raporton albinfo.ch.

Kjo protestë është iniciuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, e cila ka kërkuar shtyrjen e hyrjes në treg të lirë dhe nisjen e një dialogu të hapur me institucionet për të gjetur një zgjidhje që do të ndikonte sa më pak në sektorin privat.

Lokacionet e bllokimit:

Hyrja nga Veterniku / Gjilani  -Bllokimi do të ndodhë nga Albi Mall e poshtë Veternikut, duke ndaluar qasjen nga Ferizaj, Gjilan dhe Aeroporti.

Hyrja nga Fushë-Kosova / Mitrovica – Bllokimi do të bëhet në rrethin e madh te Lakrishtja (afër Dukagjini Tower), duke ndalur lëvizjen nga këto dy drejtime.

Hyrja nga Podujeva / Lagjja e Vranjevcit – Bllokimi do të bëhet te ish-Humanisti, në udhëkryqin afër bankës Raiffeisen, duke ndalur qarkullimin nga Podujeva si dhe lëvizjet nga Dragodani në drejtim të Shkabaj dhe Orlloviq.

Sipas Odës Ekonomike, kompanitë pjesëmarrëse në protestë janë ndër ato që preken drejtpërdrejt nga vendimi për daljen në treg të lirë të konsumatorëve të mëdhenj  me qarkullim mbi 10 milionë euro ose me mbi 50 punëtorë. Në mungesë të një sqarimi nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për ndikimin konkret në tarifa, Oda ka ngritur shqetësimin se ofertat në tregun e hapur janë deri në 200% më të larta.

Oda ka paralajmëruar se në rast se nuk ka reagim institucional dhe nuk plotësohen kërkesat, protestat do të ashpërsohen me bllokime deri në 4 orë dhe mund të përshkallëzohen në protesta ditore, të vazhdueshme.

“Në mungesë të reagimit institucional: protesta do të vazhdojë çdo ditë, gjatë gjithë ditës, deri në reflektim dhe veprim konkret nga institucionet përgjegjëse,” thuhet në njoftimin zyrtar, transmeton albinfo.ch.

Zelensky për vizitë në Berlin, pritet nga kancelari Merz

Sot, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është pritur nga nikoqiri, kancelari Friedrich Merz gjatë një vizite zyrtare në Gjermani, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë Merz është zotuar të marrë një rol më udhëheqës në sigurimin e mbështetjes për Ukrainën sesa paraardhësi i tij socialdemokrat, Olaf Scholz.

Ai vizitoi Ukrainën me udhëheqës të tjerë evropianë pak ditë pasi u bë kancelar dhe të hënën mbështeti të drejtën e Ukrainës për të nisur sulme me raketa me rreze të gjatë veprimi në territorin rus  ndryshe nga retorika e kujdesshme e Scholz për këtë çështje.

Presidenti ukrainas është atje duke kërkuar të sigurojë mbështetjen nga një prej aleatëve kryesorë evropianë të vendit të tij dhe ndihmë të mëtejshme ushtarake, ndërsa bisedimet e paqes ngecin, zhgënjimi i Donald Trump me mungesën e progresit rritet dhe Rusia rrit bombardimet e saj.

Gjermania ka qenë furnizuesi i dytë më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën pas SHBA-së.

Rohde: Urgjentisht të formohen institucionet

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se Kosova urgjentisht duhet të formojë institucionet dhe se politikanët duhet të vendosin shtetin të parin, përcjell albinfo.ch.

Pas dështimit për herë të 22-të të konstituimit të Kuvendit, Rohde në një deklaratë për KosovaPress ka thënë se ngërçi po ndikon negativisht në perceptimin e Kosovës nga jashtë.

Rohde ka thënë se mungesa e institucioneve funksionale jo vetëm që ndikon në proceset e brendshme të vendimmarrjes, por gjithashtu pengon Kosovën të përfitojë nga iniciativat ndërkombëtare, siç është Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

“E përshkruan fjala, është ngërç, është ndalesë. E thashë javën e kaluar, i bën njerëzit apatik dhe gjëja e fundit që i nevojitet një demokracie të gjallëruar është bllokada. Njerëzit kanë kryer punën e tyre me 9 shkurt dhe politikanët duhet të vendosin shtetin të parin, ndërsa politikën e partisë të dytën. Pra, mendoj se nevojitet urgjentisht që Kosova të formojë institucionet. Por, nuk është puna ime të bëjë punën e politikanëve, unë mund vetëm të observoj, por mund të të them për siguri se nuk rrit imazhin e Kosovës jashtë vendit. Nëse nuk ke një institucion funksional është e vështirë të bësh detyrat e shtëpisë, sepse nuk ke fuqinë e prokurës të marrësh vendime të vështira, të cilat nevojiten tani. Pavarësisht se a janë paratë e Planit të Rritjes të BE-së, të cilat janë në pritje për shkak se Kuvendi i Kosovës nuk është funksional, pra nuk mund të ratifikosh marrëveshjen”, ka thënë Rohde.

Rohde ka deklaruar se bllokada në Kuvend vjen si pasojë e moskompromisit mes partive politike.

“Thjeshtë nuk kemi kompromisin që nevojitet mes palëve politike… Nuk jam këtu që të jap nota. Unë mund të them se në politikë ka nevojë për kompromis dhe pasi që unë jam ambasadori gjerman sigurisht që mund të marrë parasysh shtetin tim. Ne patëm zgjedhje të vështira, rezultate të vështira, por njerëzit bënë kompromis sepse ata vendosën shtetin të parë. Ne i patëm zgjedhjet dy javë pas Kosovës dhe tani kemi një parlament funksional që një muaj dhe shpresoj që Kosova ndjek hapin me neve së shpejti”, ka deklaruar Rohde.

Të martën deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin edhe në përpjekjen e 22-të. As në tentimin e radhës, Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk arriti të formojë Komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.

Sa shpikëse janë kompanitë zvicerane?

Shumë kompani zvicerane janë në zhvillim e sipër, përcjell albinfo.ch.

Një juri e njohur, e udhëhequr nga ish-këshilltarja federale Doris Leuthard, zgjedh inovacionin më premtues në Zvicër nga një mori idesh premtëse. Në edicionin 2024/25, kompania me seli në Bernë, New Roots, mbizotëroi: ajo prodhon alternativa të djathit nga qumështi me bazë bimore. Mendimi inovativ dhe suksesi ekonomik e bindën jurinë.

Kompanitë që konkurrojnë për çmimin e Biznesit të Gjelbër 25/26 u njoftuan së fundmi.

Janë nominuar gjithsej 37 kompani. “Jam vazhdimisht i impresionuar nga mënyra se si shumë kompani në Zvicër e kanë njohur qëndrueshmërinë si një model biznesi dhe po bëjnë një ndryshim të vërtetë me zgjidhje inovative”, thotë Cédric Habermacher, drejtor i Green Business Zvicër.

https://www.blick.ch/green-circle/so-erfinderisch-sind-unsere-unternehmen-die-besten-ideen-aus-der-schweiz-id20895131.html

Nxënësit e Aargaut nuk do të lejohen të përdorin telefonin gjatë orës së mësimit

Nxënësit e kantonit Aargau nuk do të lejohen të përdorin telefonin gjatë orës së mësimit, ka vendosur Qeveria e Aargaut, transmeton albinfo.ch

Nga 1 gushti, nxënësit në shkollat fillore të kantonit Aargau nuk do të lejohen të përdorin pajisje elektronike personale gjatë orës së mësimit. Qeveria e Aargaut ka vendosur këtë kufizim në të gjithë kantonin.

Pajisjet nuk do të lejohen jo vetëm gjatë mësimeve, por edhe gjatë pushimeve e në aktivitete shkollore, ekskursione e udhëtime. Ora e drekës dhe udhëtimi për në shkollë nuk preken.

Qeveria e Aargaut justifikon vendimin me arsyetimin se pajisjet mund të prishin mësimet dhe të dëmtojnë shkëmbimin personal. Përveç kësaj, ato mund të sjellin rreziqe si ngacmimi kibernetik dhe të kenë ndikim negativ në shëndetin mendor të fëmijëve e të rinjve.

Nga sot, qafa Furka do të jetë e hapur për trafik gjatë muajve të verës

Nga ora 10:00 e mëngjesit Qafa Furka, që lidh Realpin (UR) me Oberwaldin (VS), do të jetë e hapur për trafik gjatë muajve të verës, përcjell albinfo.ch.

Qafat malore të Uri, Oberalp, Klausen e Gotthard tashmë kanë hequr mbylljet dimërore.

Megjithatë, meqenëse Qafa Susten nuk është ende plotësisht e kalueshme, ajo do të rihapet vetëm në mesin e qershorit.

Rriten eksportet e orëve zvicerane në Shtetet e Bashkuara

Eksportet e orëve zvicerane në SHBA u rritën ndjeshëm muajin e kaluar, ndërsa presidenti Donald Trump i dha fund tarifave, treguan të martën shifrat e industrisë, përcjell albinfo.ch.

Dërgesat me destinacion SHBA-në u rritën me 149.2 për qind në prill, krahasuar me të njëjtin muaj një vit më parë, sipas Federatës së Industrisë së Orëve Zvicerane.

Presidenti amerikan vendosi në fillim të prillit një tarifë prej 10 për qind për importet nga e gjithë bota, por më pas goditi dhjetëra vende me tarifa më të larta; mallrat zvicerane përballeshin me një taksë prej 31 për qind.

Megjithatë, Trump i ndaloi tarifat më të larta deri në korrik për t’i dhënë kohë negociatave.

Rritja e eksporteve të orëve zvicerane në Shtetet e Bashkuara ishte “kryesisht rezultat i dërgesave të hershme”, ndërsa tarifat më të larta të SHBA-së po afrohen, tha federata.

“Rritja e ndjeshme e eksporteve është, pra, më shumë një pasqyrim i një përgjigjeje të njëhershme ndaj një situate të pasigurt tregtare sesa një shenjë e vërtetë e një forcimi strukturor të kërkesës”, shtoi ajo. (AFP)

Swisscom do të ulë ndjeshëm tarifat e roaming-ut

Duke filluar nga 1 qershori, operatori më i madh i telekomunikacionit në Zvicër po lançon paketa të reja roaming me çmime më të ulëta për shfletim në mbi 100 vende, përfshirë Evropën, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, njoftoi kompania, përcjell albinfo.ch.

Paketat e reja të të dhënave fillojnë nga 5.90 franga për gigabajt.

“Kjo do të thotë se klientët do të përfitojnë një ulje çmimi deri në 66 për qind për roaming, varësisht nga vendi ku ndodhen”, tha Swisscom.

Ajo shtoi se edhe më shumë vende do të përfshihen në ofertë në vjeshtë.

BE: Kërkesë për formimin e Qeverisë, kemi nevojë për një partner

Në një deklaratë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se BE-ja ka nevojë për një partner në Kosovë, tek ka bërë thirrje për formimin e qeverisë së re, përcjell albinfo.ch.

Orav ka thënë se BE-së i duhet partneri që të mund të bisedojë për hapat konkretë drejt integrimit.

“Ju mund t’i bëni gjërat dhe mund ta çoni vendin tuaj drejt Bashkimit Evropian. Dhe dua të them që argumentet se një vend fqinj është duke bërë edhe më keq, nuk e afrojnë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian. Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere  presidenten  por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Pra, kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se qëndrimi i BE-së për zhvillimet në veri është i qartë. Ka përsëritur se heqja e masave ndaj Kosovës ka filluar, por ka thënë se duhet bashkëpunim i ngushtë për të ecur përpara.

“Mbyllja e institucioneve në veri. Sërish, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë pozicionin e tij  në mënyrë private, zyrtare dhe publike. Masat ndaj Kosovës. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, ishte këtu vetëm para disa ditësh dhe ajo njoftoi se heqja graduale e masave kundër Kosovës ka filluar. Por për të ecur përpara, na duhet qartësisht një bashkëpunim shumë i mirë dhe i ngushtë me autoritetet këtu”, ka thënë Orav.

Ai ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo është një temë që duhet të trajtohet seriozisht dhe pa vonesa.

“Një temë për të cilën të gjithë flasin, por që nuk është aq e preferuar për t’u përmendur nga politikanët këtu në Kosovë, është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Por qëndrimi i BE-së është sërish i qartë: duhet të bëhet. Duhet të bëhet dhe është më mirë të bëhet më herët sesa më vonë, për të ecur përpara. Mesazhi im është se ne në BE jemi të gatshëm të ecim përpara dhe shpresojmë shumë që edhe Kosova do të bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë ai.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karin Boven, mbështeti thirrjen për formimin e menjëhershëm të qeverisë, duke theksuar se pa pushtet ekzekutiv funksional, përkushtimi për integrim nuk mund të konkretizohet.

“Përfaqësuesja e Lartë Kallas, e përmendur tashmë javën e kaluar, solli lajme të mira për fillimin e heqjes graduale të masave të BE-së, ashtu siç ishte kërkuar nga të gjitha institucionet dhe partitë politike të Kosovës. Dhe si BE, tani kemi nevojë të shohim veprime që kontribuojnë më tej në përafrimin me vlerat dhe standardet evropiane. Më lejoni të tërheq gjithashtu vëmendjen tek plani evropian i rritjes, i përmendur tashmë, një tjetër mundësi madhore për integrimin gradual të Kosovës në BE, një mundësi që tashmë pret veprimet konkrete të Kosovës. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Në këtë pikë, siç e përmenda tashmë, përparësia kryesore është formimi i qeverisë dhe fillimi i menjëhershëm i punës së saj”, ka thënë ajo.

Ambasadorja holandeze vlerësoi përparimin e bërë nga Kosova ndër vite, por ka theksuar se ritmi i reformave është vendimtar për suksesin e integrimit.

Konferenca po organizohet nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

Edhe pse në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet më 9 shkurt dhe rezultatet u certifikuan në fund të marsit, Kuvendi ende nuk është konstituuar për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë.

Propozohen ndryshime të politikës së migracionit në Gjermani

Së fundmi, qeveria gjermane ka miratuar tri projektligje shumë të rëndësishme, me të cilat do të ndryshojnë rregullat për marrjen e shtetësisë gjermane, do të kufizohet numri i migrantëve që mund të vijnë në Gjermani dhe do të ndalohet bashkimi familjar për disa kategori, për dy vjet, përcjell albinfo.ch.
Ndryshimet për bashkime familjare nuk i prekin punëtorët e zakonshëm, por vetëm refugjatët dhe azilkërkuesit e refuzuar.
Dyshtetësia nuk preket, por hiqet mundësia e marrjes së shpejtë të shtetësisë gjermane dhe kufizohet numri i migrantëve që mund të vijnë brenda vitit.
Referuar statistikave, në vitin e kaluar në Gjermani rreth 200 000 të huaj kanë marrë shtetësinë gjermane, që është rekord në 25 vitet e fundit.

Bien shitjet e Teslës në Evropë

Shitjet e Teslës në Evropë vazhdojnë të bien ndjeshëm që prej muajit prill.

Regjistrimet janë 5 475, krahasuar me 11 540 një vit më parë, një rënie prej 52,6%, me pjesën e tregut që ka rënë nga 1,3% në 0,6%.

Që nga fillimi i vitit, kompania e udhëhequr nga Elon Musk ka shitur 41 677 makina apo 46,1% më pak se e njëjta periudhë në vitin 2024.

Tregu i makinave në Evropën Perëndimore (BE+EFTA+MB) mbylli katër muajt e parë të vitit në një mënyrë të qëndrueshme krahasuar me vitin 2024.

Në prill, regjistrimet ishin 1 077 186 pra 0,3% më pak se i njëjti muaj i vitit të kaluar, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Në periudhën katërmujore, pati 4 459 087 ose e thënë ndryshe 0,4% më pak se në të njëjtën periudhë në vitin 2024.

Duke parë vetëm BE-në, në katër muajt e parë të vitit 2025 shitjet e makinave elektrike me bateri u rritën me 26,4%, duke arritur në 558 262 njësi, 15,3% të totalit të BE-së.

“Automjetet hibride u rritën me 20,8%, duke kapur 35,3% të tregut dhe mbeten zgjedhja e preferuar për konsumatorët e BE-së “, thekson ACEA, shoqata evropiane e e automjeteve.

“Thesari Bitcoin”, ideja e fundit nga Trump

Rreth 50 investitorë institucionalë do të investojnë 1.5 miliardë dollarë (rreth 1.38 miliardë euro) në vendosjen private për aksione të zakonshme në kompani, dhe 1 miliard dollarë të tjerë (rreth 920 milionë euro) për obligacione të konvertueshme, sipas Trump Media and Technology Group, operatorit të Truth Social dhe kompanive të tjera.

Trump Media tha se synon të përdorë të ardhurat për krijimin e një “thesari bitcoin”.

“Ky investim do të ndihmojë në mbrojtjen e kompanisë sonë kundër ngacmimit dhe diskriminimit nga institucionet financiare, të cilat prekin shumë amerikanë dhe firma amerikane”, tha CEO dhe kryetari i Trump Media, Devin Nunes. Shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Aksionet e Trump Media & Technology Group Corp., me seli në Sarasota, Florida, ranë me 9 % pas përditësimit.

Kompani të tjera kanë miratuar strategji të ngjashme përmes kriptomonedhës. Zhvilluesi i softuerëve në cloud dhe celular, MicroStrategy Inc., ka ndërtuar një rezervë thesari që përmban miliarda dollarë bitcoin përmes shitjeve të aksioneve dhe financimit të borxhit.

Trump, i cili iu referua kriptovalutave në mandatin e tij të parë si “jo para,” duke përmendur paqëndrueshmërinë dhe një vlerë “të bazuar në ajër të hollë,” ka ndryshuar pikëpamjet e tij mbi këtë teknologji.

Gjatë një ngjarjeje në klubin e tij Mar-a-Lago në Florida, gjatë fushatës presidenciale në maj 2024, Trump mori garanci se mbështetësit e industrisë së kriptovalutave do të shpenzonin shumë për ta rizgjedhur atë.

Javën e kaluar, Trump shpërbleu 220 investitorë kryesorë në një nga projektet e tij të tjera të kriptovalutave, monedhën meme $Trump, me një darkë në një klub luksoz golfi në Virxhinia Veriore, duke nxitur akuza se presidenti përziente detyrat zyrtare me interesat e tij personale.

Kreuzlingeni me shumë hendbollistë shqiptarë largohet nga Superliga zvicerane

Është e çuditshme, por e vërtetë: klubi zviceran Kreuzlingen u largua vullnetarisht nga Superliga zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Blick i ka kushtuar klubit një artikull për vendimin e tij dhe për mënyrën se si shumë hendbollistë do të nisin transfere të reja.

Vlen të theksohet se ky klub kishte pesë hendbollistë të rëndësishëm të Kosovës dhe tri hendbolliste të njohura të përfaqësueses së Kosovës.

Në edicionin 2024/2025, Kreuzlingen ishte njëri nga dy klubet e vetme që kishte ekipin e djemve dhe atë të vajzave në Superligën e Zvicrës.

Por në edicionin e ardhshëm nuk do të jetë në elitë me asnjërin ekip.

Hendbollistët ndër më kryesorët ishin shqiptarë: kapiteni Valon Dedaj, lojtari kryesor i mbrojtjes Bujar Ramosaj, portieri i parë Haris Berisha, krahu i djathtë Drilon Tahirukaj dhe krahu i majtë Drenit Tahirukaj. Pjesë e klubit ishin edhe tri hendbolliste të rëndësishme të Kosovës: Albina Rugova, Fitore Aliu dhe Dafina Mustafa.

Sipas Blick, ajo që ndodhi duket e pazakontë, por është vetëm kapitulli i tretë i riorientimit të klubit. /Albinfo.ch

Shqipëri-Serbi, me masa të jashtëzakonshme sigurie

Më 7 qershor 2025, ora 20:45, “Arena Kombëtare” do të jetë skena e një ndeshjeje me peshë të veçantë për Kombëtaren shqiptare, që përballet me Serbinë në kualifikueset e Botërorit 2026.

Për këtë arsye, autoritetet shqiptare kanë mobilizuar masa të jashtëzakonshme sigurie për të garantuar një mbrëmje sportive të qetë dhe pa incidente, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me Shërbimet e Sigurisë së Shtetit, Policinë dhe agjenci të tjera, po implementojnë masa të avancuara sigurie në stadium.

Në stadiumin “Arena Kombëtare” po instalohen sisteme moderne sigurie që përfshijnë kamera me njohje fytyre “face recognition” dhe kamera të lëvizshme shtesë, që do të monitorojnë çdo lëvizje në tribuna dhe rreth stadiumit në kohë reale.

Policia shqiptare ka përgatitur një plan të detajuar kontrolli, që përfshin verifikimin e imtësishëm të biletave dhe dokumenteve të identifikimit të çdo personi që hyn në stadium.

Për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm, të gjitha rrugët që çojnë drejt stadiumit do të jenë të bllokuara plotësisht, ndërsa zona përreth do të mbrohet me pajisje antidron, për të shmangur mundësinë e ndonjë ndërhyrjeje të jashtme. Në stadium do ketë prezencë të lartë të forcave të policisë dhe njësive antiterror.

Bekim Zogaj zgjidhet Menaxher i Gjyqtarëve Elitë të Zvicrës

Kanë kaluar më pak se një vit që nga “pensionimi” i tij si asistent gjyqtar futbolli në nivelet më të larta zvicerane dhe ndërkombëtare. Por, Bekim Zogaj, ka ende shumë për t`i dhënë profesionit që ka ushtruar për afër tri dekada. Ai është emëruar sot si menaxher i gjyqtarëve elitë të Zvicrës.

Siç shkruan Departamenti i Gjyqtarëve Elitë i Shoqatës Zvicerane të Futbollit (SFV) në një komunikatë të publikuar sot, SFV me një vendim të tij ka emëruar pasardhësin e Brent Reiber-it në pozitën e Menaxherit të Gjyqtarëve Elitë, transmeton albinfo.ch. Duke filluar nga 1 shtatori 2025, Bekim Zogaj do t’i bashkohet SFV-së me kohë të plotë.

Ish – gjyqtari ndihmës me përvojë të gjerë ndërkombëtare ka qenë zëvendës i Kryegjyqtarit Dani Wermelinger në mënyrë të përkohshme që nga fillimi i këtij viti. Kështu, ai kalon nga niveli strategjik në atë operacional të arbitrimit elitar.

Pozicioni në skemën organizative dhe detyrat e 45-vjeçarit nga Cyrihu, i cili e përfundoi karrierën e tij vjeshtën e kaluar me kulmin e pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian 2024 me ekipin e arbitrit të njohur Sandro Schärer, janë identike me ato të paraardhësit të tij. Si Menaxher i Gjyqtarëve Elitë, Zogaj merr përgjegjësinë operacionale për gjyqtarët elitë. Ai do të nxisë më tej zhvillimin dhe profesionalizimin e arbitrimit elitar, duke kryer mes tjerash,analiza të performancës dhe duke udhëhequr ndarjen e skuadrave.

“Me Bekim Zogajn, ne po e marrim atë përsipër si një ekspert që është tashmë shumë i njohur me proceset dhe ka lidhje të shkëlqyera kombëtare dhe ndërkombëtare”, thotë Dani Wermelinger. “Dorëzimi i detyrës do të jetë një proces i vazhdueshëm dhe për këtë arsye, nga perspektiva jonë, një proces i qetë. E konsideroj Bekim Zogajn, jo vetëm në rolin e tij si zëvendës, jashtëzakonisht të përkushtuar dhe të apasionuar pas futbollit në një kuptim pozitiv.”

Zogaj do të vazhdojë të punojë në stafin e Departamentit të Inxhinierisë Civile të Qytetit të Winterthur deri në transferimin e tij në postin e ri, transmeton albinfo.ch

“Mezi pres këtë sfidë në SFV”, thotë Bekimi, baba i tre fëmijëve. “Vizionet tona janë të përafërta. Për më shumë se 28 vjet, zemra ime ka qenë te arbitrimi, qoftë si gjyqtar aktiv, si trajner apo si anëtar i ekipit të menaxhimit. Detyrat e ardhshme janë të njohura për mua dhe jam gati t’i përballoj ato me energji të plotë”.

Me ndryshimin në pozicionin e Menaxherit të Gjyqtarëve të Elitës, hapi tjetër është të caktohet pasardhësi i Zogajt si zëvendësdrejtor i departamentit të arbitrimit të elitës në zonën e SFL-së nga Dani Wermelinger, thuhet në komunikatën e SFV.

Trump pezullon caktimin e terminëve për viza studentore

Së fundmi, administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar ambasadat të ndalojnë caktimin e takimeve për viza studentore, ndërsa përgatitet të zgjerojë verifikimin e aplikantëve të tillë në mediat sociale, përcjell albinfo.ch.

Në një kopje të një memorandumi dërguar posteve diplomatike, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se pauza do të zgjasë deri në një udhëzim të mëtejshëm.

Në mesazh thuhej se verifikimi i medieve sociale do të rritej për vizat studentore dhe ato për shkëmbime kulturore, gjë që do të kishte “implikime të rëndësishme” për ambasadat dhe konsullatat.

Urdhri i presidentit Trump vjen në mes të grindjes së tij me disa nga kolegjet më elitare të Amerikës, të cilat ai i beson se janë shumë të majta në bindje. Ai thotë se disa prej tyre kanë mundësuar antisemitizmin në kampus dhe mbështesin politikat diskriminuese të pranimit.

Memorandumi i Departamentit të Shtetit u drejtohej ambasadave amerikane që të hiqnin çdo takim të paplotësuar nga kalendarët e tyre për studentët që kërkojnë viza.

Studentët e huaj që duan të studiojnë në SHBA zakonisht duhet të caktojnë intervista në një ambasadë amerikane në vendin e tyre të origjinës përpara miratimit.

Shumë institucione mbështeten te studentët e huaj për një pjesë të konsiderueshme të financimit të tyre, pasi ata shpesh paguajnë tarifa më të larta shkollimi.

Kur u pyet për vizat studentore, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, u tha gazetarëve të martën: “Ne e marrim shumë seriozisht procesin e verifikimit të atyre që hyjnë në vend dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

Burgim të përjetshëm dy personave për vrasjen e biznesmenit shqiptar

Vëllezërit J.V. dhe N.V. janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi në vitin 2021.

Kryetarja e trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Medie Bytyqi, ka thënë se ata janë fajtorë për dy vepra penale: vrasje e rëndë dhe dëmtim i varrezave apo i kufomave.

Sipas aktakuzës, në periudhën 9 janar 2021-8 prill 2021 vëllezërit Vllasaliu kishin planifikuar ta vrisnin Bedri Rexhepin me qëllim përfitimin e pasurisë.

Referuar aktakuzës, viktima ishte vënë në lajthitje nga vëllezërit Vllasaliu, të cilët ofruan për shitje dy vetura në vlerë prej 30 000 eurosh. Më 8 prill 2021 Rexhepi kishte shkuar në shtëpinë e njërit prej të pandehurve.

Atje, sipas aktakuzës, J.V. e ka ngufatur dhe mbytur Rexhepin, duke menduar se ai mbante me vete shumën prej 30 000 eurosh, siç ishin pajtuar për shitjen e veturave. Mirëpo, sipas aktakuzës, tek viktima u gjetën vetëm 8 000 euro. Vëllezërit ndanë mjetet dhe më pas e çuan kufomën në katin e tretë të shtëpisë, ku tentuan ta fshijnë provat duke e varrosur.

Mbetjet mortore të Rexhepit u gjetën më 30 shtator 2022 në vendin e quajtur Mali i Madh, në Vllasali të Novobërdës.

Të dy të dënuarit në seancën fillestare u deklaruan të pafajshëm.

Avokati i palës së dëmtuar, Besnik Berisha, ka deklaruar se sot drejtësia foli. “Së paku satisfaksion moral për dënimin që u shqiptua, sot drejtësia foli, sot plagët janë më të lehta, e dënimi i shqiptuar është dënim i pritur”, ka thënë ai.

Shemsedin Piraj, avokat i të dënuarit Nexhat Vllasaliu, ka deklaruar se s’kishte pritur dënimin me burgim të përjetshëm. “S’e kam pritur këtë dënim për klientin tim Nexhat, burgim i rëndë në bashkëkryerje. Ne i kemi cekur të metat e aktakuzës, por fatkeqësisht ato nuk u përfillën. Megjithatë, ky nuk është vendim përfundimtar, por vetëm i shkallës së parë”, tha Piraj.

Prej sot edhe një pikë e përbashkët kufitare mes Kosovës dhe RMV-së

Mësohet se nga sot (28 maj) edhe pika kufitare me Maqedoninë e Veriut, Glloboçicë-Jazhincë, do të kalohet me vetëm një kontroll, përcjell albinfo.ch.

Në orën 14:00 do të bëhet inaugurimi i pikës së përbashkët kufitare, që është e dyta pas asaj të Hanit të Elezit-Bllacë, që u inaugurua në prill.

Siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në ceremoninë inauguruese do të marrin pjesë ministrat e brendshëm të të dyja shteteve dhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.

“Ky pikëkalim i përbashkët është njëri nga dy pikat e kalimit të përbashkët kufitarë të paraparë sipas Protokollit të Implementimit të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar Hani i Elezit-Bllacë dhe Glloboqicë-Jazhincë, nënshkruar në nëntor 2024 në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive”, ka njoftuar MPB.