Seanca konstituive dështon për herë të 29-të

Edhe të hënën ka dështuar të përmbyllet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte nisur më 15 prill. Në vazhdimin e saj të 29-të, për të 21-tën herë radhazi nuk u arrit kuorumi i nevojshëm për formimin e Komisionit për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit.

Në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm 102 deputetë, mirëpo vetëm 53 prej tyre votuan pro, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim. Kjo rezultoi në dështimin e radhës për të kaluar në fazën e zgjedhjes së kryetarit, duke e zgjatur edhe më tej bllokadën institucionale.

Mosarritja e konsensusit ndërmjet partive politike vazhdon të mbajë të paralizuar procesin e konstituimit të legjislaturës së nëntë, e cila është kusht për formimin e Qeverisë së re.

Seanca e radhës është caktuar për të mërkurën, më 11 qershor, me fillim nga ora 11:00. Megjithatë, në mungesë të një marrëveshjeje politike mes partive, nuk pritet një ndryshim i madh në rezultat.

SHBA dhe Kina do të nisin bisedime të reja tregtare

Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të Republikës Popullore të Kinës do të takohen sot në Londër për të zhvilluar një raund të ri bisedimesh tregtare, në përpjekje për të zbatuar marrëveshjen e arritur në maj mes dy ekonomive më të mëdha të botës, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas një njoftimi nga Presidenti amerikan Donald Trump, delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga ministri i Financave Scott Bessent, ministri i Tregtisë Howard Lutnick dhe i ngarkuari për Tregtinë Jamieson Greer. Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump u shpreh optimist për rezultatin e takimit: “Takimi pritet të shkojë shumë mirë”.

Raundi i ri i bisedimeve është dakorduar gjatë një telefonate të zhvilluar të enjten (5 qershor) mes presidentit Trump dhe homologut të tij kinez Xi Jinping. Sipas Trumpit, qëllimi kryesor i takimit në Londër është diskutimi i detajeve të zbatimit të marrëveshjes tregtare të arritur muajin e kaluar.

Ndryshe nga entuziazmi i shprehur nga Shtëpia e Bardhë, Pekini ka mbajtur një qëndrim më të përmbajtur. Zyrtarët kinezë i kanë kërkuar SHBA-së që t’i përmbahet kushteve dhe parimeve të reciprocitetit të përfshira në marrëveshjen e majit. Sipas deklaratave nga pala kineze, Kina ka zbatuar marrëveshjen me seriozitet dhe përgjegjësi.

Presidenti Trump ka ndjekur një kurs të ashpër ndaj Kinës që nga marrja e detyrës, duke vendosur tarifa të larta doganore ndëshkuese ndaj importeve kineze, të cilat në kulmin e tensioneve arritën deri në 145 për qind. Pekini iu përgjigj me kundërmasa të ngjashme, duke përshkallëzuar konfliktin tregtar mes dy vendeve.

Megjithatë, në mesin e majit, gjatë një takimi të mbajtur në Zvicër, palët ranë dakord të ndalnin spiralen e përshkallëzimit të masave ndëshkuese dhe të nisin një proces të reduktimit të ndërsjellë të tarifave, të paktën përkohësisht, transmeton albinfo.ch.

Transporti ujor i Liqenit të Gjenevës ka nevojë për mbi 500 milionë franga

Kompania zvicerane e transportit ujor Compagnie Générale de Navigation (CGN) po përballet me një krizë serioze infrastrukturore dhe financiare. Në një intervistë për programin informativ “19h30” në RTS, drejtori i përgjithshëm Vincent Pellissier deklaroi se CGN ka nevojë për një injeksion financiar urgjent prej më shumë se 600 milionë frangash zvicerane për të garantuar funksionimin dhe të ardhmen e saj, transmeton albinfo.ch.

“Na duhen 150 milionë franga për kantierin detar, 150 milionë për restaurimin e anijeve ‘Belle Epoque’ dhe mes 200 deri në 300 milionë franga për zgjerimin e transportit publik,” u shpreh Pellissier.

Nga tetë anijet me avull që përbëjnë pjesën më ikonike të flotës së CGN-së, gjashtë nuk janë më të përshtatshme për lundrim. Anija “La Suisse” është aktualisht e ankoruar për shkak të dëmtimeve teknike, çka ka rezultuar në 3.000 anulime udhëtimesh dhe pakënaqësi të theksuar nga publiku. Në vitin e kaluar, një incident me anijen “Simplon” në portin e Cully (Vaud) shkaktoi ndërprerje të mëdha dhe reagime negative.

Plani i shpëtimit do t’u paraqitet aksionarëve deri në fund të këtij viti, mes të cilëve janë kantonet Gjenevë, Vaud dhe Valais, që zotërojnë bashkërisht 57% të kompanisë. Ndihma financiare pritet të kërkojë mbështetje të koordinuar publike, përfshirë subvencione nga autoritetet kantonale dhe federale.

CGN është një element kyç i transportit në liqenin Léman, jo vetëm për udhëtarët e përditshëm, por edhe për turizmin historik dhe kulturor në rajon. Nëse nuk ndërmerren masa urgjente, e ardhmja e flotës dhe funksionaliteti i saj janë në rrezik serioz, transmeton albinfo.ch.

Tragjedi në finalen e Ligës së Kombeve, tifozi humb jetën pas rënies nga tribuna

Një incident tragjik ka ndodhur gjatë finales dramatike të Ligës së Kombeve midis Portugalisë dhe Spanjës në Mynih, ku një tifoz humbi jetën pasi ra nga tribuna gjatë kohës shtesë të ndeshjes, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas konfirmimit nga Unioni i Shoqatave Evropiane të Futbollit (UEFA), tifozja ra nga niveli qendror i stadiumit në zonën e mediave poshtë, në një moment të tensionuar mes tifozëve, ndërsa ndeshja ndodhej në kohën shtesë. Pavarësisht reagimit të menjëhershëm të shërbimeve emergjente, ajo nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve të rënda.

“Fatkeqësisht, mund të konfirmojmë se një tifoz vdiq gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve në Mynih,” tha një zëdhënës i UEFA-s.

Trajnerët e të dyja ekipeve reaguan me dhimbje pas ndeshjes. Luis de la Fuente, trajneri i Spanjës, u shpreh: “Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës. Është një ditë e trishtuar për futbollin.” Ndërsa homologu i tij, Roberto Martinez, e quajti ngjarjen “jashtëzakonisht të dhimbshme”.

Rrethanat e sakta të rënies së tifozes ende mbeten të paqarta dhe autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të sqaruar nëse incidenti lidhet me rreziqe strukturore, mbipopullim apo faktorë të tjerë të sigurisë.

Finalja në vetvete ishte emocionuese dhe plot kthesa. Portugalia, ndonëse dy herë në disavantazh, arriti të rikthehet dhe të barazojë, me kapitenin Cristiano Ronaldo që shënoi një nga golat e barazimit. Fitorja e Portugalisë erdhi pas serisë së penalltive, me rezultatin 5-3, megjithëse Ronaldo u largua nga loja në minutën e 88-të, transmeton albinfo.ch.

Mbahet sot seanca gjyqësore për rastin “Banjska”

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot mbahet seanca e radhës për rastin “Banjska”, që lidhet me sulmin terrorist të ndodhur më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, transmeton albinfo.ch.

Në seancën e fundit, tre nga të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, dolën para trupit gjykues për t’u përballur me akuzat për kryerje të veprave terroriste. Të tre të pandehurit u deklaruan të pafajshëm dhe mohuan çdo përfshirje në aktet për të cilat akuzohen.

Ky proces gjyqësor përfshin gjithsej 45 të akuzuar, në krye me kriminelin serb Milan Radojiçiq, i cili publikisht pranoi se kishte udhëhequr sulmin në Banjskë të Zveçanit. Megjithatë, përveç tre të akuzuarve që po gjykohen në Kosovë, 42 të tjerët, përfshirë Radojiçiqin, ndodhen në arrati.

Prokuroria Speciale e Kosovës, më 11 shtator 2024, ngriti aktakuzë ndaj grupit të dyshuar për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale. Kosova ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e Radojiçiqit dhe të bashkëpunëtorëve të tij, por deri tani autoritetet serbe nuk kanë ndërmarrë veprime për dorëzimin e tyre. Emrat e të akuzuarve janë të regjistruar në listën e kërkimit ndërkombëtar të INTERPOL-it.

Presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë për të bashkëpunuar me drejtësinë kosovare në këtë çështje ka qenë i vazhdueshëm, por zbatimi i drejtësisë mbetet ende i penguar nga mungesa e ekstradimit të të arratisurve, transmeton albinfo.ch.

Gjykata Speciale: Deri më 12 qershor, ekipet e mbrojtjes dorëzojnë mocion për rrëzimin e aktakuzës

Ekipet e mbrojtjes të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi,  kanë afat deri më 12 qershor për të dorëzuar një mocion të përbashkët në Gjykatën Speciale në Hagë për rrëzimin e disa ose të gjitha pikave të aktakuzës ndaj tyre, transmeton albinfo.ch.

Sipas një vendimi të publikuar nga Dhomat e Specializuara, mocioni i mbrojtjes pritet të mbështetet në rregullën 130 të procedurës dhe do të përmbajë kundërshtime mbi bazën ligjore të vazhdimit të procesit, si dhe kërkesa të tjera procedurale që mund të çojnë në hedhjen poshtë të akuzave.

Fillimisht, Trupi Gjykues kishte caktuar datën 14 korrik si afatin për dorëzimin e përgjigjes nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), por më pas vendosi ta shkurtojë këtë afat deri më 7 korrik.

“Trupi Gjykues urdhëroi ekipet e mbrojtjes të dorëzojnë mocionin e përbashkët në përputhje me rregullën 130, deri më 12 qershor, ndërsa ZPS-ja u urdhërua të dorëzojë përgjigjen e saj deri më 14 korrik. Megjithatë, në këtë vendim, Trupi Gjykues e gjeti të përshtatshme të zvogëlojë afatin kohor për përgjigjen e Prokurorisë më 7 korrik”, thuhet në dokumentin zyrtar, transmeton albinfo.ch.

Avokati Ardian Bajraktari, duke komentuar për zhvillimet e fundit, ka thënë se një rrëzim i tërësishëm i aktakuzës do të përbënte një epilog të mundshëm për këtë proces të gjatë dhe, siç e cilësoi ai, të mbushur me “shkelje të shumta”.

“Referuar asaj që është parë deri më tash, rrëzimi i tërësishëm i pikave të aktakuzës do të ishte epilog real i përfundimit të këtij procesi të stërzgjatur dhe me shkelje të shumta. Vlerësoj që së paku në shkallën e parë të përfundojë brenda këtij viti ose vitin e ardhshëm më së largu”, deklaroi ai.

Gjatë dy viteve të zhvillimit të gjykimit, mbi 125 dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria e Specializuar kanë dëshmuar në lidhje me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që rëndojnë mbi katër të akuzuarit.

Në tetor të vitit 2020, aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit ishte konfirmuar, duke i ngarkuar ata me përgjegjësi si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që sipas Prokurorisë, kishte për qëllim shënjestrimin e atyre që konsideroheshin “kolaboracionistë” apo “tradhtarë”, për të fituar kontroll politik gjatë dhe pas luftës.

Avokatët e tyre e kanë mohuar çdo përfshirje në veprime të tilla, duke theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur një strukturë komanduese të centralizuar dhe se akuzat janë të pabazuara, transmeton albinfo.ch.

Ushtria izraelite ndalon anijen e nisur me ndihma humanitare drejt Gazas

Ushtria izraelite ka ndaluar një jaht me 12 aktivistë ndërkombëtarë, përfshirë aktivisten e njohur suedeze për klimën, Greta Thunberg, të cilët po përpiqeshin të sillnin ndihmë humanitare në Rripin e Gazës duke sfiduar bllokadën detare izraelite, shkruan BBC, transmeton albinfo.ch.

Jahti, pjesë e fushatës së Koalicionit të Flotiljes së Lirisë, po transportonte ndihma për civilët palestinezë në Gazë. Aktivistët thonë se janë “rrëmbyer” nga trupat izraelite në ujërat ndërkombëtare dhe se ndalimi i tyre përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Në bord ndodheshin qytetarë nga Suedia, Brazili, Franca, Gjermania, Holanda, Spanja dhe Turqia, sipas organizatorëve të flotiljes. Greta Thunberg, një nga figurat më të njohura të aktivizmit global, ishte ndër pjesëmarrëset që shprehu mbështetje për popullin palestinez dhe dënoi bllokadën si “çnjerëzore”, transmeton albinfo.ch.

Ministria e Jashtme e Izraelit ka konfirmuar ndalimin, duke deklaruar se të gjithë aktivistët janë “të padëmtuar” dhe aktualisht “po transportohen të sigurt drejt Izraelit”. Megjithatë, nuk është bërë e qartë nëse ata do të ndalohen më tej, dëbohen, apo do të përballen me pasoja ligjore.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Palestinës ka bërë thirrje për mbrojtjen e sigurisë së aktivistëve dhe ka dënuar ndalimin si “një përpjekje për të heshtur solidaritetin ndërkombëtar dhe për të penguar ndihmat jetike për popullin e Gazës”.

Ky incident vjen në vazhdën e një sërë përpjekjesh të organizatave ndërkombëtare për të thyer bllokadën izraelite mbi Gazën, e cila ka shkaktuar një krizë humanitare të thellë që nga fillimi i konfliktit të fundit, transmeton albinfo.ch.

Kosovë: Abdixhiku ripërsërit thirrjen për Qeveri Uniteti

Në prag të dështimit të 29-të për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të parakohshme, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përsëritur thirrjen për krijimin e një Qeverie Uniteti, si zgjidhje për krizën politike që ka mbërthyer vendin tash e më shumë se tre muaj, transmeton albinfo.ch.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Abdixhiku ka paralajmëruar se tentativa e radhës për konstituimin e Kuvendit do të përfundojë pa rezultat, duke shërbyer vetëm si prolog për përpjekjen tjetër. Ai ka akuzuar klasën politike se e ka lënë popullin në baltë dhe ka theksuar se përsëritja e pafundme e përpjekjeve të pasuksesshme kërkon veprim të menjëhershëm.

“Popullin, atë në të cilin thirremi se e përfaqësojmë, e kemi lënë vet. Jonormalja, mes përsëritjeve të pafundme, kërkon veprim me urgjencë!”, ka shkruar Abdixhiku.

Në këtë drejtim, ai ka rikonfirmuar gatishmërinë për të ofruar një platformë konkrete bashkëpunimi, duke paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të publikojë një agjendë 15-pikëshe për Qeverinë e Unitetit, e cila do t’u dorëzohet të gjitha partive politike pa përjashtim, transmeton albinfo.ch.

Abdixhiku ka bërë apel të drejtpërdrejtë për liderët e partive të tjera – Vetëvendosje, PDK, AAK dhe Nisma – që t’i kthehen propozimit të tij për unitet dhe të mos e injorojnë këtë mundësi.

“Vazhdoj të besoj se mund të ulemi, të flasim dhe të pajtohemi për një zgjidhje të përbashkët. Kjo krizë mund të na shërbejë si mundësi – nëse e trajtojmë me guxim dhe me përgjegjësi”, ka thënë ai.

Sipas kreut të LDK-së, Kosova ka nevojë urgjente për një pozitë stabile dhe funksionale, përpara se të pretendohet një opozitë kritike. Ai ka theksuar se uniteti nuk është luks, por një nevojë kombëtare në këtë fazë.

“Po, Kosovës i duhet një opozitë. Po, Kosovës i duhet një balanc demokratik. Por para dyjave, Kosovës i duhet një pozitë. Një qeveri legjitime, një Kuvend funksional, një shtet që punon – tek më pas një opozitë që kritikon”, ka shtuar Abdixhiku.

Thirrja e tij vjen në një kohë kur kriza institucionale ka paralizuar proceset vendimmarrëse dhe ka krijuar pasiguri politike të zgjatur. Përballë kësaj situate, kreu i LDK-së u ka bërë thirrje “zërave me peshë” dhe “mendjeve të urta” që të mos heshtin, por të flasin dhe të inkurajojnë dialogun për një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

“Të refuzosh, është e lehtë. Të tallesh me një popull të tërë plot 28 herë është e rëndë. Le të provojmë unitetin. Mund dhe mos të jetë aq keq”, përfundon Abdixhiku në mesazhin e tij, transmeton albinfo.ch.

MPJD kërkon informacion për ndalimin e ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale nga Serbia

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, është ndaluar nga autoritetet serbe teksa po udhëtonte me autobus me familjen e tij, në kthim nga Austria drejt Kosovës. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), e cila njoftoi se ndalimi ka ndodhur në territorin e Serbisë, transmeton albinfo.ch.

Zëdhënësja e MPJD-së, Qëndresa Fazliu, ka bërë të ditur për mediat në Kosovë se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar një kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe për të marrë informacione mbi bazën ligjore të ndalimit dhe vendndodhjen e saktë të Spahiut.

“Kërkesa ka pasur për qëllim konfirmimin e ndalimit, ofrimin e sqarimeve mbi bazën ligjore të tij, si dhe informimin mbi vendndodhjen dhe gjendjen aktuale të z. Spahiu”, ka deklaruar Fazliu.

Ajo ka shtuar se menjëherë pas marrjes së informatave për ndalimin, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka ndërmarrë hapa për të adresuar çështjen nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë dhe ka informuar edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd.

“Z. Spahiu është duke u mbajtur në Qendrën e Paraburgimit në Kanjizha, rreth 60 kilometra nga Kikinda, në Vojvodinë. Zyra Ndërlidhëse në Beograd është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e z. Spahiu, përkatësisht me bashkëshorten e tij”, ka shtuar Fazliu, transmeton albinfo.ch.

Sipas informatave zyrtare, Spahiu pritet të dalë të hënën në orën 09:00 para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Komunale të Kikindës.

Ministria ka theksuar se do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet përmes kanaleve diplomatike dhe të mbajë të informuara institucionet përkatëse dhe partnerët ndërkombëtarë për çdo zhvillim të ri zyrtar.

Lidhur me ndalimin e tij, gjatë së dielës ka reaguar edhe avokati i Spahiut, Arianit Koci, i cili ka njoftuar se klienti i tij është ndaluar një ditë më parë dhe është transferuar në qendrën e ndalimit në Kanjizha. Sipas tij, Spahiu është marrë në pyetje lidhur me rastin “Banjska”.

Koci tha se të dielën ka qëndruar në Serbi për të mbledhur informata mbi rastin dhe shtoi se baza e dyshimeve ndaj Spahiut është e paqëndrueshme, transmeton albinfo.ch.

Seanca e 29-të konstituive mbahet sot

Sot, me fillim nga ora 11:00, është thirrur seanca e 29-të konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për zhbllokimin e situatës, nuk priten zhvillime të reja të rëndësishme, pasi qëndrimet e partive politike vazhdojnë të mbeten të pandryshuara, transmeton albinfo.ch.

Sipas Rregullores së Kuvendit, propozimi për postin e kryetarit i takon ekskluzivisht partisë fituese të zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që ka dalë fituese me 48 ulëse, ka nominuar Albulena Haxhiun për këtë pozitë. Pavarësisht mungesës së mbështetjes së mjaftueshme, LVV-ja ka bërë të ditur se nuk do të tërheqë kandidaturën e Haxhiut, por ka shprehur gatishmëri për dialog me subjektet e tjera politike.

Përveç zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, për konstituimin e plotë të legjislaturës kërkohet edhe emërimi i pesë nënkryetarëve. Vetëm pas kësaj faze mund të ecet përpara me procesin e formimit të Qeverisë së re.

Ngërçi aktual politik ka rrjedhur nga fakti që asnjë subjekt politik nuk ka arritur të sigurojë shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh për të formuar qeverinë. LVV-ja është forca e parë me 48 ulëse, pasuar nga PDK me 24, LDK me 20, AAK-Nisma me 8 dhe Lista Serbe me 9 ulëse.

Kryetari i LVV-së dhe njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, gjatë muajit maj ka shfaqur gatishmëri për kompromise në funksion të krijimit të ekzekutivit. Ai ka përmendur minoritetet dhe Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, që ka tre ulëse, si partnerë të mundshëm për një bashkëqeverisje, transmeton albinfo.ch.

Lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë

Të moshuarit kanë probleme në gjetjen e punës dhe qeveria dëshiron të rekrutojë shtetas të dyfishtë për të shërbyer në ushtrinë zvicerane, janë ndër lajmet që tërhoqën më shumë vëmendje këtë javë.

Të moshuarit nuk punësohen në Zvicër

Shumë njerëz mbi 50 vjeç raportojnë vështirësi në gjetjen e një pune.

Në përgjithësi, punëdhënësit nuk lejohen të diskriminojnë kandidatët në bazë të moshës së tyre.

Por ky lloj qëndrimi është gjithsesi i përhapur, thonë ekspertët, duke shtuar se diskriminimi në moshë është ‘praktikë standarde’ në të gjithë vendin.

Në fakt, studimet tregojnë se tre nga katër punëtorë në Zvicër përballen me një disavantazh të lidhur me moshën kur ndryshojnë vendin e punës.

Qeveria dëshiron që shtetasit e dyfishtë të shërbejnë në ushtrinë zvicerane

Një marrëveshje e vjetër midis Bernës dhe Parisit u jep shtetasve të dyfishtë zvicerano-francezë një ‘rrugëdalje’ nga shërbimi ushtarak në Zvicër. Por kjo tani mund të ndryshojë.

Çdo vit, rreth 800 franko-zviceranë përfitojnë nga ky ligj për t’iu shmangur ushtrisë zvicerane.

Megjithatë, mungesa e rekrutëve dhe situata gjithnjë e më e tensionuar e sigurisë në Evropë ka shtyrë fillimisht parlamentin dhe tani Këshillin Federal të kërkojnë ndryshime në këtë rregull.

Prandaj do të kërkohet të rinegociohet marrëveshja me Parisin për këtë qëllim.

Parlamenti nuk dëshiron që ministrat të flasin anglisht me liderët e huaj

Deputetët zviceranë kanë miratuar një mocion parlamentar që frenon aftësinë e politikanëve kryesorë të Zvicrës për të folur anglisht në mjediset ndërkombëtare.

Në vend të kësaj, ata duhet të flasin një nga gjuhët kombëtare të vendit  gjermanisht, frëngjisht ose italisht  me politikanë ose organizata të huaja që përdorin gjithashtu këto gjuhë, dhe jo automatikisht të kalojnë në anglisht, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter, e cila shpesh duhet të përfaqësojë Zvicrën jashtë vendit, e quajti propozimin “absurd”, sepse do të kufizonte lirinë e komunikimit gjatë qëndrimit jashtë vendit.

Deputetët miratojnë drejtësinë tatimore për çiftet e martuara

Deputetët zviceranë më në fund miratuan një reformë të legjislacionit të kahershëm, duke lejuar taksimin e ndarë dhe jo të përbashkët të bashkëshortëve.

Kjo do të thotë se taksimi individual i çifteve të martuara do të futet më në fund në Zvicër, pasi ka marrë mbështetjen e shumicës në parlament, raporton The Local. Kjo lëvizje do të mbyllë një çështje që ka qenë në harresë legjislative prej vitesh.

Banorët e Gjenevës po preken gjithnjë e më shumë nga bllokimet e trafikut

Ndërsa kantieret e ndërtimit po shumohen në të gjithë Gjenevën, rrugët e qytetit të dytë më të madh të Zvicrës janë vazhdimisht të mbipopulluara, me banorët dhe bizneset lokale që ankohen për këtë “situatë të paqëndrueshme”.

Një numër rrugësh janë ose plotësisht ose pjesërisht të mbyllura për makina dhe autobusë, me trafikun që devijohet diku tjetër, duke shkaktuar bllokime dhe pengesa.

Megjithatë, ky problem nuk do të zgjidhet së shpejti, sepse projekti më i madh, nga Geneva Industrial Services (SIG) për instalimin e një sistemi të ri ngrohjeje, pritet të zgjasë të paktën deri në vitin 2045.

Zvicra është e ekspozuar ndaj rrezikut mjedisor për shkak të ndryshimeve klimatike

Pas një shembjeje masive të akullnajave në kantonin e Valais në fund të majit 2025, qeveria zvicerane publikoi një listë të rreziqeve të tjera që ka të ngjarë të ndikojnë në Zvicër në dekadat e ardhshme.

Në një raport të ri, Zyra Federale për Mjedisin identifikoi 34 ngjarje që mund të ndikojnë seriozisht në Zvicër nga tani deri në vitin 2060.

Ato përfshijnë rreziqet që rrjedhin nga rritja e nxehtësisë ekstreme dhe mesatare, rritja e nxehtësisë së verës, potencial më i madh për rreziqe natyrore, si dhe modifikimin në rritje të mjediseve natyrore dhe përbërjes së specieve.

A janë liqenet e Zvicrës mjaftueshëm të ngrohtë për të notuar?

Me temperaturat në rritje të verës, duket një kohë e mirë për të bërë një zhytje freskuese në një nga liqenet e shumta të Zvicrës. Nëse ato janë mjaft të ngrohta për të notuar, varet nga preferencat tuaja. Ja çfarë mund t’ju themi.

Nëse po planifikoni të notoni, liqenet e Zvicrës monitorohen çdo ditë nga instrumentet e vendosura nga Zyra Federale për Mjedisin (BAFU) dhe temperatura regjistrohet.

Këto regjistrime ndahen me disa platforma si MeteoNews, e cila ka një listë të temperaturave aktuale për të gjithë liqenet kryesore të vendit.

Duke klikuar mbi emrat e liqeneve individuale, do të shfaqen më shumë informacione, duke përfshirë kushtet e motit për atë zonë.

Shpesh regjistrohet një shumëllojshmëri e gjerë e temperaturave, shkruan The Local.

Për shembull, në datën e publikimit, temperaturat varionin nga 9 gradë Celsius në Lake Sils deri në 23 gradë Celsius në Burgaschisee, Katzensee dhe Lützelsee.

Duhet të theksohet se këto temperatura nuk janë të qëndrueshme në tërësinë e një liqeni. Zonat ku ujërat hyjnë në liqen, veçanërisht nga zonat alpine, mund të jenë shumë më të ftohta.

Nëse kjo është sipas dëshirës suaj, kjo është një çështje e shijes personale, megjithëse ky udhëzues nga faqja Outdoor Swimmer mund t’ju japë një ide të përafërt.

Disa preferojnë një zhytje (relativisht) të akullt!

Qëndrimi i sigurt

Duke thënë këtë, si me çdo trup uji, është e rëndësishme të qëndroni të sigurt kur notoni.

Mos u hidhni kurrë nëse nuk e dini se sa i thellë është uji  mund të lëndoheni nga shkëmbinjtë ose degët e fshehura.

Mundohuni të mos notoni vetëm dhe mbani gjithmonë një sy te miqtë tuaj. Kushtet mund të ndryshojnë shpejt, edhe në verë, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa pini një birrë të freskët buzë liqenit, është më mirë të shmangni alkoolin kur jeni në ujë.

Së fundi, nëse ka një zonë të caktuar për notarët, përpiquni të qëndroni në këtë zonë. Ato monitorohen dhe është shumë më e lehtë që ndihma t’ju vijë në rast urgjence.

Toka e liqeneve

Zvicra gjithashtu mund të përshkruhet si një vend i liqeneve. Ka mbi 1500 liqene në të gjithë vendin, të ushqyera nga rrjedhjet e akullnajave dhe pesë lumenjtë kryesorë të vendit.

Disa, si Liqenet e Gjenevës dhe Cyrihut, e gjejnë veten pjesë të qyteteve të mëdha, me gjithë trafikun ujor që përfshin, ndërsa të tjerët, si Liqenet Maggiore dhe Zug, janë pak më të qetë dhe janë një magnet për turistët që kërkojnë të çlodhen.

Pastaj janë mbi dyqind liqene malore të Zvicrës, të çmuara për izolimin dhe madhështinë e tyre piktoreske. Shumë janë gjithashtu pika të njohura noti.

Zvicër: Temperatura shumë të larta nga mesi i javës

Duke filluar nga e hëna, vera ngadalë rrit shpejtësinë. Një sistem i qëndrueshëm me presion të lartë po ndërtohet mbi Evropë, duke premtuar shumë diell gjatë gjithë javës. E hëna do të jetë ende mjaft e ftohtë, me temperaturat maksimale rreth 20 gradë Celsius, por më pas do të ngrohet dita-ditës deri në fundjavë, transmeton albinfo.ch.

Më së voni deri në mesjavë, ka të ngjarë të jetë shumë nxehtë për disa. Ditën e enjte, temperaturat në shumë vende do të rriten mbi 30 gradë Celsius, ndërsa të premten dhe të shtunën mund të arrijnë deri në 34 gradë Celsius në disa vende, shkruan SRF. Ndërsa netët do të sjellin sërish rënie të ndjeshme të temperaturës, ato do të ngrohen çdo ditë.

Në të njëjtën kohë, lagështia do të rritet ndjeshëm, duke e bërë atë të ndjehet “lagësht” në shumë vende, duke filluar nga e premtja. Në anën jugore të Alpeve, tashmë do të jetë me lagështi dhe ngrohtësi duke filluar nga e marta. Me rritjen e lagështirës, gjasat për freskim të reshjeve të shiut rriten në fund të javës  fillimisht kryesisht në male, pastaj herë pas here në ultësira gjatë fundjavës. Temperaturat, megjithatë, do të mbeten pothuajse të pandryshuara: në të dy anët e Alpeve, moti i ngrohtë veror pritet të zgjasë të paktën deri të dielën.

Zbritjet kryesore që duhen bërë në vlerësimin tuaj tatimor austriak për vitin 2025

Nga rimbursimet negative të taksave deri te shtesat për udhëtarët dhe bonuset familjare, sistemi tatimor i Austrisë ka më shumë përfitime sesa mund të mendoni, nëse dini se ku të kërkoni.

Pavarësisht nëse jeni i ri në Austri ose keni qenë këtu për vite me radhë, sezoni i taksave shpesh duket si një labirint konfuz formash dhe shkronjash të imta. Por ia vlen të marrësh kohë për të kuptuar se çfarë mund të pretendosh, sepse mund të kursesh qindra euro.

Këtu janë disa këshilla kryesore tatimore nga Dhoma Austriake e Punës (AK) që mund t’ju ndihmojnë të kurseni para kur bëni vlerësimin tatimor të punonjësve (Arbeitnehmerveranlagung), veçanërisht nëse jeni punëtor me rrogë, prind, udhëtar ose punoni nga shtëpia.

Taksë negative për të ardhura të ulëta

Edhe nëse nuk keni paguar tatimin mbi të ardhurat, sepse keni punuar me kohë të pjesshme, keni pasur një stazh ose keni marrë leje prindërore, mund të merrni përsëri para. Kjo për shkak se Austria ofron një taksë negative, ose bonus të sigurimeve shoqërore, për personat me të ardhura të ulëta.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse keni fituar aq pak sa nuk është mbajtur asnjë taksë mbi pagën. Ju mund të merrni një pjesë të kontributeve tuaja të sigurimeve shoqërore të rimbursuara – dhe madje edhe më shumë nëse keni të drejtë për kompensimin e udhëtarëve, transmeton albinfo.at.

Lehtësim tatimor për prindërit e vetëm dhe për ata që fitojnë vetëm

Austria ofron zbritje vjetore për prindërit e vetëm dhe ata që fitojnë vetëm, në varësi të numrit të fëmijëve që keni dhe nëse partneri juaj fiton nën një prag të caktuar (7.284 € në 2025).

Ju mund të pretendoni:

  • 601 € për një fëmijë

  • 813 € për dy fëmijë

  • 268 € për çdo fëmijë shtesë

Këto zbritje zbatohen gjithashtu si taksë negative, që do të thotë se ju mund të përfitoni edhe me detyrim të ulët ose pa detyrim tatimor, shkruan thelocal. Kërkesa kryesore: ju duhet të merrni ndihmë familjare për të paktën një fëmijë për më shumë se gjashtë muaj.

Bonus familjar plus dhe shtesa shtesë për fëmijë

Family Bonus Plus është një nga zbritjet më të vlefshme të Austrisë për prindërit që punojnë. Ai zvogëlon drejtpërdrejt tatimin mbi të ardhurat që paguani duke:

  • 2.000,04 € në vit për çdo fëmijë nën 18 vjeç

  • 650,04 € në vit për çdo fëmijë mbi 18 vjeç

Mund të ndahet midis prindërve ose të pretendohet tërësisht nga njëri, në varësi të marrëveshjes suaj. Por kini parasysh: kjo nuk është një taksë negative, kështu që nëse nuk i detyroheni shumë taksave, mund të mos përfitoni drejtpërdrejt prej saj.

Nëse nuk kualifikoheni për bonusin e plotë, mund të merrni gjithsesi shtesën shtesë për fëmijë deri në 700 € për fëmijë në vit, në varësi të të ardhurave dhe aktivitetit tuaj të punës.

Pretendimi i pagesave për mirëmbajtje dhe alimentacion

Nëse paguani mbështetje për fëmijët që jetojnë jashtë shtëpisë tuaj, mund të kërkoni një zbritje të mirëmbajtjes – me kusht që pagesat të ndjekin detyrimet ligjore.

Në vitin 2025, mund të pretendoni:

  • 37 € në muaj për fëmijën e parë

  • 55 € për të dytën

  • 73 € për çdo fëmijë shtesë

Fëmijët duhet të jetojnë në Austri, BE/ZEE ose Zvicër. Për fëmijët në vende të tjera, merren parasysh vetëm 50 € në muaj ose gjysma e pagesës së mirëmbajtjes.

Donacionet dhe kontributet e kishës

Donacionet për bamirësitë e regjistruara dhe kontributet e kishës deri në 600 € në vit janë të zbritshme. Shumica e organizatave të njohura i raportojnë këto kontribute drejtpërdrejt në zyrën e taksave, kështu që ato përfshihen automatikisht në vlerësimin tuaj tatimor.

Ju gjithashtu mund të kërkoni kontributet e kishës të bëra në emër të partnerit ose fëmijëve tuaj nëse merrni ndihmë familjare për ta.

Kompensimi për udhëtarët

Nëse udhëtoni një rrugë të gjatë për në punë, mund të keni të drejtën e Pendlerpauschale, ose kompensimin për udhëtarët.

  • Kompensimi i vogël zbatohet nga 20 km, nëse transporti publik është i arsyeshëm

  • Shtesa e madhe fillon nga 2 km, nëse transporti publik nuk është një opsion i zbatueshëm

Në të dyja rastet, mund të merrni edhe një euro për udhëtimin: 2 € për çdo kilometër udhëtimi me një drejtim. Nëse punëdhënësi juaj mbulon kostot e transportit publik përmes një bilete pune pa taksa, kjo zbritet nga pagesa juaj, por ju mund të kërkoni ende diferencën.

Trajnimi dhe edukimi në lidhje me punën

Nëse jeni duke ndërtuar karrierën tuaj në Austri, çdo shpenzim trajnimi ose arsimimi në lidhje me punën që mbuloni vetë mund të jetë i zbritshëm. Kjo përfshin tarifat dhe materialet e kursit, shpenzimet e udhëtimit në vendin e kursit, si dhe provimet dhe certifikatat.

Edhe klasat e gjuhës mund të kualifikohen  nëse ju nevojitet gjuha për punë.

Zbritjet e zyrës së shtëpisë

Duke punuar nga shtëpia? Ju mund të kërkoni një shumë të përgjithshme për zyrën në shtëpi prej 3 € në ditë, deri në 100 ditë në vit. Nëse punëdhënësi juaj tashmë rimburson disa nga këto kosto, shuma reduktohet në përputhje me rrethanat.

Përtej kësaj, nëse keni blerë pajisje pune dixhitale (si kompjuter ose internet), mund të zbritni kostot aktuale. Ju gjithashtu mund të zbrisni deri në 300 € në vit për mobilje ergonomike  nëse keni punuar nga shtëpia të paktën 26 ditë gjatë vitit.

Nga viti 2025, kjo zbritje do të quhet “shuma e përgjithshme e punës në distancë”, por rregullat mbeten të njëjta.

Taksa e këshillit të punës

Taksa e këshillit të punës (Betriebsratsumlage) zakonisht zbritet nga paga juaj automatikisht, por nuk ju zvogëlon tatimin nëse nuk e deklaroni. Sigurohuni që të vendosni shumën e plotë nën “shpenzime të tjera të lidhura me të ardhurat” në vlerësimin tuaj tatimor.

Tarifat e sindikatës që tashmë janë llogaritur mujore përmes listës së pagave nuk mund të kërkohen përsëri.

Paaftësi, sëmundje ose dieta speciale

Nëse keni një paaftësi ose keni nevojë për një dietë të veçantë për shkak të sëmundjes, mund të kualifikoheni për kompensime fikse dhe shpenzime të jashtëzakonshme. Shuma varet nga shkalla e paaftësisë (duke filluar nga 25 për qind). Për nevojat dietike, shtesat mujore variojnë nga 42 € deri në 70 €, në varësi të gjendjes.

Mund të kërkohen gjithashtu shpenzime si medikamente, ndihma mjekësore (si karriget me rrota), qëndrime në spital ose trajtime  me ose pa një paaftësi të njohur.

Qeveria zvicerane ndalon përdorimin e gomarëve për t’u mbrojtur nga sulmet e ujqërve

Fermerët në rajonin verior të malit Jura nuk do të jenë në gjendje të përdorin gomarët për të mbrojtur kopetë e tyre të deleve dhe dhive kundër sulmeve të ujqërve. Qeveria zvicerane e konsideron këtë praktikë si në kundërshtim me ligjin. Kantonet nuk do të mund të lëshojnë më përjashtime.

Në fund të vitit 2023, Parlamenti Jura miratoi një postulat nga Partia Popullore Zvicerane e krahut të djathtë, duke kërkuar autorizimin për të përdorur gomarët për të mbrojtur kopetë. Zyrës Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Çështjet Veterinare (OSAV) iu kërkua nga kantoni Jura të jepte një opinion ligjor, por ajo vuri në dukje se praktika ishte e pazbatueshme.

Urdhëresa Federale për Mbrojtjen e Kafshëve ndalon mbajtjen e kuajve, gomarëve dhe specieve të ngjashme kur ata janë vetëm. Megjithatë, vetëm në këtë situatë kafsha merr rolin e saj si mbrojtës. Sipas urdhëresës, gomarët duhet të kenë kontakt vizual, dëgjimor dhe nuhatës me një kafshë tjetër, transmeton albinfo.ch.

Pesë përjashtimet e dhëna deri më sot nga kantoni Jura nuk përputhen me ligjin më të lartë dhe do të duhet të tërhiqen, shkruan swissinfo. Edhe nëse përdorimi i gomarëve ka funksionuar në kanton si masë mbrojtëse, ai do të duhet të braktiset, thekson qeveria Jura në një raport të publikuar së fundmi. Prandaj, ajo e ka hequr postulatin.

Përveç kësaj baze ligjore, OSAV ka identifikuar disa pengesa praktike. Gomarët, të cilët vijnë nga zona të thata, nuk e përballojnë mirë lagështinë e kullotave të Jurës. Ata gjithashtu kanë nevojë për ushqim shumë specifik që është i vështirë për t’u siguruar në lartësi, si dhe një furnizim ditor me ujë të pijshëm të freskët.

Sipas mendimit të qeverisë, nuk është vërtetuar shkencërisht se gomarët janë një mburojë e vërtetë kundër grabitqarëve.

Kosovë: Pse po kërkohet rikthimi i Ministrisë së Mirëqenies Sociale?

Që nga viti 2021, kur Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Kosovës u shkri në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, dhjetëra organizata të shoqërisë civile dhe aktivistë kanë paralajmëruar se mirëqenia sociale është lënë jashtë prioriteteve qeveritare.

Fetije Atashi-Hetemi, që lëviz me ndihmën e karrocës, përkrah kërkesën e bërë nga organizatat joqeveritare për rikthimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, pasi që, siç thotë ajo, “personat në gjendjen më të ndjeshme të shoqërisë duhet të jenë prioritet”.

Që nga viti 2021, kur Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Kosovës u shkri në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, dhjetëra organizata të shoqërisë civile dhe aktivistë kanë paralajmëruar se mirëqenia sociale është lënë jashtë prioriteteve qeveritare, ndërsa qasja në shërbime sociale për kategoritë e cenueshme është përkeqësuar.

Atashi-Hetemi, 56-vjeçare, jeton e vetme dhe thotë se përballet me sfida të shumta në përditshmëri.

Që nga fëmijëria e hershme, ajo lëviz me ndihmën e karrocës, pasi kishte pësuar dëmtime në tru për shkak të temperaturës së lartë trupore.

Ajo thotë se gjithnjë ka pasur mbështetje nga familja dhe rrethi, gjë që i dha forcë të aktivizohet për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Por, kërkon që institucionet t’i përmirësojnë kushtet për këtë kategori të shoqërisë.

Për vite të tëra, 56-vjeçarja tregon se ka pasur një ndihmë prej 150 eurosh nga një skemë sociale.

Asaj i janë dashur tetë vjet betejë ligjore që të fitojë pensionin prej 430 eurosh që u takon personave paraplegjikë. Por edhe kjo shumë, thotë se është e pamjaftueshme për të.

“Pensioni që unë marr nuk i mbulon as për së afërmi nevojat e një personi me aftësi të kufizuara, qoftë për barna, vizita mjekësore apo probleme të pritshme si plagët dekubitale. Me këto para më duhet ta paguaj një asistente që dy herë në javë të më ndihmojë. Nuk kam më shumë mundësi”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Organizatat që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe fëmijëve thonë se këto grupe të cenueshme, përveç stigmës dhe paragjykimeve nga shoqëria, gjithnjë e më shumë përballen me mungesë të mbështetjes së qëndrueshme institucionale.

Rikthimi i Ministrisë së Mirëqenies Sociale

Disa muaj më parë, përmes një letre publike drejtuar partive politike në Kosovë, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka kërkuar rikthimin e një ministrie të veçantë për mirëqenie sociale.

Sipas KOMF-it, një strukturë e tillë është thelbësore për të siguruar qasje dhe koordinim më të mirë të shërbimeve për fëmijët, personat me aftësi të kufizuara, familjet në nevojë dhe kategori të tjera të cenueshme.

Por, derisa Kosova prej muajsh ndodhet në një krizë të thellë institucionale, kjo temë nuk është trajtuar publikisht nga partitë politike.

Sipas të dhënave nga KOMF-i, vetëm 10 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë kanë qasje në shërbime të mirëfillta shëndetësore dhe sociale.

Ndërkaq, më shumë se 72 për qind e fëmijëve në vend vazhdojnë të disiplinohen përmes formave të dhunshme  një tjetër çështje që thonë se kërkon përgjigje urgjente nga institucionet.

Përveç fëmijëve, edhe pensionistët, viktimat e dhunës, familjet në ndihmë sociale dhe kategoritë e dala nga lufta janë mes grupeve që, sipas Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), vuajnë mungesën e përkujdesjes institucionale.

Ish-zyrtarë të Ministrisë së dikurshme të Mirëqenies Sociale dhe përfaqësues të shoqërisë civile paralajmërojnë se moskthimi i kësaj ministrie do ta thellojë regresin institucional dhe do të lërë në gjendje të rënduar mijëra qytetarë në nevojë.

Skënder Reçica, që ka udhëhequr atë ministri, thotë se shkrirja e saj në departamente të një superministrie “është dëshmi e një moskujdesi të thellë institucional”.

“Shërbimet sociale janë degraduar e qytetari i thjeshtë, që pret ndihmë dhe përkrahje, është lënë në mëshirën e fatit dhe të burokracisë pa shpirt”, thotë Reçica.

Sipas tij, rikthimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale “nuk është luks, është domosdoshmëri”.

“Ka ardhur koha të thuhet hapur, nuk mund të ekzistojë një shtet social pa një institucion të dedikuar që i përfaqëson ata që kanë më së shumti nevojë për mbështetje”, thekson Reçica.

Ai shton se disa projekte të nisura nga dikasteri i dikurshëm ministror tashmë kanë dështuar.

“Reforma për skemën e ndihmës sociale, e cila ishte në fazë të avancuar të përgatitjes, është braktisur. Modeli për reformën e sistemit pensional, që synonte drejtësi sociale dhe barazi kontribuuese për të gjithë qytetarët, është harruar. Investimet në shërbimet sociale, të cilat kishin filluar të strukturoheshin, janë ngrirë”, thotë Reçica për Radion Evropa e Lirë.

Rënie e cilësisë së shërbimeve sociale

Për organizatën Handikos Ferizaj, shkrirja e Ministrisë së Mirëqenies Sociale ka krijuar pasiguri tek organizatat joqeveritare për shkak të paqartësive institucionale dhe mungesës së koordinimit.

Sipas kësaj organizate për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, tani ndihet rënia e cilësisë së shërbimeve sociale.

“Shkrirja e shërbimeve sociale në ministri të tjera ka sjellë mbingarkesë të stafit dhe shpërndarje jo të qartë të përgjegjësive, gjë që ka ndikuar në ngadalësimin e hartimit dhe zbatimit të politikave dhe strategjive sociale. Kjo ka krijuar boshllëqe në koordinim dhe ka ulur efektivitetin e mbështetjes për këtë kategori, duke e bërë të nevojshme një qasje më të fokusuar dhe të organizuar në nivel qendror”, thonë nga Handikos Ferizaj.

Sipas organizatës, bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë, ku ndodhet Divizioni për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, ka qenë i mirë, porse nismat për mbështetje të fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara thuhet se kanë mbetur me projekte afatshkurtra.

“Është e domosdoshme të sigurohet zbatim i efektshëm i Ligjit për shërbime sociale, të zhvillohen programe dhe projekte të qëndrueshme me kohëzgjatje prej tre deri në pesë vjet, të ndërmerren hapa për thjeshtimin e procedurave burokratike dhe të krijohet një mekanizëm i fuqishëm monitorimi për OJQ-të që ofrojnë këto shërbime”, thuhet në përgjigjen e Handikosit për Radion Evropa e Lirë.

Handikos Ferizaj përmend edhe mungesën e koordinimit efektiv dhe vonesat në ofrimin e shërbimeve, “duke e bërë edhe më të vështirë jetën e njerëzve në nevojë, përfshirë personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e varfra”.

Organizatat e tjera joqeveritare ngrenë edhe një shqetësim tjetër për një kategori tjetër të shoqërisë: fëmijët me autizëm

Qasja e vështirë në institucionet publike e fëmijëve me autizëm

Lekë Gjurgjiali nga Organizata “Zë” – Qendra Logopedike për Trajtim dhe Hulumtim, thekson se në Kosovë është problematike qasja në shërbime profesionale për fëmijët me autizëm.

“Qasja në vlerësime logopedike është e vështirë. Edhe qasja në shërbime profesionale logopedike është e vështirë në institucione publike, marrë parasysh numrin e vogël të logopedëve të angazhuar në këto institucione, si dhe koncentrimin e përfshirjes së logopedëve në institucione publike vetëm në Prishtinë”, thotë ai.

Për Gjurgjialin, edhe më shqetësuese është lista e gjatë e pritjes për fëmijët që duan të marrin trajtim në sektorin publik.

“Listat e pritjes në institucione publike, si dhe kostot e trajtimit në sektor privat dhe në organizata joqeveritare janë problematike. Vetëm një numër i vogël i organizatave joqeveritare ofrojnë shërbime pa pagesë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Gjurgjiali beson se rikthimi i Ministrisë së Mirëqenies Sociale do të përmirësonte edhe bashkëpunimin ndërsektorial në mes të institucioneve qeveritare dhe organizatave të shoqërisë civile që merren me mbrojtjen e fëmijëve dhe gjithpërfshirjen e tyre.

Për Bind Skejën, nga Qendra për Informim dhe Përmirësim Social, bashkimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale me ministri të tjera ka shkaktuar konfuzion brenda institucioneve, ku “s’ka qenë e qartë ndarja e përgjegjësive”.

Ai vlerëson se në këtë shkrirje të ministrisë, ka humbur edhe “dija institucionale”, meqë përgjegjësitë për shërbime sociale kanë shkuar tek entitetet “të cilat nuk e kanë në bazë kauzën sociale, por operojnë me prioritete të tjera”.

“Shembull konkret është transferimi i shërbimeve të shëndetit mendor në Ministri të Shëndetësisë. Kujdesi ndaj individëve me probleme të shëndetit mendor tejkalon trajtimin medikamentoz dhe kërkon programe të mbështetjes sociale, si banimi/strehimi, punësimi, rehabilitimi etj. Këto janë jashtë vizionit të Ministrisë së Shëndetësisë, gjë që pengon mundësinë për formimin e një sistemi të mirëfilltë të kujdesit të shëndetit mendor”, thotë Skeja.

Ai, po ashtu, shprehet kritik sa i përket mungesës së ndonjë nisme sociale dhe të kujdesit për shëndetin mendor.

“Shërbimet sociale kërkojnë ekip të veçantë që kupton sistemin dhe e ka përmirësimin e sistemit synim parësor, deri në pikën ku arrihet barazia sociale”, thekson Skeja.

Në vitin 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje e mori pushtetin, vendosi që përmes reformave qeveritare të reduktojë numrin e ministrive për të ulur shpenzimet operative dhe për të arritur një efikasitet administrativ.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në adresën e Lëvizjes Vetëvendosje për të marrë një qëndrim karshi thirrjeve për rikthimin e ministrisë, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti, ky subjekt politik nuk ka kthyer përgjigje.

Njëlloj, edhe partitë tjera politike nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për këtë temë.

Për dallim nga Kosova, shumica e shteteve në rajon kanë ministri të veçantë për mirëqenien sociale.

Në Shqipëri, çështjet e mirëqenies sociale trajtohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në Mal të Zi, institucion përgjegjës për këtë është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. E në Serbi ekziston Ministria e Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Çështjeve Sociale si organ për shërbimet e mirëqenies sociale.

Rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet në Zvicër: Pse nuk mund të parashikohen gjithmonë

Pavarësisht dekadave të sistemeve të monitorimit dhe paralajmërimit, ngjarje si ajo në Blatten mbeten të vështira për t’u parashikuar. Në Zvicër, një në gjashtë shtëpi ndodhet në një zonë të ekspozuar ndaj rreziqeve natyrore.

Përmbytjet shkatërruese dhe rrëshqitjet e dheut të verës së vitit 2024, të cilat goditën rëndë Ticino, Mesolcina dhe Valais, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe vdekjen e të paktën dhjetë personave, kishin sjellë tashmë vëmendjen e publikut dhe politikës ndaj cenueshmërisë së Zvicrës ndaj rreziqeve natyrore. Megjithatë, më pak se një vit më vonë, rrëshqitja e dheut që shkatërroi fshatin Valais të Blatten ka ndryshuar lojën.

Si ka mundësi që, me gjithë dekadat e parandalimit dhe monitorimit, nuk ishte parashikuar një ngjarje e tillë? Pse hartat e rreziqeve natyrore nuk raportuan ndonjë rrezik në atë zonë?

Sipas gjeologut dhe mineralogistit bernez, Hans-Rudolf Keusen, të intervistuar nga agjencia Keystone-ATS, përgjigjja qëndron në rrallësinë e ngjarjes: hartat marrin parasysh fenomene me probabilitet të shfaqjes deri në një herë në 300 vjet. Rrëshqitja e dheut në Blatten, nga ana tjetër, është një nga ato rreziqe jashtëzakonisht të rralla “të mbetura”, të vështira për t’u parashikuar dhe paraqitur hartografikisht. Prandaj, nuk është një shkelje, por një kufi i brendshëm i mjeteve aktuale, transmeton albinfo.ch.

Gjatë 30 viteve të fundit, Zvicra ka bërë përparim të dukshëm në parandalim. Pas rrëshqitjes së dheut në Randa, Valais, në vitin 1991, kantoneve iu kërkua të hartonin hartat e rrezikut dhe shumë zona me rrezik tani kanë sisteme paralajmërimi të hershëm. Megjithatë, ndryshimi i klimës po ndryshon ekuilibrin: rritja e temperaturave dhe reshjet ekstreme po i bëjnë rrëshqitjet e dheut, rrjedhjet e mbeturinave dhe rrëshqitjet e baltës më të shpeshta dhe të paparashikueshme.

Ticino dhe Grisons: territoret nën vëzhgim

Ticino dhe Grisons janë gjithashtu territore veçanërisht të ekspozuara. Denti della Vecchia, që ka pamje nga Capriasca, regjistroi një shembje të konsiderueshme disa javë më parë, ndërsa në Valcolla e sipërme rruga kantonale u mbyll për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të dheut. Rajoni i Lokarnos, në veçanti Val Bavona dhe Vallemaggia, monitorohen vazhdimisht pas dëmtimeve verën e kaluar.

Në Graubünden, rasti i Brienz-it është emblematik: fshati u evakuua plotësisht për shkak të rrezikut të një orteku shkëmbor dhe mali sipër tij është tani një nga më të monitoruarit në Evropë, sipas komunës së Albula/Alvra. Lugina Bregaglia mbetet gjithashtu nën vëzhgim pas rrëshqitjes së dheut të vitit 2017 në Bondo, e cila mori tetë jetë, kur rreth tre milionë metra kub shkëmb u shkëput nga shpati i saj verior. Për krahasim, në Blatten ishte 3.5 milionë. Zona të tjera me rrezik përfshijnë Mesolcina, Suchis, Splügen, Pontresina dhe Poschiavo.

Një rrezik i përhapur dhe në zhvillim

Sipas një analize të hartave kantonale nga Zürcher Kantonalbank, një në gjashtë shtëpi në Zvicër ndodhet në një zonë të kërcënuar nga rreziqet natyrore, me përmbytjet që janë rreziku më i madh. Përqindja e ndërtesave të ekspozuara është veçanërisht e lartë në kantonet Glarus, Valais, Graubünden dhe Ticino.

Ndryshimet klimatike po e përkeqësojnë situatën. Shkrirja e permafrostit, e cila është vërejtur me frekuencë në rritje që nga vitet 2000, po i bën malet më të paqëndrueshme. “Uji depërton në të çara në shkëmb, krijon presion dhe mund të shkaktojë rrëshqitje të dheut,” shpjegon Keusen. Megjithatë, eksperti paralajmëron kundër përgjithësimit: nuk është vetë ngrica e përhershme që mban malet së bashku, por struktura e shkëmbit.

Parandalim i avancuar, por jo i pagabueshëm

Pavarësisht gjithçkaje, Zvicra konsiderohet model në menaxhimin e rreziqeve natyrore. “Sot ne regjistrojmë shumë pak vdekje në lidhje me këto ngjarje,” thekson Keusen. Por rrëshqitja e dheut në Blatten tregon se edhe një sistem i avancuar nuk mund të garantojë siguri absolute.

Prandaj nuk është më vetëm një çështje parashikimi: sot ne gjithashtu duhet të dimë se si të përshtatemi. Ndryshimi i klimës kërkon strategji të reja, sepse ngjarjet si ato të Blatten dhe Brienz nuk janë më përjashtime të izoluara.

Detaje të reja rreth aksidentit: Kështu humbi këmbën tifozi i Bazelit pas fitores së kupës

Në fillim të muajit, FC Basel fitoi finalen e kupës kundër FC Biel. Por festimet nuk zgjatën shumë: vetëm pak kohë pas bilbilit të fundit, një tifoz i FC Basel u plagos rëndë në stacionin e trenit Wankdorf BE.

Burri humbi një këmbë nga përplasja me një tren. Një raport i CH Media tani zbulon se si ka ndodhur aksidenti. Megjithë pretendimet e shumta në lidhje me rrethanat e aksidentit në mediat sociale  duke përfshirë grumbullimin e supozuar në platforma dhe trena që nisen para kohe  po bëhet gjithnjë e më e qartë se aksidenti ishte pikërisht ai: një aksident.

Ja çfarë tregojnë të dhënat për trenat shtesë

Pas lojës, turmat u dyndën drejt stacionit të trenit në Wankdorf, 500 metra larg. Shumë donin të festonin ekipin në shtëpi në Bazel dhe morën trenat speciale të ofruara nga Hekurudhat Federale të Zvicrës (SBB), sipas raportit të CH Media.

Treni i fundit special thuhet se është nisur në orën 17:30, sipas të dhënave të brendshme që disponon CH Media. Hulumtimi tregon se asnjë nga trenat nuk u nis herët, siç kishin pohuar më parë në rrjetet sociale. Meqenëse jo të gjithë tifozët, përfshirë viktimën e aksidentit, arritën në trenin special, SBB ofroi spontanisht një tjetër tren special, transmeton albinfo.ch.

Krahu i mbërthyer

Në të njëjtën kohë, trenat për tifozët e FC Biel u nisën gjithashtu nga stacioni Wankdorf. Policia Kantonale e Bernës siguroi që stacioni të ishte i mbushur mirë, por asnjëherë i mbingarkuar në mënyrë të rrezikshme, duke kontrolluar numrin e njerëzve, konfirmoi një zëdhënës i policisë për CH Media.

Treni special që mbërriti spontanisht rezultoi fatal për viktimën e aksidentit. Mësohet se një kamera vëzhgimi ka filmuar aksidentin. Ndërsa treni kalonte në nivelin e viktimës, krahu i tij u përplas me trenin, duke u futur në pykë dhe duke rrëshqitur midis platformës dhe trenit. Sipas CH Media, pamjet nuk tregojnë se janë përfshirë palë të treta ose se një turmë veçanërisht e dendur në shina ka çuar në aksident. Prandaj, SBB nuk sheh ndonjë nevojë për masa të mëtejshme mbrojtëse.

FC Basel anuloi festën e planifikuar të kupës në shenjë solidariteti. “Kur u konfirmua se një tifoz ishte plagosur rëndë, ne vendosëm që nuk mund të festonim në ballkon. Tifozët e mirëpritën. Të gjithë e kuptojnë se shëndeti është i pari”, tha për Blick zëdhënësi i mediave Remo Meister. FCB i uron tifozëve forcë për të ardhmen, siç njoftoi ai në X.

Pse nesër është festë publike në Gjermani?

Pfingstmontag (e hëna e bardhë) është një festë publike në Gjermani, e cila këtë vit bie më 9 qershor, por pse është në radhë të parë një ditë pushimi?

Punëtorët në Gjermani pa dyshim do të jenë të lumtur që Pfingstmontag (e hëna e bardhë) është një festë publike në Gjermani, e cila këtë vit bie të hënën, më 9 qershor.

Por rëndësia e saj fetare është më pak e qartë se Feiertage të tjera fetare (festa publike), si Krishtlindjet ose Pashkët.

Rrëshajët, që zhvillohet 49 ditë pas të dielës së Pashkëve (këtë vit më 8 qershor), përkujton zbritjen e Shpirtit të Shenjtë mbi Apostujt ndërsa ata ishin në Jerusalem.

E hëna e bardhë e ka origjinën nga oktava e Rrëshajëve. Kjo përfundoi me reformën liturgjike të Koncilit të Dytë të Vatikanit në vitin 1969. Një oktavë i referohet tetë ditëve pas një feste të krishterë.

Ashtu si festat e tjera fetare, si e hëna e Pashkëve dhe Dita e Boksit, Whit Monday e zgjat ditën e festës, duke theksuar se sa e rëndësishme është ajo për Kishën. Kjo është kryesisht një festë katolike, por festohet në mbarë vendin.

Por e hëna e bardhë nuk është pa polemika. Duke mos pasur aq rëndësi sa festat e tjera fetare, ajo është hequr në Itali, Suedi, MB dhe Irlandë, megjithëse Franca e rivendosi atë pasi e përdori për një kohë të shkurtër si një ditë pune të papaguar.

Në vitin 2005, një shtytje e shoqatave të biznesit gjerman për të anuluar festën dështoi, transmeton albinfo.ch.

Sot, ajo mbetet një Feiertag në çdo shtet federal, megjithëse shumica e njerëzve e shijojnë ditën e pushimit pa festuar aspektet e saj fetare.

Megjithatë, Rrëshajët respektohen me zakone të veçanta në disa zona, shkruan The Local, përcjell albinfo.ch.

Në Frankfurt, panairi Wäldchestag zhvillohet të martën pas Rrëshajëve.

Në Marwede, një figurë kashte e quajtur Pfingstkarl digjet dhe më pas lyhet me birrë.

Dhe në disa vende, nata nga e diela në të hënë njihet si një “natë trazire”, e lidhur tradicionalisht me shaka.

Cilat festa publike do të vijnë në Gjermani në vitin 2025?

  • 9 qershor (në mbarë vendin): e hëna e bardhë

  • 19 qershor (Baden-Württemberg, Bavari, Hesse, North Rhine-Westphalia, Rheinland-Pfalz, Saarland; pjesë të Saksonisë dhe Turingisë*): Corpus Christi

  • 15 gusht (Saarland, pjesë të Bavarisë*): Dita e Supozimit

  • 20 shtator (Turingia): Dita Botërore e Fëmijëve

  • 3 tetor (në mbarë vendin): Dita e Unitetit Gjerman

Rregullat e parashikueshme bizantine përcaktojnë se cilat pjesë të këtyre shteteve i festojnë festat, duke përfshirë, në mënyrë të pabesueshme, që ju keni të drejtë të festoni Corpus Christi në Saksoni nëse vendi juaj i punës, jo shtëpia juaj, ndodhet në një komunë që kremton festën. Deutsche Gewerkschaftsbund ka një listë të plotë të zonave të interesuara.

Kosovë: Këto janë masat e para që pritet të largohen nga BE-ja

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës është në pritje të Bashkimit Evropian, që në kuadër të heqjes graduale të sanksioneve, ta fillojë me funksionimin dhe mbajtjen e takimeve të nënkomiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Kosovën, si dhe me projektet e asistencës teknike të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, që prekin fusha si energjia, infrastruktura e të tjera.

Nga Bashkimi Evropian është konfirmuar një gjë e tillë, teksa theksohet se hapat e mëtejshëm për heqjen e plotë të masave do të varen nga një de-përshkallëzim i qëndrueshëm në veri të vendit.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, gjatë qëndrimit të saj në Kosovë më 21 maj, bëri të ditur se kanë filluar gradualisht të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, tha se heqja e masave është lajm i mirë, teksa ka treguar se cilat do të jenë masat e para që do të hiqen.

“Masat ndaj Kosovës u vendosën padrejtësisht në fund të qershorit të para dy viteve. Ka pothuajse një vit që kemi gjithashtu një rekomandim nga ish-Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, për heqjen e tyre. Është një lajm i mirë, edhe pse i vonuar, që Bashkimi Evropian ka filluar heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Siç është komunikuar edhe nga Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas, ato po hiqen në mënyrë graduale. Nga ana jonë, ritheksojmë se masat duhet të hiqen sa më parë dhe plotësisht. Në kuadër të këtij procesi, BE-ja do të fillojë së shpejti me funksionimin dhe mbajtjen e takimeve të nënkomiteteve të MSA-së me Kosovën, si dhe me projektet e asistencës teknike të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, që përfshijnë fusha si energjia, infrastruktura e të tjera”, thuhet në përgjigjen me shkrim të tij për KosovaPress.

Ndërkohë, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, deklaron për KP se Komisioni Evropian ka ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes së disa masave, transmeton albinfo.ch.

Sipas saj, hapat e mëtejshëm për heqjen e plotë të masave do të varen nga përparimi në terren në përputhje me pritshmëritë e BE-së për situatën në veri.

“Në dhjetor 2024, Këshilli deklaroi se BE-ja do të heqë gradualisht masat, paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për uljen e tensioneve në veri. Në këtë drejtim, Komisioni ka ndërmarrë tashmë hapat e parë drejt heqjes së disa prej masave. Hapat e ardhshëm varen nga përparimi në terren dhe janë të kushtëzuar me një de-përshkallëzim të qëndrueshëm në veri”, thekson ajo.

Një mutacion i ri i koronavirusit po përhapet me shpejtësi, paralajmërojnë ekspertët

Një variant i ri i Covid-19, i quajtur NB.1.8.1  apo “Nimbus”, siç po njihet në mënyrë jozyrtare  është zbuluar së fundmi në Finlandë dhe po përhapet me ritme të shpejta në disa pjesë të botës.

Instituti për Shëndet dhe Mirëqenie i Finlandës (THL) konfirmoi se janë regjistruar pesë raste të këtij varianti në vend. Edhe pse aktualisht situata në Finlandë është e qëndrueshme, autoritetet nuk po heqin sytë nga zhvillimet e fundit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka vendosur këtë mutacion në listën e varianteve që mbikëqyren, për shkak të mundësisë që ai të përhapet më lehtë se variantet e mëhershme. Ky version i virusit u zbulua për herë të parë në Azi në janar dhe që nga ajo kohë është përhapur sidomos në Kinë, ku janë parë edhe rritje të ndjeshme të infeksioneve dhe shtimeve në spitale.

Tajlanda raportoi një rritje të frikshme: nga rreth 6,000 raste në 33,000 për vetëm disa ditë.

Ekspertja Erika Lindh nga THL theksoi se, megjithëse infeksionet në Finlandë janë ende të pakta, vëmendja duhet të jetë e lartë. Vlerësimet e para tregojnë se varianti Nimbus mund të shmangë imunitetin në një masë pak më të madhe se paraardhësit e tij  por jo në një nivel që alarmon drejtpërdrejt, transmeton albinfo.ch.

Deri tani, ky mutacion është zbuluar në mbi 20 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Australinë, Korenë e Jugut dhe vende të ndryshme të Evropës si Britania e Madhe, Gjermania dhe Suedia.

Për fat të mirë, simptomat nuk duket se ndryshojnë shumë nga ato që tashmë njihen: ethe, kollë, dhimbje fyti dhe lodhje. Deri më tani, nuk ka të dhëna që Nimbus shkakton sëmundje më të rëndë sesa variantet e mëparshme.

Duke pasur parasysh që vera është sezon udhëtimesh dhe tubimesh, ekspertët rekomandojnë që njerëzit të tregojnë kujdes të shtuar  sidomos në vende të mbushura me njerëz.

Disa marka duan të rikthejnë shpërndarjen falas të qeseve plastike të njëpërdorshme

Pagesa e disa centëve për një qese plastike në kasë mund të mos jetë më e detyrueshme së shpejti. Sipas gazetës Sonntagszeitung, Federata Zvicerane e Tregtarëve me Pakicë, që përfshin Manor, Aldi, Lidl, Landi dhe Volg, po mendon të përfundojë marrëveshjen në fund të vitit.

Në vitin 2016, qeset plastike u bënë me pagesë, duke shkaktuar një rënie prej thuajse 90% në përdorimin e tyre. Organizata përfaqësuese e tregtarëve beson se objektivat për reduktim janë arritur dhe se kjo, sipas tyre, do të hiqte barrën administrative që lidhet me këtë rregullore, transmeton albinfo.ch.

Ideja është të mbështeten në angazhimin vullnetar të tregtarëve për të vazhduar kufizimin e shpërndarjes së qeseve. Coop dhe Migros nuk ndajnë këtë mendim dhe dëshirojnë të mbajnë tatimin. Zyra Federale e Mjedisit thekson për Sonntagszeitung se nëse konsumi i qeseve plastike do të rritej përsëri, Këshilli Federal mund të konsiderojë ndalim të plotë.