Për 12 vjet, projekti zviceran punësoi shumë të rinj në Shqipëri

Gjatë 12 viteve të zbatimit të tij, projekti zviceran RISIAlbania  dha një kontribut të rëndësishëm për punësimin e të rinjve dhe tregun e punës në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Rezultatet e tij, veçanërisht në fushat e mëposhtme, vlerësohen gjerësisht, siç dëshmohet nga shumë rrëfime të partnerëve dhe përfituesve:

Menaxhim i cilësisë për më shumë eksporte dhe konkurrueshmëri

Orientim karriere për të rinjtë

Institucione më të forta dhe politika më të mira për punësimin

Impakti, inovacionet dhe modelet e qëndrueshme të projektit do të vazhdojnë të frymëzojnë në vitet në vijim!

“Që një projekt të konsiderohet i suksesshëm, dy kritere janë thelbësore: duhet të ketë rezultate,  domethënë ndryshim dhe inovacione, dhe duhet të ketë qëndrueshmëri  domethënë, modele që i rezistojnë kohës. RisiAlbania i plotëson të dyja këto kritere”  Ambasadorja zvicerane Ruth Huber.

Ardon Jashari mund të transferohet te AC Milan për plot 35 milionë euro

Bëhet e ditur se Ardon Jashari mund të transferohet te AC Milan për plot 35 milionë euro. Bisedimet vendimtare me drejtorin sportiv të Milanit, Igli Tare, do të zhvillohen sot, ka njoftuar “Blick”, përcjell albinfo.ch.

Gazetarë të ndryshëm italianë kanë njoftuar se 22-vjeçari Jashari është në krye të listës së dëshirave të Milanit. Aktualisht, oferta e Milanit dhe kërkesa e Club Brugge dallon për pesë milionë euro.

Jashari ka kontratë me fituesin e Kupës së Belgjikës deri në vitin 2029.Ai u shpall lojtari më i mirë i kampionatit belg. Po ashtu shkëlqeu në ndeshjen e fundit të Zvicrës ndaj SHBA-së.

MPJ-ja jep këshilla për kosovarët që jetojnë në Izrael

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Izrael që të shmangin lëvizjet e panevojshme. Ministria u ka thënë qytetarëve që të qëndrojnë në vende të sigurta, përcjell albinfo.ch.

Ky njoftim erdhi pas sulmit të Izraelit në Iran të premten dhe përkeqësimit të situatës në Lindjen e Mesme.

“Duke marrë parasysh përkeqësimin e situatës së sigurisë në Izrael dhe rajon, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael këshillon të gjithë qytetarët e Kosovës që ndodhen aktualisht në Izrael që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në vende të sigurta,” thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ushtria izraelite ka thënë se 200 avionë luftarakë janë përdorur në sulme. Nga zonat e goditura ishte selia komanduese e Gardës Revolucionare Islamike në Teheran, duke vrarë komandantin e saj, Hossein Salami. Nga sulmi është vrarë edhe Ali Shamkhani, njeri i afërt i Khameneit dhe ish-kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, Mohammad Bagheri, është vrarë në sulm po ashtu.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike ka konfirmuar se zona kryesore bërthamore e Iranit në Natanz është goditur nga Izraeli. E ka konfirmuar se termocentrali bërthamor iranian Bushehr, në bregdetin e Gjirit Persik, nuk është shënjestruar dhe se nuk është vërejtur asnjë rritje e niveleve të rrezatimit në zonën e Natanzit.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Effie Defrin, ka thënë se Irani ka lëshuar rreth 100 dronë drejt territorit izraelit dhe se ata po punojnë që t’i ndalojnë.

Deputetët dështojnë sërish ta konstituojnë Kuvendin

Të premten janë bërë 31 herë që deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit janë mbledhur në seancë konstituive, por nuk kanë arritur që atë ta përmbyllnin me sukses.

Për të 23-tën herë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka vazhduar me rendin e ditës të cilin e ka përcaktuar vetë, me formimin e komisionit parlamentar për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.

Si në të gjitha herët paraprake, përfaqësues të partive që deri në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë, as nuk kanë propozuar anëtarë për këtë komision dhe as nuk kanë marrë pjesë në votim, duke e pamundësuar kuorumin vendimmarrës.

Të premten në sallë kanë qenë 80 deputetë, por kanë votuar 47, kundër asnjë dhe asnjë nuk ka abstenuar.

Vazhdimi i radhës është caktuar të mbahet më 15 qershor në orën 11:00.

Vjenë: Turne humanitar i futbollit për “Jetimet e Ballkanit”

Një turne humanitar I futbollit të vogël në mbështetje për shoqatënJetimet e Ballkanit” do të mbahet me datën 15.06.2025, në Heuberggstättenstrasse 1, 1100 (KSV Ankerbrot Monte Laa) këtë të diel në Vjenë. Organizator tëkëtij turneu janë frizer Ludi dhe Zejni Abdullahi, transmeton albinfo.at. 

Sipas organizatorit Mevludin Rexhepit i njohur si frizer Ludiky organizim nuk do të jetë vetëm turne futbolli, por njëmanifestim për gjithë komunitetin shqiptar në Austri.

“Në këtë turne futbolli do të janë gjithsej 32 ekipe. Interesimi ka qenë shumë i madh i ekipeve për të qenë pjesë e këtij turneu, por për shkak të hapësirës nuk kishim mundësi tëpranojmë më shumë ekipe”, thotë Ludi për albinfo.at

Përveç ekipeve për të rritur, në të njëjtën kohë do të ketë edhe një turne futbolli për fëmijët. “Ideja është që të kemi sa mëshumë persona të cilët bashkë më familjen e tyre do të vijnë jo vetëm për të luajtur, por edhe për të ngrënë ushqimet dhe për t’u argëtuar dhe kaluar një të diele të këndshme me ne”, thotëLudi për albinfo.at.

Tutje Ludi theksoi se në këtë turne do të janë të pranishëm edhe përfaqësues nga dy ambasadat shqiptare në Austri, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, ndërkohë mysafir special nga Kosova do të vije humanisti, Halil Kastrati.

E gjithë shuma e tubuar nga ky turne do të investohet nëndërtimin e një shtëpie ose blerjen e një banese për vëllezërit tanë në nevojë!

 

Data: E diel, 15.06.2025

Adresa: Heuberggstättenstrasse 1, 1100, Ëien (KSV AnkerbrotMonte Laa)

Kontakt: Arjan Sulimani: +43 699 10677450/ Jeton Rexhepi: +43 676 4277321

 

Gjermani: Zbulohet pllaka përkujtimore e qeverisë së Kosovës në ekzil

Bëhet e ditur se në Bonn të Gjermanisë u zbulua sot pllaka përkujtimore në ndërtesën ku ishte e vendosur qeveria e Kosovës në ekzil në vitet 90-të, përcjell albinfo.ch.

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga i ndjeri Bujar Bukoshi, ka qenë në këtë godinë nga 1995-1999.

Ceremia filloi me një minut heshtje, në nderim të Bujar Bukoshit, i cili ka ndërruar jetë dy ditë më parë dhe është varrosur sot në Kosovë.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti tha se qëllimi i zbulimit të kësaj pllake përkujtimore ishte nderimi i të gjithë atyre që në kohërat më të rënda kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për mbijetesën e popullit të Kosovës dhe funksionimin e institucioneve të vendit.

“Zbulimi i kësaj pllake përkujtimore  sot më 12 qershor për Ditën e Çlirimit të Kosovës  nuk është vetëm një akt simbolik. Është një akt mirënjohjeje dhe respekti  fillimisht për historinë tonë, për njerëzit tanë, për institucionet tona të atëhershme që vepruan në kushte të jashtëzakonshme, si dhe për shtetin mik gjerman, i cili ishte i vetmi shtet që asokohe e lejoi funksionimin e Qeverisë në ekzil në territorin e tij”, theksoi Ajeti.

Me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës, shfaqet dokumentari “Kthimi në Kosovë” në Gjenevë

Me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Konsullja e Republikës së Kosovës në Gjenevë, Floreta Kabashi, organizoi shfaqjen e dokumentarit “KTHIMI NË KOSOVË”, shkruan albinfo.ch.

Pas shfaqjes së këtij dokumentari u mbajt një diskutim me Besnik Deliun, të mbijetuar të masakrës dhe protagonist kryesor të dokumentarit, Véronique Pasquier, zv.presidente, gazetare dhe reportere lufte, dhe Leman Kamberi-Murigi, producente ekzekutive e dokumentarit.

Ky dokumentar i transmetuar në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë përcolli emocione te të pranishmit. /Albinfo.ch

albinfo.ch

albinfo.ch

 

Presidentja Osmani pritet në takim nga Perandori i Japonisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga Lartmadhëria e Tij, Perandori i Japonisë, gjatë qëndrimit të saj në Tokio, përcjell albinfo.ch.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se miqësia e thellë dhe marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Japonisë janë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta, respektin dhe besimin e ndërsjellë. Presidentja ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit të Republikës së Kosovës për mbështetjen e Japonisë përgjatë viteve.

Presidentja Osmani e falënderoi Perandorin për mikpritjen dhe i uroi popullit japonez mirëqenie, shëndet dhe përparim të mëtejshëm.

Lideri iranian paralajmëron Izraelin: Do të paguani

Në një deklaratë, lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka reaguar ashpër pas sulmeve ajrore izraelite ndaj territorit iranian, duke i quajtur ato një “krim të kryer në agim” dhe duke paralajmëruar se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda, përcjell albinfo.ch.

Në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA dhe cituar nga CNN, Khamenei konfirmoi se disa komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë iranianë janë vrarë gjatë sulmeve që Izraeli pretendon se kishin për synim objektiva bërthamore.

“Regjimi izraelit ka kryer një krim në agim. Ky regjim duhet të presë një ndëshkim të ashpër,” tha Khamenei, duke shtuar se viktimat do të zëvendësohen menjëherë dhe misioni i tyre do të vazhdojë pa ndërprerje.

Ai akuzoi Izraelin për përshkallëzimin e situatës dhe paralajmëroi se ky veprim ka hapur rrugën për pasoja të rënda.

“Me këtë sulm, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm dhe me siguri do ta marrë atë,” u shpreh lideri suprem.

Sot përpjekja e 31-të e konstituimit të Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen edhe një herë në tentim për t’i dhënë fund seancës konsitutive të nisur më 15 prill, përcjell albinfo.ch.

Ky është vazhdimi i 31-të dhe pritet të nisë në orën 11:00.

Të mërkurën kur ka dështuar për herë të fundit të bëhet konstituimi i Kuvendit, për të 22-tën herë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka vazhduar me rendin e ditës të cilin e ka përcaktuar vetë, me formimin e komisionit parlamentar për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.

Si në të gjithë herët paraprake, përfaqësues të partive që deri në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë, as nuk kanë propozuar anëtarë për këtë komision dhe as nuk kanë marrë pjesë në votim, duke e pamundësuar kuorumin vendimmarrës.

Pas dështimit taborët politikë kanë hedhur përgjegjësinë tek njëri-tjetri derisa janë refuzuar mes vete për bashkëpunime politike, të cilat do ta nxirrnin Kuvendin nga bllokada. 

Londër: Sopranoja Marigona Qerkezi do të performojë në Royal Opera House

Bëhet e ditur se sopranoja shqiptare Marigona Qerkezi do të bëjë debutimin e saj në skenën e famshme të Royal Opera House në Londër në rolin e Leonorës në operën “Il Trovatore” të Giuseppe Verdit, përcjell albinfo.ch.

“Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë lumturinë time”, ka shkruar ajo.

“Është një nder i jashtëzakonshëm të ngjitem në këtë skenë legjendare dhe të sjell në jetë njërën nga heroinat më pasionante dhe më të fuqishme të Verdit,” shprehet tutje artistja.

Datat e debutimit: 9, 12, 16 dhe 19 korrik.

Kjo është një arritje madhështore për artisten dhe një moment historik për kulturën shqiptare në skenat ndërkombëtare.

Trump konfirmon dijeni për sulmin izraelit: SHBA-të nuk janë të përfshira

Presidenti amerikan Donald Trump ka folur për Fox News në lidhje me sulmin izraelit ndaj Iranit, duke konfirmuar se ka qenë në dijeni të operacionit ushtarak të njohur si “Rising Lion”, por ka theksuar se SHBA nuk ka marrë pjesë në asnjë mënyrë në të, përcjell albinfo.ch.

“Ishte një vendim i Izraelit. Ne nuk kemi qenë pjesë e operacionit, por ishim të informuar paraprakisht,” deklaroi Trump. Ai përsëriti qëndrimin e tij të kahershëm se Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore dhe shtoi se diplomacia mbetet rruga më e mirë për të shmangur përshkallëzimin.

“Irani nuk mund të ketë një bombë bërthamore dhe ne shpresojmë të rikthehemi në tryezën e bisedimeve. Do të shohim,” u shpreh ai.

Në një moment të intervistës, Trump konfirmoi se disa figura të larta iraniane janë vrarë në sulmin izraelit. “Ka disa figura udhëheqëse që nuk do të kthehen më,” tha ai, duke lënë të kuptohet rëndësinë strategjike të goditjes.

Ai gjithashtu njoftoi se administrata e tij kishte informuar një “aleat të rëndësishëm në Lindjen e Mesme” përpara sulmit, pa zbuluar emrin e vendit, duke nënkuptuar koordinim të ngushtë rajonal në sfondin e krizës.

Izraeli i sulmon objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit

Izraeli ka kryer sulme në Iran mëngjesin e së premtes, duke thënë se ka goditur objektet bërthamore dhe ushtarake të tij, dhe duke paralajmëruar se sulmet do të vazhdojnë me qëllim për të mos e lejuar Teheranin të zhvillojë armë bërthamore, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli kreu një operacion ushtarak, synimi i të cilit ishte “frenimi i kërcënimit të Iranit ndaj vetë mbijetesës së Izraelit”.

Ai tha se sulmi “do të vazhdojë derisa të eliminohet ky kërcënim”.

“Ne goditëm në zemër të programit të Iranit për pasurimin bërthamor. Në shënjestër ishin objekti kryesor i pasurimit të uraniumit i Iranit në Natanz… Gjithashtu goditëm në zemër të programit iranian të raketave balistike”, tha ai në një deklaratë me video.

Izraeli gjithashtu sulmoi shkencëtarë bërthamorë iranianë “që punonin për zhvillimin e bombës iraniane”, shtoi ai.

Një zyrtar izraelit tha se Izraeli goditi dhjetëra objekte në të gjithë Iranin, duke e rritur mundësinë e një lufte të përgjithshme mes dy vendeve.

Ndër vendet e goditura ishte dhe selia komanduese e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.

Objekti i pasurimit në Natanz u godit “disa herë”, raportoi televizioni shtetëror, duke treguar pamje me tym të dendur që ngrihej nga vendi.

Zona të banuara në Teheran dhe në disa qytete të tjera u goditën gjithashtu, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA, e cila raportoi se sulmet shkaktuan vdekjen e disa njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë, në një kompleks banimi në Teheran.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda për shkak të këtyre sulmeve.

“Me këtë krim, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm dhe do ta marrë atë pa dyshim”, tha Khamenei në një deklaratë.

Izraeli tha se Irani nisi rreth 100 dronë drejt tij si hakmarrje, por nuk tregoi nëse kishte goditje të drejtpërdrejta apo dëme.

“Irani nisi afërsisht 100 UAV [dronë] drejt territorit izraelit, të cilët jemi duke u përpjekur t’i kapim”, tha zëdhënësi ushtarak, Effie Defrin, duke shtuar se sulmet e Izraelit ndaj Iranit përfshinë 200 avionë luftarakë që goditën rreth 100 objektiva në të gjithë Iranin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili vetëm disa orë para sulmeve kishte bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike të tensioneve, do të marrë pjesë në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në mëngjesin e së premtes, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Izraeli ndërmori “veprim të njëanshëm kundër Iranit” dhe se Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë.

Izraeli kishte njoftuar Uashingtonin se besonte se sulmet ishin të nevojshme për vetëmbrojtje, tha Rubio në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë masa për t’i mbrojtur forcat e tyre dhe kanë mbajtur kontakt me partnerët në rajon, tha Rubio, duke paralajmëruar Iranin që të mos ua mësyjë interesave apo personelit amerikan.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, shpalli “gjendje të veçantë” në vend në pritje të një sulmi të mundshëm hakmarrës nga Irani.

“Pas sulmit parandalues nga Shteti i Izraelit kundër Iranit, pritet në një afat të menjëhershëm një sulm me raketa dhe UAV (dronë) kundër Shtetit të Izraelit dhe popullatës së tij civile”, tha Katz në një deklaratë.

Kompania ajrore izraelite, El Al, njoftoi se ka pezulluar të gjitha fluturimet për dhe nga Izraeli, ndërsa media shtetërore iraniane raportoi se Irani ka mbyllur hapësirën ajrore deri në një njoftim të radhës. Edhe Iraku mbylli hapësirën e tij ajrore dhe pezulloi fluturimet në të gjitha aeroportet, sipas mediave shtetërore.

Netanyahu e kishte ngritur mundësinë e sulmeve kundër Iranit në një bisedë telefonike me Trumpin më herët këtë javë, sipas gazetës Wall Street Journal.

Trump tha se i kishte bërë thirrje Netanyahut të përmbahej nga veprime të tilla tani për tani, derisa administrata e tij po negocionte me Iranin për programin bërthamor.

“Përderisa mendoj se ka [mundësi për] marrëveshje, nuk dua që ata të ndërhyjnë, sepse mendoj se do të prishin punë”, tha Trump.

Në rrjetin e tij Truth Social, të enjten vonë, Trump shkroi se Shtetet e Bashkuara ende dëshirojnë të negociojnë me Iranin, megjithëse paralajmëroi gjithashtu se një sulm izraelit ndaj Iranit është i mundshëm.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një zgjidhjeje diplomatike për çështjen bërthamore iraniane! E gjithë administrata ime është udhëzuar të negociojë me Iranin”, tha Trump.

Megjithatë, Trump shtoi se Teherani “duhet fillimisht të heqë dorë plotësisht nga shpresat për të zhvilluar armë bërthamore”.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar bisedime për programin bërthamor iranian, me synimin për të arritur një zgjidhje diplomatike. Rundi i gjashtë i bisedimeve është planifikuar të nisë më 15 qershor në Oman. Irani ka pohuar vazhdimisht se përpjekjet e tij bërthamore janë vetëm për qëllime civile dhe jo ushtarake.

Të enjten, Bordi i Guvernatorëve i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) e miratoi një rezolutë, e cila deklaroi zyrtarisht se Irani i ka shkelur detyrimet e tij për mospërhapjen e armëve bërthamore.

Kjo është hera e parë që nga viti 2005 që kjo agjenci e OKB-së e shpall Iranin si shtet që nuk respekton obligimet bërthamore. Ky vendim është dënuar nga Teherani.

Rezoluta u miratua me 19 vota pro, 3 kundër dhe 11 abstenime në bordin prej 35 anëtarësh. Rezoluta ishte propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë – Britania, Franca dhe Gjermania, të njohura si E3.

Si përgjigje, Ministria e Jashtme e Iranit njoftoi se do të krijohet një objekt i ri për pasurimin e uraniumit në një zonë të sigurt dhe centrifugat e gjeneratës së parë (IR-1) në objektin Fordow do të zëvendësohen me makineri të përparuara të gjeneratës së gjashtë (IR-6).

“Siç e kemi deklaruar më parë, Republika Islamike e Iranit nuk ka tjetër zgjidhje përveçse të përgjigjet ndaj kësaj rezolute politike”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.

Francë: Kosova prezantohet në “Marché International du Film d’Animation (MIFA)”

Ambasada e Republikës së Kosovës në Francë është krenare që kontribuoi në organizimin e një koktej në kuadër të pjesëmarrjes së Kosovës në ” Marché International du Film d’Animation (MIFA) “, në Annecy, së bashku me Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe festivalin Anibar, përcjell albinfo.ch.

Në këtë ngjarje prestigjioze ndërkombëtare, Kosova u prezantua me dinjitet përmes programit “Anibar Genesis Pitch”, ku gjashtë animatore të reja kosovare shpalosën projektet e tyre krijuese para profesionistëve të industrisë së animacionit.

Kjo pritje ishte një mundësi e shkëlqyer për të promovuar dhe fuqizuar zhvillimin e industrisë vendore të filmit të animuar në Kosovë.

Kosova po tregon edhe një herë se është e gatshme të zë vendin e saj në skenën ndërkombëtare të animacionit.

 

Si ia doli të shpëtonte i mbijetuari i vetëm nga përplasja tragjike e avionit në Indi?

Në mesin e 242 pasagjerëve në bordin e një avioni të kompanisë Air India që u rrëzua sot, vetëm një person arriti të mbijetojë  Ramesh Viswashkumar. Sipas autoriteteve vendore, ai ishte ulur pranë një daljeje emergjente dhe arriti të largohej nga avioni në momentet vendimtare.

Në një rrëfim emocional për mediat lokale nga shtretëria e spitalit, Viswashkumar, 40 vjeç, u identifikua si një shtetas britanik që po kthehej në Mbretërinë e Bashkuar bashkë me vëllanë e tij, pas një vizite te familjarët në Indi. Ai përshkroi momentet pas përplasjes si kaotike dhe të frikshme:

“Kur u zgjova, pashë trupa përreth meje. U ngrita në panik dhe vrapova. Çdo gjë ishte e shkatërruar. Një person më ndihmoi të futesha në një ambulancë dhe u transportova menjëherë në spital”, tregoi ai për Hindustan Times, cituar nga Reuters.

Dëshmitarët dhe pamjet e shpërndara në rrjetet sociale shfaqin një burrë me bluzë të bardhë të njollosur me gjak, duke ecur me ndihmën e një mjeku  përputhje e dukshme me pamjen e Viswashkumar pas aksidentit.

Sipas të dhënave të publikuara, ai ishte i ulur në vendin 11A të avionit, që kishte si destinacion aeroportin Gatwick në Londër. Ai gjithashtu ka kërkuar ndihmë për të gjetur vëllanë e tij, Ajay, i cili ndodhej në një pjesë tjetër të avionit gjatë fluturimit.

Policia indiane ka konfirmuar se mbijetesa e tij u bë e mundur falë pozicionit të tij afër daljes së emergjencës, të cilën arriti ta përdorë në kohë. Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit vazhdojnë.

 

 

WhatsApp vjen me një veçori të re

WhatsApp po teston një funksion të ri që i lejon përdoruesit të zgjedhin cilësinë e shkarkimit automatik të fotove dhe videove, një opsion i shumëpritur nga përdoruesit.

Funksioni është aktualisht në dispozicion vetëm për pjesëmarrësit në programin beta për Android dhe ndodhet te Settings > Storage and data > Media upload quality.

Përdoruesit mund të zgjedhin mes “Standard quality” për kursim hapësire dhe “HD quality” për cilësi më të lartë.

Ende nuk është bërë e ditur data e saktë kur do të jetë i qasshëm për të gjithë, por pritet të shpërndahet më gjerësisht në javët e ardhshme.

Nëna dhe djali që humbën jetën tragjikisht në pishinë, varrosen më 15 qershor në Kanada

Më 15 qershor 2025, në qytetin Laval të Kanadasë, do të zhvillohet ceremonia e varrimit për E. Morinën, 34 vjeç, dhe djalin e saj trevjeçar, E. Morina, të cilët humbën jetën në një ngjarje tragjike. Ata ishin me prejardhje nga Deçani.

Sipas raportimeve, fëmija ka rënë në një pishinë dhe në përpjekje për ta shpëtuar, edhe nëna ka pësuar fatkeqësisht të njëjtin fund tragjik.

Shoqata Shqiptare Kosova-Montreal ka njoftuar se lutjet dhe ceremonia përkujtimore do të mbahen të shtunën në xhaminë “Balkan Muslim Community”, në orën 13:00. Pas ceremonisë fetare, do të realizohet edhe varrimi në varrezat e qytetit Laval, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, të dielën më 16 qershor, nga ora 10:00 deri në 14:00, do të mbahet e pamja për ngushëllime, po në ambientet e të njëjtës xhami.

Në një deklaratë për mediat, Shoqata Shqiptare Kosova-Montreal ka shprehur ngushëllimet më të thella për familjen Morina, duke theksuar dhembjen e përbashkët që ndjehet në këto momente të rënda për familjen dhe komunitetin shqiptar në Kanada.

Italianët, gjithnjë e më shumë të lidhur me Shqipërinë

Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT, pas shqiptarëve të Kosovës që tradicionalisht kryesojnë në numrin e hyrjeve në Shqipëri, italianët janë të dytët për nga numri i vizitave në vend.

Gjatë katër muajve të parë të vitit 2025, kanë hyrë në territorin shqiptar plot 301,457 shtetas italianë, duke shënuar një rritje prej 7.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u regjistruan rreth 281 mijë hyrje. Theksojmë se në vitin 2023 dhe 2024 pati respektivisht rreth 950 mijë dhe 1.2 milionë shtetas italianë, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Muaji më i ngarkuar ka qenë Prilli, me afro 96 mijë vizitorë italianë, i ndjekur nga marsi me rreth 78 mijë hyrje. Në krahasim, janari dhe shkurti patën shifra më të ulëta, me shkurtin si muaji me më pak vizitorë nga Italia.

Ky fluks në rritje nuk lidhet vetëm me turizmin sezonal. Gjithnjë e më shumë italianë po vijnë në Shqipëri edhe për arsye ekonomike, pune apo investimesh, pasi në vend ka një numër të konsiderueshëm biznesesh italiane. Përveç kësaj, çmimet më të ulëta në shërbime, veçanërisht në disa fusha shëndetësore, po e bëjnë Shqipërinë gjithnjë e më tërheqëse për qytetarët italianë, sidomos për ata në moshë të tretë, që po e shohin vendin tonë si një alternativë të leverdishme për të jetuar.

Të dhënat tregojnë një ndërlidhje gjithnjë e më të fortë mes Shqipërisë dhe Italisë, jo vetëm përmes turizmit, por edhe përmes lidhjeve sociale, ekonomike dhe kulturore. Kjo prirje pritet të vijojë në rritje, sidomos gjatë muajve të verës, duke pasur një ndikim të rëndësishëm në sektorë si turizmi, tregu i pasurive të paluajtshme dhe shërbimet private në vend.

Masakra në Austri: Sulmuesi kishte planifikuar me imtësi sulmin në shkollë

Një ngjarje tragjike tronditi Austrinë të martën, ku një 21-vjeçar vrau nëntë nxënës dhe një mësuese në ish-shkollën e tij të mesme në Grac, përpara se të vetëvritej. Sipas hetimeve të policisë, autori kishte përgatitur me kujdes çdo hap të sulmit, i cili zgjati shtatë minuta.

Kreu i hetuesve, Michael Lohnegger, deklaroi më 12 qershor se i riu ishte një person shumë i mbyllur dhe kishte jetuar me nënën në një zonë rurale pranë qytetit. Ai ishte larguar nga shkolla tre vjet më parë, pa i përfunduar studimet.

Në banesën e tij u gjet një letër e shkruar me dorë që zbulon se ngjarja ishte planifikuar në detaje. Hetuesit theksojnë se autori kishte një pasion për lojëra elektronike me skena dhune dhe vrasjesh.

Mësuesja që humbi jetën rezulton të ketë qenë një nga mësueset e tij të mëparshme, ndërsa me nxënësit e tjerë nuk kishte lidhje personale. Sulmi ndodhi rreth orës 10:00 të mëngjesit, kur ai hyri në shkollë me armë zjarri dhe municion, ndërsa në ambient ndodheshin rreth 400 nxënës.

Hetimet vazhdojnë për të kuptuar motivet që çuan në këtë akt të rëndë, ndërsa autoritetet nuk kanë publikuar ende emrin e autorit.

Zvicra ngec në zhvillimin e burimeve të rinovueshme, radhitet në vendin e 22-të në Europë

Arritja e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050 është një nga objektivat e shpallura të Zvicrës. Këshilli Federal synon ta përmbushë këtë qëllim, ndër të tjera, përmes zgjerimit të burimeve të rinovueshme të energjisë  si energjia diellore dhe ajo e erës.

Megjithatë, sipas Fondacionit Zviceran për Energjisë (SES), progresi i Zvicrës mbetet i ngadaltë në krahasim me fqinjët evropianë. Në zhvillimin e prodhimit të energjisë nga dielli dhe era, Zvicra renditet në vendin e 22-të nga 28 vende të Europës. Ndër tetë vendet që e rrethojnë, ajo është në vendin e parafundit.

Sipas SES, përqindja e energjisë elektrike nga burimet e reja të rinovueshme në konsumin total të energjisë elektrike të Zvicrës është vetëm 11.2%, shumë më e ulët se mesatarja evropiane prej 28.3%. Në këtë tregues, Zvicra zë vendin e 24, transmeton albinfo.ch.

Era ngec, dielli përparon

Pozicionimi i dobët i Zvicrës lidhet kryesisht me mungesën e zhvillimit në energjinë e erës. Ndërkohë, sipas SES, energjia diellore ka shënuar përparim. Në vitin 2024, Zvicra u ngjit në vendin e 11-të për prodhimin diellor për frymë, duke arritur në 681 kilovat orë (kWh) për frymë, pavarësisht kushteve të pafavorshme të diellit.

Në anën tjetër, prodhimi nga energjia e erës mbetet në nivel shumë të ulët  vetëm 19 kWh për frymë  duke e renditur Zvicrën në vendin e 25-të nga 28 vendet e studiuara.

Liderët evropianë në energji të rinovueshme

Danimarka kryeson listën, duke mbuluar mbi 75% të konsumit të saj të energjisë elektrike me energji diellore dhe të erës. Holanda dhe Suedia janë liderët përkatës në energjinë diellore (1,206 kWh për frymë) dhe atë të erës (3,930 kWh për frymë).

Vendet që renditen më poshtë se Zvicra në këtë analizë janë Malta, Sllovenia, Rumania, Çekia, Letonia dhe Sllovakia.

Nevojiten përpjekje të mëtejshme

Megjithëse potenciali për prodhimin e energjisë nga burimet diellore dhe të erës po rritet në Zvicër, ai është ende larg shfrytëzimit të plotë. Për të arritur objektivat e parashikuara në Ligjin për Energjinë Elektrike, kërkohen përpjekje të mëtejshme. Po ashtu, SES thekson rëndësinë e një marrëveshjeje për energjinë elektrike me BE-në si thelbësore për suksesin afatgjatë.

Mungesë furnizimi me djath: Migros ka probleme për shkak të ndryshimit të sistemit

Në Migros në Höngg të Cyrihut, një kliente qëndron përpara rafteve bosh të produkteve të bulmetit. “Çfarë po ndodh këtu?” pyet një lexuese duke parë hapësirat bosh në raftet frigoriferike. “Të mbushura me vrima si djathi Emmental.”

Dhe pikërisht djathi Emmental është ndër produktet që mungon. Po ashtu mungojnë Tomme M-Budget, Quark me pak yndyrë M-Budget, Quark M-Classic dhe mozzarella të ndryshme  si bio ashtu edhe premium. Gjithashtu është vështirë të gjendet djathi i bardhë (cottage cheese). Edhe Migros pranë stacionit të trenit Stadelhofen është pa furnizim.

Në shumë dyqane të Migros, në rajonin e Cyrihut dhe më gjerë, shfaqen njoftime si: “Ky artikull nuk është i disponueshëm aktualisht”.

Çfarë po ndodh?

Sipas zëdhënëses së Migros, Prisca Huguenin-dit-Lenoir, problemet vijnë për shkak të një ndryshimi sistemi në kompaninë industriale Elsa Group që prodhon dhe përpunon produktet e bulmetit. Ky ndryshim ka sjellë vonesa dhe ndërprerje në shpërndarjen e produkteve.

Të gjitha kooperativat rajonale të Migros, Denner, Migrolino dhe Migros Online janë të prekura.

Kur do të zgjidhet?

Nuk ka një datë të saktë se kur do të rikthehet situata në normalitet. Por Elsa Group po punon intensivisht për ta zgjidhur sa më shpejt problemin.

A po përfiton Coop?

Produkti “Nga Rajoni” (AdR), që vjen nga furnizues rajonalë dhe jo nga industria e Migros, nuk është prekur nga ky ndryshim. Edhe pse disa produkte të preferuara mungojnë, Migros siguron që ka alternativa të tjera në dispozicion.

Megjithatë, disa konsumatorë thonë se edhe në Coop mungojnë produktet si qumështi pa laktozë dhe djathi i bardhë. Coop mohon: “Furnizimi me produkte bulmeti është i garantuar dhe raftet po rimbushen vazhdimisht.”

 

Tare fillon punën te Milani, dëshiron Xhakën, Brojën dhe Gjimshitin

Emërimi i Igli Tares te Milani pritet të sjellë shumë ndryshime në klubin kuqezi.

Në listën e përforcimeve të mundshme janë Berat Gjimshiti dhe Niklas Sule i Dortmund. Kuqeziu e njeh Serie A, garanton eksperiencë dhe për më tepër çmim të përballueshëm, sepse ka vetëm një vit kontratë me Atalantën.

Shqiptarët e tjerë në radarët e Milanit përveç Gjimshitit janë edhe sulmuesi Armando Broja dhe mesfushori Granit Xhaka, transmeton albinfo.ch.

Broja duhet të gjejë një skuadër të re, sepse pas huazimit te Everton tashmë është jashtë planeve të Chelsea. 23-vjeçari shihet si alternativë shumë e mirë e Jimenez në sulmin e Milanit.

Për mesfushën, Tare dhe Allegri janë dakord që Xhaka do të ishte një përforcim i shkëlqyer. Ylli i Bayer Leverkusen përfaqëson profil me eksperiencë dhe lidership, karakteristika që e bëjnë tejet të rëndësishëm për projektin e klubit.