Manifestimet e “Vidovdan-it” nga serbwt janë zhvilluar pa ndonjë incident madhor, nën mbikëqyrjen dhe masat e koordinuara të Policisë së Kosovës, e cila ka qenë e angazhuar në të gjitha nivelet operacionale për menaxhimin e sigurisë dhe rendit publik, raporton albinfo.ch.
Nga raportimet e njësive në terren, ngjarja ka kaluar pa ndonjë incident serioz që do të rrezikonte sigurinë publike. Megjithatë, policia ka shoqëruar në stacion 17 persona, të cilët dyshohet se kanë provokuar pjesëmarrësit me veprime që nxisin urrejtje dhe me veshje me përmbajtje provokuese e kundërligjore.
Në koordinim me organet e drejtësisë, një person është ndaluar me dyshimin për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ndërsa një tjetër është sanksionuar me fletëparaqitje për kundërvajtje. Katër prej të shoqëruarve janë liruar, ndërsa 11 persona të tjerë po vazhdojnë të intervistohen, raporton albinfo.ch.
Bëhet e ditur se futbollisti me preardhje shqiptare, Brajan Gruda ka lënë gjurmë në Kampioantin Evropian U21, i cili po zhvillohet në Sllovaki. 21-vjeçari i cili luan për kombëtaren e Gjermanisë, arriti të shënoj gol në ndeshjen gjysëmfinale ndaj Francës, e cila përfundoi me fitoren 3-0 të ”pancerave”, fitore kjo që i dërgon në finalen e madhe.
Bruda u aktivizua në 19 minutat e fundit, derisa shënoi golin e tretë për Gjermaninë, në 90+3. Një tjetët futbollist i cilli ka gjak shqiptari, Nelson Veiper i cili e ka nënën shqiptare, arriti të shënoj gol ndaj Francës. Ai shënoi golin e parë për kombëtaren e Gjermanisë, në minutën e 8-të. Veiper ditë më parë e ka konfirmuar se është kontaktuar nga FSHF-ja, që të luaj për Kombëtaren e Shqipërisë.
20-vjeçari është aktualisht lojtar i skuadrës gjermane Mainz, ku sezonin e fundit shënoi tre gola në Bundesligë.
Raportohet se nga 3 gushti 2026, kartat e identitetit fizike (në letër) të lëshuara në Itali nuk do të jenë më të vlefshme për udhëtim jashtë vendit, pavarësisht datës së skadencës që kanë të shënuar, përcjell albinfo.ch.
Ky ndryshim vjen si pasojë e Rregullores Evropiane 1157/2019, e cila vendos standarde të reja sigurie për dokumentet e identitetit brenda Bashkimit Evropian.
Arsyeja kryesore është mungesa e zonës së lexueshme nga makineritë (MRZ) , një element i domosdoshëm për identifikimin elektronik dhe sigurinë kufitare, e cila ndodhet vetëm në kartat elektronike të identitetit (CIE). Për këtë arsye, dokumentet në letër do të dalin jashtë përdorimit pesë vjet përpara afatit përfundimtar të vendosur për vitin 2031.
Pse ky ndryshim është i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Itali?
Ky ndryshim prek drejtpërdrejt edhe qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në Itali, shumë prej të cilëve ende përdorin kartën e vjetër në letër. Sipas të dhënave të fundit nga ISTAT dhe Eurostat, në Itali jetojnë rreth 441 mijë shtetas shqiptarë me leje qëndrimi, pa llogaritur ata me shtetësi italiane apo brezin e dytë. Një përqindje e konsiderueshme e tyre, veçanërisht në komunat e vogla, mund të jenë ende përdorues të dokumentit të vjetër, pasi shumë nga këto bashki kanë nisur të lëshojnë CIE-në me vonesë pas vitit 2016.
Sa dokumente në letër janë ende në qarkullim?
Edhe pse nuk ekziston një regjistër i centralizuar për të dhënat e sakta, sipas një vlerësimi të portalit Dday.it, deri më 3 gusht 2026 pritet të jenë ende në qarkullim rreth 5 milionë karta në letër, që përbëjnë afërsisht 8% të popullsisë italiane. Shumica janë banorë të komunave të vogla apo persona që nuk kanë pasur urgjencë për të rinovuar dokumentin.
Si mund të zëvendësohet karta e identitetit në letër me CIE?
Këtu janë hapat që duhet ndjekur për të marrë kartën e re elektronike (CIE):
Fotografi personale e re, në përputhje me standardet ndërkombëtare (ICAO)
Karta e vjetër e identitetit
Në rast humbjeje ose vjedhjeje, kërkohet denoncim pranë forcave të rendit dhe një dokument tjetër identifikimi
Kodi fiskal (codice fiscale)
Për fëmijët nën moshën madhore, kërkohet prania e të dy prindërve me dokument identiteti, nëse kërkohet karta e vlefshme për udhëtim
Caktimi i një takimi me zyrën e gjendjes civile të komunës së banimit
Karta e re dërgohet brenda 6 ditëve punë në shtëpi ose tërhiqet në bashki me takim
Kostoja: 22 euro, preferohet pagesa me kartë bankare.
Thirrje për veprim të shpejtë
Disa komuna italiane kanë filluar të publikojnë njoftime zyrtare në uebfaqet dhe rrjetet sociale, duke ftuar qytetarët që të bëjnë aplikimin për CIE sa më herët, për të shmangur fluksin në zyrat e gjendjes civile gjatë muajit gusht 2026, periudhë që përkon me pushimet verore.
Këshillë për komunitetin shqiptar: Mos e lini për në momentin e fundit. Kalimi nga karta në letër në atë elektronike është jo vetëm një detyrim ligjor për të udhëtuar, por edhe një hap drejt pajisjes me një dokument modern dhe të sigurt, të njohur në të gjithë Bashkimin Evropian.
Gazeta e përditshme britanike “Telegraph” e ka renditur bregdetin shqiptar në listën e 10 vendeve më të mira në Europë për pushime në plazh, përcjell albinfo.ch.
Për këtë shkrim të “Telegraph”, ka shkruar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili tregon se si gazetar prestigjioze rekomandon Shqipërinë si vendin ideal për të kaluar pushimet.
Postimi i Ramës:
Prestigjiozja “The Telegraph” në një artikull të saj rekomandon Shqipërinë si vendin ideal për të kaluar pushimet.
Nga plazhet mahnitëse të Dhërmiut e Ksamilit, te kishat bizantine, Liqeni i Shkodrës dhe vargmalet në veri, vendi është plot me destinacione që kombinojnë bukurinë natyrore dhe trashëgiminë kulturore.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur dje ka ndarë katër milionë euro për policen e sigurimeve në kufij për mërgimtarët, transmeton albinfo.ch.
E lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Odës së Mjekëvë të Kosovës Pleurat Sejdiu.
Sejdiu ka thënë se 4 milion euro për pagesat e kartonave të gjëlbërt për sigurimet e veturave të mërgimtarëve të punësuar, është e barabartë me pagesen e rrogës vjetore për 384 mjekë të papunë.
“Mbase kam një kredit moral të bëjë këtë postin, kjo duke patur parasyshë se dola jasht Kosovës që në moshën 18 vjeqare dhe u ktheva si 36 vjeqar! Pra, e njoh mallin e mërgimtarit për nënën , babën , vllaun dhe motrën! Njoh mallin për gurët e drunjët e këtij vendi! Prandaj, mendoj se mërgimtari ynë nuk ka nevojë për 6 kg qershia sa do hargjonte për karton të gjelbërt! Por Kosova dhe çdo cep i Sajë ka nevojë për një mjek më shumë ! Mjerim dhe poshtërim njëkohësisht” ka shkruar Sejdiu në Facebook.
Nga ana tjetër edhe Enis Veliu është shprehur se vendimi i Qeverisë është një absurditet i papranueshëm.
“Pse duhet t’i paguaj unë sigurimet, e shteti t’i paguajë për të tjerët? Unë, si qytetar i rregullt i Kosovës, e paguaj vetë sigurimin e veturës sime, pra asnjë cent nuk e mbulon shteti. Dhe kjo sipas meje është shumë e drejtë. Por, të shohësh që Qeveria del me vendim që t’u paguajë nga buxheti i shtetit, pra nga paratë tona policat e sigurimit për veturat e bashkatdhetarëve, është një absurditet i papranueshëm. Ky vendim nuk është vetëm i pakuptimtë, por edhe i palogjikshëm dhe i padrejtë.Është edhe i paligjshëm, nëse shihet nga perspektiva e barazisë para ligjit dhe trajtimit të njëjtë të qytetarëve. Shteti nuk mund të luajë me standarde të dyfishta.Ose ndihmon të gjithë, ose nuk ndërhyn fare në treg. Bashkatdhetarët tanë janë gjithmonë të mirëpritur në vendlindje, por trajtimi i privilegjuar në kurriz të qytetarëve rezidentë është i papranueshëm” është shprehur ai. /Albinfo.ch
Shteti gjerman pritet të rrisë gradualisht pagën minimale në 14.60 euro deri në vitin 2027, nga niveli aktual prej 12.82 eurosh, sipas një propozimi të një komisioni qeveritar të publikuar të shtunën, përcjell albinfo.ch.
Referuar planit, paga minimale do të rritet fillimisht në 13.90 euro në fillim të vitit 2026.
Që nga viti i kaluar, Gjermania ka pasur pagën minimale të dytë më të lartë në Bashkimin Evropian, pas Luksemburgut, ku paga minimale mujore është 2,638 euro.
Sipas agjencisë Reuters, tre vende të tjera të BE-së kanë paga minimale mbi 2,000 euro në muaj, Belgjika, Holanda dhe Irlanda.
Propozimi është hartuar nga një komision i përbërë nga përfaqësues të punëdhënësve dhe sindikatave, dhe tani duhet të zbatohet nga Ministria gjermane e Punës.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” po zgjerohet me një destinacion të ri drejt Francës, përcjell albinfo.ch.
Më 3 korrik do të realizohet fluturimi i parë drejt qytetit të Lionit, duke shënuar kështu fillimin e një lidhjeje të re ajrore për udhëtarët nga Kosova.
“Me datën 3 korrik kemi fluturimin e parë për qytetin Lion të Francës, do të operojë edhe për operimet në Paris, destinacion i ri siç është Franca,” ka deklaruar për zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Aeroporti i Prishtinës po shënon rritje të vazhdueshme të numrit të udhëtarëve.
“Ne kemi shënuar rritje të numrit të udhëtarëve prej 15%. Sa i përket fluksit, nuk kemi ndonjë dallim në sezon sikurse vitet paraprake,” shtoi Gara.
Ajo tha se nga liberalizimi i vizave e deri më tani është vërejtur një trend i qartë rritjeje në udhëtime, pa dallim të theksuar midis muajve.
“Prej liberalizimit kemi pas një trend të rritjes së numrit të udhëtarëve pa dallim prej muajve,” theksoi ajo.
Muajt korrik dhe gusht mbeten më të ngarkuarit për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve, me fluks më të theksuar nga vendet evropiane.
“Kemi muajin korrik dhe gusht numrin më të madh të udhëtarëve nga bashkatdhetarët, fluksi është më në dukje,” tha Gara, duke shtuar se shumica e udhëtarëve vijnë nga Zvicra, Gjermania, Turqia, Austria e vende të tjera.
“Pjesën më të madhe e kemi nga Zvicra, Gjermania, Turqi, Austri e kështu me radhë,” u shpreh ajo.
Zvicra vazhdon të jetë tregu më i frekuentuar për udhëtimet nga dhe drejt Kosovës.
“Destinacionet më të frekuentuara në tregun zviceran,” përfundoi Gara.
Ka përfunduar festa e Vidovdanit e cila u mbajtë në në periferi të Prishtinës, ku tradicionalisht zhvillohen tubime dhe aktivitete përkujtimore, përcjell albinfo.ch.
Sipas komunikatës, gjithsej 17 persona janë shoqëruar në stacione policore për intervistim, pasi dyshohet se kanë provokuar pjesëmarrësit dhe kanë mbajtur veshje me përmbajtje nxitëse dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Pas përfundimit të kremtimit ka pasur thirrje nacionaliste, Kosova është Serbi.
Pas këtyre thirrjeve, Policia ka shoqëruar shtetas serb për shkak të thirrjeve nacionaliste.
Përveç Policisë së Kosovës, në terren janë edhe pjesëtarë të Njësisë Speciale, si dhe përfaqësues të KFOR-it dhe EULEX-it, të cilët kanë monituruar këtë ngjarje.
Çmimi i apartamente, a do të ulet apo do të ngrihet? Gjatë diskutimeve mes ekspertëve në studio të “Opinion” lindi edhe një pyetje tjetër.
Prishtina apo Tirana, kush është më e shtrenjtë sa i përket çmimeve të apartamenteve?
“Nëse marrim metrin katror maksimal në Prishtinë të një apartamenti shkon diku te 2800 euro për metër katror”, tha Valon Batusha, nga Pro Real Estate, Prishtinë.
Sipas tij, rritja e çmimeve ka ndodhur kudo, edhe në Prishtinë.
Dallimi sipas Batushës është fakti që “Tirana është zhvilluar dukshëm më mirë edhe nga pjesa e kualitetit edhe nga zhvillimi shumë më kualitativ”.
“Nëse ju quani çmim maksimal 2800 euro i bie që çmimi maksimal në Shqipëri është të paktën dyfishi se në Prishtinë”, u shpreh gazetari Blendi Fevziu.
Batusha u shpreh se në qendër të Prishtinës çmimet variojnë nga 1 mijë e 800 euro deri në 1 mijë e 900 euro metri katror.
Nga ana tjetër, Erion Harizi, nga Shoqata e Ndërtuesve në Shqipëri, tha se në Tiranë shkon trefishi i çmimit të Kosovës.
“Ne e kemi trefishin e Kosovës për metër katror”, u shpreh ai.
Batusha tha edhe se në Kosovë flitet se në Shqipëri ka prona edhe me 10 mijë euro metri katror. Por kjo u hodh poshtë nga Dritan Shakohoxha.
Një deklaratë e lëshuar këtë javë nga Komisioni Evropian (KE), pas takimeve të BE-së me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, përshkroi qëllimet e tij për të mbështetur Ukrainën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, për të kërkuar drejtësi për krimet e luftës ruse dhe për të ofruar ndihmë financiare “të rregullt dhe të parashikueshme”, përcjell albinfo.ch.
Deklarata vlerësoi se angazhimi fiskal evropian do të ishte 30.6 miliardë euro (35.3 miliardë dollarë) në vitin 2025.
“Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar, përfshirë si pjesë të rrugës së Ukrainës drejt anëtarësimit në BE, për të mbështetur riparimin, rimëkëmbjen dhe rindërtimin e saj, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë”, tha KE-ja.
Si pjesë e këtij angazhimi, “BE-ja do të vazhdojë t’i ofrojë Ukrainës mbështetje financiare të rregullt dhe të parashikueshme në planin afatgjatë”, thuhet në deklaratë.
“Në vitin 2025, Bashkimi Evropian do t’i ndajë Ukrainës 30.6 miliardë euro, nga të cilat 3.5 miliardë euro (4.1 miliardë dollarë) janë shpërndarë tashmë në kuadër të Instrumentit për Ukrainën, dhe 7 miliardë euro (8.2 miliardë dollarë) në kuadër të iniciativës së G7-ës për Rezistencë dhe Ndihmë të Përmirësuar (ERA), të financuara nga të ardhura të jashtëzakonshme të gjeneruara nga asetet e ngrira ruse.”
Detaje të reja dalin lidhur me vrasjen e 25-vjeçarit në Itali. Viktima Rivaldo Rusi 25-vjeç u vra me armë zjarri në zonën Cilentos në Itali nga pronari i një banese gjatë tentativës për grabitje, disa ditë më parë, përcjell albinfo.ch.
Krimin e rrëfeu vetë biznesmeni italian, Aurelio Valiante, i cili pranoi edhe autorësinë. 58-vjeçari plagosi gjithashtu një person tjetër, i cili ndodhet në spital në Napoli në gjendje të rendë.
58-vjeçari rrëfeu para drejtësisë italiane se ai qëlloi disa herë me armë zjarri, kundrejt hajdutëve. Nga të shtënat mbeti i vrarë vetëm njëri prej tyre, Rivaldo Rusi. Më pas biznesmeni tha se fshehu trupin e pajetë të riut shqiptar vetëm.
Ai zbuloi se e transportoi trupin e shqiptarit në një fuçi vere , të cilën më pas e ngarkoi në makinë, për ta çuar në një zonë disa kilometra larg banesës për ta varrosur.
Mediat italiane raportojnë se biznesmeni nga Foria di Centola po hetohet për vrasje dhe fshehje të trupit të viktimës.
Për momentin, nuk është urdhëruar asnjë masë paraprake kundër tij. Sakaq biznesmeni së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, janë transferuar në një vend të mbrojtur për arsye sigurie.
Në orët në vijim, me vendim të autoriteteve, ai mund të shoqërohet jashtë rajonit. Sipërmarrësi, u mor në pyetje për më shumë se njëmbëdhjetë orë nga prokurori publik i Vallos, Francesco Rotondo .
I shoqëruar nga avokati i tij, Antonello Natale, ai zgjodhi të bashkëpunonte me hetuesit dhe të tregonte se çfarë ndodhi natën midis të dielës dhe të hënës, kur një tentativë vjedhjeje në vilën e tij u shndërrua në një masakër.
Për të dytin vit radhazi, New York City është shpallur qyteti numër 1 në botë në Indeksin Global të Qyteteve 2025 të përgatitur nga Oxford Economics, duke marrë një vlerësim maksimal prej 100 pikësh, përcjell albinfo.ch.
Fitorja e qytetit u mbështet nga një ekonomi me vlerë mbi 2 trilionë dollarë, të ardhura të larta të familjeve dhe prania e fuqishme e koorporatave, pavarësisht vlerësimeve më të ulëta në fushat e qeverisjes dhe mjedisit.
Pas Nju Jorkut renditen Londra, Parisi, San Jose dhe Seattle, duke plotësuar pesëshen e parë. Tetë metropole amerikane u renditën në 20 qytetet më të mira në botë, një tregues i qartë i tërheqjes së vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara kanë për kapitalin dhe talentin.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 28 qershor ka filluar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës për Zgjedhjet Lokale dhe do të përfundojë më 29 gusht 2025.
Gjatë kësaj periudhe 63 ditore (28 qershor – 29 gusht 2025), qytetarët me të drejtë vote do të mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar sa më afër vendbanimit në komunën e tyre:
përmes platformës elektronike të KQZ-së:
https://qv.kqz-ks.org
ose duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi.
Policia e Kosovës ka arrestuar V.P., organizatorin e një udhëtimi pelegrinazhi nga Beogradi, përcjell albinfo.ch.
Grupi që ishte i udhëhequr prej tij, kishte të veshur bluza me mesazhe politike “Serbia e Bashkuar”, dhe me ngjyrat kuq, kaltër dhe bardhë.
Ndalimi i V.P. u bë në prani të pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Inspektoratit Policor, raporton Kossev.
Komandanti i stacionit policor në Graçanicë, Bratislav Trajkoviq, nuk deshi të japë sqarime për mediat lidhur me arsyet e ndalimit të V.P.-së. Ai i referoi të gjithë gazetarët tek zyra për media e Policisë së Kosovës.
Sipas raportimeve nga gazetarët e Radio Kim që ndodhen në vendngjarje, në terren janë të pranishme forca të shtuara të Policisë së Kosovës, si dhe pjesëtarë të KFOR-it të shpërndarë me disa automjete në pika të ndryshme të Graçanicës
Evropa po përgatitet për një valë të jashtëzakonshme të të nxehtit në fundjavë, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 44 gradë Celsius në disa vende, përcjell albinfo.ch.
Sipas shërbimit zyrtar meteorologjik të Francës, katër departamente jugore, përfshirë Bouches-du-Rhone, Gard, Herault dhe Pyrenees-Orientales, janë nën alarm për valë të nxehti, ndërsa 14 departamente pritet të jenë të shtunën.
Janë lëshuar gjithashtu alarme për rreziqe “të rënda” të zjarreve në pyje.
Meteorologu francez, Jerome Cerisier, thotë se ata presin 10 deri në 15 gradë mbi mesataren sezonale.
“Një anticiklon i ri po vendoset mbi Francën dhe do të kemi përsëri atë që e quajmë ‘kupolë nxehtësie’, me temperatura që rriten me 1 deri në 2°C ditë pas dite. Ajri i ngrohtë është i vetëmbështetur, qielli është i kthjellët, kështu që do të shohim përsëri vlera të jashtëzakonshme, shpesh 10 deri në 15°C mbi mesataret sezonale dhe për një afat të gjatë”, tha Cerisier.
Në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë, temperaturat parashikohen deri në 42 gradë Celsius në ditët në vijim.
Dhe në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, turistët dhe vendasit kanë kërkuar hije dhe mënyra për t’u freskuar.
Vala e të nxehtit pritet të zgjasë deri të martën.
Artisti i njohur nga Kosova qe jeton dhe vepron në Zvicër, Shkodran Osmanaj, do të jetë pjesë e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës klasike në Europë, Festival d’Aix-en-Provence në Francë.
Ai do të performojë së bashku me një nga orkestrat më me renome, Orkestrën Simfonike të Bayerische Rundfunk nga Mynihu, nën drejtimin e dirigjentit legjendar Sir Simon Rattle, transmeton albinfo.ch.
Ky koncert përfaqëson një moment të rëndësishëm në karrierën ndërkombëtare të Osmanajt, duke e vendosur atë në qendër të një prej festivaleve më prestigjioze të skenës operistike dhe simfonike botërore.
“Është një privilegj dhe një emocion i jashtëzakonshëm të jem pjesë e Festival d’Aix-en-Provence, krah një orkestre të mrekullueshme si Bayerische Rundfunk dhe nën drejtimin e Sir Simon Rattle, një emër i madh që ka frymëzuar breza të tërë,” u shpreh Shkodran Osmanaj. “Kjo është një mundësi për të ndarë muzikën me një audiencë të jashtëzakonshme ndërkombëtare dhe për të përfaqësuar denjësisht veten dhe vendin tim.”
AlbaFestival, që këtë vit u mbajt më 21 dhe 22 qershor në ambientin e hapur të Kasernenareal në Cyrih, shënoi një tjetër kapitull të suksesshëm në rrugëtimin e tij si ngjarja më përfaqësuese e muzikës dhe identitetit të brezave të rinj shqiptarë në diasporë. Me një pjesëmarrje masive dhe një program artistik të përzgjedhur, festivali i dha jetë një hapësire ku kultura shqiptare u jetësua përmes muzikës, ritmit dhe prezencës së gjeneratave të reja.
Edhe këtë vit, Albinfo.ch ishte sponsor medial kryesor, duke përcjellë nga afër atmosferën e festivalit dhe duke shërbyer si zë i përvojës kolektive që krijoi ky organizim.
Një skenë me përfaqësim të gjerë artistik
Adelina Ismajlialbinfo.ch
Në dy netët e festivalit performuan disa nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare: Alban Skënderaj, Ledri Vula, Adelina Ismaili, Era Istrefi, Capital T, Mozzik, Getinjo, MC Kresha, Lyrical Son, Yll Limani, Adelina Ismajli, Azet, Fero, Lumi B, DJ Gimi-O, Topic, Klajdi Haruni, Bruno, Xhensila Myrtezaj, LLuni, Singullar, Ukay, si dhe të tjerë artistë nga trevat dhe diaspora.
Nata e parë solli zhanre urban-pop dhe hip-hop me ritëm të lartë, ndërsa nata e dytë solli një ndërthurje më melodike e reflektuese.
Ledri Vula, në fund të natës së parë, solli një performancë të gjallë dhe ndërvepruese, ku publiku e shoqëroi njëzëri në çdo këngë, një përjetim që shënon jo vetëm popullaritetin e tij, por edhe fuqinë lidhëse të muzikës.
Feroalbinfo.ch
Në natën e dytë, Alban Skënderaj u prit me shumë ngrohtësi, duke krijuar një atmosferë të qetë dhe të ndjeshme, ku tekstet e tij u kënduan bashkë me publikun si një lloj meditim i përbashkët.
Kultura që ruhet edhe kur gjuha zbehet
Këngët që i dimë përmendësh edhe kur shqipen s’e flasim rrjedhshëm
Një tipar i veçantë i këtij festivali është fakti se shumë prej pjesëmarrësve i përkasin brezave të rinj të lindur apo rritur në Zvicër dhe Evropë, të cilët ndonëse nuk flasin rrjedhshëm gjuhën shqipe, ndihen thellësisht të lidhur me muzikën dhe identitetin që ajo përfaqëson.
Kjo tregon se përkatësia kulturore nuk ka të bëjë vetëm me zotërimin e një gjuhe, por me ndjenjën që buron nga përbashkësia, ritmi dhe kujtesa e përbashkët.
Festivale të tilla nuk janë politikë, janë dëshmi e kulturës
albinfo.chalbinfo.ch
Në një kohë kur komunitetet në diasporë janë gjithnjë në proces përshtatjeje dhe integrimi, festivale si AlbaFestival luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e lidhjes me rrënjët dhe në paraqitjen dinjitoze të kulturës shqiptare në arenën publike evropiane.
Pjesëmarrja masive dëshmon nevojën për hapësira të tilla, ku rinia shqiptare e rritur në perëndim të mund të lidhet me origjinën përmes një forme bashkëkohore, të kuptueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Përtej spektaklit muzikor, në festival u vu re edhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të autoriteteve zvicerane, si dhe e shqiptarëve që ushtrojnë funksione publike në institucionet e Zvicrës, e veçanërisht në qytetin e Cyrihut. Kjo prani simbolike dhe faktike përforcoi mesazhin se kultura shqiptare është tashmë një pjesë e natyrshme e peizazhit të Zvicrës së sotme, jo vetëm si traditë që ruhet, por si vlerë që kontribuon në shoqërinë multikulturore.
albinfo.chalbinfo.ch
Prandaj, është me rëndësi që ngjarje të tilla të mos ngjyrosen politikisht.
Kur një festival kthehet në vendtakim për qindra e mijëra njerëz që ndajnë të njëjtin identitet kulturor, ai nuk ka pse të lexohet nëpër filtrin e retorikave politike apo ndarjeve ideologjike.
Këto janë ngjarje që duhet të respektohen siç janë: dëshmi të gjuhës, ndjeshmërisë dhe ritmit kulturor të një populli që, edhe në mërgatë, gjen mënyrën për t’u bashkuar.
Një pasqyrë reale e diasporës shqiptare sot
AlbaFestival 2025 përfundoi pa incidente dhe me një organizim të qetë e efikas. Ai përforcoi modelin e një festivali që jo vetëm argëton, por përfaqëson dhe bashkon.
albinfo.chalbinfo.ch
Kur debatet mbi përkatësinë, integrimin dhe identitetin janë gjithnjë të pranishme në shoqëritë perëndimore, festivale si ky përbëjnë shembuj konkretë se si kultura mund të jetë mjet bashkimi dhe jo ndarje.
Në këtë dritë, AlbaFestival mbetet jo vetëm një sukses i organizimit artistik, por edhe një pasqyrë e qartë dhe e sinqertë e diasporës shqiptare sot, e gjallë, e ndërgjegjshme dhe e lidhur me rrënjët e veta, përmes formash të reja shprehjeje.
Ushtria e Ukrainës tha të premten se kishte goditur katër avionë luftarakë në një bazë ajrore në rajonin Volgograd të Rusisë qendrore, si pjesë e një përpjekjeje për të goditur asetet luftarake ruse, përcjell albinfo.ch.
Në një postim në Telegram, ushtria tha se kishte goditur katër avionë Su-34 në bazën Marinovka jashtë qytetit të Volgogradit, rreth 900 km nga kufiri ukrainas.
Në këtë postim u tha se operacioni u krye nga dega e operacioneve speciale të ushtrisë, së bashku me shërbimin e sigurisë SBU dhe shërbime të tjera të ushtrisë, shkruan Reuters.
“Sipas informacionit paraprak, u goditën katër avionë, konkretisht avionë SU-34, si dhe objekte tekniko-operative ku avionë të ndryshëm luftarakë shërbehen dhe riparohen”.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria ruse.
Ukraina është angazhuar në një numër operacionesh me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave ushtarake në muajt e fundit, industriale, energjetike dhe vende të tjera.
Më herët këtë muaj, ushtria ukrainase kreu një sulm të madh, të quajtur “Operacioni Rrjeta e Merimangës”, në të cilin një numër i madh bombarduesish rusë me rreze të gjatë veprimi u goditën në disa baza ajrore ruse larg territorit ukrainas.
Deklarata e fundit tha se dëmi i shkaktuar nga sulmi në Marinovka ishte duke u vlerësuar.
Ajo e përshkroi Su-34 si avionin kryesor të Rusisë të përdorur në sulmet bombarduese në territorin ukrainas, të vendosur në veçanti për lëshimin e bombave të drejtuara, të përdorura gjithnjë e më shumë në sulmet ndaj qyteteve ukrainase.
Deputeti britanik, Nigel Farage, nuk është përmbajtur në lidhje me emigrantët shqiptarë që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar, përcjell albinfo.ch.
Ai i është drejtuar me disa shifra kryeministrit shqiptar, Edi Rama, teksa i ka kërkuar të marrë mbrapsht të gjithë shqiptarët e dënuar për vepra penale të ndryshme në territoret britanike.
Sipas shifrave të tij, “një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg”, teksa më tej ka shtuar:
“Kryeministri shqiptar na kritikon për Brexit-in dhe thotë se Britania është ‘në një vend të errët, duke kërkuar vende për të braktisur emigrantët’. Rama pretendoi se shumë nga ato që themi pas Brexit-it janë bërë ‘krejtësisht të papranueshme, krejtësisht qesharake’. Po ju them diçka, z. Rama, a e dinit se një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg? Pra, tregoni pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë nesër, sepse kjo është hipokrizi”.
Ndër të tjera deputeti anglez ka kritikuar edhe udhëheqësit e vendit të tij për mënyrën se si ka vendosur të ndjekë politikat e emigracionit.
Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur deputetit britanik Nigel Farage, duke hedhur poshtë shifrat e tij për emigrantët e dënuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Fillimisht Rama ka hedhur poshtë shifrat që ai paraqiti, që “1 në 50 shqiptarë në Britani janë në burg”, pasi të dhënat reale tregojnë krejt të kundërtën.
“Upsss… vetë z.Nigel Farage më sfidoi për faktet!
Çfarë nderi për një “burrë gjigand”, siç më përshkroi ai (duke pasur parasysh, natyrisht, që vij nga një “vend i vogël”) të tërheq vëmendjen e mjeshtrit të padiskutueshëm të politikës me tituj në Britani.
Ai tha dhe po e citoj:
‘’Të them diçka, z. Rama: e di që një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg? Prandaj trego pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë mbrapsht nesër, sepse kjo është hipokrizi.”
Epo, z. Farage, më lejoni t’ju përgjigjem me diçka që s’është aq e zakonshme në stilin tuaj: shifra reale.
Pretendimi juaj se “një në 50 shqiptarë në Britani është në burg”Nuk është fakt. Është absurd. Një klasik i manualit post-Brexit: ‘’Nëse tingëllon frikshëm, atëherë duhet të jetë e vërtetë.’’
Por kur shikohen të dhënat reale, është një befasi! Edhe nëse do të supozonim se çdo shqiptar që ndodhet në burg është realisht fajtor (ndonëse shumë janë aty për shkak të një sistemi vizash të padrejtë dhe të vjetëruar), shkalla e kriminalitetit mes shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të ishte më e lartë se ajo e popullsisë britanike, madje ka shumë gjasa të jetë më e ulët.
Dhe meqë të dy duket se e vlerësojmë “vullnetin e mirë” dhe nuk e durojmë “hipokrizinë”, kam një propozim të thjeshtë për ju:
T’i sjellim të dyja palët faktet në tavolinë. Nëse pretendimi juaj “1 në 50” del i saktë, angazhohem publikisht t’i marr të gjithë mbrapsht. Jo për show, por zotohem publikishit.
Por nëse del që shifra juaj është thjesht karburant për tabloide, atëherë s’ka nevojë për ndjesë. S’ka nevojë për drama. Madje në vënd të kësaj do të merni një ftesë për të ardhur në Shqipëri, si i ftuar nderi.
Do të merrni diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë, dhe fakte edhe më të vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe gjithçka që do t’ju kërkoj në këmbim është një zotim i vogël, i thjeshtë: që herën tjetër kur dikush të përgojojë shqiptarët, të jeni ju i pari që t’i thoni, të ndalet.
Si thoni atëherë? Një verifikim faktesh për një deportim total ose për një palë pushime, në mesin e njerëzve më të ngrohtë që do të njihni ndonjëherë.
Hajde, Nigel. Edhe nëse humb në kontrollin e fakteve, fiton një komb të tërë miqsh për gjithë jetën.
Pres me padurim përgjigjen tuaj.“, shkruan Rama në “X”.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot me fillim nga ora 16:00 pret në takim të përbashkët liderët e partive politike, përcjell albinfo.ch.
Ftesa e Kurtit për takim të përbashkët me liderët e partive të tjera erdhi pas aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me situatën bllokuese në Kuvendin e Kosovës.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese vendosi se deputetët janë të detyruar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët
Tri propozime do t’i kenë në tavolinë liderët dhe përfaqësuesit e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend, në takimin e së shtunës me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti.
Takimi, i cili është planifikuar që të mbahet të shtunën nga orën 16:00, është ftuar një ditë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin është theksuar se e drejta e propozimit të kryeparlamentarit nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit kërkon bashkëpunim në mirëbesim nga deputetët e zgjedhur për ta gjetur kompromisin apo konsensusin e domosdoshëm.
Burime brenda Vetëvendosjes kanë thënë se për diskutim do të shtrohet kërkesa që subjektet politike të dakordohen për emrat e anëtarëve të kryesisë në pako. Një propozim i tillë, sipas partisë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e fundit, bëhet “me qëllim të moskushtëzimit të ndërsjellë dhe është në frymën e aktgjykimit të Kushtetueses për konsensus e kompromis”.
Propozimi i dytë, i cili do të bëhet nga Kurti, është ai për dhënien e një epilogu formimit të Komisionit që do të merret me zhvillimin e votimit të fshehtë për kryeparlamentarin.
Nga kryetarët e subjekteve që kanë mandate në Kuvend do të kërkohet që të votohet pro ose kundër formimit të këtij komisioni.
E, propozimi i tretë, sipas burimeve në Vetëvendosje, do të jetë ai për mbështetjen e realizimit të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, deri të premten, nuk kanë marrë ndonjë zotim prej deputetëve të opozitës së deritanishme se do ta përkrahin të propozuarën e kësaj partie, Albulena Haxhiun, për kryetare të Kuvendit.
E, me qëllim të bindjes së subjekteve politike, LVV-ja do të zotohet se do ta ndërrojë propozimin e saj, në rast se dështon zgjedhja e Haxhiut në tentimin e parë.
Pjesëmarrjen në takimin e së shtunës deri më tani e kanë konfirmuar në Partinë Demokratike (PDK), në Lidhjen Demokratike (LDK), në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si dhe në Nismën Socialdemokrate.
Të premten, KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga tri partitë që deri më tani kanë qenë në opozitë nëse synojnë të paraqesin propozime të reja, porse nuk ka marrë përgjigje.
Serbët do të shënojnë sot festën e Vidovdanit, e cila do të kremtohet në Gazimestan, në periferi të Prishtinës, përcjell albinfo,ch.
Policia e Kosovës thotë se ka marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve për ‘Vidovdan”.
Ajo ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit që të manifestojnë të qetë e të shmangin provokimet.
“Lidhur me manifestimet e “Vidovdan-it”, të cilat pritet të mbahen me 28 qershor 2025, Policia e Kosovës (PK), me kohë ka ndërmarrë masat planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka bërë me dije se kanë mbajtur takim zyrtar lidhur me planet dhe masat operacionale të planifikuara për Vidovdan.
“Nga menaxhmenti i lartë janë shpalosur detajet e planit operacional, me të cilat janë njoftuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që ishin pjesëmarrës në takim”, bëhet e ditur tutje në njoftimin policor.
Tutje, thuhet se nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë, të zhvillohen qetë dhe pa incidente.
“Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm”, thuhet në apelin që policia i ka drejtuar pjesëmarrësve në këtë manifestim.
Po ashtu, kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve me rastin e bllokimit të përkohshëm apo riorientimit të mundshëm të trafikut. “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, menaxhimin e situatës së sigurisë, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në fund të këtij njoftimi të shpërndarë nga Policia e Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dje gjatë mbledhjes së qeverisë ka thënë se ka paralajmërime për destabilizim në shënimin e Vidovdanit, festë kjo fetare, e cila tradicionalisht organizohet nga serbët më 28 qershor në Gazimestan. Kurti tha se ndonëse kjo ditë ka karakter fetar, ajo fatkeqësisht është keqpërdorur nga autoritetet e Beogradit për të përcjellë retorikë politike, nxitëse dhe kërcënuese ndaj sigurisë publike në Kosovë.
“Beogradi zyrtar që po përballet me protesta gjithandej të studentëve dhe jo vetëm po përpiqet që ta zhvendos vëmendjen diku tjetër. Në këtë përpjekje për të ulur përmasat e protestës antiqeveritare e antiregjim të së njëjtës ditë në Beograd, pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive të nxisin incidente në Gazimenstan”, tha Kurti.
Ai tutje tha se sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, janë duke u bërë përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv. Kryeministri tha se janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina për të ardhur në Kosovë, dhe se këto grupe tradicionalisht kanë qenë provokuese duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse, të cilat bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe gjithashtu janë kundër vlerave demokratike dhe evropiane.
“Ju bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve tanë, sidomos nga radhët e komunitetit serb në Kosovë që të respektojnë ligjin dhe të moslejojnë të keqpërdoren për qëllime politike. Ju bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë që gjithashtu të mos bien pre e asnjë provokimi nga kushdoqoftë në ditën e nesërme”, ka theksuar Kurti.
Ai tha se tubimet për shënimin e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje të plotë me ligjin.
“Tubimet për shënimin e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje të plotë me ligjin dhe jo të shndërrohen në një mjet për instrumentalizim politik nga autoritetet në Beograd, të cilat tentojnë ta eksportojnë krizën e brendshme politike përmes provokimeve në Kosovë, vetëm për t’u paraqitur më pas si kinse mbrojtës të interesave kombëtare të tyre dhe të serbëve në Kosovë përmes narracioneve propagandistike dhe klero-nacionaliste. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të garantuar të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve dhe nuk do të tolerojnë veprime që cenojnë, rendin sigurinë dhe paqen publike në Kosovë”, tha ai.
Një bashkëpunim katër-vjeçar midis arkeologëve zviceranë dhe atyre shqiptarë përmbyll me sukses fazën e parë 2021-2025, duke cilësuar sitin pranë Linit, në Pogradec, si vendbanimin më të vjetër me palafite në Europë, transmeton albinfo.ch.
Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri Ruth Huber, e vlerësoi përkushtimin e palës shqiptare dhe theksoi rëndësinë e këtij projekti për shkencën dhe për bashkëpunimin midis dy vendeve.
Ajo theksoi se kjo nismë shkencore e Universitetit të Bernës, është një bashkëpunim që gjithashtu rrit kapacitetet e institucioneve shkencore shqiptare.
“Gërmimet kanë dhënë përsëri rezultate shumë të mira. Mund të konfirmojmë se ky se ky është vendbanimi më i vjetër në Europë me materiale druri dhe organike të konservuara dhe është shumë special sepse gjetjet janë shumë premtuese”, u shpreh Profesor Albert Hafner nga Universiteti i Bernës, drejtues i ekipeve.
Profesori zviceran e cilësoi zonën e Linit si një nga sitet më të mirëruajtura në Europë dhe me vlera të jashtëzakonshme për të kuptuar fillimet e qytetërimit në kontinent.
“Kemi gjetur material të bollshëm arkeologjik qoftë nivelin qeramik, qoftë të veglave të punës, të kockave, të gurit”, u shpreh arkeologu Adrian Anastasi.
Gjatë misionit më të fundit, ekipet e arkeologëve kanë zhvilluar kërkime si gjatë bregut të Liqenit, ashtu edhe nën ujë. Disa nga gjetjet përfshijnë:
· Hapja e llogoreve tokësore
· më shumë shtylla druri të tjera të shtëpive
· shtresa qeramike arkeologjike të dekoruara me impreso, një nga format më të hershme të poçarisë. Kjo provon lidhje sitit të Linit me bregdetin Adriatik.
· një rrethojë e re që e çon në pesë numrin e unazave rrethuese (mbrojtëse) të sitit
· zbulohen grumbuj të mëdhenje pishash të cilat mendohen se janë mbetje të një apo disa shtëpive
· për herë të pare përputhen kronologjitë e unazave të pemëve të sitit të Linit me atë të Ohrit, dendrokronologjia po funksionon për distanca më të gjera
· konfirmim që Lin 3 mbulon 2,000 vite të historisë së vendbanimeve dhe të paktën 10-12 faza apo fshatra të ndryshëm përgjatë hapësirës kohore 6,000 – 4,000 para Krishtit.
Zbulimet në Lin dhe Buqezë po tërheqin vëmendjen e ekspertëve ndërkombëtarë dhe institucioneve kulturore evropiane, duke e kthyer zonën në një pikë referimi për kërkimin arkeologjik dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. Ky projekt, përtej vlerave shkencore, përfaqëson edhe një urë bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës në promovimin e pasurisë historike të rajonit.