Keller-Sutter: Fati i tarifave doganore zvicerane në duart e Donald Trump

Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, është shprehur se është “thellësisht e tronditur” përballë vendimit të pritshëm të Shteteve të Bashkuara në lidhje me tarifat ndaj eksporteve zvicerane.

Pas marrëveshjes mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve për vendosjen e tarifave 15% ndaj produkteve evropiane, Zvicra mbetet ende në pritje. Afati përfundimtar që ish-presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur për vendimin përfundimtar është 1 gushti. Ky vendim mund të zbehë edhe atmosferën festive të Ditës Kombëtare zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Në prill, Donald Trump kishte shpallur tarifa prej 31% për importet nga Zvicra, por këto masa u pezulluan përkohësisht, në pritje të një marrëveshjeje. Vendimi përfundimtar pritet të merret në ditët në vijim.

“Durimi është kyç”

Në intervistën tradicionale për Ditën Kombëtare, presidentja Keller-Sutter theksoi rëndësinë e durimit. Edhe pse një deklaratë synimi është nënshkruar mes Bernës dhe Uashingtonit – dhe është miratuar nga Këshilli Federal – vendimi përfundimtar nga autoritetet amerikane ende mungon.

“Zvicra është një vend i vogël,” theksoi ajo. “Nuk jemi një superfuqi. Kemi fuqi ekonomike, por jo politike. Duhet ta pranojmë këtë fakt. Por, njëkohësisht, nuk duhet të vetë-nenvlerësohemi.”

Takimi me Trump, vendimtar

Duke iu referuar takimit të saj me Donald Trump në prill, Keller-Sutter vlerësoi rëndësinë e kësaj bisede:

“Takimi që pata me të ishte shumë i rëndësishëm. Nga njëra anë, ai hapi derën për takimin e mëvonshëm mes meje dhe ministrit amerikan të financave, së bashku me Guy Parmelin. Nga ana tjetër, krijoi bazën për përfundimin e negociatave.”

Në përfundim, ajo shprehet me ton të përmbajtur:

“Tani gjithçka është në duart e Shteteve të Bashkuara, në duart e Presidentit Donald Trump.”

 

Pas Francës edhe Britania e Madhe planifikon të njohë shtetin e Palestinës në shtator 

Kryeministri britanik Keir Starmer ka bërë të ditur se Mbretëria e Bashkuar synon ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në muajin shtator, përpara mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA). Megjithatë, ky veprim do të ndërmerret vetëm nëse përmbushen disa kushte të qarta.

Sipas një dokumenti të brendshëm të kabinetit britanik, Starmer ka theksuar se njohja e Palestinës do të varet nga disa zhvillime kyçe: ndalimi i ofensivës në Gaza, arritja e një armëpushimi të qëndrueshëm, garanci nga Izraeli se nuk do të aneksojë më tej territore në Bregun Perëndimor dhe një angazhim serioz për një proces paqeje që synon zgjidhjen me dy shtete.

Starmer ka qenë i prerë edhe në lidhje me Hamasin, duke thënë se nuk mund të ketë asnjë barazim mes Izraelit dhe kësaj organizate. Kërkesat ndaj Hamasit mbeten të pandryshuara: lirimi i të gjithë pengjeve, pranim i menjëhershëm i një armëpushimi, dorëheqje nga çdo rol qeverisës në Gaza dhe çarmatim i plotë.

Ai gjithashtu ka premtuar se një vlerësim i detajuar për përmbushjen e këtyre kushteve do të bëhet para fillimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Starmer ka shtuar se asnjëra palë nuk do të ketë të drejtë vetoje mbi vendimin përfundimtar të Britanisë për njohjen e shtetit të Palestinës.

Marrëveshja BE-SHBA për energjinë shihet nga ekspertët si e parealizueshme

Bashkimi Evropian ka rënë dakord të importojë energji nga Shtetet e Bashkuara në vlerë 750 miliardë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme. Marrëveshja përfshin naftë, gaz natyror të lëngshëm (LNG) dhe karburant bërthamor, me synim të zëvendësojë gazin rus dhe të shmangë një luftë tregtare me SHBA-në.

Por sipas ekspertëve, objektivi është jashtë çdo realiteti tregu. Sipas të dhënave, BE importon aktualisht vetëm 76 miliardë euro energji në vit nga SHBA, ndërsa kapacitetet eksportuese të Amerikës nuk mjaftojnë për të mbuluar këtë kërkesë.

Për më tepër, kompanitë evropiane nuk mund të detyrohen ligjërisht të blejnë vetëm nga SHBA, ndërsa edhe konkurrenca globale për gazin amerikan po rritet, duke rrezikuar rritje të çmimeve, përcjell albinfo.ch.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për krijimin e një varësie të re ndaj SHBA-së, të ngjashme me atë që Evropa kishte më parë ndaj Rusisë.

Kurti falënderon ekipet për gjetjen e trupit të mërgimtarit që u mbyt në liqenin e Ujmanit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur falënderime publike për institucionet dhe ekipet që u angazhuan në operacionin e kërkim-shpëtimit në liqenin e Ujmanit, ku u gjet trupi i pajetë i Rrahim Latifit.

Në një shkrim në Facebook, Kurti falënderoi Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, Klubin e Zhytjes “Trepça”, si dhe KFOR-in, për punën profesionale, përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pareshtur deri në përfundimin e këtij operacioni.

“Familjes Latifi i shprehim ngushëllimet më të përzemërta dhe ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira për të ofruar gjithë mbështetjen tonë e për të ndarë me ta dhimbjen e madhe”, u shpreh Kurti, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja ka prekur opinionin publik dhe ka nxitur reagime të shumta, ndërsa operacioni i kërkimit është përshkruar si një shembull i bashkëpunimit ndërinstitucional në situata emergjente.

Rrezik i konsiderueshëm për përmbytje në Liqenin e Lucernës

Pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit, Zvicra është përballur me një rritje të ndjeshme të niveleve të ujit në disa rajone, veçanërisht në Liqenin e Lucernës dhe lumin Reuss. Gazeta zvicerane Blick raporton se qeveria federale ka shpallur nivelin 3 të rrezikut nga përmbytjet, që nënkupton një rrezik të konsiderueshëm, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara nga MeteoSwiss, niveli i ujit në Liqenin e Lucernës është rritur me më shumë se një metër, duke arritur 433.21 metra mbi nivelin e detit të martën pasdite. Pritet që deri të mërkurën, uji të rritet edhe për dhjetë centimetra të tjerë.

“Shkalla e shkarkimit të Reuss-it mund të arrijë mbi 350 metra kub për sekondë të mërkurën, pak nën pragun e nivelit portokalli,” shkruan Blick, duke cituar parashikimet zyrtare.

Autoritetet kanë ndërhyrë duke hapur digën e Reuss në Lucern, për të rregulluar rrjedhën e ujit dhe për të zbutur presionin në rrjedhën e poshtme. Ndërkohë, gryka e Reuss është gati e mbuluar nga uji, gjë që sipas autoriteteve lokale, tregon seriozitetin e situatës.

Periudha më e rrezikshme do të zgjasë deri të enjten, sipas Zyrës Federale për Mjedisin. Pas kësaj, pritet që niveli i ujit të fillojë të bjerë, duke zbritur në nivelin e rrezikut 2 (i verdhë), që nënkupton rrezik të moderuar, transmeton albinfo.ch.

Mashtrim milionësh, studenti anglez dënohet me 7 vjet burg, viktima edhe në Zvicër

Një student britanik është dënuar me shtatë vjet burg në Londër për shkak të një mashtrimi të sofistikuar me phishing, i cili ka prekur edhe klientët e bankave zvicerane. Humbjet e shkaktuara në Zvicër arrijnë rreth 2.4 milionë franga zvicerane (afro 2.98 milionë dollarë), sipas një komunikate nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës (ZAP), shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Mashtrimi përmes faqeve të rreme të hyrjes në sistemet e e-banking ka lejuar studentin 21-vjeçar të përgjojë të dhënat e qasjes së përdoruesve zviceranë dhe të hakojë llogaritë e tyre bankare. Sipas ZAP, procedurat penale në këtë rast kanë nisur në Zvicër që nga viti 2022 dhe përfshijnë mbi 30 raste të mashtrimit, të raportuara nga kantone të ndryshme.

“I dyshuari ishte zhvilluesi dhe shpërndarësi i paketës së phishing që u përdor për të mashtruar viktimat,” konfirmon ZAP në njoftim. Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Federale të Policisë (Fedpol), dhe më pas rasti u transferua tek autoritetet britanike, të cilat tashmë po e ndiqnin penalisht të njëjtin individ për vepra të ngjashme, transmeton albinfo.ch.

Bandat nga jashtë shënjestrojnë dyqanet e armëve në Zvicër

Pas një vale vjedhjesh të sofistikuara në dyqanet e armëve në Zvicër, autoritetet dhe ekspertët po paralajmërojnë për rrezikun në rritje që paraqesin grupet kriminale të organizuara, që thuhet se po hyjnë nga jashtë vendit, transmeton albinfo.ch.

Sipas një raportimi të gazetës zvicerane Blick, kriminologët dhe përfaqësuesit e industrisë së armëve kanë ngritur alarmin. “Natyrisht, shumë janë të shqetësuar dhe tani po kontrollojnë pajisjet e tyre të sigurisë,” ka deklaruar Daniel Wyss, pronar i një dyqani armësh dhe president i Shoqatës së Armëpunuesve dhe Shitësve me Pakicë të Armëve në Zvicër.

Eksperti i kriminalistikës Dirk Baier e sheh një model të qartë: “Vjedhjet ndodhën të gjitha brenda një periudhe të shkurtër kohore. Kjo sugjeron se një grup i organizuar kriminal e ka kuptuar se vjedhjet e dyqaneve të armëve janë të mundshme në këtë vend dhe se është e mundur t’i shmangen edhe policisë.”

Sipas Baier, autorët me shumë gjasë kanë ardhur nga jashtë dhe kanë transportuar armët e vjedhura jashtë Zvicrës. Një përgjigje nga Zyra Federale e Policisë (Fedpol) konfirmon se Zvicra frëngjishtfolëse mbetet më e prekur nga krimi i bandave, me disa incidente të izoluara edhe në Zvicrën verilindore. Grabitësit, thotë Baier, vijnë shpesh nga Franca – dikur për bankomate dhe dyqane bizhuterish, tash për armë, shkruan SRF.

Edhe pse një urdhëresë federale e vitit 2022 parashikon masa më të forta sigurie për dyqanet e armëve, si mbikëqyrje me video dhe struktura më të qëndrueshme, zbatimi i saj është i detyrueshëm vetëm deri në vitin 2027. Daniel Wyss pohon se më shumë se gjysma e dyqaneve tashmë kanë përmirësuar sigurinë, por kjo s’ka mjaftuar. “Dera e përparme e një kolegu u përplas me një makinë të fuqishme. Edhe ordinanca e re nuk do ta ndalonte këtë. Kjo do të kërkonte masa ekstreme si shtylla mbrojtëse.”

Wyss thekson një problem më të thellë: “Ne kemi kufij të hapur. Kriminelët mund të hyjnë dhe të dalin pa pengesë nga Zvicra.” Sipas tij, vetëm kontrollet më të forta kufitare mund të ofrojnë zgjidhje.

Ndërkohë, kriminologu Baier kërkon një qasje ndryshe. “Bizneset kanë nevojë për më shumë mbrojtje, për shembull, përmes rritjes së pranisë policore. Vetëm atëherë këto banda mund të mos kenë më sukses në Zvicër,” thotë ai, transmeton albinfo.ch.

Rregulla dhe ndryshime të reja në Zvicër nga 1 gushti

Nga 1 gushti, në Zvicër do të hyjnë në fuqi një sërë rregulloresh dhe masash të reja që prekin fusha të ndryshme si mbrojtja e ambientit, arsimi, siguria kibernetike, mbrojtja nga terrorizmi dhe politika e punësimit. Ndryshimet kanë për qëllim përmirësimin e efikasitetit institucional dhe rritjen e sigurisë për qytetarët dhe tregun e punës, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Ushtria rikthen garën ushtarake
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është rikthimi i garës ushtarake, e cila do të zhvillohet për herë të parë që nga viti 2009. Ushtria zvicerane ka miratuar një ndryshim në Rregulloren e Sporteve Ushtarake, që parashikon zhvillimin e kësaj gare çdo dy vjet. Pjesëmarrja do të jetë e kufizuar për patrullat e rekrutëve të Ushtrisë Zvicerane, ndërsa gara ka për qëllim testimin e aftësive fizike dhe mendore të pjesëmarrësve si dhe forcimin e besimit në kompetencat ushtarake.

Zgjatet afati i kompensimit për punë me kohë të shkurtër
Në fushën e punësimit, periudha maksimale për marrjen e kompensimit për punë me kohë të shkurtër do të zgjatet nga 12 në 18 muaj. Ky ndryshim do të jetë i vlefshëm deri më 31 korrik 2026 dhe ka për qëllim të sigurojë më shumë stabilitet për ndërmarrjet, në një kohë kur ekonomia zvicerane po përballet me një rritje më të ulët se mesatarja dhe papunësia pritet të arrijë në 2.8 për qind në vitet 2025 dhe 2026.

Masat për mbrojtjen e mjedisit
Nga gushti do të ndryshojnë edhe disa rregullore që lidhen me mjedisin. Lista e mbeturinave që mund të eksportohen vetëm në kushte të caktuara do të përditësohet dhe sqarohet. Gjithashtu, do të ndërmerren masa për përmirësimin e linjave ajrore të energjisë elektrike, në mënyrë që ato të mos përbëjnë rrezik për zogjtë dhe të garantohet furnizimi i qëndrueshëm me energji, transmeton albinfo.ch.

Rritet siguria kibernetike për pajisjet inteligjente
Zyra Federale e Komunikimeve (OFCOM) ka miratuar masa të reja për përmirësimin e sigurisë kibernetike në pajisjet pa tel që lidhen me internetin. Nga 1 gushti, pajisje si telefonat inteligjentë, orët smart dhe monitorët për fëmijë do të duhet të respektojnë standarde më të rrepta sigurie, për të parandaluar qasjen e paautorizuar në të dhënat personale dhe për të reduktuar rrezikun e sulmeve kibernetike.

Rregulla të reja për bashkëpunimin evropian kundër terrorizmit
Po ashtu, nga gushti do të hyjnë në fuqi rregulla të reja për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe krimit ndërkufitar. Këto përfshijnë krahasimin automatik të gjurmëve të gishtërinjve dhe qasjen në të dhënat e automjeteve dhe pronarëve të tyre nga autoritetet e huaja, me qëllim rritjen e sigurisë në nivel evropian.

Ndalohen celularët në shkolla në kantonet Aargau dhe Nidwalden
Në nivel kantonal, kantonet Aargau dhe Nidwalden kanë vendosur ndalim të përdorimit të celularëve dhe pajisjeve të tjera elektronike private për nxënësit në shkollat fillore dhe të mesme. Ndalimi përfshin përdorimin e tyre gjatë orëve të mësimit, pushimeve dhe aktiviteteve jashtëshkollore. Sipas autoriteteve arsimore, qëllimi është të promovohet përdorimi i vetëdijshëm i teknologjisë ndër të rinjtë.

Tarifat e reja amerikane mund të ndikojnë edhe Zvicrën
Së fundi, nga 1 gushti, në SHBA do të hyjnë në fuqi tarifa të reja për importet nga Bashkimi Evropian, përfshirë çelikun, aluminin dhe makinat. Ende nuk është e qartë nëse Zvicra do të preket nga këto masa, pasi vendi ka marrëveshje të veçanta tregtare me SHBA-në. Megjithatë, zhvillimet mbeten nën vëzhgim për shkak të ndikimit potencial në eksportet zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Zvicra mbetet magnet për blerësit e produkteve luksoze

Sipas një analize të publikuar sot nga firma konsulente EY, tregu i luksit në Zvicër u rrit me 3.5% në vitin 2024, duke arritur një vëllim prej 5.4 miliardë frangash zvicerane, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Një nga të dhënat më interesante të studimit është se vetëm 53% e blerjeve të produkteve luksoze në Zvicër bëhen në dyqanet fizike të markave, krahasuar me një mesatare prej 75% në vendet e tjera. Kjo tregon për një orientim më të fortë drejt blerjeve online.

Megjithatë, ajo që i jep tregut zviceran një karakteristikë unike është qasja e konsumatorëve të rinj ndaj përvojës së blerjes. “Rezultatet e anketës tregojnë qartë se sa qendrore është bërë përvoja e markës për konsumatorët”, tha Fabian Wehren, ekspert në EY, në një deklaratë për media.

Sipas tij, nëntë nga dhjetë të anketuar të Gjeneratës Z në Zvicër janë të gatshëm të paguajnë për një përvojë ekskluzive me pakicë, çka përfaqëson një nga përqindjet më të larta në botë.

Wehren thekson se “sidomos në Zvicër, ku mallrat luksoze blihen në internet më shpesh se mesatarja, ekziston nevoja për të kapur ritmin në aspektin e përvojës dixhitale të konsumatorit”. Sipas tij, për të mbetur konkurrues në afat të gjatë, industria e luksit duhet të investojë më shumë në teknologji inovative, përfshirë inteligjencën artificiale dhe modelet e reja të biznesit, transmeton albinfo.ch.

Përmbytje në Sachseln, niveli i ujit në Liqenin Sarnen rritet me mbi një metër

Shirat e rrëmbyeshëm dhe të pandërprerë gjatë natës kanë shkaktuar përmbytje në disa pjesë të Zvicrës Qendrore, duke ndërprerë qarkullimin hekurudhor dhe duke rritur ndjeshëm nivelet e ujit në liqenet rajonale, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimit të gazetës Blick, në komunën Sachseln, disa linja të Zentralbahn S-Bahn janë anuluar, veçanërisht mes Sarnen dhe Sachseln, për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga ngritja e papritur e nivelit të ujit. Kompania hekurudhore ka vendosur autobusë zëvendësues për të siguruar transportin e udhëtarëve në këtë segment.

Të dhënat më të fundit nga Zyra Federale për Mjedisin tregojnë se niveli i ujit në Liqenin e Sarnenit është rritur ndjeshëm. “Nga rreth 469.6 metra mbi nivelin e detit të premten në mbrëmje, uji ka arritur në 470.7 metra të martën pasdite,” thuhet në përditësimin zyrtar, transmeton albinfo.ch.

Gazeta zvicerane shkruan për mërgimtarët: Parada luksoze e makinave në një dasmë në Kosovë

Gazeta zvicerane Blick ka raportuar për një ngjarje të pazakontë dhe spektakolare që ka ndodhur në Kosovë: një dasmë luksoze e shoqëruar me një autokolonë të gjatë makinash sportive, shumica prej tyre me targa zvicerane, transmeton albinfo.ch.

“Flamuri shqiptar me shqiponjën e tij dykrenare shkëlqen i kuq në kapotat e tyre. Dhjetëra BMW, Ferrari dhe Lamborghini me fuqi të lartë parakalojnë nëpër një qytet në Kosovë”, shkruan Blick, duke përshkruar skenën që u filmua nga një ballkon dhe u publikua në rrjetin TikTok nga përdoruesi “leaard9”.

Në videon që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, automjetet luksoze lëvizin në kortezh nën tingujt e një kënge festive. “Ja si e merr nusen”, shkruhet në mbishkrimin e postimit. Blick raporton se vetë përdoruesi i TikTok-ut ka konfirmuar se bëhej fjalë për dasmën e kushëririt të tij.

“Në një parking përpara një vile të madhe, makinat kryesisht luksoze po filmohen nga afër. Disa njerëz i admirojnë makinat dhe kapin momentin e jashtëzakonshëm me telefonat e tyre celularë”, vijon përshkrimi i Blick.

Gazeta zvicerane thekson se autori i postimit shfaqet në rrjet si një tifoz i pasionuar i makinave, veçanërisht i markës BMW, të cilën e prezanton rregullisht në përmbajtjet e tij. “Sa më shumë kuaj fuqi, aq më mirë, duket të jetë motoja e tij”, shkruan Blick.

Komentet në rrjetet sociale janë kryesisht pozitive dhe përplot entuziazëm. “Nëse burri im dhe familja e tij nuk më marrin kështu, nuk e dua”, citohet një koment nga një përdoruese. Një tjetër shton: “Lamborghini, Ferrari dhe targa zvicerane! Kështu e bëjmë ne.”

Megjithatë, Blick thekson se nuk mungojnë as komentet kritike, që e shohin këtë shfaqje si ekzagjerim. Një koment ironik i cituar nga gazeta thotë: “Ata mund të pinë birrë zvicerane dhe të kërkojnë një nuse.”

Raporti i Blick e vendos këtë episod në një kontekst më të gjerë, duke kujtuar se kohët e fundit një shofer zviceran me targa Thurgau shkaktoi polemika në Kosovë, pasi u filmua duke bërë një manovër të rrezikshme parakalimi mbi trotuar, transmeton albinfo.ch.

Duka në Preshevë për turneun e futbollit, shfaqet baneri kundër EURO 2027 me Serbinë

Të rinjtë shqiptarë të Luginës së Preshevës janë mbledhur në një turne futbolli, i cili është përkrahur nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF). Turneu ka tërhequr vëmendjen e shumë entuziastëve të sportit dhe ka përfshirë një pjesëmarrje aktive të rinisë nga gjithë ky rajon, raporton albinfo.ch.

Në këtë ngjarje të rëndësishme për futbollin në Luginën e Preshevës ka udhëtuar gjithashtu presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili të hënën zhvilloi takime me drejtuesit e komunës së Bujanocit dhe të Preshevës. Këto takime kishin për qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e futbollit në këtë rajon, duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit të FSHF-së për rritjen e nivelit të sporteve dhe mundësive për të rinjtë shqiptarë.

Megjithatë, gjatë zhvillimit të turneut, në vendin e ngjarjes janë shfaqur edhe anëtarë të grupit të tifozëve “Kuq e Zi”, të cilët zhvilluan një tjetër protestë kundër organizimit të Euro 2027 të futbollit nën organizimin e përbashkët të Shqipërisë dhe Serbisë. Ata shpalosën një baner me mbishkrimin “Jo bashkë me shtetin që na mohon. Jo Euro 2027 me Serbinë”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij projekti të përbashkët, raporton albinfo.ch.

Zvicra feston suksesin e Kampionatit Evropian të Futbollit për Femra

Pas një finaljeje dramatike që përfundoi me fitoren e Anglisë në gjuajtjet e penalltive, Kampionati Evropian i Futbollit për Femra ka përfunduar me lavdërime të mëdha nga autoritetet zvicerane. Sipas Zyrës Federale të Sportit (Baspo), ky turne i organizuar në Zvicër u vlerësua si një “sukses i plotë” dhe një moment historik për sportin e femrave në vend, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Baspo ka përgëzuar bashkëpunimin “të shkëlqyer” mes UEFA-s, qeverisë federale dhe kantoneve në organizimin e turneut. Sipas vlerësimeve zyrtare, ky kampionat jo vetëm që ka promovuar futbollin e femrave, por ka ofruar edhe një nxitje të rëndësishme sociale, duke dëshmuar se Zvicra mund të jetë mikpritëse e ngjarjeve të mëdha sportive me standarde të qëndrueshme.

Turneu ka dhënë një shtysë të re për barazi gjinore në sport dhe ka krijuar perspektiva të reja për lëvizjen dhe angazhimin sportiv të vajzave dhe grave. Si sinjal për mbështetjen afatgjatë të këtij zhvillimi, janë ndarë pesë milionë franga për Shoqatën Zvicerane të Futbollit (SFV), me qëllim të fuqizimit të mëtejshëm të infrastrukturës dhe zhvillimit të futbollit të femrave në të gjitha nivelet.

Në kuadër të këtij zhvillimi pozitiv, SFV, kantonet dhe komunat po punojnë tashmë për të gjetur zgjidhje inovative për të përballuar rritjen e interesimit, sidomos përmes menaxhimit më efikas të hapësirave sportive.

Një tjetër aspekt i suksesshëm i turneut ishte edhe menaxhimi i transportit. Zyra Federale e Transportit (BAV) kontribuoi me pesë milionë euro për mbështetjen e transportit publik. Kjo u shpërblye me një pjesëmarrje të madhe të spektatorëve që përdorën biletën e kombinuar për udhëtim me transport publik,  një model që tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare dhe u përshëndet si shembull i mirë i organizimit të qëndrueshëm logjistik, transmeton albinfo.ch.

Blick për kalimin e Xhakës te Sunderlandi: Një “kryevepër” në Premier League

Granit Xhaka mund të ketë ndërmarrë një aventurë të re në Premier League, dhe kjo mund të shndërrohet në një kryevepër. Kështu ka shkruar Tobias Wedermann, redaktori i futbollit në gazetën e madhe zvicerane “Blick”, pas kalimit të mesfushorit shqiptar nga Bayer Leverkuseni te Sunderlandi, transmeton albinfo.ch.

Sunderlandi ka arritur të kthehet në Premier League dhe tani ka një mision të madh: të sigurojë mbijetesën në elitën e futbollit anglez. Granit Xhaka, kapiteni i kombëtares zvicerane, do të udhëheqë këtë sfidë të vështirë.

“Jo Arabia Saudite, jo Turqia – Granit Xhaka zgjodhi atë që mund të jetë aventura e tij e fundit e madhe në skenën më të madhe të futbollit. Në vend që të zhduket nga radari i futbollit për një pagë të madhe, ai po shkon në Premier League. Liga më e mirë dhe më e fortë në botë. Një vend ku kapiteni i Zvicrës nuk është vlerësuar gjithmonë gjatë kohës së tij në Arsenal dhe ku ndonjëherë është trajtuar edhe padrejtësisht,” ka shkruar Wedermann në një koment të tij në gazetën “Blick”.

Sipas ëedermann, Xhaka kthehet në Premier League me një qëllim të qartë: t’i tregojë të gjithëve se çfarë mund të bëjë. “Kampioni i Leverkusenit, Xhaka, ka zgjedhur të hyjë në betejën e vështirë për të shmangur rënien nga kategoria. Heroik, i guximshëm, me premisat e një filmi hollivudian. Qëndrimi në ligë është misioni i vetëm dhe më i madh që Sunderlandi mund ta shpallë. Me përvojën dhe mentalitetin e tij, Xhaka pritet të udhëheqë këtë detyrë ‘herkuliane’. Nëse ia del me sukses, Sunderlandi do të jetë kryevepra e tij e radhës”, ka thënë Wedermann.

Kjo lëvizje e Xhakës mund të përfaqësojë kulmin e karrierës së tij, dhe një mundësi për t’u afirmuar edhe më shumë në Premier League, pas një periudhe të suksesshme te Bayer Leverkuseni, transmeton albinfo.ch.

FSK-ja gjen trupin e pajetë të mërgimtarit të zhdukur në Ujman

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar për përfundimin me sukses të një operacioni kërkim-shpëtimi në zonën e liqenit të Ujmanit, ku është gjetur trupi i pajetë i një personi të raportuar më herët si i zhdukur, raporton albinfo.ch.

“Pas ftesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe koordinimeve me partnerët për angazhimin e ekipeve të FSK-së, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka urdhëruar ekipet e kërkim-shpëtimit në ujëra për realizimin e operacionit humanitar në kërkim të personit të raportuar si i zhdukur”, thuhet në njoftimin zyrtar të FSK-së.

Forca e Sigurisë së Kosovës bën të ditur se me të marrë urdhrin, “ekipet e FSK kanë marrë të gjitha masat dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe qendror janë angazhuar në operacionin e kërkimit të personit të zhdukur”.

Sipas FSK-së, kërkimi u zhvillua me intensitet të lartë dhe me angazhim maksimal nga të gjitha strukturat përkatëse. “Falë intensitetit të lartë të kërkimit dhe profesionalizmit të ekipeve tona në terren, pas disa orësh kërkimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, AME dhe KFOR, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë në zonën e liqenit të Ujmanit”, thekson njoftimi.

Pas lokalizimit dhe evakuimit të trupit, autoritetet kanë vazhduar me procedurat ligjore. “Trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme”, përfundon deklarata e FSK-së, raporton albinfo.ch.

Çitaku akuzon Qeverinë për abuzim me vdekjen e të riut në Liqenin e Ujmanit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka përshkruar si “neveritëse” veprimet e Qeverisë në detyrë, duke e akuzuar atë për abuzim me vdekjen tragjike të një të riu në Liqenin e Ujmanit, në Komunën e Zubin-Potokut. Ajo ka thënë se kjo po bëhet për qëllime propagandistike dhe politike, raporton albinfo.ch.

Në një postim në Facebook, Çitaku tha se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk ka shkuar në veri për të luftuar, por për të kërkuar trupin e një djali që humbi jetën në mënyrë tragjike. “Jeni të neveritshëm. A keni fije përgjegjësie? A keni fare ndjeshmëri njerëzore? Si mund të abuzoni me vdekjen tragjike të një të riu për propagandë politike? FSK nuk ka shkuar në veri për të luftuar, por për të kërkuar trupin e një djali që humbi jetën tragjikisht. Ashtu siç ka vepruar edhe më parë, me dinjitet dhe pa zhurmë,” tha ajo.

Ajo akuzoi gjithashtu se po tentohet të ndërtohet një narrativë e rreme përmes retushimit të fotografive dhe historisë së ngjarjes, por deklaroi se kjo përpjekje nuk do të ketë sukses.

Forca e Sigurisë së Kosovës u angazhua të martën në mëngjes në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit që dyshohet se u mbyt pas hedhjes nga ura në Liqenin e Ujmanit. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, si dhe ekipe të EULEX-it.

Dy ditë më parë, trup i mërgimtarit u kërkua nga ekipet e Policisë dhe Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit, por pa rezultat deri tani, raporton albinfo.ch.

Laura Dahlmeier plagoset rëndë gjatë alpinizmit

Laura Dahlmeier, dy herë kampione olimpike në biatlon, pësoi një aksident të rëndë gjatë alpinizmit në Pakistan, përcjell albinfo.ch.

Ish-biatlonistja gjermane Laura Dahlmeier pësoi një aksident të rëndë gjatë alpinizmit në majën Laila në malet Karakoram të Pakistanit. 31-vjeçarja është “të paktën e plagosur rëndë”, i tha menaxhmenti i saj Agjencisë Gjermane të Shtypit.

“Dahlmeier po ngjitej në stilin alpin me partnerin e saj të ngjitjes më 28 korrik kur u godit nga rënia e shkëmbinjve. Aksidenti ndodhi rreth mesditës sipas orës lokale në një lartësi prej afërsisht 5.700 metrash. Partneri i saj i ngjitjes menjëherë thirri shërbimet e emergjencës dhe operacioni i shpëtimit filloi menjëherë”, tha menaxhmenti për ZDF.

Zona ishte aq e largët sa një helikopter shpëtimi arriti të arrinte në vendin e aksidentit vetëm mëngjesin e 29 korrikut. “Një ekip ndërkombëtar shpëtimi malor po koordinon aktualisht shpëtimin. Ata po mbështeten nga alpinistë ndërkombëtarë me përvojë që ndodhen në rajon.”

Itali, shkon në 5 numri i të vdekurve nga virusi i Nilit Perëndimor

Referuar autoriteteve kompetente, 5 persona kanë vdekur nga virusi i Nilit Perëndimor në Itali këtë vit, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se në rajonin e Kampanias, pikërisht në Napoli, dje vdiq një burrë 80-vjeçar me sëmundje të rënda. Pak kohë më parë, u njoftua gjithashtu se në fund të javës së kaluar, një burrë 74-vjeçar që vuante nga problemet me veshkat dhe ishte infektuar me virusin, humbi jetën, gjithashtu në një spital të Napolit.

Javën e kaluar, tre persona të tjerë vdiqën nga ndërlikimet e shkaktuara nga virusi në zonën më të gjerë të Latinës (e cila ndodhet 78 kilometra në jug të Romës) dhe në qytetin e Novarës, pranë Torinos.

Mjekët italianë theksojnë se në shumicën e rasteve, kushdo që është i infektuar me virusin (i cili transmetohet nga mushkonjat) mbetet asimptomatik ose kapërcen simptomat e ngjashme me gripin brenda pak ditësh, pa pasur nevojë të shtrohet në spital. Megjithatë, tek të moshuarit me sëmundje themelore dhe sistem imunitar të dobësuar, ekziston një shans më i madh për probleme më serioze, duke filluar me ndërlikime serioze në sistemin neurologjik.

Krahasuar me vitin e kaluar, numri i përgjithshëm i rasteve deri më tani nuk është rritur. Ajo që ka ndryshuar është regjistrimi i përqindjes më të madhe të rasteve (deri më tani janë 28) në rajonin e Latinës, ku ka fusha të gjera me zona bujqësore dhe, deri një shekull më parë, malaria ishte veçanërisht e përhapur.

Anulohet tenderi për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e objektit të Presidencës

Raportohet se Presidenca e Kosovës ka anuluar tenderin për hartimin e planit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të Presidencës.

Vendimi është marrë të martën.

“Zyra e Presidentes të Republikës së Kosovës anulon aktivitetin e prokurimit për arsye se janë krijuar rrethana të reja të cilat na pamundësojnë të procedojmë tutje me këtë aktivitet”, thuhet në njoftimin për anulim.

Javën që shkoi është raportuar se, bazuar në dosjen e tenderit, autoritet kontraktues i të cilit është Zyra e Presidentit të Kosovës, rezidenca kërkohet që, pos suitave të gjumit për presidentin/en, dhomave private për familjen, dhomave private për darka familjare, dhomave të leximit, kopshtit e oborrit privat dhe pesë dhomave mysafirësh, të ketë edhe pjesën ceremoniale, në të cilën përfshihen një sallë e madhe pritjesh dhe ballosh, një holl ceremonial, dhoma e kredencialeve, dhoma për takime dypalëshe, salla për media, si dhe biblioteka presidenciale, shkruan koha.net.

Këto specifika janë vetëm disa nga hapësirat që janë kërkuar të përfshihen në planin e fizibilitetit.

Pse i ka paralajmëruar Rumania qytetarët e saj të mos udhëtojnë në Kosovë?

Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë, ka paralajmëruar qytetarët e saj që të mos udhëtojnë nëpër Kosovë, pasi aktualisht, sipas tyre, konsiderohet si “zonë rreziku”, pasi situata e sigurisë është e paparashikueshme, sidomos në veri, përcjell albinfo.ch.

Rumania është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e njeh Kosovën, ndaj paralajmërimi në faqen e internetit të Ministrisë u publikua nën indikacionin “Serbi/Kosovë”.

Qytetarët rumunë këshillohen t’i kushtojnë vëmendje të veçantë dhe të jenë të kujdesshëm kur udhëtojnë në Kosovë.

“Situata e sigurisë në Kosovë mbetet e paparashikueshme, veçanërisht në veri të krahinës, ku rreziku i incidenteve të dhunshme është i lartë. UNMIK dhe KFOR-i ofrojnë informacione të përditësuara të sigurisë në faqet e tyre të internetit. Në rast krize, informacioni do të jetë i disponueshëm edhe përmes radios KFOR (96.6 FM)”, thuhet në deklaratë. Në rast se ndonjëri nga qytetarët ende vendos të udhëtojë përmes Kosovës, Ministria rekomandon që ata të informohen paraprakisht për situatën e sigurisë në rajon, thuhet në deklaratë.

Rekomandime janë lëshuar edhe për qytetarët rumunë që janë në Kosovë dhe dëshirojnë të kontaktojnë Ministrinë në situata emergjente.

“Në këtë drejtim, rekomandohet monitorimi i rregullt i faqes së internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme (www.mae.ro). Për të qenë në gjendje të kontaktohen shpejt në situata emergjente, qytetarëve rumunë që janë tashmë në Kosovë rekomandohet të kontaktojnë Zyrën Ndërlidhëse Rumune në Prishtinë dhe të raportojnë praninë e tyre në zonë”, thuhet në rekomandim.

TCS: Priten bllokime trafiku në Gotthard

Në javët në vijim, trafiku i festave do të drejtohet nga jugu në veri. Sipas TCS, priten bllokime trafiku në Gotthard, veçanërisht në fundjavat e gushtit, përcjell albinfo.ch.

Kalimi nëpër tunel herët në mëngjes ose vonë në mbrëmje mund të shkurtojë kohën e pritjes.

TCS rekomandon përdorimin e A13 si një rrugë alternative.

Për më shumë detaje:

https://www.20min.ch/story/reisewelle-stau-am-gotthard-an-diesen-august-tagen-musst-du-lange-warten-103389593

Ekspertët në Zvicër janë kundër “bombave me nikotinë” për të rinjtë

Këto produkte, qeset e vogla, kryesisht me aromë, të vendosura midis buzëve dhe mishrave të dhëmbëve, po përhapen me shpejtësi tek të rinjtë në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Edhe pse nuk përmbajnë duhan, ato janë nikotinë e pastër, sipas Luciano Ruggia, drejtor menaxhues i Grupit Punues Zviceran për Parandalimin e Duhanit.

“Qeset mund të rëndojnë shëndetin oral dhe stomakun. Një lidhje me kancerin ose sëmundjet kardiovaskulare nuk mund të përjashtohet, thjesht nuk është hulumtuar mjaftueshëm ende”, tha ai.

Këto produkte kanë një përmbajtje më të lartë nikotine sesa cigaret e rregullta.

Akti i Produkteve të Duhanit, i cili ka qenë në fuqi në Zvicër që nga 1 tetori 2024, ndalon shitjen e produkteve të tilla tek të miturit, “por tregtia online bën të mundur që shumë të rinj të mund t’i marrin ato lehtësisht”, tha Ruggia.