BE investon 1 miliard euro në inteligjencën artificiale për të konkurruar me SHBA-në dhe Kinën

Komisioni Evropian ka shpallur një investim prej rreth 1 miliard euro për të rritur përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) në ekonomi, me qëllim që të fuqizojë konkurrencën e BE-së ndaj SHBA-së dhe Kinës.

Fondet do të përdoren për zhvillimin e teknologjive si automjetet autonome në qytete dhe qendrat shëndetësore të mbështetura nga IA-ja. Gjithashtu, BE do të financojë qendra kërkimore që do t’u ofrojnë studiuesve akses në teknologjitë më të avancuara të IA-së.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se inteligjenca artificiale mund të sjellë zgjidhje më të shpejta, më të zgjuara dhe më të përballueshme në të gjithë sektorët ekonomikë.

“Do të promovojmë përdorimin e IA-së në fusha si robotika, kujdesi shëndetësor, energjia dhe transporti”, theksoi ajo.

Sistemet shëndetësore janë një nga prioritetet kryesore. Teknologjia pritet të ndihmojë në diagnostikim më të saktë përmes analizave të imazheve mjekësore dhe të përmirësojë trajtimet për pacientët.

BE planifikon gjithashtu të investojë në IA në sektorë si:

Transporti dhe industria e makinave

Prodhimi, ndërtimi dhe inxhinieri

Energjia, klima dhe mjedisi

Bujqësia dhe ushqimi

Mbrojtja dhe siguria

Mediat dhe industritë krijuese

Sektorë si financa dhe turizmi nuk janë përfshirë për momentin, por mund të shqyrtohen më vonë.

Kjo strategji është ndërtuar mbi rekomandimet e Mario Draghit, ish-kryeministër i Italisë dhe ish-president i Bankës Qendrore Evropiane, i cili sugjeroi që IA të shihet si një zgjidhje kryesore për sfidat e sotme.

Megjithatë, industria e teknologjisë ka shprehur shqetësime se rregullat burokratike të BE-së po pengojnë risitë dhe zhvillimin në këtë fushë.

 

Parlamenti Evropian kundër termit “hamburger vegjetarian”

Parlamenti Evropian ka vendosur që termat që lidhen me mishin, si “hamburger”, “salçiçe” apo “biftek”, të mos përdoren më për produktet me bazë bimore.

Ky vendim është pjesë e ndryshimeve në rregulloren për tregjet bujqësore në BE (CMO), dhe u mbështet nga 532 eurodeputetë, ndërsa 78 ishin kundër dhe 25 abstenuan. Amendamenti u propozua nga eurodeputetja franceze e PPE-së, Céline Imart.

Në dokument thuhet se termat si “hamburger”, “salçiçe” apo “eskallop” duhet të rezervohen vetëm për produkte që përmbajnë mish, duke përjashtuar emërtime si “hamburger vegjetarian” apo “salçiçe tofu”.

Megjithatë, për zbatimin e plotë të kësaj mase do të duhet dakordësia me vendet anëtare të BE-së gjatë negociatave.

Sipas përkufizimit të ri, mish konsiderohen vetëm pjesët e ngrënshme të kafshëve. Ky ndryshim synon të sqarojë etiketimin e produkteve dhe të parandalojë keqkuptimet te konsumatorët.

Ndërkohë, Manfred Weber, kreu i grupit PPE, theksoi se brenda grupit ka ndasi për këtë çështje dhe nuk e konsideroi si një përparësi.

Kjo iniciativë është pjesë e një rishikimi më të gjerë të rregullores së tregjeve bujqësore, e cila nisi si përgjigje ndaj protestave të bujqve në vitin 2024, për të forcuar pozicionin e tyre në zinxhirin e furnizimit ushqimor.

 

Këshilli Federal zgjat periudhën maksimale të punës me orar të shkurtuar në 24 muaj

Këshilli Federal ka vendosur të zgjasë periudhën maksimale për marrjen e pagesave për punën me orar të shkurtuar në 24 muaj, gjashtë muaj më shumë se aktualisht. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 nëntor dhe do të jetë i vlefshëm deri më 31 korrik 2026.

Në seancën e fundit, Parlamenti miratoi një draft ligjor që i jep mundësi Këshillit Federal të zgjatë periudhën maksimale të marrjes së këtyre përfitimeve nga 18 në 24 muaj.

Industria e makinerive, pajisjeve elektrike, metaleve dhe industria e orëve janë ndër sektorët më të prekur nga situata aktuale ekonomike, thekson qeveria. Zgjatja e kësaj periudhe u jep kompanive “siguri të vlefshme për planifikim”.

Shtatë muajt shtesë do t’i ndihmojnë ato të përshtaten me sfidat ekonomike, për shembull duke gjetur mundësi dhe tregje të reja për biznes. Po ashtu, kjo masë synon të parandalojë largimet nga puna dhe t’u mundësojë bizneseve të mbajnë stafin gjatë periudhave të ndërprerjes së përkohshme të punës, shpjegon Këshilli Federal.

 

Ronaldo, futbollisti i parë miliarder

Cristiano Ronaldo, ish-sulmuesi i Real Madrid, Manchester United, Juventus dhe tani lojtar i Al Nassr, është bërë futbollisti i parë miliarder, sipas “Bloomberg”, që e vlerëson pasurinë e tij në 1.4 miliardë dollarë (rreth 1.2 miliardë euro).

Për një kohë të gjatë, ai dhe Lionel Messi, me të cilin Ronaldo garoi për titullin e lojtarit më të mirë, morën afërsisht të njëjtat paga.

Por në vitin 2023, të ardhurat e tyre ndryshuan ndjeshëm me transferimin e Ronaldos në Gjirin Persik dhe të Messit në klubin e MLS Inter Miami, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, argjentinasi synon të blejë një aksion në klubin amerikan pas përfundimit të karrierës së tij, gjë që mund ta vendosë përsëri në të njëjtin nivel me rivalin e tij të hershëm.

Rritja e pasurisë së 40-vjeçarit lidhet me kontratën e re me Al Nassr, firmosur në qershor 2025, që i ka sjellë mbi 400 milionë dollarë. Nga viti 2002 deri më 2023, Ronaldo ka fituar mbi 550 milionë dollarë vetëm nga pagat. Ai ka gjithashtu marrëveshje fitimprurëse me Nike, Armani dhe Castrol, që i shtojnë rreth 175 milionë dollarë të tjera në pasuri. Kontrata me Nike i garanton 18 milionë dollarë në vit, ndërsa transferimi tek Al Nassr më 2023 i solli 200 milionë dollarë në vit, plus një bonus 30 milionësh.

Qeveria e Kosovës nënshkruan marrëveshje mbështetëse me 198 biznese

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka organizuar sot ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve me ndërmarrjet përfituese të programeve mbështetëse.

Në këtë ngjarje mori pjesë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari, përcjell albinfo.ch.

Kjo marrëveshje do te zgjasë 1 vitë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha së kjo është një hap shume i rëndësishëm per ekonomin e Kosovës.

“Ne po bëjmë mbështetje direkte për bizneset për të kontribuar më shumë ne vendin tonë, 198 biznese kanë përfituar nga kjo marrëveshje, do të këtë ndikim në rritjen e punësimit dhe rritjen e të ardhurave kombëtare, kjo marrëveshje është shtyllë kryesore për zhvillimin kryesor te vendit tonë, kemi stabilitet ne rritje te vazhdueshme, me politikat e tona po mbështesim si asnjëherë më parë qytetarët, nënshkrimi i këtyre marrëveshje është shembull konkurrues ne Kosovë” , u shpreh Kurti.

Tutje ai tha se zgjerimi i bizneseve neve na leverdisë si shtet.

“ Sa më shumë të rriten bizneset e Kosovës, aq me shumë rriten të ardhurat e Kosovës”, tha Kurti.

Ministrja në detyrë e MINT-it, Rozeta Hajdari tha se më parë nuk është investuar në këtë sektor.

“Me punë dhe përkushtim, pra më punën tuaj dhe përkushtimin tonë, do të kemi mundësi më të mira për një zhvillim të duhur për ecurinë e bizneseve të Kosovës, kemi rritur besueshmërinë e përkrahjeve ndërkombëtare, kemi rritur dhe transparencën e aplikimit, tha Hajdari.

Po ashtu ajo shtoj se jo të gjitha komunat kanë bashkëpunuar më Qeverinë tonë.

“Bashkë me ju do të ndryshojmë dhe më shume ecurinë e industrisë prodhuese, nesër do të lansojm thirrjen për aplikim për energji të pastruar për mbështetjen e bizneseve, ne synojmë rritjen ekonomike të barabartë ne ekosistem” , tha në fund Hajdari.

Kjo ngjarje ka për qëllim fuqizimin e bizneseve vendore përmes projekteve që nxisin zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe konkurrueshmërinë në treg

Zhegrova me postim të veçantë për Kosovën

Ylli i ri i Juventusit, Edon Zhegrova ka publikuar një foto në rrjetin social “Instagram”, ku ‘paralajmëron’ për ndeshjet me Kosovën, përcjell albinfo.ch.

Anësori i kombëtares dardane ka postuar një foto të tij me fanellën e Juventusit, me flamurin e Kosovës në sfond.

“Është koha për kombëtaren”, ka shkruar Zhegrova.

Gjermani: Zgjatet përjashtimi i taksës për makinat elektrike

Qeveria gjermane planifikon të shtyjë deri në vitin 2035 taksën që favorizon automjetet elektrike, duke synuar zhvillimin e ekonomisë, përcjell albinfo.ch.

Ministri gjerman i Financave Lars Klingbeil i tha agjencisë së lajmeve dpa se qeveria gjermane planifikon të zgjasë taksën përjashtuese për automjetet elektrike. Sipas projektligjit, përjashtimi do të mbulonte automjetet elektrike të regjistruara deri në fund të vitit 2030. Sipas ligjit në fuqi, përjashtimi nga taksat për automjetet elektrike skadon më 1 janar 2026. “Megjithatë, përjashtimi maksimal 10-vjeçar nga taksat do të vlejë vetëm deri më 31 dhjetor 2035, me qëllim nxitjen e blerjeve të hershme” – tha ministria e Financave. 

Klingbeil tha se përjashtimi nga taksa e makinave ishte një nga detajet e një pakete më të gjerë masash për të nxitur sektorin e automobilëve në Gjermani, të cilat do të diskutohen në Berlin të enjten gjatë samitit të industrisë automobilistike me Kancelarin Friedrich Merz.

“Tani na duhet një paketë e fortë për të udhëhequr industrinë automobilistike të Gjermanisë drejt së ardhmes dhe për të siguruar vende pune” – tha Klingbeil. “Ne duam që në Gjermani të vazhdojnë të prodhohen makinat më të mira.” 

“Të gjithë e dinë që e ardhmja është elektrike” – deklaroi ministri gjerman i Financave. /DW

Osmani takoi komandantin e ri të KFOR-it, Ulutaş

Pas marrjes së detyrës së komandantit të KFOR-it, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim gjeneralmajor Özkan Ulutaş, përcjell albinfo.ch.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës, Osmani e uroi për marrjen e detyrës së komandantit të KFOR-it dhe për rikthimin e tij në Kosovë duke shprehur besimin e plotë për vazhdim të bashkëpunim të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon.

“Në këtë frymë, ajo ritheksoi mirënjohjen e saj për angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë ushtarakëve që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

Duke diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë, si dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia, përfshirë kërcënimet me fokus të veçantë te përdorimi i dronëve, Presidentja potencoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të KFOR-it me institucionet tona të sigurisë me qëllim të parandalimit të taktikave destabilizuese të Serbisë.”, thuhet në njoftim.

Shaqiri: Nuk pendohem që jam tërheque nga Zvicra, nuk më mungon

Fitues i Ligës së Kampionëve, legjendë e kombëtares zvicerane dhe hero i Baselit – megjithatë, mbi të gjitha, Xherdan Shaqiri mbetet një njeri i thjeshtë, i lidhur ngushtë me rrënjët dhe familjen e tij. Pas 12 vitesh jashtë vendit, ai është rikthyer në qytetin e lindjes, Basel, ku karriera e tij mori jetë dhe ku, siç thotë vetë, “zemra rreh më fort”, transmeton albinfo.ch.

Kthimi në qytetin e ëndrrave

Në gusht të vitit 2024, Shaqiri nënshkroi me klubin e fëmijërisë FC Basel, duke e rikthyer entuziazmin në qytet. Euforia ishte e jashtëzakonshme – dhe me të drejtë: në sezonin e parë pas rikthimit, ai udhëhoqi ekipin drejt titullit të parë pas tetë vjetësh dhe më pas drejt Kupës së Zvicrës.

“Ishte një ëndërr e madhe për mua të fitoja përsëri trofe me FCB,” thotë ai. “Fakti që ndodhi që në vitin e parë e bën gjithçka edhe më të bukur.”

Shaqiri e pranoi se refuzoi oferta të majme nga klubet e Lindjes së Mesme. “Nuk doja të shkoja në Arabinë Saudite dhe ta shijoj jetën thjesht si luks. Desha të bëja një kthim të sinqertë, aty ku filloi gjithçka,” thekson ai.

Një yll me shpirt modest

Në Basel, Shaqiri është më shumë se një futbollist. Një figurë publike që nuk kalon pa u vënë re, por që mbetet i afrueshëm me të gjithë.

Në Munsterplatz, një djalë i vogël me fanellën e Baselit i afrohet me hezitim. “A mund të bëjmë një foto?”, pyet ai. Shaqiri buzëqesh dhe përgjigjet: “Po, por shpejt, të lutem.”

Më pas ngrihet, i vë dorën në shpatull dhe bën fotografinë – një skenë e zakonshme për kapitenin 169 centimetra të gjatë, i njohur për modestinë dhe energjinë e tij të pashtershme.

“Në fakt, nuk them kurrë ‘jo’ kur dikush kërkon një foto,” rrëfen ai me të qeshur. “Vetëm ndonjëherë është e papërshtatshme – si kur je në darkë ose, më keq akoma, në tualet,” shton me humor.

Një jetë mes lavdisë dhe thjeshtësisë

Nga Liverpool te Bayern Munich, Shaqiri ka prekur majat e futbollit europian, duke fituar dy herë Ligën e Kampionëve – një arritje që pak futbollistë zviceranë mund ta pretendojnë.

Megjithatë, në shtëpi në Kaiseraugst, ai nuk është ylli i fushave, por “Xherdi” – djali i prindërve Fatime dhe Isen Shaqiri, me të cilët jeton në të njëjtin pallat.

“I shoh pothuajse çdo ditë,” thotë ai. “Që nga kontrata ime e parë, dëshira ime më e madhe ka qenë që ata të mos kenë më nevojë të punojnë. Çdo gjë pas asaj, ishte thjesht ëmbëlsirë.”

Në shtëpinë e prindërve, trofetë, fanellat dhe medaljet janë të ekspozuara si në një muze personal. “Sa herë që vijnë miq, nuk e besojnë sa shumë kujtime janë aty,” tregon Shaqiri me krenari.

Nga fëmijëria në varfëri te mësimet e jetës

I lindur në vitin 1991 në Kosovë, Shaqiri erdhi në Zvicër me familjen si fëmijë. U rrit në kushte modeste në një fermë të vjetër në Augst, ku mësoi vlerat që e kanë udhëhequr deri sot: respektin, mirënjohjen dhe punën e ndershme.

“Mendoj se është e rëndësishme të njohësh të dyja anët e jetës – kur ke pak dhe kur ke shumë,” thotë ai me sinqeritet.

Pas karrierës: përkushtim ndaj familjes dhe të ardhmes

Në korrik 2024, Shaqiri vendosi të tërhiqet nga ekipi kombëtar i Zvicrës, pas më shumë se një dekade në majat e futbollit ndërkombëtar.

“Nuk më mungon për momentin,” pranon ai. “Mendoj se u ndala në kohën e duhur. Kisha nevojë për më shumë qetësi, larg vëmendjes së tepruar të mediave.”

Megjithatë, ai nuk përjashton një rikthim: “Kurrë mos thuaj kurrë,” thotë duke buzëqeshur.

Sot, përveç futbollit, Shaqiri është aksionar në FC Rapperswil-Jona, po ndjek licencën e trajnerit dhe planifikon ndërtimin e shtëpisë së tij në Rheinfelden.

Në plan personal, dëshiron të krijojë një familje. “Është një qëllim i madh për mua,” pranon ai. “Por çdo gjë ka kohën e vet.”

Ndërsa trageti i Munsterit e çon drejt bregut tjetër të Rajnit, fëmijët e thërrasin emrin e tij dhe turistët i kërkojnë fotografi. Ai buzëqesh, përshëndet dhe vazhdon rrugën.

Në Basel, ai nuk është më thjesht futbollist. Ai është Xherdan Shaqiri – legjenda që kthehet në shtëpi si biri i qytetit.

Përdorimi i parave të gatshme në Evropë: Në cilat vende janë më të popullarizuara?

Edhe pse pagesat me kartë po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në Evropë, mbi gjysma e transaksioneve vazhdojnë të kryhen me para të gatshme. Megjithatë, kur merret parasysh vlera e pagesave, pjesa e tyre bie ndjeshëm.

Një anketë e Bankës Qendrore Evropiane e vitit 2024, ku morën pjesë 40,000 qytetarë, tregon se 52% e transaksioneve në zonën e euros kryhen me para të gatshme, por vetëm 39% e vlerës totale të pagesave bëhen në këtë mënyrë.

Në 14 nga 20 vendet e eurozonës, paratë e gatshme janë metoda kryesore e pagesës, me përdorim mes 45% dhe 55%. Sipas të dhënave, përdorimi varion nga 22% në Holandë deri në 67% në Maltë. Evropa Jugore dhe Lindore kanë nivelet më të larta të përdorimit: Italia (61%), Spanja (57%), Sllovenia (64%).

Në pjesën veriore dhe perëndimore të kontinentit, vendet janë më të orientuara drejt pagesave dixhitale: Holanda (22%), Finlanda (27%), Luksemburgu (37%), Belgjika (39%) dhe Franca (43%). Nga katër ekonomitë më të mëdha të BE-së, Franca ka përdorim më të ulët se mesatarja e eurozonës, ndërsa Gjermania është pak mbi të (53%).

Në Holandë, konsumatorët preferojnë pagesat pa kontakt përmes kartës ose telefonit, ndërsa tregtarët ofrojnë mundësi të kombinuara për shkak të tarifave më të ulëta dhe nxitjeve për pagesat dixhitale.

Paratë e gatshme sipas vlerës

Në nivel vlerësor, 39% e transaksioneve në eurozonë kryhen me para të gatshme, por kjo ndryshon shumë nga vendi në vend: nga 17% në Holandë deri në 59% në Lituani. Vendet me më shumë se 50% të shpenzimeve totale në para të gatshme janë: Lituania (59%), Sllovakia (56%), Sllovenia (56%), Austria (56%), Malta (54%) dhe Kroacia (51%). Në mesatare gjenden Italia (49%), Portugalia (47%), Spanja (45%) dhe Greqia (42%). Vetëm gjashtë vende kanë përdorim 35% ose më pak: Holanda, Finlanda, Luksemburgu, Gjermania, Franca dhe Belgjika.

Përdorimi sipas shumës së pagesës

Paratë e gatshme përdoren më shumë për shuma të vogla, ndërsa kartat dominojnë për pagesa mbi 50 euro. Në Austri ato mbeten të zakonshme, ndërsa Gjermania po kalon gradualisht në pagesa dixhitale.

Arsyet pse njerëzit përdorin para të gatshme

Sipas anketës:

41% e përdorin për privatësi dhe anonimitet;

35% për të menaxhuar më mirë shpenzimet;

30% sepse transaksionet kryhen menjëherë.

Për 28%, paraja e gatshme pranohet gjerësisht, ndërsa rreth 20% e konsiderojnë më të lehtë ose më të shpejtë. Vetëm 18% e shohin si më të sigurt.

Dallimet midis brezave

Të rinjtë nën 40 vjeç përdorin para të gatshme për më pak se gjysmën e transaksioneve, ndërsa personat mbi 65 vjeç bëjnë 57% të pagesave me para në dorë.

Zbulohen detaje të reja të vrasjes së gjyqtarit në Shqipëri

Janë bërë publike detaje të reja lidhur me ngjarjen tragjike që ndodhi këtë të hënë, ku brenda gjykatës u vra gjyqtari Astrit Kalaja, nga autori Elvis Shkambi.

Sipas raportimeve të Euronews Albania, Shkambi ka tentuar gjithashtu të qëllojë sekretaren, por nuk ia doli pasi arma e tij ishte bosh.

“Autori tentoi të vriste sekretaren, por plumbat nuk e kapën. Më pas nuk kishte më fishekë dhe u largua. E habitshme ishte qetësia e tij gjatë gjithë ngjarjes. Komisariati nr. 1 ndodhet shumë pranë gjykatës dhe ai e ftoi policinë, duke deklaruar se ishte vetë autori. Ishte një vetëdorëzim i organizuar mirë. Gjyqtari u qëllua tre herë në gjoks,” tha një gazetare e Euronews.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe autoritetet po vazhdojnë hetimet për rrethanat dhe motivet pas sulmit.

 

Çmimet e naftës rriten pas vendimit të OPEC+ për prodhimin

Çmimet e naftës u rritën sot rreth 1%, pasi rritja e planifikuar e prodhimit nga OPEC+ për nëntor ishte më e vogël se sa pritej. Kjo ul shqetësimet për furnizim të tepërt, sipas “Reuters”.

Megjithatë, pritshmëritë e dobëta për kërkesën pritet të kufizojnë fitimet afatshkurtra.

Nafta “Brent” u rrit me 94 cent (1,46%) në 65,47 dollarë për fuçi.

Nafta amerikane “West Texas Intermediate (WTI)” u rrit me 81 cent (1,33%) në 61,69 dollarë për fuçi.

Andrew Lipow, president i “Lipow Oil Associates”, tha: “Tregu ndien se sasia reale e naftës që do të hyjë në treg është më e vogël se ajo që u njoftua, pasi disa anëtarë të OPEC+ po prodhojnë tashmë në kapacitet të plotë.”

OPEC, së bashku me Rusinë dhe disa prodhues të tjerë, njoftuan të dielën se do të rrisin prodhimin nga nëntori me 137,000 fuçi në ditë, duke e mbajtur të njëjtin nivel si tetori, për shkak të shqetësimeve për një tepricë të mundshme furnizimi.

Burimet treguan se, edhe pse Rusia mbështeti një rritje prej 137,000 fuçi në ditë për të shmangur presionin mbi çmimet, Arabia Saudite do të preferonte një rritje dyfish, trefish ose katërfish për të rimarrë pjesën e saj të tregut më shpejt.

Shtesa e kufizuar e prodhimit ndodh në kohën kur:

Eksportet venezuelane po rriten,

Rrjedhat e naftës kurde përmes Turqisë janë rifilluar,

Ka fuçi të pashitura nga Lindja e Mesme për ngarkesat e nëntorit, tha analisti Tamas Varga nga “PVM Oil Associates”.

Arabia Saudite e la të pandryshuar çmimin zyrtar për naftën “Arab Light” që shet në Azi. Rafineritë aziatike kishin pritur një rritje të lehtë të çmimeve, por kjo nuk ndodhi pasi çmimet e naftës së Lindjes së Mesme ranë në nivelin më të ulët në 22 muaj.

Në afat të shkurtër, disa analistë presin që sezoni i mirëmbajtjes së rafinerive në Lindjen e Mesme të ndihmojë në kufizimin e çmimeve.

Ndërkohë, rafineria Kirishi në Rusi, një nga më të mëdhatë, ndaloi njësinë më prodhuese pas një sulmi me dron dhe zjarri më 4 tetor. Rikuperimi pritet të zgjasë rreth një muaj, sipas burimeve industriale.

Pritshmëritë për kërkesë të dobët në tremujorin e katërt kufizojnë gjithashtu rritjen e tregut. Javën e kaluar, Administrata Amerikane e Informacionit për Energjinë (EIA) raportoi se rezervat e naftës, benzinës dhe distilateve në SHBA u rritën më shumë se sa pritej, për shkak të aktivitetit të dobët të rafinerive dhe kërkesës së ulët.

Chris Beauchamp, analist kryesor i tregut në “IG Group”, tha: “Nëse prodhimi rritet në mënyrë të qëndrueshme, rënia e çmimeve mund të ndalet. Tani gjithçka varet nga zhvillimi i ekonomisë amerikane në pjesën tjetër të 2025 dhe 2026, që do të ndihmonte kërkesën.”

 

Pulat braziliane po shkatërrojnë Amazonën dhe gjysma e tyre përfundon në Zvicër

Një hetim i organizatës Greenpeace ka zbuluar se industria e pulave në Brazil po nxit shpyllëzimin e Amazonës dhe Cerrados, përmes kultivimit të sojës që përdoret si ushqim për shpendët. Kjo ndodh ndërkohë që pothuajse gjysma e pulave të importuara në Zvicër vijnë pikërisht nga Brazili.

Në vitin 2024, zviceranët konsumuan rreth 140 mijë tonë mish pule, nga të cilat 40% ishin të importuara. Brazili është furnizuesi kryesor, shumë përpara Hungarisë, Gjermanisë dhe Francës.

Ekspertët theksojnë se, përveç ndikimit mjedisor, transporti dhe ruajtja e mishit të importuar rrisin ndjeshëm gjurmën ekologjike. Ndërsa pulat zvicerane, megjithëse më të shtrenjta, ushqehen me sojë të certifikuar dhe pa GMO nga Evropa, duke pasur ndikim shumë më të ulët në mjedis, transmeton albinfo.ch.

Greenpeace kërkon ndalimin e importeve nga Brazili, por kjo mbetet e vështirë për shkak të marrëveshjes së tregtisë së lirë me Mercosur. Ekspertët rekomandojnë që konsumatorët të zgjedhin më pak mish, por me cilësi më të mirë dhe prodhim vendas

Tjetër shtet evropian ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, njoftoi sot se qeveria e saj së shpejti do të paraqesë një projektligj për ndalimin e disa rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç.

Ajo beson se telefonat celularë dhe rrjetet sociale po vjedhin fëmijërinë e danezëve.

“Telefonat celularë dhe rrjetet sociale po ua vjedhin fëmijërinë fëmijëve tanë”, këmbënguli kryeministrja, duke argumentuar se 60% e djemve danezë të moshës 11 deri në 19 vjeç qëndronin në shtëpi në vend që të dilnin me miqtë gjatë kohës së tyre të lirë, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Në nivel ndërkombëtar, Australia është një nga pionieret e kësaj nisme.

Parlamenti i saj miratoi një ligj në fund të vitit 2024 që ndalon rrjetet sociale si TikTok, X, Facebook dhe Instagram për fëmijët nën 16 vjeç.

Në qershor, Greqia propozoi vendosjen e një moshe dixhitale të pjekurisë në të gjithë BE-në, nën të cilën fëmijët nuk do të jenë në gjendje të hyjnë në rrjete sociale pa pëlqimin e prindërve.

OBSH shpreh shqetësimin për konsumin e duhanit në Evropë

Evropa regjistron shkallën më të lartë të përdorimit të duhanit në botë, duke kaluar Azinë Juglindore, sipas një raporti të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Të dhënat e vitit 2024 tregojnë se pak më pak se një në katër persona (24.1%) të moshës 15 vjeç e lart në Evropë konsumojnë duhan, më shumë se në çdo rajon tjetër. Gratë evropiane shënojnë gjithashtu përhapjen më të lartë globale, me 17.4%, thuhet në raport. Studimi gjithashtu regjistroi për herë të parë nivelet globale të përdorimit të cigareve elektronike (vape). OBSH u shpreh se shifrat janë veçanërisht “alarmante” tek të rinjtë, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Këto të dhëna vijnë në një kohë kur Komisioni Evropian është zotuar të marrë masa më të ashpra ndaj produkteve të duhanit. Komisionerët e shëndetësisë dhe tatimeve të BE-së po shtyjnë për rritje të taksave, në përpjekje për të frenuar sëmundjet që lidhen me përdorimin e tyre, si kanceri dhe sëmundjet kardiovaskulare.

“Industria e duhanit po kundërsulmon me produkte të reja nikotine, duke i synuar në mënyrë agresive të rinjtë,” u shpreh një zyrtar i OBSH-së, duke u bërë thirrje qeverive që të veprojnë “më shpejt dhe më fort” në zbatimin e politikave kundër duhanit.

Në nivel global, rreth 1.2 miliardë përdorues të duhanit të moshës 15 vjeç e sipër u regjistruan në vitin 2024. Përhapja e duhanit është në rënie në gjithë botën, por me një ritëm më të ngadaltë në Evropë krahasuar me rajonet e tjera.

Shifrat për rajonin evropian të OBSH-së përfshijnë 53 shtete. Përhapja e duhanit në Evropë ka rënë nga gati 35% në vitin 2000 në pak mbi 24% në 2020. Ndërkohë, në Azinë Juglindore, përdorimi ka rënë ndjeshëm nga 54% në rreth 23% gjatë së njëjtës periudhë.

OBSH theksoi të dhënat “shqetësuese” tek adoleshentët e moshës 13 deri në 15 vjeç, ku rreth 7.2% përdorin cigare elektronike, që përkthehet në rreth 14.7 milionë fëmijë në mbarë botën.

Video: Kuqezinjtë vazhdojnë përgatitjet për sfidën ndaj Serbisë

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar pasditen e sotme seancën e radhës stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, në kuadër të ndeshjeve ndaj Serbisë dhe Jordanisë.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në seancën e sotme lojtarët ishin në dispozicion të trajnerit Silvinjo dhe morën ngarkesën e plotë, ndërsa Enea Mihaj u bashkua sot me ekipin dhe u stërvit i veçuar.

Stërvitja e sotme nisi me punën në palestër e më pas trajneri Silvinjo së bashku me ekipin provuan disa situata të ndryshme loje dhe ana taktike, transmeton albinfo.ch.

Sakaq, trajneri Silvinjo ka vendosur të ftojë për këto dy ndeshje edhe mesfushorin Nazmi Gripshi, i cili vjen si zëvendësim për Adrion Pajazitin e dëmtuar.

Gripshi do të bashkohet me ekipin gjatë ditës së mërkurë dhe do të jetë në dispozicion ndaj Serbisë dhe Jordanisë.

Seanca e radhës stërvitore e Kombëtares do të zhvillohet nesër në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa po nesër, dy lojtarë do të dalin para medias në konferencë për shtyp në stadiumin “Air Albania”.

Hajdari: I lumtur që jam pjesë e Kosovës

Albian Hajdari ka folur si lojtari më i ri i Kosovës.

Hajdari, i cili është pjesë e Hoffeheimit, pak ditë më parë braktisi Zvicrën për t’iu bashkuar Kombëtares së Kosovës.

Ai tashmë është duke u përgatitur me Dardanët për ndeshjet e tetorit, njofton FFK, transmeton albinfo.ch.

Kosova më 10 tetor luan kundër Sllovenisë në ‘Fadil Vokrri’, kurse, tri ditë më vonë luan në udhëtim tek Suedia.

Në një deklaratë emocionuese, Hajdari tha se vendimi i tij ka ardhur nga zemra dhe se Kosova për të ka një domethënie të veçantë.

“Unë jam Albian Hajdari, lojtari më i ri i Kosovës. Unë e kam marrë vendimin për Kosovën, sepse Kosova është e vogël për botën, por për mua është krejt bota. Forca Kosova”, ka thënë Hajdari.

Hajdari është një tjetër përforcim i rëndësishëm për përzgjedhësin Franco Foda, në prag të ndeshjeve të tetorit.

Aksidentet në ecje në Zvicër dyfishohen në 15 vjet

Midis viteve 2009 dhe 2013, pak më shumë se 4,000 aksidente ndodhën çdo vit në male, tha Fondi Kombëtar i Sigurimit të Aksidenteve Zvicerane (SUVA) në një njoftim për shtyp të martën. Midis viteve 2019 dhe 2023, SUVA regjistroi mesatarisht 9,000 raste, më shumë se dyfishi i numrit, raporton swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Në më shumë se tetë nga dhjetë aksidente, personat e përfshirë u penguan, rrëshqitën, ranë ose ndërmorën një hap të gabuar. Më shpesh, këto aksidente janë për shkak të pajisjeve të papërshtatshme, mungesës së vëmendjes ose mbivlerësimit të formës fizike, tha SUVA.

Për të shmangur incidente të tilla, SUVA rekomandon planifikimin e itinerarit tuaj, kontrollin e motit dhe ndjekjen e shtigjeve që i përshtaten gjendjes suaj fizike.

Midis qershorit dhe shtatorit të këtij viti, pothuajse 15 persona vdiqën në Zvicër gjatë ecjes në natyrë. Tragjeditë ndodhën kryesisht në kantonet Bernë, Valais dhe Ticino.

Këto qafa malore tani janë të mbyllura për trafikun për shkak të reshjeve të borës.

Me pushimet shkollore të tetorit që tashmë kanë nisur në disa kantone dhe pritet të fillojnë së shpejti në të tjera, udhëtimet përmes kalimeve alpine në Zvicër mund të jenë të kufizuara për shumë udhëtarë, përcjell albinfo.ch.

Katër kalime malore janë tashmë të mbyllura për dimër për shkak të reshjeve të borës:

Kalimi Furka (2,429 metra)

Kalimi Grimsel (2,164 metra)

Kalimi Nufenen (2,478 metra)

Kalimi Susten (2,234 metra)

Megjithëse Kalimi Ächerli (1,457 metra) dhe Kalimi Pragel (1,558 metra) mbeten të hapura, në varësi të kushteve atmosferike mund të jenë të nevojshme devijime.

Ndërkohë, Kalimi Gotthard vazhdon të qëndrojë i hapur për qarkullim.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të kontrollojnë gjendjen e rrugëve para se të udhëtojnë dhe të jenë të përgatitur për ndryshime të papritura të motit në zonat malore.

Presidentja Osmani: Kosova e Belgjika do të avancojnë bashkëpunimin në drejtësi e siguri

Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ministren e Drejtësisë të Belgjikës, Annelies Verlinden, dhe Ministren e Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt, përcjell albinfo.ch.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sigurisë, sundimit të ligjit, si dhe për procesin e integrimit evropian dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Sipas një njoftimi të zyrës për media të Osmanit, ajo shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës dhe theksoi se Belgjika mbetet një nga partneret më të besueshme dhe më parimore të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Në këtë kontekst, Osmani theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke nënvizuar se institucionet e vendit janë plotësisht të përkushtuara në zbatimin e reformave që forcojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe llogaridhënien.

Ajo theksoi se qytetarët e Kosovës janë ndër më proevropianët në kontinent dhe se heqja e masave të BE-së duhet të ndodh sa më shpejtë dhe se do të ishte një hap i drejtë për rimëkëmbjen e besimit dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit.

Siç bëhet e ditur në një njoftim për media të Presidencës, në këtë kontekst, në raport me rrugën e Kosovës për integrim në BE, Osmani shtroi nevojën që Belgjika ta marrë rolin udhëheqës për ta shtyrë përpara aplikimin e Kosovës në BE.

Poashtu bëhet e ditur se në takim, “Osmani vuri në pah rezultatet e prekshme në fushën e sundimit të ligjit dhe drejtësisë, përfshirë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që janë vlerësuar pozitivisht nga partnerët ndërkombëtarë”.

Sipas presidentes, bashkëpunimi i ngushtë në mes Kosovës dhe Belgjikës në drejtësi, siguri dhe mbrojtje është model i partneritetit evropian që forcon paqen, stabilitetin dhe perspektivën e përbashkët.

Kryeministri prorus ndihmon Ukrainën

Ukraina do të marrë disa pajisje deminuese dhe pajisje shtesë joushtarake nga Sllovakia, ka njoftuar ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Denys Shmyhal, përcjell albinfo.ch.

Është hera e parë që Kievi do të marrë pako ndihmëse të tillë nga Sllovakia, qëkur Robert Fico, i njohur për lidhjet me Moskën, erdhi në pushtet si kryeministër më 2023. Pakoja përfshin pajisje inxhinerike dhe ndërtimi, automjete transporti dhe mjekësore dhe sisteme çminimi, sipas “Kyiv Independent”.

Ministri sllovak i Mbrojtjes, Robert Kalinak, njoftoi për pakon në forumin DFNC3 në Kiev, ku ai dhe Shmyhali nënshkruan memorandumin për pakon e 14-të ndihmëse nga Sllovakia për Ukrainën. Shmyhali falënderoi Sllovakinë për ringjalljen e bashkëpunimit dhe shtoi se po punohet për pakon e 15-të ndihmëse.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022 e deri në rikthimin e Ficos në pushtet, Sllovakia pati çuar 13 pako ndihmëse në Kiev, në vlerë 800 milionë dollarëshe. Pas kësaj, Qeveria e Ficos anuloi pakon e 14-të në vlerë 45 milionëshe. Në të përfshiheni 140 raketa për sistemet Kub, 5000 predha e katër milionë plumba.

Edhe pse e pati ndaluar dhurimin e pajisjeve ushtarake, Fico nuk e pati ndalur shitjen komerciale të pajisjeve nga kompanitë sllovake drejt Ukrainës. Ai në fushatë pati premtuar se do të ndalë ndihmën ushtarake për Kievin, duke vënë në pikëpyetje edhe sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe duke njoftuar se do të bllokonte anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Për shkak të politikave që nuk kundërshtonin Vladimir Putinin dhe Rusinë, Sllovakia e Ficos dhe Hungaria e Viktor Orbanit po përballen me kritika të shtuara te partnerët evropianë.

Osmani pret në takim dy ministret e qeverisë belge

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden, si dhe Ministren e Azilit, Migracionit dhe Integrimit Social, Anneleen Van Bossuyt, përcjell albinfo.ch.

Takimi është zhvilluar në objektin e Presidencës, kurse mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm në fillim të takimit.

Osmani mbrëmë ka pritur në takim Ministren Federale të Austrisë për Evropë, Integrim dhe Familje, Claudia Plakolm, si dhe Sekretaren Shtetërore për Çështjet Evropiane, të Drejtën Ndërkombëtare, Mbrojtjen e Interesave dhe Diplomacinë Ekonomike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, Neva Grashiq.