Eksodi i bardhë: Mjekët po i kthejnë shpinën Kosovës

Në Kosovë, largimi i qytetarëve drejt Evropës është bërë prej kohësh një fenomen masiv. Por kur ky trend përfshin edhe ata që kujdesen për shëndetin e popullit, mjekët, infermierët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë, atëherë rreziku nuk është vetëm shoqëror, por edhe ekzistencial për sistemin shëndetësor të vendit.

Vetëm gjatë vitit 2023, sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 167 mjekë kanë marrë certifikatën etike-profesionale me qëllim punësimi jashtë vendit. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, mbi 60 mjekë tashmë janë larguar, ndërsa deri më shtator janë regjistruar 111 kërkesa të reja. Këto shifra janë vetëm maja e ajsbergut, sepse pas tyre fshihen edhe dhjetëra infermierë dhe teknikë që çdo vit kërkojnë rrugën drejt Gjermanisë, Zvicrës e shteteve të tjera të BE-së.

Megjithatë, në praktikë, të dhënat flasin ndryshe: çdo muaj Kosova humb disa prej kuadrove të saj më të kualifikuara.

Arsyet e ikjes

Arsyet e ikjes së mantelbardhëve janë të shumta, por që kryesisht lidhen me çështjet financiare, deri tek kushtet e punës. Paga e një mjeku specialist në Gjermani është disa herë më e madhe se ajo e kolegut të tij në Kosovë. Një mjek në Gjermani arrin të fitojë mesatarisht mbi 6.000 euro në muaj, ndërsa në Kosovë një mjek specialist merr rreth 1.200 euro, duke treguar një dallim shumë të madh në vlerësimin financiar të profesionit.

Kushtet e punës janë një tjetër arsye: ka mungesë pajisjesh, sallat e operacionit janë larg të qenit moderne dhe edhe stafi mbështetës shpesh herë mungon. Në spitalet kryesore të vendit, kryesisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, një infermiere kujdeset për 16-20 pacientë gjatë një dite dhe kjo është përtej normales.

Një tjetër arsye e largimit, apo ajo që konsiderohet eksodi i bardhë, është edhe mungesa e perspektivës. Specializimet shpesh herë merren mbi bazë të nevojës së përcaktuar nga shteti dhe jo dëshirave të mjekëve të rinj, andaj mungesa e këtyre mundësive për specializime të avancuara, kërkime shkencore dhe ngritje profesionale, po i shtyn mantelbardhët drejt migrimit.

Kosova rrezikon të mbetet pa shtyllën e saj kryesore të shëndetësisë

Por nëse ikja e mjekëve nuk ndalet, Kosova rrezikon të mbetet pa shtyllën e saj kryesore të shëndetësisë. Sistemi spitalor, tashmë i dobët, mund të përballet me kolaps, duke lënë mijëra pacientë pa kujdes bazik.

Nga muaji i kaluar Spitali i Mushkërive në Pejë, institucioni i vetëm në Kosovë që trajton tuberkulozin dhe sëmundje të tjera të mushkërive, themeluar rreth viteve ‘50, po përballet me mungesë pulmologësh. Megjithëse faktikisht “spitali është mbyllur”, drejtuesit e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë kanë deklaruar se Reparti i Pulmologjisë nuk është mbyllur dhe nuk ka ndërprerë shërbimet. Kur ka mungesë të mjekëve, pacientët trajtohen nga mjekë internistikë, dhe rastet më të komplikuara referohen në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK-Prishtinë.

“Migrimi po gërryen themelet e shoqërisë kosovare: Jo vetëm mjekë, por punëtorë nga të gjithë sektorët po ikin”

 Eurostat raporton se gjatë pesë viteve të fundit, mbi 200,000 shtetas të Kosovës kanë kërkuar strehim në vendet e Bashkimit Evropian, një shifër që i korrespondon më shumë se 12% të popullsisë së përgjithshme. Për vitin 2024, rreth 39,000 kosovarë aplikuan për leje qëndrimi në Evropë, dhe thuajse gjysma u vendosën në Gjermani. Këto shifra pasqyrojnë një trend migrimi të vazhdueshëm, i nxitur kryesisht nga arsye ekonomike, arsimore dhe kërkesa për standarde më të larta jetese.

Ndërsa largimi i mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të shëndetësisë është dokumentuar shumë, të dhënat tregojnë se edhe shumë profesionistë jashtë këtij sektori po mendojnë ose veprojnë për t’u larguar nga Kosova.

Punëtorë nga sektori i ndërtimtarisë; Industria e ndërtimit është ndër sektorët me përqindjen më të lartë që kanë prirje për emigrim. Sipas një raporti të Institutit GAP, rreth 18.7% e njerëzve nga ky sektor kanë shprehur dëshirë të largohen.

Hotelieri, gastronomi dhe shërbime të mikpritjes: Edhe këta sektorë renditen lart sipas GAP-it sa i përket prirjes për emigrim, gjithashtu me rreth 18.7% nga të intervistuarit që punojnë në këto fusha.

Tregtia dhe prodhimi: Këto dy sektorë gjithashtu janë ndër më të prekurat, posaçërisht për shkak të pagave të ulëta, mungesës së sigurimeve dhe ambienteve jo të qëndrueshme pune. Për këto sektorë, përqindjet e dëshirës për emigrim janë rreth 18.1% (tregtia) dhe 12.9% (prodhimi).

Edhe profesionistë të tjerë tekniko-administrativë, që kanë aftësi të specializuara, ose punojnë në shërbime që kërkojnë përmirësim të kushteve, po largohen  si nga mungesa e mundësive për zhvillim profesional, ashtu edhe për mungesë stabiliteti ekonomik.

Pa të dhëna zyrtare

Ministria e Shëndetësisë nuk ka të dhëna konkrete për ikjen e mjekëve nga Kosova, ashtu siç nuk kanë as dikasteret e tjera për zbrazjen e trurit nga vendi. Rreziku dhe pasojat e këtij fenomeni shtrihen nga humbja e fuqisë punëtore dhe zvogëlimi i popullsisë, deri te deficiti i kuadrove në të gjitha fushat.

Gjermani: Policia gjen mbi dy kilogramë kokainë në makinën e shqiptarit

Weyarn – Policët nga stacioni i policisë kufitare Kreuth kanë sekuestruar mbi dy kilogramë kokainë gjatë një kontrolli të një makine karavan të martën pasdite në një zonë parkimi pranë autostradës A8 pranë qytetit Weyarn. Policia Kriminale e Miesbach-ut ka marrë përsipër hetimin e mëtejshëm, trasnmeton albinfo.ch. I dyshuari, një burrë 62-vjeçar shqiptar, është në paraburgim.

Pak pas orës 14:00, zyrtarët e policisë ndaluan karavanin. “Oficerët e trajnuar me rroba civile ishin të saktë, sepse gjatë kontrollit të shoferit 62-vjeçar shqiptar dhe kontrollit pasues të makinës, u gjetën dhe u sekuestruan mbi dy kilogramë kokainë”, sipas njoftimit për shtyp, shkruan merkur.de. Një pistoletë e mbushur me qitje bosh dhe një dokument identifikimi i falsifikuar i policisë shqiptare u gjetën gjithashtu brenda automjetit.

I dyshuari u kap në vendngjarje. Njësia e narkotikëve e Departamentit të Hetimit Penal të Miesbach-ut, nën drejtimin e Zyrës së Prokurorit Publik të Mynihut II, mori përsipër hetimin e mëtejshëm.

Bazuar në faktet e çështjes, Zyra e Prokurorit Publik të Mynihut II paraqiti një kërkesë për arrestimin e të dyshuarit 62-vjeçar, përcjell albinfo.ch. Kryetari i gjykatës hetuese lëshoi ​​urdhër arresti të mërkurën pasuese dhe burri më pas u la në paraburgim.

Hetimi kundër të dyshuarit për vepra të shumëfishta penale sipas Ligjit për Narkotikët, Ligjit për Armët dhe Kodit Penal është duke vazhduar.

Dua Lipa shpallet artistja më e pasur nën 30 vjeç në Britani

Këngëtarja me famë botërore dhe krenaria shqiptare, Dua Lipa, është renditur në vendin e parë të listës së përvitshme të të pasurve nën 30 vjeç të publikuar nga revista prestigjioze britanike Heat, për vitin 2025, përcjell albinfo.ch. 

Sipas raportit, pasuria e Duas është vlerësuar në 129 milionë funte, duke e bërë atë jo vetëm këngëtaren më të pasur të brezit të saj, por edhe një nga figurat më të suksesshme të showbizit botëror.

Rritja e pasurisë së saj lidhet me suksesin global të turneut “Radical Optimism”, bashkëpunimet fitimprurëse me Versace dhe Porsche, si dhe me projektet personale përtej muzikës – përfshirë podcastin, klubin letrar dhe debutimin në aktrim.

Po ashtu, mediat britanike theksojnë se fejesa me aktorin Callum Turner e ka shtuar edhe më tej interesin publik dhe vlerën e markës “Dua Lipa”.

Në listë, pas saj renditet aktori i Spider-Man, Tom Holland, me £35.7 milion, ndërsa vendi i tretë i takon këngëtarit Lewis Capaldi, me £35 milion.

Dhjetëshen e parë e plotësojnë:

Millie Bobby Brown Bongiovi – £24 milion

Molly-Mae Hague & Tommy Fury – £22.1 milion

Sophie Turner – £21.9 milion

Jorja Smith – £17 milion

Dave – £16.8 milion

Aitch – £14.4 milion

Asa Butterfield – £13.7 milion

Sipas Heat, muzika, filmi dhe podcasting-u janë sot fushat më fitimprurëse për brezin e ri të yjeve britanikë, ku janë përfshirë për herë të parë edhe Holly Humberstone, Leo Woodall, Anya Taylor-Joy dhe Amber Davies.

Kjo e fundit, e njohur nga “Strictly Come Dancing”, është renditur në vendin e 30-të, me një pasuri prej £1.7 milion.

Ky vlerësim e konfirmon Dua Lipën si një ikonë të suksesshme globale. /Albinfo.ch 

Presidentja Osmani mungon në darkën e Macronit, arsyeja e njohjes së Kosovës nga Siria

Duket se njohja nga Siria u bë shkak që presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, të mos jetë e pranishme në Paris, në darkën me liderët botërorë dhe po ashtu në Forumin e Paqes, ndonëse u ftua nga homologu i saj francez, presidenti Emmanuel Macron, përcjell albinfo.ch.

Kështu deklaroi Bekim Kupina, këshilltar për media i të parës së shtetit.

“Presidentja dhe Zotëria i Parë janë falënderues ndaj Presidentit Macron dhe Zonjës së Parë Brigite Macron për ftesën dhe mbështetjen e vazhdueshme”, deklaroi Kupina.

“Për shkak të takimit trilateral me Princin e Kurorës dhe Kryeministrin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, si dhe me Presidentin e Sirisë, në të cilin u arrit marrëveshja historike për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Republika Arabe e Sirisë, Presidentja nuk ka arritur që të udhëtojë për në Francë”, theksoi ai.

Të mërkurën, presidentja Osmani njoftoi se Siria ka njohur Kosovën.

“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot në Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës”, tha mes tjerash Osmani.

Arrestohen edhe tre persona për 1 ton marihuanë që u kap në Sverkë të Pejës

Prokuroria Themelore në Pejë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka realizuar në orët e hershme të së enjtes një aksion në kuadër të rastit të koduar “Vera 2024”, duke arrestuar tre persona të dyshuar për kultivim dhe shpërndarje të narkotikëve lidhur me kapjen e 1 ton marihuanëve në Sverkë të Pejës në shtator të vitit të kaluar, përcjell albinfo.ch.

Referuar njoftimit të Policisë, të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

“Ky aksion është rezultat i hetimeve të vazhdueshme të zhvilluara nga prokurori i shtetit dhe Policia e Kosovës, që lidhen me rastin e vitit të kaluar, ku në fshatin Sverkë të komunës së Pejës ishin sekuestruar rreth 3,000 bimë narkotike dhe afro një ton marihuanë”, thuhet në njoftim.

Arrestimet e sotme u ekzekutuan nga Njësiti Special Intervenus në rajonet e Pejës dhe Gjakovës.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa gjatë aksionit janë sekuestruar dy automjete, tre telefona celularë dhe para kesh.

Prokurori i shtetit ka paralajmëruar se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Në lidhje me këtë rast, më herët – me kërkesë të prokurorit të shtetit – në Republikën e Shqipërisë janë arrestuar edhe tetë persona të tjerë, të dyshuar për të njëjtën vepër penale.

Oficeri i FSK-së diplomon në SHBA në fushën e Inxhinierisë Ushtarake

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë të ditur se togeri Florent Korrani ka përfunduar me sukses trajnimin bazik për Inxhinieri Ushtarake, të zhvilluar në Fort Leonard Wood, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar të FSK-së, ky trajnim ka për qëllim përgatitjen e liderëve të rinj për planifikimin, udhëheqjen dhe drejtimin e operacioneve të inxhinierisë ushtarake.

“Toger Florent Korrani ka diplomuar në trajnimin bazik për Inxhinieri Ushtarake në Fort Leonard Wood, SHBA. Trajnimi është fokusuar në zhvillimin e aftësive udhëheqëse dhe profesionale për drejtimin e operacioneve të inxhinierisë ushtarake,” thuhet ndër të tjera në njoftimin e FSK-së.

Dy asistime të Xherdan Shaqirit në fitoren e Baselit ndaj Zurichut

Ylli i futbollit shqiptar, Xherdan Shaqiri po vazhdon të shkëlqejë në kampionatin zviceran.

Në derbin e zhvilluar të mërkurën mbrëma, mes Baselit dhe Zurichut, ai u bë protagonist kryesor duke regjistruar dy asistime në fitoren 2:0 të skuadrës së tij, transmeton albinfo.ch.

Ndeshja u zhvillua në kuadër të xhiros së 11-të të Superligës së Zvicrës, ku Baseli konfirmoi formën e mirë të javëve të fundit. Me këtë triumf, skuadra e Shaqirit ngjitet në vendin e tretë me 21 pikë, ndërsa Zurichu mbetet me 13 pikë në renditje.

Shaqiri u aktivizua deri në minutën e 89-të, duke dhënë një tjetër paraqitje të nivelit të lartë dhe duke e çuar bilancin personal në pesë gola dhe shtatë asistime këtë sezon.

Nga ana tjetër, Albian Ajeti u zëvendësua pas pjesës së parë, ndërsa te Zurichu Lindrit Kamberi u largua nga loja në minutën e 89-të. Në 20 minutat e fundit, në fushë u aktivizua edhe Bledian Krasniqi, i cili solli energji në mesfushë për skuadrën mysafire.

Shteti ku mund të gjobiteni nëse ecni më shpejt se 6 km/h

Nëse planifikoni të ecni në trotuaret e Sllovakisë, së shpejti do të duhet të bëni kujdes me shpejtësinë. Parlamenti sllovak ka miratuar një ndryshim të ligjit për trafikun, i cili vendos kufirin maksimal të ecjes në zonat urbane në 6 kilometra në orë, raporton Politico.

Ky rregull i ri do të vlejë jo vetëm për këmbësorët, por edhe për çiklistët dhe përdoruesit e skuterëve elektrikë, me qëllim parandalimin e përplasjeve të shpeshta në hapësirat e ngushta të qyteteve.

“Synimi kryesor është rritja e sigurisë në trotuare, pasi numri i aksidenteve me përdoruesit e skuterëve është rritur ndjeshëm,” shpjegoi Ľubomír Vážny, deputet i partisë së majtë-populiste Smer, pjesë e koalicionit qeverisës të kryeministrit Robert Fico.

Sipas tij, ky ndryshim do ta bëjë më të lehtë përcaktimin objektiv të shkeljeve kur dikush tejkalon shpejtësinë e lejuar në zonat për këmbësorë. Ligji pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

Shpejtësia mesatare e ecjes është 4–5 km/h, ndërsa, sipas British Heart Foundation, ecja me ritëm 6.4 km/h konsiderohet e moderuar për persona me formë të mirë fizike.

Nga ana tjetër, opozita dhe Ministria e Brendshme sllovake kanë kritikuar ndryshimin, duke argumentuar se ndalimi i skuterëve elektrikë në trotuare do të ishte një zgjidhje më e arsyeshme sesa vendosja e një kufiri të përgjithshëm të shpejtësisë.

 

Gjykata Supreme e Kosovës konfirmon ndalimin e mbulesës nëpër shkolla

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur të refuzojë kërkesëpadinë e organizatës “Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional – Arrita”, duke konfirmuar se ndalimi i mbulesës fetare në shkollat publike është në përputhje me ligjin dhe kompetencat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Padia kishte kërkuar shfuqizimin e nenit 3, paragrafi 1, nënparagrafi 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014, i cili ndalon bartjen e veshjeve me karakter fetar në institucionet arsimore publike. Organizata pretendonte se ky nen cenon të drejtat kushtetuese të vajzave që mbajnë shami dhe tejkalon kompetencat ligjore të ministrisë.

“Gjatë katër viteve të fundit kemi pranuar ankesa nga vajza që janë përjashtuar ose pezulluar nga shkollat publike për shkak të mbulesës së kokës,” thuhej në parashtresën e organizatës.

Mirëpo, Gjykata Supreme vlerësoi se udhëzimi administrativ është në harmoni me Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjin për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, të cilët i japin MASHTI-t kompetenca të qarta për të përcaktuar rregulla mbi uniformën dhe sjelljen e nxënësve.

“Si i tillë, akti nënligjor nuk bie ndesh me ligjin dhe nuk mund të shfuqizohet,” thuhet në vendimin e Supremes.

Gjykata ka theksuar se, sipas nenit 55 të Kushtetutës dhe praktikës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, liria e besimit është e garantuar, por manifestimi i saj mund të kufizohet për të ruajtur neutralitetin e shtetit dhe harmoninë shoqërore.

“Në një shoqëri demokratike ku bashkëjetojnë fe të ndryshme, shteti ka të drejtë të vendosë rregulla për të siguruar respekt dhe tolerancë të ndërsjellë,” thuhet në vendim.

Në përfundim, Gjykata Supreme thekson se kufizimet lidhur me veshjen e nxënësve janë të pranueshme dhe brenda kompetencave të MASHTI-t, duke konfirmuar kështu ndalimin e mbulesës fetare në shkollat publike.

 

Dëmi nga breshëri në të korrat zvicerane është gjysmë më i keq se vitin e kaluar

Përvoja e kërkesave për dëmshpërblim për vitin 2025 është “e këndshme”, shkruan gazeta Swiss Hail. Nuk ka pasur fatkeqësi të mëdha dhe dëmet për shkak të breshrit dhe thatësirës kanë qenë të rralla, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Swiss Hail pret 4,970 kërkesa, krahasuar me 7,600 në vitin 2024. Kjo rënie është një lehtësim për bujqësinë, pas disa vitesh me dëme mbi mesataren.

Këtë vit, kryesisht temperaturat e larta në qershor shkaktuan dëme në të korra. Dhe kushtet e paqëndrueshme të korrjes në fillim të korrikut shkaktuan mbirje të drithërave të bukës në disa rajone.

Pagesat e kompensimit u përqendruan kryesisht në të korrat e punueshme dhe kopshtarinë e tregut, të ndjekura nga vreshtat.

UBS shënon një fitim prej 2.5 miliardë dollarësh për tremujorin e tretë

Banka gjithashtu bëri përparim me programin e saj të uljes së kostove pas blerjes së Credit Suisse, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Të ardhurat operative arritën në 12.76 miliardë dollarë, duke u rritur me 3% nga viti në vit. Në një bazë bazë, rritja ishte madje 5%, në 12.2 miliardë dollarë. Shpenzimet në nivel grupi ranë me 4% në 9.83 miliardë dollarë. Fitimi para taksave u rrit me 47% nga viti në vit në 2.83 miliardë dollarë, i nxitur nga aktivitetet kryesore të biznesit.

Mesatarisht, analistët prisnin një fitim neto shumë më të ulët, me parashikimin e konsensusit në 1.13 miliardë dollarë. Për të ardhurat operative, pritej 11.66 miliardë dollarë, ndërsa fitimi para taksave ishte synuar në 1.69 miliardë dollarë.

Raporti kosto/të ardhura ishte 77%.

Kapitali i Nivelit të Parë (CET1) qëndroi në 14.8%, ndërsa raporti i levave (CET1) ishte 4.6%.

Gjatë tremujorit në shqyrtim, banka bleu përsëri 1.1 miliardë dollarë aksione të veta. Blerjet e aksioneve prej 0.9 miliardë dollarësh janë planifikuar për tremujorin e fundit dhe objektivi prej 3 miliardë dollarësh për të gjithë vitin është në rrugën e duhur. Dividendi pritet të rritet me më shumë se 10%.

Përfituesit e ndihmës sociale kanë gjithnjë e më shumë frikë për shtëpitë e tyre

Kushdo që kërkon një apartament të ri në Cyrih, Gjenevë ose Bazel ka nevojë për kohë dhe durim. Hapësira e jetesës në qytete po bëhet gjithnjë e më e pakët. Situata në tregun e banesave është veçanërisht e pasigurt për njerëzit që marrin ndihmë sociale, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

“Në të kaluarën, shihnim më pak njerëz të pastrehë ose njerëz në situata të pasigurta strehimi në qytetin tonë”, thotë Këshilltari i Qytetit të Winterthurit, Nicolas Galladé. Kjo është një nga arsyet pse raporti vjetor i Iniciativës së Qytetit për Politikë Sociale u përqendrua në situatën e strehimit të përfituesve të ndihmës sociale.

Kërkim i vështirë për strehim të përballueshëm

Michelle Beyeler e Universitetit të Cyrihut kreu një studim mbi këtë çështje dhe arriti në përfundimin: “Strehimi është një nevojë themelore dhe gjithnjë e më shumë çështja më urgjente në mirëqenien sociale sot.”

Rreth 80 përqind e ekspertëve që ajo anketoi deklaruan se rreziku i humbjes së shtëpive për përfituesit e ndihmës sociale në qytetet e tyre përkatëse është rritur gjatë pesë viteve të fundit. Gjetja e strehimit të ri po bëhet gjithashtu gjithnjë e më sfiduese.

“Në kohë kur është e vështirë edhe për klasën e mesme të gjejë strehim të përballueshëm, shpesh është pothuajse e pamundur për ata që preken nga varfëria”, thotë Beyeler. Kjo rrit presionin mbi këta njerëz – dhe e bën integrimin shoqëror më të vështirë. Në fund të fundit, strehimi i qëndrueshëm është një parakusht për punë, arsim dhe madje edhe për jetën familjare.

Studiuesi vazhdoi duke thënë se shërbimet sociale të qyteteve e kanë njohur çështjen dhe kanë zbatuar masa të ndryshme. Në disa vende, kufijtë e qirasë janë rritur, janë krijuar më shumë shërbime këshillimi dhe po bëhen gjithashtu përpjekje për të kontaktuar pronarët dhe për t’i përfshirë ata.

Nevojitet politika

Megjithatë, Këshilltari i Qytetit të Winterthurit, Nicolas Galladé, thotë se opsionet në dispozicion të shërbimeve sociale janë të kufizuara. Mungesa e strehimit dhe rritja e kostove të qirasë janë çështje që shërbimet sociale të qytetit nuk mund t’i zgjidhin vetë: “Është një treg shumë i fuqishëm dhe i madh. Mundësitë tona janë të kufizuara; në disa raste, ne jemi edhe të pafuqishëm.” Mungesa e strehimit të përballueshëm është në fund të fundit një problem strukturor që duhet të adresohet nga politika në tërësi.

Zviceranët më të pasur shkaktojnë dëmet më të mëdha mjedisore

Zvicra tregon në një shkallë të vogël se çfarë po ndodh globalisht, shkroi organizata joqeveritare (OJQ) Solidar Suisse në një komunikatë të mërkurën. Disa njerëz të pasur shkaktojnë shumicën e emetimeve, ndërsa të tjerët mbajnë pasojat, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Kjo tregohet nga raporti i ri i Oxfam-it “Plaçkitja e Klimës: Si një pakicë e fuqishme po e mbyll botën në katastrofë”, për të cilin Solidar Suisse ka shifrat zvicerane. 82% e njerëzve në Zvicër i përkasin të dhjetës më të pasur të popullsisë së botës. Në këtë vend, një person nga 0.1% më i pasur prodhon 673 kilogramë CO2 në ditë. Kjo është 26 herë më shumë se dikush nga gjysma më e varfër e popullsisë zvicerane.

Bankat e mëdha

UBS ka siguruar mbi 211 miliardë dollarë për projekte nafte dhe gazi që nga Marrëveshja e Parisit për Klimën. Së bashku me ish-Credit Suisse, dy institucionet financiare zvicerane investuan të paktën 8 miliardë dollarë në projekte të reja të qymyrit, naftës dhe gazit midis viteve 2021 dhe 2022, siç shkroi OJQ-ja.

Duke u tërhequr nga Aleanca Bankare Zero Net në mars të këtij viti, UBS zyrtarisht braktisi qëllimin e saj për të harmonizuar investimet e saj me objektivin prej 1.5 gradësh, shtoi ajo.

Në përgjigje të një kërkese nga agjencia e lajmeve Keystone-SDA, banka njoftoi këtë mbrëmje se po i përmbahej objektivave të saj të dekarbonizimit. Qëllimi i saj është të zvogëlojë emetimet e financuara nga UBS me 70% deri në vitin 2030 nga viti bazë 2021. “Deri në fund të vitit 2023, do të kemi arritur një ulje prej 80% krahasuar me vitin 2021”, thuhej në përgjigje.

Për një politikë të drejtë klimatike, Solidar Suisse bëri thirrje që të pasurit dhe korporatat të tatohen për emetimet e tyre luksoze dhe fitimet e tepërta dhe që ndikimi i super të pasurve të kufizohet duke mos u dhënë korporatave të drejta të veçanta dhe duke vendosur kufizime transparente për lobimin.

Zvicra duhet gjithashtu të zgjerojë financimin e klimës dhe bashkëpunimin për zhvillim në mënyrë që të zvogëlojë në mënyrë specifike varfërinë dhe pabarazinë – veçanërisht në Jugun Global.

Rekord i fluturimeve në Aeroportin e Tiranës

Sipas të dhënave më të fundit të “Institutit të Statistikave”, në nëntë muajt e parë të vitit, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar gjithsej rreth 315 mijë avionë, ku pjesën më të madhe e zë numri i mbikalimeve. Numri i fluturimeve në Shqipëri për nëntë muajt e parë të vitit është regjistruar në rreth 55 mijë.

Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore në nëntëmujorin e vitit 2025, është në rreth 9 milionë, me një rritje vjetore prej 8.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave zyrtare nga “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës” Shtatori 2025 shënoi një tjetër muaj të fortë për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, me 1.2 milionë pasagjerë, 7,044 fluturime dhe 105 destinacione në 32 shtete. Pas muajit rekord të gushtit, TIA vijon të ruajë ritmin e lartë të udhëtimeve dhe lidhjeve ajrore, duke ofruar çdo muaj më shumë mundësi për komunitetin në rritje të pasagjerëve. “Top 5” destinacionet e muajit janë Milano, Londër, Romë, Vjenë, Bolonjë.

Këtë fluks të lartë e konfirmojnë edhe të dhënat mbi lëvizjen e shtetasve të publikuara pak ditë më parë nga “Instituti i Statistikave”.

Kjo falë edhe linjave të reja dhe, veçanërisht, mundësive për lidhje me vende që nuk ishin lehtësisht të aksesueshme më parë.

Nëse do të flisnim për mallrat, rezulton se përgjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, Volumi i mallrave (duke përfshirë postën) të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror rezultoi 714,3 ton, nga të cilat 78.5% janë mallra të hyrë dhe 21.5% janë mallra të dalë. Krahasuar me tremujorin e tretë 2024, volumi i mallrave paraqitet me rritje 25.1%.

Mbyllet përgjithmonë dyqani më i vjetër i stacionit hekurudhor në Zvicër

Pas 26 vitesh funksionim, operatori Valora ka mbyllur përfundimisht dyqanin origjinal “Avec” në stacionin hekurudhor të Schüpfen (BE), i cili konsiderohej si dyqani më i vjetër i këtij lloji në Zvicër.

Dyqani i parë “Avec” u hap në vitin 1999 dhe ishte i hapur çdo ditë nga ora 06:00 deri në 20:00. Pas mbylljes, Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) kanë nisur kërkimin për një qiramarrës të ri për hapësirën e lokalit në rajonin Seeland.

Ende nuk dihet se çfarë biznesi do ta zëvendësojë – disa zëra thonë se mund të hapet një kioskë me kebab./Albinfo.ch

https://www.blick.ch/wirtschaft/heimliches-aus-nach-26-jahren-gibt-es-weiteren-kebab-shop-das-aelteste-bahnhofslaedeli-der-schweiz-ist-fuer-immer-zu-id21370781.html

Adnan Januzaj shënoi dy herë në fitoren e Sevillas në Kupën e Mbretit

Adnan Januzaj e ka gjetur më në fund rrugën e golit, përcjell albinfo.ch.

Bëhet e ditur se ai shënoi dy herë në fitoren e Sevillas në Kupën e Mbretit, e cila përfundoi me rezultat 1:4 ndaj Toledos.

Futbollisti shqiptar që përfaqëson Belgjikën, realizoi në minutat 40 dhe 48-të.

https://x.com/ZonaMixta__/status/1983274035543937137

https://x.com/ZonaMixta__/status/1983274035543937137

Rita Ora mahnit me look-un e viteve ’50 në “All Natural”

Rita Ora ka befasuar fansat me një performancë surprizë të këngës së saj “All Natural”, duke ndarë pamje që reflektojnë stilin e saj të guximshëm e modern, përcjell albinfo.ch.

Këngëtarja me origjinë shqiptare u shfaq me një look të frymëzuar nga eleganca e viteve ’50, me flokë të valëzuar, grim të rafinuar dhe buzë rozë, ndërsa kombinimi i mantelit të zi me geta vjollcë dhe taka të larta u vlerësua si një ndër paraqitjet më ikonike të saj.

“Performancë surprizë! E adhuroj këtë version të ri të ‘All Natural’”, ka shkruar Rita në përshkrimin e postimit.

Kënga po gëzon sukses të madh ndërkombëtar, ndërsa fansat presin me padurim albumin e katërt të artistes, që pritet të shënojë një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e saj.

Azem Maksutaj hap qendrën e re “Azem Kampfsport Center” në Turm Areal, Winterthur

Legjenda shqipatro-zvicerane e Muay Thai, 14 herë kampion bote, Azem Maksutaj, nis një kapitull të ri: më 8 nëntor 2025 ai inauguron qendrën e re Azem Kampfsport Center në Turm Areal të Winterthurit. Pas më shumë se katër dekadash në adresën e mëparshme, shkolla më e vjetër e arteve marciale në Winterthur dhe rrethinë (që nga 1985) zhvendoset në një hapësirë më të madhe, moderne dhe me vizion të qartë: të bashkojë lëvizjen, forcën mendore dhe komunitetin.

Qendra e re ofron 400 m² sipërfaqe trajnimi të përshtatshme për sport elitar, zhvillim të të rinjve dhe stërvitje të orientuar drejt shëndetit. E vendosur në “Rote Turm”, një prej simboleve të qytetit me fasadë të kuqe karakteristike, hapësira e re mishëron energjinë, progresin dhe forcën – vlera që Maksutaj i ka përfaqësuar për dekada. Programet do t’u shërbejnë fëmijëve, të rinjve, grave dhe burrave, me synimin për t’i frymëzuar, përkrahur dhe udhëhequr.

Nga ëndrra e një të riu te modeli për një shoqëri më të fortë

I ardhur në Zvicër në 1991 pa arsim, pa gjuhë dhe pa mjete financiare, por me vullnet të palëkundur, Azem Maksutaj u shndërrua përmes disiplinës dhe guximit në një nga sportistët më të suksesshëm të Europës. Përvojën e tij ai e kthen në kontribut për të rinjtë, përmes bashkëpunimeve me institucione si Sportamt Winterthur, KV, BBW dhe ZAK, me fokus në parandalimin e dhunës dhe ndërtimin e vetëbesimit e respektit përmes sportit. Dokumentari “Being Azem” (2010) rrëfen udhëtimin e tij nga një fshat i vogël në Kosovë deri te ringjet vendimtare në Las Vegas — përfshirë sfidën e vitit 2006 në Bellagio, që mund ta çonte si zviceranin e parë pas Andy Hug në finalen K-1 Grand Prix në Tokio.

Sukses, zgjerim dhe rikthim te baza

Pas filmit, kërkesa për trajnime u rrit ndjeshëm, duke sjellë hapjen e shkollave shtesë në Zyrih, Wil dhe St. Gallen. Në vijim, Maksutaj vendosi ta përqendrojë sërish fokusin në Winterthur, duke ngritur një gym më të madh dhe më të fuqishëm që bashkon brezat. Lokacioni në Wil vijon të menaxhohet me sukses nga partnerët afatgjatë, ndërsa Turm Areal bëhet qendra kryesore dhe zemra e vizionit të tij.

Hapja e madhe – 8 nëntor 2025

Në Grand Opening mysafirët do të kenë një program të larmishëm me show-duele, aktivitete trajnimi dhe aktivitete për fëmijë e familje. Do të prezantohet edhe maskota e re “Azemino”, tigri i Muay Thai-t. Në bashkëpunim me indyvit, Azem do të zbulojë edhe një produkt të ri të bazuar në shkencë për performancë, rigjenerim dhe shëndet. Atmosfera do të shoqërohet me fingerfood, specialitete në skarë, pije freskuese, muzikë dhe networking.

 

Mungesa e personelit të kualifikuar po përkeqësohet në profesionet liberale

Mungesa e profesionistëve të kualifikuar në Zvicër po bëhet gjithnjë e më shqetësuese në fushat e profesioneve liberale. Rreth 70% e punonjësve në profesione si mjekësia, arkitektura, fizioterapia, notariatet dhe këshillimi profesional e konsiderojnë mungesën e stafit një problem të madh në sektorin e tyre.

Kjo del nga një studim i kryer tek më shumë se 3,000 profesionistë, i paraqitur të martën nga Unioni Zviceran i Profesioneve Liberale (USPL).

Avokatët, mjekët, menaxherët e pasurive dhe arkitektët të gjithë theksojnë mungesën e punonjësve të kualifikuar, por problemi bëhet më i theksuar në fushat shëndetësore dhe teknike.

Shkaktarët e kësaj mungese përfshijnë një kombinim të pagave të ulëta, balancës së dobët mes punës dhe jetës personale, barrës administrative të tepruar dhe rritjes së punës me kohë të pjesshme.

Pasojat: Mbushja e një pozicioni të lirë merr kohë – gjashtë muaj ose më shumë në gjysmën e rasteve. Këto vende të lira krijojnë mbi-ngarkesë dhe stres për stafin ekzistues, njofton USPL. Për klientët dhe pacientët, kjo nënkupton kohë pritjeje më të gjata, ndonjëherë deri në atë pikë sa dosjet e tyre nuk përpunohen fare.

Sipas njoftimit për shtyp, gjithashtu rruga drejt pavarësisë profesionale po tërheq gjithnjë e më pak të rinj të diplomuar.

Rekomandimet e USPL: Marrje masash urgjente, duke përfshirë rritjen e vendeve të trajnimit në fushat shëndetësore dhe teknike, si dhe rritjen e tarifave profesionale.

 

Plani i riarmatimit të Gjermanisë merr formë konkrete

Kancelari Friedrich Merz ka dhënë një premtim të guximshëm: qeveria e tij synon që Bundeswehr të bëhet “ushtria më e fuqishme konvencionale në Evropë”. Për ta realizuar këtë, ai ka theksuar se ushtrisë gjermane do t’i sigurohen “të gjitha burimet financiare të nevojshme”.

Pas pesë muajsh nga ky premtim, planet po konkretizohen. Dokumente të brendshme të siguruara nga Politico zbulojnë se Gjermania po përgatitet për një riarmatim gjithëpërfshirës, që përfshin forcat tokësore, ajrore, detare, hapësinore dhe kibernetike. Totali i investimeve të planifikuara llogaritet në 377 miliardë euro, një program gjigant që synon modernizimin e vonuar të ushtrisë gjermane – me fokus të veçantë në industrinë vendase të mbrojtjes.

Ky plan lidhet me modelin e ri të financimit që ka shtyrë përpara qeveria Merz, sipas të cilit shpenzimet e mbrojtjes do të përjashtohen nga frena e borxhit. Një ndryshim i tillë do të mundësojë rritje të qëndrueshme të buxhetit të mbrojtjes, përtej fondit special prej 100 miliardë eurosh të krijuar gjatë mandatit të ish-kancelarit Olaf Scholz.

Në fazën e parë, projektet do të dërgohen për miratim në Komitetin e Buxhetit të Bundestagut, pasi çdo prokurim mbi 25 milionë euro kërkon aprovimin e tij. Dokumentet tregojnë se në ciklin e ardhshëm buxhetor Bundeswehr planifikon rreth 320 projekte të reja armatimi dhe pajisjesh, prej të cilave 178 tashmë kanë kontraktorë të caktuar.

Kompanitë gjermane janë përfitueset kryesore të këtij programi. Vetëm Rheinmetall, me seli në Dyseldorf, shfaqet në 53 projekte me një vlerë të kombinuar mbi 88 miliardë euro. Rreth 32 miliardë euro do të shkojnë drejtpërdrejt tek kompania, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet mes degëve dhe sipërmarrjeve të përbashkëta – si për programet e tankeve Puma dhe Boxer.

Sipas planit, Bundeswehr pritet të marrë 687 automjete luftarake Puma deri në vitin 2035, përfshirë 662 automjete luftarake dhe 25 transportues të blinduar. Në fushën e mbrojtjes ajrore, ushtria gjermane synon blerjen e 561 sistemeve Skyranger 30, të dizajnuara për mbrojtje nga dronët dhe kërcënimet ajrore të afërta.

Një tjetër projekt i madh është ai i sistemeve raketore Iris-T, që përfshin 14 njësi të plota me një vlerë rreth 4.2 miliardë euro. Po ashtu, po planifikohet pajisja e flotës së dronëve Heron-TP, të operuar në bashkëpunim me kompaninë izraelite IAI, me municione të reja me vlerë rreth 100 milionë euro.

Ky plan i gjerë modernizimi tregon për ambicien e re të Gjermanisë që, nën udhëheqjen e Merzit, të rikthehet si forcë udhëheqëse ushtarake brenda Evropës.

 

Amazon njofton eliminimin e 14,000 vendeve të punës në mbarë botën

Gjiganti amerikan i tregtisë elektronike, Amazon, njoftoi të martën se do të reduktojë 14,000 vende pune, pa specifikuar vendet ku do të kryhen këto reduktime. Kompania e përshkroi këtë hap si një “ulje globale”.

“Reduktimet që po njoftojmë sot janë pjesë e përpjekjeve tona për të qenë edhe më të fortë, duke reduktuar më tej burokracinë, eliminuar nivele hierarkike dhe riorientuar burimet,” shkroi Beth Galetti, zëvendës-presidente e Departamentit të Personelit dhe Teknologjisë, në një deklaratë të publikuar në faqen e Amazon.

“Kjo do të përfshijë reduktime në disa fusha dhe punësime në të tjera, por do të rezultojë në një ulje totale prej rreth 14,000 pozicionesh në zyrat e Amazon,” shtoi ajo.

Reduktimet pasqyrojnë dëshirën e shprehur të shefit të kompanisë, Andy Jassy, për të ulur kostot në mes të garës për investime në inteligjencën artificiale.

10% e vendeve të punës në zyra

Këto pushime nga puna synojnë funksione mbështetëse ose strategjike (burime njerëzore, reklamim, menaxhim etj.), duke përbërë pothuajse 10% të 350,000 vendeve të punës në zyrat e gjigantit amerikan të tregtisë online, sipas disa mediave amerikane që raportuan për reduktimet përpara njoftimit zyrtar. Punonjësit e depozitimeve nuk preken, të cilët përbëjnë shumicën e më shumë se 1.5 milion punonjësve të Amazon.

Kjo është vala më e madhe e reduktimeve që nga humbja e 27,000 vendeve të punës në dimrin 2022-2023. Letra e parë për pushim pritet që të shpërndahet që nga e martja, sipas mediave amerikane, ndërsa të tjera do të dërgohen në janar, pas kulmit të aktivitetit të festave.

“Çmimet në rritje, tregu më i ngushtë i punës dhe pasiguria e shkaktuar nga lufta tregtare e Presidentit Trump kanë shtyrë drejtuesit e biznesit të kërkojnë mënyra për të kursyer pa dëmtuar rritjen,” shkruan Wall Street Journal.

E ardhmja në pikëpyetje

Pyetje lindin gjithashtu për të ardhmen e punonjësve të kompanisë, punëdhënësit e dytë më të mëdhenj në Shtetet e Bashkuara me 1.2 milion punonjës, edhe në depozitat e saj, ku Amazon po përshpejton automatizimin duke përdorur robotë dhe inteligjencë artificiale.

Sipas New York Times, Amazon mund të ulë më shumë se 160,000 vende pune deri në vitin 2027, pavarësisht rritjes së pritshme të kërkesës për dërgesa të konsumatorëve.

Reduktime të rëndësishme të vendeve të punës në sektorin e bardhë po ndodhin gjithashtu tek gjigantët e tjerë teknologjikë amerikanë. Microsoft njoftoi në korrik se po rrit numrin e pushimeve të planifikuara në 15,000. Meta pushoi të mërkurën rreth 600 persona nga divizioni i saj i AI-së, pas një fushate të madhe rekrutimi

Inteligjenca Artificiale po ndikon në një të katërtën e vendeve të punës në Evropë

Përdorimi i inteligjencës artificiale (IA) dhe sistemeve algoritmike po shtrihet me shpejtësi në tregun evropian të punës. Profesionistët dhe sindikatat po i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian të ndërmarrë hapa konkretë për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve përballë këtij transformimi digjital.

Një studim i agjencisë lituaneze “Visionary Analytics”, i porositur nga Komisioni Evropian, tregon se një në katër vende pune në Evropë tashmë përdor algoritme ose mjete IA për vendime që tradicionalisht merreshin nga menaxherët njerëzorë.

Sipas raportit, ky numër pritet të rritet ndjeshëm gjatë dekadës së ardhshme.

Si po përdoret AI në punë

Sistemet inteligjente tashmë përdoren në fusha të ndryshme si përzgjedhja e kandidatëve, shpërndarja e detyrave, monitorimi i punonjësve dhe vlerësimi i performancës. Këto mjete janë më të zakonshme në kompani që operojnë përmes platformave digjitale si Uber apo Lyft, por po zbatohen gjithnjë e më shumë edhe në sektorë tradicionalë.

Një raport i përbashkët i Komisionit Evropian dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës thekson se, për shembull, në Francë kompani të logjistikës përdorin inteligjencën artificiale për planifikimin e rrugëve të transportit, çka u lehtëson shoferëve punën në kohë reale — por gjithashtu rrit rrezikun e mbikëqyrjes së tepruar.

Sindikatat kërkojnë më shumë transparencë

Konfederata Evropiane e Sindikatave (ETUC) po përpiqet të negociojë marrëveshje që sigurojnë informim të plotë për mënyrën se si përdoren algoritmet në vendet e punës.

“Është një temë e re dhe e ndërlikuar, dhe shumë sindikata ende nuk kanë kapacitetin teknik për ta trajtuar,” tha Tea Jarc, sekretare konfederale e ETUC.

Ajo paralajmëroi se algoritmet shpesh mbledhin edhe të dhëna të ndjeshme, si ato të shëndetit mendor, dhe se në disa raste punëtorët mbikëqyren edhe jashtë orarit të punës, pa dijeninë e tyre. Shpesh, kompanitë vendosin sisteme të reja matjeje të performancës pa i njoftuar punonjësit apo përfaqësuesit sindikalë.

Nevoja për rregulla të reja

Raporti i Komisionit Evropian pranon se ligjet ekzistuese të BE-së mbulojnë pjesërisht çështje si transparenca dhe parashikueshmëria në punë, por thekson se ekzistojnë boshllëqe të mëdha, sidomos në ndarjen e qartë mes orarit të punës dhe pushimit.

“Është koha që kompanitë të kuptojnë se nuk mund të fshihen pas algoritmeve,” theksoi Jarc.

Sipas studiuesit Alessio Bertolini nga Instituti i Internetit në Oksford, menaxhimi algoritmik nuk është i ri, por tani po përjeton një “ringjallje” me zhvillimin e inteligjencës artificiale moderne. Ai parashikon që algoritmet do të bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe të kudondodhura në vendet e punës.

Sfida financiare për sindikatat

Të dhënat nga Uni Europa, e cila përfaqëson mbi shtatë milionë punëtorë në BE, tregojnë se vetëm 23 marrëveshje kolektive në Evropë përfshijnë elemente të menaxhimit algoritmik.

Sindikatat spanjolle dhe daneze kanë arritur disa marrëveshje përmes ndihmës së ekspertëve të jashtëm, por shumica e organizatave të tjera nuk kanë fonde për të punësuar specialistë të kësaj fushe, vuri në dukje Jarc.

Edhe aty ku marrëveshjet ekzistojnë, zbatimi mbetet i dobët dhe shpesh varet nga vetë punonjësit nëse kërkojnë shpjegime për mënyrën se si po monitorohen.

Sipas Jarc, legjislacioni i ri duhet të forcojë të drejtat kolektive dhe të fuqizojë rolin e sindikatave për të kontrolluar përdorimin e algoritmeve në vendet e punës.

Ligjvënësit ende pas zhvillimeve

Aktualisht, rregulloret evropiane që lidhen me menaxhimin algoritmik mbulojnë kryesisht punonjësit e platformave si Uber apo Amazon.

Megjithatë, në vitin 2024 BE miratoi Direktivën për Punëtorët e Platformave, e cila ndalon shkarkimet nga puna që bazohen vetëm në vendime të marra nga algoritmet dhe garanton mbikëqyrje njerëzore për çdo vendim të automatizuar.

Kompanitë detyrohen gjithashtu të informojnë punonjësit nëse bëjnë ndryshime në sistemet e tyre algoritmike.