Dy akademikë nga Kosova ndër më të spikaturit në universitetet suedeze

Miranda Kajtazi dhe Bahtijar Vogel pa dyshim se janë shembuj suksesi nga Kosova në Suedi, transmeton albinfo.ch.

Këto dy figura të shquara janë me prejardhje nga Kosova po po lënë gjurmë të rëndësishme në fushën e shkencës dhe teknologjisë, ku Miranda Kajtazi është docente në Universitetin prestigjioz të Lundit, dhe Bahtijar Vogel, është udhëheqës i Departamentit të Shkencave Kompjuterike dhe Teknologjisë Mediale në Universitetin e Malmos.

Miranda Kajtazi

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Suedi, Shkendije Geci-Sherifi, pati kënaqësinë e veçantë të zhvillojë një takim në Universitetin e Malmos, ku u diskutua për tema të rëndësishme që lidhen me diplomacinë, shkencën dhe të ardhmen digjitale.

Gjatë një takimi të zhvilluar me ta, u diskutua për tema të rëndësishme që prekin diplomacinë, shkencën dhe të ardhmen digjitale.

Bahtijar Vogel


Vogel prezantoi strukturën dhe punën e departamentit që drejton, duke theksuar
roli e digjitalizimit në shoqëri si një mjet që hap mundësi të reja për zhvillim, inovacion dhe përfshirje.

Gjithashtu, u fol për mundësinë e një bashkëpunimi konkret në kuadër të programit “Horizon Europe”, që do të shërbente si një urë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve suedeze dhe atyre kosovare.

Është një krenari kombëtare të shohim profesionistë si Miranda Kajtazi dhe Bahtijar Vogel, të cilët me përkushtim, dije dhe vizion kontribuojnë në avancimin e shkencës dhe në përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në botë — duke ndërtuar ura të reja të dijes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar./Albinfo.ch

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Suedi, Shkendije Geci-Sherifi, Miranda Kajtazi dhe Bahtijar Vogel

Nga Zvicra në Prishtinë: Mjekët shqiptarë frymëzojnë gjeneratën e re të studentëve të mjekësisë

Për herë të parë, “Swiss Medical School” u mbajt në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, duke shënuar një hap të ri në konsolidimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër dhe institucioneve universitare në Kosovë.

Më 8 dhe 9 nëntor 2025, në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë, u zhvillua kjo ngjarje shkencore e rëndësishme, e organizuar nga Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër (LMSHZ) në bashkëpunim me Organizatën e Studentëve të Mjekësisë të Kosovës (KOMS).

Ngjarja mblodhi disa prej mjekëve shqiptarë më të njohur që veprojnë në Zvicër, të cilët mbajtën ligjërata para studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, duke ndarë përvojat e tyre profesionale dhe duke krijuar ura të reja bashkëpunimi akademik ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.

Prof. Dr. Sefedin Muçaj, dekan i Fakultetit të Mjekësisë

Në hapje, fjalën e morën Prof. Dr. Sefedin Muçaj, dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe Dr. med. Mentor Bilali, kryetar i LMSHZ-së, të cilët theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave ndërmjet profesionistëve të diasporës dhe studentëve në Kosovë.

Dr. med. Mentor Bilali, kryetar i LMSHZ-së

Dr. med. Mentor Bilali, Kryetar i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër: “Swiss Medical School 2025 ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, frymëzuese dhe shumë profesionale. U ndje një energji e veçantë mes pjesëmarrësve – një kombinim i motivimit akademik dhe dashurisë për atdheun. Interesimi i madh i studentëve dhe bashkëpunimi i ngushtë me stafin akademik treguan se kjo nismë ka arritur të krijojë ura reale mes dijes, përvojës dhe identitetit tonë profesional. Këto momente na kujtojnë se sa shumë mund të arrihet kur bashkojmë dijen me përkushtimin dhe rrënjët tona.”

Sipas LMSHZ-së ”Kjo ngjarje shkencore u dedikua absolventëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe Stomatologjisë, si dhe mjekëve të rinj, me qëllim që të mundësojë transferimin e dijes bashkëkohore dhe eksperiencave profesionale nga Zvicra në Kosovë. Bashkëpunimi me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës përbën një shtyllë themelore të këtij projekti; ai lehtëson shkëmbimin e njohurive dhe krijon ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes profesionistëve shqiptarë në Zvicër dhe atyre në Kosovë e më gjerë.”

Pas përfundimit të ngjarjes, disa prej mjekëve ligjërues ndanë përshtypjet e tyre për Albinfo.ch, duke shprehur vlerësimet e tyre për takimin me studentët e Prishtinës dhe për nivelin e përgatitjes akademike të tyre.

Prof. Dr. Alban Y. Neziri, gjinekolog dhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër

Prof. Dr. Alban Y. Neziri, gjinekolog dhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër. 
LIgjerata: Principet e Parandalimit dhe Trajtimit të Kancerit të Qafës së Mitrës “Swiss Medical School 2025 jo vetëm që zgjoi interesimin e qindra studentëve dhe specializantëve, por për herë të parë u organizua në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë. Ky është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të përparuar ndërmjet Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër dhe institucioneve akademike në Kosovë”.

Organizimit i kanë paraprirë disa takime të ndërsjella mes Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Sefedin Muçaj, Prodekanes për Mësim, Prof. Dr. Aurora Bakalli.

“Ngjarja u realizua në bashkëpunim të ngushtë me organizatën studentore KOMS dhe kryetaren e saj, Dr. Bardhë Agaj.
Swiss Medical School u akreditua për herë të parë nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Interesimi i studentëve dhe specializantëve ishte i jashtëzakonshëm, ndërsa pjesëmarrja dhe diskutimet interaktive e bënë këtë ngjarje një shkëmbim të vërtetë akademik mes docentëve dhe pjesëmarrësve.Uroj që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të thellohet edhe në të ardhmen.”, tha doktor Neziri

Prof. Dr. Përparim Limani

Prof. Dr. Përparim Limani, kirurg, i cili prezantoi temën “Kirurgjia citoreduktive (CRS) dhe kimioterapia intraperitoneale me hipertermi (HIPEC) për malignitetet e sipërfaqes peritoneale (PSM)”, tha: “Ishte një kënaqësi e veçantë të ligjëroja para studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë dhe të zhvillonim diskutime të thella rreth kësaj teme komplekse, por jashtëzakonisht të rëndësishme për trajtimin modern të pacientëve me tumore peritoneale. Më bëri shumë përshtypje interesimi i madh i studentëve dhe mënyra kritike me të cilën ata qasën pyetjeve dhe rasteve klinike. Kjo dëshmon se në Kosovë po rritet një brez i ri mjekësh të përgatitur dhe të motivuar.”

VIDEO

Dr. Durrësim Ramadani, urolog

Dr. Durrësim Ramadani, urolog, shtoi:“Prezantimi im ishte për hiperplazinë beninje të prostatës, një problematikë shumë e shpeshtë te pacientët e moshuar. Ka pasur një prani të jashtëzakonshme të studentëve dhe mjekëve të rinj. Ishte kënaqësi të ndajmë njohuritë dhe përvojën tonë me ta.”

Dr. Naim Mehmeti

Dr. Naim Mehmeti, angiolog theksoi : “Qëllimi i ligjëratës time për ‘Trombozën e venave të thella dhe sipërfaqësore’ ishte të theksohej rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe parandalimit të komplikimeve. Pjesëmarrja e studentëve ishte mbresëlënëse. Ky bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe profesionistëve kontribuon ndjeshëm në avancimin e mjekësisë dhe cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve.”

Prof. Dr. Florim Cuculi, kardiolog, u shpreh se ishte thellësisht i impresionuar nga gjenerata e re e studentëve të mjekësisë në Kosovë: “U mahnita nga përgatitja dhe entuziazmi i studentëve. Kosova ka shpresë. Politika duhet të kujdeset për të ardhmen e këtyre të rinjve, sepse mungesa e perspektivës për specializim i nxit ata drejt emigrimit.”

Msc. med. dent. Gazmend Haliti, stomatolog, e përshkroi këtë edicion si një ngjarje të jashtëzakonshme: “Swiss Medical School në Prishtinë dëshmoi një nivel të lartë profesionalizmi dhe angazhimi. Pjesëmarrja e mbi 250 studentëve të talentuar tregoi pasionin dhe përkushtimin për dije. E ardhmja e sistemit shëndetësor në Kosovë qëndron te kjo gjeneratë. Shpresojmë që këta të rinj ta ushtrojnë profesionin e tyre në vend dhe të kontribuojnë në zhvillimin e një sistemi shëndetësor në shërbim të qytetarit.”

Dr. Bujar Sopi

Dr. Bujar Sopi, internist, në deklaratën e tij për Albinfo.ch, vuri në dukje rëndësinë e parandalimit të komplikimeve në praktikën klinike: “Insuficienca renale akute është një ndër komplikacionet më të shpeshta dhe më serioze në praktikën klinike. Qëllimi im ishte të theksoj rëndësinë e parandalimit përmes njohjes së pacientëve me rrezik të lartë dhe menaxhimit korrekt të rasteve. Insuficienca renale nuk është vetëm një problem laboratorik, por një alarm klinik që kërkon mendim të strukturuar dhe bashkëpunim ndërdisiplinar.”

Ngjarja u shoqërua me workshope praktike dhe sesione interaktive, ku studentët patën mundësi të përfshihen në demonstrime klinike, duke përjetuar nga afër përvojën profesionale të mjekëve nga Zvicra.

“Swiss Medical School” u vlerësua si një nga iniciativat më domethënëse që po forcon lidhjet midis diasporës profesionale shqiptare dhe institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, duke krijuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi dhe shkëmbimi profesional që tejkalojnë kufijtë dhe bashkojnë përvojën, dijen dhe misionin njerëzor të mjekut shqiptar.

Përgatiti: Luljeta Ademi / Albinfo.ch

A do të punonit në Austri për 2200 euro?

Në rajonet alpine të Austrisë po nis periudha më e ngarkuar e vitit. Me afrimin e sezonit të dimrit, vendpushimet e skive po përgatiten për një fluks të madh turistësh nga e gjithë bota, tansmeton albinfo.at.

Megjithatë, mungesa e stafit mbetet një sfidë serioze për shumë hotele dhe biznese të gastronomisë, të cilat gjatë sezonit të pikut varen plotësisht nga puna e punonjësve sezonalë.

Në këtë sektor po zhvillohet një “luftë e vërtetë” për çdo punëtor të disponueshëm, veçanërisht në Austri, ku gjetja e personelit të kualifikuar është bërë gjithnjë e më e vështirë.

“Edhe para pandemisë së koronavirusit ishte sfiduese të gjeje staf të kualifikuar, por tani situata është përkeqësuar ndjeshëm,” ka thënë pronari i një hoteli në qytetin Fließ.

Sipas tij, shumë kamerierë kanë ndryshuar profesion gjatë pandemisë, gjë që ka krijuar boshllëqe të mëdha në tregun e punës. Për këtë arsye, hoteli i tij është i detyruar të kërkojë staf jashtë vendit, përmes Shërbimit Austriak të Punësimit (AMS), për sezonin që zgjat nga 18 dhjetori 2025 deri më 6 prill 2026.

Për pozicionet me kohë të plotë, kërkohen kandidatët që zotërojnë njohuri të mjaftueshme të gjuhës gjermane, të jenë të pavarur dhe të përkushtuar në punë, të kenë sjellje të mirë dhe preferohet përvoja në fushën e shërbimit të ushqimit dhe pijeve.

Ofrohet një pagë minimale prej 2,200 eurosh bruto në muaj, me mundësi rritjeje, si dhe akomodim dhe ushqim falas.

“Deri më tani kemi marrë vetëm disa aplikime të pasakta nga Maroku,” ka shtuar pronari për portalin austriak Heute.

Whatsapp po planifikon revolucionin në biseda

Shërbimi i mesazheve WhatsApp planifikon të sjellë një veçori të re dhe shumë të rëndësishme – dhe shumë shpejt. Megjithatë, ka edhe disa kufizime.

Whatsapp së shpejti do të prezantojë një përditësim që do të mundësojë dërgimin e mesazheve, fotove, videove dhe dokumenteve ndër-platforma.

Por disa funksione fillimisht nuk do të jenë të disponueshme. Për momentin, vetëm aplikacioni Birdychat do të mbështetet.

Çfarë sjell ky ndryshim?

WhatsApp po prezanton funksionin “Biseda me palë të treta”, i cili mundëson komunikim ndër-platforma.

Rregulloret e reja të BE-së detyrojnë WhatsApp të bëhet i interoperueshëm me shërbime të tjera të mesazheve.

Përdoruesit do të kenë gjithashtu mundësinë të përdorin emra përdoruesish për komunikim anonim deri në vitin 2026.

Një revolucion në biseda po ndodh

Alexander Terwey, Zëvendësudhëheqës i Redaksisë së Lajmeve, raporton: “Ajo që dikur dukej e pamundur, së shpejti do të bëhet realitet. Funksioni ‘Biseda me palë të treta’ do të lejojë përdoruesit e WhatsApp të komunikojnë direkt me përdorues të shërbimeve të tjera të mesazheve. Funksioni pritet të aktivizohet së shpejti në Evropë, edhe pse data e saktë nuk është ende e qartë.”

Rregulloret e reja detyrojnë WhatsApp të veprojë

Problemi: Sipas WABetaInfo, për momentin mbështetet vetëm aplikacioni Birdychat. Megjithatë, pritet që më shumë aplikacione të shtohen sapo të plotësojnë standardet e sigurisë dhe enkriptimit të WhatsApp.

Përdoruesit mund të dërgojnë dhe marrin mesazhe, imazhe, video, dokumente dhe mesazhe zanore. Të gjitha bisedat do të mbeten të koduara nga fundi në fund.

Megjithatë, disa funksione nuk do të jenë të disponueshme fillimisht. Për shembull, përditësimet e statusit, stickerat dhe mesazhet që fshihen vetvetiu nuk janë pjesë e bisedave ndër-platforma.

Bisedat grupore ndër-platforma gjithashtu do të vijnë më vonë.

Si ta testoni funksionin

Përdoruesit e Android-it mund të testojnë funksionin përmes përditësimit beta 2.25.33.8 nën Cilësimet > Llogaria > Biseda me palë të treta.

Përdoruesit e iOS do të mund ta gjejnë këtë funksion pasi të instalojnë versionin më të fundit të WhatsApp. Aktualisht nuk është ende i disponueshëm në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Dy inovacione të tjera të mëdha

WhatsApp po teston një “Media Hub” që lejon qasje më të lehtë te përmbajtja e ndarë në biseda. Të gjitha mediat e fundit të ndara do të mblidhen në një vend dhe mund të aksesohen nga menuja.

Gjithashtu, deri në vitin 2026, WhatsApp do të prezantojë emra përdoruesish, duke lejuar komunikim pa zbuluar numrin e telefonit.

Kosovë: Ngritet aktakuzë ndaj ministres Hajdari për menaxhimin e rezervave shtetërore

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar të martën një aktakuzë në Gjykatën Themelore ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe dy zyrtarëve të tjerë, për keqpërdorim të dyshuar të rezervave shtetërore.

Sipas Prokurorisë, Hajdari dhe dy zyrtarët I.L. dhe H.G. dyshohen se kanë kryer shkelje të detyrave zyrtare për të përfituar pasuri për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës gjatë shkurtit dhe marsit të vitit 2022. Buxheti i shtetit thuhet se është dëmtuar me rreth 3 milionë euro si pasojë e veprimeve të tyre.

Të tre të pandehurit akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për zbardhje të fshehtësive zyrtare, ndërsa R.M. akuzohet për ndihmë në kryerjen e këtij keqpërdorimi. Hajdari, I.L. dhe H.G. dyshohen gjithashtu se pa autorizim kanë zbuluar informacion të klasifikuar si sekret shtetëror.

Prokuroria thekson se vendndodhja e rezervave shtetërore konsiderohet informacion sekret, por sipas akuzës, të pandehurit ia kanë dhënë këto të dhëna R.M., i cili më pas ka ndërmjetësuar dhe rekomanduar operatorët ekonomikë për përdorimin e rezervave.

Hajdari deklaroi të martën se ishte njoftuar për aktakuzën nga avokati i saj dhe se do të japë një deklaratë më të detajuar pas pranimit të dokumentit të plotë. Ajo theksoi gjithashtu se ndihet krenare për punën e saj si ministre në sigurimin e rezervave shtetërore me produkte esenciale gjatë periudhës së vështirë të shkurtit dhe marsit 2022.

Ministrja ka qenë disa herë e pyetur nga Prokuroria Speciale si e dyshuar, por ka zgjedhur të mbrohet në heshtje. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjithashtu është thirrur si dëshmitar, por deri tani ka kërkuar të japë dëshminë në zyrën e tij.

 

Divorci në Zvicër: Gratë paguajnë çmimin më të lartë ekonomik

Në Zvicër, dy nga pesë çiftet e martuara divorcohen, dyfish më shumë se në vitet 1970. Megjithëse divorci është bërë pjesë e jetës moderne, pasojat ekonomike janë të thella dhe të pabarabarta midis burrave dhe grave.

Një studim i Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Bernës tregon se të ardhurat e nënave me fëmijë të mitur bien mesatarisht me 38% në dy vitet pas divorcit, ndërsa të baballarëve vetëm 3%. Kjo pasojë lidhet kryesisht me humbjen e të ardhurave kryesore, kujdesin për fëmijët që bie kryesisht mbi gratë dhe fakti që burrat martohen më shpejt, duke rikuperuar të ardhurat e ndara.

Avokatja Sabrina Burgat thekson se ndarja e roleve mbetet tradicionale: burrat punojnë me kohë të plotë, gratë me kohë të pjesshme. Kjo bëhet problematik pas divorcit, duke rritur rrezikun e varfërisë për gratë. Një në dhjetë nënave të divorcuara mbështetet tek asistenca sociale, krahasuar me një në tridhjetë burra të divorcuar.

Ndërkohë, disa burra përballen me borxhe të mëdha dhe vështirësi financiare, siç tregon rasti i Julien Dura, 56 vjeç, i cili ka borxhe mbi 120,000 franga pas divorcit. Nga ana tjetër, gratë që kanë pavarësi ekonomike mund të përballojnë më mirë ndryshimet financiare, si Pauline de Haas, 40 vjeç, e cila menaxhoi rritjen e shpenzimeve pas ndarjes përmes buxhetimit rigoroz.

Ekspertët kërkojnë ndryshime në sistem, përfshirë leje të barabarta për baballarët dhe nënat dhe qendra të përballueshme për kujdesin e fëmijëve, për të mbështetur pavarësinë ekonomike dhe për të parandaluar varfërimin e grave pas divorcit.

 

Lozana ndryshon strategjinë për përballimin e krizës së drogave të forta

Qyteti i Lozanës ka prezantuar një strategji të re për menaxhimin e përdorimit të drogave, pas rritjes së problemeve që lidhen me substanca të forta. Nga viti 2026, hapësirat e mbikëqyrura për injektim do të jenë të rezervuara vetëm për banorët e kantonit Vaud. Këto qendra do të kenë orare më të gjata dhe do të jenë nën mbikëqyrje më të shtuar policore.

Vendimi vjen pas shqetësimeve të tregtarëve dhe banorëve të zonës, që raportuan rritje të pasigurisë përreth qendrës së dytë të konsumimit të drogave, të hapur në vitin 2024 në qendër të qytetit. Autoritetet theksojnë se qëllimi është të ruhet siguria publike, duke ofruar në të njëjtën kohë mbështetje më të mirë për personat në varësi.

Përdoruesit do të kenë akses në qendrat e injektimit vetëm me një kartë identifikuese gjashtëmujore, ndërsa pritet që policia të patrullojë 24 orë në zonat përreth. Qyteti po shqyrton gjithashtu bashkimin e dy qendrave ekzistuese në një objekt të vetëm, ku do të ofrohen shërbime sociale dhe shëndetësore të përqendruara, si ushqim, kujdes mjekësor dhe hapësira për konsum të mbikëqyrur.

Ndërsa disa grupe parandalimi e kritikojnë masën si të kufizuar, autoritetet lokale mbrojnë qasjen e re si një hap drejt koordinimit më të mirë midis qytetit, kantonit dhe organizatave sociale.

 

Sigurimi i makinës vazhdon të rritet në Zvicër

Primet e sigurimit të makinave do të rriten më tej në vitin 2026. Trendi në rritje është nxitur nga kostot gjithnjë e në rritje të riparimit, dëmet në rritje nga stuhitë dhe pjesët rezervë gjithnjë e më të shtrenjta.

Ky fenomen, i njohur si “inflacioni i kërkesave”, u identifikua nga 13 kompani të mëdha sigurimi në një anketë të kryer nga portali i krahasimit Comparis, transmeton albinfo.ch.

Sigurues të tillë si Generali, Zurich, Allianz, PostFinance, TCS dhe Baloise ia kanë atribuar të gjithë rritjen të ashtuquajturit inflacion jo-jetësor, raporton Comparis. Megjithatë, kompanitë janë përmbajtur nga përcaktimi sasior i shkallës së rregullimit të normës. Sipas deklaratës së Generali për Comparis, rregullimet e primeve janë thelbësore për të mbuluar kostot në rritje. Zurich gjithashtu pret norma më të larta. TCS dhe Baloise kanë theksuar rritjen e kostove të regjistruara në vitet e fundit, ndërsa kanë mbetur të heshtur në lidhje me kohën dhe shkallën e rritjeve. Simpego, nga ana e saj, nuk ka njoftuar një rritje të përgjithshme, por vlerëson normat e saj në çdo rinovim kontrate. Sigurues të tjerë, të tillë si Helvetia, Smile, Mobiliar, Allianz dhe AXA, kanë mbetur të paqarta ose kanë thirrur rregulloret e konkurrencës për të justifikuar heshtjen e tyre mbi shifrat.

Një analizë e kohëve të fundit e Comparis me mbi 300,000 kërkesa zbuloi se automjetet më të reja janë dukshëm më të shtrenjta për t’u riparuar. Kjo për shkak të komponentëve të përparuar, siç janë dritat LED ose sistemet e asistencës për shoferin të integruara në xhamin e përparmë.

 

 

 

 

 

 

Përparim Avdili: Nuk duhet të ndryshoj emrin për tu bërë kryebashkiak i Cyrihut

Një debat që ka në qendër Përparim Avdilin, kandidatin e FDP-së për postin e kreut të bashkisë së Cyrihut, ka gjetur vend në shumë media të Zvicrës, nga java që shkoi dhe vazhdon të jetë i pranishëm. Shkurt: Pas një sugjerimi kontrovers drejtuar Avdilit që ta ndryshojë emrin, gazetari i javores “Weltwoche” Peter Rothenbühler përballet me akuza për racizëm.

Gazeta Tages Anzeiger që u kushton një artikull këtij “sugjerimi”, veç tjerash shkruan: FDP-ja po përballet me një betejë të vështirë për të mbajtur një nga dy vendet e saj në zgjedhjet e këshillit bashkiak të Cyrihut më 8 mars, sipas një sondazhi të ri.

Për kolumnistin e “Weltwoche” Peter Rothenbühler, arsyeja është e qartë: gjithçka varet nga emri i kandidatit të FDP-së për kryetar bashkie: Përparim Avdili. Për Rothenbühler, ky emër (dhe mbiemër) tingëllon si “një specialitet i ri kebapi”.

Avdili, vazhdon Rothenbühler, mund të zgjidhet në qeverinë e qytetit – me kusht që politikani zviceran me rrënjë shqiptare nga Maqedonia të zgjedhë një emër që “pranohet mirë”, për shembull Ogi. “Gjëja më e mirë për të bërë është thjesht ta zviceranizosh atë”, këshillon Rothenbühler, përcjell albinfo.ch.

“A do të dështojë kandidati i FDP-së në Cyrih sepse emri i tij nuk është Meier ose Müller? Kushdo që e pretendon këtë nuk i kushton vëmendje realiteteve në qytetin me prirje të majta”, konstaton Tages Anzeiger.

Ndërsa portali Nau.ch ka komentuar debatin dhe ka marrë qëndrimet e të dy debatuesve: Perparim Avdili dhe  Peter Rothenbühler,

“Kryetari i FDP-së së Cyrihut, Përparim Avdili, dhe gazetari i Weltwoche Peter Rothenbühler u përfshinë në një shkëmbim të nxehtë javën e kaluar. Shkaku i diskutimit që u zhvillua në programin “Talk Täglich” në TeleZüri ishte një artikull që Rothenbühler kishte shkruar për Weltwoche. Në të, ai parashikoi se FDP do të humbiste një vend nëse Avdili, i cili kandidon për kryetar bashkie, nuk do ta ndryshonte emrin e tij”.

Të theksojmë: Gazeta “Weltwoche” njihet për stilin  e saj provokues dhe për orientimin politik të skajshëm djathtist, shkruan albinfo.ch

Duke u nisur nga fakti se Avdili ka rrënjë shqiptare të Maqedonisë, Rothenbühler dëshiron që ai t’i fshehë ato. “Gjëja më e mirë për të bërë është ta zviceranizojë atë (emrin)” ishte rekomandimi i fuqishëm i kolumnistit. Kushdo që dëshiron të zgjidhet ka nevojë për një emër “që njerëzit mund ta mbajnë mend”. Për shembull, Armin në vend të Përparim, “kjo do të ishte diçka”, kishte shkruar ai.

“Mos jeni ngatërruar duke bërë sugjerimin tuaj për të ndryshuar emrat në shekullin e 20-të?” e pyeti prezantuesi i TeleZüri, gazetarin Rothenbühler. Ky i fundit e mohoi: Në fund të fundit, ai njihte shumë njerëz që i kishin shkurtuar emrat e tyre, përcjell albinfo.ch. Ai menjëherë i ofroi Avdilit një sugjerim: “Njerëzit tashmë të quajnë Pepe. Pse të mos përdoret emri Pepe?”

Është e qartë: Emrat që tingëllojnë të huaj kanë tendencë të kenë më shumë vështirësi në zgjedhjet zvicerane. Shkencëtarja politike Lea Portmann e konfirmoi këtë për Nau.ch: “Sidomos në listat e partive të qendrës së djathtë dhe të krahut të djathtë.”

Avdili e hedh poshtë propozimin e gazetarit Rothenbühler dhe e përball atë duke i thënë: “Artikulli juaj përjetëson stereotipet raciste.” Ai pretendon se Rothenbühler refuzon të pranojë se shoqëria zvicerane është multikulturore.

Presidenti i FDP-së së Zurich-ut thekson gjithashtu se Rothenbühler e ka shkruar gabim emrin e tij në artikull (Prëparim). Ai vë në dyshim nëse kjo ishte mungesë respekti apo thjesht veprim jokompetent.

I kontaktuar nga Nau.ch, Përparim Avdili thotë se është “shumë i pakënaqur” për mënyrën se si u zhvillua diskutimi. Megjithatë, ai shton, “Nuk mund t’i zgjedhësh gjithmonë gjërat në politikë”. Avdili thotë se ai u përfshi qëllimisht në diskutim. Ai nuk dëshiron që të rinjtë me sfond migrimi të marrin mesazhin: “Nëse doni të keni sukses këtu, duhet ta ndryshoni emrin tuaj”.

Në transmetim, anëtari i FDP-së thotë se nuk po përballet me Rothenbühler për hir të vetes. Përkundrazi, ai është i shqetësuar për të gjithë ata që kontribuojnë në suksesin e Zvicrës. Këtu përfshihen sipërmarrës, njerëz “që ndërtojnë rrugët tona dhe pastrojnë zyrat tona çdo ditë”, si dhe yje si Granit Xhaka dhe Mujinga Kambundji.

Megjithatë, Rothenbühler akuzon Avdilin në “Talk Täglich” se luan rolin e viktimës. Ai hedh poshtë akuzën për “stereotipe raciste”. Thotë po ashtu se ka këshilluar shumë politikanë të ndryshojnë diçka në mënyrë që të “lidhen më mirë me njerëzit”.

Nëse Avdili nuk ka nevojë ta bëjë këtë, duhet ta lërë mënjanë – “ishte vetëm një ide”. Por tani ai po e përsërit vazhdimisht.

I kontaktuar nga Nau.ch, Rothenbühler përsërit se ndryshimi i emrit ishte një “sugjerim me qëllim të mirë”.

“Nuk bëhet fjalë për të gjithë shqiptarët që ndryshojnë emrat e tyre tani”, thotë ai. “Bëhet fjalë për një fushatë zgjedhore ku të njëjtat konsiderata mund të hyjnë në lojë si në karrierën e një ylli filmi ose muzike”.

Tirana gati të ndriçohet për festat e fundvitit

Tirana do të ndriçojë sërish për festat e fundvitit, përcjell albinfo.ch.

Edhe pse ndodhet në paraburgim, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka urdhëruar që kryeqyteti të fillojë menjëherë përgatitjet për festat e fundvitit.

Sipas urdhrit të tij, Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve do të marrë masat për vendosjen e ndriçimeve dhe zbukurimeve festive në sheshe, rrugë dhe hapësira publike, duke respektuar standardet më të larta të sigurisë, si edhe kriteret teknike dhe estetike të përcaktuara për këtë qëllim.

Në dokument theksohet gjithashtu se, në zbatim të vendimit nr. 420, datë 08.06.2006 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, të merren masa për dekorimin e godinave të ministrive sipas kërkesave të institucioneve përkatëse.

Hill tregon për arsyet përse vendosi të bëhej dëshmitar i mbrojtjes së Thaçit

Sot, Christopher Hill, përfaqësues special i Shteteve të Bashkuara për Kosovë gjatë luftës, ka folur lidhur me arsyet se pse vendosi të bëhej dëshmitar i mbrojtjes së Hashim Thaçit. Duke iu përgjigjur pyetjes së avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, ambasadori Hill tha se nuk ka asnjë arsye të besojë që Thaçi ka marrë pjesë në krime lufte apo i ka urdhëruar ato.

“Tani, koha nuk i shëron të gjitha plagët siç thuhet, por mendoj se pas 25 vjetësh është kohë e gjatë që të mendohen gjërat dhe pikë së pari nuk kam arsye të besoj se z. Thaçi ishte përfshirë në aktivitete të tilla. Nuk kam arsye të besoj dhe as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar aktivitete të tilla apo veprime të tilla të paligjshme dhe siç e kuptoj unë ai është mbajtur i burgosur për një kohë të caktuar lidhur me këto çështje, pra e ndjeva që kur m’u kërkua kjo gjë – nuk kontaktova njerëz, njerëzit më kontaktuan mua dhe u ndjeva që duhet ta thosha atë që dija lidhur me situatën”, tha Hill.

Krahas të qenit i dërguar i posaçëm për Kosovë në kohën e luftës, ai mbajti edhe postin e ambasadorit të SHBA-së në Maqedoni. Hill ka shërbyer edhe si ambasador në Serbi nga viti 2022 deri në fillim të 2025-ës.

Hilli, në ditën e parë të dëshmisë së tij tha se Xhavit Haliti ishte i pari përfaqësues i UÇK-së që e takoi. Megjithatë, si për Halitin, ashtu edhe për Thaçin, ai tha se nuk e kishte përshtypjen që e kishin kontrollin mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë rast gjyqësor Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e publikuar në shkurt të 2023-tës, ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së viteve 1998-1999. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.

Presidentja Osmani pjesë e Forumit “25 vjet kur gratë transformojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë”

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në bashkëpunim me Shoqatën e Grave në Policinë e Kosovës, do organizoj një forum diskutimi me temën “Nga Rezoluta në veprim: 25 vjet nga kur gratë transformojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë”, përcjell albinfo.ch.

Ky aktivitet shënon 25-vjetorin e miratimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dokument i cili njohu rolin e grave në parandalimin e konflikteve, ndërtimin e paqes dhe vendimmarrjen në sektorin e sigurisë.

Në forum do të marrin pjesë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani.

Verërat e Kosovës u prezantuan në “Sthlm Food & Wine 2025”

Verërat e Kosovës u prezantuan me sukses në panairin më të madh të gastronomisë në Suedi, “Sthlm Food & Wine 2025”, i cili u mbajt nga data 7 deri më 9 nëntor në kryeqytetin suedez, përcjell albinfo.ch.

Në këtë ngjarje prestigjioze mori pjesë edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm, e cila mbështeti përfaqësimin e verërave kosovare përmes kompanisë Dardania Wine AB, e udhëhequr nga afaristja suedezo-kosovare Valbona Shala.

Panairi, që mbledh çdo vit mijëra vizitorë, prodhues, ekspertë dhe dashamirës të kulinarisë, shërbeu si platformë e rëndësishme për të promovuar cilësinë, autenticitetin dhe traditën e verërave nga Kosova. Vizitorët patën mundësinë të shijojnë varietete të ndryshme të verërave kosovare dhe të njihen më afër me potencialin që ky sektor ofron në tregun ndërkombëtar.

Kjo pjesëmarrje u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të diplomacisë ekonomike dhe kulturore të Kosovës, duke kontribuar në promovimin e markës “Made in Kosova” dhe në zgjerimin e bashkëpunimit tregtar me Suedinë dhe vendet e tjera nordike.

Në cilin rast fotografimi i Kullës Eiffel natën mund të shkelë të drejtat e autorit?

Kur errësira mbulon Parisin, Kulla Eiffel ndriçohet nga 20,000 drita që krijojnë një shfaqje magjepsëse deri në mesnatë (ose 01:00 gjatë verës). Ky spektakël i njohur e ka bërë monumentin më të famshëm të Francës një destinacion të preferuar për fotot dhe videot në rrjetet sociale.

Megjithatë, këto pamje të ndriçuara nuk janë thjesht dekorative – ato janë të mbrojtura nga ligji i të drejtës së autorit. Ndërsa vetë Kulla Eiffel mund të fotografohet dhe të ndahet lirisht gjatë ditës, shfaqja e saj e ndriçimit, e krijuar në vitin 1985, konsiderohet ende një vepër e mbrojtur.

Çfarë do të thotë kjo për turistët?

Fotot personale për Instagram, TikTok apo Facebook nuk shkelen nga ligji.

Por përdorimi profesional ose komercial i imazheve të ndriçuara natën, si për revista, reklama ose libra, kërkon leje nga kompania që menaxhon Kullën Eiffel, Société d’Exploitation de la Tour Eiffel.

Nëse fotot tuaja ndahen vetëm në rrjetet sociale, nuk ka asnjë problem praktik, pasi masat ligjore ndaj përdoruesve të zakonshëm do të ishin të komplikuara.

Faqja zyrtare e Kullës Eiffel sqaron: “Fotografimi i Kullës Eiffel natën nuk është i ndaluar për individët. Por çdo përdorim profesional i shfaqjes së ndriçimit kërkon autorizim dhe mund të shoqërohet me tarifa.”

Pra, mund të bëni qindra foto dhe t’i ndani magjinë e Kullës Eiffel, thjesht sigurohuni që ato të mos përdoren për qëllime komerciale pa leje.

 

Danimarka vendos kufizim moshe për përdorimin e mediave sociale

Qeveria daneze ka rënë dakord me partitë parlamentare për të miratuar një ligj që vendos moshën minimale 15 vjeç për përdorimin e platformave të caktuara të mediave sociale.

Sipas marrëveshjes, prindërit do të kenë të drejtën t’u lejojnë fëmijëve të tyre përdorimin e këtyre platformave që nga mosha 13 vjeç, nëse e konsiderojnë të përshtatshme.

Ministria daneze e Çështjeve Digjitale deklaroi se ligji synon të mbrojë më mirë fëmijët dhe të rinjtë në hapësirën online, duke u dhënë atyre më shumë kohë për pushim, lojë dhe zhvillim personal, përpara se të përballen me rreziqet e botës digjitale.

“Fëmijët dhe të rinjtë po vuajnë nga çrregullime gjumi, mungesë përqendrimi dhe presion i shtuar nga marrëdhëniet digjitale, në të cilat të rriturit nuk janë gjithmonë të pranishëm,” thuhet në deklaratën zyrtare.

Paqartësi mbi platformat e përfshira

Ende nuk është bërë e ditur se cilat platforma do të përfshihen në këtë kufizim, dhe si do të zbatohet në praktikë ligji i ri. Sidoqoftë, në marrëveshje thuhet se masat do të vlejnë për platformat më të mëdha, ku përdoruesit mund të krijojnë profile publike dhe ku janë identifikuar rreziqe për fëmijët e adoleshentët.

Pararojë në nivel evropian

Me këtë nismë, Danimarka synon të bëhet një nga vendet e para të Bashkimit Evropian që vendos kufizime ligjore për përdorimin e mediave sociale. Qeveria daneze ka paralajmëruar gjithashtu se do ta shtrojë këtë çështje si temë debati në nivel të BE-së, gjatë periudhës së presidencës së saj në Këshillin e Unionit.

Një shembull i ngjashëm është ai i Australisë, ku tashmë është vendosur që të rinjtë të kenë akses në rrjete si TikTok, Snapchat, YouTube, Facebook dhe Instagram vetëm pas moshës 16 vjeç.

 

Kombëtarja Shqiptare nis përgatitjet për ndeshjet e Botërorit 2026 në Barcelonë

Kombëtarja shqiptare ka nisur sot përgatitjet në Barcelonë për dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese për Kupën e Botës 2026, kundër Andorrës dhe Anglisë.

Seanca e parë stërvitore u zhvillua me pjesëmarrjen e shumicës së lojtarëve që kanë mbërritur në Spanjë. Pritet që grupi të kompletohet sonte me ardhjen e Thomas Strakoshës, Nedim Bajramit dhe Mirlind Dakut.

Fillimisht lojtarët zhvilluan ushtrime në palestër, ndërsa më pas zbritën në fushë për të kryer stërvitje taktike. Berat Gjimshiti dhe Arbër Hoxha u fokusuan vetëm te rikuperimi në palestër, pasi kishin luajtur me klubet e tyre të dielën.

Kombëtarja do të vijojë përgatitjet në Barcelonë para se të niset drejt Andorrës për ndeshjen që do të zhvillohet më 13 nëntor.

Turistët irlandezë e zgjedhin Shqipërinë si “Maldivet e Evropës”

Maldivet mbeten një ndër destinacionet më të ëndërruara për pushime, por për shumë udhëtarë janë të largëta dhe të kushtueshme. Revista e njohur irlandeze RSVP shkruan se një alternativë më e afërt dhe shumë më e përballueshme po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet: Shqipëria.

Me plazhet e saj me rërë të bardhë, ujërat e kristalta dhe peizazhet mahnitëse mesdhetare, vendi ynë po cilësohet gjithnjë e më shpesh si “Maldivet e Evropës”. Ndryshe nga destinacionet e mbipopulluara të kontinentit, Shqipëria ruan ende qetësinë dhe çmimet e arsyeshme, përcjell albinfo.ch.

Sipas RSVP, një javë qëndrimi në Maldivet gjatë sezonit të pikut kushton mbi 2,300 euro për dy persona, pa përfshirë biletat e avionit. Ndërkohë, në Shqipëri mund të gjenden akomodime luksoze buzë detit për rreth 23 euro nata, ndërsa një darkë e plotë me pije kushton rreth 18 euro.

Riviera shqiptare, me ujërat bruz dhe plazhet panoramike, po tërheq gjithnjë e më shumë turistë ndërkombëtarë falë pamjeve që qarkullojnë në rrjetet sociale, ku krahasimet me Maldivet janë të shumta.

Fluturimet nga Irlanda drejt Shqipërisë janë gjithashtu të leverdishme. Edhe pse nuk ka linja direkte nga Dublini drejt Tiranës, udhëtarët mund të fluturojnë me një ndalesë përmes Mynihut, Frankfurtit, Brukselit apo Zyrihut, me çmime që nisin nga 142 euro vajtje-ardhje, në varësi të datës së udhëtimit.

Një alternativë tjetër është udhëtimi drejt ishullit të Korfuzit (Greqi), prej nga ku tragetet për në rivierën shqiptare kushtojnë rreth 18 euro në secilin drejtim.

Falë kombinimit të çmimeve të ulëta, peizazheve natyrore dhe mikpritjes, Shqipëria po kthehet në një prej destinacioneve më tërheqëse për turistët irlandezë në vitin 2025.

 

BE-ja synon të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit me tren midis qyteteve evropiane

Komisioni Evropian ka shpallur një plan të ri që synon të ulë ndjeshëm kohëzgjatjen e udhëtimeve me tren ndërmjet qyteteve më të mëdha të kontinentit deri në vitin 2040. Sipas planit të veprimit të prezantuar në Bruksel, rrjetet hekurudhore do të lidhin qendrat kryesore me linja ku trenat do të lëvizin me shpejtësi mbi 200 kilometra në orë, duke e bërë udhëtimin hekurudhor një alternativë më tërheqëse ndaj fluturimeve të shkurtra.

Në bazë të këtij projekti, një udhëtim nga Berlini në Kopenhagë pritet të zgjasë vetëm katër orë, krahasuar me shtatë aktualisht. Po ashtu, rruga Mynih–Rom do të përshkohet për gjashtë orë në vend të pothuajse dhjetë, ndërsa itinerari Berlin–Vjenë përmes Pragës mund të ulet në vetëm katër orë e gjysmë.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Raffaele Fitto, deklaroi se ky projekt “është një rezultat konkret dhe pragmatik i përpjekjeve për ta bërë Evropën më të integruar dhe efikase”.

Një rrjet hekurudhor evropian me shpejtësi të lartë

Nisma është pjesë e Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T), që ka për qëllim forcimin e lidhjeve infrastrukturore në të gjithë Bashkimin Evropian. Edhe pse ideja e një sistemi hekurudhor pan-evropian me shpejtësi të lartë daton që nga vitet ’90 me projektet Thalys dhe Eurostar, shumë iniciativa të mëparshme janë penguar nga interesa kombëtare, mungesë fondesh dhe probleme teknike.

Plani i ri i Komisionit synon t’i kapërcejë këto sfida përmes financimeve të përbashkëta, standardeve të unifikuara dhe teknologjisë moderne. Ai lidhet gjithashtu me objektivat e Paktit të Gjelbër Evropian, duke synuar uljen e ndotjes dhe përmirësimin e transportit të qëndrueshëm.

Aktualisht, shumë linja nuk janë ende të përshtatshme për trenat me shpejtësi të lartë, ndaj kërkohen investime në ndërtimin e shinave të reja, modernizimin e stacioneve dhe përditësimin e sistemeve të sinjalizimit digjital. Ndryshimet në sistemet elektrike, gjerësia e shinave dhe rregulloret e sigurisë mbeten ndër sfidat kryesore.

Kostoja dhe financimi

Komisioni vlerëson se përfundimi i rrjetit TEN-V do të kërkojë rreth 345 miliardë euro deri në vitin 2040. Nëse synohen shpejtësi më të larta, mbi 250 km/orë, kostot mund të arrijnë deri në 546 miliardë euro deri në vitin 2050.

Për të nxitur kompanitë hekurudhore në zbatimin e këtij plani, BE planifikon të heqë barrierat për transportin ndërkufitar dhe të krijojë mekanizma të rinj financimi. Komisioni synon gjithashtu të mbështesë kërkimin, inovacionin dhe përfshirjen e kapitalit privat, përmes bashkëpunimit me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI) dhe institucionet kombëtare të zhvillimit.

Ky projekt ambicioz shihet si një hap vendimtar për të bërë Evropën më të ndërlidhur, më të gjelbër dhe më të aksesueshme për qytetarët e saj.

 

Kantonet zvicerane synojnë përmirësimin e shërbimeve për viktimat e dhunës në familje

Konferenca e Drejtorëve Kantonalë të Çështjeve Sociale (SODK) në Zvicër ka njoftuar plane për të forcuar mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe për të përmirësuar aksesin në strehim të sigurt në të gjithë vendin.

Sipas një deklarate për shtyp, drejtorët kantonalë kanë përcaktuar tre fusha kryesore veprimi:

1. Forcimi i bashkëpunimit rajonal për të siguruar shpërndarje të drejtë të shërbimeve të strehimit emergjent.

2. Zgjerimi i kapaciteteve të strehimoreve për të përmbushur kërkesën gjithnjë në rritje.

3. Krijimi i zgjidhjeve afatgjata të banimit të mbikëqyrur dhe të mbështetur për viktimat – kryesisht gra dhe fëmijë – që kanë nevojë për qëndrime më të gjata pas strehimit emergjent, transmeton albinfo.ch

Një raport i porositur nga SODK zbuloi se aktualisht numri i strehimoreve emergjente në Zvicër nuk i plotëson nevojat ekzistuese. Për këtë arsye, rekomandohet një koordinim më i mirë midis rajoneve dhe rritje e numrit të vendeve të sigurta për viktimat.

Masat e reja janë pjesë e angazhimit të përbashkët të qeverisë federale dhe kantoneve për të luftuar dhunën në familje. Në këtë kuadër, në maj të vitit 2026 pritet të vihet në funksion një linjë telefonike kombëtare për viktimat e dhunës.

 

Resortet alpine zvicerane përballen me mungesë punonjësish për sezonin dimëror

Resortet e skive në Zvicër po përgatiten për një sezon dimëror premtues, me rreth 161 mijë netë qëndrimi më shumë të parashikuara krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, mungesa e stafit të kualifikuar mbetet një shqetësim i madh, sidomos në kantonin e Valais, ku sipas Institutit të Kërkimeve BAK, 5 deri në 10% e vendeve të punës në sektorin e turizmit janë ende të pambuluara.

Agjencitë e rekrutimit raportojnë mungesë të theksuar të kuzhinierëve profesionalë, ndërsa shumë hotele dhe restorante malore po përpiqen të tërheqin punonjës përmes akomodimeve të subvencionuara dhe përfitimeve shtesë, si zbritje në ushqim, hyrje në spa dhe çmime preferenciale në resortet partnere.

Vitin e kaluar, numri i vizitorëve në resortet zvicerane u rrit me 18%, dhe këtë sezon, suksesi pritet të varet kryesisht nga kushtet e borës dhe disponueshmëria e stafit.

 

Würenlos: Dy të rinj shqiptarë aksidentohen duke ikur nga policia

Të hënën në mëngjes (10 nëntor 2025), Policia e Kantonit të Cyrihut, me mbështetjen e Policisë së Kantonit të Aargaut, arrestoi dy persona në Würenlos pas një ndjekjeje nga policia. Të dy kishin tentuar t’i shmangeshin një ndalese trafiku duke ikur dhe më pas u përplasën në një aksident, transmeton albinfo.ch.

Pak pas orës 4:30 të mëngjesit, një patrullë e Policisë së Kantonit të Cyrihut u përpoq të ndalonte një automjet pasi doli nga Tuneli Gubrist, duke vënë re drejtimin e tij të çrregullt. Shoferi nuk u përgjigj dhe vazhdoi të ngiste në autostradën A1 drejt Bernës. Pas daljes së Dietikon, shoferi përshpejtoi ndjeshëm.

Pranë zonës së pushimit të Würenlos, një patrullë e Policisë së Kantonit të Aargaut hyri në autostradë. Ndërsa automjeti që po ikte kalonte me shpejtësi pranë tyre, policët e Aargaut i ndoqën, raporton zh.ch/de/. Pak më vonë, shoferi hyri në daljen e Wettingen, u përplas me kangjellat mbrojtëse, humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas disa herë me kangjellat mbrojtëse. Makina më në fund u ndal.

Një 28-vjeçar dhe një 33-vjeçar shqiptar u arrestuan në vendngjarje. Njëri prej tyre kishte pësuar plagë gjatë përplasjes dhe u dërgua në spital, përcjell albinfo.ch.

Policia e Kantonit të Cyrihut, në bashkëpunim me zyrën e prokurorit publik, po heton rrethanat e aksidentit dhe ikjes.

Forcat e policisë së kantoneve të Cyrihut dhe Aargau, si dhe një ambulancë nga Spitali i Kantonit të Badenit, u përfshinë në operacion.

(Foto: KAPO Zürich)

Agon Sejdiu – piloti shqiptar që i dha krahë ëndrrës së fëmijërisë

Në një kabinë të vogël mbi re, ku drita prek horizontin, Agon Sejdiu ndjek ëndrrën që e ka ndërtuar me përkushtim që nga fëmijëria. I lindur dhe rritur në Zvicër me rrënjë nga Kosova, Agoni e sheh avionin jo si mjet transporti, por si simbol të mundësive të pafundme. Sot, ai është pjesë e EasyJet Switzerland, duke përfaqësuar një brez të ri profesionistësh shqiptarë që fluturojnë lart, por me këmbët në tokë.

“Kur je mbi re, kupton sa i vogël është njeriu përballë natyrës, por edhe sa shumë mund të arrijë me dije dhe pasion.” – Agon Sejdiu

Albinfo.ch: Agon, si ishte fëmijëria jote dhe kur lindi ëndrra për t’u bërë pilot?
Agon Sejdiu: Kam pasur një fëmijëri të lumtur dhe shumë aktive. Kam qenë i angazhuar në klube, sidomos sportive, dhe prindërit më kanë nxitur gjithmonë të provoj gjëra të reja. Lartësia më ka ndjekur që herët – pushimet e dimrit i kalonim rregullisht në bjeshkët e Zvicrës për skijim dhe snowboard. Arsimi ka pasur gjithmonë një rol të veçantë në familjen tonë. Ëndrra për t’u bërë pilot lindi herët – në çdo udhëtim që bënim, unë e shihja avionin jo thjesht si mjet transporti, por si simbol të mundësive të pafundme.

Albinfo.ch: A ka ndonjë moment apo njeri të veçantë që ndezi tek ty pasionin për aviacionin?
Agon Sejdiu: Pasioni u ndez gjatë udhëtimeve me familje. Unë gjithmonë shikoja me admirim avionët dhe pilotët. Familja më mbështeti shumë – shpesh të shtunave shkonim bashkë në aeroportin e Cyrihut vetëm për të parë avionët. Këto momente ishin vendimtare, sepse aty kuptova se shikimi nga toka nuk më mjaftonte, unë doja të isha në kabinë.

Albinfo.ch: Familja dhe rrethi i ngushtë – si e përjetuan zgjedhjen tënde për një profesion kaq të rrallë?
Agon Sejdiu: Ata nuk u habitën aspak. E kishin parë që nga fëmijëria ime se aviacioni ishte më shumë se një interes kalimtar – ishte një pasion i vërtetë. Për ta, zgjedhja ime ishte një vazhdim logjik i rrugës sime.

Albinfo.ch: Pas diplomimit për Betriebswirtschaft (Ekonomi e ndërmarrjeve), si lindi ideja të hedhësh hapin drejt trajnimit për t’u bërë pilot?
Agon Sejdiu: Studimet në ekonomi më dhanë një bazë të fortë, por zemra ime ishte gjithmonë në aviacion. Ashtu siç e përmenda edhe më herët, ëndrra ime ka qenë gjithmonë fluturimi. Për mua, ishte një hap i natyrshëm drejt realizimit të vetvetes.

Albinfo.ch: Cila ka qenë sfida më e madhe gjatë rrugës për të marrë licencën Frozen ATPL?
Agon Sejdiu: Sfida më e madhe ishte kombinimi i disiplinës teorike me presionin praktik. Duhet përqendrim absolut, orë të panumërta studimi dhe shumë durim. Por çdo sfidë e kaluar më forconte bindjen se ndodhesha në rrugën e duhur.

Albinfo.ch: Sa i vështirë është financimi dhe përgatitja për t’u bërë pilot për një të ri nga Kosova?
Agon Sejdiu: Është një rrugë e shtrenjtë dhe kërkon sakrifica, por unë gjithmonë them: aty ku ka pasion dhe vendosmëri, gjendet edhe rruga. Është e rëndësishme të shohim këtë investim jo si shpenzim, por si derë që hap horizonte të reja.

Albinfo.ch: Çfarë do të thotë për ty të jesh pjesë e easyJet Switzerland – cilat janë emocionet dhe përgjegjësitë që mbart çdo ditë?
Agon Sejdiu: Është një nder dhe një përgjegjësi e madhe. Çdo fluturim nuk është vetëm transport pasagjerësh, por kujdes për jetën dhe besimin që njerëzit vendosin tek ne. Kjo ndjenjë përgjegjësie është motivimi im i përditshëm.

Albinfo.ch: Si i ri me prejardhje të huaj – a ishte integrimi i lehtë profesionalisht dhe personalisht?
Agon Sejdiu: Unë kam lindur në Zvicër, ndaj procesi i integrimit ishte pothuajse i natyrshëm. Për mua, integrimi nuk do të thotë vetëm të jetosh në një vend, por të bëhesh pjesë aktive e shoqërisë së tij: duke marrë pjesë në klube, duke kontribuar në jetën sportive e kulturore, duke respektuar vlerat, por njëkohësisht duke ruajtur rrënjët e tua.

Albinfo.ch: A ke hasur paragjykime apo sfida si i ri me rrënjë shqiptare?
Agon Sejdiu: Paragjykimet ekzistojnë kudo, por përvoja ime më ka treguar se në Zvicër pasioni dhe disiplina peshojnë më shumë se paragjykimet. Unë gjithmonë kam dashur të dëshmoj me punë dhe përkushtim se kush jam. Me kalimin e kohës kuptova se rezultatet dhe sjellja e hapin rrugën.

Albinfo.ch: Së fundi, u mirëprite në Konsullatën e Kosovës në Cyrih – çfarë domethënie pati për ty ky vlerësim?
Agon Sejdiu: Ishte një moment i veçantë. U ndjeva i vlerësuar jo vetëm si individ, por si përfaqësues i një komuniteti që kontribuon jashtë vendlindjes. Përfaqësitë diplomatike janë të rëndësishme sepse lidhin diasporën me vendlindjen dhe nxisin bashkëpunimin kombëtar.

Me shefin e Konsullatës së Republikës së Kosovës, në Cyrih, Z. Vigan Berisha

Albinfo.ch: Si e mban gjallë lidhjen me Kosovën, traditat dhe gjuhën, edhe pse jeta jote zhvillohet kryesisht jashtë?
Agon Sejdiu: Gjuha, kultura dhe traditat janë pjesë e pandashme e identitetit tim. Ato i ruaj çdo ditë – në familje, në shoqëri dhe në mënyrën si përfaqësoj veten. Ky është një thesar që dua t’ua përcjell brezave që vijnë.

Albinfo.ch: A ke menduar të kontribuosh në zhvillimin e aviacionit në Kosovë?
Agon Sejdiu: Po, padyshim. Aviacioni është një fushë ku përvoja ndërkombëtare ka shumë vlerë. Me shumë kënaqësi do të sjellja njohuritë dhe eksperiencën time për zhvillimin e këtij sektori në Kosovë.

Albinfo.ch: Si e sheh fenomenin “brain drain” të të rinjve që kërkojnë mundësi jashtë vendlindjes?
Agon Sejdiu: Të rinjtë që shkojnë jashtë sjellin me vete dije, përvojë dhe rrjete të reja. Nëse këto lidhen më vonë me vendlindjen, krijohet një shkëmbim i dijes që i shërben gjithë shoqërisë.

Albinfo.ch: A e shikon veten si shembull frymëzues për të rinjtë që hezitojnë të ndjekin ëndrrat e tyre?
Agon Sejdiu: Nëse historia ime shërben si shembull, atëherë mesazhi është ky: ëndrrat kërkojnë disiplinë, durim dhe guxim për të përballuar sfida. Me vetëbesim, përkrahje familjare dhe punë të palodhshme, çdo gjë është e mundur.

Albinfo.ch: Cila është ndjenja më e fortë kur je mbi re?
Agon Sejdiu: Kur je mbi re, kupton sa i vogël është njeriu përballë natyrës, por njëkohësisht sa shumë mund të arrijë me dije dhe teknologji. Ky kontrast më frymëzon çdo ditë.

Albinfo.ch: Çfarë ëndërron për të ardhmen – si pilot dhe si Agon, njeriu pas uniformës?
Agon Sejdiu: Si pilot, ëndërroj të përparoj profesionalisht dhe të kontribuoj në standardet e aviacionit europian. Si Agon, ëndërroj të jem gjithmonë një urë mes dy botëve – Zvicrës ku u rrita dhe Kosovës ku kam rrënjët. Sepse në fund, suksesi nuk matet vetëm me karrierë, por me ndikimin që lë tek të tjerët.

Albinfo.ch: Cili është mesazhi yt për të rinjtë shqiptarë që sot ndodhen mes dilemës: të qëndrojnë në vendlindje apo të kërkojnë rrugë jashtë?
Agon Sejdiu: Mos e shihni këtë si një zgjedhje përfundimtare, por si dy rrugë që mund të plotësojnë njëra-tjetrën. E rëndësishme është që, përtej suksesit personal, të mendoni çfarë mund të bëni për shoqërinë ku jetoni dhe për atë nga vini. Ky është kontributi që i jep kuptim të vërtetë arritjeve.

Kur Agon Sejdiu flet për fluturimin, ndien se nuk është fjala për qiellin – por për lirinë. Lirinë për të ndjekur atë që të thërret nga brenda, pavarësisht pengesave, rrënjëve apo rrugëve të gjata që ndonjëherë ndahen mes dy vendeve.
Në çdo fluturim të tij, ai mbart me vete një copë nga Kosova dhe një horizont nga Zvicra – një bashkim i dy botëve që nuk përjashtojnë, por plotësojnë njëra-tjetrën.
Në kabinën e avionit, përballë horizontit që ndryshon çdo sekondë, ai mbetet i njëjti djalë që dikur shikonte qiellin me kureshtje. Vetëm se tani, është vetë ai që e hap atë.  Sepse për Agonin, siç thotë vetë, suksesi nuk është të ngjitesh më lart se të tjerët, por të mos humbësh asnjëherë tokën nga ku je nisur.