Çmimet e pronave investuese zvicerane vazhdojnë të rriten pavarësisht nga stagnimi i qirave

Megjithëse qiratë në Zvicër ngecën ose ranë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, çmimet për pronat e investuara vazhduan të rriten. Si ndërtesat e apartamenteve ashtu edhe pronat e zyrave janë bërë më të shtrenjta.

Qiratë e tregut ranë në krahasim me tremujorin e mëparshëm në të tetë rajonet e anketuara, përveç Jura, sipas analizës së publikuar të premten nga Fahrländer Partner Raumentwicklung (FPRE). Qiratë për kontratat e reja për apartamentet e reja kanë rënë me 0.6%. Në të kundërt, qiratë për apartamentet e vjetra mbetën pothuajse të qëndrueshme gjatë të njëjtës periudhë (-0.1%).

Megjithatë, krahasimi i qirave me të njëjtin tremujor të një viti më parë nxjerr një pamje të ndryshme, transmeton albinfo.ch. Rritja e qirave për apartamente të reja (+1.4%) dhe apartamente të vjetra (+2.7%) si dhe për hapësira për zyra (+1.2%).

Rritje kanë shënuar edhe çmimet e ndërtesave të banimit, me 2.6% krahasuar me tremujorin paraardhës dhe me 8.6% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, shkruan swissinfo.ch. Megjithatë, ato janë ende 5.2% nën kulmin e arritur në fillim të vitit 2022, shkroi një konsulent i pasurive të paluajtshme.

Çmimet e transaksioneve për pronat e zyrave u zhvilluan në mënyrë të ngjashme. Këto janë shtrenjtuar edhe në tremujorin e katërt, përkatësisht me 3.6% krahasuar me tremujorin paraardhës dhe me 7.4% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Prodhimi i verës në Zvicër 2024 ishte i dobët për shkak të kushteve të motit

Prodhimi i verës në Zvicër në vitin 2024 ishte i dyti më i keq në 50 vitet e fundit për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, si ngrica dhe breshri. Përveç kësaj, sipas Zyrës Federale për Bujqësi, është prodhuar rreth një e katërta më pak verë se një vit më parë, përcjell albinfo.ch.

Infektimi me myk push gjithashtu ka ndikuar në këtë rënie. Ndërsa mesatarisht rreth 92 milionë litra verë janë prodhuar në vit gjatë dhjetë viteve të fundit, në vitin 2024 u prodhuan vetëm 75 milionë litra, siç u raportua të enjten. Krahasuar me mesataren e dhjetë viteve të fundit, prodhimi ka rënë me 18.5%, shkruan Zyra Federale për Bujqësi (FOAG).

Me një vëllim të korrjes prej 10.4 milionë litrash, humbjet e prodhimit në Zvicrën gjermanishtfolëse ishin edhe më të theksuara se në Zvicrën frëngjishtfolëse, duke arritur në 36.9%, sipas FOAG. Me një prodhim total prej 60.6 milionë litrash verë, Zvicra Perëndimore shënoi një rënie prej 23.8% krahasuar me vitin paraprak. Ndërkohë, në Zvicrën italishtfolëse është prodhuar 15.6% më pak verë.

Edon Zhegrova kthehet nga lëndimi

Sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, ka publikuar një video në rrjetet sociale gjatë seancës së parë stërvitore pas kthimit nga lëndimi, përcjell albinfo.ch.

Zhegrova ndeshjen e fundit në kampionatin francez e ka zhvilluar kundër Marseillet në udhëtim.

Ai ballafaqim, që i takoi xhiros së 15-të të elitës së futbollit francez, përfundoi 1:1 dhe u zhvillua më 14 dhjetor.

Zhegrova kishte luajtur vetëm në pjesën e parë. Më pas nuk ishte pjesë e skuadrës për 11 ndeshje.

Sipas mediumeve franceze, Zhegrova pritet të kthehet në fund të muajit mars.

Ai pritet t’i mungojë Kosovës në dy ndeshjet e marsit kundër Islandës, në kuadër të plejofit të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Xhamia e Elbasanit me arkitekturën më të bukur fetare në botë

Xhamia e Ballies në Elbasan, e cila ishte përzgjedhur fillimisht si një nga pesë objektet më të bukura të kultit në botë, ka fituar çmimin e parë ndërkombëtar për arkitekturën më të bukur fetare në botë, përcjell albinfo.ch.

Ky çmim prestigjioz u organizua nga ArchDaily, platforma më e madhe globale për arkitekturë dhe dizajn.

Ky lajm është ndarë edhe nga komuniteti musliman në Shqipëri, të cilët kanë theksuar se ky çmim konfirmon vlerat unike të kësaj xhamie, e cila ndërthur arkitekturën tradicionale islame me elementet moderne.

Në Nyon të Zvicrës u bë tërheqja e shortit për 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve

Nga ora 12:00 në Nyon të Zvicrës nisi tërheqja e shortit për 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve, përcjell albinfo.ch.

Derbi spanjoll dhe gjerman do të ketë për raundin e 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve.

Do të ketë edhe ndeshja tjera interesante, por vëmendja do të jetë te duelet Real Madrid – Atletico Madrid dhe Bayern Munich – Bayer Leverkusen. 

15 herë fituesi i Ligës së Kampionëve, Real Madridi, që shkëlqeu në fazën nokaut të plejofit ndaj Manchester Cityt, do të ballafaqohet me rivalin lokal, Atletico Madridin. 

Këto dy skuadra ishin ballafaquar edhe në finalet e viteve 2014 dhe 2016. Që të dyja i kishte fituar Reali. 

Derbi të Bundesligës do të ketë po ashtu, pasi gjashtë herë fituesi i “Championsit” dhe skuadra më e suksesshme gjermane, do të luajë ndaj fituesit në fuqi të Bundesligës, Bayer Leverkusenit që për lider në mesfushë e ka Granit Xhakën. 

Leverkuseni në edicionin e kaluar ishte finalist i Ligës së Evropës. 

Finalisti i Ligës së Kampionëve për vitin 2020, Paris Saint-Germaini, do të ballafaqohet me gjashtë herë fituesin e trofeut të çmuar, Liverpoolin. 

Benfica – Barcelona ishin takuar në kuadër të fazës së ligës në këtë edicion të Ligës së Kampionëve. Barcelona e trajnerit Hansi Flick kishte fituar 5:4 në udhëtim, në ndeshjen e xhiros së shtatë. Këto dy skuadra do të luajnë sërish përballë njëra-tjetrës. 

Feyenoordi pas shortit të tërhequr në Nyon të Zvicrës të premten, është caktuar të luajë me tri herë fituesin e Ligës së Kampionëve, Interin, kurse skuadra tjetër holandeze, PSV Eindhoven, do të ballafaqohet me Arsenalin për një vend që dërgon në çerekfinale. 

Lille i Edon Zhegrovës do të luajë kundër fituesit të vitit 1997 dhe finalistit të vitit të kaluar, Dortmundit. Zhegrova është kthyer në stërvitje të enjten, por sipas mediumeve franceze, ai pritet të jetë i gatshëm për lojë në mesin e muajit mars. Nëse kjo ndodh, sulmuesi i Kosovës nuk do të mund të paraqitet në duelet e forta me “verdhezinjtë”. 

Ardon Jashari, që e fitoi epitetin e futbollistit më të mirë të ndeshjes te Club Brugge në fitoren ndaj Atalantas, do të ballafaqohet me Aston Villan. 

Në Nyon të premten është caktuar edhe rruga deri në finale. 

Fituesi i ndeshjes PSV – Arsenal, do të ballafaqohet në çerekfinale me fituesin e ndeshjes Real Madrid – Atletico Madrid. 

Benfica apo Barcelona do të luajnë kundër Dortmundit apo Lillet në çerekfinale.
Bayern Munichu apo Bayer Leverkuseni do të jenë përballë Feyenoordit apo Interit në raundin tjetër të garës. 

Ndërkohë, skuadrat që avancojnë tutje nga ndeshjet PSG – Liverpool dhe Club Brugge – Aston Villa, do të luajnë në çerekfinale. 

Ndeshjet e raundit të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve luhen më 4-5 dhe 11 e 12 mars. 

Çerekfinalet zhvillohen më 8-9 dhe 15-16 prill. 

Gjysmëfinalet do të luhen më 29-30 prill dhe 6-7 maj, ndërsa finalja në edicionin aktual do të zhvillohet në “Allianz Arena” në Munich, më 31 maj.

Datat e ndeshjeve të Ligës së Kampionëve:

Raundi i 1/8 së finales: 4-5 dhe 11-12 mars 

Çerekfinalet: 8-9 dhe 15-16 prill 

Gjysmëfinalet: 29-30 prill dhe 6-7 maj 

Finalja në “Allianz Arena” në Munih: 31 maj

Arrestohet shqiptari në Gjermani

V.K i dyshuari kryesor për ekzekutimin e Briken Sanajt, është ekstraduar nga Gjermania, përcjell albinfo.ch.

42-vjeçari u arrestua në Gjermani në muajin prill 2024 pasi akuzohet për ekzekutimin e Briken Sanajt, krim i ndodhur më 30 tetor 2022, në kompleksin “Kodra e Diellit”.

Ndaj tij, Gjykata e Tiranës, me vendimin e datës 23 nëntor 2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Vladimir (Valmir) Kola dyshohet se, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka vrarë me armë zjarri Briken Sanajn për hakmarrje.

Interpol Tirana

I akuzuar për vrasje me paramendim, në vitin 2022, ekstradohet nga Gjermania, 42-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

42-vjeçari u arrestua në Gjermani  në muajin prill 2024, gjatë operacionit të koduar “Versus”, i finalizuar si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe homologëve gjermanë.

Maqedoni: mbi 3 mijë aplikime për t’ia mësyjë BE-së

Raportohet se mbi 3 mijë aplikime për të kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian janë proceduar gjatë vitit të kaluar për shtetas nga Maqedonia e Veriut, përcjell albinfo.ch.

Referuar të dhënave të Eurostat të publikuara për periudhën janar-nëntor të vitit të kaluar lidhur me numrin e përgjithshëm të kërkesave për azil në vendet e BE-së, vihet re se Maqedonia pavarësisht një rënie sa i takon pikut të viteve më parë, vazhdon të regjistrojë shifrave shqetësuese. Që do të thotë se gjatë 11 muajve të kaluar mesatarisht në ditë kanë aplikuar 9 shtetas për azil në vendet e BE. Pas janarit, ku viti ka filluar me shufrën më të lartë të aplikimeve (535), rënia gjatë periudhës pranverë-verë ka ndryshuar duke e rritur numrin e aplikimeve sidomos në tetor.

Po të krahasosh të dhënat me kërkesat e shtetasve nga Maqedonia tetori është muaji i pikut më të madh në paraqitjen grafike mujore.

“Gjermania (16 820), Spanja (14 925), Italia (11 620) dhe Franca (11 345) vazhduan të marrin numrin më të madh të aplikantëve për herë të parë për azil, duke përbërë 73% të të gjithë aplikantëve për herë të parë në BE. Norma totale e BE-së e aplikantëve për azil për herë të parë në nëntor 2024 ishte 16.7 për njëqind mijë njerëz. Krahasuar me popullsinë e çdo vendi të BE-së (më 1 janar 2024), normat më të larta të aplikantëve për herë të parë u regjistruan në Greqi (79.5), përpara Qipros (42.4), Spanjës dhe Luksemburgut (30.7 secila)”, thuhet në publikimin e Eurostat.

Në nëntor 2024, 75.045 shtetas jo të BE-së aplikuan për herë të parë për azil në vendet e Bashkimit Evropian, duke shënuar një rënie prej 14% krahasuar me tetorin 2024 (86,920) dhe një rënie prej 31% krahasuar me nëntorin 2023 (108.895).

Gjithashtu, pati 6,430 aplikantë të mëparshëm, duke shënuar një rënie prej 14% krahasuar me tetorin 2024 (7,475) dhe një rënie prej 5% krahasuar me nëntorin 2023 (6,740). Në nëntor 2024, sirianët vazhduan të ishin grupi më i madh i personave që kërkuan azil, me 11,565 aplikantë për herë të parë, të ndjekur nga venezuelianët (7,210) dhe afganët (5,880).

Në total, 2820 të mitur të pashoqëruar aplikuan për herë të parë për azil në BE, shumica prej tyre nga Siria (860), Egjipti (395) dhe Afganistani (385). Vendi i BE-së që pranoi numrin më të lartë të kërkesave për azil nga të miturit e pashoqëruar ishte Gjermania (875), e ndjekur nga Greqia (525) dhe Spanja (320).

Përditësohen të dhënat e KQZ-së, LDK-së “i kthehet” ulësja nga PDK-ja

Përditësimi i fundit i rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga verifikimi i votave të subjekteve politike, sërish e ka ndryshuar ndarjen e ulëseve mes tyre në Kuvendin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Bazuar në rezultatet nga verifikimi i 96.05 për qind të vendvotimeve Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 40.90 për qind, PDK-ja në 22.29 për qind, LDK-ja 17.42 për qind dhe AAK-ja 7.42 për qind.

Me këtë rezultat të verifikimit të votave, del se LVV-ja do të vazhdojë të ketë 47 deputetë, PDK-ja do të ketë 25, një më pak se në përditësimin e fundit të bërë të enjten, LDK-ja një më shumë, që do të thotë se do të ketë 20 deputetë, ndërkaq AAK-ja do të vazhdojë të ketë 8 deputetë.

Belgjikë, megaoperacion kundër një organizate shqiptare, 200 policë në terren

Një operacion i madh ka nisur mëngjesin e djeshëm në lokacione të ndryshme në Belgjikë. Duket se në qendër të këtyre kërkimeve është një organizatë kriminale shqiptare, përcjell albimfo.ch.

Bëhet fjalë për trafikantë droge të specializuar në prodhimin dhe shitjen e marijuanës, por edhe në logjistikën e tregut të kokainës me shumicë.

Dje në mëngjes, rreth 200 policë kryen kontrolle në Molenbeek dhe Anderlecht në rajonin e Brukselit. Dhe më pas policia kreu gjithashtu kontrolle në provincën e Hainaut. Pra, ishte një operacion i gjerë kundër trafikut të drogës që u krye.

Prokuroria publike e Brukselit, e ngarkuar me hetimin, do të shpallë rezultatet e këtij operacioni në orët në vijim. Ky hetim ka nisur disa muaj më parë.

Nëse planifikoni të merrni një tren për në Itali këtë fundjavë – mos e bëni

Trena të shumtë qarkullojnë çdo ditë mes Zvicrës dhe Italisë, por disa nga këto shërbime mund të ndërpriten gjatë fundjavës.

Kjo për shkak se operatori hekurudhor shtetëror, Ferrovie dello Stato (FS), i cili përfshin Trenitalia dhe Trenord, si dhe kompaninë private Italo, planifikojnë të bëjnë grevë për 24 orë – nga ora 21:00 e së shtunës, 22 shkurt, deri në orën 21:00 të dielën, 23 shkurt.

 

Sondazh: Imazhi i Zvicrës jashtë vendit është shumë pozitiv

Në vitin 2024, të huajt “vazhduan ta shihnin Zvicrën në përgjithësi në një dritë shumë pozitive”, sipas një sondazhi të publikuar të enjten nga Presence Switzerland, një organizatë përgjegjëse për shpërndarjen e strategjisë së qeverisë jashtë vendit dhe monitorimin se si mediat e huaja e portretizojnë vendin.

Ai zbuloi se shumë të huaj “kanë një imazh pozitiv, por shpesh të klishe, të Zvicrës si një vend i begatë me peizazhe të bukura malore. Njerëzit gjithashtu e lidhin në mënyrë rutinore Zvicrën me produkte me cilësi të lartë si çokollata dhe orët.

Fusha specifike, si bankat zvicerane dhe neutraliteti, shihen gjithashtu pozitivisht.

Studimi gjithashtu vuri në dukje se sa më larg të jetë një vend i caktuar nga Zvicra, aq më shumë njerëz mendojnë atje për sa i përket stereotipeve dhe klisheve.

Perceptimet për Zvicrën në vendet fqinje, nga ana tjetër, shpesh janë më të nuancuara dhe qëndrimet disi më skeptike sesa në vendet më largëta. Për shembull, njerëzit në Gjermani dhe Austri shpesh e lidhin Zvicrën me çmime të larta,” raportoi Presence Switzerland.

Limaj nuk vuri ‘vija të kuqe’ për Albin Kurtin, reagon Haradinaj

Kandidati për kryeministër nga koalicioni parazgjedhor i AAK-së me Nismën Socialdemokrate dhe disa parti tjera, Ramush Haradinaj ka reaguar për herë të parë pas deklarimit të partnerit të tij të koalicionitnga Nisma, Fatmir Limaj, i cili nuk ka vënë vija të kuqe për koalicion të mundshëm paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), përcjell albinfo.ch. 

“E keqja ka emër – Albin Kurti”- ka shkruar Haradinaj shkurt në Facebook më 21.02.2025, i cili ndryshe prej Limajt deri më tani ka mbajtur qëndrimin që nuk bën assesi koalicion më LVV-në.

Shefi i NATO-s: stabiliteti në Kosovë, në interes të të gjithëve në aleancë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se stabiliteti në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi, është në interes të të gjithëve dhe nuk sheh arsye të besojë që mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në aleancën ushtarake perëndimore, përcjell albinfo.ch.

Ai këto komente i bëri gjatë qëndrimit në Bratisllavë të Sllovakisë, kur u pyet në një debat me student se a e sheh mundësinë e rifillimit të konfliktit në Kosovë, pasi ka pasur thashetheme se politika e re amerikane mund të çojë deri te largimi i tyre ushtarak.

“Më lejoni të jem krejtësisht i qartë, nga ajo çfarë unë po kuptoj nga sistemi amerikan është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave apo adaptime të vogla që mund të ndodhin. Sllovakët, holandezët dhe të tjerët po e bëjnë këtë. Por, nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike. Dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor duhet të jemi të sigurt që ne të mbajmë në fokus këtë rajon sepse stabiliteti në Kosovë, stabiliteti në Bosnje dhe stabiliteti në Serbi është në interesin e të gjithë neve”, u përgjigj Rutte.

Aksion i policisë në veri – mbyllen dy qendra ilegale

Policia e Kosovës ka nisur bastisjen e Qendrave për Punë Sociale të cilat dyshohet se kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë në katër komunat veriore të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani.

Elshani, theksoi se ky aksion është pjesë e hetimeve që lidhen me arrestimin e katër zyrtarëve të këtyre qendrave, të cilët janë arrestuar më 8 shkurt 2025, një ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Sipas tij, ata dyshohet se kanë thirrur qytetarë të ndryshëm dhe nën kërcënimin e tërheqjes së ndihmave sociale, i kanë udhëzuar se si të votojnë në favor të një partie të caktuar politike.

“Më 08 shkurt 2025 një dite para zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë, kishim arrestuar 4 persona (zyrtar të Qendrës për Pune Sociale në Zubin Potok) në lidhje me veprën ‘Cenim i përcaktuesve të votuesve’.

Në fakt këta zyrtar të qendrës për punë sociale e cila ishte në strukturë paralele/ilegale dyshohej se kanë thirr qytetarë të ndryshëm në telefon dhe nën formën e kërcënimit i kanë detyruar apo udhëzuar se si të votojnë duke i kushtëzu ndihmat sociale me votën e tyre në favor të një partie të caktuar politike e cila ishte në garë për zgjedhjet parlamentare në Kosovë”, ka thënë Elshani për telegraf.

E sipas tij, lidhur me punën e tyre hetimore e kanë njoftuar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë nga të cilët kanë kërkuar që të ju lejohet kontrolli i këtyre qendrave me qëllim të zbulimit të provave me të cilat do të vërtetohet saktë mënyra e veprimit të këtij aktiviteti të kundërligjshëm e që cilësohet si falsifikim i dokumenteve.

“Prokuroria Themelore në Mitrovice e ka aprovu kërkesën tonë dhe e ka dërgu kërkesën e vet për urdhër të kontrollit në Gjykatë gjë të cilën edhe e ka marrë dhe tani jemi në kontroll të këtyre qendrave me urdhër te Gjykatës. Pas kontrollit të këtyre vendeve ne do të njoftojmë prokurorin me të gjeturat e cila mandej do të vendos për hapat e mëtejmë. Deri më tani dy qendra janë mbyllur, e dy janë në proces”, ka thënë Elshani.

Shtohet numri i fluturimeve mes Tiranës dhe Vjenës

Aeroporti i Vjenës ka bërë të ditur se do të ketë fluturime të reja mes Vjenës dhe Tiranës, shkruan albinfo.at.

Agjencia e fluturimeve “Air Albania” me fluturimet e saj do të lidh kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën me Vjenën.

Vlen të theksohet se “Air Albania” do të kryej dy fluturime javore drejt Vjenës dhe anasjelltas.

Me këtë linj të re, Shqipëria po lulëzon si destinacion më shumë mundësi udhëtimi. /Albinfo.at

NATO mohon zërat për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Kosova

KFOR-i ka mohuar raportimet për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova. Në anën tjetër NATO ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara plotësisht në Aleancë me një rol kyç në misionin paqeruajtës në Kosovë. Njohësit e sigurisë vlerësojnë se për shkak të interesit strategjik, SHBA-ja do ta ketë të pamundur tërheqjen e ushtarëve të saj. Ndërkohë, institucioneve iu bëhet thirrje për angazhim më të madh në thellimin e bashkëpunimit me administratën Trump.

Në këtë kohë kur po raportohet në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare për mundësin e tërheqjen së ushtarëve Amerikan të KFOR-it nga Kosova, NATO përmes një ushtrimi në kampin Bonstel gjatë ditës ka treguar se KFOR-i është i bashkuar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.

“KFOR të udhëhequr nga #NATO, u bashkuan për një marshim në kampin Bondsteel, Kosovë. Trajnimi së bashku i mundëson KFOR-it të jetë më i fortë së bashku, duke punuar për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

Raportimet për tërheqjen e trupave ushtarake amerikane nga Kosova, i ka hedhur poshtë edhe KFOR-i.

“Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës, përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë dhe se parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s duhet të mbeten të fuqishme”.

Raportimet për tërheqjen e ushtarëve Amerikan të KFOR-it nga Kosovë u shtuan pas një shkrimi në gazetën gjermane “BILD” ku u tha se ekziston mundësia e tërheqjes së trupave amerikane nga KFOR-i. Për më tepër, Italia thuhet se po përgatitet për këtë skenar, duke qenë se është vendi me më së shumti trupa ushtarakë në Kosovë. Por, as presidenti Trump e as zyrtarët e tij nuk e kanë thënë një gjë të tillë. Presidenti Trump përmes një reagimi ka lënë të kuptohet se nëse arrihet një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, numri i ushtarëve Amerikan në Evropë mund të reduktohet.

Gjenerali në pension, Kadri Kastari, vlerëson se Ballkani Perëndimor sidomos Kosova vazhdon të jetë prioritet strategjik për SHBA-të. Sipas tij, nuk mund të flitet tani për tërheqjen e ushtarëve amerikan nga Kosova.

“Kjo është vetëm një supozim se do të hiqen trupat Amerikane sepse presidenti apo administrata Trump nuk ka thënë se nuk do ti largoj të gjitha trupat, por do ta reduktoj numrin e forcave Amerikane në Evropë. Duke pasur parasysh që Ballkani Perëndomor është në vijë me interesat gjeopolitike të SHBA-së dhe qëllimi i tyre është që Rusia të mos dominoj në këtë pjesë të Evropës, kështu që Bonsteel dhe Kosova do të jenë edhe më tutje interes i SHBA-së dhe nuk do ti tërheqin trupat nga Kosova”, tha Kastrati për rtv21.

Drejtori i Institutit të Kosovë për Siguri dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Florim Rullani, vlerëson se raportimet në mediat ndërkombëtare për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Kosova janë një sinjal për Qeverinë e Kosovës.

“Në realitet ne e pamë në gazetën “BILD” sigurisht është mesazh diplomatik përvec atij të sigurisë. Në aspektin e diplomatik është qortimi i thellë ndaj politikës së jashtme të Kosovës. Ndërsa, në aspektin e sigurisë nuk ka ndikim të madh sepse siguria dhe stabiliteti i Kosovës nga Këshilli i Sigurimit me rezolutën 1244 e cila është në fuqi”, tha Rullani për rtv21.

Gjeneral Kastrati dhe njohësi i sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare Florim Rullani presin nga Qeveria e re që të ketë qasje më bashkëpunuese me administratën Trump.

“Çka duhet të bëjë tash Qeveria në ardhje është se duhet ta ngrisin komunikimin në nivel më të lartë me SHBA-të duke e ngritur edhe bashkëpunimin. Unë mendoj se shumë më mençur kishte me qenë që 500 mijë euro që i kanë dhënë për një shtet sic është Palestina e cila nuk na ka njohur është që do t’ia kishin dhënë pjesës lobuese në SHBA dhe ta ngrisim bashkëpunimin me administratët Trump. Qeveria e ardhshme duhet ta ketë prioritet numër një bashkëpunimin me SHBA-në”, tha Kastrati.

“Politika e jashtme e Kosovës duhet të ketë një reflektim më substancial sepse politika e jashmte matet me rezultate konkrete. Në Qeverinë e kaluar ka pasur shumë udhëtime në SHBA por kjo demanton gjithë atë rezultat të paraqitur jo real në publikun e Kosovës”, tha Rullani.

Në një analizë të gazetës “Financial Times” thuhet se presidenti i Rusisë Putin dëshiron që trupat e NATO-s të tërhiqen nga ish-perandoria sovjetike. Zyrtarët evropianë besojnë se ka gjasa që Trumpi do të pajtohet për tërheqjen e trupave amerikane nga Baltiku dhe ndoshta edhe më në perëndim. Ndërsa, sipas të dhënave të gazetës gjermane “Bild”, bazat që tani për tani nuk janë në diskutim për tërheqjen e ushtarëve të KFOR-it Amerikan janë ajo e “Ramstein” të Gjermanisë dhe bazat e forcave ajrore në Britani

Fatmir Limaj: Edhe me Kurtin “do të bashkëpunoj”

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për mundësinë e hyrjes në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe partitë e tjera pas zgjedhjeve, përcjell albinfo.ch.

Limaj potencoi se Nisma dhe AAK-ja janë dy parti të ndara dhe se bashkëpunimi i tyre nuk është i domosdoshëm në çdo vendim politik.

“Duhet ta kuptojmë se ne jemi dy parti politike. Nuk e kemi të domosdoshme të votojmë njëjtë për çështje të ndryshme,” tha ai në Rtv Dukagjini.

I pyetur nëse ka pasur kontakte për ndonjë koalicion të mundshëm, Limaj tha se ende nuk ka pasur lëvizje konkrete nga partitë e mëdha.

“Ne jemi të vegjël, kanë punë njëherë të mëdhenjtë për koalicione,” deklaroi ai, duke kujtuar se edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova, me 46% të votave, kishte negociuar për bashkëpunime.

Ai shtoi se tashmë fushata ka përfunduar dhe partitë duhet të ulen në tavolinë për të diskutuar të ardhmen politike të vendit.

Deputetja serbe: Serbia është vend i errësirës mediatike, zgjedhjeve të vjedhura dhe institucioneve të kapur

Deputetja opozitare në Serbi i ka nisur një letër përfaqësuesve të OSBE/ODIHR-it duke u treguar realitetin e Serbisë dhe faktet mbi sjelljet e presidentit Vuçiq mbi qytetarët, mediat dhe aleancat me shtete autokrate si Bjellorusia.

Letra e plotë më poshtë:

Për Përfaqësuesit e OSBE/ODIHR

Ulvi Akhundlu dhe Raul Muresan

Të nderuar Zotërinj,

Mirë se vini në Serbi, një vend i errësirës mediatike, zgjedhjeve të vjedhura dhe institucioneve të kapur, duke u afruar çdo ditë më shumë me Bjellorusinë sesa me BE-në.

Tema e takimit që ju jeni ftuar ka të bëjë, siç thonë ata, për përpjekjet e vazhdueshme të aktorëve vendorë për t’iu përgjigjur rekomandimeve elektorale të ODIHR-it.

Megjithatë, ende nuk ka përparim apo përmirësim, asnjë përgjigje, sepse asnjë nga rekomandimet tuaja kryesore nuk është zbatuar. Qeveria ka injoruar detyrimet që dalin nga standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e ODIHR. Në vend të progresit, jemi dëshmitarë të vazhdimit të të njëjtave praktika, duke gërryer edhe më tej besimin e qytetarëve te zgjedhjet dhe institucionet.

Tani, ndërkohë që Serbia përballet me një krizë të rëndë politike dhe sociale, me një popullsi rebele të udhëhequr nga studentë që protestojnë për gati tre muaj në të gjithë vendin, duke kërkuar drejtësi dhe duke këmbëngulur që institucionet të bëjnë punën e tyre, dhe ndërsa opozita refuzon të marrë pjesë në zgjedhje të falsifikuara, qeveria po ju bën thirrje që t’i përsërisni rekomandimet tuaja edhe një herë.

Ne kishim një grup pune për përmirësimin e kushteve zgjedhore, i cili nuk arriti asgjë – asnjë propozim nuk u harmonizua dhe në fund u shkatërrua, pasi ishte thjesht një iluzion dhe manipulim që synonte t’i paraqiste publikut ndërkombëtar dhe të brendshëm se qeveria synon të përmirësojë kushtet zgjedhore.

Dështoi edhe përzgjedhja e anëtarëve të rinj të REM (Autoriteti Rregullator i Mediave Elektronike), pasi i gjithë procesi ishte i paligjshëm dhe opozita kërkon që të përsëritet. Të gjithë kandidatët e pavarur kanë tërhequr kandidaturat e tyre. Ndërkohë, nuk kemi asnjë REM funksional.

Hapësira mediatike mbetet e mbyllur dhe e njëanshme. Kanalet televizive të transmetuara në nivel kombëtar shërbejnë si mjete propagande për koalicionin qeverisës, ndërsa tabloidët synojnë këdo që mendon ndryshe. Në vend që të jetë zëri i të gjithë qytetarëve, transmetuesi publik RTS mbetet në shërbim të një partie të vetme politike.

Presidenti Vuçiq është shfaqur në televizionin kombëtar 352 herë në 365 ditët e fundit, ndërsa opozita ka pasur zero paraqitje.

Prandaj, unë ju pyes: kur do t’i shprehni qartë dhe me zë të lartë të gjitha këto, të cilat mund t’i shihni vetë? Dhe çfarë veprimesh do të ndërmerrni për të siguruar që rekomandimet kryesore të zbatohen pa vonesë? Pa këtë, raportet dhe rekomandimet tuaja mbeten thjesht fjalë në letër, ndërsa qeveria vazhdon të çmontojë demokracinë në Serbi.

Tatjana Pasic,

Anëtar i Komisionit për Çështje Kushtetuese dhe Legjislacion

Gjermani: Koncert nga Rona Nishliu për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ftoheni të merrni pjesë në koncertin e muzikës jazz me Rona Nishliu Quartet, përcjell albinfo.ch.

Rona Nishliu ka performuar në festivale prestigjioze, duke interpretuar me zërin e saj unik muzikën shqipe në Eurovision, si dhe në skena të tjera të ndryshme botërore.

Koncerti do të mbahet më datë 3 mars 2025 në Kesselhaus në Kulturbrauerei, Knaackstraße 97, 10435 Berlin, nga ora 19:00.

RSVP: Ju lutemi dërgoni konfirmimin e pjesëmarrjes deri më 28 shkurt 2025 në [email protected] (Luteni të konfirmoni emrat e shoqëruesve).Hyrja: falas

Dy artistët nga Kosova mirëpriten në Ambasadën e Kosovës në Gjermani

Ambasadori Afrim Ajeti pati kënaqësinë e veçantë të pres në Berlin, Arbër Salihun, artist, muzikant, këngëtar dhe kompozitor nga Prishtina, i njohur ndryshe me emrin e tij artistik „La Fazani“, si dhe artisten, shkrimtaren dhe psikologen Likana Cana, përcjell albinfo.ch.

Arbëri dhe Likana kanë fituar fondin nga Bashkimi Europian “Culture Moves Europe”, ku përmes tij kanë pasur mundësinë të qëndrojnë për një kohë të shkurtër në Berlin dhe të krijojnë kontakte me artistë të ndryshëm, si dhe të thellojnë bashkëpunimet për projekte të ndryshme ndërmjet Berlinit dhe Prishtinës.

Aktiviteti kryesor që ata janë duke e organizuar është ngjarja kulturore “Telepathy Tunnel”, një koncert me artistë të jashtëzakonshëm si Ereza Rezi, La Fazani, Agona Shporta, Arbëreshë, me performancë nga Jehonë Jahaj, si dhe artistë të tjerë që do të mbahet me 22 shkurt 2025 në Prachtwerk në Berlin.

“Jemi gjithashtu të lumtur që raftet e bibliotekës tonë u pasuruan edhe me veprën „This is a Mirror“ nga autorja Likana Cana, i cili tani e tutje mund të gjendet në shitje edhe në libraritë e qytetit në Berlin”, thuhet në postimin e Ambasadës.

Alarmi nga Instituti i Shëndetësisë në SHBA: Rastet e demencës pritet të dyfishohen

Rastet e demencës në Shtetet e Bashkuara pritet të dyfishohen nga tani deri në vitin 2060. Për qytetarët amerikanë mbi 55 vjeç, rreziku arrin në 42%, më shumë se dyfishi i vlerësuar më parë. Këto janë vlerësimnet e fundit të studimit të publikuara në “Nature Medicine”, që nëse rezultojnë të sakta do të përktheheshin në rreth gjysmë milioni raste të reja këtë vit, duke u rritur në një milion raste të reja në vit në vitin 2060, duke marrë parasysh plakjen progresive të popullsisë.

Analiza e re, e financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe e kryer nga disa institucione amerikane, si Universiteti Johns Hopkins, mori në konsideratë të dhënat e mbledhura nga Studimi Neurokognitiv i Rrezikut të Aterosklerozës në Komunitete (ARIC-NCS), i cili që nga viti 1987 ka monitoruar nga afër shëndetin vaskular dhe njohës të afro 16,000 pjesëmarrësve ndërsa plaken. Asnjë projekt tjetër nuk ka ndjekur shëndetin kardiovaskular të një grupi pacientësh afrikano-amerikanë për një periudhë kaq të gjatë kohore.

Nga viti 1987 deri në vitin 2020 kishte 3,252 pjesëmarrës që zhvilluan demencë. Rreziku për ata mbi 55 vjeç që të pësojnë këtë formë të përkeqësimit kognitiv ishte 42% (një rrezik mesatar midis 35% për burrat dhe 48% rrezik për gratë, të cilat janë më të prirura për të zhvilluar demencë, sepse jetojnë më gjatë). Shanset për të pasur demencë janë edhe më të larta për njerëzit afrikano-amerikanë dhe për ata me variantin gjenetik APOE4, i cili shoqërohet me një rrezik më të madh të sëmundjes së Alzheimerit, përcjell A2 CNN.

Studimet e kaluara kanë nënvlerësuar rrezikun e demencës për shkak të dokumentimit të dobët të sëmundjes në certifikatat shëndetësore dhe mbikëqyrjes së dobët të fazave të hershme të sëmundjes, veçanërisht në pakicat etnike, të cilët janë gjithashtu më të prekshëm nga kjo sëmundje për shkak të faktorëve socio-ekonomikë.

Rritja e numrit të rasteve të vlerësuara nga tani deri në vitin 2060 i atribuohet plakjes së popullsisë, 58 milionë amerikanë janë mbi 65 vjeç, por edhe faktorëve gjenetikë, prevalencës së lartë të hipertensionit, diabetit, obezitetit, dietës së pashëndetshme, mungesës së ushtrimeve dhe neglizhimit të shëndetit mendor.

 

Pse nuk duhet konsumuar çokolata para gjumit?

Nëse keni probleme me gjumin, mund të jetë si shkak i një ushqimi të cilin mund ta keni ngrënë para gjumit, që përmban kafeinë.

Kafeina është një stimulues që gjendet në kafe, çaj dhe pije energjike, i njohur për aftësinë e saj për të na mbajtur vigjilentë duke stimuluar trurin dhe sistemin nervor.

Autoritetet shëndetësore britanike rekomandojnë shmangien e stimuluesve të tillë të paktën dy orë para gjumit për shkak të efekteve të tyre që nxisin zgjimin.

Megjithatë, pasi kafeina mund të qëndrojë në trup deri në pesë orë, mund të jetë e mençur ta shmangni atë shumë përpara se të planifikoni të flini.

Ndërsa largimi nga pijet me kafeinë si çaji ose kafeja para gjumit është e thjeshtë, është gjithashtu e rëndësishme të shmangni ushqimet që përmbajnë kafeinë, njëra ndër to është çokollata.

Ky ‘snack’ është i pranishëm në shumë ushqime dhe pije, kështu që rishikojeni atë. Llojet e ndryshme të çokollatës përmbajnë nivele të ndryshme të kafeinës.

Çokollata e zezë ka më së shumti, me 43 miligram për 100 gram, e ndjekur nga çokollata me qumësht me 20 miligram për 100 gram, ndërsa çokollata e bardhë nuk përmban kafeinë. Për ta parë këtë në perspektivë, një filxhan kafe mesatarisht përmban më shumë se 94 gram kafeinë.

Por kafeina nuk është i vetmi përbërës në çokollatë që mund të prishë gjumin tuaj.

Teobromina, një stimulues tjetër që gjendet në çokollatën e zezë që i jep asaj shijen e hidhur të veçantë, mund të kontribuojë gjithashtu në pagjumësinë së bashku me kafeinën. Çokollata e zezë, e cila përmban më shumë lëndë të ngurta kakao, ka përmbajtjen më të lartë të teobrominës, ndërsa çokollata e qumështit ka më pak dhe çokollata e bardhë aspak.