Qeveria zvicerane paralajmëron shoferët dhe këmbësorët për rrugët e rrëshqitshme sot

Pas reshjeve të dëborës dhe temperaturave nën zero gjatë natës, pjesë të mëdha të Zvicrës janë përballur të enjten në mëngjes me rrugë të akullta, duke rritur rrezikun për aksidente dhe rrëshqitje, përcjell albinfo.ch.

Shërbimi meteorologjik i qeverisë zvicerane, MeteoSchweiz, ka lëshuar paralajmërime për drejtuesit e automjeteve, duke i këshilluar ata që të përshtatin shpejtësinë dhe stilin e drejtimit sipas kushteve të vështira të rrugës. Autoritetet theksojnë se akulli i padukshëm në disa segmente rrugore paraqet rrezik të lartë, veçanërisht në orët e para të mëngjesit.

Paralajmërimi nuk vlen vetëm për shoferët. Edhe këmbësorët janë këshilluar të tregojnë kujdes të shtuar, për shkak të rrezikut në rritje të rrëshqitjes dhe rrëzimit në trotuare dhe zona publike të mbuluara nga akulli.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare të MeteoSchweiz dhe të marrin masa parandaluese deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Albin Kurti i kalon 400 mijë vota në zgjedhjet e 25 dhjetorit

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shënuar një rekord të ri personal në zgjedhjet e mbajtura më 25 dhjetor, duke u bërë sërish lideri më i votuar në vend, përcjell albinfo.ch.

Sipas numërimit të 99.82 për qind të votave për deputetë, Kurti ka marrë gjithsej 400 mijë e 189 vota, duke tejkaluar rezultatin e tij nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, kur kishte fituar 337.791 vota.

Me këtë rezultat, ai ka thelluar epërsinë ndaj rekordit të mëhershëm të presidentes Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e kaluara kishte marrë 300.756 vota.

Në zgjedhjet e 25 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forcë fituese, duke siguruar 50.97 për qind të votave në nivel vendi.

“Votat e diasporës ndihmuan në rritjen e Kurtit”

Ekspertja e njohur gjermane për Ballkanin, Johanna Deimel ka analizuar për DW rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë dhe shpjegoi ato që i konsideron si arsyet kyçe të triumfit të VV dhe Albin Kurtit, transmeton albinfo.ch.

“Së pari, bllokimi politik prej muajsh që nga zgjedhjet e shkurtit 2025 u përshkallëzua në një krizë ekzistenciale. Nuk u miratua asnjë buxhet për vitin 2026, legjislacioni u ngri, fondet e BE-së dhe Bankës Botërore nuk u shpërndanë, pozicionet kyçe drejtuese mbetën të pazëna dhe institucionet shtetërore u paralizuan. Ishte një votë për funksionimin e shtetit ajo që mund të ketë kontribuar në fitoren e Albin Kurtit. Së dyti, pavarësisht krizës politike, Kosova siguroi katër njohje vitin e kaluar (nga Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamas), dhe qeveria e Albin Kurtit publikoi të dhëna relativisht të forta ekonomike për vitin 2024, me një rritje prej 4.4 përqind… Sipas Eurobarometrit, SHBA-ja mbetet partneri më i rëndësishëm i Kosovës. Ndaj pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA-të ishte shokues. Megjithatë, pak para zgjedhjeve, Shtetet e Bashkuara e kthyen vëmendjen nga Kosova dhe Serbia me “National Defense Authorization Act”. Kjo ishte me rëndësi”, shprehet ekspertja për Ballkanin.

Vota e diasporës, u konsiderua hapur se e përforcoi këtë fitore.

“Vërtet që diaspora ka shumë peshë në vend. Sipas Bankës Botërore, afërsisht 700.000 kosovarë jetojnë jashtë vendit. Vetëm remitancat e tyre, që arrijnë në 1.2 miliardë euro, përfaqësojnë 12.7 përqind të PBB-së. Albin Kurti llogariti me votat e tyre kur caktoi strategjikisht zgjedhjet më 28 dhjetor, kohën e festave. Megjithatë, sipas rezultateve paraprake që janë tani në dispozicion, VV e arriti performancën e saj të fortë edhe pa diasporën. Ata që jetojnë jashtë vendit janë kryesisht kosovarë të rinj.. të cilët me sa duket kanë më pak lidhje me luftën për pavarësi dhe luftën e vitit 1999. Për ta, LDK, PDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), strukturat dhe personeli i të cilave janë ende shumë të rrënjosura në atë epokë, ka të ngjarë të mos jenë më opsione”.

Deimel nënvizon më tej se sa të rëndësishme i shikon zgjedhjet për presidentin në muajin mars.

“Një dështim i zgjedhjeve presidenciale do të ishte fatale në disa aspekte: sepse do të duheshin zgjedhje të reja dhe kriza politike do ta çonte Kosovën më tej drejt greminës. Vetëm këto do të mjaftonin. Por nëse nuk as ka buxhet për vitin 2026 deri atëherë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thjesht nuk do të kishte më fonde për të organizuar zgjedhje të reja…”.

Siguruesit shëndetësorë përgatiten për kosto masive nga zjarri

Siguruesit shëndetësorë po përgatiten për kosto të mëdha pas zjarrit vdekjeprurës të natës së Vitit të Ri në një bar në Crans-Montana.

Siguruesi i aksidenteve në Zvicër, Suva, thotë se trajtimi i një viktime të vetme me djegie të rëndë mund të kushtojë deri në një milion franga vetëm në vitin e parë, me kujdes afatgjatë që shpesh kërkohet për gjithë jetën, transmeton albinfo.ch.

Me 83 persona ende të shtruar në spital, kostot totale mund të kalojnë 130 milionë franga zvicerane.

Përveç kësaj, prindërit e fëmijëve nën 18 vjeç të plagosur rëndë lejohen të marrin leje pune, ndërsa mungesa e të ardhurave mbulohet nga sigurimi.

Suva thotë se do të kërkojë rimbursim pasi të jetë përcaktuar përgjegjësia penale.

Kaos në aeroportet evropiane për shkak të borës dhe temperaturave të ulëta

Borë, akull dhe të ftohta ekstreme po shkaktojnë probleme serioze në aeroportet dhe transportin publik në Evropë këtë javë, përcjell albinfo.ch.

Në Amsterdam, aeroporti Schiphol, një nga më të mëdhenjtë në kontinent, ka anuluar të paktën 700 fluturime, ndërsa më shumë se 1,000 udhëtarë e kaluan natën aty. Aeroporti ka vendosur shtretër kampingu dhe ka ofruar mëngjes për udhëtarët e detyruar të qëndrojnë në vend, ndërsa numri i anulimeve pritet të rritet gjatë ditës.

Edhe në Paris, rreth 100 fluturime janë anuluar në aeroportin Charles de Gaulle dhe 40 të tjera në Orly për shkak të borës dhe temperaturave të ulëta. Për rrugë të akullta, shërbimet publike të autobusëve janë pezulluar, megjithëse shumica e linjave të metrosë dhe rrugëve hekurudhore periferike po funksionojnë normalisht.

Mot i keq i ka shkaktuar kaos në disa pjesë të Evropës, ku deri tani gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e kushteve ekstreme.

Për shkak të motit, anulohen garat e Kupës Evropiane në Lauberhorn

Asnjë garë e Kupës Evropiane nuk do të zhvillohet këtë fundjavë në Wengen, për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike. Sipas portalit skinews.ch, Federata Ndërkombëtare e Skive (FIS) ka vendosur të anulojë dy garat e planifikuara, bazuar në parashikimet e këqija të motit, përcjell albinfo.ch.

Fillimisht, për të premten dhe të shtunën ishin planifikuar dy gara Super-G për meshkuj, të cilat do të shërbenin si hapje e javës tradicionale të garave në Lauberhorn. Megjithatë, kushtet atmosferike nuk e kanë lejuar zhvillimin e tyre.

Edhe vitin e kaluar, garat e Kupës Evropiane në Wengen u anuluan për arsye të ngjashme, për shkak të motit të pafavorshëm.

Ndërkohë, garat e shumëpritura të Kupës së Botës në Wengen janë planifikuar të zhvillohen nga 16 deri më 18 janar. Sipas informacioneve aktuale, nuk ka sinjale që këto gara të jenë në rrezik dhe organizatorët mbeten optimistë për zhvillimin e tyre sipas planit.

Pikat kufitare: Pritje jo më të gjata se 20 minuta për të dalë nga Kosova

Qendra Kombëtar për Menaxhim Kufitar, i ka publikuar të dhënat më të reja në pikat kufitare.

Sipas përditësimit të fundit, pritjet për të dalë nga Kosova nuk janë më të gjata se 20 minuta, konkretisht në Merdarë, 15 minuta pritje në pikën Dheu i Bardhë.

Derisa në pikat tjera, pritjet nuk shkojnë më shumë se 5 minuta.

E gjithashtu, edhe për të hyrë në Kosovë, pritjet s’janë më shumë se 5 minuta./Albinfo.ch

Analiza e 2,500 studimeve: Kanabisi mjekësor ka përfitime të kufizuara dhe rreziqe të konsiderueshme

Një studim i gjerë i bazuar në mbi 2,500 hulumtime të botuara midis 2010 dhe 2025 tregon se kanabisi mjekësor ka efekte terapeutike të kufizuara dhe rreziqe të dukshme shëndetësore. Sipas analizës, ai është efektiv kryesisht për disa përdorime të njohura nga FDA, si lehtësimi i të përzierave dhe të vjellave nga kimioterapia, stimulimi i oreksit tek pacientët me HIV dhe trajtimi i disa çrregullimeve të rënda epileptike tek fëmijët.

Për gjendje të tjera, përfitimet nuk janë të provuara mirë, ndërsa përdorimi i shpeshtë mund të lidhet me probleme serioze shëndetësore, si simptoma psikotike, ankth i përgjithshëm dhe çrregullime kardiovaskulare. Hulumtuesit nënvizojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar më mirë efektet e kanabisit mjekësor dhe rreziqet e tij.

Blerjet online mbushin trotuaret me karton në Cyrih

Në Cyrih, trotuaret shpesh mbushen me kuti kartoni. Deri më tani, ato mblidheshin çdo dy javë, por që nga 1 janari, qyteti ka kaluar në mbledhje javore. Arsyeja: rritja e blerjeve online, e cila ka sjellë një shtim të madh të sasisë së kartonit që hidhet nga familjet në Cyrih.

Qëllimi është dyfishtë: të parandalohen grumbullimet e kartonit në apartamente dhe të shmanget rrëmujimi në trotuare apo shpërndarja e tij në rrugë ditëve të mbledhjes.

“Më parë, kartoni mblidhej çdo katër javë. Që nga viti 2021, sasia është rritur ndjeshëm. Mendonim se ishte një efekt i përkohshëm i lidhur me Covid-19, por kjo tendencë vazhdoi,” shpjegon Tobias Nussbaum, zëdhënës i Shërbimit Komunal të Mbledhjes dhe Riciklimit të Mbeturinave, në programin e lajmeve të RTS-së.

Rreth 10,000 tonë

Sot, Cyrihu mbledh dy herë më shumë karton sesa dhjetë vjet më parë: rreth 10,000 tonë në vit, krahasuar me 5,000 më parë. “Derisa në 2018 sasia mbeti relativisht konstante, nga 2019 kemi parë një rritje të vazhdueshme, me një kulm në 2021. Që atëherë, sasia është stabilizuar, por me një rritje të lehtë,” shpjegon Tobias Nussbaum.

Sipas qytetit, nuk ka shenja të uljes së sasisë. “Parashikojmë që sasia të vazhdojë të rritet. Zakonet e konsumit kanë ndryshuar dhe këto volumë i shohim çdo javë në terren.”

Gjashtë punonjës të rinj

Për të siguruar këto rrugë të reja javore të mbledhjes, janë punësuar gjashtë persona me kohë të plotë. Një pjesë e kostove mbulohet nga të ardhurat e riciklimit, që gjithashtu po rriten, ndërsa pjesa tjetër do të financohet nga taksat bazë të mbeturinave. “Të ardhurat nuk janë ende të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha kostot,” pranoi zëdhënësi.

Në Cyrih, riciklimi merret shumë seriozisht. Letra dhe kartoni kanë ditët e tyre të veçanta të mbledhjes, dhe një aplikacion mobil, i mbështetur nga njoftime me email, ndihmon banorët të ndjekin të dhënat. Por, duhet të ndiqen rregullat: kartoni duhet të paloset dhe letra të lidhet mirë. Përndryshe, rrezikon të lihet në trotuar.

Çmimet e karburanteve në nivelin më të ulët për gati pesë vjet

Çmimet e karburanteve nuk kanë qenë kaq të ulëta për gati pesë vjet. Në disa vende, një litër benzinë pa plumb 95 kushton më pak se 1.50 franga. Megjithatë, situata globale gjeopolitike e bën të pasigurt rrjedhën e ardhshme të tyre, transmeton albinfo.ch.

Çmimi i karburanteve kishte shënuar një rritje të madhe në pranverën e vitit 2022, si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, i cili shkaktoi rritje drastike të çmimeve të naftës. Një litër benzinë “pa plumb 95” atëherë kishte arritur në 2.25 franga.

Që atëherë, tendenca ka qenë rënëse.

“Arsyeja kryesore për çmimet e ulëta është zhvillimi i çmimit të naftës bruto, pra çmimi për fuçi në tregun botëror,” shpjegon Martin Stucky, zëdhënës i Avenergy Switzerland, shoqatës së importuesve të karburanteve. “Ekziston një korrelacion i qartë midis çmimit të blerjes së një produkti dhe çmimit të tij të shitjes. Nëse blini një fuçi me 120 dollarë, çmimi i karburantit do të jetë 1.80–1.90 franga për litër. Ndërsa nëse blini me 60 dollarë, një litër benzinë do të shitet për 1.50–1.60 franga.”

Çmimi i naftës varet shumë nga situata gjeopolitike ndërkombëtare.

Pasiguri për zhvillimet e muajve të ardhshëm

Me tensionet aktuale, veçanërisht rreth Venezuelës, e cila ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, zhvillimi i çmimeve të karburanteve në Zvicër për muajt e ardhshëm mbetet i pasigurt.

“Është e pamundur të parashikosh diçka,” thotë Martin Stucky. “Çmimi është jashtëzakonisht i paqëndrueshëm për shkak të tensioneve gjeopolitike që përjetojmë çdo ditë. E vetmja gjë që mund të them është se njerëzimi absolutisht nuk dëshiron çmime të larta energjie. Dhe nuk ka asnjë arsye që çmimi të rritet papritur.”

Eksperti thekson gjithashtu se furnizimi global i naftës është i qëndrueshëm: “Ai plotësohet pa problem nga këto 73 vende prodhuese.”

Një moment nostalgjie: në fillim të vitit 1993, një litër karburant kushtonte… më pak se një frangë: 96 cent për të qenë të saktë.

Chair Airline nis fluturimet direkte Vlorë-Cyrih

Kompania ajrore “Chair Airline” do të jetë linja e parë që nis operimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës. Sipas njoftimit zyrtar, fluturimet direkte Vlorë-Cyrih do të nisin më 26 qershor 2026 dhe do të operohen dy herë në javë deri më 23 tetor 2026.

Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt funksionalizimit të plotë të aeroportit dhe forcimit të lidhjeve ajrore ndërkombëtare, sidomos me Zvicrën, një treg kyç për turizmin dhe vizitat familjare.

Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, Valon Lluka, u shpreh se ky bashkëpunim shënon një etapë të re për aeroportin dhe zhvillimin e rajonit. Ai shtoi se aeroporti synon të ofrojë shërbime cilësore dhe një eksperiencë bashkëkohore udhëtimi, ndërsa linja e re pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Biletat për fluturimet Vlorë-Cyrih janë tashmë të hapura për rezervim, ndërsa aeroporti përgatitet të mirëpresë pasagjerët e parë. Më 8 maj 2025 u realizua fluturimi i parë certifikues në këtë aeroport.

Ndërkohë, punimet për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës vazhdojnë, me fokus krijimin e një infrastrukture moderne dhe të qëndrueshme, sipas standardeve ndërkombëtare, që do të shërbejë si një portë e re hyrëse për rivierën shqiptare.

Si do të ndryshojë Kuvendi i Kosovës

Teksa numërimi i votave me postë dhe me kusht po vazhdon në Kosovë, sipas rezultateve të deritanishme ka ndryshuar ndarja e vendeve që partitë kanë fituar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në bazë të votave të numëruara deri në orën 15:30 të 6 janarit, Lëvizja Vetëvendosje pritet të ketë 57 deputetë në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës, që ka 120 vende.

Votat me postë dhe ato me kusht duket se ia kanë siguruar edhe një deputet LVV-së të Albin Kurtit, që i fitoi bindshëm zgjedhjet e parakohshme duke marrë mbi 50 për qind të votave, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

Partia Demokratike e Kosovës e Bedri Hamzës, pritet të ketë 23 deputetë, aq sa siguroi me votat e rregullta.

Me rezultatet aktuale, Lidhja Demokratike e Kosovës e Lumir Abdixhikut duket se ka humbur një deputet, pasi parashihet që të ketë 14 deputetë – nga 15 sa kishte pas numërimit të votave të rregullta.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt mbetet në numrin e njëjtë të deputetëve, përkatësisht me gjashtë.

Ndërkaq, Lista Serbe – partia e serbëve të Kosovës që është e afërt me Beogradin – pritet të ketë nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se pret që të shpallë rezultatet përfundimtare më herët seç kishte planifikuar, përkatësisht para 19 janarit.

Pas përfundimit të numërimit të votave me kusht dhe postë, pritet të numërohen edhe ato të personave me nevoja të veçanta. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën pjesë rreth 45 për qind të gati 2 milionë qytetarëve me të drejtë vote.

Vërshimet, reagon Presidentja e Kosovës: Situata kërkon kujdes maksimal

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se situata e krijuar nga vërshimet nëpër vend kërkon kujdes maksimal.

Ajo ka shprehur mirënjohje për institucionet e qytetarët për reagimin e shpejt, derisa ka thënë se gjatë ditës ka komunikuar me kryetarët e komunave të prekura.

Osmani ka theksuar se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po punon pareshtur bashkë me organet e rendit, ndërsa ka shtuar se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gatishmëri të plotë të ofrojë mbështetje nëse paraqitet nevoja, transmeton albinfo.ch.

“Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente. Bashkëpunimi i ngushtë dhe reagimi profesional mbeten vendimtare për përballimin me sukses të kësaj situate”, ka shkruar ajo në Facebook.

Vendet me gjendjen më të rëndë pas vërshimeve në Kosovë

Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës.

Në kryeqytet disa rrugë janë mbushur me ujë duke e bërë të vështirë qarkullimin e automjeteve.

Në Skenderaj, kryetari i Komunës, Sami Lushtaku ka shkruar se reshjet e natës së mbrëmshme të cilat po vazhdojnë edhe sot kanë sjellë vërshime në disa zona, duke shkaktuar vështirësi për një numër familjesh.

“Ekipet emergjente të zjarrfikësve që nga mesnata janë të angazhuara në terren dhe po përcjellin situatën me kujdes të shtuar. Në bashkëpunim me të gjitha ekipet e emergjencave në kuadër të komunës, do të vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve për tu përballur së bashku me këtë situate”, ka shkruar ai në Facebook, transmeton albinfo.ch.

Edhe në Malishevë për shkak të reshjeve të dendura është vërshuar parkingu nëntokësor, pak ditë pas përurimit të tij.

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar se, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, reshjet pritet të vazhdojnë dhe si pasojë mund të ketë vështirësi në qarkullimin rrugor, mbingarkesë të kanalizimit dhe ujërave atmosferike, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime dhe rrezik për rrëshqitje lokale të dheut në zona të ndjeshme.

“Apelojmë te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të shmangin zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo situatë që paraqet rrezik për sigurinë publike. Institucionet përkatëse të Kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në njoftim të Komunës.

Edhe Komuna e Drenasit ka njoftuar për vërshime në shumë segmente rrugore.

“Sipas informacioneve nga terreni, rruga Drenas–Grabovc, zona e Çiktovës së Vjetër, Qendra zejtare në Drenas si dhe qendra e Komoranit janë prekur më së shumti nga vërshimet e shkaktuara nga sasia e madhe e reshjeve. Qytetarët raportojnë edhe për zona të tjera në Komunën e Drenasit si të prekura nga vërshimet”, thuhet në njoftim teksa është përmendur se komuna i ka paralajmëruar qytetarët që të mos prekin rrjedhat e natyrshme të ujit nga ndërtimet apo mbulimin e kanaleve. “Për ndërhyrjet e paligjshme të cilat kanë bllokuar këto rrjedha të natyrshme të ujit, zyrtarët do të ndërmarrin masa për t’i tejkaluar ato si dhe veprimet ligjore ndaj shkaktarëve të këtyre ndërhyrjeve me pasojë për pronën private dhe publike”.

Kjo komunë ka apeluar për kujdes të shtuar e që qytetarët të zgjedhin rrugë dhe zona alternative ku të munden.

Në anën tjetër, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se nga datat 3-5 janar, në pjesën perëndimore të Kosovës, janë regjistruar reshje të konsiderueshme të shiut, të cilat kanë ndikuar dukshëm në rritjen e niveleve dhe prurjeve të ujit.

Tutje ka njoftuar se kryesisht bëhet fjalë për lumenjtë që rrjedhin nga Alpet Shqiptare dhe si pasojë, mund të kenë dalë nga shtretërit e tyre.

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se janë në gjendje gatishmërie për të menaxhuar vërshimet nga reshjet e shiut.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se janë në terren dhe po ndërhyjnë për  të përmirësuar kushtet e qarkullimit.

 

Votat e diasporës i sigurojnë VV-së edhe një mandat, PDK humb një deputet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e 92 kutive të votimit me postë, rreth 26,500 vota, të cilat tashmë janë përfshirë në rezultatin kumulativ. Këto vota kanë ndihmuar Lëvizjen Vetëvendosje të sigurojë një mandat shtesë, duke e çuar numrin e deputetëve në 57, ndërsa PDK ka humbur një, duke zbritur në 22.

Sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, mandati i 57-të i VV-së është fituar me diferencë minimale, rreth 160 vota më shumë se PDK-ja në nivel kombëtar. Ky rezultat është kryesisht për shkak të performancës së lartë të VV-së në votat me postë (rreth 72%) dhe performancës më të dobët të LDK-së në të njëjtat vota, krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, transmeton albinfo.ch.

Ai shton se me rreth 20,000 vota të tjera me postë dhe rreth 10,000 vota me kusht ende për t’u numëruar, ndryshimet në shpërndarjen e mandateve janë të mundshme vetëm nëse këto vota devijojnë ndjeshëm nga trendet aktuale. Nëse jo, shpërndarja pritet të mbetet 57-22-15-6

Votat me postë: VV prin bimdshëm

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave me postë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Nga 92 vendvotime të procesuar (100% e totalit), partitë kanë marrë sa vijon:

Lëvizja VETËVENDOSJE! – 72.20% ose 19,344 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 10.15% ose 2,720 vota

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 9.56% ose 2,560 vota

AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 3.90% ose 1,045 vota

Numërimi i votave me postë përfshiu mbi 27,000 fletëvotime të pranuara para Vitit të Ri nga kutitë postare në Bernë dhe Berlin. Për më tepër, rreth 20,000 pako të tjera me fletëvotime janë tërhequr nga kutitë postare jashtë Kosovës më 2 dhe 5 janar, nga qytete si Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera, Kopenhagë, Tiranë, Vjenë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë. Këto vota pritet të numërohen gjatë ditëve në vijim, transmeton albinfo.ch.

Përveç votave me postë, Komisioni ka filluar edhe numërimin e votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht në 38 komuna, janë evidentuar mbi 9,900 votues me kusht dhe 2,860 votues me nevoja të veçanta.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se numërimi i të gjitha votave, përfshirë edhe votat që mbeten nga jashtë vendit dhe të personave me nevoja të veçanta, pritet të përfundojë gjatë kësaj jave.

Substancë toksike në produktet Beba detyron Nestlé të bëjë një tërheqje të madhe

Kompania ushqimore Nestlé ka nisur një nga tërheqjet më të mëdha të produkteve në historinë e saj, duke tërhequr nga tregu sasi të caktuara qumështi pluhur për foshnja në disa vende. Arsyeja është dyshimi për praninë e një substance toksike.

Produktet e prekura i përkasin markave Beba dhe Alfamino, të cilat shiten në disa shtete, përfshirë Zvicrën, Gjermaninë dhe Austrinë. Nestlé u ka bërë thirrje prindërve që të ndalojnë menjëherë përdorimin e produkteve nga seritë e prekura dhe t’i kthejnë ato në pikat e shitjes.

Sipas kompanisë, kjo tërheqje po bëhet si masë paraprake. Deri më tani nuk është raportuar asnjë rast sëmundjeje i lidhur me konsumimin e këtyre produkteve.

Cilët produkte janë të prekur

Tërheqja përfshin kryesisht markën Beba, por edhe produkte speciale si Alfamino. Nestlé ka publikuar njoftime zyrtare në vendet e prekura, së bashku me listat e serive (batch-eve) që duhet të kthehen.

Një zëdhënës i kompanisë i tha agjencisë së lajmeve AWP se tërheqja pason testime të gjera të kryera në disa objekte të Nestlé, pa specifikuar se për cilat njësi bëhet fjalë.

Dy mostra të kontaminuara u zbuluan në Austri

Sipas autoriteteve austriake, më shumë se 800 produkte, të prodhuara në mbi dhjetë fabrika në mbarë botën, janë prekur nga kjo masë. Shkaku lidhet me një defekt teknik gjatë procesit të pastrimit në një nga objektet e një furnizuesi, çka ka çuar në ndotjen e një vaji të përdorur si përbërës.

Substanca e zbuluar quhet cereulide, një toksinë rezistente ndaj nxehtësisë, e cila mund të shkaktojë të përziera dhe të vjella, por nuk shumohen më tej brenda produktit. Autoritetet shëndetësore në Austri theksuan se, për shkak të përqendrimeve shumë të ulëta, nuk ekziston rrezik për shëndetin.

Nestlé e cilësoi praninë e cereulides në vajra si jashtëzakonisht të pazakontë dhe njoftoi se po bashkëpunon ngushtë me furnizuesin për të kryer një analizë të plotë të shkakut.

Masa për sigurimin e furnizimit

Si reagim, Nestlé ka vendosur të kalojë përkohësisht te furnizues alternativë dhe po rrit kapacitetet e prodhimit në disa fabrika për të garantuar furnizimin e tregut. Kompania kishte kryer edhe një tërheqje diskrete gjatë festave të fundvitit, duke larguar produktet e prekura nga raftet.

Analistët: Rrezik i ulët për kompaninë

Reagimet e para nga analistët tregojnë se incidenti nuk konsiderohet serioz për Nestlé. Banka Helvetische vlerëson se përmasat e tërheqjes lidhen kryesisht me strukturën globale të prodhimit dhe shpërndarjes së kompanisë, dhe jo me nivelin e rrezikut real.

Në përgjithësi, rasti shihet si i menaxhueshëm nga pikëpamja operative, rregullatore dhe reputacionale.

Qeveria zvicerane ngrin asetet e lidhura me Maduron e Venezuelës

Çdo pasuri në Zvicër që i përket kreut të shtetit venezuelian Nicolás Maduro, i cili është arrestuar nga Shtetet e Bashkuara, do të ngrihet me efekt të menjëhershëm si një masë paraprake. Kjo u vendos nga qeveria zvicerane të hënën.

Sipas një deklarate nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA), qeveria zvicerane dëshiron të sigurojë që asnjë pasuri që i përket Maduros dhe personave të tjerë të afërt me të nuk mund të dalë jashtë vendit. Anëtarët e qeverisë aktuale të Venezuelës nuk preken nga ngrirja, shtoi ajo.

Ngrirja është një shtesë ndaj sanksioneve kundër Venezuelës që kanë qenë në fuqi që nga viti 2018. Këto tashmë përfshinin ngrirje të pasurive. Sipas FDFA-së, ngrirjet e reja synojnë njerëzit që ende nuk janë sanksionuar në Zvicër.

Baza për këtë hap është Akti për Ngrirjen dhe Kthimin e Pasurive të Paligjshme të mbajtura nga Personat e Huaj Politikisht të Ekspozuar (FIAA). Sipas FDFA-së, arsyet për humbjen e pushtetit nuk janë vendimtare për një ngrirje të tillë. Gjithashtu nuk është vendimtare nëse humbja e pushtetit është shkaktuar në mënyrë të ligjshme apo në shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Faktori vendimtar për këtë hap është fakti që ka ndodhur një humbje e pushtetit, transmeton albinfo.ch. Kjo do të thotë se tani është e mundur që vendi i origjinës të fillojë procedurat e ndihmës ligjore në lidhje me pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme në të ardhmen.

Ngrirja duhet t’i bëjë të mundura procedurat e tilla në të ardhmen. Dhe nëse vërtetohet se pasuritë janë fituar në mënyrë të paligjshme, Zvicra synon t’i vërë ato në dispozicion të popullit të Venezuelës, shkroi FDFA.

Shtrenjtohet uji, KRU “Prishtina” publikon tarifat e reja

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka publikuar tarifat e reja për periudhën 2026-2028.

Bëhet e ditur se këto tarifa hyjnë në fuqi nga ky muaj.

Tarifa për shërbime të ujësjellësit për konsumatorët shtëpiakë, është 0.63 euro për metër kub, që është rritje prej 40 % krahasuar me tarifat e kaluara. Ndërsa tarifa për shërbimet e ujërave të ndotur është 0.12 euro për metër kub, që është një rritje afro 60% për qind për dallim nga tarifat e kaluara.

Për konsumatorët komercial dhe institucional tarifa e re është 0.82 euro për metër kub krahasuar me 0.62 sa ishte në tarifat e kaluara, sa i përket shërbimeve të ujësjellësit. E për shërbime të ujërave të ndotura tarifa e re është 0.28 euro, krahasuar me 0.17 sa ishte në tarifat e vjetra, transmeton albinfo.ch.

“Bazuar në Ligjin Nr. 05/L – 042, ARRU përcakton tarifat e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, duke siguruar që ato të jenë të drejta, të arsyeshme dhe të mbështesin qëndrueshmërinë financiare të ofruesve të shërbimeve. Tarifat caktohen për: Shërbimet e ujësjellësit dhe të ujërave të ndotura; Furnizimin me ujë të pa-trajtuar me shumicë; Ujin e trajtuar me shumicë. Tarifa llogaritet duke pjesëtuar kërkesën për të ardhura me vëllimin e ujit të shitur, duke marrë parasysh efikasitetin në arkëtimin e të ardhurave. Kërkesa për të ardhura përbëhet nga tre komponentë kryesorë: shpenzimet operative, mirëmbajtja kapitale dhe kthimi në Bazën Rregullatore të Aseteve. KRU “Prishtina” ka paraqitur kërkesa për periudhën 2026–2028, të cilat përfshijnë: Shpenzime operative për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me ujë dhe shërbimeve të kanalizimit, duke përfshirë rritjen e kostove për personelin dhe energjinë elektrike; Projekte kapitale dhe mirëmbajtje të rrjetit dhe makinerive ekzistuese, për të reduktuar defektet dhe ndërprerjet në shërbim; Investime për modernizimin e aseteve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për konsumatorët. Edhe me tarifat e aprovuara, KRU “Prishtina” mbetet e përkushtuar të ofrojë shërbime të qëndrueshme, cilësore dhe pa ndërprerje për qytetarët”, thuhet në njoftim.

Iriqi shpallet kafsha zvicerane e vitit 2026

Iriqi është shpallur Kafsha e Vitit 2026 nga organizata e ruajtjes së natyrës Pro Natura. Një nga kafshët e egra më të dashura të Zvicrës, iriqi përballet me një zhdukje graduale të habitateve të përshtatshme.

Iriqi ka qenë i pranishëm në Zvicër për rreth 20,000 vjet, shkroi Pro Natura në një njoftim për shtyp të hënën. Jetëgjatësia e iriqit mund të shpjegohet me tokën bujqësore të përshtatur me stilin e tij të jetesës, me bimë me lartësi mesatare dhe insekte dhe krimba të mjaftueshme për t’u ushqyer.

Megjithatë, kjo situatë ka ndryshuar ndjeshëm gjatë shekullit të kaluar, paralajmëron Pro Natura. Gardhet, grumbujt e gjetheve dhe degët janë bërë më të rralla, përrenjtë janë kanalizuar nën tokë dhe prodhimi bujqësor është bërë më intensiv, duke bërë që iriqi të humbasë shumicën e habitateve të tij në zonat bujqësore.

Përballë këtij fenomeni, iriqi ka gjetur një habitat alternativ në kopshtet dhe parqet e fshatrave dhe qyteteve. Ky ndryshim nuk është pa rrezik, megjithatë, pasi afërsia e njerëzve, makinave dhe kositëseve të barit është shpesh fatale për iriqët.

Si për iriqët e rinj ashtu edhe për ata të rritur, çështja e ushqimit është qendrore. Edhe pse iriqët nuk e kanë problem të shijojnë çdo gjë që u del përpara, ata mund të tretin vetëm ushqimin me origjinë shtazore, siç transmeton Pro Natura.

Prandaj, ajo specializohet në insekte dhe bie në dimër kur mungojnë insektet. Megjithatë, ushqimi i insekteve tenton të jetë më i rrallë gjatë pjesës tjetër të vitit, duke e bërë detyrën e iriqëve edhe më të vështirë, shkruan albinfo.ch.

Pro Natura thekson se iriqi është klasifikuar si “potencialisht i kërcënuar” në Zvicër që nga viti 2022 dhe në Bashkimin Evropian që nga viti 2024. Në mars të vitit 2026, organizata po lançon një projekt të quajtur “Bonjour nature” (Përshëndetje natyrë), i cili synon të mbështesë njerëzit që duan të krijojnë kopshtet e tyre në një mënyrë natyrale në Zvicër.

Ulet çmimi i naftës pas sulmit të SHBA-së në Venezuelë

Pas sulmit të SHBA-së në Venezuelë, ku u arrestua presidenti Nicolas Maduro me bashkëshorten e tij, çmimi i naftës ka shënuar rënie.

Tregjet treguan rënie të çmimeve të naftës, çmimi i Brent crude ra rreth 60.15 dollarë për fuçi, ndërsa WTI ishte nën presion në tregjet globale, shkruan TheGuardian, transmeton albinfo.ch.

Presidenti amerikan Donald Trump ka vënë rezervat e mëdha të naftës venezueliane në qendër të strategjisë së tij për ndryshimin e regjimit, duke sugjeruar se kompanitë amerikane të naftës mund të shpenzojnë miliarda dollarë për rindërtimin e infrastrukturës energjetike të vendit.

Megjithatë, analistët vërejnë se rënia e çmimeve nuk është vetëm për shkak të ngjarjes ushtarake, por edhe për faktin që Venezuela aktualisht prodhon relativisht pak naftë në masë globale (shumë më pak se më parë për shkak të viteve të mospërmirësimit, sanksioneve dhe uljes së prodhimit), dhe tregjet globale janë ende të mbingopura me furnizim.

Festat zyrtare austriake dhe pushimet shkollore për vitin 2026

Planifikimi i punës, udhëtimit ose kohës familjare në Austri kërkon një pasqyrë të qartë të festave zyrtare dhe datave të pushimeve shkollore. Më poshtë është një udhëzues i plotë dhe i azhurnuar për festat zyrtare në Austri në vitin 2026 dhe pushimet shkollore në Vjenë për vitin shkollor 2025/2026.

Austria ka disa festa zyrtare në të gjithë vendin në vitin 2026. Shumica e bizneseve, zyrave dhe shkollave janë të mbyllura në këto ditë, me përjashtime të kufizuara.

1 Janar – Dita e Vitit të Ri

6 Janar – Epifania (Nata e Dymbëdhjetë)

6 Prill – E Hëna e Pashkëve

1 Maj – Dita e Punës

14 Maj – Dita e Ngjitjes në Qiell

25 Maj – E Hëna e Djathit të Shenjtë (E Hëna e Pentekostit)

4 Qershor – Korpi i Krishtit

15 Gusht – Ngjitja në Qiell e Marisë

26 Tetor – Festa Kombëtare Austriake

1 Nëntor – Dita e Gjithë Shenjtorëve

8 Dhjetor – Konceptimi i Papërlyer

Shënim: Dyqanet lejohen ligjërisht të hapen në këtë ditë

25 Dhjetor – Dita e Krishtlindjeve

26 Dhjetor – Dita e Shën Stefanit (Dita e Boksit)

Këto data janë veçanërisht të rëndësishme për punonjësit, punëdhënësit, udhëtarët dhe familjet që organizojnë pushime në Austri.

PUSHIME SHKOLLËRORE NË VJENË 2025/2026

Kalendari shkollor i Vjenës ndryshon pak nga provincat e tjera austriake, shkruan theinternational. Datat e mëposhtme vlejnë posaçërisht për shkollat ​​e Vjenës, transmeton albinfo.at.

Pushimet e Vjeshtës: 27 Tetor – 31 Tetor 2025

Pushimet e Krishtlindjeve: 24 Dhjetor 2025 – 6 Janar 2026

Pushimet semestrale: 2 Shkurt – 8 Shkurt 2026

Pushimet e Pashkëve: 28 Mars – 6 Prill 2026

Pushimet e Pentekostit: 23 Maj – 25 Maj 2026

Pushimet e Verës: 4 Korrik – 6 Shtator 2026

Pushimet shkollore janë të rëndësishme për prindërit që planifikojnë kujdesin për fëmijët, udhëtimet familjare ose koordinimin e orareve të punës me fëmijët në moshë shkollore.