Në Ditën e Gruas, presidentja Osmani me urim të veçantë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Osmani në një postim në Facebook ka publikuar fotografi nga takimi me gratë që punojnë në fushën e sigurisë.

“Me gratë që mbrojnë dhe që shërbejnë, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Përkushtimi, profesionalizmi dhe sakrifica e grave police janë shembull frymëzimi për të gjithë ne. Në këtë ditë, riafirmojmë angazhimin tonë për mbështetjen dhe fuqizimin e grave në çdo sektor, veçanërisht atyre që mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha për shoqërinë tonë.

Gëzuar 8 Marsin për të gjitha gratë në uniformë të cilat shërbejnë me nder, krenari dhe guxim!”, shkruan ajo.

Një grua myslimane paditi për leje të posaçme për të veshur nikab në trafik, gjykata gjermane ia hedh poshtë kërkesën

Një myslimane ngriti padi, se donte të drejtonte makinën me nikab, me fytyrë të mbuluar. Gjykata Administrative gjermane në Trier e hodhi poshtë padinë. Myslimanja nuk ka të drejtë për leje të posaçme si përjashtim nga ligji i trafikut rrugor në lidhje me ndalimin e mbulimit të fytyrës. E drejta e të tretëve për pacënueshmërinë trupore qëndron më lart se ndërhyrja në lirinë e fesë që ndalon mbulimin e fytyrës, thuhet në argumentimin ligjor. Veshja e nikabit zvogëlon spektrin e vështrimit, e rrit rrezikun e dëmtimit të pjesëtarëve të tjerë në trafik. Krahas kësaj në kontrolle nuk mund të verifikohet identiteti i shoferes. Ligji rrugor gjerman u ndalon shoferëve të mbulojnë fytyrën në atë formë që nuk është më e dallueshme.

Nëna myslimane që i rrit e vetme dy fëmijët në një fshat në Trier kishte akuzuar LMB, Shoqatën e Transportit në Renani-Pfalc, se nuk ia dha lejen e posaçme. Në zonën e saj të banimit nuk ka trafik urban. Stacioni më i afërm është rreth 1 km larg. Por gjykata vendosi, se paditësja e përballon vështirësinë e përdorim të trafikut urban rreth 1 km larg. Po ashtu gruaja mund të përdorë edhe biçikletën për distanca të shkurtra. Vendimi i Gjykatës u dha në fund të shkurtit, në media vendimi u publik të enjten (06.03.)

44.224 vota nga mërgata për Lëvizjen Vetëvendosje

Në këtë fazë të përmbylljes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje falënderoi përzemërsisht mërgatën, që vazhdon t’i mbështesë duke numëruar në këto zgjedhje 44, 224 vota, përcjell albinfo.ch.

Postimi i plotë nga LVV:

Vota ka qenë vetëm pjesa e fundit e një angazhimi të gjatë, të përditshëm e me mund për ju, me votime nëpër ambasada, konsullata e me postë, siç edhe me udhëtime me avionë, autobusë apo vetura. Për të gjitha e për të gjithë: mirënjohje e plotë dhe falënderime zemre!

Mërgata e ka bërë Kosovën gjithmonë edhe më demokratike. Një vend demokratik e definon në thelb masa, karakteri dhe intensiteti i pjesëmarrjes së qytetarëve të tij në përcaktimin e fateve të përbashkëta, për më të mirën e vendit e për të gjithë. Pjesëmarrja e tyre në këto zgjedhje parlamentare i ka shtuar vlerë të posaçme demokracisë tonë, duke e bërë atë edhe më gjithëpërfshirëse.

Dikur bashkëkombasit tanë gjenin në mërgatë një vend nga ku ushtronin veprimtarinë e tyre për çlirimin e Kosovës. Kontributi i tyre ka qenë pjesë e pazëvendësueshme e përpjekjes për liri. Në kontekstin e sotshëm të ambicieve të shtetit të Kosovës për zhvillim, kontributi i tyre mbetet kyç në çdo drejtim, që nga ai i zhvillimit të proceseve politike e deri tek ai ekonomik. Në programin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! mërgata jonë është përbërës shumë i rëndësishëm, i cili do të rrisë gjithnjë e më shumë pjesëmarrjen në ekonominë e Kosovës, jo vetëm përmes remitancava, por edhe si rritje e mëtejshme e prirjes për investim në atdhe.

Mërgata jonë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë tejet aktive në Kosovë; ajo ka qenë dhe do të mbetet diplomacia dhe mbartësi që merr përsipër interesat e Kosovës dhe kombit shqiptar në botë.

Falënderimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe i secilit prej nesh nuk do të reshtë kurrë, por dhe as nuk do të mjaftojë ndonjëherë.

Faleminderit dhe mirënjohje të pafundme mërgatë! Është fat që ju kemi dhe detyrë që të bëjmë për ju, sa ju bëni për Lëvizjen dhe Republikën e Kosovës!

Rama për 8 Marsin: Kemi bërë progres në zgjerimin e hapësirës për gratë në çdo nivel

Kryeministri Edi Rama ishte këtë të shtunë në një aktivitet me gratë dhe vajzat nga i gjithë vendi me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Kreu i qeverisë theksoi se gratë janë të përfshira në të gjitha nivelet e vendimmarrjes dhe se kjo është meritë e PS.

“Duke ju parë të gjithave këtu, po mendoja se çfarë do të ndodhte me burrat dhe çfarë do të ndodhte me djemtë tuaj nëse ju për një muaj nuk do të ktheheshit në shtëpi. Madje, edhe për një javë… po imagjinoni për një muaj! Në fakt, kjo është mënyra më e thjeshtë për të kuptuar të vërtetën e ekuilibrit të çdo shtëpie: pa gruan, ajo është pa çati. Po ashtu, e njëjta e vërtetë vlen për shoqërinë tonë. Nëse sot ka shumë më tepër vend për gratë dhe vajzat në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, por edhe në hapësirat e jetës aktive, kjo i detyrohet një emri të vetëm: PS. Një grua shqiptare që ju e keni dëgjuar të gjitha, Elena Gjika, thoshte se çdo shoqëri matet me vendin që i ka rezervuar gruas,” u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama vijoi fjalën e tij duke theksuar rëndësinë e rolit të gruas në shoqëri dhe progresin e Shqipërisë në këtë drejtim.

“Dhe nëse e matim Shqipërinë me vendin që i ka rezervuar gruas, mendoj se progresi në zgjerimin e hapësirës për gratë është një pasqyrë kuptimplotë e vetë progresit që ka bërë vendi ynë. Për këtë, ne socialistët dhe socialistet shqiptare kemi të gjithë arsyet të jemi më krenarë se të gjithë të tjerët.

Duke vazhduar me Dora d’Istria, ajo thoshte se të luftosh për gratë do të thotë të luftosh dhe fitosh edhe për burrat. Sa më të forta të jenë gratë, aq më të fortë janë burrat dhe sa më të dobëta të jenë gratë, aq më e dobët është fuqia në dukje e burrit. Besoj se duke zgjeruar hapësirën për gratë, duke u dhënë atyre më shumë vend në të gjitha nivelet e përfaqësimit, ne të gjithë së bashku luftojmë për t’i bërë burrat më të vetëdijshëm, më të arsyeshëm dhe më të urtë, në kuptimin e mençurisë.

Thënë të gjitha këto, në 11 maj Shqipëria ka sfidën për të mos humbur asnjë minutë në një proces ku rrethanat tona të brendshme dhe rrethanat e brendshme të Evropës janë bërë një. Për herë të parë në historinë tonë, mundësia për t’u bërë pjesë e familjes evropiane është reale dhe është në duart tona,” përfundoi Rama.

Prishtinë: Gratë kërkojnë barazi e drejtësi

Në ditën e ndërkombëtare të tyre, me qindra gra kanë hequr dorë nga festa të shtunën dhe kanë marshuar nëpër sheshet qendrore të Prishtinës për të kërkuar barazi dhe drejtësi për to.

Ato kanë mbajtur në duar pankarta të ndryshme. “Marshojmë për njana-tjetrën”, “Grua, Jetë, Liri”, “Trupi jem, e drejta jem”, ishin disa prej tyre.

Janë parë edhe flamuj të Palestinës.

Që nga fillimi i shekullit të kaluar, Dita Ndërkombëtare e Gruas shënohet çdo 8 Mars dhe përkujton lëvizjen për barazi. Në këtë datë, gratë anembanë botës bashkohen për të kërkuar më shumë të drejta.

Laura Fazliu e ka kaluar pengesën e parë në Grand Prix Upper Austria

Laura Fazliu e ka kaluar pengesën e parë në Grand Prix Upper Austria që po mbahet në Linz.

Në xhiron e dytë të kategorisë deri 63 kilogramë, Laura e mposhti italianen Carlotta Avanzato.

Ndaj saj realizoi hedhje për Ippon në kohën shtesë.

Lufta ishte e vështirë për xhudisten kosovare. Që në fillim, ajo pësoi një lëndim në fytyrë dhe mori trajtim mjekësor. Pavarësisht kësaj, u kthye në tatami me një fashë në fytyrë dhe vazhdoi garën, duke arritur të sigurojë fitoren në fund.

KQZ-ja s’mund të procedojë me shpalljen e rezultateve shkaku i tri ankesave të LVV-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimare të zgjedhjeve të 9 shkurtit tek pas vendimmarrjeve të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme ndaj tri ankesave që janë paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje, përcjell albinfo.ch.

KQZ-ja ka bërë të ditur se në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik, e se deri pas shqyrtimit të tyre nuk do të shpallen as rezultatet përfundimtare. 

“KQZ është njoftuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në këtë institucion janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik. Andaj, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së.

Ankesat janë dorëzuar nga Lëvizja Vetëvëndosje. Zëdhënësi i saj, Arlind Manxhuka, ka bërë të ditur se ankesat lidhen me votimin me postë.

“Po, kemi dërgu ankesë në PZAP për votimin me postë. Dy ankesa, një për manipulimin e votave të LDK-së e tjetra për përfshirjen e të gjithë votave të pavlefshme sipas vendimit të parë të PZAP”, ka thënë ai.

Procesi i numërimit të votave ka përfunduar të mërkurën. Subjektet kanë pasur kohë 48 orë për të paraqitur ankesat.

Abdixhiku: Fuqizimi i gruas është garanci për një Kosovë më të drejtë, barabartë e të zhvilluar

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me rastin e 8 Marsit, ka uruar të gjitha vajzat dhe gratë në ditën e tyre.

Përmes një mesazhi, Abdixhiku shpreh mirënjohje dhe respekt ndaj të gjitha grave, i cili thotë se ato me punën, përkushtimin dhe sakrificën e tyre lartësojnë vlerat më të mira të shoqërisë.

“Sot kujtojmë përpjekjet e tyre të mëdha për barazi, drejtësi dhe paqe. Rikujtojmë gjithashtu rolin dhe kontributin e të gjitha grave në kohërat më të vështira të vendit tonë, duke qenë pjesë e çdo procesi të themelimit dhe ndërtimit të shtetit tonë, të barabarta në përgjegjësi dhe kontribut. Sot, ato janë forca lëvizëse e shumë ndryshimeve dhe një shtyllë e jashtëzakonshme e shoqërisë sonë, duke dhënë kontribut në çdo fushë. Prandaj, e themi me zë të lartë se jemi krenarë për punën e tyre të pashoqe në kauzën për një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë. Ne rreshtohemi krah tyre në luftën për të drejta të barabarta.”

“Në këtë ditë është e rëndësishme që të gjithë të reflektojmë mbi arritjet e grave dhe të angazhohemi për të krijuar një të ardhme më të ndritur, ku ato kanë mundësi të barabarta dhe gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre. Fuqizimi ekonomik, social dhe politik i gruas është një investim i drejtpërdrejtë në forcimin dhe zhvillimin e shtetit. Ai është garanci për një Kosovë më të drejtë, më të barabartë dhe më të zhvilluar.

Ju falënderoj nga zemra për kontributin tuaj të çmuar dhe ju siguroj se ky angazhim për një shoqëri të barabartë dhe të drejtë do të vazhdojë, sot e gjithmonë,” ka shkruar Abdixhiku.

Tutje, ai thotë se bashkë do të ndërtojnë një vend ku gratë dhe vajzat kanë më shumë mundësi e më shumë mbështetje.

“Bashkë do ta ndërtojmë një vend ku gratë dhe vajzat kanë më shumë mundësi, më shumë mbështetje dhe më shumë hapësirë për të udhëhequr proceset e rëndësishme për të ardhmen e vendit!”

Për nder të 8 marsit, Ambasada e Kosovës në Paris organizon event për gratë shqiptare

Një mbrëmje e mrekullueshme u organizua nga Ambasada e Kosovës në Paris dhe F’ODA, për të shënuar 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, përcjell albinfo.ch.

Ambasada e Kosovës në Paris falenderon të gjitha vajzat dhe gratë pjesëmarrëse që kontribuan në këtë bashkëbisedim frymëzues, duke festuar forcën, qëndrueshmërinë dhe angazhimin e grave në të gjitha fushat e shoqërisë.

“Së bashku, vazhdojmë të promovojmë barazinë dhe të vlerësojmë rolin jetik të grave në të ardhmen tonë të përbashkët”, shkruan ambasada.

Bruksel: Tubim në nderim të grave shqiptare dhe kundër dhunës ndaj tyre

Me organizim të Lëvizjes Popullore të Kosovës (Zvicër e Gjermani) dhe në bashkëpunim me disa shoqata shqiptare në Belgjikë, me rastin  ditës së Grave, 08. Marsit, në Place-du-Luxembourg të Kryeqendrës së BE-së, në Bruksel mbahet tubim Përkujtimor për nderimin e Grave dhe vajzave shqiptare.

Tubimi mbahet me fillim në orën 14.00.

Organizatori, në njoftimin e tij thekson se ky tubim mbahet sidomos për gratë e familjes Jasharaj, të cilat nën dhunën dhe masakrat serbe të datave: 5, 6 dhe 7 , Mars 1998 në Prekaz e Kosovë, ranë heroikisht sypatrembur në altarin e lirisë.

Më tutje në njoftim thuhet se në të njëjtën kohë mbahet edhe një Protestë paqësore, lidhur me dhunën e ushtruar mbi shqiptarët në viset ku ata jetojnë që nga lashtësia e tyre, e të cilët ende janë të pushtuar nga pushtetet diskriminuese të huaja, si ato të Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të zi dhe Greqisë.

“Kjo dhunë e ushtruar madje edhe sot në mënyrë permanente mbi shqiptarët, nga të njëjtat pushtete, vazhdon ende të jetë Golgota shqiptare në trojet e tyre autoktone! Ta ngremë zërin tonë të arsyes, për të ndaluar dhunën sistematike ndaj popullit të mbetur nën pushtim të huaj, me kërkesën që atyre t’ju pranohen të drejtat bazë, si: të jetojnë, të frymojnë dhe të prosperojn në gjuhen e vet amtare shqipe, është gjëja minimale që duhet kërkuar pareshtur edhe përballë BE-së dhe mbarë botes!”, thuhet veç tjerash në njoftimin e Këshillit Organizativ të LPK-së.

 

 

Shaqiri po e kalon edicionin më të mirë në karrierë

Sipas statistikave, Xherdan Shaqiri (33) po kalon sezonin më të mirë në karrierë, përcjell albinfo.ch.

Me kontribut në 23 gola në ndeshjet e kampionatit dhe të kupës, kapiteni i Baselit ka thyer të gjitha rekordet e tij të mëparshme në Gjermani, Angli dhe SHBA. Megjithatë, rikthimi te Baseli nuk ishte një vendim i duhur vetëm për Shaqirin, por edhe një bekim për vetë klubin.

Pas një sezoni të vështirë dhe të pasuksesshëm, Baseli më në fund po lufton sërish për titullin kampion. Kjo është kryesisht falë Shaqirit. Asnjë ekip në Superligën e Zvicrës nuk varet nga paraqitja e një lojtari aq sa Baseli. Kur Shaqiri shënon apo asiston, skuadra thuajse gjithmonë fiton. Lideri i Superligës ka një mesatare prej 2.42 pikësh për ndeshje kur Shaqiri është i përfshirë në realizimin e golit.

Nëse Shaqiri nuk realizon apo nuk asiston, mesatarja e Shaqirit është shumë më e ulët. Në tetë ndeshje kampionale, Shaqiri ka dështuar të shënojë gol apo të asistojë. Dhe Baseli ka fituar vetëm një prej këtyre ndeshjeve. Në tetorin e kaluar e mposhti St. Gallenin 2:1, falë golit të minutës së fundit nga Kevin Carlos. Pa kontributin e Shaqirit me gola apo asistime, Baseli fiton 0,75 pikë për ndeshje.

Por, para fazës vendimtare të kampionatit, lojtari me 125 paraqitje për Zvicrën po përballet për herë të parë me probleme shëndetësore. Fundjavën e kaluar, gjatë ndeshjes ndaj Sionit, Shaqiri u pa disa herë duke prekur kofshën e këmbës me duar. Si pasojë, trajneri Fabio Celestini e largoi nga fusha pas një ore lojë.

“Kështu u morëm vesh paraprakisht”, tha më pas trajneri i Baselit. Kjo skuadër i kishte tri ndeshje brenda tetë ditëve.

Por sa serioze janë ankesat e Shaqirit? Të enjten në mëngjes, lojtari ofenziv e la fushën herët gjatë një ndeshjeje stërvitore. Por vetëm disa minuta më pas, Shaqiri filloi stërvitjen sërish. Pushimi i shkurtër ishte për të kontrolluar ngarkesën.

Kjo është njëra prej arsyeve kryesore pse Shaqiri nuk ka munguar asnjë ndeshje këtë edicion për shkak të lëndimeve. Këtë nuk e kishte arritur që nga ditët e para të karrierës, kur ishte po ashtu në Baseli.

Stafi i trajnerëve të Baselit e kthyen në vjeshtë gradualisht në formë Shaqirin. Pikërisht kjo, që Shaqiri të jetë pa lëndime, i duhet Baselit nëse dëshiron ta fitojë titullin e parë të kampionit të Zvicrës që nga viti 2017. Prej kthimit te Baseli, Shaqiri i ka 11 gola e 12 asistime në 25 paraqitje.

Rreth 360 milionë euro investuan shtetasit e Kosovës në Shqipëri për 10 vjet

Së fundmi, Instituti GAP ka publikuar shifrat e investimeve të qytetarëve të Kosovës në Shqipëri që nga viti 2015 deri më 2024, përcjell albinfo.ch.

Referuar institutit, kosovarët investuan gjithsej 360 milionë euro përgjatë këtyre viteve.

Në vitin 2015 u investuan 3 milionë euro, në 2016 – 11 milionë, në 2017 – 13 milionë euro, në 2020 – 14 milionë, në 2021 – 38 milionë euro, në 2022 – 74 milionë, në 2023 – 95 milionë, ndërsa nga tremujori i parë deri në tremujorin e tretë të vitit 2024 u investuan 80 milionë euro.

Instituti GAP ka ndarë pesë sektorët me investimet e huaja direkte më të larta në Shqipëri për vitin 2024 nga të gjitha shtetet. Sektori me më shumë investime ishte ai i pasurive të paluajtshme, me 22 për qind, i ndjekur nga energjia elektrike, avulli, gazi dhe furnizimi me ajër të kondicionuar. Industria nxjerrëse përfitoi 17 për qind të investimeve, ndërsa industria përpunuese mori 11 për qind. Sektori i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit përfitoi 10 për qind të investimeve.

8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas

Kjo ngjarje zë fill më 8 mars 1857, kur rrobalarëset e New Yorkut u ngritën në protestë për të drejtat e tyre kundër shtypjes e shfrytëzimit të egër që u bëhej atyre në punë, përcjell albinfo.ch.

100 gra nga shumë vende evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbledhura në Kopenhagë të Danimarkës, nën kryesinë e Clara Cetkinit, vendosën që 8 marsi të shënohet si Dita Ndërkombëtare e Grave.

Asokohe pati mjaft marshime, protesta dhe greva, por asnjë prej tyre nuk u zhvillua më 8 mars. Kjo datë u shfaq për herë të parë në vitin 1914 dhe, sipas gjasave, u caktua atë vit pasi qëllonte e diel. Tre vjet më vonë, gratë ruse dolën në rrugë të dielën e fundit të shkurtit, e cila, sipas kalendarit gregorian, korrespondonte me datën 8 mars, gjatë asaj që do të njihej si “protesta e bukës dhe paqes”. Vetëm në vitin 1975, Kombet e Bashkuara filluan ta festonin përfundimisht Ditën Ndërkombëtare të Gruas në këtë datë. Prej dekadash, kjo ditë vazhdon të kujtohet përmes protestave.

Për nder të kësaj dite, nënave dhe grave u jepen dhurata të ndryshme, ku dhurata më e shpeshtë është lulja, e cila ka simbolin e respektit dhe dashurisë.

Kosova të drejtën e gruas e ka të garantuar me ligj, ku në shumë institucione shtetërore, pjesëmarrja e gruas është e përcaktuar me ligje.

Trump thotë se është ‘më e lehtë’ të punosh me Rusinë sesa Ukrainën

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se e ka “më të lehtë” të merret me Rusinë sesa me Ukrainën në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës midis këtyre vendeve.

“Po e kam më të vështirë sinqerisht të merrem me Ukrainën dhe ata nuk i kanë kartat”, tha ai. “Mund të jetë më e lehtë të merresh me Rusinë.”

Trump tha gjithashtu se ai i beson presidentit rus Vladimir Putin dhe e kupton pse forcat e Putinit filluan një fushatë masive bombardimesh anembanë Ukrainës brenda natës.

“Unë në fakt mendoj se ai po bën atë që çdokush në atë pozicion do ta bënte atë tani”, tha Trump.

Më herët, Trump ka urdhëruar një pauzë në ndihmën ushtarake dhe të inteligjencës amerikane për Kievin.

Ai shtoi se Zelenskyy, i cili ka kërkuar garanci perëndimore të sigurisë përpara se të binte dakord për një armëpushim me Rusinë, rrezikon të humbasë të gjithë përfshirjen e SHBA.

“Unë nuk e di se ata duan të vendosen. Nëse ata nuk duan të vendosen, ne jemi larguar sepse duam që ata të vendosen. Unë po e bëj për të ndaluar vdekjen,” tha Trump./DW

Politika e jashtme zvicerane “e pandryshuar nga vendimet e SHBA”

Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter, thotë se politika e jashtme nuk ka ndryshuar në dritën e vendimeve të fundit të Shteteve të Bashkuara.
“Vëllimi nuk është një masë e cilësisë së politikës së jashtme,” tha Keller-Sutter kur u pyet për ndonjë dënim të kursit të presidentit amerikan Donald Trump.

Në një konferencë për media në Bernë të premten, Keller-Sutter kujtoi vlerat që udhëheqin politikën e jashtme të Zvicrës: të drejtat e njeriut, ligji ndërkombëtar, demokracia dhe tregtia e lirë.

Presidenti i Konfederatës Zvicerane përsëriti gjithashtu dënimin e Zvicrës për sulmin rus në Ukrainë. Zvicra është e përkushtuar për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Kjo duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe nuk duhet të jetë e njëanshme në dëm të Ukrainës.

Keller-Sutter gjithashtu theksoi edhe një herë se Zvicra është në dispozicion për të ofruar zyra të mira dhe për të shoqëruar çdo bisedë paqeje, nëse kjo dëshirohet. Megjithatë, aktualisht nuk ka një kërkesë të tillë: “Thjesht ka lojtarë të tjerë në lojë për momentin.”/Swissinfo

Këshilli Federal dëshiron një shkollë më fleksibël të rekrutimit

Kurset e trajnimit dhe rifreskimit në ushtrinë zvicerane duhet të jenë më të përshtatshme me jetën profesionale dhe private. Kjo është ajo që synon Këshilli Federal.

Ndër të tjera, shkolla e rekrutimit duhet të bëhet më fleksibël.

Në të ardhmen, ajo nuk do të zgjasë më 18 javë në mënyrë fikse, por do të jetë më e shkurtër në varësi të nevojave stërvitore.

Ditët e mbetura të shërbimit duhet të mund të kryhen në mënyrë më fleksibël. Për shumicën e pjesëtarëve të ushtrisë, periudha e trajnimit do të mbetet e pandryshuar, shkruan Këshilli Federal.

Parlamenti do të vendosë nëse këto dhe risi të tjera do të hyjnë në fuqi. Sfondi i kësaj janë, ndër të tjera, ndryshimet e ndryshme në ligjin ushtarak.

Të premten, Këshilli Federal miratoi mesazhin e tij për ndryshime të ndryshme në ligjin ushtarak. Këshilli Federal gjithashtu ka ndërmend të promovojë shkëmbimin dixhital: në të ardhmen, anëtarët e ushtrisë do të kenë mundësinë të aksesojnë të gjithë informacionin e tyre përmes një aplikacioni.

Këshilli Federal dëshiron të përmirësojë mbrojtjen kundër kërcënimeve kibernetike: në situata krize, ushtria jo vetëm që duhet të jetë në gjendje të rikuperojë automjete siç bën sot, por gjithashtu, për shembull, energji elektrike, të dhëna dhe frekuenca radio, mallra jomateriale, si dhe punë dhe shërbime./SRF

Konfiskimi i patentë shoferit, 20 për qind më shumë raste se në vitin 2023

Vitin e kaluar, autoritetet u hoqën më shumë patentë shoferëve sesa në vitin 2023. Rritja u shkaktua kryesisht nga drejtuesit më të rinj dhe më të vjetër.

Në përgjithësi, numri i lejeve të drejtimit të hequra vitin e kaluar u rrit me 9 për qind në pothuajse 87,000. Ashtu si në vitet e mëparshme, arsyet më të zakonshme të revokimit ishin shpejtësia e tepërt dhe dehja, siç tregojnë statistikat e reja nga Zyra Federale e Rrugëve (Astra).

Këto janë shifrat: Në 31.941 raste është hequr licenca për shkak të shpejtësisë së tepërt (+ 12.8 për qind). Në 12.374 raste dehja ka qenë arsyeja e tërheqjes së licencës (- 1.0 për qind), dhe në 8.577 raste, shkaku ka qenë rrezikimi i palëve të treta për shkak të pavëmendjes (+ 8 për qind).

Në veçanti, shoferët e rinj janë më të prekur: në vitin 2024, numri i lejeve të nxënësve të hequra u rrit ndjeshëm pas dy vitesh rënie, siç raportohet nga qeveria federale. Kjo rritje ishte 19.2 për qind krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, numri i anulimeve të lejeve të përkohshme të drejtimit ka shënuar një rënie prej 14.4 për qind. Mbi të gjitha, vetëbesimi i tepërt luan një rol të madh te shoferët e rinj që drejtojnë me shpejtësi të lartë. “Mendoj se shumë të rinj e mbivlerësojnë veten. Ata marrin një makinë të fuqishme nga prindërit e tyre dhe mendojnë se duhet të provojnë veten para shokëve në makinë, duke i tejkaluar kështu kufijtë e tyre,” i tha SRF një kalimtar në Bellevue të Cyrihut.

Më shumë shoferë të rinj: Pas një rënie që nga viti 2021, numri i shoferëve të rinj u rrit paksa me 1.9 përqind për herë të parë vitin e kaluar. Më 31 dhjetor 2024, 6.3 milionë njerëz në Zvicër kishin patentë shoferi për vetura të pasagjerëve. Kjo ishte 0.8 për qind më shumë se një vit më parë.

Rritja më e madhe në tërheqjen e patentës së shoferit tek të moshuarit: Sipas qeverisë federale, ka pasur gjithashtu një rritje të fortë në numrin e tërheqjeve të patentës për shkak të papërshtatshmërisë për shkak të sëmundjes dhe paaftësisë (+ 23,9 përqind). Me 7,413 raste, këtu u arrit një rekord i lartë. Kjo rritje prek kryesisht grupmoshat 75+, e cila është rritur me 39 për qind. Kjo edhe për shkak të ndryshimit të ligjit: në vitin 2024, 75-vjeçarët do t’i nënshtrohen për herë të parë një kontroll mjekësor rrugor.

Arsyet e tjera për heqjen e patentës së shoferit: Vitin e kaluar janë hequr 18 për qind më shumë patentë shoferi të huaj. Revokimet për shkak të një testi të dështuar gjithashtu u rritën me mbi një të tretën. Nëse kjo rritje e heqjes së patentës së shoferit ka pasur ndikim edhe në sigurinë rrugore, do të bëhet e qartë në mes të marsit. Pikërisht atëherë Zyra Federale e Rrugëve Astra publikon statistikat e aksidenteve rrugore./SRF

A është policia federale shumë e dobët për të qenë efektive?

Shumë i ngadalshëm, i pakualifikuar, i pa staf: Fedpol është objektivi i disa kritikave nga partnerët e tij në kantone. Disa raporte konfirmojnë mungesën e stafit dhe burimeve. Por policia federale garanton se kryen misionet e saj thelbësore për sigurinë e brendshme të vendit.
Gjithçka filloi me aferën e bombës së parcelave në Gjenevë. Këto sulme dhe kërkesa për shpërblesë, të cilat kanë synuar kompaninë e orëve Patek Philippe prej disa muajsh, kanë kristalizuar tensionet me policinë federale.

Fedpol në fakt është përgjegjës për hetimin, siç e kërkon ligji në rast të pranisë së eksplozivit. Megjithatë, menaxhimi i tij i hetimit dhe arrestimi i gabuar i dy vëllezërve kanë shkaktuar disa kritika nga anëtarët e policisë gjyqësore dhe sistemit të drejtësisë në kantone të ndryshme.
“Fedpol shpesh rekruton hetues kantonal që nuk kanë përvojë të mjaftueshme në policinë gjyqësore,” dëshmoi njëri prej tyre në La Matinale de la RTS. “Ndonjëherë, këta janë edhe hetues që kantonet nuk i duan më.”

Sipas një dëshmitari tjetër, policia federale shpesh punon në mënyrë të njëanshme dhe i drejton hetimet e tyre sipas asaj që duan të gjejnë.

“Ka disa njerëz shumë të mirë që hetojnë krimin e organizuar, por nuk janë të mjaftueshëm,” shton një tjetër dëshmitar. Disa të intervistuar besojnë gjithashtu se kantonet afër Bernës janë të mbipërfaqësuara brenda Fedpol, në dëm të rajoneve më të largëta. Sipas tyre, ekspertiza e forcave të policisë lokale shpesh denigrohet nga homologët e tyre në Bernë.

Ky perceptim, megjithatë, ndryshon nga kantoni në kanton, në varësi të madhësisë dhe llojit të krimit me të cilin përballen. Sipas avokatit Charles Navarro, ish-prokuror në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës, kantone si Gjeneva dhe Cyrihu kanë burime të mëdha policore dhe infrastruktura të zhvilluara. “Ata janë mësuar të punojnë në një sistem jashtëzakonisht të pajisur mirë,” shpjegon ai. “Prandaj, ndjejnë më pak nevojë për mbështetje nga policia gjyqësore federale sesa kantonet e tjera.”

Nga ana e tij, Alain Ribaux, bashkëkryetar i Konferencës së Drejtorëve Kantonalë të Drejtësisë dhe Policisë, na siguron se bashkëpunimi ndërmjet kantoneve dhe policisë federale është i mirë. Këshilltari Shtetëror i Neuchâtel beson se nuk duhet të bëjmë përgjithësime në bazë të aferës së bombave të parcelave të Gjenevës: “Është një rast shumë i veçantë, shumë i tensionuar, i tmerrshëm. Ndoshta shkakton reagime pak më të forta,” analizon ai.
Kritikat që vijnë nga terreni, megjithatë, duket se janë të vërtetuara, sipas disa studimeve të fundit.

Autoriteti Mbikëqyrës i Prokurorisë së Përgjithshme të Zvicrës sapo ka publikuar një raport në të cilin vëren një problem të madh me personelin. Ai vëren se nuk ka mjaft inspektorë federalë: aktualisht ka 1.6 hetues federalë për prokuror, ndërsa nevojiten dy deri në tre herë më shumë. Sipas menaxhmentit të Fedpol, të cituar në raport, ka një mungesë totale prej 200 hetuesish federalë.

Ekspertët e jashtëm dolën së fundmi në të njëjtin përfundim në një inventar. Ata vunë në dukje mungesën e hetuesve të kualifikuar brenda Fedpol, mungesën e trajnimit dhe boshllëqet në shkëmbimin e informacionit midis kantoneve dhe Konfederatës në çështjet e ndjekjes penale.
Prandaj, Autoriteti Mbikëqyrës i kërkon Bernës që ta korrigjojë urgjentisht këtë. Një qasje e mbështetur këtë javë nga Këshilltari Kombëtar i MCG, Roger Golay, i cili sapo ka paraqitur një mocion për të kërkuar që policia federale të forcohet.

Ky i fundit nuk komenton të gjitha kritikat që vijnë nga terreni, por siguron se kryen misionet e tij thelbësore për të garantuar sigurinë e brendshme në partneritet me policinë kantonale, pavarësisht këndvështrimeve ndonjëherë të ndryshme.

Fedpol gjithashtu thekson se ka marrë parasysh raportin e Autoritetit Mbikëqyrës dhe është në kontakt të ngushtë me Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës. Sipas saj, Zyra Federale e Auditimit aktualisht është duke analizuar burimet dhe nivelet e personelit të policisë federale./RTS

Kompania amerikane Maxar bllokon aksesin e Ukrainës në imazhet satelitore

Firma amerikane e hapësirës ajrore Maxar Technologies konfirmoi se kishte çaktivizuar aksesin në imazhet e saj satelitore për Ukrainën, pasi administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump pezulloi ndarjen e inteligjencës me Kievin.

Në një deklaratë, Maxar tha se ka kontrata me qeverinë amerikane dhe dhjetëra vende aleate dhe partnere, dhe një nga ato kontrata është GEGD (programi Global Enhanced GEOINT Delivery), një program i qeverisë amerikane që ofron akses në imazhet satelitore komerciale të mbledhura nga Shtetet e Bashkuara.

“Qeveria e SHBA ka vendosur të pezullojë përkohësisht llogaritë e Ukrainës në GEGD,” tha Maxar, duke iu referuar pyetjeve të mëtejshme Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës Gjeohapësinore të SHBA, e cila konfirmoi veprimin.

Më herët, disa përdorues, duke folur në kushte anonimiteti, konfirmuan bllokimin e aksesit në blogun ushtarak ukrainas Militarnyi.

Sipas Militarnyi, Maxar ishte ndoshta ofruesi kryesor i imazheve satelitore komerciale për përdoruesit në Ukrainë, veçanërisht për përcaktimin e lëvizjeve të trupave ruse ose vlerësimin e dëmeve./DW

Kurti me komandantin e KFOR-it diskutojnë për vizitën e Ruttes në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Enrico Barduani, me rastin e vizitës së planifikuar të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Kosovë më 11 mars.

Gjatë takimit, u diskutua për përgatitjet për këtë vizitë të rëndësishme e më tutje edhe për çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe misionit të NATO-s.

Kush janë politikanët më të votuar në Kosovë ndër vite?

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Albin Kurti grumbulloi mbi 330 mijë vota. Kështu, ai u bë politikani më i votuar ndonjëherë, duke zëvendësuar Vjosa Osmanin.

Në pesë nga gjashtë zgjedhjet e fundit parlamentare, Kurti ka qenë në treshen e kandidatëve më të votuar.

Në zgjedhjet e fundit të 9 shkurtit 2025, rezultatet përfundimtare ende nuk janë shpallur. Megjithatë, sipas të dhënave më të fundit, Albin Kurti është politikani më i votuar me 337.101 vota. Pas tij renditet Glauk Konjufca me 263.775 vota, ndërsa në vendin e tretë është Bedri Hamza me 173.438 vota. Më tej, Lumir Abdixhiku ka marrë 146.352 vota, ndërsa Faton Peci 133.572 vota.

Në zgjedhjet e vitit 2021 më e votuara është Vjosa Osmani me 300.756 vota, Glauk Konjufca 200.646 vota, Arben Vitia me 107.858 vota, Enver Hoxhaj me 100.468 vota dhe Donika Gërvalla me 71.722 vota.

Në zgjedhjet e vitit 2019, më i votuari është Albin Kurti me 183.952 vota, Vjosa Osmani me 176.016 vota, Kadri Veseli me 145.881 vota, Ramush Haradinaj me 76.163 vota dhe Glauk Konjufca me 72.686 vota.

Në zgjedhjet e vitit 2017 përsëri më i votuari ishte Albin Kurti 143.621 vota, Kadri Veseli 129.947 vota, Avdullah Hoti 115.693 vota, Ramush Haradinaj 102.127 vota dhe Shpend Ahmeti 76.017 vota.

Në zgjedhjet e vitit 2014 më së shumti vota kishte Hashim Thaçi 166.422 vota, Isa Mustafa 121.059 vota, Albin Kurti me 63.602 vota, Kadri Veseli          54.872 vota dhe Ramush Haradinaj 50.388 vota.

E në zgjedhjet e vitit 2010 më së shumti vota kishte Hashim Thaçi 160.850 vota, Isa Mustafa 130.213 vota, Fatmir Limaj 75.689 vota, Albin Kurti 58.467 vota, Ramush Haradinaj 54.713 vota./REL

Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, më 11 mars viziton Kosovën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, më 11 mars (e martë) do ta vizitojë Kosovën.

Rutte do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Sipas njoftimit, sekretari i NATO-s do të ketë konferencë për media me Osmanin rreth orës 15:00.

Veç liderëve të institucioneve të Kosovës, Rutte, i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve anëtare të kësaj aleance, do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, ambasadorin e BE-së, Aivo Orav, shefin e EULEX-it, Giovanni Barbano e shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.

Është kjo vizita e parë e Ruttes në Kosovë prej kur u emërua sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.