Politikanët zviceranë i bënë homazhe Papa Françeskut

Homazhe nga qarqet politike u bënë në nder të Papa Françeskut, i cili vdiq të hënën në Romë, përcjell albinfo.ch.

Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter e quajti Papën një “udhëheqës të madh shpirtëror, një avokat të palodhur për paqen”, duke shtuar se “trashëgimia e tij do të zgjasë”.

Ndër shumë homazhe të tjera, deputeti Laurent Wehrli vlerësoi Papën që “nuk i humbi kurrë nga sytë interesat e njerëzve të zakonshëm” dhe se ishte “një fener shprese për ata në nevojë”.

Dhe një tjetër deputet, Martin Candinas, vuri në dukje se Papa “bazoi parimet e tij në bamirësi dhe mëshirë, duke demonstruar një afërsi të madhe me njerëzit deri në fund”.

Paralajmërim për sulme kibernetike në mbarë botën

Rrjete të gjëra kriminale kanë bërë miliarda me mashtrime përmes internetit në Azi dhe tani po i zgjerojnë operacionet në Evropë, Afrikë, Amerikën e Jugut e më tej. Prandaj, OKB-ja kërkon bashkëpunim ndërkombëtar.

OKB-ja paralajmëron se rrjetet aziatike të krimit, që kontrollojnë industrinë e mashtrimeve online dhe nxjerrin fitime në miliarda dollarë, po i zgjerojnë operacionet në të gjithë botën. Në raportin e OKB-së thuhet se masat zyrtare në vendet e Azisë Juglindore nuk arrijnë t’i frenojnë këto organizata kriminale.

Në raport thuhet se bandat kineze dhe ato nga Azia Juglindore i joshin viktimat duke premtuar investime, fitime me kriptomonedha, romanca dashurie e mashtrime të tjera, raporton DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), mashtrimet kibernetike tani janë kthyer në një industri të sofistikuar mbarëbotërore. Bandat kanë konvikte të shumta, ku strehojnë dhjetra-mijëra punëtorë – kryesisht të trafikuar – të cilët i detyrojnë të mashtrojnë njerëz të tjerë online.

Për të luftuar këto grupe krimi nevojitet bashkëpunim ndërkombëtar.
“Ky lloj krimi po përhapet si kancer,” thotë Benedikt Hofmann, përfaqësues rajonal i UNODC për Azinë Juglindore dhe Paqësor. “Autoritetet e kundërshtojnë në një zonë, por rrënjët e tij nuk zhduken kurrë; ato thjesht migrojnë nga një vend në tjetrin.”

UNODC njofton se rrjetet kriminale po zgjerojnë operacionet nga Azia në Amerikën e Jugut, Afrikë, Lindjen e Mesme, Evropë e madje edhe disa ishuj të Paqësorit.

Raporti tregon se në vitin 2023 grupet kriminale nxorën rreth 37 miliardë dollarë (32,5 miliardë euro) nga mashtrimet kibernetike në Azinë Lindore dhe Juglindore, dhe mbi 5,6 miliardë dollarë (4,9 miliardë euro) në SHBA.

UNODC i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të veprojë menjëherë, duke nënvizuar se gjendja ka arritur në një “pikë kritike kthese”. Mospërfshirja në aksionet e përbashkëta kundër këtyre bandave do të ketë “pasoja të paprecedenta për Azinë Juglindore, me ndikim global”.

Vdekja e Papa Françeskut ndikon edhe në futbollin italian

Vdekja e Papës Françeskut tronditi të gjithë botën. Kësaj dhimbje të madhe iu bashkua edhe bota e futbollit, mbi të gjitha në Itali, ku të gjitha ndeshjet e planifikuara për të hënën u shtynë në një datë të papërcaktuar.

Vetë Lega Serie A doli më pas me një njoftim zyrtar, duke bërë me dije se katër takimet—Torino–Udinese, Cagliari–Fiorentina, Genoa–Lazio dhe Parma–Juventus—do të luhen të mërkurën, më 23 prill, në orën 18:30, transmeton albinfo.ch.

Gjithashtu, të mërkurën do të zhvillohet edhe derbi i “Madonnina”, Inter–Milan, në orën 21:00, ashtu siç ishte parashikuar fillimisht. Mbetet ende e paqartë se çfarë do të ndodhë me javën e 34-të të Serie A, që është në program nga e premtja deri të dielën.

Serie A mbetet pezull, pasi nuk është përcaktuar ende se kur do të zhvillohen homazhet dhe ceremonia e përkujtimit të Papës Françeskut për banesën e tij të fundit. Në Itali do të mbërrijnë krerë shtetesh nga e gjithë bota, mes të cilëve edhe Donald Trump, i cili ka konfirmuar prezencën.

Ekipi më i prekur nga kjo situatë pritet të jetë Inter, teksa zikaltërit nuk preferojnë një ngjeshje edhe më të madhe të kalendarit, pasi janë ende në garë në Serie A, Champions League dhe Kupën e Italisë.

Shaqiri në formacionin e javës në Zvicër

Xherdan Shaqiri ka “rilindur” dhe ndodhet në formë të jashtëzakonshme me Baselin.

Ylli shqiptar, në ndeshjen e fundit, shënoi një gol dhe dha tri asistime, shkruan albinfo.ch.

Shaqiri ka arritur 14 gola dhe 17 asistime në këtë edicion, duke udhëhequr renditjen e Superligës zvicerane si golashënuesi dhe asistuesi kryesor.

Ai u vlerësua me notën 9.5, një prej më të lartave. Në formacionin e javës u përfshi edhe futbollisti tjetër shqiptar, Bledian Krasniqi, i Zurichut, i cili u notua me 8.1.

Foto

Hapet shkolla e parë shqipe në këtë qytet të Italisë

Mësohet se, për herë të parë në qytetin e Firencës, është hapur shkolla shqipe, ku gjuha mësohet falas për të gjithë fëmijët 5–15 vjeç, transmeton albinfo.ch.

Shoqata kulturore shqiptare “Adriatiku”, e krijuar rishtas në Firence dhe e shtrirë në të gjithë Toskanën, hapi shkollën shqipe në “qytetin e kulturës dhe humanizmit”.

Në Firence, numri i shqiptarëve – nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si nënshtetas italianë apo rezidentë – është i konsiderueshëm në raport me popullsinë vendase, po ashtu edhe kontributi i tyre në jetën e përditshme të qytetit.

Shtatë mësuese të shqipes, me përvojë në mësimdhënie në Shqipëri dhe Itali, zhvillojnë mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe me fëmijët me origjinë shqiptare, të lindur në Itali, të cilët duan të njihen me gjuhën e prejardhjes, e jo vetëm si element identitar, por edhe si pasurues të dimensionit të tyre si nënshtetas apo rezidentë italianë.

Njohja dhe shkëmbimi i mendësisë në një Firence multikulturore është një nga qëllimet kryesore të shoqatës. Ky hap i parë, krijimi i shkollës shqipe si bërthamë e së ardhmes së qendrës së gjuhës dhe kulturës shqipe, është i rëndësishëm.

Shkolla ndodhet pranë Circolo SMS Rifredi dhe ka regjistruar 25 fëmijët e parë.

Dua Lipa feston Pashkët në bregdetin shqiptar

Duket se Dua Lipa po shijon festën e Pashkëve në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore ka publikuar një sërë fotografish në rrjetin social Instagram, ku njoftoi se po i shijon edhe rrezet e diellit pranveror.

Ajo ka publikuar 13 fotografi dhe ka njoftuar se ka shijuar edhe bregdetin shqiptar, derisa ka publikuar edhe momente me të dashurin, Callum Turner.

https://www.instagram.com/p/DIt62bmNuEM/?img_index=7&igsh=MTc2NTI1bXNjaXRpYw==

Kuvendi i Kosovës njofton zyrtarisht për vazhdimin e seancës konstituive

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar vazhdimin e seancës konstituive më 23 prill, në orën 10:00, përcjell albinfo.ch.

Kuvendi mbeti pa zgjedhur kryeparlamentarin, pasi LVV-ja propozoi Albulena Haxhiun, por ajo mori vetëm 57 vota.

Seanca e së hënës shënoi dështimin e katërt radhazi për konstituimin e Kuvendit.

Pas hapjes, kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga LVV-ja të ripropozonte kandidatin për kryetar. Deputeti Glauk Konjufca tha se emri mbetet i njëjtë – Albulena Haxhiu – por, meqë partitë e tjera thanë se nuk do ta votojnë, nevojiten konsultime të mëtejshme:

“LVV-ja, pa dyshim, e ka të njëjtin emër: Albulena Haxhiu. Duke pasur parasysh që që prej dje subjektet politike kanë paralajmëruar qëndrimin e njëjtë, mendoj se në këtë situatë nuk mund të zgjidhet pa një marrëveshje politike. Pa mazhorancë për kryetarin e Kuvendit, vetë Kuvendi nuk mund të themelohet. E njëjta logjikë vlen edhe për nënkryetarët. Andaj, zoti kryesues, kërkojmë kohë shtesë që të mos përsëritet situata që patëm tri herë radhazi.”

Kërkohet paraburgim ndaj gjashtë të dyshuarve për rastin e vrasjes policit Muhamed Lika

Përditësimi i lajmit

Të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Lika dërgohen në gjykatë

Të dyshuarit për planifikimin dhe kryerjen e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika, të shoqëruar nga Njësia Speciale Operative e Policisë së Kosovës janë dërguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Të arrestuarit H.B, E.L, Sh.K, R.M, D.G dhe V.Ç., të martën do të dalin para gjykatës në seancën dëgjimore, e cila do të mbahet e mbyllur për media.

Të hënën në Kaçanik janë arrestuar shtatë persona të cilët dyshohen për planifikimin dhe kryerjen e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika.

Seanca dëgjimore mbahet sot me fillim nga ora 13:00.

Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar një muaj paraburgim për gjashtë të arrestuarit.

Ndërkaq dje, Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës prej një muaj paraburgim kundër të miturit R.B, si i dyshuar kryesor për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, më 1 prill në Kaçanik.

Muhamed Lika u vra në shkallët e ndërtesës ku jetonte në Kaçanik, më 1 prill derisa po kthehej nga puna.

 

Kërkohet paraburgim ndaj gjashtë të dyshuarve për rastin e vrasjes policit Muhamed Lika


Bëhet e ditur se prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve: H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G.- komuna Kaçanik, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Referuar Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për ta privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë, rreshterin M.L., me detyrë në Stacionin Policor në Kaçanik, ku viktima pas përfundimit të orarit të punës ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, i njëjti ishte përcjell në vazhdimësi nga madhorët deri te hyrja e banesës së tij ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor, i mituri me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri dhe në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra nga predhat e armës së zjarrit,  viktima M.L., ka ndërruar jetë, me këtë në bashkëkryerje, të pandehurit do të kryenin veprën penale “Vrasje e rëndë”nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës Nr. 06/L-074.

Të pandehurit që nga data 22 Prill 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.

Për tri vjet Qeveria e Kosovës shpenzoi rreth 30 milionë euro për udhëtime jashtë vendit

Institucionet e Kosovës kanë shpenzuar 29 milionë e 230 mijë euro gjatë tre vjetëve të fundit vetëm për udhëtime zyrtare jashtë vendit, mëditje, akomodim dhe për shpenzime të tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit, përcjell albinfo.ch.

Referuar të dhënave nga raporti i buxhetit të vitit të kaluar të Ministrisë së Financave, vërehet një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve të luksit në vitin 2024, në raport me vitet paraprake 2023 dhe 2022.

Sipas raportit, gjatë vitit 2022, për udhëtime zyrtare janë shpenzuar 2.5 milionë euro, për mëditje dhe udhëtime 2.6 milionë euro, ndërsa për akomodim 1.9 milionë euro, për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit 961 mijë euro apo në total 7 milionë e 961 mijë euro.

Në vitin 2023, kjo shumë është rritur ndjeshëm: 3 milionë euro për udhëtime, 3.2 milionë euro për mëditje dhe 2.1 milionë euro për akomodim jashtë vendit, për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit 1.2 milionë euro apo në total 9 milionë e 500 mijë euro.

Ndërkohë që viti 2024 shënon kulmin e këtyre shpenzimeve, me 4.2 milionë euro të shpenzuara për udhëtime, 3.9 milionë euro për mëditje dhe 2.7 milionë euro për akomodim, për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit 971 mijë euro apo në total 11 milionë e 770 mijë euro.

Ndahet nga jeta ish-kryetari i Prishtinës Salih Gashi

Ka ndërruar jetë ish‑kryetari i Prishtinës, Salih Gashi, përcjell albinfo.ch.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka shprehur ngushëllimet e tij.

Sipas Ramës, Gashi “ishte një nga kontribuuesit e palodhur për rindërtimin dhe konsolidimin institucional të kryeqytetit në një kohë të vështirë për vendin tonë. Me përkushtim, urtësi dhe integritet, ai la gjurmë në shërbimin publik dhe në rrugëtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Gashi, miqve, bashkëpunëtorëve, komunitetit akademik dhe gjithë qytetarëve të Prishtinës”, shkroi Rama në Facebook.

Blick: Shaqiri i jashtëzakonshëm

Xherdan Shaqiri po konsiderohet ylli i Superligës së Zvicrës në futboll shënoi një gol  të bukur të hënën mbrëma dhe bëri plot tri asistime mjeshtërore në fitoren 5:0 të Baselit ndaj Yverdonit, përcjell albinfo.ch.

Blick shkruan se kjo ndeshja i takoi xhiros së fundit të stinorit të rregullt në elitën zvicerane.

Baseli është lider me 61 pikë, gjashtë më shumë se Servette e vendit të dytë. Në plejof i ka edhe pesë ndeshje. Por me formën që po e kalon Shaqiri, Baseli duket i pandalshëm në rrugën drejt titullit.

Me kontributin e së hënës, 33-vjeçari tani i ka 14 gola e plot 17 asistime në 29 paraqitje kampionale. Pra ka më shumë kontribut në gola, me shënim apo asistim, se ndeshje të luajtura.

Se Shaqiri është në superformë, e pranojnë edhe mediat zvicerane.

“Liga zvicerane zakonisht në janar e nderon lojtarin më të mirë të 12 muajve të kaluar. Këtë vit, liga mund ta ndajë çmimin për Xherdan Shaqirin që në prill. Nuk mund të shkojë më mirë se kaq. Një gol dhe tri asistime – dy prej tyre të nivelit më të lartë botërorë”, ka shkruar “Blick”, që e ka vlerësuar Shaqirin më të mirin e ndeshjes.

“Blick” ka shkruar po ashtu që Shaqiri ishte i jashtëzakonshëm në fitoren e Baselit.

Sajti zyrtar i televizionit zviceran gjithashtu ka ngritur në qiell Shaqirin.

“Shaqiri i jashtëzakonshëm: lideri Baseli kalon përtej Yverdonit”, është titulli i SRF.

Televizioni zviceran i ka kushtuar hapësirë asistimit me thembër të Shaqirit, që ishte shumë i bukur.

“Shfaqje e Shaqirit në ‘St. Jakobs Park’”, ka shkruar sajti tjetër i njohur zviceran, “bluewin.ch”. Edhe për këtë medium nuk kishte dilema që Shaqiri ishte lojtar i ndeshjes.

“Çka tjetër mund të thuhet? Kontribut në katër gola. Superlativët po mbarojnë”, ka shkruar “bluewin.ch”.

Edhe sajti nga Baseli, “bazonline.ch” ka përmenduar shkëlqimin e kapitenit Shaqiri në fitoren e thellë.

Sajti zyrtar i klubit Basel ka veçuar shkëlqimin e Shaqirit në titullin e raportit. E ka shpallur lojtar të ndeshjes kosovarin. Paraqitja e Xherdanit, sipas Baselit, ishte magjike.

Baseli për herë të parë pas më shumë se shtatë vjetësh ka shënuar pesë fitore rresht. Me formën aktuale shpejt do ta festojë titullin e kampionit, të cilin e pret që nga viti 2017. Do të jetë titulli i 21-të për Baselin, i katërti i Zvicrës për Shaqirin me këtë skuadër. Tre të parët i kishte fituar prej vitit 2010 deri në vitin 2012.

Pas 16 vjetësh në Gjermani, mërgimtari kthehet në Kosovë dhe hap fermën e pulave

Një rrëfim suksesi vjen nga Suad Gucati, i cili ka jetuar dhe vepruar 16 vjet në Gjermani, transmeton albinfo.ch.

Pas këtyre viteve, ai së bashku me familjen vendosi të kthehet përfundimisht në Kosovë për të investuar në fermën e pulave “Drini”.

“16 vite jetova në Gjermani; tashmë jam kthyer me gruan dhe me fëmijët në vendlindje për të investuar”, është shprehur ai.

Ai renovoi fermën para një viti në fshatin Marinë të komunës së Skenderajt, dhe sipas tij gjithçka po shkon mbarë.

Përveç pulave, ai tani zotëron 5 000 zogj të vegjël, dhe për pak ditë pritet të shtohen edhe 2 000 të tjerë, në total 7 000.

“Brenda tre muajsh kemi shitur 6 500 pula, ndërkohë që investimet janë mbi 200 000 euro”, tregon Suadi.

Presidenti i Leverkusenit: Granit Xhaka nuk është në shitje

Në një deklaratë për media, presidenti i Bayer Leverkusenit, Fernando Carro, tha se Granit Xhaka nuk është në shitje. Ai theksoi se janë të kënaqur me kapitenin e Zvicrës, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se reagimi i presidentit të Leverkusenit vjen pas raportimeve se Xhaka mund të largohet gjatë verës për t’iu bashkuar skuadrës turke Galatasaray.

“Ne jemi shumë të lumtur me të. Nuk planifikojmë ta lëshojmë,” tha Carro, shkruan “Blick”.

Xhaka, 32‑vjeçar, është lider i Leverkusenit. Mesfushori me origjinë kosovare ka fituar me Leverkusenin titullin kampion dhe Kupën e Gjermanisë. Edicionin e kaluar, Leverkuseni humbi në finale të Ligës së Evropës ndaj Atalantës.

Në edicionin aktual, Xhaka ka shënuar dy gola dhe ka asistuar shtatë herë në 30 ndeshje në Bundesligë. Leverkuseni është ende në garë me Bayern Munichun për titullin, por ka gjasa të vogla.

Sigurimi shëndetësor në Zvicër: Dallime të mëdha në sigurimet shtesë

Në vitin 2023, kompanitë e sigurimeve shëndetësore në Zvicër, si CSS, raportuan një diferencë të konsiderueshme mes shumës së mbledhur nga premiet dhe shpenzimeve për trajtime mjekësore. CSS mbledhi 1,248 milionë franga për sigurime shtesë për trajtimet ambulatorë dhe spitalore, ndërsa shpenzoi vetëm 784 milionë franga për shërbimet mjekësore, që do të thotë se mbledhën 37% më shumë se sa çfarë paguajnë për trajtimet.

Kjo diferencë ka qenë e qëndrueshme nga viti 2012, duke luhatur midis 35% dhe 40%. Por ku shkojnë këto qindra miliona franga që paguhen nga abonentët? Sipas rregullatorit financiar FINMA, fitimet janë të kufizuara në 10%, ndërsa pjesa tjetër e shumës, më shumë se 300 milionë franga për CSS vetëm në vitin 2023, përdoret për kostot administrative dhe rezerva.

Për çdo 3 franga që rimbursohen për shpenzime shëndetësore, të paktën 1 frangë shkon për kostot dhe rezervat variabile. Për sigurimet e detyrueshme shëndetësore, raporti është shumë më i ulët, me 1 frangë administrim për çdo 19 franga shpenzimesh trajtimi.

“Këto shifra janë të habitshme,” thotë Mauro Poggia, ish-Ministër i Shëndetësisë në qeverinë e Gjenevës. “Fatkeqësisht, këto kompani drejtohen tani nga menaxherë mercenarë, të cilët kanë si qëllim të rrisin fitimet dhe shpërblimet për aksionerët.”

Ndërkohë, edhe Helsana, një tjetër gjigant në sektorin e sigurimeve shtesë në Zvicër, ka raportuar një margjinë më të ulët fitimi në krahasim me CSS – vetëm 27% më shumë se sa ajo pagoi për trajtimet mjekësore. Sidoqoftë, diferenca është edhe më e madhe krahasuar me Sanitas, një fond më i vogël sigurimi shëndetësor, transmeton albinfo.ch.

FINMA nuk ka dhënë një shpjegim të qartë për këto diferenca dhe ka deklaruar se nuk mund të komentojë mbi këtë çështje. Po ashtu, nuk është e mundur të përcaktohet saktësisht cilat janë shkaqet e këtyre dallimeve midis siguruesve.

Dallimet mes kompanive të sigurimeve shëndetësore janë gjithashtu të dukshme në periudha kohore, sidomos në kujdesin spitalor. Ndërmjet viteve 2008 dhe 2011, diferenca mes shumës së mbledhur dhe shpenzimeve për trajtime ishte 19%, ndërsa pas vitit 2012, kjo ka arritur në 31%.

Në vitin 2012, financimi i spitaleve u ndryshua dhe kantonet u ngarkuan me financimin e një pjese të kostove të trajtimit, duke lehtësuar ngarkesën mbi fondet private të sigurimit shëndetësor.

Mauro Poggia, ish-Ministër i Shëndetësisë, thotë se ka tentuar që prej vitit 2015 të kuptojë si FINMA siguron që fondet publike të mos përdoren për të rritur fitimet e siguruesve privatë, por nuk ka marrë kurrë një përgjigje për këtë çështje.

Ky shqetësim është një nga shumë që kanë ngritur ekspertët dhe autoritetet e shëndetësisë mbi praktikat e sigurimeve shëndetësore në Zvicër.

Brenda Kishës Katolike: Sulmet që e rrethuan Papa Françeskun

Që prej vitit 2013, kur u zgjodh në krye të Kishës Katolike, Papa Françesku është dalluar për frymën e tij të hapur, përkushtimin ndaj të varfërve, dhe qasjen përfshirëse ndaj komuniteteve që shpesh janë lënë mënjanë – përfshirë të huajt, të divorcuarit dhe komunitetin LGBTQ+. Por kjo frymë e re nuk ka kaluar pa reagime.

Në fakt, disa nga sfidat më të mëdha të Françeskut nuk kanë ardhur nga jashtë, por nga brenda vetë Vatikanit. Figura të larta të hierarkisë katolike, si kardinalët e Dubisë, kanë qenë ndër më kritikët. Ata e kundërshtuan hapur dokumentin “Amoris Laetitia”, që lehtësonte afrimin e të divorcuarve të rimartuar me Kishën.

Një tjetër zë i fortë kritik ka qenë At Georg Gänswein, ish-sekretari i Papa Benediktit XVI, i cili akuzoi Françeskun për thyerje të traditës liturgjike dhe për përjashtim nga qendrat vendimmarrëse. Ndërsa kryepeshkopi Carlo Maria Viganò shkoi edhe më tej – e akuzoi Papën për mbulim të skandaleve seksuale dhe i kërkoi dorëheqjen. Pas kësaj, Viganò u shkishërua.

Edhe kardinali Müller, që më parë drejtonte Kongregatën për Doktrinën e Fesë, ka kritikuar Françeskun për “keqqeverisje” dhe për ndikimin që, sipas tij, kanë këshilltarët progresistë.

Por përballë këtyre sulmeve, Papa Françesku ka qëndruar i palëkundur. Ai ka vijuar me reformën e tij duke theksuar mëshirën, drejtësinë dhe nevojën për të qenë një Kishë që i qëndron afër njerëzve. Edhe kur është quajtur “satanist”, “mason” apo “komunist”, ai nuk ka hequr dorë nga rruga që ka zgjedhur: një rrugë e bazuar në Ungjill dhe dashuri për të gjithë.

A mund të jenë tatuazhet të rrezikshme për shëndetin? Ja çfarë thotë një studim i ri

Tatuazhet janë kthyer prej kohësh në një formë shumë e përhapur e vetë-shprehjes artistike dhe personale. Por, a mund të fshihen rreziqe për shëndetin pas bojës dhe gjilpërës?

Një studim i ri nga Danimarka ka hapur një debat të madh në komunitetin shkencor dhe mjekësor, duke sugjeruar se tatuazhet mund të kenë lidhje me një rrezik më të lartë për disa forma të kancerit.

Çfarë zbuloi studimi?

Studiuesit analizuan të dhënat e 2,367 binjakëve të lindur midis viteve 1960 dhe 1996. Nga këta, u përqendruan tek 316 çifte ku njëri binjak ishte i tatuazhuar dhe tjetri jo. Rezultatet treguan se:

Personat e tatuazhuar kishin 1.6 herë më shumë gjasa të zhvillonin kancer të lëkurës.

Po ashtu, kishin 1.3 herë më shumë rrezik për limfomë, një lloj kanceri i sistemit limfatik.

Sipas studimit, bojërat e tatuazheve mund të migrojnë në nyjet limfatike, duke ndikuar në sistemin imunitar dhe ndoshta duke kontribuar në zhvillimin e sëmundjeve të rënda.

Po çfarë mendojnë mjekët?

Ekspertët shprehen me kujdes ndaj interpretimit të rezultateve. Dermatologu Olivier Gaide thotë se studimi ka mangësi të rëndësishme, si mungesa e të dhënave mbi faktorë të tjerë të rrezikut si ekspozimi në diell, duhanpirja apo predispozita gjenetike.

Ai thekson se nuk ka arsye për panik, por as për t’i injoruar sinjalet. “Kërkime më të thelluara janë të nevojshme për të nxjerrë përfundime të sakta”, shton ai.

Rreziqe që duhet të dihen

Pavarësisht debatit rreth kancerit, tatuazhet përfshijnë rreziqe reale që duhen marrë parasysh:

Infeksione – Nëse nuk kryhen në kushte sterile dhe profesionale.

Alergjitë – Veçanërisht nga bojërat e kuqe dhe përbërësit kimikë të caktuar.

Ndryshime në lëkurë – Tatuazhet mund të fshehin nishane ose shenja të tjera që duhen kontrolluar.

Çfarë mund të bëni?

Nëse keni një tatuazh ose po mendoni ta bëni:

Zgjidhni gjithmonë një studio të licencuar dhe të pastër.

Kërkoni informacion për përbërjen e bojës – disa përmbajnë metale të rënda ose substanca të dyshimta.

Monitoroni lëkurën tuaj rregullisht dhe konsultohuni me dermatologun nëse vëreni ndonjë ndryshim/albinfo.ch/

Kongresi amerikan paraqet rezolutën 26: Një hap historik kundër dhunës seksuale në Kosovë

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka njoftuar se Kongresi Amerikan ka paraqitur Rezolutën 26, një veprim historik që ofron një mbështetje të fuqishme kundër krimeve të dhunës seksuale në Kosovë.

“Një luftë që ka zgjatur shumë vite, e mbushur me vuajtje dhe heshtje, por që tani po merr vëmendjen globale që meriton. Mirënjohje të pafundme për Vasfije Krasniqi Goodman, simbol i pafund i guximit, dhe Vera Mjeku, që kanë luftuar pa u ndalur për të drejtat dhe të vërtetën. Ky vendim sjell një shpresë të re për çdo të mbijetuar që ka duruar dhe ka kërkuar drejtësi gjatë gjithë këtyre viteve”, thuhet në njoftim.

https://www.facebook.com/share/p/1By7boh7fn/

Studim: Fëmijët në rrezik nga përmbajtja e dëmshme e lojës Roblox

Roblox është një platformë lojërash shumë e popullarizuar që përdoret nga miliona njerëz çdo ditë, përfshirë edhe të miturit. Një studim i ri tregon se fëmijët janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të rënda, pasi masat e sigurisë në platformë janë të pamjaftueshme.

Rreziku nga përmbajtja e papërshtatshme
Platforma Roblox, një univers virtual me lojëra dhe mjedise interaktive, ka mbi 85 milionë përdorues aktivë çdo ditë, 40 % e të cilëve janë nën 13 vjeç. Sipas studimit të organizatës Revealing Reality, masat e sigurisë nuk janë të mjaftueshme për të mbrojtur fëmijët. Pjesëmarrësit mund të hasin përmbajtje eksplicite dhe të ndërveprojnë me të rritur pa asnjë verifikim moshe.

Mjedise të papërshtatshme dhe ndërveprime me të rritur
Një nga llogaritë e regjistruara për një përdorues 10-vjeçar kishte qasje në mjedise të ndjeshme, si një hotel ku shfaqej një avatar femëror me veshje të ngushta dhe lëvizje sugjestive, si edhe avatarë të tjerë në pozita seksuale. Pjesë të tjera përmbanin objekte fetishe dhe biseda mes përdoruesve me fjalë e tinguj të papërshtatshëm.

Komunikimi i fëmijëve me të rritur pa verifikim moshe
Përdoruesit e testuar, madje edhe ata 5-vjeçarë, mund të komunikonin e ndërvepronin me të rritur pa asnjë verifikim moshe. Një avatar i regjistruar si i rritur mund t’u kërkonte fëmijëve të dhëna personale (p.sh. llogarinë e Snapchat) në mënyrë të papërshtatshme.

Reagimi i Roblox
Roblox ka pranuar ekzistencën e “aktorëve të keq” online, por thekson se ky problem tejkalon kufijtë e platformës dhe kërkon bashkëpunim ndërkombëtar dhe përpjekje të industrisë për masat e forta të sigurisë. Gjithashtu ata kujtojnë se gjatë vitit 2024 kanë zbatuar mbi 40 përmirësime të ndryshme të sigurisë.

Lëndohet sërish Gjimshiti, kuqezinjtë në ankth

Berat Gjimshiti la fushën e lojës në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Milanit, pasi, si pasojë e një ndërhyrjeje, mori një goditje në kavilje.

Futbollisti shqiptar nuk mund të vazhdonte më, dhe Gasperini u detyrua ta ndërronte.

Sipas mediave italiane, ekziston shqetësimi që Gjimshiti të mos jetë në formën optimale në ndeshjet e fundit të sezonit, ku Atalanta do të zgjidhë çështjen e kualifikimit në Ligën e Kampioneve, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Ai parashikohet të lihet fillimisht pushim në ndeshjen e radhës përballë Lecces, pasi në klub nuk duan ta rrezikojnë për ndeshjet shumë më të komplikuara në vijim.

Rikuperimi i Gjimshitit në fundin e sezonit do të jetë i rëndësishëm për Kombëtaren shqiptare, duke pasur parasysh ndeshjet vendimtare të kualifikueseve të qershorit ndaj Serbisë dhe Letonisë.

Përplasja e dy tramvajëve në Cyrih shkakton përkohësisht ndêrprerje trafiku

Një përplasje mes dy tramvajëve VBZ ndodhi pasditen e së hënës në qendër të Cyrihut, duke shkaktuar dëme të mëdha në të gjitha mjetet e përfshira.

Fatmirësisht nuk pati të lënduar. Stacionet Qendrore dhe Paradeplatz janë mbyllur përkohësisht për trafikun publik, dhe ka ndërprerje të shërbimeve deri në orën 21:00, transmeton albinfo.ch.

Aksidenti i parë ndodhi rreth orës 16:00 pranë ndalesës Qendrore të tramvajit në Distriktin 1, kur një tramvaj Cobra i linjës 3 përplasi një tjetër tramvaj Cobra të linjës 4. Të dy tramvajët dolën nga shinat. Në të njëjtën kohë ndodhi një përplasje tjetër në ndalesën Paradeplatz, ku një tramvaj i linjës 8 u përplas me një tramvaj Cobra të linjës 4.

Përveç ndërprerjeve të shërbimeve të tramvajëve, trafiku i trenave në stacionin Stadelhofen është gjithashtu i prekur për shkak të një defekti teknik.

Policia e Cyrihut po heton përplasjet dhe po mbledh prova. Ndërprerjet do të vazhdojnë deri në orën 21:00, dhe mund të ketë vonesa, anulime e ndryshime të itinerarëve.

Momente paniku kur aeroplani shpërtheu në flakë, evakuohen 300 pasagjerë në Orlando

Rreth 300 pasagjerë përjetuan momente paniku në Aeroportin Ndërkombëtar të Orlandos, kur njëri prej motorëve të aeroplanit të kompanisë Delta shpërtheu në flakë ndërsa ndodhej ende në pistë. Pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale tregojnë tym të dendur dhe zjarr që shpërthen nga motori, ndërsa udhëtarët evakuohen me ngut përmes rrëshqitjeve emergjente.

Fluturimi me numër Delta 1213 ishte planifikuar të nisej nga Orlando – qyteti i njohur për Disneyland – drejt Atlantës, me afërsisht 300 persona në bord. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar.

Sipas deklaratave të linjës ajrore, ekuipazhi veproi me shpejtësi dhe profesionalizëm duke ndihmuar në evakuimin e menjëhershëm të të gjithë pasagjerëve, pasi flakët u vërejtën në njërin prej motorëve kryesorë.

Ngjarja tashmë është nën hetim nga Administrata Federale e Aviacionit, e cila pritet të zbardhë shkaqet e këtij incidenti të rrezikshëm.

VIDEO:

https://m.youtube.com/watch?v=2JcE0MnAZmw