Për një vit turistët në Shqipëri shpenzuan gati 5 miliardë euro

Gati 5 miliardë euro. Kaq para shpenzuan turistët e huaj që vizituan Shqipërinë vitin e shkuar, përcjell albinfo.ch.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, në krahasim me vitin 2023, shpenzimet e pushuesve të huaj u zgjeruan me 769 milionë euro, ose 19 për qind.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të flukseve të turistëve të huaj që po hyjnë në Shqipëri,” tha për A2 CNN ekspertja e turizmit, Blerina Ago.

Vitin e shkuar vendin e vizituan 11.7 milionë pushues të huaj. Mesatarisht, çdo turist rezulton të ketë shpenzuar rreth 427 euro, përfshirë këtu udhëtimin dhe akomodimin, duke përsëritur kështu paradoksin e “bumit të pushuesve të lirë”.

“Shqipëria nuk duhet të orientohet te shifrat. Raporti që ne duam është ai i shpenzimeve. Ne na duhen turistë që shpenzojnë. Ka shumë studime që tregojnë se ka kategori turistësh që shpenzojnë deri në 58 për qind të të ardhurave të tyre për pushime. Këta na duhen ne,” shtoi më tej Ago.

Fabulën joshëse “pushime me pak shpenzime në Shqipëri” e pranon edhe polakja Janika, e cila ka ardhur për pushime në Tiranë.

“Ardhja në Shqipëri më shumë është kuriozitet. Gjetëm bileta të lira dhe menduam të vijmë. Gjithashtu edhe çmimet e shtëpive me qira janë të lira. Rreth 40 euro dita është mjaftueshëm. Edhe ushqimet nuk janë shumë të shtrenjta. Nuk shkojmë në restorante, pasi aty kushton shumë,” tha turistja polake Janika për A2 CNN.

Në linjë të ngjashme me shpenzimet e turistëve të huaj kanë shkuar edhe ato të pushuesve shqiptarë që preferuan t’i kalonin jashtë ditët e lejes nga puna. Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se, vitin e shkuar, shqiptarët kanë shpenzuar 2.7 miliardë euro për pushime jashtë vendit. Në raport me vitin 2023, shifra u rrit me 379 milionë euro.

“Shqiptarët janë pushues të dëshiruar, pasi janë nga ata që shpenzojnë. Nuk kursehen si disa turistë që vijnë në Shqipëri,” tha për A2 CNN kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa.

Megjithatë, të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se mesatarisht, një shqiptar që shkon jashtë për pushime shpenzon 342 euro. Kjo shifër është rreth 85 euro më pak nga ajo që turistët e huaj mesatarisht shpenzojnë kur vijnë në Shqipëri.

Kroacia flet për marrëveshjen ushtarake me Kosovën dhe Shqipërinë, porosia për vendet tjera

Qeveria e Kroacisë lidhur me deklaratën e nënshkruar nga tri vendet, më 18 mars, komentoi se nisma e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, “është e hapur edhe për aleatë e partnerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, që “duan të kontribuojnë në ndërtimin e stabilitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Evropës Juglindore”.

Sipas saj, nismës mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike.

Qëllim i saj “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake”.

“Një aleancë e tillë – përveç anëtarësimit në NATO – as që është e nevojshme”, theksohet në përgjigjen me shkrim të Qeverisë kroate, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Ndryshe nga Shqipëria dhe Kroacia, Kosova nuk është anëtare e NATO-s.

Në reagimet e tij të para ndaj nismës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me nënshkrimin e dokumentit, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armësh në rajon” dhe “kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.

Kjo marrëveshje, e cila ka të bëjë me kuotat e lejuara në armatim, u nënshkrua atëkohë nga dy entitetet e Bosnje e Hercegovinës – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska, si dhe nga Kroacia dhe nga Republika Federale e Jugosllavisë, e cila përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi.

Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë, Qeveria kroate thotë se kjo marrëveshje është zbatuar vazhdimisht për 29 vjet.

Ajo, po ashtu, kujton se as Shqipëria dhe as Kosova nuk janë palë në atë marrëveshje.

“Në këtë kontekst, është krejtësisht e kotë të lidhet me Deklaratën e përbashkët, të nënshkruar së voni ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, qëllimi kryesor i së cilës është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet ministrive të mbrojtjes të vendeve mike, partnerëve dhe aleatëve”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kroacisë.

Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se përse e shohin si kërcënim nismën e tri vendeve ballkanike.

Por, Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë se Beogradi zyrtar “e di fare mirë” se aleatët e NATO-s nuk mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme kundër Serbisë.

“Për më tepër, tri vendet e përmendura nuk paraqesin asnjë kërcënim për Serbinë”, thotë Serwer.

Deklaratën e tri shteteve ai thotë se e sheh si “një lëvizje që kontribuon në stabilitet, jo në destabilizim”.

Ai vlerëson se Kosova ka vepruar “mençur” që ka lidhur partneritet me Shqipërinë dhe Kroacinë, të cilat janë vende anëtare të NATO-s.

NATO-ja e komentoi gjithashtu Deklaratën, duke e cilësuar si marrëveshje trepalëshe mes tri vendeve.

“NATO-ja, si organizatë, nuk është pjesë e iniciativës dhe, për këtë arsye, nuk ka pasur ndonjë rol në procesin e konsultimit”. 

Osmani: Nuk do të pushojmë derisa krimet që i kreu Serbia të marrin përgjigjen e duhur

Në një deklaratë, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, para familjarëve të masakruarve 26 vjet më parë në Krushë të Madhe, u betua se nuk do të ndalen asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë dhe krimet mizore të Serbisë të marrin dënimin e merituar, përcjell albinfo.ch.

E para e vendit tha se kur në një fshat vriten kaq shumë njerëz të pafajshëm dhe derdhet kaq shumë gjak, ai nuk është vetëm një vend në hartë, por është një dëshmi e përjetshme.

“Sot qëndrojmë në Krushë të Madhe, aty ku dhembja është gdhendur në çdo gur, në çdo prag shtëpie, në çdo zemër që rreh për drejtësi. Para 26 vitesh, ky fshat u godit nga një prej krimeve më të tmerrshme të regjimit gjenocidal të Serbisë. 241 burra e djem u masakruan, mes tyre 7 fëmijë e 5 gra, përfshirë edhe një grua shtatzënë”, tha gjatë fjalimit presidentja.

Edhe pas 26 vitesh, kur ende 64 persona figurojnë të zhdukur, e para e shtetit tha se kjo është një krim i shumëfishtë i Serbisë gjenocidale, sepse familjet e tyre jetojnë çdo ditë me dhimbjen, me mallin e një pritjeje që nuk merr fund asnjëherë.

“E në këtë radhë të gjatë të dhimbjes qëndron edhe një emër i madh i kombit tonë, një mendje e ndritur, një figurë e paharruar, Ukshin Hoti. Prej më shumë se dy dekadash, edhe fati i tij, sikurse i të gjithë banorëve të Krushës që sot janë të zhdukur me dhunë, mbetet i pazbardhur”, tha ajo para familjarëve në këtë ditë përkujtimore.

E para e shtetit tha se një intelektual, një patriot, një zë i guximshëm i kombit, u mor me dhunë nga regjimi kriminal serb, dhe prej atëherë nuk dihet më asgjë për të, përveçse se atë e mori Serbia.

“Ky mister nuk është vetëm një padrejtësi ndaj Ukshin Hotit dhe familjes së tij, por një plagë në ndërgjegjen e njerëzimit. Sepse pyetja ‘Ku është Ukshin Hoti?’ ende kërkon përgjigje, ashtu siç kërkojnë përgjigje edhe rreth 1600 të zhdukur me dhunë.”

Osmani tha se masakra e Krushës së Madhe nuk është vetëm një krim i tmerrshëm i para 26 vitesh, por është e përditshmja, është e sotshmja.

“Sepse dhimbja vazhdon edhe sot, njësoj si para 26 vitesh. Ajo është një betejë e hapur për drejtësi, prandaj nuk mund të lejojmë që gjaku i atyre të mbetet pa zë dhe sakrifica e tyre të harrohet. Ne nuk duhet të heshtim, nuk duhet të ndalemi, nuk duhet të lejojmë që drejtësia të vonohet pafundësisht, sepse drejtësia për Krushën e Madhe është drejtësi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë, për heronjtë e UÇK-së dhe për martirët e lirisë. Sot, para kujtimit të martirëve tanë, para dhembjes së familjeve të tyre, para kësaj toke të shenjtë, ne bëjmë betim: Nuk do të ndalemi asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë. Nuk do të pushojmë derisa krimet që u kryen nga ana e Serbisë të marrin përgjigjen e duhur. Nuk do ta harrojmë kurrë sakrificën e Krushës së Madhe”, tha presidentja.

Kenia e njeh zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur e sovran

Behgjet Pacolli, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se që nga 26 marsi, Republika e Kenias e ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur e sovran, përcjell albinfo.ch.

“Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës! Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet kur punohet dhe ka vullnet për të”, ka shkruar Pacolli.

Tutje, ai ka shtuar se kjo ka ardhur si rezultat i një pune të gjatë, të palodhshme e me shumë përkushtim.

“Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë. Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet.”

“Presidenti William Ruto i qëndroi fjalës së dhënë në vitin 2016. Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia.”

Media italiane, Shqipëria destinacion i 2025-ës

Revista italiane shkruan se 2025-a ofron disa opsione për turistët që duan një kombinim të relaksit dhe kostove të përballueshme, përcjell albinfo.ch.

Alesandro Molteni, në një artikull të botuar në revistën italiane të udhëtimit “Viaggiare Travel”, rendit gjashtë vende të cilat i klasifikon si destinacione të mahnitshme pa shpenzuar shumë, duke përfshirë Greqinë, Shqipërinë, Turqinë, Malin e Zi, Marokun dhe Egjiptin.

Sipas artikullit, Shqipëria po fiton me shpejtësi popullaritet mes turistëve që kërkojnë destinacione buxhetore për pushime verore.

Vendi ofron peizazhe mahnitëse natyrore, plazhe të pacënuara, kuzhinë të shijshme dhe një traditë të pasur kulturore.

Saranda, e vendosur në bregdetin e Jonit, është një nga destinacionet më të bukura dhe më të aksesueshme në Shqipëri, me ujërat e saj të kristalta, plazhet me rërë dhe restorantet me çmime të përballueshme, duke e bërë atë ideale për vizitorët që kërkojnë pushime me kosto të ulët.

Një tjetër destinacion i padiskutueshëm, sipas artikullit, është Vlora – një qytet port i pasur me histori dhe me një bregdet magjepsës, perfekt për një pushim që ndërthur detin, kulturën dhe kuzhinën tipike me çmime konkurruese.

Pushuesit italianë, në dy vitet e fundit, mbeten turistët që kanë peshë të madhe në numrin e vizitorëve të huaj, pasi renditen pas shtetasve nga Kosova, me gati 1 milionë turistë.

Diaspora solli në Shqipëri gati 1 miliardë euro

Dërgesat e mërgimtarve kanë shënuar rekord të ri absolut gjatë vitit të kaluar, prej gati 1 miliardë eurosh, tregojnë shifrat më të fundit nga “Banka e Shqipërisë”, përcjell albinfo.ch.

Shifra është edhe më e lartë se viti 2023, 2022 dhe viti 2008, kur regjistrohej rekordi i mëparshëm.

Rritja e ndjeshme e remitancave në vendin tonë ka nisur që me pandeminë, por është theksuar edhe më shumë me krizën e çmimeve të ndikuar nga konfliktet. Në total, emigrantët kanë dërguar të paktën 117 milionë euro më shumë se viti pararendës.

Bëhet fjalë për rreth 12.6% më shumë dërgesa nga emigrantët gjatë vitit 2024.

Gjithashtu, shifrat tregojnë se tremujori i fundit i vitit të kaluar ka thyer po ashtu një rekord historik, me rreth 272 milionë euro dërgesa. Kjo shifër është më e larta që nga viti 2008, nëse analziojmë të dhënat me bazë tremujore. Në tremujorin e 4-tët të vitit të kaluar, remitancat rezultojnë 8.2% më të larta se tremujori i njëjtë i vitit pararendës.

Nga këto shifra duket qartë se emigrantët kanë ndikuar mjaftueshëm për të ndihmuar familjet shqiptare, madje duke dërguar edhe më shumë para se gjatë pandemisë, kur shumë ekonomi familjare u prekën rëndë nga shpenzimet për shëndetësinë si pasojë e covid-19.

Megjithatë, shumë më shumë do të fitonin familjet shqiptare nga dërgesat e emigrantëve nëse monedha europiane do të paraqitet në nivele më të larta se këto dy vitet e fundit. Edhe pse euro nuk është monedha bazë e vendit, nënçmimi i saj kundrejt lekut padyshim që ka impaktuar ekonominë shqiptare, po ashtu edhe familjet të cilat e sigurojnë jetesën nga dërgesat e emigrantëve apo ato të cilat i kanë kursimet në euro. Por, nga ana tjetër, gjithë këto flukse hyrëse në ekonominë shqiptare kanë peshën e tyre në nënçmimin e euros.

Fillojnë hetimet për procesin e votimit me postë

Bëhet e ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë hetimet për procesin e votimit me postë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, përcjell albinfo.ch.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës në grumbullimin dhe verifikimin e informacioneve, mirëpo në këtë fazë të procedurës të parashtruara nuk mund të jepen detaje më të hollësishme sepse do të cenohej procesi hetimor.”

Po ashtu, është kërkuar që të sigurohen të dhënat e detajuara të votuesve të regjistruar jashtë vendit.

Ndërkohë, janë kërkuar edhe kopjet elektronike të të gjitha fletëvotimeve përmes postës të numëruara në QNR dhe të zarfeve.

Për votat me postë ka pasur ankesë Lëvizja Vetëvendosje. Kjo parti ka kërkuar që të anulohen votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës që kanë ardhur me postë. Sipas LVV-së, në këto vota ka pasur “vjedhje industriale”. LVV-ja ka kërkuar anulimin e gati 19 mijë votave për LDK-në.

LDK-ja ka konsideruar se me këto veprime, partia në pushtet po u bën presion autoriteteve.

Në votat me postë ka pasur ankesë edhe Koalicioni i Partisë Demokratike të Ashkalinjve dhe Lëvizjes për Bashkëveprim, që ka kërkuar të anulohen votat e Partisë së Ashkalinjve për Integrim.

Sivjet në diasporë u votua nëpër përfaqësi, por edhe me votë me postë. Në përfaqësi diplomatike, LVV-ja mori mbi 80 për qind, ndërsa LDK-ja ishte e treta me 7.3 për qind të votave. Ndërkaq, në votën përmes postës, LVV-ja mori 51.89 për qind, ndërsa LDK-ja 30.21.

Akuza e VV-së ka qenë kryesisht për shpërputhje të votave të disa kandidatëve të LDK-së nga votimet tjera në votimin me postë.

Votimin me postë e shfrytëzuan rreth 60 mijë qytetarë.

Të mërkurën (sot), është dita e fundit kur Gjykata Supreme, si instanca më e lartë gjyqësore në procesin e zgjedhjeve, duhet të dalë me vendime për ankesat e subjekteve politike. /koha.net

Kurti: Në mandatin e ri, ushtrisë do t’ia ndajmë mbi 1 miliard euro

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndër “sukseset” e qeverisë së tij ka radhitur investimet në fushën e mbrojtjes, përcjell albinfo.ch.

Ai tha se investimet në armatim janë shumëfishuar, ndërsa duke folur për mandatin e ri, deklaroi se ushtrisë do t’i ndahen mbi 1 miliard euro.

“Në mandatin e ri, ushtrisë do t’i ndajmë mbi 1 miliard euro. Do të kemi fabrikë të municioneve dhe dronë ushtarakë Made in Kosova, pra që i prodhojmë vetë. Kemi filluar të blejmë, për dallim prej më herët, dhe për dallim edhe prej tani, do të fillojmë të prodhojmë atë që kemi nisur ta blejmë,” tha Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Pavarësisht se mandati katërvjeçar i Kurtit u dominua nga paralajmërimet e SHBA-së për partneritetin me Kosovën, Kurti lavdëroi marrëdhëniet e qeverisë së tij me amerikanët.

“Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kemi zgjeruar dhe thelluar marrëdhëniet në fushën e energjisë dhe të mbrojtjes. Grantin më të madh ndonjëherë nga SHBA e ka fituar qeveria jonë, në vlerë prej 202 milionë dollarësh për sistemin e baterive të energjisë elektrike.

Nga bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me SHBA-në kemi blerë sistemin raketor anti-tank Javelin dhe do të blejmë edhe helikopterët Black Hawk.”

Kurti shpalos planin për rritje të pagës minimale mbi 500 euro

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka thënë se qeveria që ai ka udhëhequr për katër vjet “ka arritur rezultate të jashtëzakonshme”, përcjell albinfo.ch.

Kurti përmendi rritjen e pensioneve dhe shtesat për nënat lehona dhe fëmijët.

Ai gjithashtu përmendi edhe rritjen e pagave në sektorin publik dhe rritjen e pagës minimale në sektorin privat, për të cilën tha se në mandatin e ardhshëm do të rritet mbi 500 euro.

“Kemi rritje të pensioneve; prej mbi 300 mijë pensionmarrës janë rritur prej 20%. Përveç rritjes së rregullt, të gjithë kanë marrë shtesa prej 100 eurosh pesë herë gjatë mandatit tonë. Rreth 70 mijë nëna lehona, sërish për herë të parë, kanë marrë shtesa nga shteti, sikurse edhe mbi 400 mijë fëmijë. Për fëmijët i kemi dyfishuar dhe trefishuar shtesat. Tri herë kemi rritur pagën në sektorin publik. Në sektorin privat, pagën minimale dy herë: nga 130–170 sa e kemi gjetur – në 265 euro, dhe nga 265 – në 350 euro. Mandatin tjetër do ta rrisim përsëri mbi 500 euro”, tha Kurti.

Kurti përmendi edhe sektorin e shëndetësisë, ku premtoi se në mandatin e ardhshëm do të rrisin buxhetin për listën esenciale të barnave deri në 100 milionë euro.

“Shëndetësia publike është bërë më e mirë, më e lirë dhe me më shumë shërbime. Shumicën prej klinikave i kemi transformuar, shumë prej shërbimeve jetike për qytetarët janë bërë pa pagesë, e disa me çmime më të përballueshme. Në mandatin që na pret, do të vazhdojmë me investime spital pas spitali. Do të ndërtojmë dy spitale të reja e gjashtë poliklinika specialistike, dhe buxhetin për listën e barnave esenciale, që tashmë është në nivel rekord, do ta ngremë deri në 100 milionë euro”, tha Kurti.

Tërmet me magnitudë 3.2 goditi Shqipërinë, është ndjerë edhe në vend RMV

Një tërmet me magnitudë 3.2 ballë sipas shkallës Rihter është regjistruar mëngjesin e sotëm në Shqipëri, informon Qendra Sizmologjike Mesdhetare Evropiane (EMSC).

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 35 kilometra nga Elbasani, përcjell albinfo.ch.

Deri më tani, nuk ka konfirmim për dëme materiale të shkaktuara.

Lëkundjet janë ndjerë edhe në viset jugperëndimore të vendit, veçanërisht në rajonin e Ohrit-Strugës.

Katër vrasje në tre ditë në Kosovë, reagon Albin Kurti

Katër jetë janë marrë në vetëm tre ditë, çka ka bërë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të flasë në mbledhjen e sotme të Qeverisë mbi ngjarjet.

Kurti ka kërkuar nga organet e ligjit angazhim maksimal, ndërsa tha se duhet të ketë analizë profesionale, veprim institucional dhe reflektim shoqëror mbi gjithçka ka ndodhur në javën e fundit.

“Dua të ndaj brengën e njëjtë me të gjithë ju në lidhje me katër vrasjet e regjistruara në tri ditët e fundit. Ftoj organet e rendit, hetuesisë, që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve, në mënyrë që edhe të vihet drejtësi, edhe të parandalohen akte të tilla. Vrasja është akti më i rëndë njeriu-njeriut, ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet. Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut, por edhe e shoqërisë në të cilën ai bënte pjesë, pra shoqërisë sonë. Gjithë vendi është tronditur dhe lënduar nga kjo seri e vrasjeve, që duhet të ndalohet, ndalet, dënohet. Duhet, natyrisht, analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional, reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne. Edhe për faktin që këto vrasje ndodhën pikërisht në javën kur shënojmë 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë për ta ndalur gjenocidin e Serbisë dhe përkujtojmë masakrat e njëpasnjëshme të aparatit shtetëror të Serbisë, që synonte shfarosjen e popullit shqiptar,” tha ai.

Austria zbulon celulën e inteligjencës ruse që drejtonte një fushatë për përhapjen e dezinformatave për Ukrainën

Autoritetet austriake kanë zbuluar një fushatë të udhëhequr nga Rusia për përhapjen e dezinformatave për Ukrainën, pasi një grua bullgare e akuzuar për spiunim për Rusinë u arrestua në dhjetor, përcjell albinfo.ch.

Shërbimi i brendshëm austriak i inteligjencës zbuloi prova të këtij operacioni gjatë analizës së pajisjeve të gjetura gjatë kontrollit në banesën e gruas, tha Ministria e Brendshme në një deklaratë. Hetimi zbuloi se, disa javë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, u krijua një qelizë që punonte për shërbimin sekret rus për të planifikuar një fushatë dezinformimi në shkallë të gjerë në vendet gjermanishtfolëse, veçanërisht në Austri.

Grupi ishte aktiv në internet, por përdori gjithashtu ngjitëse dhe grafite me simbole të së djathtës ekstreme dhe deklarata nacionaliste, për të krijuar përshtypjen se aktivistët pro-ukrainas ishin përgjegjës, sipas Ministrisë së Brendshme.

E dyshuara bullgare, emri i së cilës nuk u bë i ditur, thuhet se ka luajtur një rol kyç në përpjekje dhe ka vepruar si një kontakt i inteligjencës, tha ministria, duke shtuar se ajo pranoi se punonte për celulën, veçanërisht në vitin 2022. Një vit më parë, skandali më i madh i spiunazhit në dekada shpërtheu me arrestimin e një ish-agjenti të inteligjencës austriake. Ai u akuzua, ndër të tjera, për përcjelljen e të dhënave të telefonave celularë të ish-zyrtarëve të lartë austriakë në shërbimin sekret rus dhe se kishte ndihmuar në planifikimin e një depërtimi në banesën e një gazetari të njohur.

Ish-zyrtari, i cili më pas u lirua nga paraburgimi, dyshohet se i ka transmetuar informacione të ndjeshme Jan Marsalekut. Marsalek është një koleg austriak i arratisur, i cili ka qenë i kërkuar nën dyshimin për mashtrim që nga kolapsi i kompanisë gjermane të pagesave Wirecard në vitin 2020, ku ai shërbeu si Drejtor Kryesor Operativ. Në urdhër-arrestin ndaj tij thuhet se mesazhet e bisedave, të ofruara nga autoritetet britanike, e lidhin drejtpërdrejt Marsalekun me shërbimin sekret rus FSB.

Në qiellin e Luganos, u shfaq një spirale misterioze

Mediat zvicerane i kanë kushtuar vëmendje një fenomeni në Lugano, të publikuar nga një përdorues i Instagramit i quajtur Anthony Svettini, përcjell albinfo.ch.

Mediat shkruajnë se, në bazë të fotos, shihet një vorbull e ndritshme në qiell. Kjo është ajo që mund të vërehej për disa minuta këtë mbrëmje, rreth orës 21:10, në qiejt e gjysmës së Evropës: raportet vijnë nga Italia Veriore, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Këta nuk janë alienë apo fenomene të tjera misterioze: siç raportohet nga faqja e internetit e astrofizikës Chpdb, ajo që u vu re është një efekt i krijuar nga një SpaceX Falcon 9, e cila lëshoi karburantin e saj të mbetur.

Misioni NROL-69 u nis në orën 18:48 nga Kepi Canaveral, Florida. Në orbitën e saj të radhës, raketa fluturoi mbi kontinentin evropian dhe, falë mbulesës së pakët të reve, spiralja e pazakontë ishte e dukshme për shumë njerëz.

Fenomeni nuk është i ri për entuziastët dhe shërben për t’u përgatitur për rihyrjen atmosferike të raketës në Paqësorin Jugor.

Tenori i njohur shqiptar emërohet drejtor i Filharmonisë në Maqedoni

Bëhet e ditur se tenori Mustafa Imeri është emëruar sot drejtor i Filharmonisë në Maqedoninë e Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që është vënë në krye të këtij institucioni prestigjioz kulturor, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se emërimi i tij si drejtor i institucionit më të lartë të muzikës është cilësuar si moment historik për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pasi deri tani qytetarët e etnitetit shqiptar kanë pasur dyer të mbyllura në Institucionin e Filharmonisë.

Vlen të theksohet se Mustafa Imeri njihet si një profesionist i vërtetë me një karierë të gjatë si artistike, të vlerësuar brenda dhe jashtë vendit.

Ambasada Amerikane ka një njoftim lidhur me vizat për kosovarët

Së fundmi, Ambasada Amerikane në Kosovë ka njoftuar se kontrolli i vizave nuk ndalet pas lëshimit të tyre, përcjell albinfo.ch.

Ajo ka bërë të ditur se SHBA-ja i kontrollon vazhdimisht mbajtësit e vizave dhe ka paralajmëruar për revokim të tyre për ata që nuk zbatojnë ligjet dhe rregullat e emigracionit të SHBA-së.

“Kontrolli i vizave në SHBA nuk ndalet pas lëshimit të vizës. Ne i kontrollojmë vazhdimisht mbajtësit e vizave për t’u siguruar që ata zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat e emigracionit të SHBA-së – dhe ne do t’ua revokojmë vizat dhe do t’i dëbojmë nëse nuk e bëjnë këtë”, ka shkruar Ambasada.

Kaq mjekë braktisën Kosovën për dy muaj

Gjatë muajit janar e shkurt, të vitit 2025 nga Kosova janë larguar 11 mjekë, përcjell albinfo.ch.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

“Gjatë këtyre dy muajve, janar dhe shkurt janë larguar 11 mjekë të rinj”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se trendi i ikjes së mjekëve e përcjell gjendjen ekonomike në vend.

“Ky është një trend që e përcjell gjendjen ekonomike në përgjithësi në Kosovë. Në momentin që keqësohet gjendja ekonomike apo kushtet e jetesës ne e shohim një rritje të tyre”, ka deklaruar Sejdiu. Ndërsa, gjatë vitit 2024 nga Kosova janë larguar gjithsej 111 mjekë”, ka thënë ai. /Albinfo.ch

Dodik largohet nga Bosnjë-Hercegovina, nisin hetimet nga policia kufitare

Një delegacion, i udhëhequr nga Milorad Dodik, president i entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, i cili aktualisht është nën hetim, ka mbërritur ditën e martë në aeroportin Ben Gurion në Tel-Aviv të Izraelit. Sipas raportimeve të “Oslobođenje”, avioni që transportonte Qeverinë e Republikës Srpska ishte nisur nga Banjalluka, kishte kaluar nëpër Beograd dhe më pas kishte vazhduar udhëtimin drejt Izraelit.

Kjo lëvizje e Dodikut ka shkaktuar shqetësim te Policia Kufitare e Bosnjë-Hercegovinës, e cila, nën udhëheqjen e drejtorit Mirko Kupresakoviq, ka nisur një hetim për të zbuluar mënyrën se si ai ka kaluar kufirin shtetëror. Policia ka njoftuar se do të ndërmarrë të gjitha masat e duhura për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e kufijve, përcjell albinfo.ch.

Arsyeja e vizitës së Dodikut në Izrael lidhet me pjesëmarrjen e tij në një konferencë ndërkombëtare kundër antisemitizmit, që do të zhvillohet në Jerusalem më 26 dhe 27 mars.

Gabimi i administratës amerikane shtyn rrjetin Signal të forcojë sigurinë

CEO-ja e Signal, Meredith Whitaker, theksoi përfitimet e sigurisë së aplikacionit pas një gabimi të administratës amerikane, ku një gazetar u përfshi gabimisht në një dritare bisede të koduar.

Edhe pse nuk e komentoi drejtpërdrejt ngjarjen, Whitaker e quajti Signal “standardi i artë” në komunikimet private, duke e krahasuar atë me WhatsApp për shkak të nivelit të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes së privatësisë.

Signal, sipas Whitaker, është me burim të hapur dhe jofitimprurës, duke përdorur kriptimin nga fundi në fund dhe mbrojtjen e të dhënave. Shkarkimet e aplikacionit janë rritur ndjeshëm, duke e bërë atë një alternativë të popullarizuar në SHBA dhe Evropë.

Tifozët Kuq e Zi i reagojnë sêrish FSHF-së për kampionatin Shqipëri-Serbi

Grupi i tifozëve Kuq e Zi ka vazhduar qëndrimin kundër organizimit të Kampionatit Evropian U21 mes Shqipërisë dhe Serbisë. Në një akt simbolik, ata vendosën një pankartë para selisë së Federatës Shqiptare të Futbollit, me mesazhin: “Djemtë e zgjedhur të Arbërisë, kundër pazareve në emër të Shqipnisë.”

Në një reagim publik, Tifozat Kuq e Zi i kanë akuzuar drejtuesit e FSHF-së për mungesë transparence dhe përfaqësim të interesave personale, duke theksuar se ata nuk janë në shërbim të tifozëve, por vetëm të interesave të ngushta, përcjell albinfo.ch.

“Mjaft më me pazaret e errëta! Ju nuk përfaqësoni zërin e tifozëve, por interesat tuaja. Ne kërkojmë futboll të pastër, jo ‘modern’; kërkojmë transparencë. Ju nuk jeni më lart se flamuri, populli dhe ne. Zëri ynë do të vazhdojë të dëgjohet përballë padrejtësive… Shqipëria kurrë nuk do të shitet!”, është shprehur grupi në deklaratë.

Kosovë: Gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë, raportohet për 1 të plagosur

Një gjuajtje me armê zjarri raportohet të ketë ndodhur pak minuta më parë në Prishtinë, e ku dyshohet se të paktën 1 person ka mbetur i plagosur.

Mediat raportojnë se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Bajram Kelmendi”, ndërsa në vendngjarje janë parë edhe forca të Policisë së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Deri më tani nuk ka asnjë të dhënë zyrtare.

 

 

Maqedoni: Arrestohen gruaja dhe vajza e pronarit të diskotekës ku ndodhi tragjedia

Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar bashkëshorten dhe vajzën e Dejan Jovanov Deko, pronarit të diskotekës “Puls”, aty ku ditë më parë ndodhi një prej tragjedive më të mëdha.

Po ashtu, gjatë bastisjeve janë konfiskuar pesë telefona të të dyshuarve. Autoritetet kanë kryer kontrolle edhe në një tjetër pronë të Jovanovit dhe kanë bastisur zyrat e Inspektoratit Shtetëror të Tregut në Koçan.

Ndërkohë, pronari i diskotekës “Puls” ndodhet i shtruar në një spital në Lituani, si një nga katër pacientët që po marrin trajtim atje.

Numri i të dyshuarve lidhur me zjarrin që shkaktoi tragjedinë në diskotekën “Puls” ka arritur në 34, ndërkohë që për 27 individë dhe tre persona juridikë është hapur një procedurë hetimore. Hetimet kanë përfshirë gjithashtu shtatë punonjës policorë nga SPB Shtip dhe Koçan, përcjell albinfo.ch.

Aktualisht, akuzat janë të lidhura me veprat penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Hetimi për këtë rast po zhvillohet nga 11 prokurorë të Shkupit, Koçanit dhe Shtipit.