Sulmi në Hamburg, 6 persona në rrezik për jetën

Thuhet se 6 nga 18 personat e plagosur në një sulm me thikë në stacionin hekurudhor të Hamburgut, pasditen e së premtes, janë në rrezik për jetën, përcjell albinfo.ch.

Autoritetet thanë se edhe 3 të tjerë janë në gjendje më të rëndë, por të stabilizuar. Autore e sulmit është një 39-vjeçare gjermane, e cila u vu në pranga nga policia dhe pritet të dërgohet në gjykatë.

Hetuesit janë duke sqaruar motivet e saj, por për momentin nuk ka të dhëna që sulmi të ketë prapavijë politike, etnike apo fetare. Dyshimet janë se gruaja, e cila ka vepruar e vetme, vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Stacioni në Hamburgun qendror, qyteti i dytë më i madh i Gjermanisë, është një qendër kryesore për trenat lokalë, rajonalë dhe të distancave të gjata. Sulmi bëri që të pezulloheshin një sërë udhëtimesh, ndërsa të tjera u devijuan. Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se sulmi ishte “tronditës” dhe falënderoi shërbimet e emergjencës në terren për “ndihmën e tyre të shpejtë”.

Ky është i fundit në një seri sulmesh të dhunshme në Gjermani në muajt e fundit. Më i rëndi ishte ai i dhjetorit të kaluar, kur 6 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën pasi një makinë u përplas me një turmë në një treg Krishtlindjesh në qytetin lindor të Magdeburgut.

Përpjekja e 21-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish nesër në përpjekjen e 21-të për konstituimin e Legjislaturës së nëntë, përcjell albinfo.ch.

Deputetët pritet të mblidhen nga ora 11:00 për të vazhdimin e 21 me radhë të seancës.

Të premtën ka dështuar përpjekja e 20-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sërish nuk u arrit të formohet komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari, seanca nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi subjektet politike parlamentare PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK-Nisma nuk propozuan deputetë për anëtarë të këtij komisioni.

Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 53 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Derisa dështimi për konstituimin e Kuvendit po përsëritet, partitë politike vazhdojnë të kritikojnë njëra-tjetrën për bllokadën politike.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk i ka votat dhe e akuzojnë se e ka futur shtetin në izolim.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka thënë se kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, po zhvillon bisedime me kreun e Nismës, Fatmir Limajn, për të dalë nga ngërçi politik.

Kërçeli tha se beson që Kurti e Limaj kanë vazhduar bisedat edhe në 48 orët e fundit.

“Kurti është duke zhvilluar edhe disa bisedime me Nismën Socialdemokrate apo z.Limaj dhe po presim që në ditët në vijim, ngërçi të zgjidhet sa më shpejt. Besoj që bisedimet kanë vazhduar edhe 48 orët e fundit”, tha ai.

Në lidhje me situatën politike në vend, Limaj ditë më parë tha se së shpejti beson se do të krijohet shumica parlamentare. 

18-të ishte numri i të plagosurve në sulmin me thikë në Hamburg

Disa persona kanë pësuar lëndime që rrezikojnë jetën në një sulm me thikë në stacionin kryesor hekurudhor në qytetin gjerman të Hamburgut, tha Policia Gjermane në një raport, përcjell albinfo.ch.

Policia e Hamburgut tha se 18 persona u plagosën në sulmin në Stacionin Qendror të qytetit verior, rreth orës 18:00 sipas orës lokale, të premten.

Oficerët arrestuan një grua 39-vjeçare gjermane në vendngjarje, ndërsa po kryenin një operacion të madh.

Gruaja mbetet në paraburgim policor dhe është planifikuar të paraqitet në gjykatë të shtunën.

Në një postim në X, Policia e Hamburgut tha se disa persona të lënduar kishin pësuar lëndime kërcënuese për jetën.

Moda Ademi shkëlqen sërish në skenën e “Jaboro Nights” në Biel/Bienne

Tashmë 10-vjeçare, Moda Ademi performoi me shumë sukses në koncertin Jazz Pop Rock – Jaboro Nights, organizuar nga Musikschule Biel në sallën Aula BBZ/CFP, në datat 19-21 maj 2025, shkruan albinfo.ch.

Nxënësja e klasës së katërt, e cila tashmë ka një përvojë të hershme në skenë, fitoi duartrokitjet e publikut me paraqitjen e saj të sigurt dhe tërheqëse. Ky është viti i dytë që Moda ngjitet në këtë skenë, duke dëshmuar rritjen e saj artistike dhe dashurinë për muzikën.

Koncerti “Jaboro Nights” është një ngjarje e rëndësishme lokale që mbledh nxënësit muzikantë për të prezantuar talentin e tyre në zhanret Jazz, Pop dhe Rock, dhe Moda është tashmë një emër i njohur për të pranishmit.

Harvard: Ndalohet përjashtimi i të huajve, i kërkuar nga Trump

Një gjyqtar federal amerikan i ka dhënë fund përkohësisht planit të qeverisë amerikane për të parandaluar Universitetin e Harvardit të pranojë studentë të huaj përmes një programi të posaçëm federal.

Urdhri i ndalimit e pengon qeverinë amerikane të zbatojë vendimin. Megjithatë, ky nuk është një gjykim përfundimtar.

Universiteti kishte ngritur një padi në gjykatën federale kundër masës së qeverisë vetëm disa orë para vendimit të gjyqtarit. Në të, ajo akuzoi administratën e Presidentit Donald Trump se po përpiqej të ushtronte presion mbi universitetin me një masë hakmarrëse të paligjshme.

Fituesi i Eurovisionit: Në Vjenë nuk dua që Izraeli të jetë pjesë e garës

Tashmë dihet se JJ ngriti trofeun e mikrofonit prej xhami si fitues i Eurovisionit 2025. Ka pasur shumë pak kohë për pushim që atëherë për ekipin austriak, pasi ata kanë filluar përgatitjet për edicionin e vitit të ardhshëm, përcjell albinfo.ch.

Këngëtari i “Wasted Love” ka ndarë disa propozime të tij për mënyrën sesi do të donte të ndryshonte konkursi vitin e ardhshëm, në veçanti që Izraeli të mos jetë pjesëmarrës.

JJ: Është shumë zhgënjyese të shohësh që Izraeli ende merr pjesë

Gjatë Eurovisionit, të gjithë pjesëmarrësit ishin të detyruar të nënshkruanin një kod sjelljeje që u ndalonte të flisnin keq për ndonjë nga shtetet pjesëmarrëse, për të ruajtur frymën bashkuese të konkursit.

Tani që festivali ka përfunduar, JJ, emri i plotë Johannes Pietsch, ka ndarë disa nga mendimet e tij më të sinqerta me gazetën spanjolle “El País”.

“Është shumë zhgënjyese të shohësh që Izraeli ende merr pjesë në konkurs”, tha ai.

“Do të doja që Eurovisioni vitin e ardhshëm të mbahej në Vjenë, pa Izraelin. Por topi është në fushën e EBU-së. Ne, artistët, mund të flasim vetëm për këtë çështje.”

Komentet e këngëtarit të operës nga Austria janë në përputhje me ato të fituesit të Zvicrës në vitin 2024, Nemo. Edhe ai më parë ka mbështetur thirrjet për përjashtimin e Izraelit nga konkursi, për shkak të veprimeve të këtij shteti në Gaza, ku që nga tetori 2023 janë vrarë më shumë se 53.000 njerëz.

Dhjetëra ish-pjesëmarrës të Eurovisionit nënshkruan një letër të hapur drejtuar EBU-së para konkursit të vitit 2025, duke kërkuar përjashtimin e Izraelit nga gara.

Disa organizata ndërkombëtare e kanë akuzuar Izraelin për kryerje të krimeve të luftës dhe akte gjenocidi gjatë luftimeve, të cilat nisën pas një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit.

Nga 26 maji, Kosova nikoqire e “Defender Europe 25”

Mësohet se Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak, të drejtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe për Afrikë, “Defender Europe 25”, përcjell albinfo.ch.

Siç ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes, ky ushtrim do të mbahet nga 26 maji deri më 9 qershor.

“Gjatë kësaj periudhe kohore, do të ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës,” thuhet në komunikatë.

Teksa ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për periudhën gjatë së cilës do të zhvillohet ushtrimi, Ministria ka thënë se FSK-ja, përmes ushtrimit, do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë SHBA-në, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Paris: Rajana me 4 medalje në garën ndërkombëtare të gjuhës angleze

Rajana Podvorica, nxënëse shqiptare nga Kosova, ka shkëlqyer në Paris duke fituar vendin e dytë dhe katër medalje në garën ndërkombëtare të gjuhës angleze, përcjell albinfo.ch.

Ajo mori pjesë në garën ndërkombëtare të gjuhës angleze Hi Lingua, e cila u mbajt në Paris, Francë.

Në këtë kompeticion prestigjioz, ku morën pjesë shumë nxënës nga vende të ndryshme të botës, Rajana arriti të sigurojë vendin e dytë dhe të fitojë katër medalje në kategori të ndryshme, duke dëshmuar njohuri të thella dhe talent të jashtëzakonshëm në gjuhën angleze.

Rajana njihet si një nxënëse shembullore dhe shumë e përkushtuar, dhe ky sukses është rezultat i punës së saj të vazhdueshme dhe mbështetjes së familjes dhe mësimdhënësve.

Pas Zvicrës, presidentja Osmani ka udhëtuar zyrtarisht në SHBA

Me ftesë të Kongresit Amerikan, Presidentja Osmani ka udhëtuar për të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet mbahet në qytetin Dayton në SHBA, përcjell albinfo.ch.

Ky sesion sivjet shënon edhe 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Daytonit për Bosnjën dhe Hercegovinën, prandaj edhe e tërë ngjarja do t’i dedikohet përpjekjeve për paqe e siguri në Ballkanin Perëndimor. Në këtë ngjarje të rëndësishme marrin pjesë edhe presidentë të vendeve të tjera nga rajoni, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, BE-së dhe SHBA-ve.

Në agjendën e Presidentes Osmani janë një sërë aktivitetesh, përfshirë fjalime në darkën kryesore, si dhe në panele, e po ashtu takime me delegacionet pjesëmarrëse.

Shqiptari shpallet hero në Londër, shpëtoi një 7 vjeçare nga mbytja në lumin Tamiz

Bëhet fjalë për Hismet Smakajn, mërgimtarin pensionist 65 vjeç, i cili së fundmi është komentuar si një hero në Londër, transmeton albinfo.ch.

Rasti mori vëmendjen e disa mediave angleze, të cilat kanë shkruar për veprimin e tij në ndihmën e një 7-vjeçareje me nënshtetësi britanike, e cila aksidentalisht kishte rënë në një pjesë të rrezikshme të lumit Tamiz, afër parkut Thames Barrier, në lindje të Londrës.

Smakaj thuhet se është hedhur sapo e ka parë rastin, duke shpëtuar jetën e 7-vjeçares, e cila po ngulfatej në ujin e këtij lumi. /Albinfo.ch

https://metro.co.uk/2025/05/23/hero-pensioner-jumps-thames-save-girl-7-drowning-23222952/

“Refuzimet” ndaj shqiptarëve: Në vitin 2024 kishte më pak

Në vitin 2024, rreth 123 mijë shtetasve të vendeve të treta iu refuzua hyrja në territorin e BE-së në një nga kufijtë e saj të jashtëm, një rritje e vogël prej 0.3% krahasuar me vitin 2023.

Ndërkohë, rreth 918 mijë persona u gjetën të ishin të pranishëm ilegalisht në një vend të BE-së, duke përfaqësuar një rënie prej 27.4% krahasuar me 1.27 milion në vitin e kaluar.

Numri i shtetasve të vendeve të treta të cilëve u është lëshuar një urdhër për t’u larguar nga një vend i BE-së ishte mbi 450 mijë, një rënie prej 7.3% krahasuar me vitin 2023.

Pas një urdhri për t’u larguar, rreth 110 mijë shtetas të vendeve të treta u kthyen në një vend të tretë, një rritje prej 19.3%, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Sipas shifrave të “Agjencisë Evropiane të Statistikave”, në mesin e shtetasve që nuk janë pjesë e BE-së të kthyer nga territori i një vendi të BE-së në këtë periudhë, gjeorgjianët me 11,585 kryesuan listën e shtetasve të vendeve të treta të kthyer, të ndjekur nga turqit me 7,910 dhe shqiptarët me një numër prej 7,895.

Në total, shqiptarët e kthyer nga territori i një vendi të BE-së dhe një vendi jo të BE-së vlerësohet në rreth 8 mijë. Krahasuar me vitin 2023, duket se numri i shqiptarëve të kthyer ka qenë më i ulët një vit më parë.

Sipas Eurostat, kthimet më të mëdha të shtetasve shqiptarë në vitin 2024 janë bërë nga Greqia, Franca, Gjermania, Italia dhe Hungaria.

Evropiani i Femrave në Zvicër, ndeshjet do të transmetohen edhe në tarraca të restoranteve

Qyteti i Gjenevës thotë se kafenetë dhe restorantet do të lejohen të transmetojnë ndeshjet e Euros së Femrave në tarracat e tyre.

Ndërsa një zonë tifozësh dhe një fshat sportiv do të krijohen në Quai Gustave-Ador, autoritetet duan që i gjithë qyteti të ndajë frymën sportive të futbollit të femrave, përcjell albinfo.ch.

Ministrja e Sportit në Gjenevë, Marie Barbey-Chappuis, thotë se “është një mundësi për Gjenevën dhe entuziazmi publik është thelbësor.”

Nga data 2 deri më 27 korrik në Zvicër mbahet Euro Kampionati për Femra.

Rrahmani, kampion i Italisë me Napolin

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka arritur një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në karrierën e tij.

Rrahmani me Napolin sapo janë shpallur kampionë të Italisë, shkruan albinfo.ch.

Napoli fitoi ndaj Cagliarit 2:0, ku në golin e dytë nga Romelu Lukaku asistoi pikërisht Rrahmani.

Napoli përfundoi edicionin me 82 pikë, një më shumë se Interi i Kristjan Asllanit.

Rrahmani ka qenë pjesë e suksesit të Napolit, duke luajtur si titullar në çdo ndeshje të Serie A.

Për Rrahmanin ishte titulli i dytë me Napolin në Itali, ndërsa i katërti për skuadrën napolitane në histori.

Zvicër: Rregulli i ri pritet të rritë aksidentet me e-skuter

Shifrat tregojnë se shumica e aksidenteve me e-skuter ndodhin shpesh për shkak se vozitësi po tregohet i pakujdesshëm ose është i dehur.

Ka shqetësime se një rregull i ri, që hyn në fuqi në korrik, vetëm sa do ta përkeqësojë situatën.

Shifrat nga Zyra Federale e Rrugëve tregojnë se gjysma e aksidenteve ndodhin gjatë fundjavës, vozitësi është zakonisht mashkull dhe shumë shpesh nën ndikimin e alkoolit.

Nga korriku, do të jetë e ligjshme në Zvicër që të ketë dy persona në një skuter, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët janë të shqetësuar se kjo thjesht do të çojë në më shumë lëndime.

Këshilla nga Zyra për Parandalimin e Aksidenteve është që gjithmonë të mbani një helmetë.

Statistikat nga Gjermania tregojnë se shumica e lëndimeve nga aksidentet me skuter ndodhin në fytyrë, kokë dhe pjesën e sipërme të trupit.

 

 

12 të lënduar nga sulmi me thikë në Hamburg

Të paktën 12 njerëz janë lënduar në një sulm me thikë në stacionin hekurudhor në qendër të Hamburgut të premten, njoftuan autoritetet.

Gjashtë nga të lënduarit janë në gjendje kritike për jetën, sipas autoriteteve.

Shërbimi i zjarrfikësve në Hamburg tha se tre njerëz pësuan lëndime të rënda dhe tre të tjerë lëndime të lehta, raportoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.

I dyshuari për sulmin u arrestua në vendngjarje, tha policia gjermane, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet nuk dhanë asnjë informacion për të dyshuarin apo hollësi rreth sulmit.

Stacioni në qendër të Hamburgut, qyteti i dytë më i madh në Gjermani, është ndër më të dendurit.

Krimet më të shpeshta në Zvicër

Në Zvicër, evazioni i tarifave kryeson listën e krimeve të vogla, me 40 për qind që pranojnë se kanë udhëtuar në transportin publik pa biletë.

Një sondazh i moneyland.ch tregon se të rinjtë e moshës 18 deri në 25 vjeç janë shkelësit më të shpeshtë.

Studimi zbuloi gjithashtu se 20 për qind kanë vjedhur nga restorantet dhe 25 për qind nga supermarketet, transmeton albinfo.ch.

Vjedhja në vendin e punës është gjithashtu e zakonshme, me 29 për qind që e pranojnë këtë.

Është interesante se zviceranët që flasin frëngjisht duken më të sinqertë se sa homologët e tyre gjermanishtfolës.

Dallimet gjinore u vunë re gjithashtu, burrat pranojnë më shumë vjedhje në pothuajse çdo kategori.

Tuneli i Llogarasë do të hapet nesër

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpërndarë në rrjetin e tij social se tuneli i Llogarasë do të jetë i hapur që prej ditës së nesërme.

Që në prag të dimrit të shkuar dhe deri tani, ky tunel ka qenë i bllokuar si pasojë e punimeve, ashtu si edhe By Pass-i i Vlorës, që përdoret nga udhëtarët që shkojnë në zonën e bregut, transmeton albinfo.ch.

Udhëtarët kanë përdorur rrugën e vjetër panoramike të Llogarasë që prej gati një viti.

Në postimin e Ramës jepet një video e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila bën të ditur se tuneli do të jetë pa pagesë deri më 15 shtator.

Kjo nënkupton se pas 15 shtatorit do të vendoset një tarifë, e cila ende nuk është bërë publike sa do të jetë.

Helikopterët e Zvicrës, SHBA-së dhe Hungarisë fluturojnë mbi Kosovë

Njësitë ajrore të misionit të KFOR-it nga tri vende të ndryshme realizuan fluturime në formacion në gjithë Kosovën.

Duke nisur nga Kampi Bondsteel, pilotët dhe anëtarët e ekuipazhit të një AS532 Cougar nga Forcat e Armatosura Zvicerane, një H145M nga Forcat e Mbrojtjes Hungareze dhe tre UH-60 Black Hawk nga Ushtria e SHBA-së praktikuan ngritje të përbashkëta, fluturime në formacion dhe procedura për ulje.

“Anëtarët e ekuipazhit nga tri vendet kontribuuese arritën të koordinojnë procedurat dhe teknikat për të naviguar, komunikuar dhe operuar së bashku”, njofton KFOR-i, transmeton albinfo.ch.

KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e saj, i bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR shtoi se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë.

Konfirmohen dy raste me Linë e Majmunit në Shkup

Edhe zyrtarisht, pas analizave të bëra në Klinikën infektive në Shkup, janë konfirmuar dy raste me Linë e majmunit.

Bëhet fjalë për dy pacientë meshkuj të lindur në 1981 dhe 1985, të dy nga Shkupi. Sipas informacioneve që i kanë dhënë, ata nuk kanë udhëtuar jashtë shtetit, shkruajnë mediat vendore, përcjell albinfo.ch.

“Gjatë ditës së djeshme nga Klinika e dermatologjisë na kanë sjellë mostra prej dy pacientëve të cilët dyshohet se kanë lija të majmunit dhe njëkohësisht u kërkua nga laboratorit e institutit, përveç për Linë e majmunit, të kontrollohen edhe për sëmundje të tjera siç janë HIV, HERPES, SIFILIS etj. ISHP i kontrolloi mostrat e marra dhe konfirmuam se, për sëmundjet e lartpërmendura, të dy pacientët janë negativë, por morëm rezultat pozitiv për Linë e majmunit”, tha Marija Andonovska – drejtoreshë e ISHP.

Njëri pacient tashmë është hospitalizuar në Klinikën infektive dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Pacienti i dytë ende nuk është paraqitur në asnjë nga klinikat.

“Pacienti pranoi të hospitalizohet. Ai është në gjendje të mirë shëndetësore. As nuk pyet se pse është hospitalizuar, por për shkak të nevojës për mbikëqyrje nga ana jonë për t’i bërë hulumtimet e mëtutjeshme, pacienti pranoi të jetë te ne”, potencoi Fadil Cana,  drejtor i Klinikës Infektive.

Autoritetet dërguan apel qytetarëve të mos bëjnë panik për shkak se nuk bëhet fjalë për një sëmundje të re dhe se tashmë ka protokolle.

“Përndryshe kjo lija e majmunit është sëmundje virozë me simptoma siç është skuqje e lëkurës, ethe, kokëdhimbje, dhimbje të muskujve, shpinës dhe dobësi e përgjithshme si dhe nyje limfatike të fryra. Transmetohet me kontakt me person të infektuar, me materiale të kontaminuar, me kafshë të infektuara, ndërsa virusi trajtohet në mënyrë asimptomatike”, u shpreh Jovica Andonovski,  zv/ministër i Shëndetësisë.

Sëmundja zgjat nga 2 deri 4 javë dhe në shumicën e rasteve tërhiqet pa nevojë për trajtim specifik. Megjithatë, te personat me imunitet të dobët, fëmijët dhe gratë shtatzëna mund të zhvillohen komplikime më serioze.

Gjermania sheh rritje të numrit të të huajve të dëbuar në vitin 2025

Numri i personave të dëbuar nga Gjermania është rritur në vitin 2025 krahasuar me vitet e mëparshme, sipas të dhënave të qeverisë. Koalicioni i ri i udhëhequr nga konservatorët thotë se do të rrisë edhe më tej riatdhesimet.

Në tre muajt e parë të vitit, 6,151 njerëz u dëbuan nga Gjermania  më shumë se numri mesatar i dëbimeve të parë për tremujor në dy vitet e fundit.

Kjo shifër u njoftua nga qeveria federale në përgjigje të një hetimi të paraqitur nga Partia e Majtë (Die Linke) në Bundestag, dhe raportuar nga Redaktionsnetzwerk Deutschland (RND).

Në vitin 2024 gjithsej rreth 20.100 persona u dëbuan nga Gjermania. Pra, nëse dëbimet vazhdojnë me normën aktuale, Gjermania mund të shohë mbi 24,000 në 2025.

Riatdhesimet, të kryera nga janari në mars, u zhvilluan nën qeverinë e mëparshme federale. Por partitë konservatore Demokristiane dhe Kristian Socialiste (CDU/CSU) kanë njoftuar plane ambicioze për të kryer edhe më shumë riatdhesime në vijim.

Pse Gjermania po kryen më shumë deportime

Rritja e dëbimeve të kryera në Gjermani vjen pjesërisht si efekt i Aktit të Riatdhesimit (Rückführungsverbesserungsgesetz), i cili hyri në fuqi më 27 shkurt 2024.

Përkrahësit e ligjit thanë se ai kishte për qëllim shtrëngimin dhe zbatimin e rregullave të dëbimit për njerëzit që ishin dënuar për vepra penale, por ai gjithashtu u jep autoriteteve më shumë fuqi për të dëbuar azilkërkuesit që nuk kishin kryer vepra penale.

Ligji zgjati gjithashtu sasinë e kohës që njerëzit mund të ndaloheshin dhe i dha policisë më shumë fuqi për të kërkuar akomodimin dhe telefonat inteligjentë të tyre.

Njerëzit më shpesh u deportuan në Turqi, Gjeorgji, Francë, Spanjë dhe Serbi.

Gjithsej 157 persona u deportuan në Irak dhe pesë në Iran, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportit të qeverisë, rreth 1700 nga dëbimet ishin të ashtuquajturat “transferime të Dublinit”.

Sipas rregullave të BE-së për emigracionin, refugjatët duhet të aplikojnë për azil në vendin e BE-së ku kanë shkelur fillimisht në territorin evropian. Pra, kur azilkërkuesit hyjnë në vend në tokë duke kaluar fillimisht nëpër vendet fqinje, Gjermania mund t’i kthejë ata në vendin e parë të BE-së ku janë regjistruar.

Udhëheqësit konservatorë argumentojnë se riatdhesimet i kursejnë Gjermanisë para dhe burime që do të shpenzoheshin për përfitimet sociale për të ardhurit e rinj, por vetë procesi i dëbimit është gjithashtu i shtrenjtë.

Sipas raportit të qeverisë, më shumë se një e treta e dëbimeve u kryen me fluturime të shtrenjta çarter.

Shumica e të dëbuarve të tjerë u dërguan me fluturime të paracaktuara. Gjithsej 5216 dëbime u kryen nga ajri, 913 nga toka dhe 22 nga deti, raporton DPA.

Dëbimet kolektive në Pakistan ishin veçanërisht të shtrenjta dhe kërkonin kohë. Shpenzimet për këtë arritën në 462,000€. Në mënyrë të ngjashme, kostot për fluturimet e dëbimit në Etiopi arritën në 418,000 €, dhe fluturimet e dëbimit në Nigeri, Gana dhe Kamerun arritën në 380,000 €.

Megjithatë, për shumë nga këto fluturime, agjencia evropiane e mbrojtjes së kufijve Frontex i përballoi kostot.

Deputetja e Partisë së Majtë, Clara Bünger, kritikoi mënyrën se si autoritetet kryejnë dëbimet.

Ajo tha se ishte në dijeni për disa raste në të cilat policia ka vepruar “brutalisht dhe pa asnjë ndjeshmëri”.

“Ne po flasim për familjet që copëtohen nga akull i ftohtë ose për njerëzit e sëmurë që fjalë për fjalë rrëmbehen nga spitali dhe dërgohen direkt nga atje në fluturimin e dëbimit”, tha Bünger për RND.

Investimet e huaja në Austri rriten me 31%, por vendet e punës “të mangëta”

Numri i investimeve të huaja në Austri u rrit në vitin 2024 me 31 për qind nga 80 në 105 projekte. Kështu, numri i projekteve u stabilizua në nivelin e vitit 2022. Kompanitë austriake investuan kryesisht në Gjermani, MB dhe Bosnje. Vendet më të rëndësishme të origjinës për investime në Austri ishin Gjermania, Zvicra dhe SHBA, sipas një studimi të firmës konsulente amerikane EY.

Austria përfitoi nga vendndodhja e saj gjeostrategjike në zemër të Evropës dhe, si pjesë e rajonit DACH, është një treg natyror i zgjerimit për kompanitë nga Gjermania dhe Zvicra, thotë EY. “Austria ishte veçanërisht tërheqëse për investimet e orientuara nga teknologjia në fushat e shërbimeve të IT, energjive të rinovueshme dhe industrisë 4.0. Kompanitë ndërkombëtare vlerësojnë kombinimin e fuqisë inovative, aksesit në treg dhe stabilitetit,” shpjegoi Gunther Reimoser nga EY Austria.

Pavarësisht më shumë investimeve, jo më shumë vende pune

Pavarësisht rritjes së investimeve, fatkeqësisht nuk u krijuan vende pune shtesë. “Kjo është kryesisht për shkak se shumë investime rrjedhin në industri me teknologji intensive si IT, energjitë e rinovueshme dhe shërbimet e specializuara. Këta sektorë mbështeten gjithnjë e më shumë në automatizimin dhe zgjidhjet dixhitale, të cilat kërkojnë më pak personel,” analizon Reimoser, transmeton albinfo.at.

Në Austri, projektet e investimeve të huaja krijuan 2.312 vende pune vitin e kaluar. Viti 2023 shënoi 2.345 vende pune, ndërsa një vit më parë ishin 2.913 vende pune. Nga ana tjetër, kompanitë austriake krijuan 2.095 vende të reja pune përmes projekteve investuese jashtë vendit vitin e kaluar.

Rënie e projekteve në mbarë Evropën

Në mbarë Evropën, vitin e kaluar u shpallën gjithsej 5.383 projekte investimi nga investitorë të huaj, një rënie prej pesë për qind. Franca mbeti e para në renditjen e Evropës, pavarësisht nga një rënie prej 14 për qind në 1.025, shkruan The International. Mbretëria e Bashkuar zuri vendin e dytë, me projekte që ranë 13 për qind në 853. Gjermania u rendit e treta me 608 projekte dhe një rënie prej 17 për qind, niveli i saj më i ulët që nga viti 2011.

Investitorët më të mëdhenj në Evropën Qendrore dhe Lindore mbetën kompanitë gjermane, ku numri i projekteve gjermane në Evropën Lindore madje u rrit me 22 për qind, nga 176 në 214. Ata u pasuan nga kompanitë amerikane, të cilat megjithatë reduktuan angazhimin e tyre në Evropën Qendrore dhe Lindore vitin e kaluar, me një rënie prej 17 për qind, nga 164 në 136 projekte.

Industria e automjeteve mbetet motori i punës

Sektori digjital, p.sh. startup-et digjitale, zhvilluesit e softuerëve dhe ofruesit e platformave në internet, luajtën një rol dukshëm më të vogël si motor pune sesa në vitet deri dhe përfshirë vitin 2022, sipas një njoftimi të EY. Tashmë në vitin 2023, numri i vendeve të punës të krijuara ra me 37 për qind. Në vitin 2024 ra me 36 për qind të tjera. Megjithë një rënie të konsiderueshme prej rreth një të pestës, industria e automobilave/automjeteve, e cila përfshin gjithashtu hapësirën ajrore, mbetet motori më i rëndësishëm i punës në Evropë. Investimet nga ofruesit e shërbimeve të biznesit vitin e kaluar, megjithatë, çuan në pozicione dukshëm më të reja se një vit më parë, llogariti të premten konsulenti amerikan.

Ukraina dhe Rusia nisin këmbimin më të madh të të burgosurve që nga fillimi i luftës

Që nga fillimi i luftës, Rusia dhe Ukraina e kanë nisur këmbimin më të madh të të burgosurve, duke i këmbyer qindra ushtarë dhe civilë në një proces që pritet të vazhdojë gjatë fundjavës, thanë të premten zyrtarët e të dyja vendeve.

“Po i kthejmë njerëzit tanë në shtëpi. Pjesa e parë e marrëveshjes për këmbimin 1.000 personave për 1.000 persona është zbatuar”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, transmeton albinfo.ch.

Sipas tij, janë këmbyer 390 persona nga secila palë dhe se shkëmbimi pritet të vazhdojë më 24 dhe 25 maj.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka njoftuar se në këtë numër përfshiheshin 270 robër lufte dhe 120 civilë.

Tutje, sipas njoftimit, 120 rusët që po kthehen në Rusi përfshijnë edhe banorë të rajonit të Kurskut, të cilin Ukraina e kishte pushtuar në gushtin e kaluar.