70 shqiptarë nga Kosova e Shqipëria dëbohen nga Gjermania

Raportohet se 70 persona (shtetas shqiptar) janë transportuar me aeroplan për në Shqipëri dhe Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Thuhet se të dëbuarit ishin azilkërkues në Gjermani, raportoi gazeta gjermane Die Welt.

Deputeti i Unionit Demokristian (CDU), Gunter Krings tha për Die Welt se Gjermania ka nevojë për më shumë dëbime të tilla.

“Ne duhet t’i intensifikojmë këto fluturime”, tha ai.

E drejta për azil ka dy anë, sipas anëtarit të partisë që i fitoi zgjedhjet parlamentare këtë vit.

“Ne duam t’u japim mbrojtje atyre që kanë nevojë për atë  por edhe të deportojmë ata që nuk kanë nevojë për këtë mbrojtje ose që e kanë humbur të drejtën duke kryer akte dhune”. /Albinfo.ch

https://regionalheute.de/unionsfraktionsvize-krings-fordert-zunahme-von-abschiebefluegen-1748260922/

Sot përpjekja e 22-të për konstituim të Kuvendit

Sot, për herë të 22-të do të mblidhen deputetët e zgjedhur më 9 shkurt në përpjekje për të konstituuar legjislaturën e nëntë, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se seanca do të mbahet prej orës 11:00.

Që nga 15 prilli, deputetët janë bllokuar në pikën e tretë të seancës konstituive, atë të zgjedhjes së kryeparlamentarit. Teksa fillimisht nuk mund të bëhej shumica për ta votuar emrin e Albulena Haxhiut të Lëvizjes Vetëvendosje, tash partia fituese e zgjedhjeve po kërkon votimin e një komisioni për të mbajtur votim të fshehtë. Edhe kjo nuk po merr shumicën dhe seancat po mbahen çdo 48 orë, sipas Rregullores.

Në 48 orët e fundit nuk është vënë re ndryshim qëndrimesh. Madje kryetari i LVV-së, Albin Kurti, fajësoi partitë që deri tash ishin në opozitë për ngërçin politik. Ai ka thënë se zgjidhja është votimi i fshehtë, teksa për emrin e Haxhiut u shpreh se “nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje”.

Dua Lipa më e kilikuara në Mbretërinë e Bashkuar

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, është shpallur si artistja më e klikuar në Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2024.

Raporti i “Phonographic Performance Limited” e renditi Dua Lipën si artisten më të klikuar, transmeton albinfo.ch.

Për Dua Lipën kjo është hera e dytë që ajo merr këtë titull. Në vitin 2020 ajo u rendit po ashtu si artistja më e dëgjuar nga britanikët.

“Është një nder i vërtetë të emërohem artistja më e klikuar në Mbretërinë e Bashkuar për herë të dytë. Viti 2024 ishte një vit i jashtëzakonshëm dhe jam shumë mirënjohëse për të gjithë ata që kanë mbështetur muzikën time në radio, televizion dhe në vende të ndryshme në të gjithë vendin,” tha e emocionuar Dua Lipa.

Sipas raportit, këngët e Dua Lipës klikohen mesatarisht 400 herë në ditë dhe më e preferuara në gjithë repertorin e saj është “Houdini”.

Lipa zbriti nga froni Ed Sheeran, i cili për tre vjet mbajti titullin si këngëtari më i preferuar në Britani. Raporti e renditi Ed Sheeran në vendin e tretë, kurse në vend të dytë Taylor Swift. Në vendin e katërt u rendit David Guetta, kurse në vendin e pestë Coldplay.

Shqiptari nga Kosova diplomoi në Akademinë Ushtarake West Point të SHBA

Pas një shkollimi akademik katërvjeçar në Akademinë Ushtarake West Point në Shtetet e Bashkuara, diplomoi kadeti nga Kosova, Arlind Shefiku, shkruan albinfo.ch.

Vlen të theksohet se Arlindi është pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërkohë që në ceremoninë e diplomimit, për t’i uruar të diplomuarit, ishte i pranishëm edhe Presidenti amerikan Donald Trump, i cili mbajti një fjalim mbi rëndësinë e kësaj akademie dhe detyrat që i presin liderët e rinj.

Kadeti Shefiku do të vazhdojë punën e tij në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të kontribuar në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së, me standardet më të larta të vendeve partnere dhe duke shpërndarë njohuritë e fituara tek pjesëtarët e FSK-së. /albinfo.ch

Uta Ibrahimi pas suksesit të saj, pritet me nderime në Kosovë

Alpinistja nga Kosova, Uta Ibrahimi, është shqiptarja e parë dhe personi i parë nga Ballkani që ka përfunduar ngjitjen e të gjitha 14 majave mbi 8 mijë metra të vargmalit të Himalajeve, ndryshe të njohura edhe si “çatia e Tokës”, transmeton albinfo.ch.

Pas këtij suksesi, ajo ka udhëtuar për në Kosovë dhe është pritur ngrohtë nga shumë njerëz me të zbritur në aeroport.

Uta kthehet në shtëpi pas përmbylljes së një prej rrugëtimeve më të jashtëzakonshme të saj,  realizimin e projektit të ngjitjes së 14 majave më të larta në botë.

Vlen të theksohet se ajo u kthye me një arritje historike që e vendos atë mes alpinistëve më të mëdhenj botërorë.

“Faleminderit, Uta, që lartësove shtetin tonë”, shprehet Hajrulla Çeku, ministri i Sportit. /albinfo.ch

 

Rinesa diplomon në Zvicër, shpallet ndër studentet më të dalluar të gjeneratës

Quhet Rinesa, është shqiptare nga Kosova, pikërisht nga qyteti i Gjilanit, ku së fundmi ka arritur një sukses akademik duke u diplomuar me rezultate të larta në Universitetin Webster në Gjenevë, një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Por jo vetëm kaq!

Rinesa u shqua për arritjet dhe inteligjencën e saj gjatë viteve të studimeve, andaj përfaqësuesit e Universitetit Webster e kanë shpallur atë ndër gjashtë studentet më të dalluara të gjeneratës, transmeton tutje albinfo.ch.

Këtë vlerësim të lartë e kanë dhënë vetë profesorët e këtij universiteti, pasi që Rinesa ka treguar performancë të mirë dhe ka diplomuar në dy drejtime paralelisht, duke dëshmuar përkushtimin dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm akademik.

Ky është një tjetër shembull frymëzues i të rinjve nga diaspora që po tregojnë nivel të lartë profesional dhe intelektual në arenën ndërkombëtare. /albinfo.ch

Beteja e Trumpit me Apple mund të rrisë ndjeshëm çmimet edhe për telefonat Samsung

Presidenti Donald Trump kërkoi që Apple të zhvendosë prodhimin e telefonave jashtë Kinës, një kërkesë që kompania përmbushi duke kaluar prodhimin në Indi. Megjithatë, Trump nuk është ende i kënaqur dhe kërkon që iPhone-t të prodhohen në SHBA.

Ky qëndrim ka implikime të gjera, duke kërcënuar edhe telefonat e Samsung-ut. Së fundmi, Trump paralajmëroi vendosjen e tarifave prej 25 për qind për çdo iPhone të importuar në SHBA nëse nuk prodhohet brenda vendit. Por ekspertët paralajmërojnë se nëse një tarifë e tillë aplikohet ndaj Apple, ajo do të duhet të aplikohet për të gjitha telefonat inteligjentë të importuar, përfshirë edhe telefonat Samsung që prodhohen kryesisht në Vietnam dhe Indi.

Mediat koreane raportojnë se kjo mund të çojë në një rritje çmimi prej deri në 40 për qind për telefonat Samsung në tregun amerikan. Nga ana e saj, kompania nuk pritet të përballojë vetë këtë kosto, por do ta transferojë atë te konsumatorët, të cilët do të jenë të vetëdijshëm për arsyet e rritjes së çmimeve.

NASA zbulon sasi të mëdha ari në oqean

Një ekip shkencëtarësh nga NASA ka zbuluar se oqeanet e Tokës përmbajnë rreth 20 milionë ton ar. Kjo është sasi shumë më e madhe se ajo që është nxjerrë ndonjëherë në historinë njerëzore.

Por, edhe pse kjo duket si një pasuri e madhe, nxjerrja e këtij ari nuk është e lehtë. Ari është i tretur në ujin e detit dhe ndodhet në përqindje shumë të vogla, gjë që e bën të vështirë dhe shumë të kushtueshëm ndarjen e tij nga uji.

Përveç arit, oqeanet përmbajnë edhe minerale të tjera të vlefshme, si depozitat e sulfurit hidrotermal, të cilat janë më të lehta për t’u nxjerrë dhe tashmë janë në vëmendjen e disa vendeve, përcjell albinfo.ch.

Disa shtete, si Papua Guinea e Re, kanë filluar të përdorin miniera nënujore. Por kjo sjell rreziqe për mjedisin detar, duke dëmtuar habitate të rëndësishme dhe duke ndikuar te mijëra specie.

Megjithatë, shkencëtarët besojnë se në të ardhmen, me ndihmën e teknologjisë, mund të bëhet e mundur nxjerrja e arit dhe mineraleve të tjera pa dëmtuar oqeanet.

Deri atëherë, kjo pasuri do të qëndrojë e fshehur në thellësitë e detit.

 

3 shtete të fuqishme drejt njohjes së Palestinës

Franca, Britania e Madhe dhe Kanadaja po sinjalizojnë një hap të mundshëm të rëndësishëm diplomatik: njohjen e shtetit palestinez. Në një deklaratë të përbashkët, tre vendet theksuan se kjo njohje mund të ndihmojë për arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez.

Deklarata u publikua në prag të një konference të madhe ndërkombëtare që do të mbahet më 18 qershor, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, të organizuar nga Franca dhe Arabia Saudite. Kjo konferencë synon të ringjallë bisedimet për paqe dhe të shtyjë përpara zgjidhjen me dy shtete, përcjell albinfo.ch.

Arabia Saudite ka bërë thirrje që vendet të njohin Palestinën si një shtet të pavarur, duke thënë se kjo duhet të jetë një parakusht për paqen, jo një rezultat i saj.

Deri më tani, 147 vende në botë e kanë njohur Palestinën. Franca ka deklaruar se është e gatshme ta bëjë këtë, por dëshiron që njohja të ndodhë në një kuadër të organizuar ndërkombëtarisht. Edhe Britania e Madhe, e cila më parë ka qenë më e rezervuar, tani po sinjalizon një qëndrim më të hapur ndaj këtij hapi.

Njohja zyrtare nga vende të fuqishme perëndimore do të përbënte një moment të rëndësishëm politik dhe diplomatik në përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.

Maqedoni: 20 mijë punëtorë sezonalë hyjnë në sistem, çfarë ndryshon nga janari?

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, një kapitull i ri hapet për punëtorët sezonalë në Maqedoninë e Veriut. Një ligj i ri, që pritet të përfshijë rreth 20 mijë persona, është hartuar për të formalizuar dhe mbrojtur këtë kategori të rëndësishme të fuqisë punëtore.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, thekson se ligji synon të godasë ekonominë gri dhe të sjellë përfitime për të gjithë  punëtorët, punëdhënësit dhe vetë shtetin. “Përmes këtij rregullimi, jo vetëm që do të formalizojmë mijëra punësime, por do të rrisim edhe të ardhurat nga kontributet dhe taksat. Kjo është një çështje që e kemi zvarritur për 34 vjet”, u shpreh ai, transmeton alsat përcjell albinfo.ch.

Nga ana tjetër, David Oberhuber nga Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, organizatë që mbështet financiarisht projektin, vlerëson se ky hap do të sjellë më shumë transparencë dhe stabilitet ekonomik. “Të gjithë përfitojnë: punëtorët fitojnë të drejta, punëdhënësit operojnë më lehtë, dhe shteti fiton në të ardhura”, tha ai.

Një pjesë kyçe e reformës do të jetë digjitalizimi i procesit. Marija Risteska nga Qendra për Kërkime dhe Krijim Politikash tregon se regjistrimi i punëtorëve do të bëhet përmes një aplikacioni të thjeshtë online, i përdorshëm nga çdo vend  nga shtëpia, puna, apo edhe nga pushimet në plazh.

Ligji do të lejojë që edhe studentët, pensionistët dhe personat e papunë të angazhohen në punë sezonale pa humbur përfitimet e tyre aktuale. Në një kohë kur informaliteti ekonomik është ende i përhapur, ky hap shihet si një zgjidhje e shumëpritur për mijëra qytetarë dhe një mundësi për rritje të të ardhurave kombëtare.

 

Zvicra drejt digjitalizimit të shëndetësisë, 3 organizata bashkohen për dosjen elektronike të pacientit

Në përpjekje për të përshpejtuar digjitalizimin e sistemit shëndetësor, tre nga ofruesit kryesorë të Dosjes Elektronike të Pacientit (DEP) në Zvicër  eHealth Aargau, eSanita dhe Cara  do të bashkojnë forcat duke nisur nga viti 2026. Qëllimi i bashkimit është krijimi i një platforme të vetme dhe funksionale në nivel kombëtar, nën markën Cara, e cila do të ofrojë akses të sigurt dhe të shpejtë në të dhënat mjekësore për pacientët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor.

Edhe pse strategjia federale për shëndetësinë digjitale është aktive që nga viti 2007, adoptimi ka qenë i ngadaltë: deri në vitin 2024, vetëm 40,000 qytetarë kishin krijuar një DEP, ndërsa sot janë mbi 100,000. Me bashkimin e këtyre tre organizatave dhe zhvillimin e një aplikacioni të ri për smartphone, synohet rritja e pjesëmarrjes dhe lehtësimi i qasjes, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët shpresojnë që ky hap të shërbejë si model për një platformë të vetme kombëtare, duke rritur efikasitetin, sigurinë dhe cilësinë e trajtimit shëndetësor në Zvicër.

 

Si do të përdorë Meta përmbajtjet tuaja për të trajnuar inteligjencën e saj artificiale dhe si të kundërshtoni këtë?

Nga sot, Meta do të përdorë përmbajtjet publike të publikuara nga përdoruesit në Facebook dhe Instagram për të përmirësuar inteligjencën e saj artificiale. Megjithatë, është e mundur të ndaloni këtë proces duke plotësuar një formular kundërshtimi.

Meta ka ndërmarrë një hap të ri në përdorimin e të dhënave të klientëve të saj. Kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, nga e marta do të fillojë të shfrytëzojë përmbajtjet publike për të trajnuar inteligjencën e saj artificiale (IA).

Ky vendim përfaqëson një kthesë në strategjinë e kompanisë. Deri tani, Meta përdorte të dhënat e përdoruesve kryesisht për qëllime marketingu dhe reklame të targetuara. Me këtë qasje të re, përdorimi i të dhënave zgjerohet ndjeshëm, transmeton albinfo.ch.

Stories, foto dhe komente

IA e Metës do të ketë qasje në një gamë të gjerë përmbajtjesh publike, përfshirë stories, fotografi, selfie dhe komente. Përjashtimi i vetëm janë mesazhet private në WhatsApp, të cilat mbeten të enkriptuara.

Të gjitha përmbajtjet e tjera mund të përdoren nga Meta për të ushqyer algoritmet e saj të inteligjencës artificiale.

Si mund të mbroheni?

Përballë kësaj praktike të re, përdoruesit kanë të drejtën të kundërshtojnë përdorimin e të dhënave të tyre. Meta ofron afat deri më 27 maj për të shprehur këtë kundërshtim. Duhet të plotësoni një formular të disponueshëm në cilësimet e llogarisë tuaj. Meta do të dërgojë më pas një email konfirmimi dhe mund të kërkojë sqarime mbi motivet tuaja.

 

Tare zyrtarizohet nga Milan, fillon epokën në skuadrën kuqezi

Klubi i Milanit ka zyrtarizuar emërimin e Igli Tares si drejtor sportiv i klubit.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate zyrtare të klubit kuqezi, ku thuhet se Tare do të raportojë drejtpërdrejt te administratori i deleguar, Giorgio Furlani, transmeton albinfo.ch.

I lindur në Vlorë, Shqipëri, Tare ka pasur një karrierë të gjatë në futbollin italian si lojtar, ndërsa si drejtues ka ndërtuar një profil të fortë për më shumë se 15 vite te Lazio, ku kontribuoi në fitimin e tre Kupave të Italisë dhe tre Superkupave Italiane.

:Të bëhesh pjesë e një klubi si Milan është një burim krenarie dhe përgjegjësie. Falënderoj klubin për besimin dhe jam i vendosur të jap maksimumin për ta rikthyer Milanin në majat e futbollit italian dhe evropian,” u shpreh Tare.

Administratori i deleguar i Milanit, Furlani, theksoi rëndësinë e këtij emërimi: “Tare është figura ideale për të kontribuar në rilindjen e klubit përmes një projekti sportiv ambicioz. Ai sjell kompetencë, përvojë dhe një vizion ndërkombëtar që përputhet me objektivat tanë afatgjatë.”

Ky është një hap i madh për klubin kuqezi dhe një moment historik për futbollin shqiptar.

Zvicër: Rritje shqetësuese e dhunës fizike ndaj fëmijëve

Në vitin 2024, në Zvicër u raportuan 705 raste të dhunës fizike ndaj fëmijëve – 153 më shumë se një vit më parë. Katër fëmijë humbën jetën si pasojë e abuzimit, tre prej tyre në vitin e parë të jetës.

Sipas statistikave kombëtare të mbrojtjes së fëmijëve, mbi 2 000 fëmijë u trajtuan për dyshime mbi abuzim. Më shumë se 40 për qind ishin nën moshën gjashtë vjeç. Shumica e rasteve ndodhën brenda familjes, ndërsa numri i autorëve të mitur është në rritje, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët theksojnë vështirësitë në diagnostikim, veçanërisht në rastet e abuzimit psikologjik dhe sindromës Munchausen.

Shaqiri, me notën më të lartë në Zvicër

Xherdan Shaqiri e mbylli këtë edicion me Baselin si kampion në Superligën e Zvicrës.

Ylli shqiptar zhvilloi edicionin e tij më të mirë në karrierë, duke shënuar 18 gola dhe duke dhënë 21 asistime.

Kjo e arritur e bën atë lojtarin më të vlerësuar në formacionin e vitit të krijuar nga SofaScore, transmeton albinfo.ch.

Kapiteni i Baselit vlerësohet me notën 8.0, ndërsa asnjë lojtar nuk ka arritur ta rivalizojë.

Ai po ashtu ka krijuar 31 shanse të arta për gol, ndërsa ka 3.4 pasime kyçe për ndeshje.

Një tjetër statistikë e jashtëzakonshme është se ai ka arritur së paku 2.2 gjuajtje për ndeshje.

 

Save a Life mbledh 50 mijë euro për nënat dhe fëmijët

Një mbrëmje e mbushur me emocion, solidaritet dhe shpresë: Save a Life, gala tradicionale për mbledhje fondesh, këtë vit mblodhi bashkë për herë të shtatë radhazi diasporën shqiptare në zemër të Cyrihut. Kompani, individë dhe miq të AMC-së u bashkuan me një qëllim të përbashkët  të shpëtojnë jetë.

Mysafire nderi e kësaj nate ishte znj. Ylfete Fanaj, Anëtare e Këshillit Ekzekutiv të Kantonit të Lucernit, ndërsa mbrëmja u moderua me shumë dashuri nga Arigona Bunjaku, blogere dhe nënë e tre fëmijëve, që jeton në Zvicër, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch

Pjesë e veçantë e programit ishte rrëfimi prekës i znj. Mirnie, infermiere në QKMF Fushë Kosovë, e cila solli dëshmi të gjalla për ndikimin e trajnimeve të AMC-së në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për nënat dhe fëmijët – më të brishtit ndër ne.

Art, ndjenja dhe ngjyra: Këndi i pikturave nga Kaltrina, Dorina dhe Zhaklina i dha mbrëmjes një shpirt të veçantë artistik, duke sjellë emocione dhe kuriozitet përmes veprave të tyre që ishin në shitje për kauzën.

Atmosfera u mbush me muzikë dhe argëtim falë performancës së mrekullueshme të String String, që sollën tingujt më të bukur të muzikës shqipe.

Një falënderim nga zemra për të gjithë ata që ishin pjesë e këtij edicioni  individë, kompani dhe miq që besojnë në fuqinë e bashkimit dhe në ndryshimin që mund të sjellim së bashku.

Në veçanti falënderojmë Multinet Communications, SpitexDona, Rotary Club Gjakova – Dr. Agron Abrashi, dhe Biasca, Anrotec. Falënderim i veçantë për sponsorin tonë medial Albinfo për mbështetjen e vazhdueshme.

📸 @fiona.murtaj_photography


Shqipëria, destinacioni veror i preferuar për turistët irlandezë në vitin 2025

Sipas medias irlandeze “RSVP Live”, Shqipëria po shndërrohet në një nga destinacionet më tërheqëse për pushime verore për turistët nga Irlanda. Krahasuar shpesh me Maldivet për bukurinë natyrore dhe ujin e kristaltë, Shqipëria ofron një përvojë të ngjashme por me kosto shumë më të ulët dhe më afër gjeografikisht.

Alternativë më e përballueshme ndaj destinacioneve ekzotike

Maldivet, megjithëse të njohura për plazhet e bardha dhe vilat luksoze mbi ujë, paraqesin një sfidë për turistët për shkak të fluturimeve të gjata dhe çmimeve të larta. Një javë qëndrimi mund të kushtojë rreth 2300 euro për dy persona, pa përfshirë koston e fluturimeve.

Në krahasim, Shqipëria ofron një përvojë me çmime shumë më të arsyeshme. Një natë në një akomodim luksoz buzë detit mund të kushtojë rreth 23 euro, ndërsa një vakt i plotë me pije rreth 18 euro, përcjell albinfo.ch.

Fluturime të lira dhe qasje të lehtë

Megjithëse nuk ka ende fluturime direkte nga Dublini për në Tiranë, udhëtarët mund të zgjedhin linja ajrore si Lufthansa, Brussels Airlines ose Swiss Airlines, me një ndalesë në qytete si Mynih, Frankfurt, Bruksel apo Zyrih. Çmimet e biletave vajtje-ardhje fillojnë nga 142 euro.

Një tjetër alternativë është udhëtimi për në Korfuz, Greqi, dhe më pas kalimi me traget për në bregdetin shqiptar për vetëm 18 euro në një drejtim.

Popullaritet në rritje

Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në rrjetet sociale, ku videot që tregojnë bukuritë e saj natyrore janë bërë virale. Me plazhe të pacenuara, peizazhe piktoreske dhe mikpritjen tradicionale, vendi është cilësuar si një “perlë e fshehur” që ofron pushime cilësore me një buxhet të arsyeshëm.

Për turistët irlandezë dhe evropianë në përgjithësi, Shqipëria po shfaqet si një zgjedhje ideale për verën e vitit 2025 – një kombinim perfekt mes bukurisë, çmimit dhe përjetimeve autentike.

Asnjë shqiptar i pranuar në konkursin për policë në Serbi, reagime ndaj diskriminimit

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka publikuar rezultatet e fundit të konkursit për pranim në Policinë e Shtetit, ku nga 65 kandidatë të pranuar në komunat me shumicë shqiptare, 43 në Preshevë dhe Bujanoc, si dhe 22 në Medvegjë, asnjëri nuk është shqiptar.

Ky përjashtim i plotë i shqiptarëve ka shkaktuar reagime të ashpra nga përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, si dhe nga autoritetet në Kosovë.

Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) e ka cilësuar këtë veprim si një dëshmi të qartë të diskriminimit sistematik nga institucionet serbe. Kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi, ka thënë se kjo situatë përbën një rikthim në vitin 2001, kur shqiptarët ishin tërësisht të përjashtuar nga strukturat shtetërore, transmeton albinfo.ch.

“Mospërfshirja e asnjë shqiptari në këtë konkurs është shkelje e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe rrezikon seriozisht bashkëjetesën në rajon. Është urgjente të rikthehet programi për krijimin e një policie multietnike, siç parashikohej me Marrëveshjen e Konçulit,” deklaroi Rexhepi, duke paralajmëruar se me daljen në pension të kuadrove ekzistuese, përfaqësimi i shqiptarëve mund të zhduket tërësisht.

Reagim ka pasur edhe nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili e ka cilësuar këtë situatë si pjesë të një procesi të spastrimit etnik që Serbia po e ushtron ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Serbia po ua mohon të gjitha të drejtat elementare shqiptarëve në Luginë. Në Policinë e Kosovës, mbi 10% e forcës policore përbëhet nga komunitetet, e mbi gjysma janë nga komuniteti serb. Ndërsa në Serbi, nga 43 të pranuar në Preshevë e Bujanoc dhe 22 në Medvegjë, asnjë nuk është shqiptar,” shkroi Sveçla në Facebook.

Ai theksoi se qasja e Kosovës është integruese dhe për bashkëjetesë, ndërsa Serbia po ndjek një politikë të kundërt diskriminuese.

“Ky spastrim etnik që Serbia po e zbaton në çdo formë duhet ndalur dhe ndëshkuar menjëherë nga faktori ndërkombëtar,” përfundoi Sveçla.

Osmani në Asamblenë e NATO-s: Është koha që NATO t’ia hapë dyert Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një sërë aktivitetesh në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë pjesëmarrjen dhe adresimin në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, si dhe një takim të rëndësishëm me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Gjatë fjalës së saj para Asamblesë, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar ndaj vlerave demokratike, paqes dhe stabilitetit, duke kërkuar mbështetje të plotë për anëtarësimin e vendit në NATO.

“Kosova ka dëshmuar se është partnere e besueshme dhe konstruktive. Është koha që NATO t’i hapë dyert për Republikën e Kosovës,” theksoi ajo, duke shtuar se siguria e qytetarëve tanë dhe e gjithë rajonit është e lidhur ngushtë me anëtarësimin e Kosovës në Aleancë.

Përveç fjalimit në Asamble, Presidentja Osmani zhvilloi një takim bilateral me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Në këtë takim u diskutua situata aktuale e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe rëndësia e vazhdueshme e misionit të KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

“Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe për një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët tanë,” shkroi Presidentja Osmani pas takimit me Rutte, transmeton albinfo.ch.

Këto zhvillime nënvizojnë përpjekjet e qëndrueshme të institucioneve të Kosovës për të forcuar partneritetin me NATO-n dhe për të siguruar një të ardhme euroatlantike për vendin.

Ndalohet dhe më pas lirohet ish-deputeti i Kosovës nga autoritetet serbe

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, është ndaluar nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdare, gjatë udhëtimit të tij drejt Sllovenisë.

Ndalimi i tij ka shkaktuar reagime të menjëhershme në Kosovë, përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), e cila ka njoftuar për lirimin e tij të menjëhershëm disa orë më pas.

Sipas MPJD-së, Agusholli ka vazhduar rrugën e tij dhe ndodhet tashmë jashtë territorit të Serbisë. Ministria, në reagimin e saj zyrtar, ka dënuar ashpër këtë veprim duke e cilësuar si praktikë represive që shkel të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, transmeton albinfo.ch.

“MPJD do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje çdo situatë që cenon të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë ndaj Serbisë për ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut,” thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Presidentja Vjosa Osmani pranon sërish kërcënim me jetë

Zyra e Presidentes së Kosovës ka pranuar një email të dytë kërcënues brenda një periudhe të shkurtër kohore. Mesazhi përmban gjuhë fyese dhe kërcënime serioze ndaj Presidentes Vjosa Osmani.

Sipas burimeve të gazetës Insajderi, emaili përfshin pretendime për përfshirje të grupeve të armatosura dhe gjuhë të ashpër kundër Presidentes dhe institucioneve të sigurisë në vend.

Rasti i parë i ngjashëm ishte raportuar më 19 maj, kur po ashtu në adresën zyrtare të Presidencës ishte dërguar një email me përmbajtje ofenduese dhe kërcënuese, ku Presidentja etiketohej si “kriminele” dhe “antikushtetuese”, përcjell albinfo.ch.

Zyrtarët e Presidencës kanë konfirmuar se të dy rastet janë raportuar menjëherë te organet kompetente, të cilat kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe vlerësimin e nivelit të rrezikshmërisë.

Pensionohet numri 34 në Basel, për nder të Taulant Xhakës

Rezultati i ndeshjes ndërmjet FC Basel 1893 dhe FC Luzern të shtunën, më 24 maj 2025, ishte pothuajse dytësor nga këndvështrimi i Baselit. Rezultati ishte 4:0. Golat u shënuan nga Albian Ajeti, Philip Otele, Anton Kade dhe Bénie Traoré. Më shumë vëmendje iu kushtua lamtumirave të Taulant Xhakës dhe Davide Callàs, si dhe prezantimit të trofeut të kampionatit në fund të ndeshjes.

Programi mbështetës nisi rreth një orë para fillimit me një ceremoni lamtumire për Taulant Xhakën, i cili, pas 407 paraqitjeve konkurruese për kuqeblutë, luajti ndeshjen e fundit të ligës për FCB dhe bëri paraqitjen e fundit. Disa nga ish-shokët e skuadrës u siguruan të vinin për këtë rast, duke përfshirë vëllain e Taulantit, Granitin, Matías Delgadon, Marco Strellerin, Breel Embolon, Valentin Stockerin dhe Benjamin Huggelin, shkruan faqja e Baselit, transmeton albinfo.ch.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributet e Taulant Xhakës për FCB-në, u vendos edhe tërheqja e numrit 34 në të ardhmen. Përveç Xhakës, lamtumirën e ka dhënë edhe Davide Callà, i cili do t’i bashkohet ekipit si ndihmës trajner. Ai luajti 128 ndeshje konkurruese për FCB si lojtar dhe u kthye te kuqeblutë si ndihmës trajner tre vjet më parë.

Pasoi ndeshja, në të cilën Taulant Xhaka u zëvendësua në minutën e 34-t, nën duartrokitje të zhurmshme dhe ovacione. Më pas erdhi ajo që Baseli e priste me padurim prej tetë vitesh: dorëzimi i trofeut të kampionatit kuqebluve. Festimet e para u zhvilluan në stadiumin e Baselit. Më vonë, ato do të transferohen në Barfüsserplatz.