Kosova shpreh gatishmëri për të diskutuar me Britaninë e Madhe mbi qendrat për migrantët ilegalë

Vetëm pak ditë pasi presidentja Vjosa Osmani deklaroi se Kosova është e hapur të diskutojë me Mbretërinë e Bashkuar për çështjen e mundësisë së ngritjes së qendrave për migrantët e paligjshëm, gatishmëri të ngjashme ka shprehur edhe Qeveria në detyrë e Kosovës, shkruan KOHA, transmeton albinfo.ch.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, konfirmoi se Kosova është e përkushtuar ndaj partneritetit me Britaninë e Madhe dhe është e hapur për të filluar diskutimet. “Besojmë se është e drejtë të themi se mund të fillojmë diskutimet mbi këtë temë, por të gjitha institucionet tona shtetërore duhet të përfshihen dhe më pas vendimi do të varet nga rekomandimet e tyre. Shumë pyetje do të kenë nevojë për përgjigje paraprakisht”, deklaroi ai për gazetën KOHA.

Deklaratat vijnë në një kohë kur qeveria britanike po shqyrton mundësinë e ngritjes së qendrave të kthimit për migrantët që kanë hyrë ilegalisht në ishull dhe të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil. Sipas një raportimi të së përditshmes britanike The Times, Kosova është një nga nëntë shtetet që konsiderohen si destinacione të mundshme për ngritjen e këtyre qendrave.

Përveç Kosovës, në listën e vendeve nga Ballkani përfshihen edhe Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina. Deri tani, nuk janë mbajtur bisedime zyrtare me ndonjërin nga shtetet e përmendura, por sipas burimeve qeveritare britanike, Londra synon të avancojë në këtë drejtim përpara një samiti me liderët e Ballkanit që pritet të mbahet në vjeshtë, transmeton albinfo.ch.

Kërkesa për të ngritur qendra për migrantët ilegalë jashtë territorit të Mbretërisë së Bashkuar është pjesë e një strategjie më të gjerë për të frenuar numrin në rritje të atyre që kalojnë kanalin e La Manshit në mënyrë të paligjshme.

Shpresa e parë e Londrës ishte Shqipëria, por kryeministri Edi Rama e ka refuzuar publikisht këtë ide. Tashmë, Britania është duke shqyrtuar alternativa të tjera, përfshirë Kosovën, e cila sipas The Times, konsiderohet si vend i mundshëm për shkak se ndodhet në një nga rrugët kryesore të përdorura nga migrantët për të hyrë në Bashkimin Evropian. Sipas të dhënave britanike, gati 22 mijë persona kanë përdorur rrugën e Ballkanit Perëndimor për të hyrë në BE gjatë vitit të kaluar.

Përveç Britanisë, edhe disa vende të tjera evropiane si Italia, Danimarka, Gjermania, Holanda dhe Zvicra janë duke shqyrtuar mundësinë e ndërtimit të qendrave për migrantët jashtë kufijve të tyre. Kjo qasje po nxitet si përgjigje ndaj krizës së vazhdueshme migratore dhe debateve të brendshme politike rreth azilit dhe sigurisë kufitare, transmeton albinfo.ch.

Gjenevë: Kërkohen më shumë stacione të mbushjes për veturat elektrike

Organizata e automobilizmit TCS thotë se Qyteti i Gjenevës duhet të instalojë më shumë stacione mbushje në rrugë për veturat elektrike.

Edhe pse kantoni ka plane për të hapur mbi 1 000 pika të reja mbushje në pesë vitet e ardhshme, TCS thotë se shumica e tyre janë në parkingje publike, kështu që aksesi është i shtrenjtë dhe ato janë të fshehura nga pamja, transmeton albinfo.ch.

Ai gjithashtu thekson se mungesa e tarifimit në rrugë po pengon marrjen e automjeteve elektrike, pasi shumë banorë të Gjenevës marrin me qira apartamentet e tyre dhe kështu u mungon hapësira për mbushje.

Gjermani: Siriani pranon fajësinë për sulmin në Solingen, përballet me burgim të përjetshëm

Një burrë sirian, i akuzuar për vrasjen me thikë të tre personave në një festival rruge në qytetin perëndimor gjerman të Solingenit gushtin e kaluar, ka pranuar fajësinë ndërsa gjyqi i tij nisi të martën në Düsseldorf, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Issa Al H., 27 vjeç, nëpërmjet avokatit të tij, i tha gjykatës se ndjen “faj të rëndë” për atë që ka bërë dhe pranoi se kishte “vrarë njerëz të pafajshëm”. Ai shtoi se e meriton dhe pret një dënim me burgim të përjetshëm.

Sulmi i rëndë, i cili ndodhi gjatë një festivali për 650-vjetorin e qytetit, tronditi Gjermaninë dhe nxiti një debat të ashpër mbi politikat e azilit. Përveç tre viktimave, dhjetë persona të tjerë u plagosën, disa prej tyre rëndë.

Autoritetet dyshojnë se i pandehuri ishte i motivuar nga ideologjia ekstremiste islamike dhe ka vepruar në emër të organizatës terroriste “Shteti Islamik” (IS), pretendim që ai nuk e ka pranuar deri më tani. IS e kishte marrë përsipër sulmin, duke thënë se ishte kryer nga njëri prej “ushtarëve” të saj, transmeton albinfo.ch.

Sipas prokurorisë, Al H. duhej të ishte dëbuar nga Gjermania, por deportimi i tij dështoi për arsye organizative. Kjo çështje ka shtuar presionin mbi institucionet dhe ka rritur kritikat ndaj sistemit të migracionit në vend.

Gjyqi pritet të zgjasë më shumë se 20 ditë, me më shumë se 50 dëshmitarë që do të paraqiten në sallë. Vendimi përfundimtar mund të jepet deri më 24 shtator.

Nëse shpallet fajtor, i akuzuari përballet me burgim të përjetshëm, të ndjekur nga paraburgimi parandalues  një masë që zbatohet për ata që konsiderohen rrezik për shoqërinë edhe pas përfundimit të dënimit të tyre.

Në ditën e parë të seancës, Al H. mbajti kokën ulur gjatë pjesës më të madhe të kohës, duke e ngritur vetëm kur gjykatësi i drejtohej.

Pas ngjarjes, kancelari i atëhershëm Olaf Scholz e quajti sulmin “një krim të tmerrshëm”. Si reagim, koalicioni qeverisës miratoi një “paketë sigurie” që përfshin dëbime më të shpejta, më shumë mbikëqyrje për individët që mund të përbëjnë rrezik dhe zgjerim të kapaciteteve në qendrat e paraburgimit para-dëbimit.

Ndërkohë, partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e ka përdorur këtë rast për të forcuar retorikën e saj kundër imigracionit. Por ekspertët e migracionit kanë paralajmëruar kundër përdorimit të incidenteve të tilla për të nxitur ndjenja ksenofobike në publik, transmeton albinfo.ch.

Quni: Dy deputetë të LDK-së janë në shënjestër të veçantë të Vetëvendosjes

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka deklaruar se dy deputetë të kësaj partie janë në fokus të veçantë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), në përpjekjet e kësaj të fundit për të siguruar votat për formimin e Kuvendit, shkruan albinfo.ch.

Pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit, Quni ka bërë të ditur se deputetët e LDK-së janë duke u kontaktuar vazhdimisht nga zyrtarë dhe ndërmjetësues të LVV-së. “Kontaktohem edhe unë. Kontaktohemi nga zyrtarët e Vetëvendosjes e nga ndërmjetësuesit e tyre. Dy deputetë të LDK-së janë në fokus të veçantë. I kemi informatat, i kemi përmbajtjen e bisedave. Të gjithë deputetët që më së shumti kontaktohen nga Vetëvendosja janë stabil dhe i qëndrojnë qëndrimeve të tyre”, theksoi Quni.

Ai shtoi se format e presionit janë të ndryshme, përfshirë edhe ofertat për përfitime në bizneset familjare të deputetëve. “Një nga format është edhe kjo që e potencuat… duke ofruar benefite për bizneset e tyre familjare”, tha ai.

Quni vlerëson se situata aktuale në Kuvend është dëshmi se LVV nuk i ka votat e nevojshme për të formuar Qeverinë. “Një parti, në këtë rast partia e parë, kur nuk mund t’i sigurojë votat e duhura, është e pakuptimtë të vazhdohet me të njëjtën agjendë. Kur nuk janë të zotë për të ofruar zgjidhje, Vetëvendosje do të duhej të pranonte zgjidhjen”, u shpreh ai, shkruan albinfo.ch.

Thirrje për transport publik më të lirë në Zvicër

Deputetja e Partisë së Gjelbër Marionna Schlatter ka paraqitur një mocion parlamentar që kërkon eliminimin e kartës së udhëtimit me gjysmë tarife dhe futjen e një tarife të reduktuar për të gjithë udhëtarët, përcjell albinfo.ch.

“Ata që zgjedhin transport miqësor ndaj klimës duhet të shpërblehen, në vend që të penalizohen”, tha ajo.

Një tjetër deputet, David Roth nga Partia Social Demokrate, tha gjithashtu se tarifat aktuale janë shumë të larta dhe i dekurajojnë shoferët të zgjedhin transportin publik në vend të makinave.

Megjithatë, Këshilli Federal vlerësoi se eliminimi i kartës me gjysmë tarife dhe zëvendësimi i saj me një tarifë të reduktuar të përgjithshme do të rezultonte në një humbje prej 700 milionë frangash në të ardhura.

Parlamenti do ta diskutojë këtë propozim gjatë seancës së tij të ardhshme verore, që do të mbahet nga 2 qershori deri më 22 qershor.

Prishtinë: 130 biznese prezantohen në panairin ndërkombëtar “AGROKOS & Agroturizëm”

Bëhet e ditur se në Prishtinë është hapur sot panairi ndërkombëtar “AGROKOS & Agroturizëm”, i cili sivjet ka mbledhur tridhjetë e dy biznese vetëm në pavionin e prodhuesve vendorë, përcjell albinfo.ch.

Organizatori, Bekim Xhafa, theksoi se ky panair është platformë e rëndësishme për promovimin e prodhuesve vendorë dhe zhvillimin e sektorit të agrobiznesit dhe agroturizmit në Kosovë.

Xhafa njoftoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit (MINT) dhe Agjencinë Kosovare për Investime dhe Ndërmarrësi (KIESA), është krijuar një pavion i dedikuar vetëm për prodhuesit vendorë.

“Është viti i 25-të që po organizohet sot.

Ndjehemi shumë mirë, sepse kemi krijuar brenda këtij panairi pavionin e prodhuesve vendorë, në bashkëpunim me MINT dhe KIESA-n. Kemi arritur të sigurojmë 32 biznese vetëm në pavionin e prodhuesve vendorë. Ndërsa, pjesa tjetër janë bizneset tregtare që vinë nga Kosova me produktet e huaja, apo edhe kompanitë që vijnë nga jashtë. Një numër total prej 130 biznesesh janë të përfaqësuara në mënyrë direkte dhe indirekte përmes kompanive vendore që kanë marrëveshje partneriteti me kompanitë e huaja”, ka thënë ai.

Ai shtoi se fokusi kryesor i këtij panairi është të krijojë mundësi për prodhuesit vendorë që të zgjerojnë tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar përmes eksporteve.

“Ne do të fokusohemi që këta ekspozues, këto kompani që janë, sidomos prodhuesit vendorë, të gjejnë treg brenda vendit atje ku nuk janë të shtrirë, por edhe jashtë vendit përmes eksportit. Për ne është e rëndësishme të identifikojmë nevojat e tyre paraprake dhe në kuadër të këtyre nevojave të punojmë në mënyrë individuale që të sjellim pastaj vizitorë cilësorë të zgjedhur që kanë interes pikërisht për këto kompani dhe produkte. Në këtë drejtim, AgroKos edhe slogani i tij është që të rrisë kompanitë tona prodhuese”, ka shtuar ai per Kosova.press.

Panairi “AGROKOS & Agroturizëm” do të jetë i hapur sot dhe nesër, prej orës 10:00 deri në ora 17:00.

Shoferët zviceranë kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në bllokime trafiku

Shoferët zviceranë po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në bllokime trafiku. Në tre vjet, numri i orëve të kaluara në bllokime trafiku në rrugët e Zvicrës është më shumë se dyfishuar, përcjell albinfo.ch.

Në vitin 2023 (statistikat më të fundit të disponueshme), Federata Rrugore Zvicerane regjistroi më shumë se 48 800 orë të kaluara në bllokime trafiku në rrugët kombëtare, që është ekuivalente me 5.5 vite kumulative.

Në krahasim, 10 vjet më parë, shoferët kaluan 23 000 orë në bllokime trafiku në rrugët kryesore.

Nga ana pozitive, rrugët zvicerane janë më të sigurta tani sesa ishin më parë: shkalla e aksidenteve për milion kilometra të përshkuar ka rënë nga 0.481 në vitin 1995 në 0.28 në vitin 2023.

Kurti thotë se Kosova e ka qeverinë në detyrë: Ajo që i mungon Kosovës është Kuvendi i ri

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas dështimit të 22-të të Kuvendit, tha se formimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjithë deputetëve, teksa shtoi se partia fituese ka përgjegjësi formimin e Qeverisë, përcjell albinfo.ch.

“Ka qeveri në detyrë, unë jam kryeministër në detyrë. Ajo që i mungon Kosovës është Kuvendi i ri i Republikës. Kuvendin nuk e konstituon fituesi, por të gjithë. Si fitues të zgjedhjeve me 48 deputetë dhe me 9 deputetë të pakicave që na janë bashkangjitur, e kemi përgjegjësinë për ta formuar Qeverinë”, tha ai.

Kurti ndër të tjera ka thënë se tashmë edhe çështja e votimit të fshehtë është adresuar në Gjykatën Kushtetuese, ku ka uruar për një përgjigje sa më të shpejtë nga Gjykata Kushtetuese për votimin e fshehtë.

Vdes një person në stacion pas arrestimit nga policia zvicerane

Raportohet se një person vdiq në një stacion policie në Lozanë, një orë pasi u arrestua, thanë prokurorët zviceranë, ndërsa nisën një hetim penal, përcjell albinfo.ch.

Zyra e Prokurorit Publik të Vaud tha se rreth orës 9 të mbrëmjes të dielën, në qendër të Lozanës, policia kreu një kontroll ndaj “një burri 39-vjeçar me origjinë afrikane”.

Sjellja e tij “sugjeronte aktivitet të lidhur me trafikimin e drogës”, tha një deklaratë. Burri i rezistoi arrestimit dhe iku, por më pas u arrestua.

“Pasi situata u qetësua, burri u dërgua në stacionin e policisë për t’u marrë në pyetje”, sipas policisë.

“Gjatë ndërhyrjes, ai u sëmur. Ai vdiq pak para orës 10 të mbrëmjes, pavarësisht përpjekjeve për ringjallje”, të cilat përfshinin shërbimet e urgjencës mjekësore.

Zyra e Prokurorit Publik “ka hapur një hetim penal për të përcaktuar rrethanat e vdekjes”, tha deklarata (AFP)/albinfo.ch.

Faton Peci po intervistohet nga Prokuroria Speciale

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është duke u intervistuar nga organet e hetuesisë pas aksionit të Policisë të mbajtur të martën për çështjen e tenderit për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e produkteve shtazore, përcjell albinfo.ch.

Intervistimin e tij e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka përfunduar aksionin e saj në Ministrinë e Bujqësisë ku u zhvilluan bastisje mbi dyshimet për fabrikën për mbetjet shtazore.

Gjatë bastisjes janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme dokumentesh, të cilat pritet të analizohen për prova lidhur me procedurat e dyshuara të keqpërdorimit të fondeve publike.

Policia e Kosovës më herët ka konfirmuar aksionin e saj në Ministrinë e Bujqësisë ku po zhvillohen bastisje mbi dyshimet për fabrikën për mbetjet shtazore.

“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente ka filluar zbatimin e një urdhërkontrolli në Prishtinë, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Pak vende pune të lira në Zvicër krahasuar me vitin 2024

Në tremujorin e parë të vitit 2025, kompanitë zvicerane kishin gjithsej 93 800 vende pune të lira, 18 400 (16.4 përqind) më pak krahasuar me të njëjtin tremujor në vitin 2024, përcjell albinfo.ch.

Kjo është ajo që del nga studimi i Barometrit të Punësimit i publikuar nga Zyra Federale e Statistikave (FSO) të hënën.

Në të njëjtën kohë, mungesa e personelit të kualifikuar është lehtësuar disi dhe parashikimet e punësimit për tre muajt e ardhshëm janë pozitive.

https://www.bfs.admin.ch/news/de/2025-0616

21-vjeçari shqiptar humb jetën nga aksidenti në Austri

Një aksident tragjik ka ndodhur pas përplasjes së dy veturave në rrugën L1436 në Perg, të Austrisë së Epërme, ku humbi jetën një 21-vjeçar shqiptar, transmeton albinfo.at.

Pas intervenimit të emergjencës austriake përmes helikopterit, thuhet se i riu shqiptar ndërroi jetë gjatë rrugës për në spitalin më të afërt.

Ndërkohë, 29-vjeçari tjetër i aksidentuar ka marrë lëndime të lehta dhe është liruar nga spitali.

Policia austriake ende nuk ka dalë me një sqarim për shkakun e këtij aksidenti fatal dhe për mënyrën se si ndodhi. /Albinfo.ch

Për më shumë detaje – https://www.heute.at/s/autofahrer-21-stirbt-auf-dem-weg-ins-krankenhaus-120110417

Përfundon bastisja te Ministria e Bujqësisë

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në Ministrinë e Bujqësisë, i cili tashmë ka përfunduar, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka konfirmuar se bastisjet janë kryer me urdhër të saj.  

“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për Fabrikën për mbetje shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës”.

Prokurori i rastit, Admir Shala, para gazetarëve më vonë ka treguar se përveç Ministrisë së Bujqësisë dhe AUV-it, janë kryer kontrolle edhe në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, si dhe te lokacioni i kompanisë përfituese të kontratës.

“Prokuroria Speciale ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Jemi duke i zhvilluar bastisjet, në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, me qëllim të sigurimit të informacioneve të nevojshme, drejt zbardhjes së rastit konkret”.

Lokacionet që po bastisen janë Ministria e Bujqësisë, Agjencia për Zhvillim Bujqësor, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe lokacioni i kompanisë përfituese të kontratës”, tha Shala.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë ka dalë me një komunikatë për media pas bastisjes nga Prokuroria Speciale në këtë institucion.

Nga kjo ministri, është thënë se “që nga dita e parë janë në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë” dhe se po bashkëpunojnë me këto institucione.

“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në komunikatë.

Futbollisti shqiptar e dëshiron trofeun e Ligës së Kampionëve

Nga aspekti personal, te finalja e Ligës së Kampionëve ndaj PSG-së, mesfushori i Interit, Kristjan Asllani i tha të gjitha në një intervistë për Inter TV.

“Pa dyshim që këtë sezon jam rritur shumë”, u shpreh Asllani, transmeton albinfo.ch.

“Të jesh çdo ditë pranë kampionëve të mëdhenj nuk të ndihmon vetëm në fushë, por edhe si njeri. Tani na duhet të përgatitemi sa më mirë për finalen e Champions-it, sepse e dimë fare mirë çfarë peshe ka kjo ndeshje”.

Asllani pranoi se mendimi për finalen është gjithmonë i pranishëm, edhe në përditshmërinë më të zakonshme:

“Edhe kur je në shtëpi me familjen, të ndodh të mendosh për këtë sfidë. Nuk është një rast që i jepet kujtdo. Dua ta sjellim në shtëpi këtë trofe”.

Në fund, një fjalë zemre për shokun e repartit, Hakan Çalhanoglu, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e tij te Interi:

“Nga Hakan kam mësuar jashtëzakonisht shumë. Është një rol i vështirë, por ai është një mësues i vërtetë. Jam me fat që kam pasur mundësinë ta kem pranë në këto vite>, theksoi mesfushori shqiptar.

“Ksamili, Karaibet e Evropës”

Me rritjen e temperaturave në Evropën Jugore dhe rifillimin e fluturimeve sezonale drejt destinacioneve me diell, ndoshta po kërkoni një alternativë për pushimet tuaja të ardhshme verore, shkruan Vinicius Costa në një artikull të botuar në revistën amerikane të udhëtimeve “Travel off Path”.

Amalfi dhe vargu i fshatrave të tij shkëmborë të përqafuar nga detet e kaltra, Riviera Franceze dhe Kroacia me udhëtimet e saj piktoreske bregdetare dhe pushimet në ishuj mbeten destinacionet klasike më të frekuentuara nga turistët, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Por, ndoshta po kërkoni diçka pak më ndryshe këtë herë, jashtë të zakonshmes, ku të ndërthuren si sharmi historik ashtu edhe shërbime moderne turistike, dhe ndoshta plazhe të bukura me rërë të bardhë të ngjashme me Karaibet!

Zbuloni Sarandën, Perlën e Rivierës Shqiptare

Një qytet turistik në zhvillim e sipër që zë një gji në formë patkoi, Saranda është e vendosur midis kodrave të gjelbra të Shqipërisë, një zemër të Evropës, dhe Detit Jon me ngjyrë të kaltër.

Ka shumë për të zbuluar në të gjithë Shqipërinë, por nëse është hera juaj e parë që eksploroni destinacionin me rritjen më të shpejtë në Evropën Juglindore, Saranda është ndoshta vendi ideal për të nisur itinerarin.

Destinacioni turistik më i zhvilluar i Shqipërisë, është shtëpia e një shëtitoreje moderne me palma, një varg hotelesh buzë detit  me çmime të përballueshme krahasuar me vendet e tjera të Mesdheut  dhe një numër monumentesh të lashta që do t’ju kthejnë pas në kohë  në Botën e Lashtë.

Hotelet në plazh kushtojnë vetëm 28 dollarë nata

Pikërisht në qendër të Sarandës, shumë pranë plazhit kryesor, mund të rezervoni një apartament në muajin qershor, muajin më të nxehtë në Shqipëri, për vetëm 52 dollarë nata  ose edhe më lirë 28 dollarë nëse udhëtoni çift.

Kur bëhet fjalë për përvojën tradicionale të hotelit, “Hotel Havana” me katër yje ofron dhoma për 57 dollarë nata.

Resorti luksoz me pesë yje, “San Angelo Resort & Spa” ka një plazh privat, të qetë me rërë dhe zhavorr, me shërbime të klasit botëror, duke përfshirë një pishinë të bukur, restorante të njohura dhe një qendër Wellness  211 dollarë nata.

Në përgjithësi, Saranda ofron një vend pushimi veror evropian krejtësisht të përballueshëm.

Kostoja mesatare e një vakti në një restorant të lirë është rreth 11 dollarë, kostot e transportit mesatarisht 8 dollarë në ditë, duke përfshirë autobusët dhe taksitë lokale, dhe nëse jeni të kujdesshëm me buxhetin tuaj, mund t’ia dilni mbanë fare mirë me 350 dollarë për javën.

Mirë se vini në “Karaibet e Evropës”

Vizitoni Ksamilin,  një fshat bregdetar i krahasuar me Maldivet  që po shndërrohet ngadalë në një destinacion turistik  vetëm 25 minuta larg me makinë nga Saranda.

Ndryshe nga shumica e plazheve në bregdetin Jon, Ksamili është i mbushur me rërë të butë dhe të bardhë, dhe i kombinuar me ujërat kristalore, vilat luksoze dhe skelat piktoreske prej druri që shtrihen drejt ishujve të gjelbër në distancë  duke ofruar një pamje “tropikale”.

Vlen të përmendet se Ksamili është ndoshta zona më e vizituar e Sarandës.

Sharmi i Lashtë i pamohueshëm

Përveç vijës bregdetare të mrekullueshme, Saranda është e njohur për rolin e saj si një portë hyrëse në një nga rajonet më të ngarkuara, historikisht,  të pellgut të Mesdheut.

Rreth gjysmë ore me makinë në jug të qytetit, Parku Kombëtar i Butrintit është një zonë e madhe arkeologjike  që përfshin një qytet të rrënuar greko-romak, me një teatër antik, tempuj të panumërt dhe një fortesë në majë të kodrës me pamje nga ligatinat piktoreske.

Kalaja mesjetare e Lëkurësit ofron një panoramë marramendëse të qytetit, dhe është vendi perfekt ku mund të shijoni perëndimin e diellit.

Brenda ka një restorant, kështu që mund të shijoni një vakt tradicional shqiptar dhe verën vendase ndërsa shikoni perëndimin e diellit mbi detin Jon.

Jashari, më i miri në Belgjikë

Mesfushori shqiptar Ardon Jashari është shpallur lojtari më i mirë i edicionit në kampionatin e Belgjikës.

Ky çmim vjen si shpërblim për paraqitjet fantastike që Jashari ka pasur për klubin e tij, Klub Brugge, në mënyrë konsistente gjatë tërë sezonit.

Jashari këtë edicion ka bërë 35 paraqitje në kampionat, ku 31 prej tyre kanë ardhur nga minuta e parë.

22-vjeçari ka kontribuar në këtë proces me tre gola dhe katër asistime.

Gjithsesi, Brugge nuk ia doli që të triumfojë në fund. Ata përfunduan me 53 pikë të grumbulluara në vendin e dytë, me Union Saint-Gilloise që u shpall kampion me 56 pikë.

Shumë skuadra janë vënë pas tij, në mesin e tyre top klube evropiane, ndërsa pritet të shitet gjatë verës për një shumë rekord për futbollin belg.

MESH, agjencia e teknologjisë digjitale që po bën dallimin në Austri dhe Kosovë

Kur Meriton Shurdhani u shpërngul nga Kosova në Austri në moshën trevjeçare, askush nuk mund ta parashikonte se pas 33 vjetësh do të kthehej në vendlindje për të ndërtuar një prej agjencive më premtuese digjitale në rajon. I rritur me vlera të forta pune dhe me një pasion të trashëguar për teknologjinë nga babai i tij, ai nisi të eksperimentonte me kompjuterë që në fëmijëri. Ecuria e tij profesionale kaloi përmes sfidave të shumta në Austri, nga dështimet financiare në biznesin e parë, te certifikimi si konsulent digjital dhe ndërtimi i një klientele të gjerë ndërkombëtare.

MESH, agjencia e themeluar fillimisht në Austri, gjeti terren të përshtatshëm për rritje në Kosovë, ku sot punëson një ekip të ri, energjik dhe tërësisht shqiptar. Meritoni, e ndërtoi kompaninë mbi parimin e zhvillimit të brendshëm dhe refuzimit të “outsourcing”-ut, duke u fokusuar në edukim praktik, cilësi të lartë dhe shërbime të përshtatura për klientët në Austri, Gjermani, Zvicër e më gjerë. Ai, është shembulli i një suksesi që lidhet ngushtë me kthimin në vendlindje  jo nga romantizmi, por nga vendime të menduara mirë, që tashme po japin rezultate konkrete.

Si nisi për Meritonin karriera në teknologjinë digjitale

Meriton Shurdhani pasionin për teknologjinë e mori nga babai i tij, i cili rregullonte satelitë dhe televizorë. Si i vogël, ishte i apasionuar pas faktit se si me gjuhë programuese mund të përmirësoheshin shumë procese.

“Mbaj mend si sot: kemi blerë një kompjuter me “Windows 95” nga një koleg i babait  dhe ai kompjuter ishte gjithçka për ne. Ishte vendosur në dhomën e prindërve dhe unë me babain nuk ndaleshim së punuari aty net të tëra  në kurriz të gjumit të nënës sime, që nuk kishte qetësi me javë të tëra. Më ka mahnitur gjithmonë ideja që proceset mund të përmirësohen përmes zgjidhjeve digjitale. Kam parë shumë kompani që kishin faqe interneti apo mjete softuerike që nuk u sillnin asnjë vlerë reale. Unë doja ta bëja ndryshe  të ndërtoja një agjenci që nuk “programon për sy e faqe”, por që i kupton realisht nevojat e klientëve dhe ndërton zgjidhje që funksionojnë në praktikë”, për albinfo.at, flet Meritoni me pasion për punën që e bën.

Kur ishte vetëm tre vjeç, Meritoni u shpërngul me familjen në Austri, ku edhe u shkollua dhe nisi karrierën e tij profesionale. Në vitin 2016, Meritoni vendosi të ndalojë së punuari për kompani të tjera, dhe doli si i vetëpunësuar. Kjo i mësoi si të udhëheqë projekte, të kujdeset për klientët, e t´i kushtojë rëndësi të madhe cilësisë. Meritoni thotë se, duke bashkëpunuar me biznese të vogla, ka mësuar për strukturën, disiplinën dhe qasjen sistematike  që i ka sjellë edhe në MESH.

“Në moshën 18-vjeçare hapa biznesin tim të parë  si shumë të rinj në Austri, në fushën e financave. Financiarisht, ishte dështim total: komisionet që i merrje sot, duhej t’i ktheje nesër nëse klienti anulonte kontratën. Por ishte “shkollë” e mirë. Pas kësaj, shërbeva në ushtri dhe punova në disa vende, përfshirë një trajnim profesional në “Austrian Research Center”, punë në OVB, Leiner dhe Kremsmüller”, tregon ai për albinfo.at, sfidat e para në fillimet e karrierës.

Pas 33 vjetësh në Austri, ai u kthye në Kosovë, tashmë me gruan dhe tre fëmijët. Në vitin 2020, Meritoni hapi një degë të MESH në Kosovë. Fillimisht kishte vetëm një punonjës, Endrit Kryeziun, i cili sot është edhe partneri i tij në kompani.

Çka ofron MESH, dhe si funksionon mes Kosovës dhe Austrisë?

MESH fillimisht u themelua në Austri në vitin 2016,  atëherë vetëm nga Meritoni. Kur projektet filluan të shtoheshin, në vitin 2020, ai nisi ndërtimin e një ekipi. Sot kompania ka 15 të punësuar në Kosovë, më kushte optimale të punës dhe pagë shumë të mirë për tregun e Kosovës, ndërsa në Austri aktualisht punon vetëm ai. Qendra operative është plotësisht në Kosovë, gjë që ia lehtëson menaxhimin Meritonit.

Kur flet për shërbimet e MESH, Meritoni thotë se kompania funksionon në dy drejtime:

  1. https://www.web-austria.at – ofrohen shërbime për biznese të vogla dhe të mesme që kanë nevojë për një prezencë të fortë dhe profesionale në internet: krijim faqesh web të personalizuara, optimizim për motorë kërkimi (SEO), menaxhim të fushatave në Google Ads dhe strategji të plota marketingu digjital.
  2. https://mesh-web.com – fokusi teknik: zhvillim softueri, digjitalizim dhe automatizim i proceseve të brendshme të kompanive. Qoftë aplikacione mobile, module ERP të personalizuara apo integrime të sistemeve ekzistuese,  MESH i zhvillon të gjitha nga zero, në mënyrë të përshtatur sipas kërkesave të çdo klienti.

Meritoni tregon se ai është i certifikuar si Digital Consultant dhe Online Marketing & E-Commerce Consultant  dhe kjo i jep të drejtën të këshillojë dhe të udhëheqë aplikimet për subvencione zyrtare shtetërore në Austri, që mund të arrijnë deri në 9.000 € për projekte digjitalizimi, dhe në disa raste të veçanta edhe deri në 18.000 €.

“Këto janë subvencione direkte  nuk janë kredi dhe nuk ka kthim. Janë para që kompania i merr për të përmirësuar proceset dhe prezencën digjitale  dhe ky është një shans real që nuk duhet humbur, veçanërisht nga kompanitë që udhëhiqen nga shqiptarë në Austri.  Përveç kësaj, ekziston edhe një formë tjetër subvencioni për marketing ndërkombëtar, ku bizneset që janë të regjistruara në Austri, por që duan të depërtojnë në tregje të huaja përmes marketingut online, mund të përfitojnë deri në 50 % të kostove të reklamimit si subvencion. Edhe kjo është një mbështetje financiare pa kthim, që mund të shfrytëzohet për Google Ads, fushata në rrjete sociale dhe forma të tjera marketingu digjital për eksportin e shërbimeve ose produkteve“, sqaron tutje ai.

Dallimi mes MESH dhe agjencive tjera digjitale

Fokusi i MESH në Kosovë  është në edukim dhe zhvillim.

“Besoj se në këtë fushë më së shumti mësohet në praktikë“, thotë Meritoni, teksa sqaron se MESH nuk bën out-soarcing, por produktet zhvillohen nga zero. Kjo gjë mirëpritet nga klientët austriakë, për të cilët e vlerësojnë stilin e kompanisë si shumë praktik dhe të drejtpërdrejtë.

 

MESH bashkëpunon me kompani nga Austria, Gjermania dhe Zvicra nga bizneset e vogla deri te ndërmarrjet industriale.

“Dy projekte më bëjnë veçanërisht krenar: E para është Mesh App, që e kemi zhvilluar brenda kompanisë. U mundëson bizneseve të menaxhojnë procese të brendshme si oraret e punës dhe kontabilitetin në mënyrë të centralizuar. Kjo do të lansohet së shpejti  veçanërisht për tregun gjermanofolës. E dyta është një sistem për Mobile Device Management (MDM). Ka shumë pak kompani në botë që ofrojnë zgjidhje të tilla  dhe zakonisht janë korporata shumëkombëshe. Por, edhe Mesh WEB nga Kosova ka ndërtuar një sistem funksional, që tashmë përdoret nga disa ndërmarrje në Austri.E kemi zhvilluar së bashku me partnerin tonë, Cardseven (https://www.cardseven.at)  Në maj, do ta prezantojmë këtë projekt në Aeroportin e Vjenës, përballë disa prej kompanive më të mëdha logjistike në Evropë“, thotë Meritoni.

Mesazh për investitorët e huaj dhe diasporën

Meritoni ka dy mesazhe, një për investitorët e huaj, dhe tjetrën për diasporën.

“Për investitorët ndërkombëtarë që nuk kanë ndonjë lidhje personale me Kosovën: ju them shkurt  ejani dhe shikoni me sytë tuaj. Kosova ka një gjeneratë të re, të motivuar, të gatshme për të mësuar dhe punuar. Mjafton një shtytje, pak mbështetje  dhe këta të rinj bëjnë mrekulli. Klima ekonomike është atraktive, dhe njerëzit janë të hapur për ide të reja. Ka potencial të vërtetë  nëse investimi bëhet me vizion dhe seriozitet.

Për diasporën kam një mesazh tjetër: sjellni projekte, sjellni ide! Është koha të bëjmë dallimin mes investimeve që kanë vlerë për vendin dhe atyre që janë vetëm për përdorim personal. Të ndërtosh një shtëpi për vete është e kuptueshme  por nuk krijon zhvillim për askënd tjetër. Ajo që na duhet janë kompani që krijojnë vende pune, që i trajtojnë njerëzit me dinjitet dhe që paguajnë sipas standardeve evropiane. Aty fillon ndryshimi i vërtetë“, thotë Meritoni në një bisedë për albinfo.at.

MESH nuk ofron vetëm shërbime për klientë, por krijon edhe produkte të veta digjitale. Qëllimi i kompanisë është të ndërtojnë lokalisht, të ndikojnë globalisht  dhe t’i tregojnë botës se Kosova nuk është vetëm “potencial”, por realisht ka njerëz që munden.

Vajzat tona futbolliste, në fokus të numrit më të ri të revistës Albinfo.ch

Numri më i ri, i muajit maj, i revistës sonë vjen me një prezantim meritor të vajzave shqiptare që pasionin e tyre për lojën e futbollit e kanë shndërruar në pasion. Janë të shumta vajzat që janë përcaktuar për këtë sport që shpesh paragjykohet si “sport meshkujsh”. Për të thyer paragjykimet dhe tabutë, atyre u është dashur të luftojnë më me ngulm dhe të japin energji të dyfishtë derisa kanë arritur në vendin e synuar: disa në kombëtaren e Kosovës dhe disa të tjera, në atë të Zvicrës, Suedisë etj.

Riola Xhemaili dhe Kosovare Asllani, njëra në kombëtaren zvicerane dhe tjetra në atë suedeze, me lojën e tyre në fushën e gjelbër, në mes të dy portave janë shembuj frymëzimi për mijëra vajza shqiptare se si me ambicie dhe këmbëngulje, mund të pushtojnë majat e këtij sporti, edhe në nivel ndërkombëtar. Dhe, kur jemi te niveli ndërkombëtar, nga 2 deri më 27 korrik 2025, në Zvicër mbahet Kampionati Evropian i Futbollit për femra, një rast ky i veçantë për të bërë karrierën e vajzave tona edhe më të shkëlqyer.

Riola Xhemaili, 22-vjeçarja shqiptaro-zvicerane, shpreson të jetë pjesë e listës së përfaqësueses së Zvicrës për EURO 2025. E rritur në një familje sportistësh, Riola është një talente me të ardhme të ndritur  dhe një ftesë në këtë turne do të ishte realizimi i një ëndrre të madhe për të.

Ndërkohë, Kosovare Asllani, një nga lojtaret kryesore të Suedisë, vjen me përvojë të jashtëzakonshme në Lojëra Olimpike dhe Kampionate Botërore. Euro 2025 në Zvicër do të ishte një tjetër kapitull i paharrueshëm për të. Me një shqiponjë  tatuazh në trup, ajo kurrë nuk e ka harruar prejardhjen e saj shqiptare.

Përveç Kosovares dhe Riolës, ky numër i revistës sonë u ka dhënë hapësirë edhe shumë vajzave, kryesisht nga mërgata që kanë zgjedhur të luajnë për kombëtaren e futbollit të Kosovës ose janë angazhuar në klube të mëdha, jashtë vendit. Aty bën pjesë patjetër Alketa Rama, lojtare e Kombëtares së Kosovës dhe e klubit elitar zviceran FC Zürich. Vajza e Milaim Ramës, futbollistit të parë shqiptar që ka luajtur për Nati-n e Zvicrës, duke u përcaktuar për Kosovën, ka përmbushur edhe një dëshirë të babait të saj.

Vijnë pastaj intervistat me futbollistet, si: Eliza Kadriu, Eriona Elezi, Monika Ibishaj, Viola Avdyli etj. Të gjitha këto, bashkë me shumë të tjera, kanë një gjë të përbashkët: Talentin për futboll dhe vullnetin për ta ngritur në kulm pasionin që kanë, duke na bërë kështu krenarë me suksesin e tyre.

Dështon edhe tentimi i 22-të për konstituimin e Kuvendit

Për herë të 22-të, deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Që nga 15 prilli, deputetët janë bllokuar në pikën e tretë të seancës konstituive – atë të zgjedhjes së kryeparlamentarit.

Teksa fillimisht nuk mund të bëhej shumica për ta votuar emrin e Albulena Haxhiut të Lëvizjes Vetëvendosje, tash partia fituese e zgjedhjeve po kërkon votimin e një komisioni për të mbajtur votim të fshehtë.

Edhe kjo nuk po merr shumicën dhe seancat po mbahen çdo 48 orë, sipas Rregullores.

Seanca e ardhshme do të mbahet më 29 maj, në orën 11:00.

Bastisje në Ministrinë e Bujqësisë

Raportohet se Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion në Ministrinë e Bujqësisë, përcjell albinfo.ch.

Forcat policore janë duke kryer bastisje në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, në kuadër të kësaj ministrie.

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se bastisjet po kryhen me urdhër të saj.

“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për Fabrikën për mbetje shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës,” ka thënë zëdhënësja Arbnora Luta.

Një ditë më parë, Partia Demokratike akuzoi ministrin në detyrë, Faton Peci, se e ka shkelur Ligjin për Pronën Publike në rastin e dhënies me qira të pronës për impiantin e mbetjeve shtazore.

70 shqiptarë nga Kosova e Shqipëria dëbohen nga Gjermania

Raportohet se 70 persona (shtetas shqiptar) janë transportuar me aeroplan për në Shqipëri dhe Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Thuhet se të dëbuarit ishin azilkërkues në Gjermani, raportoi gazeta gjermane Die Welt.

Deputeti i Unionit Demokristian (CDU), Gunter Krings tha për Die Welt se Gjermania ka nevojë për më shumë dëbime të tilla.

“Ne duhet t’i intensifikojmë këto fluturime”, tha ai.

E drejta për azil ka dy anë, sipas anëtarit të partisë që i fitoi zgjedhjet parlamentare këtë vit.

“Ne duam t’u japim mbrojtje atyre që kanë nevojë për atë  por edhe të deportojmë ata që nuk kanë nevojë për këtë mbrojtje ose që e kanë humbur të drejtën duke kryer akte dhune”. /Albinfo.ch

https://regionalheute.de/unionsfraktionsvize-krings-fordert-zunahme-von-abschiebefluegen-1748260922/

Sot përpjekja e 22-të për konstituim të Kuvendit

Sot, për herë të 22-të do të mblidhen deputetët e zgjedhur më 9 shkurt në përpjekje për të konstituuar legjislaturën e nëntë, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se seanca do të mbahet prej orës 11:00.

Që nga 15 prilli, deputetët janë bllokuar në pikën e tretë të seancës konstituive, atë të zgjedhjes së kryeparlamentarit. Teksa fillimisht nuk mund të bëhej shumica për ta votuar emrin e Albulena Haxhiut të Lëvizjes Vetëvendosje, tash partia fituese e zgjedhjeve po kërkon votimin e një komisioni për të mbajtur votim të fshehtë. Edhe kjo nuk po merr shumicën dhe seancat po mbahen çdo 48 orë, sipas Rregullores.

Në 48 orët e fundit nuk është vënë re ndryshim qëndrimesh. Madje kryetari i LVV-së, Albin Kurti, fajësoi partitë që deri tash ishin në opozitë për ngërçin politik. Ai ka thënë se zgjidhja është votimi i fshehtë, teksa për emrin e Haxhiut u shpreh se “nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje”.