Trafiku ajror kthehet në normalitet

Trafiku i avionëve është rikthyer në normalitet në aeroportin e Gjenevës, pasi kompania e kontrollit të trafikut ajror, Skyguide, njoftoi se ka rregulluar një problem me ekranet e radarit.

Kontrollorët sigurojnë se nuk ka pasur kurrë ndonjë rrezik, megjithatë ekranet vazhdojnë të fiken për rreth 5 deri në 15 sekonda, në intervale të rastësishme.

Problemi çoi në vendimin për të ulur trafikun hyrës me rreth 20%, transmeton albinfo.ch.

Është instaluar një përditësim i sistemit kompjuterik dhe që prej atëherë sistemi ka qenë i qëndrueshëm. Një zëdhënës shprehet se ata shpresojnë që situata është zgjidhur.

Për të 26-ën herë me radhë dështon konstituimi i Kuvendit

Edhe në seancën e sotme nuk u arrit konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pasi nuk u miratua propozimi për krijimin e komisionit zgjedhor, një hap i domosdoshëm për mbajtjen e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, përcjell albinfo.ch.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ftoi subjektet politike të propozonin anëtarët e tyre për këtë komision, por propozimi nuk kaloi, duke bërë që procesi të dështojë edhe një herë.

Kjo shënon dështimin e 26-të për konstituimin e Kuvendit.

Seanca u ndërpre për të vazhduar më 5 qershor.

Ku i investojnë paratë Xhaka e Shaqiri?

Futbollistët me origjinë shqiptare, siç janë Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka kanë fituar miliona euro gjatë karrierës së tyre, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë ata dhe shumë futbollistë të tjerë bëjnë investime për të rritur milionat që i kanë.

Shembull, Diego Bengalio, është njëri prej tre investitorëve në një hotel, projekt që është vlerësuar kundërthënës nga mediat zvicerane. 

“Blick” ka shkruar së fundi edhe për investimet e lojtarëve të tjerë të Zvicrës. Natyrisht edhe për kapitenin Granit Xhaka dhe yllin shumëvjeçar të Zvicrës, Xherdan Shaqiri.

Për Xhakën është shkruar se është dora e zgjatur e selektorit Murat Yakin në fushë. Ai investon në patundshmëri, njëjtë si selektori Yakin.

“Së bashku më vëllain e tij, Taulantin, dhe babain Ragipin, lojtari i Bayer Leverkusenit është bashkëpronar i ‘Generation Immobilien AG’, me seli në Basel. Edhe para themelimit të kompanisë, Xhaka bleu një pallat apartamentesh në vitin 2018, në lagjen jo shumë të popullarizuar në Grenchen, në Kantonin Solothurn. Portofoli i pasurive të patundshme të Xhakës përfshin prona në Basel dhe Kosovë, vendlindjen e prindërve të tij. Që nga viti 2020, mesfushori është edhe në botën e modës. Ai themeloi markën e veshjeve me partnerë biznesi. Xhaka shet veshje të përditshme për meshkuj, që kanë markën Grajo”, shkruan “Blick”, përcjell tutje albinfo.ch.

Ndërkohë Xherdan Shaqiri po i investon paratë aty ku edhe i ka fituar dhe i fiton  në futboll. Shaqiri është tërhequr nga përfaqësuesja vitin e kaluar, ndërsa udhëhoqi Baselin drejt triumfit në kampionat dhe në garën për Kupë të Zvicrës.

Në fillim të vitit Shaqiri u bë aksionar në klubin Rapperswil-Jona, që ishte në kategorinë e tretë.

“Rappi është klub perfekt për të parë nga afër menaxhimin”, kishte thënë Shaqiri.

Me klubin nga Zvicra lindore, Shaqiri ka arritur suksesin e parë. Natyrisht, si aksionar. Kjo skuadër është ngjitur në kategorinë e dytë të futbollit zviceran. 

Blick ka shkruar se gjërat nuk po shkojnë më së miri për Shaqirin sa u takon pasurive të paluajtshme.

Ai ka kohë që planifikon një shtëpi për familje, me një apartament për gjyshe, pastaj garazh, pishinë të jashtme dhe hidromasazhë.

“Edhe pse leja ka qenë në fuqi që nga gushti i vitit 2022, katër kundërshtime nga banorët deri më tani kanë penguar ndërtimin. Por ylli i Baselit siguroi së fundi një fitore ligjore para Gjykatës së Lartë Federale”.

Edhe futbollistët e tjerë të Zvicrës po fitojnë mirë duke investuar paratë që i kanë fituar gjatë karrierës.

Selektori Yakin ka prona të shumta, sidomos në Basel. Në një rast kishte thënë se as vetë nuk e di se sa shtëpi i ka. Ndër të tjera, një vilë në Basel e kishte shitur për 5.2 milionë franga zvicerane në vitin 2019.

Kosova përfshihet nga vala e nxehtë, temperaturat të larta

Temperaturat do të arrijnë deri në 33 gradë Celsius në Kosovë, teksa autoritetet lëshojnë një paralajmërim për një valë të nxehtë, përcjell albinfo.ch.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8 dhe 11 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e javës parashihen të lëvizin ndërmjet 27 dhe 33 gradë Celsius.

Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimet e ndryshme, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Presidentja Osmani sot takohet me partitë për caktimin e datës së zgjedhjeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot në ora 14:00 do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e subjekteve politike, në kuadër të konsultimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, përcjell albinfo.ch.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, ka konfirmuar se presidentja ka ftuar partitë politike në takim të mërkurën, në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese.

Sipas Kupinës, menjëherë pas përfundimit të konsultimeve, presidentja Osmani do ta bëjë publike datën e zgjedhjeve.

Pse Granit Xhaka konsiderohet në mesin e mesfushorëve më me ndikim ne botë?

Futbollisti i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, zë një pozitë të shkëlqyer në renditjen e mesfushorëve më me ndikim në botë për edicionin 2024/2025, transmeton albinfo.ch.

Sipas statistikave të Qendrës Ndërkombëtare për Studime Sportive (CIES), Xhaka renditet i treti në listën e mesfushorëve më me ndikim nga 60 kampionate në të gjithë botën.

Nga 100 pikët e mundshme, Xhaka ka 94.1 për qind të saktësisë në goditje, pasime, driblime, krijimin e rasteve, përfundimin e aksioneve dhe duelet ajrore.

Janë vlerësuar edhe rezultatet e ekipit dhe minutat e luajtura.

Para tij janë Pedri i Barcelonës dhe Joshua Kimmich i Bayernit. /Albinfo.ch

Sot përpjekja e 26-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e betuar sot do të mblidhen për herën e 26-të për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Seanca është paraparë të mbahet nga ora 11:00.

Deri më tani, 25 herë ka dështuar të bëhet funksionalizimi i legjislaturës së nëntë të parlamentit, përcjell albinfo.ch.

Kryesuesi Avni Dehari edhe të hënën ftoi subjektet politike parlamentare të cilat nuk kanë propozuar deputetë për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë që ta bëjnë këtë, por të njëjtat nuk paraqitën propozime.

Ai hodhi në votim përbërjen e komisionit me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës. Nga 104 deputetë të pranishëm në sallë, 51 votuan për, një ishte kundër, ndërsa abstenime nuk pati.

Kështu, seanca u shtye edhe një herë për sot.

Mbetet të shihet nëse do të lëvizin nga qëndrimet e tyre subjektet që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, apo do të kemi edhe një shtyrje për 48 orë të seancës.

FENIX nga Zvicra përfaqëson diasporën në Festivalin Folklorik “I këndojmë lirisë” në Klinë

Studio artistike FENIX nga Zvicra do të marrë pjesë në edicionin e 23-të të Festivalit Folklorik Tradicional Mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”, që mbahet çdo vit në qytetin e Klinës, transmeton albinfo.ch.

Ky festival prestigjioz, që bashkon trashëgiminë kulturore shqiptare nga të gjitha trevat, këtë vit ka mirëpritur 21 grupe konkuruese, ndër to edhe FENIX-in, që me krenari përfaqëson Diasporën shqiptare.

 

Pjesëmarrja e Studios FENIX është një dëshmi e ruajtjes dhe promovimit të kulturës sonë kombëtare jashtë atdheut dhe një shembull i gjallë i lidhjes së fortë ndërmjet diasporës dhe rrënjëve tona tradicionale.

Në festival, Studio artistike FENIX do të paraqitet me një program të përzgjedhur artistik, që përfshin dy valle dhe një këngë të interpretuar nga Flutur Bytyqi.

Pjesë e programit janë edhe pantomima me solistët, aktorët Adem Kicaj dhe Emi Kurteshi.

Për udhëheqjen artistike është kujdesur Arsim Berisha.

Rënia e akullnajës zvicerane mund të kushtojë qindra milionë franga

Rënia e akullnajës zvicerane mund të kushtojë shuma të mëdha, përcjell albinfo.ch.

Rënia dramatike e akullnajës Birch të Zvicrës më 28 maj, e cila fshiu plotësisht fshatin Blatten të Valais, është një “katastrofë e madhe që është praktikisht e pashembullt në shkallën dhe ndikimin e saj në popullatën e prekur”, tha të hënën Shoqata Zvicerane e Sigurimeve (SIA).

Ndërsa “nuk është ende e mundur të jepet një vlerësim i saktë i shkallës së dëmit”, Eduard Held, specialisti i shoqatës për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, vlerësoi “një humbje prej disa qindra milionë frangash”.

Asaj iu refuzua shtetësia zvicerane dy herë, sepse ishte “shumë punëtore”

Edhe pse jeta në Zvicër ofron përfitime të shumta, nga natyra e bukur te një ekonomi e fortë dhe vende pune të sigurta, është treguar se rruga drejt shtetësisë zvicerane nuk është aspak e lehtë, transmeton albinfo.ch.

Konkretisht, një nga kriteret për marrjen e shtetësisë mund të jetë edhe “pëlqimi”.

Nëse popullsia lokale e konsideron kandidatin si “jo mjaftueshëm të integruar” ose thjesht “shumë punëtor”, kërkesa për shtetësi mund të refuzohet edhe nëse plotësohen të gjitha kërkesat formale, raporton Daily Mail.

Gruaja holandeze u refuzua dy herë

 

 

Kjo praktikë e pazakontë u përjetua nga afër nga Nancy Holten, një grua e lindur në Holandë që jeton në Zvicër prej vitesh.

Edhe pse ajo i plotësonte të gjitha kërkesat ligjore për shtetësi, kërkesa e saj u refuzua dy herë sepse banorët e perceptonin atë si një person problematik.

Arsyeja? Kritikat e saj publike ndaj traditave zvicerane.

 

Nancy filloi një fushatë kundër kambanave të lopëve, duke i quajtur ato shumë të zhurmshme dhe mizore ndaj kafshëve. Ajo gjithashtu kritikoi garat me derra, kambanat e kishave dhe çdo gjë që e shihte si një burim të panevojshëm zhurme ose vuajtjesh të kafshëve.

“Doja vetëm të kontribuoja në mbrojtjen e kafshëve. Nuk e dija që ato gjëra ishin një traditë për shumë njerëz. Tani e kuptoj këtë,” tha ajo për Swiss Info.

Për shkak të këtyre pikëpamjeve, komuniteti vendas gjykoi se Nancy “nuk përshtatej me mënyrën zvicerane të jetesës” dhe kërkesa e saj u refuzua.

Më vonë çështja u shqyrtua nga autoritetet më të larta, të cilat arritën në përfundimin se nuk kishte bazë ligjore për refuzimin, pas së cilës asaj iu dha përfundimisht shtetësia, pavarësisht pikëpamjeve të saj për traditat. /albinfo.ch

Britania përballet me presion nga NATO për të rritur shpenzimet ushtarake

Britania e Madhe po ndjen presion nga NATO-ja për të rritur shpenzimet ushtarake, më shumë sesa ka premtuar kryeministri Keir Starmer. Ai ka thënë se do të investojë 2.5% të Produktit të Brendshëm Bruto për mbrojtje nga viti 2027 dhe synon ta rrisë këtë në 3% gjatë legjislaturës së ardhshme, që do të thotë se mund të arrihet deri në vitin 2034.

Por, sekretari i NATO-s, Mark Rutte, po nxit aleatët të shpenzojnë më shumë  3.5% për ushtrinë plus një 1.5% shtesë për masa mbrojtëse, si përgjigje ndaj veprimeve të presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë.

Udhëheqësit e NATO-s do të takohen në Hagë këtë muaj, ku do të diskutojnë objektivin për totalin e shpenzimeve prej 5% deri në vitin 2035.

Megjithatë, zyra e Starmer nuk pranon të tërhiqet nga premtimi për rritjen e buxhetit ushtarak, edhe pse kjo do të shtojë barrën financiare për Britaninë deri në mes të dekadës tjetër.

Zëdhënësi i kryeministrit tha se nuk do të komentojë bisedat që po zhvillohen para samitit të NATO-s dhe theksoi se Britania është tashmë shpenzuesi i tretë më i madh në NATO, pas SHBA-së dhe Gjermanisë. Ai shtoi se 22 nga 32 vendet anëtare të NATO-s kanë tejkaluar tashmë objektivin prej 2% të PBB-së.

Duka me mesazh para ndeshjes Shqipëri-Serbi: Është thjeshtë lojë, të fokusohemi tek rezultati

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka kërkuar që përballja e ardhshme me Serbinë të shihet vetëm si një ndeshje futbolli, pa ngarkesa të panevojshme jashtë sportit.

Në një intervistë në emisionin “Andale Sport”, Duka u shpreh se emocionet janë të pritshme, por vëmendja duhet të mbetet te performanca e Kombëtares në fushë.

“Po, është një ndeshje me ndjeshmëri, si ato kundër Greqisë. Por në fund të ditës, është thjesht futboll. Le të fokusohemi te rezultati sportiv. Ky është një grup ku Anglia pritet të jetë favorite, por ne kemi ende hapësirë për të ëndërruar,” tha ai.

Duka theksoi se presioni mbi lojtarët është i madh, sidomos me një stadium që pritet të jetë plot. Por ai shpreson që ky presion të kthehet në motivim, transmeton albinfo.ch.

“Të mos i rëndojmë më shumë, por të krijojmë atmosferë pozitive që t’i ndihmojë të japin më të mirën,” shtoi presidenti i FSHF-së.

Sa i përket sigurisë në kryeqytet gjatë asaj kohe, Duka garantoi përgatitje serioze në bashkëpunim me institucionet.

“Apelojmë për qytetari, kjo është një ndeshje, një festë sportive. Të gjithë bashkë për ta kthyer në një ngjarje që na nderon,” tha ai.

Shqipëria U-15 fiton ndaj Zvicrës U-15 me përmbysje 2-1

Kombëtarja shqiptare e moshës U-15 ka fituar me rezultat 2-1 ndaj Zvicrës U-15 në ndeshjen e parë miqësore të zhvilluar më 3 qershor 2025.

Ndeshja u zhvillua në kuadër të një grumbullimi ndërkombëtar dhe shërbeu si test për të dy ekipet.

Zvicra kaloi e para në avantazh në minutën e 19-të me golin e Zanovello Timothy. Shqipëria barazoi në minutën e 26-të me golin e Sebastian Sinës.

Goli i fitores për Shqipërinë u shënua në pjesën e dytë nga Haxhi Rrena, në minutën e 76-të.

Skuadra shqiptare drejtohet nga trajneri Armand Dama. Formacioni që e nisi ndeshjen ishte: Hoxha (kapiten), Ibrahimi, Neza, Muji, Cekrezi, Sina, Çomo, Perlala, Basha, Hyseni dhe Sharka.

Ndeshja e dytë mes dy ekipeve do të luhet më 5 qershor 2025, në orën 10:00.

Çfarë kërkuan më shumë fëmijët në internet këtë vit?

Në ditët e sotme, ekranet janë bërë një pjesë e pandashme e përditshmërisë së fëmijëve. Hulumtimet më të fundit tregojnë se fëmijët 8 deri në 10 vjeç kalojnë rreth 6 orë çdo ditë përpara ekranit, ndërsa ata të moshës 11 deri në 14 vjeç arrijnë deri në 9 orë. Meqenëse një pjesë e madhe e jetës së tyre zhvillohet online, është thelbësore që prindërit të kuptojnë më mirë se çfarë i tërheq fëmijët në këtë hapësirë të pafundme virtuale: cilat janë platformat që frekuentojnë, çfarë kërkojnë dhe çfarë lloj përmbajtjeje po i formëson ata.

Çdo vit sjell trende të reja dixhitale dhe ato shpesh pasqyrojnë mënyrën se si fëmijët lidhen me botën. Sipas raportit të fundit nga Kaspersky, një nga zhvillimet më interesante ka qenë rritja e interesit për inteligjencën artificiale. Për herë të parë, një aplikacion si Character.AI është shfaqur në listën e 20 më të përdorurve. Kjo tregon jo vetëm kureshtjen e fëmijëve për IA-në, por edhe përfshirjen e saj aktive në rutinën e tyre dixhitale. Plot 7.5 për qind e kërkimeve të tyre kanë qenë të lidhura me chatbot-e, një rritje dukshëm më e lartë krahasuar me 3.19 për qind vitin e kaluar, përcjell albinfo.ch.

Character.AI u jep përdoruesve mundësinë të krijojnë ose të bisedojnë me botë që imitojnë personazhe nga filma, libra apo edhe figura reale. Por, si çdo mjet tjetër, edhe kjo teknologji ka anët e saj të errëta. Chatbot-et mund të përmbajnë tema të papërshtatshme, përmbajtje emocionale ose informacione të gabuara, sidomos kur krijohen nga përdorues të tjerë dhe nuk filtrohen siç duhet. Kjo e bën të domosdoshme që prindërit të zhvillojnë biseda të hapura me fëmijët dhe të përdorin aplikacione që ndihmojnë në mbikëqyrjen e përdorimit të teknologjisë në mënyrë të sigurt.

Nga ana tjetër, edhe humori dixhital po ndryshon. Ndërsa memet nuk janë trendi më dominues, ato ofrojnë një pasqyrë interesante mbi gjuhën kulturore të gjeneratës së re. Këtë vit, në fokus kanë qenë memet e stilit “brainrot”, një formë humori absurd dhe kaotik që përhapet përmes videove të shkurtra. Termat si “tralalero tralala” apo ritmet si “tung tung tung sahur” janë bërë pjesë e kësaj loje shpërthyese memesh që përçojnë më shumë ndjesi sesa kuptim.

Një tjetër prurje e re që po fiton popullaritet është loja ritmike Sprunki, një përzierje mes muzikës, ngjyrave dhe sfidave të shpejta. Fëmijët duhet të ndjekin ritmin përmes ndërveprimeve vizuale, çka e bën lojën dinamike, stimuluese dhe vizualisht tërheqëse. Sprunki po përhapet me shpejtësi, veçanërisht në mesin e fëmijëve më të vegjël, falë grafikëve të tij të gjallë dhe stilit lozonjar.

Në një botë ku ndryshimet teknologjike ndodhin nga dita në ditë, prindërit nuk kanë luksin të qëndrojnë indiferentë. Të kuptuarit e trendeve që i tërheqin fëmijët nuk është vetëm çështje kontrolli, është një mënyrë për t’u lidhur me ta, për të ndërtuar besim dhe për t’i udhëhequr në mënyrë të mençur në këtë univers dixhital gjithnjë në zhvillim.

Xhoxhaj më 7 qershor mbron titullin kampion Evrope në Hamburg

Boksieri shqiptar Labinot Xhoxhaj do të ketë një meç shumë të rëndësishëm në karrierën e tij, shkruan albinfo.ch.

Ai ka ftuar bashkëatdhetarët për mbështetje në sfidën e 7 qershorit për të mbrojtur titullin e kampionit të Evropës.

Më 7 qershor 2025, në Hamburg, do të zhvillohet një nga ndeshjet më të rëndësishme të karrierës sime. Do të mbroj titullin Kampion Europe (EBU) dhe do të luftoj për një tjetër brez të madh  WBC International Silver Heavyweight  përballë një kundërshtari të fortë, të pamposhtur, siç është Aliev.

Kjo sfidë është kulmi i shumë viteve sakrifice, djersë, mund dhe pune të pandalshme. Kam kaluar shumë beteja, në ring dhe jashtë tij, por asnjëherë nuk kam qenë vetëm. Pas meje gjithmonë ka qenë familja, trajnerët, miqtë  dhe ju, populli im.

Ju ftoj nga zemra të jeni me mua edhe kësaj here.

Çdo fjalë mbështetëse, çdo lutje, çdo ndjekje është fuqi për mua në ring.

Le ta bëjmë këtë fitore bashkë. Jo vetëm për mua, por për të gjithë shqiptarët  kudo që ndodhen”, shkruan Xhoxhaj në Facebook.

Euromillions: Jackpot prej 222 milionë frangash zvicerane nuk u fitua

Jackpoti i Euromillions prej një shume marramendëse prej 222 milionë frangash zvicerane nuk u fitua të martën.

Në shortin e fundit, numrat fitues ishin 12, 15, 38, 47, 48 dhe yjet 5 dhe 7. Askush nuk arriti t’i përputhte të gjitha numrat, kështu që shuma e madhe mbeti e paprekur.

Euromillions luhet në nëntë vende të Evropës, përfshirë Zvicrën, dhe shortet zhvillohen dy herë në javë, të martën dhe të premten, me qendër në Paris.

Jackpoti vazhdon të rritet

Meqë askush nuk fitoi, çmimi kryesor do të vazhdojë të rritet dhe shorti tjetër do të mbahet të premten, ku pritet të jetë 235 milionë franga zvicerane.

Kjo do të ishte fitimi i nëntë më i madh në historinë e Euromillions.

Rekordi i fundit i fitimeve

Rekordi më i madh në historinë e Euromillions u arrit më 28 mars 2025, me një fitim prej 239.2 milionë eurosh. Një tjetër fitim i madh prej 236.3 milionë eurosh u regjistrua në tetor 2021, ndërsa në të njëjtin vit u dha edhe fitimi i tretë më i madh, 230.2 milionë euro.

Në vitet e kaluara, fitime të mëdha janë regjistruar edhe më 24 tetor 2014 (229.5 milionë euro), më 19 korrik 2022 (228.7 milionë euro) dhe më 8 dhjetor 2023 (227.9 milionë euro).

Punësimi në Zvicër: Çfarë shanse keni për një punë të re nëse jeni mbi 50 vjeç?

Të gjesh një punë të re pas moshës 50 vjeç në Zvicër është një sfidë e madhe.

Por, cilat janë shanset që një punëdhënës zviceran t’ju punësojë nëse po kërkoni punë pasi keni kaluar 50 vjeç?

Ju jeni të shëndetshëm, në formë dhe keni përvojë të madhe në fushën tuaj, që çdo punëdhënës do të donte ta kishte në ekip.

Megjithatë, në praktikë në Zvicër kjo nuk funksionon gjithmonë kështu.

Asnjë kompani nuk do t’ju thotë drejtpërdrejt që jeni tepër i/e vjetër për t’u punësuar, por është e mundur që të humbisni përballë një kandidati më të ri, transmeton albinfo.ch.

Kështu ndodhi me Marien, e cila ka përvojë të fortë dhe rekomandime të shkëlqyera si asistente executive për CEO të disa kompanive shumëkombëshe.

Kur ajo kërkoi një pozicion të ri në të njëjtën fushë në moshën 47 vjeç, “asnjë menaxher burimesh njerëzore nuk më thirri për intervistë,” tha ajo.

Një tjetër person, Georges, i cili kërkonte punë si inxhinier softueri pasi kompania e tij shpalli falimentimin për shkak të Covid, vuri re se “në shumicën e reklamave kërkohej që kandidatët të ishin midis 30 dhe 40 vjeç.”

Georges ishte 49 vjeç në atë kohë.

Pse ndodh kjo?

Një arsye e pavërtetuar është se punonjësit me përvojë të gjatë janë më të shtrenjtë për t’u punësuar (nga ana e pagës) sesa të rinjtë, ose ekziston frika se ata mund të mos përballojnë përgjegjësitë e punës.

Në përgjithësi, “preferenca për të rinjtë në tregun e punës bazohet shumë në paragjykime,” thotë Kurt Pärli, profesor i së drejtës në Universitetin e Bazelit.

Megjithatë, “paragjykimet e përgjithshme që aftësitë mendore dhe fizike dobësohen me moshën nuk mbështeten nga studimet e fundit mbi plakjen.”

“Proceset e plakjes ndryshojnë nga individi në individ dhe shumë të moshuar kanë potencial të pazbuluar për të zhvilluar dhe mobilizuar aftësitë e tyre profesionale.”

Cyrih: Rritet mungesa nga puna për arsye shëndetësore

Banorët e Cyrihut po mungojnë gjithnjë e më shumë nga puna për arsye shëndetësore, me një rritje të ndjeshme të mungesave gjatë dekadës së fundit. Sipas një studimi të publikuar të martën nga Zyra për Çështje Ekonomike, një punonjës me kohë të plotë në vitin 2023 ka munguar mesatarisht 8 ditë në vit, krahasuar me 6.1 ditë në vitin 2010, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Kjo tendencë në rritje i kushton ekonomisë së kantonit mbi 2 miliardë franga zvicerane, duke shkaktuar shqetësim në qarqet ekonomike dhe politike.

Një nga arsyet kryesore të mungesave afatgjata është përkeqësimi i shëndetit mendor, veçanërisht te të rinjtë. Sëmundjet mendore, si depresioni dhe ankthi, janë përgjegjëse për më shumë se gjysmën e pensioneve të reja të invaliditetit në kantonin e Cyrihut. Këto sëmundje shpesh kërkojnë kohë të gjatë rikuperimi, duke ndikuar ndjeshëm në mungesat në vendin e punës.

Përveç problemeve afatgjata, pandemia e COVID-19 ka ndryshuar edhe sjelljen e punonjësve ndaj mungesave. Sipas raportit, vihet re një rritje e mungesave të shkurtra, që tregon një vetëdije më të lartë për shëndetin, por edhe një prirje për të mos rrezikuar përhapjen e sëmundjeve në vendin e punës, transmeton albinfo.ch.

Volkswagen: Rreth 20,000 punonjës pranojnë largimin si pjesë e një plani ristrukturimi

Prodhuesi gjerman i makinave Volkswagen po vazhdon një proces të gjerë ristrukturimi për të përmirësuar konkurrueshmërinë e tij në treg. Aktualisht, rreth 20.000 punonjës kanë pranuar të largohen nga kompania, në kuadër të një marrëveshjeje sociale të arritur në fund të vitit 2024.

Sipas përfaqësuesit të kompanisë, kjo marrëveshje parashikon që deri në vitin 2030 të largohen gjithsej 35.000 punonjës në Gjermani, pa përdorur masa të detyrueshme si shkarkimet e detyruara apo mbylljet e fabrikave. Ky numër përfaqëson rreth 30 % të fuqisë punëtore të Volkswagen në vend, përcjell albinfo.ch.

Qëllimi kryesor i kësaj strategjie është kursimi i rreth 1.5 miliardë eurove në vit përmes uljes së kostove të pagave dhe reduktimit të stafit në mënyrë graduale. Plani përfshin gjithashtu ngrirjen e pagave në vitet 2025 dhe 2026, duke shtuar një rritje prej 5 % në paga, që do të depozitohet në një fond për modele fleksibël të punës.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është edhe transferimi i prodhimit të modelit Golf nga uzina historike në Wolfsburg drejt Meksikës, një vendim që pasqyron sfidat e industrisë gjermane të automobilave në epokën e automjeteve elektrike dhe konkurrencës globale.

Elon Musk e quan projektligjin buxhetor të Trump një “turp të neveritshëm”

Elon Musk ka kritikuar ashpër një projektligj buxhetor të përkrahur nga ish-presidenti Donald Trump, duke e quajtur atë një “turp të neveritshëm, skandaloz dhe klientelist”. Ligji, i cili përfshin zgjatjen e kredive tatimore të mandatit të parë të Trump, mund ta rrisë deficitin federal me 2 deri në 4 trilionë dollarë në dekadën e ardhshme, sipas analistëve të pavarur, transmeton albinfo.ch.

Musk, i cili deri vonë ishte i angazhuar në administratën Trump si këshilltar për çështjet buxhetore, ka dalë publikisht kundër këtij ligji, duke thënë se ai do të dëmtojë më të varfrit dhe do të përforcojë interesat klienteliste. Në një mesazh të publikuar në rrjetin e tij social, ai u shpreh: “Turp për ata që votuan për këtë.”

Administrata Trump e ka mbrojtur ligjin, duke e cilësuar si një pjesë themelore të programit presidencial. Ndërkohë, Senati amerikan, ku republikanët kanë shumicën, po shqyrton projektligjin dhe disa senatorë kanë paralajmëruar se do të kërkojnë ndryshime.

Kjo përplasje e re mes Musk dhe Trump vjen pas largimit të Elon Musk nga roli i tij në qeveri dhe tregon për thellimin e tensioneve mes dy figurave të fuqishme të politikës dhe biznesit amerikan.

Ekspertë ndërkombëtarë matin radioaktivitetin në Zvicër

Këtë javë, një ekip ndërkombëtar nga Franca, Gjermania, Çekia, Lituania dhe Zvicra po zhvillon një ushtrim të përbashkët për matjen e radioaktivitetit nga ajri mbi Zvicër. Ushtrimi është organizuar nga Zyra Federale për Mbrojtjen Civile (FOCP) dhe synon trajnimin për reagim ndaj incidenteve bërthamore apo industriale.

Matjet aeroradiometrike po kryhen me helikopterë dhe dronë në zona si Thun, Villigen, Frauenfeld dhe mes Liestalit e Murit. Aktiviteti përfshin identifikimin e burimeve të rrezatimit dhe testimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në raste emergjente. Burimet radioaktive të përdorura janë të kontrolluara dhe nuk paraqesin rrezik për popullatën, transmeton albinfo.ch.

Fluturimet do të zgjasin deri të enjten dhe zhvillohen gjatë orarit zyrtar, për të minimizuar shqetësimet.

Ndërkohë, Asambleja Kombëtare ka miratuar një projektligj që detyron operatorët e centraleve bërthamore të mbulojnë kostot e shpërndarjes së tabletave të jodit për qytetarët, duke përforcuar ligjërisht parimin që ndotësi duhet të paguajë.

Yakin flet për raportet me Shaqirin dhe mundësinë e rikthimit

Murat Yakin ka pranuar se nuk ka pasur kontakt me Xherdan Shaqirin, prej se është pensionuar nga Nati.

Në një intervistë për gazetën Blick, Yakin tregoi se, megjithëse nuk mori përgjigje personale, kishte ndjekur reagimin e Shaqirit përmes konferencës për media dhe këtë e ka konsideruar të mjaftueshme, transmeton albinfo.ch.

Shaqiri ndihmoi Baselin të fitojë titullin dhe Kupën.

Megjithatë, trajneri i Nati-t nuk e ka mbyllur përfundimisht derën për rikthimin e Shaqirit: “Dera mbetet e hapur.”

Pavarësisht mungesës së Shaqirit, trajneri mbetet i fokusuar te grupi aktual, ndërsa lë gjithmonë hapësirë për rikthimin e emrave me peshë, nëse vetë lojtarët shfaqin gatishmëri.