Eleganca e Dua Lipës komentohet në sfilatën “Schiaparelli”

Ylli me prejardhje shqiptare Dua Lipa është bërë sërish pjesë e vëmendjes ndërkombëtare, këtë herë në sfilatën ekskluzive të modës të markës së njohur “Schiaparelli” në Paris, përcjell albinfo.ch.

E ulur në rreshtin e parë, një vend që zakonisht u përket emrave më të mëdhenj të botës së artit dhe modës, Lipa u shfaq me një fustan unik që mori vëmendje të menjëhershme.

Kreacioni i saj ishte një fustan i bardhë i punuar me detaje artizanale nga “polymer clay”, një material që përdoret zakonisht për punime artizanale. Daniel Roseberry, drejtori kreativ i markës, ka zbuluar se çdo petalë në veshje është punuar me dorë, duke e kthyer atë në një vepër arti të vërtetë.

Edhe një përpjekje për konstituim të Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot mblidhn për të 44-tën herë, për të konstituar përbërjen parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, përcjell albinfo.ch.

Deri më tani nuk ka arritur të votohet Albulena Haxhiu si kryeparlamentare.

LVV po insiston për votim të fshehtë, por një gjë e tillë nuk po përkrahet nga partitë tjera

Vdekja e të riut në Lipjan, policët e dyshuar përballen sot me drejtësinë

Vdekja e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu mbrëmjen e 7 korrikut në Lipjan ka nxitur reagime të ashpra në opinion, përcjell albinfo.ch.

Zejnullahu ndërroi jetë pas ndërhyrjes nga ana e Policisë së Kosovës për ta arrestuar, pasi që i njëjti po sulmonte veturat dhe kalimtarët.

Si rrjedhojë e këtij rasti, pesë zyrtarë policorë aktualisht ndodhen në ndalim dhe janë suspenduar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, sot në orën 10:30 në Gjykatën Themelore, dega në Lipjan, do të mbahet seanca dëgjimore ndaj policëve të dyshuar për përfshirje në rastin e vdekjes së të riut 27-vjeçar në këtë komunë.

Ndryshe, Policia e Kosovës mbrëmë ka dalë me një njoftim tjetër rreth këtij rasti.

Sipas njoftimit zyrtar, më 7 korrik rreth orës 00:12, Policia kishte pranuar gjashtë telefonata nga qytetarë të ndryshëm që raportuan për një person me sjellje agresive në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.

Sipas tyre, personi në fjalë paraqiste rrezik të përgjithshëm për kalimtarët, pasi po i sulmonte ata, ndiqte automjete dhe tentonte të futej në to.

Policia njoftoi se, për shkak të rezistencës aktive dhe tentimit për sulm ndaj zyrtarëve, ishte përdorur sprej mbrojtës për ta neutralizuar atë.

Sipas PK-së, në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gjësende personale dhe një substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike.

Borxhi i Austrisë arrin në 412.6 miliardë €

Në fillim të vitit 2025, borxhi i Austrisë pati një rritje të dukshme, përcjell albinfo.at.

Në fund të marsit 2025, detyrimet e shtetit austriak arritën në 412.6 miliardë euro. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 18.5 miliardë eurosh krahasuar me fundin e vitit 2024.

Njëkohësisht, raporti i borxhit, që mat borxhin publik në raport me prodhimin ekonomik, u rrit nga 81.8% në fund të vitit 2024 në 84.9%.

Siç shprehet Thomas Burg, Drejtor i Përgjithshëm i Entit Statistikor të Austrisë, kjo shifër e largon edhe më tej Austrinë nga kërkesa e Mastrihtit prej 60%.

Nga Vehbi Haliti

Alarm në aeroportin e Prishtinës, është gjetur një armë e mbështjellë, në tualet

Në Aeroportin e Prishtinës raportohet se është gjetur një armë në rrethana misterioze brenda tualetit të meshkujve në Aeroportin “Adem Jashari”, rreth orës 13:30, duke detyruar Policinë të ndërhyjë menjëherë.

Thuhet se arma ishte e mbështjellë me fasulet letre dhe e vendosur në mënyrë të dyshimtë në një nga qoshet e tualetit. Pasi e ka gjetur, punëtorja e ka raportuar menjëherë rastin, ku më pas në vendngjarje kanë dalë njësitë policore që kanë bërë fotografimin dhe sekuestrimin e armës.

Sipas të dhënave fillestare, arma e gjetur dyshohet të jetë imitim, me mbishkrimin “XIN SHIJI Made in China”

Për momentin, personi i dyshuar nuk është identifikuar, ndërsa njësia e hetimeve është duke analizuar kamerat e sigurisë brenda objektit për të ndriçuar rrethanat dhe përgjegjësinë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”. /Albinfo.ch

Mërgimtarit nga Suedia i vidhen mijera euro, stoli ari dhe dokumente në Kosovë

Erdhi për pushime në Kosovë, mirëpo pas një blerje në një dyçan, ai u përball me një vjedhje të gjësendve në veturen e tij.

U ndal për të blerë ujë, hajni i vien nga mbrapa dhe i grabit çantën mergimtarit nga Malisheva i cili jeton dhe vepron në Suedi, transmeton albinfo.ch.

Video

https://www.tiktok.com/@sinjali.official/video/7524622021783751942

Enesi shënon sukses në Implantologji dhe Rigjenerim Kockor në Universitetin e Romës

Enes Qazimi ka përfunduar me sukses studimet e larta në Implantologji dhe Rigjenerim Kockor në Universitetin e Romës, një nga institucionet më prestigjioze në fushën e stomatologjisë në Evropë, shkruan albinfo.ch.

Pas përfundimit të studimeve, ai ktheu dijen dhe përvojën e fituar pikërisht në vendlindje, duke ofruar trajtime të avancuara dentare në Kosovë, me fokus në implantologji dhe rigjenerim kockor sipas standardeve evropiane.

Enesi ka përfunduar studimet bazë për Stomatologji në Universitetin e Prishtinës, duke u diplomuar si doktor i mjekësisë dentare. Menjëherë pas përfundimit të studimeve, ai udhëtoi drejt Italisë për të vazhduar specializimin në Universitetin e Romës, ku së fundmi ka diplomuar me sukses në programin master për Implantologji dhe Rigjenerim Kockor, një nga drejtimet më të avancuara të stomatologjisë moderne.

Pas mbrojtjes së temës së masterit, Dr. Qazimi u shpreh:

“Sot përmbylla me sukses një kapitull shumë të rëndësishëm në jetën time akademike, mbrojta me sukses temën e masterit tim në drejtimin ‘Implantologji dhe Rigjenerim Kockor’, në Romë, Itali. Faleminderit të gjithë atyre që më kanë përkrahur gjatë këtij udhëtimi. Këtë sukses ua dedikoj prindërve të mi.”

Sulm i pazakontë i bletëve në Francë: 24 persona të lënduar, 3 në gjendje kritike

Një incident i rrallë ndodhi në qytetin Aurillac, në Francën jug-qendrore, ku një tufë bletësh sulmuan kalimtarët, duke lënë të plagosur 24 persona. Sipas autoriteteve lokale, tre prej tyre ndodhen në gjendje kritike.

Ngjarja u regjistrua të dielën në mëngjes dhe zgjati rreth 30 minuta. Kalimtarët në një zonë të populluar të qytetit u sulmuan papritmas, ndërsa ekipet e emergjencës mbërritën me shpejtësi për t’u ofruar ndihmë mjekësore dhe për të izoluar vendin, duke krijuar një perimetër sigurie.

Prefektura e Cantal njoftoi se tre prej të lënduarve u transportuan urgjentisht në spital. Njëri prej tyre, një burrë 78-vjeçar, pësoi arrest kardiak, por u rikthye në jetë falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve dhe më pas gjendja e tij u stabilizua.

Kryetari i bashkisë së Aurillac, Pierre Mathonier, deklaroi për BFM TV se sulmi mund të jetë nxitur nga grerëzat aziatike, të cilat janë një specie invazive e njohur për agresivitetin e tyre, transmeton albinfo.ch.

Sipas tij, grerëzat kishin kërcënuar kosheren e bletëve që gjendej në tarracën e çatisë së një hoteli lokal prej më shumë se dhjetë vitesh, çka i bëri bletët të reagojnë me agresivitet të madh.

“Bletët u ndjenë të rrezikuara dhe u bënë tepër agresive,” shpjegoi Mathonier, duke shtuar se kosherja u hoq dhe u zhvendos jashtë qytetit nga një bletar profesionist.

 

Kaos në aeroportin e Bergamos pasi një burrë humb jetën duke u ‘thithur nga motori i avionit’

Fluturimet drejt dhe nga aeroporti i Milanos-Bergamo u pezulluan të martën, pasi një burrë humbi jetën në një aksident në pistë. Mediat italiane raportuan se ai u thith nga motori i avionit teksa ky po përgatitej për ngritje.

Sipas raportimeve, viktima ishte një burrë italian 35-vjeçar, i cili u fut me vrap përpara avionit ndërsa po ndiqej nga policia në pistë. Burime nga aeroporti i thanë Il Post se ai nuk ishte as pasagjer dhe as punonjës i aeroportit dhe dyshohet se ka qenë një akt vetëvrasjeje.

Il Corriere della Sera shkroi se burri hyri në pistë përmes një dere sigurie në zonën e marrjes së bagazheve, pasi kishte braktisur makinën e tij jashtë terminalit, transmeton albinfo.ch.

Zjarrfikësit, teknikët e aeroportit dhe policia po hetojnë se si ndodhi ngjarja dhe si arriti ai të kalonte sigurinë.

Incidenti ndodhi rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe solli anulimin ose vonesën e dhjetëra fluturimeve. Sipas Flightradar24, gjithsej u anuluan 19 fluturime, prej tyre 12 në nisje dhe 7 në ardhje. Edhe pse trafiku ajror rifilloi zyrtarisht në orën 12:00, shumica e fluturimeve mbetën të vonuara ose të anuluara.

Fluturimet e anuluara përfshinin linjat e Ryanair drejt Pragës, Zadrit, Katowicës, Crotones, Tiranës, Kosit, Maltës, Napolit, Portos dhe Algheros, si dhe një fluturim të Eurowings për në Dusseldorf.

Avioni i përfshirë ishte një Airbus A319 i kompanisë spanjolle Volotea, me destinacion Asturias në Spanjën veriore. Kompania deklaroi se të 154 pasagjerët dhe 6 anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt dhe se po u ofrohet mbështetje psikologjike të gjithë të prekurve, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane.

Aeroporti i Bergamos, i njohur edhe si Orio al Serio, është aeroporti i tretë më i ngarkuar ndërkombëtar në Itali.

 

Paralajmërohet rrezik nga rriqrat që transmetojnë virus edhe përmes qumështit të papastër

Një mënyrë e re e transmetimit të encefalitit të shkaktuar nga rriqrat te njerëzit është identifikuar nga Agjencia Franceze e Sigurisë Ushqimore (ANSES): konsumimi i qumështit të papaster nga kafshët e infektuara më parë.

Të martën, ANSES theksoi rrezikun e shtuar të kësaj sëmundjeje të rrallë, por shpesh serioze.

Deri më tani, mënyra e njohur e transmetimit të encefalitit të shkaktuar nga rriqrat ishte përmes pickimit direkt të njeriut. Ky parazit i vogël depërton në lëkurë me pjesën e specializuar të gojës dhe ngjitet për t’u ushqyer me gjakun e viktimës. Ky proces shpesh është pa dhimbje, pasi pështyma e rriqrave përmban substanca anestezike, transmeton albinfo.ch.

Konsumimi i qumështit të papaster

Tashmë, edhe konsumimi i qumështit të papaster nga kafshët e infektuara duhet marrë parasysh. Ky lloj i ri infektimi është identifikuar nga ANSES, e cila shprehu shqetësim.

Në vitin 2020, një shpërthim i rasteve u identifikua në rajonin Auvergne-Rhône-Alpes, ku disa persona zhvilluan encefalit pasi konsumuan djathëra të përgatitura nga qumësht dhie dhe lope të papaster nga një fermë në zonën Oyonnax.

Sipas agjencisë, qumështi i papaster dhe produktet e qumështit të dhive paraqesin rrezik më të madh transmetimi sesa produktet e qumështit nga kafshë të tjera.

Rritja e përhapjes së virusit

Një tjetër shqetësim është se virusi po zgjeron zonat e tij të qarkullimit, me raste të raportuara edhe jashtë Alsace, rajoni tradicionalisht i prekur, shtoi ANSES.

Përballë këtyre rreziqeve, ANSES dha disa rekomandime:

  • Rritja e monitorimit të qarkullimit të virusit, sidomos te kafshët, për të parandaluar transmetimin te njerëzit në kohë.

  • Pasterizimi i qumështit si masë efektive për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

  • Kufizimi i ekspozimit të dhive duke vendosur gardhe mbrojtëse.

  • Marrja e masave parandaluese për të shmangur pickimet, si veshja me rroba të gjata në zona me rrezik të lartë, si pyjet.

Pasojat e rënda

Edhe pse encefaliti i shkaktuar nga rriqrat prek vetëm rreth 30 persona në vit, pasojat e tij janë shpesh shumë serioze. Sëmundja mund të shkaktojë inflamacion të cipave të trurit dhe vetë trurit.

Midis personave simptomatikë, 20% deri në 40% paraqesin shenja neurologjike të tipit meningjit, të cilat mund të çojnë në pasoja afatgjata dhe humbje të autonomisë, tha Elsa Quillery, një nga autoret e raportit të ekspertizës së ANSES.

Encefaliti dhe sëmundja Lyme

Encefaliti i shkaktuar nga rriqrat është ndryshe nga sëmundja Lyme, e cila shkaktohet nga bakteri Borrelia burgdorferi dhe transmetohet te njerëzit përmes pickimeve të rriqrave. Sëmundja Lyme është shumë më e zakonshme, me dhjetëra mijëra raste në vit vetëm në Francë. Periudha e inkubacionit varion nga tre deri në tridhjetë ditë.

Simptomat e saj përfshijnë skuqje të lëkurës, ethe, lodhje, dhimbje koke dhe, në faza më të avancuara, probleme neurologjike, artikulare ose kardiake, ndonjëherë edhe vite pas infektimit.

Trajtimi i hershëm i sëmundjes Lyme përfshin marrjen e antibiotikëve të përshtatshëm.

Zvicra në pritje të qartësimit për taksat doganore amerikane

Zvicra mbetet ende në pasiguri lidhur me taksat e reja doganore të shpallura nga presidenti amerikan Donald Trump. Të hënën, Trump njoftoi vendosjen e një takse doganore prej së paku 25% ndaj disa vendeve, duke shkaktuar shqetësime edhe në Bernë.

Megjithatë, Këshilli Federal shprehet optimist për një zgjidhje të mundshme. “Jemi shpresëplotë për të arritur një përfundim të mirë apo të paktën një hap të parë drejt zgjidhjes,” deklaroi ministri Albert Rösti të martën, gjatë një takimi me mediat në Moléson (FR).

Donald Trump bën presion mbi kompanitë farmaceutike, konsideron një taksë shtesë prej 200%

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të martën se nuk ka ndërmend të lehtësojë politikën e tij doganore, duke paralajmëruar se planifikon të vendosë taksa të reja, këtë herë mbi produktet farmaceutike të importuara dhe bakrin.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë mbledhjes së kabinetit, kreu i shtetit tha se po konsideron vendosjen e një takse shtesë prej 200% mbi produktet farmaceutike. Ai shtoi se do të presë të paktën një vit për ta zbatuar, për t’i dhënë kohë kompanive të ndërtojnë fabrika në tokën amerikane, transmeton albinfo.ch.

Për bakrin, taksa do të jetë 50%, tha ai, pa dhënë një afat specifik. Sekretari i tij i Tregtisë, Howard Lutnick, më pas i tha CNBC-së se kjo taksë për bakrin mund të vendoset “në fund të korrikut, ndoshta më 1 gusht.”

Çmimet e bakrit rriten ndjeshëm

Kjo perspektivë ka shtyrë investitorët të blejnë metalin me nxitim, duke çuar çmimin e bakrit në një nivel rekord mbi 5.40 dollarë për paund.

Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, miliarderi republikan ka bërë tarifat doganore një shtyllë kryesore të politikës së tij ekonomike: një leverdi negociuese për të marrë koncesione nga jashtë, një mjet për të rilindur industrinë vendase dhe një burim të ri të ardhurash publike.

 

 

Gratë u prekën më shumë se burrat nga pandemia e Covid-19

Një studim i ri nga Universiteti i Aberdeenit tregon se pandemia e Covid-19 ka pasur ndikim më të madh negativ tek gratë sesa tek burrat, si në shëndetin mendor ashtu edhe në zakonet e jetesës.

Studiuesit analizuan të dhëna kombëtare nga viti 2015 deri në mars 2023 dhe zbuluan se:

Gratë raportuan më pak konsum frutash gjatë pandemisë.

Ulja e konsumit të alkoolit ishte më e vogël tek gratë se tek burrat.

Stresi psikologjik u rrit tek të dyja gjinitë, por më shumë tek gratë.

Përpara pandemisë, stili i shëndetshëm i jetesës kishte ndikim më mbrojtës për shëndetin mendor të grave. Gjatë pandemisë, ky efekt u dobësua tek gratë dhe mbeti i qëndrueshëm vetëm për burrat.

Ekspertët theksojnë se këto ndikime negative tek gratë vazhduan deri në maj 2023, të ndikuara edhe nga vështirësitë ekonomike. Ata kërkojnë që këto trende të monitorohen me kujdes për të ofruar mbështetje adekuate në të ardhmen.

 

Islam Dudaev fiton medalje ari në çmimin e madh të Spanjës

Mundësi shqiptar Islam Dudaev ka fituar medaljen e artë në edicionin e 23-të të Çmimit të Madh të Spanjës, mbajtur në Madrid. Ai garoi në peshën deri në 70 kg, duke dominuar të pesë ndeshjet e zhvilluara dhe duke u shpallur kampion.

Në këtë aktivitet morën pjesë mbi 200 sportistë nga 35 vende të botës. Federata Shqiptare e Mundjes deklaroi se Dudaev tregoi forcë, teknikë dhe shpirt luftarak, duke dëshmuar sërish cilësitë e tij si kampion i vërtetë.

 

Tox Info rrezikon mbylljen në mungesë fondesh

Shërbimi kombëtar i informacionit për helmimet në Zvicër, Tox Info, rrezikon të mbyllet për shkak të mungesës së fondeve. Ky shërbim, me numrin falas 145, është i hapur 24 orë në 24 për qytetarët dhe profesionistët e shëndetit kur çdo minutë ka rëndësi, për shembull kur një fëmijë pi aksidentalisht detergjent ose ha një kërpudhë helmuese.

Tox Info ka pasur humbje prej 800.000 frangash zvicerane vetëm në vitin 2024 dhe rezervat financiare janë drejt përfundimit. Donacionet janë ulur ndjeshëm dhe kompanitë e sigurimeve shëndetësore janë tërhequr nga financimi, ndërsa autoritetet publike që aktualisht mbulojnë 65% të buxhetit nuk kanë pranuar ta rrisin ndihmën për shkak të situatës së vështirë ekonomike, transmeton albinfo.ch.

Për të shmangur falimentimin dhe për të siguruar funksionimin deri në vitin 2026, Tox Info kërkon ndihmë emergjente prej pak më shumë se 1 milion franga nga Konfederata. Për këtë arsye është nisur një peticion, i cili vetëm brenda një jave ka mbledhur mbi 80.000 firma dhe do t’i dorëzohet qeverisë gjatë sesionit të vjeshtës.

Pa këtë mbështetje, Zvicra rrezikon të mbetet pa shërbimin e vetëm që jep këshilla të menjëhershme dhe të besueshme në rast helmimi, duke vënë në rrezik jetën e shumë njerëzve çdo ditë.

 

Mungesa e veprimit të Zvicrës rrezikon zhvillimin e antibiotikëve

Zvicra, megjithëse është qendër globale farmaceutike, ka bërë pak për të nxitur zhvillimin e antibiotikëve të rinj. Rezistenca ndaj antibiotikëve po rritet dhe deri në vitin 2050 mund të shkaktojë deri në 10 milionë vdekje në vit, sa kanceri sot.

Problemi qëndron te fakti që antibiotikët janë shumë të kushtueshëm për t’u zhvilluar (deri në 15 vite dhe mbi 1 miliard USD), por pritet të jenë të lirë dhe të përdoren rrallë, duke mos sjellë fitim.

Disa vende si Britania, Japonia dhe Suedia po zbatojnë modele financimi ku kompanive u paguhet abonim vjetor për të garantuar zhvillimin dhe furnizimin, pavarësisht përdorimit, transmeton albinfo.ch.

Në Zvicër, pacientët tashmë po përballen me mungesë antibiotikësh, ndërsa disa ilaçe nuk importohen dot fare për shkak të kostove ose mungesës së licencës. Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk krijohen shpejt stimuj financiarë, kompanitë do të largohen plotësisht nga fusha e antibiotikëve, duke rrezikuar mjekësinë moderne.

 

Pse po rriten çmimet e biletave të fluturimeve nga Gjermania?

Kushdo që planifikon të udhëtojë me avion direkt nga Gjermania këtë verë duhet të përgatitet për bileta më të shtrenjta. Sipas një studimi të fundit nga Qendra Gjermane e Aeronautikës dhe Hapësirës (DLR), tre nga katër linjat ajrore kryesore direkte në Gjermani kanë rritur çmimet këtë vit, transmeton albinfo.ch.

Ryanair: çmimi mesatar i një bilete vetëm me kthim (pa bagazh) është rritur nga 66 € në 80 €.

EasyJet: një rritje më e lehtë, nga 84 € në 86 €.

Eurowings (Lufthansa): tani kushton mesatarisht 130 €, nga 110 € vitin e kaluar, duke e bërë më të shtrenjtën por edhe ofruesin më të madh të fluturimeve direkte.

Wizz Air, ndryshe nga të tjerat, ka ulur çmimet nga 94 € në 67 €, pasi fokusohet më shumë në destinacionet e Europës Lindore.

Pse po rriten çmimet?

Taksat dhe tarifat qeveritare janë shumë të larta në aeroportet gjermane, duke i bërë ato ndër më të shtrenjtat në Europë. Vetëm Amsterdami është më i shtrenjtë se Frankfurti dhe Mynihu.

Për shembull:
Frankfurt: 58.60 € taksa dhe tarifa për pasagjer
Mynih: 49.06 €
Hanover: 42.13 €, më e shtrenjtë se London Heathrow (41.22 €)
Berlin Brandenburg: më e lirë, 22.23 €

Një faktor tjetër është mungesa e fluturimeve. Pesë vite pas pandemisë, trafiku ajror gjerman nuk është rikthyer në nivelet para krizës. Ndërkohë që linjat me kosto të ulët po operojnë në 133% të kapacitetit të para pandemisë në pjesën tjetër të Europës, në Gjermani ato janë vetëm në 85%, për shkak të kostove të larta të aeroporteve.

Çfarë kërkojnë kompanitë ajrore?

Shoqata Gjermane e Aviacionit (BDL) kërkon:

  • heqjen e taksës për trafikun ajror për të tërhequr linjat me kosto të ulët

  • qeveria federale të kontribuojë në kostot e sigurisë ajrore

“Nuk mund të stacionoj më shumë avionë në Gjermani nëse fitojmë më shumë në pjesën tjetër të Europës”, deklaroi shefi i Ryanair, Eddie Wilson. Ai kërkon heqjen e taksave dhe uljen e tarifave, duke thënë se Ryanair mund ta dyfishojë flotën e saj në Gjermani nga 30 në 60 avionë nëse ndodhin këto ndryshime.

Parlamenti Evropian miraton nisjen graduale të sistemit të ri të kontrollit kufitar

Parlamenti Evropian ka miratuar nisjen graduale të sistemit të ri të kontrollit kufitar për shtetasit jo të BE-së, i njohur si Entry/Exit System (EES), i cili do të eliminojë vulosjen manuale të pasaportave.

Ky sistem do të regjistrojë automatikisht datën e hyrjes dhe daljes së vizitorëve, të dhënat biometrike si gjurmët e gishtave dhe imazhin e fytyrës, me synim përmirësimin e sigurisë dhe përshpejtimin e kontrolleve kufitare.

Megjithatë, janë ngritur shqetësime se mund të ketë vonesa për udhëtarët që hyjnë në Europë me tren, traget apo avion, veçanërisht në terminale si ai i Eurostar në Londër.

Ligji u miratua me 572 vota pro dhe 42 kundër dhe parashikon që brenda gjashtë muajve sistemi të vihet plotësisht në funksion në të gjitha pikat kufitare të vendeve anëtare. Data e saktë e hyrjes në fuqi do të përcaktohet nga Komisioni Europian pas publikimit zyrtar.

Shiu i fillimit të javës nuk e kompenson qershorin shumë të thatë në Zvicër

Sasia e reshjeve të fundit nuk ka qenë e mjaftueshme për të kompensuar mungesën e madhe të shiut në Zvicër, raportoi të martën MeteoSwiss. Kjo situatë pritet të vazhdojë, pasi ekspertët nuk parashikojnë reshje të rëndësishme në ditët dhe javët në vijim.

“Çdo pikë shi është e mirëpritur dhe reshjet kanë lehtësuar disi thatësirën, por deficiti i reshjeve vazhdon”, deklaroi MeteoSwiss, Zyra Federale për Meteorologji dhe Klimatologji.

Në fushën zvicerane ranë deri në 40 milimetra shi, ndërsa në Alpet e Glarusit dhe Grisonsit 60 deri në 70 milimetra. Megjithatë, kjo nuk e kompenson qershorin tepër të thatë. Përveç kësaj, moti ka qenë shumë me diell, duke bërë që lagështia në sipërfaqe të avullojë shpejt.

Në blogun e saj, MeteoSwiss shpjegon se rajoni i Jura-s, kantoni i Neuchâtel-it dhe një pjesë e veriut të Vaud patën tepricë reshjesh muajin e kaluar, falë reshjeve të herëpashershme me stuhi gjatë javës së parë të qershorit, transmeton albinfo.ch.

Sipas parashikimeve, aktualisht nuk ka shenja të qarta për më shumë shi në ditët dhe javët që vijnë.

Mbërritja e motit të ftohtë solli gjithashtu borë në lartësi më të mëdha. Mbi 2,500 metra, u regjistruan 5 deri në 15 centimetra borë në shumë zona, ndërsa mbi 3,000 metra, në Zvicrën Qendrore, ranë 30 deri në 50 centimetra borë, shton MeteoSwiss.

Kjo nuk është diçka e pazakontë për këtë periudhë të vitit, por pas një qershori tepër të ngrohtë, rënia e temperaturave ndihet më shumë.

Zvicër: 20% më shumë eksport të armëve

Zvicra ka shënuar një rritje të ndjeshme në eksportin e pajisjeve ushtarake gjatë gjysmës së parë të vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO), eksportet kapën vlerën e 358 milionë frangave zvicerane, që përbën një rritje prej 20.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan Swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Në listën e shteteve blerëse të armatimit zviceran dominojnë Gjermania, me afro 160 milionë CHF, dhe Shtetet e Bashkuara, me mbi 50 milionë CHF. Megjithatë, rritje të mëdha janë regjistruar edhe në shtete me regjime autoritare, si Katari dhe Arabia Saudite, ku eksportet janë rritur përkatësisht me 95.5 për qind dhe 57 për qind. Rritja më e lartë është shënuar në Hungari, ku eksportet janë shtuar me 660 për qind.

Grupi “Për një Zvicër pa Ushtri” (GSoA) ka reaguar ashpër ndaj këtyre zhvillimeve. “Zvicra duhet të promovojë paqen dhe jo të përfitojë nga ky biznes makabër,” thuhet në reagimin e këtij grupi, i cili paralajmëron për rrezikun që pajisjet ushtarake zvicerane të përfundojnë në zona lufte.

Sipas GSoA-së, kjo është hera e tretë brenda dhjetë viteve që eksportet kapin nivele kaq të larta, pas viteve rekorde të 2020 dhe 2022, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, vendimi i Senatit zviceran për të lehtësuar rregullat e eksportit të armëve ka hapur një debat të ri. Me ndryshimet e reja, eksportet në shtetet e NATO-s që janë në konflikt do të lejohen, ndërsa pëlqimi i Zvicrës nuk do të jetë më i nevojshëm në rastet kur shtetet blerëse duan t’i transferojnë pajisjet në vende të treta.

Këto propozime do të shqyrtohen së shpejti nga Dhoma e Përfaqësuesve, por GSoA tashmë ka paralajmëruar se do të nisë një nismë për referendum në rast se ndryshimet kalojnë, transmeton albinfo.ch.

Zjarret në jug të Francës mbyllin Aeroportin e Marsejës

Zjarre të fuqishme kanë përfshirë jugun e Francës, duke detyruar autoritetet të marrin masa urgjente për mbrojtjen e jetës dhe pronës. Aeroporti Marsejë-Provence u mbyll të martën pasdite, pasi flakët nga një zjarr i përhapur me shpejtësi në Pennes-Mirabeau, një qytet fqinj i Marsejës, u afruan rrezikshëm pranë infrastrukturës ajrore. Zjarri, që shkaktoi evakuimin e dy komplekseve banesore, nisi nga një automjet në flakë, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Një azil pleqsh, “L’Oustau Mira Beü”, gjithashtu u vu në rrezik, por autoritetet thanë se ndërtesa është nën mbrojtje të përforcuar nga zjarrfikës të stacionuar aty. Ndërkohë, kushtet në terren janë jashtëzakonisht të pafavorshme, me erëra deri në 75 km/h, temperatura të larta dhe lagështi të ulët që e përshpejtojnë përhapjen e flakëve.

Përballë kësaj situate, 168 zjarrfikës dhe një flotë ajrore me pesë avionë Canadair, dy Dash dhe tre helikopterë janë angazhuar për të frenuar zjarrin që ka djegur të paktën 30 hektarë pyll deri më tani.

Një tjetër vatër e madhe zjarri është regjistruar pranë qytetit Narbonne, ku pesë zjarrfikës janë plagosur lehtë gjatë përballjes me flakët. Sipas autoriteteve të departamentit të Aude, që prej së hënës, më shumë se 1,000 zjarrfikës, përfshirë edhe ekipe nga vende të tjera si Rumania, janë mobilizuar për të luftuar flakët që kanë përfshirë mbi 2,000 hektarë pyll, transmeton albinfo.ch.

Komandanti i shërbimit të zjarrfikësve të Aude paralajmëroi se dita do të jetë “shumë e vështirë” për zjarrfikësit, të cilët janë të rraskapitur nga puna e natës dhe përballen me rrezik të lartë përhapjeje të zjarrit.

Për të lehtësuar situatën në rrugë dhe për të shmangur ndalimet e rrezikshme të automjeteve, autostrada A9, një arterie kyçe që lidh Francën me Spanjën dhe që ishte mbyllur që nga e hëna, u rihap të martën në mëngjes, megjithëse me bllokime të gjata trafiku.

Rreth 150 persona u strehuan në qendrën e ekspozitës së Narbonne, ndërsa të tjerë u vendosën përkohësisht në salla sportive dhe palestra në qytete përreth. Disa banorë kaluan natën në makinat e tyre për shkak të pamundësisë për të lëvizur në autostradë.

Sipas prefektit të Aude, gjashtë shtëpi janë prekur pjesërisht nga flakët, ndërsa pesë civilë, përfshirë një fëmijë, kanë marrë trajtim mjekësor për shkak të ekspozimit ndaj zjarrit dhe tymit.

Masat e izolimit vazhdojnë të jenë në fuqi në zona si Peyriac-de-Mer dhe Prat-de-Cest në komunën Bages, në jug të Narbonne. Autoritetet shpresojnë që deri në fund të ditës të arrijnë të përmbajnë plotësisht flakët, transmeton albinfo.ch.

Zvicra kryeson në Evropë për kujdesin ndaj fëmijëve nga gjyshërit

Zvicra renditet në krye të vendeve evropiane për sa i përket kujdesit për fëmijët të ofruar nga gjyshërit, duke reflektuar një model unik të përfshirjes familjare në jetën e përditshme të më të vegjëlve. Sipas të dhënave të fundit të Zyrës Federale të Statistikave (FSO), rreth një e treta e fëmijëve në Zvicër marrin kujdes të rregullt nga gjyshërit, një normë dukshëm më e lartë krahasuar me vendet e tjera të Evropës, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Në vitin 2023, gjyshërit zviceranë dhanë rreth 157 milionë orë kujdesi për nipërit dhe mbesat e tyre, veçanërisht për ata nën moshën katër vjeç. Kjo mbështetje është bërë një komponent kyç në sistemin e kujdesit për fëmijët në vend, duke plotësuar boshllëqet që lihen nga strukturat zyrtare të kujdesit ditor dhe oraret shkollore të pjesshme.

Ndryshe nga vendet e tjera perëndimore ku kujdesi për fëmijët është më shumë i institucionalizuar, Zvicra mbështetet fort në rrjetin familjar, me një rol të rëndësishëm për të moshuarit në jetën aktive të familjes. Përveç gjyshërve, 10 për qind e fëmijëve kujdesen nga të afërm të tjerë ose fqinjë, ndërsa kujdesi nga dado, au pair apo personel tjetër i jashtëm mbetet relativisht i ulët, vetëm 3 për qind, transmeton albinfo.ch.

Kombinimi i kostove të larta të kujdesit të organizuar dhe orarit të shkurtër shkollor në shumë kantone zvicerane ka bërë që shumë familje të mbështeten te gjyshërit për fleksibilitet dhe siguri.

Kjo përfshirje e lartë e gjyshërve jo vetëm që ndihmon familjet, por edhe forcon lidhjet ndërbreznore, duke u dhënë të moshuarve një rol aktiv dhe të vlefshëm në shoqëri. Në të njëjtën kohë, ekspertët paralajmërojnë për nevojën që ky kujdes të mos jetë i detyrueshëm apo i mbingarkuar për të moshuarit, sidomos ata në moshë të thyer ose me gjendje të cenueshme shëndetësore, transmeton albinfo.ch.