Të huajt në Zvicër paguhen dukshëm më pak se qytetarët zviceranë

Një studim i ri nga Zyra Federale e Statistikave (FSO) ka konfirmuar se diferencat në paga mes qytetarëve zviceranë dhe punëtorëve të huaj mbeten të theksuara në tregun zviceran të punës. Sipas të dhënave të publikuara nga FSO, deri në fund të vitit 2024, punonjësit zviceranë fitonin mesatarisht 88,000 franga në vit, afërsisht 4,600 franga më shumë se shtetasit e huaj, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Hendeku në paga është edhe më i madh mes burrave. Meshkujt zviceranë fitojnë mesatarisht 18 për qind më shumë se kolegët e tyre të huaj. Për më tepër, që nga viti 2022, pagat për zviceranët janë rritur me 5.5 për qind, ndërsa për të huajt vetëm me 4.1 për qind.

Sipas FSO-së, ky ndryshim është i pranishëm në të gjitha kategoritë e lejeve të qëndrimit, gjë që tregon një prirje të përgjithshme dhe jo një rast të izoluar. Megjithatë, në pozicionet e mesme dhe të larta drejtuese, punonjësit e huaj jo vetëm që nuk janë të nënpaguar, por shpesh paguhen më shumë se zviceranët.

Të dhënat tregojnë se mbajtësit e lejes B në këto pozita fitojnë rreth 12,791 franga në muaj, ndjekur nga ata me leje C me 11,495 franga dhe punëtorët ndërkufitarë (leje G) me 10,707 franga. Në krahasim, punonjësit zviceranë në të njëjtat pozita marrin mesatarisht 10,476 franga në muaj.

Sipas FSO-së, këto dallime shpjegohen pjesërisht nga mungesat në tregun e punës dhe kërkesa e lartë për fuqi punëtore të kualifikuar në disa sektorë. Megjithatë, legjislacioni i punës në Zvicër ndalon çdo formë diskriminimi në bazë të kombësisë, gjinisë, fesë apo etnisë, ndërsa Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë të Personave (AFMP) ndalon në mënyrë të qartë trajtimin e pabarabartë të shtetasve të BE-së dhe EFTA-s, transmeton albinfo.ch.

A duhet të shpërblehen jo-duhanpirësit me më shumë ditë pushimi?

Një kompani japoneze ka zgjuar debat në mbarë botën me një politikë të pazakontë: punonjësit që nuk pinë duhan marrin gjashtë ditë pushimi shtesë në vit. Kompania Piala Inc. vendosi këtë masë pasi një punonjës u ankua për pabarazi, sepse kolegët që pinin duhan bënin pushime të shpeshta gjatë orarit të punës, ndërsa të tjerët jo, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Argumenti i kompanisë ishte i thjeshtë. Pushimet për cigare konsumojnë kohë pune, veçanërisht në ndërtesat shumëkatëshe, ku zbritja për të pirë duhan merr rreth 15 minuta çdo herë. Në fund të ditës, kjo përkthehet në orë të tëra pune më pak.

Kjo nismë ngre një pyetje interesante edhe për vende si Zvicra. A duhet të ndodhë diçka e tillë edhe këtu?

Në Zvicër nuk ka rregullore specifike për pushimet e duhanit. Kodi i Punës garanton pushime të caktuara në varësi të orarit të punës, por pushimet për duhan nuk konsiderohen pjesë e kohës së punës dhe, rrjedhimisht, punëdhënësi nuk është i detyruar t’i lejojë. Gjithçka varet nga rregullat e brendshme të kompanive.

Në shumë zyra, punonjësit që pinë duhan dalin disa herë në ditë për një cigare. Ata kalojnë 10 deri në 15 minuta jashtë çdo herë, ndërkohë që kolegët jo-duhanpirës vazhdojnë punën. Me kalimin e javëve dhe muajve, kjo krijon diferenca në ngarkesën e punës dhe në kohën e shpenzuar në detyra, transmeton albinfo.ch.

Disa mendojnë se dhënia e pushimeve shtesë për jo-duhanpirësit është mënyra më e drejtë për të balancuar situatën. Të tjerë argumentojnë se politika të tilla mund të nxisin përçarje dhe ndarje në vendin e punës, duke krijuar ndjenjë padrejtësie tek ata që pinë duhan, veçanërisht nëse janë duke u përpjekur të heqin dorë.

Alternativa mund të jenë rregullat më të qarta për të gjithë. Pushimet për cigare të bëhen vetëm gjatë pushimeve zyrtare ose të përkufizohet qartë sa minuta në ditë janë të lejuara për këtë qëllim.

Kjo është një çështje që shkon përtej duhanit. Ka të bëjë me barazinë, drejtësinë në vendin e punës dhe motivimin e stafit, transmeton albinfo.ch.

OKB: Gati 800 civilë të vrarë në Gaza që nga fundi i majit

Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB (OHCHR) njoftoi të premten se të paktën 798 persona janë vrarë që nga fundi i majit në Rripin e Gazës, teksa përpiqeshin të merrnin ndihma humanitare, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas zëdhënëses së OHCHR-së, Ravina Shamdasani, shumica e këtyre viktimave, 615 persona, u vranë në ose afër qendrave të shpërndarjes së ndihmave të menaxhuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një organizatë e mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli. Ndërkohë, 183 të tjerë humbën jetën përgjatë rrugëve të konvojeve të ndihmës të organizuara nga Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera humanitare.

“Këta janë afro 800 njerëz të vrarë ndërsa përpiqeshin të siguronin ndihmë për të mbijetuar,” tha Shamdasani në një konferencë për shtyp në Gjenevë. “Shumica e plagëve janë shkaktuar nga armë zjarri”, shtoi ajo.

OHCHR thekson se operacionet e GHF-së, të cilat anashkalojnë rrjetin tradicional të OKB-së për shpërndarjen e ndihmave, janë përballur me kaos dhe incidente të shpeshta, përfshirë raportime për të shtëna nga forcat izraelite ndaj civilëve.

Të premten, dhuna vazhdoi në terren. Të paktën 10 persona u vranë dhe rreth 70 të tjerë u plagosën pranë një pike shpërndarjeje ndihmash në Rafah, në jug të Gazës, sipas autoriteteve shëndetësore të drejtuara nga Hamasi, transmeton albinfo.ch.

Tensionet mbeten të larta ndërsa në Katar po zhvillohen bisedime indirekte mes Izraelit dhe Hamasit për një marrëveshje të mundshme armëpushimi. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të enjten se shpreson për një ndalesë 60-ditore të luftimeve “në ditët në vijim”.

Nga ana tjetër, Fondacioni Humanitar i Gazës hodhi poshtë shifrat e OKB-së, duke i cilësuar si “të rreme dhe mashtruese”. Një zëdhënës i organizatës tha se “sulmet më vdekjeprurëse kanë ndodhur gjatë konvojeve të OKB-së” dhe shtoi se, sipas tij, “bashkëpunimi më i madh mes GHF-së dhe organizatave ndërkombëtare do të ndihmonte në uljen e dhunës”.

OHCHR thekson se të dhënat janë bazuar në burime të shumta, përfshirë spitalet në Gaza, varrezat, familjet e viktimave, autoritetet lokale dhe organizatat partnere në terren. Shamdasani u shpreh se është tejet shqetësuese që krime të tilla ndodhin ndaj njerëzve që rreshtohen për ushqime dhe ndihmë themelore.

Ajo shtoi se nuk mjafton të mohohen raportet apo të lëshohen deklarata përgënjeshtruese, por kërkohen hetime të plota për të kuptuar pse civilët po vriten ndërsa përpiqen të mbijetojnë, transmeton albinfo.ch.

Riola Xhemaili: Nga vështirësitë te heroina e Zvicrës

Riola Xhemaili, 22-vjeçarja me prejardhje nga Kosova, ka shkruar një nga faqet më të bukura të futbollit zviceran për femra. Të enjten mbrëma, në minutën e 92-të të ndeshjes kundër Finlandës, ajo shënoi golin që e çoi Zvicrën në çerekfinale të Kampionatit Evropian. Ky ishte momenti që shumë media e kishin parashikuar prej vitesh, por rruga deri aty nuk ka qenë aspak e lehtë, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Që në moshë të vogël, Riola kishte treguar talent të rrallë. Ajo u stërvit me FC Solothurn që në moshën 11-vjeçare dhe shumë shpejt u bë kapitenja e ekipit U15 të djemve në FC Basel. Trajneri i saj i atëhershëm, Giuseppe Morello, kujton se ajo ishte shumë e zgjuar dhe teknike, madje më e mirë se shumë prej bashkëlojtarëve djem.

Në moshën 15-vjeçare, Riola debutoi me ekipin e të rriturave të FC Basel dhe shënoi që në ndeshjen e parë. Por edhe pse ishte shumë e talentuar, ajo ndihej si e huaj. Në një intervistë ka rrëfyer se shkonte në stërvitje dhe pastaj në shtëpi qante. Megjithatë kjo nuk e ndaloi. Vetëm një vit më vonë u bë kapitenja e ekipit të parë të grave në Basel dhe në moshën 17-vjeçare luajti për herë të parë me përfaqësuesen e Zvicrës.

Prindërit e saj kishin emigruar nga Kosova në Zvicër në vitet ’80. Ata i mësuan vajzës së tyre të jetë mirënjohëse, punëtore dhe të mos dorëzohet kurrë. Po ashtu, Riola kishte mbështetjen e vëllait të saj binjak, Rion. Të dy luajtën bashkë për pesë vjet dhe gjithmonë ishin pranë njëri-tjetrit, qoftë në fushë apo jashtë saj, transmeton albinfo.ch.

Në vitin 2021, Riola u transferua në Gjermani, te SC Freiburg. Në fillim gjithçka shkonte mirë, por më pas humbi vendin si titullare. Në sezonin e dytë, ajo luante më pak dhe përjetoi një tronditje të madhe kur nuk u përfshi në listën e Zvicrës për Kupën e Botës 2023. Ajo tha se mendoi se ishte një shaka. Ishte e fundit që u la jashtë listës dhe e ndjeu thellë atë zhgënjim.

Më pas, ajo kaloi te klubi i njohur gjerman, Wolfsburg, por edhe atje nuk gjeti hapësirën e dëshiruar. Dhe krahas vështirësive në fushë, u përball edhe me sulme dhe ofendime në internet. Disa e kritikonin pse nuk luante për Kosovën, të tjerë sepse emri i saj nuk tingëllonte “mjaftueshëm zviceran”.

Në një postim në rrjetet sociale në vitin 2024, Riola u përgjigj me dinjitet: “Rrënjët e mia janë nga Kosova. Kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Por unë luaj për Zvicrën sepse jam mirënjohëse që jam rritur në një vend kaq të madh.”

Po atë vit, ajo u huazua te PSV Eindhoven në Holandë. Aty rifitoi formën dhe vetëbesimin, duke grumbulluar 16 pikë për ekipin. Falë kësaj, në minutat e fundit para fillimit të Euro 2024, trajnerja Pia Sundhage e ftoi në kombëtare me vetëm një fjalë: “Urime.”

Në ndeshjen kundër Finlandës, Riola u bë heroina e Zvicrës. Goli i saj në minutën e 92-të ishte shpërblimi për të gjitha vështirësitë që kishte kaluar, transmeton albinfo.ch.

Adrian Bajrami në prag të transferimit te skuadra zvicerane

Qendërmbrojtësi shqiptar, Adrian Bajrami, është pranë largimit nga skuadra portugeze e Benficës. Mediat sportive raportojnë se 23-vjeçari pritet të huazohet te klubi zviceran Luzern, ku aktivizohet edhe mbrojtësi i Kosovës, Ismajl Beka, raporton albinfo.ch.

Sipas portalit sportiv “Somosfanaticos”, marrëveshja është drejt finalizimit dhe huazimi i Bajramit do të ndihmojë në rritjen e minutave të tij në fushë, pas një sezoni të vështirë me pak hapësira te Benfica.

Në edicionin e kaluar, Bajrami regjistroi vetëm 358 minuta me ekipin e parë të Benficës, ndërsa në elitën e futbollit portugez u paraqit vetëm një herë. Ai ka hasur në konkurrencë të fortë në qendër të mbrojtjes, ku pozitat ishin të rezervuara për yjet Antonio Silva dhe Nicolas Otamendi.

Gjithsesi, ai pati mundësinë të përfaqësojë Benficën në Kupën e Botës për Klube që po mbahet në SHBA, ku u paraqit në dy ndeshje. Ekipi portugez u eliminua në fazën e një të tetës së finales nga Chelsea, që tashmë është finalist i turneut dhe do të përballet me PSG-në të dielën.

Bajrami është produkt i akademisë së Benficës, ku është formuar si futbollist. Ai ka luajtur tri ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë dhe konsiderohet si një talent premtues në repartin difensiv, raporton albinfo.ch.

Forcimi i euros po dëmton kompanitë evropiane

Rritja e fortë e monedhës euro në vitin 2025 po ushtron presion mbi fitimet e korporatave evropiane.

Raportet e tremujorit të dytë priten të tregojnë fitime më të dobëta, pasi një monedhë më e fortë dhe zbutja e kërkesës ndikojnë negativisht shitjet në sektorët kyç.

Sipas një analize të fundit nga Bank of America, një euro më e fortë, së bashku me uljen e shitjeve, mund të ulë fitimet për indeksin STOXX 600, duke shënuar performancën më të dobët në pesë tremujorë, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Kursi euro-dollar është rritur me 9 për qind gjatë tremujorit të fundit, duke arritur në nivelin më të lartë në katër vjet dhe duke shënuar performancën më të fortë tremujore që nga fundi i vitit 2022. Ndërkohë, vlera e euros ndaj monedhave të tjera është rritur me 4.6 për qind gjatë tremujorit të fundit, duke arritur vlerën më të lartë më 1 korrik.

Ndërsa nis sezoni i fitimeve të tremujorit të dytë në Evropë, analistët e Wall Street parashikojnë një rënie prej 3 për qind të fitimit për aksion (EPS) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rënie, e mbështetur nga një tkurrje prej 3 për qind në shitje, reflekton si kërkesën në zbehje, ashtu edhe dinamikat negative të shkëmbimit valutor.

Sektorët e energjisë dhe të mallrave jothelbësore priten të kenë ndikimin më negativ në fitimet e tregut, duke zbehur edhe qëndrueshmërinë e vazhdueshme të sektorit të shëndetësisë. Pas dy tremujorëve me rritje pozitive, fitimet nga sektorët ciklikë parashikohen të kthehen në tkurrje.

“Befasitë pozitive makro në zonën e euros nënkuptojnë fitime të forta mbi pritshmëritë (EPS), por forca e euros është një rrezik”, shtoi ai.

Ndërsa sektorët financiarë kanë mbështetur fitimet në tremujorët e mëparshëm, kontributi i tyre pritet të jetë më i dobët këtë herë. Analistët kanë reduktuar tashmë parashikimet për fitimet evropiane në vitin 2025, duke përmendur rritjen e vlerës së monedhës dhe barrierat tregtare në rritje si rreziqet kryesore.

Që nga fillimi i prillit, pritshmëritë e rritjes së fitimeve për aksion janë ulur me rreth 5 për qind për vitet 2025 dhe 2026.

17 nga 20 sektorët kryesorë kanë pësuar ulje, me automobilat në krye të renditjes.

Bank of America parashikon një rënie prej 4 për qind në fitimet për aksion në vitin 2025 krahasuar me vitin e mëparshëm, ndërsa pengesat në tregtinë globale, efektet e tarifave dhe ngadalësimi i investimeve në SHBA ndikojnë mbi eksportuesit dhe kompanitë multinacionale evropiane.

Theth: Banorët rëndojnë rezistencën, hidhet molotov drejt mjeteve të shtetit

Banorët e Thethit po vazhdojnë të jenë kundër dhe të intensifikojnë rezistencën ndaj vendimit të qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Sot mjetet e shtetit nga disa banorë janë qëlluar me shishe benzine, molotov, madje dhe armë teksa është dashur ndërhyrja e forcave të policisë për të qetësuar situatën.

Policia e Shkodrës ka reaguar pas lajmit se një fadromë e IKMT-së dhe ura në lagjen Gjelaj të thethit janë sulmuar me molotov. Në sqarimin e saj, policia mohon sulmin me molotov ndaj fadromës së IKMT-së, por pranon sulmin e urës, transmeton albinfo.ch.

“Sqarojmë se asnjë mjet fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm material apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kurti: Srebrenica ishte paralajmërim për Kosovën dhe botën

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe zëvendëskryeministren e tretë në detyrë, Emilija Rexhepi, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, të mbajtur në Qendrën Memoriale në Potoçari.

Kurti theksoi se Srebrenica ishte jo vetëm dëshmi e terrorit të regjimit të Millosheviqit, por edhe paralajmërim për projektin gjenocidal të Serbisë në Kosovë. Ai deklaroi përkushtimin e Kosovës për të qenë zë i së vërtetës dhe kujtesës historike, në solidaritet të plotë me viktimat dhe familjet e tyre, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe, vitin e kaluar Qeveria e Kosovës ka shpallur 11 korrikun si ditë përkujtimore për gjenocidin në Srebrenicë, duke i dhënë kësaj date një rëndësi shtetërore dhe institucionale.

Gjuetia me silenciator nuk është më e ndaluar në Zvicër

Që nga ky vit, në Zvicër është bërë e mundur të gjuash me ndihmën e një silenciatori. Në Graubünden, dy muaj para hapjes së sezonit të gjuetisë, ky zhvillim i ri po shkakton mjaft trazira. Aktivistët e të drejtave të kafshëve e denoncojnë pajisjen si ulje të sigurisë së jetës së egër dhe të shëtitësve. Megjithatë, autoritetet e mbrojnë këtë masë.

Ordinanca e re Federale për Gjuetinë dhe Mbrojtjen e Gjitarëve dhe Shpendëve të Egër hyri në fuqi më 1 shkurt, shkruan RTS.

Që nga ajo datë, gjuetarët në vend mund ta praktikojnë pasionin e tyre duke përdorur një silenciator, një pajisje që më parë ishte e ndaluar.

Më e mira për shëndetin e dëgjimit të gjuetarëve dhe qenve

“Është mirë që gjithçka ndodhi shpejt,” thotë gjuetari Guido Andry, i intervistuar nga RSI. “Zakonisht duhet më shumë kohë dhe duhet të kalosh nëpër disa organe për të marrë lejen,” shton gjuetari nga Graubünden. “Nuk e dinim nëse na duhej një rishikim i ligjit apo thjesht një ndryshim në ordinancë. Tani gjërat janë të qarta dhe kjo është një gjë e mirë,” thotë ai me gëzim, përcjell albinfo.ch.

Në Graubünden janë paraqitur rreth 600 aplikime për silenciatorë, nga një total prej 5,500 gjuetarësh aktivë në kanton. Për Adrian Arquint, bashkëdrejtor i Zyrës Kantonale të Gjuetisë dhe Peshkimit, “përfitimi kryesor ka të bëjë me shëndetin e dëgjimit të gjuetarëve dhe qenve të tyre”.

Silenciatori gjithashtu përmirëson saktësinë e të shtënave, vëren Adrian Arquint. Ky pajisje, e cila kushton rreth 1,000 franga, do të jetë në dispozicion për përdorim këtë vjeshtë për gjueti në malësi, gjueti ibeksi dhe gjueti speciale.

Frika për kafshët dhe shëtitësit

Por jo të gjithë e mirëpresin këtë zhvillim, veçanërisht aktivistët e jetës së egër. Roberto A. Babst, president i Shoqatës Zvicerane për Mbrojtjen e Jetës së Egër, ankohet se të shtënat me armë nuk mund të dëgjohen më me silenciatorë. “Kjo i pengon kafshët të ikin. Ato qëndrojnë në vend dhe bëhet e mundur të qëllohen disa individë.”

Për më tepër, “shëtitësit nuk mund të vlerësojnë drejtimin e të shtënave dhe të dinë se ku janë gjuetarët”, vëren gjithashtu Roberto A. Babst. Së fundmi, “rojet e gjahut nuk janë më në gjendje të përcaktojnë se nga erdhi e shtëna”, shton ai. Kjo e ndërlikon detyrën e tyre, “për shembull, kur bëhet fjalë për të kontrolluar nëse e shtëna erdhi nga një zonë e ndaluar apo jo”.

Gjithnjë e më shumë kompani gjermane po deklarojnë falimentimin

Zyra statistikore e Gjermanisë raporton se numri i bizneseve që po falimentojnë është në rritje krahasuar me vitin e kaluar.

Numri i padive për falimentimin e bizneseve të paraqitura në Gjermani është rritur me 2.4 për qind në qershor krahasuar me vitin e kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Statistikore e Gjermanisë (Destatis) të premten.

Numri i padive për falimentim në Gjermani ka qenë në rritje në muajt e fundit.

Në prill të këtij viti, gjykatat gjermane raportuan një total prej 2,125 padive për falimentimin e bizneseve, një rritje prej 11.5 për qind krahasuar me prillin e vitit 2024, transmeton albinfo.ch.

Gjatë kësaj kohe, pati një total prej 6.1 padive për 10,000 biznese në Gjermani.

Sektorët që panë shkallën më të lartë të padive për falimentim ishin transporti dhe magazinimi, i ndjekur nga ndërtimi dhe më pas akomodimi dhe shërbimet ushqimore.

Vlera totale e padive për falimentim të raportuara në prill ishte afërsisht 2.5 miliardë euro.

Një vit më parë, në prill 2024, vlera e kërkesave kishte qenë rreth 11.4 miliardë euro. Rënia e vlerës pavarësisht rritjes së numrit të përgjithshëm të falimentimeve tregon se më shumë kompani të vogla po bëhen falimentuese tani, ndërsa një vit më parë më pak kompani, por më të mëdha në vlerë, kishin kaluar në falimentim, shkruan thelocal.

Rigjallërimi i ekonomisë gjermane dhe ofrimi i mbështetjes për bizneset ishte ndër premtimet kryesore të fushatës së partive konservatore të Unionit (CDU/CSU), të cilat që atëherë kanë marrë drejtimin e qeverisë federale.

Deri më tani, ato kanë çuar përpara disa ulje taksash që synojnë të mbështesin bizneset, duke përfshirë uljen e taksave të energjisë elektrike për industritë prodhuese, bujqësore dhe pyjore.

Por një kthesë më e madhe ekonomike do të jetë shumë më e vështirë për t’u arritur. Për më tepër, është kërcënimi i afërt i tarifave amerikane, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt eksportuesit gjermanë, të mëdhenj dhe të vegjël njësoj.

Falimentimet individuale gjithashtu u rritën në prill të këtij viti, por jo aq dukshëm.

Në prill të këtij viti pati 6,328 falimentime të konsumatorëve, që ishte 0.8 për qind më shumë krahasuar me të njëjtin muaj një vit më parë.

Destatis vëren se të dhënat paraprake përfshijnë vetëm rastet në të cilat është marrë një vendim fillestar nga gjykata e falimentimit. Në shumicën e rasteve kjo do të thotë që numrat e raportuar korrespondojnë me rastet që janë paraqitur deri në tre muaj më parë.

Fuqia punëtore e Austrisë do të tkurret për 24% deri në vitin 2060

Sipas parashikimit më të fundit të OECD-së, popullsia në moshë pune e Austrisë pritet të tkurret me rreth 24 përqind deri në vitin 2060, dhe ajo e Gjermanisë me 23 përqind. Në të 38 vendet e OECD-së, rënia mesatare e parashikuar është vetëm 8 përqind. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) paralajmëron se popullsitë në plakje në dekadat e ardhshme do të sforcojnë ekonomikisht vendet e industrializuara.

“Popullsitë në plakje ka të ngjarë të çojnë në mungesa të mëdha të fuqisë punëtore dhe do të ushtrojnë presion mbi financat publike”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së, Mathias Cormann, të mërkurën. Austria është ndër vendet më të prekura nga tkurrja e fuqisë punëtore.

Tregje të forta pune aktualisht në vendet e OECD-së

OECD i përshkroi kushtet aktuale të tregut të punës në shtetet anëtare si të forta. Vitin e kaluar, shkalla mesatare e punësimit në të gjitha vendet e OECD-së u rrit në 72.1 përqind – “niveli më i lartë që nga të paktën viti 2005”, vuri në dukje Cormann, duke cituar raportin vjetor të Perspektivës së Punësimit, transmeton albinfo.at.

Në shumicën e vendeve të OECD-së, pjesëmarrja në fuqinë punëtore mund të stabilizohet duke krijuar më shumë mundësi pune për të moshuarit dhe duke rritur pjesëmarrjen e grave, thuhet në raport. Megjithatë, produktiviteti duhet të përmirësohet edhe për të kundërshtuar rritjen më të ngadaltë të PBB-së për frymë.

Austria duhet të shfrytëzojë potencialin e pashfrytëzuar të punës

Në mënyrë specifike, Gjermania dhe Austria mund të nxisin rritjen duke “mobilizuar potencialin e papërdorur të punës”, tha OECD, shkruan theinternational. Për shembull, punëtorët e shëndetshëm dhe të moshuar mund të qëndrojnë të punësuar më gjatë, migrimi i rregullt mund të rritet dhe pabarazitë gjinore në punësim të zvogëlohen. Së bashku me rritjet e produktivitetit, këto masa mund të ndihmojnë në zbutjen e efekteve negative të rritjes së ndryshimeve demografike në të dy vendet.

Më shumë makina me sisteme alternative drejtimi në rrugët zvicerane

Në Zvicër, numri i automjeteve me sisteme alternative drejtimi u rrit në gjysmën e parë të vitit 2025. Në të njëjtën kohë, trendi drejt SUV-ve të mëdhenj po vazhdon pavarësisht krizës klimatike.

Numri i reklamave për automjete me sisteme alternative drejtimi në platformën AutoScout24 u rrit përsëri në gjysmën e parë të vitit, sipas një njoftimi për shtyp të lëshuar nga Grupi Zviceran i Tregut të premten. Ky zhvillim ishte tashmë i dukshëm në fillim të vitit, pjesërisht për shkak të objektivave më të rrepta të CO2 në sektorin e shitjes me pakicë, shkruan një analizë nga portali online AutoScout24.

Hibridet plug-in panë rritjen më të fortë në shitjet e makinave të reja (+15.5%), të ndjekura nga hibridet e buta (+12.6%) dhe automjetet plotësisht elektrike (+8.6%). Në rastin e hibrideve të buta, motori elektrik ndihmon automjetin gjatë ndezjes dhe përshpejtimit, përcjell albinfo.ch.

AutoScout24 ka identifikuar zhvillime të ngjashme në tregun e makinave të përdorura, ku hibridet e buta (+19.2%) dhe hibridet plug-in (+14.5%) shënuan rritje të fortë. “Kemi vënë re se pranimi i teknologjive të ngasjes hibride po rritet vazhdimisht në Zvicër”, tha Drejtori Ekzekutiv i AutoScout24, Alberto Sanz de Lama, në njoftimin për shtyp

Makinat SUV mbeten të kërkuara

Megjithatë, kërkesa për SUV të mëdhenj në veçanti mbetet e lartë. Më shumë se 40,000 SUV të rinj dhe 150,000 SUV të përdorur u reklamuan në platformën AutoScout në gjysmën e parë të vitit, sipas njoftimit për shtyp. Kjo korrespondon me një rritje prej 3.4% për automjetet e reja dhe 5.4% për automjetet e përdorura krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Taksa e SUV-ve, e cila është diskutuar shumë herë pas here, dhe debati rreth qëndrueshmërisë nuk duket se e kanë zbehur apelin e kësaj klase automjetesh, shkruajnë ekspertët. Përveç kësaj, minivanët gjithashtu shënuan një rritje të konsiderueshme prej 6.7% për automjetet e reja dhe 7.3% për automjetet e përdorura.

Sipas AutoScout24, Škoda Fabia, VW Golf dhe VW Polo vazhduan të kryesonin renditjen e makinave të reja më të reklamuara. VW Golf, Škoda Octavia dhe VW Tiguan vazhduan të dominonin tregun e makinave të përdorura.

Kosovë: Mbyllen përkohësisht 30 qendra masazhi dhe klube nate

Në Kosovë janë mbyllur përkohësisht 30 qendra masazhi dhe klube nate gjatë një operacioni të gjerë në mbi 100 operatorë ekonomikë në të gjithë vendin.

Sipas njoftimit, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë e Hetimit të Trafikimit me Njerëz, me inspektorët nga Administrata Tatimore e Kosovës, si dhe me inspektorët nga Inspektorati Qendror i Punës, kanë realizuar një aksion të gjerë inspektimi tek operatorët ekonomikë që ushtrojnë veprimtari tregtare, aktivitete të mirëmbajtjes trupore (qendra masazhi) dhe aktivitete të tjera të argëtimit dhe rekreacionit (muzikë nate).

“Aksioni i përbashkët ka rezultuar me inspektimin e 114 subjekteve ekonomike, përkatësisht 67 operatorëve ekonomikë që ushtrojnë veprimtari tregtare , aktivitete të mirëmbajtjes trupore (qendra masazhi), dhe 47 operatorëve ekonomikë që ushtrojnë veprimtari tregtare dhe aktivitete të tjera të argëtimit e rekreacionit (muzikë nate). Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, konform kompetencave të tyre ligjore, kanë bërë mbylljen e përkohshme të 30 operatorëve ekonomikë në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kjo mbyllje është bërë për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit ose aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike. Ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin janë shqiptuar 33 masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim, përcjell albinfo.ch.

Zbulohet një plantacion me kanabis, arrestohen tre shqiptarë

Një plantacion për kultivimin e  kanabisit u zbulua gjatë një kontrolli në një distrikt të komunës Mansfeld në fund të pasdites së 9 korrikut 2025, pasi u ekzekutua një urdhër kontrolli.

Me atë rast zyrtarët policorë sekuestruan afërsisht 550 bimë kanabisi në faza të ndryshme të rritjes dhe 22 kilogramë kanabis të konsumueshëm, transmeton albinfo.ch. U sekuestruan gjithashtu pajisje të ndryshme për rritjen dhe përpunimin e drogës, si dhe telefona celularë dhe para të gatshme.

Tre persona, meshkuj nga Shqipëria, të moshës 27, 29 dhe 42 vjeç, të gjetur në pronë janë arrestuar përkohësisht, shkruan mdr.de.

Zyra e prokurorit publik po kërkon urdhër-paraburgim për tre personat e arrestuar. Ata janë planifikuar të paraqiten para një gjyqtari sot.

Hetimi është duke vazhduar dhe po kryhet nga Departamenti Qendror i Hetimit Penal të PI Halle (Saale) me dyshimin për tregtim të produkteve të kanabisit (sipas Aktit të Kanabisit për Konsumatorin).

Etnofest, një mundësi unike për zhvillimin e turizmit kulturor në Kosovë

Festivali i Arteve dhe Kulturës Tradicionale në Kukaj ka hapur zyrtarisht edicionin e tij të 15-të, duke sjellë një ngjarje të veçantë që promovon trashëgiminë kulturore dhe artin tradicional.

Gjatë aktit të hapjes solemne, themeluesi i këtij festivali, regjisor Fadil Hysaj, përfaqësues të institucioneve kulturore dhe artistike kanë theksuar rëndësinë e këtij eventi në promovimin e kulturës shqiptare dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për vlerat e traditës.

Megjithatë, nuk munguan mbrëmë as zërat e jetës politike që krenohen me këtë pasuri të shtuar në jetën e qytetarëve të Republikës.

Fshati Kukaj, një ekspozitë e gjallë në zemrën e Kosovës

Performancat e grupeve dhe artistëve të njohur, mbrëmë ofruan një atmosferë festive për vizitorët, duke e bërë festivalin një mundësi të shkëlqyer për të gjithë ata që dëshirojnë të eksplorojnë artin dhe kulturën e pasur shqiptare.

Etnofest është një mundësi unike edhe për të rinjtë dhe artistët e rinj për të shfaqur talentin e tyre, si dhe për të ndërlidhur brezat e ndryshëm përmes artit.

Nga një bashkëbisedim me vëllezërit Hysaj që organizojnë këtë aktivitet mësuam se ata synojnë që festivali të vazhdojë zhvillimin e tij edhe në vitet në vijim me qëllim që të tërheqë vëmendjen e një audience të gjerë dhe të kontribuojë në zhvillimin e turizmit kulturor në Kukaj. Ata synojnë që të vënë në jetë edhe projekte të reja të cilët do t’i japin festivalit Etnofest emër të plotë edhe në skenën ndërkombëtare.

Pse duhet të vizitohet Etnofest-i

Një vizitor në Etnofestin e Kukajt mund të përjetojë një gamë emocionuese programesh, të përmbushur me energji pozitive e të përjetojë bashkë me të tjerët momente të veçanta që nuk gjenden gjetiu.

Etnofest përmes një labirinti të krijuar në fshat, duke veshur festivalin përplot kreativitet ofron një atmosferë gëzimi. Vizitorët ndihen përplot entuziazëm për t’u angazhuar në ngjarje dhe aktivitete artistike që sjellin një ndjesi të fortë euforie dhe festimi.

Pjesëmarrja në festivalin e Etnofest-it i jep çdo vizitori edhe një ndjenjë krenarie për kulturën dhe traditat kombëtare. Nëse dëshironi të përjetoni këtë ndjesi e cila është e lidhur ngushtë me historinë dhe identitetin tonë, ndjesi e mrekullueshme që shfaqet duke kaluar nëpër aktivitete që tregojnë pasurinë kulturore, nuk do të zhgënjeheni asnjë moment.

 

Një ndjenjë e fortë harmonie dhe bashkëpunimi është evidente përgjatë festivalit, ku Sheqeria dhe Fadili presin mysafirët, duke u identifikuar me historinë shpirtërore të mirëpritjes dhe bujarisë shqiptare. Kjo ndjenjë harmonie mbretëron gjithandej në festival, ku njerëz nga troje të ndryshme shqiptare por edhe nga kontinente të ndryshme vijnë së bashku për të ndarë jo vetëm ide por edhe për të promovuar e përjetuar magjinë e artit në format e ndryshme të tij.

Bëhuni pjesë e kësaj bashkësie të madhe përgjatë dhjetë ditëve verore dhe kthehuni me një pasuri të denjë shpirtërore.

Pos këngëve dhe valleve tradicionale por edhe muzikës së mirëfilltë shqiptare të ditëve tona edhe ndjesia që ofrojnë grupe të artizanëve që krijojnë produktet e tyre, sjellin ndjenja nostalgjie për traditat e doket tona të gjithë së bashku krijojnë mundësinë për të reflektuar mbi historinë kulturore e shpirtërore.

Në Etnofest, kuriozitetit të vizitorëve u përgjigjen vetë artistët që mund t’i takojmë aty të cilët janë edhe frymëzues për të na mësuar më shumë rreth teknikave të artit dhe zakoneve tradicionale. Kush më mirë se artistët e Etnofest-it gërsheton kulturën e lashtë ilire me kohën e këtij shekulli.

Duke marrë pjesë në Etnofest, ndihmoni në ruajtjen e vlerave kombëtare

Atmosfera festive, performancat artistike dhe ngjyrat e ndryshme të aktiviteteve sjellin një energji pozitive jo vetëm në fshatin piktoresk në Kukaj por edhe vizitorët aty ndihen të përmbushur me energji të reja dhe të frymëzuar.

Aspekt thelbësor i përvojës së këtij festivali pa dyshim konsiderohet lidhja shoqërore e qytetarëve në Etnofest si ndjenjë e fortë me të tjerët, qoftë me artistët, vendasit, apo edhe me vizitorët e tjerë. Në përgjithësi, një vizitor në Etnofest-in e Kukajt do ta gjejë veten pjesë e një ngjarjeje të gjallërishme dhe dinamike që feston kulturën, kultivon historinë dhe traditat e vendit, duke lënë një përshtypje të paharrueshme.

Duke marrë pjesë në Etnofest ju ndihmoni në ruajtjen e vlerave kombëtare. Të mos harrojmë se në Etnofest keni mundësinë të provoni edhe ushqime dhe pije tradicionale, të cilat përfaqësojnë përgatitjen dhe shijet karakteristike të rajonit.

Fshati Kukaj është i njohur për natyrën e tij të bukur dhe peisazhin e mrekullueshëm. Po që se dashuria për natyrën është udhëheqëse edhe e shëndetit tuaj vizitorët e festivalit mund të shijojnë gjithashtu aventurat jashtë, duke eksploruar bukuritë natyrore të rajonit.

Është e vështirë të shprehemi vetëm përmes një shkrimi apo përmes syrit të kamerës se përse duhet të vizitohet Etnofesti në Kukaj që është më shumë se një ngjarje e cila ofron një përvojë të pasur kulturore, sociale dhe artistike, duke e bërë atë një mundësi të shkëlqyer për të ndjerë, eksploruar dhe festuar kulturën shqiptare.

Ky është programi i Etnofestit për sot dhe ditët në vijim:

 

Qytetet zvicerane marrin masa drastike kundër lakuriqësisë në publik

Mosveshja e rrobave në zona të caktuara, si për shembull plazhet, nuk është e paligjshme në Zvicër, por disa komunitete e ndalojnë megjithatë.

Një numër komunash zvicerane kanë qenë prej kohësh tolerante ndaj lakuriqësisë në plazhet publike.

Megjithatë, tani disa po e ndalojnë këtë praktikë në territoret e tyre, sipas raportimeve në mediat lokale.

Për shembull, edhe pse plazhi i saj “Petite Amérique” lejonte larësit lakuriq për vite me radhë, lakuriqësia është ndaluar që nga prilli në Yvonand, në kantonin e Vaud, pasi banorët vendas janë ankuar për “situata të pakëndshme” me natyrë seksuale, transmeton albinfo.ch.

Tani një tabelë në një shteg që të çon në plazh paralajmëron se “Naturizmi është i ndaluar në të gjithë komunën”.

Nudistët që kanë ardhur në këtë vend për një kohë të gjatë janë të mërzitur për rregullin e ri.

“Për mua, është një padrejtësi”, tha një person i identifikuar si Malou, i cili ka qenë i zhveshur në Petite Amérique për një kohë të gjatë.

Për një tjetër klient të rregullt, Phil, plazhi është “një cep i vogël parajse”. Ai i bëri jehonë shpresës së nudistëve të tjerë vendas se autoritetet e Yvonand do të ndryshojnë mendje.

Ky veprim thuhet se është pjesë e një trendi më të gjerë. “Zvicra po e shtrëngon qëndrimin e saj kundër naturistëve”, shkruante në titull Tribune de Genève këtë javë.

Cyrihu gjithashtu po lëviz në këtë drejtim.

Një peticion u nis atje në fillim të korrikut duke kërkuar mbylljen e zonës në lumin Limmat, në ishullin e vogël të Werdinsel, vendi i vetëm zyrtar nudist i qytetit.

Nxitës anonimë pretendojnë se lakuriqësia në këtë plazh publik është “problematike”, veçanërisht pasi këta njerëz shihen qartë nga familjet me fëmijë.

Megjithatë, shumë komentues në faqet e mediave sociale thonë se një ndalim nuk është i nevojshëm.

Kushdo që shqetësohet nga lakuriqësia “nuk duhet t’i afrohet plazhit nudist”, tha një person. “Në vend të kësaj, autoritetet mund të dërgojnë një oficer të rendit publik për ta inspektuar atë më shpesh.”

Një person tjetër vuri në dukje se “unë notova pranë plazhit me fëmijët e mi. Mund t’ju siguroj se as aftësitë e tyre të notit, as vlerat e tyre nuk u dëmtuan përgjithmonë duke parë një person të zhveshur”.

Pse janë vendosur këto kufizime nëse lakuriqësia publike nuk është e paligjshme në Zvicër?

Kjo për shkak se Gjykata Federale, autoriteti më i lartë gjyqësor i vendit, vendosi në vitin 2011 që autoritetet lokale mund të vendosin gjoba ose ndalime në territoret e tyre.

Pra, lakuriqësia publike lejohet në disa vende, por jo në të tjerat.

Prandaj, është më mirë të kontrolloni me autoritetet tuaja lokale se çfarë lejohet dhe çfarë nuk lejohet në zonën tuaj përpara se të shkoni në liqenin e zhveshur.

Instituti i Psikiatrisë Forenzike: Naim Murseli nuk ka çrregullime mendore

Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.

Sipas raportit, Murseli është vlerësuar si plotësisht i përgjegjshëm dhe i llogaritshëm, pa ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore që do të ndikonte në kapacitetin e tij për të kuptuar apo kontrolluar veprimet e tij në momentin e kryerjes së veprës penale.

“I vetëdijshëm, i orientuar në kohë dhe hapësirë, pamja e jashtme i përgjigjet moshës. I qetë në aspektin psikomotor. Bashkëpunues, i përgjigjet thirrjes për bisedë. Kontakti me sy vëhet dhe mbahet. Kontakti verbal vëhet dhe mbahet pa insistim. Rrjedha e të folurit normale, pa ndryshime në të folur. Flet qartë dhe i përshkruan të gjitha ngjarjet në detaje. Nuk mungon spontaniteti. Humorin e përshkruan të ulët, me raport afektiv adekuat. I preokupuar me situatën në të cilën ndodhet. Mekanizma mbrojtës përdor shmangien, projektimin dhe mohimin. Në të menduar aktualisht nuk konstatohen çrregullime për nga forma apo përmbajtja. Nuk konstatohen ndryshime në sferën perceptive. Funksionet kognitive të ruajtura. Fondi i njohurive i përgjigjet nivelit të tij të edukimit. Aktualisht mohon idetë suicidale dhe homicidale. Të gjykuarit të ruajtur, koshient për gjendjen në të cilën ndodhet”, thuhet në raport, transmeton albinfo.ch.

Sipas ekspertëve, analiza e sjelljes së Murselit para, gjatë dhe pas ngjarjes, si dhe vlerësimi i përgjithshëm psikiatrik, tregojnë se ai është në gjendje të përballet me procesin gjyqësor, të kuptojë akuzat dhe të mbrohet në mënyrë të vetëdijshme.

“Mund të marrë pjesë në seancën gjyqësore, është i aftë për të mbrojtur veten, të konsultohet me persona të tjerë duke përfshirë mbrojtësin, kupton akuzën dhe është në gjendje të përballet me gjykimin. Nuk është konstatuar ndonjë prapambetje, ngecje mendore apo abuzim me substanca psikoaktive ose alkool. Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, nuk është identifikuar ndonjë simptomatologji e nivelit patologjik që do të mund të ndikonte në aftësinë e tij mendore për ta kuptuar rëndësinë e veprës si dhe për të kontrolluar veprimet e tij. Kjo është bazuar edhe në sjelljen e tij dhe dinamikën para, gjatë dhe pas veprës për të cilën akuzohet. I njëjti është plotësisht i përgjegjshëm dhe i llogaritshëm”, thuhet më tej në raport.

Piceritë franceze në kufirin Zvicër-Francë ishin një fasadë mafioze

Dy piceri pranë kufirit franko-zviceran kishin një sekret. Dyshohet se ndihmuan në pastrimin e miliona frangave për krimin e organizuar.

Më parë këtë vit, pesë anëtarë të një familjeje u arrestuan në Saint-Julien-en-Genevois dhe Haute-Savoie, të dyshuar se punonin për mafian.

Një restorant i tretë u mbyll gjithashtu, transmeton albinfo.ch.

Hetuesit francezë, zviceranë, italianë dhe gjermanë, së bashku me Interpolin, kaluan tre vjet në këtë çështje.

Autoritetet thonë se të dyshuarit përdorën paga të rreme për mbi 300 punonjës për të qarkulluar fonde të paligjshme dhe shitje të fryra picash për të maskuar pastrimin e parave.

Të akuzuarit mohojnë të gjitha akuzat, por besohet se janë të lidhur me dy figura të larta të mafias.

 

Osmani nga Uashingtoni: Kosova është e bekuar me mbështetjen e Kongresit Amerikan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Washington D.C., është takuar me Senatorin amerikan Andy Kim, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi të shefes së shtetit në Facebook, theksohet rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në.

“Kosova është e bekuar me mbështetjen e fuqishme dhe të palëkundur të Kongresit Amerikan”, ka shkruar Osmani, duke nënvizuar se në takim u diskutua forcimi i partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së në fusha si siguria, zhvillimi ekonomik dhe inovacioni.

Zvicra investon në shërbimin hekurudhor ndërkombëtar

Qeveria do të ndihmojë në financimin e zhvillimit të lidhjeve ndërkombëtare hekurudhore, njoftoi Zyra Federale e Transportit (FOT) në një njoftim për shtyp të enjten, përcjell albinfo.ch.

Shumica e financimit, 10 milionë franga në vit, është caktuar për trenin e ri të natës Bazel-Kopenhagen-Malmö.

FOT po kontribuon gjithashtu me 5 milionë franga për trenin Giruno të SBB-së për udhëtime direkte nga Zvicra në Venecia dhe Gjenova.

Përveç kësaj, qeveria po i siguron SBB-së 1.9 milionë franga për të ruajtur cilësinë aktuale të shërbimit në itinerarin EuroCity Zurich-Innsbruck-Graz, domethënë për të vazhduar shërbimet e ngrënies për këtë udhëtim pothuajse 10-orësh pasi vagonët aktualë të restorantit të jenë nxjerrë nga përdorimi.

Zvicër: Shumica e punëtorëve duan që kompanitë të publikojnë pagat

Gjithmonë është parë si tabu në Zvicër, por një sondazh tregon se njerëzit duan që kjo të ndryshojë, veçanërisht gratë.

Të dish sa fitojmë të gjithë.

Një studim nga gazeta Blick tregon qartë se punëtorët duan më shumë transparencë në paga.

Kjo është veçanërisht e vërtetë për ata me paga më të ulëta. Më shumë se gjysma e punëtorëve do të donin që kompanitë e tyre të publikojnë pagat. Ata që fitojnë mbi 10 mijë CHF në muaj janë më pak të prirur, transmeton albinfo.ch.

Shumë mendojnë se nuk po paguhen aq sa meritojnë. 43 për qind e grave kanë këtë mendim krahasuar me 28 për qind të burrave. Hendeku midis atyre që fitojnë më shumë dhe atyre që fitojnë më pak po zgjerohet. Të ardhurat e larta janë rritur me 40 për qind gjatë 20 viteve të fundit, ndërsa pagat e ulëta janë rritur vetëm me 12 për qind.

Shifrat qeveritare tregojnë se rreth 65 për qind e atyre që fitojnë më pak se 4 mijë CHF në muaj janë gra.

Shumë mendojnë se më shumë transparencë në paga do të ndihmonte në uljen e pabarazisë.

Gjermania e gatshme të paguajë për sistemet amerikane Patriot për Ukrainën

Gjermania synon të blejë sisteme të mbrojtjes ajrore, Patriot, të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, për t’ia dërguar Ukrainës, tha të enjten kancelari gjerman, Friedrich Merz, përcjell albinfo.ch.

Ukraina po kërkon me ngulm dhe nguti mbrojtje më të fortë ajrore përballë sulmeve të shpeshta dhe të shtuara nga Rusia me raketa dhe dronë.

“Bisedova për këtë me presidentin [Donald] Trump të enjten e kaluar dhe gjithashtu i kërkova atij ta furnizojë [Ukrainën] me këto sisteme”, tha Merz gjatë një konference në Romë për rindërtimin e Ukrainës.

Ministrat e mbrojtjes të të dyja vendeve po bisedojnë për një marrëveshje të mundshme, por ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar, tha Merz.

Ai theksoi se SHBA-ja ka nevojë për disa nga sistemet Patriot për mbrojtjen e vet ajrore, pa treguar se sa sisteme Patriot saktësisht synon t’i blejë Berlini.

Megjithatë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tregoi më vonë se Gjermania është pajtuar të paguajë për dy sisteme Patriot.

“Gjermania është e gatshme të paguajë për dy prej tyre, tashmë ka një marrëveshje”, tha Zelensky në Romë.

Sipas tij, edhe Norvegjia është zotuar të blejë një tjetër sistem Patriot dhe ta dërgojë në Ukrainë.

Këtë javë, Trump, duke shprehur pakënaqësinë e tij me mungesën e vullnetit nga presidenti rus, Vladimir Putin, për t’u përfshirë seriozisht në bisedime për paqe, tha se kishte miratuar një furnizim me armë mbrojtëse për Ukrainën.

Ai shtoi më pas se kërkesa e Ukrainës për sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot do të shqyrtohet.

Gjermania, e cila gjithashtu përdor sistemet Patriot, ka furnizuar Ukrainën me disa sisteme të mbrojtjes ajrore, por Patriotët konsiderohen si më modernët dhe më efektivët.

Patrioti është i aftë të shkatërrojë avionë, raketa balistike dhe raketa lundruese në një largësi rreth 100 kilometrash dhe në një lartësi deri në 30 kilometra.

Më herët, Merz premtoi mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën gjatë takimit dyditor në Romë, i cili kishte për qëllim diskutimin e mënyrave për të financuar rindërtimin ndërkohë që sulmet ruse vazhdojnë.

“Mbështetja jonë për vendin tuaj është e palëkundur”, i tha Merz Zelenskyt, i cili gjithashtu mori pjesë në mbledhjen e aleatëve të Kievit në kryeqytetin italian.

Duke iu drejtuar Putinit, udhëheqësi gjerman deklaroi: “Nuk do të dorëzohemi”.