Sot momenti kyç në Hagë: Merret vendimi për mocionin e mbrojtjes ndaj Thaçit e të tjerëve

Mësohet se sot pritet një ndër vendimet e rëndësishme në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përcjell albinfo.ch.

Trupi gjykues në çështjen “Thaçi dhe të tjerët” ka caktuar datën 16 korrik (sot) për ta bërë publik vendimin e tyre në lidhje me mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtëse për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykata do të vendosë nëse do t’i rrëzojë disa nga pikat e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky hap mund të ndikojë drejtpërdrejt në ecurinë e mëtejme të gjykimit. Avokatë dhe përfaqësues të organizatave të drejtësisë sqarojnë rëndësinë e kësaj faze dhe ecurinë e rasteve të tjera në Dhomat e Specializuara.

Procesi gjyqësor ndaj katërshes Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare dhe cilido qoftë vendimi për rrëzimin ose jo të akuzave, pritet të ndikojë dukshëm në vazhdimin e çështjes. Të mërkurën, gjykata do të vendosë për mocionin e mbrojtjes që kërkon rrëzimin e disa pikave të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Seanca për vendimin më të rëndësishëm pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe dëshmitarëve nga Prokuroria do të fillojë nga ora 9 e mëngjesit dhe pritet që gjatë ditës të vazhdohet tutje me procesin, përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve ekspertë të Zyrës së Mbrojtësit të Viktimave.

Gjyqtarët kanë urdhëruar MV-në t’i bëjë gati ekspertët pavarësisht vendimit për mocionin, ngaqë sipas Charles Smith, natyra e këtij mocioni kundërshtues është e limituar, andaj gjykimi do të kalojë në fazën tjetër.

Mbrojtja e kishte dorëzuar këtë mocion më 12 qershor, ndërkaq kundërpërgjigjja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka shkuar në adresë të Gjykatës më 7 korrik.

Avokati Taulant Hodaj shpjegon procedurat që ndjek Gjykata Speciale në këtë fazë.

“Ky është një filtër që, nëse eventualisht aktakuza është e dobët në bazë të provave që i ka ofruar vetë Prokuroria dhe dëshmitarët e saj dëshmojnë të kundërtën e asaj që pretendohet në aktakuzë, atëherë gjykata mund të ndërhyjë. Është një stad i ndërmjetëm. Nesër trupi gjykues mund të rrëzojë disa pika të aktakuzës, mund të mos rrëzojë asnjë ose mund të vendosë të vazhdojë me të gjitha. Nga njoftimi zyrtar, nesër do të jepet një vendim, ndërsa është kërkuar nga përfaqësuesi i viktimave që të paraqesë fjalën e tij, që në njëfarë mënyre nënkupton se jo të gjitha pikat e aktakuzës do të rrëzohen, apo asnjë prej tyre”, ka thënë ai.

Sipas avokatit Hodaj, rrëzimi i disa pikave të aktakuzës mund ta lehtësojë vendimmarrjen përfundimtare që pritet në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, Gjykata Speciale tashmë ka dhënë një vendim të formës së prerë në rastin e Salih Mustafës, një vendim që konfirmon aktgjykimin e Apelit me dënim prej 15 vjetësh burgim. Sa i përket rastit të Pjetër Shalës, përfaqësuesja e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Blendina Veliqi, shpjegon procedurat e mëtejshme:

“Qoftë mbrojtja, qoftë Prokuroria mund të bëjnë ankesë për mbrojtje të ligjshmërisë. Aty nuk bëhet vlerësimi i provave, por mund të paraqiten pretendime për shkelje të ndonjë ligji. Në atë rast, procedurat vazhdojnë në Gjykatën Supreme, e cila mund ta ndryshojë vendimin, mund ta kthejë në rishqyrtim, ose mund të konstatojë se ka pasur shkelje që nuk ndikojnë në ndryshimin e vendimit të Apelit”, ka thënë Veliqi.

Gjykata e Apelit e Gjykatës Speciale ia ka ulur dënimin Pjetër Shalës, i njohur si “Ujku”, nga 18 në 13 vjet burg.

Sot i jepet lamtumira e fundit mërgimtarës që humbi jetën në një aksident në Gjermani

Yllka Hoti, e cila vdiq pas një aksidenti në Gjermani, do të varroset sot në fshatin Hoçë e Vogël të Rahovecit, transmeton albinfo.ch.

Në një aksident të rëndë në Gjermani, në afërsi të Reutlingenit, ajo ka ndërruar jetë, siç njofton policia, në një vetaksident në autostradën B28.

Vdekjen e saj e ka konfirmuar familja, e cila ka njoftuar edhe për ceremoninë e varrimit, e cila do të mbahet sot.

Yllka, gjatë udhëtimit, ka humbur kontrollin ndaj veturës dhe ka dalë nga rruga. Aksidenti i rëndë ka ndodhur javën e kaluar, por Yllka ka ndërruar jetë të shtunën.

Për këtë aksident me pasoja të rënda kanë raportuar edhe autoritetet policore gjermane, si dhe mediat gjermane, të cilat shkruajnë se autostrada B28, nga Metzingen drejt Reutlingenit, ishte e mbyllur për një kohë. Ndërhyrja është bërë edhe me helikopter, por, për fat të keq, pasojat ishin tepër të rënda.

Policia po heton të gjitha detajet, ndërsa ne i shprehim ngushëllime familjes Hoti dhe miqve të tyre.

Kaltrina Kusari mbyll postdoktoraturën në Universitetin e Calgary-t

Prorektorja dhe njëherësh profesorja asistente në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ), Prof. Ass. Dr. Kaltrina Kusari, ka përfunduar me sukses postdoktoraturën e saj në Universitetin e Calgaryt, në Kanada, gjatë muajit qershor 2025, transmeton albinfo.ch.

Gjatë kësaj përvoje akademike ndërkombëtare, Dr. Kusari u bë pjesë e projektit hulumtues Aging in the Right Place (AIRP), një partneritet shumëqytetësh që shqyrton përvojat e të moshuarve të prekur nga pasiguria në banim dhe rreziku i pastrehësisë në qytete të ndryshme të Kanadasë. Në veçanti, ajo kontribuoi në analizimin e të dhënave që lidhen me migrantët e moshuar, duke ofruar perspektiva të reja mbi mënyrën se si statusi i migrimit ndikon në procesin e plakjes dhe sfidat e strehimit.

Në përmbyllje të programit, Prof. Kusari prezantoi gjetjet kryesore të studimit në konferencën ndërkombëtare “Our Future is Aging”, e cila u mbajt në Halifax, Nova Scotia. Prezantimi i saj u mirëprit nga pjesëmarrësit dhe nxiti diskutime të thella mbi rëndësinë e qasjeve gjithëpërfshirëse në politikat e strehimit dhe përkrahjes së të moshuarve në shoqëritë moderne.

Përvoja dhe ekspertiza e fituar gjatë kësaj postdoktorature pritet të pasurojnë edhe më tej punën e saj akademike në Kosovë, duke i dhënë një shtysë të re kërkimeve në fushat e plakjes, migrimit dhe drejtësisë sociale. /albinfo.ch

Maqedoni: Tre muaj burg për vrasjen e një qeni

Gjykata Penale Themelore në Shkup ka shpallur fajtorë Ljube Krstevskin dhe Branko Bilbilovskin për vrasjen e qenit Feliks, i cili ndërroi jetë më 7 janar 2025 si pasojë e plagëve të shkaktuara.

Krstevski u dënua me tre muaj burg, ndërsa Bilbilovski mori një gjobë prej 1,000 eurosh, e cila u vendos në formë të njëqind gjobave ditore me vlerë 10 euro secila, transmeton alsat pêrcjell albinfo.ch.

Sipas aktakuzës, më 19 nëntor 2024, Krstevski goditi qenin Feliks në kokë me një mjet të fortë, pa ndonjë arsye të justifikueshme, duke i shkaktuar lëndime serioze. Së bashku me Bilbilovskin, ata e lidhën qenin me tel dhe e tërhoqën zvarrë, duke menduar se ishte i vdekur.

Ngjarja u trajtua sipas nenit 233, paragrafi 1 të Kodit Penal, që ndalon vrasjen ose keqtrajtimin e kafshëve pa shkak dhe parashikon dënime deri në tre vjet burgim.

Ky është vendim historik për drejtësinë në Maqedoninë e Veriut, pasi është hera e parë që jepet dënim me burg për një rast të tillë.

Ja sa kushton tani kompania e Mira Muratit 

Mira Murati, ish-CTO e OpenAI, ka ngritur një start-up të ri në fushën e inteligjencës artificiale, Thinking Machines Lab, i cili mbylli së fundmi një raund të madh financimi “pre-seed”.

Kompania arriti të tërheqë dy miliardë dollarë investime, duke e vlerësuar atë në 12 miliardë dollarë pas investimit, shkruan techcrunch.

Këto fonde erdhën nga investitorë të rëndësishëm, përfshirë gjigantë në fushën e mikroçipave si Nvidia dhe AMD, si dhe kompani si Andreessen Horowitz, Accel dhe Jane Street, ky i fundit i njohur për vendosjet e tij në fintech dhe inteligjencë artificiale.

Murati po planifikon që brenda disa muajve të prezantojë produktin e parë, i cili do të përfshijë një komponent open source për të mbështetur kërkimin akademik dhe zhvilluesit që kërkojnë të krijojnë modele të përshtatura.

Qendra e kompanisë është në San Francisco dhe ajo fokusohet në zhvillimin e AI shumë-modal që ndërvepron me njerëzit në një mënyrë natyrale, përmes bisedës, pamjes dhe bashkëpunimit të përbashkët.

Murati, 36 vjeçe, ka ndërtuar një ekip të fuqishëm duke përfshirë ish-punonjës nga OpenAI, Google, Meta dhe Mistral.

Gjatë karrierës së saj në OpenAI, ajo kontribuoi në zhvillimin e produkteve si ChatGPT, DALL‑E dhe modaliteti i zërit. Ajo gjithashtu shërbeu përkohësisht si CEO gjatë trazirave të brendshme në fund të vitit 2023.

Bernë: Dënohet për mashtrim polici i rremë

Një polici i rremë ka mashtruar dy persona në kantonin e Bernës me një shumë prej 60,000 frangash zvicerane. Tani ai është dënuar.

Një polici i rremë është dënuar në kantonin e Bernës për mashtrim komercial dhe larje parash në formë të rënduar. Ai ka marrë 15 muaj burg dhe dëbim nga Zvicra për shtatë vjet. Vendimi është përfundimtar, njofton prokuroria publike e kantonit Bern.

53-vjeçari nga Polonia u ndalua fillimisht në autostradën në Bayreuth, Gjermani, më 25 tetor, në shoqërim me një person tjetër, transmeton albinfo.ch.

Gjatë kontrollit, autoritetet bavareze gjetën një plaçkë – bizhuteri ari dhe para cash me vlerë 60,000 franga zvicerane. Ndërsa e liruan personin, paratë dhe bizhuteritë u sekuestruan nga policia. Këto të vlefshme u lidhën më pas me dy raste mashtrimi telefonik në kantonin e Bernës.

Një fund i lumtur për viktimat

53-vjeçari u arrestua më 13 gusht 2024 në Republikën Çeke dhe u ekstradua në Zvicër më 11 mars. Bashkëpunëtori i tij i dyshuar ende nuk është kapur.

Policia arriti t’u kthente sendet e vjedhura dy viktimave, dy grave të moshuara.

Në deklaratën e saj, prokuroria paralajmëron qartë për mashtruesit telefonikë dhe jep këshilla për mbrojtje:

  • Kini dyshim nëse të huajt kërkojnë të tërhiqni para, të paguani, dorëzoni ose depozitoni para, kartela bankare apo sende me vlerë.

  • Mbyllni menjëherë thirrjen e dyshimtë dhe raportoni te policia.

  • Mos jepni kurrë informacion personal, fjalëkalime apo të dhëna financiare për askënd.

  • Policia nuk kërkon asnjëherë kartela bankare apo PIN.

  • Bisedoni me të moshuarit për rreziqet dhe përhapni paralajmërimin.

Projekti i SBB-së zemëron gjermanët: Edhe ne këtu kemi të drejta!

SBB planifikon të rrisë frekuencën e trenave ndërmjet Cyrihut dhe Schaffhausen-it në çdo 30 minuta, duke zgjeruar linjën hekurudhore në Lottstetten (Gjermani) me 3.8 kilometra binar të dyfishtë. Projekti përfshin rindërtimin e stacionit, ndërtimin e një kalimi të nëndheshëm dhe modifikime të urave dhe viadukteve. Ndërtimi pritet të nisë në vitin 2027 dhe të kushtojë rreth 180 milionë franga zvicerane.

Banorët e Lottstetten-it kundërshtojnë projektin, duke u shqetësuar për zhurmën, kufizimet dhe barrierat e zhurmës që do të ndikojnë drejtpërdrejt në shtëpitë e tyre. Një peticion me gati 700 firma denoncon pabarazitë krahasuar me Zvicrën dhe rrezikun e shpronësimeve, transmeton albinfo.ch.

Kryetari i komunës mbështet zgjerimin, por kritikon vendndodhjen dhe propozon alternativa jashtë komunës, të cilat SBB i ka refuzuar për arsye teknike dhe logjistike. Projekti është në ekspozim publik deri më 18 gusht 2025 dhe komuna do të organizojë një takim informues më 30 korrik.

 

21-vjeçarja nga Kosova humbi jetën në aksident në Gjermani

Një 21-vjeçare me prejardhje nga Kosova ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda që mori në një aksident të rëndë trafiku në Gjermani. Siç ka bërë të ditur policia e Reutlingen mëngjesin e së hënës, vajza u aksidentua të enjten, më 10 korrik, në autostradën B28 mes Metzingen dhe Reutlingen. Automjeti i saj doli nga rruga, u përmbys disa herë dhe ajo mbeti e plagosur rëndë.

Aksidenti, siç raportojnë mediat gjermane ndodhi pranë strehës së kafshëve. Pas aksidentit, rruga B28 u mbyll plotësisht në drejtim të Reutlingenit. Në vendngjarje ishte thirrur edhe helikopteri i shpëtimit, transmeton albinfo.ch.

Asnjë mjet tjetër nuk ishte i përfshirë në aksident. Sipas policisë, makina doli nga rruga pa u përplasur me ndonjë automjet tjetër. Hetimet e njësisë së qarkullimit rrugor vazhdojnë.

Sëmundjet që shkaktojnë vdekje të parakohshme në Evropë sipas OBSH-së

Sëmundjet jotransmetuese janë shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme në botë, sipas një raporti të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Në rajonin europian, ku bën pjesë edhe Shqipëria, rreth 20 për qind e burrave dhe 10 për qind e grave vdesin para moshës 70 vjeç për shkak të sëmundjeve si ato kardiovaskulare, kanceri, diabeti dhe sëmundjet kronike të frymëmarrjes.

Ekspertët thonë se çdo vit regjistrohen afërsisht 1.8 milionë vdekje nga këto sëmundje, shumica e të cilave janë të parandalueshme, transmeton albinfo.ch.

Rreth 60 për qind e rasteve lidhen me faktorë rreziku si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit, presioni i lartë i gjakut, ushqimi i pashëndetshëm dhe mungesa e aktivitetit fizik.

Ndërkaq, 40 për qind e vdekjeve shkaktohen nga sëmundje që mund të trajtohen nëse zbulohen herët dhe nëse ka akses në shërbime shëndetësore cilësore.

Raporti gjithashtu nënvizon ndikimin negativ të pandemisë COVID-19 në arritjen e qëllimit global për uljen e vdekjeve me 25 për qind deri në vitin 2030.

Vetëm 10 vende europiane, përfshirë Danimarkën, Izraelin dhe Suedinë, e kanë arritur këtë objektiv, ndërsa 26 vende të tjera, përfshirë Shqipërinë, duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha.

 

Trump tregon se si e “ndaloi konfliktin” mes Serbisë dhe Kosovës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rikthyer deklaratën se gjatë kohës që ka qenë në detyrë, ka ndaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke përmendur edhe rolin e tij në parandalimin e një krize në rajon.

“Çështja mes Serbisë dhe Kosovës ishte një problem që do të ndodhte, por unë ndërhyra për ta zgjidhur. Kam përdorur tregtinë si një mjet shumë efektiv për të parandaluar luftërat. Ky ishte një ndër sukseset e mia më të rëndësishme,” tha Trump, duke listuar vendet ku sipas tij ka ndihmuar në shmangien e konflikteve të armatosura, transmeton euronews përcjell albinfo.ch.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e konfirmoi këtë, duke thënë se Trump ka ndikuar në parandalimin e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës së sigurisë në Kosovë.

OBSH-ja ‘jashtëzakonisht e shqetësuar’ për rritjen e skepticizmit ndaj vaksinimit

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), skepticizmi ndaj vaksinave dhe ulja drastike e financimit për fushatat e vaksinimit paraqesin një kërcënim të madh për shëndetin e popullsisë globale.

Kate O’Brien, drejtoreshë e Departamentit të Vaksinimit në OBSH, shprehet: “Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për informacionet e pasakta dhe keqinformimet rreth imunizimit.” Ajo shton se ulja e ndihmës financiare është “shumë problematike”, gjatë prezantimit të raportit vjetor për normat e vaksinimit në botë nga OBSH dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Sipas raportit, pengesa kryesore për mbrojtjen e plotë të fëmijëve është konflikti dhe vështirësitë për të arritur fëmijët në rajone shumë të largëta. Vitin e kaluar, 14.3 milionë fëmijë nuk morën asnjë dozë vaksine gjatë vitit të parë të jetës, një shifër shumë e ngjashme me vitin paraardhës.

Mungesa e fondeve për të mbështetur vendet e varfra me fushata vaksinimi vazhdon të jetë shqetësuese. Uljet e ndihmës për zhvillim, sidomos nga SHBA dhe vende të tjera këtë vit, pritet të kenë pasoja shkatërruese, paralajmërojnë OBSH dhe UNICEF.

Fëmijët në rrezik

Ekspertët nuk komentojnë drejtpërdrejt qëndrimin e sekretarit amerikan të Shëndetësisë, Robert Kennedy, i cili njihet si skeptik ndaj vaksinave, por theksojnë rolin e rëndësishëm të politikanëve dhe figurave fetare apo të tjera udhëheqëse në forcimin e besimit ndaj vaksinave të testuara dhe të monitoruara për dekada. “Në më pak se 50 vjet, vaksinat kanë shpëtuar 150 milionë jetë,” thotë Ephrem Lemango nga UNICEF, duke i bërë thirrje ministrave që të nënvizojnë se sëmundjet vdekjeprurëse si fruthi mund të parandalohen përmes vaksinimit.

Rritje e shpërthimeve të fruthit

Megjithëse mbulimi global me dozën e dytë të vaksinës kundër fruthit është rritur pak, duke arritur 76 për qind, 30 milionë fëmijë në botë mbeten të pambrojtur nga kjo sëmundje e rrezikshme. OBSH thotë se norma e vaksinimit duhet të jetë të paktën 95 për qind në çdo rajon për të parandaluar shpërthimet. Në vitin 2024, 60 vende përjetuan shpërthime të rënda të fruthit, më shumë se dyfishin e vitit 2022. Në disa vende, këto shpërthime lidhen me skepticizmin e gjerë ndaj vaksinimit.

Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSH-së për Europën, shpjegon: “Vaksinat shpëtojnë jetë, dhe kur mbulimi ulet, sëmundjet përhapen.” Vitin e kaluar, rreth 300 mijë njerëz në rajonin evropian u sëmurën nga kollitja e fortë dhe mbi 125 mijë nga fruthi, shifra këto që përbëjnë trefishimin ose dyfishimin krahasuar me vitin paraardhës. Ai bëri thirrje për forcimin e sistemeve shëndetësore lokale, sigurimin e vaksinave kudo dhe luftimin e keqinformimit.

Suksesi i vaksinës kundër HPV

Raporti i vitit 2024 tregon një rritje të lehtë të normave të vaksinimit në botë. Rreth 85 për qind e foshnjave kanë marrë tre doza të vaksinës kundër difterisë, tetanosit dhe kollitjes së fortë (DTP), një tregues i rëndësishëm i mbulimit global të imunizimit.

Vaksina kundër HPV-së, që parandalon kancerin e qafës së mitrës, është një histori suksesi globale. Përqindja e vajzave të reja të vaksinuara është rritur me katër pikë përqindjeje në 31 për qind globalisht, kryesisht falë përfshirjes së vaksinës në programet rutinë të vendeve si Nigeria dhe Bangladeshi. Në vitin 2019, vetëm 17 për qind e adoleshenteve kishin marrë vaksinën, ndërsa qëlli

Broja largohet, kërkohet në Gjermani

Sulmuesi i Shqipërisë, Armando Broja do të largohet gjithsesi nga Chelsea në afatin kalimtar të verës.

“Blues” nuk janë bindur asnjëherë me kualitetet e sulmuesit shqiptar që kur e kanë transferuar atë, ndërsa lojtari kryesisht këtë periudhë e ka kaluar në huazime, transmeton albinfo.ch.

Mediumi britanik “The Athletic” raporton se sulmuesin shtatlartë e duan dy klubet e Bundesligës, Stuttgart dhe Red Bull Leipzig.

Leipzigu është duke u përgatitur për largimin e Benjamin Seskos dhe Xavi Simonsit, prandaj Broja shihet si një alternativë ideale e tyre, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, Stuttgarti e sheh të nevojshëm përforcimin në sulm dhe shqiptari shihet si një zgjidhje ideale.

Chelsea është e gatshme të mos kërkojë shumë para vetëm për t’ia gjetur një klub Brojës, i cili në “Transfermarkt” vlerësohet 12 milionë euro.

Lojtari ka nevojë për një ekip ku do të mundë të luante në vazhdimësi për ta kapur hapin pasi ka ngecur prapa pa kontinuitet.

Infermierët e huaj në Gjermani vazhdojnë të përballen me barriera gjuhësore dhe kulturore

Sistemi shëndetësor gjerman mbështetet fuqishëm te infermierët e huaj, ku sipas Agjencisë Federale të Punësimit, përqindja e tyre është rritur ndjeshëm në dekadën e fundit, duke arritur në 16 për qind në vitin 2023 dhe vijon të rritet.

Megjithatë, shumë infermierë dhe kujdestarë të huaj përballen me sfida të mëdha, jo vetëm për shkak të mungesës së njohurive të gjuhës gjermane, por edhe për shkak të problemeve sistematike si mosnjohja e plotë e diplomave dhe përvojave të tyre.

Shumë prej tyre fillojnë punën ndërkohë që ende po mësojnë gjermanishten, ka thënë Këshilli Gjerman i Infermierisë (DBfK). Kjo shkakton vështirësi si për vetë infermierët e huaj, ashtu edhe për kolegët gjermanë që shpesh detyrohen t’i trajnojnë për terminologjinë teknike përveç detyrave të tyre të zakonshme.

Presidentja e DBfK, Christine Vogler, ka kërkuar që standardet gjuhësore të jenë të detyrueshme dhe të unifikuara për të gjithë infermierët, pasi aktualisht ato ndryshojnë shumë nga një land në tjetrin, transmeton albinfo.ch.

Gjuha nuk ka të bëjë vetëm me transmetimin e informacionit, por edhe me krijimin e marrëdhënieve në vendin e punës, tha zëdhënësja e DBfK, Anja Hild. Ajo shtoi se shpeshherë, diferencat kulturore rreth pritshmërive për rolin e infermierëve ngatërrohen thjesht si çështje gjuhësore.

P.sh. shumë infermierë të huaj, të trajnuar si staf mjekësor në vendet e tyre, habiten kur kuptojnë se në Gjermani infermierët kujdesen edhe për higjienën personale të pacientëve, i ndihmojnë të lahen, të hanë apo të ngrihen nga shtrati.

“Edhe nëse di gjermanisht perfekt, nëse nuk e di që kujdesi personal është pjesë e punës së infermierit këtu, do ta kesh të vështirë,” tha Koudjo Johnson, menaxher integrimi në Klinikën Ernst-von-Bergmann në Potsdam.

Ai përmendi një rast ku një infermiere me përvojë në kirurgjinë traumatike u caktua në një klinikë okulistike, gjë që e la të ndjehej e nënvlerësuar dhe e demotivuar. Sipas tij, punësimi duhet të bëhet duke u bazuar në përvojën dhe aftësitë, jo vetëm në nevojën për staf.

Një studim i DBfK tregon se pothuajse 80 për qind e infermierëve gjermanë pajtohen që sistemi shëndetësor ka nevojë për punonjës të huaj.

Si mund të ndikojnë traktatet e reja të Zvicrës me BE-në në emigracion?

Disa rregulla të reja që lidhen me emigracionin janë përfshirë në marrëveshjen e re mes Bernës dhe Brukselit.

Në dhjetor 2024, Zvicra arriti një paketë traktatesh me Bashkimin Evropian. Çfarë ndikimi mund të kenë këto marrëveshje të reja mbi Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë të Personave (AFMP)?

Sipas qeverisë zvicerane, AFMP, që hyri në fuqi në qershor 2002, “heq kufizimet për qytetarët e BE-së që duan të jetojnë ose punojnë në Zvicër. E drejta për lëvizje të lirë shoqërohet me njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale, të drejtën për të blerë prona dhe koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore.”

Kjo marrëveshje ka qenë themeli i politikës së emigracionit të Zvicrës për më shumë se dy dekada.

Por çfarë ndryshimesh sjell traktati i ri për AFMP?

Në përgjithësi, traktati i ri hap rrugën për zgjerimin e kësaj marrëveshjeje, sipas Vincenzo Mascioli, shef i Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), transmeton albinfo.ch.

Në terma konkretë, këto janë ndryshimet kryesore:

Emigracion i lidhur me punësimin

Në ndryshim nga BE-ja, emigracioni në Zvicër mbetet i lidhur ngushtë me tregun e punës.

Qytetarët e BE-së do të mund të hyjnë dhe qëndrojnë në Zvicër vetëm me kontratë pune të firmosur.

Ata që vijnë pa punë do të kenë të drejtë të qëndrojnë vetëm 3 muaj, pa leje qëndrimi dhe pa përfitime sociale.

Nëse një qytetar i BE-së humb punën brenda vitit të parë, mund të përfitojë ndihmë të përkohshme, por humbet të drejtën e qëndrimit pas 6 muajsh.

Statusi i ri i qëndrimit të përhershëm

Ndryshimi real qëndron tek e drejta për qëndrim afatgjatë.

Zvicra do të prezantojë një status të ri “qëndrim i përhershëm” për emigrantët nga BE.

Ata që kanë punuar legalisht për 5 vite radhazi do të mund të qëndrojnë pa kufizime.

Marrja e ndihmës sociale për më shumë se 6 muaj do ta zgjasë këtë periudhë për marrjen e statusit.

Ndërkohë, ata që marrin përfitime papunësie nuk do të penalizohen, pasi konsiderohen ende si pjesë aktive e tregut të punës, për sa kohë kërkojnë punë.

Ky ndryshim është veçanërisht i favorshëm për qytetarët nga Europa Lindore, të cilët aktualisht aplikojnë për qëndrim të përhershëm vetëm pas 10 vitesh.

Gjithashtu, statusi i qëndrimit të përhershëm nuk do të ketë më kufizime për ndihmën sociale pas 10 viteve qëndrim, megjithëse rregullat aktuale mbeten për natyralizim.

Bashkimi familjar

Rregullat aktuale mbeten të pandryshuara.

Punonjësit e BE-së në Zvicër mund të sjellin bashkëshortët dhe fëmijët nën 21 vjeç.

Teorikisht, kjo vlen edhe për prindërit dhe vjehrrit, por praktikisht ndodh rrallë.

Marrëveshja e re përfshin çiftet e regjistruara të së njëjtës gjini, duke i barazuar në të drejta.

Lejohet gjithashtu bashkimi familjar për çiftet që bashkëjetojnë pa u martuar dhe anëtarët e familjes që kanë nevojë për kujdes, me kusht që të provojnë marrëdhënie të qëndrueshme dhe arsye të forta shëndetësore.

Kërkesa aktuale për “banesë të përshtatshme” do të hiqet, por kantonet mund të kërkojnë ende kontratë qiraje.

Kur do të hyjnë në fuqi këto rregulla të reja?

Aktualisht, janë vetëm në letër.

Vendimin përfundimtar do ta marrin qytetarët zviceranë përmes referendumit, data e të cilit nuk është caktuar ende.

Paditë për ndalimin e blerjes së dronëve izraelitë nga Zvicra: A shkelet neutraliteti?

Grupi për një Zvicër pa Ushtri, Lidhja Zvicerane për të Drejtat e Njeriut dhe Shoqata e Juristëve për Palestinën kanë paraqitur padi civile për të anuluar kontratën 250 milionë CHF mes Zvicrës dhe kompanisë izraelite Elbit për blerjen e dronëve ushtarakë.

Sipas paditësve, marrëveshja shkel ligjin ndërkombëtar dhe atë zviceran, pasi Elbit furnizon armë që përdoren në shkelje të të drejtës humanitare, ndërsa kompania reklamohet si “të testuara në betejë”. Ata pretendojnë gjithashtu se bashkëpunimi me Elbit bie ndesh me neutralitetin e sanksionuar në Kushtetutë.

Dorëzimi i dronëve është shtyrë deri në fund të vitit 2026, pasi kompania përqendroi prodhimin në pushtimin e Gazës. Paditësit e konsiderojnë këtë shtyrje si mbështetje indirekte të veprimeve ushtarake izraelite, të cilat akuzohen për krime lufte dhe gjenocid, transmeton albinfo.ch.

Nga ana tjetër, Armasuisse deklaroi se nuk ka marrë ende asnjë njoftim zyrtar për padinë, ndërsa deputeti UDC, Jean-Luc Addor, mbrojti kontratën duke theksuar se ajo nuk shkel neutralitetin, pasi Zvicra ka të drejtë të blejë sisteme për sigurinë e saj kombëtare.

Ardon Jashari rikthehet në stërvitje te Club Brugge

Ardon Jashari i është bashkuar Club Brugget në përgatitje për edicionin e ardhshëm.

Mediat belge raportojnë se ylli shqiptar ka ushtruar në mëngjesin e sotëm rregullisht në kampin Belfius pasi kishte munguar në angazhimet paraprake.

Jashari fillimisht do të ushtrojë individualisht para se t’i bashkohet më pas grupit të futbollistëve në stërvitje, transmeton albinfo.ch.

Për ta parë përfaqësuesin zviceran në aksion edhe në fushën e blertë duhet të presim deri më 27 korrik për ndeshjen e xhiros së parë të sezonit të ri kundër Genkut.

Sa u përket bisedimeve me Milanin, portali belg shpjegon se po vazhdon “status quo”.

Po shtohen gjithnjë mundësitë që ish-futbollisti i Luzernit të qëndrojë në Belgjikë edhe në edicionin e ardhshëm, aty ku ishte shpallur futbollisti i vitit për sezoni 2024/25.

Në ditët e kaluara Jashari nuk kishte marrë pjesë në disa evente publike të Club Brugge, prej tyre edhe në prezantimin e fanellave të tyre dhe në festën e tifozëve.

Sidoqoftë, ai sot ishte prezent në stërvitje dhe duket se është rikthyer qetësia e stabiliteti në Club Brugge.

Lojtari nuk e ka fshehur dëshirën për t’iu bashkuar Milanit duke hequr madje dorë nga disa oferta që i kishin ardhur, përfshirë ato nga Anglia e nga Gjermania.

Qyteti bregdetar italian vendos masa të ashpra: ndalohet lypja, alkooli dhe ecja me bikini në publik

Bashkia e Portofinos, një prej qyteteve më luksoze turistike në Itali, ka miratuar një rregullore të re që ndalon lypjen në të gjithë qendrën, përfshirë sheshet, parkingjet publike, skelën Umberto I dhe pranë kishave. Vendimi, i firmosur nga kryetari Matteo Viacava, do të jetë në fuqi nga 14 korriku deri më 30 shtator dhe synon të mbrojë imazhin turistik të qytetit.

Përveç lypjes, ndalohet edhe:

Konsumimi ose mbajtja e alkoolit në rrugë dhe sheshe

Shtrirja përtokë, mbi stola ose mure publike

Ulja përtokë në sheshe dhe rrugë

Ecja me rroba banje, gjoks të zhveshur ose zbathur

Krijimi i zhurmave pas mesnate

Shkelësit do të gjobiten nga 25 deri në 500 euro. Autoritetet lokale theksojnë se këto masa synojnë ruajtjen e rendit publik dhe standardeve të larta turistike që e kanë bërë Portofinon një destinacion elitar në botë.

Qeveria e Kosovës kundërshton vendimin e Gjykatës Supreme, e quan arbitrar e të motivuar politikisht

Qeveria e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për të shfuqizuar Udhëzimin Administrativ që rregullon përdorimin e pajisjeve dhe sistemeve fiskale elektronike. Sipas Qeverisë, ky vendim është një interpretim i njëanshëm dhe i pajustifikuar ligjërisht, që cenon parimin e sigurisë juridike dhe funksionimin e pandërprerë institucional, transmeton albinfo.ch.

Në komunikatën zyrtare thuhet se Ligji për Qeverinë nuk ua ndalon qeverive në detyrë nxjerrjen e akteve nënligjore, përveç në raste të marrëveshjeve ndërkombëtare apo projektligjeve të reja. Për më tepër, procedura për hartimin e këtij Udhëzimi kishte nisur në nëntor 2024, kohë kur Qeveria kishte mandat të plotë.

Qeveria thekson se vendimi i Supremes është kontradiktor, sepse njëkohësisht njeh ekzistencën e Qeverisë në detyrë, por ia mohon të drejtën për të ushtruar kompetenca që nuk janë të ndaluara me ligj. Ndër të tjera, ajo kundërshton edhe pretendimin për konflikt funksional mes postit të ministrit në detyrë dhe atij të deputetit, duke cituar një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që thotë se Kuvendi ende nuk është konstituuar.

Në fund, Qeveria deklaron se do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet juridike për të rikthyer ligjshmërinë dhe standardet demokratike, duke e cilësuar këtë vendim si të motivuar politikisht dhe të papajtueshëm me frymën e ligjit.

 

Popullsia zvicerane e kënaqur me jetesën

Në një anketë të fundit, popullsia e Zvicrës gjermanishtfolëse dhe frëngjishtfolëse shprehu një kënaqësi të përgjithshme me jetën e tyre, megjithatë u shprehën të pakënaqur me politikën dhe financat personale, sipas shërbimit të krahasimit online Moneyland, shkruan Swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Pjesëmarrësit vlerësuan kënaqësinë e tyre me jetën mesatarisht me 7.3 pikë nga 10, një shifër që ka mbetur e pandryshuar që nga anketa e mëparshme dy vjet më parë. Grupmosha 50-74 vjeç rezultoi më e kënaqura, duke dhënë mesatarisht 7.5 pikë, ndërsa të rinjtë nuk mbetën shumë pas me 7.1 pikë.

Familja mbetet një nga faktorët kryesorë të lumturisë për banorët e Zvicrës, sidomos në zonat frëngjishtfolëse ku kënaqësia me fëmijët dhe prindërit ishte veçanërisht e lartë. Një ndikim pozitiv u vu re edhe në zonat gjermanishtfolëse, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, politika mbeti burim i pakënaqësisë së madhe, me një vlerësim mesatar prej vetëm 5.5 pikësh. Pakënaqësia ishte më e theksuar në zonat rurale, ku banorët e komunave me më pak se 2,000 banorë dhanë mesatarisht 4.9 pikë për politikanët.

Në aspektin financiar, situata nuk ishte shumë më e mirë. Gjendja financiare personale mori 5.7 pikë, ndërsa paga u vlerësua me 5.9 pikë. Në anketë u evidentua se burrat janë më të kënaqur me financat e tyre sesa gratë dhe kënaqësia rritet proporcionalisht me nivelin e pagës.

Anketa u krye në pranverën e vitit 2025 nga instituti i kërkimit Ipsos, me pjesëmarrjen e 1,500 personave nga Zvicra gjermanishtfolëse dhe frëngjishtfolëse, transmeton albinfo.ch.

Studimi i Cyrihut kërkon duhanpirës të rinj të marijuanës

Në Cyrih, më shumë njerëz së shpejti do të jenë në gjendje të ndezin ligjërisht duhanin sipas projektit pilot të kanabisit të qytetit “Züri Can”.

Numri maksimal i pjesëmarrësve sapo është rritur nga 2,100 në 3,000, pasi kapaciteti është arritur për më shumë se një vit, transmeton albinfo.ch.

Projekti, që funksionon që nga marsi i vitit 2023, promovon përdorimin më të sigurt të kanabisit dhe tani sheh interes në rritje nga gratë dhe përdoruesit e rastit.

Qyteti thotë se më shumë pjesëmarrës do të përmirësojnë të dhënat e studimit dhe do të pasqyrojnë një gamë më të gjerë zakonesh.

I miratuar nga Zyra Federale e Shëndetit Publik, studimi zgjat deri në vitin 2026 – me një zgjatje të mundshme.

Ndërkohë, një studim i veçantë mbi kanabisin në të gjithë kantonin me 4,500 pjesëmarrës është gjithashtu në vazhdim.

Austri: Ankesa ndaj kërkesave strikte për efikasitet energjetik në ndërtesat e reja

Një debat i nxehtë pritet këtë të enjte në Vjenë, ku një panel ekspertësh do të diskutojë udhëzimet e reja për efikasitetin energjetik të ndërtesave të reja, ndërkohë që Austria e Epërme ka shprehur kundërshtime të forta ndaj draftit aktual, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

Sipas rregulloreve të Bashkimit Evropian dhe specifikimeve të Institutit Austriak të Teknologjisë së Ndërtimit, ndërtesat e ndërtuara rishtas duhet të jenë më efikase nga ana energjetike. Megjithatë, industria e ndërtimit në Austri të Epërme ka ngritur shqetësime serioze mbi zbatimin praktik të kërkesave të reja, sidomos për sa i përket izolimit dhe kostove.

Wolfgang Holzhaider, përfaqësues i esnafit të ndërtimit, thekson se kërkesat janë ende të bazuara në simulime që nuk janë validuar dhe mund të çojnë në rritje të ndjeshme të çmimeve të ndërtimit. Një studim shtetëror tregon se me rregulloret e reja, rreth një e treta e ndërtesave të reja të ndërtuara vitet e fundit nuk do të kishin qenë të mundshme për shkak të kostove të larta.

Në këtë kontekst, Austria e Epërme ka kërkuar që kërkesat të zbatohen në një mënyrë më të butë. Zëvendësguvernatori Manfred Haimbuchner (FPÖ) ka deklaruar qartë: “Nëse ky panel ekspertësh nuk arrin një marrëveshje që na favorizon, ne nuk do ta zbatojmë këtë direktivë në Austri të Epërme,” transmeton albinfo.ch.

Konfederata zvicerane insiston për trenat e natës drejt Suedisë nga prilli 2026

Zyra Federale e Transportit (FOT) ka njoftuar planet për të lansuar një linjë treni nate që do të lidhë Bazelin me Kopenhagenin dhe Malmö-n, duke filluar nga prilli i vitit 2026. Linja do të operojë tri herë në javë dhe do të mbijetojë pavarësisht shkurtimeve buxhetore të qeverisë federale, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

FOT ka angazhuar 1.2 milion franga për punët përgatitore në vitin 2025, ndërsa deri në vitin 2030 Konfederata planifikon të sigurojë një subvencion prej 47 milion frangash për mbulimin e kostove të funksionimit, përfshirë shërbimet e shtigjeve, energjinë, personelin dhe mjetet lëvizëse. Këto fonde nuk do të përdoren për blerjen e pajisjeve të reja, pasi linja mund të përdorë mjetet aktuale të SBB-së që operojnë midis Cyrihut dhe Amsterdamit.

Shuma prej 47 milion frangash vjen nga Akti i CO2, i cili më parë parashikonte 30 milion në vit, por u ul në 10 milion nga Parlamenti në kuadër të planit financiar 2027-2029. Ky subvencion synon të përmirësojë transportin me ndikim të ulët mjedisor, duke promovuar trenat e natës dhe lidhjet e pasagjerëve në distanca të gjata, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, vendimi përfundimtar për financimin e linjës do të merret nga Dhomat Federale gjatë debatit mbi buxhetin për vitin 2026. Aktualisht, SBB-ja ka paraqitur vetëm këtë aplikim për trenat e natës dhe askush tjetër nga vendet e përfshira nuk ka ofruar subvencione për ndërtimin e saj.

Në të njëjtën kohë, FOT ka investuar 5 milionë franga në vitin 2025 për të përmirësuar shpejtësinë e modelit “Giruno” në 250 km/orë, duke lejuar lidhje më të shpejta me Venecian, Gjenovën dhe Bolonjën. Po ashtu, janë shpenzuar 1.9 milionë franga për zëvendësimin e vagonëve të restoranteve në linjën Cyrih-Innsbruck-Graz, transmeton albinfo.ch.