Kosovë: Inflacioni godet fuqishëm qytetarët, ҫmimet rriten, pagat mbeten të njëjta

Brenda një viti, çmimet e konsumit në Kosovë janë rritur për 4.3 për qind, duke vënë në vështirësi të përditshme shumë familje që përballen me të ardhura të pandryshuara. Me shpenzime që rriten nga muaji në muaj dhe pa një rritje të pagave, qytetarët po detyrohen të kufizojnë edhe nevojat bazike, shkruan KOHA, transmeton albinfo.ch.

“Po kursejmë maksimalisht. Edhe daljet i kemi reduktu sepse sa më shpesh që del, aq më shumë shpenzon. Nuk po mundemi me ia dalë ndryshe”, tha për mediat Rexhep Hajrizi, qytetar nga Prishtina, i cili tregon se çdo vendim financiar tashmë është i menduar me kujdes.

Ai, sikurse shumë të tjerë, e sheh pabarazinë mes rritjes së çmimeve dhe qëndrueshmërisë së pagave si burimin kryesor të krizës: “Çmimet trefishohen, rrogat nuk lëvizin. Pensionet janë të njëjta. Nuk po ecim përpara.”

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në muajin qershor të këtij viti inflacioni ka arritur në 4.3 për qind krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, ndërsa në krahasim me majin është shënuar një rritje prej 0.7 për qind.

Ekonomisti Fidan Qerimi e lidh këtë rritje të vazhdueshme të çmimeve me vendimin për daljen e bizneseve në tregun e hapur të energjisë. “Bizneset kanë planifikuar fitimet, dhe barra përfundimisht është bartur te konsumatori. Qeveria dhe bizneset janë në përplasje për çmimin e energjisë, por konsumatori po e paguan këtë luftë,” u shpreh Qerimi.

Përballë këtij realiteti, kërkohen masa konkrete për mbrojtjen e konsumatorëve. Selatin Kaçaniku nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve propozon ndërhyrje urgjente institucionale.

“Qeveria duhet ta njohë konsumatorin si shtyllë. Duhet të krijohet një Drejtori për Mbrojtjen e Konsumatorit brenda Ministrisë së Industrisë, dhe kjo duhet të jetë e pavarur. Po ashtu, të rikonstruktohet tregu dhe të përmirësohet zbatueshmëria e ligjeve,” tha Kaçaniku, transmeton albinfo.ch.

Zvicër: Mungesë e mbi 500 llojeve të ilaҫeve

Mungesa e furnizimit me më shumë se 500 ilaçe në Zvicër po e vendos çdo ditë në vështirësi sistemin shëndetësor të vendit. Spitalet, shtëpitë e të moshuarve dhe mjekët po përballen me sfida serioze për shkak të barnave të padisponueshme, ndërsa pacientët dhe stafi mjekësor po përjetojnë pasiguri dhe stres në rritje, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Sipas Fondacionit Zviceran për Sigurinë e Pacientëve, vetëm gjatë një muaji janë raportuar mbi 40 raste problematike të furnizimit nga institucione të ndryshme shëndetësore në rrjetin Cirrnet – një sistem kombëtar për raportimin e gabimeve. Që prej marsit, autoritetet kishin kërkuar regjistrimin sistematik të mungesave për të ndihmuar në identifikimin e shkaktarëve dhe pasojave.

Një analizë e raporteve tregon se në afro një të tretën e rasteve pacientët janë rrezikuar drejtpërdrejt, pasi terapi të rëndësishme janë ndërprerë dhe është dashur të kërkohen zëvendësime që jo gjithmonë kanë qenë të sigurta. “Ilaçet alternative krijojnë rreziqe të shtuara”, thekson zëdhënësja e fondacionit, Britta Gerloff.

Ndryshimi i formës së barnave, si kalimi nga tabletat në pika, ka rezultuar në ngarkesë shtesë për personelin e infermierisë dhe rritje të kostove. Në disa raste, ilaçet kanë mbërritur me ditë vonesë, duke vënë në rrezik pacientët në trajtim intensiv apo kronik, transmeton albinfo.ch.

Zyra Federale e Shëndetit Publik (FOPH) ka pranuar seriozitetin e problemit dhe është duke punuar me dy grupe pune për të identifikuar masa afatshkurtra dhe afatgjata. Megjithatë, zbatimi i disa propozimeve kërkon ndryshime ligjore, çka mund të zgjasë për vite.

FOPH vlerëson se një nga shkaqet kryesore të krizës është tregu i vogël zviceran dhe rregulloret e rrepta, të cilat i dekurajojnë prodhuesit dhe i shtyjnë të zhvendosin prodhimin në vendet me kosto më të ulëta. Kjo situatë i ka bërë zinxhirët e furnizimit veçanërisht të cenueshëm, duke e bërë krizën një sfidë të vërtetë për sistemin shëndetësor të Zvicrës, transmeton albinfo.ch.

Talenti shqiptar pranë transferimit drejt Luzernit

Mesfushori i talentuar shqiptar, Demir Xhemalija, pritet që së shpejti të ndërrojë ambient, teksa është në bisedime të avancuara për t’u transferuar te skuadra e Luzernit. 19-vjeçari aktualisht është pjesë e ekipit U21 të Baselit në Zvicër, por duket se është gati për një hap të ri në karrierën e tij, transmeton albinfo.ch.

Sipas të përditshmes zvicerane “Blick”, Xhemalija është shumë pranë kalimit te Luzerni, një skuadër që garon në elitën e futbollit zviceran. Edhe pse ende nuk ka debutuar me ekipin e parë të Baselit, ai ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve me paraqitjet e tij të qëndrueshme në ekipin U21.

Në edicionin 2024/25, mesfushori me tipare defensive ka zhvilluar 16 ndeshje me Baselin U21, ku ka kontribuar edhe me një gol. Performanca e tij në mesfushë është vlerësuar si premtuese nga ekspertët e futbollit zviceran.

Përveç nivelit të klubeve, Xhemalija ka përfaqësuar edhe Zvicrën në grupmoshat U16, U17 dhe U19, duke treguar potencial të madh për të qenë pjesë e së ardhmes së futbollit evropian.

Muajin e kaluar, talenti shqiptar ishte në qendër të vëmendjes edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës. Presidenti Agim Ademi është takuar me të dhe ka publikuar një fotografi në rrjetet sociale, duke sinjalizuar interesimin e Kosovës për ta përfshirë në projektin e saj kombëtar.

Nëse transferimi drejt Luzernit konkretizohet, Demir Xhemalija mund të bëjë hapin e parë drejt futbollit profesionist në një nivel më të lartë, dhe ndoshta të hapë dyert edhe për përfaqësimin në një prej përfaqësueseve kombëtare shqiptare, transmeton albinfo.ch.

Klasa e mesme në Zvicër, më e fuqishme se në shumicën e Evropës

Klasa e mesme në Zvicër vazhdon të mbetet një nga më të fuqishmet në Evropë, ndonëse përballet me sfidat e një kostoje të lartë jetese. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (FSO) hedhin dritë mbi gjendjen e këtij segmenti të rëndësishëm të shoqërisë zvicerane, krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Sipas statistikave, rreth 60 për qind e popullsisë në Zvicër i përket klasës së mesme – një përqindje pak më e ulët se ajo e eurozonës, ku klasës së mesme i përkasin 64 për qind e qytetarëve. Kjo diferencë shpjegohet kryesisht me faktin se kriteret e të ardhurave në Zvicër janë dukshëm më të larta, në përputhje me nivelin më të lartë të pagave në vend.

Për shembull, për të hyrë në këtë grup në Zvicër, një individ duhet të ketë të ardhura mujore nga 4,126 deri në 8,842 franga, ndërsa për një familje katëranëtarëshe ky interval shkon nga 8,666 deri në 18,569 franga. Në terma vjetorë, kjo përkthehet në 49,513 deri në 106,104 franga për individë dhe 103,992 deri në 222,828 franga për familje.

Të dhënat e publikuara gjithashtu tregojnë se të ardhurat mesatare vjetore në Zvicër kapin shifrën 85,582 euro (rreth 81,735 franga), shumë më lart se mesatarja evropiane. Por, sipas analizave të OECD-së, klasës së mesme në BE i përkasin familjet me të ardhura nga 35,000 deri në 85,000 euro në vit, një rang dukshëm më i ulët se ai zviceran, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, standardi real i jetesës nuk matet vetëm me të ardhurat. Një analizë nga platforma dixhitale e punësimit Glassdoor thekson rëndësinë e fuqisë blerëse pas taksave – një tregues që përfshin jo vetëm të ardhurat dhe kostot, por edhe normat e taksave dhe inflacionit.

Në bazë të këtij treguesi, Zvicra renditet ndër vendet me standardin më të lartë të jetesës në Evropë, së bashku me Danimarkën dhe Gjermaninë. Sipas raportit, një punonjës mesatar në qytetet zvicerane mund të blejë 60 për qind më shumë mallra dhe shërbime se një punëtor i ngjashëm në Nju Jork.

Ekspertët vënë në dukje se ky përparim lidhet me faktorë si inflacioni i ulët, papunësia minimale dhe një ekonomi stabile, duke e bërë klasën e mesme zvicerane një shembull unik në peizazhin ekonomik evropian, transmeton albinfo.ch.

Zgjedhjet lokale: Të mërkurën nis regjistrimi i diasporës, ҫka duhet të dini?

Nga e mërkura, më 23 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të hapë afatin për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës që dëshirojnë të votojnë përmes postës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Afati për regjistrim do të zgjasë për 38 ditë dhe do të përfundojë më 29 gusht 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, shpjegoi se regjistrimi mund të bëhet në dy mënyra: përmes platformës elektronike të KQZ-së ose përmes postës, duke e dërguar aplikacionin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, transmeton albinfo.ch.

“Duke filluar nga data 23 korrik, në përmbushje të detyrimit ligjor, KQZ do të aktivizojë platformën elektronike, përmes së cilës votuesit jashtë Kosovës mund të regjistrohen për votim”, tha Elezi.

Ai shtoi se, ndryshe nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet lokale nuk do të mundësohet votimi nëpër përfaqësi diplomatike të Kosovës.

“Në zgjedhje lokale, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesit jashtë Kosovës mund të votojnë vetëm përmes postës. Ky ligj specifikon qartë se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këto lloj zgjedhjesh”, sqaroi Elezi.

Pwr dallim nga herwt e tjera, nw kwto zgjedhje, diaspora do tw pranojw me postw fletwvotimet qw do tw ua dwrgojw KQZ-ja, ndërkohë që mbetet obligim i votuesve të regjistruar që pas votimit të kthejnë prapa pakot me fletëvotime brenda periudhës 17 shtator deri më 11 tetor në adresë të kutisë postare të KQZ-së, qoftë në Kosovë apo në kutitë postare të KQZ-së që do të hapen nëpër vende të ndryshme të botës.

Votimi për shtetasit e Kosovës jashtë vendit do të zhvillohet nga data 17 shtator deri më 11 tetor 2025. Të drejtë për të votuar me postë do të kenë vetëm ata që do të regjistrohen si votues jashtë Kosovës brenda afatit të caktuar, transmeton albinfo.ch.

Noti, kujdesi shëndetësor dhe pagat, problemet e të huajve në Zvicër këtë verë

Ndërsa vera në Zvicër sjell pushime dhe ngadalësim të aktiviteteve politike, një sërë çështjesh që lidhen me të huajt vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes. Të dhënat e fundit dhe zhvillimet politike tregojnë për pabarazi të qëndrueshme në paga, perceptime të gabuara mbi barrën në sistemin shëndetësor dhe kufizime të reja në hapësirat publike, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Punëtorët e huaj paguhen më pak se zviceranët

Një studim i ri i Zyrës Federale të Statistikave ka zbuluar se punonjësit e huaj në Zvicër vazhdojnë të paguhen dukshëm më pak se homologët zviceranë, edhe kur bëhet fjalë për punë të ngjashme. Dallimi më i madh vërehet te burrat: punonjësit zviceranë fitojnë mesatarisht 18 për qind më shumë se të huajt.

Për më tepër, që nga viti 2022, pagat janë rritur me 5.5 për qind për zviceranët, ndërsa për punonjësit e huaj vetëm me 4.1 për qind. Ky hendek është konstatuar pavarësisht nga kategoria e lejes së qëndrimit, çka nënvizon një pabarazi të qëndrueshme në tregun e punës, transmeton albinfo.ch.

Emigrantët u kushtojnë më pak sigurimeve shëndetësore

Përkundër pretendimeve të partive të djathta, emigrantët në Zvicër përbëjnë më pak barrë për sistemin e kujdesit shëndetësor. Sipas të dhënave të fundit, pacientët e huaj u kushtojnë kompanive të sigurimeve shëndetësore mesatarisht 1,000 franga më pak në vit sesa qytetarët zviceranë.

Kjo diferencë shpjegohet pjesërisht me faktin se shumica e emigrantëve janë në moshë pune, ndërsa popullsia zvicerane ka një përqindje më të lartë të personave në pension, të cilët kërkojnë më shumë trajtim shëndetësor, sidomos në fazat e vona të jetës.

Kufizime për të huajt në pishina publike

Pishinat publike në disa qytete zvicerane kanë vendosur ndalime të përkohshme për vizitorët e huaj pas disa incidenteve me grupe të rinjsh nga Franca. Në qytetin Porrentruy të kantonit Jura, autoritetet vendore kanë ndaluar hyrjen e shtetasve të huaj pa leje qëndrimi të përhershëm apo leje pune deri më 31 gusht.

Ngjashëm, edhe Bazeli dhe Mendrisio kanë paralajmëruar masa të ngjashme për qytetarët nga vendet fqinje, duke përmendur raste të ngacmimeve, agresionit dhe sjelljeve të papërshtatshme në ambientet publike, transmeton albinfo.ch.

Perceptimet për emigrantët ndryshojnë

Një studim i përbashkët nga EPFL dhe Universiteti i Gjenevës tregon se imazhi tradicional për emigrantët në Zvicër, i formuar në vitet ’90 gjatë valës së azilkërkuesve nga Ballkani, nuk përputhet më me realitetin. Sot, shumica e emigrantëve vijnë për studime apo karrierë dhe gjysma e tyre largohen brenda 5 deri në 10 vjetësh.

Reforma të reja për imigracionin nga traktati BE-Zvicër

Traktati i nënshkruar në dhjetor 2024 mes Zvicrës dhe Bashkimit Evropian ka sjellë ndryshime në Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë të Personave. Ndryshimet përfshijnë kushtet e reja për imigrimin e bazuar në punësim, një status të ri për qëndrimin e përhershëm si dhe lehtësime në rregullat për ribashkimin familjar.

Propozim për taksë për shoferët e huaj në tranzit

Në një tjetër zhvillim, 90 deputetë në Parlamentin Zviceran po kërkojnë të vendosin një tarifë për shoferët e huaj që kalojnë tranzit nëpër Zvicër gjatë periudhave të ngarkuara me trafik, si në tunelin Gotthard. Ky propozim është ende në fazën e diskutimit dhe pritet të debatohet në seancat e ardhshme parlamentare, transmeton albinfo.ch.

Austri: Mediat sociale vetëm për përdorues mbi 15 vjeç

Sekretari i Shtetit për Sigurinë e Shtetit në Austri, Jörg Leichtfried, ka dalë në mbrojtje të ligjit të ri për mbikëqyrjen e shërbimeve të mesazheve, i miratuar një javë më parë nga Këshilli Kombëtar, pavarësisht kritikave të ashpra nga avokatët e mbrojtjes së të dhënave dhe opozita, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

Leichtfried hodhi poshtë pretendimet se ligji krijon boshllëqe në mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë, duke theksuar se “boshllëqet nuk janë përgjegjësi e shtetit”, por vendim i vështirë i politikës, që synon luftimin e kërcënimeve të sigurisë.

Në një intervistë për APA, ai gjithashtu u ndal tek çështja e kufizimit të moshës për përdorimin e rrjeteve sociale, temë që u përforcua pas ngjarjeve të dhunshme në një shkollë në Graz. Leichtfried deklaroi se dëshiron të shohë një kufi moshe prej 15 vjetësh për aksesin në mediat sociale në Austri, të implementuar deri në fund të vitit, duke theksuar se një rregullore e BE-së do të ishte më efektive për shkak të fushëveprimit më të gjerë.

Në lidhje me propozimet për zgjerimin e mbikëqyrjes, përfshirë krimet e lidhura me drogën, Sekretari i Shtetit tha se për momentin nuk parashikohet një ndryshim i tillë dhe se nuk është çështje që do të trajtohet në pesë vitet e ardhshme, transmeton albinfo.ch.

Nga ana tjetër, avokatët e mbrojtjes së të dhënave kanë shprehur shqetësime serioze, duke paralajmëruar se është pothuajse e pamundur të kufizohet mbikëqyrja e aplikacioneve si Telegram dhe WhatsApp pa krijuar “Trojanë federalë” që do të lejonin akses të plotë në pajisjet e përdoruesve — një qasje e kritikuar edhe më parë dhe rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në 2019.

Leichtfried u shpreh i bindur se në Austri nuk do të ndodhin abuzime si ato të raportuara në vende të tjera si Spanja, Polonia dhe Greqia, ku softuerë përgjuese përdoren për monitorimin e gazetarëve dhe opozitës. Ai theksoi se vendi ka “nivelin më të lartë të mbrojtjes ligjore kundër abuzimeve” dhe se zyrtari përgjegjës për mbrojtjen ligjore do të përfshihet në procesin e prokurimit të softuerit për monitorim, transmeton albinfo.ch.

Lumi Aare, më i rrezikshmi në Zvicër, mbi 70 të mbytur në 12 vjet

Lumi Aare, një ndër destinacionet më të preferuara për freskim gjatë verës në Zvicër, është gjithashtu trupi më i rrezikshëm ujor në vend. Midis viteve 2012 dhe 2024, mbi 70 persona kanë humbur jetën në këtë lumë pothuajse 300 kilometra të gjatë, sipas një analize të re të Shoqatës Zvicerane të Shpëtimit të Jetës, të publikuar nga SonntagsZeitung, transmeton albinfo.ch.

Vetëm në Bernë, një nga pikat më të njohura të Aare-s, janë regjistruar disa prej mbytjeve më tragjike. Aty, çdo verë me mot të mirë, dhjetëra mijëra njerëz notojnë ose kalojnë kohë pranë lumit. Por për disa, relaksi përfundon në tragjedi.

Në total, 600 persona kanë vdekur në ujërat zvicerane gjatë 12 viteve të fundit, shumica prej tyre gjatë notit. Statistikat tregojnë një prani disproporcionale të të rinjve në mesin e viktimave – 99 burra të moshës 20–30 vjeç janë mbytur që nga viti 2012, krahasuar me vetëm 13 gra të reja. Rreth 90% e viktimave ishin shtetas zviceranë, transmeton albinfo.ch.

Por rreziku nuk vjen vetëm nga noti. Sipas Qendrës Këshillimore Gjermane për Parandalimin e Aksidenteve (BfU), aksidentet fatale përfshijnë edhe incidente gjatë ecjes apo çiklizmit, kur personat bien aksidentalisht në ujë dhe mbyten.

Për të rritur ndërgjegjësimin për rreziqet në Aare, këtë verë është rilançuar fushata “Are You Safe?” në bashkëpunim me Bern Welcome, komuna të rajonit dhe partnerë të tjerë. Kjo nismë synon të informojë dhe edukojë qytetarët e vizitorët për rregullat bazë të sigurisë para se të hyjnë në ujë, transmeton albinfo.ch.

Sportisti nga Kosova diskualifikohet nga gara në Mal të Zi, bëri shqiponjën

Gara tradicionale e kërcimeve në ujë nga “Ura e Vezirit” në Podgoricë, e mbajtur të shtunën pas 15 vjetësh, u shënua nga një incident i tensionuar me pjesëmarrësin shqiptar nga Gjakova, Shkëlzen Goqi. Ai u diskualifikua pasi bëri simbolin e shqiponjës dykrenare para se të realizonte kërcimin e tij, transmeton albinfo.ch.

Fishkëllimat dhe reagimet e ashpra nga një pjesë e publikut, përfshirë disa pjesëmarrës dhe organizatorë, u interpretuan si një “provokim” politik dhe kombëtar. Edvald Krniq, fituesi i garës dhe njëri prej organizatorëve, tha se kërkoi diskualifikimin e Goqit, pasi ky i fundit “thyeu rregullat e sjelljes duke shfaqur simbole politike dhe kombëtare”.

Sekretari për sport i Podgoricës, Darko Nikçeviq, konfirmoi vendimin duke theksuar se rregullat e garës nuk lejojnë shfaqjen e simboleve që mund të konsiderohen të papërshtatshme në ngjarjet sportive.

Nga ana e tij, Shkëlzen Goqi ka deklaruar për gazetën KOHA se figura e shqiponjës dykrenare është simbol i zakonshëm i sportistëve shqiptarë gjatë festimeve dhe nuk ka qëllim të provokojë. Ai tha se u përball me reagime negative sidomos nga ana e disa tifozëve serbë dhe se u detyrua të largohet nga gara pas kërcimit të parë perfekt në lartësi 27 metra, transmeton albinfo.ch.

“Malazezët dhe shqiptarët nuk reaguan keq, por serbët ishin ata që acaruan situatën,” tha Goqi, i cili tha gjithashtu se ishte përballur me presione për të hequr veshjet sportive me shqiponjë, por nuk i përfilli ato.

Në Kosovë, dhe veçanërisht në Gjakovë, kërcimet nga lartësia në stilin “dallëndyshe” janë mjaft të njohura dhe të pëlqyera, por ky incident në Podgoricë tregon tensionet e vazhdueshme politike dhe ndikimin e fuqishëm të grupeve serbe në Mal të Zi.

Gara u fitua nga Edvald Krniq, i cili mbajti edhe rolin e organizatorit që ndërmori masa ndaj Goqit, duke i ndaluar pjesëmarrjen në ngjarjet e ardhshme të këtij lloji në Podgoricë, transmeton albinfo.ch.

Rritje e rasteve të dhunës ndaj stafit të trenave në Zvicër

Rreth 3,600 sulme ndaj stafit të hekurudhës ndodhin çdo vit në Zvicër, duke e kthyer këtë dukuri në një problem të vazhdueshëm për operatorin shtetëror të transportit hekurudhor, SBB. Edhe pse numri i incidenteve ka mbetur pothuajse i pandryshuar gjatë viteve të fundit, natyra e tyre është bërë dukshëm më brutale, transmeton albinfo.ch.

Sipas të përditshmes “SonntagsZeitung”, skenat e dhunës janë bërë të zakonshme në trenat zviceranë. Një rast i fundit tregon se si një pasagjer humbi kontrollin pasi iu refuzua bileta, dhe përpiqej ta detyronte asistenten e trenit të kthehej në vagon pas ndaljes në stacionin tjetër. Ndërhyrja e kolegëve dhe makinistit ishte e nevojshme për ta neutralizuar situatën.

Vetëm në muajin e kaluar, 20 pasagjerë janë dënuar për kërcënime, sulme fizike, fyerje apo ngacmim ndaj inspektorëve të biletave. Një rast ekstrem përfshinte edhe ekspozimin e organeve gjenitale përpara stafit të trenit.

Sipas statistikave të SBB-së, çdo ditë regjistrohen mesatarisht dhjetë raste të agresionit verbal apo fizik ndaj punonjësve të trenit, që përkthehet në rreth 3,600 raste në vit. Por hekurudha thekson se kjo është vetëm “maja e ajsbergut”, pasi shumë incidente nuk raportohen fare, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Zëdhënësi i SBB-së shprehu shqetësimin për këto zhvillime: “Agresioni ndaj punonjësve tanë dhe mes pasagjerëve është bërë dukshëm më i ashpër vitet e fundit. Këto janë zhvillime sociale shqetësuese për ne.”

SBB ka deklaruar se po shqyrton masa shtesë për të mbrojtur stafin dhe për të parandaluar rritjen e mëtejshme të dhunës në rrjetin hekurudhor, transmeton albinfo.ch.

Aeroplani i Deltas përfshihet nga flakët gjatë ngritjes

Një aeroplan i kompanisë ajrore Delta Air Lines është detyruar të kthehet urgjentisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Angelesit (LAX), pasi njëri prej motorëve të tij u përfshi nga flakët gjatë ngritjes, transmeton albinfo.ch.

Bëhet fjalë për një Boeing 767-400 që ishte nisur për në Atlanta, por pak minuta pas ngritjes, një zjarr shpërtheu në motorin e majtë të aeroplanit. Pamjet e publikuara nga dëshmitarët tregojnë momentin dramatik kur flakët përfshijnë motorin gjatë fluturimit fillestar.

“Fluturimi i Deltas është kthyer në Los Angeles pak pas ngritjes pas një problemi në motorin e majtë të aeroplanit,” tha një zëdhënës i kompanisë për BBC-në.

Aeroplani ka bërë një ulje të sigurt dhe nuk raportohet për të lënduar mes pasagjerëve apo ekuipazhit, transmeton albinfo.ch.

Gazeta gjermane: Bienalja “Autostrada” në Prizren krijon lidhje me Evropën

Me Bienalen “Autostrada”, qyteti i Prizrenit po bëhet një “pikë e nxehtë” arti në Evropën Juglindore. Këtë herë, ajo është kuruar nga një njeri që e njeh shumë mirë rajonin, transmeton albinfo.ch. Ai përgatit surpriza.

Tinguj hip-hopi jehojnë nga njëri prej hangarëve. Artisti Hassan Khan ka programuar një algoritëm që rimbledh meloditë dhe tekstet e repit në një rrjedhë të pafundme. Në asfaltin përpara ndërtesës ndodhen dhjetëra vaska plastike të bardha në të cilat mbijnë barishte të vogla. Natyra që duhet të mbajë veten në jetë, kjo ishte ideja e artistitLois Weinberger, i cila ka vdekur në vitin 2020, shkruan Tages Spiegel.de.

Në temperaturat deri në 36 gradë Celsius pa hije, kjo është një sfidë edhe për bimët më rezistente.
Në Prizren, qyteti i dytë më i madh i Kosovës, një ish-bazë ushtarake, që shërbente si shtëpi e forcës ndërkombëtare paqeruajtëse KFOR deri rreth vitit 2019, është transformuar në një hapësirë arti.

Në fundjavën e hapjes, në fillim të korrikut, të ftuar dhe artistë ndërkombëtarë ishin dyndur në këtë peizazh të rrethuar dhe të mbuluar (nën kulm) ku kanë festuar hapjen e Bienales “Autostrada”.

Ky projekt bazë është lancuar në vitin 2014 nga punonjësit vendas të kulturës. Qëllimi ishte kryesisht të ofronte një perspektivë për të rinjtë në një vend të traumatizuar nga Lufta e Kosovës dhe pasojat e saj, përcjell albinfo.ch. Arti ka një efekt demilitarizues, duke ofruar një gjuhë që mund të ndërmjetësojë midis pikëpamjeve të ndryshme, thonë organizatorët, Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço.

Në vitet e fundit, bienalja ka evoluar nga një festival i përkohshëm në një institucion të përhershëm. Hangari i Autostradës është përdorur përgjithmonë si kafene, bibliotekë dhe vend takimi për krijuesit e rinj, që nga viti 2021. Këtë vit, u shtuan dy salla të tjera, si dhe një amfiteatër i hapur, i cili shërben edhe si vend për festa në mbrëmje.

Bienalja “Autostrada” është hapur më 5 korrik dhe vazhdon të presë artdashësit deri më 5 tetor.

Vietnam: Shkon në 34 numri i të vdekurve nga përmbytja e një anije

Si pasojë e motit të keq një varkë turistike është përmbysur dhe si pasojë kanë humbur jetën 34 persona.

Sipas raportimeve, anija kishte në bord 53 persona, teksa disa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, raporton BBC.

Bëhet e ditur se si pasojë e shiut të dendur kërkimet janë penguar por deri më tani 11 njerëz janë nxjerrë të gjallë nga uji, transmeton albinfo.ch.

Tregu i mishit me bazë bimore në Zvicër pritet të rritet në 361 milionë CHF deri në vitin 2030

Tregu i Zvicrës për alternativat e mishit me bazë bimore ka një vlerë potenciale prej rreth 242 milionë CHF (302 milionë dollarë) këtë vit, sipas vlerësimeve të fundit nga platforma e të dhënave Statista.

Tregu pritet të vazhdojë të rritet, me parashikimet që sugjerojnë se mund të arrijë në 361 milionë CHF deri në vitin 2030. Kjo do të thotë rritje vjetore prej rreth 10%, shkruan swissinfo, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, salçiçet dhe biftekët vegjetarianë dhe veganë ka të ngjarë të mbeten një treg i specializuar. Për kontekst, shitjet e përgjithshme të ushqimit në Zvicër aktualisht janë gati 39 miliardë CHF. Nga kjo, mishi është kategoria më e madhe, duke përbërë rreth 7.5 miliardë CHF.

Kosova jashtë Listës së Shteteve të Brishta: Çka do të thotë për ekonominë?

Brenda më pak se dhjetë ditësh, dy nga institucionet më të mëdha financiare ndërkombëtare – Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar – e kanë hequr Kosovën nga Lista e Shteteve në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit.

Pas më shumë se 15 vjetësh në këtë listë, Kosova kthehet tani në hartën e vendeve që konsiderohen institucionalisht më të qëndrueshme dhe financiarisht më të konsoliduara.

Si për Bankën Qendrore të Kosovës, ashtu edhe për Qeverinë në detyrë, kjo është një “njohje e rëndësishme e përparimit institucional dhe ekonomik të vendit”.

Ekspertët e ekonomisë thonë se ky zhvillim mund të forcojë imazhin e Kosovës si një vend i qëndrueshëm dhe i besueshëm për investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Çka nënkupton në aspektin ekonomik heqja e Kosovës nga kjo listë?

Mejdi Bektashi, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se vendimet e Bankës Botërore dhe të FMN-së për ta hequr Kosovën nga Lista e Shteteve në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit janë stimuluese për zhvillimet e ardhshme, ndaj të cilave Kosova duhet të përshtatet.

Sipas tij, Kosova, tani e tutje, do të ketë përfitime të shumta, jo vetëm nga Banka Botërore dhe FMN-ja si institucione financiare, por edhe nga tregjet tjera financiare që veprojnë në shtetet më të zhvilluara.

“Kryesisht, duke rritur qasjen në kreditim, në zvogëlimin e normës së riskut, që nënkupton zvogëlimin e normës së interesit, me të cilën Kosova mund të marrë hua apo kredi nga këto institucione apo tregje të tjera financiare”, shpjegon Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Për profesorin tjetër të Ekonomisë, Berim Ramosaj, heqja e Kosovës nga Lista e Shteteve në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit rrit besimin e investitorëve vendorë e të huaj, zgjeron mundësitë për kredi më të favorshme, si në nivel nacional ashtu edhe ndërkombëtar, dhe u jep shansin edhe bankave të rendit të dytë dhe të tretë të performojnë më mirë.

Përfitime të tjera

Bektashi thotë se mbështetja nga Banka Botërore dhe FMN-ja siguron stabilitet makroekonomik për Kosovën, duke përfituar jo vetëm sektori publik, por edhe ai privat, i cili do të ketë qasje më të lehtë dhe me kushte më të favorshme në huazime nga vendet e zhvilluara.

Megjithatë, ai thekson se pjesa më e madhe e aktivitetit financiar në Kosovë lidhet me Bashkimin Evropian, i cili, prej dy vjetësh, ka vendosur masa shtrënguese ndaj vendit, për shkak të tensioneve në veri.

“Masat shtrënguese, të vëna nga Komisioni Evropian, si dhe mosformimi i institucioneve (të Kosovës) që po zgjat me muaj të tërë, janë sinjale shumë të këqija, shumë dëshpëruese edhe për institucionet më të rëndësishme financiare, por edhe për BE-në”, thotë Bektashi.

Ai shton se vendimet e Bankës Botërore dhe FMN-së duhet të shërbejnë tani si sinjal pozitiv edhe për vetë BE-në që t’i heqë masat shtrënguese dhe të adoptojë një qasje më të moderuar ndaj Kosovës.

A janë vendimet e Bankës Botërore dhe FMN-së pasqyrim i përmirësimeve reale?

Vendimet e Bankës Botërore dhe FMN-së për Kosovën janë një “karotë stimuluese”, thotë Bektashi.

Ai vë në dukje se në Kosovë ka ende ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë – gjë që e vë në pikëpyetje garantimin e vendimeve të drejta.

Thotë se deficiti tregtar mbetet i lartë, ndërsa politikat ekonomike të Qeverisë në detyrë nuk kanë sjellë përmirësimet e pritshme.

“Unë besoj që ne, realisht, nuk kemi përmirësim të situatës makro-ekonomike dhe financiare. Por, është një vendim më tepër politik (i Bankës Botërore dhe FMN-së), ku më shumë ka kontribuar Banka Qendrore e Kosovës sesa Qeveria aktuale në detyrë, pasi që bisedat apo kontaktet e këtyre institucioneve, kryekëput, kanë të bëjnë me BQK-në”, thotë Bektashi.

Ramosaj vlerëson, gjithashtu, se meritë për këtë vendim ka Banka Qendrore e Kosovës.

Ai thotë se Kosova ka bërë përparime në qëndrueshmërinë ekonomike dhe institucionale, por se, në thelb, realiteti ekonomik dhe ai politik nuk janë ende plotësisht të qëndrueshëm.

“Ka përmirësime edhe në qeverisjen e të hyrave buxhetore, sidomos në politikat makro-financiare. Mirëpo, ka edhe probleme të natyrave të tjera, qoftë në mosngritjen e institucioneve me kohë, qoftë në moskryerjen e funksionit të legjislativit – i cili është edhe themelues i disa agjencive të pavarura – apo në mosekzistimin e një qeverie në kuptimin e plotë, përveçse asaj në detyrë”, thotë Ramosaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai i referohet faktit se Kosova ende nuk ka arritur të konstituojë Kuvendin e ri – edhe pse zgjedhjet u mbajtën më 9 shkurt – për shkak të mosmarrëveshjeve politike, dhe për pasojë funksionon me qeveri në detyrë.

Pavarësisht kësaj, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka përshkruar daljen e Kosovës jashtë Listës së Shteteve të Brishta si rezultat të “punës së vazhdueshme dhe të përkushtuar” të qeverisë së tij gjatë katër vjetëve të fundit.

“Dhe është vetëm një hap drejt arritjeve që do të vijnë”, ka shkruar ai në X.

A ka rrezik që Kosova të rikthehet në listë dhe çfarë duhet të bëjnë autoritetet?

Bektashi nuk beson se Kosova mund të rikthehet në gjendjen që ishte, sa i përket trajtimit nga Banka Botërore dhe FMN-ja.

Sipas tij, vendimmarrjet në këto dy institucione financiare “janë shumë të ndërlikuara për t’u kthyer pas”.

“Unë mendoj se me konstituimin e Kuvendit, si dhe të Qeverisë, ne do të kemi një derdhje të konsiderueshme të mjeteve, qoftë nga këto dy institucione, por edhe nga ana e BE-së. Do të liberlalizohet ekonomia dhe do të kemi më shumë investime të huaja”, thekson ai.

Ramosaj ndan të njëjtin mendim, duke theksuar se vendimet e Bankës Botërore dhe FMN-së për Kosovën janë rezultat i një procesi të kujdesshëm dhe të gjatë.

“Do të thotë, është një databazë e fuqishme që u jep atyre një domethënie për një vendim. Edhe për ta marrë një vendim tjetër eventual, në rastin më të keq… ai nuk mund të merret menjëherë. Duhet të ndodhë dekadencë në kuptimin e institucioneve, varfërisë, politikës dhe pastaj mund të ndodhë”, thotë Ramosaj.

Të dy ekspertët rekomandojnë që Kosova të vazhdojë t’i forcojë institucionet dhe të zbatojë politika të qëndrueshme ekonomike, duke ndjekur me kujdes sugjerimet e Bankës Botërore, FMN-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të besimit të investitorëve./REL

Në Euro-Aeroportin e Bazelit pothuajse çdo fluturim vonohet

Një vështrim në listën e nisjeve në EuroAirport në Bazel të premten i bën shumë pasagjerë të ulen dhe ta vënë re. Pothuajse çdo fluturim vonohet! Mesatarisht, vonesat janë midis 20 dhe 30 minutave, por disa ngritje vonohen për më shumë se një orë. Makthi i çdo udhëtari.

Megjithatë, Euroairport nuk e sheh veten përgjegjës për këtë, siç raporton Basler Zeitung. Shkaku besohet të jetë Autoriteti Francez i Aviacionit Civil, i cili është përgjegjës për kontrollin e trafikut ajror në Euroairport. Autoriteti kohët e fundit riorganizoi zonat. Si rezultat, parametrat e monitorimit në Bazel janë rritur ndjeshëm. “Kjo do të thotë se duhet të monitorohen dukshëm më shumë fluturime – duke përfshirë mbërritjet, nisjet dhe fluturimet – gjë që kërkon më shumë personel”, tha Euroairport për gazetën, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Një në pesë pozicione të lira

Autoriteti Francez i Kontrollit të Trafikut Ajror (DSNA) i konfirmoi Basler Zeitung se një në pesë pozicione të kontrollit të trafikut ajror në EuroAirport është aktualisht i lirë. Kjo po çon në vonesa.

Problemi nuk do të zgjidhet së shpejti. Meqenëse trajnimi për t’u bërë kontrollor i trafikut ajror zgjat dy vjet, DSNA nuk mund t’i mbushë vendet e lira menjëherë. Pra, gjatë pushimeve verore, aeroporti i tretë më i madh i Zvicrës ka një problem me personelin – dhe do të mbetet i tillë për të ardhmen e parashikueshme.

DSNA ka marrë masa për ta mbajtur mungesën sa më të vogël të jetë e mundur. Për shembull, kontrollorët e trafikut ajror nga rajone të tjera aktualisht punojnë në Bazel. Në të njëjtën kohë, vëllimi i fluturimeve në EuroAirport po rritet me shpejtësi. Rekordi i pasagjerëve pritet të tejkalohet këtë vit. Aktualisht është 9.1 milion pasagjerë nga viti 2019.

Bashkimi Evropian, i shqetësuar për vonesat në Kosovë, Plani i Rritjes me afat të kufizuar

Nga Komisioni Evropian janë shprehur të shqetësuar për faktin se në Kosovë ende nuk janë formuar institucionet, gjë që po vonon ratifikimin e marrëveshjeve të nevojshme për zbatimin e Planit të Rritjes.

Kosova ka të drejtë të përfitojë nga fondet e parafinancimit menjëherë pasi të ratifikohen të gjitha marrëveshjet, por për këtë duhet së pari të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria e re.

“Plani i Rritjes është instrument me afat të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që vendi të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ky Plan ofron për qytetarët e tij,” – thuhet në mesazhin e Komisionit Evropian, transmeton albinfo.ch.

Tutje, raportohet se vetëm pas përmbushjes së të gjitha kushteve, mund të bëhet lirimi i fondeve, shkruan RTK.

Plani i Rritjes konsiderohet si paketa më ambicioze e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Bëhet fjalë për një fond prej 6 miliardë eurosh, që do të shpërndahet në formë grantesh dhe kredish me kushte të favorshme.

Në raport me numrin e banorëve, Kosova pritet të jetë përfituesja më e madhe, me mbi 880 milionë euro që mund të përfitojë nga kjo paketë.

Ndërprerjet e shërbimit të U-Bahn në Berlin nxjerrin në pah problemet sistemike

Trenat në linjën U1 të Berlinit janë pezulluar për një kohë të pacaktuar. E përballur me probleme si me stafin ashtu edhe me infrastrukturën, kompania e transportit të qytetit duket se po përpiqet të mbajë shërbimet.

Për njëmbëdhjetë ditë, çdo treni i tretë në linjën U1 midis Warschauer Straße dhe Wittenbergplatz në Berlin është anuluar gjatë orëve të ditës, raportoi Tagesspiegel të premten. Në mbrëmje, çdo tren i dytë anulohet.

Kompania e transportit komunal të Berlinit (BVG) e kishte ndërprerë përkohësisht U1 atje që nga 7 korriku. Pasagjerët mund të marrin në vend të kësaj U3, i cili lëviz paralelisht përgjatë seksionit të prekur. Trenat e saj kanë qenë të mbushur në mënyrë përkatëse.

I pyetur për koment, BVG shpjegoi në një deklaratë të gjatë: “Për shkak të sfidave të njohura operative… mund të ketë rregullime të përkohshme në linjën U1… Nëse situata operative e lejon, U1 sigurisht që do të lëvizë si zakonisht.”

Megjithatë, një burim i brendshëm thuhet se e përmblodhi atë shumë më shkurt: “Pa shoferë.”

Ndërprerje të mëtejshme të U-Bahn

Sipas Tagesspiegel, BVG nuk sqaroi se kur linja U1 do të fillonte të funksiononte përsëri nga Warschauer Straße.

Që nga mëngjesi i së premtes, faqja e ndërprerjeve të shërbimit të BVG-së vuri në dukje ndërprerjen. Ora e prekur ishte renditur nga ora 4 e mëngjesit më 18 korrik deri në orën 1:30 të mëngjesit më 19 korrik, transmeton albinfo.ch.

Por shoqata e pasagjerëve të Berlinit, Igeb, ka ndjekur ndërprerjet e vazhdueshme të U-Bahn.

“A po funksionon U1 në Kreuzberg sot? Jo,” shkroi Igeb në një postim në Bluesky të enjten. “Dita e dhjetë e mbylljes pothuajse të plotë të linjës, duke rezultuar në përkeqësim të cilësisë së shërbimit në linjën e ngritur të ngarkuar të Kreuzberg.”

Në një postim tjetër në ditën e shtatë të mbylljes së linjës, Igeb kishte shkruar: “Do të ishte më e ndershme të rregullohej zyrtarisht orari i U1…”

Në mënyrë të ngjashme, U4 ka funksionuar vetëm çdo 20 minuta për muaj të tërë.

Orari i BVG-së, siç shfaqet në aplikacionin BVG dhe në platformat e stacioneve, bazohet në orarin teorik dhe jo në të dhëna në kohë reale. Trenat e anuluar dhe ndërprerjet individuale duhet të futen manualisht, prandaj tabelat e shfaqjes ndonjëherë janë të gabuara.

BVG ka theksuar se ndërprerjet në U1 dhe U4 nuk lidhen me probleme strukturore në stacionin Nollendorfplatz. Dëmtimi i tavanit atje do të riparohet duke filluar nga fillimi i vitit 2026, me stacionin që pritet të mbetet i mbyllur për riparime nga janari deri në prill.

Më pak staf, më pak trena

Mungesa e punëtorëve është intensifikuar në të gjitha industritë në Gjermani dhe duket se transporti nuk bën përjashtim. Punëtorët e BVG-së janë ankuar për orare gjithnjë e më të kërkuara pasi stafi është sforcuar.

Këto ankesa kanë tendencë të tërheqin vëmendjen gjatë grevave të transportit publik, më të fundit prej të cilave u zgjidhën në prill dhe rezultuan në një marrëveshje të re kolektive që çoi në një rritje pagash për punëtorët dhe plane për të vendosur kushte për një javë pune 35-orëshe (nga 37.5) deri në vitin 2027, shkruan thelocal.

Por kushtet stresuese të punës – të përkeqësuara nga një fuqi punëtore e zvogëluar – vazhdimisht i lodhin punonjësit. Një shofer autobusi i BVG i tha më parë The Local se si oraret e pandërprera shkurtojnë kohën e pushimit të shoferëve. “Shumë nga kolegët e mi largohen nga profesioni brenda dy viteve”, tha ai.

Sipas BVG, saktësia e metrosë së saj është përmirësuar në fakt në gjashtë muajt e fundit – nga 92 përqind në gjysmën e dytë të vitit 2024 në 93.6 përqind në gjysmën e parë të këtij viti.

Por të paktën një pjesë e kësaj saktësie të përmirësuar mund të jetë për shkak të një pakësimi të qëllimshëm të shërbimeve. Shërbimet e autobusëve të BVG u reduktuan në vitin 2023, për shembull, në një përpjekje për të vendosur orare që mund të mbështeteshin më mirë.

Një shkëndijë shprese për shërbime të përmirësuara është një rritje në numrin e aplikimeve për punë që kompania ka marrë që kur nënshkroi një marrëveshje të re kolektive pune me Verdi në fillim të këtij viti. BVG thotë se ka punësuar 800 persona deri më tani në vitin 2025, me qëllim punësimin e 700 të tjerëve deri në fund të vitit.

Megjithatë, sistemi i transportit publik të Berlinit është gjithashtu i prekur nga infrastruktura e vjetër, duke përfshirë tunelet dhe stacionet e U-Bahn-it të rrënuara, si dhe trenat e vjetër.

Për momentin, dhe në të ardhmen e parashikueshme, pasagjerëve do t’u këshillohet të mos presin me padurim U1 midis Warschauer Strasse dhe Wittenbergplatz.

Ushtria zvicerane synon të ripërdorë bunkerët e vjetër

Ushtria po kërkon një zgjidhje “moderne” për bunkerët e saj të mortajave të fortesës së çaktivizuar. Sipas tenderit aktual, qëllimi është t’i shndërrojë ato në qendra të forta mbrojtëse që janë të vështira për t’u sulmuar.

“Duke pasur parasysh peizazhin e kërcënimeve në ndryshim, tani po shqyrtojmë se si ushtria mund t’i përdorë në mënyrë moderne vendet e mëparshme”, thuhet në një njoftim paraprak nga Zyra Federale e Armatimeve (armasuisse) e publikuar në platformën e prokurimit Simap. Tenderi u raportua për herë të parë të shtunën nga gazetat zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) dhe Blick.

Sipas tenderit, zgjidhja e propozuar – e përshtatshme për përdorim nga milicia – duhet të jetë e aftë të godasë si objektiva tokësore të blinduara ashtu edhe të pablinduara, si dhe kërcënime ajrore me fluturim të ulët. Sa herë që është e mundur, infrastruktura ekzistuese e bunkerëve duhet të mbetet e pandryshuar, por e përmirësuar me sisteme moderne armësh. Qëllimi është të kemi një sistem që mund të jetë funksional brenda vetëm pak orësh.

Thirrja për propozime duket se synon startup-et, kompanitë dhe universitetet që punojnë në teknologjitë e lidhura me sigurinë, sipas listës në Simap. Më shumë detaje do të ndahen në një ditë inovacioni të organizuar nga Shoqata Zvicerane për Teknologji dhe Forca të Armatosura (STA) në mesin e shtatorit. “Ne po kërkojmë ide nga të gjithë sektorët, jo vetëm nga mbrojtja”, shkruan STA në ftesën e saj. Qëllimi është të nxisin partneritete dhe projekte të mundshme midis pjesëmarrësve, transmeton albinfo.ch.

Në përgjigje të luftës në Ukrainë, ushtria ndaloi shitjen e bunkerëve të saj në vitin 2023. Në atë kohë, Shefi i Ushtrisë Zvicerane Thomas Süssli i tha kompanisë mediatike Tamedia se ushtria po rishikonte katalogun e saj të objekteve të komandës dhe luftimit. “Ne duhet të përdorim atë që kemi”, tha ai. Tani, sipas një njoftimi paraprak nga armasuisse, qëllimi është të gjendet një zgjidhje efektive për vendet e vjetra të mortajave në fortesën e vjetër – një zgjidhje që është si me kosto efektive ashtu edhe që kërkon personel minimal.

Shoferët po përballen me kolona deri në 11 km në tunelin Gotthard

Rreth orës 8 të mëngjesit të së shtunës, trafiku që shkonte në tunelin Gotthard kishte arritur në një radhë prej 11 kilometrash në hyrjen veriore – shoferët përballeshin me një pritje prej një ore e 50 minutash.

Më herët gjatë mëngjesit, një bllokim trafiku prej katër kilometrash ishte formuar gjithashtu në pikën kufitare Chiasso-Brogeda me Italinë, sipas Touring Club Suisse, teksa raportohet se kolonat e gjata kanë zgjatur gjatë tërë ditës, transmeton albinfo.ch.

Të premten pasdite, një bllokim trafiku prej dhjetë kilometrash ishte regjistruar tashmë në hyrjen veriore të Gotthard.

Autostrada A2, e cila shkon nga Bazeli në Chiasso, në kantonin Ticino, nëpërmjet tunelit Gotthard, shpesh është shumë e mbingarkuar gjatë fundjavave, festave zyrtare dhe gjatë udhëtimeve gjatë festave të pikut. Rrugët alternative përfshijnë tunelin San Bernardino dhe Qafën Simplon.

Ndryshimet e motit, gjasat për stuhi përhapen në të gjithë Zvicrën

Të shtunën pasdite, moti mbeti me diell dhe veror në shumë rajone të Zvicrës. Temperaturat në shumë vende inkurajuan aktivitetet në natyrë.

Por deri në fillim të pasdites, moti kishte ndryshuar tashmë. Retë gjithnjë e më të dendura u zhvendosën nga jugperëndimi. Pak më pas, u zhvilluan stuhitë e para, ndonjëherë të forta. Fronti i stuhisë u përhap, shkruan 20minuten, ndërsa raportohet se moti pritet të qetësohet më vonë në mbrëmje, transmeton albinfo.ch.

Zvicra Qendrore dhe pjesë të kantonit të Bernës u prekën veçanërisht fillimisht. Qelizat e stuhive aktive atje vazhduan të lëviznin drejt verilindjes. Pak para orës 3 pasdite, pikat e para të shiut ranë edhe në Cyrih. Ndryshimi i motit pritet të ndihet qartë edhe në Zvicrën Lindore së shpejti.

Stuhitë do të shoqërohen nga një erë jugperëndimore që po freskohet. Erëra të forta deri në forcë stuhie janë të mundshme, veçanërisht pranë stuhive, sipas MeteoSwiss. Era do të jetë gjithashtu e fortë herë pas here në male. Fokusi i motit të ashpër do të jetë përgjatë zinxhirit alpin, ku priten stuhi të tjera lokale.

Moti pritet të qetësohet përkohësisht në mbrëmje. Intensiteti i stuhive pritet të ulet, dhe era gjithashtu do të dobësohet gjatë natës.

Mbi 8 orë pritjet për të hyrë në Kosovë te Dheu i Bardhë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, e cila operon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës ka njoftuar në përditësimin e fundit se po vazhdojnë kolonat e gjata për të hyrë në Kosovë.

Sipas njoftimit pritjet më të gjata janë regjistruar në hyrje të Kosovës tek Dheu i Bardhë me mbi 500 minuta – mbi 8 orë, transmeton albinfo.ch.

Deri në dy orë janë pritjet për të hyrë nga Kosova në pikën kufitare në Muçibabë, ndërsa në pikat e tjera nuk janë regjistruar pritje të gjata.