Një rrëshqitje dheu kërcënon rajonin e Liqenit Oeschinen

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, rrëshqitjet e dheut janë përshpejtuar mbi Kandersteg në Bernese Oberland, përcjell albinfo.ch.

Për shkak të një rreziku të konsiderueshëm të rrëzimit të shkëmbinjve, një pjesë e rajonit është e mbyllur për shëtitësit – përfshirë vendin e njohur turistik, Liqenin Oeschinen (Oeschinensee).

Gjithashtu në rrezik është zona e vendosur në anën e djathtë të lumit Oeschibach, ndërsa ai rrjedh lart në liqen nga Kandersteg. Ai përfshin zonën e përjashtimit të përhershëm dhe shtratin e lumit në rrjedhën e poshtme në Pyllin Oeschi. Nivelet e rrezikut variojnë nga “i konsiderueshëm” në “i moderuar”.

Nëse planifikoni të vizitoni këtë zonë, së pari kontrolloni përditësimet dhe këshillat e udhëtimit në faqen e internetit të bashkisë së Kandersteg.

Pasaportat më të fuqishme në botë, ja ku renditet Kosova

Kompania londineze Henley & Partners, e cila ofron këshillim për shtetësinë, ka publikuar një listë të rishikuar të pasaportave “më të fuqishme” në botë, transmeton albinfo.ch.

Pasaporta e Singaporit dhe ajo e Japonisë janë të parat në listë, pasi me to mund të udhëtosh në 192 vende, pa pasur nevojë për vizë. Sipas këtij klasifikimi, përfshihen 193 shtete dhe gjashtë territore, transmeton albinfo.ch.

Kur bëhet fjalë për vendet e Ballkanit, vlen të theksohet se Shqipëria kësaj radhe është renditur në vendin 43.

Ndërkohë, pasaporta kosovare është renditur në vendin e 82. /Albinfo.ch

Zvicra, ndër shtetet me pasaportën më të fuqishme në botë

Pasaporta zvicerane renditet ende lart në krahasimin ndërkombëtar, transmeton albinfo.ch.

Zvicra mban vendin e pestë në renditjen e vitit 2025 të pasaportave më të “fuqishme” në botë, të publikuar javën e kaluar nga konsulenca Henley & Partners.

I përditësuar dy herë në vit, indeksi vlerëson lirinë e lëvizjes së ofruar nga secila pasaportë, bazuar në të dhënat nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA). Ai merr në konsideratë vendet e arritshme pa vizë, me vizë në mbërritje ose nëpërmjet autorizimit elektronik.

Qytetarët zviceranë tani mund të hyjnë në 187 vende pa vizë – nga 190 në vitin 2024. Tre vendet për të cilat tani kanë nevojë për vizë janë Burkina Faso, Mauritania dhe Pakistani.

Zvicra është lënë pas nga fqinjët Franca, Gjermania dhe Italia, qytetarët e të cilave mund të udhëtojnë në 192 vende pa viza.

Pse Zhegrova nuk u ftua nga Lille në kampin stërvitor?

Bëhet e ditur se trajneri i Lille, Bruno Genesio, nuk e ka ftuar Edon Zhegrovën për kampin stërvitor që skuadra franceze e mban në Iserlohn të Gjermanisë, përcjell albinfo.ch.

Në listën e futbollistëve të ftuar për kamp, që e publikoi Lille të hënën në faqen zyrtare, mungon emri i Zhegrovës.

Genesio ka ftuar 29 futbollistë.

Sulmuesi i krahut ka kohë që nuk po ushtron me ekipin e parë të Lillet. Ai po stërvitet individualisht.

Reprezentuesi i Kosovës e dëshiron largimin nga klubi francez në afatin kalimtar të kësaj vere.

Ai nuk ka luajtur që nga 14 dhjetori i vitit të kaluar për shkak të një lëndimi.

Skuadra që ka shprehur interesim për transferimin e 26-vjeçarit është Napoli. Ka interesim edhe nga disa skuadra të tjera. Por mbetet të shihet se ku do ta vazhdojë karrierën Zhegrova.

Me Lillen ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.

Italianët nisin ‘të braktisin’ Shqipërinë, bien hyrjet në qershor

Derisa italianët ishin të joshur vitet e fundit nga ideja e pushimeve të lira në Shqipëri duket se llogaritë u kanë rezultuar ndryshe tek pushimet verore, përcjell albinfo.ch.

Për herë të parë që nga nisja e “bumit” të italianëve drejt vendit tonë, qershori 2025 bëri kthesë negative. Ky grup shënoi një rënie me 4 për qind në muajin e gjashtë të vitit krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Në qershor shifrat e hyrjes së të huajve sipas shteteve tregonin se ishin 111 mijë italianë që hynw nw vendin tonë. Një vit më parë kjo shifër ishte rreth 116 mijë.

Tur-operatorët vendas paralajmëruan në fund të majit se rezervimet paraprake individuale të verës përgjatë bregdetit sidomos në Vlorë dhe Sarandë ishin më të ulëta dhe këtu duket se bën pjesë edhe grupi i italianëve. Këta të fundit vendosen përgjithësisht në verë përgjatë Vlorës, Durrësit dhe Sarandës.

Rënies së rezervimeve i dha zë gjatë korrikut edhe një artikull i Corriere Della Sera që citonte agjencitë italianë për një rënie të rezervimeve drejt Shqipërisë si efekt i rritjes së çmimeve.

Sipas këtij artikulli vendi ynë ofronte një raport të mirë cilësi/çmim por tashmë ajo nuk ekziston. Njëkohësisht një qasje e re e rajonit të Puglias që është një nga më të frekuentuarat në sezonin veror ka bërë që italianët ta shohin më të leverdishëm qëndrimin në vendin e tyre pasi çmimet kanë pësuar një normalizim.

Sa i takon 6-mujorit janar-qershor. Shqipërinë e vizituan 510 mijë italianë me një rritje 5 për qind në raport me janar-qershor 2025. Italianët janë kthyer në vizitorë gjithëvjetorë të Shqipërisë në një miks mes turizmit të fundjavës, atij kulinar por sidomos atij shëndetësor që ka vite që konsolidohet për të mos folur këtu edhe për udhëtimet e biznesit.

Të gjitha këto kanë mbajtur një numër të qëndrueshëm në këtë pjesë të parë të vitit por ajo që bie në sy është ngadalësimi i rritjes. Një vit më parë rritja në 6-mujorin e parë ishte rreth 57 për qind ndërkohë që tashmë vetëm 5 për qind.

Ngadalësimi apo me keq rënia e numrit të vizitorëve nga Italia duhet të jetë një kambanë për mënyrën sesi turizmi është lënë të zhvillohet pa një orientim të saktë. Ky grup është i dyti më i rëndësishëm pas Kosovës i cili edhe ai ka pasur lëkundjet e veta në dy vitet e fundit si efekt i liberalizmit të vizave por edhe zhvlerësimit të euros. Për 6 mujorin 2025, hyrjet e shtetasve nga Italia zinin 11% të totalit dhe ata nga Kosova 34.5%.

Sulm me armë në Nju-Jork: Pesë të vdekur, mes tyre edhe sulmuesi

Raportohet se katër persona, ndër ta një polic, kanë humbur jetën pasi një sulmues i armatosur hyri në një ndërtesë të Manhattanit në Nju-Jork dhe hapi zjarr ndaj tyre, kanë bërë të ditur zyrtarët.

Krahas kësaj, një tjetër person raportohet se është në gjendje kritike shëndetësore, teksa dorasi ka kryer vetëvrasje.

Dorasi 27-vjeçar, Shane Tamura, nga Las Vegasi, hyri në një ndërtesë në Park Avenue të Manhattanit të hënën në mbrëmje dhe hapi zjarr në hollin kryesor, përpara se të merrte ashensorin për në katin e 33-të me qëllimin për të vazhduar sulmin e tij, ka raportuar BBC.

Autori i sulmit duket se kishte udhëtuar me makinë nga Las Vegasi drejt bregut lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Policia ka njoftuar se ai ishte i njohur për probleme të shëndetit mendor gjersa janë ende në kërkim të motivit për sulmin.

Ndërtesa shumëkatëshe është seli e Ligës Kombëtare të Futbollit Amerikan (NFL), si dhe e gjigantëve financiarë si “Blackstone”, “KPMG” dhe kompanive të tjera të mëdha.

Komisionerja e Policisë së New Yorkut, Jessica Tisch, ka deklaruar se autori kishte vepruar i vetëm. 

Në konferencën për shtyp, ajo ka bërë të ditur se një tjetër viktimë ishte qëlluar dhe se ndodhet në “gjendje kritike por të qëndrueshme”.

Oficeri i vrarë, Didarul Islam, emigrant nga Bangladeshi dhe baba i dy fëmijëve, kishte shërbyer në Departamentin e Policisë së New Yorkut për tre vjet e gjysmë.

Zyrtarët lokalë dhe autoritetet e nderuan Islamin, duke thënë se ai vdiq si një “hero”.

“Ai po bënte punën që i kishim kërkuar të bënte. E bëri sakrificën më të madhe”, ka thënë Tisch.

Sekuestrohen gjashtë armë në Pejë

Policia në rajonin e Pejës gjatë javës që shkoi ka sekuestruar një numër të konsiderueshëm të armëve dhe municionit.

Sipas njoftimit nga Policia, nga data 21.07.2025 – 28.07.2025 janë gjetur dhe sekuestruar:Gjashtë (6) armë pistoleta të llojeve të ndryshme. Tetëdhjetë e shtatë (87) fishekë kalibra të ndryshëm. Shtatë (7) karikatorë të armëve përkatëse. Gjashtë (6) gëzhoja. Katër (4) nga këto armë janë gjetur dhe sekuestruar në ahengje.

“Janë arrestuar nga zyrtarët policorë gjashtë (6) persona të dyshuar, të cilët pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër të prokurorit të Shtetit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Xhaka zbarkon në Angli për t’u bashkuar me klubin e ri

Bëhet e ditur se Granit Xhaka është fotografuar duke zbritur në Wearside (Sunderland) për të kryer kontrollin mjekësor, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje për një transfertë prej 20 milionë euro nga Bayer Leverkusen, përcjell albinfo.ch.

Xhaka ishte shumë i rëndësishëm për Bayer Leverkusen dhe trajneri i ri, Erik ten Hag, më parë kishte deklaruar se klubi nuk kishte ndërmend ta shiste, për shkak të rolit të tij udhëheqës

Sunderland ka bërë një investim të madh këtë verë, me të paktën 100 milionë euro të shpenzuara për afrim të lojtarëve si Simon Adingra, Habib Diarra, Chemsdine Talbi, Noah Sadiki dhe Enzo Le Fée duke e bërë Xhakën një ndër nënshkrimet më spikature të fushatës për konsolidimin në Premier League.

FSK i bashkohet operacionit për gjetjen e trupit të mërgimtarit në liqenin e Ujmanit

Së fundmi, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se njësitet e specializuar të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të martën në mëngjes janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit i cili është hedhur në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin-Potokut, përcjell albinfo.ch. 

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe ti lehtësohet dhimbja familjes”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

Të dielën një mërgimtar dyshohet se është mbytur pasi është hedhur nga ura në Liqenin e Ujmanit.

 

Livia Sadikaj shpallet studentja më e mirë e vitit në ACT College Thessaloniki

Bëhet fjalë për Livia Sadikaj, e cila ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm akademik duke u shpallur studentja më e mirë e vititACT College Thessaloniki në Greqi, transmeton albinfo.ch.

E diplomuar në fushën e Administrimit të Biznesit, ajo është nderuar me çmimin prestigjioz “Elizabeth Yphantis Demeter Memorial Prize for Excellence in Business Administration”, një vlerësim që i jepet studentëve me arritje të larta akademike dhe cilësi të rralla personale.

Livia është dalluar jo vetëm për rezultatet në studime, por edhe për aftësitë e saj kërkimore, shkathtësitë në lidership dhe qasjen gjithëpërfshirëse që ka treguar gjatë gjithë rrugëtimit të saj universitar. Ajo ka lënë gjurmë në institucionin ku ka studiuar, duke u bërë shembull frymëzimi për të gjithë bashkëmoshatarët e saj.

Ky sukses i Livias është një dëshmi e përkushtimit, punës së palodhshme dhe ambicies për të qenë më e mira në çdo fushë që synon. Ajo përfaqëson me dinjitet dhe krenari të gjithë komunitetin shqiptar në arenën ndërkombëtare të arsimit.

Një emër për të cilin do të dëgjojmë edhe shumë në të ardhmen, Livia Sadikaj, një model për gjeneratat e reja./Albinfo.ch

Gjendja në pikat kufitare mëngjesin e sotëm

Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar ka përditësuar të dhënat në lidhje me gjendjen në pikat kufitare, shkruan albinfo.ch. 

Sipas përditësimit të fundit, situata paraqitet e qetë në të gjitha pikat.

Me rritjen e ardhjeve të mërgimtarëve, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të informohen paraprakisht për gjendjen në kufi, për të shmangur pritjet e gjata gjatë ditëve në vijim.

 

Në kryeqytetin e Kosovës jehoi zëri i dy operistëve shqiptarë me famë botërore

Prishtina përjetoi një mbrëmje magjike nën tingujt e operës, ku zërat e dy emrave të mëdhenj të skenës operistike shqiptare, Ramë Lahaj dhe Marigona Qerkezi, u bashkuan për herë të parë në një performancë të përbashkët, shkruan albinfo.ch.

Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj”, i cili tashmë është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme kulturore në Kosovë dhe më gjerë, publiku pati mundësinë të dëgjojë një interpretim të veçantë dhe emocional të aries nga opera “Tosca” e kompozitorit italian Giacomo Puccini.

Kjo paraqitje, e cila u realizua në formë të një “bis”-i për publikun, u mbajt në hapësirën para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe përbën herën e parë që sopranoja Marigona Qerkezi dhe tenori Ramë Lahaj ndajnë të njëjtën skenë.

Interpretimi i tyre i jashtëzakonshëm i dha një dimension të ri atmosferës së Prishtinës, duke sjellë për publikun një përjetim artistik të nivelit më të lartë. Kjo dalje në skenë vjen në një moment të rëndësishëm për Qerkezin, e cila së shpejti do të ngjitet në skenën prestigjioze të Operës Mbretërore të Kopenhagës me të njëjtën arie.

Ky bashkëpunim simbolik mes dy artistëve të shquar është një dëshmi e fuqisë së artit për të bashkuar dhe frymëzuar, si dhe e ngritjes së kulturës shqiptare në skenat më të rëndësishme ndërkombëtare.

FIFA akuzon sindikatën e lojtarëve për mashtrim dhe shantazh

FIFA ka ngritur akuza të rënda ndaj FIFPro-s, sindikatës ndërkombëtare të futbollistëve, duke e akuzuar për “shantazh”, “mashtrim” dhe mungesë transparence në lidhje me financat e saj. Në një reagim të fortë publik, FIFA theksoi se FIFPro ka përdorur sulme personale dhe mungesë respekti, duke pohuar se kjo sindikatë nuk përfaqëson më realisht interesat e lojtarëve.

Tensionet mes dy organizatave janë shtuar ndjeshëm për shkak të kalendarit gjithnjë e më të ngjeshur të ndeshjeve dhe shqetësimeve për shëndetin e futbollistëve. Para finales së Kupës së Botës për Klube, FIFA vendosi të sigurojë të paktën tre javë pushim gjatë jashtë sezonit dhe 72 orë ndërmjet ndeshjeve – vendime të marra pa praninë ose kontributin e përfaqësuesve të FIFPro-s.

“FIFPro ka preferuar të zgjedhë konfliktin publik në vend të një bashkëpunimi të sinqertë,” deklaroi një zëdhënës i FIFA-s. Ai theksoi se reformat e reja janë në funksion të mbrojtjes së lojtarëve, duke përmendur si shembull futjen e pesë zëvendësimeve dhe protokollet e tronditjeve si hapa konkretë.

Nga ana tjetër, kreu i FIFPro-s, Sergio Marchi, e kritikoi FIFA-n se po vë përfitimin financiar mbi shëndetin e lojtarëve, duke përmendur shembullin e Kupës së Botës për Klube që u zhvillua në kushte ekstreme. Ai vuri në dukje se Chelsea, fituesi i këtij turneu më 13 korrik, kishte vetëm 35 ditë pushim para fillimit të sezonit të Premier League – një periudhë që konsiderohet e pamjaftueshme për rikuperim.

FIFPro ka akuzuar gjithashtu FIFA-n për sjellje autoritare dhe për neglizhimin e kërkesave të lojtarëve. Deri tani, 58 sindikata lojtari kanë shprehur shqetësime të ngjashme.

Në fund, FIFA i ka bërë thirrje FIFPro-s që të rikthehet në dialog, por vetëm pasi të ndalojë presionin publik dhe të publikojë të dhënat financiare, statutet dhe listën e plotë të anëtarëve që ajo pretendon se përfaqëson.

Çmimet e ulëta të Uber ndezin zemërimin e taksistëve në Ticino

Ka kaluar një vit që nga ardhja e shërbimit të transportit privat Uber në kantonin jugor të Ticinos. Ndërsa kompania amerikane e konsideron zgjerimin e saj si një sukses, reagimet nga taksistët lokalë dhe autoritetet janë të përziera.

Sipas Uber, aplikacioni ka pësuar rritje të ndjeshme në Lugano dhe në të gjithë kantonin. Dhjetëra shoferë taksish apo automjetesh me qira kanë mundur të rrisin të ardhurat përmes kësaj platforme. Kompania thekson se synon të bashkëpunojë me autoritetet dhe shoferët për të maksimizuar ndikimin pozitiv në rajon.

Megjithatë, sindikata Unia ka kërkuar qartësi ligjore, veçanërisht pasi Gjykata Federale në Zvicrën frëngjishtfolëse ka vendosur që Uber duhet të trajtohet si punëdhënës dhe të paguajë kontributet sociale. Në Ticino, ky status mbetet i paqartë.

Në nivel politik, gjithashtu mungon vendosmëria. Ndërkohë që një mocion për standardizimin e sektorit të taksive në nivel kantonal është ende në pritje, autoritetet lokale dhe kantonale hezitojnë të marrin përgjegjësi, transmeton albinfo.ch.

Reagime të ndryshme nga taksistët Gazetarët e RSI kanë intervistuar taksistë në Locarno, Bellinzona dhe Lugano. Disa prej tyre thonë se Uber ua ka vështirësuar ndjeshëm punën, ndërsa të tjerë e përdorin vetë platformën për të parë nëse u leverdis. Ka edhe nga ata që nuk vërejnë ndryshime të mëdha, për shkak të klientelës së qëndrueshme.

Kritika për strategjitë e çmimeve Marco Ruocci, nënkryetari i Shoqatës së Taksistëve në Lugano, kritikon çmimet agresive të Uber-it, duke theksuar se është pothuajse e pamundur të konkurosh. Ai përmend se tarifa lokale është rreth 4.60 franga për kilometër, ndërsa Uber ofron udhëtime për vetëm 1 frang.

Ruocci thotë se shërbimi luksoz UberX e ka përkeqësuar situatën, duke ofruar makina luksoze me çmime më të ulëta se shërbimet standarde. Ai kërkon dialog me autoritetet, por thekson se ende nuk është e qartë se kush është përgjegjës për këtë çështje – komuna apo kantoni.

Rritet puna në bizneset kosovare falë diasporës

Mërgata vazhdon të jetë një faktor kyç për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e punës dhe aktivitetit në sektorin e bizneseve. Vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, nga diaspora u dërguan mbi 530 milionë euro, një rritje e ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit theksuan për televizionin publik të Kosovës se kjo rritje në dërgesa është një infuzion jetik për bizneset vendore, duke sjellë më shumë punë dhe fluks aktiviteti, veçanërisht gjatë sezonit veror kur mërgimtarët vijnë për pushime në Kosovë. Nga kjo odë theksuan se nga 26 korriku ka nisur të rritet fluksi i punës për shkak të ardhjes së mërgimtarëve, përcjell albinfo.ch.

Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se dërgesat nga emigrantët janë në rritje të vazhdueshme, duke shënuar më shumë në muajt pasues, ndërsa më së shumti kontribuojnë vendet si Gjermania, Zvicra, Italia dhe Austria.

Njohës të ekonomisë vlerësojnë se ky rol i diasporës është thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit, duke nxitur rritjen e punës dhe zhvillimin e bizneseve.

Albulenë Kastrati, ligjëruese universitare në Amerikë, tha se është e rëndësishme që Kosova të organizojë aktivitete për mërgatën e po ashtu të zhvillojë politika për tërheqjen e investimeve nga ta.

Sa u përket investimeve të huaja nga Ministria e Industrisë i kanë thënë RTK-së se ka një trend të qëndrueshëm të tyre, për çka sipas MINT po reflektohet besimi i investitorëve në ekonominë e vendit.

Greta Thunberg viziton Kosovën: Aktivistja e njohur ndalet në Reporting House

Aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e mjedisit, Greta Thunberg, po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë. Sot, ajo vizitoi muzeun Reporting House, ku pati mundësinë të njihej më nga afër me historinë e aktivizmit qytetar në vend.

Gjatë qëndrimit të saj në muze, Thunberg u takua me përfaqësues të organizatës Termokiss dhe grupe të tjera rinore nga Kosova. Ajo kaloi dy orë në muze, duke u informuar për protestat dhe rezistencën qytetare të viteve ’90, përmes një ekspozite që ndriçon këtë pjesë të rëndësishme të historisë kosovare.

Greta u mirëprit nga producentja Jeta Xharra dhe kuratori i muzeut Gazmend Ejupi. Së bashku me artistin e ri Vullnet Jakupi, ata prezantuan veprat e artit bashkëkohor që trajtojnë temat e aktivizmit dhe drejtësisë shoqërore, përfshirë instalacionin “Shkollat-Shtëpia” nga vetë Jakupi.

Më tej, Thunberg vizitoi edhe Galerinë e Reporting House, ku është e ekspozuar vepra “Fragmente të mbijetesës” nga artisti 18-vjeçar nga Gaza, Hussein al-Jerjaëi. Ekspozita trajton realitetin e dhimbshëm të jetës nën rrethim dhe luftë.

Sipas një komunikate nga Reporting House, Thunberg shprehu interes për reagimin e politikës dhe shoqërisë kosovare ndaj ngjarjeve në Gaza. E shoqëruar nga aktivistë të rinj kosovarë, ajo falënderoi përzemërsisht qytetarët për mikpritjen dhe ngrohtësinë.

 

 

Policia e Kosovës apelon për kujdes: Mos kërceni nga ura në Liqenin e Ujmanit

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën në Liqenin e Ujmanit, ku dyshohet se një mërgimtar 33-vjeçar, Rr. Latifi, është hedhur nga ura në një lartësi prej rreth 20 metrash.

Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të njësive të kërkim-shpëtimit, trupi i të riut ende nuk është gjetur, edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga raportimi i rastit.

Lidhur me këtë rast ka reaguar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani. Ai ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe mërgimtarët që vizitojnë zonën që të mos kërcejnë nga ura.

“Qytetarët dhe mërgimtarët nuk duhet ta shohin këtë urë si të papërfillshme për nga lartësia. Vetëm pse kanë parë profesionistë që kërcejnë nëpër media, nuk do të thotë që është e sigurt për ta. Ne tani mund të shpresojmë vetëm të gjejmë trupin,” – tha Elshani, duke theksuar rrezikun dhe dhimbjen e madhe që po përjeton familja e të ndjerit.

Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për mungesën e sinjalistikës në atë pjesë të liqenit dhe theksoi nevojën për masa parandaluese.

“Do të bisedojmë me kompaninë ‘Ibër Lepenci’ për të sqaruar nëse vendosja e shenjave paralajmëruese bie në kompetencën e tyre apo të Komunës. Besoj se kjo do të zgjidhet. Edhe nëse ka tabela, nëse mungon vetëdija, rreziku mbetet i pranishëm,” shtoi ai.

Autoritetet njoftojnë se operacioni i kërkimit do të vazhdojë me intensitet, ndërsa i bëjnë apel të gjithë qytetarëve të shmangin veprimet e rrezikshme dhe të tregojnë kujdes maksimal në zonat e liqenit.

Driton Kuka ngre alarmin për të ardhmen e sportit në Kosovë, thirrje publike edhe për deputetët

Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, ka reaguar fuqishëm në rrjete sociale, duke shprehur shqetësimin e tij për gjendjen aktuale të sportit në Kosovë. Në një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj politikës dhe institucioneve shtetërore, ai ka kërkuar veprim të menjëhershëm.

Në statusin e publikuar këtë të hënë, Kuka u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të reflektojnë dhe të formojnë institucionet përgjegjëse, duke theksuar rëndësinë e tyre për funksionimin normal të shtetit, përfshirë edhe sportin.

“Performanca e grupmoshave të reja ka ngecje serioze, dhe investimi në klube – veçanërisht në trajnerët e grupmoshave – është e vetmja dritë në fund të tunelit”, shkruan Kuka, duke paralajmëruar se mungesa e një strategjie të qartë dhe e mbështetjes sistematike do të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e sportit në vend, transmeton albinfo.ch.

Ai ka propozuar ndërtimin e një Kodi të veçantë buxhetor për sportin, i cili do të mundësonte shpërndarjen e drejtpërdrejtë të fondeve nga niveli qendror në komuna dhe klube sportive, sipas praktikave të vendeve të zhvilluara.

Trajneri shton gjithashtu se rezultatet në EYOF Shkup 2025 janë një “sinjal alarmi” për të gjitha institucionet e sportit në vend. “Rezultatet atje do duhej të shkundin mirë çdo pore të institucioneve tona sportive”, u shpreh ai.

Driton Kuka, një prej figurave më të suksesshme në sportin kosovar, i cili prej vitesh ka ngritur flamurin e Kosovës në arenat më prestigjioze botërore, i drejtohet publikut dhe vendimmarrësve me një thirrje të fortë për ndërgjegjësim dhe veprim konkret në këtë moment kritik për sportin dhe zhvillimin institucional në Kosovë.

 

Turqia shënon temperaturën më të lartë ndonjëherë prej 55°C 

Turqia po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit që ka përfshirë juglindjen e vendit, duke çuar temperaturat në nivele rekord. Në qytetin Sanliurfa, termometri ka arritur në 55 gradë Celsius, temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në historinë moderne të vendit, sipas të përditshmes gjermane Bild.

Edhe qytete të tjera si Kiziltepe, Cizre dhe Nusaybin kanë shënuar temperatura përvëluese përkatësisht me 49.6°C, 49.4°C dhe 49.3°C.

Sipas Ministrisë së Mjedisit në Turqi, 132 stacione meteorologjike në të gjithë territorin kanë raportuar rekorde të reja për muajin korrik. Vala e të nxehtit, që e ka goditur rajonin lindor të Mesdheut që nga fillimi i javës, pritet të zgjasë edhe për disa ditë të tjera.

 

Kapet me 113 km/h në zonë 60, mërgimtari nga Zvicra gjobitet, rasti i përcillet autoriteteve zvicerane

Një mërgimtar shqiptar me leje drejtimi të lëshuar nga autoritetet zvicerane është ndaluar nga Policia e Kosovës në aksin rrugor Gjilan–Kamenicë, pasi u kap duke vozitur me 113 km/h në një zonë ku kufizimi është vetëm 60 km/h.

Bëhet e ditur se ndaj tij është shqiptuar një gjobë prej 300 eurosh për tejkalim të shpejtësisë si dhe një ndalim tre mujor për drejtimin e automjeteve në territorin e Republikës së Kosovës.

Zyrtarët e policisë kanë bërë të ditur se, bazuar në marrëveshjen dypalëshe për bashkëpunim ligjor në fushën e trafikut rrugor mes Kosovës dhe Zvicrës, rasti do t’i përcillet autoriteteve kompetente në Zvicër për veprime të mëtejshme administrative, transmeton albinfo.ch.

“Në pajtim me marrëveshjen ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane, gjoba dhe masa ndëshkuese do të raportohen te institucionet përgjegjëse në Zvicër”, thuhet në njoftim.

 

Autostradat, në qendër të strategjisë diellore të Konfederatës

Në Yverdon-les-Bains po instalohen rreth 2,400 panele diellore fotovoltaike mbi urën më të gjatë të autostradës në Zvicër. Ky është projekti i parë i këtij shkalle në Zvicrën frankofone.

Zyra Federale e Rrugëve (FEDRO) prezantoi të hënën strategjinë e saj për ndërtimin e këtij projekti ikonik. Konfederata po llogarit në këtë lloj instalimesh për të përshpejtuar zhvillimin e energjisë diellore.

Sot, energjia diellore prodhon 7.5% të elektricitetit në Zvicër, me panele të vendosura kryesisht mbi ndërtesa. Infrastrukturat e reja përgjatë rrugëve dhe hekurudhave pritet që në të ardhmen të përmbushin nevojat vjetore të rreth 22,000 familjeve.

Shumëfishimi i instalimeve të vogla

Punimet në urën e Yverdon-les-Bains, një vijë e drejtë 3.5 km e ngritur 10 metra mbi tokë, nisën në maj. Të treta e parë e strukturës është tashmë e pajisur me panele fotovoltaike. Në fund të vitit numri i tyre do të arrijë në 2,400. Synimi është të prodhohet një gigavat-orë, ekuivalent me konsum vjetor të 400 familjeve.

Kjo urë është vetëm hapi i parë: brenda pesë viteve, OFROU planifikon të arrijë prodhimin vjetor prej 35 GWh me 120 instalime të reja dhe 47 GWh në vitin 2035 me 160 instalime. Për të arritur këto objektiva, zgjidhja është shuma e shumë njësive të vogla prodhuese, theksoi Laurent Brugger, drejtues projekti në OFROU, në edicionin e lajmeve në RTS, përcjell albinfo.ch.

Disa instalime do të vendosen në barrierat kundër zhurmës përgjatë autostradave dhe mbi çatitë e shumë pikave të pushimit. Një projekt ekziston, për shembull, në Valais, ku planifikohet të mbulohet 1,600 metra nga autostrada A9 me panele diellore.

“Operacion mjaft kompleks”

Në Yverdon, operacioni është “mjaft kompleks, sepse jemi shumë pranë trafikut rrugor,” shpjegoi René Silva, bashkëdrejtor i kompanisë Helion Energy AG me seli në Solothurn, përgjegjëse për instalimin e sistemeve.

Vendi i zgjedhur duket i favorshëm për instalimin e paneleve diellore. Ato nuk zënë hapësirë të re në tokë: janë pozicionuar në lartësinë e barrierave, si një lloj “spoileri”. Prandaj nuk shkaktojnë reflektime që të shqetësojnë shoferët. Gjithashtu, nuk ka banorë të afërt që të preken nga projekti.

Megjithëse në Zvicër ekzistojnë tashmë 44 instalime të ngjashme, disa projekte të reja janë në proces apelimi në nivele kantonale dhe komunale.

Pasagjerët e avionit shpëtohen gjallë pas uljes emergjente në Liqenin e Lucernit

Dy personat që ishin në avionin që u zhduk në Liqenin e Lucernit të hënën janë gjallë, njoftoi policia e Lucernës pasdite. Mendohet se piloti kishte ndërmend të bënte një ulje emergjente në liqen.

Piloti, një austriak 78-vjeçar, nuk u lëndua, ndërsa një pasagjere tjetër, një grua zvicerane 55-vjeçare, u dërgua në spital me plagë, sipas një njoftimi për shtyp. Kërkimi për avionin e vogël vazhdonte ende në orët e pasdites.