Sot i jepet lamtumira e fundit mërgimtarit që u mbyt në Liqenin e Ujmanit

Mërgimtari 35-vjeçar, Rrahim Latifi, që u mbyt në Liqenin e Ujmanit, do të varroset sot, përcjell albinfo.ch.

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të shtunën në Liqenin e Ujmanit, ku Rrahim Latifi ka humbur jetën.

Latifi ishte me origjinë nga fshati Cerajë, ndërsa jetonte në qytetin Kristianstad të Suedisë.

Trupin e tij, në ditën e tretë të kërkimeve, e kanë gjetur njësitë e specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në orën 16:44, në varrezat e qytetit të Mitrovicës, në Shipol.

Mbante niqab në vend publik: Gjobitet kosovarja në Bernë

Një grua 40-vjeçare nga Kosova është gjobitur në Bernë për mbajtjen e nikabit gjatë blerjeve. Me këtë akt ajo kishte shkelur ndalimin me ligj të mbulimit të fytyrës. Kosovarja ndodhej në një supermarket në Bernë më 6 janar 2025, transmeton albinfo.ch. Ajo mbante nikab, nga i cili dukeshin vetëm sytë.

Duke bërë këtë veprim ajo ka shkelur ndalimin aktual të mbulimit të fytyrës, të cilin e dinte, ose të paktën mund dhe duhej ta dinte, siç deklaron zyra e prokurorit publik të Kantonit të Bernës në urdhrin e saj penal.

Gruaja në fjalë tani është shpallur fajtore për shkelje të ligjit federal që ndalon mbulimin e fytyrës. Ajo do të gjobitet me 100 franga, shkruan 20minuten.ch. Nëse nuk e paguan gjobën, ajo përballet me një dënim me burgim njëditor. Gjoba nuk do të rezultojë në një precedent penal.

Përveç gjobës, gruaja kosovare duhet të paguajë edhe tarifa procedurale prej 100 frangash.

Ndalimi i mbulimit të fytyrës është në fuqi në Zvicër që nga janari i vitit 2025

Që nga 1 janari i këtij viti, në Zvicër ka hyrë në fuqi ndalimi i mbulimit të fytyrës, me pak përjashtime. Kushdo që mbulon fytyrën në hapësira publike, për shembull me burka ose niqab, mund të gjobitet deri në 1,000 franga, përcjell albinfo.ch. Komiteti Egerkingen (që kishte iniciuar ligjin) ka njoftuar së fundmi se kishte marrë 21 raporte në lidhje me niqabët dhe burkat.

Përjashtimet nga ndalimi i mbulimit të fytyrës lejohen vetëm për arsye shëndetësore ose sigurie, për t’u mbrojtur nga kushtet ekstreme të motit ose për të ruajtur zakonet tradicionale: për shembull, maska për fytyrën ose helmeta motorçikletash,  por edhe maska në Karnaval ose maska skijimi në shpatet me dëborë.

Ekspozitë unike me ikonat shqiptare në Francë

Mbi 45 vepra ikonografike të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar do të udhëtojnë nga Korça drejt qytetit historik Chambery në Francë, përcjell albinfo.ch.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se “ekspozita unike do të zhvillohet në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry, ku ikonat e përzgjedhura nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë do të prezantohen për publikun francez dhe ndërkombëtar”.

Gonxhja thekson se ky projekt është pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës dhe do të përfshihet gjithashtu në Komitetin Shkencor Francez, duke thelluar shkëmbimin mes institucioneve muzeale të të dy vendeve.

Ai shton se ekspozita mund të konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të artit shqiptar, që afirmon Korçën si një qendër kyçe të artit mesjetar në Europën Juglindore.

Me një fond prej mbi 8200 objektesh muzeale, prej të cilave 6400 janë ikona, MKAM është muzeu me koleksionin më të madh të ikonave në botë, një thesar i rrallë i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga maji deri në tetor të vitit 2026. Pas Chambery ekspozita do të zhvendoset në një tjetër qytet francez deri në mars 2027.

Sunny Hill Festival këtë vit me edicionin më të madh ndonjëherë

Edicioni i sivjetshëm i Sunny Hill Festival sjell një nivel të ri madhështie, me skena gjigante që premtojnë një përvojë spektakolare për publikun, përcjell albinfo.ch.

Skena kryesore ka përmasa mbresëlënëse: 62 metra gjerësi e mbi 30 metra thellësi dhe 18 metra lartësi, duke krijuar hapësirë për performanca të jashtëzakonshme vizuale dhe muzikore. Dua Lipa, Shawn Mendes, Headie One, Anyma, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Sienna Spiro, Ledri, Yanina, Pint, Tayna, Era e Kida janë veç disa prej emrave që do të performojnë në këtë skenë.

Ndërsa, skena C4 është 34 metra e gjerë e mbi 20 metra thellësi dhe 13 metra e lartë, e dizajnuar për artistët që sjellin energji alternative dhe eksperimentale duke ju mbajtur nën ritme të muzikës deri në orët e para të mëngjesit. Tommy Gold, Peggy Gou, Skream, Fatboy Slim, Bookie, Sugar Rush, Mochakk, Artssassin janë artistët që këtë edicion do performojnë në këtë skenë që këtë vit për herë të dytë, ia shton madhështinë festivalit.

Mos e lini pa vizituar edhe skenën “The next stage”. Organizatorët aty kanë krijuar një vend ideal për ata që kërkojnë një atmosferë të veçantë ku dominojnë zërat e artistëve të rinj.

Por Sunny Hill nuk është vetëm për muzikë. Festivali ofron edhe një përvojë të paharruar kulturore. Në parkun e Festivalit këtë edicion do zënë vend mbi 10 tenda promocinale dhe argëtuese me lojëra interaktive e aktivitet të ndryshme. E aty, do zënë vend edhe mbi 15 vendor të ushqimit që do ofrojnë mundësi të ndryshme për të shijuar opsione me të mira nga kuzhina vendase dhe ndërkombëtare.

E veçanta e këtij edicioni padyshim mbetet fakti se Festivali Sunny Hill, këtë vit sjell më shumë artistë se çdo edicion tjetër. Artistë ndërkombëtarë, yje të skenës botërore bashkë me emra të dashur nga skena vendore dhe rajoni do e bëjnë këtë edicion të paharrueshëm.

Nëse tashmë nuk e keni siguruar biletën tuaj, atë mund ta blini në: https://sunnyhillfestival.com/tickets/

Një shtetas i huaj rrëmbehet dhe rrihet në Prishtinë

Raportohet se një shtetas i huaj ka lajmëruar në polici se është rrëmbyer nga persona të panjohur në orët e hershme të mëngjesit të së martës, më 29 korrik, rreth orës 03:30 në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Referuar dëshmisë së tij, disa persona e kanë futur me forcë në një veturë nën kërcënimin e armës, ku më pas është rrahur dhe kërcënuar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor për lëndimet e marra.

Policia e Kosovës, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ka iniciuar rastin dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Rasti është cilësuar si “rrëmbim” dhe hetimet janë në vazhdim.

Të paktën dy të vdekur pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak në Gjermani

Të paktën dy anëtarë të forcës ajrore gjermane u vranë kur një helikopter në të cilin po udhëtonin u rrëzua gjatë një misioni stërvitor në lindje të vendit, tha të martën Ministria e Mbrojtjes, përcjell albinfo.ch.

Një zëdhënëse e forcës ajrore gjermane i tha AFP-së se dy nga anëtarët e ekuipazhit që vdiqën ishin “me përvojë”, duke shtuar se po zhvillohej një kërkim për anëtarin e tretë.

Helikopteri, i cili ishte marrë me qira për qëllime stërvitjeje, u rrëzua për arsye ende të panjohura në Mulde, një lumë pranë Grimma, Saksoni.

https://x.com/geotechwar/status/1950207290197286913?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1950207290197286913%7Ctwgr%5E3e8a7d26122ea0d450e17740f47c96f1426f30dd%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Ftop-channel.tv%2F2025%2F07%2F30%2Fte-pakten-dy-te-vdekur-pas-rrezimit-te-nje-helikopteri-ushtarak-ne-gjermani%2F

ZRRE: Vendimi për liberalizim të tregut të energjisë nuk shtyhet

Së fundmi, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka deklaruar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike nuk mund të shtyhet, përcjell albinfo.ch.

Përmes një përgjigje, ZRRE-ja ka thënë se zbatimi i tij përbën një obligim ligjor i cili nuk mund të shtyhet mbi baza të kërkesave të palëve të interesit, shkruan Koha.

“Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për dalje në treg të lirë të konsumatorëve që nuk i plotësojnë kushtet për shërbim universal është plotësisht në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike si dhe me kuadrin rregullativ në fuqi. Ky vendim ka për qëllim zbatimin e detyrimeve ligjore për liberalizimin e tregut dhe krijimin e një mjedisi konkurrues, transparent dhe jo-diskriminues. ZRRE është duke monitoruar me kujdes zbatimin e këtij vendimi dhe zhvillimet në treg. Ky vendim nuk mund të shtyhet, pasi zbatimi i tij përbën një obligim ligjor i cili nuk mund të shtyhet mbi baza të kërkesave të palëve të interesit,” thuhet në përgjigje.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se më 31 korrik, të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë.

ZRRE-ja sqaroi se afati 60-ditor i furnizimit të përkohshëm do të përfundojë më 30 korrik.

Ndërkaq, bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.

“Nëse ZRRE nuk merr sot vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, bizneset do të detyrohen të ndërmarrin masa demokratike dhe ligjore të kundërshtimit, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike. Kërkesat për dialog dhe rishqyrtim janë shpërfillur sistematikisht nga ZRRE, duke e thelluar pasigurinë në treg dhe duke e rritur barrën financiare mbi sektorin privat, që tashmë po përballet me sfida të rënda. Paralajmërojmë se përgjegjësia e plotë për çdo pasojë të kësaj krize bie mbi ZRRE-në dhe institucionet që lejojnë zbatimin e këtij vendimi të padrejtë,” thuhet në njoftim.

Tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë godet Rusinë

Një alarm për cunami u lëshua nga autoritetet amerikane pasi një tërmet me magnitudë 8.8 ballë goditi bregdetin rus të Gadishullit Kamchatka rreth orës 23:25 të martën e 29 korrikut, sipas Institutit Amerikan të Gjeofizikës.

Një fuqi që e rendit menjëherë atë midis gjashtë tërmeteve më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë, përcjell albinfo.ch.

Tërmeti ndodhi në një thellësi prej 19.3 kilometrash, rreth 136 kilometra nga qyteti i Petropavlovsk -Kamchatsky, kryeqyteti i rajonit Kamchatka.

Ai shkaktoi të paktën disa të lënduar, sipas autoriteteve.  Autoritetet në rajonin Sakhalin në lindje të largët të Rusisë shpallën gjendje të jashtëzakonshme në Ishujt Kuril veriorë, ku valët e cunamit kanë dëmtuar ndërtesat dhe kanë shkaktuar përmbytje.

“BALFIN Group” i Samir Manes blen godinën ikonike në “zemër” të Vjenës

Biznesmeni i njohur shqiptar, Samir Mane, ka realizuar një nga blerjet më të spikatura jashtë kufijve të Shqipërisë. Një ndërtesë ikonike në zemër të Vjenës, që daton nga viti 1872 dhe që dikur shërbente si një nga hotelet e para luksoze të qytetit, ka kaluar zyrtarisht në pronësi të plotë të BALFIN Group, korporatës së madhe investuese të themeluar nga Mane, transmeton albinfo.at.

Objekti, i njohur për arkitekturën e tij elegante dhe historinë e pasur, do t’i nënshtrohet një procesi të kujdesshëm restaurimi dhe transformimi. Samir Mane, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka vënë në pah rëndësinë e këtij projekti për grupin që ai drejton.

“Ky objekt nuk është vetëm një ndërtim arkitektonik, është një dëshmi e kohës, një simbol i qëndrueshmërisë dhe i transformimit,” ka shkruar ai, duke shtuar se vizioni i BALFIN-it është që ndërtesës t’i rikthehet lavdia e dikurshme, duke ruajtur autenticitetin artistik dhe kulturor, por pa e penguar atë të funksionojë si një hapësirë bashkëkohore në ritmin e nevojave moderne të Vjenës.

Mane thekson se çdo element do të restaurohet me përkushtim, në funksion të një ideje më të madhe që e lidh të kaluarën me të ardhmen.

Ky investim shënon një tjetër hap strategjik në misionin e BALFIN Group për të krijuar vlera afatgjata, duke ndërtuar ura mes trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit ekonomik, jo vetëm në rajon, por në një skenë gjithnjë e më globale. /Albinfo.at

https://www.instagram.com/p/DMqIbw-s_mr/?igsh=aXhqY3UzcTIxNXFz

 

Sa kushton një kafe në Aeroportin e Cyrihut?

Kafeja në Aeroportin e Cyrihut është mes 2.50 deri në 12.80 CHF për një filxhan, varësisht nga vendi ku jeni ulur, transmeton albinfo.ch.

Sipas një krahasimi të bërë së fundmi, çmimet për një kafe variojnë nga vetëm 2.50 CHF në zinxhirë si McDonald’s dhe KFC, deri në 12.80 CHF në Sprüngli, nëse zgjidhni versionin luksoz me Cointreau dhe krem shtesë, transmeton albinfo.ch.

Në zonën tregtare Foodland, çmimet standarde luhaten mes 3.50 dhe 5.50 CHF në vende si Brezelkönig, Coop to go, Roots dhe Züri Kafi. Në Starbucks, një kafe e thjeshtë fillon nga 5.50 CHF, por për një porcion të madh me shtesa mund të paguani deri në 9.70 CHF.

Caffè Spettacolo, Edelweiss Café dhe Bye Bye Bar ofrojnë çmime rreth 4.60–5.50 CHF. Ndërsa më të përballshmet gjenden pranë kioskut në dalje të autobusëve (3.20 CHF) ose në makinat shitëse Selecta (3 CHF), te kompanitë e qirasë së makinave.

Sipas Shoqatës Cafetiersuisse, çmimet e kafesë pritet të rriten edhe më shumë për shkak të kostove në rritje të punës dhe lëndëve të para.

Presidentja Osmani priti në takim tenorin Ramë Lahaj

Mësohet se presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim tenorin e mirënjohur ndërkombëtar, Ramë Lahaj, së bashku me të ftuarit specialë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj”, në kuadër të edicionit të 5-të të këtij festivali prestigjioz që tashmë është bërë pjesë e rëndësishme e kalendarit kulturor evropian, përcjell albinfo.ch.

Në përbërje të delegacionit ishin edhe: Ramón Vargas, një nga tenorët më të mëdhenj të operës botërore, Anita Rachvelishvili, mezzosopranoja gjeorgjiane me famë ndërkombëtare, si dhe dirigjenti Besmir Vokopola.

Presidentja Osmani vlerësoi lart angazhimin e Ramë Lahajt në promovimin e artit dhe të kulturës së Kosovës në skenat botërore, si dhe përkushtimin e tij për t’i sjellë artistët më të mëdhenj të operës ndërkombëtare në Prishtinë, duke ngritur nivelin e skenës kulturore në vendin tonë.

“20 Minuten” i kushton një artikull TikToker-it shqiptar për suksesin e tij në Zvicër

Nga një i ri me humor të spikatur në TikTok, në një artist që po kërkon vendin e tij në skenën muzikore shqiptare, Artani është një emër që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje. Me origjinë shqiptare dhe vetëm 22 vjeç, ai ka arritur të krijojë një komunitet të ngrohtë prej mbi 20 000 ndjekësish që ndjekin me entuziazëm përmbajtjen e tij, transmeton albinfo.ch.

Artani u bë i njohur fillimisht në TikTok me videot e tij komike dhe spontane, ku formati i njohur “Nöd Mis Business” u kthye shpejt në një hit. “Më duhen vetëm disa minuta për video. Thjesht flas lirshëm në kamera dhe e postoj menjëherë,” thotë ai. Falë këtij stili të natyrshëm dhe autentik, ai është bërë një figurë e njohur në rrugët e qytetit, shpesh i ndalur nga fansa që kërkojnë të bëjnë një foto me të.

Por përtej humorit, Artani është një artist i ndjeshëm, i cili përmes muzikës përpunon emocionet që nuk mund t’i shprehë gjithmonë me fjalë. “Kisha nevojë për një rrugëdalje për të çliruar emocionet e mia të ndrydhura,” kujton ai, duke përmendur se këngën e tij të parë e regjistroi tre vite më parë. Këngët e tij janë në gjuhën shqipe dhe përshkruajnë përjetime të thella emocionale, siç është edhe rasti me publikimin e fundit “Nu ke pas faj”, një baladë për një dashuri të humbur dhe betejën mes krenarisë dhe dëshirës për pajtim, shkruan 20 minute.

Artani e përdor TikTok-un edhe si platformë promovuese për muzikën e tij, megjithëse ai vetë e pranon se shumica e ndjekësve nuk janë të vetëdijshëm për këtë anë të tij. Ai beson se barrierat gjuhësore mund të jenë një faktor, por nuk përjashton mundësinë për të publikuar në të ardhmen edhe këngë në gjuhën zvicerano-gjermane. “Dua të publikoj EP-në time të parë më së voni vitin tjetër. Producenti im, Nasty Music, i cili është edhe mentori im muzikor, po më ndihmon me këtë.”

Artani është rritur me dashurinë për skenën. Që në fëmijëri, ai ishte i njohur si “kllouni i klasës”, gjithmonë në kërkim të buzëqeshjes së të tjerëve, edhe nëse kjo e fuste shpesh në telashe me mësuesit. “Për mua ishte më e rëndësishme t’i bëja të tjerët të qeshnin sesa të qëndroja ulur në vend,” thotë ai me sinqeritet. Ai pranon se shpesh ndjehej i keqkuptuar, një ndjenjë që lidhet, sipas tij, edhe me kulturën shqiptare ku “është shumë e rëndësishme të paraqesësh një imazh të përsosur për botën e jashtme”.

Për fat, Artani gjithmonë ka pasur mbështetjen e familjes. “Nëna ime flet po aq sa unë dhe sensin e humorit e kam marrë nga babai,” shprehet ai me dashuri. Ndërsa interneti nuk është gjithmonë një vend i lehtë, ai nuk lejon që komentet negative ta lëndojnë. “Unë vazhdimisht bllokoj komentet me përmbajtje urrejtjeje. Në fund të fundit, rregullat e shtëpisë sime zbatohen në profilin tim.”

I vendosur të mos etiketohet as si influencues, as si muzikant apo vetëm si TikToker, Artani e sheh veten si një artist të plotë – dikë që kërkon të shprehë veten në të gjitha format që i flasin shpirtit të tij. /Albinfo.ch

Tesla po zhvillon makina elektrike me çmim të përballueshëm

Kompania Tesla njoftoi se ka krijuar prototipet e para të një makine elektrike me çmim më të ulët, një strategji kjo për të ndalur rënien e ndjeshme të shitjeve në tregjet ndërkombëtare, raporton Reuters, përcjell albinfo.ch.

Sipas Elon Musk dhe stafit të tij, Tesla përjetoi rënien më të madhe tremujore të shitjeve në më shumë se dhjetë vjet, si dhe një fitim që nuk arriti pritshmëritë e analistëve në Wall Street. Megjithatë, fitimi nga prodhimi i makinave ishte më i mirë se sa pritej.

Tesla pret të nisë prodhimin masiv të modelit të lirë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025, duke shpresuar që kjo do të rrisë kërkesën, përballë konkurrencës së makinave elektrike me çmime më të ulëta, sidomos nga Kina. Po ashtu, kompania po përballet edhe me reagime negative për qëndrimet politike të Elon Musk.

Shefi i Financave të Tesla-s, Vaibhav Taneja, tha në një telefonatë me investitorët se prodhimi i modelit më të lirë do të përshpejtohet në tremujorin e ardhshëm, megjithëse më ngadalë se parashikimet fillestare. Kompania nuk dha informacion të ri për pritshmëritë vjetore të shitjeve.

Analisti Jacob Bourne nga Emarketer tha se rezultatet e dobëta nuk janë surprizë për shkak të sfidave të fundit, por modeli i përballueshëm mund të jetë çelësi për rritjen e shitjeve, nëse pozicionohet siç duhet pa dëmtuar imazhin e makinave premium.

Në tremujorin prill-qershor, të ardhurat ranë në 22.5 miliardë dollarë nga 25.5 miliardë një vit më parë, ndërsa fitimi i rregulluar për aksion ishte 40 cent, më pak se pritshmëria prej 43 cent.

Tesla po përballet edhe me ulje të konsiderueshme të të ardhurave nga shitja e kredive rregullatore për ndotje, të cilat përdoren nga prodhues të tjerë për të përmbushur standardet mjedisore.

Modeli i ri, i cili fillimisht pritej të prodhohej në gjysmën e parë të vitit, është shtyrë disa muaj, dhe kompania nuk ka zbuluar ende detaje për çmimin apo numrin e njësive të planifikuara për prodhim.

Qiratë e banesave në Evropë shënojnë rekorde, vetëm pesë qytete ofrojnë banesa me tre dhoma nën 2,000 euro

Në vitin 2025, çmimet e qirasë në zonat qendrore të shumë qyteteve evropiane kanë arritur nivele shumë të larta, ku vetëm pesë prej tyre ofrojnë apartamente me tre dhoma gjumi me qira më pak se 2,000 euro në muaj, sipas një studimi të fundit nga Deutsche Bank. Londra mbetet qyteti më i shtrenjtë, me një mesatare prej 5,088 eurosh, ndërsa Athina rezulton të ketë çmimet më të ulëta, rreth 1,080 euro.

Analiza përfshiu 28 qytete dhe nxjerr në pah një ndarje të theksuar midis rajoneve më të pasura në veri dhe atyre juglindore, ku kostot e jetesës janë dukshëm më të ulëta.

Në qytetet me qira mbi 3,000 euro përfshihen Cyrihu, Gjeneva, Amsterdami, Parisi, Dublini dhe Kopenhaga – të gjitha vende me rëndësi financiare dhe politike dhe një kërkesë të madhe për banim. Në grupin e qyteteve me qira nga 2,000 deri në 3,000 euro hyjnë Milano, Berlini, Madridi dhe Vjena, që kanë një nivel më të arsyeshëm jetese krahasuar me kryeqytetet më të kushtueshme.

Në fund të listës qëndrojnë Athina, Budapesti, Stambolli, Varshava dhe Helsinkiu, ku qiratë mesatare janë nën 2,000 euro. Kjo pasqyron jo vetëm koston më të ulët të jetesës, por edhe pagat më të ulëta dhe zhvillimin ekonomik më të ngadaltë në këto rajone.

Sipas Eurostat, që nga viti 2020, çmimet e banesave janë rritur me 27.3%, ndërsa qiratë kanë pësuar një rritje prej 12.5%, me tendenca edhe më të forta në qytetet kryesore. Stambolli është shembulli me rritjen më të madhe të qirave për apartamentet me tri dhoma, ku niveli ka shkuar deri në 206% gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa edhe Lisbona, Praga dhe Edinburgu kanë shënuar rritje mbi 70%.

Po ashtu, për apartamentet me një dhomë gjumi, Londra mbetet më e kushtueshmja me 2,732 euro në muaj, ndërsa Athina është më ekonomike, me 595 euro.

Studimi nënvizon se mungesa e ofertës së strehimit, niveli i ulët i të ardhurave dhe procesi i urbanizimit po ndikojnë në rritjen e çmimeve të qirasë në Evropë, duke nënvizuar nevojën për politika të qëndrueshme për përballueshmërinë e banimit. Në të njëjtën kohë, pagat mesatare në qytete si Dubai dhe Sidney janë më të larta se në shumë qytete evropiane, duke e bërë sfidën e aksesit në strehim edhe më të ndërlikuar.

 

Fatkeqësitë natyrore shkaktuan 131 miliardë dollarë dëme në gjysmën e parë të vitit 2025

Sipas të dhënave të publikuara nga kompania gjermane e sigurimeve Munich Re, fatkeqësitë natyrore si zjarret, stuhitë dhe tërmetet kanë shkaktuar dëme ekonomike në vlerën e 131 miliardë dollarëve në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, shifra e dytë më e lartë e regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë që nga viti 1980.

Ndër ngjarjet më të rënda ishin zjarret në Kaliforni, të cilat vetëm në janar shkaktuan humbje prej 53 miliardë dollarësh, duke u cilësuar si zjarri më i kushtueshëm në histori.

SHBA-të u prekën më rëndë, me dëme që arritën në 92 miliardë dollarë, apo rreth 70% të humbjeve globale, për shkak të stuhive dhe tornadove të shumta.

Ngjarja më tragjike ishte një tërmet në Mianmar më 28 mars, ku humbën jetën 4 500 persona.

Ekspertët e Munich Re theksojnë se fatkeqësitë e lidhura me klimën po bëhen më të shpeshta dhe më të ashpra si pasojë e ngrohjes globale.

Nga totali i dëmeve, 80 miliardë dollarë ishin të siguruara, të dyja shifra që i tejkalojnë ndjeshëm mesataret historike të rregulluara për inflacionin.

Për krahasim, vetëm gjashtëmujori i parë i vitit 2011, i shënuar nga tërmeti dhe cunami në Japoni, ka kaluar këtë nivel dëmesh.

 

 

 

Paralajmërim për rënie të ndjeshme të popullsisë aktive në Itali deri në vitin 2050

Italia rrezikon të përballet me një rënie të madhe të numrit të qytetarëve në moshë pune gjatë 25 viteve të ardhshme, duke humbur mbi një të pestën e këtij segmenti të popullsisë. Kjo është bërë e ditur nga Instituti Kombëtar i Statistikave, Istat, në një raport të publikuar së fundmi, raporton agjencia “Reuters”.

Vendi po përjeton një krizë të thellë demografike, e shoqëruar nga rënie e lindjeve dhe plakje e popullsisë. Gjatë vitit të kaluar, numri i lindjeve ra në nivelin më të ulët historik, rreth 370 mijë, ndërsa popullsia e përgjithshme u zvogëlua me 37 mijë banorë, duke arritur në 58,93 milionë.

Sipas parashikimeve të Istat, numri i individëve në grupmoshën 15 deri 64 vjeç – që përbëjnë fuqinë punëtore – do të bjerë nga 37,4 milionë në vitin 2024 në rreth 29,7 milionë deri në vitin 2050. Në përqindje, kjo do të thotë një rënie nga 63,5% e popullsisë në 54,3%.

Në të njëjtën kohë, përqindja e qytetarëve mbi moshën 65 vjeç pritet të rritet ndjeshëm, duke arritur nga 24,3% në 34,6%, ndërsa fëmijët nën 14 vjeç do të përbëjnë vetëm 11,2% të popullsisë në fund të periudhës së parashikuar, krahasuar me 12,2% sot.

Rënia e lindshmërisë po cilësohet si një krizë kombëtare. Megjithëse qeveritë e fundit, përfshirë kabinetin aktual të kryeministres Giorgia Meloni, kanë premtuar masa për të ndalur këtë trend, rezultatet deri më tani kanë qenë të pakta.

Nëse kjo situatë vazhdon, Istat parashikon që në vitin 2050, numri i përgjithshëm i banorëve në Itali do të bjerë në 54,7 milionë. Një analizë e mëparshme nga agjencia “Scope Ratings” e ka përshkruar krizën demografike të Italisë si më të rëndën në kontinentin europian.

 

Presidentja Vjosa Osmani fton mërgatën në pritjen tradicionale në Presidencë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar mërgatën që të enjten, më 31 korrik 2025, të marrin pjesë në pritjen tradicionale që do të mbahet në oborrin e Presidencës.

Kjo ngjarje organizohet çdo vit me qëllim mirëseardhjen dhe përkujtimin e lidhjeve të ngushta mes diasporës dhe vendit të origjinës.

Cristiano Ronaldo shpallet zyrtarisht miliarder, por ende nuk është më i pasuri në futboll

Cristiano Ronaldo ka hyrë zyrtarisht në klubin ekskluziv të miliarderëve, duke u bërë futbollisti i parë në histori që arrin të gjenerojë mbi 1 miliard dollarë gjatë karrierës së tij profesionale.

Që në qershor të vitit 2020, shumë media njoftuan se ylli portugez kishte kapërcyer pragun e miliardit në të ardhura bruto, falë pagave të majme dhe kontratave fitimprurëse të sponsorizimit që i sollën 105 milionë dollarë brenda vetëm një viti. Këto të ardhura e çuan totalin e përfitimeve të tij përtej 1 miliard dollarëve.

Megjithatë, vlerësimet e atëhershme nuk përfaqësonin pasurinë neto të Ronaldos, pasi nuk përfshinin shpenzimet, tatimet apo investimet e tij. Vetëm tani, pas disa vitesh, ai e ka arritur plotësisht statusin e një miliarderi në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

E megjithatë, pavarësisht këtij suksesi të jashtëzakonshëm, Cristiano Ronaldo nuk mban vendin e parë në listën e futbollistëve më të pasur në botë.

 

Tri komuna arbëreshe në Itali shpallen zona të mbrojtura kulturore

Ministri i Shtetit dhe drejtuesi politik për diasporën në Partinë Socialiste të Shqipërisë Taulant Balla, mori pjesë në festivalin “Vëllazëria” që u mbajt në rajonin e Puglias, Itali, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kulturës arbëreshe.

Në këtë aktivitet kulturor, tri komuna arbëreshe, Casalvecchio, Chieuti dhe San Marzano di San Giuseppe, u shpallën zyrtarisht si zona të mbrojtura kulturore në Puglia. Ky akt simbolik nënvizon përkushtimin për ruajtjen e trashëgimisë së pasur të komuniteteve arbëreshe, raportojnë mediat shqiptare.

Gjatë fjalës së tij, ministri Balla vlerësoi komunitetin arbëresh si një shembull frymëzues të ruajtjes së gjuhës dhe traditave kombëtare për më shumë se 500 vjet. Ai shtoi se diaspora shqiptare në Itali dhe komuniteti arbëresh janë “një urë lidhëse e fortë mes dy popujve”, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së diasporës në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Festivali “Vëllazëria”, që këtë vit shënoi edicionin e tetë, u mbajt më 26 dhe 27 korrik në Casalvecchio di Puglia. Mbi 100 artistë, këngëtarë dhe valltarë nga komunitetet arbëreshe të Italisë dhe nga Shqipëria, veçanërisht nga Vlora, morën pjesë në një program të pasur kulturor dhe gastronomik.

Ndërkohë, në Korçë, fundjava u shënua nga një tjetër aktivitet frymëzues me tematikë arbëreshe, “ArbNight – Ethno Pulse”, një udhëtim muzikor që solli tinguj nga zemra e Arbërisë në Pazarin e Vjetër. Ngjarja u organizua nga Qendra e Artit, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me COD-in dhe me mbështetjen e Bashkisë së Korçës.

Publiku u mahnit nga interpretimet unike të fizarmonicistit arbëresh Pierpaolo Petta nga Piana degli Albanesi në Sicili, i shoqëruar nga këngëtari Bledi Polena dhe kitaristi Nuçiel Doko. Koncerti solli pjesë të rralla të folklorit arbëresh të Sicilisë dhe këngë të dashura të trashëgimisë etno-muzikore shqiptare.

 

Tarifat e Trump ndezin alarm në industrinë farmaceutike evropiane, paralajmërohen pasoja

Vendimi i administratës Trump për të vendosur një tarifë 15% mbi ilaçet që importohen nga Bashkimi Evropian ka ngjallur shqetësim të thellë në radhët e industrisë farmaceutike europiane, e cila paralajmëron pasoja serioze për pacientët në të dyja anët e Atlantikut.

Federata Evropiane e Industrive Farmaceutike (EFPIA), që përfaqëson kompani të mëdha si Bayer (Gjermani), Novo Nordisk (Danimarkë) si dhe degë evropiane të gjigandëve amerikanë Pfizer dhe Johnson & Johnson, e ka cilësuar këtë masë si një hap të rrezikshëm dhe të paprecedentë.

Sipas EFPIA-s, tarifat e reja rrezikojnë të çrregullojnë zinxhirët e furnizimit të ilaçeve, të frenojnë investimet në kërkim dhe zhvillim dhe të kufizojnë ndjeshëm aksesin e pacientëve në trajtime të reja dhe ekzistuese.

Organizata nënvizon gjithashtu se kjo masë shkel marrëveshjen e vitit 1995 të Organizatës Botërore të Tregtisë, e cila garanton tregti të lirë për produktet farmaceutike dhe përbërësit e tyre aktivë.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka bërë të ditur se BE-ja nuk do të vendosë tarifa ndaj importeve farmaceutike nga SHBA-ja, duke e quajtur vendimin e Uashingtonit “të njëanshëm” dhe të dëmshëm për besimin në tregtinë ndërkombëtare.

EFPIA bën thirrje për një qasje më të ekuilibruar dhe të qëndrueshme për financimin e inovacionit në sektorin farmaceutik global. Sipas saj, ka mënyra më efektive për të përmirësuar aksesin dhe zhvillimin në shëndetësi pa cënuar sigurinë e pacientëve apo rritjen ekonomike.

Kujdestaria e përbashkët, së shpejti normë pas divorcit në Zvicër?

Parlamenti zviceran dëshiron të inkurajojë kujdestarinë e përbashkët pas ndarjes së çiftit. Një projektligj aktualisht në konsultim synon të përfshijë më mirë të dy prindërit në rritjen e fëmijëve, në mënyrë që fëmijët të ruajnë një marrëdhënie të balancuar me të dy prindërit. Aktualisht, ky model është ende i rrallë.

Gjykatat zakonisht i japin kujdestarinë e fëmijëve vetëm njërit prind, shpesh nënës. Opsioni i kujdestarisë së përbashkët mbetet i margjinalizuar dhe ndryshon nga kantoni në kanton: në disa prej tyre prek vetëm një në dhjetë divorcet, ndërsa në kantonet frankofone mund të arrijë deri në tre në dhjetë divorcet, transmeton albinfo.ch.

Për të rritur këto shifra, Parlamenti dëshiron të ndryshojë udhëzimet që u jepen gjykatësve, të cilët do të duhet të zgjedhin kujdestarinë e përbashkët në më shumë raste.

Për më tepër, baballarët shpesh dëshirojnë të angazhohen më shumë, siç vë në dukje Annamaria Colombo, profesoreshë në Shkollën Sociale të Fribourg-ut dhe specialiste e prindërimit. Sipas saj, ata shprehin gjithnjë e më shumë dëshirën për të investuar në fusha që lidhen me ndjeshmërinë dhe afektivitetin.

“Ata duan të kalojnë kohë cilësore me fëmijët, t’u përcjellin vlera, një vizion për të ardhmen dhe një kornizë edukative,” shpjegon ajo. Megjithatë, ata nuk dinë gjithmonë si ta bëjnë këtë, veçanërisht për shkak të mungesës së modeleve mashkullore në rrethin e tyre.

Por kjo zgjidhje nuk është gjithmonë ideale, thotë Sabrina Burgat, profesoreshë e së drejtës familjare në Universitetin e Neuchâtel. Ajo beson se kujdestaria e përbashkët shpesh shoqërohet me një reduktim të kontributeve financiare ndaj nënës dhe një shpërndarje të pabarabartë të detyrave prindërore.

“Duhet të pyesim se çfarë kuptojmë me kujdestari të përbashkët. Në fund të fundit, nuk bëhet fjalë vetëm për kujdesin pas shkollës apo aktivitetet pas-shkollore. Është diçka më e gjerë që përfshin kujdesin e përditshëm, barrën mendore, detyrat e shtëpisë, kujdesin shëndetësor, dentistin, berberin. Dhe këto janë detyra që nuk mund t’i ndajmë thjesht,” thekson ajo.

Dhe shton: “Duhet të mos harrojmë se ka shumë raste kur kjo nuk është zgjidhja e duhur, sepse ka dhunë në familje ose prindërit nuk e duan këtë. Po ashtu, ndarja tradicionale e roleve është ende shumë e pranishme në Zvicër dhe në shumë familje.”

Kujdestaria e përbashkët nuk do të thotë barazi më të madhe: “Kujdestaria e alternuar ka një ndikim të rëndësishëm financiar dhe është në dëm të grave,” insiston ajo.

Megjithë këto rezervime, projektligji mbështet idenë se është në interesin më të mirë të fëmijëve të kujdesen nga të dy prindërit pas divorcit. Konsultimi do të përfundojë në tetor, para se projektligji të kthehet në Parlament.

 

Kamberi kërkon përfshirjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës në dialogun Kosovë-Serbi

Deputeti shqiptar Shaip Kamberi ka depozituar në Parlament një rezolutë që synon të sigurojë njohjen dhe pranimin nga Kuvendi i Serbisë të diskriminimeve ndaj shqiptarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Rezoluta kërkon përkushtim institucional për përmirësimin e pozitës së tyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe detyrimet për integrim në BE.

Kamberi thekson se përpjekjet e deritanishme nuk kanë sjellë rezultatet e pritura, ndaj propozon që kjo çështje të trajtohet gjatë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Miratimi i kësaj rezolute do të tregojë vullnet politik për adresimin e sfidave të vazhdueshme dhe për të siguruar barazi për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, që është bazë për zhvillim demokratik dhe integrim evropian,” shkruan Kamberi në Facebook.

Në rezolutë përmenden probleme të rëndësishme si pasivizimi arbitrar i adresave, mosnjohja e diplomave nga Kosova, mungesa e përfaqësimit proporcional në institucione, pengesa në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, si dhe zhvillimi i dobët ekonomik i rajonit.

Rezoluta kërkon zbatimin e marrëveshjeve të vitit 2001, 2009 dhe 2013, ndalimin e praktikave administrative që cenojnë të drejtat qytetare, respektimin e plotë të të drejtave gjuhësore dhe arsimore, përfaqësim institucional proporcional, ndëshkimin e gjuhës së urrejtjes dhe krijimin e fondeve zhvillimore me mbështetje shtetërore dhe ndërkombëtare.

Gjithashtu, propozohet formimi i një trupi parlamentar me pjesëmarrjen e OSBE-së, organizatave civile dhe përfaqësuesve shqiptarë, për të hetuar rastet e pasivizimeve dhe ndryshimit të strukturës etnike në këto komuna.