Qeveria zvicerane nis fushatë mbështetjeje për ID-në elektronike

Qeveria e Zvicrës ka nisur fushatën e saj për të bindur qytetarët të votojnë “pro” në referendumin e 28 shtatorit për Aktin e ID-së elektronike. Sipas autoriteteve, e-ID-ja është e sigurt, e lehtë për t’u përdorur, ofrohet falas dhe përdorimi i saj mbetet vullnetar, shkruan Swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Departamenti Federal i Drejtësisë dhe Policisë (FDJP) theksoi të martën se nevoja për një provë të sigurt elektronike të identitetit po rritet, veçanërisht për veprime si porositjet online. ID-ja elektronike, e ofruar nga shteti, synon të forcojë sovranitetin digjital dhe të promovojë Zvicrën si një qendër inovacioni.

E-ID-ja funksionon si një kartë identiteti digjitale, ndërsa infrastruktura teknike ofrohet nga shteti. Sipas FDJP-së, kjo garanton mbrojtjen e privatësisë dhe kontrollin individual mbi të dhënat personale.

Megjithatë, kundërshtarët e ligjit paralajmërojnë për rreziqe. Javën e kaluar, ata nisën fushatën e tyre duke e quajtur projektin një dhuratë për kompanitë e mëdha të teknologjisë dhe një hap drejt një ekonomie mbikëqyrëse. Ata theksojnë se një e-ID nuk është e domosdoshme për procedurat administrative, duke përmendur si shembull platformën AGOV, e cila funksionon pa identitet digjital.

Sipas tyre, ligji do të krijojë bazën për përdorim komercial të identitetit elektronik, duke u mundësuar grupeve të mëdha teknologjike të ofrojnë shërbime vetëm në këmbim të një e-ID-je, transmeton albinfo.ch.

“600 franga për mjete shkollore”, prindërit përballen me kosto të larta

Me fillimin e vitit të ri shkollor këtë javë, mijëra fëmijë në Zvicër po nisen drejt bankave të shkollës me çanta të mbushura dhe emocion të madh. Megjithatë, për shumë prindër, përgatitjet për këtë ditë përfaqësojnë një barrë të ndjeshme financiare, transmeton albinfo.ch.

Sipas një analize të Digitec Galaxus, e publikuar nga 20 Minuten, gjatë muajit korrik është shënuar një rritje e ndjeshme e shitjeve të produkteve të lidhura me shkollën: 70% më shumë stilolapsa, 36% më shumë kuti lapsash dhe 20% më shumë çanta shkolle krahasuar me vitin e kaluar.

Çmimi i çantave të shpinës së shkollës arrin mesatarisht rreth 150 franga zvicerane, ndërsa një set i plotë me çantë shpine, kuti lapsash dhe çantë palestre mund të kushtojë nga 200 deri në 500 franga. Sipas Dagmar Rösler, presidente e shoqatës ombrellë të mësuesve, kjo është pasojë e marketingut të orientuar drejt emocioneve të ditës së parë të shkollës.

Rösler vëren se për fillimin e vitit mjaftojnë një çantë shpine, një kuti lapsash bosh dhe një çantë palestre e thjeshtë, pasi fletoret dhe materialet e tjera sigurohen nga shkolla. Megjithatë, shumë prindër ndihen të detyruar të blejnë modele më të shtrenjta për shkak të presionit të fëmijëve ose ndikimit të bashkëmoshatarëve.

Disa familje raportojnë shpenzime të larta. Një nënë nga kantoni Basel-Landschaft pagoi 530 franga për të bijën, duke përfshirë 300 franga për çantën e shkollës. Një tjetër familje nga Schaffhausen shpenzoi 80 franga, pas një episodi, ku vajza u tall për çantën e përdorur të vëllait, transmeton albinfo.ch.

Gjermani: Temperaturat e larta, rritet importi dhe prodhimi i kondicionerëve

Gjermania po shënon një rritje të ndjeshme në prodhimin dhe importin e njësive të kondicionerëve, ndërsa valët e të nxehtit në vend po shtohen në frekuencë dhe intensitet, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë, prodhimi vendas u rrit me 92% në vitin 2024, duke shkuar nga 164.000 njësi në vitin 2023 në 317.000 njësi në vitin 2024. Në përgjithësi, prodhimi është rritur me 75% gjatë pesë viteve të fundit.

Importet mbeten gjithashtu në nivele të larta, me Gjermaninë që bleu kondicionerë ajri në vlerë prej 949 milionë eurosh në vitin 2024, një shifër pak më e ulët se rekordi i vitit 2023 prej 957 milionë eurosh.

Nga njësitë e importuara, një në katër janë prodhuar në Itali, ndërsa Kina dhe Suedia janë gjithashtu furnizues të mëdhenj për tregun gjerman, transmeton albinfo.ch.

Hagen, Gjermani: Grabitet kosovari ndërsa flinte në stacionin e trenit

Një personi ju vodh telefoni inteligjent derisa po flinte, në Stacionin Qendror hekurudhor të Hagenit, në mëngjesin e hershëm të 11 gushtit. Falë një kërkimi të shpejtë, Policia Federale arriti të arrestonte autorin e dyshuar dhe të sekuestronte mallrat e vjedhura, transmeton albinfo.ch.

Shtetasi 56-vjeçar kosovar u paraqit në Policinë Federale rreth orës 2:40 të mëngjesit dhe deklaroi se telefoni i tij inteligjent ishte vjedhur ndërsa flinte në një stol në hollin kryesor.

Sipas rrëfimit të tij, ai më parë kishte vënë re një burrë që po i kërkonte një cigare dhe e kishte vëzhguar me dyshim. Bazuar në këtë përshkrim, policët menjëherë më pas hasën një shtetas gjerman 53-vjeçar që jeton në Kierspe, shkruan news.de. Gjatë një kontrolli, ata gjetën telefonin celular të vjedhur dhe ia kthyen pronarit.

I dyshuari fillimisht nuk dha deklarata dhe, pasi u udhëzua, refuzoi të dëshmonte. Policia Federale nisi një hetim kundër tij, për vjedhje të rëndë.

Zvicër: Covid-19 nuk ndikoi në shanset e mbijetesës së pacientëve të prekur nga kanceri

Pandemia Covid-19 nuk pati ndikim të madh në fazën e diagnostikimit të kancerit dhe as në shanset e mbijetesës gjatë vitit të parë pas diagnozës. Kështu ka njoftuar të martën Regjistri Kombëtar i Kancerit, duke theksuar se ndryshe nga vendet e tjera, situata në Zvicër ka qenë më e qëndrueshme, shkruan Swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Studimi, i botuar në revistën Swiss Medical Weekly, analizoi të dhënat e mbi 200 mijë rasteve të kancerit nga viti 2017 deri në vitin 2021. Gjatë valës së parë të pandemisë dhe masave të izolimit, numri i diagnozave ra ndjeshëm. Në prill 2020 u regjistruan 19.9% më pak raste se mesatarja normale për atë muaj. Rënia më e madhe u vu re tek kanceri i gjirit (-39.9%) dhe kanceri kolorektal (-28.7%), ndërsa tek kanceri i mushkërive ndryshimi ishte minimal.

Megjithatë, deri në fund të vitit 2020 kjo rënie u kompensua, duke shënuar një rritje të përgjithshme prej 2.1% krahasuar me periudhën 2017-2021. Në vitin 2021, numri i diagnozave u rrit edhe më shumë me 7.3%, me një kulm në mars (+18.8%), veçanërisht për kancerin e prostatës dhe melanomën. Studiuesit ende po hetojnë nëse kjo lidhet me efektin kapës apo faktorë të tjerë.

Shkalla e mbijetesës një vit pas diagnozës mbeti e qëndrueshme në vitin 2020 dhe madje u rrit pak në vitin 2021 krahasuar me periudhën 2017-2019, transmeton albinfo.ch.

Vazhdon rritja e çmimeve të shtëpive dhe apartamenteve në Zvicër

Çmimet e shtëpive dhe apartamenteve në Zvicër kanë shënuar një rritje të re gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, e nxitur nga kërkesa e lartë dhe normat e ulëta të interesit, shkruan Swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara nga ndërmjetësi i hipotekave Moneypark dhe start-up-i Pricehubble, me bazë në Cyrih, çmimet e shtëpive u rritën mesatarisht me 3.4%, ndërsa ato të apartamenteve me 2.4% krahasuar me gjashtëmujorin paraprak. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet janë rritur përkatësisht me 7.4% dhe 4.2%.

Raporti thekson se blerësit po preferojnë gjithnjë e më shumë periudhat afatmesme të financimit, nga pesë deri në nëntë vjet, në vend të hipotekave afatgjata. Për shkak të pasigurisë mbi ecurinë e normave të interesit, është rritur edhe përdorimi i hipotekave me interes të ndryshueshëm, të cilat shpesh kombinohen me hipotekat me normë fikse.

Bankat kanë përfituar ndjeshëm nga ky trend, duke rritur pjesën e tyre të tregut të hipotekave në 67%, një rritje prej 12% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar, transmeton albinfo.ch.

Tahiri: Pesë vrasje në 48 orë, pasqyra më e qartë e dështimit të shtetit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka deklaruar të martën se pesë vrasjet e rënda të ndodhura brenda 48 orëve të fundit tregojnë, sipas tij, “dështimin e plotë të shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve”, raporton albinfo.ch.

Në një konferencë për media, Tahiri e akuzoi pushtetin në largim për krijimin e një gjendjeje alarmante të sigurisë, ku, siç tha ai, “po mbretërojnë bandat kriminale të inkurajuara dhe të mbrojtura nga vetë pushteti”.

“Bandat kriminale, narkotrafikantët, fajdexhinjtë, janë bërë të guximshëm dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin, duke krijuar një zinxhir të rrezikshëm mes krimit, politikës dhe institucioneve ligjzbatuese. PDK u shpreh ngushëllime të thella familjeve që kanë humbur më të dashurit nga këto vrasje dhe shpreh shqetësimin e madh për dështimin e organeve të rendit për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, u shpreh Tahiri.

Ai përmendi rastin e prezencës së Mefail Shkodrës, për të cilin tha se “nuk është i ftuar nga opozita, por nga pushteti”, duke akuzuar se ky person ka “terrorizuar një qytet të tërë” me mbështetjen e strukturave qeveritare.

“Përgjegjës direkt për humbjen e këtyre jetëve është Qeveria”, tha ai, duke e cilësuar situatën si një “thirrje alarmi për të gjithë”.

Tahiri theksoi se PDK do ta ketë prioritet “çkapjen e shtetit nga bandat kriminale” dhe paralajmëroi nisma ligjore për ashpërsimin e dënimeve për armëmbajtje pa leje.

“Sot kemi rreth 250 mijë armë pa leje në duart e qytetarëve. Në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve, do të iniciojmë ndryshime në Kodin Penal për të siguruar që kushdo që posedon apo përdor armë ilegalisht, të përballet me burgim, pa përjashtim. Kjo nuk është vetëm betejë politike, është betejë për jetën, paqen, fëmijët dhe të ardhmen e vendit”, përfundoi Tahiri, raporton albinfo.ch.

Zvicër: Falimenton kompania 107-vjeçare e sigurimeve shëndetësore Klug, ndikohen mbi 9000 qytetarë

Kompania e sigurimeve shëndetësore Klug, me seli në Zug, ka shpallur falimentimin dhe do të ndërpresë aktivitetet e saj në fund të vitit. Lajmi u konfirmua të martën nga kompania, e cila ka një histori 107-vjeçare dhe numëron rreth 9,300 anëtarë të siguruar, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, Klug kishte paraqitur në fund të korrikut një kërkesë në Zyrën Federale të Shëndetit Publik për shpalljen e falimentimit dhe revokimin e licencës së saj, që do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026. Më 6 gusht, Gjykata Federale e Punës e konfirmoi vendimin, duke i hapur rrugën kompanisë për të hyrë në asetet e saj.

Kompania, e cila punëson 19 persona, tha se problemet financiare u shkaktuan kryesisht nga një rritje e fortë e numrit të anëtarëve të siguruar, si edhe nga mospërputhje në informacionin financiar të rëndësishëm. Për pasojë, drejtoresha menaxhuese është larguar nga menaxhimi operativ, transmeton albinfo.ch.

Policia kërkon ndihmë për kapjen e personit të dyshuar për vrasje në Hajvali

Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë po kërkon ndihmën e qytetarëve për të identifikuar dhe lokalizuar personin e dyshuar për një vrasje që ndodhi mbrëmë në Hajvali, raporton albinfo.ch.

Personi i dyshuar është Xhemail (Bajram) Nuhiu, i cili aktualisht ndodhet në arrati. Policia u bën apel qytetarëve që të ofrojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e tij.

Informacionet mund t’u komunikohet autoriteteve nëpërmjet e-mailit: [email protected], përmes aplikacionit Android “Lajmero Policinë” ose në numrin e telefonit 192, raporton albinfo.ch.

 

Aksident tragjik në St. Gallen, humb jetën një fëmijë shqiptar 4-vjeçar

Një aksident trafiku me pasoja tragjike ndodhi pak para orës 19:00 të së hënës në rrugën Stahlstrasse, në St. Gallen. Një 44-vjeçar gjerman, duke drejtuar furgonin e tij të bardhë Mercedes drejt Zürcher Strasse, në zonën e Feldbachstrasse, përplasi një djalë 4-vjeçar, shtetas austriak, në një zonë banimi me kufizim shpejtësie prej 30 km/orë, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Fëmija, i identifikuar si Dardan*, pësoi lëndime të rënda. Policia dhe kalimtarët i dhanë ndihmën e parë në vendngjarje deri në mbërritjen e ambulancës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë dy orë më vonë në Spitalin e Fëmijëve.

Dëshmitarët përshkruajnë skena dramatike. Një banore e zonës tha për mediat: “Dëgjova britma për ndihmë. Kur dola jashtë, pashë djalin e plagosur rëndë, ndërsa e ëma bërtiste me dëshpërim. Ishte një tragjedi e vërtetë.”

Një tjetër banor, Xhevdet V.**, tregoi se kishte ndihmuar në ringjalljen e fëmijës: “Babai e mbante në krahë. E shtriva përtokë, i vendosa bluzën time nën kokë dhe filluam menjëherë reanimacionin, por fatkeqësisht gjithçka ishte e kotë.”

Blendi V.** (22) konfirmoi se shoferi reagoi menjëherë, duke telefonuar shërbimet e emergjencës dhe duke ofruar ndihmë. “Shoferi dhe gruaja e tij ishin në shok të plotë”, tha ai.

Policia e St. Gallenit ka nisur hetimet dhe po kërkon dëshmitarë që mund të kenë parë momentin e përplasjes. Ngjarja ka tronditur rëndë komunitetin lokal, ku banorët shprehin shqetësime për sigurinë e rrugës dhe kërkojnë ulje të kufirit të shpejtësisë, transmeton albinfo.ch.

stsg_stadtpolizei

Shqipëri: Humb jetën një person nga zjarret në Gramsh, vijon evakuimi

Në fshatin Kullollas, një i moshuar rreth 80 vjeç ka humbur jetën, pasi u asfiksua nga zjarri që nisi në kopshtin e tij dhe përfshiu një zonë të gjerë, shkruan Top Channel, transmeton albinfo.ch.

Disa fshatra në rajonin e Gramshit janë përfshirë nga zjarret që kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha dhe kanë shkaktuar evakuimin e banorëve.

Ministria e Mbrojtjes po vijon evakuimin e banorëve nga fshatrat Kullollas, Bletëz, Menkollar, Shimër, Skënderbegas, Spanesh dhe Kazie, duke kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve me autoritetet.

Fshatrat Kullollas, Bletëz, Menkollar dhe Shimër janë djegur dhe banorët janë evakuuar më herët.

Po ashtu, është djegur teqeja e Shemberdhenjes, ndërsa fati i një personi të bllokuar brenda nuk dihet ende.

Në fshatin Bulçar, raportohet se një grua është bllokuar në fermë me dy fëmijë dhe kërkon ndihmë nga autoritetet.

Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe ambulancave është e vështirë për shkak të terrenit dhe flakëve të mëdha që rrezikojnë jetën e personelit në vendngjarje, transmeton albinfo.ch.

 

 

Ukrainasit shprehen skeptikë para takimit Trump-Putin

Kur presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, të takohen këtë javë në Alaskë për të negociuar dhënien fund të luftës në Ukrainë, të shumtë janë ata që presin pakt. Ukrainasit nuk janë në mesin e tyre.

Pas më shumë se tre vjetësh luftë dhe bisedimeve për paqe që përfundonin ende pa nisur mirë, më pas ultimatumeve të papërfillshme, dhe mijëra të vdekurve, Ukraina tenton t’iu bëjë ballë trupave ushtarake ruse.

Optimizmi se do të ketë përparim në bisedimet në Alaskë, më 15 gusht, është shumë i zbehtë në Ukrainë,  të paktën deri më tani.

“Nuk ka shumë për të shpresuar për ndonjë zhvillim pozitiv”, ka thënë një burrë në Kiev për televizionin Current Time.

“Mendoj se është fazë e re në zinxhirin e afateve kohore. Frikësohem se situata do të zvarritet kështu deri në fund të mandatit të presidentit aktual amerikan”.

Përpara takimit, Uashintoni duket se ka nisur t’i përgatisë Kievin dhe Moskën për kompromise të mëdha, në mënyrë që të përfundojë lufta, pasi nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka paralajmëruar se ka mundësi që të dyja palët do të mbesin të pakënaqura nga marrëveshja përfundimtare.

Rusia e ka injoruar vazhdimisht idenë e takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensly, duke thënë se diçka e tillë mund të ndodhë pasi palët të jenë gati për të nënshkruar marrëveshjen për paqe, dhe jo për një marrëveshje armëpushimi.

Por, ai moment duket shumë larg, për shkak të dallimeve të thella në qëndrime mes rusëve dhe ukrainasve në shumë aspekte, përfshirë territorin dhe sigurinë, pavarësisht tri rundeve të bisedimeve direkte në Turqi prej mesit të majit.

Putin e ka refuzuar propozimin e Zelenskyt për t’u takuar ballë për ballë, kur dy shtetet kanë zhvilluar rundin e parë të negociatave në Stamboll.

Ai ka thënë javën e kaluar se sërish e ka bindjen e njëjtë, dhe që nuk ka asgjë kundër takimit me Zelenskyn, por që fillimisht duhet të “krijohen disa kushte”, dhe që ato momentalisht janë “shumë larg”.

“Nuk pres asgjë nga takimi. Pres vetëm prej ushtrisë ukrainase”, ka thënë një grua në Kiev.

Bisedimet zhvillohen në një moment të rëndësishëm, pasi Trumpi duket se është shumë i zemëruar me Putinin. Presidenti rus, në anën tjetër, nuk duket se ka disponim që të heqë dorë prej synimeve fillestare.

Trump dhe Putin i kanë zhvilluar gjashtë biseda telefonike, ndërsa një zyrtar i lartë amerikan ka urdhëtuar në Moskë të paktën tri herë.

Vendimi për ta takuar Putinin ballë për ballë  diçka që paraardhësi i Trumpit, Joe Biden, e ka refuzuar me çdo kusht pas nisjes së luftës  reflekton bindjen e presidentit amerikan që marrëdhënia e tij me liderin rus do të rezultojë me marrëveshje për paqe të qëndrueshme.

Për Putinin, takimi me Trumpin  pa prezencën e Zelenskyt apo ndonjë zyrtari tjetër ukrainas  është fitore e vogël, dhe reflekton pozicionin e Putinit se Zelensky është lider jolegjitim dhe që marrëveshja për përfundim të luftës mund të arrihet vetëm me Shtetet e Bashkuara.

Udhëtimi në Shtetet e Bashkuara përbën një tjetër fitore për Putinin, ndaj të cilit ekziston fletarrestim i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, nën dyshimet se ka kryer krime lufte.

Vetëm vendet anëtare të gjykatës janë të obliguara që ta ndalojnë atë, ndërsa administrata Trump ka qasje armiqësore ndaj tribunalit të Hagës.

Megjithatë, një grua ukrainase i ka thënë televizionit Current Time se ndonëse nuk pret përparim si rezultat i takimit, ndoshta Trump do të mund ta shtyjë Putinin në rrugën e paqes.

“Nuk pres më asgjë”, ka thënë ajo. “Por, në fakt shpresoj për diçka, edhe miqtë e mi njëjtë, që Trumpi do të bëjë diçka”.

Qeveria zvicerane lëshon paralajmërim për valë të nxehti: Alarm i nivelit 3 në fuqi deri më 17 gusht

Qeveria zvicerane, përmes shërbimit zyrtar të motit MeteoSchweiz, ka lëshuar një paralajmërim të zgjatur për valë të nxehti, që pritet të ndikojë në disa pjesë të vendit gjatë ditëve në vijim. Fillimisht në fuqi deri të mërkurën në mbrëmje, paralajmërimi tani është zgjatur deri të dielën, më 17 gusht, në orën 20:00, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit, do të jetë në fuqi një alarm i nivelit 3 nga maksimumi i mundshëm prej 4, gjë që nënkupton rrezik të konsiderueshëm për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe personat me sëmundje kronike.

Cilat Rajone Janë më të Prekura?
Temperaturat pritet të arrijnë deri në mesin e të 30-tave (gradë Celsius), duke përfshirë veçanërisht:

Rajonet e ulëta të Zvicrës frëngjishtfolëse

Pjesë të kantonit Ticino

Zona të caktuara të Zvicrës gjermanishtfolëse

Në hartat zyrtare të MeteoSchweiz, zonat e shënuara me ngjyrë portokalli tregojnë rajonet që janë nën ndikimin më të madh të valës së të nxehtit.

Këshilla për Popullatën
Autoritetet këshillojnë qytetarët të:

Shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve të pikut.

Pijnë shumë ujë dhe të konsumojnë ushqime të lehta.

Kujdesen për personat vulnerabël në komunitet.

Freskojnë ambientet e brendshme dhe të përdorin ventilatorë ose kondicionerë ku është e mundur.

MeteoSchweiz dhe autoritetet lokale do të vijojnë të përditësojnë situatën në ditët në vijim.

 

 

Vala e të nxehtit në Evropë, mbi 40 gradë Celsius

Një valë e fortë e të nxehtit po përshkon Evropën, me temperatura që arrijnë dhe tejkalojnë rekordet në disa vende kryesore. Aktualisht, një hartë e motit e Evropës tregon zona të mëdha me ngjyrë të kuqe të thellë, duke paralajmëruar rritje ekstreme të temperaturave, përcjell albinfo.ch.

Në Spanjë, Francën jugore dhe Itali, temperaturat pritet të arrijnë deri në 38 gradë Celsius të martën, ndërsa në qytetin francez të Lionit, MeteoNews parashikon madje 40 gradë Celsius të mërkurën. Kjo valë e nxehtësisë do të arrijë kulmin e saj të përkohshëm në këto rajone, duke shkaktuar shqetësim të madh për popullsinë dhe autoritetet.

Francë është veçanërisht e goditur nga këto temperatura rekord. Temperaturat mbi 40 gradë Celsius po arrijnë nivele historike, gjë që ka bërë që vendi të shpallë gjendje emergjence. Météo France ka lëshuar paralajmërimin më të lartë për nxehtësinë, niveli i kuq, për 14 departamente, ndërsa 64 të tjera janë nën paralajmërimin portokalli. Popullsia është këshilluar të tregojë kujdes të shtuar ndaj ndikimeve të nxehtësisë, sidomos në orët më të nxehta të ditës.

Në pjesën jugore të Evropës, temperaturat do të fillojnë të bien pak drejt fundit të javës, por do të mbeten mbi 30 gradë Celsius në shumë zona. Ndërkohë, vala e të nxehtit po përparon drejt veriut, dhe të premten Berlini pritet të përjetojë një natë tropikale me temperaturë maksimale deri në 36 gradë Celsius.

Këto temperatura ekstreme kanë sjellë pasoja serioze. Në Francë, zjarri më i madh pyjor në dekada ka shpërthyer, duke detyruar autoritetet të ndërmarrin masa urgjente. Për më tepër, zjarre të tjera aktive po mbajnë në gatishmëri autoritetet në Itali, Greqi dhe Turqi, duke shtuar shqetësimet për sigurinë dhe mjedisin.

Vala e nxehtësisë që po përshkon Evropën është një paralajmërim i qartë për sfidat klimatike që po përballen rajonet e ndryshme dhe nevojën për masa më të mëdha për të mbrojtur popullsinë dhe natyrën nga efektet e ndryshimeve klimatike.

Për më shumë detaje: https://www.msn.com/de-ch/nachrichten/other/%C3%BCber-40-grad-europa-%C3%A4chzt-unter-der-andauernden-hitzewelle/ar-AA1KmKFR?ocid=hpmsn&cvid=689b3397c6c64cb4ad31730e2a1ae29c&ei=9

 

Për 7 muaj, 58 viktima, mbi 13 mijë aksidente në Kosovë

Në periudhën janar-korrik 2025, në rrugët e Kosovës kanë humbur jetën 58 persona në 51 aksidente fatale, krahasuar me 52 viktima në 48 aksidente gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, ka bërë të ditur Policia e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Numri total i aksidenteve ka arritur në 13,235, që është 728 më shumë se një vit më herët. Prej tyre, 4,855 ishin aksidente me lëndime, ku u plagosën 9,286 persona , 740 më shumë se në 2024. Aksidentet me dëme materiale u rritën me 5.34%, nga 7,907 në 8,329.

Policia ka shqiptuar gati 450 mijë gjoba, ose 37 mijë më shumë se vitin e kaluar, si pjesë e masave për rritjen e sigurisë në trafik. Janë zbatuar urdhra operativë si “Siguria në Trafikun Rrugor” dhe “Sezoni Veror 2025”, patrullime me “Smart Patrol” dhe radarë mobil, si dhe fushata vetëdijësuese për parandalimin e aksidenteve.

Cilat vende në Ballkan po përballen me të nxehtit dhe zjarret

Raportohet se qindra zjarrfikës dhe ushtarë po luftojnë kundër zjarreve në disa vende të Ballkanit. Gjatë ditëve në vazhdim këto vende do të jenë nën darën e të nxehtit, me temperatura rreth 40 gradë Celsius, përcjell albinfo.ch.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, në vend ishin një duzinë vatrash aktive, pasi në 24 orët e fundit shpërthyen gati 50 vatra zjarri. Përkrah zjarrfikësve, sipas të dhënave zyrtare, janë angazhuar edhe rreth 800 ushtarë, si dhe avionë e helikopterë ushtarakë nga vendet fqinje. Në raportin 24-orësh janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 prej të cilave mbeten ende aktive.

Në Malin e Zi fqinj, forcat e emergjencës mbrojtën nga flakët dhjetëra shtëpi në periferi të Podgoricës. Zjarri kishte shpërthyer në një “terren mjaft të vështirë për t’u kaluar”, u tha gazetarëve drejtuesi i Agjencisë së Shpëtimit, Nikola Bojanovic. Gjatë pasdites së hënës, tymi dukej edhe në kodrat mbi Podgoricë.

Në Split të Kroacisë, gjatë natës drejt mëngjesit të së hënës, kanë qenë në terren rreth 150 zjarrfikës kundër një zjarri në pyll.

Vala e të nxehtit vazhdon me temperatura rreth 40 gradë

Ballkani dhe vendet në hapësirën e Mesdheut që nga korriku po përballen me të nxehtin ekstrem dhe zjarret në pyje. Në Shqipëri, që nga fillimi i korrikut, sipas Sistemit Europian të Informimit për Zjarret (EFFIS), janë djegur gati 34.000 hektarë tokë. Policia, në shumë raste, dyshon për zjarrvënie të qëllimshme dhe më shumë se 20 të dyshuar janë arrestuar.

Vala e të nxehtit në Ballkan do të zgjasë. Në Serbi, Bosnje dhe Kroaci, temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.

Kurti: Duhet ta presim aktgjykimin e plotë të Kushtetueses

Kurti e dha deklaratën e shkurtër, pa u ndalur para mediave, pas ceremonisë së 26-vjetorit të Doganës së Kosovës dhe diplomimit të gjeneratës së re të oficerëve doganorë, përcjell albinfo.ch.

“Duhet ta presim aktgjykimin e plotë”, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, para gazetarëve, lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e seancës konstituive.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Në njoftimin e publikuar të premten e shkuar thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar se i njëjti kandidat mund të votohet vetëm deri në tre herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.

Diplomojnë 107 oficerë doganorë

Sot kanë diplomuar në Kosovë 107 oficerë të rinj doganorë dhe është shënuar 26 vjetori i themelimit të Doganës së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në ceremoninë që u zhvillua në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, mori pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ministra të kabinetit qeveritar dhe familjarë të oficerëve doganorë të rinj.

Kryeministri në detyrë Kurti tha se Dogana ka arritur suksese përpos në siguri edhe në të hyra, duke tejkaluar projeksionet vjetore. “Sot, me diplomimin tuaj, kadetë të rinj, Dogana fiton jo vetëm staf të ri, por edhe energji të re, mendim të freskët dhe motivim për të ecur bashkë përpara”, theksoi Kurti, i cili shtoi se procesi i rekrutimit ka ndjekur standardet më të larta ndërkombëtare.

Ai u tha oficerëve të rinj doganorë se është detyrë dhe privilegj i tyre të shërbejnë me ndershmëri dhe përkushtim.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu tha se Dogana u themeluar 26 vjet më herët në rrethana shumë sfiduese por edhe shpresëdhënëse. Ai theksoi se në periudhën e pasluftës shfaqja e krimit të organizuar dhe mungesa e sundimit të ligjit, kanë qenë sfida reale, por, në bashkëpunim edhe me organizmat ndërkombëtarë në vend.

“Ndërkaq pjesa e Mitrovicës së Veriut ka vijuar të mbetet sfiduese deri në vitet e fundit. Me veprimet edhe në Mitrovicë të Veriut, ne kemi arritur të rikthejmë profesionalizmin e pacenueshëm dhe të plotë të shtetit në gjithë territorin. Megjithatë, kjo nuk erdhi me çmim të lirë. Kemi pasur rastin kur zyrtari doganor i EULEX-it u vra nga krimi organizuar dhe grupet terroriste dhe kjo ndodhi me qëllim që të frikësohen strukturat e sundimit të ligjit”, theksoi Llugaliu.

Sipas tij, që nga fillimi i funksionimit të saj, Dogana e Kosovës ka mbledhur rreth 22 miliardë euro, ndërsa në vitin 2025 sipas zhvillimeve, pritet të kalojnë për herë të parë të hyra mbi 2 miliardë euro brenda vitit fiskal.

Arrestohet i dyshuari për masakrën e 34 shqiptarëve në Burim të Malishevës

Sot, policia e Kosovës ka arrestuar të martën një person, nën dyshimin për pjesëmarrje në masakrimin e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Malishevës në fund të marsit të 1999-s, përcjell albinfo.ch.

R.M. dyshohet për veprën penale “krim lufte kundër popullatës civile”. Ai u arrestua në Prishtinë.

“R.M., dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”, thuhet në një njoftim të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të të mbijetuarve.

Kjo prokurori ka thënë se do të paraqesë kërkesën për caktimin e paraburgimit për të dyshuarin.

Vrasja e Enver Bajraktarit, i arrestuari pranon fajin

Sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se i arrestuari T.K. ka pranuar kryerjen e veprës penale, në rastin e vrasjes së Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit, trupi i të cilit u gjet i groposur më 4 gusht, përcjell albinfo.ch.

T.K., sipas njoftimit, gjatë dhënies së deklaratës ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale.

Ai është ndaluar me vendim të prokurorit të shtetit dhe ndaj tij po zhvillohen procedurat ligjore.

I dyshuari u arrestua të martën në mëngjes.

Policia pati raportuar se më 4 gusht ka gjetur një trup të pajetë të groposur në një arë të këtij fshati. Trupin e Bajraktarit e gjetën familjarët në një arë të mbjellë me misër, pak kohë pasi e kishin raportuar si të zhdukur.

Më vonë u bë e ditur se viktima ishte Enver Bajraktari.

Färbifestival: Pesë ditë cirk, muzikë dhe shije nga e gjithë bota në Wetzikon

Bëhet e ditur se nga 20 deri më 24 gusht 2025, Stadtgarten Färberwiese në Wetzikon do të shndërrohet në një skenë të hapur arti, muzike dhe argëtimi për të gjitha moshat. Färbifestival sjell një program të pasur ku cirku, muzika dhe gastronomia bashkohen në një atmosferë unike verore, transmeton albinfo.ch.

Vlen të theksohet se programi i cirkut përfshin shfaqje të veçanta si “Dr. Eisenbarth” dhe “Titi und die Kobolde” (20 gusht), “Zirkustheater Inklusiv” nga Hof Wagenburg (21 gusht), spektaklin rinor “Farbstoff” (23 gusht) dhe shfaqjen ndërkombëtare “L’homme Cirque” nga David Dimitri (20 dhe 24 gusht). Një atraksion i veçantë do të jetë Cirku Kombëtar Shqiptar me artisten Shqipe Sylejmani dhe Marguerite Meyer (21 dhe 22 gusht). Festivali mbyllet me “Compagnia Express” më 24 gusht.

Po ashtu, muzika nuk mungon, me grupe si Chrott, Singsong, Sebass dhe tinguj ballkanikë më 20 dhe 24 gusht, Blue Boulevard më 23 gusht, si dhe DJ AGRAFF me ritme “Shakepop” më 23 gusht në mbrëmje.

Përveç shfaqjeve, vizitorët mund të marrin pjesë në punëtoritë e cirkut për fëmijë e të rinj (20, 23 dhe 24 gusht), të shijojnë bufenë e hapur çdo ditë nga ora 18:00 deri në 21:00, me specialitete ballkanike të enjten dhe të premten, si dhe të freskohen me akullore Fruchthorn-Glace.

Biletat mund të blihen paraprakisht në eventfrog.ch/faerbifestival ose në arkë nga ora 18:00. Vizitorët mund të mbështesin festivalin edhe përmes biletave mbështetëse.

Organizatorët ftojnë të gjithë të vijnë me biçikletë ose transport publik; për personat me aftësi të kufizuara fizike janë të rezervuara vende parkimi pranë hapësirës së festivalit (kontakt: [email protected])./Albinfo.ch. 

Për më shumë informacione gjenden në www.faerbifestival.ch.

 

Gjermania krijon grup të posaçëm kundër grupeve djathtiste me ideologji terroriste

Në shtator të këtij viti, autoritetet gjermane do të formojnë një njësi të specializuar të forcave të sigurisë, e cila do të ketë në fokus hetimin, zbulimin dhe luftimin e grupeve djathtiste që përhapin ideologji terroriste, transmeton albinfo.de. 

Referuar mediave gjermane, policia ka vërejtur një rritje shqetësuese të grupeve ekstremiste me prirje djathtiste, të cilat përmes rrjeteve sociale dhe kanaleve të ndryshme përpiqen të rekrutojnë të rinj për t’u bashkuar me këto ideologji të rrezikshme dhe me sfond terrorist.

Qëllimi i kësaj njësie të re të specializuar do të jetë zbulimi dhe parandalimi i veprimeve terroriste që këto grupe mund të planifikojnë dhe ndërmarrin kundër sigurisë së vendit.

Në muajt e fundit, Gjermania ka regjistruar një rritje të arrestimeve të personave me bindje djathtiste ekstremiste, të cilët dyshohet se kanë planifikuar sulme terroriste, përfshirë edhe veprime kundër rendit kushtetues të shtetit.

Autoritetet kanë kryer gjithashtu bastisje masive dhe veprime të tjera hetimore ndaj këtyre strukturave, duke theksuar seriozitetin e kërcënimit që paraqet terrorizmi me sfond djathtist në vend.

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se kjo formë e terrorizmit aktualisht përbën rrezikun më të madh në Gjermani, duke e bërë të domosdoshme krijimin e këtij grupi special për t’u përballur me kërcënimet në rritje.