Kosova

“Çmimi për Demokraci” sivjet shkon për Murat Mehmetin dhe portalin Insajderi

Çmimi për Demokraci jepet në kuadër të projektit “Promovimi i Shoqërisë Demokratike” (DSP), për individë apo organizata që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e demokracisë në Kosovë

Njeriu që kishte denoncuar në opinion një skemë mashtrimesh në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe një portal kosovar që ka publikuar dhjetëra shkrime kundër korrupsionit nga zyrtarët shtetërorë, janë nderuar sot me Çmimin për Demokraci për vitin 2017. Ky çmim që shkon për Murat Mehmetin dhe gazetën Insajderi, janë ndarë  nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (SDC), Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës (DANIDA) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Çmimi për Demokraci jepet në kuadër të projektit “Promovimi i Shoqërisë Demokratike” (DSP), për individë apo organizata që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e demokracisë në Kosovë.

Çmimi i këtij viti iu nda sinjalizuesit të ATK-së, z. Murat Mehmeti, dhe përfaqësuesve të Insajderit, z. Vehbi Kajtazi dhe z. Parim Olluri, pas një gare të hapur njëvjeçare dhe shqyrtimit të 12 nominimeve të paraqitura.

Patrick Etienne është drejtor i Zyrës Zvicerane për Kosovën.

Ai vlerësoi guximin dhe përkushtimin e fituesve të Çmimit për Demokraci 2017, duke theksuar nevojën për një shoqëri civile më aktive, e cila e shtyn qeverinë për më shumë transparencë dhe llogaridhënie.

“Jam optimist për Kosovën kur shoh që ka aktorë të zgjuar, të përkushtuar dhe të guximshëm, të cilët janë të vetëdijshëm se të qenurit indiferentë kur dëmtohet interesi publik nuk ofron zgjidhje për vendin”, tha Etienne.

Drejtorja Ekzekutive e KCSF-së, Venera Hajrullahu, tha se çmimi vë në dukje punën, guximin dhe vetëmohimin e qytetarëve të Kosovës për demokratizimin e vendit.

“Ky çmim është përfaqësues i vlerave tona, dhe shpresojmë që përfaqëson edhe vlerat e çdo qytetari që ka në zemër shndërrimin e Kosovës në një demokraci përfaqësuese dhe shtet funksional”, theksoi Hajrullahu.

Murat Mehmeti, i cili zbuloi dhe denoncoi një skemë të madhe mashtrimi dhe evazioni fiskal në administratën tatimore, tha ndërkaq se përpjekjet e tij në ekspozimin e kësaj keqbërjeje nuk ishin një përpjekje e izoluar.

“Dalja ime para publikut dhe denoncimi që vijoi, nuk ka qenë hidhërim i imi i çastit, por akumulim shumëvjeçar i pakënaqësisë sime dhe shumë të tjerëve, të cilët përballen me padrejtësi që u bëhen vetëm sepse mundohen të bëjnë punën e tyre sipas ligjit”, theksoi Mehmeti.

Kurse Parim Olluri, drejtor ekzekutiv i Insajderit, tha se ende pa i mbushur dy vite, kjo media është shndërruar në armikun e pushtetarëve të korruptuar, të cilët u munduan t’i korruptonin drejtuesit e gazetës online.

“Nuk mundën dhe ne vazhduam me hulumtimet tona. Synuan të na frikësojnë edhe përmes sulmeve fizike ndaj meje dhe kolegut tim, por nuk arritën të na frikësonin. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën  tonë”, tha Olluri.

Kryeredaktori i Insajderit, Vehbi Kajtazi, tha se kur filluan këtë projekt, kanë pasur tre qëllime, ndërtimin e një mediumi kredibil, të paanshëm dhe profesional, mposhtjen e frikës dhe kontributin në të mirën e përbashkët. “Dy qëllimet e para mendoj se i kemi arritur tashmë. Qëllimi i tretë po konfirmohet sonte me nderimin që po na bëhet me Çmimin për Demokraci”, tha z. Kajtazi.

Fituesit e çmimit të këtij viti u bashkohen individëve dhe organizatave që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e demokracisë në Kosovë, përfshi Fondacionin Lumbardhi, i cili u vlerësua me Çmimin për Demokraci 2016 për nismën e suksesshme të mbrojtjes së Kinemasë Lumbardhi në Prizren.