Integrimi

“Çka? Ti je shqiptare?”

  • ©albinfo.ch

  • Vjosa Ismaili

  • Arbnora Aliu, kryetare e re e shoqatës „Studenti”

  • Arbnora Aliu

Se përgjithësimet  që i dëgjojmë nga zviceranët kur bëhet fjalë për shqiptarët janë rezultat i mosnjohjes dhe paragjykimeve, e tregon një artikull i botuar të premten  në tagesanzeiger.ch.

Tre shqiptarë të rinj: dy studente dhe një student, gazetarja i ka ballafaquar me stereotipat mbizotëruese për shqiptarët. Nga përgjigjet që ka marrë, ajo ka konstatuar se “ata janë shembujt më të mirë për të treguar se sa të gabuara janë paragjykimet për shqiptarët”.

Të intervistuarit janë: Arbnora Aliu (24 vjeçe) studion shkencat pedagogjike, Vjosa Imaili (23 vjeçe) ekonominë dhe Burim Luzha (25 vjeç) ekonominë me inxhinierinë.

Çka d të thotë “zviceranë të vërtetë”?

Capture d’écran 2015-04-12 à 08.39.31

Pyetjes nëse e ndjejnë veten më shumë zviceranë apo shqiptarë, Burimi i përgjigjet se, thjesht për të është pasurim të jesh rritur në dy vende. Ndërsa akuza sipas të cilës futbollistët me prejardhje shqiptare të kombëtares zvicerane  “nuk janë zviceranë të vërtetë”, për Luzhën është e pakuptimtë, pasi që nuk ka ndonjë kod vlerash se çfarë të bën “zviceran të vërtetë”.

Por, Luzha thotë, “perceptimi mbizotërues në Zvicër është se shqiptarët janë të talentuar para së gjithash në sport e nga ana tjetër, fakti se tashmë në Universitetet e këtushme ka shumë studentë dhe doktorandë shqiptarë, nuk bie në sy”, transmeton albinfo.ch.

Maçot ballkanikë”, një paragjykim i radhës

Vjosa Ismaili
Vjosa Ismaili

“Shqiptarët janë ose futbollistë, sportistë të sporteve luftarake ose badigardë. A është kështu?”, është pyetja e radhës. Për Vjosa Ismailin, ky është, mjerisht një perceptim i shumëkujt në Zvicër. “Qysh në gjimnaz vazhdimisht më kanë pyetur: `Si, ti je shqiptare?` E gjithë kjo sipas motos: nëse je shqiptare ti nuk mund as të studiosh. Ndërsa Arbnora Aliu thotë se kur i bëhen pyetje të tilla ajo përgjigjet me ironi se `e kanë martuar me detyrim dhe se është duke ardhur në studime tinëz`. Ndërkohë që shton se për familjen e saj ndjekja e studimeve është e nënkuptueshme pasi që dhe prindërit kanë studiuar në ish Jugosllavi.

Dy studentet shqiptare mohojnë po ashtu fenomenin e “maçove ballkanikë”, për të cilin po shkruhet me të madhe në shtypin zviceran “Unë nuk e njoh këtë dukuri, as në shtëpi e as në rrethin ku sillem. Thjesht, nuk është në rregull që një popull i tërë të satanizohet”, thotë Arbnora.

Të tre studentët përgjigjen se të drejtat në mes të gjinive ndër shqiptarët janë të barabarta, duke e sfiduar paragjykimin zviceran të radhës ndaj shqiptarëve.

“Shkoni në Shkup, Prishtinë ose në Tiranë. Është një shaka të besohet se femrat shqiptare janë të shtypura. Është e kundërta: ato janë të hapura dhe me vetëbesim”, thotë Arbnora. “Dmth nuk ka burka ose ngjashëm?” Të tre të intervistuarit thonë se nuk njohin asnjë shqiptare që bart burka (veshje islamike, mbulesë e plotë e fytyrës dhe trupit).

Janë interesante edhe përvojat e tre studentëve shqiptarë lidhur me diskriminimin e tyre në shoqërinë zvicerane. Luzha tregon rastin e një shoku të tij të cilin mësuesit nuk donin ta dërgonin në gjimnaz pasi që, sipas tyre, nuk e kishte nivelin e duhur. Ndërsa sot po ai shok, në moshën 23 vjeçare është duke e punuar temën e doktoratës në universitetin e St. Gallenit.

Lidhur me atë se sa ka rëndësi besimi islam në jetët e tyre, Arbnora thotë se është një pjesë e rëndësishme e përditshmërisë dhe se në familje e praktikojnë fenë në mënyrën që është më e përshtatshme për ta. Për Vjosa Ismailin, religjioni është një çështje personale ndërsa Luzha thotë se për të, ushtrimi i besimit të tij ka rëndësi të madhe. “Jo për shkak të traditës por për shkak të bindjes”, thotë ai dhe sqaron se “për shkaqe të njohura historike shqiptarët në Shqipëri janë më pak religjiozë se ata në Maqedoni dhe në Kosovë”. Sidoqoftë, shton ai, brenda shoqërisë shqiptare nuk ka konflikte fetare.

arbnora

Shqiptarët po integrohen…

Pyetjes së ndjeshme se a do të martoheshin me një zviceran, zvicerane, Arbnora i përgjigjet se i zgjedhuri i saj është shqiptar. Por babai i ka thënë se  nuk do t`i përzihej  në këtë çështje, “pasi që fundja, është vendim imi se me kë do ta kaloj jetën”. Për Luzhën, nacionaliteti nuk ka rëndësi në këtë kontekst.

Rreth asaj se ku e shohin të ardhmen e tyre, Luzha është i sigurt se do të mbetet të jetojë në Zvicër. Ai shpreson në një integrim të shqiptarëve në Zvicër, ngjashëm me atë të italianëve, duke mësuar prej tyre. “Unë shpresoj që profesorët italianë të kenë së shpejti kolegët e tyre shqiptarë. Në universitetin ETH etj. ka shumë studentë të talentuar. Më së largu në gjeneratën e tretë, shqiptarët do t`ia dalin”,

Arbnora Aliu thotë se brezi i ardhshëm do te ketë më shumë shanse në shkollim. Dhe atëherë  “nuk do të flitet më për ne por do të jemi ne që do të flasim”.